VOAL

VOAL

Pse po tronditet Serbia – Nga SPARTAK NGJELA

June 11, 2018
blank
2 Comments

Komentet

blank

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të mbronin Tajvanin nëse sulmohet nga Kina

VOA

Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të ndërhynin për të mbrojtur Tajvanin, nëse Kina do ta sulmonte atë.

Në një konferencë me gazetarë në Tokio, presidenti Biden u pyet nëse Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të “përfshiheshin ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin”, duke pasur parasysh se Uashingtoni nuk qe i gatshëm ta bëjë këtë pas agresionit rus në Ukrainë.

“Po. Ky është zotimi që kemi bërë”, tha presidenti Biden, pa shpjeguar se çfarë do të përfshinte një mbrojtje hipotetike e SHBA-së për Tajvanin.

Kjo është ‘lëvizja e fundit’ e dukshme e presidentit Biden nga qasja e “paqartësisë strategjike” që presidentët amerikanë kanë përqafuar prej kohësh kur flitej për një pushtim të mundshëm kinez të Tajvanit.

Ministria e jashtme e Kinës u kundërpërgjigj shpejt, duke thënë se Pekini nuk ka vend për kompromis apo lëshime për çështjet që lidhen me sovranitetin e tij.

Presidenti Biden bëri komente të ngjashme në muajin tetor. Në të dyja rastet, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u përpoqën shpejt të sqaronin komentet e tij.

“Siç tha presidenti, politika jonë nuk ka ndryshuar. Ai përsëriti politikën tonë ‘një Kinë’ dhe përkushtimin tonë për paqen dhe qëndrueshmërinë përgjatë ngushticës së Tajvanit”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë më vonë të hënën.

Sidoqoftë, zyrtari amerikan nuk u tërhoq nga komentet e presidentit Biden për të mbrojtur Tajvanin.

Kina, një shtet autoritar njëpartiak, e sheh Tajvanin demokratik si një provincë të shkëputur dhe është zotuar prej kohësh ta rimarrë atë, me forcë nëse është e nevojshme. Vitet e fundit, Pekini ka zhvilluar një numër fluturimesh në rritje të avionëve ushtarakë pranë ishullit.

Në Tokio, presidenti Biden tha se Kina “po flirton me rrezikun”, por nuk pret ajo të përdorë forcën për të tentuar të marrë Tajvanin, veçanërisht nëse bota i kundërvihet pushtimit rus të Ukrainës.

“Shumë varet nga ajo se sa fort bota e bën të qartë që ky lloj veprimi do të çojë në mosmiratim afatgjatë”, tha presidenti Biden.

Kryeministri japonez Fumio Kishida, i cili foli së bashku me presidentin Biden, dha një përgjigje më pak të drejtpërdrejtë në pyetjen nëse Japonia do të ndërhynte ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin.

Megjithatë, kryeministri Kishida tha, se “përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në me forcë, si në Ukrainë, nuk duhet të tolerohen kurrë në Indo-Paqësor”.

Kryeministri Kishida tha se ai dhe presidenti Biden, nënvizuan rëndësinë e paqes dhe qëndrueshmërisë në ngushticën e Tajvanit.

Japonia ka qenë një nga kritikët më të hapur në botë të agresionit rus në Ukrainë. Presidenti Biden dhe kryeministri Kishida e dënuan atë agresion në komentet e tyre publike të hënën.

“Kjo nuk është një çështje evropiane. Kjo ka ndikime globale, përfshirë edhe çështjet e sigurisë së Azisë Lindore dhe Indo-Paqësorit”, tha për Zërin e Amerikës Noriyuki Shikata, Sekretari Çështjet Publike të Japonisë në kabinetin qeveritar.

Gjatë takimit, kryeministri Kishida tha gjithashtu se presidenti Biden mbështeti përpjekjet e fundit të Japonisë për të “përforcuar në mënyrë thelbësore aftësinë mbrojtëse të saj”.

Presidenti Biden është në mes të një vizite treditëshe në Japoni, pas një ndalese në Korenë e Jugut.

Në një ngjarje në Tokio të hënën, presidenti Biden shpalosi nismën e “Kornizës Ekonomike Indo-Paqësore”, ose IPEF, që synon të dëshmojë angazhimin ekonomik të Shteteve të Bashkuara në Azi.

blank

‘A jepet Koloseu dhe Akropoli me PPP?! Referendum popullor për Butrintin!’

‘A jepet Koloseu me PPP?! A jepet Akropoli me PPP?! – Referendum popullor për Butrintin!

Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit, e cila është ngritur në revoltë përpara parlamentit për të mos lejuar miratimin e ligjit për dhënien e Butrintit nën menaxhim, një fondacioni privat shqiptaro-amerikan, vuri alarmin sot se për Parkun Kombëtar po veprohet me shpejtësi dhe nxitim njësoj si për Teatrin Kombëtar që u shemb.

Përfaqësuesi i Aleancës, Aulon Kalaja deklaroi se në fund do të detyrohen të thërrasin popullin në referendum për t’ia shpjeguar thjesht çështjen e Butrintit. “A jepet Koloseu me PPP?! A jepet Akropoli me PPP?” bëri krahasimin ai.

“Para dy ditësh ne kemi krijuar aleancën për mbrojtjen e Butrintit dhe akoma pa zbardhur rezolutën, me të cilën vendosëm njëzëri që do t’ia drejtojmë Parlamentit, Ministrisë së Kulturës, UNESCO dhe institucioneve të tjera që veprojnë në Shqipëri, me shpejtësi shumë të madhe na telefonojnë dje dhe na thonë se kanë futur në rendin e ditës ligjin për Butrintin!

Po ndodh e njëjta gjë siç ka ndodhur me Teatrin Kombëtar.

