VOAL

VOAL

Trumpi ia anulon Pelosit udhëtimin me aeroplan ushtarak në Afganistan

Duke përmendur mbylljen e pjesshme të Qeverisë, presidenti amerikan, Donald Trump ka detyruar anulimin e një udhëtimi që ishte planifikuar ta realizojë kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Afganistan.

Trump i ka thënë në një letër Pelosit se delegacioni kongresional, i cili ishte planifikuar të vizitojë trupat amerikane në Afganistan si dhe të bëjë një ndalesë në Bruksel, nuk do të mund të udhëtojë me aeroplan ushtarak, pasi këto takime i ka cilësuar si “ngjarje të marrëdhënieve me publikun”.

“Teksa 800,000 punëtorë amerikanw të shkëlqyeshëm nuk janë duke u paguar, unë jam i sigurt se pajtoheni që shtyrja e kësaj ngjarjeje të lidhur me marrëdhëniet me publikun është vendim i duhur”, ka thënë Trump në një letër.

“Ne do të riorganizojmë këtë udhëtim kur të përfundojë mbyllja e qeverisë”, ka shtuar ai, duke përmendur se Pelosi dhe ligjvënës të tjerë janë të lirë të udhëtojnë përmes linjave komerciale.

Pelosi në anën tjetër nuk e ka komentuar vendimin e Trumpit, të cilin ka të drejtë ta marrë, si komandant i ushtrisë.

Më vonë, Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka njoftuar anulimin e udhëtimit të delegacionit amerikan në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos të Zvicrës.

Mospajtimet politike në mes të liderëve shtetërorë kanë rezultuar me ditën e 27 të mbylljes së qeverisë, njëherësh mbylljes më të gjatë në historinë amerikane.

Qeveria është mbyllur pjesërisht pasi Trump kërkon më shumë se 5 miliardë dollarë për të ndërtuar murin me Meksikën, propozim i kundërshtuar nga demokratët.

Thaçi: S’ka draft-marrëveshje të shkruar, të hënën takohem me Ekipin Negociator

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se nuk ekziston asnjë marrëveshje e nënshkruar me Serbinë, siç përflitet në deklaratat e disa politikanëve në Kosovë. Përmes një përgjigje me shkrim, Thaçi tha se aktualisht ndodhet në pushime, dhe se do ta takojë Ekipin negociator qysh të hënën.

“Unë në vazhdimësi i kam informuar të dy bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator për të gjitha temat që janë diskutuar deri më tani në Bruksel, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

“Gjithashtu, ua kam bërë të qartë se deri tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja. Kjo është e natyrshme, sepse ne jemi në fazën fillestare të negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse. Përkundër kësaj, sapo ta mbaroj pushimin, të hënën do të takojë Ekipin Negociator dhe do ua japë edhe në formë të shkruar informacionet e përgjithshme për periudhën e deritashme të bisedimeve. Në këtë proces historik, ne do të punojmë së bashku dhe në koordinim me njëri-tjetrin”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ekipi negociator, i përbërë nga përfaqësuesit e Qeverisë dhe njërës nga partitë opozitare, ka kërkuar ditëve të fundit që t’i ketë në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare që ndërlidhen me procesin negociator të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Reagon Elez Biberaj kur Edi Rama e quajti kazan VOA: Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë

Drejtori për Europën dhe Azinë i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, ju përgjigj kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit prej këtij të fundit, si kazan edhe për Zërin e Amerikës

Biberaj garantoi se investigimi për implikimin e deputetëve dhe shefes së kabinetit të kryemsitrit shqiptar, në biseda përgjimesh, për punësime, është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.

“Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, u shpreh për Ora News, Elez Biberajn, Drejtori për Evropën dhe Euroazinë i Zërit të Amerikës.

Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.

Pas këtij publikimi erdhi sulmi i Kryeministrit ndaj kësaj media

Pas publikimit të këtij lajmi, Kryeministri reagoi në twitter, duke e quajtur këtë media kazan.

“Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, reagoi Rama.

Katandi në fakt është kryeministri i Shqipërisë që kërkon të gjithëve t’jua mbyllë gojë, por VOA-s nuk ia mbyll dot! Lodhet kot!

Ligjvënësi republikan përjashtohet nga 3 komisione të Kongresit

Udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve morën vendim të largojnë ligjvënësin Steve King nga tre komisione, si reagim ndaj komenteve të tij raciste gjatë një interviste dhënë gazetës “New York Times”. Vetë ligjvënësi amerikan, një republikan nga Ajova, e cilësoi këtë “një vendim politik, që injoron të vërtetën” sipas tij.

Vendimi kundër ligjvënësit Steve King, i cili ndodhet në mandatin e tij të nëntë, u morr të hënën vonë. Ligjvënësi veteran u kritikua nga të dyja anët e politikës. Senatorë të partisë që zoti King përfaqëson në Kongres, asaj republikane, thonë se ai duhet të japë dorëheqjen.

“Udhëheqësi i Senatit gjithashtu tha sot se Steve King duhet të gjejë një punë tjetër. Mendoj se ka absolutisht të drejtë. Mendoj se është shumë e qartë që udhëheqja e partisë është e unifikuar në qëndrimin se Steve King doli jashtë kufijve dhe se nuk duhet të shërbejë më në Kongres. ” – thotë Senatori republikan Mitt Romney.

Kritikat ndaj ligjvënësit Steve King pasuan një intervistë të tij të botuar në gazetën “New York Times” javën e kaluar, gjatë së cilës ai ngrinte pikëpyetje se si shprehje të tilla si “nacionalist i bardhë, supremacist i bardhë apo qytetërim perëndimor, mund të konsideroheshin fyese”.

Në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve King tha se fjalët e tij ishin keqintepretuar.

“Vlerat e Amerikës janë shprehur në dokumentet themeluese të vendit tonë, që mund t’i lexojë kushdo. Ne jemi krenarë që njerëzit e të gjitha racave, feve e besimeve nga e gjithë bota përpiqen t’i arrijnë dhe unë jam i përkushtuar që Amerika të vazhdojë në këtë drejtim. Kjo bindje nuk më bën një nacionalist apo një supremacist të bardhë. Pra edhe një herë, i hedh poshtë këto lloj etiketimesh. Ideologjia që ata përcaktojnë, siç e thashë edhe për New York Times-in, nuk ka të bëjë me racën, nuk ka pasur kurrë të bëjë me të”.

Qëndrimi kritik ndaj intervistës së ligjvënësit Steve King lidhet me komente të tij të mëparshme. Në vitin 2006 ai i pati krahasuar emigrantët me bagëti.

Kongresi po shqyrton mundësinë ta thërrasë në dëgjim përkthyesin e Trumpit

Kongresisti Eliot Engel

Dy komitete të Kongresit po shqyrtojnë mundësinë nëse do ta thërrasin përkthyesin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump të dëshmojë për atë që është diskutuar ndërmjet Trumpi dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, raporton Reuters.

Lajmin e bëri të ditur kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie më Jashtë, kongresisti Eliot Engel.

Ai tha se një panel është duke punuar bashkë me stafin e Komitetit të Intelegjencës nëse përkthyesi do të duhet të ftohej për të dëshmuar pas raportimeve të “Washington Post” se presidenti Trump ia mori shënimet atij pas takimit me Putinin.

“Unë nuk preferoj ta bëjmë këtë. Duhet të shohim se çfarë mund të zbulojmë. Mund edhe të mos kemi zgjedhje tjetër” ka deklaruar Eliot Engel për rrjetin televiziv amerikan CNN.

