VOAL

VOAL

Raporti i britanikëve: “Kryezinjtë patriotë, mbajtën Enver Hoxhën me para në Paris”

October 10, 2017

Komentet

“Delfini i Duçes, Konti Ciaoni i cili ishte jashtëzakonisht i pamatur në zgjedhjen e taktikave të politikës së tij, parashikoi edhe vrasjen e Zogut dhe më 27 tetor 1938…” Shkrimi i gazetarit të famshëm italian

Nga Indro Montanelli

Gazetari i famshëm italian, i cili la gjurmë të pamohueshme me veprën e tij jo vetëm në Itali, e shtriu ndikimin e tij edhe në fusha të tjera, duke spikatur pikësëpari në atë të historisë, ku ai ishte në fragmente të saj edhe dëshmitar okular e përcjellës i eventeve më të rëndësishme të kohës. Një kolanë e ribotuar shpesh nga shtëpitë botuese më në zë në Itali, janë edhe vëllimet e “Storia d”italia”, të cilat kanë njohur më vonë edhe bashkëpunimin e redaktimin profesional të Mario Çervit.

E ndarë në shumë seksione e kapituj, sigurisht se për lexuesin shqiptar do të kishte vlerë të dihej vlerësimi që Montanelli jep për një periudhë shumë të diskutueshme të historisë sonë, siç është pushtimi italian, por edhe periudha e monarkisë. Si e shihte dhe çfarë shkruante Indro Montanelli (1909-2001) mbi ish-monarkun shqiptar dhe prejardhjen e tij e të parëve të tij, rrugën që ndoqi për të bërë karrierë, marrëdhëniet me italianët, fqinjët dhe popullin e vet, dhe në fund fare, edhe qëndrimin dhe lëvizjet në ditët dhe orët e fundit para se të niste pushtimi.

Përgjigjet e këtyre pyetjeve i gjen të ndërthurura më shumë informacione e detaje të tjera në faqet 204- 215 të Volumit 8, Kapitulli XII, botim i “Rizzoli Editore”, Milano, 1982.

Kundërshtari që Musolini kishte shpikur për t’iu kundërvënë një suksesi që po kishte Hitleri, ishte në fakt i biri i tij. Mbreti Ahmet Zog, siç thuhej, “nuk lindte”. Ai i përkiste një dinastie të bosëve të mafies Mati, që do të ishte pak Kalabria e Shqipërisë dhe emri i tij i vërtetë ishte Ahmet Zogolli. Zogollët, që pas pushtimit turk, ishin të parët që u konvertuan në fenë e Islamit, duke pohuar pushtetin e tyre mbi shtetin, falë mbrojtjes së pashallarëve që gradualisht qeverisën vendin në emër të Sulltanit.

Ata zotëronin disa dele, disa kullota dhe një grup vrasësish, të cilët i përdornin për të mbështetur sundimin e tyre të vogël feudal dhe për të përshtatur sipas dëshirës së tyre, gjakmarrjet dhe luftën guerile, endemike në mesin e atyre barinjve malorë, por nuk rezulton se ndonjë prej Zogollëve kishte pohuar dëshirën për të shtrirë ndikimin e tij mbi atë kanton të papërfillshëm, të banuar nga disa dhjetëra mijëra burra, pothuajse të gjithë analfabetë, të lidhur me mjaft fanatizëm me autonominë e tyre, të cilën turqit e respektuan. Zakonisht ata lindnin, jetonin dhe vdisnin atje, midis deleve dhe minareve, duke bërë gjueti, duke bërë intriga dhe duke administruar një drejtësi arkaike, nën pemën e fikut.

Ahmeti ishte ndoshta i pari i dinastisë së tij që e zgjeroi horizontin e ambicieve të tij. Lindur në vitin 1895, ai studioi në Akademinë Ushtarake në Kostandinopojë, por kur Shqipëria kaloi, pas luftërave ballkanike, nën sundimin e Vjenës, ai u transferua në ushtrinë austriake – mjeti që përdorte Perandoria Habsburge për të themeluar elementet e ndryshme kombëtare nga të cilat ishte përbërë – dhe atje ai u bë kolonel. U shkarkua në fund të Luftës së Parë Botërore dhe mbeti pa gradë, pa para dhe pa flamur, ai u kthye në Mat, por nuk u mësua me vegjetimin si paraardhësit e tij.

Regjimi demokratik që kishin vendosur traktatet e paqes në vend ishte, sigurisht, një mashtrim, por lejonte këdo që të bënte përpara. Ahmetit i mjaftoi emri për t’u bërë deputet i rrethit të tij dhe për të hyrë kështu në lojën e pushtetit. Ambicia e tij ishte servirur mirë nga trashëgimia dinake e Zogollëve, me një guxim të shquar dhe një mungesë totale të skrupujve.

Para të tridhjetave ishte ministër i Brendshëm, një pozicion të cilin ai e përdorte për të shumëfishuar miqtë, t’i binte në qafë armikut dhe menjëherë më pas të instalohej si President i Këshillit. Kur, në zgjedhjet e ardhshme, ai u mund nga liberali Fan Noli, nuk pranoi t’i lëshonte atij vendin dhe u përpoq të vendoste diktaturën.

Ai nuk pati sukses për shkak të mungesës së forcave brenda dhe mbështetjes nga jashtë, dhe i detyruar të shpëtonte veten, u largua për në Beograd. Tashmë, e dinte se askush nuk mund të sundonte në Shqipëri përveçse si prokonsull i një fuqie të huaj dhe në mesin e atyre që pretendonin për dominim – Italia, Greqia dhe Jugosllavia – ndoshta ai mendonte se kjo e fundit ishte më e besueshme. Kështu duhej të dukej dhe ai me jugosllavët, të cilët hezituan shumë për ta bërë “ushtarin” e tyre.

Kur më në fund e vendosën, Nikola Pashiç – një lloj Gioliti serb (kryeministër italian) dhe njohës i mirë i njerëzve – duke vënë mbi tryezë një numër qesesh plot stërlina floriri, duke i shtyrë drejt tij, e  pyeti: “Dhe tani Zog, sa kohë do të duhet për të marrë para nga italianët dhe të kalosh në anën e tyre”? – Ndoshta Zogu nuk e bëri atë që kishte parashikuar Pashiç, vetëm për stërlinat.

Si mbrojtës, italianët kishin më shumë pikë se jugosllavët në avantazh: Së pari, nuk kishin vazhdimësi territoriale me Shqipërinë, gjë që i jepte më shumë pavarësi kësaj të fundit, pastaj ishin më në gjendje ta ndihmonin nga ana ekonomike dhe në fund, pas ardhjes në pushtet të Musolinit, dhanë dëshmi të një aktivizimi diplomatik shumë më agresiv dhe të vendosur. Megjithatë, pasi kishte përvetësuar stërlinat e Pashiçit, Zogu përvetësoi dhe ato të Musolinit, të cilit pak i interesonte kjo; vetëm të jepte disa garanci të suksesit, dhe nga kjo pikëpamje nuk ishte e gabuar.

Me ushqim të dyfishuar, Zogu e rimori shpejt pushtetin dhe u kurorëzua dhe President i Republikës, por kjo nuk i mjaftoi. Tri vjet më vonë, ai mori një kurorë të vërtetë, atë të Mbretit, që Musolini ia dha në shkëmbim të një deklaratë besnikërie të pavdekshme ndaj Italisë, që e shqiptuar nga një njeri si Zogu, vlente aq sa vlente. Musolini u tregua naiv dhe kjo u pa menjëherë.

Pasi u bë Mbret, Zogu e mori seriozisht mbretërimin, duke marrë qëndrimet e pavarësisë dhe duke treguar shpesh arrogancë, që dikur rrezikuan të provokonin një krizë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në vitin 1934, Zogu refuzoi të rinovonte traktatet tregtare me Italinë dhe nënshkroi një me Jugosllavinë. Këto veprime u justifikuan pjesërisht nga politika e Romës, që e kryente detyrën e saj si “mbrojtëse” shumë keq. Ndihmat e mëdha më pas përfunduan duke shtuar llogaritë private të Zogut dhe të preferuarve të tij, por edhe ato ndërhyrëse dhe paternaliste.

Kjo politikë dukej e bërë me qëllim që të fyente ndjenjat e një Mbreti si Zogu që pa tradita dinastie, u përpoq të kompensonte me gjeste krenarie kombëtare dhe shkëlqimin e një oborri operetash. I fshehtë dhe dyshues, Zogu e konceptonte politikën si një intrigë pallati, në të cilën, megjithatë, ishte një mjeshtër. Rrallë shfaqej në publik, kërkonte nga të gjithë, madje edhe nga diplomatët italianë, duke filluar nga kreu i misionit, ministri Jakomoni, të respektonte një ceremonial të përpiktë, ku fliste pak dhe nuk hapej me askënd.

Ndikimi i vetëm që ushtronte ishte ai ndaj familjes dhe në veçanti ndaj motrave, që prej tij kishin marrë gradën e gjeneralëve dhe të veshura me uniformë, luanin në Pallatin Mbretëror motin e mirë dhe të keq. Ato ishin anti-italiane edhe kishin frikë se Roma do t’i jepte mbretit një grua italiane, që do t’i shpronësonte.

Në të vërtetë, ky ishte projekti që Roma kishte, dhe për ta realizuar, dikush i kishte sugjeruar gjithashtu të “sakrifikonin” për Zogun një princeshë të linjës së gjakut mbretëror të Savojës, por nuk ishte gjetur ndonjë aq e gatshme dhe më pas ishte kthyer tek një baroneshë e cila, megjithëse italiane, kishte prejardhje të drejtpërdrejtë dhe mbante emrin e kampionit më prestigjioz të nacionalitetit shqiptar: Skënderbeut, por për Zogun kjo ishte një masë e përkohshme, me krenari e refuzoi atë dhe për të ripohuar pavarësinë e vet, dëshironte të bënte një zgjedhje të tijën.

E bëri mbi një fotografi ku ishte një vajzë hungareze, që ia kishte propozuar sekretari i tij. Zogu e refuzoi vajzën, por e mbajti fotografinë dhe e ftoi në Tiranë origjinalen: Ajo ishte Geraldine Apponyi, trashëgimtare e një familjeje të madhe hungareze e rënë nga vakti; nuk kishte asgjë përveç emrit dhe një fytyre të ëmbël, e njëjtë edhe në karakter.

Dasma u mbajt më 28 nëntor 1937, në njëzetepesë vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (Shënim i përkthyesit: këtu, me shumë gjasa, kemi të bëjmë me një lapsus të vetë autorit, gjë e cila mund të ketë ardhur nga mos-thellimi apo neglizhenca e tij ndaj këtij detaji historik, pasi dihet tashmë se dasma në fjalë u zhvillua në prill 1938) dhe ishte një tjetër burim i fërkimit, këtë herë më të thellë me Italinë.

Jo vetëm për shkak se Zogu kishte refuzuar një nuse italiane, por edhe për kundërshtitë e vrazhda që iu bënë, veçanërisht nga motrat gjenerale, të dy përfaqësuesve italianë, të cilët ishin Çiano për qeverinë dhe Duka i Bergamos, i Shtëpisë së Savojës. Ishte më se e kuptueshme se: Kriza, për arsye të parëndësishme, ndodhej tashmë në ajër, por ka shumë mundësi që edhe acarimi i Cianos, t’i ketë dhënë një shtysë përshpejtimit të saj. Por as Zogu, në mungesë të një ideje, ose për shkak të krenarisë, nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Ndoshta ai mendonte se Italia nuk mund të bëjë pa të dhe sigurisht, u mbështet dhe nga të motrat për këtë bindje. Geraldina nuk mund t’i ofronte asnjë ndihmë, qoftë edhe me anë të këshillimit. Shumë e re në moshë (ajo ishte njëzet vjet më e re se ai) dhe pa përvojë, ajo e gjeti veten krejtësisht të papërgatitur për të luajtur rolin e vështirë të Mbretëreshës. Për më shumë, ajo ngeli menjëherë shtatzënë dhe burri i saj, edhe pse dukej shumë i dashuruar me të, vepronte ende si një mysliman, i cili nuk i jep rëndësi fjalës së gruas.

Por, sipas një tjetër hipoteze, ai kurrë nuk kishte pasur ndonjë iluzion në lidhje me stabilitetin e fronit të tij, përkundrazi, Zogu donte t’i jepte fund aventurës së tij në mënyrën më të hijshme, duke e shtyrë pavarësinë deri në sfidën e radhës. Ndoshta po përgatiste kthimin e tij në momentin kur rregullat e lojës europiane të kishin ndryshuar. Megjithatë, edhe pse i mungonte etika, atij nuk i mungonte karakteri.

Në fakt, u bë më se e qartë kur goditja gjermane në Çekosllovaki i dha Ciano-s një mundësi për të kryer planin e aneksimit të Shqipërisë, plan që “vlonte” prej kohësh. Ministri i Jashtëm kishte marrë urdhra që jugosllavët t’i kishin “duart e lira” për të vepruar në Shqipëri, sipas klauzolave të fshehta të traktatit të vitit 1937: Musolini kishte marrë në dorë raportet që e tregonin Shqipërinë si një vend “të pasur, të pasur me të vërtetë” dhe parashikonin një ndërhyrje të mundshme gjermane në atë zonë, për aq kohë sa kjo ndërhyrje  mbikëqyrej nga italianët.

Në këto përshkrime, “sociale” të Cianos, nuk mungonin edhe idetë anti-Zog. “Ky popull, ku kushtet e mjerimit në të cilat jeton, na sjell ndërmend fshatrat e largëta kineze përgjatë Jang-Ce….! “120,000,000 lirat e mjerueshme, të cilat përbënin buxhetin e shtetit, përdoreshin për blerjen e diamanteve, rrobave, makinave që motrat e Mbretit i reklamonin me pamaturi të vazhdueshme”. Falë kësaj taktike, Ciano, në maj të vitit ’38, arriti të bindte Duçen, të jepte aprovimin e një përgatitje të përgjithshme.

Ndërkohë, delfini i Duçes, i cili ishte jashtëzakonisht i pamatur në zgjedhjen e taktikave të politikës së tij, parashikoi edhe vrasjen e Zogut. Më 27 tetor të vitit 1938, ai vuri në dukje në ditarin e tij: “Aksioni fillon me vrasjen e Mbretit (duket se do jetë detyrë e Këshilltarit Koçi, përballë një tarife prej dhjetë milionësh), lëvizjet përgjatë sheshit, udhëzimi i bandave besnike ndaj nesh (pothuajse të gjithë komandantëve, përveç atyre të KMIA), lutje Italisë për ndërhyrje politike dhe ushtarake, nëse është e nevojshme, ofrimi i kurorës së Mbretit dhe aneksimi i mëvonshëm. Jakomoni siguron se çdo gjë mund të bëhet në bazë të rregullave, me një muaj paralajmërim.

“Një manovrim i tipit ‘Anschluss’ me pak fjalë, si aneksimi i Sudeteve. Deri në atë moment, Ciano kishte reaguar me iniciativën e vet. Ekzistonte tashmë një duel mes Cianos dhe Zogut, pra Musolini do e bazonte aprovimin ose pengimin e aneksimit, në përputhje me stadin e ngjarjeve në rend ndërkombëtar. Rënia e Stojadinoviçit, një mik i madh i Cianos, në Jugosllavi, kishte komplikuar akoma edhe më shumë situatën. “Duart e lira”, nuk mund të vepronin si më parë dhe Zogu e dinte mirë këtë. Ideja e vrasjes se Mbretit, ishte venitur. / Memorie.al

SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST- Nga Begzad Baliu

 

 

Me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468) janë zhvilluar shumë aktivitete shkencore, kulturore e madje politike. Janë të paktë studiuesit dhe njerëzit e kulturës, të cilët nuk janë angazhuar të japin një kontribut sado modest për njohjen dhe vlerësimin e këtij personaliteti me përmasa kombëtare e europiane.

Në këtë rrjedhë një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe njëri prej krijuesve tanë në fushë të letërsisë e kulturës në Suedi, shkrimtari Sokol Demaku, duke përkthyer njërën prej veprave të trashëgimisë skenderbeguane në gjuhën suedeze, atë të Stefan Zanoviqit, Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia. Stockholm: Anders Zetterberg, 1788. Të dhënat bibliografike në thonë se vepra është shkruar në gjuhën suedeze të shekullit XVIII. Është botuar në shtypshkronjën: Anders Zetterberg. Lloj i veprës: histori e romanizuar/biografi heroike. Tekst i mbishkruar sipas traditës barletiane. Botimi në gjuhën shqipe:  Stefan Zanoviq, E quajti Kastrioti i madh i Shqipërisë Skënderbeu: Historia. Përkthyer nga Sokol Demaku (nga suedishtja e vjetër, sipas Sven Esselius). Prishtinë, 2024. ISBN: 978-91519-5595-7.

 

Të dhënat enciklopedike e bibliografike veç tjerash na thonë se Stefan Zanoviq (i njohur edhe si Stiepan Zanović) ishte një figurë e shekullit XVIII, me origjinë nga hapësira dalmato-ballkanike (zakonisht lidhet me Budvën ose zonat përreth Adriatikut), i cili u bë i njohur në Evropë si aventurier, shkrimtar dhe intelektual i shtirur. Ai veproi në një kontekst kulturor tipik për epokën e iluminizmit, duke lëvizur midis oborreve dhe qendrave urbane evropiane, ku ndërtoi identitete të ndryshme sociale dhe kulturore. Në literaturën enciklopedike nordike ai paraqitet si një figurë margjinale, por karakteristike për kulturën kosmopolite dhe shpesh spekulative të shekullit XVIII.

Zanoviq u dallua për prodhimin e teksteve historiko-letrare dhe për një prirje të fortë drejt fabulimit dhe stilizimit të figurave historike. Vepra e tij për Skënderbeun – Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia (Stockholm, 1788) – përfaqëson pikërisht këtë tip diskursi: një përzierje e historiografisë, moralizimit dhe retorikës heroike, e cila mbështetet në traditën e Marin Barleti, por e transformon atë në një narrativë të përshtatur për publikun evropian të kohës. Në këtë aspekt, Zanoviq nuk është historian në kuptimin kritik modern, por një ndërmjetës diskursiv i miteve historike.

Në biografinë e tij, ai mbetet një figurë kontradiktore: i përfshirë në aventura politike dhe mashtrime identitare (duke pretenduar herë pas here prejardhje fisnike ose role të fabrikuara), ai përfundoi jetën në kushte tragjike në fund të shekullit XVIII. Enciklopeditë evropiane, përfshirë traditën suedeze, e trajtojnë atë si shembull të tipit “aventurier intelektual”, një figurë që qëndron në kufirin midis kulturës së lartë dhe manipulimit letrar, duke reflektuar tensionet midis dijes, autoritetit dhe fabulës në epokën e iluminizmit.

 

  1. Ndërmjet Barletit dhe Zanoviqit

Studimi në fjalë ndërtohet mbi një premisë të qartë metodologjike dhe teorike: teksti i  Stefan Zanoviq nuk përfaqëson një burim historik autonom, por një konstrukt diskursiv sekondar, i ndërtuar mbi matricën historiografike të Marin Barleti. Në këtë kuptim, analiza nuk synon të verifikojë faktografinë historike, por të zbulojë mekanizmat e riartikulimit të figurës së Skënderbeut në një kontekst të ri kulturor, duke u mbështetur në një qasje të integruar historiko-filologjike, intertekstuale dhe semiotike. Kjo qasje lejon të kuptohet procesi i kalimit nga një historiografi humaniste, e strukturuar mbi modelin latin dhe mbi retorikën klasike, në një diskurs iluminist evropian, ku historia funksionalizohet si instrument i ideologjisë, i etikës dhe i modelimit kulturor.

Në rrafshin strukturor, analiza dëshmon një vazhdimësi të qartë të modelit barletian, pasi Zanoviq ruan skeletin kronikal të rrëfimit: origjinën fisnike të Kastriotëve, fazën e pengmarrjes dhe të edukimit në oborrin osman, rikthimin në atdhe dhe ciklin e luftërave kundër Perandorisë Osmane. Kjo strukturë nuk është një krijim origjinal, por një riprodhim i një modeli të konsoliduar historiografik, i cili funksionon si bazë për ndërtimin e mëtejshëm të rrëfimit. Megjithatë, në nivelin interpretativ, kjo vazhdimësi shoqërohet me një zhvendosje të rëndësishme: ajo që te Barleti paraqitet si një paradoks providencial i historisë, te Zanoviq riformulohet si një proces racional dhe pedagogjik i formimit të heroit, duke reflektuar një ndryshim të thellë në mënyrën e konceptimit të historisë dhe të individit.

Transformimi më i dukshëm ndodh në nivelin e diskursit dhe të strukturës narrative, ku rrëfimi historik zëvendësohet nga një narrativë e dramatizuar dhe moralizuese. Ndërhyrjet alegorike, si prologu me Menandrin (Burrë i fortë) dhe CLEARC-un (Modelin etik të heroit), nuk kanë funksion informativ, por vendosin një horizont etik, duke e orientuar interpretimin e figurës së Skënderbeut drejt një sistemi vlerash universale. Kështu, historia largohet nga funksioni i saj dokumentues dhe shndërrohet në një formë të artikuluar të filozofisë morale, ku rrëfimi shërben për të edukuar dhe për të modeluar perceptimin e lexuesit.

Në prizmin karakterologjik, figura e Skënderbeut pëson një zgjerim të rëndësishëm semantik dhe funksional. Nga një hero historik dhe ushtarak, i artikuluar si mbrojtës i krishterimit dhe i rendit evropian, ai shndërrohet në një model etik dhe politik, që mishëron virtyte universale si drejtësia, maturia dhe vetëkontrolli. Ky transformim realizohet përmes një strategjie diskursive që thekson cilësitë morale dhe shoqërore të figurës, duke e zhvendosur fokusin nga akti historik drejt normës etike. Në këtë mënyrë, Skënderbeu nuk mbetet më vetëm një figurë e së kaluarës, por bëhet një model antropologjik dhe normativ për shoqërinë.

Në nivelin e përfaqësimit të luftës, analiza evidenton një kalim nga një strukturë historiko-retorike drejt një estetike të hiperbolës dhe të dramatizimit. Përshkrimet e betejave te Zanoviq karakterizohen nga amplifikimi numerik dhe nga ndërtimi i një imazhi të epërsisë absolute të heroit, duke e transformuar luftën nga një fakt historik në një spektakël narrativ. Më e rëndësishmja, ky proces shoqërohet me një vetëdije të qartë të autorit për natyrën e mitizimit, çka e dallon atë nga modeli barletian dhe e vendos tekstin në një nivel më të avancuar refleksiv, ku historia dhe narrativa ndërthuren në mënyrë të ndërgjegjshme.

Në konceptin ideologjik dhe kulturor, shtesat që sjell Zanoviq janë vendimtare për kuptimin e figurës së Skënderbeut në kontekstin e shekullit XVIII. Figura universalizohet dhe integrohet në një sistem evropian referencial, ku ajo vendoset në marrëdhënie me figura të tjera paradigmatike të historisë botërore. Njëkohësisht, artikulohet një diskurs politik i tipit iluminist, në të cilin Skënderbeu paraqitet si model i sovranitetit dhe i autonomisë politike. Paralelisht, estetizimi i narrativës dhe futja e elementeve të ndjeshmërisë dhe të jetës shoqërore e afrojnë tekstin me format e romanit historik dhe të letërsisë së shekullit XVIII, duke e shndërruar atë në një strukturë hibride midis historiografisë dhe letërsisë.

Në këtë rrjedhë, analiza dëshmon një proces të trefishtë të ndërtimit diskursiv të figurës së Skënderbeut: ruajtjen e strukturës historike të modelit barletian, transformimin e narrativës në një diskurs moral dhe estetik, dhe shtimin e një shtrese të re ideologjike dhe kulturore, të karakterizuar nga universalizimi evropian dhe nga artikulimi i vlerave iluministe. Si rezultat, figura e Skënderbeut kalon nga një hero i kronikës historike në një simbol kompleks kulturor dhe konceptual, që funksionon si model etik, politik dhe antropologjik në horizontin e Evropës së shekullit XVIII.

 

II. Skënderbeu midis humanizmit barletian dhe iluminizmit evropian: analiza intertekstuale e veprës së  Stefan Zanoviq

Çdo lexim i veprës Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia duhet të nisë nga një premisë metodologjike themelore: ky tekst nuk përfaqëson një burim historik autonom, por një konstrukt sekondar të ndërtuar mbi matricën historiografike të Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis të Marin Barleti. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një proces tipik intertekstual, i cili realizohet përmes tri mekanizmave themelorë: transmetimit të bërthamës narrative, transformimit stilistik dhe ideologjik të materialit të trashëguar, si dhe ri-semantizimit të figurës së Skënderbeut në një horizont të ri kulturor. Figura e heroit, për rrjedhojë, nuk riprodhohet thjesht si një kopje e modelit barletian, por rikodohet dhe riartikulohet në funksion të kërkesave të diskursit evropian të shekullit XVIII, ku historia fillon të shërbejë si mjet për artikulimin e ideve dhe vlerave universale.

Në nivelin e parë të analizës, Zanoviq ruan pothuajse të pandryshuar arkitekturën kronikale të modelit barletian, duke riprodhuar skeletin themelor të rrëfimit historik: origjinën fisnike të Kastriotëve, marrjen peng të Skënderbeut në oborrin osman, procesin e edukimit dhe formimit të tij, rikthimin në atdhe dhe marrjen e Krujës, si dhe ciklin e vazhdueshëm të luftërave kundër osmanëve. Një ilustrim i qartë i kësaj vazhdimësie strukturore gjendet në formulime të tilla si: “Gjergj Kastrioti ishte djali i Gjon Kastriotit dhe i Vojsavës… Gjergji nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç… u bë synet… Murati… i kishte dhënë një edukim mjaft të mirë…” . Ky fragment riprodhon një nga skemat themelore të Barletit, sipas së cilës heroi formohet në mjedisin e armikut për ta mposhtur atë më pas. Megjithatë, nëse te Barleti kjo paraqitet si një paradoks providencial, i lidhur me një logjikë teologjike të historisë, te Zanoviq ajo interpretohet si një fazë e domosdoshme e formimit të karakterit heroik, duke i dhënë procesit një dimension më të racionalizuar dhe pedagogjik.

Një nga devijimet më të dukshme nga modeli barletian shfaqet në transformimin e hyrjes së veprës, ku prologu historik dhe retorik i traditës humaniste zëvendësohet me një prolog alegorik dhe filozofik. Episodi i Menandrit dhe CLEARC-ut – “Menander… bëri flijime… orakulli tha: CLEARC… më i dashuri për Perënditë… ai dorëzonte vetëm fruta… jetonte sipas ligjeve të natyrës…” – nuk ka analogji në strukturën e Barletit dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me historinë e Skënderbeut. Funksioni i tij është të vendosë një horizont etik, duke artikuluar një model të virtytit natyror, i cili do të mishërohet më pas në figurën e heroit. Në këtë mënyrë, Zanoviq realizon një zhvendosje të qartë nga historiografia humaniste drejt një filozofie morale të tipit iluminist, ku rrëfimi historik bëhet mjet për artikulimin e parimeve të përgjithshme etike.

