Kryeministri Edi Rama ka garantuar sot mbështetjen financiare të Qeverisë për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë duke filluar që nga kthimi i ambienteve të saj, që i ishin marrë siç u shpreh për “aktivitete komerciale” , një premtim ky i bërë në ditën e 95-Vjetorit të Themelimit të këtij institucioni.
Pas fjalës së rastit mbajtur në BK, Rama i ka dhuruar Bibliotekës, “librin tim të zhgarravinave” siç tha, duke u referuar albumit të tij të pikturave të ekspozuara vitet e fundit në botë, por me gjuhën e opozitës. Madje, ai ka shtuar me humor “se po i fut brenda librit, edhe këtë fletën e fundit të fjalimit, që t’i mbetet fondit”.
Kryeministri gjatë fjalës i ka tërhequr vëmendjen me humor, edhe kryetarit të KLSH-së, që ishte i pranishëm.”Duke qënë se jam para një audience të kualifikuar dhe një grupi të heshtur interesi që e ka përjetuar me dhimbje të mëdha gjithë procesin e ndarjes së BK e për këtë shkak të ngushtimit të funksionimit të saj, duke qënë se shoh këtu dhe kryetarin e KLSH-së – që nga pikëpamja e funksionit më duket larg Bibliotekës, por dikur i lidhur me kulturën si ish-ministër Kulture – kjo tregon sesa mbështetje i japim ne kulturës.”
Më tej, Rama ka vlerësuar vizionin e drejtoreshës aktuale të Bibliotekës Kombëtare , Pr.Dr. Persida Asllani dhe tha se për këtë vizion që ajo ka, do ta mbështesë për të çuar deri në fund projektin jo vetëm të integrimit të BK, por edhe të transformimit të mjediseve me teknologji cilësore për të dhënë më shumë kënaqësi; do të mbështesë hapjen e një muzeu për dinastinë Marubi dhe të disa të tjerëve në rrethe.
“Gjej rastin ta përgëzoj drejtoren, – tha ai, – sepse falë vizionit të saj të zhvillimit dhe ndërkohë të zgjerimit të interesit për BK, duke shtrirë aktivitetin në të gjithë moshat dhe punuar në kushte të papërshtatshme për shkaqe financiare, për një projekt kuptimplotë ne kemi gjetur këtu një partner të shkëlqyer për ta mbështetur jo vetëm në kuptimin moral, por dhe financiar.”
Komentet