Kur një regjim përballet njëkohësisht me presion të vazhdueshëm protestash, dosje korrupsioni të pambyllura dhe sinjale se mbrojtja diplomatike perëndimore po dobësohet, logjika e pushtetit ndryshon në themel.
Për një autokrat të konsoliduar, humbja e postit nuk është thjesht një rotacion politik i zakonshëm, por një kërcënim ekzistencial, ndaj shteti i nënshtrohet tërësisht llogjikës së mbijetesës personale të drejtuesit.
Për të mbrojtur pushtetin dhe imunitetin që vjen me të, aparati në fuqi nuk zgjedh konfliktin e hapur, i cili do të tërhiqte reagim të shpejtë ndërkombëtar. Në vend të kësaj, përdoret një krizë e projektuar me kujdes, një “anarki të kontrolluar”, me qëllim që të neutralizojë opozitën, të dekurajojë qytetarët dhe, njëkohësisht, t’i paraqitet kancelarive perëndimore si i vetmi garantues i mundshëm i stabilitetit rajonal.
Kjo strategji zbatohet përmes pesë boshteve kryesore taktike.
Provokimi i dhunës së kontrolluar dhe krijimi i një “rreziku ekstremist”
Në vend që protestat të shtypen frontalisht, strukturat e sigurisë lejojnë, ose vetë provokojnë, incidente të shkallëzuara. Përdorimi i elementëve të infiltruar për të sulmuar institucione apo kordonë policorë i shërben një qëllimi të qartë, ndryshimit të menjëhershëm të narrativës publike.
Përmes kësajj alibie, një protestë qytetare kundër korrupsionit paraqitet si “tentativë për destabilizim të dhunshëm”. Kjo u jep autoriteteve bazë ligjore dhe politike për të vendosur masa të jashtëzakonshme, për të ndaluar tubime, për të ushtruar presion mbi organizatorët dhe për të goditur strukturat organizative të opozitës.
Fabrikimi i një kërcënimi të jashtëm dhe i “sulmit hibrid”
për të zhvendosur vëmendjen nga pakënaqësitë e brendshme dhe kërkesat e opozitës, regjimi ndërton ose përshkallëzon narrativa sigurie rajonale. Përmes kanaleve jozyrtare me aktorë të tjerë rajonalë, mund të koordinohen ose të nxiten tensione në pika të ndjeshme.
Kësaj i shtohet cilësimi i opozitës si instrument i financuar apo i drejtuar nga aktorë të huaj armiqësorë. Duke e paraqitur veten “nën sulm hibrid”, pushteti bën thirrje për unitet kombëtar, ndërsa rivalët politikë stigmatizohen si rrezik për sigurinë e vendit.
Aktivizimi i strukturave paralele dhe presioni asimetrik
Aty ku forcat zyrtare të rendit hezitojnë ose krijojnë kosto imazhi në Perëndim, hyjnë në lojë strukturat informale të pushtetit, rrjete të lidhura me shërbimet e inteligjencës, segmente private sigurie dhe aktorë të krimit të organizuar.
Këto përdoren për të shantazhuar figura të opozitës, për të penguar veprimtarinë e saj në terren dhe për të kontrolluar nyje kyçe urbane.
Instrumentalizimi i drejtësisë dhe goditja selektive
Për të goditur rivalët pa humbur fasadën e “reformave” përpara vëzhguesve ndërkombëtarë, aparati shtetëror e përdor drejtësinë si armë asimetrike. Përmes dosjeve të përzgjedhura dhe rrjedhjeve të kontrolluara nga inteligjenca, synohen figura financiare dhe politike të opozitës, si dhe media kritike.
Masa izoluese ndaj drejtuesve të opozitës, kufizimi i lëvizjes së tyre apo hapja e proceseve gjyqësore pa fund të parashikueshëm synojnë kapitullimin e drejtimit politik të lëvizjes opozitare, duke e lënë atë pa koordinim operativ në terren.
Dilema e rreme për Perëndimin: “Unë ose kaosi”
Rezultati strategjik i gjithë kësaj nuk është vetëm kontrolli i brendshëm, por vendosja e aleatëve perëndimorë përpara një dileme cinike: “unë ose vakumi”. Duke e paraqitur opozitën si element të rrezikshëm e të paparashikueshëm, pushteti paraqet veten si i vetmi faktor që parandalon kaosin. Qëllimi është që kancelaritë perëndimore të zgjedhin stabilitetin afatshkurtër në vend të standardeve demokratike. (Photo courtesy Balkanweb)