Në karakterin e tij, transformimi bëhet edhe më i theksuar përmes rikonfigurimit të figurës së Skënderbeut, e cila kalon nga një hero historik në një model etik dhe antropologjik. Përshkrime të tilla si: “Ai ishte i kujdesshëm, fisnik, i sjellshëm… zotëronte dhunti shoqërore dhe njerëzore…” e zhvendosin fokusin nga aktet ushtarake drejt cilësive morale dhe shoqërore. Nëse te Barleti Skënderbeu paraqitet kryesisht si strateg dhe mbrojtës i fesë, te Zanoviq ai shndërrohet në një figurë që mishëron një sistem të tërë virtytesh: etikë personale, moral publik dhe virtyt politik. Ky zgjerim i dimensioneve karakterologjike prodhon një zhvendosje thelbësore nga heroi i historisë drejt një figure normative, e cila funksionon si model për shoqërinë dhe për individin.

Në të njëjtën kohë, transformimi i narrativës së luftës përbën një element kyç të rikonfigurimit estetik të tekstit. Ndryshe nga struktura relativisht e balancuar historiko-retorike e Barletit, Zanoviq e amplifikon përshkrimin e betejave përmes hiperbolizimit dhe dramatizimit, siç dëshmohet në formulime të tilla: “Ata lanë 20 000 ushtarë… Kastrioti humbi jo më shumë se 26 burra…” . Ky disproporcion ekstrem prodhon një efekt të fortë estetik dhe mitizues, duke e shndërruar luftën në një spektakël narrativ të madhështisë heroike. Më e rëndësishmja, vetë autori reflekton mbi këtë proces, duke pranuar se “kronikanët janë si poetë… zbukurojnë tiparet e heronjve…” . Kjo vetëdije për natyrën e mitizimit e dallon qartë Zanoviq-in nga Barleti, i cili, ndonëse përdor mjete retorike dhe hiperbolike, nuk e problematizon në mënyrë eksplicite raportin midis historisë dhe fabulës. Në këtë mënyrë, lufta nuk mbetet më thjesht një fakt historik, por bëhet një hapësirë ku ndërtohet dhe artikulohet miti i heroit në mënyrë të vetëdijshme dhe estetike.

Në vijim të rikonfigurimit të figurës së Skënderbeut, një nga shtesat më të rëndësishme që realizon  Stefan Zanoviq është universalizimi i saj në hapësirën evropiane, përmes të cilit ajo shkëputet nga kufijtë e ngushtë etno-historikë dhe integrohet në një sistem më të gjerë simbolik dhe kulturor. Kjo vihet re në formulime të tilla si: “Ai u urua si Aleksandri i Dytë… nga princër dhe mbretër të Evropës…” , ku figura e Skënderbeut vendoset në një marrëdhënie analogjike me figura universale të historisë botërore. Në këtë mënyrë, ai nuk përfaqëson më vetëm një hero shqiptar apo ballkanik, siç ndodh në thelb te Marin Barleti, por shndërrohet në një figurë paradigmatike të kujtesës evropiane, e cila përvetësohet dhe riartikulohet nga një horizont më i gjerë kulturor. Ky proces i universalizimit nuk është një zgjerim i thjeshtë gjeografik, por një transformim i funksionit të figurës, e cila kalon nga një identitet historik lokal në një ikonë transkulturore me vlefshmëri universale.

Njëkohësisht, teksti i Zanoviq-it artikulon një diskurs politik të tipit iluminist, në të cilin figura e Skënderbeut funksionon si model i sovranitetit dhe i refuzimit të nënshtrimit. Në fragmente të tilla si: “Ai nuk do t’i paguajë askujt taksa… shpata e tij nuk ka paguar tjetër…” , shprehet një konceptim i qartë i pushtetit të pavarur, i bazuar në autonomi dhe në legjitimitet moral. Këtu kemi të bëjmë me një zhvendosje të rëndësishme nga logjika e mbijetesës dhe e mbrojtjes së fesë, që karakterizon diskursin e Barletit, drejt një konceptimi të luftës si afirmim i një parimi politik universal: sovranitetit. Në këtë kontekst, figura e Skënderbeut nuk interpretohet më vetëm si luftëtar kundër një armiku të jashtëm, por si përfaqësues i një etike të pushtetit që refuzon çdo formë varësie dhe që afirmon autonominë si vlerë themelore.

Paralelisht me këto zhvillime ideologjike, Zanoviq realizon edhe një estetizim të theksuar të jetës dhe të rrëfimit, duke futur elemente që mungojnë ose janë shumë më pak të zhvilluara te Barleti. Përshkrimet e martesës me Donikën, festimet, ceremonitë dhe episodet e jetës shoqërore nuk shërbejnë vetëm si zbukurim narrativ, por si mjete për të humanizuar figurën e heroit dhe për ta afruar atë me ndjeshmëritë e lexuesit. Këto elemente shoqërohen me një ndjeshmëri të shtuar narrative dhe me një tendencë drejt dramatizimit emocional, që e afrojnë tekstin me format e romanit historik dhe me letërsinë e ndjeshmërisë (sensibility literature) të shekullit XVIII. Në këtë mënyrë, rrëfimi largohet nga një kronikë e thatë historike dhe shndërrohet në një tekst me dimension të theksuar estetik dhe emocional.

Në përfundim të këtij kapitulli, analiza krahasimtare dëshmon qartë se Zanoviq ndërton figurën e Skënderbeut përmes një procesi të trefishtë: ai merr strukturën dhe bërthamën historike nga modeli i Marin Barleti, transformon diskursin humanist në një narrativë morale dhe estetike, dhe shton një dimension të ri, të karakterizuar nga universalizimi evropian, artikulimi filozofik dhe konceptimi politik i figurës. Si rezultat i këtij procesi, Skënderbeu kalon nga statusi i një heroi të kronikës historike në atë të një simboli universal të virtytit, sovranitetit dhe rezistencës, duke u bërë një figurë që tejkalon kontekstin e saj origjinal dhe që funksionon si model interpretativ në horizontin kulturor të Evropës së shekullit XVIII.

 

 

III. Tipologjia e episodeve dhe strukturave narrative në veprën e  Stefan Zanoviq: nga modeli barletian te narrativi iluminist

Analiza e episodeve në veprën Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia duhet të ndërtohet mbi një parim të dyfishtë metodologjik: nga njëra anë, një qasje strukturore që synon identifikimin e njësive narrative të përsëritshme dhe të funksioneve të tyre, dhe nga ana tjetër, një qasje intertekstuale që vendos në raport këtë tekst me matricën historiografike të Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis të Marin Barleti. Në këtë perspektivë, episodi nuk duhet kuptuar thjesht si një segment rrëfimi, por si një funksion narrativ në kuptimin proppian të termit, pra si një njësi që realizon një rol të caktuar në strukturën e përgjithshme të tekstit: funksion formimi, prove, konflikti, legjitimimi apo glorifikimi. Kjo qasje lejon të zbulohet jo vetëm organizimi i brendshëm i rrëfimit, por edhe mënyra se si këto funksione transformohen nga një paradigmë humaniste në një paradigmë iluministe.

Në tipologjinë e episodeve të origjinës dhe të legjitimimit, struktura themelore artikulohet sipas një skeme të qëndrueshme: prejardhja → fisnikëria → destinimi historik. Kjo bëhet e qartë në formulime të tilla si: “Gjergj Kastrioti ishte djali i Gjon Kastriotit dhe i Vojsavës… familje që sundonte prej 710 vjetësh…” , ku ndërtohet një legjitimitet i shumëfishtë: genealogjik, historik dhe simbolik. Ky episod përmban njëkohësisht afirmimin e vazhdimësisë dinastike dhe sublimimin e origjinës në një nivel mitizues. Në krahasim me modelin e Barletit, ku ky funksion mbetet kryesisht kronikal dhe legjitimues, te Zanoviq ai merr një dimension të shtuar retorik dhe simbolik, duke e ngritur origjinën në një element themelor të ndërtimit të identitetit heroik. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një tip të qartë të episodit të themelimit identitar, i cili vendos bazat semantike dhe ideologjike të gjithë narrativës.

Në vijim, episodet e formimit të heroit përfaqësojnë një tjetër tipologji themelore, e ndërtuar mbi strukturën iniciatike të shkëputjes, transformimit dhe përvetësimit të fuqisë. Kjo strukturë artikulohet në mënyrë të qartë në formulime si: “Ai u bë synet… u edukua… mësoi gjuhë të shumta… u dallua për guxim…” , ku shfaqen disa funksione të njëpasnjëshme: shkëputja nga origjina, formimi në një mjedis të huaj dhe përvetësimi i dijes dhe i aftësive që do ta bëjnë të mundur kthimin triumfal. Te Barleti, kjo fazë interpretohet shpesh si një paradoks providencial, ku armiku bëhet pa dashje instrument i formimit të heroit; ndërsa te Zanoviq ajo riformulohet si një proces pedagogjik dhe racional, ku heroi ndërton vetveten përmes përvojës dhe dijes. Kjo e vendos këtë tip episodi në kategorinë e episodeve iniciatike, që realizojnë funksionin e formimit të identitetit heroik në një kuptim më të gjerë antropologjik dhe kulturor.

Një tjetër tipologji e rëndësishme përfaqësohet nga episodet e rikthimit dhe të rimarrjes së pushtetit, ku struktura narrative ndërtohet mbi tri faza kryesore: strategjia, rikthimi dhe restaurimi i rendit. Një shembull domethënës është episodi i marrjes së Krujës: “Ai detyroi kancelarin të shkruante urdhër… marshoi drejt Krujës… mbylli portat…” , ku veprimi i heroit zhvillohet përmes një kombinimi të inteligjencës strategjike dhe vendosmërisë politike. Në këtë episod, mashtrimi strategjik shërben si mjet për rikthimin në atdhe, ndërsa marrja e qytetit përfaqëson një rimarrje simbolike të qendrës së pushtetit dhe të rendit politik. Krahasuar me Barletin, ku ky akt mbetet një moment historik i rëndësishëm i rezistencës, te Zanoviq ai merr një dimension më të theksuar dramatik dhe teatror, duke e shndërruar rikthimin në një akt spektakolar të restaurimit të rendit. Kjo e klasifikon këtë tip si episod i rikthimit dhe i restaurimit, një funksion kyç në ekonominë narrative të veprës.

Në fund, episodet e betejës dhe të provës heroike përbëjnë një tipologji të veçantë, të karakterizuar nga struktura e përballjes, disproporcioni numerik dhe triumfi absolut. Kjo vihet re në formulime të tilla si: “20 000 të vrarë… 26 humbje…” , ku raporti i theksuar midis humbjeve të armikut dhe atyre të heroit krijon një efekt të fortë hiperbolik dhe mitizues. Në këtë rast, episodi nuk funksionon vetëm si përshkrim i një beteje, por si provë e supremacisë heroike, ku figura e Skënderbeut paraqitet si e pakrahasueshme në fushën e luftës. Ndërsa te Barleti kjo hiperbolë mbetet e integruar në një diskurs retorik glorifikues, te Zanoviq ajo shoqërohet me një vetëdije narrative mbi procesin e mitizimit, duke e vendosur këtë tip episodi në një nivel më kompleks refleksiv. Në këtë mënyrë, kemi të bëjmë me një tip të qartë të episodit të provës dhe të supremacisë heroike, i cili përmbyll ciklin e funksioneve narrative duke e ngritur figurën e heroit në një nivel të lartë simbolik dhe estetik.

Në vijim të tipologjisë së episodeve, një vend të veçantë zënë episodet morale dhe alegorike, të cilat përfaqësojnë një shtresë të re diskursive të shtuar nga  Stefan Zanoviq mbi modelin e Marin Barleti. Episodi i prologut me Menandrin dhe CLEARC-un – “Ai ofronte vetëm fruta… jetonte sipas ligjeve të natyrës…” – përbën një strukturë të qartë alegorike, të ndërtuar mbi kundërvënien themelore midis pasurisë dhe virtytit. Në këtë episod artikulohet një model etik që afirmon thjeshtësinë, natyrshmërinë dhe vetëpërmbajtjen si vlera universale, duke e vendosur rrëfimin historik brenda një horizonti filozofik të tipit iluminist. Kjo strukturë mungon plotësisht te Barleti dhe përfaqëson një shtesë ideologjike të mirëfilltë, përmes së cilës teksti zhvendoset nga një historiografi humaniste drejt një diskursi moral universal. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një tip të mirëpërcaktuar të episodit alegorik moral, i cili funksionon si kornizë interpretative për gjithë figurën e Skënderbeut.

Një tjetër kategori e rëndësishme përfaqësohet nga episodet diplomatike dhe politike, ku struktura narrative ndërtohet mbi një sekuencë funksionale të tipit ofertë → refuzim → afirmim i sovranitetit. Një shembull domethënës është formulimi: “Ai nuk do t’i paguajë askujt taksa… shpata e tij nuk ka paguar tjetër…” , i cili artikulon një refuzim kategorik të nënshtrimit dhe një afirmim të autonomisë politike. Në krahasim me Barletin, ku ky motiv lidhet kryesisht me rezistencën fetare dhe mbrojtjen e krishterimit, te Zanoviq ai riformulohet si një parim politik modern, që shpreh konceptin e sovranitetit si vlerë universale. Kjo e vendos këtë tip episodi në kategorinë e episodeve të sovranitetit dhe autonomisë, ku figura e Skënderbeut shndërrohet në model të një pushteti të pavarur dhe të legjitimuar etikisht.

Në fushë të glorifikimit dhe universalizimit, episodet përkatëse ndërtohen mbi struktura që e nxjerrin figurën e heroit përtej kufijve të kontekstit lokal dhe e vendosin në një hapësirë simbolike ndërkombëtare. Formulimi: “Ai u urua si Aleksandri i Dytë…” përfaqëson një shembull tipik të kësaj strategjie, ku krahasimi me figura universale të historisë botërore shërben për të afirmuar statusin ndërkombëtar të Skënderbeut. Në këtë mënyrë, kemi një proces të tejkalimit të kontekstit etno-historik dhe të integrimit të figurës në një kanon më të gjerë evropian. Ky tip episodi mund të përkufizohet si episod i mitizimit universal, pasi realizon funksionin e ngritjes së heroit në nivelin e një simboli të përgjithshëm kulturor.

Paralelisht me këto zhvillime, episodet e jetës private dhe të estetizimit përbëjnë një tjetër risi të rëndësishme në strukturën narrative të veprës. Përshkrime të tilla si: “Martesa… festa… lojëra, valle…” shënojnë një ndërprerje të narrativës luftarake dhe futjen e elementeve estetike dhe sociale në rrëfim. Këto episode realizojnë një funksion të dyfishtë: nga njëra anë, humanizojnë figurën e heroit duke e paraqitur atë në dimensionin e jetës së përditshme, dhe nga ana tjetër, kontribuojnë në estetizimin e narrativës përmes përshkrimeve ceremoniale dhe emocionale. Në krahasim me Barletin, ku këto elemente janë minimale ose periferike, te Zanoviq ato marrin një zhvillim të zgjeruar, duke e afruar tekstin me format e romanit historik dhe të letërsisë së ndjeshmërisë së shekullit XVIII. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një tip episodi të humanizimit dhe të estetikës narrative.

Nga tërësia e këtyre tipologjive del një strukturë e përgjithshme narrative me karakter ciklik, e organizuar sipas një sekuence funksionale të qëndrueshme: origjina, formimi, rikthimi, prova (lufta), legjitimimi dhe universalizimi. Ky model ekziston në formë embrionale edhe te Barleti, ku shërben si bazë kronikale e rrëfimit historik, por te Zanoviq ai shndërrohet në një strukturë narrative të ndërgjegjshme dhe të estetizuar, e cila organizon në mënyrë sistematike zhvillimin e figurës së heroit. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një riorganizim të funksioneve narrative në një sistem më kompleks dhe më të vetëdijshëm estetikisht.

Në përfundim të këtij kapitulli, tipologjia e episodeve dëshmon se Zanoviq ruan funksionet bazë të narrativës barletiane, por i riorganizon ato në një sistem të ri diskursiv, ku historia shndërrohet në narrativë, narrativë në ideologji, dhe ideologjia në model kulturor. Në këtë mënyrë, teksti i tij përfaqëson një fazë të dytë të jetës së mitit të Skënderbeut: struktura mbetet ende e lidhur me modelin barletian, por funksioni i saj është tashmë i transformuar, duke marrë një dimension evropian, iluminist dhe estetik, që e vendos figurën e heroit në një horizont të ri interpretativ.

 

IV. Tipologjia onomastike dhe funksionale në veprën e  Stefan Zanoviq: emrat, titujt, hapësirat dhe simbolika e tyre

Në veprën Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia, sistemi onomastik nuk duhet kuptuar si një inventar neutral i emrave, por si një strukturë semantike aktive që organizon në mënyrë të ndërgjegjshme identitetin historik, raportet e pushtetit, simbolikën kulturore dhe funksionet narrative të tekstit. Emri – qoftë ai antroponim, toponim apo titull – vepron njëkohësisht si shenjë semiotike, si funksion narrativ dhe si koncept kognitiv, duke krijuar një rrjet të dendur kuptimesh që strukturon perceptimin e lexuesit. Në këtë kuptim, onomastika nuk është një shtresë periferike e rrëfimit, por një mekanizëm qendror i prodhimit të kuptimit, përmes të cilit figura e Skënderbeut dhe universi i tij diskursiv organizohen në mënyrë sistematike dhe funksionale.

Në tipologjinë e antroponimeve, një vend qendror zënë antroponimet heroike, të cilat ndërtojnë dhe stabilizojnë identitetin e figurës së Skënderbeut në disa nivele njëkohësisht. Formulime të tilla si: “Gjergj Kastrioti… I madhi Castriot… Skënderbeu…” dëshmojnë një shumësi emërtimesh që nuk janë rastësore, por përfaqësojnë shtresa të ndryshme kuptimore. Emri “Gjergj Kastrioti” shënjon identitetin historik dhe genealogjik të figurës; forma “Castriot” përfaqëson një ndërmjetësim evropian, përmes latinizimit apo italianizimit të emrit; ndërsa “Skënderbeu” funksionon si titull heroik dhe simbolik, i ngarkuar me kuptime të fuqishme kulturore. Në krahasim me Marin Barleti, ku dominon forma latine Scanderbegus, te Zanoviq kemi një shumëformësi të qëllimshme – “Castriot / Scanderbeg / Skënderbeu” – e cila realizon një unifikim të identitetit në plane të ndryshme kulturore dhe diskursive. Në këtë mënyrë, antroponimi heroik shndërrohet në një njësi polifunksionale që bashkon dimensionin historik, simbolik dhe evropian të figurës.

Në të kundërt, antroponimet antagoniste ndërtojnë një sistem opozicional që strukturon konfliktin themelor të narrativës. Emra si: “Murati… Perandori turk… Mehmet… Ali Pasha…” nuk funksionojnë vetëm si referenca historike ndaj figurave konkrete, por si shenja të një sistemi kundërshtar, i cili artikulohet përmes binarëve themelorë: krishterim ↔ islam dhe Evropë ↔ Lindje. Këta antroponime krijojnë një polarizim të qartë semantik, ku figura e armikut nuk individualizohet thjesht, por kategorizohet si pjesë e një strukture më të gjerë ideologjike dhe kulturore. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me antroponime opozicionale, të cilat realizojnë funksionin e ndërtimit të një sistemi dualist ku përkufizohet identiteti i heroit përmes kundërvënies me tjetrin.

Një kategori e veçantë përbëhet nga antroponimet alegorike, të cilat përfaqësojnë një shtresë të re diskursive të shtuar nga Zanoviq dhe që mungon në modelin e Barletit. Emra si: “Menander… CLEARC… jetonte sipas ligjeve të natyrës…” nuk kanë referencë historike konkrete, por janë konstrukte filozofike dhe morale, të krijuara për të artikuluar një model etik universal. Këta antroponime shërbejnë për të vendosur një kornizë morale brenda së cilës do të interpretohet më pas figura e Skënderbeut, duke e përgatitur atë si mishërim të një ideali të caktuar të virtytit. Funksioni i tyre është thellësisht didaktik: ata nuk kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e ngjarjeve, por në orientimin ideologjik dhe etik të rrëfimit. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me antroponime alegorike, të cilat përfaqësojnë një element të rëndësishëm të transformimit të tekstit nga historiografi në diskurs filozofik dhe moral.

Në vijim të strukturës onomastike, tipologjia e titujve përbën një komponent thelbësor në artikulimin e pushtetit dhe të legjitimitetit në tekstin e  Stefan Zanoviq. Titujt sovranë shfaqen si një nga format më të qarta të amplifikimit ideologjik, ku emërtimi nuk synon thjesht të identifikojë një pozitë politike, por të prodhojë prestigj dhe autoritet simbolik. Formulime të tilla si: “Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit” nuk janë gjithmonë të mbështetura në një saktësi të rreptë historike, por funksionojnë si konstrukte diskursive që synojnë të rrisin statusin e figurës së Skënderbeut. Në krahasim me Marin Barleti, ku titujt mbeten më të lidhur me realitetin historik dhe me një ekonomi më të matur retorike, te Zanoviq kemi një hiperbolizim dhe një evropianizim të qëllimshëm të tyre, duke e integruar figurën në një hierarki simbolike më të gjerë evropiane. Në këtë mënyrë, titujt sovranë realizojnë një funksion të dyfishtë: legjitimojnë sovranitetin e figurës dhe e vendosin atë në një sistem prestigji ndërkombëtar, çka i përkufizon si tituj amplifikues, ku ndërthuren legjitimiteti dhe prestigji.

Paralelisht me këta, titujt religjiozë dhe simbolikë përbëjnë një tjetër shtresë të rëndësishme të diskursit onomastik, duke e lidhur pushtetin me dimensionin e transcendencës. Emërtime si “Perandor”, “Papa” apo formulime të tipit “mbrojtës i fesë” nuk kanë vetëm funksion përshkrues, por shërbejnë për të krijuar një autoritet të shenjtë, ku pushteti politik legjitimohet përmes referencës ndaj një rendi më të lartë hyjnor. Në këtë mënyrë, figura e Skënderbeut dhe aktorët e tjerë të narrativës vendosen në një raport të ndërmjetëm midis tokësores dhe së shenjtës, duke krijuar një diskurs ku sovraniteti nuk është vetëm politik, por edhe moral dhe religjioz. Kjo e bën këtë kategori të funksionojë si titull sakral, i cili prodhon legjitimitet përmes lidhjes me transcendencën.

M bështetur në korpusin e toponimeve, analiza dëshmon se hapësira nuk funksionon thjesht si sfond gjeografik, por si një element aktiv në strukturimin e kuptimit dhe të narrativës. Toponimet e identitetit, si Shqipëria, Epiri apo veçanërisht Kruja, marrin një funksion qendror në këtë drejtim. Formulime si: “Kruja… kryeqyteti i shteteve të tij…” tregojnë se kjo hapësirë nuk përfaqëson vetëm një vend konkret, por një qendër simbolike të pushtetit dhe të identitetit. Në krahasim me Barletin, ku Kruja paraqitet kryesisht si një pikë strategjike në hartën e luftës, te Zanoviq ajo shndërrohet në një simbol të sovranitetit dhe të kujtesës kolektive. Kështu, kemi të bëjmë me toponime identitare, të cilat realizojnë funksionin e përqendrimit të kuptimeve politike dhe kulturore në një hapësirë të vetme.

Në të kundërt, toponimet e kufirit dhe të konfliktit, si Dibra, Serbia apo Hungaria , organizojnë hapësirën e narrativës si një zonë tensioni dhe përballjeje. Këto emërtime nuk shërbejnë vetëm për të lokalizuar ngjarjet, por për të strukturuar konfliktin në mënyrë hapësinore, duke krijuar një gjeografi të luftës ku kufijtë shndërrohen në pika kyçe të ndërveprimit dhe të përplasjes. Në këtë kuptim, ato funksionojnë si toponime liminale, që shënojnë kufirin midis dy rendesh dhe dy sistemeve kundërshtare.

Njëkohësisht, prania e toponimeve evropiane, si Stockholm, Hungaria apo Napoli , dëshmon një zgjerim të horizontit narrativ përtej hapësirës ballkanike. Këto emërtime kontribuojnë në vendosjen e figurës së Skënderbeut në një hartë më të gjerë evropiane, duke e integruar atë në një sistem referencial ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, hapësira e rrëfimit nuk mbetet e kufizuar në një kontekst lokal, por zgjerohet në një dimension universal, çka i bën këto toponime të funksionojnë si elemente universalizuese.

Në një plan më të përgjithshëm, sistemi onomastik i veprës organizohet mbi një strukturë binare të qartë, e cila përshkon të gjitha nivelet e rrëfimit. Kjo strukturë artikulohet përmes opozicioneve themelore si: Skënderbeu ↔ Murati te përbërësit e antroponimeve, Kruja ↔ Perandoria Osmane në rrafshin hapësinor, Mbret ↔ Sulltan në hierarkinë e titujve, dhe Liri ↔ Nënshtrim në aspektin ideologjik. Ky sistem opozicional është i pranishëm edhe te Barleti, por te Zanoviq ai bëhet më i theksuar dhe më i ngarkuar ideologjikisht, duke funksionuar si një mekanizëm i organizimit të kuptimit. Përmes kësaj strukture binare, rrëfimi nuk paraqet vetëm një histori, por ndërton një model të botës, ku identitetet, hapësirat dhe vlerat përcaktohen përmes kundërvënies së tyre sistematike.

Në nivelin më të thellë të analizës, dimensioni semiotik dhe kognitiv i sistemit onomastik në veprën e  Stefan Zanoviq dëshmon se emrat nuk funksionojnë vetëm si njësi referuese, por si koncepte prototipike që strukturojnë përfytyrimin e botës në mendjen e lexuesit. Në këtë kuptim, antroponimet dhe toponimet nuk janë thjesht etiketa identifikuese, por nyje konceptuale që organizojnë kuptimin në mënyrë sistematike. Figura e Skënderbeut, përmes shumëformësisë së emërtimit të saj, funksionon si prototip i heroit, duke sintetizuar një sërë cilësish që përbëjnë modelin ideal të trimërisë, drejtësisë dhe sovranitetit; në të kundërt, figura e Muratit artikulohet si prototip i tiranit, duke përfaqësuar autoritetin shtypës dhe kërcënimin ndaj rendit të lirë. Në planin hapësinor, Kruja shndërrohet në një prototip të rezistencës, një qendër simbolike ku përqendrohen kuptimet e qëndresës dhe të identitetit, ndërsa Perandoria Osmane funksionon si prototip i kërcënimit, një hapësirë konceptuale që mishëron rrezikun dhe dominimin. Kjo strukturë nuk është vetëm një organizim narrativ i elementeve të rrëfimit, por një mekanizëm kognitiv përmes të cilit lexuesi ndërton një model të botës, duke kategorizuar figurat dhe hapësirat sipas funksioneve dhe vlerave të tyre.

