VOAL

VOAL

Presidenti kinez Xi Jinping fillon një turne afrikan

July 22, 2018

Komentet

Përgatitje për luftën e Tretë Botërore? Lituania voton “pro” heqjes së ndalimit të armëve bërthamore, Kremlini paralajmëron përshkallëzim

Parlamenti i Lituanisë ka votuar për heqjen e ndalimit kushtetues për armët bërthamore, në një vendim që kërkon edhe një votim të dytë për t’u miratuar përfundimisht. Masa ka shkaktuar reagimin e Kremlinit, i cili paralajmëroi se ndryshimi mund të sjellë një raund të ri përshkallëzimi në rajon.

106 deputetë nga 141 votuan pro ndryshimit kushtetues. Për miratimin përfundimtar nevojiten dy të tretat e votave në dy votime, ndërsa votimi i dytë është planifikuar për 12 janar.

Presidenti lituanez Gitanas Nausėda kishte deklaruar më herët se partitë politike në vend kishin rënë dakord për planin për heqjen e ndalimit, në një kohë kur lufta në Ukrainë dhe politika e Rusisë kanë ndryshuar ndjeshëm situatën e sigurisë në Evropën Lindore.

Megjithatë, Nausėda ka theksuar se nuk ka plane të menjëhershme për vendosjen e armëve bërthamore në territorin lituanez. Sipas tij, heqja e ndalimit do t’i jepte vendit mundësinë për të ndërmarrë veprime në të ardhmen, nëse situata e sigurisë do të ndryshonte.

Lituania kërkon bazë të përhershme amerikane

Në të njëjtën kohë, Vilniusi po kërkon forcimin e pranisë ushtarake amerikane në territorin e tij. Presidenti i vendit, Mindaugas Sinkevičius, deklaroi se Lituania është e gatshme të mbulojë kostot e një baze të përhershme amerikane, nëse Uashingtoni pranon krijimin e saj.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se do ta shqyrtonte kërkesën e Lituanisë për një bazë të përhershme amerikane.

Sinkevičius tha se e kishte propozuar këtë ide gjatë një takimi me të dërguarin e Trump, John Cole, në Vilnius. Sipas tij, prania e përhershme e trupave amerikane do të përbënte një garanci të rëndësishme për sigurinë dhe parandalimin.

Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur që prej vitit 2019 një batalion të blinduar prej rreth 1,000 ushtarësh në Lituani, me rotacion të vazhdueshëm të personelit.

Reagimi i Moskës

Rusia ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në Lituani. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se Moska do të detyrohej të merrte masa për të mbrojtur sigurinë e saj nëse Lituania do të strehonte armë bërthamore ose një bazë ushtarake amerikane.

Lituania është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë. Vendimi për ndryshimin e kuadrit kushtetues për armët bërthamore vjen në një periudhë tensionesh të larta të sigurisë në krahun lindor të NATO-s. bw

Francis Halzen fiton Çmimin Nobel në Fizikë

STOKOLM- Francis Halzen fiton Çmimin Nobel në Fizikë për vitin 2026 për punën e tij në zbulimin e neutrinove kozmike me energji të lartë duke përdorur Observatorin e Neutrinove IceCube në Polin e Jugut. I lindur në Belgjikë, Halzen punon në Universitetin e Wisconsin-Madison.

Në vitin 1988, Halzen kuptoi se akulli në Polin e Jugut mund të përdoret për të zbuluar neutrinot kozmike. Dy dekada më vonë, IceCube filloi të funksiononte. Ai përfshin shumë detektorë drite në një kilometër kub akulli.

Herë pas here, një neutrino bashkëvepron me akullin dhe krijon grimca që gjurmohen përmes akullit duke i lejuar Halzen dhe kolegët e tij të përcaktojnë se nga ku në qiell erdhi neutrinoja.

“Halzen pati idenë së bashku me një koleg në vitin 1988 për të përdorur akullin në Polin e Jugut si një medium për të zbuluar neutrinot. Halzen ka udhëhequr një bashkëpunim ndërkombëtar me më shumë se 450 persona nga 58 institucione në 14 vende të botës për të realizuar këtë detektor gjigant neutrinosh”, tha Mark Pearce, kryetar i Komitetit Nobel për Fizikë, i cili është gjithashtu një fizikant i astrogrimcave në Institutin Mbretëror të Teknologjisë KTH në Stokholm, Suedi.

Halzen është fituesi i parë i vetëm i Çmimit Nobel në Fizikë që nga Pierre-Gilles de Gennes në vitin 1991. Çmimi do të jepet në Stokholm më 10 dhjetor dhe vlen 12 milionë suedezë korona (rreth 1.2 milionë dollarë)./Dosja.al

Sulm masiv me dronë ndaj Moskës, Kievi lëshon mbi 650 mjete ajrore gjatë natës

Kievi ka lëshuar më shumë se 650 dronë në drejtim të Moskës gjatë natës, sipas njoftimit të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin. Sulmi me mjete ajrore pa pilot zgjati nga mbrëmja e së hënës deri në orët e para të mëngjesit të së martës.

Sipas Sobyanin, sulmet nisën rreth orës 20:30 dhe vijuan deri në orën 05:00. Ai tha se mbrojtja ajrore ruse arriti të shkatërrojë 105 dronë pranë Moskës, gjatë afrimit të tyre drejt kryeqytetit.

Autoritetet ruse nuk kanë dhënë deri tani detaje për dëme të mëdha apo viktima në Moskë, ndërsa mbrojtja ajrore vijon të jetë në gatishmëri përballë sulmeve me dronë.

Në të njëjtën kohë, autoritetet ukrainase raportuan për një sulm rus në Zaporizhzhia. Guvernatori ushtarak në detyrë i rajonit, Mikhail Semykin, tha se një urë që lidh dy brigjet e lumit Dnieper u godit, duke plagosur dy persona dhe duke shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor. BW

Nobel për shkencëtarët që zbuluan se si truri i formëson ndjenjat

Radio Evropa e Lirë

Psikiatri dhe neurologu amerikan, Karl Deisseroth, dhe kolegët e tij gjermanë, Peter Hegemann dhe Georg Nagel, u shpërblyen me Çmimin Nobel të këtij viti për Mjekësi, për punën e tyre në fushën e optogjenetikës.