Për këtë arsye ne mendojmë se ky ligj nuk duhet të votohet dhe i bëjmë thirrje deputetëve që as denjuan të na takojnë, se i kemi votuar, marrin paratë nga taksat tona dhe nuk takojnë për të na dëgjuar.

Butrinti është një kauzë e arkeologëve, e historianëve, e qytetarëve dhe e gjithë shqiptarëve që duan historinë.

Ne po veprojmë në dy nivele: niveli i parë është ai i tryezave të diskutimit dhe ne do të shkojmë këtë javë në Sarandë, takime me qytetarët pa dallime të majta a të djathta dhe pastaj do të shkojmë në Butrint me arkeologët, z. Neritan Ceka, z.  Apollon Baçe; me z. Auron Tare jemi në kontakt, ka dërguar njerëzit e vet, pra kemi një aleancë fluide bashkë me Andi Tepelenën, prof. Edmond Budinën etj.

Hapi i dytë është që një grup prej shtatë avokatësh po e shqyrtojnë çështjen nga ana ligjore, se si do ta godasim nga ana ligjore në gjykatat shqiptare, deri në Kushtetuese si palë e legjitimuar.

Ndërsa çështja tjetër, për të cilën po mbledhim edhe firma për ndonjë referendum të mundshëm, është se jemi në bisedime për të marrë rreth 50 mijë firma që të mos mbetet vetëm në arenën populiste, që t’u themi qytetarëve shqiptarë a jeni pro apo kundër.

A jepet Koloseu me PPP?! A jepet Akropoli me PPP?! A ka ndonjë rast tjetër siç do të jepet Butrinti në botë?!

Ne jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj kauze. Kjo nuk është çështje stomaku, por çështje shpirti, ndaj ne do të qëndrojmë këtu deri në fund.SYRI.NET

blank

FMN zbardh skemën: Si të zbulohen dhe taksohen shqiptarët e pasur që depozitojnë në parajsat fiskale

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi së fundmi një dokument që orienton Shqipërinë se si mund të luftojë informalitetin nëpërmjet administrimit fiskal, duke sofistikuar mënyrat për taksimin e të pasurve.

Fondi konsideron se një element i rëndësishëm i evazionit janë individët relativisht të pasur. Këto individë depozitojnë sasi të mëdha parash në parajsat fiskale që ndër të tjera i shmangen edhe taksimit.

Shqipëria tashmë ka miratuar kuadrin ligjor për shkëmbimin automatik të informacionit dhe në këtë mënyrë mund të fillojë të marrë informacione për shqiptarët rezidente që kanë depozita jashtë vendit.

FMN sugjeron që një grup audituesish të aftë duhet të funksionojnë për të përfshirë në taksim me metoda alternative fondet dhe asetet e brendshme të pataksuara.

Megjithatë, gjenerimi i të ardhurave nga individët e pasur do të varet nga kapaciteti i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të zbuluar paratë e padeklaruara të mbajtura në institucionet financiare vendase.

Fondi sugjeron se një Task Forcë e dedikuar hetimi do të ndihmonte në forcimin e besueshmërisë së taksimit te të padeklaruar të personave të pasur në vend.

“Mblidhni taksat e shmangura nga korrupsioni dhe krimet e tjera financiare duke përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet agjencive të të ardhurave dhe organeve të tjera zbatuese. Autoritetet e të ardhurave mund të jenë aktorët kryesorë në luftën kundër krimit financiar dhe korrupsionit” këshillon FMN.

Sakaq në vijim të këshillave të FMN, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është angazhuar të krijojë një listë me 650 individët më të pasur në vend, pasuria e të cilëve do të hetohet për arsye të mbledhjes së taksave dhe reduktimit të informalitetit ne tre vitet në vijim.

Në Programin e ri Ekonomik të Qeverisë 2022-2024, përcaktohet se lista do të përmbushet gjatë tre viteve, ku në vitin 2022 do të listohen 100 persona, më 2023 do të evidentohen edhe 200 dhe gjatë 2024 edhe 350 individë të pasur, duke e çuar listën totale në 650 individë.

Për nga stili i jetës që bëjnë, Shqipëria ka shumë individë që kanë pasuri, të cilët nuk i kanë të deklaruara burimet e të ardhurave e për rrjedhojë nuk janë të fiskalizuar. Pasuria e këtyre individëve mund të burojë nga burime të ligjshme dhe të paligjshme të ardhurash, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve synon që të paktën të fiskalizojë një pjesë të pasurisë së fshehtë dhe të nëndeklaruar.

Hetimet paraprake të Tatimeve kanë gjetur se, ka më shumë individë që marrin paga të larta se sa vetëdeklarohen në Tatime. Lista që do të krijohet, do të azhurnojë informacione nga palë të treta, të tilla si hipotekat, pagesa e energjisë dhe ujit dhe synon të rrisë tatimin nga të ardhurat dhe pasuritë e këtyre individëve.

Shumë individë në Shqipëri kanë krijuar pasuri në mënyrë të jashtëligjshme, por institucionet financiare ndërkombëtare e kanë këshilluar autoritetin fiskal në vend që së paku kjo pasuri të fiskalizohet./ Marrë nga Monitor.al

blank

“Ne thyem shtyllën kurrizore të një prej ushtrive më të forta në botë”, Zelensky: Lufta në Ukrainë do të përfundojë me diplomaci

“Ukraina do të luftojë për një fitore pas betejave të përgjakshme dhe lufta do të përfundojë me diplomaci”, kështu është zotuar presidentin ukrainas Volodymir Zelensky gjatë një interviste të dhënë për mediat ndërsa shënon tre vite si President.

I pyetur lidhur me renditjes si njeriu më me ndikim për 2022, ai ka thënë: “Unë ia referoj popullit ukrainas, ata janë njerëzit e vitit. Kjo për shkak të qëndrimit të bashkuar që ata kanë treguar. Kjo luftë, bashkimi ynë është dëshmi se ne qëndrojmë dhe unë jam krenar për këtë”, ka thënë më tej ai.

