VOAL

VOAL

Qalaj: Më shumë se 100 policë kanë probleme serioze shëndetësore

February 19, 2020

Komentet

Kosova në samitin e 10 të Procesit të Berlinit

Sandra Cvetkoviq

“Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.

Kështu iu përgjigj Qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar kërkesën e Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia.

Ambasada gjermane në Kosovë konfirmoi për REL-in se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.

Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me shpjegimin se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Ai tha se, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor.

Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për, siç tha, arsye sigurie.

Atëkohë, policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi.

BE-ja ka deklaruar në disa raste se një vendim i tillë i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha më 1 tetor, në një konferencë përgatitore me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se dy javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen me sukses të samitit të Procesit të Berlinit.

“Varet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për zbatimin e CEFTA-s. Ka ende punë për ta arritur këtë”, tha ajo.

Ekspertët mbështesin heqjen e masave që ndalojnë importet nga Serbia

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia është marrë për arsye sigurie më shumë se një vit më parë dhe se është koha që të shqyrtohet seriozisht shfuqizimi i tij.

Ai thotë se ky vendim rrezikon jo vetëm punën e CEFTA-s, por edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, për të cilin u ra dakord në vitin 2020.

“Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj, është e rëndësishme që të largohen të gjitha pengesat, jo vetëm nga Kosova… Ne kemi probleme edhe me eksportimin e mallrave në Serbi, sepse ajo nuk e njeh dokumentacionin fitosanitar të Kosovës”, thotë Rafuna.

Me të pajtohet edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të “eksperimentojë” në bashkëpunim ekonomik rajonal.

Sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë rëndësinë e integrimit ekonomik evropian dhe ajo nuk e ka “luksin” ta bllokojë bashkëpunimin rajonal me vendime politike.

Rafuna: Investitorët e shohin rajonin si një treg

Rafuna, i cili është edhe kryetar i bordit drejtues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se të gjitha nismat rajonale janë të rëndësishme, andaj çdo pengesë që ndikon në funksionimin e tyre, duhet të hiqet.

“Ne jemi një vend i vogël, jemi një treg i vogël dhe të gjithë investitorët e shohin rajonin si një treg. Është e rëndësishme që mes nesh të mos ketë pengesa. Ato nuk janë mesazh i mirë për investitorët”, vlerëson ai.

Tregu në vendet e Ballkanit Perëndimor ka rreth 18 milionë banorë.

Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe ekonomisti Gërxhaliu, i cili shton se CEFTA ka një rëndësi të madhe për biznesmenët, për shkak të përfitimeve doganore dhe plasimit të mallrave.

Ai nënvizon se edhe Procesi i Berlinit është një iniciativë e rëndësishme, nga e cila përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se Kosova, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojë që të përjashtohet.

“Nuk mund të presim investime të huaja nëse nuk ka stabilitet politik. Ai stabilitet politik nuk mund të arrihet nëse nuk kemi pjesëmarrje aktive në të gjitha nismat rajonale”, thotë Gërxhaliu.

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 në Berlin, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, si një kontribut në perspektivën e zgjerimit të BE-së.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, janë pjesë e Procesit të Berlinit: Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Disa nga marrëveshjet e nënshkruara mes këtyre vendeve, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë: marrëveshja për njohjen reciproke të kartave të identitetit, të diplomave universitare, të kualifikimeve profesionale, pastaj bashkëpunimi në fushën e transportit, energjisë, ekologjisë, digjitalizimit dhe në roaming.

Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ky përfaqësim i Kosovës të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

Sarrazin i tha Rrjetit Ballkanik të Kërkimeve – BIRN, më 23 shtator, se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi këtë javë Gjermaninë, ku kërkoi mbështetjen e këtij vendi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, BE-ja dhe NATO-ja.

Përmes një postimi në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, ashtu si edhe të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Përgatiti: Valona Tela

Sulmi me raketa nga Irani, Kurti: Mbështesim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i shqetësuar për sulmin me raketa të Iranit ndaj Izraelit.

