SPAK sot deklaron se biznesmeni Gerond Meçe është marrë peng, për shkak se u fut në garë, duke prishur përllogaritjet për paracaktimin e tenderave.
Por Gerond Meçe rezulton se ishte një prestanome për llogari të Armand Frangut, baxhanakut të kryeministrit të vendit. Madje, kompanitë e hapura nga ai dhe Armand Frangu kanë lënë gjurmë të mjaftueshme se ku kanë përfunduar të paktën 53 milionë euro e mbi 800 transaksione të AKSHI-t në favor të kompanive të tyre.
Armand Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, sipas të dhënave të siguruara nga QKB, rezulton aksioner në 2 kompani, B360 e bashkëthemeluar me Gerond Meçe dhe SIRMA, e themeluar në vitin 2017 me ortak kompaninë SIRMA Inc, ku Armand Frangu ka në zotërim 45% të aksioneve. Të dyja këto kompani kanë si objekt shërbimet IT.
Emisioni PLUG analizoi të dhënat e këtyre kompanive dhe punonjësit e tyre, ku gjenden edhe gjurmët e para të lidhjeve të kompanive të Gerond Meçes dhe Armand Frangut, për të faktuar më pas nëse Frangu ka përfituar para publike nëpërmjet ABS.
Për këtë na vjen në ndihmë profili në LinkedIn i punonjëses Gloria Avramushi.
Gloria Avramushi ka përfunduar studimet bachelor në vitin 2017 dhe menjëherë ka filluar punë pranë kompanisë SIRMA, ku aksioner është Armand Frangu.
Në LinkedIn, zonjusha Avramushi detajon disa nga projektet që ajo ka pasur ndër vite si punonjëse, ndër të cilat:
Një projekt është ai i “Certificates of Professional Competence” nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Sipas LinkedIn, SIRMA ka ndërtuar sistemin software për lejet e drejtimit. Ky projekt është zbatuar në periudhën shkurt 2019 – mars 2020. Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se pikërisht kompania ABS ka fituar tenderin e zhvilluar nga AKSHI në vitin 2018: tenderi “Plotësimi i sistemeve të lejedrejtimit” me vlerë 187 milionë lekë.
“Time Attendance”, po nga AKSHI, është një tjetër projekt i zhvilluar në periudhën tetor 2018 – prill 2019.
“Document Management System (Save the Children Albania)” është një tjetër projekt i fituar në dhjetor të vitit 2017. Ky projekt për këdo nuk do të përbënte interes pasi është një marrëdhënie midis subjekteve private, por për PLUG do të ishte një tjetër lidhje mes Armand Frangut dhe Gerond Meçes.
Deri tani shihet qartë se Armand Frangu ka përfituar fonde publike përmes ish-ortakut Gerond Meçe. Kjo lidhje është faktuar edhe më parë midis kompanive ABS dhe B360, ku sipas bilanceve marrin dhe japin shërbime njëra-tjetrës që nga themelimi. Nuk dihet nëse kjo është një marrëdhënie miqsh apo komshinjsh, pasi të ekspozuar përballë konfliktit të interesit, shkresërisht rezultojnë me biznese të ndara.
Një tjetër lidhje e fortë mes bizneseve të Armand Frangut dhe Gerond Meçes është edhe vendndodhja e bizneseve. Edhe pse të ndarë në letra, bizneset që i lidhin ata mes tyre janë në të njëjtën adresë. Kompanitë e Frangut dhe Meçes, në periudha të ndryshme, kanë deklaruar të njëjtën adresë: Njësia Bashkiake nr. 2, Rruga “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11, por në apartamente të ndara.
Më 29 prill 2015, kompania Advanced Business Solutions, e njohur shkurt si “ABS”, shtoi adresën Rruga “Papa Gjon Pali II”, Shkalla 1, Kati i 5-të, Apartamenti 13. Kjo adresë ka qenë funksionale deri më 8 qershor 2022.
Më 4 dhjetor 2012, kompania B360 vendosi adresën: Rruga “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11/1, Apartamenti 11. Kjo adresë ka qenë përdorur deri më 27 prill 2017.
Kompania Artificial Intelligence Business Solutions, shkurt AIBS, ka pasur si adresë të themelimit rrugën “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11/1, Hyrja 1, Apartamenti 19, në Tiranë.
Kompania SIRMA, e themeluar në vitin 2017, ka pasur si adresë fillestare Rrugën “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11, Apartamenti 11, në Tiranë.
Sipas disa të dhënave që emisioni PLUG mundi të mblidhte në kaq pak kohë, rezulton se në vitin 2016 lidhet kontrata me objekt “Rritja e sigurisë fizike dhe digjitale në shkollat e arsimit të mesëm, ndërtimi i platformës multidimensionale të komunikimit”.
Autoriteti kontraktues: AKSHI.
