Sikur Mimika Luca të mos kishte vendosur të fliste pas kaq shumë vitesh shkëputje nga teatri e jeta publike, pakkush do ta dinte që dashuria e saj me aktorin Ndrek Luca ka nisur në pishinën e Teatrit Kombëtar. Ajo ishte balerinë, 16 vjeç, kur u marros pas aktorit 10 vite më të madh në moshë. Nuk donte të dinte për asgjë, as për vitet e saj, as për fjalët e të tjerëve, e donte dhe pikë! Ai i ka ndierë sytë e saj mbi vete, i ka hedhur vetë i pari sa herë shihte shfaqjet e Filarmonisë, që nuk i vonoi lëvizjet e para… Dikur një këshillë, dikur një pyetje…
Aq u desh, që aty, në ujin e ftohtë të Selitës që mbushte pishinën, të ndizej gjaku. Një burrë pasionant si Ndrek Luca, dinte si t’ia bënte jetën të bukur një vajze të re. Dy vitet e para të dashurisë do kalonin nëpër qoshet e dhomave, hijet e errëta të skenës, pas perdeve o nëpër shkallë…derisa u martuan, kur Mimika Luca sapo kishte nisur shkollën për aktrim në Institutin e Arteve, pa dëshirën e të shoqit. U bënë shpejt me vajzë, por kjo nuk qe arsye për të mos vijuar studimet… Për herë të parë, ‘shoqja Lajde’, e ngacmuar edhe nga ngjarjet e fundit të Teatrit Kombëtar, vendos të tregojë copëza të jetës së saj në teatër e kinematografi.
Mimika Luca
Disa prej kujtimeve i kanë zënë vitet, por jo aq sa për mos të kuptuar se Mimika ka jetuar në një kohë tjetër, që s’ngjan fare me teatrin e 40 viteve të fundit. Në këtë pjesë të parë të intervistës, do të njihemi me atë çfarë ka ndodhur në vendin më të lakmuar të Tiranës, së viteve ’60-’70-të. Atje ku njerëzit merrnin rrugën enkas me shpresën se do kishin fatin të shihnin aktorin që kishin parë mbrëmë në skenë, Ndrek Lucën. Në fakt, emrat e vërtetë nuk kishin asfare rëndësi sepse të gjithë i njihnin e u drejtoheshin me emrat e personazheve të tyre, ç’ka është e pamundur të ndodhë më sot!
Ju e keni nisur karrierën artistike me baletin, çfarë ndodhi që rrugës u bëtë aktore?
Baletin e kam nisur krejt rastësisht, në moshë shumë të vogël. Dilja nga Pallati i Pionierëve ku isha futur për balet dhe siç duket, rrugës, do kem bërë ndonjë spërkatë, duke luajtur e duke u hallakatur nëpër rrugë, ndërsa kthehesha në shtëpi. Ishte viti 1951, isha 13 vjeç, kur dëgjoj një zë që vinte nga trotuari i bashkisë. “Ej, ti goce me fustan me dantella”. Ishte një fustan i bërë nga mamaja ime me një çarçaf të vjetër, që kishte pasur në pajë. Ishte balerina, Mellani Tërci, kryebalerina e dy baleteve që u vunë për herë të parë në Filarmoni.
Ishte bashkë me një zotëri, baletmaestër, sovjetik. Ai më përkëdheli dhe më pyetën të dy nëse kisha dëshirë të bëja një provë, në Filarmoni, për balet. Do shkoja patjetër! Të nesërmen, pa i thënë gjë fare mamasë, krejt vetëm, shkoj në prova. Përshtypjet e ditës së parë janë të pashlyeshme. Muzikë klasike që buçiste në skenë, më poshtë salla e këngëtarët popullorë. Ka qenë Luçie Miloti atëherë. Bëra lëvizjet e domosdoshme, me lehtësi, por pa përvojën e mëvonshme. Ai nuk deshi shumë, hoqi dorën nga balli dhe më tha: ‘nesër do marrësh leje përsëri në shkollë dhe ti fillon punën’. Nuk shtoi më asgjë. Shkova në shtëpi dhe ia thashë mamasë. Ajo nuk e donte këtë gjë, nisi të qante, mirëpo unë isha kaq e dhënë pas baletit sa s’mund ta lija, e doja! Babai im më ka lënë 8- muajshe dhe vetëm njëra-tjetrën kishim, prandaj as qejfin nuk mund të ma prishte.
Nisët punë menjëherë?
Menjëherë, të nesërmen! Së pari, si figurante, derisa arrita të mësoja disa nga lëvizjet që duheshin. Qëlloi që sapo isha bërë pjesë, erdhi urdhri për një turne me këngëtarët popullorë dhe balerinët, në Moskë dhe pas saj në Berlin, për tre muaj. Kjo ishte krejt rastësi, mora pjesë në festivalin e parë të rinisë, me përfaqësues nga e gjithë bota.