Presidenti Trump hedh poshtë njoftimet e medias për lidhje me Rusinë

Presidenti amerikan Donald Trump po hedh poshtë njoftimet e lajmeve që lënë të kuptohet se ai i detyrohet Rusisë dhe Presidentit Vladimir Putin, ose po fsheh detaje të bisedimeve të tij private me udhëheqësin rus nga takimet e tyre, përfshirë në takimin e nivelit të lartë më Helsinki në korrik.

I pyetur nga Fox News të shtunën nëse po punon apo ka punuar ndonjëherë për Rusinë, zoti Trump tha se “mendoj që është pyetje më fyese që më është bërë ndonjëherë”.

Presidenti shtoi se ai ka qenë më i ashpër se kushdo tjetër dhe ndoshta se çdo president tjetër ndaj Rusisë.

Zoti Trump, po reagonte ndaj një artikulli në gazetën “New York Times” sipas së cilit zyrtarët e FBI-së ishin përpjekur të zbulonin nëse presidenti “Trump po punonte me vetëdije për Rusinë, apo nëse kishte rënë pa e ditur nën ndikimin e Moskës”, pasi u alarmuan nga sjellja e Presidentit Trump pasi shkarkoi ish-drejtorin e FBI-së, James Comey në Maj 2017, kur ai po drejtonte një hetim lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Trumpi mohon se ka fshehur detaje nga takimet me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mohuar se ka fshehur detaje nga bisedat me presidentin rus Vladimir Putin. Trump i bëri këto komente në një intervistë për Fox News, pasi Washington Post raportoi se presidenti ka hyrë në shumë detaje gjatë bisedave me Putinin.

Duke cituar zyrtarë të qeverisë amerikane, gazeta raportoi se të paktën një herë në Hamburg më 2017, Trumpi i kishte marrë shënimet këshilltarit të tij pas takimit me Putinin, që ato të mos shpërndaheshin me zyrtarë të tjerë.

Trumpi po ashtu kishte thënë se kanë zhvilluar një bisedë shumë të mirë në takimin që morën pjesë vetëm dy liderët në Helsinki.

Marrëdheniet e Trumpit me Rusinë para zgjedhjes së tij president më 2016, janë fokusi i hetimeve të udhëhequra nga Prokurori Special, Rober Mueller.

Hetuesit po tentojnë të vijnë në përfundim nëse ka pasur ndërhyrje në fushatën elektorale të Trump nga zyrtarët rusë.

Më 11 janar, gazeta New York Times raportoi se FBI ka hapur një hetim nëse Trumpi më 2017 ka punuar për interesin e Rusisë.
Ky hetim u kundërshtua ashpër nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Trump duke e quajtur absurd.

Pompeo: Nënshkrimi i marrëveshjes në Maqedoni, i hap rrugën hyrjes në NATO, BE

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pëshëndeti miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë të amendamenteve kushtetuese të nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.

“Udhëheqësit e Maqedonisë demonstruan largpamësi, kurajo dhe vendosmëri në përpjekjet për një zgjidhje të mosmarrëveshjes për emrin, që do t’i hapë tani rrugën Maqedonisë që të zërë vendin që i takon në NATO dhe Bashkimin Evropian si Republika e Maqedonisë së Veriut”, shkruan sekretari Pompeo në një deklaratë të shtunën.

Ai shton se Shtetet e Bashkuara e shohin këtë hap si një “shans historik për të çuar përpara stabilitetin, sigurinë, dhe mirëqenien në gjithë rajonin”.

Që ndryshimet e miratuara nga Maqedonia të hyjnë në fuqi, duhet që marrëveshja e Prespës të miratohet edhe nga parlamenti grek.

Sekretari Pompeo shpreson në një marrëveshje me Turqinë për kurdët

Sekretari Pompeo gjatë turit të tij në Lindjen e Mesme

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka shprehur besimin se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mund të bien dakort për mënyrën se si të mbrojnë rebelët kurdë në Siri, pas tërheqjes së trupave amerikane.

Agjensia e lajmeve Associated Press njoftoi se zoti Pompeo ka biseduar me Ministrin e Jashtëm turk dhe thotë se një marrëveshje e mundshme është duke u negociuar. Zoti Pompeo tha se arritja e një mirëkuptimi do t’i mundësonte Turqisë të mbronte veten dhe ndërkohë do të linte të qetë kurdët që nuk përbëjnë kërcënim për të.

Zoti Pompeo gjithashtu është optimist se kurdët që luftuan përkrah forcave amerikane kundër Shtetit Islamik në Siri, nuk do të braktisen.

Turqia i konsideron shumë prej grupeve kurde të Sirisë si terroristë dhe është zotuar t’i sulmojë. Këto kërcënime janë shtuar ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë filluar tërheqjejen nga Siria, bazuar në urdhërat e Presidentit Donald Trump.

Trump: së shpejti mund të shpall emergjencë për sigurinë kufitare

Presidenti i SHBA Donald Trump sinjalizoi të enjten se së shpejti mund të shpallë një emergjencë kombëtare dhe se do të përdorë fondet e ndërtimeve ushtarake për ngritjen e një muri përgjatë kufirit me Meksikën.

Deri tani, ai e ka patur të pamundur të bindë Kongresin që t’i japë fonde për këtë qëllim.

Presidenti Trump shkoi të enjten në Teksas për të parë nga afër përpjekjet që synojnë pengimin e emigracionit të paligjshëm në kufi.

Ai tha se ndoshta do të shpallte deklarimin e emergjencës nëse nuk arrin dot marrëveshje me demokratët e opozitës për financimin e murit. Bisedimet e Shtëpisë së Bardhë me udhëheqësit demokratë, të cilët refuzojnë të japin fonde për murin, përfunduan dje me dështim, ndërkohë që, për shkak të mosmarrëveshjeve, qeveria është mbyllur pjesërisht prej 20 ditësh.

“Unë kam të drejtën absolute për të deklaruar një emergjencë kombëtare,” u tha zoti Trump gazetarëve. “Nuk e kam bërë akoma, por mund ta bëj. Nëse kjo nuk funksionon, ndoshta do ta bëj.”

“Nuk ka asnjë arsye që të mos arrijmë në një marrëveshje,” tha Presidenti Trump, duke shtuar se “pala tjetër nuk kujdeset për sigurinë e kufirit”.

Presidenti Trump tha se ekzistojnë fonde të mjaftueshme (në dispozicion për murin) nëse ekziston një emergjencë kombëtare. Ndërkohë, demokratët dhe grupe të tjera pothuajse me siguri do të ngrejnë sfida ligjore ndaj një deklarate emergjence të presidentit dhe ndaj përdorimit të fondeve ushtarake që tashmë janë caktuar për projekte të tjera.

“Do të doja ta arrija këtë përmes Kongresit,” tha Presidenti Trump. “Ka kuptim të bëjmë marrëveshjen përmes Kongresit. … Do të ishte mirë nëse mund të bëjmë një marrëveshje, por të merresh me këta njerëz është qesharake.”

Kreu i Rezervës Federale, Jerome Powell tha se nëse mbyllja e qeverisë vazhdon për një periudhë të gjatë, kjo do të dëmtonte ekonominë e SHBA, më e madhja në botë. “Unë mendoj se kjo do të shfaqet mjaft qartë në të dhënat për ekonominë,” tha ai.

Komentet e fundit të Presidentit Trump rreth nevojës për një mur kufitar, që ishte ndoshta premtimi më i madh i fushatës së tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016, vijnë një ditë pasi ai u largua nga një takim me udhëheqësin demokrat të Senatit Chuck Schumer dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, kur ata refuzuan të bënin lëshime. Presidenti tha se biseda me ta ishte krejtësisht një humbje kohe.”

