VOAL

VOAL

Ndahet nga jeta profesori i Historisë, Adem Mezini

Mbrëmë profesori i historisë, Adem Mezini është ndarë nga jeta. Lajmin e hidhur e ka ndarë përmes rrjeteve sociale profesori, Përparim Kabo.

Statusi:

“Shuhet nje njeri me vlera…nje dijetar me vlera…nje atdhetar me vlera. Profesor i historise Adem Mezini e la kete jete. Lajmi eshte i trishte. E njoha heret fillimisht si ish studenti i tij. Ai erdhi dha leksione edhe ne fakultetin e Filozofise…por jeta na beri kolege dhe miq. Adem Mezini lexonte ne disa gjuhe dhe kishte nje veshtrim ndryshe ndaj historise…nuk i pelqenin ideologjizimet…ai spikati si ne studimet e mirfillta historike ashtu edhe historine politike. U thellua ne pikemajet e shkolles social-demoktate dhe ne veprimtarine politike te kesaj ryme politike. Ademi ishte gojetar dhe nje erudit me nje kujtese te pasur. Dialogues i hapur sepse ishte mendjethelle dhe mendjehapur…Analiza e tij per shekullin XX dhe ravijezimi per prirjet e shekullit XXI ne botimin e tij shprehin seriozitet kulture kerkim shkencor dhe kuraje per te prekur edhe parime qe te tjere mund ti shihnin si te palevizeshme…Na iku nje mik…do na mungoi nje historian qe as u lut e as u lepi kund…pikerisht Ai qe e meritonte te ishte akademik perpara shume e shume te tjereve. Adem Mezini ishte peme e larte e dijes…Lamtumire mik i mire…ai zeri yt i plote dhe krejt i vecante si ajer i dijes do te mbetet auditoreve dhe kujteses e sa sa brezave te studenteve te ty….Ishte fat qe jetuam ne nje kohe me ty…Parajsa pasurohet me nje te ndritur shpirt….Amin,”

Gjithashtu edhe kolegia e tij, pedagogia Valentina Duka, ka ndarë lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të  Historisë duke shtuar se vlerëson kontributin e tij, jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si studiues i historisë bashkëkohore.

Statusi:

Keqardhje e thellë për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Adem Mezinit, pedagog për një kohë të gjatë në Departamentin e Historisë të Universitetit të Tiranës! Prof. Mezini ka dhënë një kontribut të çmuar jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si studiues i historisë bashkëkohore.

Ne si ish-studentë dhe kolegë të profesorit të ndjerë, do ta kujtojmë atë gjithmonë si një pedagog të aftë e korrekt, të dashur e të respektuar nga të gjithë.

Prandaj të gjithë do ta ndjejmë mungesën tuaj Prof. Ademi. Do të na mungojnë telefonatat tuaja të shpeshta, interesimi juaj i vazhdueshëm për ne dhe familjet tona, për Departamentin dhe Fakultetin që ju u kushtuat tërë jetën.

Pushofshi në paqë i dashur Profesor! Ju qoftë i lehtë dheu i vendlindjes suaj të bukur, Gjirokastrës!

Gjykata e Apelit në Katania vulos dënimin, trafikanti shqiptar Moisi Habilaj sërish pas hekurave

Konfirmohet dënimi për Moisi Habilajn, narkotrafikanti shqiptar, për të cilin gjykatësit e Apelit në Katania kanë vendosur të mos e ndryshojnë vendimin e Shkallës së Parë: dënimin me 15 vjet, 5 muaj dhe 5 ditë burg, vendim ky i marrë më 2019, shkruajnë mediat italiane.

Mediat italiane shkruajnë se Habilaj në gjykimin e Shkallës së Parë kishte vendosur të fliste me magjistratët për të pranuar disa akuza dhe për t’i dhënë atyre informacione për çdo përfshirje të mundshme të kushëririt të tij në trafikun e drogës, pra ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Kjo ndodhi pavarësisht përgjimeve mes tyre, të cilat përfunduan në aktet e hetimit të “Rosa dei Venti” dhe u publikuan nga MeridioNews, në të cilat të dyshuarit do t’i referoheshin vazhdimisht këtij politikani. Tahiri u hetua gjithashtu nga zyra e prokurorit të Katanias, por dosja u mbyll me një kërkesë për arkivim e cila u pranua më pas nga gjyqtarja Loredana Pezzino.

Banda e trafikantëve, kapot e të cilës ishin Habilajt, zhvillonte aktivitetin e saj mes Shqipërisë dhe Sicilisë për të importuar sasi të mëdha marihuane, por edhe armë luftarake. Gjithçka do të ishte e mundur falë një rrjeti tregtarësh me shumicë në zonë me marrëdhënie të drejtpërdrejta me klanet kryesore mafioze lokale.

Banda do të kishte shijuar mbulimin institucional nëse nuk do të ishte zbuluar, shkruan MeridioNews. «Nëse vini në Shqipëri – tha Habilaj – e kuptoni që policia është e korruptuar. Ndonjëherë është vetë shefi që na ndihmon të ngarkojmë thasët ».

Zbulime të cilat, pas hetimit në Itali, çuan në hapjen e disa dosjeve hetimore në Shqipëri.

Në procesin e apelimit, gjykatësit vendosën të konfirmojnë dënimin edhe kundër Antonino Riela, në shkallën e parë të dënuar me 14 vjet e tetë muaj. Nga ana tjetër, Angelo Busacca, kalon nga shtatë vjet e katër muaj deri në gjashtë vjet e dhjetë muaj në burg.

Zbritje gjithashtu ka për Maridiam Sulaj dhe Nezar Seiti, i pari u dënua me tetë vjet ndërsa i dyti, që besohet të ishte financieri i organizatës dhe u ekstradua në Itali pasi u arrestua në Shqipëri nga policia lokale, u dënua me gjashtë vjet e tetë muaj burg. Për Vincenzo Spampinato është dhënë nëntë vjet në Apel. Gianluca Passavanti u dënua me dy vjet e tetë muaj. Për Rosario Giuliano dhe Giuseppe Greco një vit e dhjetë muaj.

Moisi Habilaj është larguar nga burgu që nga fundi i majit, pasi kaloi 954 ditë pas hekurave. Por me sa duket ai duhet të rikthehet sërish.

Për disa muaj, trafikanti i drogës ka qenë në paraburgim shtëpiak në shtëpinë e një kushëriri në territorin e San Michele di Ganzaria, në provincën e Katanias. Gjyqtarët, gjatë seancës së parë të procesit të Apelimit, në fakt kishin pranuar kërkesën e avokatëve të tij, avokatëve Francesco Strano Tagliareni dhe Maria Caterina Caltabiano.

Ish-ministri i Brendshëm Neritan Ceka zbulon të pathënat: Fatos Nano i pari kryeministër që u afrua me botën e krimit!

“Prapaskenat në qeveri” për të cilat ka folur vetë ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj për të cilat tha se do të shkruajë një ditë, janë komentuar në studion e emisionit “Real Story” në News 24 nga ish-ministra të tjerë por edhe analistë.

I ftuar në studio ishte edhe ish-ministri i Brendshëm, Neritan Ceka që mori postin menjëherë pas luftës civile në vend, kur zgjedhjet u fituan nga e majta e udhëhequr nga Fatos Nano.

Ceka tregoi disa të pathëna dhe hodhi dritë mbi ngjarjet e kohës. Akuza të rënda ai hodhi në adresë të ish-kryeministrit Nano.

“Kam ikur në prill ’98 si ministër, më pak se 1 vit qendrova. Jam përballur me një polici që s’kishte as mjete, një situatë e paimagjinueshme ku gjithë vendi ishte jashtë kontrollit, ku nuk udhëtoje dot as nga Tirana drejt Elbasanit. Por brenda 2 muajsh u vendos rregulli, nisën çarmatimet. Sollëm një imazh të ri të një qeverie disa partiake ku u përfaqësua një shtresë e gjerë e popullsisë, ku çdo njeri shihte punën e tij.