Më përcolli mamaja, gjithashtu me lot, por këtë herë qaja edhe unë sepse s’ishim ndarë ndonjëherë. Vallet e tjera që duhet të dija, m’i mësuan balerinat e tjera. Nuk kërcyem në Balshoi Teatër, por pamë shfaqje e shëtitëm si asnjëherë. Bëmë disa turne në fakt, kur isha pjesë e baletit.
Si ndodhi që kaluat në teatër?
Unë gjithmonë e kisha pëlqyer shumë teatrin, aty kisha njohur Ndrekën, mirëpo sapo isha emëruar soliste e dytë në balet, kur ndodhi që një aktore e teatrit, Afërdita Taci, sëmuret dhe drejtoritë u morën vesh me njëratjetrën dhe kërkuan që të shkoja unë në Teatrin Popullor. Me urdhër, unë kaloj në Teatrin Popullor, në vitin ’60-të. Me një punë fillestare kolosale, ia dola. Menjëherë, një nga rolet e Afërditës, një vajzë kineze të një familje të madhe, e mësova nga Tirana, me tren, për Pogradec, si tekst.
Kur mbërritëm në Korçë, bëmë një provë dhe në darkë dola në shfaqje. Kadri Rroshi, që më trajtonte gjithmonë shumë mirë, pas shfaqjes më tha: “Ky është një shkëlqim, nga një rrugë me tren, të mësosh një rol”. Mirëpo, unë e ndjeva që ishin lavde të tepruara dhe gjithë sforcimi i shfaqjes në premierë, më krijoi ngërçe një natë më pas. Falë baletit, arrita që të trukoja pjesën kur humbisja batutën. Mos u mërzit, thoshte Kadriu, ke vetëm dy ditë që po punon me këtë… Më pas, të gjitha rolet e Afërditës i mora unë.
Përmendët njohjen me Ndrekën, na tregoni për të…
Jam njohur me Ndrekën që kur fillova të lahesha në pishinën e Teatrit Popullor. Pastaj, në atë kohë, as ne e as ata nuk linim pa parë asnjë shfaqe të njëri-tjetrit. Për mua ishte më i madhërishmi sepse e njihja nga interpretimet. M’u afrua disa herë aso kohe, më thoshte, është me ujë Selite pishina, do marrësh ndonjë të ftohtë se sa ke dalë nga provat…
Në oborrin e teatrit nisi dashuria juaj?
Po, në oborrin e teatrit. Së pari nisi të fliste ai, të më jepte këshilla a të më bënte pyetje ,sepse kuptohet që isha edhe tepër e vogël. Unë thosha me vete, ky njeri, që është kaq, i madh vjen (kishte ardhur një delegacion italian, i cili kishte thënë që pamë një Jago krejt të veçantë) dhe më flet mua! Në moshën 16- vjeçare, i kisha mbushur, unë u marrosa pas tij! Jo vetëm në skenë, por ai ishte aq i madh edhe në jetë. Vishte një pallto ushtarake që i dilnin fijet dhe mua kjo më dukej thjeshtësia më e madhërishme në botë.
Si e mësoi Ndreka marrosjen tuaj?
Si duket duhet të ishim marrosur të dy përderisa ai vinte e më fliste sa herë. Megjithëse unë isha e vogël, por dashurisë ç’mund t’i bëje! Aty, në pishinën e Teatrit, u dashuruam. Me fustanin e një shfaqjeje të Marie Logorecit, u bëra nuse nga grimieri i Teatrit. Nuk kaloi shumë kohë përpara se të martoheshim dhe po atë vit, linda vajzën.
Ndërkaq, ju nuk kishit nisur ende studimet për aktrim?
Shkollën e nisa kur u martova, megjithëse Ndreka nuk ishte dakord me zgjedhjen time, mirëpo unë isha e vendosur. Në vitin e tretë të studimeve, u emërova në Teatrit Popullor deri disa vite më pas, kur me urdhër, u largova si pedagoge në Institutin e Arteve për mjeshtri aktori. Mirëpo, në Teatër ishte Ndreka, ishte jeta ime, kështu që nuk mund të shkëputesha asnjëherë tërësisht, plus që u angazhova edhe në vijim me disa role, në kinematografi më shumë.
Ç’ndodh me një çift të martuarish, që luajnë bashkë në shfaqje?
Po ju tregoj një rast! S’kisha hyrë ende në muajin e nëntë kur më thërret drejtori i Teatrit, për të më thënë se vinte një delegacion kinez dhe se do të jepej një shfaqe e mbyllur, enkas për ta. A do mundesh të marrësh pjesë? Po, i thash menjëherë… Në po atë çast, dëgjohet një ulërimë e Ndrekës, “Çfarë, çfarë?!” ‘Ndrek, do më falësh -i thotë drejtori,- se po flas me Mimikën’! Ai duket e kuptoi që e teproi dhe u tërhoq. Ndreka ishte vëllai im në atë shfaqe. Ishte një moment që djali i shtëpisë duhet ta shtynte dhe vajza rrëzohej përtokë.
