Reporteri i televizonit serb N1 raporton se ushtria serbe që gjendej në afërsi të Jarinjes në Rudnicë është tërhequr nga aty dhe janë vendosur në Rashkë.
Sipas informacioneve të N1, as dje ushtria serbe nuk ka qenë e pranishme në afërsi të kufirit me Kosovën dhe sipas tyre ushtria është tërhequr në kazermën në Rashkë, transmeton Gazeta Express.
Këtë mëngjes, helikopteri i KFOR-it ka fluturuar mbi Jarinje, teksa policia e Kosovës e bën ndërrimin në ora 12:00.
Ndërkaq, Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka njoftuar se ka pasur dy takime të ndara me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Në frutat e ngrira të malit, me prejardhje nga Serbia dhe të destinuara për tregun gjerman, është zbuluar prania e virusit të hepatitit A, thuhet në faqen zyrtare të Sistemit Evropian për Alarme të Shpejta për Ushqimin (RASFF).
Paralajmërimi është lëshuar më 10 korrik, ndërsa mostrat janë marrë më 15 maj të këtij viti.
Rreziku është vlerësuar si “serioz”.
Hepatiti A është inflamacion i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit.
Ky virusi përhapet kryesisht kur një person i painfektuar (dhe i pavaksinuar) konsumon ushqim ose ujë të ndotur me jashtëqitje të një personi të infektuar. Sëmundja është ngushtësisht e lidhur me ujë ose ushqim të pasigurt, kushte të pamjaftueshme sanitare dhe higjienë të dobët personale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ndryshe nga hepatiti B dhe C, hepatiti A nuk shkakton sëmundje kronike të mëlçisë, por mund të shkaktojë simptoma nga të lehta deri në të rënda dhe rrallëherë hepatit fulminant (dështim akut i mëlçisë), i cili shpesh është fatal.
Organizata “Gratë në të Zeza” zhvilloi në Sheshin e Republikës në Beograd një manifestim përkujtimor për 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, me moton “Asnjëherë nuk do të harrojmë gjenocidin në Srebrenicë”.
Në kuadër të aktivitetit u realizua edhe veprimi simbolik “Serbi, shikoje veten në pasqyrë: do të shohësh Srebrenicën – 30 vite – 30 pasqyra”.
Në podiumin e statujës së princit Mihailo qëndruan aktiviste duke mbajtur numrin 8372, si kujtesë për numrin e viktimave të vrara në gjenocid.
Megjithatë, afër tubimit u mblodhën tre kundërshtarë që, përmes megafonit, mohonin se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë. Ata brohorisnin “Rroftë Republika Serbe” dhe shpalosnin emrat e serbëve të vrarë. Njëri nga burrat mbante në këmishë fotografinë e dënuarit për krime lufte, Ratko Mladiq, dhe një flamur me datën e shpalljes së Republikës Serbe. bw
“Ka ardhur koha për të vërtetën” – kështu i paralajmëruan mediat proqeveritare në Serbi filmat dhe “emisionet speciale” që mohuan gjenocidin në Srebrenicë.
Ato u transmetuan gjatë ditëve që shënuan 30-vjetorin e vrasjes së më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë.
Për gjenocidin si “mashtrim” folën presidenti i entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe krimineli i dënuar i luftës, Vojisllav Sheshel.
Në televizionet “Informer” dhe “Prva” – me frekuencë kombëtare – u transmetua një serial që “zbulon manipulimin më të madh politik të drejtuar kundër popullit serb”.
Pas serialit qëndron organizata “Qendra për Stabilitet Shoqëror”, autore edhe e një filmi të mëhershëm që mohon krimin ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatin Reçak, më 1999.
“Ky narrativ tani është veçanërisht i theksuar. Përveç faktit që këtë vit bëhen 30 vjet nga gjenocidi, ai shfrytëzohet edhe për të goditur kundërshtarët politikë të pushtetit”, thotë për Radion Evropa e Lirë historiani dhe autori i një libri për gjenocidin në Srebrenicë, Dragan Popoviq.
