Sikur Mimika Luca të mos kishte vendosur të fliste pas kaq shumë vitesh shkëputje nga teatri e jeta publike, pakkush do ta dinte që dashuria e saj me aktorin Ndrek Luca ka nisur në pishinën e Teatrit Kombëtar. Ajo ishte balerinë, 16 vjeç, kur u marros pas aktorit 10 vite më të madh në moshë. Nuk donte të dinte për asgjë, as për vitet e saj, as për fjalët e të tjerëve, e donte dhe pikë! Ai i ka ndierë sytë e saj mbi vete, i ka hedhur vetë i pari sa herë shihte shfaqjet e Filarmonisë, që nuk i vonoi lëvizjet e para… Dikur një këshillë, dikur një pyetje…
Aq u desh, që aty, në ujin e ftohtë të Selitës që mbushte pishinën, të ndizej gjaku. Një burrë pasionant si Ndrek Luca, dinte si t’ia bënte jetën të bukur një vajze të re. Dy vitet e para të dashurisë do kalonin nëpër qoshet e dhomave, hijet e errëta të skenës, pas perdeve o nëpër shkallë…derisa u martuan, kur Mimika Luca sapo kishte nisur shkollën për aktrim në Institutin e Arteve, pa dëshirën e të shoqit. U bënë shpejt me vajzë, por kjo nuk qe arsye për të mos vijuar studimet… Për herë të parë, ‘shoqja Lajde’, e ngacmuar edhe nga ngjarjet e fundit të Teatrit Kombëtar, vendos të tregojë copëza të jetës së saj në teatër e kinematografi.
Mimika Luca
Disa prej kujtimeve i kanë zënë vitet, por jo aq sa për mos të kuptuar se Mimika ka jetuar në një kohë tjetër, që s’ngjan fare me teatrin e 40 viteve të fundit. Në këtë pjesë të parë të intervistës, do të njihemi me atë çfarë ka ndodhur në vendin më të lakmuar të Tiranës, së viteve ’60-’70-të. Atje ku njerëzit merrnin rrugën enkas me shpresën se do kishin fatin të shihnin aktorin që kishin parë mbrëmë në skenë, Ndrek Lucën. Në fakt, emrat e vërtetë nuk kishin asfare rëndësi sepse të gjithë i njihnin e u drejtoheshin me emrat e personazheve të tyre, ç’ka është e pamundur të ndodhë më sot!
Ju e keni nisur karrierën artistike me baletin, çfarë ndodhi që rrugës u bëtë aktore?
Baletin e kam nisur krejt rastësisht, në moshë shumë të vogël. Dilja nga Pallati i Pionierëve ku isha futur për balet dhe siç duket, rrugës, do kem bërë ndonjë spërkatë, duke luajtur e duke u hallakatur nëpër rrugë, ndërsa kthehesha në shtëpi. Ishte viti 1951, isha 13 vjeç, kur dëgjoj një zë që vinte nga trotuari i bashkisë. “Ej, ti goce me fustan me dantella”. Ishte një fustan i bërë nga mamaja ime me një çarçaf të vjetër, që kishte pasur në pajë. Ishte balerina, Mellani Tërci, kryebalerina e dy baleteve që u vunë për herë të parë në Filarmoni.
Ishte bashkë me një zotëri, baletmaestër, sovjetik. Ai më përkëdheli dhe më pyetën të dy nëse kisha dëshirë të bëja një provë, në Filarmoni, për balet. Do shkoja patjetër! Të nesërmen, pa i thënë gjë fare mamasë, krejt vetëm, shkoj në prova. Përshtypjet e ditës së parë janë të pashlyeshme. Muzikë klasike që buçiste në skenë, më poshtë salla e këngëtarët popullorë. Ka qenë Luçie Miloti atëherë. Bëra lëvizjet e domosdoshme, me lehtësi, por pa përvojën e mëvonshme. Ai nuk deshi shumë, hoqi dorën nga balli dhe më tha: ‘nesër do marrësh leje përsëri në shkollë dhe ti fillon punën’. Nuk shtoi më asgjë. Shkova në shtëpi dhe ia thashë mamasë. Ajo nuk e donte këtë gjë, nisi të qante, mirëpo unë isha kaq e dhënë pas baletit sa s’mund ta lija, e doja! Babai im më ka lënë 8- muajshe dhe vetëm njëra-tjetrën kishim, prandaj as qejfin nuk mund të ma prishte.
Nisët punë menjëherë?
Menjëherë, të nesërmen! Së pari, si figurante, derisa arrita të mësoja disa nga lëvizjet që duheshin. Qëlloi që sapo isha bërë pjesë, erdhi urdhri për një turne me këngëtarët popullorë dhe balerinët, në Moskë dhe pas saj në Berlin, për tre muaj. Kjo ishte krejt rastësi, mora pjesë në festivalin e parë të rinisë, me përfaqësues nga e gjithë bota.
Më përcolli mamaja, gjithashtu me lot, por këtë herë qaja edhe unë sepse s’ishim ndarë ndonjëherë. Vallet e tjera që duhet të dija, m’i mësuan balerinat e tjera. Nuk kërcyem në Balshoi Teatër, por pamë shfaqje e shëtitëm si asnjëherë. Bëmë disa turne në fakt, kur isha pjesë e baletit.
Si ndodhi që kaluat në teatër?
Unë gjithmonë e kisha pëlqyer shumë teatrin, aty kisha njohur Ndrekën, mirëpo sapo isha emëruar soliste e dytë në balet, kur ndodhi që një aktore e teatrit, Afërdita Taci, sëmuret dhe drejtoritë u morën vesh me njëratjetrën dhe kërkuan që të shkoja unë në Teatrin Popullor. Me urdhër, unë kaloj në Teatrin Popullor, në vitin ’60-të. Me një punë fillestare kolosale, ia dola. Menjëherë, një nga rolet e Afërditës, një vajzë kineze të një familje të madhe, e mësova nga Tirana, me tren, për Pogradec, si tekst.
Kur mbërritëm në Korçë, bëmë një provë dhe në darkë dola në shfaqje. Kadri Rroshi, që më trajtonte gjithmonë shumë mirë, pas shfaqjes më tha: “Ky është një shkëlqim, nga një rrugë me tren, të mësosh një rol”. Mirëpo, unë e ndjeva që ishin lavde të tepruara dhe gjithë sforcimi i shfaqjes në premierë, më krijoi ngërçe një natë më pas. Falë baletit, arrita që të trukoja pjesën kur humbisja batutën. Mos u mërzit, thoshte Kadriu, ke vetëm dy ditë që po punon me këtë… Më pas, të gjitha rolet e Afërditës i mora unë.
