VOAL

VOAL

Presidenti turk viziton Greqinë

December 7, 2017
blank

Komentet

blank

Greqia letër OKB-së me pretendimin se Turqia po sfidon sovranitetin e saj

RFE/RL

Greqia i drejtua të enjten kreut të Kombeve të Bashkuara me pretendimin se Turqia po sfidon drejtpërdrejt sovranitetin e saj mbi ishujt në lindje të Detit Egje dhe po ndjek një politikë armiqësore dhe “revizioniste” që po destabilizon rajonin.

Në letrën prej katër faqesh që mban datën 25 maj, drejtuar sekretarit të përgjithshëm Antonio Guterres, dhe e nënshkruar nga përfaqësuesja e përhershme e Greqisë në OKB, Maria Theofili shkruhet:

Greqia i bën thirrje solemnisht Turqisë që të ndalojë vënien në dyshim të sovranitetit të Greqisë mbi ishujt e saj në Egje, veçanërisht nëpërmjet pohimeve të pabaza dhe historikisht të rreme (dhe) të përmbahet nga kërcënimi i Greqisë me luftë.

Greqia dhe Turqia kanë pasur mosmarrëveshje për dekada mbi kufijtë detarë, por tensionet mes tyre u rritën në vitin 2020 pas intensifikimit të kërkimeve për naftë dhe gaz në Mesdheun lindor.

Turqia kërkon që Greqia të çmilitarizojë ishujt e saj lindorë, mbajtja e veprimit kërkohet sipas traktateve të shekullit të 20-të që ia dhanë sovranitetin e ishujve Greqisë.

Qeveria greke e quan kërkesën një keqinterpretim të qëllimshëm dhe ka akuzuar Turqinë, një anëtare e NATO-s, se po shton veprimet armiqësore në këto zona.

“Aktet tepër kërcënuese nga Turqia (përfshijnë) fluturime të përsëritura mbi territorin grek nga avionë luftarakë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, thuhej në letër.

Mosmarrëveshjet greko-turke kanë të bëjnë kryesisht mbi të drejtat e shpimeve për naftë dhe gaz në Mesdheun lindor, veçanërisht rreth ishujve grekë pranë vijës bregdetare të Turqisë.

Një mision zbulues turk dy vjet më parë shkaktoi një përplasje të tensionuar detare që aleatët perëndimorë paralajmëruan se rrezikonte të përshkallëzohej në një konflikt ushtarak.

Në përgjigje të krizës energjetike të përkeqësuar nga lufta në Ukrainë, Greqia është zotuar të anulojë përkohësisht nxjerrjen e qymyrit dhe të përshpejtojë kërkimin e hidrokarbureve përgjatë vijës së saj bregdetare në perëndim.

blank

Ambasadorja amerikane në NATO: Jemi të shqetësuar për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aleanca veri-atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Smith po ashtu ka përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet evropiane apo euroatlantike. Ne besojmë se vendet duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë bashkimin dhe anëtarësimin e tyre. Ne sigurisht që do të mbështesnim lëvizjen e Kosovës drejt programit të Partneritetit për Paqe”, ka thënë Smith, duke përkujtuar se vendimi për anëtarësimin e ndonjë vendi në këtë program, sikurse në vetë NATO-n, merret me konsensus të 30 vendeve anëtare.

“Nuk ka votim me shumicë të kualifikuar. Këtu të gjitha vendimet merren mes nesh, 30 anëtarëve. Ky është termi që ne përdorim, ku të 30 shtetet duhet të pajtohen për këtë. Pra, ky do të jetë një vendim që do të duhet të merret me konsensus nëse Kosova vendos të përpiqet të ecë drejt Partneritetit për Paqe”.

Ndihmë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar edhe nëpërmjet një letre që i kishte dërguar presidentit amerikan, Joe Biden, në mars të këtij viti.

Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Programi përfshin pothuajse çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1,600 aktivitete.

Aktualisht, pjesë e Partneritetit të Paqes janë 21 shtete. Pranimi i çdo anëtari të ri bëhet me vendimin unanim të 30 shteteve të aleancës, në një votim që mbahet në Këshillin e Atlantikut./REL/

blank

Truss: Duhet të ndalet ndërhyrja ruse në Bosnje-Hercegovinë

Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss (majtas), dhe udhëheqësja e diplomacisë së Bosnjës, Bisera Turkoviq.

RFE/RL

Ekzistojnë shenja të ndërhyrjes ruse në Bosnje-Hercegovinë, çka përbën rrezik për kthim në kohët e errëta, por kjo gjë duhet të ndalet, ka thënë Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, pas takimit që ka zhvilluar me udhëheqësen e diplomacisë së Bosnjës, Bisera Turkoviq.