Përvjetori i gjenocidit po zhvillohet në një atmosferë protestash studentore dhe qytetare në Serbi, që kanë tronditur Qeverinë e presidentit populist, Aleksandar Vuçiq.
Edhe pse nuk janë shprehur drejtpërdrejt për Srebrenicën, pushteti dhe mediat proqeveritare i akuzojnë protestuesit se duan ta shpallin popullin serb si gjenocidial.
Ky ishte edhe mesazhi kryesor i fushatës shtetërore kundër miratimit të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën në vitin 2024, edhe pse dokumenti nuk përmend asnjë popull apo shtet.
Një vit më vonë, me sulme u përballën edhe disa deputetë të opozitës që paraqitën në Kuvendin e Serbisë një tjetër propozim për rezolutë për dënimin e gjenocidit.
Kush bën thirrje për t’i dhënë fund politikës së mohimit?
“Përgjigje nga Parlamenti nuk ka ende”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmedin Shkrijel, anëtar i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) të Sanxhakut.
Një grup parlamentar, që përfshin këtë parti të pakicës boshnjake, Partinë Shqiptare për Veprim Demokratik dhe Lëvizjen opozitare të Qytetarëve të Lirë, dorëzoi më 3 korrik një propozim-rezolutë që kërkon ndërprerjen e politikës së mohimit të gjenocidit, të pandëshkueshmërisë dhe të madhërimit të krimeve dhe kriminelëve.
“Në propozim-rezolutë, në disa pika theksojmë se populli serb nuk është gjenocidial, por ata që nuk duan të përballen me pasojat e politikës së tyre shkatërruese – e ata janë regjimi aktual në pushtet,” thotë Shkrijel.
Ai kujton se që nga viti 2015, SDA-ja e Sanxhakut ka paraqitur në Kuvend propozime për rezoluta për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, por thotë se ato kanë mbetur pa përgjigje.
Vendimi në duar të autoriteteve
Një propozim-rezolutë mund të paraqitet nga çdo deputet, por shumica qeverisëse vendos nëse ajo do të jetë në rend të ditës ose jo.
Shumica përbëhet nga Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë.
Ato nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do ta përfshinin në rend dite projekt-rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë me procedurë urgjente, siç kërkuan propozuesit.
Qeveria e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e pranon që forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, të udhëhequra nga Ratko Mlladiq, kanë kryer gjenocid kundër popullsisë boshnjake në korrik të vitit 1995.
Ai e cilëson masakrën si “krim të rëndë”.
Pasi Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë, disa deputetë të pushtetit në Serbi e mbështetën publikisht atë, ndërsa një mural që e madhëronte, qëndroi për gati dy vjet në fasadën e një ndërtese në qendër të Beogradit.
“Politikat që çuan në Srebrenicë, sot janë në pushtet në Serbi. Kur ata e relativizojnë dhe mohojnë gjenocidin, ata mbrojnë veten. Jo nga përgjegjësia kriminale, por nga përgjegjësia politike dhe morale”, thotë historiani Popoviq.
Mesazhi i Vuçiqit, të cilin ai e dërgoi nga foltorja e Kuvendit si zyrtar i Partisë Radikale Serbe të Sheshelit në vitet 1990, mbetet i paharrueshëm: “Vritni një serb, ne do të vrasim njëqind myslimanë”.
Një pikë kthese në paraqitjet e tij publike ndodhi në vitin 2015, kur mori pjesë në shënimin e përvjetorit të gjenocidit në Potoçari.
Gjatë rrugës për në varreza, të mbledhurit e përcollën me fishkëllima, e disa hodhën edhe gurë në drejtim të tij.
Tabloidët në Serbi, edhe sot e kësaj dite, e përshkruajnë këtë ngjarje si një përpjekje “për të vrarë presidentin e Serbisë”.
Mediat proqeveritare në fushatë
Propozimin e rezolutës për Srebrenicën e dorëzuan gjashtë deputetë – aq sa numëron grupi i tyre parlamentar – dhe, në të njëjtën ditë, ata u bënë cak sulmesh nga mediat proqeveritare.