Vëllai im, Ndreka pra, sapo afrohet ai moment i rrëzimit, bëri një lëvizje rrumbullake dhe doli atje ku do bija unë. Kur unë u rrëzova, rashë mbi të. Kur mbaroi shfaqja, i thashë: ‘O Ndrek, po ti nuk e di që unë i kam mësuar truket që edhe kur të rrëzohem, mos të vritem!?” Një muaj më vonë lindi Gjergji… U bëra edhe me djalë. Po atje, në atë oborr, do isha bërë edhe gjyshe sepse edhe vajza ime lindi shpejt.
Jeni bashkë, si burrë e grua, edhe te filmi “Detyrë e posaçme”…
Po, edhe aty kemi një histori të këndshme. Ndreka vinte nga malet në atë film, pas një kohe të gjatë dhe kur të vinte në shtëpi, duhet të putheshim. Sigurisht, prandaj edhe më kishin zgjedhur mua. Duhet të më merrte në krahë e të më shpinte në dhomë të gjumit. Ai përqafimi i fillimit shoqërohej edhe me një puthje. Unë nuk e kujtoj ekzaktësisht tani, por më duket se nuk jemi puthur realisht.
Jo, nuk më ka puthur! Unë isha me një robëdishan, një nostalgjike që i erdhi burri! “Gati!”, thoshte regjisori Kristaq Dhamo. Fillonte kamera, Ndreka afrohej deri në një pikë dhe bënte një farë përshëndetje, më shumë sesa puthje. “Gabim!,-bërtiste regjisori, jeni burrë e grua”. Ndreka prapë mbështeste kokën. U përsërit tri herë kjo skenë aq sa u bë banale. “Të kisha përballë një grua tjetër, e dija unë ç’bëja, por me gruan time intimiteti është i rëndësishëm”, kaq tha Ndreka dhe nuk u zgjat më. Skena me puthje u hoq krejtësisht…
Të gjithë që e kujtojnë, tregojnë se ka qenë burrë pasionant. Aktorët e kanë më të lehtë të shprehen, a e fliste ai dashurinë apo vetëm nënkuptohej?
Ne putheshim gjithmonë! Edhe kur shkonim në punë, edhe kur ktheheshim, putheshim, kemi qenë familje puthësash! Edhe në një rast, kur ishim zënë, ai kishte ngritur zërin, ndërsa kur do largohej, unë shkova ta puth. “Po mirë moj,- më thotë mamaja,- ai sa të shau, si shkon dhe e puth?!” Unë e dija që Ndreka e kishte 5 minuta nervin e tij dhe harronte gjithçka! “O mama, kush i vë re këto!” Kur e kujtoj sot, ende më qeshet. Pas atyre minutave, isha për të më e mira… Megjithatë, në jetë, gjithsej, nja dy herë ma ka thënë! Ishte i kursyer! Më ka thënë në një festë, “më dukesh si fishekzjarr”, unë fluturova.
Po në fillim, kur u njohët?
Ne kishim një diferencë 10 vite e gjysmë dhe siç thatë, ai shquhej për temperamentin e tij pasionant, megjithatë ka pasur gjuhë tjetër nga kjo e sotmja. Ai ishte burrë dhe nga jashtë dukej natyrë e egër, mirëpo nëse unë nuk qaja kur shihnim filma, ai përlotej. Unë isha më e kontrolluar.
A ka pasur xhelozira mes jush, në punë?
Teatri i krijon lehtë këto situata. Asnjëherë! Tregoheshin barsoleta atëherë në teatër, “të largohet një çikë Mimika…”, mirëpo jo! Unë kam qenë shoqe e tij…
Është profesioni pak ngacmues, pavarësisht marrëdhënies…
Siç ju thashë, unë barsoletat i di, edhe zëkzëket që janë të pranishme në art, janë të pashmangshme.
Ju keni shkruar edhe drama, jo pak. Disa prej tyre kanë shkaktuar edhe reagime politike…
Nisa të shkruaj drama në kohën kur në Teatrin Kombëtar pjesët e huaja nuk ishin më të mirëpritura dhe iu dha përparësi dramës shqipe. E kujtoj si tani ministrin e asaj kohe, që erdhi na përcolli fjalën në një mbledhje, se ishte marrë një vendim për të forcuar dramaturgjinë tonë. Atëherë vlonte dramaturgjia, megjithatë ai kështu ishte porositur. “Edhe ju, mundohuni si ata të parët tuaj, ta forconi!” Mua m’u duk një gjë shumë e bukur dhe shkrova menjëherë, që në atë javë, pas asaj bisede, në ato kabinat tona të ngushta. Sapo isha bërë me një fëmijë dhe ikja dy orë përpara shfaqjes për të shkruar. Të mos kisha mamanë, nuk do t’ia kisha dalë.
ROLET E MIMICA LUCËS
Që kur u shfaq për herë të parë në ekran, në filmin “Detyrë e posaçme”. Ishte viti 1963, kur vajza nga Gjirokastra, e cila kishte nisur ëndrrën e saj si balerinë duke interpretuar në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit (1951- 1962), përzgjidhet nga regjisori Kristaq Dhamo për të interpretuar në këtë film. Filmi ishte bazuar në ngjarje reale të viteve ’50. Tomorri ishte një i infiltruar në një grup të agjenturave të huaja. Ai fiton besimin e Zylfiut, Eminesë, Ndrek Gjergjit, të lidhur me agjenturat, dhe Anton Murrizit, që vjen nga jashtë.