Truss dhe Turkoviq janë takuar më 26 maj në Sarajevë, në fillim të vizitës dyditore të zyrtares britanike në Bosnje-Hercegovinë.

“Është e domosdoshme që këtu në Bosnje të punohet edhe më shumë për të mbrojtur paqen dhe për të parandaluar këtë shtet në kthim të konflikteve”, ka thënë Truss, duke shtuar se shteti i saj është “lider në ofrim të mbështetjes për Bosnje-Hercegovinën”.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur për një pako investimi për Ballkanin Perëndimor, e cila, sipas saj, është “alternativë ndaj investimeve që vijnë me ndikime negative”.

Truss ka thënë se pakoja, në vlerë të 100 milionë dollarëve amerikanë, parasheh investime deri më 2025.

Sekretarja britanike ka thënë se duhet të ofrohet mbështetje për shtetet që luftojnë për “liri dhe demokraci”.

“Situata në Bosnje-Hercegovinë dhe tani situata në Ukrainë tregojnë se ne duhet të mësojmë nga e kaluara, dhe që demokracia dhe liria duhet të tejkalojnë agresionin autokratik”, ka thënë Truss.

Bosnje-Hercegovina dhe i gjithë rajoni janë në një pikë kthese – ose do të lëvizim drejt paqes dhe stabilitetit brenda komunitetit euro-atlantik, ose do të përfshihemi në lojëra të rrezikshme me qëllim të destabilizimit të gjithë Evropës, ka thënë Turkoviq pas takimit.

Ajo ka thënë se beson që garantimi i statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Bosnje-Hercegovinën, do t përbënte “mesazh të mirë për secilin që luan me notat ruse”.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

blank

Liderët e Ballkanit zotohen për forcim të bashkëpunimit rajonal

Liderët e Ballkanit gjatë panelit “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt në Forumin e Davosit më 25 maj.

RFE/RL

Liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, konfirmuan se duan të forcojnë bashkëpunimin dypalësh, veçmas me Malin e Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, po merr pjesë për herë të parë në takimet e Davosit si kryeministër i vendit. Ai po ashtu ka zhvilluar edhe takime të ndara me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Një takim i përbashkët i krerëve u zhvillua në panelin e titulluar: “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”, i cili u mbajt pas dyerve të mbyllura më 25 maj.

Siç njoftoi Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ky panel kishte për synim të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare.

Nga Qeveria e Malit të Zi thanë se në këtë takim u diskutua se si Qeveria dhe biznesi mund të punojnë së bashku për të forcuar qëndrueshmërinë e rajonit dhe për të siguruar lidhjet e tij me partnerët kryesorë në një kohë kur rreziku gjeopolitik është në rritje.

Krahas Kurtit dhe Abazoviqit, në këtë panel ishin të pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe të tjerë.

Në panel nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë. Forumi në Davos mbahet nga 23 deri më 26 maj, pas dy vjetësh pauzë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Deri më tani, nuk është raportuar për një takim dypalësh midis Kurtit dhe Vuçiqit.

Ndërkaq, më 24 maj, Kurti dhe Abazoviq, gjatë një takimi në Davos, u pajtuan që në vjeshtë, qeveritë e dy vendeve të mbajnë një takim të përbashkët.

“E urova për detyrën e tij të re si kryeministër i Malit të Zi. Diskutuam bashkëpunimin dhe për synimin që të rrisim më tej zhvillimin dhe investimet, veçmas në infrastrukturën e nevojshme për lidhjet Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë”, shkroi Kurti në Twitter.

Abozoviq tha se të dy liderët janë zotuar se do të angazhohen për zhvillimin e projekteve infrastrukturore, që do të përmirësonin lidhjet mes dy shteteve dhe do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ftoi Abazoviqin që t’i bashkohet takimit të radhës të nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”, që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Edhe një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështje dypalëshe me Dritan Abazoviqin gjatë Forumit Ekonomik Botëror, por edhe për ta ftuar edhe një herë që të bashkohet me ne në takimin e nismës së ‘Ballkanit të Hapur’ në Ohër”, tha Vuçiq përmes një postimi në Instagram.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.
Megjithatë, kryeministri i ri, Dritan Abazoviq e mbështet konceptin e kësaj nisme. Abazoviq ka shprehur mbështetje për këtë nismë gjatë një interviste për Klan Kosovën më 11 maj.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.

Pas takimit me presidentin serb, Abazoviq tha se shteti i tij është duke bërë përpjekje për të promovuar një politikë të bashkëpunimit rajonal, pajtimit, bashkëjetesës dhe kohezionit më të mirë ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

“Marrëdhëniet me Serbinë janë prioritet – jemi të gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, shkroi Abazoviq në llogarinë e tij në Twitter.