Përmendët njohjen me Ndrekën, na tregoni për të…
Jam njohur me Ndrekën që kur fillova të lahesha në pishinën e Teatrit Popullor. Pastaj, në atë kohë, as ne e as ata nuk linim pa parë asnjë shfaqe të njëri-tjetrit. Për mua ishte më i madhërishmi sepse e njihja nga interpretimet. M’u afrua disa herë aso kohe, më thoshte, është me ujë Selite pishina, do marrësh ndonjë të ftohtë se sa ke dalë nga provat…
Në oborrin e teatrit nisi dashuria juaj?
Po, në oborrin e teatrit. Së pari nisi të fliste ai, të më jepte këshilla a të më bënte pyetje ,sepse kuptohet që isha edhe tepër e vogël. Unë thosha me vete, ky njeri, që është kaq, i madh vjen (kishte ardhur një delegacion italian, i cili kishte thënë që pamë një Jago krejt të veçantë) dhe më flet mua! Në moshën 16- vjeçare, i kisha mbushur, unë u marrosa pas tij! Jo vetëm në skenë, por ai ishte aq i madh edhe në jetë. Vishte një pallto ushtarake që i dilnin fijet dhe mua kjo më dukej thjeshtësia më e madhërishme në botë.
Si e mësoi Ndreka marrosjen tuaj?
Si duket duhet të ishim marrosur të dy përderisa ai vinte e më fliste sa herë. Megjithëse unë isha e vogël, por dashurisë ç’mund t’i bëje! Aty, në pishinën e Teatrit, u dashuruam. Me fustanin e një shfaqjeje të Marie Logorecit, u bëra nuse nga grimieri i Teatrit. Nuk kaloi shumë kohë përpara se të martoheshim dhe po atë vit, linda vajzën.
Ndërkaq, ju nuk kishit nisur ende studimet për aktrim?
Shkollën e nisa kur u martova, megjithëse Ndreka nuk ishte dakord me zgjedhjen time, mirëpo unë isha e vendosur. Në vitin e tretë të studimeve, u emërova në Teatrit Popullor deri disa vite më pas, kur me urdhër, u largova si pedagoge në Institutin e Arteve për mjeshtri aktori. Mirëpo, në Teatër ishte Ndreka, ishte jeta ime, kështu që nuk mund të shkëputesha asnjëherë tërësisht, plus që u angazhova edhe në vijim me disa role, në kinematografi më shumë.
Ç’ndodh me një çift të martuarish, që luajnë bashkë në shfaqje?
Po ju tregoj një rast! S’kisha hyrë ende në muajin e nëntë kur më thërret drejtori i Teatrit, për të më thënë se vinte një delegacion kinez dhe se do të jepej një shfaqe e mbyllur, enkas për ta. A do mundesh të marrësh pjesë? Po, i thash menjëherë… Në po atë çast, dëgjohet një ulërimë e Ndrekës, “Çfarë, çfarë?!” ‘Ndrek, do më falësh -i thotë drejtori,- se po flas me Mimikën’! Ai duket e kuptoi që e teproi dhe u tërhoq. Ndreka ishte vëllai im në atë shfaqe. Ishte një moment që djali i shtëpisë duhet ta shtynte dhe vajza rrëzohej përtokë.
Vëllai im, Ndreka pra, sapo afrohet ai moment i rrëzimit, bëri një lëvizje rrumbullake dhe doli atje ku do bija unë. Kur unë u rrëzova, rashë mbi të. Kur mbaroi shfaqja, i thashë: ‘O Ndrek, po ti nuk e di që unë i kam mësuar truket që edhe kur të rrëzohem, mos të vritem!?” Një muaj më vonë lindi Gjergji… U bëra edhe me djalë. Po atje, në atë oborr, do isha bërë edhe gjyshe sepse edhe vajza ime lindi shpejt.
Jeni bashkë, si burrë e grua, edhe te filmi “Detyrë e posaçme”…
Po, edhe aty kemi një histori të këndshme. Ndreka vinte nga malet në atë film, pas një kohe të gjatë dhe kur të vinte në shtëpi, duhet të putheshim. Sigurisht, prandaj edhe më kishin zgjedhur mua. Duhet të më merrte në krahë e të më shpinte në dhomë të gjumit. Ai përqafimi i fillimit shoqërohej edhe me një puthje. Unë nuk e kujtoj ekzaktësisht tani, por më duket se nuk jemi puthur realisht.
Jo, nuk më ka puthur! Unë isha me një robëdishan, një nostalgjike që i erdhi burri! “Gati!”, thoshte regjisori Kristaq Dhamo. Fillonte kamera, Ndreka afrohej deri në një pikë dhe bënte një farë përshëndetje, më shumë sesa puthje. “Gabim!,-bërtiste regjisori, jeni burrë e grua”. Ndreka prapë mbështeste kokën. U përsërit tri herë kjo skenë aq sa u bë banale. “Të kisha përballë një grua tjetër, e dija unë ç’bëja, por me gruan time intimiteti është i rëndësishëm”, kaq tha Ndreka dhe nuk u zgjat më. Skena me puthje u hoq krejtësisht…
Të gjithë që e kujtojnë, tregojnë se ka qenë burrë pasionant. Aktorët e kanë më të lehtë të shprehen, a e fliste ai dashurinë apo vetëm nënkuptohej?
Ne putheshim gjithmonë! Edhe kur shkonim në punë, edhe kur ktheheshim, putheshim, kemi qenë familje puthësash! Edhe në një rast, kur ishim zënë, ai kishte ngritur zërin, ndërsa kur do largohej, unë shkova ta puth. “Po mirë moj,- më thotë mamaja,- ai sa të shau, si shkon dhe e puth?!” Unë e dija që Ndreka e kishte 5 minuta nervin e tij dhe harronte gjithçka! “O mama, kush i vë re këto!” Kur e kujtoj sot, ende më qeshet. Pas atyre minutave, isha për të më e mira… Megjithatë, në jetë, gjithsej, nja dy herë ma ka thënë! Ishte i kursyer! Më ka thënë në një festë, “më dukesh si fishekzjarr”, unë fluturova.
Po në fillim, kur u njohët?
Ne kishim një diferencë 10 vite e gjysmë dhe siç thatë, ai shquhej për temperamentin e tij pasionant, megjithatë ka pasur gjuhë tjetër nga kjo e sotmja. Ai ishte burrë dhe nga jashtë dukej natyrë e egër, mirëpo nëse unë nuk qaja kur shihnim filma, ai përlotej. Unë isha më e kontrolluar.
A ka pasur xhelozira mes jush, në punë?
Teatri i krijon lehtë këto situata. Asnjëherë! Tregoheshin barsoleta atëherë në teatër, “të largohet një çikë Mimika…”, mirëpo jo! Unë kam qenë shoqe e tij…
Është profesioni pak ngacmues, pavarësisht marrëdhënies…
Siç ju thashë, unë barsoletat i di, edhe zëkzëket që janë të pranishme në art, janë të pashmangshme.