Në përfundim të këtij kapitulli, analiza onomastike tregon se sistemi i emrave në tekstin e Zanoviq-it është thelbësisht joneutral dhe funksionon si një mekanizëm strukturues i kuptimit. Në krahasim me modelin e Marin Barleti, ruhet baza historike e emërtimeve dhe e referencave, por mbi këtë bazë ndërtohet një shtresë e re kuptimore, e karakterizuar nga universalizimi i figurave, simbolizimi i tyre dhe funksionalizimi ideologjik. Emrat nuk shërbejnë më vetëm për të identifikuar personazhet dhe vendet, por për të artikuluar vlera, për të ndërtuar opozicione dhe për të organizuar diskursin në mënyrë konceptuale. Në këtë kuptim, onomastika në këtë tekst përfaqëson një aparat semiotik të plotë, përmes të cilit historia transformohet në një sistem simbolesh, ku çdo emër mbart një funksion të shumëfishtë – referencial, narrativ dhe ideologjik – dhe kuptimi i rrëfimit ndërtohet përmes ndërveprimit të këtyre niveleve.

 

V. Funksionet e figurës së Skënderbeut: dimensioni identifikues, simbolik, mitizues, diskursiv dhe kognitiv në veprën e  Stefan Zanoviq

Figura e Skënderbeut në veprën Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia nuk mund të reduktohet në një personazh historik të izoluar, por duhet kuptuar si një nyje funksionale shumëdimensionale, ku ndërthuren në mënyrë dinamike disa shtresa themelore të kuptimit: referenca historike si bazë faktike e rrëfimit, ideologjia si artikulim i diskursit të kohës, simbolika si sistem i kuptimeve të shtresuara dhe dimensioni kognitiv si organizim i përfytyrimit të lexuesit. Në raport me modelin e Marin Barleti, kjo përfaqëson një zhvendosje të rëndësishme nga një figurë historike e artikuluar brenda një konteksti të caktuar drejt një strukture funksionale komplekse, e cila operon njëkohësisht në disa nivele semantike dhe diskursive. Kjo e bën figurën e Skënderbeut jo vetëm objekt të rrëfimit, por edhe instrument të organizimit të tij.

Në formatin identifikues, figura e Skënderbeut funksionon si një qendër e artikulimit të identitetit politik dhe historik, duke kaluar nga një individ i historisë në një pikë referimi kolektive. Kjo bëhet e dukshme në formulime të tilla si: “Banorët… të lumtur që panë djalin e Regentit… ofruan ndihmën e tyre…” , ku marrëdhënia midis heroit dhe komunitetit artikulohet si një raport përfaqësimi dhe bashkimi. Në këtë kontekst, Skënderbeu nuk paraqitet më si një aktor i vetëm i historisë, por si një figurë që përmbledh dhe përfaqëson vullnetin kolektiv, duke u bërë nyja rreth së cilës organizohet identiteti politik i komunitetit. Krahasuar me Barletin, ku identiteti mbetet më i lidhur me përshkrimin historik të një populli në rezistencë, te Zanoviq ai bëhet më i artikuluar dhe më i vetëdijshëm, duke marrë formën e një konstrukti diskursiv që synon të prodhojë dhe të stabilizojë një identitet kolektiv. Në këtë mënyrë, figura e Skënderbeut funksionon si një shenjë identitare, e cila bashkon komunitetin dhe i jep atij një formë të artikuluar politike.

Në kontekstin simbolik, figura e Skënderbeut ngarkohet me një semantikë të gjerë vlerash, duke u shndërruar në një simbol të virtytit dhe të lirisë. Përshkrime të tilla si: “Ai ishte fisnik, i drejtë… nuk hakmerrej… jetonte sipas virtytit…” e zhvendosin fokusin nga dimensioni historik drejt një sistemi vlerash që tejkalon kontekstin konkret. Në këtë mënyrë, figura e heroit bëhet bartëse e disa cilësive themelore, si drejtësia, moderimi dhe morali i lartë, të cilat nuk i përkasin vetëm individit, por artikulojnë ideale universale. Ndryshe nga Barleti, ku Skënderbeu funksionon kryesisht si simbol i krishterimit dhe i rezistencës ndaj rrezikut osman, te Zanoviq ai shndërrohet në një simbol etik universal, i cili përfaqëson një kod moral të përgjithshëm. Kjo e vendos figurën në një nivel më abstrakt të kuptimit, ku ajo nuk është më vetëm një referencë historike, por një model normativ për sjelljen dhe për organizimin e shoqërisë.

 

Në nivelin e funksionit mitizues, figura e Skënderbeut në veprën e  Stefan Zanoviq pëson një transformim të dukshëm nga një aktor historik në një hero të ndërtuar përmes mekanizmave të hiperbolizimit dhe të spektakularizimit narrativ. Ky proces bëhet i qartë në formulime të tilla si: “Ai vrau mijëra… humbi shumë pak njerëz…” , ku disproporcioni midis humbjeve të armikut dhe atyre të heroit nuk ka më funksion thjesht informativ, por prodhon një efekt estetik të madhështisë dhe të epërsisë absolute. Në këtë kontekst, hiperbola shndërrohet në një mjet themelor të ndërtimit të figurës, duke e zhvendosur atë nga një dimension realist në një dimension të përforcuar simbolik dhe mitik. Kjo strategji narrative shoqërohet edhe me një refleksion të drejtpërdrejtë mbi natyrën e mitizimit, si në formulimin: “Kronikanët janë si poetë… zbukurojnë heronjtë…” , ku autori artikulon në mënyrë eksplicite vetëdijen për procesin e transformimit të historisë në narrativë estetike. Këtu kemi një ndërthurje të tri elementeve themelore: hiperbolës si figurë retorike, ndërtimit të një narrativi spektakolar dhe refleksionit mbi vetë natyrën e mitit. Në krahasim me Marin Barleti, ku mitizimi realizohet përmes një retorike të ngritur por pa u problematizuar si proces, te Zanoviq ai bëhet i vetëdijshëm dhe i artikuluar si pjesë e strukturës së rrëfimit. Si rezultat, figura e Skënderbeut kalon nga një figurë e historisë në një mit kulturor, ku madhështia e heroit nuk buron vetëm nga veprimet e tij, por edhe nga mënyra se si ato rrëfehen dhe interpretohen.

Në rrafshin e funksionit diskursiv, figura e Skënderbeut shërben si një instrument për ndërtimin dhe artikulimin e një diskursi politik të tipit iluminist, ku pushteti konceptohet në terma të sovranitetit dhe të autonomisë. Kjo bëhet e dukshme në formulime të tilla si: “Ai nuk do t’i paguajë askujt taksa… shpata e tij nuk ka paguar…” , të cilat shprehin një refuzim kategorik të çdo forme nënshtrimi dhe një afirmim të fuqishëm të pavarësisë politike. Në këtë kontekst, figura e heroit nuk paraqitet më vetëm si luftëtar kundër një armiku të jashtëm, por si bartëse e një parimi politik universal, ku sovraniteti përkufizohet si e drejtë e patjetërsueshme e një rendi të pavarur. Krahasuar me Barletin, ku këto elemente artikulohen kryesisht në kuadrin e një rezistence historike dhe fetare, te Zanoviq ato marrin formën e një doktrine të mirëfilltë të sovranitetit, duke e vendosur figurën e Skënderbeut në një horizont më të gjerë teorik dhe ideologjik.

Ky dimension diskursiv plotësohet më tej nga integrimi i figurës në një kontekst evropian, ku ajo përdoret për të ndërtuar një narrativë të heroit me vlefshmëri ndërkombëtare. Formulimi: “Ai u urua si Aleksandri i Dytë…” përfaqëson një strategji të qartë të krahasimit analogjik, përmes së cilës Skënderbeu vendoset në të njëjtin plan me figura universale të historisë botërore. Ky proces realizon një funksion të dyfishtë: nga njëra anë, integron figurën në kulturën evropiane dhe, nga ana tjetër, i jep asaj një legjitimitet ndërkombëtar që tejkalon kufijtë e kontekstit lokal. Në këtë mënyrë, figura e Skënderbeut nuk shërben më vetëm për të rrëfyer një histori të së kaluarës, por për të ndërtuar një model të heroit që përfaqëson vlera të përgjithshme dhe që funksionon si referencë në një diskurs të gjerë evropian. Si përfundim, funksioni diskursiv e shndërron figurën në një mjet të artikulimit të ideologjisë dhe të pushtetit, duke e vendosur atë në qendër të një narrative që ndërthur historinë, politikën dhe kulturën në një strukturë të vetme kuptimore.

Parë nga aspekti i funksionit kognitiv, figura e Skënderbeut në tekstin e  Stefan Zanoviq organizohet si një prototip konceptual i heroit, përmes të cilit strukturohet përfytyrimi i lexuesit mbi virtytin, pushtetin dhe veprimin. Ky prototip nuk është një përmbledhje e thjeshtë cilësish, por një model i integruar ku ndërthuren trimëria absolute, drejtësia morale, inteligjenca strategjike dhe vetëkontrolli si elemente themelore të një figure ideale. Kjo bëhet e dukshme në formulime të tilla si: “Ai ishte i mençur, i guximshëm, i drejtë…” , ku përshkrimi nuk synon të dokumentojë një karakter historik, por të sintetizojë një model normativ të sjelljes. Në këtë kuptim, funksioni kognitiv i figurës realizohet në dy drejtime kryesore: nga njëra anë, krijon një model për t’u imituar, duke e vendosur heroin si standard të veprimit dhe të moralit; nga ana tjetër, strukturon mënyrën se si lexuesi e organizon realitetin, duke e kategorizuar atë sipas këtij modeli ideal. Krahasuar me Marin Barleti, ku figura e Skënderbeut mbetet e lidhur më fort me dimensionin historik dhe me funksionin e saj në një kontekst konkret, te Zanoviq ajo shndërrohet në një model kognitiv të idealizuar, që operon në një nivel më abstrakt dhe më universal të kuptimit.

Në këtë perspektivë, funksionet e ndryshme të figurës nuk ekzistojnë në mënyrë të izoluar, por ndërveprojnë në një sistem kompleks dhe dinamik, ku secili dimension përforcon dhe plotëson tjetrin. Funksioni identifikues dhe ai simbolik bashkëveprojnë për të krijuar një identitet kolektiv të artikuluar, ku figura e heroit bëhet qendër e vetëpërkufizimit të komunitetit; funksioni simbolik dhe ai mitizues ndërthuren për të prodhuar një hero kulturor, ku historia transformohet në mit dhe vlerat abstrakte marrin formë konkrete; ndërsa funksioni diskursiv dhe ai kognitiv bashkëveprojnë për të ndërtuar një model politik dhe konceptual, ku figura e Skënderbeut shërben si referencë për organizimin e pushtetit dhe të mendimit. Rezultati i këtij ndërveprimi është krijimi i një figure totalizuese, e cila nuk kufizohet në një dimension të vetëm, por operon njëkohësisht në nivele historike, simbolike, ideologjike dhe kognitive.

Në përfundim të këtij kapitulli, analiza dëshmon se figura e Skënderbeut në veprën e  Stefan Zanoviq nuk mund të reduktohet as në një figurë thjesht historike dhe as në një konstrukt letrar të izoluar, por duhet kuptuar si një instrument funksional shumëdimensional. Ajo realizon një sërë funksionesh të ndërthurura: identifikon dhe bashkon komunitetin në një identitet të përbashkët, simbolizon një sistem vlerash universale, mitizon historinë përmes mekanizmave të hiperbolizimit dhe të narrativizimit, artikulon një diskurs ideologjik mbi pushtetin dhe sovranitetin, dhe modelon mendimin e lexuesit përmes ndërtimit të një prototipi kognitiv të heroit. Krahasuar me modelin e Marin Barleti, ruhet baza historike e figurës, por funksionet e saj zgjerohen, thellohen dhe bëhen më të ndërgjegjshme në aspektin diskursiv.

Si përfundim i përgjithshëm, figura e Skënderbeut te Zanoviq përfaqëson një transformim thelbësor nga histori në strukturë funksionale, ku çdo aspekt i saj – nga emri dhe titulli, te veprimi dhe përshkrimi – shërben për ndërtimin e një modeli të ri kulturor, politik dhe kognitiv të heroit. Në këtë mënyrë, Skënderbeu nuk mbetet vetëm një figurë e së kaluarës, por bëhet një konstrukt kompleks që artikulon vlerat dhe idetë e Evropës së shekullit XVIII, duke funksionuar si një pikë referimi për interpretimin e historisë dhe të vetë realitetit kulturor.

 

 

VI Semantika dhe semasiologjia e figurës së Skënderbeut: nga referenca historike në abstraksion konceptual në veprën e  Stefan Zanoviq

Në këtë kapitull, figura e Skënderbeut në veprën Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia nuk trajtohet më si një personazh historik apo si një funksion narrativ i izoluar, por si një njësi semantike në transformim të vazhdueshëm, e cila zhvillon kuptime të shumëfishta nëpërmjet përdorimit diskursiv. Qasja është e dyfishtë dhe metodologjikisht e ndërthurur: semantike, në kuptimin e analizës së përmbajtjes së kuptimit që figura mbart në tekst në çdo nivel përdorimi, dhe semasiologjike, në kuptimin e studimit të evoluimit të këtij kuptimi, të zhvendosjes së tij nga një funksion referencial drejt një funksioni konceptual dhe të përgjithësuar. Në raport me modelin e Marin Barleti, ndryshimi themelor qëndron në kalimin nga një kuptim kryesisht referencial – ku figura funksionon si një njësi historike konkrete e lidhur me një kontekst të caktuar – në një kuptim të abstraguar dhe të konceptualizuar, ku ajo shndërrohet në një kategori semantike me vlefshmëri të zgjeruar kulturore dhe ideologjike. Kjo nënkupton se procesi semantik nuk ndalet në identifikimin e figurës si individ historik, por vazhdon drejt transformimit të saj në një sistem kuptimor të përgjithësuar, i cili tejkalon kufijtë e referencës fillestare.

Në nivelin referencial, figura e Skënderbeut ruan funksionin e saj bazë si njësi historike, e lidhur ngushtë me kohën, hapësirën dhe strukturën genealogjike. Kjo vihet në dukje në formulime të tilla si: “Gjergj Kastrioti ishte djali i Gjon Kastriotit… u edukua në oborrin e Muratit…” , ku emri shënjon një individ të caktuar dhe ku kuptimi i figurës artikulohet përmes një rrjeti referencash konkrete: lidhjeve familjare, kontekstit politik dhe zhvillimit kronologjik të jetës së tij. Në këtë nivel kemi një semantikë të pastër referenciale, ku figura funksionon si indeks historik dhe ku kuptimi është i lidhur drejtpërdrejt me faktin. Krahasuar me Barletin, ku ky nivel përbën dimensionin dominues dhe organizues të gjithë rrëfimit, te Zanoviq ai ka një rol më të kufizuar: shërben si pikënisje, si bazë mbi të cilën ndërtohen shtresat e tjera kuptimore. Kjo dëshmon se, ndonëse semantika fillon nga historia, ajo nuk mbetet e kufizuar në të, por shndërrohet në një proces dinamik të zgjerimit dhe të transformimit të kuptimit.

Ky transformim bëhet i dukshëm në fazën e zhvendosjes semantike, ku figura e Skënderbeut fillon të shkëputet gradualisht nga referenca e saj konkrete dhe të funksionojë si kategori. Përshkrime të tilla si: “Ai ishte fisnik, i drejtë, i mençur…” nuk kanë më funksionin e një karakterizimi individual të kufizuar, por shërbejnë për të artikuluar një sistem cilësish që tejkalojnë individin dhe marrin vlerë të përgjithshme. Në këtë proces realizohet një mekanizëm i dyfishtë semantik: në një fazë të parë, individi paraqitet si bartës i cilësive të caktuara (fisnikëri, drejtësi, mençuri), ndërsa në një fazë të dytë këto cilësi abstrahohen dhe fitojnë autonomi, duke u shndërruar në kategori morale dhe konceptuale të përgjithshme. Në krahasim me Barletin, ku këto cilësi mbeten të lidhura fort me figurën historike dhe me kontekstin e saj konkret, te Zanoviq ato shkëputen nga individi dhe funksionojnë si një sistem vlerash që mund të aplikohet përtej tij. Kjo zhvendosje shënon një kalim nga një semantikë individuale në një semantikë tipologjike, ku figura nuk përfaqëson më vetëm vetveten, por një model të përgjithshëm të heroit.

Në një nivel më të avancuar, ky proces çon në abstraksionin konceptual të figurës, ku Skënderbeu shndërrohet në një tip semantik të konsoliduar, në një kategori që sintetizon një kompleks vlerash dhe funksionesh. Në këtë fazë, figura nuk identifikohet më vetëm përmes historisë së saj, por përmes kuptimeve që mbart dhe që riprodhon në tekst: ajo bëhet një njësi konceptuale që përfaqëson virtytin, drejtësinë, sovranitetin dhe rezistencën. Kjo do të thotë se emri “Skënderbeu” nuk funksionon më vetëm si referencë ndaj një individi historik, por si një shenjë e ngarkuar me përmbajtje të shumëfishta semantike, të cilat aktivizohen në kontekste të ndryshme diskursive. Në këtë mënyrë, figura fiton një polisemi funksionale, ku çdo përdorim i saj në tekst kontribuon në zgjerimin dhe në thellimin e kuptimit.

Si përfundim, analiza semantike dhe semasiologjike tregon se figura e Skënderbeut në veprën e  Stefan Zanoviq kalon përmes një procesi të strukturuar transformimi: nga një njësi referenciale historike në një kategori konceptuale të përgjithësuar. Ky proces realizohet përmes disa fazave të ndërthurura: ruajtjes së bazës referenciale, zhvendosjes së kuptimit drejt cilësive të përgjithshme dhe abstraksionit të këtyre cilësive në një sistem konceptual autonom. Në këtë mënyrë, figura e Skënderbeut shndërrohet në një model të idealizuar të heroit, i cili nuk përfaqëson më vetëm një person të së kaluarës, por një strukturë semantike që artikulon dhe transmeton vlera universale në horizontin kulturor dhe ideologjik të Evropës së shekullit XVIII.

Në vijim të analizës semantike dhe semasiologjike, figura e Skënderbeut në tekstin e  Stefan Zanoviq paraqitet si një njësi thellësisht polisemike, në kuptimin që ajo nuk mbart një kuptim të vetëm dhe të qëndrueshëm, por një shumësi shtresash semantike që aktivizohen njëkohësisht në përdorim. Kjo polisemi nuk është e rastësishme, por përfaqëson një organizim të ndërgjegjshëm të kuptimit, ku figura funksionon në disa nivele diskursive paralelisht. Në nivelin historik, Skënderbeu paraqitet si luftëtar kundër osmanëve, një aktor konkret i një konflikti të caktuar; në nivelin moral, ai artikulohet si figurë e drejtësisë dhe e virtytit, ku përshkrime të tilla si “Ai ishte fisnik, i drejtë, i mençur…” e zhvendosin kuptimin drejt një sistemi vlerash etike; në nivelin politik, ai funksionon si sovran i pavarur, siç dëshmohet në formulimin: “Ai nuk do t’i paguajë askujt taksa…” ; ndërsa në nivelin simbolik ai shndërrohet në përfaqësues të lirisë dhe të rezistencës si kategori abstrakte. Ky shembull i fundit është veçanërisht ilustrues për natyrën polisemike të figurës: në aspektin historik, fjalia shënjon një refuzim konkret ndaj një autoriteti; në rrafshin politik, ajo artikulon konceptin e sovranitetit; dhe në kontekstin simbolik, ajo përfaqëson idenë e lirisë si vlerë universale. Në këtë mënyrë, figura e Skënderbeut funksionon si një nyje ku ndërthuren dhe bashkëjetojnë disa nivele kuptimore, duke e bërë atë një strukturë semantike komplekse dhe dinamike.

Ky kompleksitet lidhet drejtpërdrejt me procesin e abstraksionit, përmes të cilit kuptimi i figurës zhvendoset nga ngjarja konkrete drejt idesë së përgjithshme. Një shembull tipik i këtij procesi është përshkrimi i betejave, ku “fitoret e shumta me humbje minimale” nuk mbeten në nivelin e një raportimi historik, por transformohen në një shenjë të epërsisë absolute të heroit. Në këtë rast, kemi një kalim të qartë nga ngjarja në model dhe nga modeli në koncept: beteja si fakt historik shndërrohet në model të suksesit të pakrahasueshëm, dhe ky model abstrahohet më tej në një ide të përgjithshme të supremacisë heroike. Ky mekanizëm semantik e zhvendos fokusin nga përshkrimi i realitetit drejt prodhimit të një kuptimi të përgjithësuar, i cili mund të funksionojë pavarësisht nga konteksti konkret.

Një fazë edhe më e avancuar e këtij procesi është kalimi nga individi në simbol universal, ku figura e Skënderbeut shkëputet përfundimisht nga kufijtë e saj historikë dhe integrohet në një sistem më të gjerë referencial. Kjo bëhet e dukshme në formulime të tilla si: “Ai u urua si Aleksandri i Dytë…” , ku krahasimi analogjik me një figurë universale të historisë botërore e zhvendos Skënderbeun nga konteksti shqiptar në një horizont ndërkombëtar simbolik. Ky akt krahasimi realizon një funksion të dyfishtë: nga njëra anë, e universalizon figurën, duke e bërë të krahasueshme me modele të tjera të madhështisë historike; nga ana tjetër, e transformon atë në një arketip, në një figurë paradigmatike që përfaqëson një model të përgjithshëm të heroit. Në krahasim me Marin Barleti, ku figura mbetet më e lidhur me kontekstin konkret dhe me funksionin e saj historik, te Zanoviq ajo fiton një autonomi semantike dhe shndërrohet në një kategori universale të përfaqësimit kulturor.

Nga një perspektivë semasiologjike, ky transformim mund të përshkruhet si një proces progresiv i zhvillimit të kuptimit, i cili kalon nëpër disa faza të dallueshme. Fillimisht kemi fazën e emërtimit, ku figura identifikohet si “Gjergj Kastrioti” , një njësi referenciale e lidhur me një individ konkret. Më pas vjen faza e identifikimit, ku figura konsolidohet si Skënderbeu, një aktor historik me një rol të caktuar në rrëfim. Në vijim, faza e karakterizimit shton dimensionin e cilësive morale dhe shoqërore, duke artikuluar një profil të caktuar etik; kjo pasohet nga faza e simbolizimit, ku figura fillon të përfaqësojë vlera të përgjithshme si virtyti dhe liria; dhe përfundimisht, faza e abstraksionit, ku ajo shndërrohet në një model universal, në një kategori konceptuale që tejkalon çdo referencë konkrete. Ky proces është linear dhe progresiv, në kuptimin që çdo fazë e re nuk e anulon të mëparshmen, por e përfshin dhe e tejkalon atë, duke ndërtuar një strukturë kuptimore gjithnjë e më komplekse. Në këtë mënyrë, figura e Skënderbeut në tekstin e Zanoviq-it përfaqëson një shembull paradigmatik të transformimit semantik nga referenca historike në abstraksion konceptual, ku historia bëhet bazë për ndërtimin e një sistemi të gjerë kuptimor dhe ideologjik.

Në këtë fazë të analizës, ndërveprimi i figurës së Skënderbeut me sistemin onomastik paraqitet si një mekanizëm themelor për prodhimin dhe stabilizimin e kuptimit. Në tekstin e  Stefan Zanoviq, semantika e figurës nuk zhvillohet në mënyrë të izoluar, por në një marrëdhënie të ndërsjellë me rrjetin e emrave që e rrethojnë dhe e strukturojnë atë. Kështu, antroponimi “Skënderbeu” nuk funksionon vetëm si emërtim individual, por si shenjë e heroit; “Murati” nuk është vetëm një figurë historike, por shenjë e armikut; ndërsa “Kruja” tejkalon dimensionin e saj gjeografik dhe bëhet shenjë e rezistencës. Këta emra krijojnë një rrjet semantik të organizuar, ku kuptimi zhvillohet në mënyrë progresive: individi artikulohet si rol (heroi, armiku), roli shndërrohet në simbol (rezistenca, kërcënimi), dhe simboli abstrahohet në koncept (liria, sovraniteti, dominimi). Ky mekanizëm tregon se onomastika nuk është një element dekorativ i rrëfimit, por një aparat strukturues që ndërton dhe stabilizon kuptimin në nivele të ndryshme të analizës.

Ky organizim semantik lidhet drejtpërdrejt me dimensionin kognitiv të figurës, përmes të cilit teksti prodhon jo vetëm kuptim, por edhe mënyra të caktuara të të menduarit. Në këtë nivel, figura e Skënderbeut funksionon si një prototip kognitiv, një model ideal i heroit që sintetizon cilësi si trimëria, drejtësia dhe sovraniteti; njëkohësisht, rrëfimi strukturohet përmes skemave konceptuale, ku lufta nuk paraqitet thjesht si përballje fizike, por si konflikt moral midis vlerave të kundërta; ndërsa ngjarjet individuale generalizohen dhe shndërrohen në modele universale të përvojës njerëzore. Si rezultat, lexuesi nuk përvetëson vetëm një seri faktesh historike, por një strukturë mendore përmes së cilës organizon dhe interpreton realitetin. Në këtë kuptim, semantika e figurës shndërrohet në një mekanizëm kognitiv që formëson perceptimin dhe gjykimin.

Në një plan krahasimtar, dallimi midis modelit të Marin Barleti dhe atij të Zanoviq-it bëhet veçanërisht i qartë në mënyrën se si organizohet kuptimi i figurës. Te Barleti, semantika mbetet kryesisht referenciale, figura është e ankoruar në historinë konkrete dhe kuptimi i saj lidhet ngushtë me kontekstin specifik të rrëfimit; funksioni i saj është para së gjithash dokumentues dhe retorik. Ndërsa te Zanoviq, semantika merr një karakter konceptual, figura abstraktohet dhe fiton një autonomi relative ndaj kontekstit, kuptimi i saj përgjithësohet dhe funksioni i saj bëhet modelues, në kuptimin që ajo shërben për të ndërtuar modele interpretative dhe normative. Ky ndryshim nuk është vetëm formal, por përfaqëson një zhvendosje të thellë epistemologjike nga historia si përshkrim drejt historisë si prodhim kuptimi.

Në përfundim të këtij kapitulli, analiza semantike dhe semasiologjike dëshmon se figura e Skënderbeut në tekstin e  Stefan Zanoviq kalon nga statusi i një njësie historike në atë të një kategorie konceptuale të përgjithësuar. Kuptimi i saj nuk është i qëndrueshëm dhe i mbyllur, por zhvillohet dhe zgjerohet nëpërmjet përdorimit, duke kaluar nga referenca konkrete në abstraksion dhe nga individi në model. Në këtë proces, figura humbet karakterin e saj ekskluzivisht historik dhe fiton një funksion të ri si strukturë semantike universale, ku emri “Skënderbeu” nuk shënjon më vetëm një person të së kaluarës, por artikulon një ide të përgjithshme: virtytin, sovranitetin dhe lirinë si kategori themelore të përvojës kulturore dhe politike.

