VOAL

VOAL

Studimi: Institucionet e reja të drejtësisë shqiptare, pak rezultate në vitin e parë të punës

Ilirian Agolli

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi këtë fundjavë studimin e parë mbi institucionet e reja të drejtësisë në vitin e parë të punës së tyre.

Autorët pohuan se reforma në sistemin e drejtësisë ka hyrë në vitin e 5 të zbatimit, por ende nuk ka përfunduar plotësimi i Gjykatave Speciale me gjykatës dhe as ngritja e SPAK – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Studimi vëren se besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë mbetet ende në nivele të ulëta, sepse numri i dënimeve për korrupsion dhe krim të organizuar është i papërfillshëm.

Në vitin e parë të punës së tyre, deri në dhjetorin e kaluar, Prokuroria dhe Gjykatat e Posaçme regjistruan 40 çështje penale për korrupsion dhe 50 çështje penale për krimin e organizuar.

Por studimi zbuloi se megjithë numrin e lartë të denoncimeve për korrupsion të shënuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, procedimet penale të dërguara për gjykim janë në një përqindje të vogël.

“Këto struktura u krijuan të hetojnë dhe gjykojnë funksionarë dhe ish-funksionarë të lartë shtetërorë, por është shumë i ulët numri i çështjeve për korrupsion në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë” – thotë bashkautorja e studimit, Mirsada Hallunaj.

Studimi vëren se shumica e çështjeve për korrupsion janë akuza ndaj punonjësve publikë.

Po ashtu, pjesa më e madhe e dënimeve për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë janë me masën shërbim prove në publik dhe jo me burgim. 5 dënimet me burg për korrupsion janë maksimumi 3 vjet dhe minimalja 6 muaj burgim.

Gjykata regjistroi 25 çështje penale për korrupsion aktiv dhe 6 për korrupsion pasiv ndaj punonjësve publikë.

Por ndaj gjyqtarëve e prokurorëve ka vetëm 3 çështje për korrupsion, ndërsa nuk ka asnjë çështje penale korrupsioni ndaj funksionarëve të lartë shtetërore apo të zgjedhurve vendorë.

Ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar trashëgoi fillimisht 225 denoncime për 271 persona, gjysma e tyre për krim të organizuar dhe pjesa tjetër për korrupsion.

Ndërsa në vitin e kaluar, nga 343 procedime penale gjysmat i përkasin korrupsionit dhe vetëm 42 lidhen me krimin e organizuar.

Nga 162 dosje për krim të organizuar vetëm 16 prej tyre janë dërguar për gjykim.

Sipas studimit, nga 240 dosje për korrupsion vetëm 39 u dërguan për gjykim. Gjithsej vetëm 10 për qind e çështjeve të hetuara nga Prokuroria e Posaçme u dërguan për gjykim në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Rreth 30 për qind e të pandehurve u dërguan për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Ndërsa nga 310 hetime pasurore, vetëm 11 kërkesa për sekuestro u dërguan në gjykatë, dhe vetëm për 4 raste në gjykim nga Prokuroria e Posaçme kërkoi konfiskim të pasurisë së sekuestruar.

Studiuesit theksojnë se pritshmëria e opinionit qytetar vazhdon të jetë shumë e lartë për institucionet e reja të drejtësisë, sepse po aq i lartë është edhe perceptimi për korrupsion të shtrirë masivisht në gjithë nivelet e administratës shtetërore.

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi disa ditë më parë edhe Barometrin e Sigurisë, ku vërehet një rënie të konsiderueshme të besimit të qytetarëve ndaj reformës në drejtësi dhe SPAK.

Sipas Barometrit gjithnjë e më pak qytetarë besojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të forcohet me krijimin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe se efektiviteti i gjykatave do të rritet pas reformës në drejtësi.

Perceptimi i gjerë i të anketuarve është se institucionet e drejtësisë (Prokuroria dhe Gjykatat) janë të korruptuara dhe të varura nga politika.

Lamtumirë, kolonel Myfit Guxholli! – Nga Halil RAMA

 

Koloneli 91-vjeçar Myfit Guxholli, një nga personalitetet e shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të Ushtrisë Shqiptare dje humbi betejën me SARS-CoV-2.

Kryetari i OBVL i rezistoi për disa ditë pandemisë të sëmundjes së koronavirusit (COVID-19), fillimisht në Spitalin amerikan të Tiranës dhe më pas në shtëpi, nën përkujdesjen e mjekëve e veçanërisht njerëzve të familjes, vajzës së tij.prof.dr.Zana Guxhollit, djemtë Artanit e Arbenit, nipërve e mbesave, deri sa dje para dite zemra e tij.

Lajmi i hidhur për ikjen e papritur për në botën e përtejme të kolonelit me kontribut madhor në LANÇ e në Ushtrinë shqiptare si officer, pedagog e dekan I Shkollës së Bashkuar ka tronditur mbarë opinionin publik mbarëshqiptar. Kjo edhe për faktin se vetëm para një viti ai festoi 90-vjetorin e lindjes në një ceremoni shtetërore, ku u dekorua nga Presidenti I Republikës me “Dekoratën e artë të shqiponjës”. Ai u shfaq në këtë ceemoni plot vitalitet dhe me mendje e trup të shëndoshë, premtues se do ta drejtonte edhe pë shumë vite Organizatën e Bashkuar të Veteranëveë, themelues i së cilës ai ishte që në 20 korrik 1944, sëbashku me emra të spikatur të historisë sonë kombëtare.
Në më shumë se dy dekada veprimtari intensive, Kolonel Guxholli dha kontribut maksimal në konsolidimin e strukturave të OBVL, si nënkrtar dhe kryetar i saj, krahas themeluesve, ish- veteranë të LANÇl, drejtues të spikatur të formacioneve partizane dhe më vonë të ushtrisë shqiptare, si Dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rahman Parllaku, Skënder Malindi, Edip Ohri, Hamit Keçi, Tahir Voshtina, Shaban Reçi, Liri Belishova, Sotir Budina, Jorgji Terca, Genci Ballanca, Fluturak Vinçani, Isuf Imeraj, Maksim Vinçani, Muharrem Gjoka, Xhemal Meçi Sakip Cami, Ali Demushi, Kol Deda e dhjetra figura të tjera të shquara.

Kush ishte kolonel Guxholli

Kolonel ing. Myfit Guxholli ka lindur në Pogradec, më 7 qershor 1930. Ishte vetëm 9 vjeç kur iu bashkua lëvizjes së rinisë pogradecare, që kërkonte armë për të shkuar në Durrës, që të luftonin kundër pushtimit fashist të vendit. Po ashtu, pas një viti, nga urrejtja për inxhinierin italian që ishte major i Simit dhe që punonte në minierën e kromit “Guri i Kuq”, e qëllon atë më një gur në bel. Myfiti i shpëtoi arrestimit, pasi e fshehu rinia pogradecare ndërmjet protestuesve. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe më pas studioi për dy vjet në liceun e Korçës. Myfiti rrjedh nga një familje e pasur atdhetare dhe patriotike. Gjatë okupimit nazifashist të vendit, familja e tij u përfshi e tëra në luftën kundër okupatorit, madje babai i tij u burgos për aktivitet antifashist.

Myfiti, megjithëse në moshë fare i ri, që në shkurt 1944 u rreshtua në radhët e Ushtrisë partizane në Brigadën IV Sulmuese, si kuadër i kësaj brigade. Mbas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, me hapjen e shkollës “Skënderbej” mbaron me rezultate të mira dy vite mësimore të kësaj shkolle dhe më pas mbaroi Shkollën e Lartë të Topografisë Ushtarake në Leningrad (ish-Bashkimi Sovjetik). Pas diplomimit u emërua në gegën e topografisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Krahas detyrës së tij funksionale, ai vazhdoi studimet edhe në fakultetin e inxhinierisë së Universitetit të Tiranës, në mbarim të të cilit u titullua “Inxhinier topograf”.
Ai ka kryer detyra të rëndësishme në ushtri.
***

Ka përgatitur cikle të plota të leksioneve ushtarake në gjeodezinë e lartë, në gjeodezinë inxhinierike, si dhe leksionet e gjeografisë ushtarake për akademinë e mbrojtjes dhe atë “Skënderbej”. Në vitin 1986 boton tekstin mësimor “Gjeodezia”, të përshtatur për studentët e specialitetit topograf në akademinë “Skënderbej”, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme, që studiojnë gjeodezinë, si xhenio etj. Po ashtu, ai është bashkautor i hartave të territorit shqiptar të shkallëve 1 : 25000 – 1: 50000 (projektet në IGU Tiranë). Ing. Myfit Guxholli është autor i dhjetëra artikujve shkencorë, ndërkohë që ka përgatitur rregullore të ndryshme dhe ka mbajtur referate e kumtesa cilësore në disa simpoziume e konferenca shkencore. Duke vlerësuar aktivitetin e pasur të tij në vitin 1973, katedra e topografisë e Akademisë Ushtarake “Skënderbej” propozoi që ing. Myfit Guxhollit t’i jepej titulli “Docent”, por pas ngjarjeve të atyre viteve të “stuhishme”, propozimi i asaj katedre u pezullua. Me ndryshimin e sistemit komunist, Myfiti familjarisht përfshihet në proceset demokratike, duke dhënë një kontribut të shquar në fitoren e demokracisë. Ai ka qenë një nga organizatorët e krijimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVL), së bashku me dr.Ymer Dishnicën, gjeneral Rrahman Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e dhjetëra personalitete të tjera të LANÇ-it e të ushtrisë shqiptare. Për kontributin e tij, kol. ing. Guxholli është zgjedhur zv/kryetar i kësaj organizate që nga themelimi i saj para 26 vitesh dhe që nga data 1 nëntor 2019 është kryetar i saj, duke punuar me përkushtim për edukimin patriotik të brezave. Për të gjitha këto merita, kryesia e OBVL-së i ka propozuar edhe këshillit të bashkisë që ta shpallë atë “Qytetar Nderi të Pogradecit”.

Duke u shprehur familjes Guxholli, të afërmve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, në emër të Kryesisë së OBVL-së shprehnjëkohësisht bindjen se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh!

Ndahet nga jeta në moshën 56-vjeçare fizikani, profesori i talentuar dhe njeriu i shkëlqyer akad. asoc. Artan Boriçi

Është ndarë nga jeta sot më 25 mars në moshën 56-vjeçare fizikanti dhe njeriu i shkëlqyer, profesori i talentuar i Universitetit të Tiranës, akademiku i asociuar Artan Borici, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Është një humbje e madhe dhe e papritur në botën e shkencës ndarja nga jeta e akad. asoc. Artan Boriçit, pas një beteje të vështirë të javëve të fundit me COVID-19.
Akad. asoc. Artan Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të ASH dhe të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale.
Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020.
Kryesia e Kryesia e Akademisë së Shkencave e tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit, i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve, anëtarëve të Akademisë së Shkencave, trupës së profesoratit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku ai ushtroi veprimtarinë e tij akademike dhe universitare, brezave të studentëve që u formuan me dijet dhe etikën e tij, që i la në pikëllim.
I njohur në botën shkencore në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”, akad. asoc. Artan Boriçi bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.
Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.
Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010. Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).
Akad.asoc Artan Borici ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9.
Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Review D dhe Journal of Computational Physics. Është pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.
Artan Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërmijave elementare.
U prehsh në paqe  i paharruari Artan Boriçi!
Ngushëllime për Nënën e tij Zonjën Myzejen Boriçi dhe Babain, Prof. Hamit Boriçi.

Papa Françesku zgjedh një shqiptare, për postin e rëndësishëm në Vatikan

Ati i Shenjtë emëroi profesoreshën  e Kolegjit të Drejtësisë të Universitetit St. Thomas, Dr. Roza Pati, për të shërbyer në Dikasterin e Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor.

Pati, po ashtu, mbante postin e Drejtoreshës Ekzekutiv në një program për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut dhe Themeluese e Akademisë së Trafikimit Njerëzor John J. Brunetti.

Sipas letrës Apostolike, “Ky Dikaster do të jetë kompetent veçanërisht në çështjet që lidhen me migrantët, ata në nevojë, të sëmurët, të përjashtuarit dhe të margjinalizuarit, të burgosurit, të papunët, si dhe viktimat e konfliktit të armatosur, katastrofave natyrore, dhe të gjitha format e skllavërisë dhe torturës”.

Mbështetja e kauzave që mbrojnë dinjitetin njerëzor, sjellin ndërgjegjësim dhe kërkojnë zgjidhje efektive ligjore dhe politike drejt heqjes së të gjitha formave të vuajtjeve njerëzore, përfshirë trafikimin njerëzor, është një pasion për Dr. Roza Pati, shkruan STUnews.

PS dhe PD hapin fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit

Gresa Kraja

Dy partitë kryesore të Shqipërisë, Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) të enjten kanë hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Partia Socialiste, e cila mblodhi vetëm kandidatët për deputetë, e nisi fushatën zgjedhore në Sheshin “Skënderbej”.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëherësh kryeministër i Shqipërisë, gjatë fjalës së tij kërkoi “timonin” për drejtimin e vendit për herë të tretë me qëllim, siç tha ai, çuarjen përpara të reformave të nisura.

“Mandati i tretë i Partisë Socialiste nuk është një qëllim në vetvete, mandati i tretë i PS-së nuk është për PS-në dhe për ata që PS-në e përfaqësojnë si deputetë, ministra, kryetarë bashkish; mandati i tretë i PS-së nuk është për karrigen e askujt, por mandati i tretë është që Shqipëria të mos kthehet kurrë mbrapa. Mandati i PS-së bën të pakthyeshme të gjitha reformat…E kundërta do të thotë humbje e të gjithë përpjekjeve dhe sakrificave dhe kthim me siguri, aty ku Shqipëria nuk duhet të kthehet më”, tha ai.

Kryeministri bëri krahasimin mes partisë që ai drejton dhe PD-së, ku deklaroi se “edhe sonte po e bëjmë dallimin e madh”, duke theksuar se Partia Demokratike nuk respektoi rregullat e vendosura për mospërhapjen e pandemisë së COVID-19.

“Edhe sonte po e bëjmë dallimin e madh. Ne dhe ata u vumë sot përpara syve njerëzve si dy kartolina. Mjafton t’i shohësh për të kuptuar ndryshimin e madh dhe hendekun që ndan ne dhe ata në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat që i kemi vënë të gjithë bashkë dhe i kemi pranuar të gjithë bashkë. Ndërkohë, atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, rregullat dhe njerëzit. Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore dhe familjare, ndërsa atje sundon papërgjegjshmëria”, deklaroi Rama.

Në Sheshin “Nënë Tereza”, pak metra dhe pak minuta më larg, Partia Demokratike mblodhi qindra simpatizantë të partisë me flamuj kombëtarë dhe atë të partisë, dhe u kërkoi qytetarëve të Shqipërisë udhëheqjen e shtetit.