Ju keni shkruar edhe drama, jo pak. Disa prej tyre kanë shkaktuar edhe reagime politike…
Nisa të shkruaj drama në kohën kur në Teatrin Kombëtar pjesët e huaja nuk ishin më të mirëpritura dhe iu dha përparësi dramës shqipe. E kujtoj si tani ministrin e asaj kohe, që erdhi na përcolli fjalën në një mbledhje, se ishte marrë një vendim për të forcuar dramaturgjinë tonë. Atëherë vlonte dramaturgjia, megjithatë ai kështu ishte porositur. “Edhe ju, mundohuni si ata të parët tuaj, ta forconi!” Mua m’u duk një gjë shumë e bukur dhe shkrova menjëherë, që në atë javë, pas asaj bisede, në ato kabinat tona të ngushta. Sapo isha bërë me një fëmijë dhe ikja dy orë përpara shfaqjes për të shkruar. Të mos kisha mamanë, nuk do t’ia kisha dalë.
ROLET E MIMICA LUCËS
Që kur u shfaq për herë të parë në ekran, në filmin “Detyrë e posaçme”. Ishte viti 1963, kur vajza nga Gjirokastra, e cila kishte nisur ëndrrën e saj si balerinë duke interpretuar në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit (1951- 1962), përzgjidhet nga regjisori Kristaq Dhamo për të interpretuar në këtë film. Filmi ishte bazuar në ngjarje reale të viteve ’50. Tomorri ishte një i infiltruar në një grup të agjenturave të huaja. Ai fiton besimin e Zylfiut, Eminesë, Ndrek Gjergjit, të lidhur me agjenturat, dhe Anton Murrizit, që vjen nga jashtë.
Kështu, Tomorri zbulon dokumente sekrete, baza dhe mjete komunikimi. Tomorri lufton për të shkatërruar këto agjentura. Me një skenar tipik komunist, ajo çfarë do të ishte e paharrueshme për aktoren e re në këtë film, është fakti që personazhi kryesor, Tomorri, interpretohet nga ai që do të ishte dhe dashuria e saj e jetës, aktori Ndrek Luca. Mimika u pranua më vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si p.sh: Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet”, etj.
Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. Në vitin 1972, ajo interpreton në filmin “Kryengritje në pallat”, nën regjinë e Xhanfize Kekos, ndërsa në vitin 1978 në filmin “Kur hidheshin themelet”, me regji nga Vladimir Prifti dhe skenar nga Kolë Jakova. Portreti i saj si aktore do të mbetej menjëherë në mendjen e shikuesve. Një rol i paharruar është dhe ai i nënës së Margigosë te “Përrallë nga e kaluara” apo e nënës së Etlevës tek”Treni niset në shtatë pa pesë”. Në rolin e nënës së Gjergjit, ajo do të jetë dhe te filmi “Të shoh në sy”, me regji të Mevlan Shanajt.
Duket se rolet e nënave apo të edukatoreve ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984, ajo interpreton edukatoren te filmi “Taulanti kërkon një motër”. Regjisorja Xhanfizo Keko e dinte që ajo ishte aktorja e vetme që mund ta mishëronte aq lehtë atë figurë. Një nga filmat e fundit ku Mimika Luca ka interpretuar është te filmi “Viktimat e Tivarit”, një film i vitit 1996, me regji e skenar të Ekrem Kryeziut, në kastën e aktorëve të të cilit ishte dhe bashkëshorti Ndrek Luca.
Kjo aktore modeste ka një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që i kanë dhënë shumë historisë së kinematografisë shqiptare. Krahas aktrimit, Mimikës i pëlqente edhe të shkruante. Ajo shkroi edhe disa drama, më e njohura “Drita”. Në vitin 1977, ajo kaloi si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë.
Deklarata antisemitike, simpatia për Hitlerin, skandali në Shqipëri: Ye polarizon kudo që mundet. Performanca e planifikuar e reperit amerikan në Shën Petersburg të Rusisë mund të jetë më e diskutueshmja e tij deri tani – edhe për shkak të datës.
“Unë jam Putini. Unë jam Putini i ri”, tha Kanye West në emisionin e YouTube-it “Drink Champs”. Kur e kuptoi ngjashmërinë? “Kur kuptova se kultura është naftë, se kultura është energji. Dhe unë jam mbreti i kulturës – prej 20 vitesh dhe për 2000 vitet e ardhshme”, tha reperi.
Dhe mund të ndodhë së shpejti që dy Putinët, pra “i vjetri” dhe “i riu”, të përballen me njëri-tjetrin. Në tetor, West pritet të japë dy koncerte në Rusi, për herë të parë.
Koncertet janë planifikuar për 10 dhe 11 tetor në Shën Petersburg. Në Rusi entuziazmi është aq i madh, saqë brenda ditës së parë u shitën më shumë se 80,000 bileta.
Sa herë që Kanye West (tashmë i njohur edhe si Ye) pritet të performojë diku, duket se skandali është i programuar që më parë. Vetëm në korrik, koncerti i reperit në Shqipëri u zhvillua mes protestave të mëdha. Qeveria e Ramës thuhet se kishte vënë në dispozicion më shumë se katër milionë euro për të.
Ye ka qenë në qendër të titujve të lajmeve vitet e fundit, mbi të gjitha për deklaratat e tij antisemitike, të cilat e bënë atë persona non grata. Tani ai pritet të performojë në Rusi dhe nga qarqe të Kremlinit u tha se Putini dëshironte ta takonte.
Por kjo mund edhe të mos ndodhë. Më 24 gusht, përfaqësues të Gazprom-Arenës deklaruan se objekti nuk kishte nënshkruar kontratë qiraje për përdorimin e stadiumit për zhvillimin e koncertit të Ye. “Për rrjedhojë, koncerti nuk mund të zhvillohet në objektin tonë”, u tha.
Pse duhej të performonte reperi në Rusi? Për këtë ka interpretime të ndryshme. Disa e interpretojnë si një shenjë të rikthimit të një jete të gjallë argëtuese në Rusi. Të tjerë mendojnë se Putini dëshiron thjesht të legjitimohet përmes Ye-së në kulturën pop dhe në këtë mënyrë të fitojë pikë simpatie.
“Pavarësisht listave të zeza”
Por ajo që është e qartë është se buja rreth koncertit të Ye-së në Shën Petersburg është e justifikuar. Në Rusi, të paktën që nga fillimi i luftës në Ukrainë, nuk ka pasur më koncerte të yjeve botërorë. Kur reperë si Gucci Mane, Waka Flocka Flame ose Xzibit performonin diku, kjo ndodhte në klube më të vogla për disa mijëra fansa të hip-hopit, por jo në stadiume.
Kjo ka disa arsye. Industria e koncerteve në Rusi ka humbur rreth 30 për qind të artistëve të saj që nga viti 2022, shumica e të cilëve mbushnin stadiumet. Nga njëra anë, shumë muzikantë që u pozicionuan kundër luftës në Ukrainë u larguan nga Rusia, ndërsa nga ana tjetër, edhe ndalimi i performancave për muzikantët që kritikuan Putinin shkaktoi këtë rënie.