 

VII. Dimensioni historik dhe antropologjik: Skënderbeu si arkiv i kujtesës kolektive në veprën e  Stefan Zanoviq

Në këtë fazë të analizës, figura e Skënderbeut në veprën Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia duhet lexuar si një arkiv kulturor i kujtesës kolektive, ku ndërthuren historia si regjistër i ngjarjeve, kujtesa si përpunim kulturor i tyre, identiteti si internalizim shoqëror i figurës dhe antropologjia si sistem i modeleve të sjelljes, vlerave dhe normave. Në raport me Marin Barleti, këtu kemi një zhvendosje të rëndësishme: nga historia e përjetuar, e afërt me horizontin kronikal dhe humanist, drejt kujtesës së institucionalizuar, e cila e përpunon figurën e heroit si model kulturor të transmetueshëm. Kështu, Skënderbeu nuk është më vetëm një figurë e së kaluarës, por një depozitë ku ruhen, organizohen dhe riaktivizohen përvoja historike, norma kolektive dhe vlera identitare.

Në dimensionin historik, rrëfimi i Zanoviq-it ruan kujtesën e ngjarjeve përmes një strukture kronikale që lidhet drejtpërdrejt me modelin barletian, por e riorganizon atë sipas kërkesave të një kulture të mëvonshme interpretuese. Formulime të tilla si: “Murati… pushtoi vendet… Gjergji u kthye… mori Krujën…” përfaqësojnë ngjarje historike të njohura dhe ruajnë një rend themelor kronologjik: pushtimi, humbja, kthimi dhe rikthimi i qendrës politike. Megjithatë, te Zanoviq këto episode nuk funksionojnë vetëm si dokumentim i së kaluarës; ato janë përzgjedhje, organizim dhe riartikullim i kujtesës. Nëse te Barleti kemi një dëshmi më të afërt me kohën historike dhe me traditën humaniste të rrëfimit, te Zanoviq kemi kujtesë të ndërmjetësuar, të filtruar dhe të riformuar nga horizonti ideologjik i shekullit XVIII. Kjo do të thotë se historia nuk riprodhohet thjesht, por riformatohet si material kulturor.

Në trashëgiminë e kujtesës kolektive, figura e Skënderbeut shndërrohet në pikë kristalizimi të përbashkësisë. Kjo del qartë në skena ku komuniteti e njeh dhe e përvetëson heroin si figurë të vetën: “Banorët… të lumtur që panë përsëri djalin e vendit…” . Ky formulim nuk shpreh vetëm gëzimin e një takimi politik, por një akt njohjeje kolektive, ku individi historik shndërrohet në simbol të komunitetit. Skënderbeu paraqitet si “djali i vendit”, pra si figurë e brendshme, e pranuar dhe e përvetësuar nga trupi shoqëror. Funksioni antropologjik i këtij episodi qëndron në krijimin e një identiteti të përbashkët historik: heroi nuk i përket vetëm vetes, as vetëm dinastisë së tij, por bëhet pronë simbolike e komunitetit, një pikë rreth së cilës organizohet vetëdija kolektive.

Në nivelin antropologjik të sjelljes, Skënderbeu paraqitet si model normativ, pra si figurë që jo vetëm kryen veprime, por kodifikon mënyra të të jetuarit dhe të të vepruarit. Shembuj të tillë si: “Ai nuk hakmerrej… ndihmonte të varfrit… ishte i drejtë…” tregojnë se përshkrimet morale nuk janë thjesht ornamente karakterologjike, por norma sjelljeje të propozuara për internalizim. Këtu heroi shndërrohet në një kod etik: ai vetëpërmbahet, ushtron drejtësi, ndihmon të dobëtit dhe nuk e përdor fuqinë si instrument hakmarrjeje. Në krahasim me Barletin, ku morali i heroit lidhet më fort me mbrojtjen e fesë dhe me diskursin e krishterë të rezistencës, te Zanoviq ky moral universalizohet dhe merr formën e një etike të përgjithshme njerëzore. Kjo e vendos Skënderbeun jo vetëm në historinë politike, por edhe në antropologjinë morale të shoqërisë.

Dimensioni ritual dhe simbolik shfaqet veçanërisht në përsëritjen e mobilizimit, betejave dhe fitoreve, të cilat krijojnë një model të qëndrueshëm veprimi kolektiv. Mobilizimi i popullsisë, bashkimi rreth heroit, përballja me armikun dhe fitorja e përsëritur nuk janë vetëm episode ushtarake; ato funksionojnë si rit i përsëritur i bashkësisë. Në këtë kuptim, lufta në tekstin e Zanoviq-it shndërrohet në një akt ritual kolektiv: ajo riprodhon vazhdimisht të njëjtën strukturë identitare, ku komuniteti afirmon veten përmes rezistencës. Përsëritja e betejës krijon një ritëm simbolik të kujtesës: rrezik, mobilizim, provë, fitore. Kështu, rituali i luftës nuk është vetëm mekanizëm narrativ, por edhe strukturë identitare, përmes së cilës komuniteti e njeh veten si bashkësi rezistence.

Krahas luftës, edhe episodet e jetës shoqërore, sidomos martesa dhe festat, kanë funksion antropologjik dhe simbolik. Formulime të tilla si: “Martesa… festa… valle…” tregojnë se teksti nuk e ndërton heroin vetëm në hapësirën e luftës, por edhe në hapësirën e jetës së përditshme, të riteve sociale dhe të organizimit kulturor. Martesa dhe festimet nuk janë elemente të rastësishme dekorative; ato e lidhin figurën heroike me ciklin e jetës shoqërore dhe me vazhdimësinë e komunitetit. Në këtë mënyrë, Skënderbeu humanizohet: ai nuk mbetet vetëm luftëtar i jashtëzakonshëm, por bëhet pjesë e jetës së përbashkët, e ritit, e ceremonisë dhe e gëzimit kolektiv. Kjo e zgjeron funksionin e tij nga simbol i luftës në figurë të plotë kulturore, ku bashkohen heroizmi, jeta sociale dhe kujtesa e komunitetit.

Në vijim të dimensionit historik dhe antropologjik, figura e Skënderbeut në tekstin e  Stefan Zanoviq shfaqet si një mekanizëm i qartë i transmetimit ndërgjeneracional, duke tejkaluar kufijtë e kohës së saj historike dhe duke u projektuar si një model për të ardhmen. Referencat e vazhdueshme ndaj lavdisë së tij, ndaj kujtesës që duhet ruajtur dhe ndaj pasardhësve që duhet ta trashëgojnë këtë figurë krijojnë një horizont temporal të zgjeruar, ku heroi nuk është më vetëm figurë e një epoke të caktuar, por një pikë e vazhdueshme referimi. Në këtë kuptim, funksioni i figurës nuk është vetëm përfaqësues, por edhe transmetues: ajo shërben për të ruajtur kujtesën dhe për ta kaluar atë nga një brez në tjetrin. Kjo e shndërron Skënderbeun në një mekanizëm të trashëgimisë kulturore, ku historia nuk mbetet e mbyllur në të kaluarën, por vazhdon të jetojë si model i riprodhueshëm në kohë.

Ky funksion lidhet drejtpërdrejt me procesin e universalizimit antropologjik, përmes të cilit figura e Skënderbeut shkëputet nga konteksti i saj lokal dhe integrohet në një sistem më të gjerë kulturor evropian. Formulime të tilla si: “Ai u nderua nga mbretër dhe princër…” tregojnë se figura e heroit nuk mbetet e kufizuar në hapësirën shqiptare apo ballkanike, por përfshihet në një rrjet më të gjerë njohjeje dhe legjitimimi ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, Skënderbeu bëhet pjesë e kujtesës evropiane, duke tejkaluar kufijtë etnikë dhe duke u shndërruar në një figurë me vlefshmëri universale. Krahasuar me Marin Barleti, ku figura mbetet më e lidhur me kontekstin shqiptar dhe me një hapësirë evropiane ende të kufizuar, te Zanoviq kemi një zgjerim të vetëdijshëm të kësaj kujtese në një plan më të gjerë kulturor dhe ideologjik.

Në këtë kontekst, kujtesa që ndërton teksti nuk duhet kuptuar si një pasqyrim neutral i së kaluarës, por si një konstrukt ideologjik i ndërtuar përmes mekanizmave të përzgjedhjes dhe të amplifikimit. Ngjarjet historike nuk paraqiten në mënyrë të baraspeshuar, por organizohen sipas një logjike që favorizon ndërtimin e një narrative heroike: fitoret theksohen dhe amplifikohen, ndërsa humbjet minimizohen ose reduktohen. Kjo vihet re në përshkrimet e betejave, ku raportet midis humbjeve dhe fitoreve krijojnë një imazh të epërsisë absolute të heroit . Në këtë mënyrë, kujtesa nuk është thjesht ruajtje e së kaluarës, por një proces aktiv ndërtimi, ku historia organizohet në funksion të legjitimimit të figurës dhe të prodhimit të një modeli të caktuar interpretativ. Kjo e vendos tekstin në një raport të drejtpërdrejtë me ideologjinë, duke e bërë kujtesën një instrument të artikulimit të vlerave dhe të identitetit.

Në një plan krahasimtar, dallimi midis modelit të Marin Barleti dhe atij të Zanoviq-it bëhet i qartë në mënyrën se si konceptohet dhe funksionon kujtesa. Te Barleti, ajo ka karakter më të afërt me dëshminë historike dhe me përpjekjen për të dokumentuar ngjarjet në një mënyrë relativisht të drejtpërdrejtë; figura e Skënderbeut mbetet kryesisht hero i kohës së vet dhe funksioni i rrëfimit është dokumentues dhe legjitimues. Ndërsa te Zanoviq, kujtesa merr formën e një konstrukti kulturor, ku figura e heroit shndërrohet në një arkiv të përqendruar të përvojës historike dhe të vlerave kolektive; funksioni i rrëfimit bëhet transmetues dhe modelues, ndërsa shtrirja e figurës zgjerohet në një plan të gjerë evropian.

Në përfundim të këtij kapitulli, analiza historiko-antropologjike dëshmon se figura e Skënderbeut në tekstin e  Stefan Zanoviq nuk mund të reduktohet në një figurë historike të izoluar, por duhet kuptuar si një arkiv i kujtesës kolektive, në të cilin ndërthuren ngjarjet historike, vlerat morale, modelet e sjelljes dhe strukturat identitare. Kjo figurë përmban dhe transmeton një përvojë të përbashkët, duke e shndërruar historinë në traditë dhe traditën në identitet. Në këtë mënyrë, Zanoviq realizon një transformim të thellë të figurës së Skënderbeut: nga një aktor i së kaluarës në një mekanizëm kulturor të ruajtjes dhe të transmetimit të kujtesës kolektive, i cili vazhdon të funksionojë përtej kohës dhe hapësirës së tij origjinale.

 

VIII. Përfundime

Mbështetur në analizën e gjertanishme mund të themi se vepra Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia e  Stefan Zanoviq nuk mund të trajtohet si burim primar historik, por si një tekst sekondar, i konceptuar dhe i artikuluar mbi matricën historiografike të Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis të Marin Barleti. Kjo premisë ka orientuar analizën drejt një qasjeje të integruar krahasimtare historiko-filologjike, intertekstuale, semiotike dhe kognitive, duke e vendosur tekstin e shekullit XVIII në një raport të drejtpërdrejtë dhe dinamik me traditën humaniste të shekullit XVI, si dhe me diskursin iluminist evropian.

Studimi ynë mbi bazën strukturore dhe narrative, na ka dëshmuar se Zanoviq ruan skeletin themelor kronikal të modelit barletian – origjinën fisnike të heroit, fazën e pengmarrjes në oborrin osman, procesin e formimit, rikthimin në atdhe dhe ciklin e betejave – por e transformon këtë strukturë në një narrativë të dramatizuar, të moralizuar dhe estetikisht të amplifikuar. Episodet historike ndërthuren me shtresa të reja diskursive, si prologët alegorikë, ndërhyrjet autoriale, refleksionet mbi vetë natyrën e mitizimit dhe hiperbolizimi i veprimit heroik. Si rezultat, historia largohet nga funksioni i saj dokumentues dhe shndërrohet në një sistem narrativ me funksion të dyfishtë – didaktik dhe estetik – karakteristik për kulturën intelektuale të iluminizmit evropian.

Në rrafshin onomastik dhe funksional, studimi ka evidentuar se sistemi i emrave, titujve dhe hapësirave nuk vepron thjesht si një aparat referencial, por si një mekanizëm kompleks strukturues i kuptimit. Figura e Skënderbeut funksionon si një nyje semantike dhe diskursive, në të cilën ndërthuren disa funksione themelore: funksioni identifikues, që e vendos atë në qendër të artikulimit të identitetit kolektiv; funksioni simbolik, që e ngarkon figurën me vlera universale si drejtësia, liria dhe virtyti; funksioni mitizues, që realizohet përmes hiperbolizimit dhe idealizimit; funksioni diskursiv, që artikulon sovranitetin dhe etikën politike; si dhe funksioni kognitiv, që e shndërron figurën në një model prototipik të heroit në strukturën mendore të lexuesit. Në krahasim me modelin barletian, ku figura mbetet më e lidhur me realitetin historik dhe retorikën humaniste, te Zanoviq ajo shndërrohet në një strukturë funksionale shumëdimensionale, që operon në disa nivele semantike dhe ideologjike njëkohësisht.

Në dimensionin semantik dhe semasiologjik, analiza ka vënë në dukje një proces të qartë të abstraksionit të figurës, përmes të cilit ajo kalon nga një referencë historike konkrete – Gjergj Kastrioti – në një kategori konceptuale universale. Ky proces shoqërohet me një polisemi funksionale, ku figura e Skënderbeut mbart njëkohësisht kuptime historike, morale, politike dhe simbolike. Në këtë kontekst, emri nuk funksionon më vetëm si shenjë referuese ndaj një individi historik, por si një koncept i përgjithësuar që artikulon idenë e virtytit, sovranitetit dhe rezistencës, duke e zhvendosur figurën nga fusha e historisë drejt sferës së konceptualizimit abstrakt.

Në aspektin historiko-antropologjik, studimi ka arritur në përfundimin se figura e Skënderbeut funksionon si një arkiv i strukturuar i kujtesës kolektive. Teksti i Zanoviq-it nuk kufizohet në transmetimin e ngjarjeve historike, por ndërton një kujtesë të përzgjedhur, të amplifikuar dhe të ideologjizuar, e cila jo vetëm që ruan përvojën historike, por edhe modelon normat e sjelljes, strukturon etikën kolektive, artikulon identitetin dhe e universalizon figurën në hapësirën kulturore evropiane. Në këtë mënyrë, historia transformohet në traditë, ndërsa tradita institucionalizohet si formë e qëndrueshme e kujtesës kulturore.

Analiza jonë na dëshmon se ndërtimi i figurës së Skënderbeut në këtë vepër realizohet përmes një procesi të trefishtë: transmetimit, përmes ruajtjes së modelit barletian; transformimit, përmes adaptimit në diskursin iluminist evropian; dhe abstraksionit, përmes shndërrimit të figurës në një koncept universal. Si rezultat i këtij procesi, Skënderbeu në veprën e Zanoviq-it nuk paraqitet më thjesht si një hero i historisë, por si një strukturë komplekse kulturore, semantike dhe antropologjike, në të cilën ndërthuren historia, miti dhe ideologjia. Në këtë kuptim, figura e tij tejkalon kufijtë e referencës historike dhe shndërrohet në një model interpretativ, përmes të cilit Evropa e shekullit XVIII ripërpunon dhe riartikolon trashëgiminë e saj historike në funksion të vlerave universale të kohës.

Prishtinë, nëntor 2025

 

Literatura e konsultuar

Barleti, Marin. Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis. Roma, 1508.

Zannovich, Stephan. Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia. Stockholm, 1788.

Buda, Aleks. Skënderbeu dhe epoka e tij. Tiranë, 1984.

Schmitt, Oliver Jens. Skanderbeg. München, 2009.

Lakoff, George, and Mark Johnson. Metaphors We Live By. Chicago, 1980.

Halbwachs, Maurice. La mémoire collective. Paris, 1950.

Assmann, Jan. Cultural Memory. Cambridge, 2011.

Eco, Umberto. A Theory of Semiotics. 1976.

Genette, Gérard. Narrative Discourse. 1980.

Propp, Vladimir. Morphology of the Folktale. 1968.

The Evening Post (1936) Historia e rrallë e koleksionistit të autografeve me Mbretin Zog

Burimi : Revista finlandeze “Eeva”, 1 janar 1936, faqe n°10

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Prill 2026

 

The Evening Post” ka botuar, të shtunën e 6 qershorit 1936, në faqen n°29, historinë e rrallë të një koleksionisti autografësh me Mbretin Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Gjuetia e autografëve

Burimi : The Evening Post, e shtunë, 6 qershor 1936, faqe n°29

Disa përvoja interesante të një koleksionisti autografësh jepen në revistën Windsor Magazine nga Michael Raitchevitch, i cili pretendon se zotëron në dy vëllime të çmuara firmat e 13 mbretërve, 10 presidentëve, shumicës së kryeministrave të gjallë në botë dhe 30,000 personave të tjerë të famshëm.

 

Asnjëherë, thotë ai, nuk është treguar më qartë njerëzillëku i thjeshtë i një mbreti sesa në takimin tim me Mbretin Zog të Shqipërisë, i cili rastësisht është i interesuar për autografet. Mbreti Zog e shqyrtoi koleksionin tim me vëmendje eksperti dhe u kthye vazhdimisht te firma e Presidentit von Hindenburg.

 

Oh, çfarë firme ! tha mbreti, duke treguar vijat e guximshme e të trasha, drejtimin krejtësisht të drejtë dhe harkimin e bukur piktoresk. A përdori Presidenti një stilolaps të veçantë?

 

Ai përdori një pendë, Madhëria Juaj, u përgjigja unë, i kënaqur që gjeta një monark që ndante admirimin tim për shembullin më të jashtëzakonshëm të kaligrafisë në albumin tim, përndryshe ai nuk do të mund të bënte ato harkime të trasha.

 

Atëherë, deklaroi Mbreti Zog, duhet të firmos me pendë. Ai thirri një shërbëtor, i cili tha se nuk kishte një të tillë në pallat.

 

Në fillim Mbreti Zog u argëtua ; pastaj humbi durimin.

 

Duhet të kem një pendë, këmbënguli ai, duke refuzuar stilolapsin që i ofrova.

 

Lëre albumin tënd tek unë, tha ai, dua t’ia tregoj familjes sime. Natyrisht pranova, dhe për herë të parë pas 20 vitesh albumet e mia të autografeve dolën nga zotërimi im për dy ditë. Arsyeja e vërtetë e kërkesës së mbretit ishte, siç e dyshoja, se ai kishte vendosur të firmoste me pendë ose hiç fare, dhe një zyrtar i oborrit më tha më vonë se një pendë e veçantë iu dërgua me aeroplan nga Roma në pallatin e Mbretit Zog.

 

Pas gjithë këtij mundimi, pena mezi i përshtatej mbretit, dhe Zog-u i shkarravitur në albumin tim ofron më pak interes se Hindenburgu për studiuesit e kaligrafisë. Marshalli 80-vjeçar firmosi ashtu sikur do të udhëhiqte një betejë, me një rrotullim të vërtetë luftarak të pendës, të mbajtur fort mes gishtave të tij të shkurtër e të trashë.

 

“HISTORI TË PASHKRUARA”- SHQIPTARËT PUSHKATOJNË SHQIPTARËT QË SHUMË E DESHËN SHQIPËRINË- Nga MËRGIM KORҪA

 

Ҫ’më nxiti ti shkruaj këto radhë?

Rastësisht më ranë në  dorë tri fletë të zverdhura dhe të shtangura  nga koha e gjatë që kur ishin shkruar: 18 qershor 1945. Shkrimi, në pamjen e parë, menjëherë ta krijonte përshtyojen se i përkiste një njeriu të formuar. Ishte një shkrim i rregulltë dhe i bukur.  Kjo, ana formale. Kur e filloje leximin, shihje pastaj se ato fletë letre sillnin një kumt tejet prekës materializuar e ngurtësuar në atë shkrim: kishe të bëje me “testamentin shpirtëror” të një të riu 32 vjeçar që linte amanetet e fundit dy ditë para se dora mizore komuniste t’ia kosiste lidhjet me jetën të cilën aq shumë e donte ! Dhe menjëherë  lotët  t’a vishnin pamjen e ti nuk e vazhdoje dot më gjatë leximin. Edhe tani, duke i shkruar këto radhë, (ndonëse i kam lexuar dhe u a kam lexuar të tjerëve ato tri faqe me dhjetëra herë), tek u a hedh sytë radhëve të shkruara, sa më shumë lotët ma veshin pamjen aq më shumë kumbon në veshët e mi kumti i Ajdin Kullës që përtej varrit:

“ … po vritem si shqiptar dhe jo si tradhëtar … të rrojë Shqipëria, të rrojë Flamuri Kombëtar i Shqipërisë”. Pohimi se nuk po vritej si tradhëtar  e gjithastu edhe shprehja e fuqishme dëshirore rreth Atdheut dhe Flamurit, të cilat Dëshmori i Nacionalizmës i përsëriti dy herë, së pari tek i hipnin mbi kamion në burgun e Korçës për t’i çuar të dënuarit me vdekje në vëndin e pushkatimit në Bilisht, dhe së dyti para togës së pushkatimit, kujtohen edhe sot nga të mbijetuarit. I lemë tani për një çast të dënuarit në buzë gropës ku do t’i hidhnin trupat e tyre dhe vijmë në ditët tona: si e kujtojnë atë ngjarje sot dy kategori njerëzish atëhere armiq për vdekje? Ishin të rinj, shumë të rinj atëbotë Ylber Darova, Skënder Stefanllari e Avni Bejkova me shokë, të burgosur vetëm e vetëm se e donin Shqipërinë pa i pranuar pikëpamjet komuniste. Sot, të thinjur  e të kërrusur nga vuajtjet e burgjeve edhe nga mosha, ata nuk pushojnë së pohuari se qëndrimi i Ajdin Kullës  me shokë, që shkonin të pafajshëm drejtë skuadrave të pushkatimit e u linin shokëve të burgosur amanet Shqipërinë, i ka mbajtur ata gjallë përgjatë dhjetra viteve për t’i përballuar burgjet mizore komuniste! Shumë i ri ishte atëhere edhe ai partizani nga Kalivaçi, pjesëtar i  togës së pushkatimit. Edhe ai e donte Shqipërinë në mënyrën e tij. I a kishin mbushur mëndjen se akuza për të cilën pushkatohej Ajdin Kulla, që Shqipërinë e donte etnike, përbënte një faj .të dënueshëm me vdekje. Dhe ai e zbatoi detyrën pa iu dridhur dora. Vitet kalonin dhe ish partizani, i cili edhe më 20 qeshor  të vitit 1945 e çmoi guximin me të cilin Ajdini me shokë e përballuan vdekjen, rritej në moshë por edhe piqej. Sot edhe atij i dridhet zëri kur përsërit pohimin si edhe shprehjen dëshirore të fundit dhe akoma i kumbon në veshë zëri i tij i fuqishëm … të rrojë Flamuri kombëtar, amanet Shqipërinë…, Shqipërinë … Shqipëri … dhe ai vetë bën një pohim:

“Nuk ka më nga ata shqiptarë si Ajdin Kulla me shokë që Shqipërinë  dhe Flamurin Kombëtar i donin dhe i vinin mbi çdo gjë!”

Kthehemi tashti edhe një herë në Bilishtin e asaj dite kur u krye krimi i shëmtuar i pushkatimit. Të vënë në rradhë, në vijë të zhdërvjellët për një dhe të lidhur me litarë ndodhen, para gropës së çelur enkas për t’i gëlltitur patriotët që do të pushkatoheshin, Gani Zëmblaku  sypatrembur i lidhur me të nipin  Ajdin Kullën, heroin e këtij tregimi, Sheh Qerimi, patrioti i shquar dhë gojëmbli i përkryer i lidhur me të birin, Saliun, të riun ballist të vendosur dhe e mbyll vargun Zyhdi Tapia, elegant si gjithmonë, (i veshur enkas me sqimë sikur shkonte në dasëm),që mëkatë kish vetëm se e donte shumë Shqipërinë. Xha Ganiu, i rrahur me jetën si edhe më i moshuar, duke pasur frikë se mos në çastin e fundit para vdekjes të nipin do t’a lëshonin nervat e tendosura, ngre krahun e lidhur, e pushton të nipin dhe shtrëngon në kraharor për t’i dhënë zemër të qëndrojë si burrat edhe për disa çaste. Por Ajdin trimi jo që s’kish nevojë t’i jepnin zemër por u dha  zemër  të tjerëve me fjalët që ish partizanit kalivaças, dëshmitar i gjallë i çasteve të fundit para vdekjes Ajdinit, akoma sot i kumbojnë në veshë ” … amanet Shqipërinëëë! “

Të dhëna personale  si edhe për rrethanat;

                I ati Ajdinit, Jonuzi, bashkë ne tre vëllezërit e tij marrin pjesë aktive në lëvizjen patriotike kundër Turqisë. Ishte shok i ngushtë me Kajo Babjenin edhe Mihal Gramenon. Komandant i çetës për Rrëzën e Korçës. E ruajnë edhe sot e kësaj dite familiarët e tij një fotografi të çetës në qëndër të së cilës ishte patrioti i shquar si edhe eruditi i skajshëm Hafëz Ali Korça. Emblema e çetës, shkruar me gërma të mëdha, LIRI A VDEKJE. Në mesin e luftës së parë botërore, kur Korça rrezikohej të merrej nga grekët, Jonuzi mbështeti Themistokli Gërmenjin dhe shpallën Republikën e Korçës. Me këtë frymë patriotike dhe këto bëma u mëkua që i vogël edhe Ajdini. Ish 22 vjeç kur i vdiq i ati i cili në shtratin e vdekjes la amanet t’i vinin mbi varr një pllakë ku të shkruhej: “Vdes i lumtur se e lë Shqipërinë me një zot”. Ishte mësim i madh për Ajdinin e ri dashuria e t’et për Atdheun. Pllaka relike ruhet edhe sot e kësaj dite. Plaku patriot zëmblakas, ndonëse i pa shkollë, i kuptonte mirë këshillat e Hafëz Aliut se Shqipërinë nuk e bënin dot njerëz të pashkolluar e kështu Ajdinit, pas fillores i dha qytetësen e pastaj tre vjet Shkollën Amerikane, (aq sa qëndroi e hapur herën e parë kjo shkollë me profil pedagogjik e Harry Fultzit ), vitin e fundit e bëri në normalen e Elbasanit. Në normale Ajdini ishte shok klase me prokurorin e ardhshëm që do t’a dënonte me vdekje, prokurorin përbindësh Nevzat Hasnedarin. Dhe ironia e fatit që e kanë marrë ish se ndërsa Ajdinin e shohim në fotografinë e vitit të fundit të shkollës si të vetmin nxënës  që e kanë marrë profesorët dhe e kanë ulur në rrjesht me ta, si nxënësi më i shquar i normales, prokurori dhe krimineli i ardhshëm ishte nga nxënësit më të dobët dhe ç’është më e madhja, ndërsa Ajdini nuk pranonte t’a vishte këmishën e zezë të fashistit të shtunave, Nevzati nuk kish asnjë lloj vrasje ndërgjegje për t’a veshur atë!