“Informer” e quajti propozimin “të turpshëm”, ndërsa mbështetësit i cilësoi si “bllokues antiserbë, të cilët kërkojnë që Serbia të shpallet shtet gjenocidial”.
Pika e propozimit, në të cilën thuhet se Kuvendi i Serbisë “shpreh ngushëllime dhe u kërkon falje familjeve të viktimave, për faktin që Serbia nuk e ka ndaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe nuk i ka dënuar kryesit”, u cilësua si veçanërisht “e turpshme”.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar vrasjen e më shumë se 8.000 boshnjakëve.
“Nuk ka asnjë argument që mund të përdorni për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë”, thotë deputeti i SDA-së së Sanxhakut, Shkrijel, për Radion Evropa e Lirë.
“Serbia dhe populli serb kanë nevojë që kjo rezolutë të dërgojë një mesazh, se kombet dhe shtetet e tjera nuk i shohin ata si kërcënim apo rrezik, por, përkundrazi, si ata që do të përqendrohen në ndërtimin e paqes dhe rivendosjen e besimit në ish-Jugosllavi”, shton ai.
Propozim-rezoluta bazohet në vendimet e Tribunalit të Hagës, si dhe në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës.
Në pano në të gjithë Serbinë, edhe sot mund të shihen mesazhe nga fushata shtetërore e vitit 2024, që thonë se “serbët nuk janë një popull gjenocidial”, edhe pse në dokumentin e miratuar nga Kombet e Bashkuara nuk përmendet as populli serb, as përgjegjësia kolektive.
Vuçiq me një flamur serb ndërsa dëgjon delegatët pas votimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një dite ndërkombëtare për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës. Maj, 2024.
Çka thonë studentët protestues?
Këtë vit, në kontekstin e Srebrenicës u përfshinë edhe studentët në bllokadë, që organizojnë protesta antiqeveritare tash e sa muaj, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
“Bllokuesit duan ta shpallin Serbinë gjenocidiale, ndërsa Vuçiq luftoi si luan kundër miratimit të rezolutës së turpshme për Srebrenicën në OKB”, ishte ballina e “Informer”-it më 25 qershor.
Studentët në bllokadë, të cilët nuk kanë liderë, nuk kanë dhënë qëndrime për gjenocidin në Srebrenicë.
Ata nuk deshën të flasin për Radion Evropa e Lirë për këtë temë, ndërsa më herët kanë thënë se, për shkak të heterogjenitetit të lëvizjes studentore, nuk do të flasin për çështje që nuk janë pjesë e kërkesave të tyre.
“Besoj se shumica e tyre nuk kanë informacion të mjaftueshëm për atë që ndodhi në Srebrenicë. Por, gjithashtu, besoj se ky nuk është momenti kur kjo mund t’u shpjegohet të rinjve”, thotë historiani Popoviq.
Për shkak të qëndrimeve personale për gjenocidin, disa studentë u përballën me sulme nga mediat.
“Besoj se, së pari, duhet hapur një hapësirë në shoqëri për dialog, të largohen regjimi autokratik dhe kontrolli i tij mbi mediat… Vetëm pastaj mund të ndërmerren hapa të tjerë që nuk do të jenë të lehtë – t’u shpjegohet njerëzve se çfarë ka qenë Srebrenica dhe përse është e rëndësishme ta kujtojmë”, shton Popoviq.
Qëndrimet e opozitës në Serbi
Disa parti opozitare, të cilat – pas thirrjes së studentëve – janë duke bojkotuar punën e Kuvendit, bëjnë deklarata të ngjashme.
“Asgjë nuk do të ndryshojë në këtë përbërje të Kuvendit për aq kohë sa Aleksandar Vuçiq është në pushtet dhe ne e konsiderojmë atë të paligjshëm për momentin. Kur të ndryshojnë rrethanat, ne mund të diskutojmë edhe dokumentet e propozuara nga partitë e tjera politike”, thotë për Radion Evropa e Lirë kreu i Partisë Demokratike, Sërgjan Millivojeviq.
