Gjykata Themelore në Prishtinë, ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’, në të cilin protagonist kryesor është ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.
Bashkë me Grabovcin akuza përfshin edhe 11 persona me funksione të larta zyrtare, ku bëjnë pjesë edhe ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe deputeti Zenun Pajaziti.
Po ashtu, në akuzë përmenden edhe dy ish-sekretarë të përgjithshëm të ministrive, një ish-zëvendësministër, këshilltarë politikë si dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe zyrtarë nga pushteti lokal.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.
“Trupi Gjykues shpall këtë aktgjykim ndaj të pandehurve, Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sadat Gashi, Ismet Neziri, Xhavit Rakaj, Rexhë Abazi – në emër të popullit në kuptim të dispozitave të nenit 364, paragrafi 1, pika 3, ata lirohen nga akuza për vepra penale për të cilat janë akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës sepse nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohen”, tha gjyqtari Hoti.
Në muajin prill të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë për rastin e njohur si “Pronto”. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale.
Ngritja e aktakuzës, kishte pasuar publikimin në media të bisedave telefonike të vitit 2011 të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në të cilat qenë përfshirë veç tjerash edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Kjo aktakuzë e ngritur, është vlerësuar nga shoqëria civile si një ndër lëndët më me ndikim në luftën, siç është thënë kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik në Kosovë, rast ky, që sipas shoqërisë civile, ka sfiduar edhe drejtësinë në Kosovë.
Pas shpalljes së aktvendimit, nga shoqëria civile kanë qenë mjaft të shpejta reagimet.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se qytetarët nuk mund të presin se profile i lartë në Kosovë nuk mund të dënohet nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.
“Më në fund edhe një aktatakuzë e kotë dështon në Gjykatë”, tha Musliu, i cili ka bërë komente edhe në profilin e tij në Facebook.
Vitin e kaluar edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, kishte reaguar ndaj zvarritjes së rasteve gjyqësore të zyrtarëve të profilit të lartë, duke marrë shembull rastin e njohur si “Pronto”.
“Sa më i rëndësishëm rasti, aq më gjatë duket se zgjasin prodedurat – Kur do të shohim ne progres në rastin ‘Pronto’?”, kishte shkruar ambasadori amerikan.




Komentet