Përmes një postimi në platformën “X”, Kurti ka thënë se mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa, dhe bashkohemi me qeveritë e tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar Kurti.

Irani sulmoi Izraelin me raketa balistike më 1 tetor, në përgjigje të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut të Libanit, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari, tha se ushtria nuk ishte në dijeni për ndonjë lëndim dhe, rreth një orë pas fillimit të sulmit, tha se tani izraelitët mund të dilnin nga strehimoret. Ai e përshkroi sulmin si serioz dhe tha se do të kishte pasoja.

Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. bw

Serbët e Kosovës e pranojnë se dora e Kishës Ortodokse Serbe ka vepruar në Kosovë

Kryetari i ‘Forumit Kombëtar Serb’ nga Graçanica, Momçilo Trajkoviq, para dy ditësh u takua me opozitën në Serbi. Ai tha se do të formohet një grup punues që do të sublimojë atë që u tha dhe propozimet për të “ndaluar proceset negative që po i ndodhin popullit serb në Kosovë”.

Ai deklaroi se delegacioni i serbëve nga Kosova, në të cilin është edhe ai, do të pranojë çdo propozim dhe tha: “Së bashku do të marrim pjesë në kërkimin e mënyrave për ndryshimin e situatës”.

Ai gjithashtu tha se pjesëmarrësve të takimit iu prezantua një kornizë për “një strategji të re për mbijetesën e serbëve”.

Është propozuar edhe një “moratorium” për aktivitetet e partive politike nga Beogradi në Kosovë.

Disa pjesëmarrës të takimit i kërkuan fuqishëm Kishës Ortodokse Serbe që të shprehet dhe të paraqesë një “pozicion të qartë për Kosovën”, duke theksuar se në të kaluarën ishte përgjegjëse për mbijetesën e popullit serb.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, përkundër disa thirrjeve të mëparshme, nuk i priti anëtarët e delegacionit të serbëve nga Kosova.

Delegacioni përbëhet nga përfaqësues të tri shoqatave – Forumi Kombëtar Serb, Këshilli Kombëtar Serb dhe Lëvizja “Atdheu”, të cilat më parë janë takuar me akademikë dhe anëtarë të lëvizjes ProGlas. sn

Ndahet nga jeta gjenerali i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Këtë të shrtunë 28 shtator është ndarë nga jeta Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjenerali i FSK-së dhe veprimtari politik, Imri Ilazi – Komandant Ferri.

Lajmin për ndarjen nga jeta e ka bërë të ditur Komuna e Ferizajt, ku ka njoftuar se në kujtim të jetës dhe veprës së tij, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me mbështetjen e Komunës së Ferizajt, organizon sot mbledhje komemorative nga ora 15:00 në Teatrin “Adriana”, në Ferizaj.

“Ngushëllime të sinqerta familjes Ilazi, bashkëluftëtarëve, familjeve të Dëshmorëve të Kombit, invalidëve e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shpirti i tij, u prehtë në parajsën e paskaj”, thuhet në njoftim.sn

Gërvalla takon homologun grek: Kosova e përkushtuar për rritje bashkëpunimi me Greqinë, fokus tregtia e investimet

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka zhvilluar një takim me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis, në cilin ajo tha se kanë folur për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh.

Përmes një shkrimi në platformën X, Gëevalla tha se në këtë takim, ka theksuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, soç tha ajo, me fokus në tregti dhe investime, përcjell Klankosova.tv.

“Kënaqësi të takohem me Ministrin e Jashtëm, Giorgos Gerapetritis në margjinat e #UNGA79. Ne diskutuam mënyrat për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh”.

“Theksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, me fokus në tregti dhe investime”, ka shkruar Gërvalla.sn

Një vit pas sulmit terrorist, Banjska me rrugën e Afrim Bunjakut!