Me parullën “Shqipëria fiton”, kryetari i subjektit më të madh opozitar në vend, Lulzim Basha, bëri thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Basha në fjalimin e tij tha se prioritet i tij do të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian.

“Edhe 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë; zhvillimit, punësimit, mirëqenies dhe integrimit në familjen evropiane. Ju keni marrë një vendim shumë të rëndësishëm. T’i japim së bashku fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim një faqe të re të historisë moderne të Shqipërisë; të mundësojmë që më të mirët e të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit, se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për punë nder e ndryshim rrënjësor”, tha Basha.

Kryetari i opozitës tha se shqiptarët “meritojnë më mirë se kaq”.

“Po zhvillojmë një betejë kundër vetes. Shumëkujt i ka humbur besimi dhe shumëkush mendon se ky vend nuk ndryshon. Për të gjithë këta unë pyes a është kjo që ne meritojmë a është papunësia e mjerimi, largimi i rinisë ajo që meritojmë? A është ky fati i shkruar për secilin prej nesh? Jo. Nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo”, u shpreh Basha.

Ndryshe nga PS-ja dhe PD-ja, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) nuk organizoi ndonjë tubim kryesor, por ka vendosur të mbajë takime të vogla me qytetarë. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka planifikuar takime në Divjakë, ndërsa kandidatët për deputetë në Tiranë kanë vijuar me rutinën e zakonshme me mbledhje në mëngjes dhe takime në terren.

Shefi i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca dhe shefat e misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri, përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se po ndjekin nga afër përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare dhe fushatës elektorale.

“Nisja e fushatës zyrtare është rasti që partitë politike dhe kandidatët t’i përqendrojnë debatet e tyre te programet përkatëse politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ata bëjnë thirrje që zgjedhjet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe të respektohet rezultati i tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të mërkurën thirrje që partitë dhe institucionet të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të shmangin përdorimin e aseteve publike për fushatë.

Në anën tjetër, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i ndryshoi masat kufizuese për pandeminë, duke ndaluar për të paktën dy javë të tjera grumbullimet me më shumë se 10 persona.

Shqipëri: Nis zyrtarisht fushata zgjedhore, diplomatët perëndimorë thirrje për maturi qytetare

Ilirian Agolli

Partitë politike nisin sot zyrtarisht në Shqipëri fushatën zgjedhore për parlamentin e ri.

Garuesit kryesorë, socialistët dhe demokratët e opozitës, po zhvillojnë tubimet hapëse në dy sheshet më të mëdha të kryeqytetit, duke zbatuar rregullat e pandemisë.

Socialistët po kërkojnë mandatin e tretë qeverisës, duke thënë se kanë punuar mirë dhe kanë plane të reja për zhvillim.

Ndërsa demokratët vijnë pas 8 vitesh në opozitë dhe dy vite bojkotim të parlamentit, duke synuar të largojnë me zgjedhje nga pushteti, sipas tyre, një qeveri të korruptuar thellësisht, që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe shoqërinë.

Fushata zyrtarisht nis sot, por në fakt partitë politike e kanë hapur atë disa muaj më parë, qyshkur Presidenti i Republikës dekretoi 25 prilin si ditën e zgjedhjeve.

Në këto muaj ato kanë kulmuar një oratori të zjarrtë publike me akuza të skajshme për kundërshtarët politikë.

Tensionet e krijuara këto ditë dhe përplasje fizike mes militantëve të dy palëve e kanë rritur vëmendjen dhe shqetësimin e diplomatëve perëndimorë ndaj procesit zgjedhor të 25 prillit.

Shefi i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, dhe përfaqësuesit e 27 misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Shqipëri, publikuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se partitë politike dhe kandidatët duhet t’i përqendrojnë debatet e tyre tek programet politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.

“Dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës është i rëndësishëm, siç u pa me konsensusin e gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore” – tha ambasadori Soreca.

Po ajo frymë duhet të nxitë një fushatë elektorale paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje, të bazuar në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, shtoi ai.

Zoti Soreca nxiti qytetarët të marrin pjesë në votime, duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.

“Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i rezultatit të tyre, janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e parlamentit dhe qeverisë së re, – tha zoti Soreca.

Ai shtoi se vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë po ndjekin nga afër përgatitjen e zgjedhjeve, misioni i ODIHR-it, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit, duke siguruar për mbështetjen e Shqipërinë në rrugën e pranimit të saj në BE.

Përfaqësuesit e SHBA-ve po ashtu janë shumë të vëmendshëm për zgjedhjet në Shqipëri.

Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri nxiti marrëveshjen e 5 qershorit mes partive kryesore politike dhe prej asaj kohe edhe sot po këmbëngul që partitë politike të mos përfshijnë në listat e kandidatëve për deputetë persona me rekorde kriminale.

Fushata zgjedhore po kushtëzohet dukshëm nga rregullat mbrojtëse të pandemisë Covid-19.

Gara e tubimeve të mëdha, se cila forcë politike mbledh më shumë përkrahës në sheshe është zhvendosur nëpër ekranë internet.

Vetëm në fund, nga numërimi i votave, mbetet të mësohet se kush e gëzon vërtet besimin e qytetarëve për të qeverisur 4 vitet e ardhshme një ekonomi post-Covid të dëmtuar ndjeshëm, por edhe me ambicjet për t’u ngritur në standartet e kërkuara nga Bashkimi Europian.

Prej 18 orësh vijon të jetë aktiv zjarri në qendrën tregtare. Apeli i familjarëve të shefit të sigurisë që rezulton i zhdukur

Shtëllunga të mëdha tymi vijojnë të dalin nga kati nëntokësor i qendrës tregtare që shërben si magazinë për veshmbathje dhe këpucë. Gazetari Erjon Skëndaj raporton për ‘BalkanWeb’ se punonjësit zjarrfikës nuk kanë zbuluar ende trupin e 33-vjecarit Arjan Sala që mbeti i bllokuar në magazinë mbrëmjen e djeshme në tentativë për të fikur flakën dhe evakuuar punonjësit.

Burime nga forcat zjarrfikëse bëjnë me dije se zjarri është vënë nën kontroll dhe se po punohet për shuarjen e vatrave në brendësi të dengjeve me rroba këpuce dhe asortimenteve të tjera plastike që ndodheshin në magazinë. Aktualisht punohet me bombola oksigjeni dhe kundragaz për shkak të tymit të dendur dhe nxehtësisë së lartë që shkakton zjarri në ambiente të mbyllura.

Burime nga ekipi zjarrfikës thonë se nuk ka asnjë gjurmë të 33-vjecarit edhe pas këqyrjes së pjesës më të madhe të magazinës nëntokësore. Këto burime thonë se fillimisht është konstatuar tym nga magazina në katin minus 1. Shefi i sigurisë dhe dy punonjës të tjerë kanë rendur në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit. Sala ka hyrë në thellësi të magazinës ku dhe ishte vatra e flakëve që sa kishin nisur. Si shkak i tymit dhe rrezikut të asfiksisë dy punonjësit që kanë qenë më pranë daljes kanë mundur të dalin me shumë vështirësi ndërsa 33-vjeçari ka mbeturi bllokuar nga zjarri dhe tymi që është përhapur në një kohë shumë të shkurtër.

Familjarët e 33-vjecaçit Sala që nga mbrëmë dhe sot i janë drejtuar shtetit me një apel të fortë për të shumëfishuar përpjekjet për gjetjen e trupit të të riut.

Rasti Doshi, Qeveria: Thirrjet e ambasadores Kim nuk janë për PS-në

Armand Mero

Në Shqipëri ambasadorja amerikane Yuri Kim, i bëri thirje dje forcave politike, që të kundërshtonin publikisht rikandidimin e deputetit Tom Doshi në zgjedhjet e 25 Prillit. Por ndërsa deklarata e saj u pa gjerësisht si një referencë ndaj Partisë socialiste, sipas kryeministrit Edi Rama, thirrja e ambasadores Kim nuk ka të bëjë me partinë që ai drejton

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, zoti Endri Fuga, drejtor i Komunikimit i kryeministrit Rama, tha se “ambasadorja Kim e ka bërë më parë shumë të qartë me gojën e saj, qëndrimin e Kryeministrit, se Tom Doshi as nuk është aleat i Partisë Socialiste dhe as do të jetë pjesë e qeverise së re të Partisë Socialiste! Kështu që ne – theksoi zoti Fuga – nuk e lexojmë mesazhin e ambasadores Kim si një thirrje për PS e as marrim përsipër të flasim në emër të shumë partive të tjera, të cilat nuk janë prononcuar për rastin në fjalë”

Në postimin e saj në Twitter, ndërsa vlerësonte qëndrimin e Partisë Demokratike, zonja Kim ngrinte pyetje ndaj forcave të tjera politike se përse ato heshtnin. Ajo nuk e përmendi me emër partinë socialiste, në Twitter-in e saj. Por në një intervistë të dhënë po mbrëmë për televzionin ABC NEWS ambasadorja amerikane shprehej se “dëshironte të shihte që edhe Partia Socialiste apo të tjerët të jenë po kaq të qartë”, sa Partia Demokratike, në qëndrimin ndaj zotit Doshi, të clit që prej vitit 2018 i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara, me një vendim të Sekretarit amerikane të Shtetit.

Megjithatë, në reagimin e tij, zoti Fuga thotë se “mes Partise Socialiste dhe Shteteve te Bashkuara, si edhe mes Kryeministrit Rama dhe ambasadores Kim, nuk ka asnje dallim as për këtë çështje dhe as për asnjë çështje që është në interes të marrëdhënies së shkëlqyer mes nesh e aleateve tanë strategjikë”, përfundon zoti Fuga.

Kuvendi i Shqipërisë miraton marrëveshjen për vaksinën kineze Sinovac

Zbardhet Akti Normativ në lidhje me marrëveshjen për vaksinën kineze.

Ditën e sotme Kuvendi miratoi këtë marrëveshje, ndërsa sot vendimi u botua edhe në Fletoren Zyrtare. Marrëveshja është lidhur me një distributor turk.

“Për miratimin e tekstit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş.për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës. Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave”, -thuhet në fletoren zyrtare.

Kujtojmë se ditën e djeshme në Shqipëri mbërriten 10 mijë doza vaksine të Sputnik, kompani ruse.

VENDIMI I KESHILLIT TE MINISTRAVE
VENDOSI:
Neni 1
Miratimi i tekstit të marrëveshjes
1.Miratimin e tekstit të marrëveshjes ndërmjet, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”A.Ş., për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science CoLtd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.
2. Marrëveshja për furnizimin ndërmjetMinistrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş., për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”, nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare.
3. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo që janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj.
4. Detyrimet e organeve shtetërore dhe përjashtimet nga detyrimet për furnizimin e vaksinës anticovid, të përcaktuara në aktin normativ nr. 1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, janë të njëjta edhe për furnizimin e vaksinës së inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell), Coronavac të krijuar nga Sinovac Life Science Co Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës, të furnizuar për Shqipërinë nga Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret A.Ş.,sipas kushteve të tekstit të marrëveshjes bashkëlidhur këtij akti normativ.
Neni 2
Efektet financiare Efektet financiare, që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2021.
(BalkanWeb)

Deklaratat e Bozos, Hasimja: E besoj! Komunizmi u dha shtëpitë e të pushkatuarve që ua nxorrën familjet në rrugë

Pedagogu Ermal Hasimja ka reaguar për deklaratat e Luljeta Bozos, kanditates së parë të PS në Tiranë e cila më parë kishte thënë se komunizmi kishte sjellë më shumë të mira se sa të këqija.

Hasimja t hotë se për njerëz të tillë si Bozo, ish-komuniste dhe ende komuniste, kishte më tepër të mira se të këqija dhe për këtë e beson.

Ai kërkon që këta njerëz para se të pyeten për komunizmin, duhet të japin llogari, shporren e turpërohen publikisht.

STATUSI NGA ERMAL HASIMJA
1946, një inxhinjer i ri 33 vjeçar, pushkatohet me plot të tjerë me grupin e “sabotatorëve të Maliqit”. Pak kohë më pas një çift komunistësh, vijnë për të inspektuar shtëpinë e të ndjerit dhe për të parë nëse iu pëlqente për ta marrë për vete. U pëlqen dhe e mbajnë për gati 50 vjet duke lënë familjen e inxhinjerit në rrugë.
2021, vajza e çiftit komunist, vetë ish-komuniste e ndoshta ende komuniste, deklaron në publik se komunizmi kishte më tepër të mira se të këqija. Unë e besoj plotësisht! Për njerëz të tillë, komunizmi kishte më tepër të mira: u dha shtëpitë e të pushkatuarve që ua nxorrën familjet në rrugë. Problemi është se këta njerëz, përpara se të pyeteshin për komunizmin duhet të jepnin llogari për atë që bënë për 50 vjet, duhet të shporreshin nga hapësira publike e të turpëroheshin publikisht. SIç ndodhi në Gjermani pas Nurenbergut e deri më sot. Kjo nuk ndodhi. Meqë nuk ndodhi tani nuk e kanë problem të bëjnë bilancin pozitiv të komunizmit. Turp, Shqipëri, e mjera Shqipëri!

“Atentat ndaj historisë”, Meta reagon ashpër për prishjen e Maternitetit

TIRANË

Presidenti Ilir Meta reagon për prishjen e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, duke e cilësuar një ndërhyrje brutale mbi godinën historike.

Sipas Kreut të Shtetit, “ky është një tjetër atentat, në vijim të sulmeve barbare ndaj historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar”.

Reagimi i Metës:

Ndërhyrja brutale mbi godinën historike të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë’’, pa transparencë, në periudhë pandemie, është një tjetër atentat, në vijim të sulmeve barbare ndaj historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar.

Shkatërrimi kriminal i Teatrit Kombëtar, rrafshimi i qindra objekteve me status special e monument kulture, si dhe “zhdukja” e Sahatit pas kullave, janë dëshmi e babëzisë dhe të një gjenocidi kulturor ndaj identitetit të Kryeqytetit tonë, në shkelje të Kushtetutës, ligjit për konsultimit publik dhe të gjitha parimeve për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore.

Duke u solidarizuar me qëndrimin e Unionit të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë për çështjen e ndërhyrjes mbi godinën e maternitetit ‘’Mbretëresha Geraldinë’’, u premtoj të gjithë shqiptarëve se pas 25 prillit në Shqipëri do të nisë epoka e referendumeve, për t’u dhënë të drejtën qytetarëve të vendosin vetë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik. 🇦🇱

Censusi- Basha mesazh emigrantëve nga Maqedonia e Veriut: Ndani 10-15 minuta nga koha juaj dhe kryeni regjistrimin online

Kryetari i Partiëse Demokratike, Lulzim Basha priti sot në një takim zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Pas mbarimit të takimit mes dy zyrtarëve në selinë e PD-së, lideri demokrat, Basha u ndal në një komunikim me gazetarët, ku zbardhi detaje nga biseda me Grubin. Kreu i PD-së tha se me Grubin folën për shumë cështje, ku më kryesorja ishte regjistrimi i popullates ne Maqedonine e Veriut.