Kështu, Tomorri zbulon dokumente sekrete, baza dhe mjete komunikimi. Tomorri lufton për të shkatërruar këto agjentura. Me një skenar tipik komunist, ajo çfarë do të ishte e paharrueshme për aktoren e re në këtë film, është fakti që personazhi kryesor, Tomorri, interpretohet nga ai që do të ishte dhe dashuria e saj e jetës, aktori Ndrek Luca. Mimika u pranua më vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si p.sh: Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet”, etj.
Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. Në vitin 1972, ajo interpreton në filmin “Kryengritje në pallat”, nën regjinë e Xhanfize Kekos, ndërsa në vitin 1978 në filmin “Kur hidheshin themelet”, me regji nga Vladimir Prifti dhe skenar nga Kolë Jakova. Portreti i saj si aktore do të mbetej menjëherë në mendjen e shikuesve. Një rol i paharruar është dhe ai i nënës së Margigosë te “Përrallë nga e kaluara” apo e nënës së Etlevës tek”Treni niset në shtatë pa pesë”. Në rolin e nënës së Gjergjit, ajo do të jetë dhe te filmi “Të shoh në sy”, me regji të Mevlan Shanajt.
Duket se rolet e nënave apo të edukatoreve ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984, ajo interpreton edukatoren te filmi “Taulanti kërkon një motër”. Regjisorja Xhanfizo Keko e dinte që ajo ishte aktorja e vetme që mund ta mishëronte aq lehtë atë figurë. Një nga filmat e fundit ku Mimika Luca ka interpretuar është te filmi “Viktimat e Tivarit”, një film i vitit 1996, me regji e skenar të Ekrem Kryeziut, në kastën e aktorëve të të cilit ishte dhe bashkëshorti Ndrek Luca.
Kjo aktore modeste ka një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që i kanë dhënë shumë historisë së kinematografisë shqiptare. Krahas aktrimit, Mimikës i pëlqente edhe të shkruante. Ajo shkroi edhe disa drama, më e njohura “Drita”. Në vitin 1977, ajo kaloi si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë.
Të them të drejtën, u çudita mjaft, madje gati m’u fut “llapa mren”, kur çova kanalin tek RTSH për të ndjekur Festivalin e Këngës. Se këta të TVSH së bëjnë edhe të pamundurën për të të çuditur.
-Vezë doni?
-Meqë është gjella më operative dhe me kalori…
Fillimisht mendova se kisha ngatërruar frekuencën. Sepse m’u krijua ideja fikse se po shihja “Portokallinë”. Mënyra e të folurit, lloji i humorit, lëvizjet dhe ritmi, gjithçka më dukej e huaj për një mbrëmje që, të paktën në kujtesën kolektive, kishte qenë gjithmonë diçka tjetër.
-Ç’ne “Portokallia në mesjavë?”, mendova. Jo si shaka pa formë, por si një pavëmendje e hutueshme. Është, – pak a shumë, – si të hysh në një godinë publike dhe të gjesh të varur një tabelë private: Këtu jepen rrogat e traktoristëve.
-Rrusht Mezini…
-Këtu… Unë jam Rrusht Mezini.
-Jeni lodhur shoku Jorgo.
-Epo nuk i thonë shaka. Paraja është punë me përgjegjësi…
Këto janë batuta filmash. Por në realitet është ai çast kur kupton se problemi nuk është më forma, por identiteti.
– Mirë atëherë, konferencier i koncertit të jetë Agimi i cirkut, – sugjeronte Andi këngëtari Sotirin, që ishte drejtori i Pallatit të Kulturës.
-Agimi… ai karagjozi? – u pataks Sotiri.
– Kurrë! Unë në skenë dua seriozitet.
Batutat janë shkëputur nga filmi i njohur i regjisorit Bujar Kapexhiu, “Edhe ashtu, edhe kështu”, por që nuk di pse m’u dukën shumë të volitshme për këtë rast.
Sepse Festivali i Këngës nuk është thjesht një spektakël argëtimi. Është një ritual televiziv, një ngjarje me gravitet kulturor, me kodet dhe solemnitetin e vet. Ose të paktën kështu ka qenë. Kur ky ritual fillon të flasë me gjuhën e varietesë, kur humori i shpejtë zë vendin e heshtjes solemne dhe improvizimi televiziv zëvendëson peshën artistike, atëherë nuk kemi më një risi, por një zhvendosje.
Dhe kjo zhvendosje nuk është faji i atyre që vijnë nga jashtë. Ata bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Faji është i një televizioni publik që nuk di më të dallojë mes roleve, mes skenave, mes zhanreve. Që ngatërron festivalin me “show” n, trashëgiminë me audiencën, identitetin me klikimin.
Dhe kështu vazhdon të huazojë. Një herë Arbanën, një herë Salsanon. Nesër, pse jo, me siguri TVSH do të ofertojë edhe Ledionin.
