VOAL

VOAL

Ish Oficeri i antidrogës Dritan Zagani: Shqipëria narkoshtet sepse trafikantët janë në pushtet & drejtojnë çdo gjë

Ish oficeri i antidrogës Dritan Zagani reagoi në emisionin e Cim Pekës duke debatuar me Alban Dudushin.

Zagani vuri theksin duke thënë se: “Politikën në Shqipëri e drejtojnë trafikantët e drogës…..Shqipëria është narkoshtet sepse trafikantët janë në pushtet dhe drejtojnë çdo gjë. Prokurori i antimafias të Katanzaros e ka thënë tekstualisht kështu: Bandat shqiptare të trafikut të drogës që kanë krijuar linjat e drejtë për drejta nga Amerika Latine, nga Qendrore deri në Jug direkt në Shqipëri të trafikut të kokainës janë fuqizuar së tepërmi sepse në Shqipëri jo vetëm që nuk luftohen, por mbështeten edhe politikisht.”

“Kush i mbështet bandat e drogës politikisht”, bëri pyetjen retorike ish oficeri i antidrogës Dritan Zagani duke iu drejtuar Alban Dudushit, “unë, ti, apo Edi Rama.”

Dhe në fund Zagani shtoi: “Narkoshtet do të thotë se trafikantët janë në shtet, në pushtet dhe drejtojnë çdo gjë, që e kanë mbjellë gjithë Shqipërinë me drogë dhe i drejton droga”.

Rama shpall krizën e jashtëzakonshme energjetike: rritje çmimesh të gazit, benzinës, naftës

Në një konferencë të jashtëzakonshme, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se një krizë energjitike sapo ka filluar.

Kjo sipas Ramës, ka rritur çmimin e produkteve si gazi, benzina apo nafta.

Rama është shprehur se kjo është një fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare.

“KRIZA E JASHTËZAKONSHME ENERGJITIKE një fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare, një tjetër sfidë e rëndë që nuk e kemi zgjedhur vetë, por të cilën do ta përballojmë ME VENDOSMËRI, BESIM, DURIM dhe SUKSES”, shkroi ai në Facebook.

“Kjo është kriza e jashtëzakonshme energjitike ku ka filluar të japë shenjat e parë. Në Kinë në SHBA, Britani e deri në vendet fqinje. Po rritet kudo tani më me orë. Ulja e temperaturave të motit po afron dhe rritet nevoja për ngrohje. Pas tragjedisë nga pandemia të cilës njerëzimi po paguan koston dhe janë rritur ndjeshëm falë vaksinimit masiv, Kjo krizë e re na vendos me detyrim me detyrim në një sprovë të re po aq të fortë sa tërmeti dhe pandemia.

Dukuria e rritje çmimi i gazit dhe rritja e çmimeve të tjera karburant qëndroi sot para të gjitha vendeve për një siluetë të vështirë që bota ka përpara. Rritja e kërkesës ka rritur edhe kërkesën. Duke vënë në vështirësi edhe kolosët prodhues. Edhe nga Kina rrezikon gjysmën e kapaciteteve. Kërkesa e lartë dhe oferta e pa mjaftueshme për gaz ka detyruar qeveritë të rriten çmimin. Është rritur çmimi i gazit me 200%. Çmimi ka shkuar nga 60 dollar për fuçi në 80 dollar. Dhe mund të arrijë deri në 100 dollar. Është thuajse trefishuar. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, ulja e temperaturave po afron nevojën për ngrohje. Rritja e çmimeve, të naftës, ushqimeve po qendrojnë si silueta. Dhe Shqipëria është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet.”, tha Rama.

Kreu i FRPD Shkodër, Bushati: Deri tani janë mbledhur 1400 firma, Kuvendi Kombëtar s’mund të pengohet

Kreu i Forumit Rinor të PD në Shkodër, Arvit Bushati shprehet se Kuvendi Kombëtar i PD do të mblidhet. 

I ftuar në studion e Syri Tv me gazetaren Eneida Ndoci, Bushati u shpreh se deri tani janë mbledhur 1400 firma nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në mbledhje të jashtëzakonshme.

Ai tha se mnbledhja e këtij forumi nuk mund të pengohet nga kryetari i PD, Lulzim Basha, nëse 1/4 e anëtarëve (1500 firma) japin firmat për një lëvizje të tillë.

“Mesa kam parë deri tani, njerëzit në masë po firmosin. Me sa jam informuar, janë 1400 veta të cilët kanë firmosur. Pra është pranë ¼ e anëtarëve të PD, 1500 firma për thirrjen e Kuvendit. PD meriton t’i ushtrohet të gjitha veprimeve demokratike. Nëse realisht mblidhen ato firma, drejt asaj rruge do të vazhdohet. Procesi është i pakundërshtueshëm“, u shpreh Bushati.

Kreu i të rinjve demokratë të Shkodrës tha gjithashtu se foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha do ta kthejë PD në identitet, duke e bërë më të fortë përballë mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.

Ish-kryeministrit Sali Berisha zhvilloi një ditë më parë foltoren e pestë në kuadër të lëvizjes për ndryshimin e Partisë Demokratike. Shkodranët i rezervuan një pritje entuziaste liderit historik të PD.

Pjesë nga intervista

Ka patur tentativa për të braktisur z.Berisha nga ana e deputetëve në këtë foltore nga Shkodra, duke qenë se nuk kemi parë asnjë figurë ditën e djeshme?
Nuk e komentoj në këtë lloj forme. Është zgjedhje e lirë e deputetëve të PD. Unë e shikoj shumë pozitive faktin që 70-80% e Kryesisë së degës së PD në Shkodër ishin prezentë, ishin dy nënkryetarët e degës, kryetarët e LDG-së, Forumi Rinor iu bë pjesë e takimit. Një trupë jashtëzakonisht e madhe zgjedhore ishte pjesë e takimit të Berishës.

E përçan disi PD-në kjo foltorje, apo edhe vetë deputetëve?
Unë nuk e kam besuar, as nuk e mendoj që kjo nismë përçan PD-në. Mendoj se është hapi i parë që demokratët të ketë ndërveprim të mendimeve të tyre, të ideve, për të shkuar te hapi i fundit që është një vendim i përbashkët. Nuk shërben kjo gjë për përçarje, sigurisht që ka ndikim te mjaft deputetë të cilët ndjehen të pavendosur, por kjo iu shërben demokratëve për të patur një marsh tjetër në të bërit opozitë në qëndrimet e tyre.

Si e shihni vendimin e Bashës për përjashtimin nga PD të liderit historik dhe themeluesit, Sali Berisha? Ju ka zhgënjyer ky vendim?
Z.Basha atë vendim e ka bërë publik dhe avokat më të mirë se ai për atë vendim nuk mund të ketë. Në vlerësimin tim, mund të kishte një zgjedhje tjetër, mund të përballej me një formë tjetër. Realisht nuk më pëlqen forma, por vendimi është i kryetarit të PD. Forma duhet të ishte në një mënyrë më gjithëpërfshirëse në mënyrë që demokratët të mos ishin tani përballë këtyre vendimeve dhe emocioneve.

Si e keni parë pritjen e rezervuar ditën e djeshme për z.Berisha?
Ishte pritje që nuk e kishim përjetuar nisur nga emocionet gjatë takimit. Kjo i atribuohet stofit të lidershipit që z.Berisha, dhe emocioneve që transmeton te njerëzit. PD e Shkodrën është një kolonë e fortë e PDSH-së. Demokratët e Shkodrës janë ndër më qëndrestarët nga demokratët e Shqipërisë.

Çfarë prisni nga ‘Foltorja’?
‘Foltorja’ është ai sheshi ku demokratët mund të ankohen. Dhe nesër nqs krijohet një organizëm tjetër ku demokratët mund të takohen dhe të diskutojnë, është hap i mirë për demokracinë e brendshme. PD ka disa nevoja, duhet kthimi në identitet, duhet të jemi më të vëmendshëm me meritokracinë dhe me përfundimin e kësaj situate ne realisht duhet të jemi më të fortë dhe më të bashkuar kundrejt Edi Ramës.

Ditën e djeshme vetë z.Berisha ka ftuar delegatët e Shkodrës për të firmosur thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, mendoni se do të arrihet kjo gjë?
Mesa kam parë deri tani njerëzit në masë po firmosin. Me sa jam informuar, janë 1400 veta të cilët kanë firmosur. Pra është pranë ¼ e anëtarëve të PD, 1500 firma për thirrjen e Kuvendit.

Si është pritur vendimi i Bashës te rinia shkodrane? Ka qenë një vendim i papritur apo mund të pritej nga rinia e Shkodrës?
Ka pasur dyshime, që nga data 20 maj kur Berisha u shpall non grata, por demokratët shkodranë nuk e kanë pritur këtë vendim. Është e drejtë e z.Berisha rruga që po ndjek për identitetin e tij. PD duhet të kishte qëndruar më e fortë përkundrejt këtyre veprimeve.

Mendoni se PD aktualisht gjendet në krizë?
Besoj një teori që sa më shumë të ketë ide për të kundërshtuar njëra-tjetrën, përfundimi do të jetë realisht produktiv për ne. Gjykoj që në fund do të shkojmë drejt një procesi final dhe do të përfundojë me pozita dominuese në politikën shqiptare. Unë iu bashkova foltores pasio mendoj se realisht në PD ka ardhur koha që të shtrohen disa diskutime përtej zotit Berisha apo zotit Basha. Unë rrugëtimin tim politik e kam bërë përkrah zotit Basha, por ndoshta qëndrimet dhe bindjet e demokratëve kanë qenë ndryshe, por tashmë është koha për një diskutim mes nesh se cilat do të jenë ato mënyra apo politika që do të ndjekim. Demokratët duan që ne të kemi një rezultat tjetër. 2025 është e largët për të ardhur në pushtet dhe ne duhet të gjejmë mënyra, duhen shtruar në diskutim, sepse demokratët nuk mund të presin kaq gjatë që PD të jetë në qeveri. Ndaj duhet të ndërveprojmë me njëri-tjetrin, a zgjedhim foltoren, apo një diskutim tjetër, kjo është zgjedhje personale e gjithsecilit.

Z.Basha ka thënë se s’do të ketë kurrë një Kuvend Kombëtar, si e komentoni?
PD meriton t’i ushtrohet të gjitha veprimeve demokratike. Nëse realisht mblidhen ato firma, drejt asaj rruge do të vazhdohet. Procesi është i pakundërshtueshëm.

Mendoni se duhet të largohet Basha nga PD?
Ne duhet t’i ezaurojmë të gjitha etapat. Të marrim për bazë vullnetin e të gjithë demokratëve. A duhet të japë dorëheqjen? Këtë duhet ta vendosin demokratët.

Shehaj: Porti i Vlorës u fal pa garë, i riu do kushtojë 60 milionë euro nga taksat e shqiptarëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka denoncuar aferat korruptive në Portin e Vlorës.

Sipas tij, qeveria po prish portin e mallrave në qytetin bregdetar, sepse tokën ku ndodhet porti do t’ia falë ortakëve të kryeministrit për të ndërtuar aty kulla dhe një port turistik jahtesh.

Statusi i plotë i Agron Shehajt

Mandati i tretë i Edi Ramës po nis ashtu siç përfunduan dy të parët. Me koncesione për klientët e qeverisë, që paguhen shtrenjtë nga qytetarët dhe tjetërsim të pronës publike. Afera e radhës është në Vlorë, përmes një skeme absurde, pa llogjikë ekonomike dhe qartazi korruptive.

Qeveria po prish portin e mallrave në Vlorë sepse tokën ku ndodhet porti do t’ia falë ortakëve të Kryeministrit për të ndërtuar aty kulla dhe një port turistik jahtesh.

Por meqë porti i mallrave po prishet, qeveria do ta ndërtojë me koncesion duke e zhvendosur në zonën e Triportit.

Por sa do paguajnë qytetarët shqiptarë për këtë aferë të qeverisë? E para koncesionarëve të portit turistik do t’u jepet 50 mijë metër tokë shtetërore FALAS në vendin ku sot është porti tregtar. E dyta, qytetarët shqiptarë do të paguajnë nje vlere e parashikuar prej 60 milionë euro për të ndërtuar portin e ri tregtar në Triport.

Pra privatët do të ndërtojnë kulla dhe portin turistik mbi tokë të falur publike në një nga vendet më të mira të Vlorës dhe do fitojnë para. Ndërsa qytetarët shqiptarë do të paguajnë perreth 60 milionë euro për ndërtimin me koncesion të portit të ri të mallrave në zonën e Triportit.

Tenderi për koncesionin e portit të mallrave është zhvilluar një ditë më parë. Klienti i radhës së qeverisë do të dalë ditët në vijim, duke përmbyllur kështu aferën e radhë, këtë herë me kosto të dyfishtë për qytetarët shqiptarë, të cilëve do u merret toka publike dhe do u ngarkohet fatura prej rreth 60 milionë euro.

Është mëse e drejtë që zona ku ndodhet porti të rikualifikohet dhe modernizohet, por jo nëpërmjet tjetërsimit të pronës publike, pa garë dhe në mënyrë korruptive.

Shqipëria është e varfër sepse është një nga vendet më të korruptuara në Europë. Vetëm një qeveri e pakorruptuar mund të sjellë mundësi dhe mirëqënie për të gjithë, jo vetëm për disa.

Emrat- Deputetët demokratë që Berisha i mori Bashës

Jo thjesht thelbi i vendimmarrjes së diktuar nga të huajt, por edhe mënyra e beftë se si Berisha u shpall i përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ngjalli pakënaqësi dhe acarim mes demokratëve. Reagimi i militantëve qe impulsiv dhe u pa të nesërmen në mengjes, kur disa prej tyre iu kundëvunë Lulzim Bashës në oborrin e PD-së.

Në anën tjetër, Foltorja e Berishës po sheh një entuziasëm dhe energji që i kishte munguar takimeve të PD-së prej vitesh. Ajo që bie në sy që nga dita e parë është se demokratët që i përbetohen për besnikëri Berishës, po shtohen dhe bashkë me ta, edhe deputetët e PD-së.

Në Shkodër, nuk qe asnjë prej deputetëve të Partisë Demokratike të këtij qarku, megjithëse ishin aty një pjesë e mirë e ish drejtuesve të kësaj force politike ndër vite. Në takimin e Berishës ishin ish-deputetët e PD-së Aldo Bumçi dhe Gent Strazimiri. Mungonte kryetarja aktuale e Bashkisë, Voltana Ademi, por ishte nënkryetari Tonin Dedaj dhe ish-kryetarët e Bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka dhe Ormir Rusi. Në të njëjtën kohë mungonte Jozefina Topalli, por ishte vajza e saj Megi Topalli. Po ashtu, në takim ishin edhe pjesa më e madhe e kryetarëve të grup-seksioneve të PD-së.

Në po të njëjtën ditë, besnikërinë ndaj Berishës e konfirmoi deputeti i Korçës, Edmond Spaho i cili foli publikisht për bunkerizimin e PD-së. Spaho kërkoi hapje të Partisë dhe dëgjimin e antarësisë si rruga e vetme për të dalë nga kriza.

Pak ditë më parë ishte Oerd Bylykbashi që u shfaq në takimin e Foltores në Durrës, duke dalë publikisht në krah të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha. Në një status në Facebook, Bylykbashi sqaroi: Demokracia nuk mund të jetë ajo që mendon dhe vendos një individ për llogarinë e tij. Demokracia është ajo që vendosim sëbashku, mbi bazën e parimeve dhe rregullave që kemi miratuar sëbashku paraprakisht, jo mbi bazë rregullash të shpikura ad hoc. Përndryshe nuk është demokraci por autokraci.

Në Vlorë, ishte drejtuesi i qarkut, Bujar Leskaj që iu bashkua Foltores së Berishës. Leskaj nuk foli për mediat, por me praninë e tij në takim, u duk se e dha mesazhin për Lulzim Bashën, me të cilin kishte pasur pakënaqësi për listën e kandidatëve para zgjedhjeve.

Në Fier, ishte Luan Baçi që u bë pjesë e Foltores së Sali Berishës, që lëshoi akuzat e forta për kryetarin aktual, Lulzim Basha nën ovacionet e militantëve demokratë. Pas takimit, Baçi tha se do ta kishte bërë të njëjtin veprim edhe 100 herë të tjera, pasi nuk kishte qenë dakort me vendimin e Lulzim Bashës. “Veprova në atë mënyrë, do të veproja 100 herë ashtu po të kthehesha mbrapa. Kjo solli rezultat pozitiv. Baza në Fier, njerëzit nuk janë dele për të qenë në rresht. Nuk kanë mendimin të jenë pro Bashës dhe pro Berishës.

Si veprim, përjashtimi i Berishës nuk është pritur mirë. Është vendim i marrë personalisht, i pakonsultuar, nuk pritej nga anëtarësia. Kjo i ka shokuar dhe ka sjellë turbullim të madh tek anëtarësia. Do të ishte më mirë që të kishin funksionuar forumet, që mblidhen dhe vendosin. Nuk është pritur mirë” tha deputeti demokrat i Fierit.