Ai kujton se, me iniciativën e kësaj partie, Kuvendi serb ka miratuar Deklaratën për Srebrenicën në vitin 2010, në përputhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Edhe pse ky dokument i referohet vendimit që vërtetoi se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, ky term nuk përmendet.
Propozim-rezoluta e re nuk u shqyrtua as nga Fronti i Majtë i Gjelbër në opozitë, pasi nuk merr pjesë në punën e Kuvendit.
“Ne kurrë nuk kemi hezituar të themi se ajo që ndodhi në Srebrenicë, ishte gjenocid, dhe kemi folur për këtë publikisht në Kuvend. Por, gjatë gjithë kohës kemi një situatë në të cilën regjimi na sulmon për pretendimet se serbët janë një popull gjenocidial – gjë që askush prej nesh nuk e thotë”, shprehet për Radion Evropa e Lirë Bilana Gjorgjeviq nga kjo parti.
Të pyetura nëse do ta mbështesnin rezolutën e propozuar për gjenocidin në Srebrenicë, Partia për Liri dhe Drejtësi, Lëvizja Popullore e Serbisë dhe Partia e Re Demokratike e Serbisë, të cilat morën pjesë në fushatën kundër miratimit të dokumentit të OKB-së në vitin 2024, nuk u përgjigjën.
Udhëheqësi i Lëvizjes Popullore, Mirosllav Alleksiq, ka deklaruar më herët se “në Srebrenicë ndodhi një krim, por jo gjenocid”.
“Edhe pse nuk do të ndodhë asgjë lidhur me këtë nismë të re, është e rëndësishme që ajo të jetë në Kuvend dhe të mbetet e shënuar se dikush, megjithatë, e ka kërkuar”, thotë historiani Popoviq.
A i ndëshkoi Serbia ata që ishin përgjegjës?
Propozim-rezoluta e detyron Serbinë të kryejë hetime dhe t’i ndëshkojë të gjithë ata që janë përgjegjës për gjenocidin.
Vetëm dhjetë ditë para 30-vjetorit të gjenocidit, një gjykatë në Beograd e liroi ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Millenko Zhivanoviq, nga akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile në Srebrenicë.
Deri më sot, në Serbi janë dhënë edhe tri aktgjykime të tjera, pa përmendur gjenocidin.
Dy janë rezultat i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë që prokuroria i arriti me të akuzuarit, menjëherë pasi Bosnje dhe Hercegovina ngriti aktakuza kundër tyre.
Një tjetër rast që lidhet me Srebrenicën, po zhvillohet në Gjykatën e Lartë në Beograd.
Gjyqi për vrasjen e më shumë se 1.300 civilëve boshnjakë në fshatin Kravicë, i cili filloi në fund të vitit 2016, është ende në fazën e provave.
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur të martën në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, ku disa pasagjerë shqiptarë të linjës Beograd–Tiranë janë mbajtur të mbyllur në një autobus në pistën e aeroportit, në kushte të papërshtatshme.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerët duke bërtitur dhe kërkuar ndihmë nga autoritetet jashtë autobusit, ndërsa brenda mjetit kishte temperatura shumë të larta dhe mungonte ajrosja apo kondicioneri.
Deri në këtë moment, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga autoritetet e aeroportit në Beograd lidhur me këtë incident, ndërsa nuk dihet ende nëse pasagjerët kanë marrë ndonjë trajtim mjekësor apo ndihmë nga autoritetet serbe.bw
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi tarifa prej 35 për qind për importet nga Serbia dhe 30 për qind për importet nga Bosnje dhe Hercegovina.
Tarifat e reja për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe ato për një sërë vendesh të tjera do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Ato janë më të ulëta sesa ato që Trump i paralajmëroi në prill – 37% për mallrat nga Serbia dhe 35% për ato nga Bosnje dhe Hercegovina.
Megjithatë, zbatimi i këtyre të fundit u shty për 90 ditë.