– Ec e na jep një dorë në malore.
Jo sepse ata nuk janë profesionistë, por sepse TVSH sillet si një institucion që ka hequr dorë nga vetja.
– Përpara ca kohësh shoku Lelo na solli një yll të ri nga Durrësi. Pastaj një tjetër nga periferia e Fierit. Tani ylli i ri na erdhi nga fshati.
Ca e çuditshme kjo, apo jo? – shprehte pakënaqësinë e tij një si punë drejtor kuadri në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, pikërisht tek filmi “Shkëlqim i përkohshëm” i regjisorit Albet Xholi, ku Dane mavriu mori rolin e portierit të ekipit, që qytetarët e provincës nisën ta quanin me shaka “Zenga i ekipit”.
-S’ka asgjë për t’u çuditur. Puna për kompletimin e ekipit vazhdon, – u justifikua Leloja, që ishte kompetent, si trajneri i sportklubit të madh të futbollit me emrin “Fitorja” dhe që donte të sillte në qytet të fejuarin katundar të mbesës infermiere.
TVSH, si një institucion mediatik që ka me qindra punonjës, dekada histori, arkivë të pamasë, që është shkollë dhe përvojë, tanimë nuk arrin të prodhojë dot as folës lajmesh me profil të qëndrueshëm, as moderatorë spektaklesh me peshë publike.
Si konkluzion, më rezulton se TVSH është një institucion i “thym n’mes”. Një trup gjigant që nuk mbytet nga stuhitë e mëdha, por nga një pikë uji e vetme, e përditshme, gërryese. Televizioni publik, ai që mbahet me taksat tona dhe që, teorikisht, duhet të jetë streha e prodhimit kombëtar, vazhdon prej vitesh të jetë i paralizuar, i mbytur jo nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e vizionit.
Spektakli më i madh i vitit në ekranin publik, që duhet të jetë vitrina e kapaciteteve të vetë institucionit, në edicionin e 64 të saj, bashkëdrejtohet nga Salsano i “Portokallisë”. Një zgjedhje që nuk është thjesht një emër, por një simptomë. Sepse pyetja nuk është: pse Salsano? Por pse gjithmonë dikush nga jashtë.
Ky huazim i përhershëm është në fakt pranim dështimi. Është dëshmi se televizioni publik nuk investon më në njerëzit e tij, nuk ndërton figura, nuk krijon identitet. Ai funksionon si një sallë pritjeje, ku vijnë të ftuar nga televizione private për të mbushur boshllëkun që vetë institucioni ka krijuar.
Ndërkohë, TVSH vazhdon të jetë në fund të rreshtit edhe në programacion. Një film ose e sheh një herë në tri ditë, ose dy herë në të njëjtën ditë, sikur koha të ishte e palëvizshme dhe publiku pa kujtesë. Arkivi, pasuria më e madhe e këtij institucioni, qëndron ende i pluhurosur. Platforma “Teatri në ekran” vazhdon të jetflejë në bobinat e viteve ‘70, të padigjitalizuara, të padukshme për brezat e rinj, sikur këto regjistrime të ishin një relike muzeale dhe jo një detyrim publik.
TVSH nuk është më në krizë. Kriza presupozon një përpjekje për të dalë prej saj. TVSH është në një gjendje inerte, ku çdo vit përsërit të njëjtën skemë dhe çdo vit e quan “normalitet”.
Kjo është TVSH ja sot. Dhe me sa duket, nëse nuk ndryshon mënyra e të menduarit dhe jo thjesht emrat në ekran, kjo do të mbetet TVSH ja edhe nesër: një organizëm i madh, i lodhur, që mbytet nga një pikë uji, sepse ka harruar si të notojë vetë.
Tani është zyrtare që vendet që do të marrin pjesë në Eurovision 2026 , i cili do të mbahet në Vjenë, pas tërheqjeve që ndodhën për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs, janë 35. Ky është numri më i ulët i pjesëmarrjeve në historinë e këtij konkursi muzikor.
Sipas postimit në faqen zyrtare të Eurovision në Instagram, vendet janë: Shqipëria, Armenia, Australia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Izraeli, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, San Marino, Serbia, Suedia, Zvicra, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.
Eventi i 70-vjetorit do të zhvillohet në maj. Gjysmëfinalja e parë do të zhvillohet më 12 maj, gjysmëfinalja e dytë më 14 maj dhe finalja e madhe do të mbahet më 16 maj. gsh
Në dasmat në Drenicë dhe Llapushë, Behlul (Karaçica) Lahuta kur këndonte me lahutën e tij,në shenjë nderimi,grukëholla i fikte të gjitha llambat në odën e burrave
Rapsodi i njohur Behlul (Karaçica) Lahuta erdhi në shekullin e kaluar nga fshati Karaçicë në Sankofc të Drenicës dhe,me dy djemtë e tij Danin dhe Banushi,e nisi jetën në bujqësi e blegëtori rrëzë Galeshit.
Plaku Behlul Karaçica me veti kishte sjellë lahutën me dhjetëra këngë të frymës së historisë shqiptare, që, përmes një teli të kësaj vegle muzikore kordofone, u bë i njohur në Drenicë dhe Llapushë.