“Mbajtja e pozicioni të zv/kryeministrit të parë nga një përfaqësues i shqiptarëve tanë, i bashkëngjitët risive dhe përparimit të bashkëkombësve tanë në Maqedoninë e Veriut. Pata kënaqësi që të dëgjoja në vetë të parë, disa avancime kuptimplota në rrafshin e zhvillimit për shqiptarët, për projekte të përbashkëta, që do të shkojnë nga forcimi i ekonomisë mes dy vendeve. Këtu përfshihen projekte që kam pasur për zemër, siç është Korridori Blu, që ka ngelur në Elbasan, por i premtova se do të shkojë deri në Maqedoninë e Veriut. Po merren hapa për të plotësuar segmentet në korridorin Shkup-Qafë-Thanë. Folëm për bashkëpunim mes dy vendeve tona, për njësimin e diplomave, apo të tjera lehtësira për dy vendet tona. Këto janë sfida, dhe oportunitete të jashtëzakonshme. Tema që e konsideroj kryesore, qendrore e këtij takimi është procesi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut, censusi. Censusi lidhet drejtpërdrejtë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Që do të thotë se një regjistrim i saktë në veçanti i qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të mërgatës, është me rëndësi, për të drejtat kushtetuese. Për të reflektuar ato që ndikojnë jetën e bashkëkombëseve tanë. Për të reflektuar të gjitha detyrimet që do të burojnë nga kushtetuta, nga marrëveshja e Ohrit, investimet kapitale që bëhen në zonat e banuara, subvencionet për fermerët, kuotat në administratën publike, gjithçka që ka të bëjë me vëllezërit e motrat tona ka të bëjë drejtpërdrejt me censusin. Jemi në kohë për t’i drejtuar një thirrje, në emrin e PD, në emër të çdo shqiptari, këtë thirrje ia drejtoj emigrantëve, diasporës, të mërguarve nga Maqedonia e Veriut, ndani 10-15 minuta nga koha juaj dhe kryeni regjistrimin online sepse kështu do të ndihmoni drejtpërdrejt familjet tuaja në Maqedoninë e Veriut, do ndihmoni garantimin dhe fuzimimin e të drejtave të tyre.”, tha Basha.

Kujtojmë se sot Grubi zhvilloi një takim edhe me presidentin Ilir Meta, ku në fokus të diskutimit të tyre ishin marrëdhëniet mes dy vendeve dhe regjistrimi i popullatës që mbaron në 21 prill.

Projekti për Gazin Natyror të Lëngshëm në Shqipëri mund të fillojë në vitin 2023

Keida Kostreci

Presidenti i kompanisë amerikane që synon futjen e Gazit të Lëngshëm Natyror (GNL) në Shqipëri, thotë se ky burim energjie do të plotësonte nevojat për energji në vend dhe do ta kthente atë në një pikë për eksportin e tij në vende të tjera të Ballkanit.

Steven Kobos, president dhe shef ekzekutiv i kompanisë Excelerate Energy me bazë në Teksas, tha për Zërin e Amerikës se deri në tremujorin e tretë të këtij viti, pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për projektin dhe puna pritet të fillojë në vitin 2023.

Në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar këtë muaj mes Shqipërisë dhe kompanive amerikane ExxonMobil dhe Excelerate Energy parashikohet që termocentrali i Vlorës të konvertohet me gaz, si dhe do të shqyrtohet mundësia e zgjerimit të tij.

Sipas zotit Kobos ndërtimi i këtij impianti me gaz natyror do t’u përgjigjej mungesave të energjisë elektrike në Shqipëri, e cila varet ne pjesën dërrmuese nga kushtet e motit.

Ai tha gjithashtu se kjo është zgjidhja e duhur për të përdorur energji të pastër.

Kompania Excelerate Energy ka përvojë në shpërndarjen e Gazit Natyror të Lëngshëm me terminale lundruese dhe ofron shërbime të integruara për gjithë procesin, që nga zhvillimi i infrastrukturës deri tek furnizimi me gaz.

Excelerate ka zyra në Abu Dabi, Buenos Aires, Daka, Doha, Dubai, Rio de Zhaneiro, Salem, Singapore, Çitagong dhe Washington, DC.

Zëri i Amerikës: Zoti Kobos, ExxonMobil dhe Excelerate nënshkruan një memorandum me Shqipërinë për të bërë një studim fizibiliteti në lidhje me një projekt të mundshëm zhvillimi për Gaz Natyror të Lëngshëm (GNL). Çfarë përfshin ky projekt?

Steven Kobos: Për sa i përket studimit të fizibilitetit, ne kështu e fillojmë çdo projekt, duke studiuar sfidat inxhinierike, vend-ndodhjen, aspektin ekonomik etj. Kështu që në bazë të Memorandumit, ne do të studiojmë dhe analizojmë nëse ka një potencial për Gaz Natyror të Lëngshëm si burim energjie, që natyrisht do të përfshijë zhvillimin e një terminali për importin e GNL-së. Po ashtu edhe përshtatjen e termocentralit ekzistues të Vlorës ose zgjerimin e tij në mënyrë që të funksionojë me gaz. Ky është një element kritik. Dhe përveç kësaj, të identifikojmë mënyrën më të mirë për ta përdorur atë bazë për të zgjeruar shpërndarjen e GNL-së nga ai terminal importi si në Shqipëri, edhe më tej në rajonin e Ballkanit. Pra këtë do të bëjmë, do të analizojmë aspektin inxhinierik, koston, mundësinë për të investuar kapital etj.

Zëri i Amerikës: Cili është afati kohor për këtë studim dhe për projektin dhe cilat janë disa nga fazat kryesore?

Steven Kobos: Kjo është pjesa ku ne duam të jemi shumë të saktë. Duhet të studiojmë siç duhet anën inxhinierike, matjet dhe koston. Unë parashikoj që t’ia dorëzoj Ministrisë (së Infrastrukturës) analizën në tremujorin e tretë të këtij viti, 2021. Dhe duke u nisur nga përvoja e punës e kompanisë Excelerate në gjithë botën, mendoj se projekti për GNL-në mund të fillojë në vitin 2023.

Zëri i Amerikës: Çfarë kapaciteti do të ketë terminali i importit?

Steven Kobos: Mënyra më e mirë për t’u përgjigjur është që ne do t’i marrim masat për zgjidhjen më të mirë. Nuk ka asnjë problem për të përmbushur çdo lloj kërkese. Disa nga terminalet tona lundruese përpunojnë (mbajnë) 28 milionë metra kub gaz të lëngshëm në ditë, në disa nga tregjet me kërkesat më të larta. Disa janë më të vogla por do të shohim se cila është zgjidhja optimale, në mënyrë që energjia të jetë e përballueshme. Por i gjithë ky program duhet të jetë i përballueshëm dhe këtu është avantazhi i terminaleve lundruese, siç janë shumica e terminaleve tona të importit në të gjithë botën, që e ulin koston në mënyrë masive. Kjo të lë kohë që të hidhet në treg më me shpejtësi, që projekti të përmbyllet më shpejt. Ne gjithmonë orientohemi nga pyetja se cila është zgjidhja e duhur.

Nëse kërkesa për Ballkanin është më e vogël, ne nuk do të ofrojmë një zgjidhje si për Brazilin për shembull. Kështu që ne do të shohim një zgjidhje me përmasa të përshtatshme për rajonin.

Por ne mund të përmbushim çdo lloj nevoje, deri tek më e madhja. Të gjitha palët duhet të fitojnë.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të ofrojë ky projekt për Shqipërinë?

Steven Kobos: Vlora u zgjodh nga ministria, por për mua ka kuptim si vend ankorimi. Por le të flasim fillimisht se çfarë po përpiqemi të sigurojmë për Shqipërinë me GNL-në? Shqipëria është një vend unik përsa i takon burimeve të larmishme të energjisë. Në gjithë botën po bëhen përpjekje për të hequr dorë nga karboni dhe qymyri. Dhe Shqipëria është e veçantë me këtë përqendrim të gjenerimit të energjisë së ripërtëritshme, përmes hidroenergjisë sa saj. Është diçka e mrekullueshme. Shumë vende do të dëshironin të kishin atë nivel prodhimi të energjisë së ripërtëritshme ndërsa shkojmë drejt dekarbonizimit.

Nga përvoja jonë në botë kemi arritur në përfundimin se Gazi Natyror i Lëngshëm është i përkryer për këtë lloj kombinimi burimesh. E shohim edhe në Brazil ku ka shumë hidrocentrale. Ka një farë varësie tek stinët, me mungesa furnizimi të mjaftueshëm kur ka thatësira. Dhe mbi të gjitha me prodhimin e energjisë, ke nevojë për vazhdimësi dhe qëndrueshmëri, si edhe për kosto të përballueshme. GNL do të ndihmojë në këtë drejtim dhe do të thoja se është një plotësues i përsosur për burimet e ripërtëritshme, pasi sasia e tij mund të rritet dhe të ulet në varësi të prodhimit të energjisë së rinovueshme. Kjo do ta lejojë Shqipërinë të plotësojë nevojat e saj në momente kur luhatja e natyrshme e energjisë së ripërtëritshme është ndoshta e pamjaftueshme për nevojat e brendshme të Shqipërisë dhe njëkohësisht të bëhet eksportues i energjisë në vendet përreth.

Studimi do të analizojë se në cilat tregje do të depërtojmë dhe cili është mekanizmi më i mirë për të arritur në tregje të ndryshme? Por mendoj se është diçka për të cilën të gjithë në Shqipëri mund të krenohen pasi do të krijojë qëndrueshmëri më të madhe tek energjia e ripërtëritshme dhe së dyti do të luajë rol për zëvendësimin e qymyrit në vendet fqinje.

Më duhet të theksoj këtu, se këtë bën Gazi Natyror i Lëngshëm, ne zëvendësojmë qymyrin dhe nëse bota synon të përmbushë qëllimet e saj për të ulur sasinë e karbonit, objektivat e Marrëveshjes së Parisit, etj, ne do të duhet të ngadalësojmë shtimin e projekteve të mëtejshme të qymyrit dhe të zhvendosim projektet ekzistuese të qymyrit.

Zëri i Amerikës: Kur i merrni këto vendime dhe hyni në këto marrëveshje, a merrni parasysh gjithashtu se cila është situata në përgjithësi në vend?

Steven Kobos: Ne investojmë në tregjet ku shërbejmë. Dhe sigurisht, nga të gjitha vendet, që ne shërbejmë, kemi interes të jemi në një treg të mirë. Dhe zakonisht kjo nënkupton respektimin e shtetit ligjor, nënkupton qëndrueshmërinë.

Padyshim që Shqipëria është një vend shumë pro-amerikan dhe kjo na jep qetësi, që të dimë që ka këto vlera dhe kjo zakonisht do të thotë që është një vend, ku nuk jemi të shqetësuar për të investuar.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se keni kapacitetin që të furnizoni me çfarëdo lloj sasie që të jetë e nevojshme. A jeni në gjendje të thoni në këtë moment se sa mund të jetë kjo sasi?

Steven Kobos: Kjo është diçka që do ta vlerësojnë inxhinierët dhe teknikët tanë. Nuk mund ta them. Jemi vetëm në fillim.

Zëri i Amerikës: Dhe Gazi Natyror i Lëngshëm do të shkojë me cisterna? A mendoni se do të jetë në gjendje porti i Vlorës ta akomodojë një gjë të tillë?

Steven Kobos: Do ta studiojmë. Mund t’ju them se në projektet tona ekzistuese ne kemi për shembull platforma, si në Boston, ku terminali është 20 kilometra larg bregut nga ku e transportojmë (në tokë) me një tubacion nënujor. Në Argjentinë kemi një terminal 40 kilometra përgjatë lumit. Gjëja më e mirë për një platfotmë lundruese është se realizon çka është më e mira për të gjitha palët. Dhe me siguri që mund të gjejmë një sistem shpërndarjeje të përshtatshëm, qoftë në det të hapur, qoftë pranë bregut, apo ndonjë zgjidhje tjetër.

Zëri i Amerikës: Në memorandum thuhet gjithashtu se një nga përfitimet e drejtpërdrejta për Shqipërinë do të jetë konvertimi i termocentralit të Vlorës në Gaz Natyror të Lëngshëm. Të pakën ky është një nga objektivat e Shqipërisë. A do të jetë pjesë e studimit të fizibilitetit se sa gaz do të konsumojë termocentrali?

Steven Kobos: Këto janë pyetje të rëndësishme. Ne do t’i shqyrtojmë ato si pjesë e studimit. Por meqë studimi nuk ka filluar, për fat të keq nuk mund të hyj në detaje. Ajo që mund t’ju them është se jemi të kënaqur të punojmë së bashku me ExxonMobil për të zhvilluar zgjidhje të besueshme dhe të përballueshme për energjinë në Shqipëri. Forma e saktë, a do të jetë modifikim i kapacitetit ekzistues të termocentralit të Vlorës apo një zgjerim i tij, si do të funksionojë me elementë të tjerë, nuk jam në gjendje ta them ende.

Zëri i Amerikës: Dhe a jeni në gjendje të na thoni se sa do të investohet dhe cili do të jetë plani për investimin?

Steven Kobos: Kjo është e lidhur me atë që studimi i fizibilitetit do të përcaktojë si strukturën optimale. Secili prej terminaleve në botë është i ndryshëm, mund të jenë të vendosur në det, në breg, sa gaz do të shpërndajnë, të gjitha këto bëjnë pjesë në përcaktimin e kostos. Por mund t’ju them, ne jemi të interesuar të investojmë në Shqipër kështu që do të jemi shumë të vëmendshëm që të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe të funksionojë për të mirën ekonomike të vendit.

Arsyeja që jemi entuziastë që fillojmë studimin e fizibilitetit është pikërisht që të marrim këto përgjigje që do të përcaktojë vendimet për investimet. Ne do ta bëjmë këtë me shpejtësi. Mendoj se pas gjashtë muajsh pak a shumë, do të jemi në një pozitë më të mirë për të vlerësuar alternativat.

Zëri i Amerikës: Pse zgjodhët Shqipërinë? U nisët duke pasur parasysh vendin vetë apo rajonin?

Steven Kobos: Duhet të shohësh detajet e çdo tregu dhe ne jemi në të gjitha llojet e tregjeve nga Shtetet e Bashkuara siç përmenda në Boston, në Bangladesh, Pakistan Brazil Argjentinë, Abu Dhabi Dubai, ne u shërbejmë të gjitha llojeve të tregjeve.

Ne shohim se ç’ka kuptim për tregun dhe pritshmëria ime në këtë rast është që edhe vendi, edhe rajoni kanë rëndësi. Është e rëndësishme që të ketë burime shtesë për siguri energjie, për ato që nuk plotësojnë hidrocentralet, ta bësh të besueshëm, të eliminosh nevojën për import etj. Kjo është e vlefshme në vetvete. Por përveç kësaj, kur mendon se në ç’mënyrë do të shpërndahet, duhet të shohësh tërësinë e tregut si brenda territorit ashtu edhe jashtë tij. Kështu që unë shpresoj dhe mendoj se kjo do të ishte një përfitim për Shqipërinë, përsa i takon eskportit.

