Historianë dhe publicistë në Kosovë thonë se çdo hapje e temave për shkëmbim tokash apo korrigjim të kufijve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, është një aventurë shumë e rrezikshme që kërcënon shtetësinë e Kosovës dhe procesin historik i cili është rrumbullakuar me pavarësinë e Kosovës.
Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se para çfarëdo marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë, duhet të respektohet kushtetuta e Kosovës, të sigurohet njohja e ndërsjellë dhe pastaj të bisedohet edhe për korrigjime dhe lëvizje të kufijve.
“Askush nuk thotë që problemi i luginës së Preshevës apo veriut nuk është i rëndësisë historike për dy popujt, por për dy popujt në mënyrë të barabartë dhe ato duhet të trajtohen por këto duhet të trajtohen gjithsesi pas një procesi kur Kosova dhe Serbia do ta njohin njëra tjetrën si shtete. Çdo hapje e këtyre temave jashtë këtij konteksti është një aventurë shumë e rrezikshme, rrezikon shtetin e Kosovës, e rrezikon vetvetiu një proces historik i cili është rrumbullakuar me shtetin e Kosovës dhe këtu duhet të jemi shumë serioz”, tha zoti Buxhovi.
Zoti Buxhovi thotë se presidenti i Kosovës e ka filluar çështjen e korrigjimit të kufirit me mjaft zhurmë dhe në një mënyrë jo kushtetuese, pasi që, sipas tij presidenti i Kosovës nuk guxon të fillojë asnjë debat që lidhet me shkëmbimin e territoreve apo ndarjen e tyre.
“Në këtë aspekt unë mendoj se klasa politike e Kosovës duhet të sillet përgjegjshëm, gjithë opozitë e pushtet të marrin përgjegjësinë që kanë dhe jo të lejojnë që presidenti të luajë me këtë çështje apo të shtiren sikurse atyre nuk ju intereson, ky problem është shumë i rëndësishëm. Me Serbinë na pret një punë shumë e vështirë. Kosova gjithsesi sprovën e vet të shtetësisë duhet ta jap në raport me Serbinë, po ashtu Serbia edhe konceptin e saj për integrim në NATO apo Bashkim Evropian duhet pikërisht mbi këtë dhe meqë BE është njëri prej partnerëve, atëherë Kosova duhet të kërkojë maksimumin, të mbështetët me njohjen e Kosovës dhe pas njohjes t’u hyjë bisedimeve për çfarë do që lejohet mes dy shteteve por jo që këto bisedime të shkojnë në dëm të konceptit të shtetit të Kosovës dhe qenies së saj”, tha ai.
Publicisti dhe shkrimtari Milazim Krasniqi, thotë se debatet për shkëmbim territoresh apo korrigjim të kufijve kanë krijuar një traumë kolektive edhe në Kosovë edhe në Serbi dhe popujt e Kosovës dhe Serbisë po jetojnë në një depresion të tejzgjatur për shkak të politikave të tilla.
Milazim Krasniqi
“Politikanët kanë detyrë që të gjejnë zgjidhje të qeta dhe të gjejnë kompromise e jo të krijojnë problem përmes ‘spinit’ dhe aventurizmave. Kosova është bërë shtet në mënyrë të qartë dhe kufijtë ekzistues dhe kjo nuk do të duhej të hapet sepse do të dilnin problem të jashtëzakonshme. Unë jam i bindur se nëse hapet problemi i kufijve, mund të rrezikohet ndonjë version sirian për krizën e Kosovës për shkak se do të futeshin akterë të ndryshëm nga organizatat ekstremiste e deri te Rusia e akterë ballkanik, prandaj po e përcjellë me shqetësim këtë debat jo shkëmbim territoresh apo korrigjim të kufijve. Sinqerisht e kam të pamundshme ta kuptoj logjikën e këtyre avanturizmave politik”.
Zoti Krasniqi thotë se Kosova i ka kufijtë e vet me të cilën është shpallur shtet dhe se duhet të kërkohen zgjidhje tjera për siç thotë rehabilitimin e serbëve lokal përmes asociacionit të komunave serbe që është edhe një detyrim ndërkombëtar i Kosovës. Ai thotë se marrëveshja përfundimtare nuk mund të arrihet me shkëmbim territoresh ose me idenë e korrigjimit të kufijve pasi që pashmangshëm do të çonte në konflikt të armatosur.