Hulumtimet e tyre u kanë ndihmuar shkencëtarëve të mësojnë më shumë për funksionimin e mendjes dhe të kuptojnë më mirë se si funksionon truri i njeriut.

Komiteti i Nobelit i vlerësoi tre shkencëtarët për vendosjen e themeleve të një epoke të re në neuroshkencë dhe për zbulimin e qarqeve nervore që qëndrojnë pas “kujtimeve, ndjenjave dhe sjelljeve të caktuara”, që “lidhen me çrregullimet neurologjike dhe psikiatrike”.

Në mjekësinë klinike, studiuesit po e përdorin këtë metodë në përpjekje për t’ua rikthyer shikimin personave me dëmtime të shikimit.

“Optogjenetika e ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e kuptojmë trurin”, tha Asambleja e Nobelit.

“Çdo ditë sjell zbulime të reja, duke ndihmuar në zgjidhjen e një prej mistereve të mëdha të njerëzimit: si funksionon truri ynë i jashtëzakonshëm”, tha ajo.

Fituesit thanë se marrja e çmimit është “absolutisht e mrekullueshme”.

Tre shkencëtarët do ta ndajnë gjithashtu shumën prej 12 milionë koronash suedeze – rreth një milion euro – që shoqërojnë çmimin.

Optogjenetika

“Optogjenetika na jep mundësi për ta hartëzuar trurin në një mënyrë që dikur vetëm mund ta ëndërronim”, tha Per Svenningsson, kryetar i Komitetit të Nobelit për Fiziologji ose Mjekësi.

Më parë, mekanizmat e brendshëm të trurit që qëndrojnë pas ndjenjave, sjelljeve dhe funksioneve trupore, ishin shumë më pak të kuptueshëm për shkencëtarët.

Optogjenetika është një metodë që mundëson ndriçimin dhe studimin e rrugëve nervore në tru.

Ajo përdor një proteinë të veçantë të marrë nga algat, përmes së cilës shkencëtarët mund të kontrollojnë aktivitetin elektrik të qelizave duke përdorur dritën.

Në fillim të viteve 2000, Hegemann dhe Nagel zbuluan kanalrodopsinën – proteinën e algave me veti të veçanta.

Që atëherë, studiuesit kanë mundur të studiojnë qelizat dhe rrugët nervore dhe të zbulojnë shumë më tepër për mënyrën se si ato funksionojnë.

Analiza e “New York Times”: Gara për reaktorët bërthamorë në Hënë, rivaliteti SHBA-Rusi-Kinë dhe rreziqet e mundshme

Në fund të gushtit, NASA u kërkoi kompanive me të cilat bashkëpunon të përgatiten për ndërtimin e një reaktori bërthamor, të aftë t’i rezistojë një udhëtimi në hapësirë dhe të funksionojë pa mirëmbajtje pranë polit jugor të Hënës.

Një projekt që deri vonë mund të dukej si skenar i një filmi fantastiko-shkencor, por që agjencia amerikane e hapësirës synon ta ketë gati për t’u lëshuar deri në dhjetor të vitit 2030.

Sipas The New York Times, kjo “nxitim” nuk është i rastësishëm. Rusia synon të vërë në funksion reaktorin e saj bërthamor hënor deri në vitin 2036, në kuadër të bashkëpunimit të saj, në masë të madhe të mbyllur, me Kinën. NASA ka përshpejtuar tashmë afatet e saj, në përpjekje për t’u paraprirë rivalëve gjeopolitikë.

Gara lidhet në thelb me të ardhmen e eksplorimit të hapësirës. SHBA-ja dhe Kina synojnë të jenë të parat që do të krijojnë një bazë të përhershme në Hënë, do të kërkojnë burime si uji i ngrirë dhe do ta përdorin Hënën si pikënisje për misione drejt zonave më të largëta të Sistemit Diellor.

Kontrolli i aksesit te burimet hënore konsiderohet thelbësor për këtë strategji. Të dyja superfuqitë e shohin një reaktor bërthamor si një element kyç të kësaj ambicieje. Planet parashikojnë që reaktorët të aktivizohen vetëm pasi të mbërrijnë në Hënë.

Megjithatë, shkencëtarë të njohur paralajmërojnë se qeveritë po lëvizin shumë shpejt, në një periudhë kur eksplorimi hapësinor ka regjistruar tashmë dështime serioze.

Gjatë gjashtë viteve të fundit, disa raketa kineze, amerikane dhe ruse kanë dështuar dhe shpërthyer, ndërsa një sondë ruse hënore është përplasur në sipërfaqen e Hënës. Në të njëjtën kohë, mbetje hapësinore bien rregullisht në Tokë.

Një dështim që përfshin një reaktor bërthamor mund të shkaktojë pasoja zinxhir. Mbetjet e një reaktori që do të binin në Tokë mund të shpërndanin materiale radioaktive, siç ndodhi në Kanada në fund të viteve ’70. Në të njëjtën mënyrë, një shpërthim ose shkrirje e bërthamës së reaktorit në sipërfaqen e Hënës mund të bënte zona të tëra të paarritshme.

“Do të ketë gjithmonë një garë hapësinore dhe, nëse kësaj i shtohet edhe energjia bërthamore, ajo mund të marrë një kthesë potencialisht shumë më të rrezikshme”, paralajmëron Edwin Lyman, drejtor për sigurinë e energjisë bërthamore në Union of Concerned Scientists.

Analiza e specifikimeve teknike, dokumenteve të prokurimeve dhe studimeve akademike, si dhe bisedat me përfaqësues të industrisë, zyrtarë qeveritarë dhe kritikë të këtyre planeve, tregojnë se si Kina, Rusia dhe SHBA-ja po e çojnë përpara këtë ambicie bërthamore.

