Banorët lokalë dhe ekspertët e turizmit po kërkojnë që autoritetet të jenë transparente gjatë realizimit të investimeve në qendrën turistike “Kodra e Diellit”, teksa janë paralajmëruar investime të huaja në këtë qendër, por edhe nuk është hapur procesi i tenderimit.
Këto reagime vijnë pas paralajmërimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut se në qendrën në “Kodrën e Diellit” do ta marr me koncesion për 99 vjet një investitor i huaj dhe do të investojë 100 milionë euro, përkatësisht 50 milionë investitori dhe 50 milionë do të investojë qeveria.
Iniciativa qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, i ka quajtur të pakuptimta paralajmërimet nga qeveria për investime milionëshe në këtë qendër turistike, duke argumentuar se kjo qendër gjatë dy dekadave të fundit është pothuajse jofunksionale, për shkak të vështirësive për sa i përket qasjes, si dhe mungesës së parkingjeve dhe mosfunksionimit të teleferikëve.
“Është shumë qesharak paralajmërimi se do të bëhen fusha të golfit, se do të bëhet një nga resortet më të mëdha, kur ai resort ende nuk e ka të rregulluar çështjen pronësore juridike. Çdoherë kur këto qendra rinovohen, duhet bërë projekte afatshkurtra dhe afatgjate dhe të planifikuara mirë. Asnjëherë te ne institucionet, që thirren në studime fizibiliteti apo analiza të ndryshme strategjike për zhvillimin e turizmit, por nuk janë bërë publike për opinionin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Qendra e skijimit “Kodra e Diellit”
Skijatorët ankohen se në qendrën Turistike për skijim në Tetovë edhe në vlugun e sezonit, mungojnë kushtet për të skijuar si rrjedhojë e ndalesave të shumta të ashensorëve për skijim si dhe mospërpunimit të shtigjeve.
“Nuk mund të vijë një investitor i huaj në një vend ku nuk ka asnjë çështje të rregulluar pronësore, e as planifikim të duhur hapësinor, pasi kjo paraqet një nga hapat kryesor me qëllim që të bëhet një investim”, shton Sulejmani, i cili me profesion është arkitekt.
Nuk mund të dihet investitori pa nisur procesi i tenderimit
Arben Halili nga fshati Shipkovicë në Malësinë e Tetovës, që ndodhet vetëm pak kilometra nga “Kodra e Diellit”, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithmonë kur është vit zgjedhor, paralajmërohen investime të mëdha në këtë qendër turistike.
Sipas tij, nuk mund të flitet për investitorin e mundshëm, derisa nuk ka filluar procesi i tenderimit, pasi sipas Halilit, kjo është në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian.
“Vetë fakti që flitet në mënyrë hipotetike për një investim miliona eurosh apo për një investitor gjerman, të çon nga ajo që nuk ka të bëjë aspak me një investim serioz ose se kjo bëhet për t’i hapur rrugë ndonjë investitori potencial. Por, gjithsesi në një shtet serioz, i cili pretendon të jetë pjesë e strukturave të Bashkimit Evropian, nuk mund të dihet investitori para se të bëhet shpallja e tenderimit”, thotë Halili.
Halili thotë se “Kodra e Diellit” ka nevojë për riorganizim dhe jo për një partneritet publiko-privat, pasi sipas tij, në të kaluarën, kjo formë e bashkëpunimin ka dëshmuar se nuk është e suksesshme.
“Unë jam për dhënien në menaxhim te një partner, i cili do ta marrë përgjegjësinë e menaxhimit të kësaj qendre”, thotë ai.
Qendra e skijimit në “Kodrën e Diellit” është një prej qendrave më të njohura jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo qendër, që gjendet në Tetovë, njihet për terrenet e saja të skijimit.
Qëndrime kundërthënëse rreth investitorit
Gjatë kësaj jave, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit”. Ai ka theksuar se për të investuar në këtë qendër është interesuar një investitor “i besueshëm” nga Evropa.
“Ky projekt parashihet të realizohet në bazë të ligjit për koncesione me partneritet publiko-privat apo investime strategjike, varësisht fazës përfundimtare të marrëveshjes”, ka thënë Zaev.
“Në thelb, parashihet të jepet në një koncesion prej 99 vjetësh njërit prej investitorëve më të mëdhenj të qendrave të skijimit në Evropë. Është e udhës që investitori vetë të vendosë që ta bëjë publik emrin e tij. I gëzohem këtij investimi sepse do t’i japë një dimension të ri turizmit dimëror”, shtoi kryeministri maqedonas.