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka biseduar me Abazoviqin për potencialet ekonomike dhe mundësitë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të NATO-s, të cilin do ta shtrijmë edhe në procesin e integrimit në BE, si qëllim i përbashkët strategjik”, tha Pendarovski përmes një postimi në Twitter.

Presidenti maqedonas ka zhvilluar bisedime edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në takim me presidentin serb, dy liderët kanë përshëndetur vendimin e Kishës Ortodokse Serbe për njohjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase.

Ndryshe, pushtimi rus i Ukrainës është në fokus të forumit n Davos, i cili filloi të hënën me fjalimin përmes video-lidhjes të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai ka thënë se Rusia ka kryer pothuajse 1,500 sulme me raketa dhe mbi 3,000 sulme ajrore kundër Ukrainës në tre muajt e parë të luftës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur edhe Ukrainën gjatë qëndrimit të tij në Davos. Gjatë një vizite në Shtëpinë Ruse, vendi i cili përdoret nga delegacioni rus në Davos, është kthyer në një “Shtëpi ruse të krimeve të luftës” nga artistë ukrainas.

“Shtëpia tronditëse ruse e krimeve të luftës në Davos është një monument i gjallë se si gjërat po ndryshojnë shpejt: nga këndi i lojërave të diplomatëve/oligarkëve rusë në një ekspozitë të humbjes, pikëllimit dhe dhimbjes së madhe që po vuan Ukraina. Është mirë të shohësh një botë të bashkuar kundër regjimit gjenocidal të Rusisë”, tha Kurti.

Në ditën e dytë të Forumit, të martën në Davos, liderët e disa vendeve evropiane dhe kreu i NATO-s ranë dakord se forcimi i sistemit të armëve dhe armatosja e Ukrainës është me rëndësi kyçe gjatë pushtimit rus.

Në panelin për sigurinë në Evropë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se mënyra më e mirë për të mbështetur Ukrainën është sigurimi i armëve, gjë që aleatët po bëjnë shumë në këtë drejtim. Ai përsëriti, megjithatë, se ndërsa mbështet Ukrainën, NATO-ja nuk do të jetë pjesë e konfliktit.

blank

Sheshel ftohet që të dëshmojë në Hagë

RFE/RL

Lideri i partisë djathtiste në Serbi, Partisë Radikale Serbe, Vojsllav Sheshel, është thirrur që të dëshmojë para Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, që është pasues i Tribunalit të Hagës.

Sheshel konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se seanca dëgjimore është caktuar që të mbahet më 1 korrik.

Ai po ashtu tha se me shumë gjasa do t’i përgjigjet kësaj ftese.

Ftesën për marrje në pyetje e ka konfirmuar përmes një postimi në Twitter edhe ish-zyrtari i lartë i partisë së Sheshelit, Nemanja Sharoviq. Ai tha se nuk dëshiron që ta pranojë ftesën e këtij mekanizmi, sepse siç tha, nuk ishte shkruar në cirilik.

Sheshel tha për Radion Evropa e Lirë se ftesë e ngjashme u është dërguar edhe Lilana Mihajlloviqit, Ognjen Mihajlloviqit, Mirolub Ignjatoviqit, Marina Ristiqit dhe Marina Ragusit. Që të gjithë këta janë anëtarë ose ish-anëtarë të Partisë Radikale Serbe.

Ftesa për dëshmi ka të bëjë me “shkeljet e pretenduara të rregullave të Tribunalit të Hagës sa i përket mbrojtjes së identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur dhe dokumenteve konfidenciale”, tha Sheshel gjatë një bisede telefonike me Radion Evropa e Lirë.

“I kam publikuar që të gjitha në librat e mi, mbi 50 libra. Do të publikoj të gjitha materialet e Tribunalit të Hagës nga rasti im, sepse rasti im ka përfunduar dhe ata nuk mund t’i mbajnë sekrete për 100 vjet këto informacione”, tha Sheshel.

Ai shtoi se nuk ka rrezikuar jetën e dëshmitarëve, por tha se do të vazhdojë të nxjerrë këto materiale.

Nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale dhe Zyra e Prokurorit të Serbisë për Krime Lufte ende nuk kanë komentuar.

Vojsllav Sheshel më 2018 ishte dënuar me 10 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për nxitje të persekutimit, dëbimit, zhvendosjes, zhvendosjes me forcë të kroatëve në fshatin Hërtkovci më 1992.

Më 6 maj 1992, Sheshel mbajti një fjalim në këtë vend, që sipas Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale tha se ka kontribuar në persekutimin, dëbimin dhe veprime jonjerëzore.