Sipas gazetës opozitare ruse online “Meduza”, “listat e zeza” të muzikantëve rusë, për të cilët zbatohet një ndalim i heshtur i koncerteve, hartohen nga administrata presidenciale. Në këto lista janë, për shembull, grupi Kasta, reperët Oxxxymiron dhe Noize MC, këngëtarja Zemfira dhe shumë të tjerë.
Për t’u hequr nga kjo listë, muzikantët duhet të kryejnë një “akt pendese”: ose duke performuar në territoret e pushtuara të Ukrainës, ose duke bërë një donacion për një fondacion që mbështet ushtarët rusë.
Kështu bëri, për shembull, grupi i njohur rus Zveri, frontmeni i të cilit, Roma Zver, fillimisht kishte kritikuar agresionin rus në Ukrainë, por pas anulimit të disa koncerteve fshiu të gjitha postimet kritike në rrjetet sociale dhe performoi në Donetsk para ushtarëve rusë.
Kundër disa muzikantëve rusë që ishin shprehur kundër luftës në Ukrainë, makineria ruse e represionit ka shpalosur të gjithë fuqinë e saj. Kështu, për shembull, këngëtari Eduard Charlot u dënua me pesë vjet e gjysmë burg, pasi publikoi video në rrjetet sociale. Në to, ai dogji pasaportën e tij ruse, kritikoi pushtimin rus të Ukrainës dhe gozhdoi në një pemë një fotografi të Patriarkut Kirill të Kishës Ortodokse Ruse dhe një kryq të bërë prej tij.
Kundër tij u ngritën akuza për “rehabilitimin e nazizmit” dhe “shkeljen e ndjenjave fetare të besimtarëve”.
Në këtë sfond, reperi Kanye West, i cili ka shprehur hapur simpatinë e tij për Adolf Hitlerin dhe është krahasuar me Zotin, në fakt duhej të kishte përfunduar automatikisht në të gjitha llojet e “listave të zeza” ruse. Duhej. Në vend të kësaj, ai merr para dhe, ndoshta, edhe një vend të madh për zhvillimin e koncertit të tij. Për të kuptuar pse Kanye West për Kremlinin përbën një përjashtim nga rregulli, duhet parë se kush e organizon konkretisht koncertin e tij në Shën Petersburg.
Ftesë nga mbështetës të luftës
Agjencia Say Agency, përgjegjëse për koncertet e Kanye West në Rusi, drejtohet nga biznesmenia Anna Subtsheva. Subtsheva shfaqet hapur si mbështetëse e luftës ruse kundër Ukrainës. Kështu, për shembull, në qershor 2023 ajo publikoi në rrjetet sociale një fotografi nga Donetsku dhe e komentoi me fjalët: “Donetsku është shumë i bukur, kur nuk qëllohet nga ukrofashistët”.
Për angazhimin e saj në mbështetje të trupave ruse në front, Subtsheva mori nga komandanti i një njësie ushtarake në Donetsk medaljen “Pjesëmarrëse në operacionin special ushtarak”.
Në një koment për koncertin e ardhshëm, Subtsheva deklaroi se Kanye West prej kohësh dëshiron të takohet personalisht me Vladimir Putinin: “Është ende e vështirë të thuhet se me kë do të takohet, por një ëndërr e kahershme e zotit West është një takim me presidentin tonë Vladimir Putin, për të cilin ai ka shprehur simpatinë e tij prej disa vitesh”.
Në Kremlin supozohet se një takim i tillë me Putinin është hipotetikisht i mundur, nëse “arrihet të futet në kalendarin e kreut të shtetit rus”.
Në të vërtetë, koncerti i ardhshëm i Kanye West nuk simbolizon një rikthim te një jetë e shfrenuar argëtuese. Sergei Smirnov, kryeredaktori i medias opozitare ruse “Mediazona”, bën thirrje që t’i kushtohet vëmendje datës: koncerti i reperit është planifikuar në kulmin e rekrutimit vjeshtor për shërbimin ushtarak.
“Kam informacione se të gjithë vizitorët meshkuj të koncertit të Kanye West, kur të hyjnë në stadium, do të marrin një fletëthirrje për komisionin ushtarak”, tha Smirnov në kanalin e tij në Telegram. Pikërisht për këtë arsye Kanye West u ftua në Rusi dhe iu pagua trefishi i honorarit të rënë dakord fillimisht: “Do të jetë një operacion i madh special i Kremlinit për mobilizim”.
Nëse koncerti do të zhvillohet vërtet, duket se ende është pezull. Ndërkohë, organizatorët e Say Agency bëjnë thirrje për durim dhe për të pritur informacionet zyrtare. Ata janë të bindur se koncerti do të zhvillohet gjithsesi, ndër të tjera sepse parapagimi për Kanye West tashmë është bërë. bw
Pas afro tre dekadash mister dhe hetimesh, drejtësia ka dhënë verdiktin për një nga çështjet më të bujshme në historinë e hip-hopit. Ish-kreu i bandës Duane “Keffe D” Davis është shpallur fajtor për organizimin e vrasjes së reperit të njohur Tupac Shakur, raporton BBC.
Juria në Las Vegas e gjeti 63-vjeçarin fajtor për një akuzë vrasjeje me përdorimin e një arme vdekjeprurëse, lidhur me atentatin me makinë në lëvizje ku Shakur u qëllua më 7 shtator 1996.
Davis qëndroi i heshtur dhe pa shfaqur emocione në sallën e gjyqit teksa u lexua vendimi. Pas shpalljes së verdiktit, ai deklaroi se do ta apelojë vendimin.
Në sallën e gjyqit, familjarë të Tupac Shakur u kapën për dore, ndërsa disa prej tyre u përqafuan dhe shpërthyen në lot.
Tupac Shakur ishte vetëm 25 vjeç kur u vra, në kulmin e karrierës së tij dhe në një periudhë kur konsiderohej një nga zërat më me ndikim të muzikës rap. Ai ka shitur më shumë se 75 milionë albume në mbarë botën.
Prokuroria argumentoi gjatë gjyqit se Davis, i cili në të kaluarën kishte qenë një nga drejtuesit e bandës së rrugës South Side Compton Crips, nuk ishte personi që qëlloi me armë ndaj reperit. Megjithatë, sipas prokurorëve, ai kishte urdhëruar sulmin dhe kishte siguruar armën që u përdor në atentat.
Sipas akuzës, arma u përdor nga nipi i Davis, Orlando Anderson, i cili dyshohet se hapi zjarr ndaj automjetit ku ndodhej Tupac.
Prokurorët thanë se vrasja ishte planifikuar si hakmarrje, pasi vetëm disa orë para atentatit, Anderson ishte përfshirë në një përleshje me Tupac Shakur dhe pjesëtarë të grupit të tij në Las Vegas. Panorama
VOAL- Dolly Rebecca Parton (19 janar 1946 – 25 gusht 2026) ishte një këngëtare dhe kompozitore amerikane e muzikës country dhe pop.Ajo fitoi shtatë çmime Grammy që nga viti 1978 dhe u nominua për 42 çmime Grammy.Ajo u nominua gjithashtu për çmime Academy, Tony dhe Emmy.Dolly Parton ishte kumbare e Miley Cyrus, dhe delja e parë e klonuar, Dolly, u emërua sipas saj.