Presidenti Trump tha se nuk do të merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës këtë muaj “për shkak të qëndrimit kokëfortë të demokratëve për sigurinë kufitare dhe rëndësisë së madhe të sigurisë për vendin”.

Nga ana e saj, zonja Pelosi tha të enjten se “tani ekziston një rrugë” për zgjidhjen e çështjes: “hapni qeverinë dhe pastaj mund të zhvillojmë diskutimin për sigurinë e kufirit”, një skenar që zoti Trump e ka hedhur poshtë.

Para se të nisej për në kufirin jugor të SHBA, Presidenti Trump tha në Twitter se “ka një unitet të madh” midis ligjvënësve republikanë që e mbështesin qëndrimin e tij për të mbajtur të mbyllur një të katërtën e qeverisë federale lidhur me kërkesën për më shumë se 5 miliard dollarë fonde të reja për ndërtimin e një muri, “megjithë median e lajmeve të rreme që punon pa u lodhur për t’i dhënë çështjes një drejtim tjetër.”

Demokratët kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë fonde të reja për sigurinë e kufirit, por jo për ndërtimin e një muri.

Një numër i vogël republikanësh kanë vënë në pikëpyetje refuzimin e zotit Trump për të rihapur agjencitë që janë mbyllur që nga 22 dhjetori, një mbyllje pothuajse tre javore, e dyta më e gjatë në historinë e SHBA, dy ditë më pak se një rekord i ri. Disa shërbime të qeverisë janë shkurtuar, me rreth 800,000 punonjës federalë që nuk punojnë ose që punojnë pa pagesë.

Asnjë prej tyre nuk do të marrë dot rrogën të premten, dita e pagesës dyjavore.

Ndërkohë, në Uashington qindra punonjës protestuan të enjten kundër mbylljes së qeverisë.

Republikanët e Senatit përsëri bllokuan përpjekjet e demokratëve për të miratuar legjislacionin për të rihapur disa prej agjencive që nuk kanë të bëjnë me sigurinë e kufirit, për shkak se Presidenti Trump i kundërshton projektligjet.

Presidenti Trump tha: “Partia e opozitës dhe demokratët e dinë mirë se ne duhet të kemi siguri të fortë kufitare, por nuk duan t’i japin ‘Trumpit’ një tjetër prej shumë fitoreve!”

Gjatë fushatës së tij të suksesshëm për presidencën në vitin 2016, zoti Trump bënte thirrje shpesh për ndërtimin e një muri prej betoni dhe thoshte se ishte Meksika ajo që do të paguante për murin. Por me refuzimin e Meksikës, Presidenti Trump ka kërkuar pa sukses miratimin e Kongresit për financimin nga taksapaguesit amerikanë të një barriere, që tani ai thotë se do të jetë prej çeliku.

SHBA: Zv/Prokurori i Përgjithshëm, Rosenstein njofton largimin nga detyra

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili mbikëqyr hetimet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje, pritet të largohet nga posti në javët e ardhshme ndërsa kandidati i Presidentit Donald Trump për të drejtuar departamentin e Drejtësisë pritet të marrë detyrën. Njoftimi u bë të mërkurën nga disa mediat amerikane.

Zoti Rosenstein ka mbikëqyrur hetimet që po kryen Prokurori i Posaçëm rreth ndërhyrjes së dyshuar ruse ne zgjedhjet presidenciale të 2016-s si dhe lidhjeve të mundshme mes njerëzve të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Ish-Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, një përkrahës i hershëm i zotit Trump gjatë fushatës presidenciale, hoqi dorë nga mbikëqyrja e hetimit për shkak të konfliktit të interesit. Zoti Sessions u shkarkua në nëntor, menjëherë pas zgjedhjeve për Kongresin.

William Barr, njeriu që zgjodhi Presidenti Trump për të zëvendësuar zotin Sessions pritet të paraqitet në javën e ardhshme për një seancë konfirmimi përpara komisionit juridik të Senatit, përpara se kandidatura e tij t’i kalojë Senatit për miratim.

Nëse konfirmohet zoti Barr, i cili ka qenë Prokuror i Përgjithshëm gjatë administratës së Presidentit të ndjerë George H.W. Bush, do të mbikëqyrë hetimin e drejtuar nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller. Konfirmimi i zotit Barr ka të ngjarë të kalojë në një proces të fortë shqyrtimi veçanërisht nga demokratët, pas njoftimeve se ai ka shkruar një memo në muajin qershor që ngre pyetje rreth hetimit. Por zoti Rosenstein ka thënë se memoja nuk ka pasur ndikim në punën e departamentit.

Fjalimi i Presidentit, televizionet verifikojnë faktet

Një numër komentatorësh të televizioneve amerikane i korrigjuan disa prej pohimeve të bëra nga Presidenti Trump në fjalimin e tij mbrëmë rreth murit të propozuar në kufi.

Rrjetet e tyre televizive u bënë objekt i një debati të pazakontë nëse duhet ta kishin transmetuar ose jo fjalimin.

Është diçka e rrallë, por jo e pashembullt, që rrjetet televizive t’i thonë jo kërkesës së një presidenti për të transmetuar një fjalim të tij. Por, nëse ato do të refuzonin ta transmetonin fjalimin e parë të zotit Trump nga Zyra Ovale, ndërkohë që qeveria është pjesërisht e mbyllur për shkak të mosmarrëveshjeve për financimin e një muri kufitar, kjo do të shihej si akt provokimi.

Përfundimisht, të katër rrjetet e mëdha kabllore amerikane vendosën ta transmetojnë fjalimin, ndërkohë që dhanë edhe reagimet e opozitës në Kongres. Gjithashtu, rrjetet televizive komentuan disa deklarata të zotit Trump që sipas tyre shtrembëronin faktet ose ishin të zmadhuara.

Korrespondentja e televizionit Associated Press pranë Shtëpisë së Bardhë Jill Colvin, tha se fjalimi përmbante një numër ekzagjerimesh dhe gabimesh faktike.

Jill Colvin, Associated Press

“Një nga pohimet e bëra nga Presidenti ishte se shumë prej njerëzve që hyjnë në vend nga kufiri jugor kanë të kaluar kriminale. Në fakt, studimet kanë treguar se në fakt emigrantët kryejnë më pak krime se sa njerëzit e lindur në Amerikë.”

Rrjeti CNN dhe NBC thanë se Presidenti në mënyrë të rreme pohoi se ishin demokratët ata që kishin hedhur idenë e ngritjes së një barriere prej çeliku në vend të një muri në kufi.

Komentatori i njohur i rrjetit Fox News, Sean Hannity ndërkaq kritikoi përgjigjen e opozitës demokrate ndaj fjalimit, duke thënë se kundërshtarët e zotit Trump nuk përmendën krimet e kryera nga emigrantët pa dokumente, një argument që presidenti u përpoq ta theksonte në fjalimin e tij.

Komentatorit të njohur iu bashkua edhe senatori Lindsey Graham, i cili tha se qëndrimi i zotit Trump përfaqëson shansin më të mirë për të përmirësuar sigurinë e kufirit.

Asnjë nga rrjetet e mëdha televizive nuk përdori titra ose tekst në ekran, për të hedhur poshtë deklaratat e zotit Trump kur ai ishte duke folur. Por rrjetet CNN dhe MSNBC përdorën formatin e krahasimit të deklaratave me faktet pasi presidenti kishte mbaruar fjalimin.

