NGA PËLLUMB VREKA
Dy fjalë për hyrje, Sigurimi i Shtetit fillimisht u krijua me të ashtuquajturin “Batalioni i Sigurimit”, i cili drejtohej nga Kadri Hazbiu. Elementët që bënin pjesë në këtë batalion ishin njerëz të zgjedhur me biografi të pastër, patriotë të devotshëm të partisë. Në këtë Batalion sa për kuriozitet bënte pjesë edhe i famshmi Halit Bajrami i cili në përplasje me Kadriun u arratis në Zelandën e Re. Fillimisht detyra e Batalionit ishte sigurimi i jetës së anëtarëve të Byrosë Politike d.m.th të udhëheqjes.
Pastaj më vonë u angazhua për kryerjen e detyrave operative. Siç ishin edhe arrestimet dhe dënimet, (shto pushkatime pa gjyq, që Kadriu e ka pranuar hapur gjatë gjykimit), e kosovarëve të cilët dyshoheshin se ishin dërguar për t’u infiltruar në jetën Shqiptare duke qenë agjentë apo bashkëpunëtorë të UDB Jugosllave. Bile kishte raste kur pala Jugosllave kërkonte me ngulm kosovarin X për tua kthyer Jugosllavëve në këmbim të ndonjë elementi “Armik i Pushtetit Popullor” i arratisur atje.
Imagjinoni se ç’fund tragjik do kishte i deportuari nga pala Jugosllave! Po ashtu edhe ata që i dorëzonte Sigurimi i Shtetit, të cilët pas torturave drastike e çnjerëzore, kur i shpëtonin ekzekutimit, përfundonin në famëkeqin: Burgun “Gulak”. Por Sigurimi i Shtetit u mirorganizua pas Luftës me ndihmën e Shërbimit Sekret Sovjetik KGB. Eksperienca e KGB Sovjetike ishte jashtëzakonisht e vyer sepse vinte nga Sigurimi i Shtetit Sovjetik i kohës së Leninit dhe që quhej “Çeka” e udhëhequr nga Beniamini i Leninit, Feliks Xhexhinski.
Ky sigurim më vonë mori emrin KGB i kohës së Stalinit dhe udhëhiqej nga Berja e më vonë u ekzekutua nga Nikita Krushovi. Aq i egër ishte Sigurimi i Xherxheniskit sa që (Praktikë e zakonshme e eliminimit të kundërshtarëve të regjimeve në fuqi në gjithë vendet e Lindjes), edhe Trockin, kundërshtarin e Leninit e të komunizmit, e gjurmoi, e gjeti në Meksikë dhe e ekzekutoi me një goditje me… Kazëm!
Më poshtë nuk do merremi me sistemin e organizimit të ndarjes e të detyrave të drejtorive të ministrisë së Punëve të Brendshme. Tema jonë është aktiviteti drithërues, kurthet, presionet, shantazhe dhe ekzekutimet e personave të pafajshëm, viktima të regjimit diktatorial të sistemit komunist, nga të pafetë: oficerët e Sigurimit të Degëve të Punëve të Brendshme, të cilët Reshpenshë quheshin (edhe në dokumente), Oficeri Operativi qytetit ose i fshatit. Sigurimi i Shtetit bënte pjesë në sistemin e sigurimit, të vendeve të Lindjes me të cilët ndante dhe merrte eksperiencat e survejimit, përndjekjes, çuarjen para hetuesisë deri para gjyqit i quajtur Gjyq Popullor, sepse bëheshin me dyer të hapura. Pse? Sepse të akuzuarit dilnin me idenë e imponuar (torturimit), se pranonin fajin e bërë kundër Pushtetit Popullor.
SHËRBIMI SEKRET
Tipike, veç KGB-së që dihet botërisht aktiviteti i saj brenda e jashtë vendit, ishin dy sisteme sigurimi, ai i Gjermanisë Lindore me në krye Honekerin, të cilin Brezhnjevi e donte aq shumë për diktaturën komuniste që ushtronte, e puthi në buzë, një ngjarje sa e habitshme aq edhe e paimagjinueshme, e cila edhe sot bën xhiron e botës. Pas rënies së regjimit në depot e magazina e Shërbimit Sekret të Sigurimit Gjermano-Lindor “STAS”-i u gjetën mijëra kavanoza me mbetje trupore të viktimave të komunizmit.