Dolly Rebecca Parton ishte një këngëtare, kompozitore, multi-instrumentaliste, producente, aktore, autore, biznesmene dhe humanitare amerikane, e njohur kryesisht për punën e saj në muzikën country. Në vitin 1999, Parton u fut në Sallën e Famës së Muzikës Country.Ajo shkroi mbi 3,000 këngë, duke përfshirë “I Will Always Love You”, “Jolene”, “Coat of Many Colours” dhe “9 to 5”.Ajo është gjithashtu një nga të paktët njerëz që janë nominuar të paktën një herë për Academy Awards, Grammy Awards, Tony Awards dhe Emmy Awards.
Dolly Rebecca Parton lindi më 19 janar 1946, në një kasolle pranë lumit Little Pigeon në Qendrën Pittman në Malet e Mëdha të Tymosura të Tenesit Lindor.Ajo ishte e katërta nga dymbëdhjetë fëmijët e lindur nga Avie Lee Caroline dhe Robert Lee Parton Sr.Babai i saj, i njohur si “Lee”, punonte si fermer në malet e Tenesit Lindor.Ai gjithashtu bënte punë ndërtimi për të plotësuar të ardhurat e vogla të fermës.
Shfaqjet e saj të para publike ishin në kishë kur ishte gjashtë vjeç.Në moshën shtatë vjeç, ajo filloi të luante një kitarë të bërë në shtëpi.Në moshën tetë vjeç, xhaxhai i saj bleu kitarën e saj të parë të vërtetë.
Parton filloi të performonte që fëmijë, duke kënduar në programet lokale të radios dhe televizionit në zonën e Tenesit Lindor.Në moshën dhjetë vjeç, ajo u shfaq në shfaqjen Cas Walker në WIVK Radio dhe WBIR-TV në Knoxville, Tenesi.Në moshën 13 vjeç, ajo regjistroi për Goldband Records, një label i vogël në Luiziana (kënga “Puppy Love”), dhe u shfaq në Grand Ole Opry, ku takoi Johnny Cash.
Suksesi i saj i parë erdhi si kompozitore, dhe menjëherë pas debutimit të saj, ajo nënshkroi me Combine Publishing.
Këngët e saj u regjistruan nga disa artistë gjatë kësaj periudhe, përfshirë Kitty Wells dhe Hank Williams Jr.Në vitin 1965, në moshën 19 vjeç, ajo nënshkroi me Monument Records. Në vitin 1967, muzikanti dhe argëtuesi i muzikës country Porter Wagoner e ftoi Parton të shfaqej në programin e tij televiziv javor, The Porter Wagoner Show.
Këngët dhe duetet e saj solo me Wagoner patën sukses.Përparimi i saj më i madh i kësaj periudhe ishte “Jolene”.I publikuar në fund të vitit 1973, ai kaloi top listat e muzikës kantri në shkurt të vitit 1974.
Në vitin 1978, Parton fitoi një Çmim Grammy për Performancën më të Mirë Vokale Femërore Kantri për albumin Here You Come Again.
Suksesi i saj u rrit në vitin 1980, me tre hite në vendin e tretë në top listat e muzikës kantri: “Starting Again” (shkruar nga Donna Summer), “Old Flames Can’t Hold a Candle to You” dhe “9 to 5”. Parton vdiq më 25 gusht 2026, në moshën 80 vjeç.
Parton është një nga artistet femra të muzikës kantri më të nderuara të të gjitha kohërave.Shoqata e Industrisë së Regjistrimit të Amerikës ka certifikuar 25 nga këngët ose albumet e saj si Gold Records, Platinum Records ose Multi-Platinum Records.Billboard ka 26 këngë që janë një rekord për një artiste femër në top listat e muzikës kantri.
Gjatë 40 viteve të fundit, ajo ka pasur 42 albume country në 10 vendet e para në karrierë, një rekord për çdo artist, dhe 110 këngë të vetme që kanë hyrë në top listat e karrierës.Shitjet e Parton në karrierë, duke përfshirë këngë, albume, regjistrime në bashkëpunim, përdorim të kompilimeve dhe shkarkime dixhitale me pagesë, thuhet se tejkaluan një rekord prej 100 milionësh në të gjithë botën.
Parton ka fituar nëntë çmime Grammy (përfshirë Grammy-n për Arritje Jetësore 2011) dhe ka marrë gjithsej 49 nominime për çmimin Grammy.Ajo ka marrë nominimet e dyta më të shumta nga çdo artiste femër në historinë e çmimeve prestigjioze.[citim i nevojshëm] Në vitin 1999, Parton mori nderin më të lartë të muzikës country, një hyrje në Sallën e Famës së Muzikës Country.Ajo mori një doktoraturë nderi nga Kolegji Carson-Newman (Jefferson City, Tennessee) në vitin 1990 dhe u fut në Sallën e Famës së Akademisë Kombëtare të Muzikës Popullore/Songwriters në vitin 2001. Në vitin 2002, ajo u rendit e 4-ta në 40 Gratë më të Mira të Muzikës Country të CMT.
Në vitin 2005, ajo u nderua me Medaljen Kombëtare të Arteve, nderimi më i lartë i dhënë nga qeveria e SHBA-së për përsosmëri në arte.Çmimi iu dha nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara.Më 3 dhjetor 2006, Parton mori Nderimet e Qendrës Kennedy nga Qendra John F. Kennedy për Artet Performuese për kontributet e saj në arte.
Filantropia e Dolly Parton, “Biblioteka e Imagjinatës”, u themelua në vitin 1995. Është një program dhurimi librash që u dërgon libra falas fëmijëve nga mosha pesë deri në dhjetë vjeç.Që nga viti 1995, ajo ka dërguar 100 395 553 libra fëmijëve në të gjithë botën.Ajo e themeloi atë sepse babai i saj nuk dinte të lexonte ose të shkruante, por ai ishte një avokat për arsimin. Dhe ajo synonte të jetë një avokate për arsimin për fëmijët kudo.Shtrirja e bamirësisë së saj është e gjerë.Ajo përfshin katër vende dhe dërgon 1 milion libra çdo muaj.
Në vitin 2018, Parton u nderua nga Biblioteka e Kongresit si “organizata bamirëse që dërgoi librin e saj të 100 miliontë”.
Ajo ishte gjithashtu e apasionuar pas mbështetjes së Kryqit të Kuq Amerikan dhe bamirësive të lidhura me HIV/AIDS, si dhe Shërbimit të Peshkimit dhe Jetës së Egër të SHBA-së.