“Ky lloj ‘spini’ që po bëhet për të krijuar një lloj paralelizmi meqë Serbia po kërkon veriun ne ta kërkojmë Luginën e Preshevës, është diçka e rrezikshme. Do të duhej të mbylleshin këto debate dhe të bëhet një fokusim i plotë në arritjen e një marrëveshjeje lidhur me bashkësinë e komunave serbe, Kosova të mbetet shtet unitar kështu si është dhe të përshpejtohet procesi i integrimeve euro-atlantike. Ajo është rruga e vetme e Kosovës dhe Serbisë ndërsa të gjitha të tjerat çojnë në rikthim të konflikteve të viteve të 90-ta”, tha zoti Krasniqi.
Edhe zoti Buxhovi edhe zoti Krasniqi thonë se logjika e shkuarjes në bisedime duke hapur çështjen e kufirit do të rrezikonte shtetin dhe të ardhmen e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Nagavci u shpreh se vendimi i GJK është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend.
KOSOVA- Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila pezulloi dekretin e Vjosa Osmanit. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Nagavci u shpreh se vendimi i GJK është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend.
Ajo shkruan se kërkesa e LVV-së është e drejtë dhe se argumentet e tyre janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Në fund, Nagavci tha se LVV- pret një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës së tyre.
Reagimi i Arbërie Nagavci:
Mirëpresim vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të Presidentes. Besojmë se kërkesa jonë është e drejtë dhe se argumentet tona janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Presim një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës sonë.
Ashtu siç e kemi cekur edhe në Kërkesë, presim që Gjykata të nxjerrë Aktgjykim me të cilin vendos: -të anulojë Dekretin nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës; -si dhe të urdhërojë deputetët e Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend./Dosja.al
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se vendimi është ex officio dhe se ai ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Gjykata tha se masa vlen deri në vendosjen e rastit nga ajo dhe se ajo “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, pasi e shpërndau Kuvendin përmes dekretit, i cili u kundërshtua në Kushtetuese nga partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.
Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.
Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.
Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme
Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe partia e kryeministrit Albin Kurti.
Osmani e ka arsyetuar dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.
Por, Partia në pushtet tha se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga partia në pushtet kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.
Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush.
Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.
Deputeti Belind Këlliçi ka shpërthyer në një postim në rrjetet sociale, duke akuzuar Edi Ramën për abuzim të pushtetit dhe për pengimin e drejtësisë.
Ai theksoi se me vendimin e fundit, ku Rama ruajti imunitetin përballë kërkesës së SPAK, Shqipëria dështoi në testin kritik të Brukselit. Këlliçi e quajti këtë një akt kundër Shqipërisë, duke shtuar se Rama po mbron aferat korruptive dhe duke e konsideruar këtë një përpjekje për të shpëtuar karrigen e tij.
Ai bëri thirrje për mobilizim qytetar më 12 mars, për të kundërshtuar një kryeministër që ka lidhje me krimin dhe kartellet, dhe që ka shpallur luftë ndaj drejtësisë.
Postimi:
Shqipëria nuk e kaloi testin kritik, bashkohemi më 12 mars të shpëtojmë vendin!
Edi Rama vendosi sot të ruajë imunitetin përballë drejtësisë me forcën e kartonave që ka në Kuvend. Edi Rama u tha të gjithë shqiptarëve se ai është mbi ligjin dhe nuk është i barabartë me qytetarët. Duke zgjedhur të mbrojë aferat e tij korruptive, dhe duke mbrojtur bashkëpunëtoren më të ngushtë, Edi Rama sfidoi drejtësinë dhe integrimin europian të vendit, si dhe hodhi dhe një hap tjetër në përshkallëzimin e tensionit politik në vend.
Ky akt është një vendim kundër Shqipërisë, vetëm e vetëm që Edi Rama të ruajë karrigen e lëkurën e tij. U dëshmua haptazi dhe sot se qendrimet e përbetimet e tij për drejtësinë kanë qënë një propagandë e ulët që ra, në rastin më të parë kur hetimi shkoi në paradhomën e tij.
Me vendimin që shpalli sot, Edi Rama konkludoi pengimin e drejtësisë, një kurs që nisi që ditën e parë kur mbërriti në Kuvend kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut.
Të gjitha zvarritjet dhe sulmet e vazhdueshme ndaj SPAK kulmuan me vendimin sot për të rrëzuar kërkesën e Strukturës së Posaçme anti-korrupsion.
Testin kritik, siç e cilësoi këtë Brukseli, Shqipëria sot nuk e kaloi.
Tanimë është e qartë për çdokënd. Edi Rama është gati të marrë peng vendin dhe të ardhmen e tij, për të shpëtuar nga drejtësia, për të shpëtuar nga burgu që e pret.