Në intervistën për mediat e huaja ai foli edhe për mbrojtësit e fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol, të cilët u dorëzuan këtë javë pasi qëndruan për muaj të tërë kundër pushtimit rus.

“Ne do t’i sjellim ata në shtëpi,” tha ai për luftëtarët ukrainas që tani mbahen nga Rusia.

“Ne thyem shtyllën kurrizore të një prej ushtrive më të forta në botë. Ata nuk do të ngrihen në këmbët e tyre në vitet e ardhshme,” tha Zelensky.

Ai këmbënguli se ishte i sigurt për fitoren, duke thënë se nuk kishte alternativa.

(BalkanWeb)

blank

Kundërsulm Rusisë, propozimi i ri i Zelenskyt për aleatët: Firmosni që Moska të paguajë për dëmet e luftës në Ukrainë

Presidenti Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje shteteve aleate që të bashkohen në një marrëveshje zyrtare që do të siguronte kompensim nga Rusia për të gjitha dëmet që i janë shkaktuar Ukrainës.

“Ne ftojmë vendet partnere të nënshkruajnë një marrëveshje shumëpalëshe dhe të krijojnë një mekanizëm që siguron që të gjithë ata që kanë vuajtur nga pushtimi rus të mund të marrin kompensim për të gjitha humbjet e shkaktuara”, tha ai në një deklaratë në rrjetet social, raporton The Guardian.

Presidenti i Ukrainës tha se një marrëveshjeje të tillë, fondet dhe pronat ruse në shtetet nënshkruese do të konfiskoheshin. Më pas ata do të drejtoheshin në një fond të posaçëm kompensimi.

(BalkanWeb)

blank

“Ditët e Qendresës” mesazh për të mos harruar krimet e komunizmit në Shqipëri

Pëllumb Sulo

“Ditët e Qëndresës” nisën sot nga qyteti i Shkodrës ku, ish të përndjekurit politikë, familjarë të viktimave të periudhës së komunizmit dhe autoritetet vendore u mblodhën përpara memorialit që i kushtohet qëndresës së ish të burgosurve.

Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politikë, Zenel Drangu, tha se kjo bëhet në shenjë nderimi për mijëra të burgosurit, të internuarit dhe viktimat e dhunës së regjimit komunist, shumë prej të cilëve, edhe pas 30 vitesh nga rrëzimi i komunizmit, ende nuk u dihet vendvarrimi.

“Ditët e Qëndresës” organizohen nga shoqata e ish të burgosurve politikë dhe komisioni “Drejtësi dhe Paqe”.

“Kjo është ditë përkujtimore në përkujtim të gjithë të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq si dhe në përkujtim të revoltës së Spaçit dhe atë të Qafë Barit. Shkodra ka 601 të pushkatuar dhe 3 mijë të burgosur si dhe 1900 familje që janë internuar”, tha zoti Drangu.

I dënuar me 25 vite burgim për arratisje drejt ish-Jugosllavisë, Zenal Drangu, i cili sot drejton shoqatën e ish të burgosurve politikë të Shkodrës, tregon për kushtet çnjerëzore në ish kampin e punës të Spaçit, ku ai kaloi vitet e dënimit.

“Që të jetosh me 3.5 gram voj me vite të tana, me 7 gram sheqer që ishte normative, me 200 gram zarzavade dhe 600 gram bukë, kjo sot asht e pabesueshme, po kjo asht ajo jetesa që ne kemi kalu nëpër burgje”, thotë ai.

Për drejtuesin e komisionit “Drejtësi dhe Paqe”, Luigj Mila, shoqëria shqiptare ende nuk është ballafaquar siç duhet me të kaluarën komuniste, ç’ka dëshmohet edhe me rishfaqjen herëpashere në publik të simboleve të periudhës së komunizmit.

Ai thotë se, është e padrejtë që edhe 30 vite pas rrëzimit të diktaturës, mijëra shqiptarë, viktima të regjimit komunist, vazhdojnë të cilësohen si të humbur.

“Duhet të vazhdojmë, se jemi shumë mbrapa në kohë, sidomos përsa i takon të humburve. Dhe, me këtë rast, dëshirojmë të bëjmë homazhe dhe të ngrejmë zërin për mijëra të tjerë që janë zhdukur dhe që shteti, organizatat shtetërore dhe jo shtetërore, nuk po e kryejnë detyrën për rigjetjen e tyre. Dua të theksoj këtu faktin se ne kemi 38 martirë të kishës katolike dhe vetëm 10 prej tyre janë gjetur. Pra kemi 28 të tjerë që nuk janë gjetur”, thotë zoti Mila.

Ndërkohë, thotë zoti Mila, objektet e represionit komunist, siç ishin kampet e punës në Qafë Bari, Spaç apo Tepelenë, thuajse janë shkatërruar gjatë viteve duke zhdukur, nga dita në ditë, edhe gjurmët e krimeve të komunizmit.

“Aq më tepër që janë disa objekte shumë të famshme, siç janë burgu i Burrelit dhe burgu i Tiranës, të cilët vazhdojnë të përdoren për të dënuar ordiner dhe aty janë luajtur tragjedi shumë të mëdha, janë njerëz të varrosur, njerëz të humbur. Kemi raste që aty kërkohen tash 30 vite dhe, jo vetëm që nuk janë gjetur, por nuk kemi shpresë që t’i gjejmë”, thotë ai.