Zëri i Amerikës: Si lindi ky partneritet për të sjellë Gazin Natyror të Lëngshëm dhe që të bashkëpunojnë Shqipëria, Exxon dhe Excelerate?

Steven Kobos: Kemi disa kohë që diskutojmë. Mendoj se ambasada e Shteteve të Bashkuara luajti një rol të dobishëm në organizimin e disa diskutimeve. Mendoj se ambasadorja Kim ka qenë një mbështetëse e këtij projekti që e ka vlerën tek krijimi i një sigurie të furnizimeve dhe tek zëvendësimi i qymyrit, çka do të thotë për klimën. Kështu që mendoj se ka qenë një përpjekje bashkëpunuese. Ajo që mund t’ju them është se jemi mirënjohës që punojmë me të gjitha palët e interesuara në projekt. Excelerate mez pret të sjellë aftësitë e veta në këtë grup.

Zëri i Amerikës: Vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor, Serbia merr furnizime me energji nga Rusia. A është një nga synimet e këtij diversifikimi përmes terminalit tuaj edhe që të sigurojë aq energji sa të konkurrojë me Rusinë në lidhje me të paktën pjesë të tregut në rajon?

Steven Kobos: Vërtet nuk kam përgjigje, sepse kjo ka të bëjë me detajet dhe se deri ku shtrihen këto sisteme. Unë do t’u bëja jehonë komenteve të Ambasadores Kim në ceremoninë e nënshkrimit se kjo është diçka e mirë për Evropën. Kjo do të thotë që të sigurosh burime të ndryshme të energjisë në një vend evropian dhe kjo është pozitive për të gjithë, që të kenë larmi furnizimi dhe mundësi. Se ku mund të ketë mbivendosje të sistemeve specifike, sinqerisht nuk e kam parë deri në ato detaje të anës inxhinierike që të mund të përgjigjem.

Shqipëria furnizohet me 10 000 vaksina nga Rusia

Gresa Kraja

Në Shqipëri kanë mbërritur 10 mijë doza të vaksinës ruse “Sputnik V” kundër sëmundjes COVID-19. Këto vaksina janë dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se në ditët në vijim priten të arrijnë edhe sasi të vaksinave tjera.

“Së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër”, ka shkruar Rama.

Ndryshe, nga deklaratat fillestare, kur Rama tha se Shqipëria nuk do të pranojë vaksina ruse dhe kineze, disa ditë më parë, qeveria i hapi rrugë marrjes së vaksinave nga Rusia dhe Kina.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh nga aeroporti i Rinasit se në ditët në vijim do të mbërrijnë në vend vaksina të tjera, për të nisur një vaksinim masiv të popullatës për të lehtësuar dhe sezonin turistik.

“Do të vijojmë për të siguruar vaksina që të nisim vaksinimin masiv të popullatës që të kemi dhe një lehtësim të sezonit turistik. Komiteti i imunizimit dhe institucionet e tjera e ka dhënë garancinë për vaksinat që kemi prova të mjaftueshme që janë efektive dhe që ofrojnë siguri”, tha mes të tjerash Manastirliu.

Shqipëria ka filluar procesin e vaksinimit që nga fillimi i muajit janar. Deri tani në vend janë vaksinuar stafi mjekësor, grupet që konsiderohen më të rrezikuara, dhe personat mbi moshën 80 vjeç.

Ky shtet ka kontratë me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 500.000 dozave të vaksinës. Aktualisht, Tirana zyrtare po ashtu ka siguruar afër 40.000 doza të vaksinës së AstraZenecas.

Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 120.000 persona janë infektuar me koronavirusin e ri, prej të cilëve 2.137 pacientë kanë vdekur.

Në Kukës më 20 dhe 21 mars u vaksinuan mjekët nga Kosova.

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka siguruar asnjë vaksinë kundër koronavirusit.

Festohet Sulltan Novruzi, Baba Mondi: Pandemia s’na ka penguar të jemi shpirtërisht pranë njëri-tjetrit, do i kalojmë këto ditë të vështira

TIRANË

Besimtarët bektashinj në Shqipëri e mbarë botë festojnë sot Sulltan Novruzin. Në një mesazh nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tha se data e sotme ka qenë dhe mbetet unikale.

Duke u ndalur në mesazhin e tij edhe te situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit, Baba Mondi u shpreh se pavarësisht kufizimeve, kjo situatë nuk i ka penguar besimtarët të jenë shpirtërisht pranë njëri-tjetrit.

“Të nderuar motra dhe vëllezër, vëllezër bektashian kudo jeni në botë, paçi fat e lumturi. Sulltan Novruzi ka qenë dhe mbetet një datë unikale. T’i afrohemi mirësive dhe begative, duke bashkuar fatet tona njerëzore për fatin e kombit. Dita e sotme do të mbetet e shënuar në historinë botërore. Selia jonë e Shenjtë ju ka bërë ballë dallgëve të kohës. Kemi lënë pas krahëve një histori rrëqethëse. Me gjithë dëshirën tonë, sot nuk mund të bashkohemi, për shkak se pandemia na ka kufizuar çdo ditë e më shumë. Por kjo situatë nuk na ka penguar të jemi shpirtërisht pranë njëri-tjetrit. Do i kalojmë këto ditë të vështirë për t’u bashkuar. Zoti na bekoftë të gjithëve. Amin!”, tha Baba Mondi.

Basha thirrje kontribuesve të vjetër të PD: Me ju ta kthejmë 25 prillin në ditën e ardhjes së demokracisë së vërtetë në Shqipëri!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një aktivitet përkujtimor të datës 22 mars, që simbolizon dhe ardhjen për herë të parë të PD në pushtet, pas rrëzimit të diktaturës, ka përshëndetur të gjithë misionarët që kontribuan në arritjen e kësaj dite.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati theksoi se këshilla e më të vjetërve të partisë, eksperienca e tyre do i shërbej shumë të rinjve.

Ndër të tjera ai tha se ëndrra e fitimtarëve të parë të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të saj, për ta parë PD si forcë qeverisëse në parlamentin shqiptar për Shqipërinë si gjithë Europa, do të fillojë sipas tij të konkretizohet.

“Ju falënderoj nga zemra! Dua në emër të të gjithë kandidatëve tanë për deputet, por edhe drejtuesve tanë të strukturave, të falënderoj të gjithë ata ish-drejtues, ish-deputet, përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike ndër vite, aksionerët e fitores së 22 Marsit për punën e jashtëzakonshme dhe mbështetjes që i jepni çdo ditë fushatës tonë. Vitet kanë kaluar por përvoja juaj e çmuar është sot më e nevojshme e kurrë. Ditë për ditë marrë informacion nga njerëzit tanë në terren, nga drejtuesit tanë me përvojë dhe nga të rinjtë e Partisë Demokratike, që gjendeni pranë tyre, me këshillat tuaja, me informacionet tuaja të vyera, me angazhimin tuaj, me energjinë tuaj duke i drejtuar ata derë më derë në çdo qytet, në çdo lagje, në pallate dhe në banesa, nëpër fshatra dhe nëpër biznese. Dua t’ju them se 22 Marsi i ‘92-shit ishte dhe mbetet dita e një bashkimi të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, ndërsa me ndihmën tuaj, me kontributin tuaj dhe me punën e gjithsecilit prej nesh, le ta kthejmë 25 Prillin në këtë 29 vjetor të ardhjes të demokracisë së vërtetë në Shqipëri në një ditë ku ëndrra juaj, ëndrra e themeluesve, ëndrra e fitimtarëve të parë të Partisë Demokratike dhe të përfaqësuesve të parë të Partisë Demokratike si forcë qeverisëse në parlamentin shqiptar për Shqipërinë si gjithë Europa, të fillojë të konkretizohet. Ndaj, ju falënderoj nga zemra për kohën që ndatë sot teksa të gjithë së bashku nuk kursyem asnjë minutë, asnjë orë, asnjë ditë nga data e madhe që na ndan dhe që do ta ndajë Shqipërinë njëherë dhe përgjithmonë nga e keqja, nga orientalja, nga sundimtarizimi dhe mbi të gjitha nga mungesa e lirive themelore dhe respektin minimal për të drejtat e njeriut që përfaqësoi për 8 vite kjo qeveri e korruptuar. Kjo është një betejë të dashur miq dhe ne kemi nevojë për ndihmën tuaj! Vitet kanë kaluar dhe ato kanë bërë të vetën, por ju mbeteni në zemrat tona dhe në sytë e opinionit publik mbartësit më të denjë të ëndrrës me të cilën e nisi rrugëtimin kjo forcë politike për Shqipërinë si gjithë Europa. Ndaj, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe ju kërkoj të vazhdoni të na mbështesni kudo në terren me mirënjohjen më të thellë në emër të Partisë Demokratike, në emër të përfaqësuesve tanë, të kandidatëve tanë dhe strukturave tona. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe fitore të thellë më 25 Prill! Ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen në këtë takim!”, u shpreh kryedemokrati.

SPAK kërkon dënim me burg për ish Kryeprokurorin Llalla

VOA

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, kërkoi sot dënimin me dy vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, për ish Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, kërkesa për dënimin me burg reduktohet në një vit e 4 muaj.

Ish Prokurori i Përgjithshëm akuzohet për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Fillimisht, zoti Llalla, u dyshua për të paktën katër vepra penale, që nga mosdeklarimi i pasurisë, te mosdeklarimi i të hollave në kufi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave. Por në përfundim të hetimeve tre prej këtyre akuzave duket se nuk u arrit të provohen, dhe gjithshka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë, i konsideruar më shumti një kundravajtje penale që dënohet nga gjobë deri në 3 vjet burgim.

Në dhjetor të vitit të shkuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pranoi kërkesën e SPAK-ut për sekuestrimin e pasurive të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla. Gjatë hetimeve ndaj tij, pasuritë e patundshme të zotit Llalla ishin vënë nën sekuestro dhe më herët, por në nëntor të vitit 2019, një gjykatëse paraprake, vendosi heqjen e kësaj mase, pasi prokuroria nuk ofroi, sipas saj, prova të mjaftueshme.

Por SPAK, shpjegoi në dhjetor 2020, se kishte nisur gjatë këtij viti një tjetër hetim pasuror ndaj zoti Llalla, këtë herë duke u bazuar të i ashtuquajturi ligji Antimafia, sipas të cilit, barra e provës për të dëshmuar se pasuritë e sekuestruara janë të ligjshme, i takon ish Prokurorit të Përgjithshëm. Bëhet fjalë për një apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë në vitin 2012; një sipërfaqe toke bujqësore prej 4.500 m², e blerë në vitin 2016; një jetër sipërfaqe, e llojit tokë arë,prej 12.300 m², ndodhur në Tiranë, e blerë në vitin 2017; një tjetër sipërfaqe toke prej 3 mijë metrash katrorë e blerë po në vitin 2017, si dhe 2250 metra katrorë, po e llojit tokë arë, ndodhur në Tiranë, blerë në të njejtin vit.

SPAK theksoi në vendimin e atëhershm se “hetimet pasurore janë në vazhdim dhe ende nuk kanë përfunduar. Masa e sekuestrimit të pasurive të paluajtshme është autonome nga proçesi penal që është duke u zhvilluar ndaj shtetasit të mësipërm”. Sekuestrimi i pasurive të ish Kryeprokurorit, u përshëndet nga ambasadorja amerikane Yuri Kim. “SPAK po jep rezultate, duke përdorur Ligjin Anti-Mafia për fitimet e nxjerra nga korrupsioni. Ky është pikërisht lloji i çështjes së korrupsionit për të cilën SPAK u krijua, që ta ndjekë penalisht”, shkruajti ambasadorja Kim në një postim në Twitter.

Zoti Llalla u largua nga detyra në përfundim të mandatit në dhjetor të vitit 2017. Pak muaj më pas, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se i kishte ndaluar atij dhe familjes së tij, hyrjen në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar se Sekretari i atëhershëm i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Nga viti 2017 janë afro 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë të cilëve u është mohuar ose revokuar viza për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tyre në akte korrupsioni.

Hidhet shorti për vendosjen e partive në fletën e votimit, ja si renditen forcat politike

Hidhet shorti për renditjen e partive në fletën e votimit. Mësohet se Partia Socialiste renditet e 12-ta në fletën e votimit të 25 prillit, Koalicioni i drejtuar nga PD do renditet i 9-ti, LSI renditet e 6-ta dhe PSD renditet e para.

Po kështu, Bindja Demokratike renditet e 4-ta, Lëvizja për Ndryshim renditet e 11-ta, Nisma Thurje renditet e 7-ta në fletën e votimit.

KQZ ka bërë me dije se Nisma Thurje renditet e 7 në fletën e votimit, Balli Kombëtar i 2-i dhe Bindja Demokratike e katra. Ndërkohë, Lëvizja Demokratike renditet e 3 në fletën e votimit dhe Lëvizja e Re e teta.

Mësohet se Demokracia e Re renditet e 10 në fletën e votimit si dhe Aleanca Bashkimi Popullor renditet e pesta.

Meta letër KQZ e Kuvendit: Situata parazgjedhore e cenuar rëndë, sulmi në FRD dhe ngjarjet në Elbasan provë se mazhoranca po minon pluralizmin

TIRANË

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është drejtuar sot me një letër këtij institucioni dhe Kuvendit, ku denoncon tentativat e mazhorancës dhe Bashkisë Tiranë për cenimin e veprimtarisë opozitës, në prag të zgjedhjeve të 25 prillitt, bëjnë me dije për “BalkanWeb” burime pranë KQZ-së.

Referuar të njëjtave burime, në këtë letër, Kreu i Shtetit shprehet se situata parazgjedhore është cënuar rëndë, duke ju referuar situatës tërësisht të paligjshme, që ndodhi pak ditë më parë në selinë e FRD.

“Siç dhe jeni njohur me zhvillimet e fundit, përmes medias së shkruar, elektronike dhe vizive, situata politike parazgjedhore dhe klima e besimit ndërmjet forcave politike garuese në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, është cenuar rëndë.

Përpos faktit të pasqyrimit në media të zhvillimeve të fundit në Tiranë dhe Elbasan, si President i Republikës, më duhet t`ju bëj dije mbi një situatë tërësisht të paligjshme, që ndodhi në selinë e Frymës së Re Demokratike, forcë politike kjo e cila u sulmua dhunshëm nga strukturat dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë”, – mësohet të jetë shprehur Meta në këtë letër.

Sipas Kreut të Shtetit: “Ky sulm, që u organizua dhe ekzekutua vetëm pak ditë më parë, në datën 12 mars 2021, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të FRD-së me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021, bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës, bashkëjetesës që do të duhet të shoqërojë situatën, para, gjatë, dhe pas zgjedhore.