Po gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani ka thënë se investitori i interesuar për “Kodrën e Diellit” është nga Abu Dabi. Në këtë vend, Osmani thotë se qendra turistike e “Kodrës së Diellit” është prezantuar si projekt rajonal, ku bën pjesë edhe Kosova, pasi gjatë dimrit, turistët do ta shfrytëzonin për skijim e gjatë verës do të përdorej si atraksion turistik, me fusha të golfit dhe atraksione të tjera.
“Në Abu Babi kam folur shumë për ‘Kodrën e Diellit’. Atje pash interes për investime në ‘Kodrën e Diellit’ dhe atë e kam prezantuar në dy forma si projekt në vete, por edhe si projekt bashkë me Republikën e Kosovës, si projekt i malit, që në të dyja anët të tërhiqen sa më shumë investitorë, për ata që kërkojnë tregje më të mëdha apo rajone më të mëdha”, ka thënë Osmani.
Zero transparencë për investimet
Por, Mislim Zendeli, profesor në Fakultetin për Menaxhment në Universitetit të Tetovës, thotë se për disa vite me radhë sezoni turistik në “Kodrën e Diellit” u krijonte të ardhura financiare shumë familjeve të fshatrave të Malësisë së Tetovës, pasi kjo qendër ishte ndër destinacionet kryesore në Ballkanin Perëndimor për sporte dimërore.
Një skitar në “Kodrën e Diellit”.
Ai thotë se në dy dekadat e fundit, sa herë që afrohet mbajtja e zgjedhjeve të reja, bëhen edhe premtime për këtë qendër, që sipas tij, janë të parealizueshme.
“Transparenca është zero. I gjithë procesi është jotransparent, si ai i studimeve të fizibilitetit, por edhe rreth planifikimit të realizimit të këtij procesi. Është evidente që duhen mjete, duhen investime, nevojitet angazhim nga qeveria dhe jo vetëm fjalë. Që nga viti 2001 deri më 2021 kemi dëgjuar vetëm fjalë”, thotë Zendeli.
Ai shton se me qëllim që t’i kthehet shkëlqimi kësaj qendre turistike, duhet që të bashkëpunojnë të gjitha palët, veçmas, qeveria, pushteti lokal, banorët e fshatrave përreth, sektori civil dhe kompania ELEM-turs, që është pronare e pjesshme, që menaxhon “Kodrën e Diellit”, dhe në mënyrë transparente të vendosin për ofertën më të mirë për këtë qendër turistike.
“Kodra e Diellit” pa hotele luksoze e teleferikë funksionalë
Në këtë drejtim, drejtuesi i qendrës së skijimit në “Kodrën e Diellit”, Zhivko Aleksovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se kësaj qendre i mungon rrjeti i hoteleve, bora artificiale, teleferikët modernë, me qëllim që t’u përgjigjen kërkesave të turistëve.
“Sa i përket turizmit dimëror, nevojiten investime për borën artificiale, që do të mundësonte që të zgjatej sezoni i skijimit. Nevojitet po ashtu funksionalizimi i një teleferiku të ri nga Tetova deri në ‘Kodrën e Diellit”, po ashtu parkingje, me qëllim që të lehtësohet qasja deri te kjo qendër skijimi”, thotë Aleksovski.
Ndërkaq, Naum Martinovski, ligjërues në Fakultetin për Turizëm në Ohër, thotë se “Kodra e Diellit” duhet të rivitalizohet dhe të përdoret si qendër turistike gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezonin e dimrit.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se për t’u paraqitur si atraksion turistikë, që do të tërhiqte edhe turistë të huaj, “Kodra e Diellit” duhet të lidhet me qendrën e skijimit të Brezovicës, që gjendet në Malet e Sharrit.
“Me rëndësi është që ‘Kodra e Diellit’ të lidhet me pjesën e Kosovës, me kompleksin e Brezovicës sepse në atë më mënyrë do të ishte atraksion për turistët ndërkombëtarë”, tha Martinovski.
Frika nga privatizimi i lumenjve dhe hapësirave malore
Kundër investimeve në “Kodrën e Diellit” ka reaguar ashpër edhe Branimir Jovanoviq, i cili ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Financave, Dragan Tevdovski, gjatë qeverisë së parë të Zaevit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se investimet milionëshe, të paralajmëruara nga kryeministri Zaev, i ngjasojnë me periudhën e viteve të 90-ta, kur u realizua procesi i privatizimit dhe pronat shtetërore kaluan në pronësi të një grupi të caktuar biznesmenësh, të cilët morën në pronësi edhe hapësira të gjelbëruara dhe lumenj.