Në dasmat e gëzimit,rapsodi i lahutës këndonte falas dhe,në shenjë nderimi për këngët dhe melodinë e akorduar me mjeshtri të rrallë,në Drenicë, filluan të thërrisnin me zërin e një ,,akordi,,të burrërirë,Behlul Lahuta i Sankofcit…! Këngët e kënduara me lahutë, Behlul Lahuta bëri emër për të mirë në odën e burrave të dasmës shqiptare.
Kënga e rapsodit Behlul Lahuta dhe zëri i tij me vokalin epik të kohës me telin e lahutës, në Drenicë dhe LLapushë, thuhej se kur këndonte këngët me motive për trimërinë e Kosovës, grykëholla i fikte të gjitha llambat në odën e dasmave!
Behlul Lahuta i Sankofcit mbeti në kronikat e kohës si lahutar i parë për këngët e historisë shqiptare dhe rapsodi i vetëm si mjeshtër i kësaj vegle të traditës së folklorit edhe në Drenicë.
Fryma, akordimi, vokali i këngëve të Eposit të Kreshnikëve dhe historia shqiptare në lahutën e rapsodit Behlul (Karaçica) Lahuta nga Sankofci i Drenicës, ka zënë vend në ruajtjen e trashëgimisë shqiptare të UNESCO-s.
Katy Perry ka ndarë fotot e para me Justin Trudeau në Instagram nga udhëtimi i tyre në Japoni, vetëm disa ditë pas daljes së tyre të parë zyrtarisht si çift.
Dyshja u takua me ish-kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, dhe bashkëshorten e tij, Yuko, gjatë një dreke zyrtare.
Këngëtarja publikoi disa foto dhe video nga vizita në Tokio, ku shfaqet së bashku me ish-kryeministrin e Kanadasë, të cilin e shoqëroi me mbishkrimin: “Momente nga turneu në Tokio dhe më shumë”.
Në fund të tetorit, çifti bëri publike lidhjen e tyre, pasi u shfaqën së bashku duke dalë nga kabareja “Le Crazy Horse” në Paris, ku festuan ditëlindjen e Perry-t.
Këngëtarja kishte njoftuar më herët ndarjen nga aktori britanik Orlando Bloom, me të cilin ka një vajzë pesëvjeçare, Daisy Dove Bloom, më 4 korrik.
Nga ana tjetër, Trudeau kishte bërë të ditur ndarjen nga bashkëshortja e tij prej 18 vitesh, ish-modelja dhe moderatorja Sophie Grégoire, në gusht të vitit 2023. Çifti ishte martuar në vitin 2005 dhe kanë tre fëmijë. gsh
Pas muajsh mospajtime, shumica e anëtarëve të Unionit të Transmetuesve Evropianë (EBU) u pajtuan që të ndryshojnë rregullat e votimit, që do t’i mundësojnë Izraelit të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision në maj.
Kjo nënkupton se të gjitha shtetet që duan të marrin pjesë në garën muzikore mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Pas këtij vendimi, organizatat transmetuese nga Spanja, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia njoftuan më 4 dhjetor se do ta bojkotojnë këtë ngjarje.
Transmetuesi spanjoll, RTVE është një nga pesë financuesit kryesorë të ngjarjes. Ndërsa, Avrotos nga Holanda tha se vendimi ishte “rezultat i një procesi të kujdesshëm”.
Sllovenia tha se vendimin e mori për shkak se “nuk marrin pjesë në Eurovision nëse Izraeli merr pjesë. Në emër të 20 mijë fëmijëve që vdiqën në Gazë”, tha kryetarja e bordit të transmetuesit publik slloven, Natalija Gorscak.
EBU dhe ORF e Austrisë, si transmetues mikpritës, kanë zhvilluar diskutime të shumta javëve të fundit për të parandaluar bojkotin.
Një nga mesazhet kryesore ishte se spektakli më i madh muzikor në botë është një ngjarje e organizuar nga transmetues publikë dhe kjo ngjarje nuk duhet të jetë politike.
EBU gjithashtu kishte ndryshuar rregullat për votimin në Eurovision.
Tani publiku ka më pak ndikim, ndërsa roli i jurisë në dy gjysmëfinalet dhe në finale është forcuar.
Ndryshimet erdhën si reagim ndaj rezultatit të Eurovisionit që u mbajt në Bazel, ku këngëtarja izraelite, Yuval Raphael doli e dyta falë numrit jashtëzakonisht të lartë të votave nga publiku.
Dyshohej se votimi ishte bazuar në një mobilizim strategjik të shikuesve në favor të Izraelit.
Një Wolfgang Amadeus Mozart 4-vjeçar ulet në një tavolinë, zhyt me ngathtësi stilolapsin në bojën e shkrimit dhe kompozon një koncert për piano. Babai i tij shqyrton kompozimin dhe shpërthen në lot për shkak të aftësisë së djalit të tij.