I ngelet qytetarëve, i ngelet shqiptarëve të thonë fjalën e fundit. Me 12 mars, bashkohemi para Kuvendit, e të shpallim se Shqipëria nuk është plaçkë e një kryeministri të korruptuar e të lidhur me krimin e kartelet.
Inflacioni u rrit në muajin shkurt, duke arritur niveklin më të lartë në shtatë muajt e fundit.
Sipas të dhënave nga INSTAT, inflacioni arriti në 2.5%, nga 2.3% që kishte qenë për janarin. Inflacioni ka shënuar një rritje të ndjeshme edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte nivelin 1.9%.
Rritja vjetore e çmimeve në Shkurt 2026 u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 5,3 %, pasuar nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,3 %, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4,2 %, “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 2,4 %, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,2 % secili, “Shërbimi arsimor” me 1,9 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,7 %.
Sipas kontributit në inflacion, rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +1,06 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,60 pikë përqindje.
Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me + 0,15 pikë përqindje, çmimet e grupit “Restorante dhe shërbime akomodimi” ndikuan me +0,13 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,08 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,06 pikë përqindje secili, çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Informacioni dhe komunikimi” me +0,03 pikë përqindje secili, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” me +0,02 pikë përqindje secili.
Në projeksionet e saj për inflacionin, Banka e Shqipërisë ka parashikuar një rikthim të tij pranë objektivit prej 3% në gjysmën e parë të këtij viti.
Megjithatë, lufta në Lindjen e mesme dhe rritja e shpejtë e çmimeve të naftës po sjell skenarë të rinj për inflacionin. Nëse rritja e çmimeve të naftës do të jetë e qëndrueshme, një rritje e inflacionit gjatë muajve të ardhshëm do të jetë e paevitueshme. Zhvillimet e reja pritet të sjellin një rishikim të projeksioneve të inflacionit, por edhe një kurs të ri të politikës monetare.
Aktualisht, norma bazë e interesit në Shqipëri është në nivelin 2.5%, por skenarët e rinj inflacionistë mund të sjellin një rritje të normave të interesit më shpejt nga sa parashikohej./Monitor/
Teksa PS vendosi të rrëzojë SPAK duke mos i dhënë autorizimin për arrestimin e Ballukut, reagon Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
REAGIMI
MË NË FUND DEL HAPUR: I KORRUPTUARI MBRON TË KORRUPTUARIT! MË NË FUND, ZYRTARISHT PENG!
Vendimi i “Gjykatës Supreme të Republikës – PS” për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut konfirmon atë që kemi thënë që në ditën e parë: Edi Rama është peng i Belinda Ballukut. I kapur në kurthin e korrupsionit që ka ndërtuar vetë, Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përndryshe, nuk do të ishte i detyruar që, pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, të hiqte maskën propagandistike të reformatorit, duke u kthyer në pengesën madhore të drejtësisë!
SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo.
Kjo nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike. Ky ishte një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Europa kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta, por Edi Rama zgjodhi korrupsionin dhe, pengimin e drejtësisë! Kur drejtësia bllokohet për të mbrojtur pushtetin, peng bëhet edhe integrimi europian.
Me qendrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut.
Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt. bw
Shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh që jetojnë në Itali, pas rumunëve.
Sipas të dhënave të Eurostat për strukturën e popullsisë së huaj sipas vendit të lindjes, rreth 557 mijë persona të lindur në Shqipëri jetonin në Itali, ndërsa rreth 416 mijë rezultojnë si shtetas shqiptarë.
Diferenca mes këtyre dy shifrave lidhet kryesisht me faktin që një pjesë e emigrantëve shqiptarë kanë marrë ndërkohë shtetësinë italiane, që vlerësohet rreth 141 mijë persona.
Kjo e konfirmon komunitetin shqiptar si të dytin më të madh në Itali pas atij rumun, duke ruajtur një prani shumë të konsoliduar në tregun italian të punës dhe në strukturën sociale të vendit. Shtetasit e lindur në Shqipëri përbëjnë 8.3% të totalit të emigrantëve në Itali.
Grupi më i madh i emigrantëve në Itali janë rumunët, me rreth 900 mijë shtetas të lindur në Rumani, ose 13.5% të totalit.
Duke pasur parasysh popullsitë aktuale të dy vendeve, Rumania me 19 milionë banorë dhe Shqipëria me 2.36 milionë banorë, komuniteti shqiptar në Itali, në raport me popullsinë në vendin mëmë, është disa herë më i madh se ai rumun.