Në Shqipëri, gjatë 30 viteve të fundit janë bërë përpjekje të herëpashershme, kryesisht nga familjarët, për zbulimin e vendvarrimit të kundërshtarëve politikë. Deri tani nuk ka një të dhënë të saktë për numrin e përsonave, të cilëve u është gjetur vendvarrimi. Ndërkohë, si Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, ashtu edhe Komisioni Ndërkombëtar për Gjetjen e të Zhdukurve, deklarojnë se është rreth 6 mijë numri i përsonave të zhdukur gjatë regjimit komunist.

blank

Kongresi amerikan miraton 40 miliardë dollarë për Ukrainën

VOA/Katherine Gypson

Senati amerikan miratoi një fond prej 40 miliardë dollarësh për ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, Presidenti Joe Biden pritet ta nënshkruajë ligjin, pikërisht në momentin kur po përfundonin fondet miratuara më herët këtë vit.

Ndihma për Ukrainën po vjen pikërisht në kohën e duhur. Fondi i mëparshëm i miratuar nga Kongresi amerikan në muajin mars, prej rreth 14 miliardë dollarësh për asistencë humanitare dhe ushtarake, pothuajse po përfundon. Paketa ligjore për ndihmën e re u miratua me mbështetje dypartiake, në një votim 86 pro me 11 kundër.

“Të gjithë ne amerikanët, të gjithë ne demokratët dhe republikanët, nuk mundemi të fshihemi ndërsa Vladimir Putini vazhdon agresionin e tij të egër ndaj popullit ukrainas, ndërsa ai godet spitale civilësh dhe vret fëmijë dhe njerëz të pafajshëm, Por, kur një numër domethënës republikanësh e kundërshton paketën ligjore, ky është pikërisht mesazhi që u dërgojmë armiqve tanë jashtë vendit”, tha Senatori Schumer.

Të njëmbëdhjetë senatorët që votuan kundër ishin republikanë, ndër ta edhe Senatori Rand Paul, i cili e vonoi me një javë miratimin e paketës, duke kërkuar më shumë mekanizma mbikqyrjeje. Disa shqetësohen gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po e teprojnë me fondet për Ukrainën, ndërkohë që amerikanët po përballen me shtrenjtimin e jetesës. Por, kreu i pakicës republikane në Senat thotë se kostoja e mosveprimit do të ishte shumë më e lartë.

“Ndihma për Ukrainën shkon përtej bamirësisë. E ardhmja e sigurisë së Amerikës dhe interesave të saj thelbësore strategjike do të përcaktohet nga kjo luftë. Çdokush që shqetësohet për koston e mbështetjes për një fitore të Ukrainës, duket të ketë parasysh koston shumë më të lartë, në rastin nëse humb Ukraina”, tha Senatori McConnell.

Shtetet e Bashkuara autorizuan gjithashtu transferimin e paisjeve ushtarake me vlerë 100 milionë dollarë.

“Do të ketë artileri të rëndë 155 milimetërshe, automjete taktike që tërheqin artilerinë, etj. Pra, është ekuivalentja e një batalioni artilerie, të shoqëruar nga tre radarë AN/TPQ-36 kundër artilerisë”, tha zoti Kirby.

Do të jepen gjithashtu 100 milionë dollarë të tjera për operacionet ndaj oligarkëve rusë që përfitojnë nga vendimi i Presidentit Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën. 900 milionë dollarë do t’u shkojnë refugjatëve ukrainas dhe 4.4 miliardë dollarë do të përdoren për të lehtësuar krizën e furnizimit me ushqime.

“Furnizimet me ushqime për miliona ukrainas dhe miliona të tjerë në mbarë botën, janë duke u mbajtur peng nga ushtria ruse”, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Kjo ndihmë do të jepet me shpejtësi, sapo të marrë firmën e Presidentit Biden. Që kur Rusia filloi sulmin më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth 54 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën.

blank

Emisari gjerman: Qëllimi ynë final është që të kemi Kosovën në NATO, mosliberalizimi i vizave gabim i madh i BE-së

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka deklaruar se qëllimi final i Gjermanisë është që Kosova të jetë si vend i pavarur me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimit Evropian. Ai ka folur edhe për mosliberalizimin e vizave për kosovarët, duke thënë se është një nga dy gabimet më të mëdha të BE-së, raporton Express.

Ai ia ka kujtuar Kosovës se akoma i ka 5 vende që nuk e njohin dhe se jo çdonjëri ka një pozicion të qartë siç e kanë gjermanët.

I pyetur se a do ta ndihmojë Gjermania Kosovën për t’u bërë pjesë e NATO-së, ai ka thënë se për momentin kanë tema të tjera në krye të listës për të cilat janë duke punuar, duke përmendur Këshillin e Evropës.

“Këshillin e Evropës, dhe në përgjithësi ne gjithmonë jemi të gatshëm që të ndihmojmë, por gjithashtu duhet të mendojmë se nuk jemi më të mirët për të ndihmuar me disa shtete anëtare, besoj se e kuptoni se çfarë dua të them”, tha Sarrazin, duke shtuar se janë pro aplikimit të Kosovës në KE.

Ka shtuar se për këtë, Qeveria e Kosovës e di se ka rrugë të gjatë deri te vendimi final.

Emisari ka deklaruar se do të flasin me secilin për ta mbështetur Kosovën që të jetë e suksesshme .

“Në maratonë, ju nuk duhet të vraponi shpejt në kilometrat e para, pasi që kilometrat e fundit janë aty dhe duhet të keni një ritëm dhe pamje të qartë. Ne do t’i bashkohemi Kosovës në të gjithë rrugëtimin e maratonës, do t’i japim ujë, do t’i brohorasim dhe mbështesim dhe do të flasim gjithashtu me secilin për ta mbështetur Kosovën që të jetë e suksesshme”, tha ai për Kallxo.com.

Emisari ka folur edhe për mos liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas tij, dy nga gabimet që duhet të korrigjohen nga Bashkimi Evropian është që të hapen negociatat për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e po ashtu të liberalizohen vizat për Kosovën.

