VOAL

VOAL

Spiropali: Të paktën 28 fëmijë shqiptarë gjenden në kampet kurde

Ilirian Agolli

Qeveria shqiptare po bën përpjekje për të kthyer në Shqipëri gratë dhe fëmijët, që gjenden në kampin e Al-Hol, të cilët janë në proces identifikimi.

Kështu deklaroi sot ministrja e shtetit Elisa Spiropali gjatë një interpelance në parlament për këtë temë, e cila bëri të ditur identifikimin e plotë deri tani e të paktën 28 fëmijëve shqiptarë.

“Shqipëria ka vendosur kontakte gjatë muajve qershor dhe korrik. Në fund të muajit gusht u diskutua një operacion i mundshëm riatdhesimi. Por situata në terren ndryshoi. Operacioni ngriu. SHBA u tërhoqën dhe në terren ka një situatë të re gjeopolitike” – tha zonja Spiropali.

Sipas saj, afro 500 persona nga Ballkani janë ende aty, 150 janë shqiptarë, 72 janë nga Shqipëria, 11-13 burra të klasifikuar si terroristë në burgjet e kontrolluara nga forcat kurde.

“Nga 1 mijë individë nga Ballkani perëndimor në atë zonë, rreth 400 prej tyre janë kthyer nëpër vendet e tyre, duke e bërë këtë rajonin me përqëndrimin më të madh të luftëtarëve të huaj në Europë” – tha zonja Spiropali.

Interpelanca e ministres Spiropali u kërkua nga një grup deputetësh, që kërkuan të dhëna për operacionet mbi shpëtimin e 11-vjeçarit Alvin Berisha, për të cilin u interesuan gazetarët italianë, ngaqë babai i tij jeton në Itali.

“Babai i Alvinit ka marrë një letër nga ai në qershor. Prania e tij në kamp u njoftua nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar pranë ambasadës shqiptare në Kajro në fillim të muajit shtator. Jemi përpjekur ta ndihmojmë familjen Berisha. Ambasada jonë u njoftua më 22 shtator se grupi i gazetarëve italianë do të udhëtonin drejt kampit, gjë që u krye më 28 shtator. Nga pikëpamja zyrtare, kjo është një punë e vështirë” – tha zonja Spiropali.

Ajo shtoi se situata në Siri vazhdon të mbetet e komplikuar si zonë konflikti me informacion të kufizuar.

Shumë prej shqiptarëve udhëtuan pa dokumenta dhe kaluan kufijtë në mënyrë të paligjshme, ndaj sipas saj, identifikimi i plotë dhe përfundimi i operacionit është një punë e vështirë prej mungesës së institucioneve homologe, sepse janë zhdukur dokumentat shqiptarë dhe janë pajisur me dokumenta të Kalifatit, të cilat edhe këto janë grisur tanimë për të mos u identifikuar ISIS.

“Shteti shqiptar po bën gjithçka është e mundur për të kthyer gratë dhe fëmijët nga ato kampe. Këto territore kontrollohen nga struktura paramilitare dhe nuk u binden rregullave ndërkombëtare për lirimin e personave apo shkëmbimin e robërve. Në situatën e rindezuar, hapat operacionalë nuk mund të bëhen kurrsesi publike, sepse do të rrezikohej jeta e atyre personave, duke zbuluar identitetin e tyre” – tha zonja Spiropali.

Bëhet e ditur se midis tyre ka edhe fëmijë shqiptarë të lindur në zonën e konfliktit, por numri i tyre nuk mund të konfirmohet.

Avni Delvina në një ekspozitë si përfaqësues i artit që jep shpresë – Nga Jozef Radi

Fjala e Jozef Radi në hapjen e ekspozitës “Notre Drame de Tiran!” me 2 nëntor 2019

Falenderoj gjithë autoritetet dhe gjithë dashamirët e artit që na kanë nderuar me praninë e tyre këtë ekspozitë të dytë të piktorit Avni Delvina në harkun e një viti, falenderoj autorin që me shpirtin e tij artistic na ka mbledhur bashkë prej botës virtuale në botën reale; falenderoj zonjën Adriana Kalaja që i vuri ngut dhe seriozitet kësaj ekspozite, por mbi të gjitha dëshmoi se vullnetet pozitive jetojnë dhe veprojnë përtej fjalëve, por më duhet të falenderoj edhe të gjithë ata që janë vendosur si rrënues me mosdobishmërinë e këtij Teatri. Kjo ekspozitë, ky shpirt mbështjeje dhe ky solidaritet qytetar do të ishte i munguar pa vullnetet e tyre rrënuese, edhe kjo protesta qytetare gati dyvjeçare do t’ishte ca më e përfjetur në misionin e saj.

Avni Delvina është prej atij brumi artistik që s’lodhet së kërkuari mjete shprehëse e forma të reja komunikimi të artit. Dy ekspozitat e fundit në Tiranë, “The Donald” (17-23 shkurt 2019), dhe “Notre Drame de Tiran” (2-12 nëntor 2019), pasqyrojnë më së qarti këtë frymë kërkimesh e realizimesh artistike. Të dyja këto ekspozita dallojnë qartë si teknikat artistike, mjetet shprehëse, idetë sociale dhe ato politike, riciklimet e tabllove të njohura klasike dhe devijimet artistike, deheroizimi i skulpturës monumentale, çvendosja e së vërtetës në kohë e hapësirë, përzgjedhja e kujdesshme e personazheve dhe maskave tyre, duke i përcjellë t’ishte fjala për një Karuzel Karnevalesh… Kjo është në vija të përgjithëshme fryma që përcjell autori, duke qepur artistikisht gjithkund dhe gjithkah me fillin e hollë të një ironie qësendisëse e një sarkazme të pamëshirë, çka na shtyn të mendojmë se ai me lehtësi e braktis penelin dhe u jep tjera trajta kërkimeve të veta artistike…

Delvina mbivendoset shpesh mbi vepra të rëndësishme të pikturës botërore, pa pretenduar t’i tejkalojë apo t’i çvleftësojë këto vepra mbi të cilën ndalet! Jo! Ai vendos shenja, kode dhe simbolika të reja; çvendos përmasën e kohës dhe kumtet fillestare të saj, dhe vendos lexime të reja me këto mbi vepra, duke kërkuar të mbrrijë te një shikues i kultivuar, dhe në mos, t’i kultivojë dashamirësit e artit përmes këtyre mesazheve të reja. Me këto përjetime dhe përjetësime mbivendosjesh, veprat bëhen produkt i artit të tij.

Kështu ai krijon raport të reja me kryeveprat dhe me kohën së cilës i përket, përmes çvendosjes së personazheve, çmontimit të heroikës dhe paraleles së ideve, formimin e planeve paralele, ku rikonceptimi përmes frymës ironike, deformimit, riformatimit dhe çvendosjes në kohë e hapësirë rikrijon një vepër të re…

Ky vullnet i admirueshëm, kjo energji vagante dhe kjo fantazi e “dalur binarësh” ka sjelle që në harkun e tetë muajve, Avni Delvina të jetë promovues i dy Ekspozitave të Artit Ndryshe…

Lëvizja për Mbrojtjen e Teatrit që mbart heroikën e një kauze që ka bashkuar mjaft njerëz jo vetëm këtu po edhe në botë. Por kjo “heroikë” në thonjëza, ka ndarë ata, që janë tejet vulnerabël ndaj pushtetit, ndaj atij pushteti që e tepron me forcën e tij, e që na shfaqet herë si “dorë e ngrohtë” e herë si “strehë e sigurt”…

Jo rastësisht nji nga piktorët më të dashur të Avni Delvinës është Pablo Pikasso. Ka një periudhë të krijimtarisë së tij ku kubizmi i Pikassos ndjehet mjaft në frymën artistike të Delvinës, përmes trajtimesh grafike të admirueshme. Fakti që Pablo Pikassos krahas talentit të jashtëzakonshëm ishte edhe pak artist spekullant, sepse krijonte edhe duke vjelur idetë përreth… veçse duke e filtruar në fantazinë e tij mahnitëse dhe gjithçka merrte vulën e tij. S’di sa i drejtë mund të jetë një krahasim i tillë, por ndërsa vëzhgoja Guernikën e Teatrit tabllo e Delvinës, e para ide që më erdhi ishte pikërisht ky shpirt paralel… Delvina përmes kësaj ekspozite na dëshmon se Teatri Kombëtar, që sot mbrohet për njëmijë arsye, dikur ka shërbyer për goditjen dhe eleminimin e pjesës më intelektuale të këtij vendi, prandaj midis një qielli të mbushur me sagoma të varura dhe një sheshi të mbushur me varre të akullt, ndërfutet edhe Guernika e tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, kështu që hija e Picassos, edhe përmes fqinjësisë artistike s’kishte si të mungonte kësaj ekspozite…

Nëse flasim për heroiken dhe deheroizimin, për madhështinë dhe tjetërsimin, është e pamundur mos të cekim edhe dy-tre kuadro të kësaj ekspozite, të cilat vijnë prej kryeveprash si fjala vjen “Mendimtari” i Rodenit”, “Mëshira” e Mikelanxhelos, “Monaliza” e Leonardos, “Napoleoni” i Jacques Luis Davidit e mjaft të tjerave, ku vërejmë se çdo kryevepre duke iu këmbyer personazhi i këmbehet edhe mesazhi.

Nëse te “Mendimtari” i Rodenit ka vendosur shpirtin më përfaqësues të betejës për mbrojtjen e Teatrit, në sfondin më të laskaruar të këtij objekti për të dëshmuar dëshpërimin dhe braktisjen po edhe stoicizmin intelektual; të figura e Napoelonit e Jaques Luis Davidit, ai e madhështon artistin që fillimisht qe dalazotas i Teatrit… por që më pas e e shaloi Tetarin për betejat e ndërgjegjes së tij. Ndërsa te “Mëshira” e Mikelanxhelos zgjedh për Shënmëri një ikonë të Teatrit dhe Filmit, në vend të djalit të vdekur i ka vënë në prehër Teatrin si dhimbje po edhe si shpresë mbijetese. Nëse te figura e Monalizës ka transportuar një figurë europiane, në vend të misterit të buzëqeshjes i ka gdhendur përmes detajesh të rafinuara, hipokrizinë e saj si një tallje të madhe…

U ndala në këto katër ikona artistike, për të dëshmuar se piktori nuk karikaturon, por jep kode të tjetërsimit të këtyre veprave, dhe leximeve ndryshe të tyre, për të mbrritur ai vetë dhe secili prej nesh në raporte të reja komunikimi.

E kam mjaft për zemër kuadrin Dy Gjergjat Kombëtarë dhe Teatri Kombëtar… ku në sondin e rrënuar të kësaj godine shfaqen dy personazhe tona historike ku në kthimin e kohës pas na shfaqen si Don Kishoti me Sanço Pançën, dy idealistët e famshëm të kësaj bote, që kërkonin të kthenin kohrat e arta të dashurisë për atdhe. Kontrasti midis deheroizimit të tyre dhe lindjes së një heroike të re, e bën kët vepër për nga pesha e dhimbjes madhështore e për nga pesha e kthimit të kohës pas të dhimbshme.

Një kuadër tjetër që ka disa rrafshe leximi ështe Trapi i Meduzës e Theodor Zherikos. Eshtë historia tragjike e një anije franceze të mbetur në cektina të një ishulli për faj të komandantit. Autoritetet e anijes vendosen në varkat e anijes dhe për pjesën e mbetur bëhet një trap i cili braktiset e të mbijetuarit mbrrijnë në kufijtë e kanibalizmit, e shumica e tyre vdesin. Këtë histori u dha urdhër të mos e publikonte askush. Piktori 21 vjeçar Theodor Zheriko, e merr vesh këtë tragjedi dhe si artist merr përsipër të dëshmojë atë përmes artit. Vepra ka një sukses të jashtzakonshëm dhe drejtuesit e anijes u dënuan… Ndërkohë veprën Trapi i Meduzës, Delvina e vendos në një rrafsh mjaft provokues. Ai na shfaq mjaft figura të medias së këtyre 30 viteve, që në dukje i ka bërë pjesë të heroikes, po në thelb u ka lënë peshën në ndërgjegje të mosthënies të së vërtetës apo edhe më keq: të fshehjes së saj… Pikërisht, ky dualitet i leximit të së vërtetës përmes këtij kuadri të ri, simbas mendimit tim, bëhet po aq i vlefshëm sa origjinali…

Më duhet ta theksoj se arti që ndërton Delvina sot, të jep përshtypjen se është lehtësisht i realizueshëm. Unë nuk mendoj kështu, sepse besoj që akumulimi i një artisti dhe fantasia e tij janë frut kërkimesh, studimesh, refleksionesh e komunikimesh të vazhdueshme. E ndërsa vendosemi përballë këtyre kuadrove duhet të kuptojmë se krahas idesë fillestare, kjo mbivendosje krijon asocim ideshë, ku në autorësi mund të jemi edhe ne vetë, nëse brenda nesh ekziston kodi i ri i leximit të tyre mbetet brenda nesh…

Ndaj mund të them se Artisti Avni Delvina ka meritë që e bëri pikturën të komunikueshme si poezia, e ironizoi keqas të Keqen, ia vuri në duar pasqyrën së Shëmtuarës, i dha artit moralin që shpesh ne na mungon, i dha guxim e krahë Qytetarit, i dha 4G Komunikimit virtual, netët e punës së tij i ktheu në buzqeshje mëngjesi te shumë prej nesh, Pushtetin e trajtoi si një Artist e trajton, iu kundërvu artistikisht plagëve të së tashmes pa e lënë jashtë vëmendjes së shkuarën, po as edhe kohën si vazhdimësi… Në fund të fundit si artist, ai i bën gjitha kohët bashkë, dhe i vë në shërbim të fantazisë dhe artit të vet.