Në vitin 2015, një specie e sapozbuluar e kërpudhave që rritet në Apalaçet Jugore u quajt “Japewiella dollypartoniana” në nder të muzikës së Parton dhe përpjekjeve të saj për të sjellë vëmendjen kombëtare dhe globale në rajon. Wikipedia
Këngëtarja legjendare e muzikës country, Dolly Parton, e cila ndërroi jetë pak orë më parë në moshën 80-vjeçare, kishte qenë në një betejë me kancerin.
Përfaqësuesit e këngëtares së hitit “Jolene” e konfirmuan lajmin në një deklaratë për revistën PEOPLE, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth sëmundjes.
“Pasi u përball me guxim me një betejë të shkurtër me kancerin, Dolly i dha lamtumirën jetës së saj tokësore në Qendrën e Kancerit Vanderbilt-Ingram, e rrethuar nga të dashurit e saj”, theksuan njerëz të afërt të saj.
Siç është raportuar nga People, ylli u shtrua në spital të premten, më 21 gusht, dhe kohët e fundit kishte pasur probleme me veshkat dhe sistemin imunitar.
Vdekja e saj u njoftua fillimisht nga nipi i saj, Bryan Seaver, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Panorama
Shqipëria është futur në muajin e tretë të protestave, ku për më shumë se 60 ditë, në Tiranë sheshet janë mbushur plot me qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Prej më shumë sesa 2 muajsh, kemi ndjekur këtë protestë, duke qenë zëri i qytetarëve. Nuk kemi sesi mos të rendisim në këtë hapësirë edhe personazhet e famshme që kanë qenë frymëzimi i kësaj proteste.
Për më shumë se 60 ditë, emrat e njohur të ekranit janë parë në shesh, ku janë renditur krah protestuesve për t’ju bashkuar thirrjeve të tyre.
MEHDI MALKAJ
Aktori Mehdi Malkaj nuk mungon në asnjë protestë. Malkaj deklaroi se Rama tashmë është një ish-kryeministër sepse populli po e largon pasi ka vjedhur edhe jetën e foshnjave.
Ai kritikoi edhe artistët e shumtë që kanë heshtur për protestën. “Nuk bëhet kontratë me gjarpërinjtë dhe hardhucat. Jemi në një kohë të vështirë, por heroike. Unë nuk jam njeriu më i mençur, por e dua Shqipërinë. Këtu nuk mungon asgjë, i kemi të gjitha, por nuk jemi ne mirë, të ishin ne mirë e kishim marrë para me këngë dhe valle”, tha ai.
FJORALBA PONARI
Për disa javë rresht, Fjoralba ka qenë kryefjala e zhvillimeve të protestave. Ishte pikërisht figura e saj, që u imitua nga kryeministri Rama kur u tall me blogeret.
Por duket se një fakt i tillë nuk e ka intimiduar aspak prezantuesen, e cila ka vijuar me angazhimin e saj. Ajo është parë në protestë thuajse çdo ditë, duke vijuar me angazhimin e saj qytetar.
Paralelisht edhe në rrjetet sociale, ajo ka bërë kryefjalë tashmë zhvillimet që vijnë nga kjo protestë. Këtë javë, moderatorja mbante në duar edhe pankartën “Anullo ligjin 21/2024”.
TIRI GJOCI
Këngëtari është nga emrat e njohur që ka qenë në protestë që ditën e parë. Kur ende shumë të tjerë nuk ishin bashkuar, ai u pa në shesh dhe në rrjetet e tij sociale postonte atë çfarë ndodhte në shesh.
Që prej asaj dite, artisti është parë shumë shpesh në protestë, duke ndarë edhe pamjet në rrjetet e tij sociale.
E teksa kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ajo ditë, Tiri ende shihet në shesh. Mesa duket edhe ai, është ndër ata që nuk heqin dorë nga kauza për këtë protestë paqësore.
ERBLIN BAJKO
Me aktorin jemi mësuar tashmë prej vitesh ta ndjekim në ekran. Në ato momente kur është mbi skenë, herë pas here nuk na i ka kursyer batutat me satirë për politikën apo edhe për politikanë të caktuar.
Por duket se kur përfundon detyrën si aktor profesionist, Erblini ka edhe kauza që zgjedhë ti ndjekë. Si është edhe protesta.
Artisti është parë në këtë protestë, ku I shoqëruar nga një vajzë ka qenë mes protestuesve. Jemi të sigurt që edhe Erblini ka jo pak arsye për të protestuar.
ERANDA LIBOHOVA
Këngëtarja e njohur ka preferuar që të jetë e fokusuar vetëm tek karriera e saj. Prej vitesh, Eranda Libohova ka preferuar mos të prononcohet për çështje të tjera që prekin vendin tonë.
Por kur bëhet fjalë për një kauzë të tillë kaq të rëndësishme, edhe Eranda nuk ka sesi të mungojë në shesh. Artistja është shfaqur mes protestuesve, duke mos e fshehur imazhin e saj në këtë protestë.
Nuk është hera e parë që e shohim artisten në shesh, krah protestuesve dhe jemi të sigurt që do ta shikojmë dhe herë të tjera. Panorama
Shqipëria është zgjuar. Prej gati 1 muaj protestat në shesh kanë treguar se shqiptarët kanë vendosur që të marrin në dorë fatet e tyre. Prej gati 1 muaj, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama.
E mes tyre që nuk i është dorëzuar kësaj kauze janë edhe të famshmit. Njerëzit e ekranit të madh kanë treguar hapur mbështetjen e tyre jo vetëm me statuse “Instagram”-i, por me prezencën e tyre.
ALDO MARKU
Regjisori ka preferuar që të mbajë një profil të ulët në media. I fokusuar vetëm tek projektet e tij, Aldo ka preferuar që pak të flasë për tema të tjera. Megjithatë, kur vjen puna për një kauzë kaq të rëndësishme, ai nuk ka sesi të mungojë në shesh. I vetëm, pa miq dhe pa shumë bujë edhe në rrjetet sociale, ai i është bashkuar protestës, duke u bërë njësh me qytetarët e tjerë.
ARJON MUÇA
Në media e kemi parë shpesh të flasë për çështje të nxehta, por gjithnjë në rolin e moderatorit. Por tashmë si qytetar i këtij vendi dhe si një vlonjat, Arjoni nuk ka sesi mos ti bashkohet protestës. Së bashku me motrën e tij, Frensi, ata janë parë në shesh, përgjatë ditëve të protestës. Jemi të sigurt, se si shumë VIP-a të tjerë nga Vlora, pakënaqësia e tyre ka nisur nga projekti i Zvërnecit.
FJORALBA PONARI
Për disa javë rresht, Fjoralba ka qenë kryefjala e zhvillimeve të protestave. Ishte pikërisht figura e saj, që u imitua nga Kryeministri Rama kur u tall me blogeret. Por duket se një fakt i tillë nuk e ka intimiduar aspak prezantuesen, e cila ka vijuar me angazhimin e saj. Ajo është parë në protestë thuajse çdo ditë, duke vijuar me angazhimin e saj qytetar. Paralelisht edhe në rrjetet sociale, ajo ka bërë kryefjalë tashmë zhvillimet që vijnë nga kjo protestë.