“Të hapim negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe më në fund të bëjmë liberalizimin e vizave me Kosovën. Pra, duhet të korrigjojmë dy gabime pasi që këto vendime do të duhej ishin marrë shumë më herët. Pra, duhet t’i korrigjojmë ato”, ka thënë ai.

Sarrazin ka thënë se Kosova ka përmbushur që një kohë të gjatë kriteret për liberalizim të vizave. Ka shtuar se janë duke punuar që t’i bindin dhe miqtë e tyre në mënyrë që të ndodhë ky proces.

“Mund të them se ne po i shtyjmë këto argumente te miqtë tanë. Ne po flasim me miqtë tanë dhe po ju themi se kriteret janë plotësuar që një kohë të gjatë. Nëse ne mund të gjejmë zgjidhje të cilat janë ndihmuese dhe po mundohemi të shpjegojmë edhe dimensionin politik të gjithë kësaj”, ka thënë Sarrazin.

blank

Intervista- Kurti: Për t’i normalizuar marrëdhëniet – Serbia duhet të ndryshojë

Arben Xhixho

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndodhet për vizitë në Shtetet e Bashkuara gjatë së cilës deri tani ka zhvilluar takime me biznese amerikane kryesisht të fushës së teknologjisë informatike në Silicon Valley pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara dhe që prej dy ditësh ndodhet në Uashington, ku është takuar me ligjvënës të ndryshëm nga të dy partitë si dhe me këshilltarin e presidentit Biden për sigurinë kombëtare, Jack Sulivan. Por cili është synimi i kësaj vizite të gjatë, cilat janë pritshmëritë e tij nga kjo dhe si është situata në Kosovë. Për të gjitha këto me kryeministrin Kurti bisedoi shefi i shërbimit shqiptar të Zërit te Amerikës, Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër kjo është ndër vizitat më të gjata të një kryeministri të Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe ajo që ka rënë në sy është takime të shumta me bizneset kryesisht të lëmit të informatikës që ju keni zhvilluar. Publiku tashmë është njohur me emrin e shumë kompanive që ju keni takuar dhe pa kaluar në listën e tyre. Cilat janë pritshmëritë pas takimeve me këta drejtues, a ka një premtim konkret për në Kosovë?

Albin Kurti: Në fund të muajit të kaluar isha vetëm dy ditë në Uashington, D.C. me rastin e funeralit të zonjës sekretare Madeleine Albright, së cilës i kemi shumë borxh si shtet i Kosovës dhe komb shqiptar, sepse ndërhyrja e NATO-s kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së (Slobodan) Millosheviçit para 23 vjetësh, mban vulën dhe nënshkrimin e saj. Dhe pas një jave erdha sërish në Uashington D.C. Po i fillojmë negociatat për marrëveshje me MCC-në (Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit) për programin e Kompaktit që është 236 milionë dollarë dhe përfshinë trajnime të profesionistëve për çështjen e sektorit të energjisë dhe sidomos të grave aty dhe në anën tjetër gjithashtu bateritë akumuluese. Nga Uashington D.C. fluturova në San Francisko, ishte hera parë që shkova në bregun perëndimor në Silicon Valley ku u takuam me shumë ndërmarrës të cilëve ua shpjeguam që Kosova është vend i përshtatshëm për investime meqenëse ka qeverisje demokratike, është e para sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, sa i përket korrupsionit ka lëvizur lart për të mirë në 17 vende sipas Transparency International, ndërkaq sipas Reporterëve pa Kufij po ashtu 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave. Kemi bërë Gjykatën Komerciale në Kosovë dhe gjithashtu rritja ekonomike impresive dyshifrore në Kosovë ishte ftesë e jona, jo që bizneset të vijnë dhe të sakrifikohen në Kosovë, por që të vijnë dhe të fitojnë aty.

Zëri i Amerikës: Ju jeni një vend i vogël dhe për të tërhequr investimet duhet të jeni një vend tërheqës për ta. Kosova po ashtu nuk ka një traditë të madhe, çfarë u ofroni ju bizneseve që vendet tjera të rajonit nuk mund ta ofrojnë?

Albin Kurti: Në Kosovë janë 650 kompani vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit, 10 për qind prej tyre janë me pronësi të huaj, 21 për qind janë me pronësi të përzier dhe 70 për qind prej tyre eksportojnë, 60 për qind e produkteve që bëhen janë për eksport. Pra Kosova ka indikatorët që të shndërrohet në një lloj Estonie të Evropës Juglindore, kemi moshën mesatare 30 vjeç, dy të tretat e popullsisë nën 35 vjeç, që të gjithë dinë anglisht dhe një pjesë e mirë edhe gjermanisht, ka talent që do çliruar dhe sikurse biznesmenët amerikanë po ashtu edhe ata shqiptaro-amerikanë i kemi ftuar që të vijnë dhe të fitojnë në Kosovë e në të njëjtën kohë edhe ne të kemi një zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik.

Zeri i Amerikës: Për një vizitor të huaj, sado që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, megjithatë nuk mund të mos marr parasysh faktin tjetër që Kosova është ende një vend që nuk është anëtarësuar në OKB, ka probleme të pazgjidhura me fqinjin e vet në veri. Pra, ka disa lloj pasigurish. Dhe këtu do dalim te çështja e vjetër, ajo e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Duket që gjatë administratës suaj, marrëdhëniet me Serbinë nuk kanë shënuar përparim, madje mund të argumentohet se kanë shënuar hapa pas. Si e shikoni ju zgjidhjen?