Unë nuk kam dhënë dorëheqje, ishte Nano ai që vendosi të bëjë disa ndryshime në qeveri. Kujtoi se u stabilizua vendi dhe ndryshoi kursin e qeverisjes. Ai është i pari që u afrua me botën e krimit. Kjo e çmobilizoi policinë, rriti kredibilitetin e opozitës, i hapi rrugë krimit të vepronte edhe në mes të Tiranës, përfshi pastaj edhe vrajsen e Azem Hajdarit. E majta shqiptare në vend të ishte përfaqësuese e një morali europian, ka përfaqësuar tendencat e djathta të Amerikës Latine”,- tha Ceka.

Pamjet filmike në prokurori, Klodian Rasha u qëllua nga polici në një distancë prej 5 metrash

Klodian Rasha, 25-vjeçari i vrarë në orët e mëngjesit të 8 dhjetorit, është qëlluar nga një distancë prej 5 metrash nga punonjësi i policisë, Nevaldo Hajdaraj.

Pamjet filmike kryesore të sekuestruara nga prokuroria e Tiranës, e tregojnë qartë veprimin kriminal të policit të “Shqiponjave”, ku para kameras së një servisi në Laprakë, duket se është pozicionuar për të qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të personit që ai po ndiqte, Klodian Rasha.

Në filmim, sipas prokurorisë së Tiranës, dallohet se viktima është duke u larguar me vrap. Ndërkohë nga një distancë shumë e afërt prej 5 metrash, polici i pozicionuar i shtrirë në trotuar ka hapur dy herë zjarr.

Momenti i rrëzimit në tokë të Klodian Rashës, duket qartë thonë prokurorët dhe se kjo video, shërbeu që ndaj Hajdaraj, të ndryshohet akuza nga “Vrasja në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme” në “Vrasja me dashje”.

Ndryshe çfarë deklaroi kolegu i efektivit Nevaldo Hajdaraj se kishte parë policin dhe personin që po e ndiqte të konfliktoheshin fizikisht, përpara vrasjes, në fakt kamera tregon se nuk ka pasur asnjë konflikt fizik.

Por polici në ndjekje e sipër për të kapur Klodian Rashën, ka rëshkitur dhe mandej ka vijuar të çohet dhe është pozicionuar shtrirë dhe ka qëlluar dy herë në këndin trupor, Klodian Rashën. Një nga plumbat nuk e ka kapur edhe pse ka qenë një distancë shumë e afërt, vetëm 5 metra nga njëri-tjetri.

Plumbi është gjetur në qepenin e servisit dhe është sekuestruar tashmë nga prokuroria. Ndërkohë, një plumb i dytë i ka hyrë Klodian Rashës, pas shpine në kënd drejtimi nga poshtë-lart, dhe ik ka prekur zemrën.

Rasha është shembur në tokë dhe besohet se nga rrëzimi i fortë ai ka pësuar gërvishtje të rënda në kokë. Filmimi i sekuestruar nga policia dhe prokuroria tregojnë dhe veprimet e mëtejshme që kanë bërë punonjësit e policisë së Tiranës dhe transportimin e trupit të pajetë me ambulancë në spitalin Ushtarak.

Ndërkohë deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi nuk ka asnjë të dhënë se kujt i përket arma që u gjend brenda një pellgu me ujë, shumë pranë vendit të ngjarjes. Rrethanat si doli kjo armë pistoletë në vendgjarje, vijojnë të mbulohen me mister./report.tv

Protesta për vrasjen e Klodian Rashës, policia ‘blindon’ qendrën

Qytetarët kanë dalë sot në protestë në shenjë rebelimi kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra nga një efektiv policie gjatë orës policore. Ngjarja e rëndë ndodhi duke u zbardhur 8 Dhjetori në zonën e Laprakës. Teksa sot shënon dita e 7 e protestës, gazetarja Dorjana Bezat raporton në një lidhje live për ‘News24’ se në numri i qytetarëve në Sheshin “Skënderbej” është më i vogël se netët e mëparshme.

Sipas Bezatit, policia ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e situatës, për t’ju paraprirë çdo skenari të kësaj proteste. Mësohet se në terren janë dhe autoblindat dhe njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ndërkohë, në një raportim live nga Kryeministria, gazetari Erjon Skëndaj tha se policia është vendosur para këtij institucioni dhe në rrugët që lidhin këtë godinë, duke shtuar se situata deri më tani paraqitet e qetë.

Kujtojmë se prej ditësh vendi ynë, kryesisht Tirana, është përfshirë nga protesta masive, ku protestuesit kanë shfryrë inatin e tyre ndaj institucioneve por dhe sinjalistikave rrugore, mes tyre tabelave, apo dhe semaforëve. bw

Protesta e shtatë për vrasjen e të riut Klodian Rasha – Regjisori Budina: Kush nuk proteston, është i vdekur

Regjisori i njohur Edmond Budina nga protesta kundër vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie deklaroi se një popull që nuk proteston, është një popull i vdekur.

Në një prononcim për gazetaren e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Dorjana Bezati, Budina iu përgjigj zërave skeptikë për protestën ku u dëmtuan disa objekte, mes tyre dhe pema e Vitit të Ri si dhe dekoret për festat, duke iu kujtuar atyre ‘varrosjen’ e kostumeve të veçanta gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar.

“E mira është se protesta duhet të vazhdojë. Siç e vazhduam dhe ne protestën pas shembjes së teatrit. Të protestosh është qytetari. Kur qytetarët nuk protestojnë, është një vend i vdekur. Protesta për vrasjen e Klodianit nuk ishte e rastësisht. Ajo ishte pika kur u derdh gota. Kjo polici po reagon në mënyrë skandaloze. Se di se si mund të jetë profesionale një polici që keqtrajton qytetarët. Të tërheqsh zvarrë 15 -vjecarët, t’i masakrosh, t’i çosh në komisariate, dhe familja mos të dijë gjë, kjo është kriminale. Siç kanë qenë skuadronet fashiste. Një popull që nuk proteston është një popull i vdekur. 3 vite protestuam tek teatri në mënyrë paqësore, po përgjigja e këtij sekti të Rilindjes ishte dhuna. Shumëkush mund të ankohet për pemën e Vitit të Ri, i them se si nuk ju erdhi keq kur u varrosën kostume kuizito?! Si nuk ju erdhi keq për atë pronë publike?! Kjo është hipokrizi e atyre njerëz që blihen nga pushteti.”, tha Budina.

Vëllezërit e Klodian Rashës pas vizitës së Ramës: Vrasja ishte me dashje, jo aksidentale

Kryeministri Edi Rama ka vizituar mëngjesin e së martës, për herë të tretë, familjen Rasha në kryeqytet.

Pas përfundimit të vizitës, kryeministri Rama nuk pranoi që të fliste për gazetarët në lidhje më motivet e vizitës së tij të radhës. Kurse, nga ana tjetër, vëllezërit e 25-vjeçarit të ndjerë Klodian Rasha nuk pranuan të flisnin për kamerat.

Megjithatë, sipas mediave ata janë shprehur se nuk kanë nevojë për pension. Ato para që do të marrin do t’i japin për bamirësi.

Po ashtu, vëllezërit e të riut kanë thënë se “për dy ditë do ta merrni vesh nga prokuroria që nuk është vrasje aksidentale, por vrasje me dashje.”

Në vendim thuhet se pas vrasjes që, cilësohet si aksidentale, qeveria ka vendosur t’i japë trajtim financiar sa 8-fishi i pensionit social ( që është 7.6 mijë lekë në muaj) familjes së të riut.

Shpërblimi nga qeveria, babai i Klodian Rashës: S’dua mëshirë, kompensimi është drejtësia

TIRANË

Qazim Rasha nuk e ka të vështirë të thotë çfarë kërkon dhe cili është kompensimi për humbjen e tij të madhe, vrasjen e të birit 25-vjeçar nga policia. Në një intervistë për gazetaren Klodiana Lala, ku flet pas vendimit të qeverisë për një pension të posaçëm, babai i të riut Klodian Rasha thotë se kërkon drejtësi dhe jo mëshirë. Ai shprehet se vendimin nuk e jep as qeveria, as parlamenti dhe se ka besim tek Gjykata e Prokuroria, por nëse nuk ka drejtësi atëherë ai tregon se ka bërë punën e tij dhe se i ka disa materiale në xhep.