Zjarri pyjor në Kaliforni katastrofa më e shtrenjtë natyrore në 2018

Zjarri që përfshiu shtetin federal amerikan të Kalifornisë vitin e kaluar është katastrofa natyrore më e shtrenjtë në botë në vitin 2018, ka njoftuar kompania gjermane e sigurimeve “Munich Re”.

Kompania thotë se zjarri Camp që shpërtheu në Kaliforni më 8 nëntor shkaktoi një dëm prej 16.5 miliardë dollarësh. Nga zjarri, jetën e humbën mbi 80 persona dhe rreth 14 mijë shtëpi u dogjën. Një pjesë e dëmit material prej 12.5 miliardë dollarë ishte siguruar.

Uragani që shkaktoi dëmet më të mëdha në vitin 2018 ishte Michael, i cili goditi shtetin federal të Floridës në tetor. Supozohet se kjo fatkeqësi natyrore shkaktoi një dëm prej 16 miliardë dollarësh ndërsa 35 persona humbën jetën nga goditja e stuhisë.

Dëmi i shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore vitin e kaluar vlerësohet në 160 miliardë dollarë ndërsa “Munich Re” thotë se këto janë humbje më të vogla krahasuar me vitin 2017, e cila në atë kohë arriti në rreth 350 miliardë dollarë.

Torsten Jeworrek, një anëtar i bordit drejtues të kompanisë, tha se lidhja midis zjarreve të pyjeve në Kaliforni dhe ndryshimeve klimatike është e dukshme. aa

“Holiday Train Show”, udhëtimi në kohë dhe miniatura e New Yorkut

NEW YORK – New Yorku ka kthyer traditën e preferuar festive – ekspozita “Treni festiv” (Holiday Train Show).

Një nga mënyrat e preferuara të turistëve të shumtë që vizitojnë New Yorkun në SHBA, por edhe i vet njujorkezëve, është që festat e fundvitit t’i kalojnë në ekspozitën “Treni festiv” (Holiday Train Show), e cila do të zgjasë deri më 21 janar.

Ekspozita është hapur në parkun botanik të New Yorkut ndërsa në ditë vizitohet nga disa mijëra njerëz. Vizitorët mund të shohin miniaturën e New Yorkut me shfaqjen simbolike të ndërtesave të qytetit. Në mesin e 175 maketave që ndodhen në ekspozitë, mund të shihen Statuja e Lirisë, biblioteka e qytetit, ndërtesa Rockfeller, Empire State, stacioni kryesor hekurudhor dhe stadiumi Yankee.

Çdo njëra është bërë nga lëvorja, gjethet apo materialet tjera natyrore. Janë ekspozuar disa sisteme hekurudhore ku lëvizin dhjetra trena. Po ashtu janë ekspozuar edhe maketet e trenave të përdorur në tre shekujt e fundit. aa

Trump bën thirrje popullore për ndërtimin e murit me Meksikën

WASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump gjatë një fjalimi ka bërë thirrje popullore për ndërtimin e murit me Meksikën, gjë që shkaktoi mbylljen e qeverisë federale.

“Ka një cikël në të cilin njerëzit atje po vuajnë. Jam i vendosur ta ndaloj këtë. Një nga tre gra përdhunohen gjatë rrugës së tyre nga Meksika për në SHBA. Viktimat më të mëdha të sistemit tonë të prishur janë gratë dhe fëmijët. Ky është një fakt tragjik i emigracionit të paligjshëm në kufirin tonë jugor”, tha Trump duke shtuar se në kufirin jugor të SHBA-ve po përjetohet një krizë njerëzore.

Duke kujtuar se demokratët kanë kundërshtuar ndarjen e fondeve në buxhetin e përkohshëm për murin, Trump ka bërë përgjegjës demokratët për mbajtjen e qeverisë federale të mbyllur që prej dy javësh për shkak të krizës buxhetore.

“Qeveria është e mbyllur për vetëm një arsye: demokratët nuk ndajnë fonde për sigurinë e kufirit. Kjo situatë mund të zgjidhet në një takim prej 45 minutash. Nesër kam ftuar emrat kryesorë të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë për ta zgjidhur këtë”, tha Trump.

Ai në fjalimin e tij përsëriti se kostoja e murit do të mblidhet nëpërmjet një marrëveshjeje të re tregtare me Meksikën.

Reagojnë demokratët

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe senatori i New York-ut, Chuck Schumer pas fjalimit me thirrje kombëtare kanë reaguar ndaj presidentit amerikan Trump.

Ata vënë në dukje se Trump po përdor viktimizimin e miliona amerikanëve. “Asnjë president nuk duhet të godasë tryezën me grusht dhe të kërkojë ose të shkohet në rrugën e tij ose mbylljen e qeverisë. Presidenti Trump duhet të ndalojë mbajtjen peng të popullit amerikan, të ndalojë prodhimin e krizës dhe të hapë qeverinë”, tha Pelosi.

Ndërsa senatori Schumer ka bërë të ditur se siguria kufitare dhe kriza e buxhetit që ka shkaktuar mbylljen e qeverisë duhet të shqyrtohen në mënyra të ndara nga njëra tjetra. “Ekziston një projekt-ligj i mbështetur nga dy partitë, demokratët dhe republikanët, që lejon vazhdimin e debatit mbi sigurinë kufitare dhe që siguron hapjen e qeverisë. Nuk ka asnjë justifikim për viktimizimin e miliona amerikanëve nëpërmjet dallimeve politike”, tha senatori Schumer. aa

Presidenti Trump mban të martën një fjalim drejtuar vendit

Presidenti Trump tha se do të mbajë të martën në mbrëmje një fjalim drejtuar vendit, ku do të flasë për “krizën humanitare dhe të sigurisë kombëtare” që po përjeton vendi në kufirin prej 3 mijë e 200 kilometrash mes SHBA dhe Meksikës.

Të enjten Presidenti ka në plan të vizitojë kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën, ku pritet të theksojë kërkesën e tij për murin kufitar. Demokratët, të cilët tani kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë në plan ta shtojnë presionin ndaj Presidentit Trump dhe ligjvënësve republikanë për rihapjen e qeverisë.

Trump thotë se janë të nevojshme për sigurinë kufitare më tepër se 5 miliardë dollarët që ai kërkon. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha të hënën përmes një tweet-i, se Presidenti Trump do ta shfrytëzojë vizitën e së premtes “për t’u takuar me ata që janë në frontin e parë të sigurisë kombëtare dhe të krizës humanitare.”

Ndërsa qeveria vazhdon të jetë pjesërisht e mbyllur, prej 17 ditësh, qindra mijëra punonjës federalë punojnë pa u paguar. Mbyllja e qeverisë ka prekur drejtpëdrejt jetën e amerikanëve të thjeshtë.

Trump ka ofruar ndërtimin e murit me Meksikën, jo më me beton, por me shufra çeliku, duke e cilësuar këtë veprim si një lëshim që ai i bën demokratëve, që janë kundër ndërtimit të murit. “ata nuk duan beton, atëhere ne u ofrojmë një barrierë prej çeliku”, – tha ai.

Por demokratët e kanë bërë të qartë, se ata e shohin ndërtimin e murit si një veprim të pamoralshëm dhe të pafektshëm dhe se preferojnë mënyra të tjera për të shtuar sigurinë kufitare.