Albin Kurti: Nuk ka hapa pas, mirëpo Serbia ka ngelur pas, meqenëse ajo nuk i pranon krimet që i ka kryer në Kosovë dhe gjithashtu refuzon që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Presidenti amerikan (Joe) Biden e ka formuluar shumë mirë çështjen, ka thënë që duhet të kemi normalizim të plotë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, e cila në qendër të saj e ka njohjen reciproke. Unë jam i gatshëm për njohjen reciproke, Serbia nuk është dhe nuk ka kurrfarë faji asnjë instancë e shtetit të pavarur të Kosovës për faktin që nuk e kemi suksesin e pretenduar në dialogun me Serbinë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, qenia e saj nuk është problematike. Raportin me Serbinë nuk e kemi normal, duam ta normalizojmë, mirëpo për këtë qëllim është Serbia ajo që duhet të ndryshojë.

Zëri i Amerikës: Arritja e një marrëveshjeje me Serbinë, sipas mendimit mbizotërues, do të kërkonte edhe lëshime nga Kosova. Pak kush mendon se Serbia thjeshtë do ta njohë Kosovën, pra që është kërkesa maksimale dhe u zgjidh çështja. A është Kosova gati të bëj lëshim dhe çfarë?

Albin Kurti: Në të kaluarën kemi pasur për një dekadë një dialog në të cilin Kosova bënte koncesione në pritje të njohjes nga Serbia, që vije në fund. Dhe ai fund nuk ndodhi. Tash kemi një zhvendosje të çështjes nga, le të themi, procesi i stërzgjatur në kohë, tek hapësira e një marrëveshjeje në qendër të së cilës është njohja reciproke. Unë nuk them që njohja reciproke është e vetmja gjë në marrëveshje, mirëpo është në qendër të saj. Andaj, përderisa Serbia thotë që kurrë nuk do t’ju njohim dhe presidenti i saj thotë që Reçaku nuk është një ngjarje e vërtetë, pra masakra e 15 janarit të vitit 1999, atëherë këtu edhe ndodhet problemi që nuk e kemi ende një marrëveshje të tillë. Ne jemi të gatshëm, konstruktiv, të përkushtuar, kreativ. Kemi dhënë propozimet tona për deklaratë të paqes për mossulmim të njëri tjetrit, pastaj për reciprocitet të të drejtave, mirëpo janë refuzuar nga Serbia e cila nuk e ka dhënë asnjë ide.

Zëri i Amerikës: Sa i rëndësishëm është për ju normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë? Apo mendoni se do të ishte mirë të normalizoheshin, por Kosova mund të eci, të zhvillohet edhe kështu siç është, pavarësisht se Serbia nuk po e njeh. Prishtina nuk ka pse bën lëshime thjeshtë për njohje. A i qëndroni kësaj teorie?

Albin Kurti: Ne dëshirojmë që të ketë normalizim. Dua dialog për marrëveshje, jo dialog për dialog. Mirëpo, më duhet të konstatoj që 83 për qind janë rritur eksportet në këtë vit, ndonëse nuk na njohu Serbia, investimet e huaja direkte janë rritur për 22 për qind, buxheti krahasuar me para dy viteve për 26 për qind, pastaj të hyrat tatimore janë rritur për 34 për qind, ato doganore për 31 për qind. Pra, Kosova është një storie suksesi e punës dhe qëndresës së popullit të saj dhe e ndihmës dhe mbështetjes së NATO-s, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky rrëfim i suksesit duhet të mbrohet dhe qëllimi i vizitës sime është: sa më shumë investime në Kosovë dhe sa më shumë siguri për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit këtu ju u takuar me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Biden, Jake Sullivan, i cili mbështeti fuqishëm procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por po ashtu ai kërkoi edhe zgjidhjen e çështjeve ende të pazgjidhura. Një prej tyre është çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo kërkesë u është bërë edhe nga BE-ja. A do ta njoh Kosova këtë asociacion?

Albin Kurti: Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë. Ajo ka konstatuar që 23 nene të Kushtetutës, praktikisht shkelen dhe mund të ketë asociacion të komunave, por jo mbi baza etnike.

Zeri i Amerikës: A mund t’i bëhen modifikime, qeveria e Kosovës e ka nënshkruar atëherë, parlamenti e ka ratifikuar, a mund të ndryshojë kjo marrëveshje në mënyrë të që të njihet asociacioni?

Albin Kurti: Në mënyrën se si është në frymën dhe germën e saj, jo.

Zëri i Amerikës: Atëherë si do të dilet nga ky ngërç? Uashingtoni e kërkon, Brukseli po ashtu e kërkon, ju çfarë qëndrimi do të mbani?

Albin Kurti: Duhet ta keni parasysh se në qendër të marrëveshjes për normalizim nuk është asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe nuk ka asnjë zyrtar amerikan që e thotë këtë gjë. Në qendër është njohja reciproke. Nuk kemi nevojë ta heqim nga qendra njohjen reciproke e ta sjellim asociacionin, ka kaluar ajo kohë. Tjetra që duhet theksuar është se në Shtëpinë e Bardhë unë u prita nga zotëri Jacob Sullivan, i cili është njeriu kryesor i sigurisë kombëtare dhe për këtë qëllim unë kam ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, investime nga Amerika në Kosovë dhe siguri për Kosovën, sidomos nga Amerika. Me këtë rast unë kam treguar lidhjet e fuqishme që Serbia i ka me Rusinë, pastaj në të gjitha takimet me afër 20 kongresistë e senatorë, kam kërkuar që të mbyllet Qendra Humanitare Ruse në Nish, pastaj të hiqet zyra e Rusisë brenda ministrisë së Mbrojtjes në Beograd dhe gjithashtu një zonë rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndodhen 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë që janë ofensive, të largohen prej aty. Pra, për sigurinë e Kosovës kemi nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë dhe të gjitha këto gjëra unë i kam diskutuar dhe mund të them që lidhja jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është tejet e fuqishme, është e pathyeshme dhe është e tillë që na i bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës partnerë, aleatë dhe miq të përhershëm.