Eurostat nuk raporton të dhënat për Greqinë, ku jetojnë një numër i lartë emigrantësh shqiptarë, që vlerësohet që janë në të njëjtin nivel, ose më shumë se në Itali.
Në raport me popullsinë, Shqipëria ka numrin më të lartë të emigrantëve në Europë, me afërsisht 1 në 2 shqiptarë jeton në BE, çka e vendos vendin dukshëm në krye të listës në raport me popullsinë.
Eurostat ka raportuar për çdo shtet të BE-së, pesë kombësitë kryesore të qytetarëve të huaj. Në Slloveni, psh ka rreth 30 mijë shtetas të lindur në Kosovë, ose 9.3% të totalit.
Sipas Eurostat, më 1 janar 2024, 44.7 milionë persona të lindur jashtë BE-së jetonin në një vend të Bashkimit Europian, duke përfaqësuar 9.9% të popullsisë së BE-së. Kjo përfaqëson një rritje prej 2.3 milionë personash krahasuar me vitin e mëparshëm.
Përveç kësaj, 17.9 milionë persona që jetonin në një nga vendet e BE-së më 1 janar 2024 kishin lindur në një vend tjetër të BE-së, duke shënuar një rritje prej 0.2 milionë personash krahasuar me një vit më parë.
Në terma absolutë, numri më i madh i personave të lindur jashtë vendit që jetonin në BE më 1 janar 2024 gjendej në Gjermani (16.9 milionë), Francë (9.3 milionë), Spanjë (8.8 milionë) dhe Itali (6.7 milionë). Personat e lindur jashtë vendit në këto katër vende përbënin së bashku 66.6% të totalit të personave të lindur jashtë vendit që jetonin në BE, ndërsa të njëjtat katër vende përbënin 57.8% të popullsisë totale të BE-së.
Pesha më e lartë relative e personave të lindur jashtë vendit në raport me popullsinë totale u regjistrua në Luksemburg (51.0% e popullsisë rezidente), e ndjekur nga Malta (30.8%), Qipro (26.9%), Irlandë (22.6%), Austri (22.1%), Suedi (20.6%) dhe Gjermani (20.2%).
Në të kundërt, personat e lindur jashtë vendit përbënin më pak se 5% të popullsisë në Poloni (2.6%), Rumani (3.1%), Bullgari (3.3%) dhe Sllovaki (3.9%)./Monitor
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar një mesazh nga drejtuesi i saj Klodjan Braho lidhur me angazhimin e institucionit në luftën kundër krimit të organizuar.
Në mesazhin e shpërndarë në llogarinë zyrtare të SPAK, Braho thekson se Prokuroria e Posaçme do të vijojë të veprojë me vendosmëri ndaj grupeve kriminale dhe çdo zyrtari publik që bashkëpunon me ta.
“Ne do të vijojmë të godasim me forcën e ligjit krimin e organizuar, si dhe çdo funksionar publik që bashkëpunon apo lehtëson veprimtarinë e krimit të organizuar”, thuhet në mesazhin e Brahos të publikuar nga SPAK. Panorama
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, ka adresuar një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.
Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkuruese në rajon.
Më poshtë letra e plotë:
I nderuar Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë
I nderuar Enea Karakaçi – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
I nderuar Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes
1.Liburn Aliu – Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit Portual të Durrësit
Shqipëria ka një mundësi historike për të riformësuar gjeometrinë logjistike të Ballkanit, duke zhvendosur gravitetin ekonomik të rajonit dhe duke arritur dominancë strategjike në ndërlidhje përmes ndërtimit të korridoreve me kapacitet të lartë të ankoruara në Porto Romano.
Infrastruktura është inxhinieri.
Dominanca logjistike është qeverisje e mirë dhe lidership.
Shpejtësia e ndryshon gjeometrinë më shpejt se ideologjia.
Vendimi i planifikuar për 9 mars në lidhje me Porto Romanon përfaqëson një moment strategjik kombëtar që do të formësojë pozicionin gjeopolitik dhe ekonomik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekada.
Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike të bëra në portet mund të përcaktojnë fatin e një kombi për një shekull.
Nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e tij aktuale të kufizuar, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm.
Portet e mëdha janë ndër asetet gjeopolitike më të rëndësishme të një kombi. Ndryshe nga rrugët apo hekurudhat, të cilat mund të zgjerohen me kalimin e kohës, portet e mëdha zakonisht ndërtohen vetëm një herë në një shekull dhe shkalla fillestare e tyre përcakton potencialin strategjik afatgjatë.