Në të njëjtën kohë, ato hedhin dritë mbi një aspekt të rëndësishëm të bashkëpunimit ruso-kinez në hapësirë, një aleancë që është promovuar personalisht nga presidentët Xi Jinping dhe Vladimir Putin.

Energjia bërthamore duket se është misioni kryesor i programit hënor që Kina i ka besuar partnerit të saj rus. Arsyeja është e thjeshtë, asnjë vend tjetër nuk ka më shumë përvojë se Rusia në këtë fushë.

Moska ka lëshuar në orbitë më shumë se 30 reaktorë bërthamorë, kryesisht gjatë viteve ’70 dhe ’80, të integruar në satelitë të periudhës së Luftës së Ftohtë. Rusia mbetet gjithashtu një nga fuqitë kryesore botërore në përdorimin civil të energjisë bërthamore.

Rusia kontrollon gjithashtu sasinë më të madhe të disponueshme të një lloji karburanti bërthamor që konsiderohet ndër më të sigurtët për misionet hapësinore, uranium me pasurim jo të lartë. Në SHBA, ky karburant është në furnizim të kufizuar.

“Rusia praktikisht nuk ka konkurrentë në fushën e energjisë bërthamore hapësinore”, deklaroi për agjencinë ruse TASS Mikhail Kovalchuk, president i Institutit Kurchatov, i cili merr pjesë në projektimin e reaktorit hënor rus.

NASA, në të kundërt, po përpiqet të rikuperojë terrenin e humbur. Agjencia amerikane lëshoi një reaktor në vitin 1965, por ai u çaktivizua pas një defekti që nuk lidhej me reaktorin. Që atëherë, SHBA-ja ka shpenzuar më shumë se 20 miliardë dollarë në programe të energjisë bërthamore për hapësirën, pa zhvilluar një tjetër reaktor operacional.

Gara për reaktorin e parë bërthamor në Hënë nuk lidhet vetëm me eksplorimin, por edhe me demonstrimin e fuqisë. Presidenti Donald Trump e ka përfshirë epërsinë amerikane në hapësirë në axhendën e tij “America First”. Deklarata të ngjashme kanë bërë edhe Xi Jinping dhe Vladimir Putin.

Çdo bazë e përhershme në Hënë ka nevojë për furnizim të besueshëm me energji elektrike. Reaktorët bërthamorë nuk varen nga drita e diellit dhe mund të jenë relativisht të vegjël. Me projektimin e duhur, ata mund të funksionojnë gjithashtu me ndërhyrje minimale njerëzore, sipas NASA-s dhe Institutit Kurchatov.

Gjatë viteve të para të funksionimit, instalimet amerikane dhe kineze do të kenë nevojë për sasi relativisht të vogla energjie për të mbajtur pajisjet në temperaturën e duhur dhe për të karikuar roverët, automjetet që lëvizin në sipërfaqen e Hënës.

Për këto nevoja pritet të përdoren energjia diellore dhe sistemet e prodhimit të energjisë me radioizotope. Këto sisteme e shndërrojnë në energji elektrike nxehtësinë e prodhuar nga shpërbërja natyrore radioaktive e izotopeve dhe janë përdorur tashmë në hapësirë nga SHBA-ja, Rusia dhe Kina.

Një bazë më e madhe hënore, megjithatë, do të kishte nevojë për shumë më tepër energji sesa mund të sigurojnë këto sisteme.

Panelet diellore nuk do të mund të funksiononin gjatë netëve të akullta hënore, të cilat zgjasin më shumë se dy javë tokësore.

Për më tepër, çdo sistem energjetik i instaluar pranë polit jugor të Hënës duhet të përballojë luhatje ekstreme të temperaturës, nga rreth 54 gradë Celsius deri në -203 gradë Celsius.

Moska u ka ngarkuar agjencive shtetërore ndërtimin dhe dërgimin e një reaktori hënor të quajtur Selena, deri në vitin 2036. Ai do të furnizojë me energji elektrike instalimet hënore nën drejtimin e Kinës.

Selena do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 10 kilovat energji elektrike dhe të funksionojë në mënyrë autonome për një dekadë. Projektimi i tij do të ketë karakteristika të përbashkëta me një reaktor të mëparshëm të projektuar për përdorim në Arktik.

NASA ka përshpejtuar afatet e saj, nga frika se një reaktor ruso-kinez mund të çojë në krijimin e një zone de facto përjashtimi në Hënë.

Reaktori amerikan Lunar Reactor 1 parashikohet të prodhojë 20 kilovat energji elektrike, afërsisht sa konsumi i 16 familjeve amerikane, dhe të funksionojë për pesë vjet pa ndërhyrje njerëzore.

Si hap të parë, NASA planifikon të përdorë energji bërthamore për shtytjen e një anijeje kozmike drejt Marsit në dhjetor të vitit 2028. Një teknologji e tillë nuk është provuar kurrë më parë.

Ndërkohë, Pentagoni planifikon të zhvillojë reaktorët e tij hapësinorë, të cilët mund të vendosen si në orbitë, ashtu edhe në Hënë, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, afatet janë shtyrë vazhdimisht dhe pak ekspertë besojnë se vendet do të arrijnë t’i respektojnë ato.

Asnjë vend nuk disponon sot një mjet të testuar për ulje në Hënë, të aftë të transportojë materiale të rënda dhe potencialisht radioaktive në terrenin e vështirë hënor. Po ashtu, askush nuk ka instaluar ndonjëherë një reaktor bërthamor në një mjedis me gravitet të ulët.

Vetë bazat hënore ende nuk janë ndërtuar dhe nevojat e tyre reale për energji mbeten të panjohura. Për këtë arsye, ekspertët vlerësojnë se projektimi i reaktorëve mund të ndryshojë pjesërisht ose edhe tërësisht.

“Asgjë nuk është e sigurt në këtë moment”, thekson Julien de Trouy de Lanversin, shkencëtar bërthamor dhe profesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong.

SHBA-ja dhe Rusia argumentojnë se reaktorët e tyre do të qëndrojnë të çaktivizuar, ose “të paaktivizuar”, siç është termi shkencor, deri në mbërritjen e tyre në Hënë. Kjo e ul rrezikun.