Paralajmërim për investime në kohë zgjedhjesh
Investime në “Kodrën e Diellit” në vlerë prej 30 milionë eurove, ishin paralajmëruar edhe më 2012, nga kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski. Ai kishte paralajmëruar se projekti do të realizohej në disa faza dhe për të do të shpallej edhe ofertë për gjetjen e një investitori ndërkombëtar.
Investime për “Kodrën e Diellit” kishte paralajmëruar edhe ish-presidenti, Gjorgje Ivanov, i cili kishte thënë se një investitor nga Katari ishte i gatshëm të investonte në këtë qendër turistike.
Partia opozitare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) deklaroi të enjten se ish-kryeministri i arratisur, Nikolla Gruevski, mund të jetë duke përgatitur një largim të ri nga Hungaria drejt Rusisë ose Bjellorusisë, duke akuzuar qeverinë aktuale të Shkupit për mosveprim të qëllimshëm, përcjell INA.
Sipas një njoftimi zyrtar të kësaj partie, ndryshimi i pritshëm i kursit politik në Budapest ka krijuar një urgjencë të re. Pas paralajmërimeve të liderit opozitar hungarez dhe kandidatit për kryeministër, Péter Magyar, se Hungaria nuk do të jetë më një strehë e sigurt për individët me precedentë penalë, shtetet e tjera kanë filluar të lëvizin. LSDM vuri në dukje se Polonia ka dërguar tashmë kërkesa zyrtare për ekstradimin e politikanëve të saj nga territori hungarez, ndërsa pretendon se qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po e bllokon procesin për Gruevskin.
Sipas inteligjencës partiake të cituar në deklaratë, opsioni i Turqisë si vendstrehim i ardhshëm është përjashtuar, duke lënë si alternativa të vetme Moskën dhe Minskun. “Pyetja që shtrohet është çmimi që ai do të paguajë me paratë e qytetarëve maqedonas për këtë mbrojtje të re,” thuhet në kumtesë, ku shtohet se ekziston një rrezik real që ai t’i shpëtojë përfundimisht drejtësisë për shkak të vonesave nga Ministria e Drejtësisë.
Nikolla Gruevski, i cili udhëhoqi Maqedoninë e Veriut nga viti 2006 deri më 2016, u arratis drejt Hungarisë në vitin 2018 për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit me burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ai mori azil politik nën qeverinë e Viktor Orbanit, një aleat i ngushtë ideologjik. Megjithatë, presioni i brendshëm politik në Hungari dhe ardhja në pushtet e pasardhësit të tij partiak në Shkup, Hristijan Mickoski, kanë krijuar një dinamikë të re komplekse. Edhe pse Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë rrënjë të përbashkëta me Gruevskin, marrëdhëniet e tyre janë ftohur publikisht, ndonëse opozita insiston se ekziston një marrëveshje e fshehtë për të parandaluar ekstradimin e tij që do të shkaktonte “trazira politike” brenda strukturave të pushtetit. (INA)
Nga një fshat i Gostivarit drejt një prej projekteve më ambicioze në historinë e eksplorimit hapësinor – historia e Albon Rexhepit është një dëshmi e qartë se përkushtimi dhe dija nuk njohin kufij.
Sot, ai është pjesë e misionit Artemis II të NASA, një projekt që synon rikthimin e njeriut në Hënë pas dekadash.
Me një rol drejtues në kompaninë DEWETRON në Shtetet e Bashkuara, Rexhepi kontribuon në teknologjinë e testimit dhe matjes – një komponent thelbësor për sigurinë dhe suksesin e misionit.
rugëtimi i tij profesional nisi pas studimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ndërsa përvoja e parë në SHBA e çoi në kompani të njohura si Pfizer dhe më pas Legrand, ku ndërtoi një karrierë të qëndrueshme përpara se t’i bashkohej DEWETRON-it në vitin 2022.
“Produktet tona përdoren në fazën e zhvillimit dhe prodhimit të komponentëve për Artemis II. Testimet janë thelbësore që projekti të mos ketë asnjë dështim”, është shprehur Rexhepi, duke theksuar rëndësinë kritike të punës së ekipit të tij.
Ai nënvizon se përgjegjësia në projekte të tilla është e jashtëzakonshme, pasi çdo detaj lidhet drejtpërdrejt me jetën e astronautëve.
“Në projekte të tilla duhet të jesh jashtëzakonisht i përpiktë, sepse këtu në pyetje janë siguria dhe jeta e astronautëve. Nuk ka hapësirë për gabime”, ka thënë ai për Portalb.mk.
Megjithatë, përtej suksesit profesional, Rexhepi e sheh historinë e tij edhe si një mesazh frymëzues për të rinjtë shqiptarë.