Në mbyllje do të shtoj, se në kohrat që vijnë, kur shumë prej nesh të mos jemi, e kur të ardhurit mbas nesh të shqetësohen e të pyesin se çfarë bënin artistët në kohën e rrënimeve të mëdha, të parët do dalin ata që për atavizëm do të thonë: “Ashtu ishte koha…”, po do të dalin edhe të tjerë që do t’i risjellin në kujtesë këto kuadro e do të thonë se “Ka pasur edhe artistë si Avni Delvina, që e përballën Kohën e tyre, me artin e tyre.!”

Ju falenderoj për durimin tuaj në ndjekjen e kësaj ligjërate…

 

 

(Video) Zëri i Amerikës: “Drama jonë e Tiranës”, një ekspozitë revoltë në kryeqytet

Ilirian Agolli

Artisti i njohur shqiptar Avni Delvina çeli sot në Tiranë ekspozitën e tij “Notre Drame De Tirane” – “Drama Jonë e Tiranës”. Kjo sipas tij është një mënyrë e veçantë për të shprehur revoltën e artistit ndaj cënimit të institucioneve demokratike dhe planeve për të shembur Teatrin Historik Kombëtar të Shqipërisë.

Artisti i njohur shqiptar Avni Delvina paraqiti në Tiranë një seri veprash, ku gërshetohen imazhe nga diktaturat komuniste dhe kryengritjet e qytetarëve kundër regjimeve të dhunshme.

Ai qëllimisht i ekspozoi ato në hollin e Teatrit Kombëtar, i cili sipas tij, është epiqendra e dramave të kryeqytetit dhe e rezistencës qytetare ndaj korrupsionit.

Ekspozita me grafika është vetëm një pjesë e një galerie të gjerë me mbi 80 vepra, që i kushtohen mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, nderimit për artistët që për mbi 80 vjet aktruan aty dhe kundërshtimin e projekteve për ta rrëzuar ndërtesën historike.

Artisti Avni Delvina thotë se nuk mund të mungonte në Tiranë me veprat e veta në këto kohë protestash qytetare ndaj abuzimeve të administratës në çdo nivel dhe dhunimit të demokracisë në çdo institucion. Nëse njeriu mungon në këto protesta për demokraci, atëherë mohon veten e vet, theksoi ai.

Në veprat e kësaj ekspozite autori ka përfshirë shumë dhunë dhe armë, shkatërrime, betonime dhe inerte, të cilat ai thotë se dëshiron t’ia parandalojë Tiranës.

Autori Avni Delvina e vlerëson shumë faktin që ekspozita u çel pikërisht në hollin e Teatrit Kombëtar dhe konsideron veten si një qytetar protestues në mbrojtje të ndërtesës historike.

Avni Delvina ka mbetur i njëjti njeri modest në sjellje e shprehje, siç ishte në vitet 90, një rebel kundër diktaturës. I vetëdijshëm për fuqitë dhe cilësitë e veçanta të veprave të tij, që lartësojnë vetëm demokracinë dhe vlerat njerëzore, ai është gati të rebelohet sa herë që ato cënohen .

 

Atentati ndaj makinës së Arjan Ndojit, ja çfarë deklaronte në parlament Rama për prokurorin e Durrësit

Prokurori Arjan Ndoj, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas atentatit të sotëm, u akuzua rëndë nga kryeministri Edi Rama në 9 tetor, si person i lidhur me banda të rrezikshme kriminale.

Gjatë seancës plenare të 9 tetorit, Ndoji u sulmua egërsisht nga Rama, i cili tha se prokurori do të ndëshkohet nga drejtësia për abuzimet me ligjin.

Konflikti nisi pasi Ndoji kërkoi të dënohej ish-drejtori i Kadastrës së Durrësit Liridon Pula për veprën penale të përvetësimit të pronave në këtë qytet. Në 18 tetor, Gjykata e Apelit të Durrësit e liroi nga burgu Pulën duke i caktuar masën e re ‘’detyrim paraqitje’’.

Pretendohet se Ndoji po udhëtonte në makinë me Landi Muharremin, një person i rrezikshëm dhe një femër. Ndaj makinës së tyre është qëlluar me 8 plumba kallashnikovi. Nuk dihet nëse shënjestra ka qenë Ndoji apo Muharremi.

‘’Ju e patë vetë javën e kaluar, të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë me përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit, por ama kur vjen puna te ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetua përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon.

Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që u jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’. Ata nuk kuptojnë që ndërtimi i sistemit të ri të drejtësisë kërkon kohë.

Ata që Vettingu i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurtë. Edhe ata që bëjnë krime për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, shprehej Rama atë kohë.

Tiranë: ICMP dorëzon dy raportet e para të ADN-së për viktimat e humbura të diktaturës komuniste (video)

Ilirian Agolli

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) u dorëzoi autoriteteve shtetërore dy raportet e para të përputhjes së ADN-së një vit pas marrëveshjes së bashkëpunimit për të identifikuar kundërshtarë politikë të diktaturës komuniste.

Dy raportet e sotme të ADN-së janë vetëm fillimi i procesit përballë qindra e mijëra personave të humbur gjatë kohës së diktaturës disa dekada më parë, dhe sot presin lëvizjen e prokurorisë për t’i gjetur me kërkime konkrete në terren.

Projekti pilot i ICMP-së, i financuar nga Bashkimi Europian, po zbatohet në malin e Dajtit dhe në kampin e Ballshit për identifikime të viktimave të komunizmit përmes ADN-së.

“Familjet e mbi 6 mijë personave të humbur gjatë regimit komunist ende edhe sot presin përgjigje shumë kohë pas regjimit komunist dhe tranzicionit të demokracisë. ICMP ka nisur një projekt të mbështetur nga BE-ja për të ndihmuar autoritetet shqiptare që të plotësojnë detyrimet ndaj atyre familjeve” – tha Matthew Holliday, shef i programit të ICMP-së për Ballkanin Perëndimor.

Ai shtoi se kur projekt nisi kishte një mosbesim të përgjithshëm se si mund të identifikoheshin personat e humbur pas disa dekadash, ndërsa janë gati dy raportet e para me identifikim ADN-je.

“Këto raporte mundësojnë identifikimin nga autoritetet të dy personave të humbur gjatë periudëhs komuniste dhe kthimin e trupave të tyre pranë familjeve për të kryer nderime me dinjitet” – tha zoti Holliday.

Ndërsa zëvendës-ministrja e punëve të brendshme, Rovena Voda theksoi nevojën që rezultatet e këtij procesi të jenë më të mëdha.

“Rezultatet e deritanishme janë modeste, por unë iu premtoj se ato do të shtohen brenda një kohe të shkurtër. Bashkëpunimi midis institucioneve do të thellohet për të kryer një punë voluminoze të zvarritur në dekada” – tha zonja Voda.

Mbi 600 familje kanë bërë deri tani deklarata për humbjen e të afërmve të tyre gjatë regjimit komunist, ndërsa qytetarë të ndryshëm kanë dhënë informacione për 37 vend-varrime gjatë diktaturës.

“Takimi i sotëm tregon respektin e thellë që kemi për seciëln viktimë të regjimeve totalitare. BE është e nderuar që u bë pjesë e këtij projekti dhe së bashku me autoritetet dhe gjithë vendet anëtare të sigurohemi që secili prej viktimave të kujtohet, duke u siguruar që krime të tilla kundër njerëzimit dhe ato shkelje sistematike të të drejtave njerëzore të mos harrohen dhe të garantojmë që ato krime mos përsëriten më” – tha Monika Bylaite, Zëvendës Shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Projekti i ICPM nisii vetëm në dy pika në Dajt dhe në Ballsh dhe po ndihmon autoritetet të përmbushin detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut ndaj familjeve të personave të humbur gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Dekriminalizimi, KQZ shkarkon kryebashkiakun e Vorës

Armand Mero

Në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot shkarkimin nga detyra të kryebashiakut të Vorës Agim Kajmaku, pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që ishte arrestuar në Greqi dhe se ndaj tij kishte patur një procedim penal në shtetin fqinj. Vendimi, i cili u mor në unanimitet nga të 5 anëtarët e KQZ-së, hyn fuqi menjëherë me botimin e tij në Fletoren Zyrtare, ndërsa vetë zoti Kajmaku ka mundësinë dhe të një ankimimi.

Rasti i kryebashkiakut socialist u bë publik nga opozita. Ishte ajo që e akuzoi atë se kishte qenë i ndaluar në Greqi, në Janar të vitit 2003 nën emrin Jorgo Toto, dhe më pas solli dhe një sërë dokumentash në mbështetje të denoncimit të saj.

Kryebashkiaku socialist i Vorës, në mënyrë të përsëritur mohoi akuzat e Partisë Demokratike, dhe kur kjo e fundit tregoi pasaportën që ai kishte mbajtur me emrin Jorgo Toto, duke këmbëngulur se nuk është arrestuar ndonjëherë në Greqi e duke folur për një “sulm politik” të Partisë Demokratike ndaj tij. “Siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm. Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime”, shkruajti zoti Kajmaku në një nga postimet e tij në Facebook, në përgjigje të disa daljeve publike radhazi që Partia Demokratike bëri gjatë muajit gusht lidhur me rastin e tij.

Por ai u tradhëtua nga shenjat e gishtave. Pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “Zyra Qendrore e Kombëtare e INTERPOL Tiranës, me shkresën Nr. 10709/6, datë 24/09/2019; ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga zyra homologe INTERPOL Athinë rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve të shtetasit Agim Kajmaku, me gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në databazen e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto”. Po sipas Prokurorisë, ishte provuar gjithashtu dhe nga verifikimet e vetë autoriteteve shqiptare se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto janë i njejti person.

Ndonëse kishte mohuar përfshirjen e tij në rastin e arrestimit në Janinë, zoti Kajmaku, dorëzoi më pas në Prokurori, një vendim të Shtatorit të kaluar, të Gjykatës së Janinës në Greqi, e cila kishte shpallur të pafajshëm Jorgo Toton (alias Agim Kajmaku) për akuzën e falsifikimit të parave. Por dhe kjo lëvizje e fundit, nuk mundi ta shpëtonte atë. Kryebashiaku i Vorës, u penalizua nga fakti se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që kishte qenë i arrestuar dhe se ndaj tij kishte patur një procedim penal në Greqi.

I pyetur nga gazetarët për vendimin e marrë sot ndaj kryebashkiakut të zgjedhur prej tij, Kryetari socialist dhe kryeministri Edi Rama, u mjatua të thotë se “institucionet janë institucione”. Ky është rasti i dytë i një kryebashkiaku socialist që vërtetohet se ka fshehur të kaluarën, pas atij të Shkodrës Valdrin Pjetri, i cili dha dorëheqjen pa mundur as të hyjë në Bashkinë e Shkodrës, ndërkohë që nën akuzë është dhe kryebashkiaku tjetër socialist i Vaut të Dejës, Mark Babani.

Arrihet marrëveshja: Të burgosurit shqiptarë në Itali do të transferohen në Shqipëri

Të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në Itali do të transferohen në Shqipëri.

Kjo është marrëveshja e arritur sot mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut italian Giuseppe Conte.

Vendimi është bërë i ditur nga Conte gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Rama.

“Kemi kryer një studim për bashkëpunimin tashmë intensiv në gjyqësor dhe polici. Unë përsëris angazhimin e Italisë për forcimin e këtij bashkëpunimi, me vëmendje të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe jam i kënaqur që mund të njoftoj se është arritur një marrëveshje edhe në sektorin e rëndësishëm të transferimit të të burgosurve shqiptarë, tashmë një transferim i parë do të realizohet së shpejti,” deklaroi Giuseppe Conte.

Ekzekutimi i ‘Il Padrinos së Vlorës’, gazetari tregon: Futej në Port si punonjës, kontrollonte nëse kishte ardhur droga

Gazetari Spartak Koka ka treguar mbrëmjen e sotme detaje të forta për ekzekutimin mafioz të Edison Harizajt, një vit më parë në zonën e “Shën Vlashit” në Durrës.


I ftuar në emisionin Opinion, Koka nuk tregoi emra por tha se një vit më parë kur është vrarë një eksponent i krimit, me vete i ishte gjetur një dokument që tregonte se ai ishte punonjës porti. Të ftuarit e tjerë në studio treguan se personi për të cilin fliste gazetari Koka ishte Edison Harizaj.

Më pas vetë Spartak Koka, tregoi se Harizaj rezultonte punonjës i Portit të Durrësit dhe futej lehtësisht për të kontrolluar kontenierët, nëse droga kishte mbërritur.

“Një eksponenti të rëndësishëm të krimit në vend, që është vrarë një vit më parë, i është gjetur me vete një dokument ku ai rezultonte si punonjës i thjeshtë i portit të Durrësit. Ky dokument është dhe në dosjen hetimore. Këto eksponen futen brenda portit për të kontrolluar drogën”, tha gazetari Spartak Koka, ndërsa Artan Hoxha tregoi “Ai person është Edison Harizaj.”

Kujtojmë se, Edison Harizaj, i konsideruar si i forti apo Il Padrino i Vlorës, është ekzekutuar me breshëri plumbash mbrëmjen e 6 nëntorit 2018 në Durrës, brenda një mjeti tip Audi që drejtohej nga miku i tij Genti Caci.