Pas përjashtimit të Berishës nga grupi, dy deputetët më të vendosur për t’i dalë në krah atij, ishin Edi Paloka dhe Flamur Noka. Të dy këta e pritën poshtë shtëpisë Berishën, një ditë pas vendimit, duke dhënë mesazhin se do të qëndronin krah tij. Pak orë më pas përjashtimit, Berishës iu bashkua edhe Tritan Shehu.

Mbetet për t’u parë nëse procesi që Berisha po vë në lëvizje brenda Partisë Demokratike do t’ia dalë të largojë Lulzim Bashën, por në anën tjetër besnikët e kryetarit aktual janë nën një presion të fortë nga elektorati i PD-së që e ka të pamundur të pajtohet me shkuljen e Berishës nga selia blu./Lapsi.al

Skandali i patronazhistëve, SPAK: Nuk ka korrupsion aktiv në zgjedhje

Qindra-mijëra të dhëna personale të qytetarëve shqiptarë të cilat rruhen nga institucionet shtetërore u vunë në dispozicion të Partisë Socialiste në pushtet, me rastin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

Skandali u padit në SPAK nga opozita, por mësohet se kjo strukturë e drejtësisë vëren se listat e ‘patronazhistëve’ të PS, që nxitën debate para 25 prillit për të dhënat personale të banorëve të Tiranës, nuk ka elementë të veprës penale për korrupsion aktiv në zgjedhje. Burime për MCN, bëjnë me dije se nga hetimi nuk faktohet korrupsioni aktiv në zgjedhje.

“Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë moment, konstatohet se përgjatë gjithë kohës së kryerjes së këtij hetimi, nuk është mundësuar gjetja e asnjë të dhëne, prove apo indicie, që të jetë konsumuar vepra penale  korrupsionit aktiv në zgjedhje. Nuk rezulton që ndonjë veprim korruptiv konkret në fushën zgjedhore, të ketë lindur apo të ketë marrë jetë, si pasojë e të dhënave që janë pasqyruar në bazën e sipërcituar, të publikuar”.

Sipas SPAK nga tërësia e ankesave që kanë mbërritur në kuadrin e këtij procedimi penal, shqetësimi që ka karakterizuar këtë fenomen, ka të bëjë me përhapjen e të dhënave personale.

“Ajo që deri më tani mbështet në provat e administruara, ka të bëjë me faktin se ekziston dyshimi, se punonjës të cilët kanë mundësi aksesi në bazën e të dhënave shtetërore, mund të kenë keqpërdorur atributet që u janë ofruar nga kuadri ligjor rregullues, duke vepruar në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit. Për këtë arsye vlerësohet se duhet të procedohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës penale, nga ajo për të cilën ky procedim penal u regjistrua e konkretisht nga neni 328 i K.Penal në atë të parashikuar nga neni 192/b i K.Penal “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.”

Ja pse kam vendosur të mbështes ‘Foltoren’ – Nga Edmond Spaho, deputet i PD 

 

PD është në gjendje shumë kritike pas zgjedhjeve të 25 Prillit dhe zhvillimeve të mëvonshme. Bunkerizimi i Partisë është sëmundja më e rëndë që na ka zënë dhe për këtë fajtorë jemi të gjithë, ne që kemi drejtuar edhe më shumë.

Hapja e Partise, debati midis nesh, kolegjialiteti në vendimmarrje dhe veçanërisht dëgjimi i anëtarësisë janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe shpëtuar PD-në.

Janë këto arsyet që më shtyjnë të mbështes dhe marr pjesë në “Foltoren” e organizuar në qytete të ndryshme të vendit.

Unë “Foltoren” nuk e përkrah për emocion, por për idetë, frymën e lirisë që shpërndan dhe kohezionin. PD është aset i çmuar, që më së pari i përket demokratëve të çdo niveli, të cilët duhet të ndihen të përfaqësuar.

Të nderuar miq,

Mandati i tretë në opozitë për fat të keq ka nisur sipas shprehjes “sezoni i ri, avaz i vjetër”.

Kemi nevojë për një platforme të mirëmenduar se si do ta mundim Edi Ramën në zgjedhje. Platforma nuk imponohet, ajo diskutohet me ata që do e zbatojnë dhe më pas miratohet në organet drejtuese të PD. E njëjta gjë vlen dhe duhet zbatuar edhe për reformat që synohet të ndërmerren.

Në këto kohë të vështira, PD më shumë se gjithçka, ka nevojë për lidership. Lidershipi duhet t’i dalë për zot sfidave, të mbrojë vendimet që merr dhe të jetë në krye të anëtarësisë për t’i çuar ata në fitore.

PD duhet të përmirësojë thellësisht organizimin e saj. Ne nuk mund të kthehemi në pushtet me degë pa kryetarë, me kryetarë pa ushtarë apo me ushtarë të lënë të demoralizuar, të braktisur apo të vetmuar nga humbja e 25 Prillit. Strukturat e PD nuk mund t’i thërrasim vetëm për zgjedhje të përgjithshme, vendore apo partiake.

Ne kemi nevoje të rikonceptojmë marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtare. Për këtë duhet të pranojmë gabimet që kemi bërë vitet e fundit. Miqësia me ta nuk mund të jetë konjukturale apo e interesave të çastit. Partia Demokratike u themelua nga themeluesit e saj si pro-amerikane, ka jetuar si e tillë dhe do të jetë edhe në të ardhmen pro-amerikane.

Gjithçka për një PD të bashkuar, të fortë e të hapur për të garantuar fitoren e saj dhe qytetarëve shqiptarë.

NTM Princ Leka vizitë zyrtare në Hungari – me interesimin e Hungarisë në Tiranë Statujë për Mbretëreshën Geraldinë

NTM Princ Leka ishte për vizitë zyrtare në Hungari. Në faqen zyrtare të Oborrit Mbretëror shqiptar, Princ Leka Official, shkruhet se pati takime me personalitete të ndryshme botërore si Princ Michael of Kent, HRH Fahad Al-Thani etj. Ai gjithashtu mori pjesë në mbrëmjen gala të organizuar në parlamentin Hungarez.

Në statusin e tij personal në rrjetin social shkruhet:

“Gjatë vizitës sime në Hungari mora lajmin e mirë që komisionet e këshillit të bashkisë Tirane dhe Këshilli i bashkisë kanë marrë vendimin për vendosjen e shtatores së Nenës Mbretëreshë Geraldine”

Po në këtë faqe sqarohet se kush e ka bërë kërkesën dhe ku është dhënë vendi (place) në kryeqytetin e shqiptar Tiranë : “Për piken 6. Është një kërkese ardhur prej Ambasadës Hungareze në Shqipëri, për vendosjen e statujës se Mbretëreshës Gardalinë në trotuarin midis Rrugës “Fortuzi” dhe Buevardit “Zogu i Pare”, pranë Ministrisë së Drejtësisë”.

Ndërkohë, me një shënim të cilin NTM Princ Leka, e shoqëron me një set fotografish nga vizita e tij në Budapest, i ftuar nga qeveria hungareze, ai ka shprehur, kënaqësinë e tij : “Jam shume i gëzuar për këtë lajm dhe mirënjohës ndaj shtetit Hungarez për vlerësimin e ndaj gjyshes sime, Mbretëreshës Gardalinë”.

Duke folur mbi takimet e tij, NTM Princ Leka, shkruan më poshtë: “kam patur fatin të isha i ftuar ne Parlamentin Hungarez për një darkë gala në mbrojtje të mjedisit, i ftuar nga Archduke Michael von Habsburg-Lothringen dhe Zv.Kryeminister Zsolt Semjen.”

Ishte gjithashtu një kënaqësi të ritakohem me NTM Princ Micheal e Princeshën Micheal të Kentit nga Familja Mbretërore Anglese”.

Qeveria armatos deri në dhëmbë Gardën e Republikës për shtypjen e protestave

Në mbledhjen e djeshme qeveria vendosi që të miratonte llojet e reja të armatimeve që do të përdorë Garda e Republikës në rastin e protestave për menaxhimin e turmave, mes të cilave edhe lëndët neuroparalizuese, ose ndryshe lëndë kimike për kontrollin e turmave. Sot është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi i plotë me të gjitha llojet e armatimeve që do të jenë në listën e mjeteve që do të përdoren nga Garda në rast nevoje për ngjarjet nën kompetencën e saj. Kamera, spray, shotgun, armë me elektroshok, snajper, granata akustike, tymuese dhe verbuese për përdorim policor, të cilat nuk sjellin dëm, çantë valixhe anti-eksploziv, robotë anti-eksplozivë, sisteme GPS, sisteme dron dhe shumë pajisje të tjera do të jenë pjesë e arsenalit të ri të Gardës së Republikës.

VENDIMI I PLOTE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 62, të ligjit nr. 33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Miratimin e llojeve të armatimit, të lëndëve neuroparalizuese (lëndë kimike për kontrollin e turmave), të mjeteve dhe të pajisjeve të tjera kufizuese, për përdorimin e forcës nga Garda e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit të lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Deri në rinovimin e plotë të armatimit, strukturat e Gardës së Republikës së Shqipërisë përdorin armatimin e pajisjet aktuale.
3. Vendimi nr. 830, datë 1.12.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë me armatim dhe mjete teknike të posaçme”, i ndryshuar, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Llojet e armatimit, të municioneve dhe të pajisjeve janë, si më poshtë vijon:
1. Armatim
1.1 Armë zjarri për përdorim individual:
a) armë të shkurtra zjarri (pistoletë) kalibër 9 x 19 mm.
1.2
Armë zjarri për përdorim kolektiv:
a) armë të gjata zjarri automatike kalibër 5.56 x
45 mm deri 9 x 19 mm.
1.3 Armë speciale:
a) armë ceremoniale;
b) armë të drejtuara me energji (ADE);
c) armë me elektroshok;
ç) armë e ftohtë;
d) armë për përdorim/hedhje të municioneve
dhe mjeteve të ndryshme (
shotgun
/lëshues);
dh) armë pneumatike;
e) armë e gjatë zjarri me përpikëri të lartë
(snajper), gjysmautomatike, kalibër 5.56 x 45 mm
deri 12.7 x 99 mm;
ë) armë për sinjalizim;
f) armë për sinjalizim të lehtë akustik;
g) armë të tjera për përdorim, të cilat do të njihen si të tilla nga aktet ndërkombëtare, të ratifikuara me ligj në Republikën e Shqipërisë;
gj) armë zjarri me zhurmëzbutës të montuar;
h) armë zjarri sportive;
i) mjete optike të armëve të zjarrit për shikim dhe shënjim;
j) pjesë kryesore të armëve të zjarrit;
k) pajisje e posaçme për armët e zjarrit.
2. Municion:
a) granata akustike, tymuese dhe verbuese për përdorim policor, të cilat nuk sjellin dëme të pakthyeshme të shëndetit dhe janë në përputhje me legjislacionin në fuqi kundër torturës dhe trajtimeve a dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese;

b) municione për armët e shkurtra e të gjata të zjarrit, sipas kalibrave përkatës, me të gjitha llojet e cilësisë së veprimit;
c) municione që hidhen me shotgun me saçme: gome, metalike, sintetike;
ç) municione me lëndë kimike (irrituese ngacmuese) në formë pluhuri ose lëngu për përdorim policor, që hidhen me shotgun/lëshues, me granatë dore, pajisje hedhëse, spray (individual/ kolektiv) ose tubat, për mbrojtjen, menaxhimin e kontrollin e turmave, të cilat nuk sjellin dëme të pakthyeshme të shëndetit dhe janë në përputhje me legjislacionin në fuqi kundër torturës dhe trajtimeve a dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, me kufi ngacmues 0.05 –0.1 mg/m 3, kufiri toksik 1–5 mg/m3 , indeksi i avullimit 40.000–75000 mg/min/m3;
3. Pajisje kufizuese për përdorimin e forcës
3.1 Pajisje kufizuese për përdorimin e forcës (për përdorim individual):
a) çantë me pllaka antiplumb e hapshme për mbulim VIP -i 1 ;
b) jelek antiplumb;
c) kaskë balistike antiplum
b;
ç) kaskë plastike;
d) këmishë jelek balistik;
dh) kostum për mbrojtje nga mjetet e forta;
e) mburojë balistike individuale, mburojë
plastike për mjetet e forta;
ë) mjete mbrojtëse gjatë qitjes (syze balistike,
kufje mbrojtëse për qitje);
f) mjete mbrojtëse nga lëndët kimike e bakteriologjike;
g) pajisje dhe mjete komunikimi;
gj) pajisje dhe mjete ndriçuese;
h) pajisje dhe mjete optike;
i) pajisje dhe mjete orientimi (GPS, busulla);
j) pranga metalike dhe plastike;
k) shkop gome/metalik;
l) veshje antieksploziv.
3.2. Pajisje kufizuese për përdorimin e forcës (për përdorim kolektiv):
a) çantë valixhe antieksploziv, pasqyrë për kontrollin e mjeteve, pasqyrë teleskopike me kamera me rreze infra;
b) detektor kërkimi (metal, eksploziv, lëndë radioakt ive/kimike), porta detektorë, skaner për
kontrollin e sendeve, aparat eksploziv kërkues;
c) komplet universal xhenier (pincë, thikë, kaçavidë);
ç) pajisje dhe aparate për përcaktimin e pozicionit gjeografik dhe të distancave;
d) pajisje kontrolluese e test uese të qitjes;
dh) pajisje të lehta degazimi, dezinfektimi, si dhe lëndë degazuese e dezinfektuese;
e) pajisje dhe mjete kufizuese (barriera metalike, bllokues rrugësh, zinxhir kolektiv);
ë) pajisje dhe mjete optike (pajisje për shikim mbrapa pengesave; kamera termale, sondë infra të kuqe; dylbi dite dhe nate);
f) pajisje dhe mjete për operacione në lartësi (shkallë portative operacionale; pajisje alpinistike kolektive);
g) pajisje të tjera për përdorim policor, të cilat do të njihen si të tilla nga aktet ndërkombëtare, të ratifikuara me ligj në Republikën e Shqipërisë;
gj) pajisje vëzhgimi dhe zbulimi (dite dhe nate);
h) pajisje për zbulim kimik, biologjik, radioaktiv dhe ndotësit e mjedisit;
i) qen eksplozivkërkues;
j) robotë antieksplozivë dhe të ndryshëm;
k) sisteme dron/antidron dhe pajisje për
bllokimin e valëve telefonike;
l) simulatorë trajnimi dhe aftësimi për çdo armë zjarri.
4. Sisteme sigurie, vëzhgimi dhe komunikimi:
a) pajisje dhe mjete komunikimi;
b) pajisje për sisteme e rrjete kompjuterike;
c) sisteme GPS (sisteme të përcaktimit të vendndodhjes);
ç) sisteme të vëzhgimit me kamera, sisteme të akseskontrollit të personelit, sisteme të kontrollit të automjeteve, sisteme të kontrollit të perimetrit të objekteve, sisteme të sinjalizimit të rrezikut ndaj zjarrit e uji.

Hakmarrja ndaj Bylykbashit- Manjani: Partia e Lulit s’ka nevojë për ekspertë

Deputeti i PD Oert Bylykbashi nuk do jetë drejtuesi i Reformës Zgjedhore. Rezervat për mënyrën se si po propozohen reformat nga selia blu, por edhe vendimi për të qenë në krah të Sali Berishës, mjaftuan për Lulzim Bashën.

Kjo hakmarrje është komentuar nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

“Oerd Bylykbashi është nga ekspertët më të mirë të legjislacionit zgjedhor që kemi.

Edhe diplomën universitare e mbrojti me një temë mbi sistemet zgjedhore. Eksploroi me pasion një temë që juristët nuk e njihnin fare. Fakulteti i Drejtësisë jo e jo.

Prej më shumë se 20 vitesh Oerdi është kontribues aktiv e legjislacionit zgjedhor. Në fillim në prezencën e OSBE e në vijim në Parlament.

Është demokrat në gen. Simpatizant e më pas anëtar i PD që kur Luli nuk dihej a ekzistonte.

Mund të mos jesh dakord me bindjet e Tij, por që është ekspert dhe me kontribute në këtë fushë nuk e mohon dot. Mund t’i thuash pa frikë se është më shumë se ç’duhet ekspert, por jo se nuk është fare.

Mirëpo partia e Lulit nuk ka nevojë për dije dhe ekspertizë. Ndaj dhe kanë luks të largojnë një kontribues dhe ekspert nga reforma zgjedhore…

Luli vetë të përjashton edhe nga opozita.

Ec e jepi pushtet këtij!

Siç kemi thënë, shyqyr që nuk fitoi!” shkruan Manjani.

Kokalari: Basha e përjashtoi Berishën në këmbim të mbylljes së dosjes në SHBA

Pas fjalës së ish-kryeministrit Sali Berisha, në Foltore e mori fjalën aktivistja republikane, Evi Kokalari.