Ndërsa Rumania e Nikolai Çausheskut dhe e Helenës (Ata udhëhiqnin në duet), kishin një specifik tjetër. Anëtarët e Shërbimit Sekret të Sigurimit “Securitates” përveç militantëve të zgjedhur me kokrra nga radhët e Partisë Komuniste Rumune pjesa dërmuese merrej e zgjidhej nga jetimorët pra, elementë Recidivistë pa din e pa imam. Ata nuk njihnin dashuri familjare të nënës e babës. Këta ishin ata që pa hezitim, hapën zjarr kundër demonstruesve paqësorë në Timishoara duke vrarë afro njëqind protestues.
Nejse, të fokusohemi, tek ideja e shkrimit tonë, tek Sigurimi famëkeq i Shtetit. Sigurimi i Shtetit ishte një organizatë me organizim perfekt. Fuqia e tij ishte e jashtëzakonshme, aq sa shpesh cilësohej si shtet brenda shtetit. Edhe vetë Komitetet dhe Organizatat e Partisë, bashkimet profesionale, Organizatat e Gruas e deri tek ato të Pionierëve, dridheshin para emrin: Sigurimi i Shtetit. Fuqia e tij ishte aq e madhe dhe e fuqishme sa që asnjë person nuk mund të dilte jashtë shtetit pa autorizim të Oficerit të Sigurimit. Unë vetë nga vitet 1982, kam filluar të dal jashtë shtetit me shërbime të ndryshme por për çdo udhëtim do pajisesha patjetër (kjo ishte praktikë për të gjithë, pa asnjë përjashtim, përveçse dihet…Udhëheqjes e fëmijëve të tyre), me “Vizë” nga Ministria e Brendshme.
Aq shpesh kisha dalë sa në një rast, u paraqita në Aeroport për në linjën Tiranë-Budapest, pa marrë atë vizë. Policia më ndaloi udhëtimin, u desh ndërhyrja e ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Veip Proda, që të vazhdoja udhëtimin. Punëtorët Operativë ose Oficerët e Sigurimit gëlonin në çdo ndërmarrje, Komitet Ekzekutiv, Komitet Partie e deri në Kooperativat e largëta Bujqësore. Gjithë fshati drithërohej kur merrej vesh se në fshat paskej ardhur, punëtori operativ i zonës dhe se ndodhej në zyrën e… sekretarit të Partisë ose Kryetarit të Kooperativës. Veshja e tyre tipike me të njëjtën uniformë me kostum doku bezhë, pardesy bezhë, me kasketë e me çantën krahqafë ngjyrë kafeje, dallohej gjithandej. Këta punonjës operativë ose oficerët e sigurimit ishin të atashuar në organikën e Degës së Punëve të Brendshme, të cilat duhet pranuat që dhe kur kalonin pranë tyre asnjë qytetar nuk kthente kokën e të bëhej ndopak kurioz.
Çdo qytetar, punonjës, kooperativist, pa përjashtim kalonte nëpër brimën e gjilpërës qoftë edhe i pafajshëm. Pale të kishe ndonjë të arratisur ose qoftë edhe pjesëtar i fisit që kish mbetur matanë kufirit për shkak të martesës. Kam qenë në Gjimnazin e Bajram Currit. Shokut tonë të klasës Besim D i erdhën nga Kosova (lexo Jugosllavia), pako me rroba dhe një orë “Areta”. Dy ditë pas shuarjes së kuriozitetit tonë për ç’ka i kish ardhur, u thirr në Degën e Punëve të Brendshme nga Oficeri i Sigurimit duke e pyetur atë e të atin me orë të tëra. Shpejtësia me të cilën u thirr në degë, ishte e habitshme, aq sa dhe mësuesi kujdestar Gjergj Preluca bëri një pyetje shqeto para klasës:
– Kush nga ju është spiuni? Në fakt në klasë ishim 30 çuna e vetëm një vajzë, Xhemile Mece. Kështu i binte që spiuni të ishte shok i klasës, (më vonë u mor vesh që spiuni ishte S. Kore, bashkëpunëtori i sigurimit me pseudonimin “Shkëlzeni”). E tregova këtë ngjarje për të treguar se sa thellë hynin tentakulat e Sigurimit të Shtetit. Në një rast, ish Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, raportonte para Byrosë Politike se një në çdo tre shqiptarë ishin bashkëpunëtorë të rregullt me pseudonim ose bashkëpunëtorë “vullnetar” të quajtur “AGBV”.