BEKIM LATIFI- Fëmija që iku si emigrant, kthehet si artist për të mbrojtur teatrin

Fatmira Nikolli  – I ikur nga Shqipëria më 1999 si emigrant, 20 vite më vonë, Bekim Latifi kthehet në atdhe tashmë si artist. Arsyet e ikjes, njësoj si arsyet e kthimit, janë përballje me të metat e pushtetit në vendlindje. Ai ka ardhur të vërë në skenën e Teatrit Kombëtar që menaxhohet nga mbrojtësit protestues të Aleancës që ruajnë teatrin nga vendimi i qeverisë prej shembjes. “Kam lindur në Durrës. Kam ikur nga Shqipëria më 1999-ën me familjen time. Isha 4 vjeç. Jam rritur atje dhe kam kryer shkollën për aktrim në Mynih. Kam tri vite që punoj për Teatrin Thalia në Hamburg”, thotë ai. Lajmin për protestën në mbrojtje të teatrit e ka mësuar nga media. “Nga media, nga media sociale dhe nga media shqiptare. Më pas më 24 korrik kur ishte përpjekja e policisë për të hyrë në teatër ishte çasti kur nisa të mendoj se duhet të bëja diçka. Mendoja të kontaktoja teatrin tim ku punoj në Gjermani për të bërë një plan se çfarë mund të bënim këtu”, thotë ai. Latifi tregon se çështja njihet gjerësisht në Gjermani, sepse “disa media të mëdha gjermane e publikuan lajmin, sidomos pas sulmeve të policisë më 14 korrik këtu. Ai ishte momenti që çdo media e botoi lajmin”. I pyetur nëse e mbështetën prindërit dëshirën e tij për të ardhur me shfaqje në shenjë solidariteti, ai u përgjigje: “Po patjetër, ata janë në anën time. Mendojnë se është me rëndësi të jem këtu dhe të tregoj mbështetje e të ketë më shumë vëmendje edhe në Gjermani për këtë çështje”.



RIKTHIMI NË ATDHE
“Para së gjithash, dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e këtij teatri të bukur. Jam ulur me Neritanin (Liçajn) e Linditën (Komanin) dhe është një nder i madh të jem këtu. Kam ardhur dje në Tiranë dhe për mua është shumë e rëndësishme të jem këtu dhe jam i lumtur që do luaj sonte, për të luftuar për këtë godinë të bukur, të luftoj për këtë teatër dhe për të treguar solidaritet me kolegët e mia shqiptarë dhe dua të falënderoj Aleancën, që ka më ka respektuar kaq shumë dhe që ka organizuar dhe më ka dhënë mundësinë për të luajtur sonte”.
Kështu e nisi konferencën Bekim Latifi. Kur teatri është braktisur nga shumë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, nga Hamburgu, një shqiptar i ikur herët, kur sapo kish mësuar të fliste, kthehet bashkë me teatrin gjerman për të bërë ç’mundet të bëjë një i ikur. Ai ndjehet krenar dhe ndjen që do të tregojë që Aleanca dhe lufta për këtë teatër, kanë një partner të fortë. “Nga ana tjetër, për mua është nder i madh që do luaj sonte këtu në këtë teatër të bukur, sepse besoj që është simbol i kulturës shqiptare i disa dekadave. Është figurë identifikuese për shoqërinë dhe shikoni këtë godinë të bukur. E ndërtuar më 1939-ën, është një kryevepër arkitekture”, tha Latifi, i cili kupton mjaft mirë shqip, por përgjigjet në anglisht që të jetë si sigurt për atë që po thotë.

KUSHTE DHE VENDE
Duke qenë se vjen nga një teatër gjerman, ku kushtet janë më të mira se në teatrin që mbrohet nga një grup njerëzish që protestojnë, ai pyetet edhe për kushtet e Teatrit Kombëtar, nga audio te komunikimi me publikun dhe ndriçimi, duke i bërë me dije, edhe se një nga arsyet që qeveria jep për shembjen e tij, është mungesa e kushteve.

“Për mua kjo nuk ka sens. Është e dukshme që ky teatër ka nevojë për restaurim, por ju duhet ta mbroni teatrin për ta restauruar, për ta bërë më të bukur e me standarde europiane. Ruajtja e godinës dhe restaurimi i saj besoj se janë gjërat më të rëndësishme”, thotë Latifi. Ai kujtoi se në teatër do të luante pa skenografinë që ka në Gjermani shfaqja. “Po bëj një version ‘unplugged’. Nuk do kem nevojë për shumë gjëra, e dija më parë këtë dhe me duhet vetëm një dritë, një karrige dhe një skenë. Të njëjtën gjë do të bëj edhe dy javë në Amerikë. Do kem një tur atje dhe do luaj në Teksas, Kansas Siti dhe Siatëll”, tha Latifi. Aktori shqiptar i teatrit gjerman tha se “kjo ndërtesë gjithë çka nevojë është një restaurim për të siguruar disa gjëra teknike. Gjithashtu, besoj se bashkë me kolegët shqiptarë, dëshira është që të ketë një teatër të ri modern, por më këtë ndërtesë që rri këtu, sepse është kaq e rëndësishme”.

MESAZHI I KAFKËS PËR SHQIPTARËT
I pyetur për mesazhin e veprës, ai tha se është padyshim një çështje edhe shqiptare, ajo me të cilën merret shfaqja. “Është rreth emigrimit dhe ikjes nga një vend. Siç edhe personazhi i librit të Kafkës te Amerika, ju do ju kujtohet gjithnjë vendi juaj, kultura e vendit tuaj dhe kur më pas shkoni në një vend të ri, gjeni standarde të reja atje dhe duhet të jetoni me to, reflektoni mbi to, mendoni mbi to. Dhe besoj se kjo është një çështje edhe shqiptare; ju shkoni në Gjermani ose në SHBA dhe përpiqeni të dini gjithnjë se çfarë po ndodh me vendin tuaj. Mendoni për të shkuarën, mendoni se nga jeni dhe kjo është pjesa perfekte për t’u luajtur në Tiranë. Kanë ikur shumë shqiptarë nga këtu dhe kthehen gjithnjë, siç bëj edhe unë. Edhe unë, vij çdo verë në Shqipëri, që të vizitoj familjen, për të kaluar pushimet”, tha Latifi.

Historia personale e ikjes së tij dhe e rikthimi si artist në një situatë krejt të pazakontë i shton më shumë peshë shfaqjes. Shqiptari që ikën jashtë, që rritet e edukohet me format e lirisë dhe demokracisë, që edukohet me shprehjen e lirë të mendimit, kthehet për të mbrojtur atë që i takon vendit të tij të origjinës. Gjithë kjo situatë për Latifin është “një përgjegjësi e madhe”. “Kam lexuar në lajme për gjithë procesin, për protestën dhe çfarë po ndodhte në vend, për politikat jotransparente. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që të merrja sa më shumë gjermanë që janë përfshirë në këtë proces, për t’ju treguar çfarë po ndodhte këtu në këtë vend, që të ndihmoja dhe të tregoja solidaritetin me këta njerëz. Ndonjëherë duket shumë sureale që jam këtu sonte në këtë mënyrë”, tha Latifi dje para mediave.

Tiranë: Politika e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, në një takim ndërkombëtar

Ilirian Agolli

Në Tiranë u zhvillua sot një konferencë ndërkombëtare mbi politikën e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor. Diplomatë, qeveritarë dhe analistë të njohur diskutuan mbi zhvillimet në Shqipëri e Kosovë dhe ndikimin e SHBA-ve dhe BE-së në rajon.

Diplomatët amerikanë në Tiranë pohuan sot se Shqipëria po punon shumë për reformën në drejtësi, si edhe reforma zgjedhore u bë një projekt kombëtar që po ndiqet nga qeveria, opozita parlamentare dhe partitë opozitare jashtë tij.

E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Lejla Moses-Ones tha se drejtuesit e Shqipërisë kanë zgjedhur të bëjnë kompromis për hir të së mirës të përbashkët.

Ajo i bëri këto komente në konferencën “Politika e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Universiteti Mesdhetar në Tiranë.

“Shqipëria është tashmë një vend kandidat i BE-së – kjo nuk ka ndryshuar. Puna që po tashmë po vazhdon dhe ajo çfarë mbetet për t’u bërë nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë vendin e saj në radhët e shteteve anëtare të BE-së duke dyfishuar përpjekjet për zbatimin e reformave në drejtësi, përfshirë korrupsionin dhe fitoren mbi plagën e krimit të organizuar. Kjo ka të bëjë me vlerat; kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit; kjo ka të bëjë me begatinë dhe mundësinë për qytetarët shqiptarë” – tha zonja Moses-Ones.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe SHBA kanë një marrëdhënie të vecantë, dhe se Uashingtoni i ka mbështetur shqiptarët për afro një shekull, qysh nga fillesat e shtetit shqiptar. Reformat e Shqipërisë tha ai nuk bëhen për SHBA-nt dhe BE-në, por për popullin shqiptar.

“Ne nuk i bëjmë reformat as për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as për Bashkimin Europian. Nuk i kërkojmë nga vetja të gjitha këto ndryshime të domosdoshme dhe nuk jemi të angazhuar me aleatët tanë në këto procese të ndërlikuara, sepse na kërkohet nga ata, por sepse e kërkon destinacioni i ynë historik, që është krijimi i një hapësire shqiptare dhe në rastin konkret të Shqipërisë, të një shteti modern europian me të gjitha standardet demokratike dhe me të gjitha institucionet funksionale” – tha ai.

Folësit theksuan se si vitin tjetër Shqipëria pritet të marrë kryesimin e radhës së OSBE-së dhe se si, me mbështetjen e amerikane dhe europiane do të angazhuar për të trajtuar çështje dhe kriza të mprehta, si lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përkrahjen e rolit të grave në zgjidhjen e konflikteve, rininë dhe kontrollin e armëve.

Oratorët vlerësuan si parimore qëndrimet e Shqipërisë si për zhvillimet në rajon edhe më gjerë, duke shërbyer si një faktor paqeje dhe qëndrueshmërie.

Konferenca “Politika e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor” bashkoi rreth një tryeze shumë studiues dhe figura të njohura të politikës, diplomacisë.

Analisti amerikan Serwer: Francës e Holandës t’i vijë turp si vepruan me Tiranën e Shkupin!

Ambasada e SHBA-vë në Tiranë zhvillon këtë të hënë një konferencë mbi rolin e Amerikës në Ballkanin Perëndimor, tryezë nga e cila analisti Daniel Serwer është shprehur mjaft ashpër ndaj Francës e Holandës, si dy vendet kryesore që i thanë JO hapjes së negociatave mes Shqipërisë e BE-së.

Analisti u shpreh madje se Francës dhe Holandës duhet t’i vijë turp që bllokuan hapjen e negociatave me Shqipërinë

“Kur erdha 22 vite më parë vendi ishte në kaos total. Që nga ajo kohë keni kaluar zhvillim të mirë ekonomik, nuk po themi spektakolar, dhe ndërtimin e një ekonomie të tregut të hapur dhe modern, si edhe integrim me vendet e tjera të Ballkanit. Ju keni përmbushur kriteret për hapjen e negociatave, për akses në BE. Janë vetëm rrethanat politike që e parandaluar hyrjen në BE.

Francës dhe Holandës duhet t’i vijë turp sesi vepruan me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Çështja është si ti përgjigjemi kësaj vonese për njohjen e arritjeve që Shkupi dhe Tirana janë vërtet krenare. Ju padyshim jeni të zhgënjyer dhe të acaruar dhe unë ju mirëkuptoj. Por nuk do ju çojnë përpara. Përgjigja e duhur është angazhimi ndaj kërkesave të reformave dhe kërkesave për t’u bërë pjesë e BE.

Ju mund të përparoni drejt BE edhe pa të ashtuquajturat negociata.”-tha analisti./Express

Ftesë: Më 30 tetor në Sarajevë promovimi i librit “Bosnja- Një pikpamje nga Tirana” të SHABAN MURATIT

VOAL – Diplomati i shquar Shaban Murati, autor i shumë librave , shkrimeve dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në këto kontekste, bën të ditur se Instituti i mirenjohur “Qendra Ballkanike per Analiza dhe Studime”, me seli ne Sarajeve, do te organizoje ne daten 30 tetor 2019, diten e merkure, promovimin e librit të tij të ri “Bosnja-Nje pikpamje nga Tirana”, botuar nga Fondacioni “Alsar” ne gjuhen shqipe dhe boshnjake.
“Kushdo nga miqte, qe jane apo do te ndodhen ne Sarajeve ate dite, do te me gezonin me pranine e tyre,” shkruan autori Shaban Murati.

“Ismail Qemali e futi në provim administratën” Akademiku: Politikanët të vlerësohen nga shqipja!

Akademiku Gjovalin Shkurtaj është i bindur se të gjithë shqiptarët si vetë ai e përjetojnë jo pa shqetësim rënien e kujdesit të shtetit e të institucioneve zyrtare e publike ndaj gjuhës shqipe. Madje është i mendimit se duhet t’u japim votën atyre politikanëve duke i vlerësuar edhe nga ana e të shkruarit e të folurit të shqipes. Fjalë të pahijshme që derdhen lumë nga foltorja e parlamentit i konsideron të dëmshme për fëmijët.

“Ata që hyjnë në Kuvend bashkë me gëzimin që u zgjodhën duhet të kenë edhe përgjegjësinë që t’u përmbahen sa më mirë mënyrës së të folurit d.m.th. të mendojnë para se të shkruajnë si i thonë në Kosovë “ta zgasin qafën” ta mendojnë mirë çfarë do thonë dhe si do ta thonë. Më kryesorja është qe sa më lart aq më mirë duhet të vijë uji sepse kur vjen nga lart shkon poshtë dhe turbullohet ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Uji që vjen nga lart shpesh herë vjen krejt i turbullt. Unë jam kundër të folurit larë e palarë në Kuvend. Mendoj se aty duhet folur zyrtarisht, duhet folur qartë dhe mirë dhe në qoftë se ka raste, siç kemi parë për fat të keq, unë jam partizan që më mirë mos të jepen fare pamjet nga Kuvendi kur ka sharje, kur ka të folur me fjalë të këqija sepse i mësojnë fëmijët e vegjël dhe ato bëhen si pendët që po i përhapen në një ditë me erë ato nuk mblidhen dot më”, -tha Gjovalin Shkurtaj.