Një vit pas sulmit në Banjskë, vendasit thonë se ende nuk e kanë marrë veten. Rruga në Banjskë merr emrin e Afrim Bunjakut. Si paraqitet gjendja e sigurisë atje?

 

Fshati Basnjkë në veri të Kosovës mori rrugën e tij të parë: Rruga tani quhet Afrim Bunjaku. Kështu quhet polici i vrarë në sulmin e armatosur para një viti nga një grup i armatosur i serbëve. Më pas në konfliktin me Policinë e Kosovës janë vrarë edhe tre serbë – dy nga Leposaviçi dhe një nga Zveçani.

Tabelën me emrin e rrugës e ka zbuluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa në Banjskë ishte edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Një vit nga ngjarjet e 24 shtatorit 2023, jeta në Banjskë ka ndryshuar dukshëm. Atje ka më shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e më pak vendorë, sepse vendorët janë shpërngulur në zona të tjera.

Këto ditë nga frika e provokimeve u mbyll edhe manastiri i famshëm i fillimit të shekullit XIV në këtë fshat. Shkolla fillore “Banoviç Strahinja” në 24 shtator ishte e zbrazët – kjo shkollë ka më së shumti nxënës të klasës së parë në të gjitha fshatrat e veriut të Kosovës – shtatë.

“Më mirë një rrugë se një monument”

Shiu i dendur në përvjetorin e parë i detyroi fshatarët të mbylleshin në shtëpitë e tyre. Por shiu nuk është e vetmja arsye: ata e dinin, siç thonë, se fshati i tyre do të ishte nën vështrimin e politikanëve dhe gazetarëve atë ditë. Banorët thonë se akoma nuk e kanë marrë veten nga ato ngjarje. Ata ende nuk duan të flasin hapur për këtë.

Një nga të paktët që pranon të flasë është aktivisti civil Dejan Nedeljkoviç. Ndonëse prej kur është martuar nuk jeton në Banjskë, shpesh vjen këtu në shtëpinë e prindërve. Ai thotë se po angazhohet që Banjskë të ringjallë potencialin e saj turistik.

Nedeljkoviç thotë: “E dinim se dikush do të vinte dhe do ta shënonte disi këtë ditë. Madje u tha se do të ngrihej edhe një monument. Nuk do të habitesha nëse do të ishte një monument i gjatë dy metra. Por emërimi i një rruge është padyshim një alternativë më e mirë. Deri më tani Banjska nuk kishte asnjë rrugë, adresa e saj ishte Banjska bb (Banjska pa numër)”, thotë ai për DW. Ai shton se askush në fshat nuk shqetësohet me emrin e rrugës.

Nedeljkoviç flet për ngjarjet e një viti më parë kështu: “Njerëzit kaluan nëpër ferr atë natë”. E para, nuk dihej se kush ka hyrë në fshat, nuk e dinim nëse ishte ushtria serbe. Meqë ishin me uniformë, në fillim menduan se ka hyrë ushtria serbe. Pastaj në një moment u shfaqen persona të uniformuar që flisnin serbisht, ndërsa më vonë persona me uniformë që flisnin shqip, sepse ndërkohë edhe ata kanë hyrë në Basnjskë. Ishte shumë stres. Atë mbrëmje kanë qenë edhe prindërit e mi këtu. Atyre u është thënë të fshihen pas murit dhe të mos dalin në dritare, sepse mund të qëllohen”.

Nedeljkoviç e quan situatën e sigurisë në veri të Kosovës si shumë të keqe, sidomos që nga dita kur serbët u larguan nga institucionet, mbi të gjitha nga Policia e Kosovës dhe nga gjyqësori.

“Ishte një vendim katastrofik. Kishim 650 policë të armatosur ligjërisht, të cilët në çdo moment mund t’i thoshin Policisë së Kosovës se nuk duhet të vijnë në veri dhe të shkaktojnë telashe, siç ndodh në disa enklava në jug. Në situata të tilla paraqitet FOR-i dhe ndalen problemet”, thotë ai dhe kërkon që KFOR-i të vijë edhe në Banjskë.