Problemi Thelbësor
Projektimi aktual i Porto Romanos është jashtëzakonisht i vogël:
1.400 metra mur moli (quay wall)
2.38 hektarë sipërfaqe portuale
Krahasim me porte të tjera:
Portet konkurrojnë në shkallë.
Në ekonominë detare të sotme, një port 400 metra që në realitet mund të akomodojë vetëm NJË anije të madhe nuk mund të konkurrojë me një port 24 kilometra.
Korridori 8 varet nga Porto Romano
Korridoret e transportit ndjekin portet — jo e kundërta.
Një port i vogël nuk mund të gjenerojë volumet e mallrave të nevojshme për të mbështetur një korridor logjistik madhor lindje-perëndim si Korridori 8.
Korridori 8 nuk do të ndjekë një port të vogël. Nëse Porto Romano mbetet i vogël, ngarkesat rajonale do të vazhdojnë të kalojnë përmes Pireut dhe Selanikut.
Konteksti Strategjik
Për shkak të pozicionit gjeografik mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi, Korridori 8 ka qenë një objektiv strategjik për më shumë se tre dekada.
Megjithatë, jo të gjithë aktorët gjeopolitikë ndajnë të njëjtin interes për zhvillimin e një boshti të fortë logjistik lindje-perëndim në Ballkan. Disa aktorë përfitojnë nga ruajtja e flukseve ekzistuese veri-jug, të përqendruara rreth porteve të tjera të Mesdheut.
Infrastruktura në rajone me konkurrencë gjeopolitike nuk është kurrë neutrale.
Mundësia Strategjike
Porto Romano mund të bëhet platforma qendrore logjistike e Evropës Juglindore, e integruar me Korridorin 8.
Një zhvillim në shkallë strategjike duhet të synojë:
1. kapacitet 18 metra thellësi ujore;
2. 2+ milion TEU kapacitet kontejnerësh;
3. zona të mëdha logjistike dhe Zona të Lira Tregtare;
4. terminale RoRo dhe energjie (përfshirë LNG nga SHBA);
5. infrastrukturë detare dhe strategjike të NATO-s.
Kjo platformë do ta vendoste Shqipërinë në qendër të zinxhirëve rajonalë të furnizimit.
Dimensioni Strategjik i NATO-s
Një Porto Romano me ujëra të thella, i lidhur me Korridorin 8, do të forconte ndjeshëm mobilitetin dhe qëndrueshmërinë strategjike të NATO-s në Evropën Juglindore.
Zgjedhja Strategjike
Pyetja është e thjeshtë:
A do të varet Shqipëria nga Pireu dhe Selaniku — apo do të varen Ballkani nga Porto Romano?
Një Porto Romano i vogël do të mbetet një port kombëtar dytësor.
Një Porto Romano i madh mund të ripërcaktojë rolin strategjik të Shqipërisë në Evropën Juglindore.
Zgjidhja e Propozuar
1.Kërkojmë me respekt që tenderi i Porto Romanos i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet në bazë të kërkesave më të fundit të NATO-s dhe Korridorit 8.
2.Mund të lehtësojmë zhvillimin EPC+F të një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.
3.Mund të ofrojmë firmat më të mira inxhinierike amerikane për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, hekurudhave, autostradave dhe të gjithë infrastrukturës dual-use të Korridorit 8, të ndërtuara sipas standardeve të NATO-s, në koordinim të plotë me NATO-n dhe për të siguruar financim shtesë nga NATO.
Banorë të fshatrave të njësisë Thumanë, sot për të katërtën herë radhazi, protestuan pranë nënkalimit të autostradës Thumanë-Kashar.
Shkatërrimi i rrugës së Gramzës nga automjetet të cilat devijojnë këtë aks të autostradës, dhe mosinteresi i ARRSh dhe bashkisë Krujë në investimin e kësaj rruge prej rreth 500 metrash, detyron banorët e zonës të bllokojnë rrugën në shenjë proteste.
Aulon Kalaja ka deklaruar se edhe pse u bë e katërta herë që protestohet ende nuk ka një reagim nga institucionet, ndërsa paralajmëroi kallëzime sa i përket situatës.
“Kjo është protesta e 4 dhe nuk ka reagim nga institucionet. Banorët vendosën të nënshkruajnë një peticion drejtuar institucioneve përgjegjëse. Të kërkosh rrugë në 2026 është fatkeqësi kombëtare, kjo ndodh në disa fshatra. Sa herë kemi protestë hedhin një dorë çakull, por nuk është kjo zgjidhja.
Kalojnë mbi 2 mijë trajlera në ditë, imagjinoni në çfarë situate janë këta banorë. Banorët do të ndjekin hapat në prokurori, gjykatë, do jetë një rrugë e gjatë ligjore”, tha ai.