Akademiku Shkurtaj shprehet se qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar, vetëm pak muaj mbas shpalljes së Pavarësisë, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi që të gjithë nëpunësit të jepnin provim gjuhën shqipe.

“Po e përsëris që jemi 106 vjet të vonuar në zbatimin e një kërkese të qeverisë së Ismail Qemal bej Vlorës, i cili që në vitin 1913, pak muaj pasi ishte shpallur Pavarësia në Fletoren Zyrtare të kohës ka një lajmim. Lajmimi thotë; “që të gjithë ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Administratën Shtetërore, duhet të japin provën se e dinë gjuhën shqipe. Nëse kanë dëshirimin që të qëndrojnë por nuk e dinë gjuhën shqipe, të marrin kohën e nevojshme për ta dhënë provimin që të qëndrojnë”. Këtu ne jemi borxhlinj, sepse në Administratën Shtetërore ka shumë njerëz të cilët mund të kenë dituri por nuk dinë gjuhën shqipe”, pohoi ai.

Por mbrojtja dhe ruajtja e gjuhës shqipe nga shteti dhe shoqëria shqiptare nuk duket se është në plan të parë thotë me keqardhje gjuhëtari.

“Na e kanë zënë hijen e diellit ata që merren gjithë ditën vetëm me politikë dhe me probleme të tjera. Mllefi i tyre lëshohet si një ortek në veshin e popullit, është harruar. Madje quhen gjëra të vogla, sot të thuash të ruajmë gjuhën shqipe, të tregohemi shqiptar të quajnë të krisur, ndoshta edhe mua në këtë kronikë dikush do thonë; “çfarë është ky i krisur, çfarë hallesh kemi”. Halli i përjetshëm i shqiptarëve do të jetë kujdesi për gjuhën shqipe, në fund të fundit nëse rrudhen shqiptarët në Ballkan dhe në Europë, nëse shpërndahen në botë dhe harrojnë gjuhën e tyre, kjo do të thotë se ne humbasim”, -nënvizoi akademiku.

Shpresë i jep Diaspora që kërkon me endje libra në gjuhën shqipe teksa ka një këshillë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

“Por mua më bën veshi mirë kur dëgjoj se në Diasporë ka një këndellje, ka përpjekje për të lexuar shqip, ka kërkesë për libra në gjuhën shqipe. Po të dimë ne të punojmë, po ta furnizojmë diasporën me mjetet e duhura, po t’u qëndrojmë afër, t’u japim modelin që të lidhen me Shqipërinë të qëndrojnë shqiptarë, edhe kur janë larg me trup, të jenë pranë nesh. Të gjithë i kemi njerëzit fëmijët larg. Shumica e shqiptarëve i kanë fëmijët nëpër botë, do kthehen, nuk kthehen, rëndësi ka që të mbeten shqiptarë kudo që janë”, pohoi akademik Shkurtaj.

Me këmbëngulje profesor Shkurtaj kërkon një ligj për të mbrojtur gjuhën shqipe.

“Për sa i përket shqipes së shkruar unë kam qenë dhe jam që të bëhet si gjithë bota e qytetëruar. Nuk jemi më pak se francezët. Këto ditë flitet shumë për Francën, por Franca për kulturën e vetë tregohet shumë ruajtëse. Për çdo fjalë të re ose term të ri në Francë bëhet propozimi dhe merret vendimi nga Presidenca e Republikës, edhe vendet e tjera bëjnë një punë të madhe për ruajtjen e gjuhës. Unë besoj se zbatimi i shqipes standarde në shkrim, pra në botimet e shkruara në literaturën zyrtare duhet të zbatohen rregullat e drejtshkrimit dhe të jetë në përputhje me normat.

Ruajtja e gjuhës shqipe është pjesë e dinjitetit kombëtar, është pjesë e etnisë shqiptare, është pjesë e shqiptarisë. Pra në qoftë se nuk kemi ruajtur gjuhën, nuk kemi ruajtur asnjë nga cilësitë kombëtare”, tha akademiku.

Në fund jep shpjegimin e tij për një fjalë të debatueshme siç është digjitalizim. “Së pari të kujtojmë atë që të gjithë e mësojnë në shkollë, fjalët e huaja përfshirë edhe emrat e përveçëm të huaj që përdoren në gjuhën shqipe, do të shkruhen sipas shqiptimit që kanë në gjuhën prej nga merren sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Kjo ka bërë që të krijohet një mëdyshje në kuadrin e lirisë për të shkruar si të duam dhe për të bërë çfarë të duam në gjuhë. Disa njerëz i shkruajnë ashtu siç shkruhen në gjuhën përkatëse por jo siç shqiptohen dhe kjo krijon mëdyshje. Pra për fjalën konkrete dhe për të gjitha fjalët mirë është që specialistët që dinë gjuhën përkatëse, fjalët që hyjnë nga anglishtja, ata që kanë bërë fjalorët e anglishtes, ata që janë marrë me studime për gjuhën angleze, duhet të kenë përparësinë për të caktuar sesi duhet shkruar mbi bazën e shqiptimit”, përfundon Gjovalin Shkurtaj./Neës24

Hill: Detyrat e integrimit janë për t’u kryer dhe jo pengesa për t’u ndalur

Ilirian Agolli

Në Tiranë u zhvillua sot Samiti i Europës Jug-Lindore për Paqe, ku morën pjesë udhëheqës të njohur të vendeve të rajonit.

Ish diplomati i njohur amerikan në rajonin e Ballkanit, Kristofer Hill, deklaroi sot se shqiptarët dhe maqedonasit janë dy popuj energjikë me kurajo të madhe për reforma dhe zhvillim.

Zoti Hill tha në Samitin e Federatës Universale për Paqe në Tiranë se e ndjente midis njerëzve zhgënjimin në lidhje me vonesat në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, por theksoi se detyrat e integrimit janë të qarta dhe asnjë sfidë që u del atyre përpara nuk duhet të shkaktojë uljen e shpejtësisë së reformave.

“Rruga e integrimit është e hapur dhe përherë e më shumë e mundshme. Sfidat që dalin përpara nuk janë për t’u ndalur në rrugë, por janë për t’u kapërcyer” – tha ai.

Ish-diplomati amerikan i njohur në Ballkan, Kristofer Hill, tha se sfidat që u dalin vendeve të rajonit në rrugën e integrimit europian nuk duhet t’i ndalin ato, por duhen kapërcyer.

“Jam optimist dhe i isigurtë që popujt e rajonit të Ballkanit do ta vazhdojë me vendosmëri këtë të udhëtim të integrimit. Kriteret që kërkohen nuk pengojnë integrimin, sepse vendet e rajonit janë tashmë anëtarë të Bashkimit Europian dhe detyrat do të përmbushen, ashtu si u përmbushën nga Shqipëia dhe Maqedonia veriore kërkesat për t’u bërë anëtarë të NATO-s” – tha ai.

Zoti Hill kujtoi se kishte qenë në detyra të tjera në vende të ndryshme të botës, ku njerëzit nuk i kishin vet në dorë ngjarjet, ku kishte shumë dhunë e luftëra, ndërsa në Ballkan njerëzit i kanë vet në dorë reformat dhe zhvilimin.

“Në vitin 1991 unë thashë para një auditori të tillë si sot, se Shqipëria do të bëhet shpejt anëtare e NATO-s, dhe pak kush më besoi. Por qëllimet arrihen me reforma, dhe ja se cfarë po bën Tirana dhe Shkupi, kryejnë reforma, bashkëpunojnë me fqinjët, përmushin standartet në fushat civile dhe ushtarake. Mjeti kryesor është që palët të dëgjojnë njëri tjetrin, sepse kështu zgjidhjet, mirëkuptimi dhe mirëqenia vijnë më shpejt. Qëndrimi së bashku dhe veprimi së bashku i shërben vendit”, – tha zoti Hill.

Në Samit mori fjalën edhe kryetari I parlamentit të maqedonisë Veriore Talat Xhaferi, i cili tha se shpresonte që brenda pak javësh të Maqedonia veriore të bëhej anëtare e 30-të e NATO-s.

Themeluesi i lëvizjes Vetvendosja në Kosovë Albin Kurti tha se “Muri i madh i Berlinit u zëvendësua nga mure të vegjël, të cilët duhen hequr, sepse paqja është angazhim dhe porosi e brezave që u sakrifikuan për të”.

Ai tha se krahas integrimeve euro-atlantike, qeveritë e rajonit duhet të trajtojnë probleme thelbësore të brendshme, si varfëria, padrejtësia dhe pabarazia.

Samiti i Paqes në Europën juglindore u organizua në Titanë nga Federata Universale e Paqes pjesë shumë udhëheqës dhe përfaqësues nga vendeve të ndryshme të botësx.

Erl Murati flet pa dorashka: Rama mbushi Kuvendin me kriminelë, Basha me injorantë dhe analfabetë!

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, deklaroi në rubrikën “Opinion”, në News24, se Struktura e Posaçme (SPAK), që pritet të ngrihet së shpejti, fatkeqësisht nuk pritet të nisë hetimin nga “koka” e problemit, pra nga politikanët e korruptuar.
Sa i takon Reformës në Drejtësi, Murati tha se deri tani ka qenë shumë i ngadaltë, megjithatë po jep rezultate, pasi ka “djegur” shumë prokurorë e gjyqtarë.

“Reforma në Drejtësi është deri tani e ngadaltë. Nëse do të zbatohet rreptësisht ligji i Vettingut, 800 prokurorë e gjyqtarë mund të ikin. Ka një fakt interesant, një pjesë e tyre druhen dhe të kandidojnë për institucionet e reja të drejtësisë, pasi kanë frikë nga hetimi.

Ka një shqetësim me pritshmëritë se çfarë do të bëjë SPAK. Mendoj se ka një pritshmëri më të lartë se ç’duhet. Është krijuar ideja sikur SPAK do shkojë direkt te politikanët, por janë rreth 170 dosje aktuale në prokurorinë e Krimeve të Rënda, që do transferohen te SPAK. Me ngritjen e SPAK, prokuroria e Krimeve të Rënda shkrihet, ndaj gjithë zyrtarët e hipotekës, kadastrës, do jenë në hetimin e kësaj strukture. Pra, mendoj se fatkeqësisht SPAK nuk do të nisë te “koka” e problemit, te korrupsioni i ministrave, ish-ministrave etj”, tha Murati.

Do gjendet një kleçkë për ta penguar SPAK në hetim?
Uroj që këto institucione të jenë produktive, por nga të dhënat që kemi puna e tyre nuk do shkojë direkt te krerët e politikës, te kryetarët e partive, ministra, ish-ministra, ish-kryeministra. Akoma nuk flasim dot për “peshq të mëdhenj”. Uroj që institucionet e reja ta nisin nga politikanët këtë punë, por ky proces nuk mund të ndodhë menjëherë. Kemi folur dhe me diplomatë, dhe ata japin mesazhin se kemi të bëjmë me një proces, nuk mund të ndryshojë çdo gjë menjëherë si me shkop magjik. Por, duhet një ndërgjegjësim i drejtuesve të Prokurorisë, i oficerëve të BKH të cilët do të trajnohen nga FBI për pritshmëritë e larta të shqiptarëve. Drejtuesit e sotëm të Prokurorisë nuk janë ndërgjegjësuar për rolin e tyre.

Vështirë të presim që të vijë një hero që të ndryshojë rrënjësisht sistemi i drejtësisë, por mendoj se procesi i pastrimit të korrupsionit politik do jetë një proces i gjatë, që nuk e kanë premtuar as institucionet e reja të drejtësisë, as ndërkombëtarët, dhe çuditërisht nuk e kanë kërkuar as përfaqësuesit e opozitës. Kur kemi një opozitë që nuk ka guximin, apo nuk ka prova, se këtu ka zyrtarë të lartë të korruptuar, që t’i denoncojë ata, pritshmëritë bëhen më të ulëta.

Reforma Zgjedhore, nevojë e brendshme ose kusht që duhet plotësuar?
Ka 26 vite që flitet për reforma në këtë vend, bëhen premtime elektorale dhe e keqja e reformave është se flitet gjithmonë në kohën e ardhme, pra “do të…”. Pra, e ushqejnë popullin me lugë bosh, se bilanc nuk ka. Kemi të bëjmë me gjithë bashkëfajtorët, pasi në thelb nuk mendoj se partive politike ju intereson një reformë e vërtetë zgjedhore, që të jetë nën kontrollin e shoqërisë civile apo drejtësisë. Sa herë një parti ngjitet në pushtet, e harron kauzën për bërjen e një reforme. Problemi i vendit është se ligjet nuk zbatohen.

PD është investuar në çështje të panevojshme për të, e ka ulur stekën shumë javët e fundit, teksa flet për Reformën Zgjedhore. Vetë Basha tha se e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës është Reforma Zgjedhore, por unë mendoj se kriza në vend është multidimensionale. Opozita shpenzon në mënyrë të panevojshme energji duke folur përditë për Reformën Zgjedhore. Nuk mendoj, siç tha Basha, që reforma zgjedhore qenka e vetmja rrugë për daljen nga kriza.

Cila do ishte kauza e duhur për të ulur palët?
Për sa kohë opozita i ka ndërprerë protestat, formalisht është vendosur paqja. Ulja e palëve në tryezë nuk është qëllim në vetvete. PD mund të ulet për ta diskutuar problemin për Reformën Zgjedhore, por unë mendoj se problemi i Shqipërisë nuk është ndryshimi i Kodit Zgjedhor sot për sot. Sistemi mazhoritar është kthim mbrapa. E kemi patur në ’96 dhe 2001, kur ka patur procese elektorale më të këqiat në pluralizëm. Me sistemin proporcional, njëra palë zgjodhi kriminelë, tjetra zgjodhi injorantë dhe kemi këtë Parlament me këtë sistem. Pra, nuk është faji i sistemit. Kemi njerëz të përfshirë me krimin dhe analfabetë dhe kjo është përgjegjësi personale e Bashës dhe Ramës. Një sistem me lista të hapura do t’i shkonte më shumë për shtat situatës në vend.