Kjo skenë përshkruhet në një letër nga një mik i familjes Mozart, një nga 12 letrat që “Fondacioni Ndërkombëtar Mozarteum” në Salzburg i mori si dhuratë nga një familje koleksionistësh në Këln t[ë Gjermanisë.
“Nuk do të kishim mundur ta blinim këtë koleksion”, tha Ulrich Leisinger, drejtor akademik i “Fondacionit Mozarteum”.
Dokumentet nga familja Mozart, nga koleksioni i Hans Joachim Eggers, përbëjnë shtesën më të rëndësishme për “Mozarteum” në 100 vitet e fundit. Eggers, një virolog që vdiq në vitin 2016, kishte kaluar 30 vite duke ndërtuar koleksionin më të rëndësishëm privat të Mozartit në Gjermani.
Trashëgimtarët e tij tani kanë përmbushur dëshirën e tij për t’i kaluar këto vepra tek fondacioni.
Fondacioni zotëron koleksionin më të madh në botë të dokumenteve origjinale të Mozartit. Ai përbëhet nga më shumë se gjysma e të gjitha dokumenteve të njohura të familjes Mozart, duke përfshirë rreth 200 letra origjinale nga vetë Mozarti.
Dokumentet e reja do të jenë në ekspozitë në shtëpinë e kompozitorit të madh në qytetin austriak deri më 1 shkurt.
I lindur në Salzburg në vitin 1756, Mozart konsiderohet si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të periudhës klasike. bw
Të nderuar kryeministra, ministra, drejtorë institucionesh, federacione futbollesh, media audio-vizive, organizatorë koncertesh, eventesh, banketesh, regjistrimesh, artistë që luani në rrugë, apo në kisha dhe salla të tjera etj., etj., etj.,
Kur përdorni në të gjithë botën muzikën e Feim Ibrahimit, jeni të lutur t’i drejtoheni fondacionit kulturor “Feim Ibrahimi”, për të marrë lejen e përdorimit të saj!
Nuk është pronë e juaja, por është pronë e këtij fondacioni!
Nuk keni asnjë të drejtë përdorimi, pa lejen e shkruar të fondacionit dhe pa paguar tarifën përkatëse për përdorimin e kësaj muzike!
E vetmja organizatë që mund të japë leje për përdorimin e saj (me, ose pa pagesë, si ta shikojë të arsyeshme drejtuesi i kësaj organizate), është pikërisht fondacioni “Feim Ibrahimi” dhe vetëm ai ka të drejtë t’ju autorizojë, si drejtpërdrejt, ashtu edhe nëpërmjet agjencisë së administrimit kolektiv “Albautor”, për ta interpretuar atë, duke specifikuar në çdo publikim tuajin, autorësinë e saj!
Edhe në rastet kur muzika e Feim Ibrahimit është pjesë e koncerteve me vepra të autorëve të ndryshëm, jeni të detyruar, përveç se të merrni autorizimin e fondacionit, të plotësoni gjithashtu formularët e posaçëm dhe të paguani detyrimin ekonomik, për t’u pajisur nga SUADA me autorizimin për përdorimin e muzikës në koncerte, apo evente të çdo lloji.
Jeni të lutur të zbatoni ligjin shekullor të së drejtës së autorit!
Me zërin që i dridhej dhe lotët që nuk i pushonin, këngëtarja Big Mama ka mbajtur një fjalim lamtumire në ceremoninë mortore për Shpat Kasapin, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 40-vjeçare.
Në mesazhin e saj, artistja nga Tetova tha se “Shpat Kasapi nuk ka vdekur”, pasi ajo që ka lënë pas do të jetojë përgjithmonë.
“Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”, tha Big Mama mes lotësh.
Ajo kujtoi edhe fillimet e jetës artistike me Shpat Kasapin, që kur ishin fëmijë. “Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk qenë vetëm, skenë, ka qenë vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë, si artistë. Kemi ndarë ëndrra, frikë dhe gëzim. Këtu kemi rritur, talentin, shpresat dhe miqësinë tonë. Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy nuk ka qenë thjesht skenë, por vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë”, deklaroi Big Mama.
Më tej ajo u shpreh: “Sot nuk kam fjalë për ta përshkruar boshllëkun që na ka lënë. Na ike shumë herët, shumë padrejtësisht, por kujtimi i tij do të rrojë në zemrat tona në cdo melodi që ai këndoi, në cdo buzëqeshje që na dhuroi dhe në cdo skenë, emri i tij do të përmendet gjithmonë. Shpat, miku im, kemi nisur bashkë prej këtu dhe sot prej këtu po të them lamtumirë. Do të na mungosh në cdo hap, në çdo moment e kujtim. Por ti nuk ke vdekur kurrë, zëri yt, shpirti yt, e gjithë dashuria që ke lënë pas do të jetojë përgjithmonë. Sot nga kjo skenë ku nisëm si fëmijë, po të lëshoj me lot, por të mbaj me shpirt. Kjo nuk është lamtumirë miku, por kjo është një shihemi përsëri”.