Inxhinierët bërthamorë argumentojnë se karburanti “i ftohtë” i uraniumit paraqet një rrezik të vogël radioaktiv edhe në rast se bie në Tokë.

Megjithatë, një aksident mund të ndodhë veçanërisht gjatë procesit jashtëzakonisht të dhunshëm të lëshimit të një rakete.

“Ky është momenti kur ekziston një rrezik shumë i madh”, thotë Leopold Schumerer, drejtues i një grupi pune të Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore në hapësirë. “Kemi shumë dështime të lëshimeve, ndaj kemi shumë të dhëna për atë që mund të shkojë keq.”

Një shembull është mundësia që një reaktor të bjerë në det. Uji ngadalëson neutronet, duke rritur mundësinë që ato të shkaktojnë ndarjen e atomeve. Kjo mund ta çojë reaktorin në gjendje kritike, pra të shkaktojë një reaksion zinxhir të ndarjes bërthamore dhe çlirimin e rrezatimit.

Rreziku është real, pasi shumica e platformave të lëshimit të raketave ndodhen pranë detit ose një tjetër burimi të madh ujor.

Aksidenti rus i vitit 2019

Ekspertët e energjisë bërthamore besojnë se diçka e ngjashme ka ndodhur me shumë gjasë në Rusi në vitin 2019, kur një raketë kruz, që dyshohej se funksiononte me një reaktor bërthamor, dështoi dhe ra në Detin e Bardhë.

Kur studiuesit u përpoqën ta nxirrnin nga deti, ndodhi një reaksion bërthamor, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit. Të paktën pesë punonjës humbën jetën.

Rusia e ka mohuar këtë version, duke argumentuar se raketa nuk përdorte një reaktor bërthamor. Specifikimet e NASA-s parashikojnë që reaktori amerikan të ketë një projektim që do të parandalonte një situatë të tillë.

Rosatom, kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore, nuk pranoi të komentojë, duke deklaruar se programi i saj hapësinor është sekret.

Instituti Kurchatov, përgjegjës për aspektin shkencor, dhe Roscosmos, që ka përgjegjësinë për programin hapësinor rus, nuk iu përgjigjën pyetjeve. Pa përgjigje mbetën gjithashtu Ministria e Jashtme e Kinës dhe China Manned Space Agency.

Një tjetër rrezik është një defekt që mund të bëjë që një reaktor të rikthehet në Tokë pasi është vënë në funksion.

Në vitin 1978, rikthimi i pakontrolluar në atmosferën e Tokës i satelitit sovjetik me energji bërthamore Kosmos 954 shpërndau materiale radioaktive në një sipërfaqe prej gati 124 mijë kilometrash katrorë në veri të Kanadasë.

Pas rreth një viti operacionesh pastrimi, u rikuperua vetëm 0.1% e burimit energjetik të satelitit. Në SHBA, çdo reaktor bërthamor hapësinor parashikohet t’i nënshtrohet vlerësimit nga ekspertë të shtatë agjencive të ndryshme qeveritare.

Megjithatë, asnjë sistem nuk mund ta përjashtojë plotësisht mundësinë e një aksidenti.

“Vetë përkufizimi i një aksidenti është që gjërat nuk zhvillohen sipas planit”, thotë R. Scott Kemp, profesor i asociuar i Shkencës dhe Inxhinierisë Bërthamore në MIT. Kemp vlerëson se aksidentet mund të jenë edhe më të mundshme në Hënë.

Në Tokë, reaktorët bërthamorë ndodhen brenda strukturave të fuqishme mbrojtëse, të projektuara për të parandaluar përhapjen e materialeve radioaktive.

Ndërtimi i strukturave të ngjashme në Hënë do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe teknikisht i vështirë. NASA ka deklaruar se reaktori i saj do të ketë mbrojtje, por nuk ka dhënë detaje se si do të realizohet ajo.

Reaktorët hënorë ka të ngjarë të rrethohen nga zona ku nuk do të lejohet hyrja, për të kufizuar ekspozimin e astronautëve dhe pajisjeve ndaj rrezatimit. Me sisteme të kufizuara mbrojtëse, edhe aksidentet më të vogla mund të shkaktojnë një përhapje shumë më të madhe të materialeve radioaktive, sipas Kemp.

Në Hënë nuk ka erë, por graviteti më i ulët do të thotë se mbetjet e një shpërthimi mund të përshkojnë distanca të mëdha.

Ekziston edhe një problem tjetër ende të pazgjidhur: çfarë do të ndodhë në fund të jetës së reaktorëve?

Në Tokë, çmontimi i një reaktori bërthamor është një proces kompleks dhe jashtëzakonisht i kujdesshëm që zgjat me vite. Në Hënë, si NASA, ashtu edhe agjencitë ruse, deklarojnë se thjesht do ta lënë pas materialin radioaktiv.

“Në një garë, ata nuk duan të merren me një problem të vështirë për të cilin askush nuk ka një zgjidhje”, komenton Julien de Trouy.

Në të gjitha dokumentet teknike dhe njoftimet e prokurimeve, NASA deklaron se synon të përdorë karburant bërthamor me pasurim jo të lartë, i cili konsiderohet alternativa më e sigurt për reaktorët e avancuar.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kushtet gjeopolitike dhe afatet shumë të ngushta mund ta komplikojnë situatën.

Reaktori i fundit hapësinor që NASA testoi, në vitin 2018, përdorte uranium me pasurim të lartë, i cili është më i lehtë dhe më i lirë për t’u lëshuar në hapësirë krahasuar me karburantet e tjera. Administrata e parë Trump kishte dekurajuar përdorimin e tij, pasi materiali mund të përdorej potencialisht për prodhimin e armëve bërthamore.

Sot NASA synon të përdorë karburantin HALEU (High-Assay Low-Enriched Uranium), pra uranium me pasurim të ulët dhe përmbajtje të lartë. Problemi është se HALEU është në furnizim të kufizuar në SHBA. Rusia është prodhuesi më i madh i tij, por SHBA-ja ka ndaluar importet e uraniumit rus që nga viti 2024, për shkak të luftës në Ukrainë.