Sheshel u la i lirë në Serbi për shkak se vuajti dënimit gjatë paraburgimit nga viti 2003 deri më 2014.

Ndryshe, Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale për vite me radhë i ka kërkuar Serbisë që të ekstradojë anëtarët e partisë së Sheshelit, Petar Jojiq dhe Vjerica Radeta, të cilët akuzohen për frikësim, kërcënim dhe ofrim të ryshfetit për dëshmitarët në rastin gjyqësor kundër Sheshelit.

Serbia ende refuzon që të ekstradojë ata, duke argumentuar se sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Beogradit, nuk janë plotësuar kushtet për ekstradimin e këtyre personave. Kjo gjykatë, më 2016, tha se nuk ka baza ligjore për arrestimin dhe ekstradimin e anëtarëve të Partisë Radikale Serbe, sepse ligji vendor për bashkëpunim me gjykatën e Hagës parashikon se vetëm personat e akuzuar për krime lufte mund të ekstradohen dhe jo ata që akuzohen për minim të gjykatës.

blank

Alarmet e rreme për bomba në rajon – Çka dihet deri tash?

Policia e Kosovës pranë Rektoratit të UP-së, 17 maj 2022.

Doruntina Baliu

Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë e shohin këtë situatë si përpjekje për destabilizim të rajonit duke ndikuar edhe në konsumimin e panevojshëm të resurseve policore në këto vende.

Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejt në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit.

Të dy alarmet rezultuan të rreme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri tani nuk është bërë ndonjë arrestim. Policia, gjithashtu, nuk ka bërë të ditur nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i Arsimit në Kosovë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se “nuk ka arsye për shqetësim”, pas raportimeve për bomba në institucionet e arsimit.

“Forcat e rendit po marrin të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar çdo kërcënim të sigurisë”, tha ai.

Rashit Qalaj, ish-Drejtor i Policisë së Kosovës dhe tani anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse kërcënimet për bomba nuk ka shumë gjasa të rezultojnë të vërteta, të gjitha raportimet duhet marrë seriozisht.

Sipas tij, shqetësues mbetet kapaciteti i ulët i organeve të rendit në Kosovë për të hetuar në formë më efektive kërcënimet kibernetike, në këtë rast adresat nga vijnë këto alarme të rreme.

“Kapacitetet nuk janë të mjaftueshme, edhe pse Policia e Kosovës e ka një njësi që merret me luftimin e krimeve kibernetike, por këto kapacitete duhet të shtohen”, tha Qalaj.

Ai, po ashtu, tha se duke pasur parasysh që kërcënimet e ngjashme kanë kapluar disa vende të Ballkanit, duhet shtuar “bashkëpunimin rajonal të policive” për t’iu afruar kapjes së autorëve.

Rikujtojmë se Kosova nuk ka arritur të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL), përmes së cilës mund të lëshohen fletë-arreste ndërkombëtare.

Si nisën kërcënimet për bomba?

Mali i Zi ishte ndër shtetet e para në Ballkan që pranoi kërcënime serioze për mjete shpërthyese nëpër institucione publike e private që nga fundi i muajit mars.

Më 1 prill, atje u evakuuan nxënësit dhe personeli nga dy shkolla pas një e-maili kërcënues se ishin vendosur bomba.

Qeveria e Malit të Zi kishte njoftuar se kishte marrë një e-mail kërcënues, ku thuhet se dërguesi është organizata “Shteti i Burrave” dhe menaxheri i saj Vladislav Podznjakov dhe se ndër kërkesat e tyre është edhe “ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi”.

Më vonë, më 27 prill, arritën e-maile në zyrat e komunave, të shkollave dhe policisë, që alarmojnë për vendosje të bombave në disa institucione, në lokacione si: Podgoricë, Nikshiq, Berane, Tivar, Cetinje e Budvë.

Drejtoria e Policisë bëri të ditur se është konstatuar se emailet janë dërguar nga domenet, serverët e të cilëve ndodhen jashtë vendit dhe se po punohet për identifikimin e dërguesve.

Kërcënimet në Serbi

Edhe objektet publike në Beograd të Serbisë kanë qenë cak i raportimeve të rreme për vendosje bombash.

Policia nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë të të gjithë alarmeve për bomba, por besohet se janë pranuar qindra raportime të tilla.

Përveç kërcënimeve për bomba në shkollat fillore të Beogradit, pasditen e 16 majit arritën kërcënime të reja se ishin vendosur bomba në ura në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se Ura e Brankos, Ura e Gazelës, Ura e re hekurudhore, si dhe Ura e Pançevës, janë ndër lokacionet për të cilat janë marrë raportimet për bomba.