Gjatë periudhës luftës Ajdin si edhe e gjithë familja e tij rradhiten me formacionet nacionaliste, nisur nga lidhje trashëgimie familjare që kishin me krerët e nacionalizmës ku prindët e tyre kishin luftuar e punuar së bashku “për t’a bërë Shqipërinë”, Në fillim ata ushqenin një farë iluzioni se me forcat partizane kishin të njëjtin qëllim dhe u inkuadruan, bashkë me ta, në Luftën Nacional – Ҫlirimtare. Kjo deri në Konferencën e Mukjes, ose më mirë të themi, fill pas saj kur Miladin Popoviçi  si edhe Dushan Mugosha e detyruan Enver Hoxhën t’i hidhte poshtë si të papranueshme vendimet e kësaj mbledhje, me që aty flitesh pa mëdyshje për një Shqipëri etnike. Nga ky çast domosdo edhe rruga e Ajdin Kullës u nda me atë të atyre nacionalistëve që u gabuan dhe u përfshinë në radhët partizane të udhëhequra nga partia komuniste shqiptare! Nga ky moment fillon edhe vëllavrasja – lufta civile – e nxitur nga Miladini e Dushani, sepse kështu uji shkonte plotësisht në mullirin sërbomadh. E pikërisht në këkë pikë të udhës kryq të historisë shqiptare ngrihet një lapidar me një emër të shkruar me gërma të arta mbi të: SAFET BUTKA. Tragjedia e tij është se e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët më shumë se veten dhe u vetëflijua që të mos t’a shihte vëllavrasjen! Që nga ai çast edhe Ajdinit, si edhe të gjithë nacionalistëtve të tjerë i u komplikua shumë puna; okupatori duhej luftuar por nga ana tjetër mundoheshin me çdo kusht t’a shmangnin edhe vëllavrasjen e nxitur nga “miqtë për kokë jugosllavë”. Detyra e tij si mësues patjetër që do t’a bënte të njohur Ajdinin që nga Moglica në Pojan e që nga Stropani në Pustec, fshatra ku kishte shërbyer. Përkushtimi pastaj më të cilin shërbeu bëri që respekti për të të mos të kishte kufij, kështu që edhe fjala e tij zinte vënd. Dy ishin linjat kryesore që përshkonin tërë fjalimet që nbante e që edhe sot i mbajnë mënd si në Korçë edhe në Devoll: Populli të mos gënjehej nga shprehjet e bukura internacionaliste si edhe Shqipëria etnike. E kështu arrijmë në nëndorin e 1944-ës. Gjëndja politike u rrokullis tatëpjetë. Ajdinit me shokë, me shumë keqardhje, e vetmja rrugë që u ngeli ishte largimi nga Shqipëria.

Ndërsa në Shkodër ishin mbledhur ajo pjesë e nacionalistëve që bëheshin gati t’a linin me keqardhje të madhe vëndin e tyre, mbërrin thirrja e Këshillit të Përgjithshëm Nacional – Ҫlirimtar e cila i grishte të gjithë ata që nuk i kishin lyer duart me gjak të mos largoheshin dhe të punonin së bashku për t’a rimëkënbur atdheun. Kaq u desh për xhaxha Ganinë me gjithë Ajdinin, zbritën nga barka ku kishin hypur, (gati për t’u nisur), dhe morën rrugën e kthimit. Nuk qe nevoja të shkonin në Korçë sepse … i arrestuan që në Elbasan. Thanë njerëzit më vonë “ … si u gënjyen dhe besuan e u kthyen në gojën e ujkut?” Nuk ka asnjë çudi. Ata ishin mbruajtur me normat e moralit si fjala e dhënë  nuk kthehet. Kurse historia tregoi se këto norma as që përfilleshin nga pala tjetër.

Që nga çasti i arrestimit e deri tek thirrja  e fundit me të cilën linte amanet Shqipërinë, dalë nga kraharori i Ajdin Kullës përpara skuadrës së  pushkatimit, do të kishte shumë për të shkruar. Nga ana tjetër mund t’a hiqnin emrin e tij dhe t’a zëvendësonin me atë të qindra të pushkatuarve politikë të asaj kohe dhe ngjarjet , torturat, gjyqet, prokurorët gjakatarë, (Nevzat Haznedari, Josif Pashko dhe Aranit Ҫela), si edhe amanetet, mbesin të pandryshuar. Por Ajdin Kulla ka një të veçantë krejtë personale si edhe tejet prekëse, vendimin e trupit gjykues që e dënon me vdekje ” … për agjitacion e propagandë duke qënë koshient i politikës së Shqipërisë etnike”!

                Qëndojmë tani tek kjo nyjë gordiane. Jo vetëm hetuesit por edhe më i funditi gardianëve e trajtojnë patriotin e skajshëm si ndonjë qen rrugësh. E shajnë, e shqelmojnë, dhe pështynë këtë “luan të lidhur” se e dijnë që s’ka se ç’u bën, por nuk e dijnë dhe as e kuptojnë idealin e tij. U ka thënë Nevzati se kanë të bëjnë me një tradhëtar të vëndit të tij si edhe me një armik  të vëllezërve jugosllavë! E kjo për ta mjafton. Kjo ishte vija politike.

E marrim tani dosjen gyqësore të Ajdin Kullës, e cila po të shtrydhet kullon gjak, dhe e transferojmë në Kosovë. Atje do t’a vinin me përkujdesje të skajëshme mbi një jastëk kadifeje dhe do t’a përcillnin ceremonialisht për në altarin e dëshmorëve. Kjo sepse atje akoma ekziston ndërgjegja kombëtare.

E çojmë tani po atë dosje  në Janinë apo Konicë. Atje nuk ka më njeri që t’i lexojë fletët e saj. Ato i merr era dhe asnjeri nuk i quan më relike të vyera.Përse, lind natyrshëm pyetja? Sepse në këtë situatë çoi politika sa e të pandërgjegjëshmëve aq edhe  e të paaftëve. Politikanët nuk luftuan për Ҫamërinë dhe avash avash  mbi të u end “pëlhura ë harresës”.

Pikërisht këta shëmbuj e bëjnë njëkohësisht  edhe më tragjike vrasjen e Ajdin Kullës por edhe e ndriçojnë figurën e tij në mënyrë të pakrahasueshme. Ai nuk kish prona as edhe interesa personale në Kosovë e aq më pak në Ҫamëri. Por i digjej  zemra për Shqipërinë.

                Prandaj sot tingëllon më e kohës se kurrë  aforizma e Faik Konicës që thotë: “Shqipërinë e bënë idealistët, e shpëtoi rastësia dhe do t’a fusin në varr politikanët!” Në fakt politikanët e lanë të humbasë Ҫamëria, nuk e quajnë  çështjen kosovare  pjesë të çështjes kombëtare dhe po i a venë kazmën edhe Shqipërisë! Mjer o Ajdin kulla që e dhe jetën për një çështje  madhore të cilën politikanët sa vjen dhe e inflacionojnë!

Epilogu i kësaj jete të shkurtër, të vrullëshme dhe … fatkeqe

                Në kohën kur Ajdin Kulla shkruante testamentin e tij shpirtëror, e shoqja Fidaria , ishte nuse e re. I drejtohet mëmës së tij Ajdini si edhe vëllezërve me lutjen  që t’ia pyesnin nusen në se mbas pushkatimit të tij ajo dëshironte të qëndronte e pamartuar apo jo. Por pyetja e tij, ndonëse e sinqertë, mbeti vetëm pyetje retorike se Fidaria lidhi jetën me fëmijët e saj. Jetuan për dyzet vjet të internuar në kodrat e Belshit, larg fshatit si edhe larg gropës – varr të përbashkët të Ajdinit të saj me shokë!

Pesëdhjetë e tre vjet mbas ngjarjes së kobëshme të 20 qershorit 1945, duke i u dridhur zëri nga ngashërimi, kujton nënë Fidaria 80 vjeçare se si familjarët e të pushkatuarve, ajo së bashku me Gjylkën, të shoqen e Zyhdi Tapisë, Nyzetin, të bijën e Sheh Qerimit dhe motër e Saliut dhe nja dy gra të tjera, disa ditë mbas vrasjes , mes rreziku të madh që u kërcënohej po t’u diktonin, në një natë të errët e zbuluan gropën  dhe secilit trup të masakruar i vunë përkrah një shishe të taposur me gjithë emrin. E kështu kaluan ditët, vitet  si edhe dhjetëvjeçarët. Një ditë vere të vitit 1992 u mblodhën disa dhjetra njerëz tek vëndi i quajtur Meratë e Bilishtit, që të nxirrnin eshtrat e të pushkatuarve të 20 qershorit 1945 dhe t’i rivendosnin me nderimet e duhura. Vërtetë që koha e gjatë e kishte veshur dhe mbuluar atë ngjarje të kobëshme me tisin e harresës, por sapo kazmat para filluan t’a gërmojnnë dheun s’mbeti njeri të cilit të mos i shihej si i rrihnin tëmthat nga trysnia e brëndëshme. Dhe më në në fund …   u arrit në nivelin e skeleteve. Ҫ’Të shihje. Dy nga ata, siç ishte pëshpëritur vesh më vesh nga pjestarët e skuadrës pushkatimit fill mbas ngjarjes, ishin të rënë përmbys dhe krahu i njërit akoma pushtonte nga shpatullat tjetrin! Ishin xhaxha e nip, xha Ganiu i Zëmblakut me Ajdinin!.

Në këta çaste tejet prekëse përpara asaj pamje tronditëse, kish rënënjë  heshtje “që mund të pritej me thikë”. Nxjerr atëbotë i biri i Ajdinit dhe i zgjat profesor Zekirja Canës, që nga Kosova pat ardhur të merrte pjesë në ceremoninë e rivarrosjes këtyre burrave patriutë, kopjen e  vendimit të gjyqit:ç

“Ajdin Kulla … gjykata ushtarake … e dënon me vdekje … koshient i Shqipërisë etnike.”

Profesori nga Kosova lexon dhe zbehet.Duart që mbajnë dokumentin i dridhen. Si ka mundësi që Shqiptarët të kenë vrarë shqiptarët pse këta e donin Shqipërinë?!

Letrat e Trifon Xhagjikës kundër regjimit të Hoxhës, publikimi në Moskë më 1962! Dokumentet që tronditën diktatorin

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi dje poetin, gazetarin e ushtarakun Trifon Xhagjika, i cili u bë një nga disidentët e parë letrarë kundër diktaturës komuniste.

 

Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Shtëpia e tij u dogj nga lufta e dytë italo-greke. Në moshën 9-vjeçare, në vitin 1941, bashkë me familjen lanë fshatin për t’u vendosur në Tiranë. U vendosën fillimisht tek “Rruga e Veriut” në krah të shtëpisë së Beshirëve në Tiranë. Më pas ndërruan disa herë banesë duke u vendosur tej shtëpia e Manol Kumes dhe në fund tek shtëpia e tyre në rrugën “Mine Peza”. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në repartin 3700 në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë bëri një kurs për Gazetari e Histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë. Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në vitin 1959, botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Librin e parë me poezi: “Gjurma”, ka shkruar lirika delikate me hovet e moshës. Libri përmban gjithsej 27 poezi, një poemë dhe një legjendë.

ÇFARË SHKRUANTE POETI TE “STINA MENDIMI” PA MASKË

shuar si stinët e vitit. Kjo ka ndodhur jo shumë për karakterin tim kontradiktor, sa për shkaqet e jashtme, të cilat ndikuan në fuqinë time shpirtërore që në moshën e njomë, shkaqe këto që më deziluzionuan për vite me radhë… Fshati ku linda është plot shkrepa e gurë. Po ka edhe livadhe të vegjël, ku mbijnë shumë lulëkuqe. U bënë lulëkuqet për mua simboli i shpirtmadhësisë e i zemërgjerësisë njerëzore. Që 7-8 vjeç, baritja nëpër fusha të mblidhja lulëkuqe, se në to do të gjeja njerëzit e mirë, që t’u thoshja të ndihmonin nënën e babën tim. Një ditë e dëgjova tim atë të thoshte: “Të gjithë njerëzit janë të këqij”. “Po ku janë njerëzit e mirë”? – pyeta nënën. “Janë lulëkuqe” – m’u përgjigj ajo. Që atë ditë, shkova e kërkova në çdo lulëkuqe, por… Por vitet më bënë 14 vjeç.

Në çdo vit isha i heshtur e i turpshëm. Më tërhoqën një ditë “për hunde”. Ishte natë atëherë, natë e shkurtit të 1947- ës. Ecja në një korridor të errët e të ngushtë, që mbaronte në një derë të hapur. Më futën brenda. Dera u mbyll. Gjithnjë ishte errësirë. Atje dëgjova: “Shtoje besimin që kemi për ty, prandaj bëhu hije dhe gjurmoi shokët, pa e ditur që të kanë pranë”. Unë heshtja, habitesha dhe torturohesha. Duart, që më dridheshin nga të ftohtit e frikës, nuk dija ku t’i futja. Më kot kërkoja në errësirë fytyrën e atij që më fliste. Një dritë e imët shkrepëseje ndezi në cep të dritares një qiri. Por tani nuk mund t’i shikoja më sytë e kuq të atij që hante fjalët me dhëmbë. Qiriri, me atë dritëz të vogël e të kuqërremtë, më ngjante si lulëkuqet e lëndinave. Lulëkuqe! Kërkoja në të njerëzit e mirë. Por tani e kuptova që çdo gjë ishte e kotë. Mendimet e mia sikur m’u dogjën në flakën e qiririt. M’u dogjën, ndaj nuk mendoja më. “Është mirë të mos mendosh!” – më tha Sykuqi: “Ti duhet të keshë parasysh që ç’pe dhe ç’dëgjove të mos ia thuash njeriut, përndryshe… përndryshe… mund të të kujtoj vetëm kaq se mbrëmë pushkatuam një moshatarin tënd, pasi i brodhi zagarja më parë nga mendja!”. Dhe një buzëqeshje skeptike i mbiu në cepin e majtë të buzës. “Pra kije parasysh, – filozofi dhe njëherë Sykuqi, – se heshtja është kasneci më i mirë për fitoren tënde!”.

Shuplaka e madhe, që ma vuri mbi shpatullat e mpira, më nxori në errësirën e rrugës… Unë të bëhem hije? M’u kujtuan tre majmunët e pikturuar mbi kutitë e shkrepëseve, që shiteshin në kohën e pushtimit fashist. Njëri nga ata kishte zënë sytë, tjetri veshët dhe i treti gojën. Unë pra duhet të jem i tillë: asgjë të mos shoh, asgjë të mos dëgjoj, asgjë të mos flas… Jo! Për njerëzit nuk do të bëhem hije. Sykuqi më takoi dhe tri herë të tjera. Të tretën herë më tha: “Ti je i paaftë!”. Dhe iku për të mos më takuar më kurrë. Por heshtjen ma la peng… Kjo heshtje vulosi zemrën. Nuk guxoja të prekja asgjë të gjallë në jetë, se kisha frikë mos e zbuloja me hijen time. Më mirë larg! Larg! Larg! Tre majmunët më dalin përpara. Unë asgjë s’shikoj, asgjë s’dëgjoj, asgjë nuk flas. Shuplaka e Sykuqit më rëndon mbi shpatulla… Ende më duket vetja si në një shpellë. Me mundim më ngjan se arrita në një grykë të ngushtë. Prapa lë errësirën e një tragjedie të kobshme popullore, e cila po shkrin me frikën e me vajtimin e njerëzve pa gjurma në jetë. Përpara shoh një det dritash, si në përrallat e gjyshes. Dua të hidhem nga gryka e ngushtë. Ndoshta më dalin krahë dhe fluturoj. Pra, kështu e kam një farë shprese. Më mirë shpresoj në të pamundurën e në errësirën e shpellës. Frika e saj më shtyn përpara… Njoha në këtë shpellë shumë njerëz të tjerë. Këtu jam përpjekur të provoj edhe dashurinë. Dhe sa herë që e kam ndjerë, bëhesha më i urtë, më punëtor e më i sinqertë.

Dashuria ka qenë për mua, ndofta, shaka që e kam takuar udhës, por s’kam ditur ta kap, ndofta, pabesi, por s’kam ditur ta lëshoj. Megjithatë kam qenë gjithmonë i qetë për sjelljet e vajzës që kam dashur, edhe në qoftë se ajo bëhej imja, edhe në qoftë se ajo përfundonte në krahët e ndonjë tjetri (për rastin e parë bëhesha i lumtur, për rastin e dytë shpëtoja nga një e keqe). Në përgjithësi, kam shpëtuar nga këto të këqija, por i lumtur nuk kam qenë asnjëherë… Ndofta këto që më kanë ndodhur më shtyjnë të kem një kuptim të tillë për jetën: Rro vetë dhe lëri të tjerët të rrojnë sipas dëshirës së tyre. E pra dëshirat, mendimet dhe pikëpamjet e heshtura e të fshehta mundohem t’i shpreh në vargjet e mija… E pra dëshirat, mendimet dhe pikëpamjet e heshtura e të fshehta mundohem t’i shpreh në vargjet e mija…! Sigurisht në këto vargje jam përpjekur që të nxjerr në plan të parë çështjen e nderit… (këtu teksti nuk lëçitet) si dhe të jetës sime intime, asaj private dhe shoqërore, duke pasur gjithmonë parasysh botëkuptimin tim. “Vepra e artit duhet të jetë në përputhje me botëkuptimin e autorit, sepse kjo e ngre vlerën artistike të saj” thotë Engelsi. E që t’ia arrij një gjëje të tillë, më duhet të sundojë veten, të shtyp mërzitjen e zemërimin e ta ushqej veten me gas për jetën e me optimizëm. Kjo është e vërteta që më ka ndodhur e që më mundon. Dhe “e vërteta duhet të përsëritet gjithnjë, sepse edhe gënjeshtra përsëritet kurdoherë”, – thotë Gëte!

REBELIMI I POETIT

Mbas vitit 1959, Trifoni nuk botoi më asgjë nga krijimtaria e tij, si shenjë pakënaqësie dhe proteste ndaj sistemit. Në poezinë ‘Ndërgjegje me katrore të zeza’ shkruan: ‘Pena m‘u thye në vitin 1958’. Nga ky moment Trifoni filloi të shkruajë vetëm për vete. Familja arriti të ruante disa tekste të shkurtra të pabotuara dhe poezitë, të cilat i botoi në librin ‘Atdheu është lakuriq’ 1994 dhe ‘Poezia’ në 2002. Në këto poezi ai shprehte ndjenjat e tij dhe veçanërisht mendimet që e mundonin mbi shtypjen dhe terrorin që ushtronte sistemi. Ai vuante për veten, familjen, shokët e tij dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Pas kësaj, ai fillon të fliste hapur kundër regjimit komunist në fuqi dhe politikës së izolimit, që po ndiqte udhëheqja e lartë e PPSh-së me në krye Enver Hoxhën, gjë e cila bëri që ai të ndiqej dhe survejohej nga Sigurimi i Shtetit dhe në vitin 1963, ai arrestohet së bashku me një grup shokësh, duke u akuzuar “për agjitacion e propagandë dhe për terror ndaj udhëheqjes së lartë”! Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur.

Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Dy herë rresht kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan. Rreth fundit te viteve 50 Trifoni u bë pjesë e grupit të të rinjve me pikëpamje sovjetike, i cili përbëhej nga Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho, gazetarë në Radio Tirana, Robert Vullkani, nëpunës, Thoma Rafaeli, oficer ushtarak major, Franko Sara, inxhinier hidrologjik, Stavri Rafaeli, tenor dhe skenograf në Teatrin e Operas Tiranë dhe Trifon Xhagjika. Në fillim ata ishin një grup shoqëror, i cili më vonë mori pikëpamje politike. Disa anëtarë të grupit ishin kthyer nga studimet në Bashkimin Sovjetik dhe Çeki dhe kishin marrë pjesë në aktivitete në ish vendet e Bllokut Lindor.

ANKESAT NË AMBASADËN RUSE

Duke jetuar disa vite jashtë vendit dhe vizituar disa vende në Evropën Lindore, ata ndjenin ndryshimin midis jetës së hapur në Bllokun Lindor dhe jetës së mbyllur mbytëse në Shqipëri, me jetë kulturore të varfër, me një sistem që mbahej mbi shtypjen, terrorin dhe frikën e persekutimit. Kështu nisën që pakënaqësitë e tyre t’i shprehin midis njëri-tjetrit dhe më vonë me përkeqësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, shkruanin letra ku dënonin kursin stalinist të Enver Hoxhës, të cilat i dërgonin në ambasadën ruse. Teksti i letrave të tyre u publikua në Kongresin e 22-të të Partisë Komuniste Sovjetike në Moskë në vitin 1962.

Mbi to ishte shkruar: “Ja se ç’thonë komunistët e vërtetë shqiptarë”. Që nga ky moment filluan kërkimet për zbulimin e grupit. Sipas Robert Vullkanit, Trifoni shpërndau 18 trakte, nga këto vetëm tri ranë në duart e Sigurimit, ndërsa të tjerat i përthithi shpirti i popullit të etur për liri dhe demokraci. Në traktin e shpërndarë më 28 prill 1962, ata kërkonin lirimin e të burgosurve politikë. Me prishjen përfundimtare të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik grupi i hoqi shpresat për përmirësimin e situatës dhe një pjesë e tij vendosi të arratisej nga Pogradeci në Jugosllavi për në Bashkimin Sovjetik. Gjatë bisedave të grupit merrnin pjesë herë pas here edhe të afërmit e anëtarëve, dhe njëri prej këtyre të afërmve raportoi sigurimin e shtetit për planin e arratisjes. Një pjesë e grupit (Vangjel Lesho, Thoma Rafaeli dhe Franko Sara) u arrestua pranë liqenit të Pogradecit, ndërsa të tjerët u arrestuan një muaj më vonë.

ARRESTIMI DHE DËNIMI KAPITAL

Trifon Xhagjika dhe Thoma Rafaeli si ushtarak morën dënimin kapital me pushkatim. Më 6 dhjetor 1963, dënohet për tradhti, vepra terroriste dhe agjitacion e propagandë. Gjyqi e dënoi me vdekje. Në gusht të 1963, Trifon Xhagjika ishte para hetuesve të tij, kapiten Rustem Çipi dhe prokurorit Major Sami Kapllani, duke rrëfyer “veprimtarinë armiqësore” kundër pushtetit popullor. Në gjyq Trifoni recitoi poezinë “Ndihmomëni të qesh”. Gjyqi ndaj tyre u zhvillua në Tiranë dhe ndërsa po lexohej dënimi me vdekje, Trifoni pranoi se ai ishte autor i poezisë “Atdheu është lakuriq” dhe ndërsa po recitonte disa vargje të saj, tha se ndaj këtij regjimi, ishte i gatshëm të gjuante dhe me top artilerie. Trifoni nuk bëri fare kërkesë Kuvendit Popullor për faljen e jetës dhe vendimi i gjykatës u ekzekutua, duke e pushkatuar më 23 dhjetor të vitit 1963, në moshën 31- vjeçare. Akuzës se donte të rrëzonte pushtetin popullor ai iu përgjigj: “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!”. Kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve. Vendimi për pushkatimin e poetit u ekzekutua më 23 dhjetor 1963 kur Trifoni ishte 31 vjeç. Nuk i dihet akoma vendvarrosja.

Të afërmit e Trifonit janë ende në kërkim të eshtrave. Ende nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij dhe dorëshkrimet e blloqet me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit… Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”. Në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara katër dorëshkrime origjinale të tij. Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit. Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me këtë motivacion: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”. Në vitin 2018, Trifon Xhagjika, poeti i pushkatuar nga diktatura në vitin 1956, fatkeqësisht ende pa varr, u rikthye përmes një memoriali në vendlindjen e tij. Përurimi u bë në truallin e shtëpisë së tij në Peshtan të Tepelenës.

/Gazeta Panorama 

“HISTORI TË PASHKRUARA” – TA PËRKUJTOJMË 28 NËNTORIN …- Nga MËRGIM KORҪA

 

 

Me pak rrjeshta që mund të shkruajmë duke përshkruar ngritjen e flamurit në Krujë nga Skënderbeu më 28 nëntor 1443 e deri më 28 nëntor të 1912-ës, kur Ismail Qemali me shokë e ngritën flamurin në Vlorë, përfshihet një lak kohor jo i vogël, por 500  e ca vjeçar!

Porse shumë përpjekje, shumë gjake shumë mund u desh të investohej që të ndërtoheshin themelet mbi të cilat Ismail Qemali, udhëheqësi i grupit nismëtar, arriti të t’a ngrerë më në fuhd flsmurin tonë të  – mëvehtësisë  – ! Të cunguar na detyruan fuqitë e mëdha t’a kemi Shqipërinë. Tri krahina të begáta e të populluara nga  – safi shqiptarë – na u lanë jashtë kufinjëve  shtetërorë nga Komisioni Ndërkombëtar i caktimit të ndarjes territoriale: Kosova, Ҫamëria  si dhe Dibra e Madhe. Por e pranuan atdhetarët shqiptarë atë ndarje, sepse u kënaqën më mirë me pak se sa me hiç! E megjithëse nga kompromiset si edhe ndarjet e interesave në mes të fuqëive të mëdha, që si mamí të pashpirta e cunguan që në lindje foshnjën Shqipëri, edhe mbas 28 nëntorit1912 fqinjët, si çakenj të pangopur, vazhdonin të ukërinin me shpresë t’i shkëpusnin ndonjë copë tjetër. Nuk u ngopën grekët, të mbështetur nga Franca dhe nga Rusia, që e shtynë kufirin nga Konica, Preveza e Janina dhe e sollën tek Kepi i Stllos, por donin edhe Korçën me gjithë Gjirokastrën. Edhe sërbit e malazezëve nuk u maftoi Malësia e Madhe, Rrafshi i Dukagjinit, Kosova edhe Dibra. Por deshën edhe Shkodrën. Edhe këta e kishin  – Veliki Oracin  – rus. E kështu Shqipëria, doli si shtet me kufinj të caktuar nga komisionet qeveritare të fuqive të mëdha sipas interesave dhe takatit të tyre, ku kufiri i jugut, ndonëse duket e pabesueshme, u caktua nga komisioni jo në terren por në zyrat e Institutit Gjeografik De Agostini  në Novara të Italisë!?

Kaq histori sa për të mbajtur të freskët kujtesën.

Nja dy kujtime tashti, sa për ilustrim.