Ofrues i shërbimit: bashkimi i operatorëve FIRST, ABS dhe INFOSOFT.
Vlera e kontratës: mbi 4 milionë dollarë me TVSH.
Gjatë investigimit të kësaj kontrate, PLUG konstatoi një shkelje sa skandaloze aq edhe korruptive.
Në nenin 38.2 të kontratës “Personat e autorizuar për ndjekjen e kontratës” listohen punonjësit e ngarkuar për të ndjekur ecurinë si për palën AKSHI ashtu edhe për palën ABS. Për AKSHI, e dyta në listë është shtetasja Ermonela Kajo.
PLUG investigoi më tej dhe mundi të siguronte një dokument të AKSHI-t ku zonja Ermonela Denaj (Kajo) rezulton të jetë jo specialiste, jo shefe sektori, por Drejtore e Drejtorisë së Sistemeve e-Gov.
Veç pozicionit drejtues pranë AKSHI-t, Ermonela Denaj-Kajo rezulton të jetë edhe kunata e Gerond Meçes, përfituesit më të madh të tenderave të këtij institucioni.
Nga të dhënat e siguruara në gjendjen civile rezulton se Gerond Meçe është i martuar me shtetasen Elinda Meçe (Kajo). Kjo e fundit, prej vitit 2020, mban detyrën e dekanes së Universitetit Politeknik të Tiranës. Bashkëshortja e Gerondit ka tre motra, një ndër to është dhe shtetasja, drejtoreshë në AKSHI, zonja Ermonela Denaj (Kajo).
Shihet qartë që miqësia apo komshillëku në biznes i Gerond Meçes me Armand Frangun krijon mjaft lehtësira, duke të emëruar kunatën drejtoreshë në AKSHI dhe më pas duke të dhënë miliona euro tendera, të cilat i kontrollon po kunata drejtoreshë.
Në nenin 6 të kontratës, të firmosur mes AKSHI-t dhe bashkimit të operatorëve, përcaktohen Praktikat Korruptive, Konflikti i Interesit dhe Kontrolli i Procesverbaleve. Sipas këtij neni dhe nenit 26 të Ligjit të Prokurimit Publik, do të duhej minimalisht të deklarohej konflikti i interesit midis pronarit të kompanisë ABS, Gerond Meçe, dhe Drejtoreshës Ermonela Denaj-Kajo, e cila duhet të monitoronte zbatimin e kontratës nga kunati i saj.
Nuk dihet nëse Ermonela Kajo është emëruar aty me ndikimin e Armand Frangut për të arritur aty ku thotë edhe Ahmetaj, që në institucionin e AKSHI-t për çdo tender vendos ai.
Kjo do të duhet të hetohet nga SPAK, por një gjë është e sigurt: kontratat e kompanisë ABS janë në konflikt të pastër interesi, ndërsa emisioni Plug do t’i drejtohet zyrtarisht me kërkesë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për procedurat tenderuese të kompanive ABS dhe FIRST.
Për të faktuar lidhjen mes shtetasit Gerond Meçe dhe Armand Frangu, i rikthehemi edhe njëherë projekteve të detajuara në LinkedIn të punonjëses së kompanisë SIRMA, Gloria Avramushi. Për periudhën dhjetor 2017–2019, kompania SIRMA ka zhvilluar sisteme për organizatën jofitimprurëse “Save the Children Albania”.
Shefe finance në këtë OJF është shtetasja Erka Meçe, bashkëshortja e shtetasit Elvis Meçe dhe kunatë e shtetasit Gerond Meçe.
Kjo do të ishte një rastësi e madhe, por dyshimet shtohen pasi kompania SIRMA kishte vetëm pak muaj që ishte themeluar dhe me zero eksperiencë në tregun vendas, ndërsa “Save the Children Albania” është një OJF e themeluar prej vitit 1999 dhe me një eksperiencë të gjatë.
Adresa të njëjta, bashkëpunim, i njëjti staf dhe familjarë në institucionet shtetërore që u japin tendera janë të dhëna që forcojnë dyshimet se kjo nuk është thjesht një rastësi, por i takon SPAK-ut të zbardhë këto lidhje, që vetëm nga investigimi i drejtoreshës së AKSHI-t, Ermonela Denaj-Kajo, faktohet abuzimi me tenderat e fituara nga këto kompani që në total përllogariten në 53 milionë euro.
Emisioni PLUG investigoi edhe akuzën e ish-numrit dy të qeverisë për ngritjen e një zinxhiri kompanish që synimin e vetëm kanë pasur justifikimin e shpenzimeve për milionat e marra nga AKSHI. Kompania AIBS është themeluar në shkurt të vitit 2020 me ortak të vetëm shtetasin Gerond Meçe. Sipas të dhënave të bilanceve të deklaruara në QKB, që në momentin e themelimit AIBS deklaron një xhiro prej 177 milionë lekësh dhe 171 milionë lekë fitim. Në vitin 2021 xhiroja deklarohet rreth 198 milionë lekë dhe 177 milionë lekë fitim. Në vitin 2022 xhiroja rritet në 311 milionë lekë, nga të cilat 301 milionë deklarohen fitim, dhe në vitin 2023 xhiroja është 262 milionë lekë me 185 milionë lekë fitim.