Zëri i Amerikës: Presidenti Vuçiç është shprehur disa herë se trysnia mbi të po rritet nga perëndimi, nga Uashingtoni, nga Brukseli për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. A po shtohet e njëjta trysni edhe mbi ju – mbi Prishtinën?

Albin Kurti: Nuk do ta kisha quajtur trysni, unë kam bashkëbisedim në formë partneriteti me të gjithë, barazi të palëve në çdo situatë dhe Republika e Kosovës ndonëse nuk është në NATO, dëshiron të anëtarësohet në programin e partneritetit për paqe. Është absurde që Serbia ka program të tillë me NATO-n e nuk ka Kosova. Serbia e cila pretendon një lloj neutraliteti karshi invazionit rus në Ukrainë, që është një gjë e shpifur dhe ne kërkuam që të ndihmohet Kosova për programin e partneritetit për paqe dhe gjithashtu kërkuam që baza ushtarake amerikane e cila ndodhet në Bondsteel, në pjesën lindore të Kosovës ta ngrisë statusin e saj në një bazë të përhershme.

Zëri i Amerikës: Zyrtarë të lartë amerikanë kanë theksuar se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë do t’u kundërvihej përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin. A mendoni që në këtë kuadër sot, kur po dështon tashmë gjeopolitika e sigurisë së Evropës, është momenti i përshtatshëm dhe duhet shfrytëzuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe si mund të arrihet kjo?

Albin Kurti: Padyshim që neve na duhen marrëdhënie normale me Serbinë, mirëpo për këtë duhet të ndryshojë Serbia. Kosova është në rregull, e orientuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia. Pra ne jemi në rregull, ata që nuk janë në rregull do të duhej të ndryshojnë, dhe ne në këtë insistojmë. Konsiderojmë që tash është koha që Ballkani Perëndimor komplet të integrohet në Bashkimin Evropian, por e kemi tash edhe një problem shtesë – rreshtimin praktik të Serbisë me Federatën Ruse. Serbia me këtë qasje po e shndërron veten në një Bjellorusi të Ballkanit, ndërkaq në anën tjetër Republika Serbe me Banja Llukën e saj po bëhet një lloj Kaliningradi në Ballkan. Këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë rolin vendimtar për ta ndryshuar gjendjen për të mirë.

Zëri i Amerikës: Si janë marrëdhëniet tuaja me administratën amerikane? A jeni i kënaqur me mbështetjen e Uashingtonit për vendin tuaj apo prisni më shumë?

Albin Kurti: Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin mirë Kosovën dhe kombin shqiptar dhe e kuptojnë që nuk mund të kenë asnjë komb dhe shtet tjetër sikurse neve sa i përket vlerave të përbashkëta që ndajmë dhe qëllimeve të përbashkëta që i kemi. Por në këtë situatë kur e gjithë vëmendja është e orientuar në Ukrainë, është detyrë e imja si kryeministër i Republikës së Kosovës që të vë theksin se një pjesë e kësaj vëmendjeje duhet të shtohet në Ballkan, pikërisht në Kosovë, meqenëse nuk ka javë që nuk na përmendin krerët në Kremlin, të cilët e shohin Kosovën si një shans për ta sulmuar edhe NATO-n. Pra nuk e mbron vetëm NATO-ja Kosovën, e mbron edhe Kosova NATO-n, sepse e mbron rrëfimin për ndërhyrjen e suksesshme të NATO-s në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër faleminderit shumë, ishte kënaqësi!

Albin Kurti: Faleminderit juve, gjithashtu!

blank

Kurti: Krahasimi që Putini i bën Kosovës me Ukrainën, është injorancë

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se referimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për Kosovën si precedent për të ndërhyrë në punët e një shteti tjetër më të vogël, “nuk është asgjë më shumë se gënjeshtër”.

“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë”, tha Kurti gjatë një fjalimi në platformën “Front Page” të Këshillit Atlantik në Uashington më 18 maj.

Kurti tha se krahasimi që Putini i bën Kosovës dhe Ukrainës, nuk ka asnjë vlerë kritike.

Putin ka përmendur disa herë Kosovën. Për herë të fundit ai përmendi Kosovën më 26 prill, gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antionio Guterres.

Putin tha se nëse Kosova mundet të shpallë pavarësinë, pse nuk munden Donjecku dhe Luhansku, duke iu referuar dy rajoneve separatiste ukrainase, që Rusia në shkurt i njohu si shtete të pavarura.

“Mohim, shmangie dhe mashtrim. Kjo ishte dhe është ende strategjia e Rusisë në Ukrainë. Tani është adoptuar edhe nga përfaqësuesja e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Serbia”, tha Kurti.

Ekspertë të të drejtës ndërkombëtare, i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se krahasimet midis Kosovës dhe rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, nuk qëndrojnë, pasi sipas tyre, për dallim nga to, Kosova i plotëson kriteret për të qenë shtet i pavarur.

Matthias Hartwig, ekspert i të drejtës ndërkombëtare, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një shtet mund të ekzistojë nëse i përmbushë tri elemente: territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme dhe kapacitetin udhëheqës.

Kurti shtoi se për shkak të raporteve të ngushta me Rusinë, Serbia po refuzon që të sanksionojë Moskën për agresionin në Ukrainë.

Ai paralajmëroi se Moska është e interesuar që të “hapë fronte të tjera betejash”, duke theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të kërcënohet nga këto qëllime.

“Duke pasur parasysh marrëdhëniet dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, mbështetjen e saj për pushtimin e Ukrainës dhe duke pasur parasysh faktin se Republika Sërpska në Bosnje kontrollohet nga Moska po aq sa edhe nga Beogradi, rreziku i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor është fatkeqësisht i lartë”, tha Kurti.

Prandaj ai tha se është i rëndësishëm integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian, pasi sipas kreut të Qeverisë kosovare, moszgjerimi i BE-së “do të jetë gjithmonë një ftesë për akterët e huaj keqdashës që kërcënojnë sigurinë e Evropës”.