Prokuroria me siguri do të insistojë në zbardhjen e ngjarjeve

Për shkak të rastit Banjska, Prokuroria e Kosovës në shtator ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave. Tre u arrestuan, të tjerët janë në arrati. Në mesin e të arratisurve është edhe Milan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë para institucioneve në Serbi, por atje nuk ka filluar asnjë proces. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje institucioneve të Serbisë këto ditë që të ndjekin penalisht autorët, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajëson Serbinë për këto ngjarje./DW

Osmani dhe O’Brien bisedojnë për sigurinë në rajon

Takimi mes Osmanit dhe O’Brienit.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Shtetet e Bashkuara me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Osmani tha po ashtu se gjatë takimit është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në.

“Takimi i radhës me ndihmëssekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, për të diskutuar për thellimin më tutje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, integrimit euroatlantik të vendit tonë, si dhe paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, shkroi ajo në Facebook.

Osmani po qëndron në SHBA dhe po merr pjesë në disa ngjarje, teksa liderët botërorë janë mbledhur për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Takimi mes Osmanit dhe O’Brien pasi kohëve të fundit SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për disa veprime të ndërmarra në veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – që i ka cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

Ai ka thënë se cilësia e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës “nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

SHBA-ja po ashtu i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta që nga viti i kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marr Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë.

Së fundi, Kosova ka ngritur aktakuzë për sulmin e armatosur në Banjskë kundër 45 personave.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë: Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Shumica dërrmuese e të akuzurave ndodhen në arrati. REL

Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga SHBA-ja

Policia e Kosovës tha se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani, këtë javë, ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA”, thuhet në njoftimin e policisë.

Reagimi pason raportimet e disa mediave në Kosovë se SHBA-ja i ka ndërprerë për një kohë trajnimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si “formë e sanksionimit”, pas mbylljes së disa komunave paralele serbe në veri të vendit.

Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila tha se është “duke vazhduar shqyrtimin e çështjes” dhe se “nuk ka marrë asnjë vendim për momentin”.

“Ne ju referojmë te deklarata jonë e 30 gushtit, ku thuhej: ‘Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementet e saj vartëse”, thuhet në përgjigje.

Në deklaratën e 30 gushtit, Ambasada amerikane tha, po ashtu, se Qeveria e Kosovës “instrumentalizon” Policinë për të kryer veprime të pakoordinuara.

Reagimi i saj erdhi në ditën kur autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – me arsyetimin se funksiononin jashtëligjshëm.

Mbyllja e tyre shkaktoi reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në njoftimin dërguar mediave, Policia e Kosovës tha se i merr “me shumë seriozitet” deklarimet e Ambasadës amerikane në Prishtinë që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e Policisë dhe se “është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme” për të ruajtur partneritetin me SHBA-në.

I pyetur për pretendimet e Ambasadës amerikane, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë këtë javë se “Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje”.

“Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës”, tha Sveçla.

REL

Sveçla ‘shpërthen’ ndaj Speciales: Aktakuza për Banjskën e mangët pa përfshirjen e kreut të ushtrisë serbe

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, ka thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë, është e mangët nëse nuk përfshihen , kreu i ushtrisë së serbe dhe komandanti i kazermës Pasulanski Livade.

Ai ka thënë se mospërfshirja e tyre në aktakuzë amniston Serbinë si të përfshirë direkt në sulm.

Sveçla në një intervistë në Tëvë1 ka thënë se përveç armatimit që i është dhënë këtij grupi ata kanë kryer edhe ushtrime ushtarake në kazermën e ushtrisë serbe.

“Aktakuza për mu është e paplotë përderisa nuk është komandanti i kazermës Pasulanski Livade, zëvendësi i tij, komandanti i ushtrisë së Serbisë.