Trump i paralajmëroi tarifat e reja në letrat drejtuar udhëheqësve të vendeve – në rastin e Serbisë, presidentit Aleksandar Vuçiq, ndërsa në rastin e Bosnje dhe Hercegovinës kryetares aktuale të presidencës, Zhelka Cvijanoviq.
Këto letra janë të njëjta, përveç ndryshimeve në normat doganore që i vendosen secilit shtet veç e veç.
Letra e Trumpit fillon duke thënë se është “nder i madh” për të që dërgon një letër, e cila tregon rëndësinë dhe përkushtimin e SHBA-së për marrëdhëniet tregtare me atë shtet.
Ai shton se SHBA-ja ka pranuar ta vazhdojë bashkëpunimin tregtar me vendin në fjalë, pavarësisht “deficitit të konsiderueshëm tregtar” që SHBA-ja ka me të.
Sipas tij, norma e deklaruar e tarifës – 30 për qind për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 35 për qind për Serbinë – është shumë më e ulët se ajo që nevojitet për të eliminuar pabarazitë dhe deficitin tregtar.
Trump, gjithashtu, kërcënon se do t’i rrisë tarifat nëse vendet hakmerren, duke vendosur tarifa shtesë për importet nga SHBA-ja.
Trump njoftoi të hënën në rrjetin e tij social, Truth Social, vendosjen e tarifave të reja doganore për një sërë shtetesh.
Për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin parashikohen tarifa prej 25%; për Afrikën e Jugut 30%; për Indonezinë 32%; për Bangladeshin 35%; për Kamboxhën dhe Tajlandën 36%, dhe për Laosin e Mianmarin 40%.
Në fillim të prillit, Trump vendosi tarifë 10% për importet nga Kosova.
Masë të ngjashme, atëkohë, vendosi edhe për importet nga Shqipëria, kurse për ato nga Serbia ishte 37%, nga Bosnje dhe Hercegovina 35% dhe nga Maqedonia e Veriut 33%.
Ekspertët vlerësuan se tarifat amerikane do të kenë shumë ndikim në Kosovë, për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha atëkohë se zyra e saj ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10% ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e kësaj mase duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.
Automjetet e policisë serbe pengojnë bllokadat në një lagje të Beogradit, 7 korrik 2025.
Radio Evropa e Lirë
Në ditën e tetë të protestave në Serbi, mëngjesin e 7 korrikut, mbi dhjetë rrugë kryesore në Beograd u bllokuan nga protestuesit.
Me kërkesë të studentëve, grupe joformale të qytetarëve bllokuan rrugët dhe kryqëzimet në disa lagje që nga ora 7:00.
Midis tyre janë edhe rrugë kryesore në Beogradin e Ri.
Policia ndërhyri në disa raste, duke i penguar qytetarët t’i bllokonin rrugët kryesore në disa vende në Beograd.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë raporton për forca të shtuara policore në rrugët e qendrës së qytetit dhe në lagje të tjera.
Në disa nga vendet ku ka bllokada, raportohet se policia ka kërkuar dokumentet e identifikimit të qytetarëve.
Bllokadat në qytete anembanë Serbisë filluan pasi studentët bënë thirrje për “mosbindje civile” nga 28 qershori.
Organizata akademike “Studentët në bllokadë” organizon protesta qysh në fund të vitit të kaluar, duke kërkuar përgjegjësi për incidentin në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën nga shembja e një strehe betoni atje, më 1 nëntor.
Studentët, që kanë bllokuar edhe fakultete, kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor, identifikimin dhe ndjekjen penale të atyre që kanë sulmuar protestuesit gjatë tubimeve në të gjithë Serbinë, lirimin e aktivistëve të arrestuar në protesta dhe ndërprerjen e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Nga maji, kërkesë e tyre është bërë edhe thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që qeveria e re të mund të punojë për përmbushjen e kërkesave të tyre të mëparshme.
Gjatë javës së kaluar, policia serbe, në disa raste, ndaloi persona që bllokuan rrugët.
Mes protestuesve dhe forcave të rendit pati edhe përleshje.