Kosova i është bashkuar BE-së dhe SHBA-së për ta sanksionuar Rusinë për luftën që nisi në Ukrainë më 24 shkurt. Nga shtetet e rajonit, vetëm Serbia nuk i ka vendosur sanksione Moskës, duke thënë se me këtë po vepron në të mirë të interesave shtetërore.

Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi ka thënë se do të luftojë për aq kohë sa të mundet që të mos i vendosë sanksione Rusisë, por ka shtuar se dëmi që shteti i tij po përjeton si rezultat i këtij vendimi, është i madh.

blank

Kurti: Vuçiq e lansoi Ballkanin e Hapur kur BE i refuzoi Shqipërinë e Maqedoninë dhe kur VV fitoi zgjedhjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli për Ballkanin e Hapur në Këshillin e Atlantikut, duke thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e lansoi këtë iniciativë në kohën kur BE-ja i refuzoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kurti tha se po ashtu Ballkani i Hapur ndodhi në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet për herë të parë, e që sipas tij, në atë kohë po bëheshin ndryshime të mëdha demokratike në Kosovë

“Ballkani i Hapur ka lindur në tetor të vitit 2019, kur partia ime, VV-ja kishte fituar për herë të parë zgjedhjet,. Dhe kur u bë e qartë se BE-ja nuk do të hapte negociatat për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, në atë moment kohor, filloi një iniciativë e Novi Sadit, ku presidenti serb kishte ftuar presidentin Zaev dhe kryeministrin Rama, duke u thënë që Evropa nuk po ju do, por i keni dyert e hapura për vendin tim, pra ai e shfrytëzoi hidhërimin e Tiranës dhe Shkupit, me iniciativën e shkaktuar në Novi Sad në një kohë kur në Kosovë po bëheshin ndryshime të mëdha demokratike”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se Kosova është skeptik sa i përket Ballkanit të Hapur, për arsye se Serbia nuk është e hapur për Kosovën.

“Unë e kam takuar tri herë dhe nuk ka nevojë të takohet më shpesh, Është shumë lehtë të kuptohet nëse qëllimet e tij janë të sinqerta. Serbia nuk është e hapur për Kosovën, nuk i njeh dokumentet tona. Nëse duan që Ballkani të jetë i Hapur, duhet që Serbia të hapet për Kosovën, që nuk ndodh.

Ballkani është i hapur për BE-në dhe Nato’n, por Serbia është e hapur edhe për Federatën Ruse edhe për Kinën, dhe dëshiron që edhe vendet e tjera të jenë të hapura ashtu sic është vetë e hapur, mu për këtë jemi skeptik për Balkkanin e Hapur, sepse është i hapur për diçka që Serbia është e hapur, ndërsa Serbia nuk hapet për Kosovën”, tha Kurti sipas përkthimit të televizionit publik.

blank

Gjukanoviç: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Leonat Shehu

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha të mërkurën se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane, do të ishte investim i duhur gjeopolitik i Bashkimit Evropian për paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e tij.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë në fillim të vizitës dyditëshe, që është vizita e parë zyrtare e presidentit malazez në Kosovë.

“Fatkeqësisht, besojmë se një tragjedi serioze që ende po vazhdon në Ukrainë ka qenë një moment që të gjithë të kthehemi nga Evropa, të kuptojmë se në Ukrainë nuk është goditur vetëm liria dhe pavarësia e saj por edhe siguria e Evropës dhe sistemi i vlerave evropiane dhe nga kjo përvojë është ngritur një mësim për gjithë Evropën, por parimisht kur bëhet fjalë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, tha presidenti malazez.

Ai tha se Mali i Zi i mbështet bisedimet Kosovë – Serbi si rruga e vetme që mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të jeni këmbëngulës në këtë proces politik sepse kjo nuk është vetëm çështje e cila ka të bëj vetëm me Kosovën dhe Serbinë. Kjo është çështje e cila prek qëndrueshmërinë e rajonit dhe prandaj si një fqinj i Kosovës dhe Serbisë ne tregojmë interesim të madh që ky dialog të vazhdojë dhe që në të ardhmen e afërt të çojë në një marrëveshje të qëndrueshme”, tha presidenti Gjukanoviç.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Mali i Zi janë bosht i ndalimit të ndikimeve keqdashëse të Rusisë në rajon të cilat sipas saj, kanë synim të shkatërrojnë të arriturat e përbashkëta drejt rrugës euro-atlantike.

“Duke potencuar rëndësinë e forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, sot natyrisht kam kërkuar edhe mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe po ashtu edhe në organizata të tjera dhe siç e dini me rëndësi të veçantë, sidomos në situatën aktuale të sigurisë në Evropë është NATO-ja, në veçanti për Kosovën, Partneriteti për Paqe si hapi i parë drejt anëtarësimit në NATO”, tha ajo.

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç tha se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera evropiane. Duke folur për nismën “Ballkani i Hapur”, ai tha se ajo doli në kohën e një lloj depresioni që i kishte kapluar vendet e rajonit dhe se Mali i Zi ka vendosur të mos ngutet me këtë nismë, por të vazhdojë bashkëpunimin brenda procesit të Berlinit.

Nismës Ballkani i Hapur, që është hedhur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, nuk i janë bashkuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Të dy presidentët biseduan edhe për çështjen e shënimit të kufirit ndërmjet dy vendeve, një proces ky që ende ngjallë reagime në Kosovë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes ndërmjet të dy vendeve.

“Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme, ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’u përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojnë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm, të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”, tha presidenti malazez.

Kjo marrëveshje e nënshkruar në vitin 2015, kishte bërë që Kosova të përballet me krizën më të thellë politike, për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës së asaj kohe për mënyrën e shënimit të këtij kufiri.


Send this to a friend