Mungesa e përfshirjes së tyre amniston Serbinë si e përfshirë direkt në sulmin e Banjskës. Nuk mund të ndodhë që gjithë ai ushtrim ushtarak të ndodhë në një kazermë zyrtare pa lejen e komandantit”, është shprehur Sveçla.

Ai ka thënë se aktakuza e kufizuar vetëm në individët që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë për të është e çuditshe.

Më 11 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakzuë ndaj 45 personave në krye me Milan Radoiçiq për sulmin në Banjskë. Ata akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe shpërlarje parash.

Në aktakuzë thuhet se grupi terrorist kishte për synim aneksimin e veriut të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Prandaj kufizimi vetëm në indvidët të cilët kanë qenë pjesë e sulmit për mu është pak i çuditshëm

Kosova konfirmon një tjetër shifër: Serbia ka grabitur 3274 artefakte

Për dy dekada, institucionet e Kosovës kanë luajtur jo rrallë me shifra për numrin e artefakteve që i ka grabitur Serbia. Para pavarësisë, institucionet rëndom i referoheshin “mbi tri mijë artefakte” pastaj numri ra e u përgjysmua kur fushatat bëheshin herë për 1244 e herë 1247 artefakte të grabitura, por tash del tjetër shifër që i bie që së paku për nja 15 vjet, Kosova t’ia ketë huqur shifrës për hiç më pak se 2477 artefakte. Zyrtarisht, Kosova thotë se Serbia në tërësi ka grabitur 3724 artefakte dhe kjo konfirmohet në Raportin e hartuar nga Komisioni Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999

KOHA DITORE

Kosova aktualisht, zyrtarisht ka dy palë dokumentesh sa u përket artefakteve që i konsideron të grabitura nga Serbia. Para tre vjetësh me letrat dërguar institucioneve të Serbisë dhe Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM) kërkohej kthimi i 1247 artefakteve të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Tash numri ka ndërruar.

Zyrtarisht Kosova thotë se Serbia në tërësi ka grabitur 3724 artefakte. Pra, 2477 më shumë. Tash shteti qëndron prapa këtij numri. Është bërë publik në saje të Raportit të hartuar nga Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.

Javën e kaluar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dorëzuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë Raportin me të dhënat e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë viteve të luftës.

Ministri Çeku ka njoftuar se gjatë luftës, krahas krimeve të shumta të luftës, projekti gjenocidal serb kishte shënjestruar edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Kulturocidi serb në Kosovë ishte me pasoja tronditëse. 1784 monumente të shkatërruara, 3724 artefakte të grabitura, 175 biblioteka të shkatërruara, 1.7 milion libra shqip të asgjësuar, dhjetëra mijëra dokumente arkivore të monumenteve të grabitura, qindra vepra arti të dëmtuara e vjedhura”, shkruhej në njoftim. Ka treguar se Raportin e dokumentimit me këto gjetje dhe rekomandimet për veprimet e mëtejme ia dorëzuan Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës.

“Raporti është rezultat i punës së Komisionit shtetëror të emëruar nga Qeveria, me anëtarë nga institucionet shtetërore dhe profesionale. Nuk do të ndalemi për asnjë moment në betejën tonë për drejtësi e dëmshpërblim karshi Serbisë”, ka njoftuar ai.

Nga fotografitë e takimit shihet se aty janë dorëzuar edhe burime të kohës së ish-Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Por tash hesapi ka ndërruar. Më 2021 me ardhjen në krye të MKRS-së së ministrit aktual Hajrulla Çeku, pati nisur njëfarë fushate për kthimin e artefakteve që mban Serbia prej viteve ’90. Madje në bazë të reversëve, konventave ndërkombëtare dhe Planit të Ahtisaarit, kërkohej nga shteti serb që 1247 artefakte të kthehen në Kosovë. Nëpërmjet këtij veprimi, institucionet e Kosovës u ishin kthyer përpjekjeve që artefaktet e marra për një ekspozitë të përkohshme të kthehen në vendin e origjinës, pas më shumë se dy dekadave.