Kundërshtarët e tyre, që e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë”, kanë ngritur kampe përpara Presidencës së Serbisë që nga fillimi i marsit, duke u kërkuar autoriteteve që t’i lejojnë të kthehen në universitete.
Ata janë vizituar disa herë edhe nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Jo vetëm në tokë dhe ajër, tani Turqia kërkon të dominojë edhe në ujë, të paktën sa I përket anije luftarake. Agjensia për Industrinë e Mbrojtjes Turke ka projektuar një aeroplanmbajtëse të gjatë 300 metra dhe që do të ishte më e madhja në Evropë.
Duke pasur një dalje të konsiderueshme dhe pikë strategjike në Mesdhe, kjo aeroplanmbajtëse pritet të dominojë jo vetëm në Egje, por edhe më tutje.
Emri i saj pritet të jetë “Milli Uçak Gemisi” dhe do të tejkalojë ndjeshëm aeroplanmbajtësen për dronë TCG Anadolu, e cila është e gjatë rreth 232 metra. Kjo anije e re ka për qëllim të shërbejë si një qendër lundruese për aeroplanë me krahë fiks dhe helikopterë, duke zgjeruar ndjeshëm shtrirjen detare të Turqisë përtej brigjeve të saj.
Aeroplanmbajtese Turke
Ky projekt bazohet në bashkëpunimin e suksesshëm me Spanjën gjatë fazave të hershme të projektimit të anijes ushtarake TCG Anadolu, shkruajnë mediat. Aeroplanmbajtësja do të ndërtohet në kantieret detare vendase në Stamboll, duke forcuar konsorciumin turk të kompanive në fushën e ndërtimit të anijeve.
Aeroplanmbajtëset më të mëdha aktive evropiane, si “Charles de Gaulle” e Francës apo “Queen Elizabeth” e Britanisë, kanë një gjatësi rreth 280 deri në 284 metra. Dizajni i ri i aeroplanmbajtëses turke jo vetëm që i tejkalon ato, por gjithashtu sinjalizon edhe ambicien për të dalë përtej kufizimeve thjesht rajonale.bw
Studentët në Serbi kanë njoftuar një bllokadë të plotë të Beogradit dhe qyteteve të tjera të mëdha sot, në reagim ndaj “dhunës dhe arrestimeve policore”.
Protestat studentore thonë në një faqe interneti që kanë krijuar se bllokadat e kryqëzimeve rrugore në qytete do të fillojnë në orën 6:00 të mëngjesit, pa specifikuar se sa do të zgjasin.
Ata gjithashtu udhëzojnë ata që do të marrin pjesë në bllokada “të mos përdorin dhunë, të largohen nga bllokadat pa rezistencë kur të ndërhyjnë forcat e policisë dhe të zhvendosen në një pikë tjetër ku do të ngrenë një bllokadë të re”.
Studentët po u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në bllokadat rrugore.
Arsyeja për bllokadën e planifikuar të qyteteve ishte dhuna e përdorur në ditët e mëparshme nga policia kundër studentëve në bllokada dhe gjithashtu përpjekja e oficerëve të policisë, të mërkurën në mbrëmje, për të hyrë me forcë në Fakultetin e Drejtësisë.
Presidenti i Republikës, Aleksandar Vuçiç, reagoi ndaj njoftimit të bllokadave, në një video të ngarkuar në Instagram vonë mbrëmë, duke deklaruar se shteti nuk mund të lejojë veprime të paligjshme.
“Fatkeqësisht, ata që nuk e duan Serbinë, ekzistojnë jashtë kufijve dhe brenda vendit, kanë vendosur t’ua bëjnë jetën të gjithëve juve të vështirë. Ata kanë vendosur t’ju pengojnë të shkoni në punë, t’ju pengojnë të jetoni një jetë normale, t’ju pengojnë të ndiheni të lirë në vendin tuaj, në shtëpitë tuaja, në vendin tuaj të punës”, theksoi Presidenti Vuçiç.