TË ZELLSHMIT
Bile pati edhe të atillë që prej zellit të madh, për ta pasur mirë me Sigurimin, raportonin edhe komshiun se ku i gjeti paratë që bleu peshk, se atij nuk i del rroga të hajë sheqerpare apo qull! Kompromentimi dhe futja nën tutelën e sigurimit, realizohej me miratim të Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme p.sh. në kohën kur u futën në përpunim Genc Leka e Vilson Blloshmi (Pushkatuar në përrua), shkresa shkruante: Tepër sekret, aprovohet, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Kolonel Shim Kolli. Propozuesi punëtori operativ (Oficeri i Sigurimit), Feta Veizi, Shefi i Seksionit për përpunim 2/B, të (Gjynafqarit) Kapiteni i Parë, Avni Mehmeti. Komenti është i tepërt. Akuza sekrete me dëshmitarë të imponuar dhe vendimi, plumb pas koke për të pafajshmin! Bashkëpunëtorët betoheshin sikur futeshin në Organizatat mafioze dhe pas firmës nuk mund të largoheshin më, vetëm po të pranonte burgun ose plumbin. Ja si e shfrytëzon rastin punëtori operativ.
HISTORIA E SHOFERIT
Një rast i thjeshtë. Viti 1976. Një shofer S.K. kamioni i një reparti ushtarak bënte, për furnizim itinerarin Leskovik-Ersekë. Kamioni i mbuluar me mushama, sigurisht edhe prapa tek karroceria. Në rrugë shikon një fshatar që pavarësisht se kish çadër, shiu i dendur e kish bërë qull, i bën shenjë të ndalojë. Pasi e pyet se ku do shkonte, shoferi S.K. i tha:
– Hip prapa, kuptohet ishte qull dhe para me të as që bëhej fjalë. Pas ndonjë një orë shoferi arriti në destinacion dhe i thotë pasagjerit:
– Zbrit, se arritëm. Pasagjeri hiç, S.K. shikon menjëherë prapa ngriti mushamanë dhe ç’të shohë, jo vetëm tym i makinës kish mbushur karrocerinë por edhe pasagjeri kish “ngrirë” i asfiksuar nga gazi karbonik i marmitës nuk kuptoi asgjë. I tmerruar e duke u dridhur e mori trupin dhe e la buzë rruge që të dukej. Mori makinën e ia mbathi për në shtëpi. Praktikisht kjo ishte një praktikë e njohur. Ushtria Gjermane për të kursyer plumbat i mbushnin kamionët me të burgosur dhe një tup lidhej me marmitën e hynte duke u shfryrë në karroceri. Vdekja ishte e menjëhershme, pa zhurmë dhe e “ëmbël”.
S.K. në shtëpi nuk e zinte vendi. I kish hyrë thotë populli “Tartakuti”. Gruaja e pyeti disa herë por, ai justifikohej me punën e vështirë, etj., broçkulla. Megjithatë gruaja që dyshonte se diçka kish i shoqi, shkon në Degën e Brendshme dhe raporton tek oficeri operativ. Ai, pa çak pa bam, thirri S.K. dhe e mori në pyetje. Duke e mbajtur brenda në birucë, pa një vendim gjykate. Nga këqyrja e rrethanave të ngjarjes ku u vërtetua se një nyje dërrase e dyshemesë kish rënë dhe fatkeqësisht ishte sipër marmitës kështu kabina e mbyllur hermetikisht helmoi të gjorin.
Pra, S.K. doli i pafajshëm. Deri këtu mirë. por nuk ishte mirë për Oficerin e Sigurimit, i cili i ngriti kurthin për ta bërë bashkëpunëtor.