Asokohe – në maj të vitit 2021 – drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i ishte drejtuar Bojana Boriq–Breshkoviqit, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar në Beograd, Tijana Çolak–Antiq Popoviq, drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Beogradit, dhe Vladimir Kostiqit, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi.

“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështjeje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona. Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, dua t’jua kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës”, shkruhej në shkresën e Lecit. Kishte shkruar se ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet e Kosovës vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë përkatëse të Serbisë.

“Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës)”, shkruhet në letër.

Si fakt i tretë obligues përmendet Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit të Ahtisaarit që, sipas shkresës, në mënyrë të prerë obligon Serbinë ta kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrë përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd. Aty shkruhet se “numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247”.
Në të njëjtën ditë, tri institucioneve të Serbisë u ishte dërguar një letër e përbashkët nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe ministrja e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz. Letra e dyshes është përcjellëse dhe mbështetëse për letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Dyshja kishte shkruar se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ofrojnë mbështetje të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Ajet Lecit, drejtor i MKK-së, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë. Krejt këtë institucionet serbe e kishin kualifikuar si “provokim të rrezikshëm për trashëgiminë kulturore”.

Pas këtyre shkresave, Qeveria kishte emëruar Komisionin Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.

Ky Komision udhëhiqet nga Gjejlane Hoxha, njëherësh udhëheqëse e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

Hoxha ka thënë se për shifrat e nxjerra bazohen në të dhëna zyrtare.

“Bazohemi në dokumentacionin real të vulosur në institucionin publik Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe ky është numri i kalkuluar deri më tash. Janë edhe të muzeve të Prizrenit e Mitrovicës, do të thotë të të gjithë muzeve. Ka dokumente që artefaktet kanë shkuar edhe për çështje të restaurimit dhe nuk janë kthyer kurrë. Kryesisht janë arkeologjike dhe etnografike”, ka thënë Hoxha për KOHËN.

Sa u përket librave që përmend të Raport ka thënë se janë bazuar në  raportet e UNESCO-s të vitit 2000. “Janë raporte të ekspertëve ndërkombëtarë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se çdo informacion vjen nga dokumentet kredibile institucionale. Pjesë e Komisonit janë edhe Nora Weller, Mehmet Kraja, Reshat Nurboja, Vehbi Miftari, Andras Reidlmayer, Amra Hadzimuhamedoviq, Sali Shoshi, Milot Berisha, Florina Jerliu, Avni Manaj, Nora Arapi-Krasniqi e Orges Drançolli.

Andras Reidlmayer ishte ligjërues i Universitetit të Harvardit. Në vitin 2000 së bashku me Andrew Herscher kishin përgatitur raportin “Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë, 1998-1999”. Reidlmayer në cilësinë e ekspertit ka dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Ballkan, saktësisht në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Raporti i tij dhe i kolegut të tij për Kosovën është përmendur edhe në Raportin e Parlamentit Evropian “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nga konfliktet e armatosura në Ukrainë dhe më gjerë”, i hartuar në mars të vitit 2023. Ky raport midis të tjerash vë në pah se “në Kosovë ka pasur shkatërrime të mëdha të trashëgimisë kulturore në vitet 1990…”.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Kulturës se çfarë pritet në të ardhmen nga procesi i dokumentimit të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe cilat janë rekomandimet e bëra për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Por MKRS-ja nuk është përgjigjur.
Drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Atdhe Hetemi ka thënë se materialet e pranuara kalojnë në filtrin metodologjik të hulumtimit dhe mandej përdoren për qëllime të hulumtimeve akademike e të tjera.