Më 19 maj, anëtarë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë kanë identifikuar disa shtete, prej të cilave kanë ardhur mesazhet kërcënuese dhe raportimet e rreme për bomba në javët e fundit.

“Është përcaktuar se tetë kërcënime të tilla kanë ardhur nga Polonia, katër nga Gambia, dy nga Irani dhe Nigeria dhe një nga Ukraina, Sllovenia dhe Rusia”, tha ministria nëpërmjet një njoftimi të mërkurën në mbrëmje.

Në njoftim, po ashtu, thuhet se autoritetet kanë identifikuar vendndodhjet e 19 adresave elektronike prej të cilave janë dërguar mesazhet kërcënuese.

Për këto raste, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka këmbyer të dhëna përmes Europol-it dhe Interpol-it dhe me autoritetet në Suedi, Lituani, Zvicër, Rusi dhe Hungari, por edhe me kompaninë Google.

Sipas njoftimit, 18 adresa janë të shërbimit të Gmail-it dhe një adresë elektronike është nga ProtonMail.

“Për shkak të raportimeve të rreme për vendosje të bombave në ndërtesa publike, anëtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndjekur tetë persona, qytetarë të Serbisë, gjatë katër ditëve. Dy janë arrestuar dhe kallëzime penale janë ngritur kundër gjashtë personave të tjerë mitur”, tha kjo ministri.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha më 17 maj se raportimet për vendosje të bombave në Serbi ishin presione nga jashtë, sepse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Ndërkaq, më 16 maj, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, tha se një luftë speciale po bëhej ndaj Serbisë me raportimet për bomba.

Edhe në Kroaci është raportuar për një kërcënim të rremë për mjet shpërthyes në një qendër tregtare në Zagreb më 18 maj.

Në shkurt, punëtorët e një gjykate në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, ishin evakuuar nga objekti nën kërcënimin për bombë, i cili po ashtu doli të ishte alarm i rremë.

Global Initiative: Alarmet e rreme, synim për krijim të destabilitetit

Dy ekspertë ndërkombëtarë nga organizata ndërkombëtare Global Initiative, me seli në Vjenë, e cila merret me fushat e sigurisë dhe mbrojtjes mendojnë se kërcënimet masive kanë një ndikim operacional në Serbi dhe në Ballkan.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Srbinovski, i cili tha se kërcënimet krijojnë një gjendje artificiale të destabilitetit dhe “burimet policore në rajon harxhohen në mënyrë të panevojshme”.

“Raportet masive të rreme për bomba [nëpër shumë vende të Ballkanit] na tregojnë se organizatorët [e kërcënimeve] nuk mendojnë mirë për Ballkanin, jo vetëm një shtet”, tha ai.

Ai shtoi se nëse shtetet nuk reagojnë shpejt dhe me profesionalizëm ndaj këtyre kërcënimeve speciale apo hibride, ato mund të zvogëlojnë potencialin e vendit për reagim “kur të jetë realisht e nevojshme”.

Me fjalë të tjera, që dikush të dërgojë kaq shumë raporte në kaq shumë adresa të ndryshme në disa vende të Ballkanit në të njëjtën kohë, ai nuk mund të jetë një individ, por një organizatë shumë serioze.

“Me fjalë të tjera, që dikush të dërgojë kaq shumë raporte në kaq shumë adresa të ndryshme në disa vende të Ballkanit në të njëjtën kohë, ai nuk mund të jetë një individ, por një organizatë shumë serioze”, vlerësoi Srbinovski.

Ndërkaq, Giorgio Fruscione, i cili është pjesë e rrjetit të ekspertëve të së njëjtës organizatë, vlerësoi tha për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, se nuk mendon që qytetarët janë realisht në rrezik, “por u imponohet se është kështu”.

Ai komentoi edhe deklaratat e liderëve të Serbisë se po vijnë “presione” nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga Rusia.

“Po krijohet një situatë e rrezikut të përgjithshëm për të vërtetuar se Serbia nuk ka zgjidhje tjetër, se duhet të anëtarësohet në BE dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Në këtë mënyrë, autoritetet nuk mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, sepse do të vazhdojnë t’u shesin qytetarëve të tyre historinë se si u detyrua shteti ta bëjë atë zgjedhje”, tha ai.

Nga shtetet e rajonit, vetëm Serbia nuk i ka vendosur sanksione Moskës, duke thënë se me këtë po vepron në të mirë të interesave shtetërore.

Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi ka thënë se do të luftojë për aq kohë sa të mundet që të mos i vendosë sanksione Rusisë, por ka shtuar se dëmi që shteti i tij po përjeton si rezultat i këtij vendimi, është i madh.