Balkanweb

VIDEO – “Vritini, thyejuni turinjtë. Vorio Epiri, tokë greke”, shpërthimi i mamasë te varri i Kacifas: Do luftojmë

Thirrje të forta ka lëshuar sot mamaja e Kostandinos Kacifas, teksa ka qenë te varri i të birit, në ceremoninë përkujtimore për 1 vjetorin e vdekjes së tij.

“Shfarosini, thyejuni turinjte. Kjo eshte toke greke”, thirrja e mamase se Kacifas on Vidnews.

Duke folur në greqisht, në prani të shumë njerëzve, një numër i madh i ardhur nga Greqia pikërisht për këtë rast, ajo ka bërë thirrje për vrasje, dhunë e luftë.

“Tradhtarët. Përse i ndaluan njerëzit të vijnë? Se janë tradhtarë. Thyejuni turinjtë, vrajini, shfarosini. Janë tradhtarë. Nuk ka qeveri këtu. Vorio Epiri është tokë greke, ne jemi grekë. Do luftojmë dhe asgjë nuk do na ndalë. Jam krenare për ty biri im”- ka thënë ajo.

Video – Incident me gazetarët në Bularat, i afërmi i Kacifasit: Nuk ju duam, qërohuni. Dule nuk flet, reagon Fredi Beljeri: Ka një klimë terrorizmi, prandaj…

Fredi Bejleri, kryetari i OMONIA në Himarë tha sot se një vit pas vrasjes së ekstremistit grek, Kostandin Kacifas, ku sot do të mbahet në fshatin Bularat ceremonia përkujtimore, ende nuk është zbardhur ngjarja.

“Pas një viti ende nuk është sqaruar situata, arsyeja pse u vra. Janë kthyer dhjetëra persona në Kakavijë.

Shqipëria që do të hyjë në Evropë nuk respekton të drejtat e njeriut.

Ka një klimë terrorizmi në minoritet dhe kjo është arsyeja pse nuk erdhën njerëzit”, tha ai.

Sakaq, gazetarja e Panorama raporton për një incident ndodhur në nisje të ceremonisë përkujtimore në një vjetorin e vrasjes së ekstremistit grek, ku një prej shtetasve pjesëmarrës në këtë ceremoni, nuk i ka lejuar gazetarët shqiptarë të filmojnë meshën për Kacifas. Vetëm mediat greke u lejuan të hynin brenda në varreza.

Mes britmave dhe sharjeve, siç shihet ne kete video te “BalkanWeb” ai i ka kërkuar gazetarëve të largohen.

“Nuk ju duam. Nuk na doni ju, nuk ju duam edhe ne. Pse e vratë djalin? Na thoni pse e keni vrarë djalin? Pse po vini këtu? ikni qërohuni!” bërtet personi në shqip.

Më pas në greqisht i eshte drejtuar mediave greke: “Jeni turq, vrasës”.

Në Bularat për të marrë pjesë në ceremoni ka mbërritur edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule por nuk ka dashur të flasë për mediat.

Bushati godet Thaçin, Ramën e Cakajn që e përqafuan idenë serbe për ndryshimin e kufijve

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se Serbia solli idenë e korrigjimit të kufijve me shqiptarë në Tiranë. Ai tha se ka qenë një ide e vjetër serbe “e paketuar dhe e vendosur në gjuhën shqipe me personazhe që e kanë shitur si një ide lokale, që vinte nga vetë protagonistët në këtë proces”

“Të sqarojmë një çështje duke i bërë eko asaj që ju thatë. Kur thashë që nuk është një çështje në interes të kombit shqiptar dhe kemi humbur kohë, kisha parasysh këtë që ju sapo thatë. Por ideja në gjykimin tim sipas të gjitha kontakteve që më ka krijuar mundësi pozicioni shtetëror që kisha, ishte një ide e vjetër serbe e paketuar në mënyrë shumë të strukturuar, e vendosur në gjuhën shqipe dhe me personazhe të cilët jo vetëm kanë bredhur në çdo studio televizive në Shqipëri dhe në Kosovë, kanë ardhur në zyrën time, kanë shkuar edhe në seli të rëndësishme apo në qendra të rëndësishme vendimmarrëse për ta shitur këtë si një ide lokale, si një ide që vinte nga vetë protagonistët në këtë proces”, është shprehur z. Bushati.

 

Për ish-ministrin faktori shqiptar u fut në një centrifugë që nuk duhej të ishte futur duke shprehur nevojën e një fuqizimi të domosdoshëm të faktorit shqiptar në rajon si kundërpeshë ndaj kësaj politike që inspirohet nga Beogradi.

“Për fat të keq faktori shqiptar u fut në një centrifugë që nuk duhej të ishte futur. Për herë të parë pamë një luftë politike që i kaloi kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe jo vetëm dhe politika revizioniste e Vuçicit nuk mori asnjë përgjigje. Nevojitet një fuqizim i domosdoshëm i faktorit shqiptar në rajon jo thjesht si kundërpeshë ndaj kësaj politike që inspirohet nga Beogradi, sepse unë jam për kultivimin e marrëdhënieve normale me Serbinë por ky kultivim i marrëdhënieve normale nuk mund të jetë i plotë për sa kohë Serbia nuk heq dorë nga politikat revizioniste dhe nuk njeh përgjegjësitë për të shkuarën e saj në rajon”, tha Bushati.

Përballë analistëve Arjan Vasjari dhe Fatos Lubonja, Bushati tha se dëmi që i është shkaktuar faktorit shqiptar është kolosal, dhe kjo është arsyeja sipas tij që në dokumentin e Bundestagut përmendet kjo çështje.

“Kam një arkiv të pasur për këtë proces dhe për debatet që janë bërë për këtë çështje dhe hartat që janë nxjerr. Dëmi që i është shkaktuar faktorit shqiptar është kolosal, kjo është arsyeja pse në dokumentin e Bundestagut përmendet kjo çështje sepse ndryshe nuk kishte arsye pse të përmendje dhe po them që për fat të mirë duket sikur ne po rigjejmë dhe një herë tjetër atë busullën”, u shpreh ai.

Ai tha se për këtë çështje ka pasur debate të zjarrta. Ndërkaq analisti Arjan Vasjari u shpreh se bëhet fjalë për një ide të strukturuar që punonin qartësisht për këtë gjë, aq sa flitej dhe për kilometra katrorë dhe për fshatra, “një çështje e kopsitur “siç e tha ai.

Ndërkohë që analisti Fatos Lubonja i qëndronte mendimit se Ditmir Bushati u shkarkua nga detyra e tij si Ministër i Jashtëm pikërisht për këtë çështje. “U vu një kosovar ministër, që sipas të dhënave është njeri i afërt i Batonit, dhe fakti që e vuri kryeministri dhe hoqi ministrin që kishim me deduksion të çon që kryeministri ka pasur një herë atë mendimin dhe ka ndërruar mendimin. Pastaj përse e ndërroi mendimin këtë hajt ta diskutojmë. Heqja e Bushatit, Bushati nuk e thotë, dhe vendosja e atij që i vu sepse asnjëherë nuk kanë dalë hapur fare që jemi për ndryshim kufijsh, po është mbrojtur gjithmonë Thaçi. Të gjitha këto të çojnë tek diçka që është përgjegjësi e madhe”, tha Lubonja.

Shqipërisë i duhen edhe 33 vite që të dëmshpërblejë ish të përndjekurit politikë

Ministria e Financave nuk e respekton radhën për pagesat e të përndjekurve, si u zvogëlua fondi me dy aktet normative

Vlera e detyrimit të njohur nga shteti shqiptar dhe i papaguar për ish të përndjekurit politikë deri në fund të vitit 2018 është 33 miliardë e 381 milionë lekë, ose rreth 300 milionë dollarë. Nga llogaritjet e bëra nga auditi i KLSH rezulton se nëse buxhetimi i këtij fondit do të vazhdojë me këtë rritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet vetëm pas rreth 33 vitesh. Për të ruajtur vlerën reale të kompensimit, duke pasur në konsideratë kohën e gjatë, do të duhej që detyrimet e njohura ndaj kësaj shtrese të indeksoheshin me inflacionin.

Nga evidenca e marrë nga sistemi e-dëmshpërblime për pagesat e vitit 2018 dhe testimet e kryera për subjektet përfituese të kategorisë parësore konstatohet se është thyer radha e pagesave për këstet, pra pa përfunduar shpërndarja brenda këstit më të ulët për të gjitha subjektet e kategorisë parësore është vazhduar me shpërndarjen e kësteve pasardhëse në kundërshtim me nenin 1, paragrafi i Dytë i Ligjit Nr. 94/2014 ku përcakton se “Me kryerjen e pagesës, për të gjitha subjektet parësore, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës e kështu me radhë”.

Fondi për rehabilitimin e të përndjekurve politikë është në varësinë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Për vitin 2018, ky fond referuar Tabelës së Treguesve Fiskalë është realizuar në vlerën 997 milionë lekë, nga 2 miliardë e 51 milionë lekë të planifikuara me ligjin nr. 109/2017 “Për buxhetin e viti 2018” ose 48% në raport me planin vjetor fillestar dhe 97% në raport me planin përfundimtar.

Me ligjin fillestar të buxhetit, fondi për rehabilitimin e të përndjekurve politikë është planifikuar në vlerën 2,051 milionë lekë. Me Aktin Normativ nr. 1, ky fond është planifikuar në vlerën 1,047 milionë lekë, pra është ulur në vlerën 1,004 milion lekë, ose 49% krahasuar me planin fillestar. Ndërsa me Aktin Normativ nr. 2, programimi përfundimtar i këtij fondi është 1,033 milion lekë, pra është ulur më tej në vlerën 14 milion lekë.

Nga viti 2009, kur ka filluar procesi i përllogaritjes së masës së dëmshpërblimit, si dhe shpërndarja e kësteve përkatëse pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe deri në fund të vitit 2018 janë miratuar në total 27 VKM për shpërndarjen e dëmshpërblimeve. Rezulton se për vitin 2018 është miratuar VKM nr. 256, datë 09.05.2018, për 142 dosje në vlerë totalë dëmshpërblimi 263,686,873 lekë, prej të cilave janë paguar 104 dosje në vlerën 57,800,055 lekë. Pra sa më sipër, konstatohet se fondi për “Rehabilitimin e të Përndjekurve Politik” është përdorur për detyrimet e lindura nga VKM nr. 256, datë 09.05.2018 në vlerën 57,800,055 lekë ose 5.71%, ndërsa pjesa e mbetur është përdorur për të shlyer detyrimet e lindura nga VKM e viteve të kaluara.

Nga auditimi ka rezultuar se Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve, në vlerën totale 1,011 milion lekë të deklaruar si pagesa të kryera gjatë vitit 2018 për të përndjekur politikë, ka përfshirë edhe kthimet e pagesave të kthyer nga bankat e nivelit të dytë kryesisht si rezultat i llogarive të mbyllura, për 345 raste, në vlerën 18 milion lekë si dhe pagesat e kryera me fondet e vitit 2019 për 125 raste në vlerën 9 milion lekë.
KLSH konstaton se mungojnë aktet nënligjore për skemën dhe afatet e shpërndarjes së dëmshpërblimeve, pas ndryshimeve thelbësore që ka pësuar ligji nr. 9831, datë 11.12.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” me ligjin nr. 94/2014, datë 24.7.2014 dhe ligjin nr. 57/2018, datë 13.09.2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve të regjimit komunist”, i ndryshuar”.

Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve i referohen skemës së shpërndarjes së VKM nr. 419, datë 14.04.2011, e cila do të duhej të ishte shfuqizuar që në momentin që u miratua ligji 94/2014, i cili i ndan subjektet përfituese në dy kategori dhe në nenin 6 të tij thotë “Këshilli i Ministrave, brenda vitit 2014, miraton afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve.”/monitor

Shqipëri, identifikohen anëtarët e një celule terroriste iraniane

Armand Mero

Në Shqipëri, policia shqiptare bëri të ditur sot se ka zbuluar skemën e funksionimit dhe ka identifikuar anëtarët e një celule terroriste iraniane e cila ka patur si synim kryerjen e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq (Mek), mbi 2 mijë anëtarë të së cilës janë strehuar në territorin shqiptar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Ardi Veliu tha sot se “celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta”.

Sipas policisë shqiptare “celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur me emrin Peynam, rezident i përhershëm në Iran, i cili menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore”. QUDS, është krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit.

Një anga anëtarët e celulës është Alireza Naghashzadeh, një ish-anëtar i MEK-ut me pasaportë austriake. “Naghashzadeh u dërgua nga Peyman, për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua”, shpjegoi zoti Veliu.

Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh Malek Zadeh, iranian që jeton në Turqi. “Malek Zadeh (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të Peyman-it dhe të Forcave QUDS”, tha zoti Veliu.

Abdulselam Turgut, është i njohur nga autoritetet shqiptare. Në vitin 2011, Turgut është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.

Dhjetorin e vitit të kaluar ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga Shqipëria. Ministria e Jashtme njoftoi në atë kohë se “dy diplomatët iranianë u shpallën të padëshiruar, pasi dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend. Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranian si të padëshiruar – sqaroi më tej Ministria e Jashtme shqiptare – u mor në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.