“Materialet tona shërbejnë si burime shkencore për punimeve akademike e si burime informacioni për ndonjë rast tjetër”, ka thënë ai për KOHËN derisa ka rrumbullakuar mandatin që ka institucioni që ai udhëheq.

Në anën tjetër, me ekspozita të përkohshme ose me fushata posterësh,  Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës tash e 20 vjet kërkojnë kthimin e eksponateve.

“Kthehu” titullohej ekspozita me imazhe të eksponateve që mungojnë, e cila u hap më 2002 në Muze si thirrje për kthimin e këtyre artefakteve. Aktivitetet e tilla vazhduan me ekspozitën “Kosova antike” në vitin 2004 e atë “Edhe unë dua të kthehem në shtëpi tani” në vitin 2009. Më 2022 qe ekspozita e fundit me këtë tematikë, “Return us home” (Kthenani në shtëpi). Kësisoj,  Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës kishin shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, 18 majin.

Vetëm artefakti i kohës së neolitit “Hyjnesha në fron” i është kthyer Kosovës në vitin 2002, me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të Kosovës në atë kohë, Michael Steiner.

Sulmi në Banjskë, pritet të mbahet sot seanca e parë gjyqësore ndaj 45 të pandehurve

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot pritet të mbahet seanca përgatitore në rastin Banjska, bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator kundër 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiçin. Shumica prej tyre janë të paarritshëm për sistemin gjyqësor të Kosovës.

Ka indikacione se do të kërkohet shtyrja e seancës pasi avokatët sapo e kanë marrë aktakuzën në gjuhën serbe dhe, sipas tyre, nuk kanë pasur kohë të përgatiten.

Kjo seancë vjen një ditë pas përvjetorit të sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.

Aktakuza i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi të armatosur ndodhen në Serbi.

Në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjska: Vladimir Toliç, Blagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), më 24 shtator, tha se ligjet e Kosovës lejojnë që të gjykohet në mungesë, dhe se Serbia “herët a vonë do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët”.

Lubomir Pantoviq, avokati i të arrestuarit Spasojeviq, javën e kaluar i tha REL-it se gjyqi do të jetë “i vështirë, serioz dhe kompleks”, pasi veprat penale të përmendura në aktakuzë janë të tilla.

Klienti i tij, Blagoje Spasojeviq, i ka treguar policisë disa detaje pas arrestimit, por theksoi se nuk e dinte se më 24 shtator 2023 do të ndodhte një sulm i armatosur. Ndërkohë, me sugjerimin e avokatit të tij, ai më vonë vendosi të mbrohet duke heshtur.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkon të akuzuarit, ndër të tjera, me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori Naim Abazi tha se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Në Kosovë, Radoiçiq gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb dhe frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor që lidhet me ndërtimet ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Hetimin e sulmit në Banjska po e udhëheq edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila ngarkon Radoiçiqin me tre vepra penale – ndër të cilat janë prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjska një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjska dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./REL

Ndërron jetë motra e komandantit legjendar Adem Jashari

Sot, më 23 shtator 2024, është ndarë nga jeta Hava Jashari-Gashi, motra e komandantit legjendar Adem Jashari dhe Hamëz Jashari.

Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga Bekim Hamëz Jashari, përmes një postimi në rrjetet sociale. “Me dhimbje të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të nënës, motrës, hallës sonë të dashur,

HAVA (SHABAN) JASHARI-GASHI, e cila u largua nga kjo botë sot. Ajo ishte një grua e mrekullueshme, e përkushtuar ndaj familjes dhe të dashurëve të saj, e cila na la pas kujtime të vyera dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm”, ka shkruar Bekim Jashari.

Hava Jashari-Gashi u përshkrua si një person që ka lënë pas kujtime të vyera dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm për familjen dhe miqtë e saj.

 

Ceremonia mortore do të mbahet sot, më 23 shtator 2024, në orën 16:30, në varrezat e fshatit Kryshevc, në Skenderaj.BW


Send this to a friend