Dokumentet e NASA-s tregojnë se agjencia pret që Departamenti Amerikan i Energjisë të sigurojë sasi të karburantit me pasurim të ulët për reaktorët hapësinorë. Megjithatë, vetë qeveria amerikane po has vështirësi për të prodhuar sasi të mjaftueshme.

Pala ruso-kineze nuk ka bërë të ditur se çfarë lloj karburanti planifikon të përdorë. Reaktorët hapësinorë rusë të së kaluarës përdornin uranium me pasurim të lartë.

“Nuk nevojitet asgjë më shumë se një punishte mekanike dhe një sasi e vogël eksplozivi të fuqishëm për ta shndërruar këtë në një armë plotësisht të besueshme”, paralajmëron kongresmeni demokrat i Illinoisit, Bill Foster, fizikant që kishte kontribuar në përpjekjet për të parandaluar përdorimin e uraniumit me pasurim të lartë në reaktorët hapësinorë.

Kompanitë që hyjnë në garë

Të paktën një kompani që mund të konkurrojë për kontratën e NASA-s për reaktorin hënor, Space Nuclear Power Corporation, po zhvillon një reaktor që përdor uranium me pasurim të lartë.

Një nga themeluesit e kompanisë refuzoi të komentojë, duke iu referuar “natyrës konkurruese” të programeve që pritet të zhvillohen.

Ndërkohë, programi amerikan hapësinor mund të shndërrohet në një mundësi të madhe biznesi për kompanitë që prodhojnë mikroreaktorë, të cilët mund të gjenerojnë deri në 10 megavat energji elektrike.

Këta reaktorë të kushtueshëm janë shumë të vegjël për të përmbushur nevojat e mëdha energjetike të qendrave të të dhënave, por kanë gjetur një treg potencial në aplikimet hapësinore dhe ushtarake.

Muajin e kaluar, Pentagoni përzgjodhi kompaninë Antares për të zhvilluar dhe prezantuar një mikroreaktor për përdorim në hapësirë. Antares ishte një nga pesë kompanitë që realizuan me sukses testet e reaktorëve gjatë verës, në kuadër të një programi të Departamentit Amerikan të Energjisë.

Kompania ka njoftuar se synon të konkurrojë për kontratat e NASA-s dhe Pentagonit për reaktorët hënorë. Mikroreaktorët mund të instalohen përfundimisht në Hënë, por deri më tani asnjë prej tyre nuk është provuar plotësisht si operacional dhe i gatshëm për një mision të tillë.

Çështje të rëndësishme të sigurisë mbeten ende të pazgjidhura: si do të largohet nxehtësia, si do të mbrohet reaktori nga rrezatimi dhe si do të garantohet integriteti i tij strukturor.

Problemi bëhet edhe më i vështirë sepse reaktorët hapësinorë duhet të jenë njëkohësisht të vegjël dhe të lehtë.

“Është plotësisht e realizueshme të vendosësh një reaktor në Hënë”, thotë Katie Huff, drejtuese e Departamentit të Inxhinierisë Bërthamore dhe Inxhinierisë Fizike në Universitetin Wisconsin-Madison.

Por sa më shumë energji të kërkohet, aq më i vështirë bëhet ndërtimi i një reaktori të tillë, thekson ajo.

Dhe pavarësisht konkurrencës së fortë për atë se kush do të mbërrijë i pari, Huff vlerëson se qeveritë kanë arritur më shumë kur kanë bashkëpunuar sesa kur kanë konkurruar.

“Dua të shoh më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në hapësirë”, thotë ajo. “Pikërisht aty shkenca bashkëpunuese e ekipeve ka arritur të kapërcejë politikën tonë të vështirë ndërkombëtare.”

Panorama

Trump mirëpret Xi Jinping në Uashington, presidenti kinez: SHBA dhe Kina duhet të jenë partnerë, jo rivalë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka mirëpritur Presidentin kinez Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë të enjten për një samit shtetëror. Do të jetë takimi i dytë i vitit midis udhëheqësve të dy ekonomive më të mëdha, por vizita e parë e Xi në Uashington në më shumë se një dekadë.

Trump e përshëndeti Xi-në me të mbërritur të mërkurën në mbrëmje, hera e parë që një president amerikan mirëpret një udhëheqës të huaj në Bazën e Përbashkët Andrews në 11 vjet, kur Presidenti Barack Obama priti Papa Françeskun në vitin 2015.

Në një deklaratë pas mbërritjes, të transmetuar nga agjencia kineze e lajmeve Xinhua, Xi shprehu shpresën për një marrëdhënie më të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Pekini dhe Uashingtoni duhet të jenë “partnerë, jo rivalë” dhe se “logjika historike e bashkëjetesës paqësore” midis dy vendeve nuk kishte ndryshuar.

Presidenti amerikan synon t’i kthejë pritjen madhështore që iu bë në Kinë në maj.

Gjithashtu të mërkurën, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, njoftoi se SHBA-ja dhe Kina do ta zgjasin armëpushimin tregtar deri në janar.

Marrëveshja, e cila uli tarifat e Trump për disa mallra në këmbim të lehtësimit të kufizimeve nga Xi për mineralet e rralla, skadonte më 10 nëntor.

Anulim i Brexit? Kryeministri Burnham nuk përjashton mundësinë e ribashkimit me BE-në: Duhet të rindërtojmë urat e bashkëpunimit

Kryeministri britanik Andy Burnham nuk e përjashtoi mundësinë e përfshirjes së një premtimi për t’u ribashkuar me Bashkimin Evropian në manifestin e ardhshëm zgjedhor të Partisë Laburiste, sipas raportimeve të medias në Mbretërinë e Bashkuar.

Burnham, i cili ka qenë në detyrë që nga fundi i korrikut, i bëri komentet për gazetarët ndërsa po udhëtonte për në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë.