Aktivistja Evi Kokalari tha se i vinte mirë që shihte shumë flamuj të SHBA në sallë. Ajo tha se diaspora është e interesuar për zhvillimet në vend. Kokalari bëri një denoncim të fortë.

“Zoti Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi është këmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lulzim Bashës, një dosje që ekziston në Shqipëri dhe në Amerikë. Kjo është e vetmja arsye pse është përjashtuar Sali Berisha,” tha ajo, duke shpjeguar se bëhet fjalë për një dosje lobimi në SHBA.

“Në një periudhë të shkurtër kohe, çfarë më ka bërë përshtypje, është që brenda 3-4 muajsh PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë. Është shumë. Një pjesë e këtyre parave, sepse Lulzim Basha nuk donte që të merrej vesh në Shqipëri se nga kishin ardhur, vendosi të përdorë një kompani me origjinë rusë, që bëri kontratë me një firmë lobimi në Amerikë, sikur ata po bënin një konsulencë për organizatat shqiptaro-amerikane që do investonin në Shqipëri. Kjo është ilegale në Amerikë. Fillimisht kjo nuk doli, por kompania që Lulzim Basha po përdorte në Amerikë pati disa probleme me ligjin. Lulzim Bashës iu hoq e drejta e vizës për 2-3 vjet. Në këtë moment kjo dosje është mbyllur me kushtin që ai të nxirrte nga Grupi Parlamentar, Sali Berishën. Me gjithë frikën që Lul Basha ka pasur, se unë mund të bëhesha kryetare e PD-së, do kthehem në Amerikë dhe bashkë me shqiptarë të diasporës do kontrollojmë nëse Basha guxon të futet në Amerikë, që do të thotë ka marrë vizë, ne do e bëjmë problem dhe do ta çojmë këtë dosje në Kongres“, tha ajo.

Lidhur me diskutimet online nëse ajo do bëhet kryetare e PD, Kokalari tha: ‘Unë nuk kam nevojë të bëhem kryetare e Partisë Demokratike pasi ne e kemi kryetarin e Partisë Demokratike, ai është Sali Berisha’.

Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare ish-zëvendësministri i Drejtësisë dhe ish-gjyqtari i Strasburgut, Kristaq Traja

Ndahet nga jeta konstitucionalisti i njohur shqiptar, Kristaq Traja. Lajmin e kanë dhënë miqtë e tij në rrjetet sociale për këtë ndarje. Traja u shua në moshën 66-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba ka ndarë me miqtë të tij lajmin e ndarjes nga jeta të juristit të njohur Kristaq Trajes, i cili ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“KRISTAQ TRAJA, e vetmja mendje qe unë kam admiruar ndonjëherë!

Faleminderit qe ke ekzistuar! Faleminderit Zotit qe me dha mundësinë te te njihja e te bëhesha miku yt!”, shkruan Denar Biba.

Kush ishte KRISTAQ TRAJA

Kristaq Taja u diplomua në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1978. Ai gëzote një eksperencë 10-vjeçare si Gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Strasburg për periudhën 1998 – 2008 dhe është një ndër akademikët më të njohur në Ballkan për të Drejtën Kushtetuese.

Karriera e tij si profesionist në fushën e ligjit ka filluar në vitin 1986 ku ka ushtruar detyrën e specialistit në Sektorin e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme deri në vitin 1991. Ai ka qenë anëtar i Bordit të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë gjatë periudhës 1991 – 1992 dhe Zëvendës Ministër i Drejtësisë gjatë viteve 1992 – 1993.

Ai ka qenë gjithashtu anëtar i grupit të punës për hartimin e Kushtetutës Shqiptare të vitit 1998. Prej vitit 1994 ai është pedagog i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkollën e Magjistraturës.

Gjatë periudhës 2012 – 2014 ai ka qenë Rektor i Universitetit Luarasi. Gjithashtu, që nga viti 2008 ai është Avokat në disa studio ligjore prestigjioze në vend. Është autor i disa publikimeve dhe përkthimeve në fushën e ligjit. bw

U vra në krye të detyrës, mbahen sot në Pallatin e Kongreseve homazhe për nënkomisarin Saimir Hoxha

TIRANË

Mbahen sot homazhe për nënkomisarin Saimir Hoxha, i cili u vra paraditen e djeshme teksa ishte në krye të detyrës nga 21-vjeçari Aldi Rama. Homazhet do të mbahen në Pallatin e Kongreseve, nga ora 12:00 deri në orën 15:00.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi dje se kanë nisur procedurat për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të oficerit Hoxha.

Nënkomisar Saimir Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.

Autori i ngjarjes, Aldi Rama, një i ri i dënuar më herët në fushën e narkotikëve, u neutralizua pas disa orësh rrethim nga forcat speciale të policisë.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e gjithë detajeve të kësaj ngjarje të rëndë, që ka prekur dhe shokuar mbarë opinionin publik.

“Komisioni Qendror i Statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, ‘Dëshmor i Atdheut’ duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Vrau oficerin e policisë Saimir Hoxha në Lezhë, nuk mbijeton Aldi Rama

Aldi Rama, 21 vjeçari që vrau me armë zjarri oficerin e Krimeve, Saimir Hoxha në Lezhë, ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të mërkure në spitalin e Traumës në Tiranë.

Gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, Aldi Rama ka qëlluar veten me pistoletë në fyt në lagunën e Kune-Vainit, ku nuk ka arritur që të mbijetojë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Kune-Vain në Lezhë ku pesë policë shkuan për të asgjesuar një parcelë me 110 bimë kanabisi. Në kthim ata u ndeshën me një automjet të ndaluar në të cilin gjendeshin tre të rinj brenda.

Oficeri që u vra Saimir Hoxha i kërkoi dokumentet 21-vjeçarit Aldi Rama, por ky i fundit refuzoi dhe e qëlloi me plumba në qafë e gjoks.

Polici ndërroi jetë rrugës për në spital, kurse Rama mori automjetin dhe u largua me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën edhe të dy kolegëve të tjerë të Hoxhës. Ata e qëlluan nga mbrapa duke u çarë një gomë të automjetit dhe ai u detyrua ta braktisë duke u fshehur në një zonë me bimësi për disa orë derisa vendosi të qëllojë veten, duke humbur jetën mëngjesin e kësaj të mërkure.

Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal. Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.

Prof.Dr.Tritan Shehu: Doreheqja e Rames-domosdoshmeri me deshtimin e “Ballkanit te hapur”!

Doreheqja e Rames-domosdoshmeri me deshtimin e “Ballkanit te hapur”!

Tashme qartesisht ai “projekt” i Vucic, qe vetem e kurrorezoi ate si lider te Ballkanit, qe tentoi te perdorej per te “shplare” Serbine nga cfare i krijoi Rajonit, qe kerkoi te lere ne “hije” Kosoven, qe u ndertua si nje shtojce e Unionit EuroAzin te Moskes, u cbe.

Vecanerisht mbas ngjarjeve te Malit te Zi, agresionit drejt Kosoves me tanke e avione ruse, ky projekt tashme nuk egziston me edhe si fasade.

Kete gje e konfirmoi edhe vizita e sforcuar e e detyruar e sotme e Rames ne Prishtine.

Kjo u lexua edhe nga fjala e Kurtit aty, ne cdo gje qe ndodhi.

Ne keto kushte per Ramen, si tellall i atij projekti, ngel vetem nje mundesi:

Doreheqja e menjehereshme mbas ketij deshtimi do te ishte zgjidhja vetme per ate

Tritan Shehu: “Ballkani i hapur” Vucic-Rama, kerkon te “hapet” me tanket e avionet ruse te Serbise!

“Ballkani i hapur” Vucic-Rama, kerkon te “hapet” me tanket e avionet ruse te Serbise!
Ndersa inspiruesi dergon tanket e avionet drejt e mbi Kosove, tellalli i tij kete here hesht!
Dhe e gjithe kjo histeri serbe, njelloj si ne epoken millosheviciane, vetem sepse Kosova kerkon te vendose reciprocitetin per….targat e makinave!
Sot ne kufirin e qiellin e Kosoves per “targat”, dje ne Malin e Zi per “kishen”, neser…
Ndersa Rama as nuk i “ shikon” e as i degjon keto, jo me te flase.
Ai qe nuk le rast pa sulmuar Kosoven, edhe ne prani te Merkel, sot hesht.
Dhe pastaj kerkon te na shese kete “Ballkan te hapur” vucician per nje pjelle paqesore, gjithe perfshirese, miqesore, deri diku si nje parajse ne kete bote te trazuar, qe do te na coje ne Europe.
Por “haron” te shikoje se tanket e avionet e Vucicit drejt Kosoves jane ruse, se Mali i Zi kerkohet te mos egzistoje, se Serbia eshte pjese e Unionit EuroAzian.
Pa permendur ketu lidhjet, detyrimet, kushtezimet e atij vete prej Lindjes.
Ky eshte “Ballkani i hapur”, ose me mire Jugosllavia e Re, qe fatkeqesisht vazhdon t’i ngjaje akoma shume asaj te vjetres.
Dhe kjo me mentalitetin nacionalist patologjik te saj, diskriminimin ndaj te tjereve, agresivitetin absurd, fytyres se kthyer drejt Lindjes, endrave te vjetra, qe kerkon t’i beje realitet me kete formule te re “ballkanike”.
Dhe Rama kerkon te na shese per llogari te Vucic ate “Ballkan te hapur” si nje gjetje te re progresive, te “hapur” per te gjithe!
Por ne te vertete me tanke e avione ruse.

Qëlloi veten me plumb në kokë, dërgohet me urgjencë në Tiranë autori i vrasjes së oficerit të Krimeve

Është nisur drejt Tiranës 21-vjeçari Aldi Rama, që vrau me dy plumba në zemër oficerin e Krimeve të Rënda, 44-vjeçarin Saimir Hoxha.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat, e cila referuar burimeve nga spitali, thekson se 21-vjeçari është në vdekje klinike.

I riu ekzekutoi policin gjatë aksionit për zbulimin e parcelave me kanabis në Lezhë, ndërsa qëlloi veten me plumb në kokë pas disa orësh ndjekjeje nga Policia e Shtetit, FNSH dhe RENEA.

I rrethuar nga RENEA e FNSH, në aksion nga ajri dhe toka, 21-vjeçari Rama u vetëplagos rëndë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin e Lezhës, ndërsa pas marrjes së ndihmës së shpejtë, ai është nisur në gjendje të rëndë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Zëri i Amerikës – ‘Ministria e Propagandës’, gazetarët debat me Qeverinë: Cenohet liria e medias

Në Shqipëri, komuniteti i gazetarëve po shpreh shqetësim pas vendimit të qeverisë për krijimin e Agjensisë për Media dhe Informim. Pedagogë të shkencave të komunikimit dhe gazetarë i thanë Zërit të Amerikës, se ky vendim do të centralizojë informacionin dhe do të ngushtojë hapësirat e lirisë së medias.

Zyrtarët i hedhin poshtë këto pretendime dhe shprehen se vendimi synon të rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e informimit të publikut si dhe të mënjanojë mangësitë që janë vërjetur deri tani.

Vendimi i qeverisë socialiste në mbledhjen e saj të parë të mandatit të tretë, për krijimin e Agjensisë për Media dhe Informim, ka nxitur diskutime në komunitetin e gazetarëve dhe qarqet universitare. Kjo agjensi sipas vendimit do të përbëhet nga disa struktura të posaçme përgjegjëse për informim pranë çdo ministrie dhe institucioni qendror në varësi të kryeminstrit dhe ministrave dhe do tëkordinojë punën mes tyre për të informuar publikun dhe median.

Agjensia për Media dhe Informim do të kryesohet nga një drejtor i përgjithshëm, me statusin e ministrit të shtetit, që emërohet dhe shkarkohet nga kryministri. Pedagogë të shkencave të komunikimit dhe përfaqësues të komunitetit të gazetarëve e konsiderojnë këtë vendim, një nisëm që centralizon informacionin në dëm të lirisë së shprehjes dhe medias.

“E shoh të panevojshëm një vendim të tillë. Qeveria deri tani ka patur një praktikë të komunikimit me median me të cilën gazetarët jo se ishin të kënaqur, por gjithsesi funksiononte me një lloj autonomie për mënyrën se si përcillej informaconi nga një ministri tek tjera. Ministri përkatës kishte një qasje të diferencuar nga kolegët e tij përsa i përket marrëdhënies ne mediat, ndërkohë që tani do të keminjë agjensi e cila i vë nën kontroll të gjithë zëdhënësat për shtyp të ministrive dhe do të krijohet një informacon, i cili është uniform dhe që i përcillet publikut në atë mënyrë që do dojë vetë qeveria”– u shpreh për Zërin e Amerikës, Erlis Çela, pedagog i shkencave të komunikimt në Universitetin Bedër, Tiranë.

Ervin Goci, aktivist dhe pedagog i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, tha për Zërin e Amerikës se është dyshues mbi veprimtarinë e Agjensisë për Media dhe Informim duke sjellë këtë argument.

“Një vendim të tillë unë do ta shihja si një formë të shtetëzimit të informacionit dhe informimit. Atje do ketë njerëz që do vlerësojnë kërkesat për informacion të qendërzuara në një tryezë, dhe çdo gjë që ndodh në të gjithë shtetin, e merr kryeministria në mënyrë të qendërzuar dhe prodhon një tip informacioni. Me keq akoma, do ketë njerëz atje që do interpretojnë se çfarë duhet të japin, kur ne e dimë që institucionet e shtetit duhet të jenë neutrale”– i tha Zërit të Amerikës Ervin Goci, lektor në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, UT.

Ministrja e shtetit Elisa Spiropali i tha Zërit të Amerikës se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe se krijimi i agjensisë është një riorganizim i brendshëm institucional i strukturave përgjegjëse për informimin e publikut dhe medias. Ky akt, tha ajo, synon rritjen e transparencës, dhe mënjanimin e disa mangësive që janë vërejtur gjatë punës.

Është një ‘optimizim’ i punës, i komunikimit publik dhe i zyrës pranë kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave. Patjetër janë vënë re dhe rastekur përgjigja ka munguar, kur nuk është dhënë në kohë, kur transparaneca nuk ka qenë e plotë me median apo me publikun apo thjesht puna nuk është bërë si duhet nga disa prej institucioneve. Besojmë se kjo agjensi, e mbështeturnë modelin më të mirë, atë gjerman që ka 50 vjet që funksionon, i ngjashëm, do të mund t’i adresojë disa nga këto probleme dhe mbi të gjitha do rrisë shpejtësinë dhe cilësinë e komunikimit me publikun”– tha për Zërin e Amerikës Elisa Spiropali, Ministre Shteti për marrëdheniet me parlamentin.

Aleksandra Bogdani, gazetare e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, thotë se pas modelit gjerman fshihet synimi për të rritur propagandën qeveritare dhe për të vënë informacionin nën kontrollin e pak duarve.

“Modeli gjerman nuk e centralizon informacionin. Sigurisht që ka një zyrë shtypi federale dhe qëllimi i saj është që të japë informacion sa më transparent në interes të informimit të publikut dhe jashtë ndikimit politik. Ajo që po bën Kryeministri Rama është e kundërta, e fut informacionin brenda një strukture me ndikim politik” – tha për Zërin e Amerikës Aleksandra Bogdani, gazetare e BIRN.

Pedagogu i komunikimit në Universitetin Bedër, Erlis Cela, shkon me tej kur thotë se kjo agjeni për media dhe informim do të shuajë dhe ato pak zëra kritikë brenda qeverisë.

“Përqendrimi i informacionit në pak duar do të shuajë dhe ato pak zëra që mendojnë disi ndryshe brenda kabinetit qeveritar. Pra, çfarë kuptimi ka që të kemi ministra të ndryshëm, këshilltarë për median në ministri të ndryshme, sepse ata do mendojnë dhe veprojnë ashtu siç u thotë agjensia”- vijoi Erlis Çela, pedagod i shkencave të komunikimt në Universitetin Bedër, Tiranë.

Ministrja e shtetit Elisa Spiropali, i hedh poshtë këto qëndrime dhe thotë se, personat që janë përgjegjës për të ruajtur raportin me median dhe publikun në të gjitha institucionet shtetërore në varësi të qeverisë, do të kordinohen nga kjo zyrë, e cila sipas saj do të sigurojë që përgjigja të jepet në kohë, të jetë shteruese.

“Ka një keqkuptim të thellëpër këtë çështje. Nuk e di a është lexuar projekt-akti, apo ky është njëparagjykim i përgjithshëm. Nga pikpamja ligjore dhe kushtetuese nuk ka asnjë pikpyetje. Nga pikpamja e pavarësisë, ministritë nuk janë institucione të pavarura. Ato janë organe të Këshillit të Ministrave dhe detyra e tyre është që në bazë të programit të qeverisë të mund të përgjigjen me transparencë përpara publikut. Për këtë do të sigurohemi dhe këtë do mundohemi të bëjmë”- vijoi Elisa Spiropali, Ministre Shteti për marrëdheniet me parlamentin.