Berisha i përgjigjet Thaçit: Gazidede ndihmonte ata që luftonin për Kosovën, jo ata që loznin me letra në vilën e Enver Hoxhës

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se Bashkim Gazidede përndiqte aktivistët e lëvizjes për çlirimin e Kosovës.



Në studion e emisionit “Tempora”, Berisha tha se kreu i SHIK ndihmonte ata që luftonin vërtet për Kosovën dhe jo ata që loznin me letra në vilën e Enver Hoxhës.

Pjesë nga biseda në studio

Sonila Meço: Kam një deklaratë që ka bërë zoti Thaçi në këto momente që ne flasim. Ka bërë një deklaratë të fortë, Azem Hajdari dhe gazetari shantazhonin Sali Berishën për dy marrëveshjet që arriti me Millosheviçin.

Sali Berisha: Argati i Beogradit meriton vetëm atë që i kam thënë, është argat i Vuçiçit, mjeran i damkosur në mbarë Kosovën dhe tani në mbarë Evropën. Shkoi në samitin e Berlinit për të shitur tokat e vendit të tij.

Sonila Meço: Ka shtuar dhe tjetrën, SHIKU i Gazidetes përndiqte aktivistet e lëvizjes për çlirimin e Kosovës?

Sali Berisha: SHIKU i Gazidedes ka bërë punë të jashtëzakonshme për të ndihmuar ata që vërtet luftonin në Kosovë. Po jo ata të cilët raportonin se janë në Kosovë por loznin letra në vilën e Enver Hoxhës.

Denion Ndrenika: A lidhet kjo vetëm me ata që vinin në zyrën e Iljaz Ramajlit?

Sali Berisha: Jo nuk e thashë atë. Ata që vinin në zyrën e iljaz Ramajlit  kanë qenë Adem Jashari. Në 1993 Adem Jashari ka qenë në Shqipëri.

Denion Ndrenika: I bie që Thaçi të thotë që të kenë qenë këta që përndiqeshin?!

Sali Berisha: Armatoseshin dhe stërviteshin në Shqipëri. Thaci thotë se e kanë arrestuar sepse është gjetur i vrarë shoku i dhomës së tij.

“Nesër do na thonë se ka UFO në Kukës”, ironia e Palokës: Ja pse e publikuan tani celulën terroriste iraniane

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se zbulimi i celulës terroriste iraniane u bë tani, pasi pikërisht tani i duhet kryeministrit Edi Rama për të tërhequr vëmendjen nga vendimi negativ i Bashkimit Evropian për mos hapjen e negociatave.

“Celula u zbulua tani, sepse tani i duhet Edi Ramës. I duhet Ramës për të tërhequr vëmendje nga negociatat. Përpiqet të sajojë histori të tjera, që do të thotë se ka gërrmuar e gërrmuar dhe iu nxori këtë të terroristëve. Qëllimi i tij ky është, të tërheqë vëmendje nga negociatat. Ishallah nuk del Ardiu Veliu nesër të thotë se janë parë UFO në Kukës”, tha Paloka.

Megjithatë, është një ngjarje e madhe, nëse do të ndodhte një sulm terrorist …

Absolutisht. Por, del sot sepse i duhet Edi Ramës, që të krijojë panik dhe ankth te qytetarët, që t’iu thotë të mos merren me gjërat e përditshme, buka e gojës, spitalet, shkollat, se ka gjëra më madhore. Sa herë ka pas skandale, Rama përpiqet të gjejë kështu gjërash për të tërhequr vëmendje. Sigurisht me brekushe nuk tërheq dot vëmendje dhe nxori këtë grupin.

Duke mbetur te negociatat, vazhdon jehona. Rama përplaset me Bashën …
Rama është i pashqetësuar, që nuk iu hapën negociatat, sepse gjendet mirë në këtë batakun që ka krijuar vetë. ky është problemi madhor, që kemi. Nëse ne do kishim një status tjetër, nuk do menaxhonte dot marrëdhëniet me krimin, siç bën sot. Ndaj, Rama e ka gjetur parajsën, për të lind dielli çdo ditë, për shqiptarët ka filluar errësira, që kur ai erdhi në pushtet. Rama i ka milionat, vilat, udhëtimet me charter, jetën e bën mondane. Nuk po diskutojmë mirëqenien e Ramës, por të shqiptarëve. Dera, në fakt, iu mbyll Ramës, por pasojat i vuajnë shqiptarët.

Është detyra jonë të vëmë para përgjegjësisë këtë kryeministër, që sot është i vetmi përgjegjës për mos hapjen e negociatave. Ato kushtet që shtohen e shtohen, nuk vijnë se kështu i teket gjermanëve, holandezëve apo francezëve, por se ky zotëria bën hapa pas. Pse nuk ka kushte për Maqedoninë, ku e fundit ishte kërkesa ekstreme për ndryshimin e emrit, dhe që e realizoi. Maqedonia arriti deri në atë nivel të realizimit të kushteve, sa sot nuk ka arsye për të mos ja hapur negociatat. E kundërta ndodh me ne.

(BalkanWeb)

Pas porositësit, lirohet edhe ndihmësi në vrasjen e komisar Artan Cukut. Enigma e vendimit të palës greke

Kristaq Leci u arrestua në Greqi më datë 12 gusht me kërkesë të autoriteteve tona, por për arsye ende të paqarta u lirua ndërkohë që duhej të sillej në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë për akuzat ndaj tij.

Më parë, Greqia kishte refuzuar ekstradimin drejt vendit tonë të Kristaq Lecit, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-kryekomisarit Artan Cuku më 8 prill të 2017-s, ndërsa mbetet ende i paqarta shkaku që çoi në lirimin e tij.

“Abc News” kontaktoi me Ministrinë e Drejtësisë duke kërkuar informacion në lidhje me rrethanat që çuan në lirimin e Lecit, por si përgjigje mori vetëm heshtjen.

Zëdhënësja e ministrisë, Valeria Bardhja e kontaktuar zyrtarisht nga “ABC News” u shpreh se do të interesohej, por më pas nuk iu përgjigj interesin tonë.

Më herët Gjykata e Lartë greke kishte refuzuar edhe ekstradimin e Bledar Jambellit me argumentin se në vendin tonë i rrezikohej jeta, duke e lënë më pas të lirë.

Sipas hetimeve të prokurorisë shqiptare kjo vrasje është porositur nga Bledar Jambelli, një person që ishte arrestuar më parë nga komisari Cuku.

Pikërisht ky arrestim dyshohet të ketë qenë edhe shkaku për urdhërimin e vrasjes se ish-drejtorit të policisë, në shenjë hakmarrjeje. Ndërkohë në Gjykatën e Krimeve të Rënda është vendosur data 31 tetor për nisjen e procesit gjyqësor për Bledar Janbellin.

Kristaq Leci, dyshohet si bashkëpunëtori i Mikel Shallarit në ekzekutimin e drejtuesit të lartë të policisë Artan Cuku pranë banesës së tij në Tiranë.

Kristaq Leci, sipas informacioneve të bëra publike dhe hetimeve të prokurorisë, thuhet se ka qenë ai që ka informuar Mikel Shallarin për lëvizjet e komisar Cukut.

Leci gjithashtu njihej edhe me emrin Gerti Kajo.

Komisari Artan Cuku u ekzekutua nga Mikel Shallari i cili ka rrëfyer në gjykatën e krimeve të rënda të gjithë ngjarjen e plotë duke zbuluar edhe emrin e porositësit. Bledar Janbelli ishte larguar nga Shqipëria menjëherë pas vrasjes se Cukut. /abcnews/

Kapet “përbindëshi” i detit në Durrës (fotot)

Paraditen e sotme një peshkaqen është kapur në ujërat e detit Adriatik nga peshkatarët durrsakë.

Ka qenë peshkarexha ”Meduza” që e ka nxjerrë në breg peshkaqenin që, sipas peshkatarëve, është i llojit tigër.

Ai ka rënë në rrjetat e peshkatarëve në një thellësi prej afro 170 metrash dhe peshon afërsisht 500 kilogramë.

Operacioni në të gjithë vendin, arrestohet oficeri i policisë Dilaver Kalaj pas disa orë ndjekjeje

Një operacion antidrogë i shtrirë në të gjithë vendin ka vënë në pranga sot Dilaver Kalajn, shef objektesh në komisariatin numër 1 në Tiranë.

Burime për “Panorama”, kanë thënë se policia i është vënë në ndjekje nga Kakavija, dhe e kanë arrestuar në Tiranë, ndërsa po kthehej në shtëpi.

Kalajt, i janë gjetur në banesë disa armë pa leje, (kallashnikov), dhe fishekë. Operacioni është ende në vijim, dhe pritet të ketë edhe arrestime të tjera.

Zbulohen qeli torturash të kohës së diktaturës në qendër të Korçës

Në ndërtesën e ish komitetit të Partisë në Korçë janë zbuluar disa qeli burgu dhe hetuesie të kohës së komunizmit. Në mure ka dëshmi të torturave ndaj të dënuarve, shumica e të cilëve aristokrate korçarë.

Punimet për restaurimin e ndërtesës së ish-Komitetit të Partisë, në qendër të Korçës, zbuluan se bodrumet e saj kanë shërbyer gjatë kohës së diktaturës si qeli torturash dhe hetuesie.

Në muret e ngushta, kanë mbetur të paprekura mbishkrime, data, emra apo thënie të të dënuarve politikë. Në ndërtesën e cila pas çlirimit të vendit u kthye në zyra hetuesie dhe qeli burgu, janë mbajtur kryesisht aristokratë korçarë.

Ekzistenca e disa ndërtesave të tilla, që janë përdorur si burgje gjatë diktaturës lind nevojën që qyteti të ketë një muze, për të dëshmuar trashëgiminë historike të kësaj periudhe.

Gjatë periudhës së diktaturës në Korçë, janë dënuar politikisht 900 persona, 120 prej të cilëve janë pushkatuar dhe qindra familje janë internuar./abcnews

Tiranë: Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë Rama pas mos-hapjes së bisedimeve me BE-në

Ilirian Agolli

“Një njeri po na mban peng të gjithëve. Kjo duhet të marrë fund”. – Kështu u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si përgjegjës për dështimet në procesin e integrimit europian dhe mos-hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Drejtuesi i bashkimit opozitar theksoi se “situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive, që vjen prej kapjes së institucioneve dhe pabarazisë para ligjit, ka detyruar shqiptarët të largohen në numra rekord si azilkërkues”.

“Europa refuzoi Edi Ramën, jo Shqipërinë. Dështimi është i Edi Ramës, jo i Shqipërisë. Ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania, që i tha Po Shqipërisë dhe Jo qeverisë përmes 9 kushteve që duhen përmbushur. Pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin t’i bëjë, Europa do të vazhdojë ta refuzojë Edi Ramën, por ne, shqiptarët, do të vazhdojmë të vuajmë pasojat” – tha zoti Basha.

Ai deklaroi se kryeministri Rama duhet t’i kthejë mandatin popullit shqiptar, sepse “shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave dhe se kushtet treguan që qeveria ka bërë hapa pas”.

Ai tha se krimi, korrupsioni, blerja e votës, mosfunksionimi i gjykatave, nuk janë probleme të brendshme të Europës, por të qeverisë Rama.

“Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, me mundësi për të gjithë qytetarët e saj. Vënia para drejtësisë e te inkriminuarve dhe korruptuarve në nivele të larta janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit” – tha ai.

Zoti Basha tha se qeveria e Tiranës duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe të largohet nga drejtimi i vendit.

“Me një qeveri të re, legjitime, e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, që drejton procesin e negociatave europiane, mirëqenia dhe përparimi është i mundur” – tha ai.

Por kryeministri Edi Rama hodhi poshtë kërkesat për dorëheqje dhe akuzoi opozitën se ajo punoi shumë fort për ta dështuar procesin.

“Ata nuk kanë lënë gur pa lëvizur por nuk ia dolën. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën atë që ju takonte si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane për të ardhmen e Bashkimit Europian” – tha ai.

Zoti Rama tha pas një mbledhje të Partisë Socialiste për të njëjtën temë se e vetmja gjë që Shqipëria ka në dorë është të bëjë detyrat e shtëpisë, dhe se përgjigja e fundit nga BE-ja nuk ndryshonte asgjë në trajektoren strategjike të vendit, PS-së dhe qeverisë.

“Detyrat tona të shtëpisë janë shumë të qarta. Rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok. Ne duam të bëjmë Shqipërinë europiane për shqiptarët dhe fëmijët tanë dhe këtë do ta bëjmë përditë” – tha ai.

Franca i kujtoi Shqipërisë se ka një numër të lartë azilantësh dhe emigrantësh, gjë që nuk përputhet me kërkesat e saj për integrim europian, ndërsa Gjermania i kërkoi të ringrejë Gjykatën Kushtetutese dhe të dënojë zyrtarët e inkriminuar në korrupsion gjyqësor dhe në krime zgjedhore.

Kisha e shekujve 12-13 në Balldre shpëton nga shkatërrimi (video)

Në Balldren të Lezhës po punohet për të kthyer në qendër të vizitueshme një nga kishat më të vjetra në Veri të Shqipërisë. Dom Nikë Ukgjini, i cili pak vite më parë shndërroi në kompleks muzeal kishën e Ndre Mjedës në fshatin Kukël, tregon se Kisha e Shënepremtes në Balldre është shpallur Monument Kulture që në vitin 1981, por për shkak të mungesës së kujdesit, vitet e fundit ajo po shkonte drejt shkatërrimit duke rrezikuar një nga objektet e rralla të krishtera që i përket shekujve XII-XIII.