STENALDO MËHILLI
Pa asnjë mëdyshje edhe Stenaldo të ishte pjesë e protestës. Si një i ri me aftësi të kufizuara, i cili është detyruar të emigrojë, ai nuk kishte sesi të mungonte. Paparaci ynë e ka fotografuar, ku jo vetëm ka dalë në krye të protestuesve, por edhe ka marrë një daulle dhe i binte. E pamundur që si një qytetar që në këtë vend ka hasur në shumë vështirësi, Stenaldo të mos protestojë bashkë me mijëra të tjerë në shesh.
RUDINA HAJDARI
Angazhimi i saj në politikë ka mbaruar prej disa kohësh. Por kjo nuk do të thotë që Rudina të heq dorë nga angazhimi si qytetare. Mes stinës së nxehtë dhe jetës që bën mes Shqipërisë dhe SHBA, ajo ka gjetur kohë të vijë në protestë. Ish-deputetja ka marrë pjesë në cilësinë e qytetares, duke lënë pas detyrën e lartë që dikur ka përfaqësuar.
KRISTI DRAGOTI
Prej shumë vitesh Kristi jeton në Belgjikë, ku dhe ka ndërtuar një jetë të re. Megjithatë, kur vjen puna për të marrë pjesë në një protestë paqësore në dobi të vendit, ai nuk ka sesi të mungojë. Në shoqërinë e miqve, Kristi është parë shpesh herë në protestë. Kujtojmë se edhe babai i tij. Roberti është treguar i ashpër në deklarata në lidhje me zhvillimet që vijnë nga organizimi i kësaj proteste.
MATILDA MCINI
Prej shumë vitesh pjesë e ekranit, Matilda e ka bërë me korrektësi detyrën e moderatores. Ndaj me të njëjtën korrektësi, tashmë po bën atë të qytetares së Shqipërisë. Ajo i është bashkangjitur protestave, duke lënë për pak kohë më mënjanë famën, duke u bërë njësh me protestuesit e tjerë. Krah saj u pa edhe Alesio Aliaj, që duhet thënë ka qenë në shesh që në ditën e parë të protestës, dhe ende nuk ka hequr dorë. gsh
Alis Kallaci përmbylli aventurën e tij në “Eurovision Song Contest 2026”, duke u renditur në vendin e 13-të me këngën “Nan”, një performancë që u prit me emocione si nga publiku shqiptar, ashtu edhe nga ai ndërkombëtar.
Gjatë gjithë kompeticionit, artisti i ri tërhoqi vëmendje me interpretimin e tij emocional dhe stilin e veçantë skenik, duke fituar mbështetje të gjerë në rrjetet sociale dhe nga fansat e muzikës në Europë.
Pas finales, Kallaci reagoi përmes një postimi në “Instagram”, ku shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë eksperiencë të rëndësishme për karrierën e tij.
“Kur nisi gjithçka, më dukej shumë më e madhe se vetja ime…”, – shkroi ai, duke kujtuar pasiguritë dhe emocionet si një artist i ri në një skenë të madhe ndërkombëtare, ku përfaqëson jo vetëm veten, por edhe një vend të tërë.
Ai theksoi se mbështetja e publikut, votat dhe mesazhet e shumta kanë qenë forca më e madhe gjatë gjithë rrugëtimit të tij, duke e bërë këtë eksperiencë edhe më të veçantë. Në fund të reagimit, artisti u shpreh se kjo përvojë do të mbetet gjatë në kujtesën e tij, jo vetëm si arritje artistike, por edhe si një rritje personale dhe emocionale.
Postimi i tij është shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, ku shumë ndjekës e kanë vlerësuar përfaqësimin e tij në Eurovision si dinjitoz dhe premtues për të ardhmen e karrierës së tij. Por teksa të gjithë ishin të përqendruar tek Alis, pak e panë, partneren e tij që e shoqëroi jo vetëm si prezencë në këtë kompeticion.
Desara Gjini është e dashura e këngëtarit dhe çifti prej disa kohësh ka një lidhje të konsoliduar tanimë. Desara është edhe tekstshkruesja e këngës “Nan”, duke folur edhe publikisht për temën e këngës që këtë vit përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong. Desara Gjini ndau historinë e lindjes së kësaj kënge, duke e përshkruar si një përjetim personal të lidhur ngushtë me kujtimet e familjes.
“Unë jam nga një fshat i vogël në Lezhë dhe të gjithë të afërmit jetojnë jashtë. Teksti ka dalë shumë natyrshëm. Ishte një ditë nga fundi i gushtit… disa nga të afërmit ishin larguar dhe disa do largoheshin në vijim. Më doli si ëndërr ‘mirupafshim nan’. Më kujtohet nana që ishte çdo herë te dera dhe kam hapur telefonin e kam shkruar. Të nesërmen kur ia tregova Alis, ai u ul fillimisht në kitarë dhe më pas në piano dhe doli muzika. Kështu ka nisur kënga. Ishte thjesht një përjetim i shumë viteve”, – tha Gjini.
Por deri më tani, asnjëri dhe as tjetri nuk kanë folur për historinë e tyre të dashurisë, edhe pse pozat në rrjetet sociale nuk mungojnë aspak. Në një lidhje të konsoliduar prej disa kohësh, Alis dhe Desara kanë bashkuar forcat edhe në muzikë, duke sjellë një ndër produksionet më të pëlqyera në Shqipëri, por jo vetëm./Panorama Plus
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, artistja theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe për identitetin kombëtar të shqiptarëve, duke kujtuar sakrificat ndër breza për ruajtjen e saj.
SHBA- Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë paralajmëruar protestë lidhur me të drejtën për zhvillimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, artistja theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe për identitetin kombëtar të shqiptarëve, duke kujtuar sakrificat ndër breza për ruajtjen e saj.
“Gjuha jonë shqipe është thellësisht e rrënjosur në identitetin tonë. Për breza me radhë kemi luftuar për ta ruajtur dhe mbajtur gjallë”, është shprehur ajo.
Bebe Rexha rikujtoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik, ku gjuha shqipe njihet si gjuhë bashkëzyrtare, ndërsa theksoi se studentët shqiptarë meritojnë të njëjtat të drejta dhe mundësi si të gjithë qytetarët e tjerë. Reagimi i artistes vjen në kohën kur studentët shqiptarë kanë ngritur shqetësime për kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet universitare./Dosja.al
Në artikullin e saj, AP veçon edhe praninë e aktores Raimonda Bulku gjatë performancës, si dhe momentin kur në ekran shfaqen imazhe të djemve në emigrim, një simbolikë që lidhet me largimin e bijve nga vendi.