*Në këtë tekst kontribuoi edhe Iva Gajiq

blank

Gjukanoviq lë të hapur mundësinë për ta korrigjuar marrëveshjen për kufirin

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka folur në Prishtinë për çështjen e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi.

Ai tha se është verifikuar marrëveshja për kufirin në të dy parlamentet tona dhe problem për këtë çështje mund të krijojë vetëm ata që e shohin si problematike.

Megjithatë, ai tha një komision i përbashkët do të shikojë për korrigjimet.

“Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme, ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm dhe të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim i mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”.

blank

Raportime kërcënuese për bomba në urat e Beogradit

Ura e Gazelës.

RFE/RL

Pas raportimeve kërcënuese për bomba të vendosura në shkollat fillore të Beogradit, pasditen e 16 majit arritën kërcënime të reja se ishin vendosur bomba në urat në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi” (Stadion), konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se Ura e Brankos, Ura e Gazelës, Ura e re hekurudhore, si dhe Ura e Pançevës janë ndër lokacionet ku janë marrë raportimet për bomba.

Raportimi për bombë ka arritur edhe në qendrën tregtare “Stadiumi” në Beograd, ku në orën 16:30 është caktuar ndeshja mes KF Vozhdovcit dhe KF Partizanit, transmeton RTS-ja.

Raportimet për bombat e vendosura kanë arritur, në mëngjesin e 16 majit, në 97 shkolla fillore dhe të mesme të Beogradit, ndërkaq pas verifikimeve në një numër të madh shkollash është konstatuar se njoftimet ishin të rreme, njoftoi Ministria e Arsimit e Serbisë.

Nxënësit janë kthyer në mësime, ndërsa në shkollat ku ende vazhdon inspektimi i sigurisë, nxënësit janë dërguar në shtëpi, thuhet në komunikatën e ministrisë.

“Deri në orën 14:00, policia ka inspektuar 60 shkolla fillore dhe 13 të mesme në Beograd dhe është konstatuar se bëhet fjalë për shqetësim të rrejshëm, ndërkohë që të tjerat janë duke u inspektuar”, ka deklaruar Sllavko Gak, sekretar për arsim dhe mbrojtje të fëmijëve, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të qytetit të Beogradit.

Siç theksoi ai, nuk ka relaksim deri sa të inspektohet edhe shkolla e fundit.

“Siguria është gjëja më e rëndësishme në situata si kjo”, tha Gak.

Raportimet kanë arritur, ndër të tjera, në shkollat fillore “Mbreti Pjetër i Dytë Karagjorgjeviq”, “Vlladimir Rolloviq”, “Gjura Jakshiq”, “Danillo Kish”, “Shën Sava” dhe “Drinka Pavlloviq”, transmeton RTS-ja.

Sipas RTS-së, prindërit kanë marrë mesazhe që të mos i sjellin fëmijët në shkollë, mësimi nuk ka filluar dhe fëmijët që tashmë kishin arritur në shkolla, po kthehen në shtëpi.

Po ashtu, policia e Nishit në mëngjesin e 16 majit ka marrë njoftim se në aeroportin “Konstantini i Madh” në atë qytet, ishte vendosur një bombë.

Policia konfirmoi për agjencinë Beta se një kontroll kundër-diversant është duke u zhvilluar dhe se raportimi ka shumë të ngjarë të jetë i rremë.

Ky është raportimi i dytë për bombë të vendosur në Nish brenda një muaji, ndërkaq që ka pasur raportime të rreme për bomba të vendosura edhe në qendrat tregtare të këtij qyteti.

Dy raportime të rreme se mjete shpërthyese ishin vendosur në stacionin hekurudhor të Beogradit të Ri dhe në kopshtin zoologjik të Beogradit u dërguan gjithashtu më 15 maj.

Një raportim, në vargun e raportimeve të rreme, ishte të premten, më 13 maj, kur kërcënimet për bombë u dërguan në adresat e tri qendrave tregtare dhe katër konvikteve studentore në Beograd.

Në muajt e fundit, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, objektet publike në Beograd kanë qenë cak i raportimeve të rreme për bomba.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më herët kishte njoftuar se për shkak të raportimeve për bomba, do të kërkojë ndihmë përmes bashkëpunimit policor operacional ndërkombëtar për të marrë informacione për urdhërdhënësin, organizatorët dhe zbatuesit e këtij krimi.

Deri tani, autoritetet në Serbi nuk kanë bërë të ditur se kush është përgjegjës për këto raportime të rreme.

Është thënë se kërcënimet për bombat e dyshuara të vendosura vinin nga jashtë, me e-mail, nga një shërbim i koduar, i cili ndryshe nga shërbyesit e tjerë, nuk ruan të dhëna.

blank

Diskutim mbi pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi

Ali Salaj

Në Ulqin u mbajt dialogu i hapur me temën “Shqiptarët në Mal të Zi- sfidat dhe mundësitë e shekullit XXI”, ku u shprehen pikëpamjet për pozitën e këtij komuniteti në Mal të Zi.