Po gdhinte dita e 28 nëntorit 1944. Tirana gumëzhinte  e tëra. Përkrah Hotel Dajtit ishte ngritur një tribunë. Dy anët e bulevardit të madh si edhe sheshi para ministrive ishin plot me popull. Një pjesë e tij, ata, ndaj familjarëve të të cilëve kishin filluar persekutimet, rrinte kokulur  e kuptohej se kishte dalur të sodiste vetëm nga kureshtja. Kishte edhe entuziastë që brohorisnin. Në mes të kësaj zhurme vijnë dhe zënë vënd në tribunë ata që do të bëheshin udhëheqësit shtetërorë. Askujt nuk i shkonte mëndja se që nga ai çast, pikërisht nga  ajo tribunë, po ngrihej reja e kobëshme e luftës së klasave, që për dyzet’eshtatë vite do t’a kapërthente vëndin tonë  duke hyrë thuajse në çdo shtëpi e duke bërë viktima an’e kënd e duke vazhduar pastaj pa vonesë pikërisht me ata që mbushnin tribunën. E bile, sa më afër figurës qëndrore të tribunës, diktatorit të pa mëshirë që të ishin, aq më të afërt e kishin edhe fundin e tyre. Kaloi kështu ky 28 nëntor i parë. E pasuan të tjerë, por sa vinte e me nota përkujtimi më të zbehta për ngjarjet e 28-ës e dora dorës më të ndritëshme për 29 nëbtorin, ditën e shpalljes së Federatës Jugosllave, që çuditërisht na paska qenë edhe dita e çlirimit të Shqipërisë! Sa largpamësa miqt’e sinqertë të kombit tonë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi!

Nuk mundem t’a kaloj pa e kujtuar edhe një mbresë  sa tragjike e po aq edhe komike, edhe kjo e lidhur me 28 nëntorin. Gjatë luftës, e vranë komunistët me atentat në mes të Shkodrës, pinjollim e Isa Buletinit, Adem Buletinin. Me marrjen e pushtetit nga ana e komunistëve një nga shfaqjët e luftës së klasave qe edhe burgosja e së resë Isa Buletinit, gruas së Adem Buletinit, Adiles. Kaluan prapë vite. Do të festohej 50 vjetori i ngritjes së flamurit, e për t’a bërë më të besueshëm sinqeritetin e festimit, e desh propaganda komuniste që të kish në tribunë ndonjë të mbetur gjallë nga gjaku i farkëtuesve të 28 nëntorit 1912. Adile Buletini e shkreta  ndërkohë kishte dalë nga burgu. Një t’a marrë me veturë e drejtë e në tribunën festive: Sa “prekëse” skena ku përkrah komandantit internacionalist ishte e reja e nacionalistit të përkushtuar, Isa Buletinit. Ironí dhe njëkohësisht komedí e fatit! Dhe Adileja ishte e detyruar të interpretonte përgjatë asaj farse se përndryshe i a zhduknin nga faqja e dheut dy djemt’e saj, paçka se ishin nipat e Isa Buletinit!

E kështu, avash avash, atje ku qe ngritur në Tiranë tribuna e 28 nëntorit u ngrit shtatorja e Leninit, e njeriut me mëndje djallëzore, idetë e të cilit të zbatuara tërhoqën mbi vëndin tonë mallkimin  e qiejve për gati gjysmë shekulli! Nuk mjaftoi me kaq. Karshi Leninit, më vonë u vu shtatorja e Stalinit si për t’u thurur lavdi mëndjes perverse si edhe krahut mizor.

Kësisoji vitet kalonin dhe internacionalizmi i zbehu aq shumë sakrificat e bëra nga patriotët rilindas deri sa u arrit në ditën tejet të shquar të 28 nëntorit 1912-ës sa që, për 28 nëntor, fëmijët e kopshteve çonin nga një kurorë në një  përmendore të ndonjë shkolle të harruar që mbante emrin e Ismail Qemalit

I erdhi tani edhe rradha analizës.

Për fat të keq, pikërisht në prag përvjetorësh të ngritjes së flamurit në Vlorë, na takon të pohojmë se si Shqipòëria e gjithashtu edhe Kosova vazhdojn’ e ndodhen në udhëkryqe serioze! Prandaj më shumë se përkujtim, duhet bërë analizë dhe të nxirren detyra për zbatim.

Kalimi nga regjimi diktarorial komunist në demokraci, e ballafaqoi menjëherë shtetin shqiptar me difektet serioze që paraqiste kalimi i ekonomisë së dështuar socialiste në formën e re të ekonomisë së konkurrencës së lirë. Gjithashtu edhe administrata shtetërore , që duhej ngritur nga e para, u pa se paraqiste probleme shumë të kompikuara. E këtyre problemeve sa politike e po aq edhe teknike, u shtohej edhe një problem, në pamje të parë i padukshëm, por ndoshta edhe më seriozi: shqiptari nuk ishte më ai i përshkruari nga poetët rilindas tanë ku normat e moralit edhe të etikës i mëkoheshin  fëmijës që me gjiun e nënës! Shqiptari tashmë ishte “njeriu i ri”, krijesë komuniste e Enver Hoxhës. Dhe kjo krijesë përbën brezat e atyre që u lindën dhe u rritën të pa fé! Njeriu, si edhe të gjitha krijesat e tjera , është vërtetë pjellë e mjedisit rrethues, por normat e moralit si edhe edukatën e virtyteve duhet t’ia edukosh e bashkë me to, dora dorës fatkeqësisht mësohen nga ai edhe veset. Kur shoqëria shqiptare e para vitit 1944, në themel të saj kishte edukatën morale, (për të cilën merreshin klasa edhe jepej provim ),dhe edukata lidhur me moralin e përgjithshëm kishte  edhe dy përbërësit e saj, njërin kombëtar e tjetrin fetar, (pavarësisht bga përkatësia fetare) ishin virtytet që sundonin e veset ndrydheshin nga virtytet. Për fat të keq tonin si komb, gjatë gati gjysmë shekulli, internacionalizmit i u vu kurora me dafina kurse nacionalistët vareshin e vriteshin si tradhëtarë! Besa dhe fjala e dhënë edhe këto quheshin tradhëtí, kurse  lavdí u thureshin informatorëve që pikërisht, me që të prisnin në besë, hymnizoheshin! E ku qe strumbullari i këtyre përdhosjeve? Dhuna dhe shfarosja e ushtruar ndaj klerikëve si edhe ndaj njerëzve më të ndershëm e të besës që përbënin ajkën e kombit tonë. Këto t’ashtuquajtura  suksese  të pushtetit  të vetëquajtur popullor si edhe arritja  që të vetëshpallemi i pari shtet ateist në botë të lidhura domosdo me degjenerimin moral që u kultivua  gjatë këtyre dekadave, si rezultat nuk kish se ç’të arrinte tjetër veç përballjes që po përjeton vëndi ynë sot.

Por e keqja nuk mbaron me kaq për kombin tonë. Në mënyrë këmbëngulëse serbët ndoqën që gjatë luftës antifashiste planin e paracaktuar të paraqitur që në vitin 1945 nga Qubrilloviqi famëkeq. Me një fjalë, synimi i tyre qe që në një të ardhme jo të largët, edhe sërbët t’a bënin Kosovën  siç e bënë grekët Ҫamërinë! Prandaj sa kohë që në fushën politike do të udhëheqin “Jolly” (xhole që si Fatos Nano herë e quajnë diktatorin baba, herë i thonë Millosheviçit se sipas tyre nuk ekziston problemi Kosovë e nga ana ekonomike ia nënshtrojnë vëndin dhe financat e tij Greqisë, Shqipëria do të vazhdojë të jetë pré e shushujzave! Është logjike se sa kohë që në postin e kryeministrit të vazhdojë e të jetë ai rajá i bindur i diktatorit që si përfaqësues tipik i njeriut të ri socialist pa shtyllë kurrizore,, dhe i plazmuar me duart e veta  nga diktatori dje shoqja Nexhmije, çdo gjë do vazhdoj’ e të bëhet kundër interesave kombëtare e veç për interesat të tijat, duke filluar që nga shitja e armëve, (me rezultat përfitime marramendëse personale), në Kosovën e përflakur e deri tek dorëzimi aq pa kushte grekut tinzar sa që ka pranuar, sipas ministres së Arsimit të Greqisë, që edhe tekstet e historisë lidhur me marrëdhëniet që nga lashtësia e shekujve mes grekëve dhe shqiptarëve … t’i trajtojnë historianë helladhas!

Dhe kulmi arrin kur ua përplas pohimin e tij  shovinist  presidentit grek si presidentit tonë e me të gjithashtu edhe kryeministrit si edhe mbarë shqiptarve në mes të Tiranës, tek thotë publikisht se nuk ekziston problemi çam! (?) e burrat tonë të shtetit heshtin! Domosdo, heshtin diplomatikisht. Sepse ushtaraku president e mendon veten duke fryrë gjoksin e duke i thënë kolegut grek: guxo e përsërite edhe një herë!  Kurse kryeministri. personifikimi i i nderit dhe i moralit, mendon me vete: si ma bëre këtë punë more matuf që ma vështirëson shtrimin e qylymit të kuq pasardhësit tënd!

                E kësisoji, për t’a stigmatizuar gjëndjen e mjerueshme ku e ka katandisur Shqipërinë Nanua me gjithë shpurën e tij kujtojmë se si në Argolisin e vjetër vëndin e terrorizonte Hydra, pjella e përbindëshme e Echidnës dhe Typhonit. Pamja e saj ishte gjysmë grua e gjysmë gjarpër me nëntë koka gjarpëri në shtat dhe ish e pavdekëshme se një kokë i pritej dhe dy i mbinin. Por i erdhi edhe  dita fatale Hydrës së tmerrshme: Herakliti ia priste kokët një e nga një  dhe Iolausi  me pishtar ia digjte plagët derisa Hydra e tmerrshme u plandos edhe rá. Ky qe shpëtimi i Argolisit.

Kështu edhe Shqipëria. Po nuk u bë populli Heraklit dhe vota e tij Iolaus, kot i vihet qark problemit me thirrjen t’i priten tentakulat Hydrës. Jo zotërinj, ky veprim  jo që nuk e shëron gjëndjen por vetëm në gjum’ e vë popullin. Hydrës i duhet hequr koka! Po iu hoqën koka fatose  me gjithë kokat rrethuese Hydrës, vetëm atëhere do t’i thahen edhe tentakulat thithëse përbindëshit korrupsion. Në mos, ditët do të rrjedhin, koha do të kalojë, 28 nëntorët së rishmi gjithënjë më kokulur do t’ua lenë vëndin më të rinjëve që sa vjen  e do të veniten nga shkëlqimet e ditëve përkujtimore të fantazmës Federatës Jugosllave, dhe populli do të vazhdojë të presë nga udhëheqësit mëshirë, patriotizëm, ndershmërí si edhe … përkujdesje për të. Ky është realiteti i trishtë i Atdheut edhe i fateve të popullit tonë në qoftë se populli vazhdon e tregohet indiferent!

“Një ditë në burgun te shtëpia e Bishqemit në Elbasan, përplasin në tokë një njeri të gjakosur, i cili ishte…”/ Si vdiq nga torturat e Sigurimit, Dr. Shkencave Emin Haxhimusai, i diplomuar në Vjenë?

Shumë familje në Elbasan thuajse janë zhdukur duke mos lënë pasardhës. Në shumicën e rasteve, ato u përndoqën nga komunizmi, u vranë dhe u burgosën duke bërë të pamundur vazhdimësinë. Një fat të ngjashëm pati edhe familja Haxhimusai. Mbesat dhe nipi i vetëm lindën dhe u rritën në internim dhe mundën të shpëtojnë e të rikthehen vetëm sepse bashkëshortja e njërit prej djemve Haxhimusai, kishte të vëllanë dëshmor të luftës. Por këta fëmijë gjithë jetën u lanë në hije dhe u persekutuan.

 

Historinë dhe të dhënat për të kaluarën e kësaj familjeje, i ka grumbulluar një studiues i traditës elbasanase, Shpëtim Haxhihyseni. Ai tregon se mbesat e Eminit, Doktorit të Shkencave që hapi të parin laborator të kimisë në vend, sjellin kujtime mjaft të trishtueshme nga ajo kohë.

Një prej tyre, Afërdita, e martuar tek familja Hasekiu, thotë se ata si fëmijë lindën dhe u rritën në internim, ndërsa i ati i vdiq shpejt. Një vajzë e Agimit, njërit prej vëllezërve Haxhimusai, u martua tek familja Bakalli, ndërsa Hedija nuk u martua. Kurse djali i vetëm është larguar emigrant dhe tashmë jeton në Greqi.

Shpëtimi, duke mbledhur të dhëna për këtë familje, sjell edhe historinë e plotë sesi u përndoqën, u vranë dhe tashmë nuk kanë gjurmë vazhdimësie Haxhimusait, të njohur si nacionalistë, por që patën të njëjtin fund, megjithëse Emini la Vjenën për të kontribuar për vendin e tij.

Historia e familjes

“Në rrugicën pa krye përballë godinës dykatëshe të Bahollëve (ish-dispanseria) jetonte një familje e thjeshtë tipike elbasanase, familja e Xhaferr Haxhimusait. Xhaferri pati katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë.

Djemtë ishin; Ymeri, Emini, Qamili. Vajza, Fatimeja u martua me Hysen Strugun. Pas vdekjes së babait, Ymeri ushtroi tregtinë, ndërsa Emini dhe Qamili, ndjekin shkollat. Emin Haxhimusai u lind në vitin 1905. Qysh në fëmijëri spikati tek ai zelli për mësim dhe u shqua ndër moshatarët për intelektin e tij.

Me kujdesin e vëllait të madh, Ymerit, ai u dërgua në Austri për të vazhduar studimet e mesme dhe të larta. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Vjenë për inxhinieri kimike, në tre vitet që pasuan, bëri doktoraturën në Linz të Austrisë. Fitoi titullin Doktor në shkencat kimike dhe ishte ndër të parët shqiptarë me këtë titull.

Nuk e pranoi ofertën që iu bë për të punuar si asistent i profesorit të tij në laboratorin e akademisë, por vendosi të kthehej në Shqipëri. Dhe, me t’u kthyer në atdhe, qëndroi në Tiranë, duke u caktuar epror dhe themelues i të parit laborator kimik kombëtar.

Vlerësohej si njohës i thellë në shumë çështje teorike dhe në veçanti për aftësitë në procedimin e praktikave eksperimentale. Ra shpejt në sy kultura e gjithanshme perëndimore dhe shpejt u ndodh pranë figurave të mëdha elitare si doktor Bilal Golemi.

Pushtimi fashist

Në ditët e pushtimit fashist, Emini spikati dhe u bë i njohur si nacionalist i vërtetë, si antifashist dhe si antikomunist i vendosur. Rreshtohet në radhët e organizatës ‘Balli Kombëtar’, duke pasur edhe funksione të larta drejtuese. Ishte shok e koleg, mik në ideale me Mit’hat Frashërin, Lef Nosin dhe Et’hem Haxhiademin.

Gjatë luftës organizoi dhe gjallëroi “Ballin Kombëtar” për qarkun e Elbasanit, duke bashkëpunuar me Lef Nosin, Alush Lleshanakun e Osman Doracin, për “Frontin e Rezistencës”. Nga fundi i periudhës së luftës gjendet në Shkodër, për t’u larguar nga Shqipëria me Mit’hat Frashërin dhe Lef Nosin.

Por kthehet përsëri për të marrë shënimet e një punimi të tij shkencor, me qëllim që ta botonte jashtë në emigrim. Pikërisht atëherë rruga mbyllet dhe ai mbetet në Shqipëri.

Vitet e para të pas luftës

Gjatë viteve të luftës me kushërirën e parë të tij, Shegush Haxhimusain, (e shoqja e Petrit Hakanit, ish-gjeneral-major), debatojnë të dy në shtëpinë e tij për gati dy orë. Ajo i propozon të kalojë me Lëvizjen, ndërsa ai e kundërshton, duke i thënë se; komunizmin e njoh më mirë se ti. Pas pushkatimit të Lef Nosit, Emini lë Elbasanin dhe shkon e strehohet tek disa miq të tij, në fshatin Dorëz të Librazhdit.

Forcat e Sigurimit të Shtetit bëjnë çmos për të mësuar vendndodhjen e Eminit. Atëherë shtohet dhuna mbi familjen e tij. Vëllanë e madh Ymerin, e internojnë bashkë me familjen e tij, në Berat, ndërsa nënën së bashku me djalin tjetër Qamilin, i internojnë në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, ku i ndrydhnin me dhunë fizike dhe shpirtërore të paparë.

Qamili ishte mësues ‘normalist’ që kishte punuar anekënd Shqipërisë. Ditët kalonin dhe torturat shtoheshin për nënë Hedien dhe Qamilin. Veç një ditë Qamilin e lidhur e marrin nga Tepelena dhe e sjellin në Elbasan. Kjo lojë bëhej që Qamili të bashkëpunonte me Sigurimin e, nëpërmjet fshatarëve të lidhej me Eminin, por ai ishte njeri me karakter të fortë e besnik i idealeve të të vëllait.

Si panë këtë qëndrim, Qamilin e fusin në burg dhe e torturojnë për vdekje. Sipas Osman Doracit: ‘Një ditë në burgun tek shtëpia e Bishqemit, përplasin në tokë një njeri të gjakosur. Ishte Qamili’… Pra, vdiq nga torturat në hetuesi. E zhuritur nga malli për djemtë, një ditë të vitit 1947, Hedia vdiq, mbylli sytë dhe u mbulua në ato dhera të Tepelenës.

Emini qëndroi i strehuar në malësitë e Dorëzit, por Sigurimi Shtetit vepronte dhe më së fundi e mori vesh strehimin e tij. Shumë kurthe u ngritën për ta kapur të gjallë Eminin. Madje, në një rast gjatë orëve të natës, pasi u vendos shtroja e fjetjes për Eminin dhe dy shokët e tij, në mënyrë të rrufeshme Forcat e Ndjekjes ia mbërrijnë dhe në errësirë hidhen mbi shtratin e tij.

U informuan për ta zënë të gjallë, por gabuan. Emini me zgjuarsinë e tij në qetësi ishte çuar e nuk kishte rënë në atë vend, por i veçuar në një kthinë ku mund të largohej, dhe kështu shpëtoi. Në maj të vitit 1947, u vra i rrethuar nga forcat e Sigurimit. Kjo qe viktima e tretë e familjes Haxhimusai.

Ndërkohë, vëllai i madh Ymeri, ishte i detyruar që çdo ditë të paraqitej në Degën e Brendshme. Qëndroi në Berat derisa vdiq më 1967-ën. E shoqja e tij, e motra e Ali Myftiut, më së fundi më 1967-ën vjen në Elbasan, me 4 fëmijët jetimë. Kështu u mbyll historia e kësaj familjeje që u dënua me zhdukje nga komunizmi”

SHQIPNIA DHE  GJERGJ  KASTRIOTI! – Nga Fritz RADOVANI

 

 

GJERGJ KASTRIOTI

(Veper e skulptorit O.Paskali)

 

Gjergj KASTRIOTI – Skenderbeu (1405 – 1468)

Asht Shqiptari ma i mdh i Kombit Shqiptar1 Asht Shqiptari ma i Madh që detyroi Botën me pranue se ka Shqipni dhe se ka edhe Shqiptarë!

Anatole France shkruen per Té: “Lavdia asht një luks tepër i kushtueshëm!”.

Edhe pse me 17 janar 1468 Gjergj Kastrioti mbylli sytë, Shpirti i Tij vazhdoi me jetue në Trojet tona, aty ku dhuna dhe terrori për me zhdukë Fenë Katolike dhe ndjesitë Atdhetare Shqiptare ishin të pashembullta në tokat e pushtueme nga turqit. Për Gjergj Kastriotin u banë shumë studime dhe janë shkrue mjaft libra. Unë nuk do të shkruej këtu bibliografinë e plotë të tyne, por do t’i jap lexuesit vetëm një rreshtim të disa viteve kur fillon dhe si vazhdon shkrimi i mendimeve të tyne per Heroin tonë  Kombtar. T’i  referohemi studjuesit Fan S.Noli.

1480, Dhimiter Frângu, bashkluftar i Kastriotit, asht i pari qё ka lanё tё shkrueme nё latinisht jeten dhe trimnitё e Princit Shqiptarёve, Gjergj Kastriotit.

1584, Jovius, Peshkopi i Noçerёs, në librin “Elogjina” (Elogie), që do të thotë “Lavdërime”, shkruen për portretin e Gjergj Kastriotit, që kishte pa në Galerinë e Arteve në Firence, Itali. Ai e permendë dhe në librin “Komentin” (Commentario).

  1. Zurita, në librin “Analet e Aragonës”, ku permendet traktati i Kastriotit me Alfonsin e V të Aragonës dhe të Napolit, në vitin 1451.
  2. Sansovinoja, historian i Venedikut, që popullarizoi Historinë e Barletit.
  3. Lavardini, aristokrat nga Vandomi i Francës, perkthyes i Barletit, që i jep përherë të parë Gjergj Kastriotit titullin Mbret. Merr hollёsi nga Franku. Një përkthim i tij anglisht nga Gentieman u botue në 1596 në Londer, Angli.
  4. Summonteja, në “Historia e Napolit” shkruen thanjet e Pantanoja, Piu II dhe Zurita. Kritikon Barletin për pasaktesitë e tija në lidhje me luftimet e Napolit.
  5. Mariana, në “Historia e Spanjës” përmendë betejat e Gjergj Kastriotit.

1644 – 1677. Rinaldi, vazhdues i kardinalit Baronius, përshkruen shkurtime e pjesë burimesh arkivore nga dokumentacionet e Papëve.

  1. Spondanoja, kalvanist francez, i cili përdorë “Analet Kishtare” si fakte. Asht i pari historian kritik i historisë së Gjergj Kastriotit.

1730 – 1733. Muratori, dijetar italian, botoi analistët Simonetta, Kribeli, Sanudo, Kanensius, që i referohen Kastriotit rastësisht.

  1. Biemmi, studjues i Tivarasit, dhe i të gjithë bashkohësëve të vet.
  2. Voltaire, i kushtoi një kapitull Gjergj Kastriotit, në librin e tij “Essai sur les Moeurs des Nations” (Sprovë mbi zakonet e Kombeve), ku shënon dy faktorët bazë të fitoreve të Kastriotit: Shqiptarët vetë, si rracë luftarake dhe karakteri malor i Shqipnisë. Perfundimi i tij asht ky: “Po të kishin kenë perandorët grekë si Gjergj Kastrioti, Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtue”.
  3. Gjeneral Wolfe, (Uolf), “Gjergj Kastrioti shkelqen mjedis gjithë gjenaralëve të vjetër dhe të rijë, në udhëheqjen e një ushtrije të vogël mbrojtëse.”
  4. Sismondi, asht i pari që tregon për qeleshen e shpaten që i dhuroi Papa.
  5. Farlati, dijetar jezuit, që bashkpunoi me Riçeputin në Padova t’ Italisë, kur mblodhën treqind vëllime dorshkrim të historisë së Kishës Ilire. Asht historian eklektik dhe kritik i moderuem. Asht i pari dhe i fundit që ka shkrue Historinë e Kastriotit.
  6. Hammer, historian i vetem që citon burimet turke, persiane dhe arabe.
  7. Grigoreviç, profesor rus, i cili permendë i pari nga burimet sllave se Gjergji ishte mbi 20 vjeç kur e mori sulltan Murati II peng.
  8. Z.I.Gentleman, përkthyes i librit “Skenderbeu i Murit” (Moore) të Historisë së Lavardinit, historia ma e gjatë e shkrueme anglisht.

1853 – 1856. Romanin, kritik i pabesisë së Venedikut kundrejt Kastriotit.

  1. Longfellow, Nenry W., poet amerikan, shkruen poezi per Gj Kastriotin.
  2. Fallmerayer, asht i pari kritik që ka zbulue vitin e saktë të vdekjes sё Gjergj Kastriotit, 1468. Perkrahes i fortё i shkrimeve historike tё Barletit.
  3. Trinchera, asht i pari që botoi nё “Codice Aragenese” disa letra me vlerё të madhe tё Gjergj Kastriotit me Mbretin Ferdinand të Napolit nga arkivat.

1876 – 1918. Jireçeku, asht përforcues i mendimit se Gjergji asht rritë në malet e vendlindjes Shqiptare dhe jo në pallatin e sulltanit Murati II.

  1. Petroviç, boton kuq e zi bibliografitë per Gjergj Kastriotin.
  2. Kayser, zbuloi se Papa Nikolla V e quejti në kohen e tij Gjergj Kastriotin “Luftar i Krishtit” gati dhjetë vjet para Kalikstit III, që e shkruen këte në letren e njohun të tij, me 11 shtator 1457, dokumenta të vetme tё arkivave të Vatikanit.
  3. Tajani, dijetar italo – shqiptar, asht i pari që shkruen për perkrenaren dhe shpaten e Gjergj Kastriotit në Muzeun e Vienës.

1886 – 1891. Pastori, asht studjues i arkivave të Vatikanit, ku zbulon letra dhe disa mendime të dokumentueme per Kastriotin dhe fitoret e Tij.

1887 – 1918. Talloczy, zbulues dhe perforcues dokumentacioni per Kastriotin.

  1. Fermenxhini, zbuloi se mbiemni Kastrioti asht i fshatit me atë emen.

1896 – 1910. Konica Faik, boton disa artikuj frengjisht per Gjergj Kastriotin.

1914 – 1924. Sufflay, Milan von, profesor kroat, i vramë per kontributin e madh që ka dhanë në të gjitha fushat e Historisë së Shqipnisë. Ka pasqyrue sakt jeten qytetare tё  Shqipnisё: “Burgen und Städte” (Kështjella dhe qytete).

1921 – 1947. Fan S.Noli, “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu 1405 – 1468”…

Një nder kryeveprat e Tij per Historinë e Shqipnisë.

1925 – 1929. Giese, dijetar gjerman, gjenё i pari dokumenta turke per ekspeditat e Muratit II dhe tё Mehmetit II kunder Shqiptarёve.

1925 – 1931. Babingeri, dijetar gjerman që tregon mbishkrime të kështjellës së  Elbasanit, nga Mehmeti II nё vitin 1466, ku perforcon Barletin e Tivarasin.

  1. Gegaj, At Athanas, dijetar Shqiptar, që i paraqiti Universitetit të Louvain një disertacion në gjuhen frengjishte, me titull “Shqipnia dhe invadimi turk në shekullin e pesëmbëdhjetë”, i botuem nga ai universitet në vitin 1937. Fan S.Noli shkruen per këtë libër këto fjalë: “Është tregimi më i plotë i heroit që mund të jetë botuar ndonjëherë në çdo gjuhë, plot me informata dhe me materiale të paraqitur mirë.”
  2. At Gjergj Fishta i kushton Gjergj Kastriotit poezinë “Me këte  shej ke me fitue”“IN HOC SIGNO VINCES.” Një nder kryeveprat e At Fishtës.