Zëri i Amerikës iu drejtua dhe zyrës së përfaqësuesit të OSBE-së në Vjenë për lirinë e medias, në lidhje me një opinion mbi vendimin e qeversë shqiptare për krijimin e Agjensisë për Media dhe Informim, por ende nuk ka një qëndrim. Ndërkohë, Ministrja e shtetit Elsia Spiropali, e pyetur nga Zëri Amerikës, nëse ka patur bashkëpunim me zyrën e OSBE -së në Tiranë për këtë çështje dha këtë përgjigje:

Me OSBE-në ne kemi bashkëpunim të ngushtë për çështje që kanë të bëjnë me lirinë e medias dhe jo për çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e Këshillit të Ministrave, apo me detyrat që ne kemi. Ky vendim nuk prek lirinë e medias apo ndonjë ligj që ka lidhje me lirinë e medias”- sqaroi Elisa Spiropali, Ministre Shteti për marrëdheniet me parlamentin.

Përballja e medias me të gjitha qeveritë në Shqipëri në këto tre dekada pas rënies së regjimit komunist, ka qenë në vijimësi e vështirë. Shqipëria në të gjitha raportet e organizatave prestigjoze që monitorojnë lirinë e medias në botë, karakterizohet si shtet me situatë të vazhdueshme problematike. Përdorimi i gjuhës denigruese nga zyrtarët ndaj gazetarëve i ka kthyer ata shpeshherë në shënjestra sulmesh nga të gjitha anët perfshi dhe botën e krimit.

Në mjaft raporte thuhet se interesat politike dhe ekonomike të pronarëve të mediave nxisin shpeshherë dhe vetëcesnurën. Analistët gjithashtu shohin me keqardhje, se dhe vetë brenda medias ka raste korrupsioni, shantazhi dhe gjobvënie ndaj bizneseve, prandaj dhe çdo nisëm ligjore e cila ka në thelb median, shkakton në mënyrë të menjëhershme dhe në çdo kohë ndjeshmëri të gjerë publike./ZiA

Ministria e Jashtme e Shqipërisë: Serbia të tërheqë forcat e armatosura pranë kufirit, provokojnë trazira e dhunë!

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar për trazirat në veri të Kosovës duke shprehur shqetësim për sjelljen e Serbisë.

Në një deklaratë zyrtare, MEPJ i bën thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura pranë kufirit pasi provokojnë dhunë.

Për institucionin e drejtuar nga ministrja Olta Xhaçka, zgjidhja e vetme për të ulur tensionet është dialogu dhe Shqipëria do të vijojë të nxisë palët për të.

REAGIMI NGA MEPJ

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë është shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në veri të Republikës së Kosovës dhe dënon fuqimisht aktet vandale të kryera sot, ku disa individë i vunë zjarrin zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe dëmtuan një zyrë të ngjashme në Zvecan. Asgjë nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike dhe mungesën e respektit ndaj ligjit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën thirrje që këta vandalë të sillen para drejtësisë.

Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndëkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit.

Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës. Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt de-përshkallëzimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut.

Berisha: Kërkova shpalljen e Soros non grata në 2017, ai ma ktheu në 2021 – është rrezik për demokracinë

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh nga Vlora ku zhvilloi “Foltoren” e radhës me demokratët, se shpallja e tij non-grata është vepër hakmarrëse e George Soros. 

Lideri historik i PD deklaroi se ai kishte kërkuar në vitin 2017 shpalljen e Soros non-grata, për shkak se mbështeste politikën serbe, komunizmin, tentonte destabilizimin e rajonit të Ballkanit si dhe po dëmtonte demokracinë në Shqipëri përmes Reformës në Drejtësi e cila u përdor për “gjueti shtrigash”.

Berisha tha se në 2017 i kishte kërkuar Kongresit të SHBA, ndalimin e veprimtarisë së Soros jashtë Amerikës.

“U shpalla non grata sepse ju kundërvura projektit të Soros për ndarjen e Kosovës, sepse ju kundërvura Ballkanit të Hapur, sepse vendos hegjemoninë serbe. Dhe hegjemonia serbe nuk sjell stabilitet, por destabilitet. Unë shkova në gjykatë, në Paris. Më thanë që ligji nuk mund të kapë një njeri 8 vite pasi ka lënë detyrën, sepse ligji është për zyrtarët dhe jo për ish-zyrtarët. Por unë e hodha në gjyq për shpifje dhe le ta provojë në gjyq, sepse unë do të mbroj dinjitetin tim. E ka bërë Edi Rama me Soros, sepse më vonë doli që burime kishin qenë OJQ-të e Soros dhe raportet e Edi Ramës.

Pse Soros? Sepse jam i vetmi njeri në Europë që kam kërkuar shpalljen e tij non grata. Sepse gjithmonë ka patur për qëllim të favorizojë Beogradin dhe të destabilizojë Ballkanin. Ai kishte favorizuar komunizmin. Në Shqipëri, u shndërrua me milionat e tij në një faktor kryesor të rivendosjes së monizmitSot PS ka 10% pushtet më shumë se sa kishte PPSH në 1991, me statistikë të saktë, ky është komunizëm. Soros i vendosi OJQ-të në sqetullat e saj, ato duhet të jenë zërat e shoqërisë dhe jo të partis%. Kulmoi me Reformën në Drejtësi, Soros siç e dini, ku pasi nuk e pranuam të vendoste në Kushtetutë mekanizmat e kapjes së sistemit të drejtësisë, i vendosi me grupin e ekspertëve në ligjet organike. Dhe sot drejtësia kryesohet nga vëllezër e kunetër të ministrave ish-persekutorë të diktaturës. Pse për këtë u bë reforma?

Në Vetting u vendosën standardet më të shëmtuara të dyfishta. Për një gjykatëse u quajt konflikt interesi 1 mijë euro, kurse për Dvoranin, ish-prokurori mizor të të rinjve të Shkodrës, që kërkoi 15 vjet burg sepse përmbysën bustin e Stalinit, nuk ishin konflikt interesi 9 gjykime për Albtelekom i cili i kishte paguar gjysmën e apartamentit, 17 mijë euro. U bë luftë klasash, krahinore dhe ideologjike.Ne çuam në parlament ligjin për Vettingun e politikanëve dhe prap do insistoj ta çojmë. Ne nuk jemi kundër Vettingut, por kundër Vettingut që përdorët për gjah shtrigash. Drejtësia sot është e kontrolluar. Kjo ishte një motiv për mua për t’iu kundërvënë George Soros dhe reformë së tij dhe të kërkoja shalljen e tij non grata, të kërkoja nga Kongresi Amerikan ndalimin me ligj të veprimtarisë së tij jashtë SHBA, sepse po dëmton në mënyrë palcore demokracinë. Meqenësë unë kërkova të shpallej non grata në vitin 2017, ai ma ktheu në vitin 2021 me non grata në SHBA”, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha tha më tej se kishte vendosur të mos kthehej më në politikën aktive, por ajo që ndodhi, shtoi ish-kryeministri, “të bën që të zgjohesh edhe nga varri”.

“Edi Rama do të zhdukë pluralizmin me pengmarrje dhe me pengjet e tij. Unë kam kërkuar ndjesë ju dhe ju garantoj se në qëndrimin tim nuk ka patur asnjëlloj shkaku tjetër përveç një vendimi të largimit tim pa kthim. Unë u largova dhe në çdo dalje largimi është pa kthim. Nëse unë imagjinoja të ktheja unë duhet të merrja projektet, por kisha vendosur të mos kthehesha kurrë. Por rrethana të tilla të zgjojnë edhe nga varri po të jesh, për t’i dalë zot. Me shumë të drejtë secili mund të pyesë, doktori e ka për vete këtë? Jo, dhe ua them në mënyrë absolute. Në 19 maj, në mënyrë më politike, më hakmarrëse unë shpallem non grata për korrupsion domethënës, një njeri që edhe kundërshtari im kur bënte fushatë, thoshte ai nuk është i korruptuar. Pa patur asnjë dokument për korrupsionin tim, dhe unë çfarë bëra, më akuzove, po, kjo është një gjë shumë e rëndë. Tani, ju që më akuzuat, unë do të përballem në gjyq me ju. Ishte njëri nga 2-3 njerëzit më të fuqishëm në botë. Jam një nga njerëzit që kam hyrë më shpesh në atë zyrë, nga 15 marsi 1991, deri kur jam larguar nga detyra kam takuar çdo zyrtarë shteti, demokratë apo republikanë”.

Agron Shehaj: E vërteta, ja çfarë i thashë Bashës në mbledhjen me dyer të mbyllura

Deputeti i PD, Agron Shehaj, është detyruar ta rrëfejë vetë përplasjen që ka pasur me Kryetarin e partisë, Lulzim Bashën, në mbledhjen më të fundit të grupit parlamentar, ku kanë qënë të pranishëm edhe gjashtë kryetarë të degëve të PD-së.

Pas titujve që pushtuan mediat “Ti je një hiç”, Shehaj dha sot versionin e vet të asaj që ngjau në selinë e PD ndërmjet tij dhe Bashës.

“Nisur nga zbardhja e manipuluar e debatit, e shpërndarë në media me qëllim për të më denigruar dhe fshehur të vërtetën, – shkroi deputeti demokrat, – ndihem i detyruar të bëj publik qendrim tim në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Iu drejtova z.Basha duke thënë se pakënaqësia tek mbështetësit e Partisë Demokratike nuk është e vogël, siç e parashtroi ai, por fatkeqësisht ka një përçarje të madhe dhe kurrsesi s’mund të jem dakord me strategjinë “t’i marrim me të mirë dhe të presim t’u dalë inati”.

Argumentova se pjesa më e madhe e votuesve të Partisë Demokratike janë kundër drejtuesve të Partisë Demokratike. Në këto kushte, agjenda jonë s’mund të jetë shpëtimi i karriges së kryetarit por e mira e Partisë Demokratike.

Në lidhje me akuzat e pavërteta dhe absurde, për qëllim servilizmi dhe fshehjen e problemit, nuk meritojnë asnjë koment,” përfundoi Shehaj.

Kim: “Uashingtoni është serioz në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë”

Ilirian Agolli

Në Tiranë, ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, e sapokthyer nga Uashingtoni, zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Pas takimit me zotin Basha, ambasadorja Kim deklaroi se SHBA është e gatshme për të bashkëpunuar me PD, dhe e di që PD-ja ndodhet në një pozitë të vështirë reformimi, në një proces tranzicioni, dhe shtoi se shpresonte që PD të dalë më e bashkuar dhe më e fortë nga kjo rrugë tranzicioni, në mënyrë që të fitojë sërish zgjedhjet.

“M’u duk jashtëzakonisht e rëndësishme të vija menjëherë në Partinë Demokratike për të ndarë me zotin Basha atë që kam mësuar nga Uashingtoni dhe për nga sot e tutje. I thashë zotit Basha se Uashingtoni mbetet i angazhuar për të punuar akoma më ngushtë me Partinë Demokratike. SHBA ka patur një marrëdhënie shumë të fortë e të veçantë me PD qysh nga fillimi. Ne ishim aty kur Partia Demokratike erdhi në pushtet për herë të parë dhe shpresojmë që të jemi në kushtet që të festojmë kur ajo të vijë në pushtet përsëri” – tha ambasadorja Kim.

Ajo shtoi se PD-ja ndodhet në një çast të vështirë, në një proces tranzicioni, dhe shtoi se shpresonte që PD të dalë më e bashkuar dhe më e fortë nga kjo rrugë tranzicioni, në mënyrë që të fitojë sërish zgjedhjet.

Ambasadorja amerikane theksoi se demokracia përkufizohet nga të pasurit e një partie opozitare të fortë dhe që lulëzon.

“Për sa i përket Uashingtonit, ne jemi seriozë në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, jemi të gatshëm që ta sulmojmë atë, pavarësisht rangut, nivelit, apo partisë”, – tha ambasadorja Kim, pas takimit me zotin Basha.

Ajo quajti të gabuara dhe fyese disa raportime, sipas të cilave, përcaktimi për raste madhore të korrupsionit ka qenë një sulm kundër stabilitetit të Shqipërisë.

Diplomatja amerikane kujtoi se më 6 maj 1920, “kur gjithë bota donte që Shqipëria të zhdukej nga faqja e dheut, Presidenti amerikan Uillson tha se Shqipëria duhet të qëndrojë dhe do të qëndrojë e fortë”. Zonja Kim si atëherë edhe tani Shqipëria duhet të jetë më e fortë, sovrane dhe demokratike.

“Për të gjithë ata që përpiqen të vendosin SHBA-të kundër popullit shqiptar iu them se e kanë gabim. Populli shqiptar e di se ju e keni gabim. Qëndrimi ynë është se sovraniteti, pavarësia dhe demokracia e Shqipërisë nuk do të ndryshojnë asnjëherë. Qëndrimi ynë është që rëndësia e Partisë Demokratike kurrë nuk do të ndryshojë” – tha zonja Kim.

Ambasadorja amerikane theksoi se është me rëndësi të madhe që Partia Demokratike u kthye në parlament me forcë të plotë, sepse janë për t’u bërë shumë veprime për të zhvilluar zgjedhje më të mira herën tjetër, për të trajtuar gjithë mangësitë që janë shënuar në raportin e OSBE/ODIHR-it. Po ashtu ajo përmendi reformën territoriale dhe luftën kundër korrupsionit.

“Ka rëndësi për të gjitha këto që Partia Demokratike të jetë e fortë, e bashkuar, që të bëjë përpara, por nuk mund të ecet përpara me një këmbë në të shkuarën. Ne presim që të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin shqiptar, me Partinë Demokratike drejt së ardhmes” – tha ambasadorja Kim pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës.

Gërdeci, Apeli vendos rihapjen e procesit për Mediun

Armand Mero

Në Shqipëri, Gjykata e posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u shpreh sot në favor të gjykimit të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec. “Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, shpjegon Gjykata e Posaçme e Apelit në njoftimin për vendimin e saj.

Shpërthimi në Gërdec, pak kilometra ne Jug të Tiranës, në vitin 2008, shkaktoi 26 viktima, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa afro 250 të tjerë mbetën të plagosur. Një numër i madh personash, që nga ushtarakë deri te biznesmenë të angazhuar në çmontimin e municioneve, u vunë nën akuzë dhe e dënuan në procesin gjyqësor për këtë çështje. Por ish ministri i Mbrojtjes, nuk u gjykua kurrë, ndonëse dhe ndaj tij u zhvilluan hetime. Prokuroria e Përgjithshme, një vit pas shpërthimit, në mars të vitit 2009, ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila sipas legjislacionit të kohës, ishte kompetente për gjykimin e personave me imunitet.

Por 6 muaj më vonë, Kolegji Penal i kësaj Gjykate vendosi pushimin e çështjes, duke qenë se në gusht të atij viti, zoti Mediu kishte rimarrë mandatin e deputetit, duke rifituar kështu dhe imunitetin. Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj nuk i kërkoi më parlamentit heqjen e imunitetit për zotin Mediu, dhe në këtë mënyrë, dosja nuk u rihap asnjëherë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit në Gërdec.

Pas 13 vitesh, kërkesa e familjes Durda u mor në konsideratë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila në maj të këtij viti kërkoi rihapjen e procesit gjyqësor. Në kërkesën e SPAK-ut, drejtuar Gjykatës së Lartë argumentohej se motivi që çoi në vendimin e kësja gjykate në vitin 2009, nuk ekziston më. “Imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij”, shpjegoi SPAK-u, duke nënvizuar se “ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston”.

Kërkesës së SPAK-ut, për revokimin e vendimit të 2009-ës, Gjykata e Lartë ju përgjigj duke argumentuar se me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që kanë ndodhur, i takon Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vendosë. Në korrik, kjo Gjykatë e rrëzoi kërkesën për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj zotit Mediu, duke e konsideruara atë si “të pabazuar në ligj”.

Por dhe SPAK-u e konsideroi po ashtu, të “pabazuar në ligj” vendimin, duke iu drejtuar Apelit.

Vendimi i sotëm vetëm sa e lë të hapur shtegun për gjykimin e ish ministrit. Avokati i familjes Durda, Dorian Matlija pohoi se rruga përpara është e gjatë: “Tani jemi në kushtet, kur çështja mund të nisë. Çështja siguriht është shumë e gjatë, shumë e komplikuar. Ma merr mendja se dhe vetë Fatmir Mediu do të bëjë veprimet e veta juridike në bazë të legjislacionit. Jemi ende thjesht në fillim. Lajm i mirë është se është hequr një pengesë absurde juridike”.