Në diskutimin “Shqiptarët në Mal të Zi-sfidat dhe mundësitë e shekullit XXI” u shprehen pikëpamjet mbi pozitën e shqiptarëve si komunitet, i cili po përjeton dukurinë e asimilimit, por edhe rënien e numrit të tyre në vend.

Përfaqësuesit diplomatikë të Prishtinës dhe Tiranës shfaqen gatishmërinë që në shumë aspekte të mbështesin kërkesat e shqiptarëve në Malin e Zi.

Ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha, tha se duhet filluar një bashkëpunim i mirëfilltë në temat ku Republika e Kosovës mund të ndihmojë.

“Të fillojmë të ndërtojmë një bashkëpunim specifik në temat ku Republika e Kosovës mund të mbështesë kërkesat e ndryshme si në ruajtjen e identitetit, avancimi në fushën e edukimit, trashëgimisë kulturore, sportit, por edhe të aspektit të investimeve ekonomike”, tha zonja Zherka-Hoxha.

Në këtë kuadër zv/ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Adi Hoxha, vuri në dukje problemin e asimilimit të shqiptarëve në Malin e Zi.

“Dukuria e asimilimit të shqiptarëve në Mal të Zi është një nga këto sfida. Fakti që ky fenomen trajtohet me shqetësim për perspektivën, nuk përjashton konstatimin e tendencës sot që rrjedh nga e kaluara. Kjo çështje ndoshta është ndër më delikatet për tu trajtuar me kompetencë politike dhe shkencore”, tha zoti Hoxha.

Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, vuri në dukje nevojën e shqyrtimit të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi dhe përballja e tyre me probleme të ndryshme.

“Unë besoj se për një dialog të hapur të këtillë, ku trajtohen çështjet identiteti të shqiptarëve jo vetëm në Malin e Zi por në mbarë Ballkanin janë më se të nevojshme dhe duhen të jenë t ë vazhdueshme. Duhet të kemi parasysh se ne si shqiptarë këtu në trojet tona në Malin e Zi ndodhemi edhe përballë fenomeneve të ndryshme që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rënien e numrit të shqiptarëve në Mal të Zi. Ky është fenomeni i asimilimit, emigrimit, nataliteti i ulët që e reduktojnë qenien kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi”, tha zoti Nika.

Në diskutim u paraqitën analiza dhe interpretime të disa problemeve lidhur me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në këtë mjedis, i cili mund t’i nxisë institucionet përkatëse që të merren në mënyrë kompetente me këto çështje.

blank

Simpozium shkencor në Ulqin kushtuar albanologut të shquar kroat Milan Shuflaj

VOA/Ali Salaj

Në Ulqin po mbahet një simpozium shkencor lidhur me kontributin e punës së albanologut kroat Milan Shuflaj. Studiues dhe albanologë të rajonit theksuan rëndësinë e veprave të gjuhëtarit Shuflaj, për historinë dhe kulturën e shqiptarëve të ballkanit.

Studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Kroacia përkujtuan albanologun e njohur kroat Milan Shuflaj.

Ata nënvizuan rëndësinë e veprave të t’ia, të cilat i dhanë shumë kombit shqiptar pavarësisht se origjina e tij ishte kroate.

Historiani Frashër Demaj e vlerëson kontributin e studiuesit Shuflaj si tejet të rëndësishme për shqiptarët e Ballkanit.

“Shuflaj ishte një studiues i jashtëzakonshëm, i përmasave ndërkombëtare, i përmasave evropiane dhe botërore, i cili një pjesë të mirë të karrierës së tij akademike dhe shkencore ia kushtoi çështje shqiptare. Për këtë arsye edhe e pësoj Milan Shuflaj, në një farë mënyre e pagoi me jetë pasi u vra pikërisht për shkak se nxori në shesh të vërtetat historike për shqiptarët dhe rreth shqiptarëve”, tha zoti Demaj.

Studiuesi Luan Malltezi, vë në dukje, rëndësinë e përkujtimit të Milan Shuflajt si një studiues dhe njohës shumë të mirë të historisë shqiptare.

“Është një gjë e madhe që kujtohet ky njeri i madh që bëri aq shumë dhe me përkushtim për shqiptarët. Mund të them se vepra e Shuflajt “Serbët dhe shqiptarët” është përkthyer katër herë dhe është mirëpritur nga lexuesi shqiptar”, tha zoti Malltezi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Kroatëve, Zvonimir Dekoviç e vlerësoi organizimin e simpoziumit shkencor për Milan Shuflajn, ku po marrin pjesë studiuesit dhe albanologët më të shquar të rajonit.