“Punoni dhe mësoni. Askush nuk mund t’ju mposhtë nëse keni një qëllim në jetë. Punoni fort dhe do t’ia dilni”, është thirrja e tij për brezat e rinj.
Ndërsa misionet e ardhshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi planet për krijimin e një baze në Hënë, kontributi i profesionistëve si Albon Rexhepi mbetet një gur themeli në këtë kapitull të ri të njerëzimit në hapësirë – dhe një arsye krenarie për gjithë shqiptarët./Ina
Kjo protestë nuk duhej të ndodhte kurrë.
Nuk duhej (as mendohej) që në vitin 2026
studentët të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre.
Por ja ku jemi.
Por para se të jemi studentë, para se të jemi profesionistë,
ne jemi shqiptarë.
Dhe kur preket gjuha,
preket vetë themeli ynë.
Gjuha shqipe nuk është veç mënyra si flasim.
Është mënyra si ekzistojmë.
Është mënyra si kemi mbijetuar, si kemi qëndruar, si kemi ardhur deri këtu.
Siç thoshte Gjergj Fishta:
“Gjuha shqype, sa e mirë!
Sa e ambël, sa e dlirë!”
Kjo është gjuha jonë.
Ky është identiteti ynë.
Dhe Shqipja kurrsesi nuk negociohet.
Ne jemi studentë të drejtësisë.
Ne jemi ata që nesër do të mbrojmë ligjin.
Por sot jemi detyruar të dalim këtu për të kërkuar diçka që ligji tashmë e njeh.
Të drejtën për të përdorur gjuhën tonë.
A është kjo shumë?
A është kjo kërkesë e tepruar?
Ky është minimumi.
Kjo është baza.
Është dinjitet.
Sepse një shtet që nuk zbaton të drejtat që vetë i ka shkruar,
nuk është i fortë — është i brishtë.
Sot nuk kërkojmë privilegje.
Nuk kërkojmë favore.
Kërkojmë barazi.
Dhe le të jetë e qartë për të gjithë:
Ne nuk jemi këtu kundër askujt.
Ne jemi këtu për veten tonë.
Për gjuhën tonë.
Për të ardhmen tonë.
Nelson Mandela thoshte:
“Të flasësh me dikë në gjuhën e tij, do të thotë t’i flasësh në zemër.”
Sot ne kërkojmë që shteti të na flasë në zemër.
Në gjuhën tonë.
Në shqip.
Sepse gjuha:
Është histori.
Është gjak.
Është kujtesë.
Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet,
nuk ka problem gjuhe — ka problem drejtësie.
Sot jemi këtu të qetë.
Të vendosur.
Të bashkuar.
Por le të mos ngatërrohet qetësia jonë me dobësi.
Sepse kjo është një gjeneratë që nuk tërhiqet.
Ne nuk kemi ardhur për të bërë zhurmë.
Kemi ardhur për të bërë histori.
“Të flasësh një gjuhë do të thotë të marrësh mbi vete një botë.”
Dhe ne nuk do të lejojmë që bota jonë të zvogëlohet.
Nuk do të lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion.
Sepse shqipja nuk është opsion.
Shqipja është identitet.
Sot, nga ky shesh, nga ky zë i përbashkët,
ne po themi një gjë shumë të thjeshtë:
Nuk ka shtet të së drejtës pa respekt për gjuhën.
Nuk ka barazi pa shqipen.
Nuk ka të ardhme pa dinjitet.
Dhe ne jemi këtu për këtë.
Jo për sot.
Por për nesër.
Për të gjithë ata që do të vijnë pas nesh.
Sepse ne jemi brezi që nuk hesht.
Ne jemi brezi që nuk dorëzohet.
Ne jemi brezi që e mbron shqipen — me zë, me mendje me dinjitet, me zemër e me gjithcka që sjell nevoja.
kjo nuk është vetëm beteja jonë.
Është amaneti i atyre para nesh,
dhe përgjegjësia ndaj atyre që vijnë pas nesh.
Le ta dëgjojnë të gjithë:
Ne nuk do të tërhiqemi.
Ne nuk do të lodhemi.
Ne nuk do të ndalemi.
Derisa e drejta të bëhet realitet.
Shqipja nuk negociohet!
*Autori është një nga drejtuesit e nismës dhe protestës për kërkesën për provimin e jurisprudencës në shqip
Qindra studentë shqiptarë në Shkup, kanë dalë sot për të protestuar pasi u mohohet e drejta për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase.
Para ministrisë së Drejtësisë ata kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov.