Si e pritët ju si familje këtë vendim të qeverisë shqiptare?

Unë akoma nuk jam në dijen itë vendimit sepse unë nuk ndjek vendimet. Unë akoma ndjek dhimbjet që kam nga brenda familjes. Unë ndjek dhimbjen që çdo minutë sa vjen më rëndohet, çdo minutë sa vjen më shtohet. Duke qenë se në shtëpinë time kanë ardhur të gjithë krerët e shtetit, të gjitha institucionet nga kryeministri, nga shefi i opozitës, nga të gjithë të interesuarit për shqetësimin e djalit tim. Duke qenë se të gjithë janë të shqetësuar për djalin tim, unë që natën e parë kam bërë një prononcim dhe i jam lutur që të gjitha mediave më lini në hallet, në shqetësimet, në problemet e familjes që kam. Kam boll shqetësim e kaq ngarkesë. Por edhe një farë sensibilizimi isha i detyruar me e dhënë për arsye se ndryshe ishte ngjarja, ndryshe u trajtua, ndryshe u ngrit. Vrasja e djalit tim nuk ishte nje vrasje e çfarëdoshme, ishte një vrasje makabër. Ishte një vrasje që nuk ndodh në asnjë lloj regjimi, në asnjë lloj shteti të botës. Polici është fëmija im, është djali im, është i imi, i joti, i gjithkujt, është dhe mbrojtja jonë. Kërkojmë të drejtë, kërkojmë mundësi. Edhe nëse gaboj unë, polici është në nderin tonë, është krenaria e shtetit, është figura kryesore e shtetit. Por që të dalë një fëmijë në moshën 25-vjeçare kur unë prisja në lulen e rinisë për ta fejuar, me e martu dhe të më vritet në rrugicën e shtëpisë, duke vrapuar me u fut në derën e shtëpisë së vet, duke e gjuajt nga mbrapa, këtë se ka bërë as gjermani në kohën e vet. Themi për serbin, por se ka bërë as ai në kohë normale. Atëherë si mund të bëhet një veprim i tillë kaq banditesk dhe mbi të gjitha rëndimi më i madh, plaga më e rëndë vinte kur pas alibisë së djalit ngriheshin dhe alibi të tjera.

A do ta pranojë familja Rasha këtë trajtim financiar?
Kryeministri Edi Rama ka ardhur dy herë personalisht në shtëpinë time. E kam mirëpritur dhe do ta mirëpres sa herë të mendojë për të ardhur për të më ngushëlluar në familjen time. I kam kërkuar kryeministrit, zoti kryeministër kam kërkuar që nga dita e parë drejtësi dhe vetëm drejtësi. Nëse kryeministri im më jep drejtësinë e djalit që të qetësohet shpirti i atij atje, por të qetësohen dhe zemrat e mia, zemrat e gjithkujt që e ndiejnë fëmijën tim si djalin e tyre, ky është vlerësimi, ky është kompensimi, kjo është gjithçka. Në qoftë se vendimi apo gjykimi del me të tilla hipoteza, siç janë ngritur alibi nga më të ndryshmet, jo aksidentale, jo kalim kompetencash, këto janë gjëra që unë prapë kam besim tek gjykata, tek prokuroria. Drejtësinë e japin ato. Në qoftë se ato e gjykojnë që të jepet drejtësi, të jepet. Unë nuk kërkoj mëshirë, nuk kërkoj lëmoshë. Nuk kërkoj të më bësh një nder. Unë kërkoj vetëm drejtësi dhe vetëm ligji. Nëse manipulohen ato mos harrojmë kam bërë dhe unë punën time për aq sa më takon. Ca materiale i kam dhe unë në xhepin tim. Ta dinë të gjithë. Ai është një vend i monitoruar nga 100 kamera, në mos njëra tjetra dhe në qoftë se manipulohet një kamerë apo një tjetër, ca i kam vetë në xhep, ta dinë të gjithë.

Në vendimin e qeverisë, vrasja e Klodian Rashës konsiderohet si vrasje aksidentale. Si u ndjetë kur e lexuat këtë vendim?
As qeveria, as parlamenti, as ti si gazetare, as unë si qytetar nuk mund të japë vendimin. Vendimin e jep vetëm gjykata dhe prokurori. Unë ia kam lënë në dorë shtetit, shteti të bëjë punën e tij. Nëse e drejta shkon atje ku takon mua më lehtësohet dhimbja. Nëse devijohet në një formë a tjetër atëherë do të thotë që këtu ka padrejtësi dhe padrejtësia do të shkojë atje ku është për të shkuar. I kam rritur me djersë, i kam rritur me nder, i kam rritur me krenari dhe jam i zoti t’i rris me krenari dhe s’ia shtri dorën askujt. S’kam nevojë për askënd, as për lekë e as për asgjë në botë. Jetoj me djersën e ballit, jetoj me krenarinë time. Nuk kam dalë për mëshirë, kam dalë të kërkoj të drejtën e djalit tim. Në qoftë se kjo e drejtë zbardhet unë ndiej një farë lehtësimi dhe ai që ka ikur më lehtëson nga shpirti. ndryshe është…nuk e di…nuk ia vë dot emrin pastaj.

Momenti kur Klodian Rasha vritet nga efektivi i policisë, çfarë filmoi kamera e sigurisë

Publikohen pamje nga momenti i vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie. Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka transmetuar pamje të vrasjes nga policia të 25-vjeçarit në orët e para të mëngjesit të datës 8 Dhjetor në kryeqytet.

Në këto pamje të fiksuara nga këndi i një kamere, duken lëvizjet e Klodian Rashës dhe të patrullës policore që mbërrin në rrugën “Dritan Hoxha”.

 

Ora shënon 01:10:29 e mëngjesit kur Klodian Rasha qëndron i mbështetur tek pema në anë të rrugës kryesore “Dritan Hoxha”, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Pak sekonda më vonë, aty shfaqen dy vajza të cilat kalojnë në trotuar pranë 25-vjeçarit Rasha, por që nuk kanë lidhje me ngjarjen.

Në orën 01:11:27 mbërrin nga Lapraka një makinë private dhe pas saj direkt patrulla e policisë. Në orën 01:11:32 Klodian Rasha fillon të lëvizë pasi konstatoi praninë e policisë.

Në orën 01:11:39, efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj del nga makina së bashku me kolegun e tij, ndërsa Klodian Rasha fillon të shpejtojë hapat dhe të largohet në anën tjetër të rrugës. Menjëherë, efektivi i policisë vihet në ndjekje të tij në këmbë. Ora shënon 01:11:47.

Ora 01:12:28, në anën tjetër të rrugës duket në kamera punonjësi i policisë. Nevaldo Hajdaraj vijon ndjekjen me vrap të Klodian Rashës. Në ndihmë i shkon edhe kolegu i tij i policisë.

Në orën 01:13:13 shfaqen Klodian Rasha dhe një prej punonjësve të policisë duke vrapuar.

Ora shënon 01:14:27, është momenti kur polici qëllon me pistoletë. Ai ndodhet në rrugicën pranë banesës së Klodian Rashës.

Në orën 01:14:35 shfaqet polici Nevaldo Hajdaraj që hyn në rrugicë.

Ora 01:14:50, shoferi i makinës private që kishte ndaluar para makinës së policisë, del nga mjeti për të parë çfarë kishte ndodhur pak sekonda pasi dëgjoi të shtënat me armë zjarri.