Për rreth një orë banorët qëndruan në rrugë, duke bllokuar qarkullimin, ndërsa apeluan institucioneve për investime në rrugët e dëmtuara të Krujës, një ndër zonat më me pak investime e lënë jashtë vëmendjes së qeverisë. bw
Siç mund te jeni ne dijeni kemi filluar me mbledhjen e firmave per zhvillimin e referendumit per shfuqizimin e ligjit per barazine gjinore dhe qe ne ligj te parashikohet martesa burre dhe grua sipas certifikates se lindjes. Duke qene se do te na duhen 50,000 firma nese do te na ndihmonit me sa me shume firma te jete e mundur. Shume shpejt do bejme edhe nje thirrje per njerez qe te behen pjese e grupit per te arritur qellimin. Nderkohe me poshte gjeni secilin formular te cilet do te na duhen fizikisht.
Por që per t’i marrë formularët do te koordinohemi.
Më 2 Mars 2026 kryeministri i paraqiti presidentit propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar.
Ishin shtatë të tillë.
Ndryshime që vijnë 11 muaj pas çeljes së fushatës së zgjedhjeve të 11 Majit 2025 me sloganin:- “BE-2030, vetëm me Edin dhe PS”.
Dy ditë më pas ndryshimeve më 4 Mars, ndoshta dhe në një nga mbajtjet më të gjata në kohë të firmosjes së dekreteve nga ana e kreut të shtetit Begaj, nguti institucional dhe kriza që e shoqëron kryeministrin po tregon se natyra e shkarkimeve, largimeve, zëvendësimeve dhe transferimeve “të parapara” kanë të bëjnë vetëm me të. Ai si i vetmi strategjist dhe urdhërues rezultoi që të Enjten më 5 Mars me votat në masë me 83 dhe 85 (kartonë jeshil) të vendosë për daljen e bujshme të zv/kryeministres B. Balluku, Ministres së Jashtme E. Spiropali dhe Ministrit të Mbrojtjes P. Vengu dhe zëvendësimin e tyre me anëtarë të kabinetit apo edhe me emra të rinj me funksione nga administrata shtetërore. Ajo që ra në sy ishte se kryeministri, propozuesi i këtyre ndryshimeve nuk pati interes për ecurinë e diskutimeve dhe debatit në Kuvendin e Shqipërisë i cili pas çdo seance vazhdon të shënojë rekorde të ulëta në pritshmëritë e tolerancës, gjuhës jo etike, kohën për përcjelljen e fjalës së përfaqësuesve popullit në kuvend si edhe ndëshkimeve për mospjesëmarrje në afate të caktuara kohore të atyre përfaqësuesve/deputetë që shkelin disiplinën dhe normat e jetës parlamentare.
Në qoftë se do të ndaleshim në analizën e çdo rasti të veçantë, përmbajtja e tyre në raport me seriozitetin dhe problemet emergjente që pol kalon vendi janë jo vetëm një rrëmujë dhe kaos i mirë-menduar, por përfaqësojnë uljen e nivelit të përgjegjësive të një kabineti të ri që “merr pëlqimin” me fuqinë e kartonit prej përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë.
Mos prania e kryeministrit justifikon pikërisht frymën e zhvillimeve në Kuvend sikurse edhe mbyll ciklin katër këndor të telajos së re në fantazinë “pa njolla” të Ramës; propozim-dekretim-votim-betim (në të cilin nuk ishte i pranishëm), ku “respekti” mbahet vetëm me kreun e shtetit.
Tani vjen pyetja po këta ministra të zhvendosur sikurse edhe ata të zgjedhur rishtas në kabinet a e fitojnë respektin e tyre institucional që në ditën e parë me këtë mënyrë?
Cila do të jetë performanca e tyre në ditët që do të vijnë dhe për çfarë do të betohen me dorën mbi kushtetutë?
Një përforcim e jep edhe lajmi nga presidenca ku sipas ATSH u lexua dekreti për emërimin, dhe ministrat e rinj u betuan me dorën mbi Kushtetutë sipas formulës së betimit:“Betohem në nderin tim se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”.
Gjithçka vlen për t’u parë në ditët e ardhshme, mirëpo shkarkimi me dekret nga presidenti Begaj i zv/kryeministres B. Balluku, Ministres së Jashtme E. Spiropali dhe Ministrit të Mbrojtjes P. Vengu të dalë nga listat e mbyllura Fier, Tiranë dhe Vlorë si deputetë dhe ministra të mandatit të katërt tashmë pa asnjë risi, ulja e tyre në stol do të ketë rezultatin e shumë prej ish funksionarëve që sot janë të heshtur brenda Kuvendit apo thuajse nuk kanë asnjë zë jashtë tij.