Pas vitit 2017 dhe në vazhdim i gjithë objekti ka mbetur në harresë, kështu që faktikisht ishte i kërcënuar nga shkatërrimi i afreskeve brenda në pjesën e apsidës. Çatia ishte dobësuar, pa dyer dhe pa dritare dhe çdo gjë i ishte nënshtruar një shkatërrimi të mjerueshëm. Dhe kjo më nxiti të konsultohem me disa donatorë, me disa miq të mi, dhe të fillojmë të bëjmë të mundur shpëtimin e këtij objekti, që ka një vlerë të rradhë për kulturën shqiptare“, thotë studiuesi Dom Nikë Ukgjini.

Specialistët po punojnë për zhveshjen e mureve anësore të kishës për të nxjerrë në pah gjurmët e mbetura të afreskeve, për t’i restauruar dhe konservuar ato, me synim për ta bërë të vizitueshëm këtë monument të rëndësishëm.

Restauratori Zamir Marika, që po punon prej tre muajsh në brendësi të kishës së Shënepremtes, thotë se ajo që ka befasuar studiuesit e artit është zbulimi i pikturave murale në brendësi të kishës, piktura që dëshmojnë për hershmërinë e artit kishtar në Shqipëri.

“Për nga vlera hyjnë ndër pikturat e rradha të kishave katolike në territorin shqiptar, ku ndërthuren elementë stilistikë të gotikut perëndimor me atë romano-gotiko-bizantin. Faza e parë janë mbetje të pikturës të fundit të shekullit XII dhe fillimit të shekullit XIII. Akoma nuk është studiuar për të dhënë një mendim përfundimtar për këtë. Është një pikturë e stilit të gotikut përëndimor. Faza e dytë dhe e tretë i përket një stili romano-gotiko-bizantin”, thotë zoti Marika.

Studiuesi Ukgjini thotë se rreth 70 kisha të vjetra në veri të Shqipërisë u shkatërruan ose u dëmtuan gjatë periudhës osmane dhe periudhës së komunizmit dhe se nga shkatërrimi kanë shpëtuar si struktura të plota vetëm tre kisha të vjetra; ajo e Balldrenit, e Rubikut dhe kisha në Pllanë.

Pas përfundimit të restaurimit të këtij objekti, shpresojmë që në fillim të nëntorit të bëhet përurimi i të gjithë këtyre punimeve kolosale, të bëhet diçka edhe për kishën në Pllanë. Projektet janë të bame prej Ministrisë së Kulturës, por aq kanë ba për arsye të kushteve financiare. Dhe detyrohet kisha që t’i marrë këto objekte dhe ti ketë nën kontroll dhe të investojë, aq sa është e mundur, që të shpëtohet kjo kulturë mijravjeçare“, thotë zoti Ukgjini.

Studiuesi Ukgjini apelon për një vëmendje më të madhe nga institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar dhe veçanërisht nga Monumentet e Kulturës, të cilat janë përgjegjëse të drejtpërdrejta për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve që dëshmojnë trashigiminë e popullit shqiptar.

Ky është kuksian i sulmuar sot nga ariu (foto)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në bjeshkët e Gjallicës, në Kukës, ku një 43-vjeçar është plagosur rëndë nga ariu.

Burime bëjnë me dije se qytetari që ka mbetur i plagosur është Ekrem Onuzi, i cili jeton gjatë verës në bjeshkë me bagëti

Ka më shumë se dy orë që Onuzi ka njoftuar se e ka sulmuar ariu në vendin e quajtur Sasat, bjeshka Gjallicë, dhe i ka shkaktuar plagë të shumta në trup, duke i duke i dëmtuar rëndë këmbën dhe kokën duke i shkaktuar hemorragji të shumta

Është njoftuar Salla e Emergjencave për helikopterin dhe akoma nuk është njoftuar nisja e tij nga Tirana për shpëtimin e të plagosurit.

Policia e Kukësit ka konfirmuar rastin por shton se është e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit mjaft të thyer në Gjallicë.

Policia Kukës/ Informacion paraprak:

Jemi njoftuar në sallën operative se në vendin e quajtur Sasat, mali i Gjallices, shtetasi E.O., rreth 45 vjeç, banues në fshatin Nangë, duke kullotur bagëtitë është sulmuar nga një Ari, duke i shkaktuar plagë në kokë, shpatull dhe në këmbë.

Policia është nisur drejt vendit të ngjarjes.

Nga Tirana është nisur dhe helikopteri në ndihmë, për shkak të terrenit të vështirë malor.

Video – Macron: Unanimitet? Gjysma ishin kundër Shqipërisë, ndalova ndarjen

Qeveria këmbëngul që refuzimi i negociatave nuk ka të bëjë me punën e saj dhe ka vënë në shënjestër publike Macronin.

Në fakt, këtë alibi ka patur arsye reale ta përdorte politikisht qeveria e Maqedonisë së Veriut, por ata kanë zgjedhur të reagojnë ndryshe.

E vërteta është që nuk ka qenë vetëm Franca kundër nesh.

Madje Macron ka këmbëngulur që Shqipëria dhe MV të mos ndaheshin duke “djegur” kështu MV, e cila kishte konsensus të gjerë dhe duke e shpëtuar politikisht Ramën.

Euronews raporton se për Shqipërinë ishin shumë vende kundër.

Ndërsa për Maqedoninë kishte konsensus të gjerë, por Franca ka vënë veton për mosndarje.

“Presidenti francez Emmanuel Macron argumentoi që nisja e bisedimeve të anëtarësimit vetëm me një vend do të ishte një gabim i tmerrshëm për Balkanin”, shkruan Euronews i cili më pas thekson deklaratën e presidentit:

“Dje dëgjova disa fjalë se ne pothuajse arritëm uninamitet për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk është e vërtetë. Padyshim, aty kishte një shumicë dërrmuese që Maqedonisë së Veriut ti hapen negociatat, por gjysma ishin kundër Shqipërisë”.

Tiranë: Reagime të shoqërisë civile mbi raportet e Shqipërisë me BE-në dhe me vendet e rajonit

Ilirian Agolli

Një grup veprimtarësh të shoqërisë civile intelektualësh shqiptarë u mblodhën sot në një takim nën moton “Për shqiptarët dielli lind në Perëndim”.

Ata shprehën shqetësim për mos hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në për anëtarësim të plotë dhe nga ana tjetër për njoftimin mbi një miniShengen ballkanik dalë nga takimi në Novi Sad midis përfaqësuesve shtetërorë nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.

“Na u tha se do të bëhej një mini-Shengen për lëvizjen e lirë, por në atë tryezë nuk ishte shteti i Kosovës. Atje u fol edhe për heqjen e barrierave doganore, por nga ana tjetër kemi edhe taksën 100 për qind e mbiquajtur “taksa Haradinaj”, e cila është në fuqi midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Takimi u duk si një presion që kryeministri Rama po i bënte Bashkimit Europian, ku shqiptarët aspirojnë të bëhen pjesë. Ne kemi thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, e cila ka mbetur diku në horizont, por dje na u tha edhe një “Jo” për hapjen e negociatave, dhe na duket se ajo ditë është më e largët” – tha veprimtari Aulon Kalaja.

Folës të tjerë theksuan se takimi nuk ka krahasim me marrëveshje si ai i Shengenit apo i Vishegradit.

“Marrëveshja e Vishegradit ishte i monitoruar nga Brukseli, ndërsa marrëveshja e Novi Sadit ne nuk shohim as nga Brukseli as nga Uashingtoni asnjeri aty. Janë vetëm tre zyrtarë dy kryeministra dhe një president, të cilët bajnë një marrëveshje, të cilën ne në Shqipëri nuk e dimë se çfarë përmban në detaje. Mendoj se ajo i shkon ndesh aspiratave pro-perëndimore të popullit shqiptar, është një marrëveshje anti-integruese dhe anti-europiane për Shqipërinë” – tha veprimtari Ilir Aliaj.

Pjesëmarrësit theksuan se aleatët strategjik të Shqipërisë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

“Formula e SHBA-ve, garantuesit kryesor të rendit në Ballkan, është që Ballkani të jetë në Bashkimin Europian. Këta kanë nxjerrë një formulë tjetër; jo më Ballkani në BE dhe i mbështetur nga SHBA-të, por kanë shpikur një formulë të re: Shqipëria dhe Kosova të orientohen drejt Danubit, dhe jo më nga Mesdheu. Tani dihet se kush e ka sferën e interesave në Mesdhe dhe kush e ka sferën e interesave në Danub, ndaj duhet denoncuar fuqishëm” – tha veprimtari Indrit Vokshi.

Në takim morën pjesë veprimtarë të grupimeve të ndryshme, diplomatë, historianë, artistë, pedagogë e studentë.

“Ideja e heqjes së barrierave doganore është një krim, pjesë e një kolonizimi të Shqipërisë. Këtu nuk është punë shovinizmi, nuk është punë nacionalizmi, por është punë atdhedashurie” – tha profesor Edmond Tupe.

Disa ditë më parë drejtuesit e qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë veriore Rama e Zaev si dhe presidenti i Serbisë Vuçiç zhvilluan një takim, ku u diskutua për një lehtësim më të madh të qarkullimit në rajon të njerëzve, prodhimeve dhe kapitaleve.

Veprimtarët u mblodhën me shqetësimin se mbi këtë takim nuk ka transparencë më të madhe dhe ka paqartësi mbi orientimin perëndimor të shqiptarëve.

Cakaj: Pse Zaev mban përgjegjësi për vendin e tij, ndërsa unë dhe Rama nuk mbajmë përgjegjësi për Shqipërinë

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë gjatë një dalje publike për mediat, u pyet se a mban përgjegjësi qeveria shqiptare për mos-hapje negociatash, pasi në Maqedoninë e Veriut kryeministri Zoran Zaev dërgoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Cakaj tha se nuk ka për të ndodhur e njëjta gjë në Shqipëri, sepse as ai dhe as kryeministri Rama nuk kanë folur për dorëheqje, kurse Zaevi po.

Madje ministri në detyrë thotë edhe që dorëheqja nuk ka të bëjë me negociatat, megjithëse Zaev e shprehu qartë këtë.

“Diskutimi për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut është më herët se dje. Zgjedhje e parakohshme në Maqedoni të Veriut nuk ka ardhur si rrjedhojë e bllokimit të negociatave.

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur premtime se do të jepet dorëheqje, është thënë se negociatat do të hapen. Prandaj përgjegjësia e tyre ndaj elektoratit atje është komplet ndryshe. Unë nuk di që unë apo kryeministri kemi premtuar ndonjëherë se negociatat do të hapen. Ne kemi thënë se zotohemi se do bëjmë përpjekje, por nuk jemi zotuar se do të hapen se s’bën.”, tha Caka.

Tregti me Rusinë dhe Turqinë – Janë në krye të listës për shkëmbimet nga porti i Durrësit

Përmes transportit detar nga porti i Durrësit, vendi ynë rezulton të ketë një shkëmbim më të madh tregtar me Rusinë, Turqinë dhe së fundmi me Tunizinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Një vit më parë, vendin e tretë në listën e shkëmbimeve tregtare e mbante Italia me 11% të volumit të përgjithshëm të mallrave të përpunuara.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë përpunuar 3,12 milion ton mallra dhe shkëmbimet me Rusinë kapin 24 % të import/eksporteve, ndërsa me Turqinë dhe Tunizinë janë shkëmbyer përkatësisht 18 dhe 12 % e mallrave.

Lista vijon me SHBA me 12 %, si dhe Italia dhe Malta me 8% secila. Greqia, Ukraina, Spanja, Egjipti, kanë me portin e Durrësit shkëmbime prej më pak se 5 % të volumit të përgjithshëm secila.

Përsa i përket importeve, peshën kryesore e mban Rusia, ndërsa eksportet “Made in Albania”, që mbeten në shifra të ulëta, shkojnë kryesisht drejt Italisë, Maltës e Turqisë.

“Pashë Ramën kur pickoi me dhunë ministren”, kryeministri padit aktivisten e shoqërisë civile (video)

Aktivistja e shoqërisë civile, Sevim Arbana ka deklaruar disa kohë më parë në emisionin “A show të gazetarit” Adi Krasta se kryeministri Edi Rama ka pickuar një ministre në qershor të vitit 2013, e për këtë deklaratë, kryeministri e ka paditur.

Sevim Arbana ka thene ne emison se ka pare se si kryeministri Rama ka ushtruar dhunë ndaj ministres së tij në një aktivitet në një prej hoteleve të Tiranës.

Sevim Arbana, aktiviste e të drejtave të njeriut, reagoi në një lidhje të drejtpërdrejtë në News24, lidhur me padinë e ngritur ne adresë të saj nga kryeministri Edi Rama.

Arbana e konsideroi të shëmtuar dhe revoltues, padinë që kreu i qeverisë ka ngritur ndaj saj, ndërsa tha se seanca e parë e gjyqit do të mbahet më 6 nëntor.

Do të mbyllë gojën dhe ka natyrën e tij, do të imponojë me forcën e pushtetit, dhe arrin dhe bën edhe gafa. Ky kryeministër që guxon të kërkojë dhe para, duhet të vërtetojë dëmin  material, shëndetësor dhe në roli si kryeministër i kam shkaktuar unë. Është shumë e lehtë dhe shikohet sa lekë kam unë, le ti marrë le ti gjejë. Ai mendon se të gjithë njerëzit kanë stiva parash siç ka ai. Ky është një akt i shëmtuar.

Eksiton një ligj ndërkombëtare lejohet të shahet në një farë kuptimi, kjo s’do të thotë ta hedhë të gjithë popullin në gjyq. Është ai që më ka shkaktuar mua një dëm në shëndet dhe shqetësimet në familje. Organizmat ndërkombëtarë më kanë sugjeruar që të bëj unë kundër padi, ende skam fol me avokatin për këtë, por do të diskutoj”, u shpreh ajo.