Në orën 01:15:01, në hyrje të rrugicës shfaqet kolegu i Nevaldo Hajdaraj, efektivi me inicialet E.GJ. E gjithë ngjarja në orët e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit, që nga momenti kur Klodian Rasha qëndronte në anë të rrugës dhe deri në momentin që vritet nga efektivi i policisë, ka zgjatur 2 minuta e 43 sekonda./Pamjet u publikuan në emisionin “Uniko” të Spartak Kokës

Transferohet protesta, qytetarët stacionohen tek Kryeministria. Çfarë ndryshon nga 5 netët e tjera

Teksa e nisën protestën e tyre në sheshin ‘Skëndërbej’, qytetarët e grumbulluar aty po lëvizin drejt Kryeministrisë. Gazetari Erjon Skëndaj në një lidhje live për ‘News24’ bëri me dije se pjesëmarrësit në këtë protestë janë të grupmoshave të ndryshme, dhe jo vetëm të rinj.

Skëndaj tha se turma e qytetarëve kanë nisur që të ecin përgjatë Bulevardit, ndërsa do të stacionohen përballë Kryeministrisë. Ndërkohë ditën e sotme, policia ka paralajmëruar se do të ndërhyjë në çdo rast kur do të ketë grumbullime, ndryshe nga 5 ditët e para të protestës kundër vrasjes së të riut Klodian Rasha, i cili u ekzekutua me armën e shërbimit nga një efektiv policie, ku ka lejuar grupimet. Struktura e posaçme Shqiponja është e përgatitur për t’ju paraprirë çdo situatë.

Kujtojmë se prej ditësh vendi ynë, kryesisht Tirana, është përfshirë nga protesta masive, ku protestuesit kanë shfryrë inatin e tyre ndaj institucioneve por dhe sinjalistikave rrugore.

Protesta për vrasjen e Klodianit- Delegacioni i BE në Shqipëri: Zero tolerancë për kanosjet ndaj medias

Delegacioni i BE-së ka reaguar në lidhje me situatën e gazetarëve në Shqipëri, pas protestës për vrasjen e të riut Klodian Rasha.

Në njoftimin e delegacionit të BE-së thuhet se duhet që të ketë zero tolerancë për çdo kanosje që i bëhet medias dhe njerëzve të medias.

Po ashtu, në njoftim theksohet se gazetarët duhet që të kenë akses në mënyrë të plotë në informacione.

Njoftimi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri:

BE përsërit se duhet të ketë zero tolerancë për kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias.

Është thelbësore që gazetarët në Shqipëri të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa asnjë kërcënim dhune, ngacmimi dhe frikësimi, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në gjithë informacionin.

 

VOA: Shqipëri, kultivimi i cannabisit në rritje për të dytin vit radhazi

VOA

Në Shqipëri, të dhënat e publikuara sot nga Policia shqiptare por dhe nga ajo italiane e cila edhe këtë vit kreu monitorim nga ajri të sipërfaqeve të mbjella me cannabis sativa, flasin për një rritje, për të dytin vit radhazi të kultvimit të bimëve narkotike.

Sipas Guardia di Finanza italiane, përgjatë 185 orëve fluturime, të kryera nga 1 qershori deri më 31 tetor, me nje avion të pajisur me teknologji të avancuar, janë vërejtur 1964 plantacione të dyshuara të mbjella me cannabis, dhe në to janë gjetur dhe shkatërruar më pas nga policia shqiptare mbi 58 mijë rrënjë. Vitin e kaluar, kur u realizuan 225 orë fluturime, u identifikuan 1109 plantacione dhe u shkatërruan 25.719 rrënjë.

Por për Drejtorin e Shërbimit të Bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë, në ministrinë e Brendshme italiane, Gjeneral Brigade Giuseppe Spina, ndonëse ka një rritje karahasuar me një vit më parë “të dhënat janë dëshmi e qartë e ndërhyrjeve të ndërmarra në terren nga policia shqiptare në luftën e saj ndaj këtij fenomeni”, u shpreh Gjeneral Spina, duke ju referuar dhe faktit që gjatë vitit 2020, deri më 31 tetor “trafikimi i marijuanës drejt Italisë, shënoi një rënie të ndjeshme, me 36.7 përqind, duke zbritur në 910 kilogramë, nga 1.4 tonelata të nisura nga Shqipëria dhe të sekuestruara nga autoritetet italiane”, në vitin 2019 nga janari në tetor.

Përtej ndërhyrjeve në territoret e sinjalizuara nga monitorimi ajror, policia shqiptare nga ana e saj ka kryer asgjesimin dhe të bimëve të tjera. Në total, sipas asaj që bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, gjatë këtij viti “janë konstatuar e janë asgjësuar 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 18.828 në kubikë, nërsa 1 vit më parë ishin asgjësuar 90175 bimë narkotike, nga të cilat 14886 në kubikë”.

Në dy vitet e fundit, kultivimi i cannabis sativa-s ka patur një tendencë në rritje. Pas shpërthimit që fenomeni njohu në vitin 2016, ai shënoi një rënie të ndjeshme duke kapur kuotat më të ulta në vitin 2018, kur Guardia di Finanza italiane identifikoi vetëm 27 parcela në një sipërfaqe prej më pak se 1 hektar, në të cilat u asgjësuan 675 bimë. Ndërsa në total, policia shqiptare njoftoi të kishte shkatërruar pak më shumë se 35 mijë rrënjë.

Vlorë, operacion masiv ndaj kultivuesve të narkotikëve, arrestohen punonjës të policisë

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme njoftoi se arrestoi një oficer policie, efektiv të patrullës së përgjithshme dhe shpalli në kërkim një tjetër, ndërsa katër oficerë policie, përfshirë ish-shefin e Komisariatit të Himarës, janë pezulluar nga detyra dhe ndodhen nën masën e detyruar të paraqitjes në policinë gjyqësore. Masat ndaj policëve erdhën në kuadër të një operacioni të gjerë kundër kultivimit dhe tarfikut të narkotikëve. Më herët gjatë ditës së hënë policia e Vlorës tha se kreu një operacion masiv për prodhimin, shitjen dhe kultivimin e narkotikëve duke ndjekur penalisht 41 persona, 27 prej të cilëve janë arrestuar. Sipas policisë arrestimet janë shtrirë në disa zona, në Vlorë, Himarë, Gjirokastër dhe Fier. Personat akuzohen për “prodhimin dhe shitjen e narkotikëve” dhe “kultivimi të bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim. Mes personave të proceduar janë edhe disa inspektorë pyjesh dhe kryepleq fshatrash të disa zonave rurale të Vlorës, të cilët po hetohen ndërsa ndodhen në “arrest shtëpie”, për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”, të kryera në bashkëpunim. Policia e Vlorës tha se periudha hetimore do të zgjasë gjashtë muaj. Krahas sekuestrimit të 120 kilogramëve bimë narkotike gjatë kontrollit të 41 banesave janë gjetur armë gjahu, dylbi, pistoleta sportive, etj. Vlora vijon të jetë një nga epiqendrat e kultivimit të narkotikëve në vend si dhe transportit të drogës drejt Italisë e Greqisë. Grupe kriminale shfrytëzojnë zona të thella për kultivmin e marijuanës, e cila më pas transportohet drejt Italisë me rrugë detare apo drejt Greqisë në rrugë tokësore.

Panik para bashkisë në Durrës, gruaja tenton të vetëdigjet me benzinë, ndërhyn policia

DURRËS

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Durrësit.

Një grua rreth 60 vjeçe ka tentuar të vetëdigjet me benzinë para bashkisë, duke krijuar panik te qytetarët, ndërkohë që ka ndërhyrë policia dhe e ka shoqëruar në komisariat.

Më datë 14.12.2020, në orën 10:10, përpara Bashkisë së Durrësit, shtetasja F. G., rreth 60 vjeçe, mbante një shishe benzinë në dorë dhe dyshohet se kishte për qëllim të vetëdigjej. Shtetasja F. G. është shoqëruar nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme në ambientet e Policisë.

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur pak më parë para Bashkisë së Durrësit, ku një gruaja rreth 60 vjeçe tentoi të vetëdigjet me benzinë. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb” se gruaja ka folur para bashkisë për vështirësitë e madhe ekonomike, që ka në familje.

Ajo është shprehur se merr vetëm 70 mijë lekë të vjetra në muaj, djalin e ka të papunë, dhe vetë nuk ka mundësi të punojë. Sipas saj, shuma që merr nuk i del për ilaçe dhe as për të blerë ushqime. Në këtë gjendje, gruaja është shprehur se i ka mbetur vetëm të digjet me benzinë.