Ai u bëri thirrje studentëve të “vijnë në vete dhe të mos e urrejnë aq shumë vendin e tyre”, duke paralajmëruar se bllokadat shkelin jo vetëm kodin penal, por edhe Kushtetutën.
Gjatë pesë ditëve të fundit, studentët dhe qytetarët kanë bllokuar rrugët në të gjitha qytetet kryesore, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.
Bllokadat “shfaqen” pa paralajmërim në pjesë të ndryshme të qyteteve, shpesh njëkohësisht në 20-30 vende, gjë që e vështirëson punën e policisë. Çdo ditë bëhen dhjetëra arrestime dhe ndalime, por ato nuk duket se i dobësojnë reagimet e studentëve dhe qytetarëve.
Taktikat e përjashtimit të studentëve mbështeten nga të gjitha partitë opozitare, të cilat kanë vendosur të abstenojnë nga seancat parlamentare.bw
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë (MVEP) u ka rekomanduar shtetasve të saj që t’i shtyjnë të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme drejt Serbisë.
Në një njoftim të publikuar sot, Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve kroatë për “kujdes të shtuar, ndjekje të situatës aktuale dhe informim më të detajuar para udhëtimit, sidomos në dritën e sjelljeve të papërshtatshme dhe të pabazuara nga ana e autoriteteve të Republikës së Serbisë ndaj shtetasve kroatë”.
“Duke marrë parasysh që shpesh ndodhin bllokime të rastësishme të rrugëve si pasojë e protestave qytetare, është e rëndësishme të kihet parasysh se është e pamundur të parashikohet gjendja në komunikacion dhe vështirësitë eventuale që mund të ndikojnë ndjeshëm në qarkullimin në të gjithë vendin. Qytetarëve kroatë u rekomandohet veçanërisht t’i shmangin vendet ku grumbullohet numër i madh njerëzish”, thuhet në njoftimin e MVEP-it.
Në çdo moment, në rast të ndonjë situate të jashtëzakonshme apo urgjence jashtë orarit zyrtar, shtetasit kroatë kanë të drejtë të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Republikën e Serbisë përmes numrit emergjent të telefonit: 0038163485757.
“Vendimi për të udhëtuar jashtë vendit është përgjegjësi personale e secilit individ. Rekomandimet dhe paralajmërimet për udhëtimet jashtë vendit, të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, janë të natyrës këshilluese”, thuhet në njoftim.
Në Serbi, ditëve të fundit janë organizuar bllokada rrugësh si përgjigje ndaj thirrjes së studentëve për “mosbindje civile”, pas protestës së madhe të mbajtur më 28 qershor, në të cilën u kërkua shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.
Policia ndërhyri duke larguar bllokadat dhe arrestuar pjesëmarrësit, pas së cilës gjë partitë opozitare dhe studentët akuzuan autoritetet për përdorim “brutal” të forcës.
Para përshkallëzimit të tensioneve në Serbi, autoritetet kishin dëbuar artistë dhe qytetarë nga vendet fqinje që kishin shprehur mbështetje për protestat në Serbi.
Ndërhyrja e policisë në Vraçar të Beogradit, gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut.
Radio Evropa e Lirë
Policia e Serbisë ka ndërhyrë gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut në disa lokacione në Beograd dhe Novi Sad, ku qytetarë dhe studentë ishin mbledhur për të bllokuar rrugët.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi në mëngjes se janë larguar të gjitha bllokadat.
Sipas MPB-së, gjatë natës janë kontrolluar gjithsej 1.297 persona, ndërsa 79 janë shoqëruar në stacione policore. Prej tyre, 72 për kundërvajtje dhe shtatë të tjerë për dyshim të shkeljes së Kodit Penal.
“Janë hequr të gjitha bllokadat në territorin e Serbisë dhe Beogradit dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme”, thuhet në njoftim.
Policia konfirmoi se në disa vende ka pasur incidente të izoluara, përfshirë në Beograd, Nish, Novi Pazar dhe Novi Sad. Në këto lokacione janë arrestuar disa persona për prishje të rendit dhe kryerje të veprave penale.