Xhiro e kompanisë AIBS
Viti | Xhiro | Fitim
2020 | 177.621.000 | 171.126.000
2021 | 197.965.000 | 177.014.000
2022 | 311.253.000 | 301.528.000
2023 | 262.722.000 | 185.468.000
Total | 949.561.000 | 835.136.000
Pra, e thënë më qartë për publikun, Gerond Meçe fiton tendera publikë në vlerën 53 milionë euro me kompaninë ABS. Më pas, rreth 10 milionë euro nga këto para ia faturon sërish vetes te kompania AIBS. Meqë kjo kompani nuk ka çfarë shpenzimesh reale të deklarojë për punimet fiktive, raporton në Tatime dhe QKB një normë fitimi prej 80 për qind, duke e bërë kompani unike në treg sa i përket fitimit të lartë.
Dyshimi që ky xhirim dhe fitim prej 10 milionë eurosh është totalisht fiktiv ngrihet edhe nga punonjësit e të dy kompanive, të cilët rezultojnë të jenë të njëjtët. Gerond Meçe është pronari dhe i punësuar si te AIBS ashtu edhe te ABS. Elinda Meçe (gruaja e pronarit) rezulton e punësuar në tre pozicione: AIBS, ABS dhe dekane universiteti. Elvis Meçe (vëllai i pronarit) është i punësuar si te AIBS ashtu edhe te ABS. E njëjta skemë punësimi është përdorur edhe për punonjësit Iva Tarelli, Aneta Deliu, Vanjela Pine, Ibrahim Smoqi, Jorgjis Sollaku, Hariet Bani dhe Miltiadh Dine.
Pra, i njëjti pronar themelon dy kompani: me njërën fiton tenderat e AKSHI-t me çmime shumë të larta dhe, për të rritur shpenzimet, themelon kompaninë e dytë me të cilën rrit shpenzimet fiktivisht me rreth 10 milionë euro. Për ta bërë sa më të besueshme skemën, regjistron 10 punonjës që në fakt punojnë te kompania kryesore që merr tenderat.
SPAK hyri në kopshtin privat të Edi Ramës, te AKSHI. Por mbetet për t’u parë nëse prokurorët do të kenë guximin t’u tregojnë shqiptarëve se kush janë përfituesit faktikë të miliona eurove nga tenderat e AKSHI-t, apo do të mbetet gjithçka te biznesmenët prestanome. E për këtë me vlerë është edhe audio-përgjimi, ku sipas atyre që e kanë dëgjuar, Gerond Meçe deklaron se çdo tender në këtë institucion paracaktohet nga Linda Rama, apo nëse do të arrijnë të garantojnë dëshmitarë si Daniel Shima për të zbardhur deri në fund aferat korruptive të kopshtit privat të Edi Ramës.
/Emisioni PLUG
Problemi kryesor eshte mafia politike Rama-Basha-Meta -Berisha .
Tahiri eshte nje ushtar, qe po pret diten e lirimit , pasi te kaloj kontrolli!
Komunistat dhe mafiozat e politikes post, kane per “parim”harresen dhe vdekjen ,e para fshin kujtesen, e dyta dhimbjet!
****Prokuroria eshte e korruptuar dhe telekomandohet nga kasta. Ajo vepron sipas udhezimeve qe merrè nga politika, e cila vepron nen presionin e SHBA, por sa per sy dhe faqe per te mashtruar te huajt dhe opinionin publik, keto veprime jane pa prishur ekulibrin e sistemit te nderthurur me korrupsionin PD,LSI,PS. Shembulli special eshte Tahiri!
Shqiptaret duhet ta kuptojne se :
Clirimi i Shqiperis nga korrupsioni eshte politik ,dhe fillon kur te vihen ne pranga Edi Rama,Lulzim Basha, Ilir Meta ,Sali Berisha, Fatos Nano, te tjeret si Manjani qe ” ka blerè ” shtepin nga Balili dorzohen veté!
Nuk eshte e pa mundur sipermarrja ,duhet bashkim per te mbrojtur rreformen e drejtesis drejtuar nga SHBA dhe Europa!
Kujtoni ish kryeministrin Romun Adrian Nastase; Ish kryeministri kroat Ivo Sanader te burgosur; Keta jane peshq te vegjel perballe Rames,Metes ,Bashes dhe Berishes, etj.
Ketu tek ne politika ka vjedhur miliarda euro dhe ne duhet te kerkojmè !