Nga ana e tij, Ardian Vishaj, avokati i zotit Mediu në një deklaratë e konsideroi atë “një akt jo Kushtetues dhe pluri-shkelës të Konventes Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit. Ai përbën një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji. Eshtë hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë”. Sipas avokatit “veç të tjerave shkelja e ligjit është e dukshme, sepse e njejta çështje (kërkesë) është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga gjykata e Shkallës së parë dhe gjykata e Apelit, Tiranë në vitin 2019”. Zoti Vishaj saktëson se sapo të njihen me arsyetimin e vendimit do të vendoset për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren. Me shumë gjasë ai do të bëjë ankim në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar gjithashtu pezullimin e vendimit të Apelit, deri në shprehjen përfundimtare nga kjo Gjykatë. Në rast të kundërt, SPAK-u, do të niste menjëherë procedurat për t’ju drejtuar Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për rihapjen e procesit.

Lubonja: Berisha ra viktimë e sistemit që inauguroi vetë me Nanon, lufta ndaj korrupsionit sot është mjet për pushtet

Analisti Fatos Lubonja tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se politika shqiptare nuk duhet të merret sot me largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, apo me shpalljen e tij “non grata” nga SHBA.

Për analistin Lubonja, problemi kryesor sot në Shqipëri është largimi nga vendi i 60 mijë fëmijëve, duke theksuar se është skandal të mos merresh me këtë çështje.

“Çështja për mua sot është, kemi një vend që ka njëmijë probleme, që ka një korrupsion të jashtëzakonshëm, dhe një qeveri që është mbështetëse e mafies, që po pastron paratë e pista. Në vend që ne të merremi me këtë çështje, që është primare, merremi me një njeri që u hoq, për korrupsion nga amerikanët, pra për korrupsion që vë në rrezik interesat amerikane. Unë shoh një parti, mazhorancën, që është parti që ka ndërtuar sistemin e korrupsionit dhe që vazhdon të fuqizohet, deri në atë pikë sa ka hyrë dhe krimi në Parlament dhe ka kapur shtetin. Këtu problemi është se a kemi ne një opozitë kundër kësaj mazhorance, apo lufta ndaj korrupsionit është thjesht mjet për pushtet për të eliminuar kundërshtarin. Më 2011, Edi Rama në opozitë nxori videon, ku dilte i korruptuar Ilir Meta.

U vërsulën njerëzit për të djegur kryeministrinë, por pas dy vitesh, më 2013, kur u bashkua me Ilir Metën, tha se këtu nuk është problem personash, por sistemi. Bashkëpunoi katër vite me Ilir Metën, pastaj e merr timonin e drejton vetë dhe na ka sjellë në këtë gjendje ku jemi. Këtu kemi të bëjmë me përdorim të korrupsionit për luftë për pushtet. Është skandal që askush nuk flet për ata 60 mijë fëmijë që po ikin, por merren me fëmijët. Unë mendoj se problemi i vërtetë duhet të jenë këto 60 mijë fëmijë, që po ikin nga vendi. Të mos flasësh për këtë, por të merresh me Berishën, do të thotë t’i shërbesh këtij sistemi, berishizmit. Kemi ndërtuar një sistem korrupsioni, ku çdokujt mund t’i gjesh një gjë ta kapësh. Berisha ka rënë viktimë e berishizmit, si formë që inauguroi me Fatos Nanon, dhe tani po e pëson vetë”, tha analisti Lubonja.

Rama takon miliarderin George Soros në Nju Jork: Mendje e rrallë dhe mbështetës i palëkundur i Shoqërisë së Hapur

NJU JORK

Kryeministri Edi Rama ka takuar miliarderin George Soros, gjatë vizitës së tij në SHBA.

Rama publikon një foto krah miliarderit Soros në “facebook”, ndërsa e cilëson atë një mendje të rrallë dhe një mbështetës të palëkundur të Shoqërisë së Hapur.

“Në Nju Jork me mikun e çmuar George Soros, një mendje e rrallë dhe një mbështetës i palëkundur i Shoqërisë së Hapur😍”, shkruan Rama.

Sherr mes PS dhe Tom Doshit për ‘ndarjen e plaçkës’- ISP: Shkelje ligjore, duhet hetim

Debatet e ashpra brenda PS në Shkodër për emërimet politike në administratë kanë sjellë edhe reagimin e Institutit të Studimeve Politike. ‘Raste te tilla duhet të jenë objekt hetimi nga organet e drejtësisë dhe tema reflektimi për vetë PS dhe qeverinë’, thekson ISP në reagimin zyrtar.

ISP, teksa i referohet progres raportit të BE mbi Shqipërinë, thotë se legjislacioni mbi nëpunësit civile dhe ata publike parashikon mekanizma dhe praktika të qarta emërimi dhe promovimi në karriere. Por ndryshe ndodh në realitet, që sipas Institutit mënyra e emërimeve përbën një shkelje ligjore, abuzim me pushtetin, përdorim te burimeve shtetërore për motive nepotike.

“Legjislacioni mbi nëpunësit civile dhe ata publike parashikon mekanizma dhe praktika të qarta emërimi dhe promovimi në karrierë! Kështu thuhet edhe në raport progreset e BE mbi Shqipërinë dhe në retorikën politike. Midis deklarimeve dhe realitetit te ardhur nga raportimi i medias per zhvillimet ne Shkoder ekziston nje hendek i gjere, i cili pervecse devijim nga standardi, pervec konfirmimit te deformimit te rolit te partise ne raport me shtetin dhe rolit te deputeteve ne raport me poziten e tyre ligjore, si dhe pervec se konfirmim i nje aleance politike informale, përbën gjithashtu edhe shkelje ligjore, abuzim me pushtetin, përdorim të burimeve shtetërore për motive nepotike. Raste të tilla duhet të jenë objekt hetimi nga organet e drejtesisë dhe tema reflektimi për vetë PS dhe qeverinë. Kjo do të duhej të ishte pyetja dhe interesi kryesor i medias dhe publikut tek SPAK, Prokuroria, PS, qeveria dhe organet ligjzbatuese.  Koha për transparencë, koha për drejtësi, koha për llogaridhënie”, thuhet në reagim.

Çfarë ka ndodhur një ditë më parë në Shkodër

Mbledhja e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri me strukturat e PS Shkodër mbrëmjen e kaluar është shoqëruar me debate të ashpra.

Sipas mediave bëhet me dije se në fokus të këtyre debateve mes Gjiknurit dhe Sekretarin Organizativ të PS, Blendi Klosi kanë qenë punësimet, emërimi i drejtorëve, përgatitja për zgjedhjeve vendore të 2023-shit si dhe hapësira që i është lënë në punësime e emërime drejtorësh, aleatit të PS në Shkodër që është kreu i PSD, Tom Doshi i cili mori dy deputetë në këtë qark në zgjedhjet parlamentare.

Ndërkohë gjatë mbledhjes, Blediana Nika, anëtare e PS dhe ish drejtoreshë e Zyrës Vendore Arsimore Shkodër e cila u shkarkua pak kohë më parë, ka qenë tejet aktive duke debatuar me Gjiknurin dhe Klosin.

Këta të fundit u shprehën se nuk do ketë më emërime pa kontribut në PS, por Nika ka thënë në replikë se drejtorët PS i ka marrë nga rruga dhe se mbi 50% e punësimeve në Shkodër i ka aleatit duke nënkuptuar PSD-në e Tom Doshit.

Po ashtu Gjiknuri i kërkoi kryetarëve të bashkive të PS që pas dhjetorit të bëhen gati për zgjedhjet vendore por Gjon Gjonaj kryebashkiaku i Pukës dhe Fran Tuci kryebashkiaku i Fushë Arrësit u shprehën se nuk kanë se si të përgatisin terrenin për zgjedhjet vendore kur punësimet i merr aleati duke nënkuptuar sërish Doshin dhe PSD.

Po ashtu edhe deputeti i PS, Paulin Sterkaj ishte thuajse në të njëjtën linjë duke i thënë Gjinkurit se je djalë simpatik dhe të kam mbështetur gjithmonë, por punësimet i ka më shumë aleati. Në debatet e zhvilluara Blendi Klosi i doli në mbrojtje Tom Doshit duke thënë se partia e tij PSD ka marrë dy deputetë dhe se ajo forcë politike është në mbështetje të PS ndaj votat e aleatit duhet të ruhen gjë e cila hasi në kundërshtinë e fortë të Blediana Nikës, por edhe dy kryebashkiakëve dhe deputetit Sterkaj i cili tha se nuk pyetet për punësime apo emërime drejtorësh.

Dita e katërt e bllokadës, palët mbeten të palëkundura

Forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, duke siguruar zonën e bllokuar nga automjetet në Jarinjë. Shtator 2021.

Bekim Bislimi

Dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën me Serbinë, po vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga kamionët dhe veturat e vendosura nga banorët lokalë serbë edhe ditën e katërt, prej kur Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë vendimin e saj për reciprocitet me Serbinë për targat e automjeteve.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme.

Pavarësisht rënies së temperaturave dhe reshjeve të shiut, serbët lokalë kanë qëndruar gjatë gjithë natës së kaluar pranë automjeteve me të cilat kanë bllokuar rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të enjten se gjatë orëve të natës së kaluar nuk ka pasur incidente dhe se situata vazhdon të jetë e njëjtë sikurse edhe më parë.

Sipas tij, në rrugën që çon drejt vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdon të ketë pengesa për qarkullim, ndërkohë që banorët lokalë kanë përforcuar pengesat në rrugë edhe me zhavor.

Protestuesit po përkrahen nga liderët lokalë dhe nga Beogradi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të mërkurën u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të mbledhur në afërsi të vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak që të lirojnë rrugët e bllokuara.

Ai gjithashtu ka theksuar se është i gatshëm që të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rast të një ftese nga Bashkimi Evropian dhe se Kosova është e gatshme ta heqë masën e reciprocitetit sa u përket targave, në qoftë se Beogradi do ta bëjë të njëjtën gjë për targat e automjeteve nga Kosova.

Por, presidenti serb Vuçiq, ka deklaruar se për të biseduar, gjendja duhet të kthehet ashtu siç ishte para 20 shtatorit.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të mërkurën për ulje të menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës, duke thënë se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët”.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Del nga Mercedesi dhe nxjerr gishtin e mesit! Gruaja e Llallës nuk përmbahet me gazetarët që prisnin përballë hyrjes së shtëpisë

Adriatik Llalla do të vuajë rreth 2 vite burg pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi këtë të mërkurë vendimin e GJKKO për ish-Kryeprokurorin.

Prania e madhe e mediave përballë shtëpisë së ish-kryeprokurorit ka “acaruar” së tepërmi gruan e tij e cila e ka humbur logjikën.

Në sy të një fëmije të vogël ajo i ka treguar gishtin e mesit gazetarëve që po e prisnin në hyrje të shtëpisë.

Ende nuk dihet ku ndodhet Adriatik Llalla. Në media së fundmi kanë qarkulluar pamje teksa ai me valixhe në dorë pret në një stacion treni ne Rome.

Pecorelli zbulon thesarin në San Mamiliano: Ishin 3 arka me 250 kg ar të pastër, prifti shqiptar më tregoi vendndodhjen

Biznesmeni italian, Davide Pecorelli i cili prej 9 muajsh u shpall i zhdukur ka dhënë detaje në lidhje me organizimin që bëri për vrasjen e tij në Shqipëri.

Mediat italiane kanë shkruar për të gjithë rrjedhën e ngjarjes të bërë nga biznesmeni në këto tetë muaj, nga fluturimi për në Shqipëri, vendimi për ti dhënë fund jetës. Dhe deri tek thesari i gjetur në  Montecristo, 250 kilogram monedha ari.

Në deklaratën e tij për mediat, Pecorelli ka folur mbi zhdukjen e tij për 9 muaj, ku personazh kryesor ka qenë edhe një prift që sipas tij, i ka dhënë idenë për eshtrat e djegura në makinë

Situata ishte dramatike në një nivel ekonomik, në atë moment vendosa të bëja vetëvrasje, por së pari – thotë ai në TV – shkova te një prift për të rrëfyer. Ishte ai që më tha për mundësinë e eshtrave (të vjedhura). Më tha ‘le t’i fusim në makinë dhe t’i vëmë zjarrin’ ”, ka thënë ai.

Ndërkohë 45 vjeçari nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me identitetin e priftit, ku shprehet se kurrë nuk do e zbulojë emrin e tij pasi ai i ka shpëtuar jetën dhe nuk do ta tradhtojë.

Ndër të tjera ai shprehet se ka gjetur një thesar me 250 kilogramë monedha ari, te cilat do ti ndante me priftin pasi ai i tregoi vendndodhjen.

“Gjeta thesarin e San Mamiliano, ato janë tre arka me 250 kilogramë monedha ari të pastra prej pesë gramësh secila” Ku gjysmën e tij e kam ndarë me priftin”, ka thënë Pecorelli.

Pekorelloi ka deklaruar se dy nga tre arka në Cala Corfù dhe Cala (ose Punta) Fortezza, disa ditë para se të përpiqej të zbriste në të tretën, në Cala Maestra, ku ai, u përgjua në bordin e gomoneve nga Policia Pyjore.

Llalla u largua më 9 shtator, çfarë tha e shoqja dhe avokati

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk ndodhet në Shqipëri. Tashmë dyshimet janë zyrtare. Klan News raporton se sipas sistemit TIMS, Llalla është larguar nga Shqipëria më 9 shtator. Ai është larguar nga Aeroporti i Rinasit drejt Romës. Ka raportime se ai ndodhet për mjekim në Gjermani.

Këtë të mërkurë, ish-kryeprokurori u dënua me 2 vjet burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit, që la në fuqi dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë. Pak orë me vonë, SPAK nxori urdhrin për ekzekutimin e dënimit nga Polici e Shtetit, e cila gjatë mbrëmjes shkoi për kontroll në shtëpinë e tij që ndodhet në kryeqytet.

Mësohet se bashkëshortja e tij u tha oficerëve të policisë se nuk kishte dijeni ku ndodhej ish-kryeprokurori.

Tanimë pritet që autoritetet shqiptare të nxjerrin një urdhër-arrest ndërkombëtar për Llallën.

Ish-kryeprokurori mungoi gjatë dhënies së vendimit, pasi po gjykohej në gjendje të lirë. Avokati i tij Sokol Hazizaj tha se Llalla mungonte për arsye shëndetësore. Dënimin, avokati e cilësoi të padrejtë dhe paralajmëroi se do ta çojë atë deri në Gjykatën e Lartë.

Llalla u shpall fajtor për veprën penale të fshehje të pasurisë për të paktën 3 episode.

Hetimi ndaj tij u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 Mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave./tvklan.al

Raporti italian/ Mafia shqiptare e strukturuar, drogë, prostitucion dhe ilaçe. Alarmi i Dia: “Fondet e BE për urgjencën Covid janë në pamjen e mafieve”

 

Raporti italian: Mafia shqiptare e strukturuar, drogë dhe prostitucion e ilaçe

Klane të huaja, më pak dhunë dhe më shumë infiltrim në sistemin politik dhe të biznesit. Alarmi i Dia: “Fondet e BE për urgjencën Covid janë në pamjen e mafieve”

Ndër grupet më të strukturuara të huaja është ajo shqiptare, e cila normalisht merret me prokurimin e drogës dhe krimeve kundër pronës

Kur vetëm para 2 ditësh mediat spanjolle i bën ‘jehonë’ mafias shqiptare se trafiku i drogës nga Ekuadori në Europë vazhdon të kontrollohet nga Dritan Rexhepi. Edhe në raportin e fundit gjashtë mujor Anti-Mafia italiane konstaton fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare duke ngritur shqetësimin për strukturimin dhe rritjen e aktivitetit kriminal.

Transformimi i mafias, me më pak dhunë dhe më shumë depërtime në sistemin politik dhe të biznesit, marrëdhëniet me klanet e huaja, veçanërisht nigerianët dhe shqiptarët, fondet evropiane në qendër të vëmendjes, duke kaluar përmes trafikut të drogës, drejtuesi i të cilit është Ndrangheta, deri në përdorimin e teknologjisë dhe hapjen ndaj bitcoin. Këto janë vetëm disa nga çështjet që dalin nga raporti i dërguar nga Drejtoria e Hetimit Anti-Mafia në Parlament në lidhje me gjysmën e dytë të vitit 2020. Në periudhën e analizuar, Dia ngre alarmin kryesisht mbi implikimet negative që Covid-19 ka pasur në frontin e zgjerimit të fenomenit kriminal, i cili përfitoi nga urgjenca për të infiltruar në strukturën socio-ekonomike duke shfrytëzuar në avantazhin e saj ndryshimet për shkak të qëndrueshmërisë së pandemisë.

“Në këtë front – lexon raporti Dia – shtrirja e masave parandaluese të kryera edhe në periudhën gjashtëmujore në fjalë dëshmon për vëmendjen ndaj sektorit të Departamentit të Hetimeve Anti –Mafia, i cili i drejton aktivitetet e tij drejt objektivit të përgjithshëm te mbrojtja e strukturës ekonomike të vendit nga ndërhyrja e krimit të organizuar, veçanërisht gjatë situatës së vështirë të paparashikuar ende të karakterizuar nga pasiguria e përgjithshme dhe shqetësimi i përhapur shoqëror ”.