***

Gjergj Kastrioti asht kenë dhe do t’ jetë Heroi i Përjetshëm i të gjithë Shqiptarëve, kudo kjofshin Ata!

Aq madhshtore asht Epoka e luftave dhe e fitoreve të Tij kundër turqëve, sa asnjë Trim legjendar në Botë nuk asht i përjetsuem në aq shumë shtete të Botës me monumente lavdije sa Shqiptari i Madh i Arbënisë sonё Gjergj Kastrioti – Skenderbeu! Përkrenaria, Parzmoria dhe Shpata e Tij vazhdojnë me shkelqye në të gjitha Enciklopeditë e Botës, në të gjitha Ata Shtete ku nderohet Flamuri Kombtar i yni, ashtu si në çdo votër Shqiptare, kudo kjoftë, që në krye të vendit ka Gjergjin dhe Shqipen Dykrenare të Kastriotit, mbi shtrojen e gjakosun ndër shekuj per Liri.

“Ata” që sot kërkojnë me përlye Figurën e Gjergj Kastritot për motive fetare, lè të vazhdojnë me ecë të zbathun në ranë mbas deves… Ashtu siç ecen tradhëtarët e shekullit XX ndër asfaltët e Tiranёs sё zharitun si pasues tё denjё tё Haxhi Qamilit, Ever Hoxhës dhe tradhëtarve tjerë të “Rilindjes komuniste”. Historia do të përsëritet prap për të gjithë “ata” që ecin në gjurmët e tradhëtarëve të Atdheut!

Shqiptarë, bashkonju rreth Flamurit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, dhe të gjithë bashkë mbas gjurmëve të Shejtes Nanë Tereza, pa hezitue marrshoni drejtë:

PAQES dhe DEMOKRACISË së VERTETË të “BASHKIMIT EUROPJAN PERPARIMTARË”!

Melbourne, 25 Prill 2026.

“HISTORI TË PASHKRUARA” – NDËRROI JETË ELENA GJIKA MERLIKA- Nga MËRGIM KORҪA

 

Që më pesë tetor zemra e kësaj gruaje të madhe pushoi së rrahuri. Elena Merlika ndërroi jetë dhe u varros përkatësisht në Latina (Itali), atje ku edhe banonte që prej dhjetë vitesh, por la një amanet: kur t’i vinte dita të shoqit,që edhe ai t’i nënshtrohej  ligjit që nuk  njeh as pushtet e as pasuri, t’i merrnin të dy e t’i çonin  të preheshin atje, në Krujën e largët, në këmbët e Sarisalltëkut madhështor.

Për ata që nuk e kanë njohur të ndjerën Elenë nga afër, në kampet e mallkuara të internimit të periudhës diktatoriale, këto rradhë nuk kanë shumë se ç’të thonë, vetëm se t’u rikujtojnë dhimbjet edhe vuajtjet e një periudhe të hidhur të jetës së tyre e domosdo t’ua rikujtojnë Elenën e ndjerë ashtu të papërkulur siç qe, mëshirëmadhe të skajëshme, por edhe mbështetje morale të pashëmbulltë siç e kish ndërtuar Zoti vetë!. Ndër këta  bshkëvuajtës me të, domosdo shquhen dy kategori: ata që e nohën atë që nga kampi famëkeq i Tepelenës e që ishin bashkë me Elenën viktimat e para të regjimit komunist, goditjet e të cilit ranë mbi familjet e atyre që konsideroheshin kundërshtarët më të rrezikshëm të pushtetit t’ashtuquajtur popullor si edhe kategoria e dytë që përbëhet edhe kjo nga familje të akuzuarish si armiq të pushtetit, me një ndryshim të vogël: dora dorës erdhën duke u shtuar me viktimat e përndjekura me të cilat diktatura po popullonte kampet, edhe pinjojt e atyre që dikur ishin persekutorët e së ndjerës Elenë me shokë e mbi të cilat pastaj erdhi dhe ra spata e diktaturës që ata vetë e kishin mprehur! E pikërisht këtu qëndron edhe madhështa e Elenës së ndjerë të cilën të dy kategoritë e të persekutuarve e kujtojnë me respekt dhe dashuri: Ajo të gjithë i deshi njëlloj e të gjithëve u dha shëmbullin se si të qëndronin e të mos përkuleshin! Ajo i deshi si ata që së bashku me të e filluan Kalvarin në Tepelenë  e gjithashtu më vonë edhe të tjerët që, kur ajo rropatesh pyjeve të Tepelenës e ngarkuar si mushkë, i shijonin të mirat e pushtetit në Tiranë. I kish vërte për zemër të parët, por dijti t’i mëshirojë edhe të dytët, e kur i a vinin veshin, asnjërën palë nuk e la të rrëzohej e po ashtu që të dyjave bashkë  ua vinte krahun të ngriheshin e mos të hiqeshin zvarrë, po të bënte vaki të rrëzoheshin.

Secili që e njohu Elenën e ndjerë  e kujton për shum’e shumë gjëra, por veçanërishtpër tri më të shquarat e saj: papërkulshmërinë e saj të pashëmbulltë, humanizmin e saj të skajshëm si dhe shpitin e saj kristian.

Vijmë tashti tek ata që as e kanë njohur e as ia kanë dëgjuar emrin e Elena Merlikës më parë, e ndeshen me të vetëm sot, nga titulli i këtyre rradhëve, E ndjera rridhte nga një familje e nderuar arbëreshe, nga Gjikajt e Shtikës së Kolonjës, I ati qe publiçisti i mirënjohur Sotir Gjika, drejtor i gazetës Kuvendi që botohej në Romë dhe mik i Luigj Gurakuqit, Mustafa Merlikës, Stavro Vinjaut, Gjovalin Kamsit, etj.

Elena u diplomua në universitetin e Napolit me rezultatin 30 me lavdërim, ku tezën e saj të diplomës e botoi akademia italiane e Shkencave, nder ky që rrallë herë i takonte një të diplomuari. Aq është e vërtetë sa që albanologu me famë botërore, Prof. Gaetano Petrotta, ngulte këmbë t’a mbante  asistente në katedër. Mirëpo dashuria për ndaj atdheut të të parëve të saj, e mëkuar tek ajo nga prindët, leximi dhe mësimi përmendësh nga ana e saj e vargjeve të ngjizura me një frymë patriotike si edhe artistike të rrallë nga De Rada, Serembeja e Skiroi me shokë, si dhe ndikimi i gjithë rrethit të miqve arbëreshë, kishin krijuar kushtet që Elena Gjikën e re, atë … rrush pakëz kalangủr e që dheut tënë i kishte hije … vetëm një dorë shqiptari mund t’a këpuste e t’a bëntë të tijin! E kështu edhe ngjau. Petrit Merlika, i biri i Mustafa Merlikës, një inxhinjer i porsadiplomuar në Univeritetin me famë të Grenoblit,  ish ai shqiptar që e mori për grua Elenën e re dhe lidhën fatet e tyre për jetë. Me këtë rast do të ve në dukje se Prof. Gaetano Petrotta, jo vetëm që nuk u mërzit që nxënësja e tij e shquar Elena Gjika po e braktiste katedrën akademike për t’u martuar me një pinjoll shqiptar, por u shpreh atëbotë:

Përkohësisht po humbasim një studjuese potenciale, por jam i bindur se duke qëndruar pranë të vjehrrit, duke përfituar prej tij e duke e çuar edhe më përpara punën e tij në lëmë të shqipes, Elena  do ti vlejë akoma më shumë se sa Mustafa Merlika gjuhës shqipe, gjuhës s’onë amtare!”

                Kësisoji mendohej, siç mendonte  dhe uronte edhe profesori për Elenëne ndjerë , dhe nuk kish përse ajo e shkreta të mos e gëzonte jetën familjare si të gjitha vajzat e kësaj bote e pastaj të bëhej edhe e shquar në shkencën gjuhësore. Pse jo?Lidhur me këto, një fakt kuptimplotë që s’është tjetër veçse dëshmi e vlerave të saj. Kur i arrestuan të shoqin, i drejtohet Elena Prof. Aleksandër Xhuvanit duke i kërkuar t’a punësonte pranë Bibliotekës Kombëtare dhe ai  iu përgjgj: Në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatëshëm, por … por rrudhja e krahëve të gjuhëtarit të shquar tregonte se sa e vlerësonte diktatura pasurinë intelektuale që dispononte. Mirëpo Ai që njerëzve u cakton detyra në jetë i ve edhe para provash të vështira, ndryshe mendonte për Elenën e re. I kish dhënë asaj shumë virtyte në fushën e shkencës, vërtet.Por duke mos ia dhënë  mundësinë t’i shfrytëzonte ajo ato virtyte, Zoti e vuri në provën e madhe të dëshprimit. E Elena e kaloi atë provë pa u thyer e pa u dorëzuar kurrë, sikur të kishte qënë një malësore e pashkolluar që, ngarkesën e druve mbi kurriz tek zbriste shtigjeve pyjore të Tepelenës nën sqotën e shiut, t’a kishte pjesë të edukatës së saj që në fëmijëri. Në ato rrethana ajo kurrë nuk kujtonte auditoret universitare për të cilat ishte e prerë, por mendonte si e si t’i mbante ngarkesat e druve pa u përkulur e me shtatin drejtë që të mos ishin gardianët që t’a thyenin atë e bashkë me të edhe vullnetin e saj, por t’ish ajo që t’i mposhte ata! Dhe kështu ngjau. Nuk e thyen dot kurrë. Në një rast, rrasa e gurit të cilën e kish mbajtur në kurriz për katër orë, u peshua dhe rezultoi se peshonte 64 kg! Patër Gardini, prifti italian i cili vuajti kampeve të internimit, mbasi u riatdhesua, Elena Merlikën nuk rreshte së përmënduri  si heroinë e atyre kampeve që për nga egërsia dhe vuajtjet s’kishin shëmbull të dytë.

Dy fjalë tashti drejtuar familjarëve të saj, të cilët sikur i kam para sysh dhe më thonë … të gjtha që shkrove e i lexuam dhe nuk kemi asnjë kundërstim, Po në qoftë se hipotetikisht do të mund të ktheshim 60 vite mbrapa, a do t’ia vlente që Elena e jonë e ndjerë t’a jetonte edhe njëherë jetën që jetoi? E unë i u përgjigjem.po! Pa as më të voglën mëdyshje po! Zoti të gjithë në jetë i ve në provë. Elenën e shkretë e vuri para një prove skajshmërisht të vështirë dhe tejet të gjatë. Dhe ajo i qëndroi në nënyrë shëmbullore! Ajo nderoi Gjikët prej të cilëve rrodhi e nderoi edhe Merlikët me të cilët u lidh deri në vdekje! Ajo kish precedentin e Elena Gjikës së vjetër, pararendëse e Elena Gjika Merlikës, heroinës së kampeve të çfarosjes komuniste! E bashkë me ju, t’a dini mirëfilli , Elenën sot e qajnë  veç njerëzve tuaj të dashur edhe të gjithë ata që vuajtën me të e në të shihnin simbolin e qëndresës, dashurisë njerëzore, edhe mëshirës kristiane!E të gjithë bashkë lutemi për të. Ndonëse në këtë hulli, asgjë nuk më tingëllon më e goditur se maksima e lënë nga i madhi Baba Rexheb:

Për shpirtërat e njerëzve të mirë unë lutem shumë pak. Nuk ka nevojë të lutemi shumë për ta se Zoti i madh i ka vetë në mëndje dhe u jep amshimin”

                Ky pohim si edhe krenaria e ligjëshme që duhet të ndjeni për Elenën e ndjerë duhet t’ju mbajmë të fortë që t’a përballoni humbjen e Saj.

+

Krimi i organizuar në komunizëm- Zbulimi i fortë i pedagoges nga SHBA: Si u lidh Sigurimi i Shtetit me mafian italiane me miratim të Enver Hoxhës

Memorie.al / “Shkodimi i krimit shqiptar”. Ky është titulli i librit të pedagoges së Universitetit të Kalifornisë në SHBA-ës, Jana Arsovska, e cila ka hetuar për disa vite mbi mafien shqiptare nëpër botë. Libri që është një botim i muajit maj 2015, ka bërë bujë në SHBA-ës dhe në vende të tjera, ndërsa në Shqipëri nuk është thënë asnjë fjalë. Në këtë libër autorja e ka studiuar krimin e organizuar shqiptar që nga fillesat e tij, në kohën e komunizmit dhe deti në ditët tona. Autorja që është profesore në Universitetin e Kalifornisë, e ka bazuar librin e saj në studime të ndryshme, intervista dhe raporte nga shërbimet sekrete të vendeve të huaja dhe disa raporte të OKB-së, në lidhje me droga dhe organizatat kriminale që janë në botë.

Është e rëndësishme të dihet se rrjetet kriminale pre-ekzistuese, njohuritë e posaçme, dhe aksesi në zhvillimin e veprimtarive kriminale janë faktorë të rëndësishëm mundësish që shpjegojnë, pjesërisht, rritjen e krimit të organizuar shqiptar pas rënies së komunizmit më 1991. Sikurse shumica e vendeve post-komuniste, Shqipëria qe shtëpi e një rrjeti të gjerë njerëzish të cilët në të kaluarën kishin punuar për shërbimet ushtarake kombëtare, shërbimet sekrete, apo për policinë.

Në fakt, shërbimet e brendshme sekrete dhe policore ishin një pjesë kyçe e regjimit komunisto-absolutist. Sipas raportit të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimet (UNODC) për 2008-ën, Policia e Shtetit në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit ka vepruar gjerësisht mbi ligjin. Dhe me kalimin e kohës, vepruesit e nëndheshëm dhe shërbimet e sigurisë në rajon i bashkuan forcat për krijimin e një aparati të gjerë informativ.

Agjencisë e sigurimit të periudhës komuniste gjithashtu zakonisht ndërvepronin me kriminelë profesionistë, përfshi edhe shumë prej tyre që ndodheshin në Evropën Perëndimore, të cilët jo formalisht përdoreshin si informatorë apo veprimtarë (Leman and Janssens 2006).

Sipas raporteve të policisë, këta njerëz përdoreshin për një larmi detyrash të sigurisë shtetërore, si kontrabandë nafte, armësh dhe drogërash dhe për të vrarë disidentët e larguar nga vendi. Në Serbi, për shembull, gjërat shkuan aq keq sa që Klani i Zemunit, një prej grupeve kryesore të kontrollit të drogës në vend, ishte kryesisht e bashkuar me JSO-në – një njësi elitare e operacioneve speciale – dhe kishte artilerinë e saj, mjete të blinduara dhe helikopterë (Samuels 2010).

Toleranca e shtetit

Në Shqipëri, disa veprimtari të krimit të organizuar, gjithashtu të papërcaktuara si të tilla, toleroheshin nga shteti edhe gjatë kohës së komunizmit, sepse ato gjeneronin fitime extra për shtetin, plotësonin kërkesat e konsumatorëve që nuk garantoheshin dot nga ekonomia zyrtare dhe ndihmonin në destabilizimin e shoqërive kapitaliste. Shërbimet e sigurisë së brendshme shpeshherë merrnin pjesë në veprimtari të tilla të paligjshme.

Për shembull, edhe pse nuk është e dokumentuar mirë, duket se ekzistonin marrëdhënie ndërmjet Shërbimit Sekret Shqiptar, Sigurimit dhe krimit të organizuar (Leman and Janssens 2006; CSD 2004). Një raport konfidencial i inteligjencës i përgatitur nga një oficer ndërlidhjeje më 2008-n tregon se, duke nisur që nga vitet ’60-të, shteti komunist shqiptar bëri marrëveshje të fshehta me disa organizata kriminale italiane, duke iu lejuar atyre që të futnin cigare kontrabandë në territorin shqiptar.

Raporti i inteligjencës tregon se më 1966, Shqipëria iu mundësoi kriminelëve italianë rrugë shpëtimi nëpërmjet Detit Adriatik. Gjithashtu mafiozëve italianë iu lejohej të përdornin aeroportet shqiptare, ku ata magazinonin cigaret kontrabandë. Marrëveshja ndërmjet Sigurimit dhe organizatave kriminale italiane u miratua nga Byroja Politike dhe nga diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje në Shqipëri u krijua një njësi speciale, e quajtur “101K”. E vendosur në fshatin Rrushbull, pesë kilometra larg portit të Durrësit, njësia përbëhej nga oficerë të policisë kufitare shqiptare. 101K-ja ruante anijet plot me cigare që niseshin nga Durrësi, si dhe mbikëqyrte depot e cigareve që ndodheshin në Rrushbull.

Sipas raportit, vetëm gjatë një viti të vetëm nga fundi i viteve ’60, mafia italiane i pagoi 22 milionë dollarë të thata shtetit shqiptar. Paratë shkuan në buxhetin e shtetit dhe disa prej tyre përfunduan në buxhetin e ministrisë së Brendshme. Në fakt, raporti bën të ditur se helikopterët Alouette që vazhdojnë të përdoren në Shqipëri edhe sot u blenë në vitet ’80 me paratë e mafies italiane. Bazuar te raporti i inteligjencës belge, duket se një tjetër veprimtari kriminale në Shqipëri ishte kultivimi i “Papaver somniferum”, bima e lulëkuqes nga e cila nxirret opiumi dhe shumë opiate të tjera të rafinuara. Pasi fermerët e mblidhnin opiumin, ai i dorëzohej shtetit komunist, i cili raportonte se droga do të përdorej për qëllime mjekësore, por raportet e brendshme bënin me dije se sasia e opiumit të kultivuar e tejkalonte ndjeshëm nevojat legjitime mjekësore të popullit shqiptar. Dëshmitarët raportojnë se prodhimi kishte qëllime eksporti për vendet e tjera, dhe raporti investigues belg se pretendon se udhëheqja komuniste argumentoi se duhej përdorur “për të helmuar shoqëritë kapitaliste, në mënyrë që komunizmi të triumfonte”.

Gjithashtu edhe disa lloje të tjera të krimit të organizuar lulëzuan në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Për shembull, njerëz me lidhje të strukturuara krijuan një sistem paralel për furnizimin me ushqime, të cilat qenë të pakta në atë kohë, duke e çuar nga dyqanet te konsumatorët me çmime shumë më të larta. Bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm – prodhues, shoferë, menaxherë shitjesh, dyqane lokale, klientë, e kështu me radhë, – ishte i nevojshëm për të krijuar një sistem të tillë të shpërndarjes ushqimore. Memorie.al

Nga bashkëpunëtor i Mehmet Shehut te dënimi me vdekje- Robert Aliaj: Dy vdekjet e babait tim! E çuan te Mali me Gropa për ta pushkatuar, si shpëtoi im atë në minutën e fundit

ROBERT ALIAJ

Ndërkohë që ishte dorëzuar në përqafimin e pashmangshëm të vdekjes, një fener ia ndërpreu mjegullën e dëshpërimit, e shkëputi nga nofullat e saj. Më thirrën në zyrën e komandantit në mëngjes rreth orës tetë. Dielli sapo po shfaqej dhe ajri ende ishte i ftohtë.

“Kemi një mision për ty. Duhet të shkosh në Tiranë” , tha komandanti me një të zymtë.

“Menjëherë.”
“Pse?”
“Do ta mësosh kur të arrish.”

Kjo ishte gjithçka. Asnjë shpjegim tjetër. Një ushtar nuk pyet shumë. Merr urdhrin dhe e zbaton. Por diçka në mënyrën se si e tha, në atë heshtje pas fjalëve, më bëri të dyshoj se kjo nuk ishte diçka e zakonshme.

Unë, ushtari i ri, që kisha përballuar të qëndroja në buzë të greminës së një humnere të thellë psikologjike pa m’u dridhur syri, lajmin për vdekjen e tim ati dhe peshën e humbjes që ra mbi mua, e përjetova si një goditje që më zhveshi nga dobësitë që i kisha fshehur deri në atë moment me kujdes prej kohësh, si një peshë pikëllimi që çau armaturën time emocionale, si një humbjeje kolosale e pakapërcyeshme, duke më hedhur në vorbullën e boshllëkut dërrmues që do të linte pas mungesa e tij.

Deri tek dera e jashtme e repartit më shoqëruan Nik, shoku im i ngushte dhe një ushtar mirditor nga Kuçi, Agustini i cili më lutej me përgjërime që të kërkoja nga komanda të më autorizonte ta merrja me vete të më shoqëronte deri në Rubik, sepse donte të shikonte trenin. Nuk kishe parë asnjëherë tren më parë.

Treni ishte i ngadaltë.

Isha ulur pranë dritares. Shikoja jashtë njerëz që punonin në ara. Jetë që vazhdonin sikur asgjë nuk kishte ndryshuar.

Por për mua diçka kishte ndryshuar. E ndjeja edhe pa ma thënë askush, e dija.

Im atë kishte vdekur. Kishte kohë që vuante, kjo ishte arsyeja. Nuk kishte arsye tjetër për të më thirrur kaq papritur. Për të më dërguar në shtëpi pa shpjegim.

Isha përpjekur të imagjinoja se si kishte ndodhur. A kishte qenë në gjumë? A kishte vuajtur? A do kishte pasur kohë të mendonte për diçka para se të mbaronte? Pyetje që nuk kishin përgjigje. Në stacionin e Tiranës më priti Joti, vëllai tek dera e jashtme e stacionit të trenit. E pashë nga larg. Qëndronte i mbështetur pranë derës duke pritur. Fytyra e tij nuk tregonte asgjë. Por trupi i tij, mënyra se si qëndronte thoshte gjithçka. U afrova. Ai më përqafoi pa asnjë emocion, me shtrëngonte duart i qetë duke më parë në sy dhe më tha: “Të pastë lënë uratën, babai ndërroi jetë, iku, shpëtoi”

1

“Kishte muaj që vuante. Ti duhet të jesh i fortë.

Për Momin,
Për motrat.

“Të gjithë të presin ty dhe do të jetë një moment i vështirë nëse nuk tregohesh burrë”.

Të jesh i fortë, dinjitoz.

Kjo është ajo që më kishte kërkuar im atë, gjithmonë.

Si mund të vendosësh të jesh i fortë dhe gjithsesi ajo gjë të ndodhë?

Por çfarë do të thotë të jesh i fortë?

Të mos qash?

Të mos tregosh se po vuan?

Të mbash gjithçka brenda derisa të shpërthesh në mënyra që nuk mund ta kontrollosh?

Nuk thashë asgjë.

Thjesht tunda kokën. Sepse çfarë mund të thosha? Më pas nuk mbaj mënd më asgjë çfarë thamë derisa u futëm në mëhallë. Kur isha fëmijë babai ishte gjithmonë afër meje. Pa fjalë. Por pranë, prani që e merrje si të mirëqenë. Tani nuk do të ishte më. Dhe kjo mungesë. Kjo mungesë, do të zbrazte çdo vend ku ai kishte qenë. Im vëlla fliste për gjërat praktike. Për atë që duhej bërë. Për njerëzit që do të vinin. Për ceremoninë. Por unë nuk dëgjoja vërtet. Në momentin që u shfaqa në derën e hapur, vështrimi i të gjithëve u ngulit mbi mua sikur kërkonin ngushëllim. Momi ishte në cep. E vogël. E kërrusur dhe e veshur me të zeza. Kur më pa, i lëvizi e gjithë qenia e saj. U shqetësua për pak momente, pastaj u ngrit. Edhe ajo po bën atë që thamë. Të fortën. Po mban veten sepse kjo është ajo që pritet. Motrat ishin të ulura rreth trupit të babait. Të heshtura, dukeshin sikur kishin qarë për ditë të tëra. Edhe në sytë e tyre kuptohej lutja e heshtur për dinjitet. Në atë grackë emocionale, u përpoqa të sistemoja rrëmujën brenda meje, për të zbutur përroin e pikëllimit që kërcënonte të derdhej. Atje, në mes të këtij kongregacioni solemn ishte shtrirë babai im, një figurë e qetë stoike mes një deti me lule. Dukej i qetë. Akoma më i qetë se sa e mbaja mënd. Si të kishte gjetur më në fund diçka që e kishte kërkuar për kohë të gjatë. Kjo është vdekja. Jo dramat që shohim në filma me skena madhështore. Thjesht pushim. Fund i dhimbjes. Fund i luftës që kishte bërë me trupin dhe mendjen që nuk i funksiononin më.

U afrova. Qëndrova pranë duke i përkëdhelur ballin e ftohtë.

Askush përreth nuk fliste. Ndoshta flisnin me zë aq të ulët sa unë nuk dëgjoja gjë. Në atë heshtje kisha filluar të mendoja për gjërat që nuk i kisha thënë kurrë. Për biseda që nuk i kishim pasur kurrë. Për pyetje që nuk i kisha bërë asnjëherë.

Pse baba nuk folëm më shumë? Pse u mjaftuam me heshtjen?

Pse besuam se do të kishim kohë më vonë?

2

Tani koha kishte mbaruar. Dhe gjithçka që nuk u tha do të mbetej e pathënë përjetësisht.

Ishin momente ku po mendoja se si marrëdhënia jonë ishte e mbuluar me heshtje, një mungesë prekëse komunikimi që mbeti pus, një pyetje pa përgjigje. Lidhja që kishim ndarë në jetë ishte një fije e brishtë e endur me ndërveprime të rralla dhe e ngarkuar me peshën e ndjenjave të pathëna. Të kuptuarit pikërisht në atë moment se koha kishte mbaruar duke lënë pas një tufë emocionesh të pashprehura ishte një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur. Pesha e atyre fjalëve të pathëna, atyre momenteve të mbetura të paprekura nga dialogu kuptimplotë i munguar, më rëndonin në shpirt.

Boshllëku që la ikja e tij nuk ishte vetëm mungesa e pranisë fizike. Kërkoja vazhdimisht nga vetja të bëja gjithçka për të balancuar peshoren midis pusit të thellë të emocioneve dhe fasadës së dinjitetit. Ishte i vështirë ky akt mashtrimi i pamëshirshëm për të ruajtur ekuilibrin në sytë e tyre. Por përsëri, teksa përballesha me realitetin ndjeja një dikotomi prekëse. Nga njëra anë nevoja për ta përballuar këtë moment të thellë me dinjitet dhe gjakftohtësi, dhe nga ana tjetër, stuhia e trazuar e emocioneve që shpërthenin brenda meje, nevoja për t’u shembur nën peshën e pikëllimit, por duhej ruajtur iluzioni i forcës stoike, për të mos krijuar një situatë akoma më histerike. Kjo nuk ishte hera e parë që babai im kishte vdekur. Kjo ishte e fundit.

Koha kur refuzoi…

Dhe unë i dëshmoj këto ngjarje nga perspektiva e një qelize spermatozoidi që priste fatin e vet të shihte dritën e diellit. Ajo që më erdhi ndërmend në atë moment përballjeje për të fundit herë me tim atë, ishte hera e parë që ai kishte vdekur dhe që duhej t’i kishte lënë një goditje thellësisht traumatike kur mbasi kishte refuzuar të pranonte të bëhej komunist, anëtar i PPSH-së, mbas një kohe gati prej pesë vjetësh që kishte punuar me Mehmet Shehun për organizimin e transformimit të ushtrisë çlirimtare në një formacion ushtarak të organizuar në parametrat e ushtrive aleate të kohës.