Propozimi i demokratëve për financimin e agjencive qeveritare

Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, shumë operacione të qeverisë federale vazhdojnë të jenë të mbyllura ose punojnë me personel të reduktuar. Në Uashington, nuk duket asnjë shenjë se do të ketë një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes. As Presidenti Trump dhe as demokratët nuk lëshojnë pe.

“Nëse nuk gjejmë një zgjidhje, kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Në këtë pikë nuk do të ketë asnjë lëshim,” tha Presidenti Trump.

“Nuk do të bëjmë mur. Kushdo që ka ndonjë dyshim për këtë, ne nuk do të bëjmë mur,” tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Trump këmbëngul se mbyllja do të vazhdojë derisa demokratët të ndryshojnë mendim:

“Ne duhet të ndërtojmë një mur ose një pengesë. Pengesa ose muri mund të jenë prej çeliku në vend të betonit nëse kjo ndihmon… Është për sigurinë e vendit tonë. Bëhet fjalë për ndalimin e trafikantëve, të drogave. Pra, duhet të kemi një mur. Nuk kemi zgjedhje tjetër”.

Mesazhi i demokratëve ndaj Presidentit është: mos prisni gjë nga ne.

“Muri midis vendeve është diçka e pamoralshme. Është një mënyrë e vjetër e të menduarit. Nuk është as efiçente si shpenzim.”

Javën e kaluar, demokratët përdorën shumicën e tyre të re në Dhomën e Përfaqësuesve për të kaluar një projekt-ligj shpenzimesh që parashikonte rihapjen e qeverisë dhe financimin përkohësisht të sigurisë së kufirit, por jo një mur. Republikanët, të cilët kanë shumicën në Senat, refuzuan të votonin. Takimet e përsëritura midis udhëheqësve të kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë nuk e kanë zhbllokuar gjendjen.

“Ne duam të kthehemi në punë. Kemi fatura për të paguar”, tha Marilyn Carrothers, punonjëse federale.

Qindra mijëra punonjës të qeverisë po qëndrojnë në shtëpi ose punojnë pa pagesë. Disa kanë filluar të protestojnë.

“Deri tani kemi pasur paratë e kursyera, por nëse kjo vazhdon, kursimet do të mbarojnë”, tha Marilyn Carrothers.

Presidenti Trump tha se punonjësit federalë do t’i përshtaten situatës:

“Shumë nga ata njerëz që nuk po marrin pagë pajtohen 100 për qind me atë që po bëj”, tha ai.

Anketat tregojnë se amerikanë fajësojnë më tepër presidentin sesa demokratët për mbylljen e qeverisë. Shumica e tyre thonë se nuk e mbështesin financimin e murit kufitar.

Ndërkaq, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se po përgatisin projektligje për financimin e buxheteve të secilës agjenci qeveritare veç e veç. Përparësi kryesore janë Departamenti i Thesarit dhe Agjencia e Mbledhjes së Taksave.

Fox News: Trump po e kërkon paqen mes Kosovës dhe Serbisë

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke punuar për të arritur atë që ajo shpreson të jetë një fitore tjetër në politikën e jashtme – këtë herë duke nxitur udhëheqësit e Serbisë dhe ata të Kosovës që të nënshkruajnë një marrëveshje për paqe në një ceremoni që do të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, raporton Fox News.

Një burim ka konfirmuar për Fox News, media e afërt me numrin një të Amerikës, raportimet në media se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së fundmi ka udhëtuar në Berlin dhe ka takuar atje ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell, me të cilin ka diskutuar për një marrëveshje që do të ulte taksën ndaj mallrave serbe, dhe në përgjithësi do të çonte drejt një zbutjeje të tensioneve.

Fox News shkruan se tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së fundmi janë rritur aq shumë, saqë disa druajnë se mund të shpërthejë një konflikt i armatosur.

“Presidenti Trump i ka dhënë edhe Kosovës, edhe Serbisë, një udhërrëfyes të qartë drejt sigurimit të mbështetjes më të madhe amerikane”, ka thënë një zyrtar amerikan për Fox News.

“Ai dëshiron që ata të dalin me një zgjidhje që do të pranohej nga të dyja palët. Nëse të dy palët pajtohen, ai do ta mbështesë atë. Për dallim prej qëndrimit të Bashkimit Evropian, çdo gjë është në tavolinë për Amerikën”, ka theksuar ai. /Express/

San Francisko përpiqet të pengojë vetëvrasjet te “Ura e Artë”

Ura “Golden Gate” në San Francisko është një ndër pikat turistike më të njohura të qytetit. Disa madje e kanë quajtur një ndër “Shtatë Mrekullitë e Botës Moderne”. Por për disa ajo është porta e fundit drejt vdekjes. Gjatë viteve mijëra vetë janë hedhur nga parmakët e urës në vetëvrasje. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Valdya Baraputri, së shpejti do të jetë në funksionim një masë parandaluese.

Ura e Artë me gjatësi afro tre kilometra, ka ngacmuar prej kohësh mendimet e atyre që donin të kryenin vetëvrasje.
Që pas hapjes së urës në maj 1937, mijëra vetë janë hedhur prej saj.
Vitin e kaluar mbi 240 vetë u përpoqën të hidhen, por shumica nuk arritën. Vetëm 33 prej tyre u hodhën nga parmakët e urës drejt vdekjes.

Po, kam dëgjuar se kryhen shumë vetëvrasje nga kjo urë,” thotë vizitori Josh Cuevas.
Nuk e dija deri kur më tregoi shoku. Me sa shoh, e kanë rrethuar me gardh parmakun. Ma merr mendja për këtë arsye e kanë bërë,” thotë vizitorja Mai Habib.
Agjencia që menaxhon urën ka filluar ndërtimin e një rrjete për të pritur ata që hidhen.
Do të jetë rreth 6 metra poshtë trotuarit nga të dyja anët e urës, po ashtu do të jetë rreth gjashtë metra e gjerë që të mos lejojë të bien në ujë njerëzit që hidhen”, thotë Paolo Cosulich-Schwartz i Agjencisë Menaxhuese të Urës së Artë.

Disa njerëz mendojnë se nuk është e nevojshme të shpenzohen gjithë këto fonde për të shpëtuar njerëz që nuk duan të jetojnë më. Të tjerët shqetësohen se rrjeta mund të prishë pamjen madhështore të urës.

Por, pas një debati 10 vjeçar dhe me ndërgjegjësimin më të madh të publikut për problemet e shëndetit mendor, projekti po merr formë.

Rrjeta e sigurisë është projektuar për të mos dëmtuar pamjen e urës,” thotë zoti Cosulich-Schwartz.

Rrjeta do të jetë poshtë urës, pra kur makinat kalojnë mbi urë, apo kur njerëzit ecin në trotuarin e urës, nuk e shohin dot. Kabllot që mbajnë rrjetën do të jenë ngjyrë portokalli për t’iu përshtatur ngjyrës së urës. Rrjeta do të jetë ngjyrë gri për t’i përngjarë ngjyrës së ujit të oqeanit.

Rrjeta do të kushtojë rreth 211 milionë dollarë dhe vendosja e saj do të përfundojë pas afro tre vjetësh.

Problemi kryesor do të jenë mjegulla e dendur dhe erërat e forta.

Tani mund të shihni punëtorët që po instalojnë platformën e punimeve. Me këtë platformë do të lëvizin punëtorët që do të zbresin poshtë urës dhe do të punojnë nën urë dhe në anët e urës. Së pari, do të instalojmë hallkat e çelikut dhe tubat që do të mbajnë rrjetën dhe më pas vendoset rrjeta,” shpjegon zoti Cosulich-Schwartz.