Të shumta kanë qenë edhe pankartat që ata mbanin në duar, ndër të cilat thuhej: “Respekto ligjin për gjuhët!”; “STOP diskriminimit institucional”; “Mos mohoni një të drejtë të fituar”; “Ligji për gjuhët është i qartë”, e të tjera.
Studentët theksuan se gjuha shqipe është identiteti i tyre dhe se ata nuk do të lejojnë që shqipja të trajtohet si opsion.
“Kjo është gjuha jonë, identiteti ynë. Ne jemi student të drejtësisë që nesër do të mbrojmë ligjin, dhe sot jemi këtu për të përdorur diçka që ligji tashmë e njeh. Jemi këtu për të drejtën tonë. Gjuha është historia.
Sot jemi të bashkuar dhe nuk do lejojmë që shqipja të trajtohet si opsion, sepse nuk është opsion por identitet. Nuk ka shtet të së drejtës pa respekt për gjuhën. Ky është amaneti i atyre para nesh, dhe porosia për ata që do të vijnë pas nesh. Shqipja nuk negociohet”, u shpreh një prej studentëve. gsh
Gazetari Naser Pajaziti ka vlerësuar lart guximin dhe masovitetin e rinisë studentore shqiptare sot në Shkup, duke theksuar se mbrojtja e gjuhës është mbrojtje e dinjitetit kombëtar dhe të drejtës së tyre akademike.
Ja mesazhi i plotë:
Zemra mal me këtë rini që nuk përkulet!
Sot studentët shqiptarë na kujtuan se kush është forca e vërtetë e këtij vendi. Në një marsh dinjitoz dhe masiv, ata u rreshtuan në mbrojtje të asaj që është më e shenjtë: dinjitetit dhe gjuhës sonë amtare.
Kur integriteti takon guximin, politikanët e “stivuar” në karriget e tyre e kuptojnë se llogaritë i kanë bërë gabim. Kërkesa e studentëve nuk është lëshime politike, por kërkesë për drejtësi – dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, e cila nuk mund të mbetet peng i burokracive apo vullneteve të mbrapshta politike.
Nuk ka pushtet që mposht dritën e rinisë. Ata që tentuan t’i nënçmojnë apo t’i heshtin, sot morën leksionin më të mirë: Vendin jua treguan aty ku e keni – jashtë vullnetit të popullit dhe larg realitetit të kësaj rinie që nuk bën kompromis me të drejtat e saj.
Zëri i tyre sot ishte kumbues: Gjuha shqipe në provimet juridike nuk është dëshirë, është ligj!(INA)
Protestë e përbashkët e studentëve: Kërkohet drejtësi, barazi dhe zbatim i ligjit
“Fillkov dorëheqje” dhe “Gjuha shqipe nuk negociohet” ishin mesazhet kryesore që dominuan protestën e studentëve shqiptarë sot në Shkup raporton INA.
Në këtë protestë u bashkuan studentët shqiptarë nga tre universitete – Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti Nënë Tereza – të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, si e drejtë e garantuar me ligj.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, pas deklaratave të tij se nuk do të lejojë zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe. Studentët theksuan se kërkesa e tyre është e qartë: zbatimi i plotë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Njëri nga zërat kryesorë të protestës, studenti Mevlan Ademi, u shpreh se kjo protestë është pasojë e një padrejtësie që nuk duhej të ekzistonte në vitin 2026.
“Kjo protestë duhej të ndodhte dikur. Nuk duhej të mendohej që në vitin 2026 studentët të dilnin në rrugë për gjuhën e tyre. Para se të jemi studentë e profesionistë, ne jemi shqiptarë. Gjuha shqipe nuk është vetëm mënyra si flasim, por mënyra si kemi ekzistuar dhe kemi ardhur deri këtu. Gjuha shqipe nuk negociohet. Ne jemi studentë të drejtësisë – nesër do të mbrojmë ligjin, por sot kërkojmë të drejtën tonë për gjuhën amtare. Një shtet që nuk zbaton të drejtat e veta, nuk mund të ekzistojë”, deklaroi Ademi.
Ndërkohë, studenti Besar Sejdiu theksoi se kërkesa e tyre është minimale dhe plotësisht ligjore.
“Kërkesa jonë është e thjeshtë: respektojeni Kushtetutën dhe ligjin – as më shumë, as më pak. Kolegët tanë kanë të drejtë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Çdo zvarritje është përpjekje për ta mohuar këtë të drejtë”, deklaroi ai.