Këngëtari Shpat Kasapi u përcoll me duartrokitje nga Pallati i Kulturës në Tetovë, ndërsa arkivoli me trupin e pa jete ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. gsh
TETOVË- Në Pallatin e Kulturës në Tetovë u zhvillua sot ceremonia mortore për këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapi, i cili u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare. Qysh në orët e para të mëngjesit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë të afërt dhe adhurues të muzikës së tij u mblodhën për t’i bërë nderimet e fundit artistit.
Atmosfera ishte e rënduar, ndërsa dhjetëra persona u panë me lot në sy teksa kalonin pranë arkivolit për të përshëndetur për herë të fundit këngëtarin që shoqëroi me muzikën e tij një brez të tërë shqiptarësh.
Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe emra të njohur të skenës, si Blero, Adelina Tahiri, Big Mama dhe Dafina Zeqiri, të cilët u bashkuan me familjen e Kasapit për të nderuar karrierën dhe kontributin e tij në muzikën moderne shqiptare.
Pas homazheve në Pallatin e Kulturës, trupi i Shpat Kasapit pritet të përcillet për në banesën e fundit, ndërsa qyteti i Tetovës është mbuluar nga një atmosferë zie për humbjen e artistit të dashur.
Këngëtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Lajmi i dhimbshëm është konfirmuar nga familja e tij, që me pikëllim kanë shpërndarë detajet e ceremonisë mortore. Homazhet për artistin do të zhvillohen sot, duke filluar nga ora 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e qytetit.
“Me hidhërim të thellë kumtojmë ndarjen nga jeta të birit, bashkëshortit, babait, vëllait dhe mikut tonë të dashur, Shpati ishte një zemër e pastër, një shpirt i gëzueshëm që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai përhapte vetëm dashuri e mirësi, dhe kushdo që e njihte, e ndiente ngrohtësinë e tij. Largimi i tij i papritur na ka thyer zemrat. Do të na mungojë zëri i tij i butë, buzëqeshja e sinqertë dhe prania e tij qetësuese. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për ne,” thuhet në njoftimin e familjes.
Familja ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e Shpatit dhe t’i japin lamtumirën e fundit artistit të dashur, të marrin pjesë në ceremoninë mortore. bw
Melania Trump njoftoi se ka themeluar kompaninë e saj prodhuese, Muse Films, një lajm që vjen pak para publikimit të dokumentarit të gjatë të Amazon MGM Studios për të.
Dokumentari, me titull Melania, do të jetë debutimi i kompanisë së re dhe është regjistruar nga Brett Ratner. Ai do të shfaqet në kinema më 30 janar në SHBA dhe në disa vende të tjera të përzgjedhura, për t’u ndjekur më pas ekskluzivisht në Prime Video të Amazon.
Muse Films u prezantua për publikun përmes kanaleve zyrtare të rrjeteve sociale të Trump, ku u publikua edhe një video me logon e kompanisë. “Prezantojmë: Muse Films. Kompania ime e re prodhuese,” shkroi Melania Trump. “Melania – filmi, ekskluzivisht në kinema në mbarë botën më 30 janar 2026.” Amazon kishte siguruar të drejtat për dokumentarin që në janar.
Filmi fokusohet tek 20 ditët para inaugurimit të Donald Trump në vitin 2025, të shikuara përmes perspektivës së Zonjës së Parë.
Dokumentari pasqyron organizimin e planit të inaugurimit, sfidat e tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë dhe rikthimin e saj në jetën publike me familjen, duke përfshirë pamje ekskluzive nga takime kyçe, biseda private dhe vende që nuk janë shfaqur më parë.
Melania Trump është producente ekzekutive e filmit, së bashku me Fernando Suliczin nga New Element Media. Prodhimi i dokumentarit filloi në dhjetor të 2024-ës. bw
Këngëtari Shpat Kasapi do të varroset ditën e nesërme në orën 14:00 në Tetovë, kanë njoftuar familjarët e tij në rrjetet sociale.
Këngëtari shqiptar vdiq më 26 nëntor pas një sulmi në zemër, në moshën 40-vjeçare. Sipas njoftimit, homazhet për të do të mbahen nesër nga ora 12:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë e më pas do të kryhet ceremonia e varrimit.
Shpat Kasapi hyri në tregun e muzikës qysh në fillim të viteve 2000. Prej atëherë, u bë një prej yjeve të estradës.
Njoftimi i familjes:
Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të birit, babait, bashkëshortit, vëllait dhe shokut tonë të dashur, SHPAT KASAPI
(1 Maj 1985 – 26 Nëntor 2025)
Shpati ishte një zemër e bardhë, një shpirt i gëzuar që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai falte vetëm dashuri e mirësi, dhe kush e njohu, e ndjeu ngrohtësinë e tij.
Ikja e tij e papritur ka thyer zemrat tona. Do të na mungojë zëri i butë, buzëqeshja e tij e sinqertë dhe prania që na jepte qetësi. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm për ne.
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit Shpatit tonë të dashur janë të mirëpritur të marrin pjesë në ceremoninë e tij.
Homazhet do të mbahen të Dielen, 30.11.2025, në orën 12:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.
Varrimi: në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Tetovës.
Komentet