MPB-ja njoftoi se gjatë bllokadave janë lënduar katër policë dhe është dëmtuar një veturë zyrtare e policisë.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga veprimet e paligjshme dhe të mos bllokojnë rrugët, në mënyrë që të mos rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.
Një njësi e xhandarmërisë ndërhyri para Fakultetit Juridik në Beograd, ku studentët protestues pretenduan se policia tentoi të hynte brenda objektit, duke shkelur kështu autonominë universitare.
Gazetari i së përjavshmes Radar, Vuk Cvijiq, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje, tha për televizionin N1 se studentët kishin bllokuar rrugën dhe se policia intervenoi me automjete dhe dhunë.
“Ata u tërhoqën brenda fakultetit, por policët arritën deri në derë, ndërkohë që komandantët u thërrisnin për të mos hyrë”, tha ai, duke shtuar se pati disa të arrestuar.
Policia dhe qytetarët në Vraçar të Beogradit, gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut 2025.
Policia mohoi që ka hyrë në objektin e fakultetit dhe deklaroi se ka vepruar vetëm ndaj atyre që kishin vendosur pengesa në rrugë, duke respektuar autonominë universitare.
Më herët, në bulevardin “Mbreti Aleksandër”, pati përplasje mes policisë dhe qytetarëve.
Sipas MPB-së, një polic u lëndua dhe një automjet policor u dëmtua gjatë përpjekjes për të arrestuar një person që kishte bllokuar rrugën me kontejnerë.
Intervenime ka pasur edhe para stacionit të policisë në lagjen Vraçar të Beogradit dhe rrugëve përreth, ku ishin mbledhur qytetarë dhe studentë që prisnin lirimin e të ndaluarve – përfshirë edhe të mitur – të arrestuar më herët në rrugën Njegosheva dhe para Fakultetit Juridik.
Pasi të miturit u liruan, personat e rritur u dërguan te gjykatësi kujdestar në Gjykatën për Kundërvajtje. Më pas, forcat e xhandarmërisë shpërndanë protestuesit, duke përdorur edhe shkopinj gome.
Situata të ngjashme u regjistruan edhe në pjesë të tjera të Beogradit.
Policia në Vraçar të Beogradit, gjatë natës mes 2 dhe 3 korrikut 2025.
Në Novi Sad, bllokadat nisën pas orës 18:00 dhe vazhduan gjatë gjithë natës. U bllokuan disa kryqëzime në Bulevardin e Çlirimit dhe rrugë të tjera kryesore. Edhe pse policia ndërhyri disa herë për të larguar protestuesit, ata u kthyen sërish pas largimit të policisë.
Organizata akademike “Studentët në bllokadë” kishte bërë thirrje për mosbindje civile pas një mitingu të mbajtur më 28 qershor në Beograd.
Studentët kërkojnë zgjedhje të reja që në maj.
Ata organizojnë protesta dhe bllokada nëpër fakultete tash e sa muaj, duke kërkuar përgjegjësi penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.
“Kanë bërë shumë gjëra dhe tani kemi parë që kanë vendosur gurë themele për dy ura, pa marrë pëlqimin e popullit serb dhe të njerëzve nga Mitrovica e Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar”, tha Vuçiq për televizionin Informer, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Më 1 korrik, Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, i cilin ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shqiptarë dhe në pjesën veriore të banuar me serbë.
Njëra urë parashihet të jetë për këmbësorë dhe tjera për automjete.
Autoritetet kosovare thanë se projekti, me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet banorëve nga të dyja anët e lumit.
Megjithatë, reagimet në terren janë të ndryshme – disa e përkrahin këtë iniciativë, ndërsa të tjerët e shohin si të panevojshme.
Urat e reja do të vendosen në anën e majtë dhe të djathtë të urës kryesore, e cila është pjesë e Marrëveshjes Kosovë-Serbi për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel.
Megjithatë, nga BE-ja i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt dhe as që janë të njoftuar për të.
Sipas BE-së, çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse – duke i përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet që preken nga kjo çështje.
Komentet