Megjithëse shumë në media po shtjellojnë ose analizojnë shkaqet e ndryshimeve dhe përplasjet brenda Rilindjes Socialiste në llogoret e PS, postet në qeveri larg korrupsionit tradicionalisht socialistët i kanë parë me parimin e vlerave dhe meritave si luftëtarë në politikë, deri diku edhe si meritokraci, por që nga mandati i tretë dhe deri tek ky i fundit i Ramës përzgjedhjet janë bërë të papritura, të panjohura dhe të përdorura.
Në qoftë se shembujt e dy të parave janë konsumuar, të përdorurit gjë që ka ndodhur edhe më parë kanë patur një fund zhgënjyes ose një fund i ngjashëm i pret një ditë.
Ndërsa në historinë e qeverisjes 12-13 vjeçare të Rilindjes Socialiste pozicioni dhe roli i Ministrit të Jashtëm ka patur dukuritë më të papritura në ecurinë e diplomacisë shtetërore edhe pse me fytyrë nga perëndimi është vënë re se diplomacia ka marrë goditje dhe është vënë në vështirësi pikërisht nga egoja, autoriteti, arroganca, amatorizmi dhe nga gafat e vetë kryeministrit.Dikush mund të kërkojë një listë prej tyre.
Ajo ekziston dhe ka aq shumë sa niveli ekonomik, siguria dhe popullsia e vendit tregojnë realisht gjendjen çdo ditë dhe më shumë. Ky qëndrim që po japim duket si një përgjithësim i argumentit, por ai bëhet i qëllimshëm për t’i shpëtuar zhurmës dhe shifrave të propagandës. Për t’u larguar nga krahasimet jashtë dhe brenda dhe sigurisht tani me “epokën” e mburrjes së hapjes së të gjithë grup kapitujve për në BE dhe ku në formën më naive Rama po i kërkon BE-së për t’u pranuar siç jemi dhe pa të drejtë vote ne mund të kuptojmë edhe më mirë se ku shkoi slogani:- “BE-2030, vetëm me Edin dhe PS”.
Mirë që Qeveria e Re u prezantua si mjeti për të përshpejtuar integrimin europian dhe atë që Rama e quante dikur se hapja e kapitujve të negociatave ishin për të “rasti i jetës”, pra trashëgimia politike që do të linte pas dhe ku përsëriti se Shqipëria synon të përmbushë objektivin e anëtarësimit deri në vitin 2030, pyetja tjetër që shtrohet është se:-Kush ishte pritshmëria dhe ku ra ky standard që të afrohesh me Vuçiq dhe ky presion i propozuar gjeostrategjik të jetë një kthim shumë prapa në diplomaci?
A nuk kishte një heshtje dhe mos prani të Shqipërisë në Davos 2026?
Jo si herë të tjera, kur flitej për BE-në, turizmin etj., mungesa e Shqipërisë hodhi vemendjen në treshen Azerbajxhan, Armeni dhe Serbi si Ura Ekonomike Euro-Azisë. Ideja e hedhur ishte Kaukazi Jugor dhe rajoni më i gjerë Euro-aziatik të mund t’i forcojnë lidhjet ekonomike, paqen dhe stabilitetin gjeopolitik në mes të ndryshimit të ndikimit global. Një interes mes këtyre vendeve
që ngrihet paralel me Korridorin e VIII-të dhe ku Vuçiq tregoi numrat se:“- do t’ju tregoj pse nga Armenia, le të themi, 3 milionë Armenia, 7 milionë Serbia dhe 10 milionë Azerbajxhani do të duhet të merremi vesh me njëri-tjetrin, do të duhet të bashkëpunojmë, do të duhet t’i bëjmë gjërat së bashku”.
Shqipëria, popullsia shqiptare që po tkurret dhe mplaket pikërisht nga korrupsioni a e ndjen këtë rrezik kur Rama guxon dhe kërkon pranim në BE pa plotësuar jo vetëm kushtet, por të futet si parti-shteti i parë në BE.
Kjo është diplomacia më antikombëtare që po zhvillohet në politikën e jashtëme shqiptare duke ditur se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, por quan ende pjesë të saj.
Pra me çfarë platforme kanë vijuar ministrat e jashtëm gjatë këtyre mandateve, me çfarë aksioni veç propagandës veproi ministrja e jashtme e sapo shkarkuar dhe me sa forcë duhet të veprojë ministri i ri i sapo betuar që Shqipëria të mos identifikohet me aventurën e kryeministrit Rama?