Ky sulm është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës, me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike pjesëmarrëse në zgjedhje, por njëkohësisht edhe një dëshmi e përpjekjeve të saj sistematike për të minuar pluralizmin politik në vend”, – mësohet të jetë shprehur Presidenti Meta në këtë letër, sipas të njëjtave burime.

Zgjedhjet e 2017- Manipulime në 3 qendra votimi në Shijak, prokuroria mbyll hetimet për 21 të akuzuar

Prokuroria e Durrësit përfundon hetimet dhe dërgon në Gjykatë dosjen për 21 të akuzuar për zgjedhjet e përgjithshme të 2017. Prokuroria provon votime më shumë se një herë, në emër të personave që kishin ndërruar jetë në tre qendra votimi në Shijak.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës ka përfunduar hetimet e procedimit penal nr. 1505, datë 06.08.2020, ardhur për kompetencë hetimi nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i regjistruar për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” (ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.05.2017” parashikuar nga neni 327/a pgr. 2 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Emilian Tuda, Redi Hysa, Dalvis Biba, Shpëtim Marku, Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Qazim Lala, Bujar Sula, Bashkim Alushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala, Qemal Domi dhe Armelin Zeza.

Nga hetimi i kryer dhe me metoda speciale të hetimit ka rezultuar e provuar se:
Shtetasi Shpëtim Marku, banor i lagjes Xhafzotaj, Shijak, gjatë votimeve për zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara me datë 25.06.2017, ka votuar në emër të babait të tij, ndërkohë që ky i fundit ndodhej jashtë shtetit, ndërkohë që kishte votuar më parë në emër të tij.

Shtetasi Armelin Zeza ka vulosur fletë votimi dhe votuar në emër të 25 shtetasve të tjerë të cilët është ndodheshin jashtë shtetit me qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 1508 0, me adresë të QV: Shetel në Shijak, i përbërë nga shtetasit Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Dalvis Biba, Emilian Tuda, Redi Hysa, në kundërshtim me detyrimet ligjore të parashikuara në nenet 40.2, 42.3, 105.1 germa “b” të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Për Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë” kanë lejuar me dashje shtetas që kishin votuar më parë, për të votuar në emër të 23 shtetasve të tjerë të cilët është provuar se ndodheshin jashtë shtetit.

Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 1336 0, me adresë të QV: Rubjek Shkolla 9-vjeçare në Shijak, i përbërë nga shtetasit Besim Bregu, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Bujar Sula, Qazim Lala, në kundërshtim me detyrimet ligjore të parashikuara në nenet 40.2, 42.3, 105.1 germa “b” të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Për Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë” kanë lejuar me dashje shtetas që kishin votuar më parë, për të votuar në emër të 23 shtetasve të tjerë të cilët është provuar se ndodheshin jashtë shtetit.

Komisioni zgjedhor i Qendrës së Votimit nr. 1335 0, me adresë të QV: Rubjek, Kopshti në Shijak, i përbërë nga shtetasit Bashkim Allushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kasem Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala, Qemal Domi, në kundërshtim me detyrimet ligjore të parashikuara në nenet 40.2, 42.3, 105.1 germa “b” të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Për Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë” kanë lejuar me dashje shtetas që kishin votuar më parë, për të votuar në emër të 7 shtetasve të tjerë të cilët është provuar se ndodheshin jashtë shtetit.

Me shkresën nr. 6806, datë 28.07.2020 të Drejtorisë së Policisë Vendore Durrës, janë administruar çertifikatat e vdekjes për shtetasin Kasem Lala, në të cilën është shënuar si datë e vdekjes së këtij shtetasi më 03.10.2018 dhe për shtetasin Besim Bregu është shënuar si datë e vdekjes më 29.12.2018.

Në përfundim të hetimit, më datë 05.03.2021 i është kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës:
Pushimi i hetimeve për shtetasit Kasem Lala dhe Besim Bregu të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” (ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.05.2017” parashikuar nga neni 327/a pgr. 2 të Kodit Penal, për shkak se kanë vdekur.

Dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 1505, datë 06.08.2020, në ngarkim të pandehurve:
Shpëtim Stafa,
Elidon Stafa,
Ramiz Tuda,
Fredi Marku,
Emilian Tuda,
Redi Hysa,
Dalvis Biba,
Indrit Bici,
Mehdi Lala,
Agim Lala,
Oriada Lala,
Qazim Lala,
Bujar Sula,
Bashkim Alushi,
Jakup Bregu,
Altin Lala,
Kujtim Uruçi,
Zyhra Lala
Qemal Domi,

të akuzuar se kanë kryer veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” (ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.05.2017” parashikuar nga neni 327/a pgr. 2 të Kodit Penal.

Shpëtim Marku i akuzuar për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”(ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.05.2017” parashikuar nga neni 327/a pgr. 1 të Kodit Penal.

Armelin Zeza i akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” (ndryshuar me ligjin nr. 89/2017, datë 22.05.2017” parashikuar nga neni 326 pgr. 1 dhe 327/a pgr. 1 të Kodit Penal.

Pedagogët analizojnë marrëveshjen: Gjuha turke në shkolla vetëm nëse ka reciprocitet

Dy pedagogë të Universitetit të Tiranës analizojnë marrëveshjen shqiptaro-turke për gjuhën turke në shkolla dhe përmirësimin e teksteve arsimore. Duke kërkuar reciprocitet, Dhurata Shehri dhe Shezai Rrokaj, me dy qasje të ndryshme, kërkojnë njohjen e pakicës shqiptare ne Turqi si shenjë e qartë vullnetit të mirë për marrëdhëniet dypalëshe.

Një marrëveshje mes ministrisë shqiptare të arsimit dhe asaj turke, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin në fushën e arsimit, është pritur me rerzerva në vend. Shkak janë bërë kryesisht dy pika. Pika 9 e nenit 2 parasheh shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në dy vendet çka është lexuar si rishikim i teksteve të historisë. Ndërsa pika 2 e nenit 3 vëren se pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat për të mësuar gjuhën turke si gjuhë e huaj, lëndë me zgjedhje të lirë duke paraparë shpalljen e një programi pilot në shkolla.

“Futja e gjuhës turke në shkolla është e diskutueshme. Ndërtimi i një grupi që do ta gjykojë këtë është levizje e parakohshme dhe jo produktive për kulturën dhe gjuhët në vend. Në komunizëm ishte gjuha ruse, dhe në demokraci, është gjuha angleze dhe gjuhë të BE-së”, thotë pedagogia Dhurata Shehri.

Duke kërkuar heqjen dorë prej mendësive komuniste me qasje nacionaliste ndaj vendeve të Ballkanit, Shezai Rrokaj mbështet marrëveshjen, por kërkon barazi mes palëve.
“Unë mendoj se të gjitha marrëveshjet duhet të zhvillohen mbi bazën e reciprocitetit. Dhe jo vetëm për gjuhën turke por edhe për gjuhë të tjera të rajonit. Të heqim dorë nga izolimi dhe le të jetë lëndë me zgjedhje.”

Ai shkon më tej kur kërkon njohjen e pakicës shqiptare në Turqi, çka sipas tij, ndihmon në zbatimin e çdo marrëveshjeje në vende demokratike.

“Ne e respektojmë pakicën turke në kuadër të konventave ndërkombëtare dhe është krejt normale që Turqia të respektojë të drejtat e pakicave shqiptare në Turqi të cilat shpallen nëpërmjet censuseve. Duhet t’i njohë zyrtarisht. Parimi i reciprocitetit shton shanset për bashkëpunime më të gjëra” thotë të Rrokaj.

Për pakicën shqiptare në Turqi, Shehri jep edhe shifra. “Në bazë të statistikave që vijnë nga organizatat joqeveritare në Turqi jetojnë 4 deri në 5 milionë banorë me origjinë shqiptare, por asnjë qeveri turke nuk ka marrë nismën të fusë gjuhën shqipe në shkolla. Duke mos e njohur këtë komunitet, çon drejt asimilimit”, thotë Shehri.
Por sa mundet Shqipëria të sigurojë reciprocitet në marrëdhënie dypaleshe, kur pavarësisht marrëveshjeve, tekstet në Maqedoni i fyejnë shqiptaret? Për Rrokajn, në rastin e Maqedoninë ka shumë vërejtje dhe ai flet për të drejta natyrore.

Ndërsa, Dhurata Shehri, shton se përmirësimi i teksteve është i rrezikshëm. “Nxënësit në shkollat turke mësojnë që Shqipëria ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane, por nuk flitet fare për pushtimin 500-vjecar”, thotë ajo.

Gazment Bardhi denoncon me emra: Dhuna në Elbasan nga banda e Edi Ramës

ELBASAN

Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe drejtuesi politik i qarkut Elbasan ka denoncuar me emra sot pas përplasjeve të djeshme për Ditën e Verës në Elbasan. Gazment Bardhi tha se dhuna në Elbasan erdhi nga banda e Edi Ramës, ndërsa akuzoi policinë se nuk i arreston. Sipas tij, Rama dhe Balla heshin në mbrojtje të bandës.

Bardhi theksoi se “nëse Edi Rama ka menduar se do fitojë zgjedhjet me krimin e organizuar, që po i përdor për të friksuar dhe shantazhuar qytetarët këto 24 orë, po i njoftoj se i ka bërë llogaritë gabim. Ju siguroj se do të përgjigjen të gjithë, për gjithçka, me çdo mjet dhe me çdo formë”.

DEKLARATA E PLOTË
Kanë kaluar 24 orë nga ngjarja dje, ku banditë me rekorde kriminale që ishin shpura e Edi Ramës, dhunuan dhe kërcënuan qytetarët e Elbasanit dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, që ishin në shesh për të festuar Ditën e Verës me Kryetarin e Opozitës.

Kemi publikuar foto dhe video. Dhjetra dëshmitarë kanë parë ato portrete që ishin edhe eskorta e kryeministrit, edhe skalioni i dhunës ndaj qytetarëve.

 

Gjithë Shqipëria e ka mësuar ngjarjen e shëmtuar, miqtë tanë ndërkombëtarë po ashtu.

Vetëm Edi Rama nuk reagon, dhe as i deleguari i tij politik tek bandat, Taulant Balla.

Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Elbasanit, dhe Prokuroria e Elbasanit, kanë nisur të shkelin ligjin haptazi, duke mos ndërmarrë asnjë veprim.

Pse nuk ka një komunikim nga Policia, përse nuk ka transparencë se cilat janë hapat që kanë ndërmarrë dje. Jua them unë: Nuk kanë në burg asnjë prej agresorëve, asnjë.
Pse nuk distancohet Edi Rama nga banditët që dje ishin rojet e tij personal dhe vendosën në rrezik të armatosur sigurinë e qytetarëve.

Eksponetët e krimit të organizuar që ushtruan dhunë në bulevard janë identifikuar dhe ato janë:
1. Pjerin Xhuvani
2. Kelmend Xhaferri, me precedent penal, i përshfirë në ngjarjen e goditjes së postobllokut tek Tregu Ushqimor
3. Nino (emri)
4. Marsel Rrokaj
5. Eris Skilja
6. Ernaldo Metaj
7. Gezim Rusi

Ne nuk kemi asnjë iluzion, se Policia do të mund të arrestojë shoqëruesit personalë të Edi Ramës. Ata kanë mbrojtjen politike të tij, dhe kanë në dispozicion në Elbasan, të deleguarin politik për bandat, Taulant Ballën.

Edi Rama e di shumë mirë se me 25 prill, do të humbë zgjedhjet, edhe këtu në Elbasan, si kudo tjetër. Nga dëshpërimi i humbjes Edi Rama ka nxjerr në fushë ekipin e tij të vërtetë, që janë bandat e krimit të organizuar.

Ne do ta mundim në çdo rast. Dhe do ta mundim thellë. Qytetarët e Elbasanit nuk do të shantazhohen dot nga banditët e Ramës. Qytetarët e Elbasanit duan ndryshimin, duan punë, duan siguri. Me 25 Prill, ne bashkë me banorët e mrekullueshëm të Elbasanit do të sjellim ndryshim dhe shpresë.

Por sot duam t’i bëj të qartë, Edi Ramës, Taulant Ballës, banditëve që i rrethojnë, si dhe drejtorit të Policisë dhe Prokurorit të rrethit.

Kjo që ka ndodhur këto 24 orë në Elbasan nuk është një lojë. Eshtë çështje serioze e zbatimit të ligjit. Dhe shkelja e ligjit, favorizimi i bandave, nënshtrimi ndaj Taulant Ballës, ka afat edhe 41 ditë.
Fiksojeni mirë: 41 ditë!

Unë, ekipi ynë dhe Partia Demokratike kemi qenë dhe do të mbetemi deri në fund të distancuar nga krimi i organizuar. Por jemi të vendosur të përballemi edhe me krimin e organizuar, nëse kjo është në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Nëse Edi Rama ka menduar se do fitojë zgjedhjet me krimin e organizuar, që po i përdor për të friksuar dhe shantazhuar qytetarët këto 24 orë, po i njoftoj se i ka bërë llogaritë gabim. Ju siguroj se do të përgjigjen të gjithë, për gjithçka, me çdo mjet dhe me çdo formë. bw

LDK me kryetar të ri- Basha uron Lumir Abdixhikun

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar Lumir Abdixhikun, pasi ky i fundit u zgjodh kryetar i LDK-së.

Basha shprehet se me Abdixhikun në krye të LDK-së, beson se Lidhja Demokratike e Kosovës do të ringrihet edhe më e fortë.

Postimi i liderit të PD-së Lulzim Basha:

Urimet më të mira për kryetarin e ri të LDK-së Lumir Abdixhiku. Jam i bindur se me lidershipin e tij LDK do të ringrihet edhe më e fortë se më parë e do të vijojë me përkushtim angazhimin e saj për të ardhmen e Kosovës në rrugën e nisur nga ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Pres me kënaqësi të punoj me kryetarin e ri të LDK-së Lumir Abdixhiku, për të vijuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy partive, si dhe për të çuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

VIDEO- Luljeta Bozo shokon me deklaratën për Enver Hoxhën dhe komunizmin: Ajo kohë kishte më shumë anë pozitive se negative

TIRANË

Inxhinierja Luljeta Bozo vazhdon të jetë kandidatja më e përfolur e Partisë Socialiste, për zgjedhjet e 25 prillit.

Bozo u bë e njohur për publikun, pas tërmetit të 26 nëntorit, dy vite më parë, ndërsa efektin që ajo kishte tek qytetarët Rama duket se vendosi ta përdorë për të mbledhur sa më shumë vota.

Por disa ditë më parë, Bozo ka ‘shokuar’ me deklaratën e saj në studion televizive të “Dekalog”.

E pyetur për kohën e komunizmit e të Enver Hoxhës, ajo u shpreh me bindje se periudha e regjimit 45-vjeçar kishte më shumë të mira sesa efekte negative në vend.