Në përfundim të protestës, studentët dërguan një mesazh të qartë paralajmërues për institucionet: “Do të kthehemi përsëri”, nëse nuk zgjidhet çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.(INA)
Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, para protestuesve parashtroi kërkesat e studentëve, duke theksuar se një situatë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në vitin 2026. Sipas tij, është e papranueshme që studentët të detyrohen të dalin në rrugë për të mbrojtur gjuhën e tyre, raporton INA.
“Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë apo profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu”, deklaroi Ademi.
Ai nënvizoi se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë e garantuar me ligj dhe nuk mund të vihet në diskutim.
“Shqipja assesi nuk negociohet. Kjo është minimumi i dinjitetit. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Nuk jemi kundër askujt – jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë dhe për të ardhmen tonë”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Ademi shtoi se studentët nuk do të lejojnë që gjuha shqipe të trajtohet si opsion, por si pjesë e pandashme e identitetit.
“Ne po themi qartë: nuk ka shtet të së drejtës pa barazi gjuhësore. Jemi brezi që nuk hesht, nuk dorëzohet – brezi që mbron dhe flet shqip”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.
Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka folur për statusin e gjuhës shqipe dhe sfidat e zbatimit të saj praktik. Pendarovski gjatë fjalës së tij në një intervistë tha se shqipja është gjuhë zyrtare për shkak të 20% të popullsisë shqiptare dhe përdorimi i saj rregullohet nga ligji për gjuhët, i ndryshuar disa herë për të përmirësuar të drejtat e komunitetit.
Ai paralajmëroi se një qytetar ka paraqitur një mocion në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit, çka mund të shkaktojë një problem të madh nëse ky ligj asgjësohet.
“Është zyrtare për shkak të 20% të njerëzve që jetojnë në këtë vend. Ndërkohë, ne kemi pranuar dy gjuhë juridike. Është ligji kryesor në anglisht, por është ligji në shqip, në esencë. Ligji i parë mendoj se është në vitin 2008. Dhe i fundit ishte në vitin 2007 e diçka. Pra, ne kemi ndryshuar këtë ligj disa herë duke përmirësuar të drejtat e shqiptarëve.
Çfarë ndodhi ndërkohë? Dikush supozohet një qytetar i thjeshtë, i panjohur për publikun ka paraqitur një mocion para Gjykatës Kushtetuese duke thënë se ligji për gjuhë, për gjuhën shqipe nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ka kërkuar asgjësimin e këtij ligji.
Gjykata Kushtetuese tashmë ka planifikuar një seancë për këtë çështje dhe do të jetë problem i madh nëse ata do të asgjësojnë këtë ligjin për gjuhët që kinse nuk është në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi ai.
Pendarovski theksoi se problemi kryesor mbetet zbatimi praktik i ligjit, sidomos në institucione dhe në sistemin gjyqësor.
“Shqiptarët mund ta përdorin këtë gjuhë, por në shumë raste nuk e shohim zbatimin e plotë në institucione dhe gjykata. Është e rëndësishme që të pyetet nëse këto të drejta po zbatohen në jetën e përditshme.
Njëri nivel është i vendosur në ligj, por nuk e shohim në përdorim me njerëzit dhe sipas mendimit tim nëse ligji është aty vetëm për disa parti politike shqiptare për të thënë në kohën tonë ne kemi miratuar ligjin me standardin më të mirë të mundshëm për përdorimin e gjuhës shqipe kjo është propagandë politike, krejtësisht ndryshe në këndvështrimin tim duhet të jetë me interes për të gjithë, për çdo shqiptarë që jeton këtu duhet të pyet a po zbatohen në praktikë këto të drejta në jetën e përditshme. Mund t’ju them që nuk zbatohen.
Dhe nëse pavarësisht kësaj ende nuk zbatohen plotësisht atëherë ka disa njerëz që do të dëshironin të kundërshtonin edhe atë që u vu në ligj”, deklaroi ai. euronews
Sanimi i rrëshqitjeve të dheut, mbrojtja nga shembjet në shpate përmes pyllëzimit, vendosja e rrjetave dhe spërkatjes me beton, janë disa prej hapave që po merren aktualisht në terren në autostradën Kërçovë – Ohër. Kjo autostradë kushton pothuajse 600 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve tashmë janë paguar. Mesatarisht, shteti paguan 9.7 milionë euro për një kilometër autostradë.
Pothuajse e gjithë shuma e projektuar së fundmi për autostradën Kërçovë–Ohër është paguar. Të dhënat tregojnë se deri më tani janë ndarë rreth 560 milionë euro për këtë segment.
E nisur zyrtarisht për ndërtim në vitin 2014, disa muaj pasi në nëntor 2013 u nënshkrua kontrata, autostrada edhe pas 12 vjetësh nuk është përfunduar.