AUSTRI- Associated Press e ka renditur performancën “Nân” të Alis mes 10 më të mirave të Eurovision Song Contest 2026, duke vlerësuar atmosferën dramatike dhe ngarkesën emocionale të interpretimit në skenë.
Në artikullin e saj, AP veçon edhe praninë e aktores Raimonda Bulku gjatë performancës, si dhe momentin kur në ekran shfaqen imazhe të djemve në emigrim, një simbolikë që lidhet me largimin e bijve nga vendi.
“Kënga hapet me një thirrje, ku një kor me atmosferë kishtare e shton edhe më shumë teatralitetin. Dramatike, për të thënë më të paktën! Pastaj, Alis, vokalisti pas “Nân”, merr kontrollin. Gjithçka zhvillohet si kolona zanore e një skene emocionale në një film ‘blockbuster’ dhe në skenën e finales performanca vazhdoi të kishte peshë: ai kishte veshur diçka që dukej si një parzmore me zinxhirë ndërsa një grua, që simbolizonte një nënë, lëvizte rreth tij”, shkruan Associated Press./Dosja.al
Sipas anëtarit të Eurovision Kosova, Albert Limani, i cili ndodhej në sallën e mediave bashkë me ekipin e RTK-së duke ndjekur paraqitjen e Shqipërisë, një grua nga delegacioni serb iu afrua dhe tentoi t’ua largojë flamurin, duke pretenduar se nuk lejohet në atë hapësirë.
AUSTRI- Një incident është raportuar në Qendrën e Mediave të festivalit të këngës Eurovision, që po mbahet këtë vit në Vjenë, ku një pjesëtare e delegacionit të Serbisë ka tentuar të pengojë valëvitjen e flamurit të Kosovës gjatë performancës së përfaqësuesit shqiptar.
Sipas anëtarit të Eurovision Kosova, Albert Limani, i cili ndodhej në sallën e mediave bashkë me ekipin e RTK-së duke ndjekur paraqitjen e Shqipërisë, një grua nga delegacioni serb iu afrua dhe tentoi t’ua largojë flamurin, duke pretenduar se nuk lejohet në atë hapësirë.
“Derisa po festonim bashkë me kolegë të tjerë paraqitjen e Shqipërisë në Eurovision, në Qendrën e Mediave në Vjenë, një grua nga delegacioni i Serbisë erdhi dhe tentoi të na e heqë flamurin e Kosovës, duke na thënë se ‘ky flamur nuk lejohet këtu’. Sigurisht, ajo tentoi ta prekë, por nuk e lejova dhe u kthye mbrapsht. Flamuri i Kosovës do të valojë dhe do të lejohet gjithkund, ndërsa ne do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar Limani në Facebook, duke publikuar edhe një video nga momenti i incidentit.dosja.al
Mbrëmë u zhvillua nata finale e Eurovision, ndërsa vendin e parë e siguroi Bullgaria me këngën “Bangaranga”.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis, i cili u ngjit i pesti në skenën e Vjenës me baladën “Nân”, dhuroi një interpretim të jashtëzakonshëm dhe thellësisht emocional. I shoqëruar nga mjeshtrja e skenës, aktorja e madhe Rajmonda Bulku, dyshja shqiptare krijoi një moment magjik, duke i rrëmbyer zemrat e spektatorëve në arenë, si dhe të miliona shikuesve në Shqipëri, Evropë dhe më gjerë.
Si u ndanë votat për Shqipërinë?
Në përfundim të llogaritjes së votave, Shqipëria arriti të grumbullojë në total 145 pikë, duke u renditur e 13-ta mes 25 vendeve që garuan në Natën finale. Kjo shifër vjen si një kombinim i vlerësimit të jurive profesionale të shteteve pjesëmarrëse dhe votave të publikut (diasporës dhe fansave evropianë).
Nga juritë e 35 shteteve, balada “Nân” u vlerësua nga 10 prej tyre, duke mbledhur 60 pikë në total, ku spikati vlerësimi maksimal nga Portugalia.
Pikët nga Juritë Profesionale për Alisin:
Portugalia: 12 pikë
Mali i Zi: 10 pikë
Kroacia: 8 pikë
Qipro: 8 pikë
Malta: 6 pikë
Azerbajxhani: 6 pikë
San Marino: 5 pikë
Belgjika: 3 pikë
Izraeli: 1 pikë
Greqia: 1 pikë
Nga ana tjetër, vota e publikut – e cila u mblodh përmes telefonatave, SMS-ve dhe votimit online gjatë kohës që dritarja ishte e hapur – i dha Shqipërisë një mbështetje domethënëse prej 85 pikësh. bw
Sonte, në skenën madhështore të finales së Eurovision Song 2026, Shqipëria do të përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, një baladë emocionale që ka prekur publikun shqiptar dhe fansat e Eurovisionit në mbarë Europën. Pas performancës në natën e dytë të Eurovision, artisti do të ngjitet sërish sonte në skenën austriake për të sjellë një performancë plot emocion, identitet dhe kulturë shqiptare.
Kënga “Nan” është vlerësuar për tekstin e ndjerë dhe interpretimin e veçantë të Alis, duke u konsideruar si një nga përfaqësimet më artistike të Shqipërisë në vitet e fundit. Fansat shqiptarë brenda dhe jashtë vendit pritet të ndjekin me emocion performancën në finalen e madhe, me shpresën që Shqipëria të arrijë një rezultat të rëndësishëm në konkurrimin europian.
Përfaqësuesja e Shqipërisë ka marrë mjaft vlerësime pozitive nga fansat dhe komentatorët e Eurovision Song 2026, sidomos për emocionin dhe interpretimin vokal.
Portali Eurovision World e përshkruan këngën si një baladë shumë emocionale me tekst të ndjerë për dashurinë e nënës dhe largimin e fëmijëve nga shtëpia.
Faqja euroalfa shkroi se “Nan” është një nga këngët më prekëse të këtij edicioni. Panelistët vlerësuan vokalin e Alis si “perfekt” dhe thanë se kënga ka potencial të fortë.
Gazeta suedeze Aftonbladet e cilësoi interpretimin si “emocional dhe teatror”, duke theksuar praninë e figurës së nënës në skenë si një element që e bën performancën më të fortë emocionalisht.
Edhe komuniteti i fansave bnë faqen Reddit reagoi shumë pozitivisht. Disa komente e quajtën performancën “të fuqishme”, “prekëse” dhe “një nga momentet më emocionale të festivalit”. Shumë komentues thanë se kënga i bëri të qanin, sidomos për shkak të temës së nënës dhe interpretimit skenik.
Finalja e Eurovision Song Contest 2026 zhvillohet sonte përpara miliona teleshikuesve në të gjithë botën, ndërsa votat e publikut dhe jurive do të përcaktojnë fituesin e këtij edicioni. Shqipëria synon të lërë gjurmë edhe këtë vit me “Nan”, një këngë që sjell emocione të forta dhe tinguj modernë të ndërthurur me elementë tradicionalë shqiptarë. bw
Komentet