Jo. Fjala më e thjeshtë. Dy shkronja, por që në atë kohë në atë vend ishin sa dënimi me vdekje.

Ky refuzim qëlloi fatal.

E arrestuan.

E çuan në Malin me Gropa. Natën. Me të tjerët që do të ekzekutoheshin.

Si ndiheshe duke qëndruar atje, duke pritur plumbat baba?

Duke ditur se minuta të pakta të ndanin nga asgjëja?

A kishe frikë baba? A ishe i qetë?

A kishe pendim për zgjedhjen që kishe bëre?

Apo ishte krenar?

Çfarë ndjenjë e tmerrshme do t’i kishte mbërthyer zemrën për fyti këtij njeriu kur mendonte kohën që shtrihej në përjetësi ndërsa ai vetë qëndronte aty, pa kohë, përballë një toge ekzekutuesish, që formonin një vijë me shkëlqimin e grykave të pushkëve në dritën e hënës diku në Malin me Gropa në vitet ’52? Koha do t’i ishte kthyer në fragmente kujtimesh, ndërsa ndërgjegjja e tij rrëshqiste në harresë.

Por papritur, ndërkohë që ishte dorëzuar në përqafimin e pashmangshëm të vdekjes, kur kishte marrë fund psikologjikisht, një fener ia ndërpreu mjegullën e dëshpërimit, e shkëputi nga nofullat e vdekjes, ishte ndërhyrja në kohë e një miku të tij gjeneral vetëm pak minuta para ekzekutimit, duke i lënë vend luftës për të kuptuar realitetin e mbijetesës së tij.

Krahas lehtësimit, babai duhej të kishte përjetuar dhe ndjenjën e fajit. Do të kishte filluar të shfaqte një lloj vrasje ndërgjegje, një përballje me ndjenjën e padrejtësisë të shkaktuar nga fakti që jeta e tij u kursye, ndërsa të tjerët u ekzekutuan. Si jetove pas kësaj? Si vazhdove? Duke ditur se të tjerët që ishin me ty atë natë vdiqën. Por ti jo. Pa arsye tjetër përveç se dikush të njohu. Se dikush vendosi. Ky ishte faji që ti duhej mbaje gjithë jetën? Faji i mbijetesës? Duke qëndruar pranë arkivolit mendoja për dy vdekjet. Atë që nuk u finalizua. Dhe atë që sapo kishte ndodhur. Ndoshta vdekja e dytë ishte më e lehtë. Sepse kësaj radhe e priste. E dinte se po vinte. Kishte kohë të bënte paqe me të. Apo ndoshta ishte më e vështirë ngaqë kishte më shumë për të lënë. Më shumë vite. Më shumë kujtime. Më shumë njerëz të cilëve do t’u mungonte. Nuk e di. Dhe nuk do ta di kurrë. Gjithçka që di është se ai ishte atje. Tani nuk është më dhe jeta duhet të vazhdojë sikur kjo të jetë normale. Njerëzit kishin filluar të largoheshin dalëngadalë në grupe të vogla. Me fjalë ngushëllimi që tingëllonin bosh. Mbetëm ne, ata që do të jetonim me këtë mungesë çdo ditë. Momi ju ul pranë arkivolit. Vështroi fytyrën e tij për kohë të gjatë. Pastaj tha diçka në një gjuhë të pakuptueshme dhe zë aq të ulët sa askush nuk dëgjoi.

Por unë isha shumë afër dhe e dëgjova.

Duhej të kishte thënë diçka si: “Tani më në fund ti mund të pushosh.”

Kjo ishte. Kjo ishte çfarë kishte qenë jeta e tij. Luftë kundër sëmundjes. Kundër kohës që nuk mjaftonte kurrë.

Dhe tani lufta kishte mbaruar.

Që ndoshta ishte gjëja më e afërt me fitoren.

Natën, kur të gjithë shkuan të flenë unë dola në oborr.

Ishte ftohtë. Kisha një zakon që kërkoja gjithnjë yjet që shkëlqenin sapo dilja.

E kam atë refleks akoma dhe sot.

Isha bërë dikushi që kishte humbur të atin. Që mbante peshën e kësaj humbjeje. Që duhej të mësohej të jetonte me të.

Im vëlla kishte thënë se duhej të isha i fortë. Për të tjerët. Për familjen.

Por kush është i fortë?

Kujt t’i them se nuk ndihem më i fortë?

Se ndihem si fëmijë që ka humbur rrugën dhe nuk e di si të kthehet?

Askujt.

Kjo është përgjigjja. Sepse kjo është mënyra se si funksionon.

Burrat nuk tregojnë dobësi. Burrat janë shkëmbinj ku të tjerët mbështeten.

Por çfarë ndodh kur shkëmbi thërrmohet? Kush e mban atë?

Varrimi u bë të nesërmen dhe gjithçka mbaroi. U ktheva në repart një javë më vonë. Jeta atje vazhdonte sikur asgjë nuk kishte ndodhur.

Kisha humbur prindin, por kisha fituar vetëdijen se jeta nuk pret. Se koha nuk është e pafund.

Ky ishte mësimi që im atë më kishte lënë me boshllëkun që krijoi.

Gjithnjë e mendoj kur më ndodh diçka që ai do ta kishte vlerësuar. Ndjej mungesën konstante. Gjithsesi, vdekja e dytë e babait ishte një kapitull transformues në jetën time. Më kishte maturuar dhe më kishte mbuluar me një mantel përgjegjësie kjo sfidë që kërkonte nga unë të bëhesha burrë. Për mua, pasojat e vdekjes së tij përveçse zi për një figurë të dashur, ishin llogari për t’u dhënë.

(Fragment i shkëputur nga shënimet. Robert Aliaj Dragot)

/Gazeta Panorama

“HISTORI TË PASHKRUARA”- LETËR NJË KOMUNISTI- Nga MËRGIM KORҪA

 

Sterling Heights

                                                                                                                                                     8 maj 2001           

 

I dashur P.

Kryesisht uroj që së bashku me M. kjo letër t’ju gjejë shëndosh e mirë e gjithashtu edhe fëmijët t’i kini mirë familjarisht. Edhe ne, shyqyr Zotit, kemi qenë mirë.Trashëgimtarja e vogël na ka budallepsur të gjithëve dhe është bërë, pa e ditur as vetë, qëndra e gravitetit të shtëpisë. Letërkëmbimi ynë, ç’është e vërteta, po zhvillohet disi me ngulç.

Unë mezi ç’e prisja nga ti, i dashur P., përgjigjen e letrës sime të vitit të kaluar. E prisja atë përgjigje se ajo letër e imja ishte e shkruar me nostalgjinë e viteve tona të rinisë duke i kundruar ato, tashti që vitet tashmë e kanë bërë punën e tyre, dhe ne duam apo jo, hyjmë në radhën e “burrave me moshë të thyer”, apo jo? Ndërkohë morëm me kënaqësi letrën elektronike që na dërgonit ti edhe M. që na uronte si gjyshër e që na e nisi N., e pastaj mora edhe letrën tënde, (shkruar me mjaft mllef), ku komentoje shkrimin tim “Heronj apo Kriminelë” dhe ishe iindinjuar se unë Leninin e quaja kriminel!

Kështu asaj letrës time të dashurisë kurrë nuk i mora përgjigje e detyrohem tashti t’i përgjigjem asaj letre që më ke shkruar dhe hedhur në postë, (besoj pa e rilexuar përpara se t’a postoje), e njëkohësisht pa e rilexuar shkrimin tim, (përpara se të më jepje përgjigje). Të dyja pohimet në kllapa i bëj nisur gjithmonë nga fakti se do të doja të ishte ashtu, me që kam të bëj me ty që të kam vlerësuar gjithmonë e të kam dashur si shok

.Sapo e fillon letrën ti më drejtohesh e më thua “… në rast se artikullin do t’a botoje në ndonjë gazetë me reputacion.. ..Gazeta të tilla si “Shkodra”, “55” e ndonjë. tjetër unë i konsideroj të denja për të mos i lexuar”. Ti e ke harruar si duket se të shkrova që kam botuar një shkrim në “Republika” dhe shtoja se vetëm atje mund t’a botoja me që kam shok Maksim Begenë, n/kryetarin e partisë republikane. Kurse Shkodra si edhe 55-sa e kanë marrë shkrimin nga Republika e nuk jam unë që ua kam dërguar, (ndonëse nuk e kuptoj gjithatë mllef tëndin ndaj atyre dy gazetave, apo se trajtojnë tema me karakter antikomunist ?) E pastaj fillë vazhdon duke më shkruar se temën që trajtoj unë ka dhjetë vite që trajtohet nga “… Robert Papa, etj. Këtë të fundit për punën që ka bërë në këtë drejtim unë e kam emërtuar miu i llagëmeve”  Se si e konsideron ti R.Papën nuk ka asnjë “.  rëndësi për Robertin, por pikërisht me që me këtë pasazh, (duke më futur mbase padashur edhe mua në një kategori me minjë llagëmesh), ti nuk kishe se si të më fyeje më rëndë e prandaj të jam drejtuar më sipër se si duket letrën e ke nisur pa e rilexuar, sepse nuk ma do zemra që t’a kesh pasur këtë qëllim. Këtu duhet të shtoj se nuk e mendoja kurrë që ti të shkruaje nga pozita tru-shplari ish komunist e nga këto pozita edhe të më fyeje! Po qe kështu, atëhere do të t’a pohoj: po, edhe unë jam nga ana e barrikadës se si i ka nxjerrë të vërtetat në shesh R.Papa.

Megjithatë, nisur nga premisa që nuk më besohet se ti bën pjesë me t’indoktrinuarit e verbër dhe duke menduar se je shprehur në mënyrë të pasaktë ndaj meje, po vazhdoj të të përgjigjem lidhur me vrejtjet që ti shtron sa i takon shkrimit tim “Heronj apo Kriminele” se, në të kundërtën, po t’a kisha dyshimin se vërtet ke dashur të më fyesh, me letrën tënde do të merrte fund korrespondenca jonë. Me që uroj e shpresoj të mos jetë kështu, po vazhdoj. Ti nuk je dakord që unë kam futur në të njejtën kornizë gjení si Lenini me sejmenin e rëndomtë Teme Sejkon, (siç e quan ti). Po të ishte kështu, do të kishe plotësisht të drejtë. Kurse unë kam theksuar se fatkeqësisht në rastin tonë konkret E.Hoxha qe për ne Lenin edhe Stalin bashkë. Dhe udhëheqësit i ndaj në gjykim nga kriminelët ordinerë. Plejadën e kriminelëve tanë, vegla të verbëra të E.Hoxhës, i krahasoj përkatësisht me F.Xherxhinskin, Genrich Yagodën, N.Yezhovin, etj. dhe paralelizmi historik gjason si dy pika uji për personazhet respektive, do apo nuk do ti, se mjafton t’a lexosh historinë e shkruar nga Stalini se si përfunduan ata. E kjo kategori u shërbeu pa mëdyshje diktatorëve respektivë të cilët pastaj . . . ua hëngrën kokat.

E tashti po vazhdoj dishka me Leninin me që e shoh se e ke pikë të dobët faktin që unë shpreh se ç’kanë thënë dy gazetarët anglezë dhe këtë e konsideroj ballancë për t’a gjykuar moralitetin e Leninit, gjë e cila ty nuk të duket e mjaftueshme. Të jap të drejtë, sinqerisht të jap të drejtë. Në këtë drejtim jam nxituar e kam patur bindjen se ti si njeri me horizont do të kesh lexuar biografi autorësh të ndryshëm mbi Leninin e kështu ç’u ka thënë Lenini gazetarëve do të ishte, (simbas meje), esenca e esencës së mendimit filozofik të Leninit mbi moralitetin. Me që e shoh se edhe ti je i painformuar saktë dhe i mangët në këtë drejtim po e zgjeroj pak fushën e pamjes. Biografinë e Leninit shkruar nga K.Krasnof dhe faktet që ai sjell nga jeta e Leninit, nuk nxitoj t’i marr në konsideratë si themele gjykimi se autori ka qenë kundërshtar i ashpër i Leninit. Po ashtu nuk rrëmbehem t’a gjykoj Leninin nga ç’ka shkruar për të L.Zilahy i cili ka shkruar e paraqitur fakte edhe më të shumëta se sa Krasnofi, ndonëse kanë qenë bashkëkohës të Leninit e si pasojë rrethanat si edhe situatat i kanë njohur mirë dhe jo të zbehura nga koha. Por ama ndjek me vëmëndje se ç’ka shkruar M. Eastman, që ishte admirues si edhe mik amerikan i Leninit. Ai bile e botoi në 1925 testamentin e Leninit të cilin ia dha Krupskaja, sepse Lenini kishte dhënë porosi që testamenti të lexohej në Kongresin e P.K.(b) të B.S. kurse Stalini e lexoi vetëm para K. Qëndror (se Lenini jepte porosi që Stalini të mos  zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë). Dhe ky admirues i Leninit mundohet t’a mbrojë Leninin deri në atë pikë sa që thotë se  “…pohimi i Leninit në shkurtin e 1917-ës: se për çështjen e Revolucionit duheshin lënë më një anë normat qesharake borgjeze mbi moralin dhe se ai (Lenini) nuk do të stepej të shkelte mbi kufomat e nënës si edhe motrës së tij për hir të Revolucionit, tregojnë konsekuencën dhe besnikërinë revolucionare të Leninit”. Po e transkriboj tekstualisht thënjen e Leninit me difektin që kompiuteri nuk ka germat Kirilice: Jesli nada, ja perestuplju çerez trupi mojej materi i sestri dlja osushestvlenija Revoljucii. Prandaj unë e sintetizoj pozicionin etiko-moral të Leninit me shprehjen e tij thënë gazetarëve anglezë dhe nuk e quaj lajthitje të tyre, sepse edhe M.Eastmani pohon të njejtën gjë. Dhe me që ruhem të jem sa më i paánshëm dhe objektiv, nxjerr përfundim nga ky pozicionim i Leninit pa iu referuar aspak ç’kanë thënë për të kundërshtarët e tij. Nga ana tjetër, duke të njohur edhe çmuar si njeri të ndershëm ty, P., po e thelloj edhe më tej informacionin si edhe burimet e reja mbi Leninin, (që besoj se mund t’i gjesh e t’i lexosh në origjinal me pak përpjekje tashti që Shqipëria nuk është më e mbyllur hermetikisht), që të të hap horizont të thellosh njohuritë e pastaj, pse jo, të rivlerësosh edhe pozicionimin tënd ndaj tij.

Gjenerali Vollkogonov, ish Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë së Kuqe, qe i pari person të cilit “Gllaznosti” i dha akses në fondet sekrete të arkivave ruse.Fillimisht, siç e thekson ai vetë, vetëm kërshëria për të mësuar të vërtetat e shtyu të hulumtojë. Por ky thellim e çoi dora dorës për të mësuar të vërtetat e shtyu të hulumtojë në zbulimin e të tilla të vërtetave që mbas një pune këmbëngulëse ndërgjegja e tij nuk e la më dhe shkroi e botoi tre libra, (me nga dy vëllime secili): Lenini, Trocki edhe Stalini. Unë kam lexuar vetëm Leninin, dy të tjerët akoma jo. Për të mos u zgjatur më me citate edhe pohime, (se edhe me kaq u zgjata shumë), sintetizimi i dy vëllimeve rreth Leninit përmblidhet me fjalën e vetme: kriminel! Dhe dua të shtoj se Vollkogonovi që në rininë e tij të herëshme e deri sa arriti dhe u bë gjeneral e pastaj edhe Drejtor Drejtorie Politike ka qenë mbrujtur me dashuri edhe respekt për Leninin, ashtu siç e quan edhe ti atë si “gjeni”. Prandaj kuptoje se me sa dhimbje faktet ia përmbysën mitin e gjeniut Lenin në sytë e Vollkogonovit që, për hir të së vërtetës, arrin pastaj në përfundimin që të citova më lart! Prandaj edhe këmbëngulja yte që nuk pranon t’i hapësh sytë e t’a shikosh Leninin tamam siç qé … më befason.

Në këtë kontekst po munde lexoje edhe librin e shkruar nga Viktor Suvorovi me titullin “Ljodokoll”. Një epokë të tërë të përshkruar me fakte “zyrtare sovjetike”, ai e ritrajton mbështetur në dokumenta që mbaheshin sekrete e nuk botoheshin dhe e nxjerr në një dritë të re.

Mendoj se leximi i këtyre librave do të përbënte burim interesi për ty dhe do të të hapnin ata, para syve tuaj, shtigje të reja për rivlerësime e gjykime të mbështetura në larmi shumë më të madhe faktesh historike. Tashti po vazhdoj me vrejtjet e tjera të tua. Unë kam theksuar në shkrim se si në Shqipëri edhe këtu në diasporë është shkruar  konkretisht për M.Shehun,  K.Xoxen, B.Ballukun, T.Sejkon, etj. duke i ngritur në qiell aftësitë si edhe bëmat e tyre. Në gazetën Illyria që botohet në New York u shkrua për dy muaj me radhë herë me një puntatë e herë me dy, rreth tyre si heronj. Po t’a rilexosh shkrimin tim do të shohësh se unë theksoj se si me “ keqardhje vrej se si kobët e fundit nga ana e shtypit shqiptar si në Shqipëri edhe në diasporë po vihet re një si fushatë me anën e së cilës dëndur e më dendur po shkruhet në mënyrë të njëanëshme rreth këtyre figurave. Po u hidhet dritë dhe kjo po përqëndrohet vetëm në faktin se ata, kush më heret e kush më vonë, përfunduan viktima të E.Hoxhës. Mirëpo peshorja mbetet tejet e paballancuar sepse qëllimisht po lihet në errësirë ana tjetër e tyre, krimet e përbindëshme që ata kryen sa kohë që verbërisht zbatonin direktivat paranojake te nxitësit të këtyre krimeve, udhëheqësit të tyre….” Po të kujtoj edhe pasazhin tjetër të shkrimit tim ku theksoj se “… është e natyrëshme që bijtë e këtyre veglave të diktatorit, (mbi të cilët më vonë ranë rrufetë e tija), natyrshëm duan të hidhet sado pak dritë pozitive mbi etërit e tyre. Këto orvatje të tyre jo vetëm i kuptojmë por edhe ndjejmë dhimbje të sinqertë për këta të fundit të cilët jo vetëm që u persekutuan si bij tradhëtarësh dhe armiqësh të partisë e të popullit, por edhe familjet e tyre u prishën si pasojë e divorceve të detyruara të martesave…..” Po t’a kishe rilexuar shkrimin tim, i dashur P., nuk do të ishe nxituar dhe të më shkruaje “…. me personazhet që ju përmendni në shkrimin tuaj nuk jam marrë se nuk i a vlen.  Ata erdhën edhe hikën në shoqërinë njerëzore si vijnë edhe shkojnë të gjitha gjallesat. Ju për ata pasqyroni njerën anë të medaljes. Me siguri që secili prej tyre ka edhe anën tjetër por mendoj se nuk ia vlen të merresh me ta….”

Unë nuk kam paraqitur njerën anë të medaljes, përkundrazi u shtyva të shkruaj që t’a paraqes edhe anën tjetër të medaljes e pastaj lexuesi i paanshëm të gjykonte. Sa për atë që ti shkruan se ata erdhën edhe hikën si të gjitha gjallesat e nuk ia vlen të merremi

me ta, në parim ke plotësisht të drejtë. Kjo varet nga mas-shtabi kohor nga i cili e shikon. Historia botërore e periudhës 1944-1991 për Shqipërinë do t’i kushtojë një gjysëm faqe e hiç më shumë. Por po hyre në jetët e njerëzve kjo nuk mund të kalohet kaq lehtë. E ndjera e ëma e Mimozës ishte 24 vjeçe kur ia pushkatuan të shoqin, (i cili Mimozën e la 4 vjeçe). Në vitin 1981, kur u botua libri Kur Hidheshin Themelet, E.Hoxha përshkruan në tri faqe se si K.Xoxi e kishte vrarë Surja Selfon vetëm e vetëm për t’a komprometuar E.Hoxhën që Surjanë e kishte shok. Dakord, thotë ai që nuk i di ndodhitë. Ja, E. Hoxha e thotë të vërtetën. Kjo e vërtetë ama ka mbrapa edhe faktin se kur S.Selfua kishte dërguar

ndërresat në shtëpi, në ushkurin e të mbathurave ai kishte futur thonjët e duarve që ia kishin shkulur në torturë J.Pashkua e N.Haznedari me shokë që të pranonte akuzat, (dhe e ndjera e ëma e Mimozës i dinte se kush qenë bishat torturuese). Dhe E.Hoxha gënjen kur thotë se Surjanë nuk e kishin torturuar se kështu i kishte thënë Koçi. Gjithashtu që nga 1949-ta kur u pushkatua K.Xoxe dhe E.Hoxha e mori vesh të vërtetën, pse priti deri më 1981-shin t’a thoshte këtë të vërtetë dhe familjen e Surja Selfos vazhdonin dhe e trajtonin si familje armiku? Njëqind herë e ndjera e ëma e Mimozës i kishte shkruar E.Hoxhës t’i jepnin një shtëpi normale, po kurrë nuk ia dhanë dhe jetoi në një bodrum 24 shkallë thellë në dhe ku sa herë binte shi hynin ujërat e trotuareve ! Edhe kur lagja i dha shtëpi, me që e kishte burrin të pushkatuar, i dhanë një dhomë 4 x 3 dhe nevojtore!

Ja edhe një fakt tjetër kuptimplotë. Ty të kujtohet kur Mehmet Shehu erdhi në Cërrik dhe u entuziazmua nga ajo maqineria që kisha projektuar dhe zbatuar unë simbas përmasave të vijës kulluese që më kishte porositur ai, dhe para se të ma jepte fjalën, më paraqiti, (se ishin tre anëtarë Byroje prezent si edhe ministra e personalitete), e tha:”… do të na flasë konstrukteri i talentuar Ing.Korça, djali i Xhevat Korçës, bir reaksjonari, ndonëse i ati nuk është se na ka bërë  ndonje gje të madhe…”. T’i përshkrova këto dy pjesëza mozaiku jete, i dashur P., së pari se ata kriminelët vërtet erdhën edhe ikën, por gjurmët e tyre lanë vragë të pashlyeshme në jetët tona. Ti me shumë të drejtë thua se njerëzit dubet të harrojnë edhe të falin. Shumë i bukur si pohim edhe i drejtë për t’i shërbyer së ardhmes. Por ama faljen duhet t’a kenë në dorë ata të cilëve u takon t’a bëjnë një gjë të tillë, ata të cilëve u është djegur shpirti. Kurse lidhur me harresën, nuk jam aspak dakord me ty dhe ty as të takon t’a predikosh një moral të tillë se ty kurrë nuk t’u dogj shpirti ! Në këtë kontekst marr shkas edhe për një sqarim tjetër.Kur ishim në Cërrik mua m’u duk vetja tamam kërkushi se nuk guxova t’i thoja M.Shehut me që im atë nuk ju paska pasë bërë ndonjë gjë të madhe, atëhere përse e kalbët në burgun e Burrelit dhe u detyrua të vdiste në grevë urije? Dhe mendo se kur erdhi në Tiranë, në mbledhjen e këshillit ministrave, M.Shehu duke folur rreth njëzet minuta lidhur me aftësitë e mija kishte thënë se veç zotësisë që më karakterizonte isha edhe trim. Këtë, siç e mendoj unë, vetëm për faktin se i kisha kundërshtuar gjatë diskutimeve për probleme teknike. Por unë në fakt nuk isha hiç trim sepse nuk guxova t’i replikoja lidhur me t’im atë. E kur unë trimi isha i tillë frikacak (ah ç’paradoks i dhimbshëm) që nuk guxoja t’a shfaqja mendimin tim haptazi, e kur u shpall poliagjent M.Shehu e pas tij tradhëtar edhe K.Hazbiu unë i pari, ti pas meje dhe të gjithë të tjerët që ne i konsiderojmë njerëz të ndershëm, ndryshe mendonim e ndryshe shfaqeshim, duhet të krenohemi për këtë qëndrim? I gjithë populli ishte i dyzuar në mendime dhe askush nuk guxonte t’a thoshte atë që mendonte. E kjo është njoll’e madhe për ne, këtë duhet t’a pranojmë si unë e gjithashtu edhe ti.

E tashti, mbasi të argumentova se po t’a kishe lexuar me përqëndrim shkrimin tim dhe të mos ishe nxituar në përgjigje, do të shihje se praktikisht mendimet tona përputhen dhe dalin në të njejtin shteg, dua të të rikujtoj edhe një kalim të shkrimit. Nga gjaksorët që trajtoj unë, të vetmit e ngelur gjallë janë A.Cela edhe M.Doçi. E unë çkërkoj të bëjnë ata? Vetëm të pendohen publikisht për krimet e bëra. Asgjë më shumë. Dhe e përfundoj shkrimin duke vënë në dukje se me që të pamëkatët nuk ekzistojnë mbi dhe të zbatojmë mësimin e Krishtit që të pendohemi e të mos bëjmë më mëkate. E tashti duhet t’a kuptosh i dashur P. se unë duke heshtur edhe ndrydhur dhimbje të mëdha ftoj për pajtim edhe falje të mëkateve, (kupto krimeve). Këtë e bëj jo se e kam të kollajtë, përkundrazi. Bile që t’a kuptosh se sa e vështirë është, që sado pak t’a vesh veten në pozitën tonë, duhet t’a dish se Mimoza ka katër të pushkatuar në familje : babanë, xhaxhanë si edhe dy djem xhaxhallarësh, (xhaxhai u pushkatua me rastin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike e fill mbas tij i pushkatuan fare pa asnjë arësye edhe të birin), përveç djalit të xhaxhait tjetër që u vra 16 vjeç! Kurse edhe nga ana ime kam babaneqë shpalli grevën e urisë edhe e çoi deri në fund atë grevë në burgun famëkeq tëBurrelit, si edhe tre të pushkatuar.

Por unë e kuptoj që urrejtja jo që nuk duhet nxitur por duhet fashitur se në të kundërtën Shqipëria kurrën e kurrës nuk gjen dot qetësi. Kjo arësyeja që bëj thirrje për falje por me kusht pendimi nga ana e kriminelëve akoma të gjallë e doemos edhe rishikimi e rivlerësimi pikpamjesh edhe nga ana e jote.

E tashti që i erdhi epilogu letrës time shpresoj që ti, P. im i dashur, e kupton se përse unë do të kisha dëshiruar që ti t’a kishe rilexuar më me vrejtje shkrimin tim epastaj t’a kishe rilexuar edhe letrën tënde para se të ma nisje.

Duke ju uruar së bashku me M. kryesisht shëndet e pastaj gjithë të mirat e gjithashtu të njëjtën gjë edhe djalit me familje atje lark jush ku gjëndet si edhe vajzës në Tiranë.

Juve ju përqafojmë së largu,


Send this to a friend