I pyetur nëse mund ta përjashtonte një premtim të tillë në një manifest, Burnham u citua të thoshte se pyetjet në lidhje me ribashkimin me bllokun ishin “për një ditë tjetër” dhe se fokusi i tij aktual mbeti një samit i shumëpritur Britani e Madhe/BE – i cili pritet të zhvillohet në një moment më vonë këtë vit.

“Prioriteti im i menjëhershëm është të ndërtoj mbi punën e mirë që bëri Keir në rindërtimin e urave”, vazhdoi ai, duke iu referuar ish-kryeministrit Keir Starmer dhe përpjekjeve të tij për “rivendosjen e Brexit”. “Sepse ato ura u thyen në fillim të kësaj dekade. Dhe Keir bëri një punë të mirë në rivendosjen e asaj marrëdhënieje”.

“Ajo që duhet të bëjmë tani është të kalojmë në nivelin tjetër për sa i përket arritjes së një marrëveshjeje praktike që do ta nxisë më tej ekonominë britanike, dhe këto çështje janë thelbi i samitit së bashku me kërkesat e BE-së rreth lëvizshmërisë së të rinjve”, shtoi ai.

Burnham, i cili do të takohet me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen të martën, më parë ka bërë thirrje që Mbretëria e Bashkuar të ribashkohet me BE-në – megjithëse ai i zbuti deklaratat e tilla ndërsa bënte fushatë për zgjedhjet e pjesshme të Makerfield në maj.

“Pikëpamja ime është se Brexit ka qenë i dëmshëm”, tha ai në atë kohë. “Por unë gjithashtu besoj se gjëja e fundit që duhet të bëjmë tani është t’i përsërisim ato argumente”.

Megjithatë, që kur hyri në Downing Street, ai ka sinjalizuar vazhdimisht qëllimet e tij për të thelluar lidhjet me Brukselin.

Duke folur për mediat javën e kaluar nga No10 North, ku u takua me Kryeministrin irlandez Micheál Martin, Burnham tha se qeveria e tij “po pret me padurim” samitin Britani e Madhe-BE dhe se “dëshiron të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të thelluar marrëdhënien me Evropën”.

Në gusht, ai theksoi gjithashtu se Britania duhet të jetë “më e guximshme” në përpjekjen për të rindërtuar marrëdhëniet me BE-në.

Natyra përçarëse e votimit të Brexit-it të vitit 2016 ka rezultuar e vështirë për t’u hequr qafe për shumë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, dhe debati është vënë përsëri në qendër të vëmendjes këtë vit.

Pas rezultateve dëmtuese të zgjedhjeve lokale për Partinë Laburiste në maj, figura të larta të partisë, përfshirë tani Sekretarin e Mbrojtjes Wes Streeting, vunë në dukje ndikimin e Brexit-it në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ata e pozicionuan veten përpara asaj që dukej një garë gjithnjë e më e mundshme për udhëheqje.

Duke folur në atë kohë, Streeting e quajti vendimin për t’u larguar një “gabim katastrofik” dhe argumentoi se kjo e kishte lënë vendin “më pak të pasur, më pak të fuqishëm dhe me më pak kontroll sesa në çdo moment para revolucionit industrial”.

E djathta britanike ka kundërshtuar idenë e rishikimit të Brexit-it. Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch ka paralajmëruar se Partia Laburiste po rrezikon “rifillimin e luftërave të Brexit-it”, ndërsa Richard Tice i partisë së djathtë ekstreme Reform UK, deputet për Bostonin dhe Skegnessin, e ka cilësuar atë si “një Betejë të re të Britanisë”.

Shpërthen në flakë rafineria e Moskës pas sulmit me dron, ndalet përpunimi i naftës

MOSKË – Një sulm me dron ukrainas ka goditur Rafinerinë e Naftës në Moskë, në pronësi të Gazprom Neft, duke shkaktuar zjarre në njësitë kryesore të përpunimit dhe duke detyruar ndalimin e përpunimit të naftës së papërpunuar.

Tri burime të industrisë i thanë Reuters se të dy njësitë kryesore të distilimit të naftës së papërpunuar u përfshinë nga flakët pasi dronët u rrëzuan brenda territorit të rafinerisë. Sipas burimeve, dëmet mund të kërkojnë disa javë për t’u riparuar dhe për rikthimin e impiantit në funksionim normal.

Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, konfirmoi se një njësi industriale e rafinerisë ishte dëmtuar gjatë sulmit. Ndërkohë, Gazprom Neft nuk ka dhënë koment për incidentin.

Rafineria në Kapotnya është një prej objekteve kryesore të industrisë ruse të naftës. Njësia AVT-6 ka një kapacitet prej rreth 21,400 tonësh naftë në ditë, që përbën rreth 54% të kapacitetit total, ndërsa njësia EURO+ përpunon rreth 18,800 tonë në ditë.

Sulmi ndodhi më 20 shtator, në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi. Pamje të publikuara në rrjetet sociale treguan një re të madhe tymi mbi zonën e rafinerisë, ndërsa flakët u panë nga distanca.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se sulmet me rreze të gjatë veprimi kishin goditur objekte të rëndësishme të industrisë së naftës dhe logjistikës ruse.

Ndërprerja e dy njësive kryesore mund të ndikojë në përpunimin dhe furnizimin me produkte të naftës në Moskë dhe rajonin përreth, ndërsa përmasat e plota të dëmeve dhe koha e nevojshme për riparimin e rafinerisë pritet të përcaktohen pas inspektimeve teknike. bw

Agjencitë evropiane të inteligjencës paralajmërojnë: Rusia do të sulmojë NATO-n brenda pak muajsh

Zyrtarë të inteligjencës evropiane kanë ngritur shqetësimin se Rusia mund të ndërmarrë një “test” ndaj NATO-s në muajt e ardhshëm, duke paralajmëruar se një përshkallëzim i mundshëm mund të ndodhë “pas muajsh, jo pas vitesh”. Paralajmërimi vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë po i afrohet dimrit të pestë dhe kur sulmet me dronë e raketa mes Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar.

Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi në parlament se vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës tregojnë se Rusia mund të ndërmarrë një sulm me dronë ose raketa në territorin e NATO-s në muajt e ardhshëm, me synimin për të testuar reagimin e aleancës dhe efektivitetin praktik të Nenit 5. Presidenti francez Emmanuel Macron i cilësoi këto paralajmërime si të dokumentuara dhe të bazuara mirë, ndërsa thirri një takim urgjent në Paris me liderët e partive dhe kandidatët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, ku u diskutua edhe kërcënimi i perceptuar nga Rusia.

“Muaj, jo vite” për një përshkallëzim të mundshëm

Kreu i agjencisë së inteligjencës së sigurisë së Republikës Çeke, BIS, Michal Koudelka, tha se skenari mund të përfshijë një pushtim të kufizuar të territorit të NATO-s që kufizohet me Rusinë, provokime me flamur të rremë ose një fushatë të gjerë ndikimi. Sipas tij, një situatë e tillë mund të zhvillohet “gjatë muajve, jo viteve”, megjithëse ai theksoi se po bëhen përpjekje për të parandaluar një përshkallëzim të tillë.

Megjithatë, zyrtarët e vendeve baltike kanë shfaqur një qasje më të kujdesshme. Letonia, Estonia dhe Lituania kufizohen me territorin rus dhe kanë paralajmëruar se burimet e Moskës janë të kufizuara për shkak të luftës në Ukrainë. Ata gjithashtu kanë ngritur shqetësimin se ekzagjerimi i mundësisë së një sulmi të afërt mund t’i shërbejë interesave të Kremlinit.

Drejtori i përgjithshëm i shërbimit shtetëror të sigurisë së Letonisë, Normunds Mezviec, tha se nuk shihen shenja për një sulm të afërt, por pranoi se ekzistojnë indikacione se Moska po përgatitet për veprime më vendimtare në Evropë. Sipas tij, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për plane konkrete dhe të menjëhershme apo për pjesë të një strategjie më të gjerë për të krijuar frikë dhe pasiguri në shoqëritë perëndimore.

Çfarë thonë shërbimet e inteligjencës?

Zyrtarët evropianë të inteligjencës nuk kanë bërë publike informacionet konkrete mbi të cilat bazohen vlerësimet e tyre për muajt e ardhshëm. As Mezviec dhe as Koudelka nuk kanë dhënë detaje mbi informacionet e mbledhura për planet e supozuara ruse. Ata gjithashtu nuk kanë komentuar nëse vizita e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë muajin e kaluar kishte lidhje me një paralajmërim ndaj Kremlinit për pasojat e mundshme të një sulmi ndaj NATO-s.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke deklaruar se një sulm rus ndaj NATO-s “nuk ka të bëjë fare me realitetin dhe qëllimet e Federatës Ruse”.

Në Evropë, megjithatë, paralajmërimet rikthejnë në vëmendje situatën përpara pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, kur zyrtarët amerikanë paralajmëronin se Rusia po përgatitej për një ofensivë, ndërsa Moska i mohonte kategorikisht këto vlerësime.

Shqetësim për sabotimet ruse në Evropë

Përveç mundësisë së një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë, agjencitë perëndimore të inteligjencës po ndjekin edhe aktivitetin e dyshuar sabotues rus në Evropë. Sipas tyre, Moska ka shmangur deri tani veprime që mund të shkaktonin një përgjigje të koordinuar të NATO-s, por ka zhvilluar një fushatë sabotimi dhe incidente të izoluara që, sipas këtyre agjencive, synojnë të testojnë kufijtë e Perëndimit.

Kreu i inteligjencës çeke, Koudelka, e përshkroi taktiken ruse si “përshkallëzim për hir të çpërshkallëzimit”, duke pretenduar se qëllimi është të ushtrohet presion mbi shoqëritë perëndimore dhe të kufizohet mbështetja për Ukrainën. Sipas tij, Moska llogarit që përshkallëzimi i presionit mund t’i shtyjë vendet evropiane të reduktojnë mbështetjen për Ukrainën.

Në javët e fundit, shqetësimi për sabotimet është rritur. Kreu i shërbimit suedez të inteligjencës dhe sigurisë ushtarake, Thomas Nilsson, e cilësoi një incident me një dron të armatosur në aeroportin e Leipzigut, të cilin autoritetet gjermane ia atribuuan shërbimeve ruse të inteligjencës, si një “ndryshim të lojës”. Ai paralajmëroi se incidente që mund të shkaktojnë viktima ose të godasin infrastrukturën kritike mund të ndryshojnë ndjeshëm situatën.

Sipas zyrtarëve të inteligjencës, aktiviteti rus mund të zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt objektivave infrastrukturore të lidhura me mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Përmenden si objektiva të mundshëm infrastruktura hekurudhore dhe objekte të lidhura me industrinë e mbrojtjes.

Sipas vlerësimit të tre drejtuesve të inteligjencës, intensifikimi i sabotimeve mund të synojë dobësimin e mbështetjes evropiane për Ukrainën, krijimin e përçarjeve brenda NATO-s dhe shtimin e shqetësimit në mesin e popullsive evropiane. Ndërkohë, zyrtarët baltikë vazhdojnë të theksojnë se nuk shohin shenja për një sulm të afërt, duke bërë dallimin mes kërcënimit afatgjatë nga Rusia dhe një sulmi të menjëhershëm ndaj NATO-s. bw

Ukraina godet Moskën në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi

Shtëllunga tymi ngrihen pas zjarrit në një rafineri nafte, pas atij që autoritetet e cilësojnë si një sulm me dronë ukrainas në Moskë, Rusi, më 20 shtator 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Qindra dronë shënjestruan Moskën dhe rajonin përreth saj në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi të dielën, duke i vrarë të paktën dy njerëz dhe duke dëmtuar një rafineri të madhe nafte, sipas autoriteteve ruse.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, e cilësoi sulmin e të dielës si më të madhin me dronë deri tani ndaj kryeqytetit rus.

Një objekt në rafinerinë e naftës në Moskë, e cila është shënjestruar edhe më parë, gjithashtu u dëmtua.