Pjesa nga intervista:

Pyetje: Më bëri përshtypje pjesa që lidhet me Partinë e Punës, Partinë Komuniste. Tani që jeni në PS, ka trashëguar ndonjë gjë të Partisë së Punës, PS-ja? Shikoni ndonjë element, qoftë në imazh, qoftë në emra…

Luljeta Bozo: Nuk jam brenda PS-së. Duhet të jetosh atje brenda.

Pyetje: Si personazh që keni jetuar në kohën e monizmit, i dënoni krimet e komunizmit?

Luljeta Bozo: Patjetër. Krimet që ishin për pikëpamje ideologjike, se ka edhe krime ordinere, patjetër që i dënoj., nuk diskutohet. Por ka një gjë, që Republika Popullore e Shqipërisë kishte një Kushtetutë. Neni i parë i saj, thoshte se Republika Socialiste Popullore e Shqipërisë është shtet i diktaturës. E thoshte në kushtetutë.

Pyetje: Enver Hoxha a ishte diktator?

Luljeta Bozo: Ishte diktator, në ato që ishte.

Pyetje: Çfarë dëmesh i ka shkaktuar Enver Hoxha dhe figura e tij kombit shqiptar?

Luljeta Bozo: Po t’i vësh në balancë, ka më shumë anë pozitive sesa negative.

Luljeta Bozo, gjithsesi shprehet në intervistë, se dënon dënimin e personave, të cilët burgoseshin, vetëm pse flisnin kundër sistemit. Mendimin e Bozos për periudhën e diktaturës hoxhiste, mund ta ndiqni në videon më poshtë, në 1:16:40.

VIDEO- Kryeministri në Elbasan për Ditën e Verës, pritet me ovacione e thirrje “Rama ik!”, përplasje mes mbështetësve

ELBASAN

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Elbasan me rastin e Ditës së Verës. I shoqëruar nga deputetët socialistë të zonës dhe kreu i Bashkisë, Rama ka përshkruar rrugën në lagjen Kala, teksa ka pasur thirrje nga qytetarët “Rama ik”.

Gjatë kohës që kalonte në sheshin në hyrje të Portës së Kalasë së Elbasanit është përballur me thirrjet “Rama ik” të disa simpatizantë të PD.A ta kanë thirrur “Rama ik”, për minuta të tëra ndërkohë që mes tyre dhe mbështetësve të PS që shoqëronin Ramën ka pasur edhe përplasje verbale, por fatmirësisht pa incidente.

Dita e Verës, një vajzë i vendos verore, Basha pritet me lule e ballokume nga qytetarët në Elbasan (Video)

Kryedemokrati Lulzim Basha ndodhet në Elbasan me rastin e Ditës së Verës, ku është pritur nga qindra qytetarë. Mirëseardhjen kreut të PD ia ka uruar një vajzë, e cila i ka vendosur veroren simbol në dorë. Më pas dy vajza të veshura me veshje tradicionale e kanë gostitur Bashën me ballokume dhe i kanë dhuruar lule.

Më pas kreu i PD është ndalur duke përshëndetur qytetarët që kishin dalë për ta pritur.

Shqipëri – SHBA nënshkruan një marrëveshje për gazifikimin

Ilirian Agolli

Shqipëria dhe SHBA nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimit për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika në Shqipëri.

Marrëveshja e nënshkruar në Hjuston Texas të SHBA-ve nga ministrja Belinda Balluku dhe përfaqësues të kompanisë amerikane u vlerësua si një zhvillim fantastik për energjitikën shqiptare dhe një sukses domethënës për marrëdhëniet shqiptaro – amerikane.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipërisë, Yuri Kim, tha se kjo marrëveshje e jashtëzakonshme është akumulim i punës së shumë qendrave për një kohë të gjatë.

“SHBA ka mbështetur rolin unik të aleates së NATO-s, Shqipërisë, për të zhvilluar sigurinë, e vecanërisht sigurinë e saj energjitike. TEC i Vlorës do të shënojë një zgjerim të mundësive europiane drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë. Një Europë me burime të qëndrueshme energjitike është një partnere e fortë për të punuar në objektiva të përbashkëta” – tha zonja Kim.

Diplomatja amerikane tha se Vlora do të jetë një hap tjetër për të përballuar sfidat e energjisë dhe klimës në rajon.

Marrëveshja e sotme i jep fund varësisë së tec-eve me qymyrguri në rajon, duke i hapur rrugën energjisë diellore, hidrike etj. Sipas ambasadores Kim, kjo marrëveshje është mënyra më e mirë për të festuar përvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA – Shqipëri, e cila u shndërrua nga Koreja veriore e Europës në një burim të mundshëm energjie për rajonin dhe më gjerë.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë nga një platformë online. Ai tha se Shqipëria është toka më pro-amerikane në këtë anë të botës.

“Ne do të bashkëpunojmë për të shndërruar Shqipërinë në eksportuese të energjisë brenda vitit 2030 dhe për këtë kemi partnerët më të mirë. Kjo do të jetë një mbështetje e madhe edhe për ekonominë e Shqipërisë, duke e shndërruar Vlorën në një qendër eksporti të gazit të lëngshëm” – tha zoti Rama.

Ministria e infrastrukturës e energjisë e Shqipërisë dhe kompanisë Exxon Mobil & Excelerate Energy nënshkruan bashkëpunimin për një projekt, i cili përfshin konvertimin e TEC-it të Vlorës me gaz të lëngshëm, ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e gazit të lëngshëm, duke e shndërruar Vlorën në një qendër rajonal për gazin e lëngshëm.

Pas përplasjeve, Basha nga selia e FRD-së i drejtohet Ramës: S’ke shans të trembësh popullin

Pas përplasjeve të sotme kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shkuar në këto momente në selinë FRD . Presidenti Ilir Meta u përplas fizikisht me policët bashkiakë  në zyrat e FRD-së ku është takuar me Sali Shehun.

Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës kryesor të asaj që ka ndodhur.

Basha tha se humbësi bëhet më i rrezikshëm kur është në ditët e fundit.

“Para disa ditësh një mik i huaj më shkruante duket qartë që fitorja po vjen. Kam vetëm një këshillë humbësi bëhet i rrezikshëm ditët e fundit. Ruaju bishës së plagosur. Sot po i them se nuk ke shanc të trembësh popullin. Nuk ke shanc ta trembësh opozitën që të marrësh misionin. 25 prilli është ditë ndryshimi.

Ngjarja e sotme është në një seri ngjarjes që tregojnë një gjë, ka humbur mendjen. Ka dalë nga fiqiri dhe prej drejtësisë që e pret atë dhe gjithë të tjerët si kjo letër bakalli që mendojnë se mund të ushtrojnë presion mbi opozitën.

Dhuna e Edi Ramë dhe sjellja e shtetit të kapur prej tij kanë qenë burimi i të gjitha të këqijave. Shpresa nuk mungon. Përsëris angazhimin e PD, të koalicionit tonë se asgjë nuk do ta ndalë këtë ndryshim. As dhuna e asgjë tjetër që janë grahmat e fundit të Edi Ramës. Ju ftoj të gjithëve të bëhemi bashkë, dua t’i them pakicës absolute , kriminelëve me të cilët ke darkuar edhe para dy ditësh në Kryeminsitri se nuk e ndalni ndryshimin. Shqipëria nuk mund të ndryshojë pa larguar Edi Ramën”, tha Basha.

“Fundi i pengamarrjes së shtetit është i afërt. 25 prilli do të jetë dita kur do të fitojnë shqiptarët. Hakmarrja është tipari më dallues i Edi Ramës në gjithë këto vite. Kjo është dhunë ndaj opozitës dhe kjo nuk na tremb. Por alternativa jonë është alternativa e bashkimit”, shtoi Basha.

I pyetur për reagimi i presidentit Meta dhe përplasjen e ndodhur në zyrat e RRD-së, Basha i bëri thirrje qytetarëve që të pasqyrojnë situatën, të vërtetën e saj.

Kujtojmë Policia e Bashkisë së Tiranës zbarkoi më herët në zyrat e FRD-së në qendër të Tiranës duke kërkuar lirimin e tyre.

Në derën kryesore të selisë së FRD-së ishte vendosur një shënim ku kërkohet “lirimi i menjëhershëm i ambienteve për qëllime sistemimi”.

Bëhet fjalë për ambientet e katit të tretë, ku Bashkia e Tiranës shpjegon përmes një letre dërguar kreut të partisë Sali Shehu se duhen bërë ndërhyrje me qëllim mirëmbajtjen pasi hapësira është pronë e bashkisë.

Zyrat ku ndodhet FRD janë në pronësi publike të administruara nga Bashkia e Tiranës. NIisur nga kjo, bashkia i ka dërguar kësaj partie një shkresë ku kërkon lirimin e katit të tretë pasi godina ishte amortizuar dhe aty do të bëheshin punime. Gjatë mëngjesit të sotëm nga zyrat janë hequr tabelat identifikuese të partisë, ndërsa më pas iu shkëput edhe energjia elektrike.

I hapet rrugë vaksinës ruse dhe kineze, Manastirliu dhe Ahmetaj autorizohen për zhvillimin e negociatave (Akti normativ)

Qeveria shqiptare i ka hapur rrugë negociatave me vaksinat ruse dhe kineze. Sipas aktit normativ të ditës së sotme, Manastirliu dhe Ahmetaj si ministra janë të autorizuarit për negociatat.

Në akt normativ theksohet se negociatat zhvillohen me vaksinat të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.

Duket se me këtë akt, Shqipëria përveç perëndimit po kthen sytë dhe nga lindja ku Rusia dhe Kina kanë prodhuar prej kohësh vaksinat e tyre.

AKTI NORMATIV NGA QEVERIA

AKT NORMATIV
PËR

DHËNIEN E AUTORIZIMIT MINISTRIT TË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE DHE MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE ME PRODHUESIT, ME DISTRIBUTORË TË AUTORIZUAR, ME QEVERITË OSE INSTITUCIONET E AUTORIZUARA PREJ TYRE, TË VENDEVE QË PRODHOJNË OSE DISTRIBUOJNË VAKSINA ANTICOVID, PËR TË SIGURUAR KËTO VAKSINA, TË CILAT JANË TË CERTIFIKUARA NGA TRUPA CERTIFIKUESE NË VENDIN E PRODHIMIT TË TYRE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Dhënie autorizimi për zhvillimin e negociatave

Dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

“Vetëm 13 vjeç”, Agron Shehaj kujton eksodin me foton e veçantë

TIRANË

Ish-deputeti i PD-së Agron Shehaj, ka përkujtuar përmes një postimi në facebook, eksodin e shqiptarëve 30 vite më parë drejt Italisë. Shehaj ka publikuar foton e vecantë, botuar asokohe në shtypin italian, ndërsa ndodhet në tren me shqiptarë të tjerë për t’u shpërndarë në veri të Italisë.

“30 vjet më parë, vetëm 13 vjeç, bashkë me prindërit, ishim ndër të parët që mbërritëm me anije në Itali.
Në këtë foto jam duke udhëtuar në tren me shqiptarë të tjerë për t’u shpërndarë në veri të Italisë.
Italia m’u bë Atdheu i dytë. Aty u rrita, u maturova, u shkollova e mësova shumë.”- shkruan Shehaj, ndërsa shton se u rikthye në Shqipëri në vitin 2005, pa para, por me një dashuri dhe dëshirë të zjarrtë për vendin.

“Ndaj në këtë përvjetor të eksodit shqiptar drejt Italisë, unë u jam më shumë se kurrë mirënjohës Shqipërisë dhe Italisë e ndihem më shumë se kurrë në borxh me të dyja. Gjithë jetën time do përpiqem t’u jap sa më shumë që të mundem! Veçanërisht Shqipërisë që ka më shumë nevojë se kurrë për të gjithë bijtë e saj, kudo që janë.”- shkruan Shehaj.

Postimi i plotë:
30 vjet më parë, vetëm 13 vjeç, bashkë me prindërit, ishim ndër të parët që mbërritëm me anije në Itali.
Në këtë foto jam duke udhëtuar në tren me shqiptarë të tjerë për t’u shpërndarë në veri të Italisë.
Italia m’u bë Atdheu i dytë. Aty u rrita, u maturova, u shkollova e mësova shumë.

U riktheva në Shqipëri në vitin 2005, pa para, por me një dashuri dhe dëshirë të zjarrtë për Shqipërinë. Dhe Shqipëria më dha gjithçka që mund të më jepte. Më dha mundësinë, edhe pse bashkë me të, erdhën edhe shumë vështirësi. Në Shqipëri gjeta jo vetëm suksesin, po mbi të gjitha gjeta qëllimin dhe përmbushjen njerëzore. Gjeta edhe dashurinë e jetës dhe krijova familjen time.

Ndaj në këtë përvjetor të eksodit shqiptar drejt Italisë, unë u jam më shumë se kurrë mirënjohës Shqipërisë dhe Italisë e ndihem më shumë se kurrë në borxh me të dyja. Gjithë jetën time do përpiqem t’u jap sa më shumë që të mundem! Veçanërisht Shqipërisë që ka më shumë nevojë se kurrë për të gjithë bijtë e saj, kudo që janë.

Akademiku Bahri Beci: Gjuha standarde ka qenë më shumë një gjuhë gazetash, ka qenë një ngurtësim

Akademiku Bahri Beci në 85-vjetorin e lindjes sjell librin e tij “Përjetime” 1936-2020, që shpërfaq udhëtimin e tij në jetë dhe në karrierë dhe kokëfortësinë e një gjuhëtari të çartur që nuk ka ngurruar të kundërshtojë në çdo kohë sikundër të hapë mendjen duke çmuar lirinë e njeriut.

“Në këtë libër është e vërteta e një jetë e një kohe, nuk paraqet vetëm jetën time, por edhe mentalitetin. Ishte krijuar njeriu ideologjik, që është e keqja më e madhe e këtij vendi në të dyja kohët”, tha profesori.

Përmes publicistikës, ai sjell datat vendimtare të kulturës nga Kongresi i Manastirit që dha një gjuhë zyrtare deri te ai i Drejtshkrimit që dha një gjuhë letrare, duke ngërthyer në to, qasjen tonë ndaj botës dhe ngurtësinë e panatyrshme të gjuhës që na u imponua sipas tij e qe mbetet vlere kombëtare.

“Unë nuk kam bërë ndonjëherë, refuzim, apo mohim të gjuhës letrare. Unë jam marrë me argumentet shkencore. Ajo ka qenë më shumë një gjuhë gazetash, një gjuhë burokratike, më shumë se një gjuhë letrare e mirëfilltë, e këtu përjashtoj shkrimtarin e madh Ismail Kadare, që, e kam pasur edhe shok fakulteti. Por ka qenë më shumë një gjuhë gazetash, ka qenë një ngurtësim”, tha profesori.

I cilësuar si Enfant Terrible, ai nuk kërkon të imponojë mendimin e tij, por do vetëm të tregojë se ka edhe një qasje si kjo. Koncepti frëng i fëmijës së tmerrshëm, i përkthyer, duket se nuk i shkon për shtat akademikut të qeshur dhe as burrit të urtë, por natyra e tij që nuk njeh kompromise e personifikon më së miri.