“Është shumë e rëndësishme që edhe në Mal të Zi po mbahet një simpozium shkencor mbi Milan Shuflajn, ku po marrin pjesë albanologët më të njohur të rajonit.”

Zoti Dekoviç tha se “Milan Shuflaj është i rëndësishëm për kulturën dhe historinë e shqiptarëve të Ballkanit.”

Organizatori i kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore, zoti Tahir Tahiri, vuri në dukje bashkëpunimin e dy këshillave kombëtare në realizimin e këtij simpoziumi.

“Falë bashkëpunimit të vazhdueshëm të Këshillit Kombëtar të Kroatëve me Këshillin e Shqiptarëve në Malin e Zi po realizohet ky projekt, ku pritet edhe më shumë të hedh dritë në punën shkencore dhe albanologjike të Milan Shuflajt dhe për kontributin e tij për popullin shqiptar në Ballkan”, tha ai.

blank

Kroacia kalon ligjin për ta futur në përdorim euron

Ligjvënësit kroatë miratuan të premten një ligj që i hap rrugë futjes në përdorim të valutës euro vitin e ardhshëm.

Kroacia do të zëvendësojë kunën kroate me euron më 1 janar 2023.

Gjithsej 117 vota ishin në favor të legjislacionit për euron, 13 vota kundër dhe një ligjvënës abstenoi në Parlamentin prej 151 anëtarësh.

Kroacia, e cila iu bashkua Bashkimit Evropian më 2013, mbetet ndër ekonomitë më të dobëta të bllokut pas luftës së viteve 1992-’95.

Partitë e krahut të djathtë në Parlamentin kroat ishin kundër futjes në përdorim të euros, duke thënë se kjo do të rriste varfërinë dhe do të ushtronte presion mbi qytetarët.

Të dyja valutat është vendosur të përdoren paralelisht në muajt pas fillimit zyrtar të aplikimit të euros.

Ekonomia e Kroacisë varet nga të ardhurat nga turizmi gjatë muajve të verës. Vendi tërheq qindra mijëra turistë evropianë dhe të tjerë çdo sezon. rel

blank

Vulin: Neutralitet politik nëse Kosova hyn në Këshillin e Evropës

RFE/RL

Nëse Kosova arrin që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç shpalli luftë, tha të enjten ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke komentuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Vulin tha se vota e anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) për kërkesën e Kosovës do të tregojë se çfarë mendojnë ata në realitet për Serbinë.

“Neve nuk na duhet që të presim edhe njëzetë vjet të tjera për të kuptuar nëse Bashkimi Evropian e do Serbinë në kuadër të saj, do të mjaftojë të votojnë ose të mos votojnë kundër pranimit të territorit [Kosovës] në një organizatë që është e përbërë nga shtete”, tha Vulin në një deklaratë.

Më 12 maj, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka konfirmuar Sharr Jakupi, shefi i kabinetit të ministres së Jashtëm të Kosovës, Donika Gërvalla.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka caktuar një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të premten, më 13 maj.

Pas kërkesës së Kosovës, Vuçiq tha se me këtë veprim, Kosova “e shkeli dhe e shkeli brutalisht” marrëveshjen e Uashingtonit.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Vulin, tha se vetëm kërkesa e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është shkelje e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë në prani të ish-presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump. Përmes kësaj marrëveshjeje Kosovës i ndalohej të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit si dhe Serbisë i ndalohej që të vazhdonte fushatën e saj lotuese kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

Departamenti i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë moratoriumin për çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.

“Prishtina ose do të dënohet dhe ndalohet, ose do të tregohet se çdo gënjeshtër është e lejuar kundër Serbisë dhe se nuk ka as të drejta e as drejtësi për serbët”, tha ministri serb, Vulin.

Ai theksoi se “deri tani është kuptuar se nënshkrimi i Bashkimit Evropian vlen sa Marrëveshja e Brukselit, por tani është rasti të shohim se sa vlen fjala e Shteteve të Bashkuara”.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës fillimisht shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.

Një shumicë prej dy të tretash kërkohet që një vend të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Çdo shtet anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e shtetit të së drejtës dhe gëzimin e barabartë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ende nuk është anëtarësuar në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Përveçse se nuk është anëtare e BE-së, Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe të tjera.

Serbia gjatë gjithë kohës ka bërë fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe bllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Aleati kryesor i Serbisë në këtë përpjekje është Rusia.

Megjithatë, Kosova ka arritur të bëhet anëtare e disa organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.


Send this to a friend