“Sulmi më i madh me dronë armiku është zmbrapsur”, tha Sobyanin në Telegram. “Ky sulm i paparë ishte planifikuar qartësisht me synimin për t’i penguar zgjedhjet parlamentare. Armiku nuk ia doli”.

Zgjedhjet për Dumën e Shtetit, të parat që nga nisja e luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk pritet të sjellin ndryshim pasi partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, pritet ta ruajë mbizotërimin, në një sistem politik që kritikët thonë se nuk lejon kundërshtimin.

Kremlini me gjasë do ta paraqesë rezultatin e zgjedhjeve si dëshmi të mbështetjes publike për politikat e Putinit dhe për luftën, e cila tani ka hyrë në vitin e pestë dhe nuk ka shenja se do të përfundojë së shpejti.

Autoritetet zgjedhore thonë se tri ditët e votimit kanë vijuar pa ndonjë telash, pavarësisht sulmeve kibernetike të raportuara të shtunën.

Pjesëmarrja ishte mbi 50 për qind deri në orët e para të pasdites sipas orës së Moskës të dielën, raportoi agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Shumica e kandidatëve kundër luftës nuk janë lejuar të garojnë.

Ata që garuan nga partia liberale Jabloko, e cila në vitet e fundit ka marrë një përqindje njëshifrore në sondazhe, por shpresonte të përfitonte nga lodhja e publikut prej luftës, thanë se kishin frikë për lirinë e tyre pasi gjykatat dënuan me burgim dy figura të larta të partisë para zgjedhjeve, për komentet e tyre lidhur me konfliktin.

Diskreditimi i ushtrisë ose përhapja e atyre që autoritetet e cilësojnë si gjoja lajme të rreme, dënohet me burgim të rëndë.

Në një akt të vogël kundërshtimi, lideri i Yablokos, Nikolai Ribakov, e prishi qëllimisht fletëvotimin, duke shkruar emrin e partisë së tij dhe sloganin “Për paqe”.

Lufta në Ukrainë dhe ngadalësimi i ekonomisë janë faktorë që rëndojnë mbi zgjedhjet.

Megjithëse është e vështirë të bëhen sondazhe të opinionit për shkak të politikave represive që kanë kriminalizuar kundërshtimin ose opozitën ndaj luftës, disa sondazhe kanë treguar rënie të mbështetjes për Putinin, si dhe për Rusinë e Bashkuar.

Në prag të votimit, Putin u bëri thirrje rusëve të dilnin për të votuar, duke thënë se rezultatet do të shërbenin si tregues i mbështetjes për trupat ruse që luftojnë në Ukrainë.

Rezultatet zyrtare nuk priteshin para 21 shtatorit.

Ish-drejtori i CIA-s publikon shifrat tronditëse: 1.2 milionë ushtarë rusë të vrarë ose të plagosur në Ukrainë

Ish-drejtori i CIA-s dhe gjenerali amerikan në pension, David Petraeus, ka dhënë një vlerësim të ri mbi humbjet e forcave ruse gjatë luftës në Ukrainë, duke thënë se numri i ushtarëve rusë të vrarë dhe të plagosur ka kaluar shifrën 1.2 milionë.

Petraeus deklaroi se Rusia ka pësuar humbje jashtëzakonisht të mëdha gjatë konfliktit, ndërsa në muajt e fundit ritmi i humbjeve ruse në fushë-betejëë është rritur ndjeshëm. Sipas tij, forcat ukrainase po i shkaktojnë ushtrisë ruse më shumë humbje sesa numri i ushtarëve që Moska arrin të rekrutojë.

Gjenerali amerikan theksoi se vetëm gjatë periudhave të fundit Rusia ka humbur më shumë se 20 mijë ushtarë në muaj, duke përfshirë të vrarë dhe të plagosur. Ai e përshkroi këtë nivel humbjesh si jashtëzakonisht të lartë për një konflikt të këtij lloji.

Petraeus ka vënë në dukje përmasat e mëdha të kostos njerëzore të luftës për Moskën.

Vlerësimet për humbjet ushtarake në luftën Rusi-Ukrainë ndryshojnë ndjeshëm dhe është e vështirë që shifrat të verifikohen në mënyrë të pavarur, pasi të dyja palët publikojnë të dhëna të kufizuara dhe shpesh kontradiktore.

Petraeus, i cili ka shërbyer si komandant i forcave amerikane në Irak dhe Afganistan dhe më pas si drejtor i CIA-s, vijon të jetë një nga zyrtarët amerikanë që ndjek nga afër zhvillimet ushtarake dhe strategjike të luftës në Ukrainë. bw

Britania: Vendimi i Hagës nuk duhet të përdoret për të nxitur tensione

Ministria për Evropën e Mbretërisë së Bashkuar ka reaguar pas dënimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ministri për Evropën, Lord Wood i Anfieldit, tha se Mbretëria e Bashkuar respekton procesin gjyqësor të gjykatës dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.

Më tej, shteti britanik thekson se vazhdon të mbetet një mik dhe partner i afërt i Kosovës, duke mbështetur fuqimisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj.

“Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në të gjithë rajonin. Mbretëria e Bashkuar mbetet një mik dhe partner i ngushtë i Kosovës, duke mbështetur fuqimisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, si dhe paqen në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Jemi krenarë për rolin që luajtëm përkrah aleatëve të NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.”, thuhet në reagim.

Ai thotë se vendimi i sotëm nuk ishte një gjykim për shtetësinë apo sovranitetin e Kosovës, ndërsa shton se gjetjet ndaj ish krerëve nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione.

“Vendimi i sotëm nga Dhomat e Specializuara të Kosovës është një moment i rëndësishëm, por nuk është një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj. Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat dhe familjet e tyre.

Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individët dhe nuk duhet të përdoren për të ndezur tensione midis komuniteteve ose në të gjithë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësinë të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe të vënë sigurinë e njerëzve në radhë të parë.

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerë në të gjithë rajonin dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet.”, shtohet më tej në komunikatë. Panorama


Send this to a friend