Marrëveshja Shqipëri-Turqi për arsimin- Nga bashkëpunimi për kurrikulat, tek binjakëzimet dhe futja e gjuhës turke në shkolla

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë për bashkëpunim në fushën e arsimit. Marrëveshja e nënshkruar mes ministres së Arsimit Sportit dhe Rinisë Evis Kushi dhe ministrit turk të Arsimit Kombëtar Ziya Selçuk më 6 janar në Ankara në tre gjuhë (shqip, anglisht dhe turqisht) e publikuar tashmë në fletoren zyrtare ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit, midis institucioneve përkatëse të të dy palëve, në fushën e arsimit, mbi bazën e barazisë dhe respektit reciprok, në përputhje me legjislacionet kombëtare të palëve dhe legjislacionin ndërkombëtar.

Marrëveshja mbetet në fuqi për një periudhë 5-vjeçare dhe do të zgjatet pas miratimit nga palët, përmes rrugëve diplomatike, për një periudhë 3-vjeçare.

Marrëveshja përcakton në parim se si do të nxitet bashkëpunimi mes dy vendeve në arsim, për shkëmbim eksperiencash, trajnime, kurse e binjakëzime. Po kështu parashikohet dhe nxitja e futjes së gjuhës turke në shkollat shqiptare dhe anasjelltas. Madje parashikohet dhe lëvizja e mësuesve si nga Shqipëria në drejtim të Turqisë dhe anasjelltas.

Fusha e bashkëpunimit

Palët do të promovojnë dhe nxisin bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit dhe botimeve shkencore në fushat e arsimit.
Po kështu do të nxisin shkëmbimin e akademikëve, ekspertëve të arsimit, mësuesve, administratorëve të institucioneve arsimore dhe nxënësve të arsimit të mesëm dhe studentëve të arsimit të lartë.

Marrëveshja do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave në fushën e arsimit të lartë, arsimit të mesëm, arsimit special, arsimit profesional dhe teknik, si dhe trajnimit të mësuesve dhe kualifikimit të mësuesve, organizimin e programeve të trajnimit, duke zbatuar projekte të përbashkëta;

Shkëmbimin e përvojave në fushën e teknologjive të reja të aplikuara në arsim.
Shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit të kurrikulës;
Shkëmbimin e programeve të zhvillimit profesional për administratorët, mësuesit dhe personelin në fushën e arsimit;
Kryerjen e hulumtimeve dhe kërkimeve të përbashkëta në fushën e arsimit;
Shkëmbimin e informacionit, në mënyrë reciproke, lidhur me sistemet e matjes dhe vlerësimit të zbatuara në të dy vendet;

Shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet;
Inkurajimin reciprok të pjesëmarrjes së studentëve në konkurset shkencore dhe kulturore të organizuara në të dy vendet;

Promovimin e bashkëpunimit për zhvillimin e programeve të përbashkëta, marrëdhënieve binjakëzuese të shkollave dhe aktiviteteve të studentëve, midis institucioneve përkatëse arsimore të palëve;

Inkurajimin për pjesëmarrje të ndërsjellë në aktivitete, të tilla si: seminare, ekspozita, konferenca dhe studime shkencore etj., në fushën e arsimit.

Mësimdhënia dhe nxënia e gjuhëve zyrtare
Një tjetër pjesë e rëndësishme e marrëveshjes parashikon dhe futjen e gjuhës turke në shkollat shqiptare dhe gjuhës shqipe në shkollat turke. “Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor”.

Në marrëveshje thuhet se “pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke”.

Po kështu pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.

 

Personeli arsimor

Palët do të lehtësojnë shkëmbimin e mësuesve dhe akademikëve në vendet e njëri-tjetrit për të mësuar gjuhët zyrtare, brenda kuadrit të legjislacioneve të tyre kombëtare, dhe do të informojnë palën pritëse përmes rrugëve diplomatike.

Palët do të lehtësojnë procedurat e dhënies së vizave, lejeve të qëndrimit dhe të punës për mësuesit dhe akademikët e caktuar, si dhe anëtarët e familjeve të tyre brenda objektit të kësaj marrëveshjeje.

Bursat
Palët, çdo vit, do të japin reciprokisht bursa për kurse gjuhe, arsim të lartë dhe kërkime, duke marrë në konsideratë fushat e nevojshme dhe brenda kufijve të mundësive të tyre financiare. Numri i bursave dhe kushteve, lidhur me bursat, do t’i nënshtrohen legjislacionit përkatës të palëve.

Procedurat e aplikimit, përzgjedhjes dhe përcaktimit të kandidatëve për arsim të lartë dhe studiuesve, të cilët janë shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe do të bëhen bursistë në Turqi, do të kryhen brenda kuadrit të legjislacionit turk për bursat duke informuar Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet rrugëve diplomatike.

Pala shqiptare do të japë bursa për studentët turq brenda kufijve të mundësive financiare. Procedurat e aplikimit, përzgjedhjes dhe përcaktimit të kandidatëve për arsim të lartë dhe studiuesve të cilët janë shtetas të Republikës së Turqisë dhe do të bëhen bursistë në Shqipëri, do të kryhen brenda kuadrit të legjislacionit shqiptar për bursat duke informuar Ministrinë e Arsimit Kombëtar të Republikës së Turqisë, nëpërmjet rrugëve diplomatike.

Palët, në përputhje me legjislacionet e tyre të brendshme, do të sigurojnë mundësi për studentët që dëshirojnë të studiojnë në vendin e palës tjetër, me shpenzimet e tyre.

Palët do të marrin masat e nevojshme për të lehtësuar zgjidhjen e problemeve të studentëve që studiojnë me të ardhurat e tyre dhe studentëve bursistë, si dhe studiuesve në vendet e tyre. Neni 6 Grupi i Punës i Përbashkët Arsimor

Palët do të krijojnë një Grup Pune të Përbashkët për Arsimin në mënyrë që të lehtësojnë zbatimin, mbikëqyrjen dhe vlerësimin e kësaj marrëveshjeje përmes dërgimit periodik të raporteve drejtuar institucioneve përkatëse.

Grupi i Punës i Përbashkët i Arsimit do të bashkëkryesohet nga ministrat e arsimit të palëve ose zyrtarë të lartë të autorizuar. Përfaqësuesit e institucioneve përkatëse do të takohen një herë në dy vjet ose nëse është e nevojshme, me kërkesë të njërës prej palëve, ose në Turqi ose në Shqipëri.

Nëse palët nuk mund të mblidhen në një takim, do të shkëmbehen dokumente në vend të takimit.

Ekuivalentimi i diplomës
Palët do të shkëmbejnë informacionin dhe dokumentacionin përkatës, lidhur me sistemet e tyre përkatëse të arsimit, nëpërmjet autoriteteve të tyre kompetente për njohjen reciproke dhe ekuivalentimin e vlerësimeve, transkripteve, dëftesave arsimore, tërheqjen e dëftesave, titujve dhe diplomave të lëshuara në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe arsimin e lartë, si edhe do të bashkëpunojnë në këtë drejtim, kur është e nevojshme.

Institucionet arsimore dhe kulturore
Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, palët, nëpërmjet grupit të punës së nivelit të lartë, do të hartojnë rregullore administrative, përfshirë protokollet e shtetit pritës, me agjencitë, institucionet dhe shoqatat e palës tjetër, përgjegjës për edukimin, kulturën dhe trajnimin. Neni 9 Mbrojtja e të drejtës së autorit dhe të drejtave të pronësisë intelektuale Palët do të mbrojnë të drejtat e tyre të pronësisë intelektuale, të krijuara dhe të përdorura brenda kuadrit të bashkëpunimit të kësaj marrëveshjeje, në përputhje me legjislacionet e tyre kombëtare dhe traktatet ndërkombëtare të cilat ato kanë nënshkruar. Sipas kësaj marrëveshjeje, pronësia intelektuale kuptohet sipas shpjegimit të dhënë në nenin 2, të Konventës për Themelimin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, në Stokholm, më 14 korrik 1967. bw

COVID 19, Shqipëria mund të shohë për vaksina kineze apo ruse

Armand Mero

Në përpjekje për të siguruar një mbrojtje masive të popullatës ndaj koronavirusit, Shqipëria mund të shohë edhe për përdorimin e vaksinave kineze apo ruse. Të paktën këtë la të kuptohej dje kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate në Bruksel kur tha se vendi i tij po sheh përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave, ndërsa sot ai nuk e mohoi një mundësi të tillë, por evitoi të jepte shpjegime të mëtejshme. Deri më tani Shqipëria ka bërë mbi 14 mijë vaksina. Autoritetet kanë deklaruar se kanë siguruar një furnzim periodik nga Pfizer & BioNTech, ndërsa Covax njoftoi sot se deri në maj Shqipërisë do t’i jepen 120 mijë doza të vaksinës Astrazeneca.

Në një kohë kur masat shtrënguese nuk po japin efektet e prtishme dhe situata e përhapjes së Koronavirusit vijon të jetë shqetësuese, procesi i vaksinimit mbetet mekanizmi më i sigurt për të luftuar pandeminë.

Kryeministri Edi Rama tha sot se ëndrra dhe ambicia e tij është që “ne të kemi një fushatë intensive vaksinimi për ta lehtësuar maksimalisht sezonin turistik dhe për ta promovuar Shqipërinë si një vend me rrezikshmëri shumë të ulët në raport me virusin, si rezultat i një fushate intensive që do këpusë shumë hallka të zinxhit të infektimit”.

Zoti Rama megjithatë pranoi se gjithshka do të varet nga sasitë e vaksinave që vendi do të mund të garantojë: “Faktikisht është një bast shumë i madh përsa kohë duhen siguruar sasitë e vaksinave dhe nuk është aspak gjëja më e lehtë që mund të bëhet sot, është gjëja më e vështirë”.

E duket se pikërisht vështirësia për të siguruar vaksinat që deri më tani janë miratuar nga autoritetet e specializuara amerikane dhe europiane, mund të çojë Shqipërinë që të hedhë sytë dhe nga prodhimet kineze apo ruse, ndonëse deri pak më parë kjo mundësi ishte përjashtuar.

Dje në Bruksel, ku ndodhej për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asocimit BE- Shqipëri, çështja e vaksinave, siç pohoi dhe vetë Kryeministri, kishte qenë një temë e diskutuar gjatë. Në konferencën e shtypit me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikën e Jashtme, zoti Rama la të kuptohej qartë se po sheh dhe për mundësi të tjera vaksinash. “Edhe pse nuk qe zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave”, deklaroi zoti Rama.

Ndërsa sot, i pyetur rreth kësaj deklarate, dhe faktit nëse kishin nisur kontakte konkrete për vaksina kineze apo ruse, kryeministri nuk e mohoi duke zgjedhur të mos jepte shpjegime të mëtejshme. “Do më lejoni të mos bëj asnjë koment”, u përgjigj zoti Rama.

Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare Shqipëria ka bërë pak më shumë se 15 mijë vaksina. Mbi 32 mijë doza të Pfizer-it kanë mbërritur në vend, ndërsa pritet një furnizim periodik me disa dhjetra mijëra doza të tjera po të vaksinës Pfizer dhe në muajt në vazhdim.

Sot mekanizimi COVAX njoftoi se deri në Maj Shqipëria do të marrë mbi 140 mijë doza të Astrazeneca-s. Sipas autoriteteve një sasi prej më shumë se 14 mijë dozash të kësaj vaksine pritet të mbërrijë brenda 15 marsit.

Vetëm një kandidaturë zyrtare për kryetar të LDK-së

Shkumbin Ahmetxhekaj

Dy javë para kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku pritet zgjedhja e kryetarit të ri të kësaj partie, vetëm ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Anton Quni, ka rikonfirmuar qëllimin për të marrë timonin e partisë. Kandidatët e tjerë të përfolur nuk kanë konfirmuar zyrtarisht kandidaturat.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka vendosur ta thërrasë kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, për të ofruar dorëheqjen nga ky post, vendim ky që pasoi rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Në bazë të rezultateve aktuale, LDK-së i janë përgjysmuar votat që nga zgjedhjet e 6 tetorit, 2019.

Kush janë pretendentët kryesorë?

Anton Quni e Lutfi Haziri janë të vetmit që nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të jenë kandidatë për të marrë drejtimin e partisë.

Anton Quni të hënën rikonformoi për Radion Evropa e Lirë se do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.

“Do të jem pjesë e garës për kryetar të LDK-së”, tha Quni.

“Për këtë vendim e kam njoftuar edhe kryesinë e partisë dhe tani pres që të vazhdohet me procesin”, deklaroi Quni.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Lutfi Haziri, që është edhe kryetar i Gjilanit, ka thënë se asgjë nuk është përfundimtare.

“Ende nuk jam kandidat zyrtarisht. Vendimin për këtë do ta marr pas një jave”, tha Haziri.

Përkrahje për kandidaturën e Hazirit po ofrojnë edhe strukturat lokale të LDK-së nga Anamorava. Disa nga ta, duke përfshirë edhe nënkryetarin e degës së LDK-së në Gjilan, Imet Rrahmani, kanë postuar në rrjetet sociale një përshëndetje për simpatizantët e partisë me një fotografi të Lufti Hazirit.

Anëtarë të kryesisë dhe degëve të LDK-së kanë përmendur edhe emrin e Kujtim Shalës, por ky i fundit asnjëherë deri më tash nuk është deklaruar nëse do të jetë pjesë e garës. Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të kontaktojë me Shalën, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, që është pjesë e kryesisë së LDK-së, po ashtu ka publikuar një fotografi me mesazh në rrjetet sociale, përkrah Kujtim Shalës.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri konfirmoi për REL se nuk do të jetë pjesë e garës për kryetar të LDK-së. Muhaxheri, i cili është edhe anëtar i kryesisë së partisë, vlerëson se gara është përcaktuar në kuadër të zgjedhjeve parlamentare.

“Unë besoj që elektorati e ka përcaktuar me votën e tij se kush mund të jenë ata persona që mund të vijnë në krye të LDK-së dhe mendoj se mesazhi është kuptuar mirë edhe nga kryesia e LDK-së, por edhe nga vetë anëtarësia”, tha Muhaxheri.

Megjithatë, ai preferon që në garë të ketë më shumë kandidatë dhe që kryetari i ri të zgjidhet me votë të fshehtë.

Muhaxheri nuk tregoi se kë e favorizon në këtë garë.

“Ne do të mbajmë mbledhje te degës së Pejës. Do të shohim se kush do të jetë kandidat dhe kë do ta votojmë si degë”, tha Muhaxhiri.

“Nëse (kryesia e re) e lexon mirë mesazhin që e ka marr, LDK-ja do të mund të kthehet shumë fuqishëm në zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e tjera nacionale”, shtoi ai.

Si zgjidhet kryetari i ri?

Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen në punimet e kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që “secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm”. Duke marr parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidatë potencialë i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në listën e kandidatëve për kryetar.

Por, në rast se kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për kryetar.

Në historinë e LDK-së, kjo është hera e parë që një kryetar jep dorëheqje. LDK-ja është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugova (bashkëthemelues i partisë), Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa.

Bilanci i zi i muajit shkurt në Shqipëri, COVID u mori jetën 397 qytetarëve

Shifrat e shkurtit kanë qenë të frikshme në Shqipëri.

Koronavirusi në shkurt u ka marrë jetën 397 qytetarëve, shifra të frikshme nga sëmundja që sa vjen dhe po bëhet edhe më agresive.

6 shkurti shënoi rekordin e testimeve me 4539 teste brenda 24 orëve.

Tre ditë më pas u shënua numri më i lartë i infektimeve, 1239.

Ndërsa rekordi i viktimave u regjistrua dy ditë më parë, 21 humbje jete. Analiza e shifrave e bën më të rëndë situatën, pasi nga java në javë numri i viktimave ka ardhur në rritje, shkruan Abcnews.al.

Kështu në javën e parë u shënuan 80 viktima, në të dytën 95, në të tretën 111 dhe java e katërt ende pa u mbyll ka regjistruar deri tani 111 fatalitete.

Trendi është në rritje dhe mjaft shqetësues, por Komiteti Teknik këtë javë vendosi të mos ndryshonte masat.

Megjithatë ka paralajmëruar një mbledhje të hënën ku pritet shtrëngim i masave.

Deri tani-Bilanci nga COVID-19, Muaji shkurt

1 shkurt-2960 testime, 498 të shëruar, 865 raste të reja dhe 13 humbje jete

2 shkurt-3856 testime, 455 të shëruar, 942 raste të reja dhe 5 humbje jete

3 shkurt-3849 testime, 581 të shëruar, 1007 raste të reja dhe 6 humbje jete

4 shkurt-3974 testime, 585 të shëruar, 1052 raste të reja dhe 14 humbje jete

5 shkurt-4270 testime, 676 të shëruar, 1089 raste të reja dhe 15 humbje jete

6 shkurt-4539 testime, 656 të shëruar, 1130 raste të reja dhe 13 humbje jete

7 shkurt-4254 testime, 569 të shëruar, 1124  raste të reja dhe 14 humbje jete

 7209 raste                      80 viktima

…………………………………………………………………………………………………………….

8 shkurt-3485 testime, 684 të shëruar, 953 raste të reja dhe 12 humbje jete

9 shkurt-4562 testime, 805 të shëruar, 1239 raste të reja dhe 16 humbje jete

10 shkurt-4083 testime, 683 të shëruar, 1143 raste të reja dhe 15 humbje jete

11 shkurt-4092 testime, 746 të shëruar, 1105 raste të reja dhe 14 humbje jete

12 shkurt-3982 testime, 881 të shëruar, 1059 raste të reja dhe 14 humbje jete

13 shkurt-3994 testime, 740 të shëruar, 1152 raste të reja dhe 12 humbje jete

14 shkurt- 3885 testime, 781 të shëruar, 1088 raste të reja dhe 12 humbje jete

7739 raste                      95 viktima

………………………………………………………………………………………………………………..

15 shkurt-3885 testime, 781 të shëruar, 1088 raste të reja dhe 12 humbje jete

16 shkurt-3842 testime, 1058 të shëruar, 801 raste të reja dhe 15 humbje jete

17 shkurt-3901 testime, 890 të shëruar, 1075 raste të reja dhe 18 humbje jete

18 shkurt-3935 testime, 991 të shëruar, 1112 raste të reja dhe 17 humbje jete

19 shkurt-3848 testime, 930 të shëruar, 1071 raste të reja dhe 19 humbje jete

20 shkurt-3975 testime, 928 të shëruar, 1153 raste të reja dhe 17 humbje jete

21 shkurt-4013 testime, 796 të shëruar, 1184 raste të reja dhe 13 humbje jete

7484 raste                       111 viktima

……………………………………………………………………………………………………………..

22 shkurt-3975 testime, 928 të shëruar, 1153 raste të reja dhe 17 humbje jete

23 shkurt-3998 testime, 1085 të shëruar, 1021 raste të reja dhe 15 humbje jete

24 shkurt-3897 testime, 906 të shëruar, 1021 raste të reja dhe 19 humbje jete

25 shkurt-3691 testime, 849 të shëruar, 986 raste të reja dhe 21 humbje jete

26 shkurt-3689 testime, 849 të shëruar, 916 raste të reja dhe 20 humbje jete

27 shkurt-3957 testime, 962 të shëruar, 986 raste të reja dhe 19 humbje jete

6083 raste                   111 viktima

Shkrimtarja e njohur Mira Meksi në luftë me një sëmundje të rëndë, i ndalohet kurimi jashtë pa bërë vaksinën anti-Covid

TIRANË

Teksa prej më shumë se një viti koronavirusi është kthyer në temën kryesore, duke rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve, qytetarë, institucione e politikë, ka edhe mjaft njerëz, të thjeshtë apo figura të njohura, që po luftojnë me sëmundje të tjera të rënda.

I tillë është edhe rasti i shkrimtares së njohur shqiptare, Mira Meksi, e cila po përballet në heshtje me një sëmundje të rëndë. Por, sikur të mos mjaftonte sëmundja, pandemia e Covid-19 ja ka bërë akoma më të vështirë këtë betejë shkrimtares së njohur dhe vlerësuar me mjaft çmime prestigjioze shqiptare e të huaja.

“BalkanWeb” mëson se Meksi është operuar me sëmundje të rëndë dhe i duhet të shkojë jashtë shtetit për kurim, terapi dhe shërbim mjekësor më të specializuar, por një gjë të tillë nuk ja lejon mjeku.

Ky i fundit ja ka ndaluar udhëtimin jashtë shkrimtares, pa bërë më parë vaksinën kundër Covid-19, pasi rrezikon edhe nga virusi i rrezikshëm, që po merr mijëra jetë njerëzish. Por kolegë dhe të afërm të shkrimtares apelojnë për vaksinimin e saj, në mënyrë që t’i krijohet mundësia për kurim jashtë.

Kujtojmë se në që prej disa javësh në vendin tonë ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit, konkretisht te bluzat e bardha dhe te të moshuarit.

Donika Gërvalla tregon nëse Vjosa Osmani dhe Lista e saj do t’i kthehen LDKsë

Donika Gërvalla thotë se nuk ka asnjë mundësi që Vjosa Osmani dhe Lista e saj të rikthehen në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pas humbjes së LDK’së në zgjedhjet e 14 shkurtit, i pari i LDK’së, Isa Mustafa njoftoi dorëheqjen por kjo nuk e bind Gërvallën se LDK do të reformohet.

“Ai (Mustafa) nuk ka dhënë dorëheqje. Ai tha se në Kuvendin e ardhshëm do të ofrojë dorëheqjen si kryetar i LDK’së. Sepse nuk duan të japin nga dora mundësinë për të manipuluar Kuvendin e ardhshëm zgjedhor”, tha Gërvalla për KTV’në.

“Çfarë ka ndodhur është përsëri një tentim për mashtrim, për t’i përgatitur zgjedhjet e ardhshme dhe për të instaluar pikërisht persona për të cilët janë të bindur që nuk kanë për të pasur asnjë kundërshtim”, theksoi ajo.

“Nuk ka asnjë hapësirë për ne në kuadër të LDK’së . Unë kam dalë e zonjën Osmani e kanë nxjerr me zor nga LDK’ja. Zonja Osmani nuk e ka lëshuar LDK’në por e kanë përjashtuar si frikacakë, si qyqarë. E kanë përjashtuar me do votime me email”, theksoi Gërvalla.

“Është tërësisht e pamundur. Për katër vitet e ardhshme ne do të qeverisim me listën e VV’së si partnerë”, shtoi ajo.

Pasuria e Edi Ramës nga 2003 deri 2018 u rrit 16 herë

Edi Rama është prej tetë vitesh kryeministër i Shqipërisë dhe kërkon një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Rama ka pasur një karrierë të larmishme përpara përfshirjes në politikë. Ai ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, publicist si dhe  autor i dy librave; “Refleksione” së bashku me Ardian Klosin dhe “Kurbani”.

Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen e viteve ‘90 që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një ndër zërat e spikatur publikë. Pas një largimi disavjeçar jashtë Shqipërisë, Rama hyri në politikë si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e kryeministrit Fatos Nano në vitin 1998.

Rama u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2000 dhe e drejtoi kryeqytetin për 11 vite radhazi. Ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në vitin 2005 dhe e drejton atë prej 16 vitesh.

Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së kryeministrit Edi Rama nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryeministri Edi Rama nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Rama deklaron pasuri me vlerë 6 milionë lekë dhe deri në fund të vitit 2018, pasuria familjare ka shënuar rritje me 16 herë, duke kapur vlerën e 100 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2018, pasuria familjare e Z. Rama përbëhet nga 73 milionë lekë pasuri të patundshme, 17.2 milionë lekë likujditete bankare, huadhënie prej 9.7 milionë lekësh, automjet me vlerë 400 mijë lekë si gjendje cash prej 182 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 94.3 milionë lekë, nga të cilat paga e Z.Rama është në masën 27% dhe të ardhurat nga puna e bashkëshortes 38%. Rreth 16% e të ardhurave kanë si burim qiratë, 9.5% punën artistike të Z.Rama dhe shitjen e librit “Kurban” si dhe 8% kanë si burim të ardhurat e krijuara nga i biri nga shitja e veprave të artit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Në periudhën 2003-2018, Edi Rama ka shkëputje nga funksioni publik dhe detyrimi ligjor për të deklaruar pasurinë nga  korriku 2011 deri në shtator 2013. Pas zgjedhjes si kryeministër, Rama dhe bashkëshortja e tij rideklarojnë pasurinë e plotë në tetor 2013, e cila është shtuar me 44,736,099 lekë krahasuar me vitin 2011. Ndërkohë, burimet e deklaruara në rubrikat përkatëse janë të pamjaftueshme për të mbuluar shtesën e aseteve në shumën 29,641,593 lekë.

Shtëpia e banimit në komunën Dajt në bashkëpronësi me bashkëshorten është deklaruar për herë të parë në vitin 2013 me vlerë 39,607,741 lekë dhe përbën zërin kryesor në shtesën e aseteve. Rama deklaron se ka dorëzuar në ILDKPKI  dokumente shtesë si leje ndërtimi dhe dokumente mbështetëse për burimin e krijimit, të cilat BIRN nuk i disponon, por në rubrikat përkatëse të formularit nuk rezulton burimi i krijimit të kësaj pasurie.

Në tetor 2013, subjekti deklaron se ka një detyrim të pashlyer për shtëpinë ndaj shoqërisë së ndërtimit në shumën 12,056,241 lekë “në pritje të miratimit të një kredie bankare”. Kredia bankare me vlerë 80,000 euro është lëvruar më 22 tetor 2013, me afat shlyerje 10 vjet.

Në analizën statistikore të pasurisë janë përfshirë edhe dy huadhënie të deklaruara nga Linda Rama në vitin 2010, në vlerat 30 mijë euro dhe 40 mijë euro. Këto hua nuk deklarohet të jenë kthyer deri në fund të vitit 2018.

Në vitin 2012, Z.Rama ka bërë rivlerësimin e një apartamenti banimi ‘parafabrikat 1 + 1, me sip 59 m2’, i përfituar nga privatizimi, sipas çmimit fiskal në vlerën 5,422,000 lekë. Apartamenti është shitur në vitin 2017 në shumën 5,000,000 lekë.

Shqipëri: Organizatat rinore, të shqetësuara për emigrimin e rinisë

Ilirian Agolli

Në Tiranë, organizatat rinore po monitorojnë pikëpamjet e grupmoshave të reja dhe protestojnë për premtimet e pambajtura ndaj të rinjve, pjesa më e madhe e të cilëve mendojnë të emigrojnë dhe ankohen për papunësinë apo mungesën e perspektivës.

Nga ana tjetër rrjetet rinore po ndjekin nga afër edhe premtimet e reja për rininë, që partitë politike po shprehin në prag të fushatës së re zgjedhore.

Organizata rinore Qëndresa Qytetare monitoron në vazhdimësi premtimet elektorale për rininë në 4 vjetët e fundit, planin e veprimit për arsimin dhe rininë dhe vecanërisht premtimet e të ahstuquajturit Pakti për universitetin, i cili u hartua gjatë protestave studentore dy vjet më parë.

Përfaqësuesi i kësaj organizate rinore, Rigels Xhemollari, thotë se bursat dhe tarifat në universitete janë përmirësuar, por nuk është bërë asgjë për anti-plagjiaturën, për vetingun e gradave shkencore të pedagogëve, cilësinë e mësimdhënies, transparencën dhe llogaridhënien.

Ende nuk ka një buxhet të kushtuar rinisë, nuk ka 12 qendra rinore në 12 qarqe, e aq më pak nuk qendra rinore në çdo njësi administrative, tha ai.

“Tendenca e të rinjve për të emigruar nuk është thjesht çështje e politikave rinore, por dukuri e përgjithshme e situatës në Shqipëri. Kur ne i pyetëm të rinjtë pse emigrojnë, ata pohojnë se arsyeja kryesore është se nuk gjejnë dot një vend pune, se këtu ka korrupsion, se nuk ka meritokraci, nuk ka një terren apo një mjedis të favorshëm për të rinjtë. Së pari duhet një buxhet për rininë, duhet investim për rininë” – thotë zoti Xhemollari.

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë zhvillon në mënyrë periodike konsultime dhe anketa grupmoshat e reja në të gjithë vendin dhe harton rregullisht raportin “Rinia në Shqipëri”.

Përfaqësuesja e kësaj organizate, Ervjola Osmanaj, thotë se në pjesën dërrmuese të rinjtë përmendin si problem kryesor papunësinë masive në radhët e tyre.

Po aq masiv është edhe mosbesimi ndaj partive; 35% e tyre thonë se i takojnë partitë një herë në 4 vjet për zgjedhje dhe mbi 60 % thanë se nuk besojnë tek asnjë parti politike se do ta përmirësojnë jetën e tyre.

“Dëshira e të rinjve për t’u larguar nga vendi është bërë problem kryesor. Mbi 79 për qind e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria për të mos u kthyer më këtu. Mbi 30 për qind e të rinjve që kanë përfunduar të paktën një cikël studimesh universitare bachelor po ashtu duan të largohen nga Shqipëria pa kthim. Kjo duhet të jetë një këmbanë alarmi për institucionet shtetërore dhe për partitë politike” – tha Osmanaj.

Mijëra studentë në universitetet publike të Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Korcës e Vlorës protestuan para ministrisë së arsimit dy vjet më parë, duke kërkuar uljen e tarifave për studimet, veting për pedagogët, dekanë dhe rektorë, goditjen e korrupsionit në universitete dhe përmirësim të kushteve të jetesës dhe studimeve.


Send this to a friend