Në veçanti, sipas Dia, mafia mund të kthejë konkretisht vëmendjen e tyre operacionale drejt fondeve të komunitetit, që do të arrijnë së shpejti falë nismave të Qeverisë. Me rëndësi të veçantë është edhe tema e klaneve të huaja që përkojnë me klanet historike. Në mënyrë të detajuar, në Siçili Cosa Nostra “është e rrethuar nga fraksione të tjera të mafias dhe të organizuar fort, por të prirur për të shmangur konfliktet me familjet”.

Para së gjithash, Stidda, e cila preferon të ketë marrëdhënie jo-konfliktuale me Cosa Nostra, por më shumë e lidhur me bashkëpunimin dhe ndarjen e biznesit të paligjshëm. Në ishull, ndër të tjera, një krim i organizuar etnik është në rritje, i lidhur kryesisht me klanin nigerian, i cili vepron me pëlqimin e mafieve lokale. Në të gjithë Italinë, megjithatë, ka një rritje të vendbanimeve etnike të klaneve të huaja delikuente. Përveç nigerianëve të përmendur tashmë, për të cilët theksohet organizata hierarkike, struktura paramilitare, ritet e përkatësisë, kodet e përcaktuara të sjelljes, ndër grupet më të strukturuara të huaja është ajo shqiptare, e cila normalisht merret me prokurimin e drogës dhe krimeve kundër pronës, dhe të krimit kinez, të përqendruar në marrëdhëniet familjare dhe solidaritetin, me një strukturë të mbyllur dhe të vështirë për t’u aksesuar.

Në kapitullin kushtuar analizës së klaneve vendas, del se si ‘Ndrangheta konfirmon veten si një organizatë unitare e strukturuar mbi lidhjet farefisnore. Në Siçili, siç u përmend, Cosa Nostra mbizotëron, por bandat e tjera janë në rritje, ndërsa Camorra dallohet për një konotacion të fortë heterogjen dhe një fuqi mafioze të shprehur nga organizata autonome të mëdha dhe të konsoliduara, me fleksibilitet dhe aftësi për t’u rigjeneruar. Nga ana tjetër, një alarm i vërtetë i kuq dhe një emergjencë që bëhet një lloj kombëtar vjen nga Pulia, veçanërisht në lidhje me mafian Foggia: “Fenomeni mafioz Foggia ngjall alarmin më të madh shoqëror aq shumë sa është konsideruar nga institucionet, veçanërisht në kohët e fundit, një emergjencë kombëtare ”, thuhet përsëri në raportin e Dia.

Për më tepër, mafia është gjithnjë e më e qetë me teknologjitë e reja: “Shoqatat mafioze i kushtohen lojërave dhe basteve, përkatësisht në sektorin e lojërave të fatit dhe basteve -theksohet në raportin gjashtëmujor të Dia -. Një tregues tjetër i aftësisë së mafies për të shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga globalizimi mund të gjendet në përdorimin e kriptomonedhave, të tilla si bitcoin dhe, kohët e fundit, Monero2, të cilat nuk lejojnë përcjellje të lehtë “.

Sa i përket numrave, janë 287,441,049.64 konfiskime të kryera në gjysmën e dytë të vitit 2020, 181.134.492.52 konfiskime, 138 filiale, 364 ndalime antimafia dhe 304.273 raporte për aktivitete të dyshimta. “Në dritën e këtyre konsideratave, raporti i këtij semestri është i orientuar në analizën dhe interpretimin e strategjive të mundshme të veprimit dhe tendencave evolucionare – përfundon Dia – veçanërisht në nivelin sipërmarrës në planin afatmesëm, të organizatave mafioze që nuk njohin sektorë, gjeografikë dhe kufijtë e marrëdhënieve, veçanërisht në lidhje me botën financiare, politike-administrative dhe profesionale “.

 “Kriminelët shqiptarë të pranishëm në pjesën më të madhe të territorit kombëtar shprehen përmes niveleve të ndryshme të operacioneve. Disa veprojnë brenda grupeve të vogla, përfshirë grupet multi-etnike, për kryerjen e krimeve kundër pronës. Në raste të tjera, u zbulua prania e organizatave kriminale të strukturuara dhe afatgjata që veprojnë në një mënyrë të ngjashme me atë të “mafieve tipike”. “Përkatësitë” bazohen përgjithësisht në lidhjet familjare ose në çdo rast me përfshirjen e bashkatdhetarëve të aftë për të ndarë kodet e njëjta të sjelljes. Krimi shqiptar është kryesisht aktiv në trafikimin e drogës dhe armëve, si dhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe në shfrytëzimin e prostitucionit, ndonjëherë në marrëveshje funksionale me organizatat e grupeve të ndryshme etnike (rumune dhe nigeriane). Shoqatat me një konotacion ndërkombëtar përdorin lidhjet me grupet delikuente të përbërë nga bashkatdhetarë që veprojnë kryesisht në Holandë, Belgjikë, Austri, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Francë, në Amerikën Qendrore dhe Jugore dhe në atdheun. Ky kapacitet për projeksion ndërkombëtar dhe disponueshmëria e barnave me çmime konkurruese ka çuar në shfaqjen e marrëdhënieve të qëndrueshme midis krimit shqiptar dhe organizatave mafioze italiane. Marrëdhëniet që lehtësohen nga mungesa e konfliktit për dominim mbi territorin. Në fakt, shqiptarët zakonisht merren me prokurimin e barnave, të cilat më pas u shiten shoqatave autoktone për administrimin e dyqanit, -thuhet konkretisht në raport .

Ish kryeprokurori Llalla dënohet me dy vjet burgim për korrupsion

Ilirian Agolli

Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la sot në fuqi dënimin e Gjykatës së Shkallës së Parë ish Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Ish Prokurori i Përgjithshëm është dënuar me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, pasi u shpall fajtor nën akuzat për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Po ashtu do të konfiskohen edhe disa prona të vëna paraprakisht nën sekuestro 4 sipërfaqe toke, gjithsej 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

Zoti Llalla nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme, ndërsa avokati i tij tha se ish kryeprokurori gjendet në regjim spitalor. Avokati e quajti vendimin të padrejtë dhe tha se se do të ankimohej në Gjykatën e Lartë.

Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet i pari zyrtar i lartë që dënohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit

Zoti Llalla është i pari ish zyrtar i lartë nga Shqipëria, ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit mori në vitin 2018 vendimin për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara, së bashku me familjen, për shkak të përfshirjes në korrupsion.

Më pas nga Shqipëria janë përfshirë në listën e Departamentit të Shtetit për të mos hyrë në SHBA ish deputeti Tom Doshi, ish kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako e së fundi dhe ish kryeministri Sali Berisha.

Edi Rama e mbështet vendimin për targat: Kosova e ngre problemin me plot të drejtë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka mbështetur vendimin e Kosovës për të vendosur reciprocitet me Serbinë në çështjen e targave të automjeteve, raporton Gazeta Express.

Rama përmes një postimi në Twitter ka shkruar se Kosova tani duhet ta shmang bumerangun e këtij vendimi, që sipas tij mund të jetë ngrirja e konfliktit,

“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë.Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%).Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, shkroi Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha dje në Kuvendin e Kosovës se vendosja e targave të Republikës së Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë nuk ka qenë dëshirë e tij, por imponim nga pala tjetër.

Kurti tha se ky vendim do të jetë në fuqi derisa qytetarët e Kosovës do të paguajnë për targa kur futen në Serbi.

“I lus qytetarët serbë të vazhdojnë përditshmërinë pa frikë se po iu cenohet ndonjë e drejtë. Ju jeni të barabartë me ne. Targat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Derisa qytetarët tanë do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, do të vazhdojnë edhe targat e përkohshme kur hyjnë në Kosovë”, tha Kurti.

Për këto zhvillime, përmes një njoftimi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se në takimin që e pati dje pasdite me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, mes tjerash ka biseduar edhe për situatën e tensionuar që u shkaktua në pikën kufitare në Jarinjë.

“Së shpejti do të informoj publikun për gjithçka që po ndodh në veri”, u tha në njoftimin e presidencës serbe. Ndërsa sot, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen dhe t’i ulin tensionet menjëherë, njësoj siç bëri paraprakisht Bashkimi Evropian.

“Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian në thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i ulin tensionet –menjëherë, pa vonesë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Më herët, zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët dhe se dialogu duhet shfrytëzuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.

“Jemi duke e vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj se liria e lëvizjës është kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe t’i ulin tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, ka deklaruar Stano.

Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.

Shumë automjete janë ndalur në pikët kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërsa Policia e Kosovës nuk e ka lejuar asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.

Vendimi për këtë është nënshkruar dje, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq një pjesë e veturave që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.

Mëngjesin e djeshëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosvës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës kanë shkuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.

Alfred Rrushaj kundër Bashës: 1500 delegatë e mbledhin Kuvendin

Nënkryetari i PD, Alfred Rushaj ka folur lidhur me vendimin e krydemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar.

Në emisionin “Opinion”, Rushaj është shprehur se Berisha është në të drejtën e tij për të bërë gjithçka brenda statutit të PD për të kërkuar anulimin e vendimit të Bashës.

Ndryshe nga Basha, Rushaj tha se 1500 delegatë mund të thërrasin Kuvendin Kombëtar.

“Asnjë Kuvend i PD, i zakonshëm apo i jashtëzakonshëm nuk duhet dhe nuk do të etiketohet anti- amerikan. 1500 delegatë e mbledhin Kuvendin dhe ne jemi të detyruar t’i bindemi,” tha ai.

Kujtojmë se Basha tha se thirrja e Kuvendit do ishte një akt anti-amerikan.

U gjet trupi i pajetë i minatorit të bllokuar në minierën e Bulqizës

Pëllumb Sulo

Pas 5 ditë kërkimesh, në një nga galeritë e minierës së kromit në Bulqizë, në orët e para të ditës së hënë, është gjetur i pajetë trupi i minatorit 61-vjeçar Muharrem Plaku, i cili ishte bllokuar nga shembja e dherave në brendësi të minierës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00 të ditës së mërkurë, kur dyshohet se një masiv kromi është shkëputur nga tavani i minierës duke bllokuar në brendësi të saj minatorin.

Një grup i avari-shpëtimit të minierave, së bashku me minatorët e Bulqizës, punuan pa ndërprerë për 5 ditë, duke larguar nga brendësia e galerisë me qindra tonë dhera, në përpjekje për të shpëtuar jetën e minatorit të bllokuar.

Aksidentet në minierat në Veri të Shqipërisë janë të shpeshta, për shkak të gjendjes se tyre të amortizuar dhe mungesës së kushteve teknike. Në shkurt të këtij viti, në zonën D të minierës së Bulqizës, humbi jetën një minator 46 vjeçar, ndërsa në muajin maj, të po këtij viti, u asfiksuan 3 minatorë, njëri prej tyre ishte në gjendje të rëndë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në minierat e Shqipërisë kanë humbur jetën 5 minatorë. Ngjarja më e rëndë është shënuar në e minierën e Selishtës, në Dibër, ku humbën jetën tre minatorë pas një aksidenti në brendësi të minierës.

Leli e shkarkon, drejtori nuk liron zyrën- Konflikt i madh në Bashkinë e Vlorës

Një përplasje e fortë verbale ka ndodhur ditën e sotme gjatë një mbledhje mes zyrtarëve të bashkisë Vlorë dhe atyre të ujësjellësit.

Mësohet se ka pasur një konflikt gjatë mbledhjes së drejtuesve të bashkisë dhe Ujësjellësit. Me kërkesë të kryetarit të Bashkisë ishte thirrur mbledhje me këta të fundit.

Pas mbledhjes situata ka agravuar, kur ish-kreu i Ujësjellësit, Shkëlqim Leskaj i cili ka dhënë dorëheqjen disa javë më parë nuk ka pranuar të lirojë zyrën. Sipas burimeve Leskaj nuk ka pranuar të iki nga detyra.

Përfundojnë në Policinë e Vlorës ish Drejtori i Ujësjellësit të Vlorës Shkëlqim Leskaj, i cili ka dorëzuar dorëheqjen në datën 6 gusht, dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë.

Në komisariatin e Vlorës ka shkuar edhe kryebashkiaku, për të sqaruar situatën.

Burime nga policia, Dritan Leli ka ngritur akuzë për Shkëlqim Leskaj për vjedhje të librave të protokollit, vulës së institucionit.

Basha – Nokës: Baza e PD antiamerikane. Noka – Bashës: Besëprerë, po flet si Rama

Debate të forta po zhvillohen në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike.

Debatet janë zhvilluar mes deputetit Flamur Noka dhe kreut të PD-së Lulzim Basha. Noka i ka kërkuar shpjegime kreut të demokratëve mbi ecurinë dhe vendimin për Sali Berishën, ku ky i fundit u përjashtua nga grupi Parlamentar i PD me vendim të Bashës.

Ndërkohë Noka nuk është në të njëjtin mendim me Bashën duke u shprehur haptazi kundër përjashtimit të Berishës.

Gjatë debatit, kreu i PD-së është shprehur se baza e partisë është me ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa është është shprehur se nuk do të lejojë mbledhjen e një kongresi anti-amerikan.

‘Baza është me Sali Berishën, por nuk do të lejoj një kongres anti-Amerikan’, mësohet se është shprehur Basha.

Në ballafaqimin mes këtyre dy figurave të PD-së, mësohet se Noka e ka bërë përgjegjës Bashën në atë që ai e quan ‘ngulje thike pas shpine ndaj PD-se’.

Noka: T’i je përgjegjës që i ke ngulur një thikë pas shpine PD-se. Ti pavarësisht kësaj, ke thënë se është vendimi i jetës time.

Basha: Mos thoni gjysmë të vërteta, kam thënë vendimi më i vështirë që kam marrë. syri.net

Meta takon historianen e njohur Alba Kepi: Mbështetje për ata që ruajnë trashëgiminë, sidomos kur virusi i babëzisë po vë në rrezik shumë vlera

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me gazetaren, publicisten dhe historianen Alba Kepi.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Meta thekson se historiania Kepi i ka dhuruar studimin e saj etnografik “Dasma tiranase”, që siç shton Presidenti, është një vepër e arrirë, që ja vlen të lexohet.

Mesazhi i Metës:

Një takim miqësor me gazetaren, publicisten dhe historianen, Alba Kepi.
Më dhuroi studimin e saj etnografik “Dasma tiranase”, një vepër e arrirë, që ja vlen të lexohet.
Përpjekjet e tiranasve autoktonë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore të kësaj treve meritojnë të mbështeten, veçanërisht kur “virusi” i babëzisë ka shkatërruar dhe po vë në rrezik shumë vlera të rralla materiale dhe shpirtërore të Tiranës. 🇦🇱

Dossier: SHENJTJA NËNË TEREZA NË BERAT

Berati feston 5 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës me një kuvend të mrekullueshëm, të organizuar nga fondazioni “G. Toska” dhe muzeu “Solomon”.

Qytetarë të shumtë, ardhur dhe nga qytete te tjera, edhe të huaj, të ardhur dhe nga SHBA, religjiozë të të gjithë besimeve, murgesha, të rinj, shkrimtarë, deputetë,  funksionare, ambasadorë, të ardhur posaçërisht nga Tirana, etj, u mblodhën në taracën e Hotel “Portik” duke patur në sfond jo vetëm portretin e Shenjtes Nënë Tereza por dhe lagjet muzeale të Beratit mijëvjeçar, me atë dritë qiellore si dhuratë per këtë ditë.

Takimin e hapi sipërmarrësi Ing. Gazmen Toska, organizatori i veprimtarisë. Shkrimtari dhe poeti Ndue Ukaj, i ardhur me familjen e tij nga Kosova, foli per jetën e Shenjtes Nënë Tereza si frymëzim dashurie dhe më pas Eda Zhiti tregoi per diten e shenjterimit te Nënë Terezes, ku ishte e pranishme në Vatikan në  meshën e shenjte dhe per librin e saj, te botuar në Itali, ku permbledh emocionet dhe mbresat e grave diplomate në atë ditë.

Visar Zhiti, nisur nga pervoja vetjake, tregoi si erdhi Nënë Tereza në Shqipëri, njohjet me të, si shqiptarët shkojne drejt Saj, etj

Një intermexo: aktori i njohur Mirush Kabashi reciton nje kolazh malkengjyes me lutje te Nënë Terezes.

Dhe pastaj thirret në foltore Imzot Dom Lush Gjergji, vikar i Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, vëlla shpirteror i Nënë Terezes, Mik i saj, deshmitar i bemave te saj, biografi shqiptar me i mire i Nënë Terezes. Ai foli për universalitetin e Shenjtes tonë.