Kështu, ajo ka nxjerrë një shishe benzinë nga çanta, ka lyer këmbët dhe i ka vënë flakën pantallonave, por kanë qenë dy punonjës të policisë civilë, që ndodheshin aty, që kanë ndërhyrë dhe kanë shuar menjëherë zjarrin. Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, që e ka shoqëruar drejt spitalit për të parë gjendjen e saj shëndetësore.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Dy orë marshim-protestë për Klodian Rashën, tensione, gaz lotsjellës, ujë e shoqërime tek Drejtoria e Policisë Tiranë dhe sheshi ”Skënderbej”

TIRANA

Protesta e 5-të për të riun Klodian Rasha në Tiranë u zhvillua ndryshe. Kësaj radhe protestuesit vendosën të bëjnë një marshim protestë nëpër kryeqytet me pankarta, thirrje e gjeste simbolike.

Marshimi filloi nga sheshi ”Skënderbej”, aty ku nisi grumbullimi i të rinjve e protestuesve dhe qëndruan rreth 45 minuta nën praninë e forcave të shtuara të Policisë.

Më pas protestuesit u zhvendosën për tek kryeministria, ku qëndruan shumë pak, e më pas u nisën për tek Drejtoria e Policisë. Aty Forcat Speciale kishin bërë bllokadë duke penguar itinerarin e protestuesve për në destinacionin e caktuar.

Disa prej protestuesve qëlluan me gurë, dhe në atë moment filloi tensioni i parë i protestës që deri në ato momente ishte paqësore, Forcat Speciale dhe autoboti u përgjigjën me gaz lotsjellës e ujë.

Më pas turma u nda në dy pjesë, njëra për në ish-Bllok e tjetra për në rrugën ”Myslym Shyri”. Të gjithë më pas pas 2 orësh u ribashkuan aty ku e nisën, tek sheshi ”Skënderbej”. Kur u duk se gjithçka do të mbyllej, disa protestuesë tentuan të heqin gardhin metalik që rrethonte pemën e Vitit të Ri, dhe Policia u përgjigj sërish me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Në këtë marshim-protestë pati më pak ngjarje të dhunshme se 4 ditët e mëparshme teksa nuk munguan sërish shoqërimet, saktësisht tek Drejtoria e Policisë Tiranë dhe në sheshin ”Skënderbej”.

Me duart mbi kokë, protestuesit shtrihen para kryeministrisë dhe bëjnë gjestin simbolik për Klodian Rashën

Protestuesit kanë bërë një gjest simbolik për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një polic. Ata janë shtrirë para kryeministrisë duke vendosur duart mbi kokë.

Disa prej tyre morën pjesë në këtë gjest për të simbolizuar vrasjen e një të riu nga një polic që ka revoltuar të rinjtë dhe shoqërinë në 5 ditët e fundit në Tiranë e Shqipëri.

Vrasja e të riut Klodian Rasha, protestë në Cërrik dhe Lushnje, qytetarët mbajnë 1 minutë heshtje

Edhe qytetarët e Cërrikut dhe Lushnjes janë ngritur këtë mbrëmje në protestë kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.

“BalkanWeb” sjell pamje nga protesta në Cërrik, ku shihen kryesisht të rinj, të cilët kanë nisur një marshim rreth orës 18:00 drejt qendrës së qytetit, në kujtim të të ndjerit Klodian Rasha.

Pjesëmarrësit, të mbështetur dhe nga përfaqësues të FRPD, kanë ndezur qirinj dhe kanë mbajtur një minutë heshtje në kujtim të jetës së 25-vjeçarit.

Ndërkohë, protestuesit kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj qeverisë, duke kërkuar rend, siguri dhe përgjegjësi për vrasjen e të riut, teksa kanë thirrur në kor “Drejtësi për Klodianin.

Nuk ndalet protesta, mijëra të rinj marshojnë në Bulevard, thirrje e fërshëllima

Mijëra qytetarë, pjesa më e madhe të rinj kanë marshuar mbrëmjen e sotme në rrugët e kryeqytetit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi ‘live’ se ata janë nisur nga Kryesia e Kuvendit, pa u ndalur para Kryeministrisë dhe kanë marshuar në Bulevard duke ecur në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Tek-tuk ka dhe ndonjë kapsollë, ndërsa disa minorenë kanë dëmtuar sinjalistikën dhe koshat e mbeturinave.

Ndërkohë gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” se protestuesit kanë ngritur duart lartë gjatë marshimit në shenjë paqeje me policinë, e cila është vendosur gardh për të mos lejuar agravimin e situatës.

Revoltë pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha: Nis protesta e katërt, qytetarët mblidhen në Bulevard dhe nisin marshimin

TIRANË

Me thirrjet “Poshtë komunizmi!”, “Policia e krimit” ka nisur protesta e katërt, si revoltë e ardhur pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se menjëherë pas grumbullimit të njerëzve të parë, policia është vënë në lëvizje.

Një grup të rinj kryesisht janë mbledhur pranë Kryesisë së Kuvendit. Policia është shpërndarë në proporcion me protestuesit për të mbajtur nën kontroll turmën e cila ka nisur marshimin pa u ndalur para Kryeministrisë.

Kjo është dita e katërt që protestohet në kryeqytet dhe gjatë ditëve të kaluara ka pasur efektivë dhe protestues të plagosur. Janë shoqëruar me dhjetëra protestues dhe janë proceduar qindra të tjerë. Protesta janë mbajtur dhe në disa qytete. Në Shkodër sot pas një marshimi në rrugët e qytetit, u dogj edhe selia e PS-së.

Voltana Ademi denoncon në prokurori policinë e Shkodrës: Nuk iu përgjigj thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë

Kryetarja e Bashkisë Shkodër denoncon në prokurori drejtuesit e policisë së shtetit, duke kërkuar “Procedimin penal të punonjësve dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Ata nuk ju përgjigjën thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në kallëzimin e Kryetares së Bashkisë Shkodër ndaj drejtuesve të Policisë Shkodër.

Kallëzimi penal është bërë për mos zbatim të detyrave që sanksionon ligji për policinë e shtetit në nenet 17, 105, etj., përkatësisht për mos angazhimin në mbrojtjen e pronës publike dhe private; mos ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; mos parandalimin në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal; për mos marrje dhe trajtim pranë strukturave përgjegjëse, ankesat e shtetasve, në mënyrë të veçantë kallëzimet penale ose informacionet e dhëna në rrugë të ndryshme për vepra të ndryshme penale.
Kallëzimi është dërguar sot në Prokurorinë e Shkodrës.

Sërish protestë, makinat e rënda dalin në rrugët e kryeqytetit, blindohet Tirana

TIRANË

Një tjetër protestë e paralajmëruar, e katërta në radhë që nisi si revoltë pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha. Por duket se sot Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar shkatërrime e dëmtime në kryeqytet.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për “BalkanWeb” pamjet ku shfaqen makinat e rënda të policisë teksa kalojnë në rrugët e qytetit për t’u pozicionuar në mbrojtje të institucioneve, të cilat kanë qenë në shënjestër të protestuesve gjatë këtyre ditëve.

Protesta në Shkodër, policia përdor gazin lotsjellës, protestuesit hedhin kapsolla, shuhet zjarri para PS

SHKODËR

Situatë e tensionuar në Shkodër. Një orë nga nisja e protestës dhe pasi protestuesit bastisën e dogjën gjithçka gjetën, ka ardhur dhe ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat kanë hedhur dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Policia ka krijuar gardh pranë selisë së PS-së që tashmë është mbuluar nga tymi e zjarri i vendosur sendeve në rrugën përpara. Protestuesit janë larguar për disa minuta, duke u spostuar disa dhjetëra metra dhe kanë hyrë nëpër rrugica, ndërsa ka dhe efektivë policie të shpërndarë.

Protestuesit janë afruar sërish duke hedhur kapsolla. Zona përreth ku po protestohet është mbuluar nga tymi teksa forcat zjarrfikëse po shuajnë zjarrin tek selia e PS.