Telefona specialë që lidhen 24 orë në ditë me linjat telefonike të krizave kanë qenë instaluar prej kohësh në qoshet e urës për të ndihmuar personat që po kalojnë momente të vështira. Pra individë që gjenden në momente të trazuara mund të vijnë tek ura dhe të flasin me dikë që i ngushëllon dhe të heqin dorë nga planet për vetëvrasje.

Por me vendosjen e rrjetës, besohet se do të shpëtohen edhe më shumë jetë.

Trump: Ushtria amerikane ka vrarë organizatorin e sulmit ndaj USS Cole

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara kanë vrarë një nga personat që mendohej se kishte organizuar bombardimin në anijen ushtarake USS Cole, që shkaktoi vdekjen e 17 marinarëve në vitin 2000.

“Ushtria jonë madhështore çoi në vend drejtësinë për heronjtë që humbën jetën dhe u plagosën në sulmin prej frikacakësh ndaj USS Cole. Sapo është vrarë udhëheqësi i sulmit, Jamal al-Badawi,” shkruante presidentit Trump në Twitter të dielën, duke shtuar se përpjekjet amerikane kundër al-Kaidës do të vazhdojnë.

“Ne nuk do ta ndalim kurrë luftën kundër Terrorizmit Radikal Islamik”, tha ai.

Javën e kaluar, zyrtarët e ushtrisë amerikane thanë se një goditje ajrore me precizion të lartë në Jemen të martën, kishte vënë në shënjestër al-Badawin, një nga gjashtë operativët e al-Kaidës që janë shpallur fajtorë për bombardimin, që është pjesë e listës së FBI-së për më të kërkuarit..

Në tetor 2000, 17 marinarë amerikanë nga destrojeri USS Cole vdiqën në një sulm vetëvrasës me bombë në portin e Adenit. Dhjetra të tjerë u plagosën. Al-Qaida mori përgjegjësinë për sulmin.

Al-Badawi u arrestua nga Jemeni në vitin 2000, u arratis nga burgu në vitin 2003 , u rikap nga autoritetet jemenase në vitin 2004 dhe u arratis përsëri në vitin 2006.

Trumpi dërgon trupa në Gabon

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka thënë se ka dërguar personel ushtarak në shtetin afrikan të Gabonit, pasi sipas tij, ata janë të nevojshëm për të mbrojtur qytetarët amerikanë dhe ndërtesat diplomatike në shtetin fqinj të Republikës Demokratike të Kongos.

Trumpi ka thënë se u ka dërguar një letër liderëve të Kongresit se 80 pjesëtarë të personelit ushtarak kanë arritur në Gabon më 2 janar, dhe trupa të tjerë do të dërgohen “nëse është e nevojshme”.

Personeli ushtarak amerikan “do të qëndrojë në rajon derisa situata e sigurisë në Republikën Demokratike të Kongos do të përmirësohet, aq sa prania e trupave nuk do të jetë e nevojshme”, thuhet në letrën e presidentit Trump, të cilën ua ka dërguar liderëve të Kongresit amerikan më 4 janar.

Pasi u shtynë tri herë, më 30 dhjetor në Kongo u mbajtën zgjedhjet ku pritet të zgjidhet pasardhësi i presidentit Joseph Kabila, i cili ka udhëhequr me këtë shtet për 18 vjet.

Zgjedhjet kaluan qetësisht, por komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për mashtrime zgjedhore dhe kanë paralajmëruar se mund të ketë dhunë, teksa rezultatet e zgjedhjeve pritet të bëhen publike më 6 janar.

Mbështetësit e opozitës kanë shprehur frikën se rezultati zgjedhor mund të manipulohet në favor të kandidatit të preferuar të Kabilas, ish-ministrit të Brendshëm të Kongos, Emmanuel Ramazani Shadary.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur një mbledhje të mbyllur më 4 janar, ku ka diskutuar për këto zgjedhje.

Departamenti amerikan i Shtetit më 3 janar, përmes një deklarate, ka bërë thirrje që votat “të numërohen në mënyrë transparente ku të pranishëm të jenë edhe vëzhguesit, në mënyrë që rezultati zgjedhor të jetë i saktë”.

Një demokrat po shqyrtohet për pozitën e sekretarit amerikan të Mbrojtjes

Jim Webb

Gazeta New York Times raportoi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po e shqyrton emërimin e ish-senatorit demokrat, Jim Webb, për sekretar të ardhshëm të Mbrojtjes.

Sipas raportit, zyrtarë të administratës e kanë kontaktuar Webb për mundësinë e emërimit në pozitën e shefit të Pentagonit.

Patrick Shanahan, ish-shef ekzekutiv i kompanisë së avionëve Boeing, është aktualisht ushtrues i detyrës së sekretarit të Mbrojtjes.

James Mattis ka dhënë dorëheqje nga pozita, muajin e kaluar, në shenjë proteste ndaj politikave të presidentit Trump.

Webb ka shërbyer si sekretar i Marinës nën presidentin republikan, Ronald Reagan.

Webb, 72 vjeç, është një veteran i dekoruar i luftës që ka shërbyer në Luftën e Vjetnamit.

Shtëpia e Bardhë nuk e ka komentuar raportin në New York Tines, ndërsa gazeta tha se Webb nuk i është përgjigjur kërkesës për komente.

Anëtarja myslimane e Kongresit dhe mbulimi i kokës

Ilhan Omar po ia ndryshon pamjen Kapitolit. Një nga dy gratë myslimane, të parat që shërbejnë në Kongresin amerikan, e mbulon kokën me shami. Por teknikisht kjo është e ndaluar sipas rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kongresi i 116-ë do të jetë ndër më të larmishimit. Tani që demokratët morën kontrollin e organit të tyre legjislativ, ata do t’i ndyshojnë rregullat në mënyrë që ta reflektojnë këtë realitet.

Rregulli që do ta kishte ndaluar zonjën Omar të mbante shami koke, ose hixhab, u vendos para 181 vjetësh kur përmbajtja e Kongresit dukej shumë ndryshe. Gratë dhe pakicat nuk e kishin mundësinë të shërbenin si anëtarë të tij. Kur ligjvënësi përcaktuan se “çdo anëtar duhet ta ketë kokën të pambuluar gjatë seancave të Kongresit”, ata i referoheshin praktikës së zakonshme të burrave në shekullin e 19-të për mbajtjen e kapeleve. Rregulli nuk ishte vendosur për të diskriminuar pakicat fetare.

Megjithatë edhe atëherë ky rregull shkaktoi debate. Disa anëtarë argumentuan se veshja e kapeles ndiqte një traditë të rëndësishme në Parlamentin Britanik që simbolizonte pavarësinë nga monarku. Të tjerë dhanë një argument edhe më praktik, duke pyetur ku mund t’i linin kapelet.

Megjithatë rregulli mbeti. Në seanca ndalohen gjithashtu cigaret, ushqimi, pijet dhe celularët.

Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë një avantazh ndaj kolegëve të senatit: ata janë lejuar gjithmonë të sjellin fëmijët në sallën e seancave.

Mbulimi i kokës është përdorur edhe në shenjë proteste. Në vitin 2012, kongresmeni demokrat, Bobby Rush i Ilinoit u përzu nga salla e seancës pasi po e mbante në kokë kapuçin e një pulovre, si shenjë proteste pas vdekjes së adoleshentit afrikano-amerikan Trayvon Martin, që u vra nga George Zimmerman dhe kishte kapuçin në kokë kur u vra.

Në Twitter, Ilhan Omari që ka lindur në Somali tha se do të kërkonte t’i jepej fund ndalimit.