EKSPOZITA E MAKS VELOS DHE MUZEU SOLOMON

Te pranishmit aty vizituan ekspoziten me vizatime dhe skica te artistit te njohur Maks Velo, te gjitha te dhuruara Eda Zhitit, e cila i solli enkas per këtë rast te veçantë.

Me pas te ftuarit shkuan në muzeun “Solomon”, ideuar nga poeti beratas, mik yni, i ndjeri Simon Vrusho. Mbrojtja e hevrenjve gjate luftes nga shqiptarët është tregues i shpirtit shqiptar, që kulmoi me shenjteri me Nënë Terezën, gruan me të njohur te planetit…

         Po botojmë fjalën e Eda Zhitit dhe të Visar Zhiti

LIBRI IM PËR DITËN KUR U SHENJTËRUA NËNË TEREZA

DHE EKSPOZITA NË BERAT…

 

Nga Eda Zhiti

 

Në 4 Shtatorin e para 5 vjetëve, kur shenjtërohej Nënë në Tereza, unë isha në Vatikan, atje ku po ndodhte ceremonia e shenjtërimit të saj, në meshën e Shenjtë, që celebronte Papa Fançesku. Ati i Shenjtë e kishte shpallur atë vit si “Jubileun e Meshires”, që kulmoi me shenjterimin e Nënë Terezës, me lumturimin  e 38 martireve të kishës sonë katolike, ndërkohe iu drejtua botës mbarë me kërkesën se secili prej nesh është i thirrur për të kryer vepra te mëshirshme.

Unë bëja pjesë në Trupin Diplomatik. Përveç pranisë në ceremoninë e shenjtërimit, që ishte një privilegj i lartë, ndjeja se kisha dhe një detyrë tjetër, ia ngarkoja unë vetes, të dëshmoja, thjesht si një grua, me mesazhet e grave, përfaqësuese nga bota… për gruan më të shquar në botë, të paktën atë ditë, Shenjten Nënë Tereza jonë. Ajo e kishte quajtur veten “laps në duart e Zotit”. Lapsi ishte si një joshje për të shkruar. Dhe ia fillova.

 

Unë e dua Beratin, dua të them së pari. Nëna ime është nga Berati, me emrin e bukur Shpresa. Është e bija e Dane Zdravës, tashmë “Qytetar Nderi” i Beratit dhe i dekoruar me me medaljen “Nënë Tereza”. Gjyshi im tani më duket si një vëlla i Nënë Terezës. Ai kishte kryer akademinë navale në Itali, në Napoli, ishte ndër biznesmenët e parë në Shqipëri, donte artin, solli kinemanë e parë në Berat, hapi dhe dyqanin e parë të modes në Tiranë, prenontonte sallat e takimeve në Romë të shkrimtares së parë grua shqiptare, zonjës Musine Kokalari, gjyshi im solli çentrale elektrike këtu, pra donte dritën, kombajnat e para në Myzeqe, donte grurin, bukën, bënte pajën e vajzave të miqve, që do të martoheshin apo dhe të ndokujt që s’e njihte, mjaftonte t’ia thoshin, pra ishte bamires, që ende e mbajne mend….

Kur e arrestuan gjyshin tim për së dyti në Berat, gjatë diktaturës komuniste, unë isha nxënëse, 10 vjeçe, po dilja nga shkolla dhe ai më përqafoi me pranga në duar dhe s’u pamë më.

S’mund të rrija pa i treguar këto në Beratin tim, por dhe për të thënë se dashuria prej Nënë Tereze, mëshira e saj e shenjtë, janë traditë, virtyte të shqiptarëve, i gjemë në familjet tona, në qytet e kudo. Ndoshta nuk janë aq të shpeshta tani, por janë. Po rindizen…

Shenjtorja Nënë Tereza është frymëzim dhe mësim i madh, i shenjtë.

Unë kisha shkuar familjarisht si pelegrinët në lumturimin e saj, në Vatikan dhe do të isha si diplomate, si bashkëshortja e kreut të Ambasadës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë. Duhej ta tregoja. Dhe mora stilolapsin. Po shkruaja:

 

Mbi 120 mijë veta ishin mbledhur nga e gjithë bota në atë shesh qiellor, njerëzia vazhdonte deri tej te urat në brigjet e lumit Tevere në Romë e nuk u dukej fundi.

E ç’mendojnë gjithë këta njerëz në këtë meshë të shenjtë? – i mërmërita tim shoqi. – Aty ka dhe shumë gra, ç’ndjejnë ato tani që po shenjtërohet një grua? Do të doja ta dija, por është e pamundur. E di ç’do të bëj, do t’u marr nga një përshtypje gjithë grave të ambasadorëve apo grave ambasadore dhe do të bëj një libër. Sa bukur, më tha im shoq…

Po më vinin letrat. Nëse vononte nga ndokush, i rishkruaja. Këmbëngulja…

Dhe libri u bë. E botoi shtëpia botuese e Vatikanit, LEV, ndër më të njohurat gjithandej. Kush e shfleton, do të gjejë shkrime-ese, përshtypje e dëshmi për Nënë Terezën nga gratë diplomate në atë ditë, po përmend disa: gruaja e ambasadorit të Italisë pranë Selisë së Shenjtë, e Japonisë, Austrisë, Polonisë, Rusisë, Francës, Sllovenisë, etj ambasadorja e Britanisë së Madhe, e Bosnjës, Bashkimit Europian, nga vendet Afrikane, etj, pati dhe nga ato që nuk sollën, ndoshta nuk besonin se do të mund të bëhej ai libër e jo më të botohej.

E parapriva me një shkrim timin dhe në fund e mbylla me shkrimet e dy murgeshave shqiptare, Majlindës, që shërbente në Itali atëhere dhe Elenës, superiore, që drejtonte kuvende në Itali, Kosovë e deri në Indi ashtu si Nënë Tereza. Dy motrat-murgesha ishin si ambasadore shpirtërore të misionit të dashurisë.

E ç’nuk kujtonin grate në librin tim modest, takimet e tyre me vetë Shenjten Nënë Tereza, lutjet me të, ndonjëra tregonte dhe se si e kishin arrestuar, natyrisht që i përkiste ndonjë vendi ish socialist, ndonjë tjetër nëpërmendëte atë që i kishte thënë kardinali i vendit të saj, që kishte ardhur me Nënë Terezën në Shqipëri, madje rrëfente se si kishin takuar vejushën e diktatorit Hoxha dhe Nënë Tereza i kishte kërkuar një shtëpi për motrat e saj të dashurisë.

Do ia japim kujt paguan më shtrenjtë, – i kishte thënë vejusha e diktatorit, – se jemi në kapitalizëm, – duke lenë të nënkuptohej se i tillë ishte rendi tani, kështu deshën.

Dhe Nënë Tereza ia kishte kthyer përgjigjen me seriozitet: a nuk e kuptoni se unë po dua t’ju jap rastin që të tregoheni e mirë?

Më shtrenjtë nga të gjithë e kishte paguar Shqipëria. Me vuajtje pa fund e dënime. Por bekuar që mbi këte tokë ka dhe Nënë Terezë, që jo vetëm të jep rastin për t’u treguar të mirë, të frymëzon, por e sjell të mirën, e përhap atë si dritën.

Librin e titullova “Il giorno di Santa Madre Teresa” (Dita e Shenjtes Nënë Tereza”) dhe në qendër ka 5 shtatorin të saj, tashmë festë për ne dhe për të gjithë botën katolike deri në Indinë e madhe dhe desha të theksosj se të gjitha ditët tona duhet te kenë nga fryma dhe shpirti i shenjtes Nënë Tereza, atë buzëqeshje.

Për të nderuar veprën e Nënë Terezes, Organizata e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 Shtatorin 2013 “Diten Botërore të Bamiresisë”.

Libri vërtet vazhdon të ketë jehonë. Shkruajtën mediat. Dhashë dhe një intervistë në Zërin e Amerikës dhe e përurova librin dhe në njërën nga kishat shqiptare në Miçigan në SHBA.

Si epilog do të desha të them diçka, që edhe pse është jashtë librit tim, është si një libër më vete, e kam fjalën për qilimin shqiptar të Nënë Terezës.

Ka qenë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. I vogël, me motive popullore. Ia dhuruan Nënë Terezës në një nga vizitat e saj gratë bashkatdhetare, katolike, ortodokse, myslimane. E mori me vete në Indi. Dhe lutjet po i bënte mbi atë qilim. Donte të prekte Shqipëri, që diç do t’i përcillte patjetër te gjunjët e dobët e do t’i kalonte në gjak, te kockat, në shpirt, do të shkruante im shoq, Visari në librin “Mërmërimë shenjtoreje”. Ajo e kishte Shqipërinë gjithmonë brenda vetes.

Motrat e Nënë Terezës në Indi ia dhuruan këtë qilim arkipeshkvit shqiptar, imzot Rrok Mirditës, i cili e ktheu në atdhe,.

Dhe po vazhdoj ç’shkruante Visari më tej:

Ashtu si në sindonen e famshme, në çarçafin që mbështolli Krishtin, që e vizitojnë me miliona veta dhe shkencëtarët kërkojnë përhitjen e kurorës së përgjakur gjithë gjemba mbi ballin e Martirit, plagët, ndryshkun e gozhdëve, në qilimin e Nënë Terezës ne gjejmë vegimin e saj, këmbët e zbathura, ikjen larg për të qenë sa më afër. Fërgëllimi dhe ngrohtësia, të mbetura përgjithmonë aty, mërmërimat e shenjta, i kalojnë dyshemesë së Katedrales, themeleve pastaj, që e shpërndajnë nëpër tokë. Dhe nga të çarat e tokës, mes gurëve apo mes pllakave në bulevard, ashtu siç dalin fijet e barit, do të rindjehen mërmërimat e saj: Ti, kushdo qofsh, duaj më shumë.

Libër janë dhe fytyrat e nënave tona, me rreshtat e rrudhave, që i ngjajnë aq shumë fytyrës së shenjtes tonë Nënë Tereza.

I ka paraqitur dhëmbshëm dhe bukur artisti Maks Velo në albumin e tij, kushtuar shenjtores Nënë Tereza.

Me Maks Velon kishim miqësi familjare. Kishte qenë në burg bashkë me Visarin. Dua te kujtoj një pasdite, kur na kishte ftuar në shtëpinë e tij për të na treguar punët më të fundit. Kur na përcolli, më dhuroi një dosje me vizatime e skica nga origjinalet e albumit të tij për Nënë Terezën. U përlota, pasi m’u duk se na i la amanet dhe vërtet ai ishte takimi i fundit me të.

I thashë Visarit se do të doja të bënim një ekspozite. Ndërkaq një portret të madh në vaj të Nenë Terezes e çuam në SHBA, e kemi vendosur në murin e shtepise tonë në rrethinë të Çikagos dhe një tjetër, me pëlqimin e Maksit më parë, ia dhuruam Kishës shqiptare të Zojës së Këshillit të Mirë në Detroit. Pjesën tjetër e solla që të ekspozohen në Berat për herë të parë. Skica të thjeshta, si parake dhe të frymëzuara, me shumë dramacitet.

Sa mirë që ndjesira të tilla që na japin librat dhe artet, kumte të shenjta, po shpalosen sot këtu, në qytetin e nënes time.

 

NËNË TEREZA

NGA PLAGËT TEK YJET…

 

Nga fjala e shkrimtarit Visar ZHIT

 

         Të mbledhurit sërish së bashku për Shenjten Nënë Tereza më ngjan me një misionin. Eshtë fuqia përbashkuese e Saj. Jemi në Beratin e lashtë, biblik, me ordodoksë e myslimanë, mbi të githa me qytetarë të denjë, me ikonat e famshme të Onufrit dhe Kodikët e vyer, që, atë të Purpurtin, kur e kanë çuar të ekspozohet në Vatikan, e kanë venë në shtrat topi…

Nuk jemi larg bibliotekës së qytetit që mban emrin “Vexhi Buharaja”,  poet e përkthyes nga bota e orientit, plot shpirt dhe ajo.

Për më tepër, ky takim bëhet afër Muzeut “Solomon”, që dëshmon përndjekjen dhe dashurinë njerëzore, thelbin e shenjtë të Nënës tonë Tereza. Por unë dua të kujtoj ideatorin e këtij muzeu, të urtin, me të gjitha kuptimet, Simon Vrusho, poet, humanist juaji, një nga miqtë e mi më të mirë e besnik, që kur u njohëm student e deri tani vonë, kur ai çeli këtë muze dhe bisedonim për vështirësitë që do të kishte për ta mbajtur, që aq denjësisht po e vazhdon këtë detyre humane bashkëshortja e tij, zonja Angjelina Vrusho.

Unë besoj te fuqia e Shenjtes Nënë Tereza që na mblodhi sot këtu, edhe me ata që janë në Qiell, që i duam dhe na duan…  

        

Erdha në 5 shtator në aeroportin që mban emrin e Shenjtes tonë Nënë Tereza në Tiranë, pra, në ditën e shenjtërimit të saj, që është dhe festë zyrtare, por nuk pashë ndonjë shenjë që të na e përkujtonte, një pllakat a drita, as lule të freskëta në shtatoren e saj, aq të trishtë.

Mësomë të dua! – lutej Nënë Tereza. Të mësojmë të duam. Dhe më ngazëllen së brendshmi Berati me këtë takim dashurie.

U bënë 5 vjet nga dita kur u shenjtërua Nënë Tereza. E kujtoj atë ditë të madhe, meshën e shenjtë të kanonizimit, isha atje, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.                                        

Po si arritëm deri atje? Rrugëtimi drejt Nënë Terezës, i gjeneratës time, ndoshta është i njëjtë a i ngjashëm për ne, shqiptarët këtej…

 

*   *   *

Po, po, në burg dëgjova për herë të parë emrin Nënë Tereza, kur isha në Spaç, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për poezitë e mia. Kujtoj me nderim bashkëvuajtasit e mi beratas, Prof. Luan Myftiu, Shkëlqim Kurti, Dane Zdrava, Adriatik Mustafaraj, Ushtar Çobo, Protoduarin, Rajmond Sejkon… Një pasdite, ishim një grup të burgosurish te shkallët, po shplodheshim nga puna prej skllavi në minierë, kur na afrohet një i burgosur i porsaardhur,  që s’ishte i ri në burg, e kishin dënuar prapë, Gjonzeneli e kishte mbiemrin, nga Vlora.

Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë? – e pyeti njëri që e njihnin që më parë.

Para se të më riarrestonin, dëgjova fshehurazi në televizorin Italian se çmimi Nobel për Paqe iu dha një murgeshe shqiptare.

Vërtet?

Po, e dëgjova vetë. Madre Tereza. – dhe na i thoshte dhe italisht lajmin. Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim. Mos duan të sfidojnë regjimin kështu, duke krijuar lajme të bukura? Se ndodhte dhe kështu.

Jashtë telave me gjëmba ishte viti 1979, brenda televe me gjëmba nuk hynte koha, por antikoha. Kështu erdhi Nënë Tereza së pari tek unë burg.

Por ajo ishte e ndaluar në atdhe. Edhe si emër.

 

Ndërkaq, më vonë, edhe pse shumë vonë, kur do të binte perandoria komuniste e do të ndryshonte bota, edhe ne njohëm Nënë Terezë, nga shenjtëria e Saj. Donin të dinim sa më shumë për të dhe si vazhdim i asaj që dëgjova në Spaç, në leximet e mia gjeta diçka nga ceremonia e Çmimit Nobel, ç’kishte ndodhur në Oslo, në kryeqytetin e Norvegjisë në ato ditë.

Rrugëve endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin. Në pallati mbretëror, Mbreti i Norvegjisë, Ollavi V, do t’i thoshte Nënë Terezës:

– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

– E pse? – ia kthen Nënë Tereza shkujdesshëm.

– Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.

– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti…

Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”. Ajo beson te natyrshmëria, te vlera dhe barazia, që Zoti i ka dhënë gjithsecilit.

Si përherë në raste të tilla siperane, ishin gazetarët që do e rrethonin Nënë Terezën, që do ta pyesnin dhe fjala e Saj do të përhapej në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg.

Dhe aty, si i dërguar nga Zoti, do të ishte dhe një meshtar shqiptar, i ri dhe i përunjur, vëlla shpirtër i Nënë Terezës, që e kemi midis nesh sot në Berat, Dom Lush Gjergji, që do të bëhej dhe biografi më i mirë shqiptar i Nënë Terezës. Ai e dinte më mirë se kushdo se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj dhe të popullit të saj, që siç duket iu përshkëndijua që në atë çast se ç’do të bëhej me Nënë Terezën, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe aty bëri pyetjen më të thjeshtë që mund të bëhet, po aq dhe të çuditëshme për atëhere dhe sa e vlefshme për më pas:

Kush jeni Ju?Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”.