“Deri në këtë moment janë realizuar 557.985.782,11 euro ose 93.3 për qind e shumës së paraparë për ndërtimin e autostradës Kërçovë–Ohër”, thuhet në të dhënat e fundit që nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRSH) i janë ndarë Radios Evropa e Lirë.
Nëse shuma e paguar deri më tani përbën 93.3 për qind të totalit të paraparë, atëherë vlera përfundimtare, sipas projeksioneve aktuale, do të arrijë në 598.055.500 euro. Kjo është mbi 200 milionë euro më shumë se 374 milionë eurot e projektuara fillimisht, të bëra publike më shumë se një dekadë më parë.
Segmenti është i gjatë rreth 57 kilometra, që do të thotë se një kilometër i kësaj arterie të rëndësishme rrugore për Maqedoninë e Veriut do të kushtojë rreth 9.7 milionë euro.
Çfarë po punohet në terren?
Nga NPRSH bëjnë të ditur se aktualisht “ndërtimi është në fazë të avancuar”.
“Po punohet në sanimin e rrëshqitjeve të reja të dheut, si dhe në përgatitjen e masave mbrojtëse në shpate, përmes pyllëzimit, vendosjes së rrjetës gjeokompozite dhe spërkatjes me beton. Më pas, në disa shpate po zbatohet zgjidhja me të ashtuquajturat galeri”, thonë nga Ndërmarrja Publike.
Qëllimi është që sa më shumë pjesë të segmentit të bëhen funksionale, për të lehtësuar “udhëtimin drejt qendrës turistike në Ohër”.
Qyteti i Ohrit, i vendosur në bregun e Liqenit të Ohrit, në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, ka mbi 50 mijë banorë. Ai është edhe destinacioni më i njohur turistik në vend, ku sipas raporteve të Komunës, në vitet 2023 dhe 2024 janë regjistruar mbi 1.1 milionë netëqëndrime turistike për secilin vit.
Nga problemet me projektin dhe mungesa e punëtorëve te përplasjet politike
Sipas informacioneve të fundit në dispozicion për autostradën, e cila pritet të lehtësojë udhëtimin në këtë rajon, deri më tani janë përfunduar rreth 40 kilometra nga gjithsej 57.
Autostrada po ndërtohet nga kompania kineze Sinohydro, ndërsa Enti Shtetëror i Revizionit, në një nga raportet e tij për Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, e ka cilësuar atë si “investimi më i madh infrastrukturor me ndërtim shumëvjeçar”.
Që në vitin 2022, revizorët konstatuan se vlera e projektit ishte rritur për të paktën 45 për qind, si dhe se kjo autostradë kishte zgjatjen më të madhe të afatit të ndërtimit. Ajo duhej të përfundonte për katër vjet.
Arsyetimet që autoritetet i kanë dhënë për zvarritjen janë evidentuar edhe nga revizorët, të cilët kanë vërejtur se ndër shkaqet kryesore për dinamikën e ngadalësuar përmenden: mangësi në projekt, shpronësime të vonuara, marrëdhënie të pazgjidhura pronësore-juridike, dislokim objektesh, mungesë e stafit teknik, mekanizimit dhe pajisjeve.
Përveç këtyre problemeve, aktorët politikë prej vitesh kanë akuzuar njëri-tjetrin për ngecjen e projektit. Kur në qershor 2025 u hapën 20 kilometrat e parë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski nga VMRO-DPMNE, paralajmëroi se segmenti duhet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2026, duke akuzuar se projekti më herët ishte shndërruar në “simbol të ngecjes” dhe “pasqyrë të turpshme të një shteti që numëron në vend”.
Nga ana tjetër, opozitarja LSDM, në qeverisjen e së cilës aludoi zëvendëskryeministri, pretendon se kur mori pushtetin në vitin 2017, në terren gjeti vetëm 30 për qind progres të punimeve, pa shpronësime, pa projekte kyç të përfunduara, dhe me një sërë problemesh, por se arriti të realizojë 83 për qind të projektit.
Projektin e kanë shoqëruar edhe kontestime që përfunduan me aktakuzë nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP) në lëndën “Trajektorja”, për shkak të dyshimeve për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë mbi 150 milionë euro. Të akuzuar ishin ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, dhe ish-drejtori i NPRSH-së, Ljupço Georgievski. Proces gjyqësor pati, por nuk u arrit vendim i formës së prerë, pasi lënda u parashkrua.
Pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe kontrata për autostradën Miladinovci–Shtip, e arritur në të njëjtën periudhë me atë për Kërçovë–Ohër. Megjithatë, kjo autostradë prej 47 kilometrash u përfundua dhe u lëshua në përdorim në qershor 2019. Sipas NPRSH-së, në të janë investuar 177 milionë euro, ose mesatarisht 3,8 milionë euro për kilometër.
Një rrëfim i fortë vjen nga futbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Stefan Ashkovski, i cili ka përjetuar nga afër tensionet dhe kaosin në Irani, mes bombardimeve dhe kufijve të mbyllur.
Në një intervistë për mediat vendase, Ashkovski tregon se për tre ditë ka mbetur pa ushqim dhe pa ujë, ndërsa shpërthimet dëgjoheshin vazhdimisht mbi kokën e tij. “Isha vetëm në mes të luftës. Gjithçka rreth meje ishte frikë, rrënoja dhe panik”, shprehet ai, duke përshkruar një realitet larg fushave të blerta dhe tribunave të mbushura.
Sipas tij, në momentet më kritike, ndihma i erdhi nga ish-bashkëlojtari Jasir Asani, i cili aktivizohet po ashtu në Iran. “Asani më shpëtoi. Pa të, nuk e di si do të kishte përfunduar kjo histori”, ka deklaruar Ashkovski, duke e cilësuar ndërhyrjen e tij vendimtare për largimin nga zona e rrezikut.
Futbollisti rrëfen se arriti të largohej vetëm në çastet e fundit, mes pasigurive dhe vështirësive të shumta. Ai shprehet i zhgënjyer edhe me drejtues brenda klubit iranian Persepolis F.C., duke pretenduar se nuk mori mbështetjen e nevojshme në një situatë që rrezikonte jetën.
Dëshmia e Ashkovskit hedh dritë mbi anën e errët të profesionit të sportistit në kohë krizash, kur kontratat dhe ndeshjet zëvendësohen nga sirenat e alarmit dhe lufta për mbijetesë, larg familjes dhe çdo garancie sigurie./JOQ
Shqipëria mbetet e vendosur të forcojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut si dy fqinje mike, partnere të besueshme dhe aleate në NATO, me synim integrimin në Bashkimin Evropian me kontribut thelbësor në këtë proces të faktorit shtetformues shqiptar që jeton atje. Këtë qëndrim riafirmoi Presidenti Bajram Begaj, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku u prit nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Krerët e dy shteteve zhvilluan një takim “kokë më kokë” dhe më pas në praninë e delegacioneve të tyre.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në konferencën e përbashkët për mediat me homologen maqedonase, bëri të ditur konkluzionet e këtij takimi, pjesë e të cilit ishte dhe çështja e faktorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka qenë, është e do të vijojë të jetë një faktor shtetformues, bashkëpunues, përfshirës, konstruktiv dhe demokratik, me kontribut kyç në avancimin Euroatlantik”, – garantoi Kreu i Shtetit.
Ndërsa vlerësoi përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Presidenti riafirmoi gjatë bisedës me Presidenten Siljanovska-Davkova qëndrimin e Shqipërisë për respektimin e detyrimeve që burojnë prej saj.
Çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar me Presidenten e Maqedonisë së Veriut ishte dhe avancimi me zbatimin e projektit strategjik të Korridorit VIII, për të cilin Presidenti Begaj theksoi domosdoshmërinë e konsolidimit të bashkëpunimit, duke e pozicionuar këtë Korridor si flamurshenjë të integrimit rajonal dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Një rëndësi të veçantë në këtë vizitë Presidenti i Republikës i kushtoi thellimit të bashkëpunimit në fushën akademike dhe atë të arsimit.
Presidenti Begaj siguroi Presidenten Siljanovska-Davkova se Shqipëria mbetet e angazhuar jo vetëm për bashkëpunimin politik, ekonomik e shoqëror, por dhe për promovimin e fqinjësisë së mirë dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor, thelbësor për anëtarësimin në BE. Panorama
Ish-zëvendëskryeministri maqedonas Artan Grubi është arrestuar më 23 shkurt në pikën kufitare Bllacë, pas më shumë se një viti prej kur ishte në arrati, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Grubi dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”, rast për të cilin ka raportuar më herët edhe Radio Evropa e Lirë.
Në këtë rast përfshihet edhe Përparim Bajrami, i cili po ashtu përmendet në aktakuzë si i dyshuar.
Prokurorët dyshojnë se ata kanë përvetësuar rreth 8 milionë euro përmes prokurimit të pajisjeve të terminaleve të lotarisë elektronike (VLT).
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende nëse Grubi do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit apo do t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore më vonë gjatë ditës.
Komentet