– Ti, S.K. i thotë, sigurimsi je fajtor për vdekjen dhe fshehjen e ngjarje, sipas Kodit X, e Y, ti do dënohesh me dhjetë vjet burg.
– S.K. sa nuk i ra të fikët.
– Por, ka një gjë thotë sigurimsi, unë e kam në dorë ta mbyll këtë çështje, (vërtet në dorë e kishte se ata ishin vetë Ali e vet Kadi). Por duhet të zgjedhësh, o burgun ose të firmosësh si bashkëpunëtor i yni e të na raportosh çdo gjë që do të të kërkojmë. Kurthi (Çarku) u shkreh, S.K. mbeti brenda. Pranoi të firmosë e të evitoj burgun. Kështu oficerit Operativ (Sigurimsit) iu shtua edhe një spiun “Pa dashje”! Një kurth tjetër i burgosuri Remo T. kishte disa muaj që hante grushte e shqelma, e fusnin në ujë të ftohtë akull, e mbanin të lidhur në këmbë në dhomën e izolimit, për ta detyruar të pranonte atë që i kërkonte punëtori operativ me hetuesin. Mos o Zot, ku dorëzohej remua, sepse gjykonte që kishte plotësisht të drejtë. Kur mendoi, se ngaqë nuk i imponuan të pranonte, mendja i shkoi se do ta lironin. Mendja e tij, por jo, mendja djallëzore e hetuesit, i cili pasi e zgjidhi remon nga karrigia e ngulur e betonuar në dysheme, e kapi nga krahu dhe me “Delikatesë” e afroi tek dritarja.
– Shiko pak tek pema, – i tha, – se kush të ka ardhur për vizitë. Nën pemë e mbështetur Remua kapsalliti sytë, duke parë të shoqen e veshur me një fustan të kuq me pika të bardha, si një sorkadhe. (ishte e re, njëzet e dy vjeçe). Lotët e remos rrodhën nëpër faqe.
– Zgjidh e merr, nusja jote do flej këtu sot në dhomën tonë, timen dhe të hetuesit, do firmosësh apo jo?! I shkreti Remo, nuk i mbanin gjunjët dhe me zë të mekur tha: – Po. Kurthi funksionoi. Remo u thye. Oficeri Operativ dhe Hetuesi korrën sukses për t’ia raportuar Kryetarit të Degës se i burgosuri remo, me dëshirë e pa asnjë imponim pranoi fajin e sabotimit…!
SHANTAZHI NDAJ FIQIRETE SHEHUT
Kurthi familjar. Tipik është rasti i Fiqirete Shehut (Sanxhaktarit), pasi u mbajt me muaj të tërë me kaskë në kokë (demek se mos vriste veten) e me qindra orë hetuesi, ku i kërkohej të pranonte “Tavën” që i kish përgatitur Sigurimi i Shtetit ajo kuptohet nuk pranonte. Me asin nën mëngë hetuesit i vunë përpara alternativën familjare:
– Po nuk pranove, do të burgosim soj e sorollop të familjes. E tmerruar dhe me besim të verbër, duke parë se ç’kish hequr vetë, pranoi.
– Pranoj, – tha të them çdo gjë, veç fëmijët e mi lini të qetë.
– Po, patjetër. Pa merak, veçse para trupit gjykues do lexosh ato që do të japim ne.
Deklarata që lexonte Fiqirete, demek me një ndershmëri e pastërti, bëri bujë të madhe në sallë. Mirëpo e shkreta gjatë leximit jo vetëm dridhej por, ngatërronte edhe rreshtat (kuptohet kur nuk e shkruan vetë), akuzat që bënte ishin komplet të pabesueshme, aq sa Kadriu nga fundi i sallës, kur e përmendte Fiqireti tha:
– Jepi, jepi, gri si gramafon i prishur! Kështu kurthi i Sigurimit funksionoi dhe direkt iu raportua Enverit si një “zbërthim”, me dëshirë e pa imponim të Fiqiretes. Ç’mund të bënte tjetër Sigurimi i Shtetit kur e burgosura deklaronte me ndërgjegje të qetë e dëshirë pa imponim, sigurisht do t’i merrte njëqind për qind të vërteta.
Vijon…