Në qoftë se ky konkluzion mund të duket një argument pa rrjedhojë nga tre mandatet e mëparshme dhe tek ky i fundit le të rendisim pak fakte gjatë dy muajve Janar -Shkurt.
Mirë që brenda vendit gjithçka paska shkarë, por që edhe bota perëndimore ta ketë ulur kaq shumë vigjilencën në diplomaci kjo duket e pabesueshme?!… i ka mbyllur sytë Evropa dhe pranon të milet nga Rama dhe Vuçiq?!
Duke i mbyllur katër këndet e telajos së re të Ramës, ku siç shihet nuk kemi sjellë as përforcime bojërash nga fusha e drejtësisë, politika e jashtme dhe tre katër vizitat e sforcuara të Ramës në dy muajt e parë të vitit 2026 që mbeten për t’u shënuar; Abu Dhabi, Vatikan, Jeruzalem dhe Uashington. Të gjitha këto e humbën menjëherë peshën edhe pse pikërisht u sajuan për tërheqje vëmendje sepse skandali i korrupsionit me zv/kryeministren Balluku u thellua, presioni mbi gjykatat u shtua, fatkeqësitë natyrore goditën aq hakmarrëse si për t’i nxjerrë “ujin e zi” investimeve me cilësi shumë të dobët në infrastrukturë. Të gjitha këto zbuluan vjedhjet. Mbi të gjitha kryeministri “mungoi” në takimet e rëndësisë së veçantë të Forumit Ekonomik të Davos-it dhe të Konferencës së Sigurisë së Munih-ut dhe u shfaq papritur bashkë me Vuçiq tek ‘ky presion i propozuar gjeostrategjik si një kthim shumë prapa në diplomaci’.Në qoftë se se një diplomat karriere si Ferid Hoxha u betua në postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme si nuk mund t’i ngjajë paraprirësve, as mund të jetë nën hijen e plotë dhe imponimit të Ramës, sikurse për shkak të karrierës ai do të jetë ndoshta i pari Ministër i jashtëm që në harkun e pak ditëve do të duhet të sqarojë në një interpelancë të thirrur nga Kuvendi i Shqipërisë se çfarë përfaqëson në diplomacinë shqiptare teza Rama-Vuçiq për anëtarësimin pa të drejtë vote në BE.
6 Mars, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Gjatë një konference për shtyp, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pyet direkt përse Vetëvendosja nuk kandidoi Vjosa Osmanin për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Ai theksoi se e dinte se Osmani nuk do të siguronte kuorumim e nevojshëm dhe se kjo u pa edhe në seancë plenare.
Ne e kemi ditur paraprakisht që as presidentja aktuale, e as presidenti potencial nuk na garantojnë kuorumin, kjo u pa mbrëmë me 66 deputetë dhe në këtë situatë kemi bashkëpunuar me parti të tjera. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi vepruar ashtu siç kemi vepruar”, tha ai.
Më te ai nënvizoi se kjo ndodhi pasi partia e kryesore opozitare, PDK, kërkoi që emrat për president të jenë nga partitë.
“Ne jemi përpjekur të gjejmë figurën konsensuale dhe shtegun për propozime partiake e nisi partia kryesore opozitare, PDK, ne nuk ishim për atë. Kur thanë se do të bëhen veç propozime të partive dhe afrohet afati kur ne duhet të jepnim së paku një propozim, ne erdhëm te emri i Glauk Konjufcës.
Tash, ne e kemi ditur paraprakisht që as presidentja aktuale, e as presidenti potencial nuk na garantojnë kuorumin, kjo u pa mbrëmë me 66 deputetë dhe në këtë situatë kemi bashkëpunuar me parti të tjera. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi vepruar ashtu siç kemi vepruar dhe në fund erdhëm në situatën që nuk ishte kandidate as presidentja aktuale. Ne jemi takuar qindra herë me presidenten gjatë këtyre më shumë se pesë viteve.
Kemi pasë diskutime të panumërta. Tash ne ruajmë transparencën e proceseve, por në të njëjtën kohë duhet të ruajmë edhe konfidencialitetin e bisedave. Shumë biseda kemi bërë. Ajo është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër dhe nuk është koha tash të bëj diskutime publike, politike me presidenten e vendit. Nëse një ditë, siç është paralajmëruar, ajo do të kthehet në politikë, ajo do të ishte një situatë tjetër”, tha Kurti. Panorama
Komentet