Pamje të pazakonta nga Shkodra, protestuesit bastisin selinë e PS

Tensionohet situata në Shkodër, ku protestuesit, shumica kryesisht të rinj janë futur brenda selisë së PS-së, ku kanë nisur të nxjerrin jashtë sende nga kjo godinë.

Pasi kanë thyer xhamet e kësaj godine, të rinjve s’ju ka dalë inati me kaq, ndërsa kanë nxjerrë nga dritarja kompjutera, karrige, apo dhe banderola të Partisë Socialiste.

Pasi i kanë nxjerrë jashtë godinës këto sende, mes tyre dhe podiumin e PS-së, të rinjtë kanë nisur që të thyejnë çdo gjë me shufra hekuri dhe më pas i kanë vënë flakën.

Po ashtu ata kanë dëmtuar dhe dokumentacionet që ndodheshin brenda kësaj selie. Gazetari Senad Nikshiqi raporton në një lidhje live për ‘News24’ se policia nuk ndodhet në vendin ku janë përqëndruar protestuesit.

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha – Marshim në rrugët e Shkodrës

SHKODËR

Vijon protesta në Shkodër. Qindra qytetarë kanë dalë në rrugët e qytetit me pankarta në duar duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kryepolicit Ardi Veliu.

Gazetari Senad Nikshiqi raportoi për “BalkanWeb” se protesta ka nisur e qetë dhe qytetarët kanë marshuar në rrugët kryesore të qytetit, por më pas situata është përshkallëzuar dhe disa persona kanë qëlluar me gurë e sende të forta selinë e PS duke thyer xhamat.

Po kështu janë djegur reklama dhe janë përmbysur kazanë mbeturinash,  ndërkohë që janë thyer edhe vazo dekorative me lule. Më pas protestuesit janë drejtuar për nga Bashkia e Shkodrës. Me gjithë praninë e madhe, policia nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka pasur shoqërime.

“Edvini e do popullin e vet, prandaj e vjedh, prandaj e vret”, shkodranët në protestë për vrasjen e të riut Klodian Rasha

SHKODËR

Qytetarët shkodranë kanë protestuar sot për vrasjen nga policia të të riut Klodian Rasha, në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë.

Me pankarta në duar “Ma në fund kena ba shtet, ditën të puth, natën të vret”; “Policia e Lleshit ta fut plumb mas veshit”; “Edvini e do popullin e vet, prandaj e vjedh, prandaj e vret” dhe me thirrjet “poshtë komunizmi”, “Rama ik!” qindra qytetarë kanë marshuar në rrugët e qytetit duke kërkuar drejtësi për 25-vjeçarin e vrarë nga policia.

Gazetari Senad Nikshiqi raportoi për “BalkanWeb” se protestuesit kanë qëlluar me hurma makinen e policisë në qendër të qytetit, teksa mjeti është larguar për t’iu shmangur protestuesve. Kujtojmë se ditën e vrasjes, xhaxhai i Klodianit tha se ai kishte dy hurma me vete.

Durrsakët i bashkohen protestave me thirrjen “Poshtë diktatura!”

Rreth 300 protestues janë mbledhur para Policisë së Durrësit, ku kërkojnë drejtësi për vdekjen e të riut Klodian Rasha si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në një lidhje live për ‘News24’ gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton se protesta nisi përgjatë Sheshit Iliria, ndërsa përfundoi para drejtorisë së policisë, ndërsa në kor thërrasin; “Poshtë diktatura”.

Ata në shenjë kundërshtie bllokuan rrugën dhe nisën që t’i vendosnin zjarrin kazanëve të mbeturinave. Ndërkohë që nga pamjet live që transmetohen, disa të rinj janë shoqëruar nga policia. Po ashtu, disa protestues kanë hedhur mbeturina para Policisë.

Protesta, blindohet Ministria e Brendshme, qytetarët shkatërrojnë stacionet e autobusëve

Teksa sot është dita e tretë e protestës në kryeqytet, Policia ka ‘blinduar’ Ministrinë e Brendshme, për t’i paraprirë çdo situate të agravuar.

Ndërkohë që protestuesit kanë shfryrë inatin e tyre, duke shkatërruar madje dhe stacionet e autobusëve, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gazlotsjellës.

Kujtojmë se protesta po zhvillohet në disa pika të kryeqytetit, ndërsa qytetarët hedhin sende të forta, shkatërrojnë reklamat në rrugë, apo dhe semaforët.

Tensione në protestë- I riu qëllohet me grushte nga efektivët, disa të shoqëruar

Disa protestues janë shoqëruar nga policia në qendër të Tiranës. Teksa ishin grumbulluar në tek Sheshi Skënderbej, ndaj të rinjve është hedhur gazlotsjellës, ndërsa një prej tyre është qëlluar me grushta nga policia.

Ky i fundit në pamje të parë nuk shfaq asnjë rezistencë.

Deri tani nuk dihet se sa është numri i të shoqëruarve.

Protestuesit hedhin kapsolla e shkatërrojnë sinjalistikën, policia përgjigjet me gaz lotsjellës e ujë

TIRANË

Ka nisur dita e tretë e protestës për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga policia. Pa një itinerar të caktuar turma e qytetarëve, kryesisht të rinj ka marshuar në rrugët e qytetit duke shkatërruar sinjalistikën rrugore, semaforë e tabela dhe duke bërtitur kundër qeverisë, teksa kërkojnë largimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit që ishin mbledhur përpara kryeministrisë.

 

Protestuesit e parë u nisën që të vijnë nga ish-Blloku dhe disa demonstrues erdhën nga Ministria e Shëndetësisë. Mësohet se pati fillimisht kapsolla nga protestuesit, e menjëherë u hodh gaz lotsjellës. Forcat speciale janë në gatishmëri.

Përplasje tek Drejtoria e Policisë, hidhet gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit
Ora 19:02- Përplasje tek Drejtoria e Policisë mes protestuesve dhe efektivëve. Mësohet se për të shpërndarë turmën e qytetarëve, policia ka hedhur gaz lotsjellës. Ndërkohë, që për të qetësuar situatën ka ndërhyrë dhe FNSH.

Turma pa kontroll drejt Policisë së Tiranës, shkulen tabela sinjalistike e semaforë
Ora 18:57- Po zhvillohet dita e tretë e protestës për vrasjen e Klodian Rashës.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “News24” se edhe rruga ku kanë kaluar protestuesit është bllokuar për pak momente.

Turma po shkon tashmë tek Drejtoria e Policisë. Po thyhen tabela e semaforë sërish, sikundër u veprua edhe dje. Një grup u largua drejt Ministrisë së Brendshme dhe një drejt Bllokut, pasi u larguan nga gazi lotsjellës. Grupet janë bashkuar e po shkojnë për tek Polcia e Tiranës. Ata thërrasin në kor “Drejtësi për Klodianin”. Ndërsa, kanë hedhur edhe një biçiikletë që kanë gjetur aty, në Lanë.

Protesta, blindohet Ministria e Brendshme, qytetarët shkatërrojnë stacionet e autobusëve
Ora 18:54- Teksa sot është dita e tretë e protestës në kryeqytet, Policia ka ‘blinduar’ Ministrinë e Brendshme, për t’i paraprirë çdo situate të agravuar.

Ndërkohë që protestuesit kanë shfryrë inatin e tyre, duke shkatërruar madje dhe stacionet e autobusëve, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gazlotsjellës. Kujtojmë se protesta po zhvillohet në disa pika të kryeqytetit, ndërsa qytetarët hedhin sende të forta, shkatërrojnë reklamat në rrugë, apo dhe semaforët.

Protesta për Klodianin dhe në Pogradec, protestuesit marshim në rrugët e qytetit
Ora 18:52- Protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha janë mbajtur sot edhe në Pogradec. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se dhjetëra të rinj pasi u mblodhën në bashkinë e Pogradecit kanë filluar marshimin në rrugët e qytetit. Të rinjtë me pankarta në duar kërkuan njëherazi drejtësi për 25-vjeçarin Klodian Rasha si dhe shkarkimin e Ardi Veliut.