Së bashku me kongresmenin nga Masaçusets Jim McGovern dhe Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi nga Kalifornia, zonja Omar po paraqet një propozim sipas së cilit, të bëhet një përjashtim nga ky rregull për mbulimin e kokës për arsye fetare ose mjekësore.

Dhoma e Përfaqësuesve voton për rihapjen e qeverisë

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, votoi për rihapjen e qeverisë federale dhe për të financuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare deri në muajin shkurt.

Por asnjëra nga masat e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve nuk përfshinë 5 miliardë dollarët e kërkuar nga presidenti Donald Trump, për murin përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara, gjë që me siguri nuk do të miratohen në Senatin e kontrolluar nga republikanët dhe pothuajse me siguri do të përballen me veton e presidentit Trump.

Ideja e masave është rihapja e qeverisë ndërsa çështja e murit të lihet për negociata të veçanta.

Presidenti Trump i ka ftuar udhëheqësit e Kongresit për një takim tjetër në Shtëpinë e Bardhë të premten për të diskutuar rrugët e rihapjes së qeverisë, mbyllja e pjesshme e së cilës është duke hyrë në javën e tretë.

Bisedimet e së mërkurës nuk çuan askund meqë të dyja palët ngulën këmbë: presidenti Trump duke kërkuar 5 miliardë dollarë për murin dhe demokratët duke thënë jo, asnjë qindarkë.

“Ne mund të shkojmë poshtë e lartë”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi për NBC News. “Sa herë duhet të themi jo? Asgjë për murin”.

Zonja Pelosi akuzoi presidentin Trump se po e mban peng qeverinë federale për shkak të premtimit të tij gjatë fushatës për ngritjen e murit për të cilin kishte thënë se do të paguaj Meksika.

“Kjo është qesharake. Nën a: Meksika nuk po paguan për të dhe nën b: ne mund të kemi një përdorim më të mirë të fondeve për të ruajtur kufijtë. Presidenti e di këtë”, tha zonja Pelosi.

Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, i cilësoi ‘teatër politik” ligjet e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Derisa presidenti Trump nuk e përdori fjalën “veto”, këtë e bënë zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë. Një zyrtar tha se presidenti u ka thënë udhëheqësve demokrat se do të dukej ‘i marrë’ nëse do t’i jepte fund mbylljes së qeverisë.

Presidenti Trump fajëson demokratët për situatën aktuale.

“Mbyllja e qeverisë ka të bëjë vetëm me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, shkroi ai të enjten në twitter. “Demokratët e dinë se nuk mund të fitojnë për shkak të të gjitha arritjeve të Trumpit, kështu që ata janë përqendruar në murin dëshpërimisht të nevojshëm dhe sigurinë e kufirit…Për ta është thjeshtë politikë”.

Presidenti Trump tha se vendi ka nevojë për mbrojtje dhe tërhoqi vërejtjen se krimi, drogat dhe bandat po vërshojnë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika.

Ai tha se më shumë se 35 milionë emigrantë të paligjshëm janë në Shtetet e Bashkuara duke rënë në kundërshtim me ekspertët që pohojnë se ky numër është shumë më i vogël.

Ndërkohë, 800 mijë punonjës federal janë çuar në shtëpi ose punojnë pa pagesë tashmë dy javë.

Pirgjet e mbeturinave po rriten në parqet kombëtare, të cilat janë mbyllur zyrtarisht, sikurse edhe shumica e atraksioneve më të mira turistike të Uashingtonit.

SHBA, Kongresi i ri bën betimin, Pelosi merr drejtimin e Dhomës

Në SHBA, Kongresi i ri bëri betimin.

Pas dy vjetësh gjatë të cilëve republikanët kontrollonin Shtëpinë e Bardhë, Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët tani kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ky është rezultat i zgjedhjeve të nëntorit ku demokratët siguruan fitore të rëndësishme, duke siguruar 235 vende në Dhomën e Përfaqësuesve me 435 vende. Republikanët morën dy vende më tepër në Senat ku tani kanë shumicën prej 53 kundrejt 47 vendeve.

Demokratja Nancy Pelosi e Kalifornisë u votua si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, duke u rikthyer në postin që mbajti nga viti 2007 deri në 2011. Ajo është e vetmja grua e zgjedhur si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve dhe është personi i parë në më shumë se 60 vjet që vjen për herë të dytë në këtë post.

Disa demokratë kishin shprehur dëshirën që kryesinë në parti ta merrnin të rinjtë, prandaj zonja Pelosi ra dakord të shërbejë jo më shumë se katër vjet si kryetare Dhomës në shkëmbim të mbështetjes që do të merrte nga ligjvënësit demokratë.

Kongresi i ri është më i larmishmi në histori.

Ai përfshin Alexandria Ocasio-Cortez nga Nju Jorku, gruaja më e re e zgjedhur ndonjëherë në Kongres. Janë edhe Rashida Tlaib e Miçiganit dhe Ilhan Omar e Minesotës, dy gratë e para myslimane që zgjidhen në Dhomën e Përfaqësuesve. Janë gjithashtu 10 ligjvënës që e identifikojnë veten haptazi si LGBTQ.

Në përgjithësi, gratë kanë 102 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 25 në Senat.

Kongresi i ri përballet me sfidën urgjente për të zgjidhur mbylljen e pjesshme të qeverisë. Deri tani ka pak shenja se udhëheqësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ata republikanë në Senat, do të bien dakord për një plan shpenzimi i cili të rihapte një të katërtën e operacioneve të qeverisë që aktualisht janë të mbyllura.

Demokratët e Dhomës do të përdorin statusin e tyre të ri në kontrollin e komisioneve për të nisur një numër hetimesh mbi veprimet e administratës Trump, duke përfshirë mospublikimin e taksave mbi të ardhurat të Presidentit, vendimin e tij për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, dhe hetimet e reja rreth lidhjeve midis zotit Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Pelosi, kryetarja e re e Dhomës së Përfaqësuesve

Nancy Pelosi zgjidhet sot kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, e vetmja grua që ka mbajtur këtë post të rëndësishëm, të cilin shumë pak burra kanë patur rastin ta gëzojnë dy herë gjatë karrierës së tyre.

Hera e fundit kur një Kryetar i Dhomës së Përfaqësueve është zgjedhur për herë të dytë ishte më tepër se gjysëm shekulli më parë.

Nancy Pelosi e dinte se ky moment do të vinte, edhe pse të tjerë kishin shprehur dyshime, apo ishin përpjekur në mënyrë aktive ta ndalnin.

Ligjvënësja demokrate e Kalifornisë është përballur me nëvlerësime gjatë karrierës së saj politike, por ajo gjithmonë ka provuar të kundërtën.

Siç ndodhi kur fitoi përsëri mbështetjen e shumicës demokrate dhe votat e nevojshme brenda partisë së saj, për t’u zgjedhur për herë të dytë Kryetare e Dhomës.

“Askush nuk është i domosdoshëm, por e di me siguri se unë e bëj shumë mirë punën,” i tha ajo vjeshtën e kaluar Agjencisë Associated Press.

Pelosi mbetet një figurë polarizuese; ajo është përgojuar nga republikanët si një politikane liberale nga San Francisco dhe një shëmbëlltyrë e qeverisë së madhe.

Por ajo është gjithashtu nënë e pesë fëmijëve dhe gjyshe e nëntë nipërve e mbesave, që ka thyer çdo barrierë për t’u bërë një prej politikaneve më të fuqishme të shekullit të 21-të.