Kryeministri Edi Rama, paditi në gjykatë aktivisten e të drejtave të njeriut, Sevim Arbana, pas deklaratës së saj në emisionin “A Krasta” në News24 e cila tha se në qershor 2013 e kishte parë atë të pickonte me dhunë një nga ministër e kabinetit.

‘Unë kam parë skena që ia ka futur edhe me të pickuar një ministreje grua. Kush e di ca i ka bërë dhe i ka ardhur në majë të hundës. Në 2013, ishte pickim dhune, sec i shpëtoi asaj edhe tek.. te Sheratoni ka qenë në qershor 2013. Asaj i dolën dy lotë kështu i ranë edhe e mblodhi veten se ishin një javë para zgjedhjeve”,- tha Arbana gjatë diskutimit në emision.

E pranon vetë qeveria, ekonomia shqiptare mund të përballet me skenarin grek

Analiza kritike e ish-ministrit të Financave për ekonominë 2019-eksporti është ngadalësuar, bankat e huaja ulen kreditimin dhe pse kriptomonedhat mund të kthehen në një mallkim për ekonomi si e jona

Në të njëjtën ditë që diskutonte buxhetin faktik me Kontrollin e Lartë të Shtetit ish ministri i Financave ka bërë një analizë të ekonomisë dhe risqeve të saj në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë ku ka kundërshtuar dyshimet për skenarin grek për Shqipërinë.

Siç raportoi Monitor, KLSH relatonte se “në kushtet e presioneve në treguesin e deficitit dhe borxhit publik, ndikuar nga problematikat sistemike të evidentuara në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 nga entet publike, nga ana e strukturave përgjegjëse janë marrë masa jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke përfshirë mosplanifikim të plotë të shpenzimeve, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, kryerjen e shpenzimeve të pambështetura me plan buxhetor, moslejim përdorimi fondesh buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, mosraportim të plotë të shpenzimeve për disa zëra buxhetorë, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit dhe disa zërave buxhetorë brenda kufijve të miratuar.

Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, treguesin e deficit, dhe treguesin e borxhit publik për vitin 2018”.

Në konstatimet e publikuara nga Monitor rezultoi se financat kanë fshehur detyrimet e prapambetura, të cilat realisht arrijnë në 75 miliardë lekë, nëse përllogariten dhe detyrimet kontigjente gjyqësore ndërkombëtare. Fshehja e shpenzimeve, një skenar i ngjashëm me Greqinë e cila kishte manipuluar të dhënat për shpenzimet, të ardhurat dhe borxhin te Bashkimi Evropian, FMN e BB. Nga raporti KLSH rezuloi se janë shtuar rreziqet për një paaftësi për të paguar detyrimet financiare në të ardhmen, teksa rritja ekonomike është përgjysmuar tashmë dhe PPP-të janë një tjetër rrezik për buxhetin.

Por ish-ministri i Financave tashmë kreu Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj tregon “sesi Shqipëria e kishte kapërcyer rrezikun e një skenari grek për ekonominë dhe përmes një pune shumë të kujdesshme në favor të konsolidimit fiskal, që edhe ishte shtruar rruga për një rritje ekonomike të qëndrueshme në nivelet 4%, të nxitur nga konsumi dhe investimet, dhe të shoqëruar me një rritje serioze të punësimit”.

Duke ju referuar vitit të kaluar Ahmetaj thotë se “atëherë diskutonim edhe sesi, për një ekonomi si jona por jo vetëm, edhe si e të gjithë rajonit, vija ndarëse mes suksesit dhe dështimit mbetet akoma tejet e brishtë dhe gjithnjë kërcënuese pa garancitë e vazhdimit të reformave”.

Por megjithëse thotë se Shqipëria e ka kaluar rrezikun e skenarit grek, Ahmetaj jo pa qëllim vëren se risqet janë shtuar krahasuar me një vit më parë kur ai drejtonte financat dhe ekonominë e vendit. “Sot mund të kemi një tjetër reflektim një vit më pas, por në këndvështrimin tim sfidat janë po ato dhe sërish në këndvështrimin tim, sfidat janë akoma më afër kërcënimit”.

Ahmetaj vijon me atë që e quan “provokim të dytë, praktikisht produktiviteti i faktorëve në Shqipëri është akoma më i ulëti në rajon. A është kjo arsyeja pse eksporti është ngadalësuar këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar apo edhe vitet e fundit, ku po t’i referohemi që nga 2014 praktikisht eksporti kërceu edhe me dy shifra? “

Duke folur për borxhin Ahmetaj thotë se “Kryeministri ka pasur dhe ka presion, unë kam pasur presion, ministrja sot besoj sërish ka presion për të rritur borxhin, por ulja e borxhit do duhet të rikthehet domosdoshmëri dhe e kam thënë edhe më herët në aktivitete publike, jo vetëm domosdoshmëri, por edhe objektiv patriotik”.

Ahmetaj e shikon patriotizmin edhe te bankat. “Është interesante të shohësh që bankat me kapital shqiptar e kanë rritur kreditimin në masë të konsiderueshme. Bankat me kapital të huaj, e kanë marrë “me nge”. Pyetje e kam, mos u përgjigjni sot se nuk besoj është ky auditori, por bankat me kapital shqiptar janë më pak të ndërgjegjshme për riskun? Bankat me kapital të huaj, janë më të sofistikuara në përllogaritjen e riskut në Shqipëri? Pyete e kam, nuk e di, thjesht po ju them shifra.

Ishi-ministri kishte gjithashtu një provokim sa i përket crypto currencies, kur thotë se “ka ardhur besoj momenti që autoriteti rregullator, por edhe ligjbërësit të mendojnë seriozisht sepse crypto currencies sa mund të jenë një bekim, mund të kthehen edhe në një mallkim, sidomos për ekonomi dhe sisteme si tonat. Besoj që duhet futur në axhendën e diskutimit mes jush, qeverisë dhe ligjvënësit”.

U NDA NGA JETA GAZETARI RIZA HOXHA – Nga RAMIZ LUSHAJ

U nda nga jeta një nga shokët dhe miqtë tanë më të mirë, Riza Hoxha, gazetari që një jetë të tërë ia kushtoi gazetarisë, e për rreth 20 vite dhe korrespondent i ATSH-së, i cili ka bashkëpunuar me shkrimet e aedhe me Gazetën “Shkëlzeni” e “Dardania” (kur isha botues i tyre) si dhe shtypin shqiptar të kohës në Shqipëri, në Rajonin Shqiptar Ballkanik, në Europë e Amerikë.

Riza Hoxha ishte i thjeshtë e i palodhur, modest në kërkesa, i sakrificës, i penës e punës së mirë, i tillë do të mbetet për në shokët e miqte e tij që patëm fatin të bëjmë një pjesë rruge bashkë!

Kujtimet ma të mira për kohë-qëndrimet tona zemër-mira në qytetin e Kukësit në vitet ’88-’92; për shoqërinë tonë të mirë e ndihmen e tij të madhe për gazetën “Shkëlzeni” të Tropojës (që shtypej asokohe në Kukës), për bashkëpunimet e tij me gazetën “Dardania” në Tiranë.

Ikja e shpejtë, e parakohshme, e gazetarit Riza Hoxha i Kukësit është një humbje e dhimbje e madhe edhe për të gjithë shtypin panshqiptar, të cilit i kushtoi kohën e pjesën ma të madhe, ma të bukur e ma të frytshme të jetës së tij.

Ngushëllimet më të thella e ma të sinqerta familjes së Riza Hoxhës, të afërmëve, miqve e kolegëve të tij! U prehësh në paqen e përjetshme Riza Hoxha – miku im, miku ynë!

Zëri i Amerikës: Bisedimet me Tiranën e Shkupin, mblidhen ministrat e Jashtëm të BE-së

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare janë mbledhur sot në Luksemburg për të diskutuar mes të tjerash dhe çështjen e hapjes së bisedimeve për anëtarësim mes Bashkimit europian dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Vendimi kërkon unanimitet, dhe për këtë arsye skepticizmi i disa vendeve me në krye Francën, e komplikon situatën për marrjen e një vendimi të favorshëm.

Përpara fillimit të mbledhjes, Sekretarja franceze e Shtetit për Çështjet europiane Amelie de Montchalin konfirmoi qëndrimin e Parisit, sipas të cilit duhet më parë të rishikohet i gjithë procesi i zgjerimit. “Europa duhet të reformojë së pari bisedimet në kuadër të zgjerimit. Ne jemi të shqetësuar për procesin. A eshte ai efikas? Sipas pikëpamjes sonë jo.Dhe kemi shumë vende që mbështesin këtë ide të rishikimit të bisedimeve përmes një riorganizimi. Nga ana tjetër – shtoi ajo – ne duhet të sigurohemi që reformat e kërkuara për hapjen e bisedimeve të jenë reale. Jo vetëm të jenë votuar por dhe të jenë zbatuar. Franca nuk i kundërvhet perpsektivë europiane të Balkanit perëndimor. Por duhet t’i bëjmë gjërat në një mënyrë të besueshme”.

Nga ana e saj Hollanda është shfaqur veçanërisht kritike me Shqipërinë dhe këtë e rikonfirmoi sot, përpara mbledhjes dhe ministri i Jashtëm Steph Blok. “Qëndrimi ynë është se çdo vend duhet të vlerësohet në bazë të meritave. Të dyja vendet kanë bërë shumë përpjekje. Lidhur me Maqedoninë e Veriut ne konsiderojmë se duhet të ndërmerret një hap i rëndësishëm siç është ligji për pavarësinë e Prokurorisë Speciale dhe nëse ky kusht përmbushet atëherë ne mendojmë se negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë. Lidhur me Shqipërinë, ne mendojmë se ka ende punë për të bërë dhe se vendi nuk është gati për hapjen e negociatave”.

Por pjesa dërrmuese e vendeve anëtare mendojnë se bisedimet duhet të hapen me të dy vendet. Pozicioni i Gjermanisë, është ai i përcaktuar nga Bundestagu, siç e nënvizoi në një postim të tij në Twitter dhe Sekretari gjerman i Shtetit për Europën Michael Roth, duke theksuar se “qëndrimi i Gjermanisë është i qartë si kristali”.

I ndodhur në Luksemburg, ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj, pati një mëngjes pune me ministrat e jashtëm që janë pjesë e së majtës europiane, duke marrë mbështetjen e tyre për një vendim në fabor të Shqipërisë. Ndërsa në një postim në Twitter ai theksoi se “Sot, Bashkimi Evropian do të përballet me një zgjedhje historike. Shqipëria ka ndërmarrë një reformë gjyqësore ambicioze dhe të guximshme, duke u shndërruar në një shembull për të gjitha vendet e rajonit”. Sipas tij “Tanimë është koha për hapjen e negociatave, për pranimin e Shqipërisë në BE, pasi një vonesë tjetër mund të ngadalësonte dhe të ndikonte negativisht në progresin e Shqipërisë për reformat e ndërmarra, do të ulte besueshmërinë e BE-së si dhe do të nxiste më tej rrezikun e rivalëve strategjikë në Ballkanin Perëndimor. Ky është momenti i Evropës. Vendet e Ballkanit nuk kanë nevojë për një Bashkim Evropian të kufizuar, të shkëputur dhe jovizionar ndaj zgjerimit, por ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian që të jetë i drejtë, i hapur dhe një dritë shprese në këtë periudhë të trazuar”.

Berisha feston sot 75-vjetorin e lindjes

Ish-kryeminisrtri i Shqipërisë Sali Berisha feston sot 75-vjetorin e lindjes. Në një postim të bërë në profilin e tij në Facebook, ku shfaqet në foto me bashkëshorten e tij, Liri Berisha. Ai ka falenderuar të gjithë miqtë dhe përkrahësit e tij për mbështetjen e dhënë gjatë këtyre viteve.



Statusi i Berishës

Sot 75 vjeç!

Miq, sot 75 vjeç!

E para qe buron nga shpirti im kete dite eshte mirenjohja e pakufishme ndaj familjareve te mi te dashur, miqve te ngushte, shqiptar dhe te huaj, bashkpuntoreve te çmuar per dashurine, sakrificat, miqesine dhe ndihmesen e tyre tejet te vyer qe kane deshmuar ndaj meje ne çdo kohe dhe çdo stine dhe kane bere te mundur keto 75 vite te jetoj ne realitetin e endrrave te mia me te guximshme.

Ndjehem pafundesisht i lumtur, i priviligjuar dhe i bekuar nga Zoti qe pata dashurine, miqesine, mbeshtetjen e tyre!

Se fundi miq, kete dekade une kam patur kenaqesine dhe privilegjin e vecante te udhetoje ne vjeshten e jetes time. Falenderoj Zotin qe me fuqine dhe vullnetin e tij e ka bere kete vjeshte te bukur si nje pranvere te dyte per mua! sb

Skemë borxhesh dhe mashtrimesh, arrestohet në Paraguaj djali i ish-prefektit të Shkodrës (fotot dhe video)

Arrestohet nga policia e Paraguajt Elton Radovani, djali i ish-prefektit të Shkodrës Paulin Radovani, i cili akuzohet si i përfshirë në një skemë borxhesh dhe mashtrimesh.

Elton Radovani është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptari pasi Interpoli e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mediat paraguaiane bëjnë te ditur se urdhri i arrestit ndërkombëtar ishte për shkak të krimeve të mashtrimit bankar dhe financiar dhe Radovani u vu në dispozicion për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë.

31-vjeçari është arrestuar më 3 tetor në Paraguaj rreth orës 11:00 në një autostradë atje dhe tashmë pritet ekstradimi drejt Shqipërisë. Ndaj tij, të vëllait Bert Radovani dhe babait të tyre Paulin Radovani, ish-prefekt vazhdojnë seancat dhe hetimet për mashtrim dhe borxhe të pashlyera që shkojnë në shifra marramendëse.


Send this to a friend