I riu qëllohet me grushte nga efektivët, disa të shoqëruar
Ora 18:50- Disa protestues janë shoqëruar nga policia në qendër të Tiranës. Teksa ishin grumbulluar në tek Sheshi Skënderbej, ndaj të rinjve është hedhur gazlotsjellës, ndërsa një prej tyre është qëlluar me grushta nga policia. Ky i fundit në pamje të parë nuk shfaq asnjë rezistencë.

Turma e protestuesve me flamuj shqiptarë e të BE-së tenton të hyjë në Kryeministri, i shpërndajnë autobotët me ujë e FNSH
Ora 18:37- Ka nisur me tensione protesta e sotme para Kryeministrisë, në shenjë kundërshtie kundër vrasjes së Klodian Rashës nga një punonjës policie. Shumë të rinj kanë nisur që të hedhin sende të forta në drejtim të Kryeministrisë.

Ndërkohë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe autobotë me ujë kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën. Teksa kanë mbajtur në duar flamuj shqiptarë por dhe të BE-së, një prej tyre dhe një burrë në moshë me patericë, protestuesit i kanë bërë rezistencë dhe ujit me presion. Ndërkohë që u hodh dhe gaz lotsjellës.

Rama viziton policët e lënduar në QSUT. Ulet në hollin e spitalit
Ora 18:22- Teksa në orën 18:00 është paralajmëruar që të nisë protesta për të tretën ditë me radhë për vrasjen e Klodian Rashës, kryeministri Edi Rama ka shkuar në QSUT, ku ka vizituar efektivët e plagosur në tubim. Siç transmetoi live ‘News24’ kreu i qeverisë pas takimit me policët, është ulur në hollin e korridorit, ndërsa bisedon me qytetarë. Kujtojmë se dje u plagosën 5 efektivë dhe 2 qytetarë, ndërsa dy netë më herët u plagosën 9 punonjës të policisë së rendit. Ndonëse protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, ky i fundit hoqi dorë nga posti. Por sicc duket qytetarët nuk janë ndalur me kaq, pasi kërkojnë argimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu.

Turma e protestuesve me flamuj shqiptarë e të BE-së tenton të hyjë në Kryeministri

Ka nisur me tensione protesta e sotme para Kryeministrisë, në shenjë kundërshtie kundër vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një punonjës policie.

Shumë të rinj kanë nisur që të hedhin sende të forta në drejtim të Kryeministrisë.

Ndërkohë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe autobotë me ujë kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën. Teksa kanë mbajtur në duar flamuj shqiptarë por dhe të BE-së, një prej tyre dhe një burrë në moshë me patericë, protestuesit i kanë bërë rezistencë dhe ujit me presion. Ndërkohë që u hodh dhe gaz lotsjellës.

Malaj: Protestat për vrasjen e Klodian Rashës kanë fuqi për të rrëzuar një qeveri, Shqipëria ka hyrë në një cikël të vështirë

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj teksa ka analizuar situatën në vend, që nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës policie, tek protestat e qytetarëve në shenjë rebelimi kundër qeverisë, theksoi se Shqipëria ka hyrë në një cikël të vështirë.

Në një lidhje skype për rubrikën ‘Opinion’ në “News24” Malaj tha se tërmeti si dhe vrasja e të riut, ishin katalizatorë të këtyre protestave. Sipas Malajt, rritja e zemërimit dhe e protestës, afrimi i zgjedhjeve parlamentare, krijojnë rriskun e një ambienti shoqëror të vështirë.

“I shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit, Ngjarje tragjike. Dëshiroj të theksoj se duhet të bëjmë kujdes, por duhet të mbajmë qëndrim të rregullt me pronën private dhe publike. Duke ndjekur debatet në media, sigurisht që Shqipëria ka hyrë në një cikël të vështirë. Këto ngjarje janë katalizatorë për protesta. Protestat kanë fuqi për të rrëzuar një qeveri, por prodhon kaos për qytetarët nëse nuk menaxhohet. Protestat janë rritur kudo në Europë. Nuk mbështes ata që thyejnë xhamet, por në një vend si Shqipëria, ku humbasin miliarda euro nga gjobat, të kërkosh që të mos ketë reagim, do të thotë se mund të jesh në shërbim të kastës, oligarkisë. Rritja e zemërimit dhe e protestës, afrimi i zgjedhjeve parlamentare, krijojnë rriskun e një ambienti shoqëror të vështirë. Kjo do të ndikojë negativisht. Është shqetësuese. Për shkak të pandemisë kudo në botë, konsumohet më pak. Ekonomia nuk fillon të ngrihet. Më përpara kishte shpërndarje të mirë të të ardhurave. Është bërë e vështirë që të gjesh një punë, nëse s’ke trashëgimi mbështetëse. Të rinjtë nuk e ndjejnë se e kanë mundësinë, por ndihen pjesë e një realiteti të hidhur se e kanë të pamundur që të bëjnë karrierë në vendin e vetë. Avokat Ngjela duhet të kishte guximin ta pyeste kryeministrin Rama se a shkoi me charter në SHBA?! A takoi një përfaqësues të vaksinës Pfizer?! Kryeministri si Sulltan, ikën me charter kudo. Njerëzit i shohin këto. Një ministër nuk duhet të japë dorëheqjen në rast se vdes një qytetar. Por në 30 vite të tranzicionit është vetëm Rama që zgjedh ministër si gjeneral. Një civil e sheh qytetarin si pjesë të tij. Ka policë që nuk njohin ligjin, por që unë dhe Islami apo të tjerë, janë armiq të partisë. Rama ka krijuar ambientin e sistemit diktatorial. Ambienti social shqiptar, me pabarazinë në rritje, është i mbarsur në një raport të brendshëm.”, tha Malaj.

Duke u ndalur tek lajmi i sotëm ku kreu i shtetit, Ilir Meta nuk e dekretoi buxhetin e 2021-it, duke e kthyer atë në Kuvend, Malaj tha se pajtohet me sensibilitetin e presidentit.

“Presidenti e ka miratuar në heshtje, nuk e ka dekretuar. Në rastin e buxhetit, pushtetin më të plotë e ka maxhoranca. Presidenti bën mirë që ndërgjegjëson qytetarët, atë që nuk e gjen në buxhetin e 2021-it. Pajtohem me sensibilitetin e presidentit, por rruga kushtetuese i jep të drejtë qeverisë.”, pohoi Malaj.

Mes të tjerash ai tha se Rama për inate personale ndaj Metës dhe Bashës, flet gati me një gjuhë rrugaçërore.

“Kemi një qeveri që konsiderohet qeveria e rilindjes së oligarkuar. Ekonomia nuk është artimetikë. e para është se çfarë ndjesie do të krijohet nga kjo pandemi. Rama duhet të kuptonte se është fillimi i fundit të tij politik dhe duhet të lehtësojë situatën. Për të nxjerrë inatin personal ndaj Metës dhe liderit të PD-së Basha, flet me një gjuhë gati rrugacërore. Zonja Merkel nuk e ironizon kurrë rivalin e saj politik, dhe as nuk shkruan në twitter.”, nenvizoi ai.

Sot dita e tretë- Protesta nis tek Kryeministria, policia forcon masat, 900 efektivë në terren

Ndryshe nga dy ditë më parë, protesta e sotme do të ketë pikënisjen e saj para Kryeministrisë. Qytetarët duket se nuk do të ndalen në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u qëllua për vdekje me armë nga një punonjës policie. Tubimi është paralajmëruar që të nisë në orën 18:00.

Pasi kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të cilin e arritën qëllimin pasi hoqi dorë nga kjo detyrë, protestuesit kërkojnë largimin e kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se në terren ditën e sotme do të ketë më shumë forca policie, krahasuar me një ditë më parë. Konkretisht, për t’ju paraprirë çdo lloj situate, në terren do të jenë 900 punonjës policie.