                                                       

ARDHJA NË ATDHE

 

…mundi të vijë në atdheun e saj 10 vjet pas marrjes së çmimit Nobel, në 1989, pra 32 vjet më parë, në gusht, kur në tetor do të shëmbej Muri i Berlinit, që kishte ndarë vëndet dhe njerëzit, pak më parë se të binte perandoria komuniste. Sundimtarët e Tiranës, ata që nuk e kishin lejuar të shkelte tokën e saj, të takonte nënën dhe motrën, që ia vdiqën me pengun më të madh, tani i dhanë leje të shkonte dhe të vinte lule në varret e tyre.

Por dhe te varri i diktatorit. E kishin ftuar vejusha e diktatori dhe pasuesi i tij. Ç’ishte kjo, frika e Tiranës politike nga mëkatet dhe krimet e veta, që ndërkaq po përgatitej e detyruar të ndërronte sistem?

Nënë Tereza me sundimtarët e Tiranës, dëshmohet që nuk ka folur shqip.

Mendoj, jo nga që nuk po e përdorte më shqipen e saj të familjes nëpër punërat në botë, por duhet të ketë qenë dhe si një lloj qortimi i heshtur për ata që vranë shqipen e hershme liturgjike, ndërkaq Nënë Tereza mund të fliste me ta dhe me ndonjë nga gjuhët sllave, që dinte dhe që mund t’u shkonte më për shtat sundimtarëve në Tiranë, por përdori gjuhën e saj të misionit, anglishten, të kultures Perëndimore.

Kam lexuar në gazetën e madhe katolike italiane “Avvenire” një dëshmi të një shkodrani, autor librash, Marçel Hila, mik dhe imi, që thotë atë që pak veta e dinë, se varri i Enver Hoxhës dridhej në atë kohë sikur të kishte djallin brenda dhe ushtarët e shërbimit tmerroheshin e i ndërronin menjëherë.

Që Shqipëria e tërë dridhej nga djalli Enver Hoxha e dinë të gjithë. Nënë Tereza u thirr kështu dhe si ekzorciste. Dora e Saj mbi mermerin mortor është e sigurtë që i qetësoi drithmat e Shqipërisë që po i kthente fytyrën e vet të rreshkur Zotit.

Një mrekulli kjo, dhuratë qiellore dhe prej lutjeve të Nënë Terezës dhe kthimit të saj.

 

*   *  *

Kur Shqipëria jonë po hapej, drejt perëndimit, lirisë dhe demokracisë, unë shkoj në Itali, në Milano si gazetar i opozitës për një specializim.

RAI jepte çdo mbrëmje para lajmeve një lutje, video, të Nënë Terezës nga libri i porsabotuar i saj në italisht. Kërkova librin dhe e nisa ta lexoja netëve në dhomën time, një herë, dy, tre… më mahnitën lutjet e saj, të thjeshta dhe të thella, gjeta lutje për të burgosurit, e si të mos më intrigonte, për gjykatësit, lutje për të mbjellat, për ata që do të martohen, për fëmijën që do të lindë, për të dehurit, për shoferat, për kafshët, për atë që do të vdesë, për të poshtëruarit, për kohën, për emigrantët, muzikantët, për mikpritjen, për buzëqeshjen, unë jam nusja e Krishtit, thoshte ajo, lutje për ata që s’dinë të luten… ishin si poezi dhe më lindi dëshira t’i them në shqip dhe nisi kështu përkthimi i tyre. S’ishte thjesht akt letrar, ishte zbulim i lutjes, i fuqisë së saj, teksa shpesh libri më mjegullohej prej lotëve.

 

*  *  *

Ëndrra e takimit tim me Nënë Terezën u realizua me ardhjen e Saj të dytë në Tiranë, kur diktatura qe zhbërë e në pushtet ishin ngjitur liderat e lëvizjes së demokratizimit të vendit. Ndërkaq Nënë Tereza kishte pasaportë shqiptare, diplomatike.

Ajo kishte ardhur më përpara në Pallatin e Kongreseve se të vinin kreu i shtetit dhe personalitete të tjera. Iu afrova dhe unë duke fërgëlluar para asaj bardhësie të qirinjtë qiellore. Më bënë përshtypje këmbët e zbathura në sandalet e saj pelegrine. Dhe më vjen keq që në foton që bëmë vura çantën time para tyre, si për t’i mbrojtur nga një varfëri që unë s’e kuptoja atëhere, ajo ishte pasuria më e çmuar. S’po dija ç’t’i thosha:

– Kam përkthyer nga lutjet e Tua… – mërmërita.

Mir’ ke ba! – m’u bë se m’u përgjigj. Kaq. Edhe rreptë. Pse, pyesja veten.

Më pas zbulova se Nënë Tereza, grua e ditur dhe e lauruar, me master, etj, që mbante ditar, etj, lexuese e shquar, etj, nuk kishte lexuar asnjë libër nga ato që botoheshin për të, aq të shumtë e në shumë gjuhe e kudo në botë.

Kur ndonjë shkrimtar a gazetar, biograf i Saj, i jepte librin e vet a guxonte t’i thoshte se shih, ç’kam shkruar apo po shkruaj për ju, ajo e ndërpriste dhe i thoshte: mirë po bën, duhen për t’i sensibilizuar njerëzit që bëjnë mirë. Dhe s’pranonte të dëgjonte më tej për vete.

 

Kur Shqipërinë për herë të parë në historinë e saj do ta vizitonte një papë, Gjon Pali II, në 25 prill 1993, Nënë Tereza erdhi që ta priste këtu, si bija “në derë të t’et”, doli në aeroportin që do të merrte emrin e saj në Tiranë dhe që të dy, ecën dorë për dore, shenjtër që do të shpalleshin më vonë.

 

         *   *   *

…duhet të them diçka për luftën në gjysmën tonë, në Kosovë. Nënë Tereza pa dyshim si katolike e madhe është kundër çdo lufte dhe kundër çdo lloj arme, që nga ato të abortit dhe deri te ato të lemerishmet që shfarosin njerëz në masë, njëlloj janë e te pandemitë, që I perhaps djalli.

Që të çlirohej Kosova, ndërhyri NATO-ja dhe bëri të parën luftë morale, të shpëtonte një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në bibël, nga zhbëria.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton do të dëshmont botërisht në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim!

 

 

SHENJTËRIMI DHE LIDERSHIPI SHQIPTAR

(Pjesa që s’u lexua dot në kuvend)

 

…Sa dritë kishte ajo ditë! Në një nga dritaret e pëfaqësisë, në katin e dytë të një pallati të vjetër në Rrugën “Ottaviano” 43, kishim vënë një portret të madh të Nënë Terezës, që dukej sikur e qeshura e saj e bënte më të ëmbël ajrin dhe pelegrinët apo turistët e shumtë ndalnin, e fotografonin dhe vazhdonin në turma të shkonin për te sheshi më i bukur i të gjithë botës katolike, para Bazilikës “San Pietro”.

Isha vetëm në ambasadë, bashkëpunoja me time shoqe, punonim deri pas mesante, dërgonim relacione të shpeshta në Ministrinë tonë të Jashtme, në Tiranë dhe në Sekretarinë e Shtetit të Vatikan.

Do të mblidhej e gjithë bota atë ditë të shenjtë. Vendet që lidheshin më shumë dhe drejtpërsëdrejti me Nënë Terezën, Shqipëria e para me Kosovën, Maqedonia e Veriut, për ne, Maqedonia e Jugut dhe India do të kishin delegacionet më të mëdha shtetërore, edhe mbi 20 veta. Vendet e tjera jo. Do të vinin kryetarë shtetesh, president, mbretër, nobelistë…

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut më tha një ditë pas njërës nga meshat në Bazilikë se s’dinte nga t’ia mbante, ata të qeverisë së tij donin që të vinin që të gjithë në ceremoni, po me të tutë si i keni punët ju, – më pyeti.

Edhe unë s’di nga t’ja mbaj, – i thashë, – s’do të vijë asnjëri…

Lejomëni të rrëfehem, ndjehem si midis miqsh në Beratin dhe të prindërve të mi.

Nga Presidenca s’kishte përgjigje a do të vinin. Edhe nga Parlamenti. Kryeministri do të vinte, por jo delegacion shtetëror, ja ashtu vetëm, me grupin e tij. Me Ministrin e Jashtëm, mbase. Nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit donin të dinin sa vetë do të vinin, nga Shqipëria, cili do të ishte kryetari i delegacionit shtetëror? Nëse nuk vinte presidenti? Kabineti i tij absurdshëm po bashkëpunonte me nunciaturën, jo me ambasadën e vet. Erdhi në kohë një listë nga Kryeministria, do të vinte Kryeministri, bashkëshortja, Ministri i Jashtëm dhe nja dy drejtorë të asj ministrie. Pastaj më vjen një listë e gjatë, ku presidenti i Republikës, si kryetar delegacioni do të ishte në krye të nja 25-30 vetave, bashkëshortja, stafi i tij, këshilltarë, roje, vetura. etj. Pra s’kishte vend më për të tjerë, sipas tyre. Një ditë a dy para ceremonisë dëgoi listen e vet parlamenti, do të vinte Kryetari pa bashkëshorten, me një këshilltar e nja dy deputetë. Nga opozita asnjë lajm për pjesëmarrje.

Sekretaria e Shtetit të Vatikanit më mirëkuptonte dhe priste e qetë çdo sugjerim timin, kërkesë apo shkresa që anullonin njëra-tjetrën, siç më vinin nga atdheu.

Dhe mbërriti delegacioni shqiptar, tre krerësh, presidenti me të vetët, sa shumë, që s’donin të kishin punë me askënd, veç me piceritë e Romës, kryeparlamentari, jo dhe aq shumë në grup, kryeministri – korrekt me pjesëtarët e dërgatës së tij. Ishin vendosur në hotele të ndryshme, pa paqe midis tyre.

Ndërkaq Dioqeza e Prizren-Prishtinës kishte organizuar një koncert të madh në Romë, i ndihmova dhe unë, në një kishë të famshme me artistë shqiptarë nga e gjithë bota, që vërtet ishin të shkëlqyer. Na mblodhi dhe na frymëzoi Nënë Tereza, thoshim. Mes spektatorëve pafund ishin të gjitha copërat e delegacionit tonë, edhe nga opozita, por kurrsesi bashkë.

Dhe ja, mëngjezi i 5 shtatorit, me emocione të mëdha e me shqetësime ende më të mëdha. U kërkua nga policia italiane dhe protokolli që makinat e delegacionit shqiptar si për çdo delegacion shtetëror, të ishin në rresht bashkë. Ata të presidencës, vetë presidenti u alarmuan se makina e tyre nuk ishte e para, i sqaruan se para tyre nuk ishin as makinat e Kryeministrit e as të Kryetarit të parlamentit, por ato të policisë dhe ajo e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, sipas protokollit. Mezi u qetësuan.

Si shumë po vepron qoftëlargu mes nesh, thosha me vete këtë varg të Nënë Terezës. “Qoftëlargu” ajo i thoshte djallit shqip.

U futëm në Vatikan, vargan vaturash të zeza, nga portat pas dhe do të dilnin në shesh duke kaluar mespërmes brenda Bazilikës mahnitëse të Shën Pjetrit. Sheshi ishte plot, një det me njerëz dhe me flamuj nga e gjithë bota. Skuqnin flamujt u bukur të Shqipërisë. Ja, dhe ata të Kosovës. Rojet e palëvizura zviceriane me shtiza në dorë, me uniformën me ngjyra, të stilizuara nga Mikelanxhelo.

Delegacionet shtetërore po zinin vendet e caktuara për to afër altarit të madh, përballë kardinalëve.

Pa i folur njëri-tjetrit u ulën në rreshtin e parë presidenti shqiptar me bashkëshorten dhe pranë saj bashkëshortja e Kryeministrit me Kryeministrin, Në rreshtin e dytë – Kryetari i Parlamentit, ndërsa në vendin e Ministrit të jashtëm ishte ambasadorja në Romë. E zura e para,  tha. Vendet tona si diplomat i kishin zënë ata të shpurës së klanit të presidentit dhe bisedonin me zë të lartë, aq sa delegacionet e tjera kujtuan se po grindeshin.

Nejse. Rëndësi ka dielli. Shkëlqente mahnitshëm. Në taracat sipër, mes statujave të shumta, kamerat e gazetarëve nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria e Kosova. Kori i madh kishtar, muzika gregoriane, po ngriheshin nëpër ajrin biblik. Erdhi procesioni i bardhë me Papa Françeskun. Një mallëgjim hyjnor na mbushte shpirtrat.

Filloi mesha e shenjtë. Kanonizimi i Nënë Terezes tonë. U tha që është shqiptare. Kur erdhi koha që, sipas ritualit në meshë, i duhej dhënë dora njëri-tjetrit në shenjë paqeje, në gjithe atë shesh me mbi 100 mijë veta, vetëm presidenti shqiptar nuk i dha dorën kryeministrit të tij dhe e anasjellta.

Ndërkaq do të ndodhte dhe një si incident, le ta themi, por me Maqedoninë. Në broshurën e meshes së shenjtë, të shpërndarë ndër të pranishëm, në biografinë e Nënë Terezës, në anglisht ishte shkruar që ka lindur në Shkup dhe bnë kllapa ishte shtuar Shqipëri. Ambasada e Maqedonisë së Veriut, e Jugut për ne, protestoi, Shkupi s’është në Shqipëri, por kur lindi Nënë Tereza, në 1910, Shkupi ishte Sanxhak shqiptar dhe ende s’ishte shpikur Republika e Maqedonisë. Zyrtarët e Vatikanit kërkuan ndjesë, broshura s’kishte kohë të rishtypej, pas fjalës Shkup, emri Shqipëri në kllapa, u nxi, por ashtu tërhiqte më shum;e vëmendjen. Nuk di si ndodhi ky gabim, që s’ishte aq gabim, nuk besoj se u bë qëllimisht, por e ndolli një e vërtetë historike.

Nuk po zgjatem. Rëndësi ka që shqiptarët i dhanë botës sërish një shenjtore, tani moderne, të shekullit XX, që u kanonizua 5 vjet më pare në shekullin që jemi.

 

Shenjta Nënë Tereza është shqiptare,

por sa janë shqiptarët të Shenjtes Nënë Tereza?

 

Kjo është çështje. Është pyetja që kam bërë më herët. Duhet të jemi optimist megjithë vështirësitë dhe zhgënjimet. Të shkojmë drejt saj. Është ikonë përbashkuese, mbarëkombëtare. Rruga e saj është nga plagët tek yjet. Se dhe yjet janë plagë dhe plagët janë yje në universin tonë.

 

*   *   *

Ende ëndërroj që shesheve të qyteteve tona si vepra skulpturore të ketë dhe libra të hapur, të mëdhenj prej guri a bronzi a mermeri, me porosira dhe vargje të gdhëndura, nga eposi, por dhe nene të Kanunit tonë madhështor, nga Naimi e De Radës e Samiu, Ismail Qemali, Fishta, etj, e Vexhi Buharaja në qytetin e tij, etj, por kudo mund të vihen lutje dhe nga Shenjtja jonë Nënë Tereza, patjetër, ashtu siç i ka shkruar me dorë, me ato shkronjat e bukura rilindase.

Sot, në ajrin e Beratit diçka gdhëndëm dhe ne!

 

 

 

Lisandër Hoxha: ‘Foltorja …’ e Berishës, lëvizje historike, në Shqipëri ka 20 vite që nuk flitet

Ish-nënkryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha duke komentuar lëvizjen e ish-kryeministrit Sali Berisha është shprehur se kjo gjë është një akt historik.

Hoxha duke folur në SYRI TV, përballë moderatores Megi Fagu deklaroi se, referendumi do të vendosë në lidhje me vendimin që ka marrë Lulzim Basha, për përjashtimin e Sali Berishës.

‘Sali Berisha po ndërmerr një akt historik me ‘Foltoren …’. Në Shqipëri ka 20 vite që nuk flitet, nuk bëhet debat. Kjo gjë nuk e përçan PD-në. Partia Demokratike është kthyer në një parti lulokratike, ku të gjithë mbrojnë karrigen e kryetarit.

Nuk ka asnjë pikë në statutin e partisë që të mund të çojë në marrjen e vendimit për Berishën nga Basha.

Unë ftoj anëtarët e PD-së që ti bashkohen Sali Berishës. Ne duhet të kthejmë opozitën në Shqipëri, opozitën morale. E sfidoj Lulzim Bashën, hajde në një takim dhe dëgjoi anëtarët se çfarë mendimi kanë për aktin që ndërmorre.

Nuk lejohet Referendumi? Është mashtrim i madh, me porosi të Bashës dhe gojën e Gaz Bardhit. Referendumet janë niveli më i lartë i demokracisë në parti dhe askush nuk mund ti ndalë demokratët. Referendumi do të bashkojë PD-në.

PD ka nevojë për reformim. Të shtrojmë platforma, të diskutojmë, të bëjmë një opozitë të sinqertë me të rinj dhe të reja. Edi Ramën do ta mundim sapo të pastrojmë PD-në. Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë. Demokracia do të nisë nga opozita, demokracia është nevojë kombëtare’, tha Lisadër Hoxha në SYRI TV.


Send this to a friend