Opozita deklaron se njeh Dekretin e Presidentit të Republikës që ka anulluar zgjedhjet, ndërkohë që shumica nga ana e saj vijon me fushatën elektorale.
Deklarata e mbrëmshme e ambasadës amerikane kishte mesazhe të shumëfishta, ndërsa nga njëra anë dënonte aktet e dhunës së vërejtura së fundmi e kërkonte që ushtruesit e dhunës të mbanin përgjegjësi, e nga ana tjetër kërkon të mbrohej integriteti i procesit zgjedhor. Lidhur me protestën e sotme, ambasada i drejtohej organizatorëve të saj “që të mbajnë përgjegjësi përballë parime të sundimit të ligjit, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi”.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë u shpreh “I shqetësuar nga episodet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në disa rajone të vendit. Asnjë akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohen në asnjë rrethanë”, thekson deklarata e shpërndarë pasdite. Ajo thekson se “Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e liderëve të protestës për të siguruar që demonstrimet sonte të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Përdorimi i eksplozivëve apo i çdo sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësinë që të vazhdojnë të veprojnë me përmbajtje, edhe nëse provokohen”.
Mbrëmë në një ndërhyrje në emisioin Opinion në TV Klan, kryetari demokrat Lulzim Basha, ndërsa bëri thirrje qytetarëve që t’I bashkohen protestës u shpreh se “nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit”, ndërsa th a se ai vetë do të marrë pjesë së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij.




Komentet