Kujtojmë se dje për 4 orë qytetarë të shumtë u grumbulluan në pika të ndryshme të qendrës së Tiranës ku thyen xhama apo qëlluan institucionet kryesore në Bulevard, si dhe prishën disa sinjalistika rrugore apo reklama në rrugë. Po ashtu, ata në shenjë inati kundër qeverisë, bllokuan rrugët dhe iu vunë flakën disa kazanëve me mbeturina.

Shqipëri, arrest me burg për policin që qëlloi për vdekje të riun Klodian Rasha

Tiranë

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën “arrest me burg”, për punonjësin e policisë i cili u arrestua për ngjarjen ku mbeti i vdekur një i ri pasi u plagos fillimisht gjatë ndjekjes nga policia dhe ndërroi jetë në spital, transmeton Anadolu Agency(AA).

Punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj i cili akuzohet nga autoritetet se gjatë shërbimit në Tiranë ka qëlluar me armën e shërbimit një 25-vjeçar, do të qëndrojë në paraburgim në periudhën e hetimeve, ndërkohë ky vendim mund të apelohet.

Gjykata në seancën e sotme e cilësoi të ligjshëm ndalimin e punonjësit të policisë, i cili u arrestua pas ngjarjes më 8 dhjetor për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vdekur i riu Klodian Rasha, dha dorëheqje ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj dhe për dy ditë me radhë pas ngjarjes në Shqipëri u organizuan protesta nga qytetarë dhe aktivistë, protesta që janë shoqëruar edhe me akte dhune dhe dëme materiale.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë njoftoi se për protestën e datës 10 dhjetor në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 59 persona dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 116 shtetas të tjerë, të akuzuar për manifestim të paligjshëm, plagosjen e punonjësve të policisë, kundërshtimin i punonjësve të policisë, si dhe shkatërrimin e pronës publike e private.

Sipas njoftimit të policisë, si pasojë e dhunës me gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike gjatë protestës u plagosën 5 punonjës policie, me dëmtime të rënda fizike.

Gjithashtu gjatë protestës u shkatërrua sinjalistika në rrugët e Tiranës dhe në janë shkaktuar dëme materiale në institucionet shtetërore dhe subjektet private.

Ndërkohë, për ngjarjen ka reaguar përsëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili duke kundërshtuar thirrjet për dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, tha se “Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj”.

“Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë. Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë”, tha Rama në reagimin e tij në rrjetet sociale.

Ngjarja në të cilën humbi jetën i riu

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Sipas njoftimit zyrtar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë (SHÇBA), pas thirrjes së policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit të policisë dhe ka tentuar të largohet. Theksohet se në ndjekje e sipër, punonjësit e policisë kanë konstatuar se i riu kishte me vete një send në dukje armë zjarri.

Sipas SHÇBA-së, një nga punonjësit e policisë pasi nuk ka arritur ta kapë dhe prangosë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij, ku për pasojë 25-vjeçari është plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital.

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari në Tiranë shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike,

Vrasja e Klodian Rashës nga polici, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj jep dorëheqjen

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dorëzuar dorëheqjen e tij nga posti, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi para dy ditësh në Tiranë, ku një i ri u vra nga një polic. Lajmi u dha nga vet kryeministri Edi Rama.

“Sot iu them të gjithë efektivëve: “Ndjehuni krenarë për uniformën, sakrificën”. Rasti është përjashtim tragjik që përjashton rregullin se Policia është mbrojtëse. Menjëherë pas ngjarjes ministri i Brendshëm më ka vënë në dispozicion dorëheqjen.”, tha Rama.

Protesta për vrasjen e Klodian Rashës- Policët më maska kundërgaz, ‘blindohet’ Ministria e Brendshme

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plas masash në kuadër të protestës për vrasjen e Klodian Rashës, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Siç shihet dhe nga pamjet që transmenton live News24, policët janë pajisur me maska kundër gazit, ndërkohë që Ministria e Brendshme është ‘blinduar’ me një mur hekuri ndarës, pasi aty do të nisë protesta.

Ndërkohë, që policia i ka bërë thirrje mediave që të largohen nga perimetri që cilësohet si i rrezikshëm nëse përshkallëzohet situata siç ndodhi dhe dje.

Ku protestuesit u sulën me zemërim ndaj institucionit të Ministrisë së Brendshme, ku qëlluan me gurë, apo dhe tek Kryeministria.bw

Pas Tiranës e Durrësit, protesta për vrasjen e Klodian Rashës edhe në Gjirokastër

Kanë qenë të rinjtë e Forumit Demokratik në Gjirokastër ata që kanë organizuar mbrëmjen e sotme një protestë pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një polici një ditë më parë.

Ata shfaqen me qirinj në duar, ndërsa protesta është paqësore, siç duket edhe në pamjet e siguruara për “BalkanWeb” nga gazetarja Brikena Metaj.

Të rinjtë janë grumbulluar para derës së godinës së Bashkisë dhe Prefekturës.

Protestuesit nuk ndalen, digjet edhe pema e Vitit të Ri në sheshin ”Skënderbej”

TIRANA

Protestuesit kanë vijuar protestën për vrasjen e Klodian Rashës deri në sheshin ”Skënderbej”.

Kësaj radhe ata janë kapur me pemën e Vitit të Ri në shesh duke i hequr zbukurimet dhe duke i vënë flakën. Ata fillimisht kanë kapur dritat duke ia hequr pemës ndërkohë vetë pemën nuk e kanë rrëzuar dhe kanë ndezur një zjarr poshtë saj.

Më parë protestuesit sulmuan Kryeministrinë, Ministrinë e Brendshme si dhe godinën e Bashkisë së Tiranës si revoltë ndaj aktit të djeshëm për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie në mesnatë në Laprakë të Tiranës.

Protestuesit ikin nga kryeministria, sulmojnë sërish ministrinë e Brendshme dhe Bashkinë e Tiranës

Protesta për vrasjen e Klodian Rashës vijon teksa protestuesit kanë lënë kryeministrinë për t’u rikthyer tek Ministria e Brendshme.

Protestuesit janë rikthyer për të sulmuar godinën e Ministrisë së Brendshme, ashtu siç bënë pak orë më parë. Madje protestuesit nuk kanë kursyer as godinën e Bashkisë së Tiranës që ndodhet pas Ministrisë.

Në fakt disa protestues kanë mbetur ende tek kryeministria, por shumica ndodhet tek Ministria e Brendshme tashmë për të vijuar protestën. Me sende të forta apo dhe me barrierë protestuesit tentojnë të thyejnë dritaret e Ministrisë së Brendshme, siç raporton për “BalkanWeb” gazetari Osman Stafa.

Po ashtu, ai raporton se protestuesit kanë sulmuar edhe godinën e Bashkisë së Tiranës.

Çahet kordoni policor, protestuesit qëllojnë dyert e godinës së kryeministrisë

Protestuesit kanë arritur të thyejnë kordonin policor dhe të afrohen tek dyert e kryeministrisë.

Dhjetëra persona të revoltuar tentuan të hapin dyert e saj.

Policia ka lënë kordonin policor dhe protestuesit tentuan të hapin dyert. Fizikisht dhe me sende të forta protestuesit qëlluan për disa çaste dyert e godinës së kryeministrisë, por pa arritur që t’i hapin ato dhe të futeshin brenda godinës.

Tensionohet situata para kryeministrisë, përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë

TIRANA

Pas tensioneve dhe rrëzimit të bredhit tek kryeministria janë shtuar edhe forcat e Policisë. Uniformat blu kanë krijuar një gardh mes tyre para godinës duke mos lejuar protestuesit të afrohen.

Këta të fundit i qëllojnë me sende të forta, shpesh herë edhe me dekorimet e pemës së Vitit të Ri të cilën e kanë rrëzuar. Në  disa raste ka pasur edhe konfrontim mes palëve pasi protestuesit kanë tentuar të  thyejë kordonin e krijuar.

Tashmë prej orësh protesta vijon nga Ministria e Brendshme në fillim tek kryeministria për vrasjen e djeshme të Klodian Rashës nga një efektiv policie.


Send this to a friend