Ajo është një prej pak ligjvënësve, që duket se e kupton mirë zotin Trump: të dy ata vijnë nga familje të famshme, tani janë figura kryesore që merren me arritjen e marrëveshjeve.

Donald Trump i vlerëson karakteret e forta dhe ndoshta falë respektit që ai ka ndaj saj, Pelosi është një prej pak ligjvënësve në Uashington, që ka mbetur pa iu vënë një nofkë prej tij.

“Dëgjova Presidentin të thotë se unë e meritoj të jem Krytarja e Dhomës së Përfaqësuseve. Nuk mendoj që dikush meriton diçka. Nuk ka rëndësi se çfarë ke bërë, por se çfarë mund të bësh në të ardhmen…”, – tha zonja Pelosi.

Kthimi i zonjës Pelosi në detyrën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve nuk ishte i garantuar. Një grup demokratësh të thjeshtë ishin të etur për një udhëheqje të re, me argumentin se është koha që drejtimin e partisë ta marrin të rinjtë.

Nga ana e saj, zonja Pelosi bëri një lëshim; tani në moshën 78-vjeçare, ajo premtoi se do të shërbejë në rolin udhëheqës të partisë së saj, për jo më shumë se katër vjet, për t’i hapur rrugën brezit të ri.

Nis punimet Kongresi i 116-të i SHBA-së

Kongresi i 116-të i Shteteve të Bashkuara nis punimet të enjten, pasi 535 anëtarët e tij të bëjnë zyrtarisht betimin.

Kongresi i ri do të bëjë histori me numër rekord të grave dhe me diversitet racor.

Republikanët kanë më shumë vende në Senat, ndërsa demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Zgjedhjet për Kongres janë mbajtur në nëntor.

Ligjvënësit e rinj menjëherë do të përballen me zgjidhjen e bllokimit të shpenzimeve dhe të migracionit – çështje që kanë mbyllur pjesën më të madhe të qeverisë.

Betimi i ligjvënësve thotë: “Betohem solemnisht se do të mbështes dhe mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara kundër të gjithë armiqve, të brendshëm dhe të huaj; se do të shërbej me besim sipas saj; se e marr këtë detyrim në mënyrë të lirë, pa ndonjë rezervim mendor apo qëllim të shmangies; dhe se do t’i kryej me besnikëri detyrat e zyrës në të cilën po hyj. Andaj, më ndihmo Zot”.

Përfaqësuesja e zgjedhur demokrate, Rashida Tlaib, do të bëjë betimin mbi Kuran.

Përfaqësuesja e zgjedhur demokrate, Rashida Tlaib

Tlaib dhe Ilhan Omar janë dy gratë e para myslimane që do të shërbejnë në Kongres.

Në total, 127 gra – 106 demkrate dhe 21 republikane – do të shërbejnë në Kongresin e 116-të, duke mbajtur gati 24% të ulëseve.

Përfaqësuesja demokrate, Nancy Pelosi, e cila ka qenë kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve për katër vjet nga 2007-ta, do ta marrë të njëjtën pozitë dhe do të kryesojë Dhomën 435-anëtarëshe deri së paku në zgjedhjet e 2020-ës.

Kthimi i Pelosit është varur nga premtimi i saj për të kufizuar mandatin në një maksimum prej katër vjetësh. Një gjë e tillë e ka shmangur rebelimin e disa demokratëve që kërkojnë brez të ri udhëheqësish.

Pelosi është kritike e ashpër e presidentit Donald Trump, ndërsa demokratë të tjerë që marrin pozita udhëheqëse në komitetet e Dhomës së Përfaqësuesve, janë zotuar se do ta hetojnë presidentin për lidhjet e tij me Rusinë, për marrëveshjet biznesore e çështje të tjera.

Kongresi i ri nis punimet në kohën kur Qeveria amerikane është pjesërisht e mbyllur, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Trumpit dhe Kongresit të deritashëm për financimin e një muri në kufi me Meksikën, i cili do të pengonte hyrjen e migrantëve në SHBA.

Demokratët, si shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve, planifikojnë të miratojnë një ligj për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë, që ka nisur gati dy javë më parë.

“Kërkojmë nga presidenti të hapë qeverinë”, ka thënë Pelosi të mërkurën për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, pas një tjetër takimi të pasuksesshëm me Trumpin, në lidhje me këtë çështje.

Trump do miliarda dollarë për murin në kufi dhe demokratët refuzojnë.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, ka thënë se dhoma e tij, e cila mbetet në duar të republikanëve, nuk do të votojë për asnjë legjislacion të demokratëve, duke e cilësuar atë si “shfaqje politike”.

Përgatiti: Valona Tela

Shanahan: Kina, fokusi kryesor i Pentagonit

Në ditën e tij të parë si sekretar i mbrojtjes në detyrë, Pat Shanahan theksoi se Kina duhet të jetë fokusi kryesor i Pentagonit.

Ndihmësit thanë se zoti Shanahan, i cili kryeson Pentagonin pas largimit të ish-sekretarit Jim Mattis, theksoi temën e Kinës në një takim të mërkurën me udhëheqësit kryesorë civilë të departamentit, duke përfshirë krerët e shërbimeve ushtarake.

Ndihmësit nuk janë të autorizuar të flasin publikisht për mbledhjet e brendshme në Pentagon, prandaj komentuan me kushtin e anonimitetit.

Sipas një ndihmësi, Pat Shanahan tha në mbledhje se ai është përqendruar në strategjinë e hartuar dhe të zbatuar nën zotin Mattis, që fokusohet tek Rusia dhe Kina si “fuqi të mëdha” rivale. Në këtë kontekst, ai u tha udhëheqësve civilë të ngulitnin në mendje fjalët “Kina, Kina, Kina”.

SHBA kërkon shpjegime nga Rusia për arrestimin e ish-marinsit

Rusia ka lejuar autoritetet konsullore amerikane në takohen me një ish-marinsin amerikan, i cili mbahet i ndaluar nën dyshimet për spiunazh. Njoftimi u bë nga ministria ruse e Punëve të Jashtme.

Vendimi i Moskës erdhi vetëm disa orë pasi sekretari amerikan Mike Pompeo tha se priste një shpjegim rreth arsyeve se pse mbahej i ndaluar shtetasi amerikan.

Nëse ndalimi i tij është i papërshtatshëm, do të kërkojmë kthimin e tij të menjëhershëm“, u tha zoti Pompeo gazetarëve gjatë një vizite në Brazil, ku ndodhej për të marrë pjesë në inaugurimin e qeverisë së re të vendit.

Shërbimi rus i Sigurisë FSB tha të hënën se e kishte arrestuar shtetasin amerikan ndërsa “po kryente një akt spiunazhi”.

Personi i arrestuar u identifikua si Paul Whelan, 48 vjeç, një ish-marins i cili aktualisht punon si drejtor për Sigurinë Globale në kompaninë e furnizimit me pjesë makinash me bazë në SHBA, BorgWarner.

Familja e zotit Whelan tha se ai ndodhej në Moskë për të marrë pjesë në një ceremoni martesore duke hedhur poshtë pretendimet për spiunazh.

Zoti Pompeo tha gjithashtu se autoritetet amerikane “ua kanë bërë të qartë autoriteteve ruse pritshmëritë e tyre për të mësuar më shumë rreth akuzave të ngritura ndaj zotit Whelan“.

Merr detyrën shefi i ri i Pentagonit

Sekretari amerikan i Mbrojtjes në detyrë, Pat Shanahan ka theksuar se Pentagoni mbetet “i përqëndruar në detyrën për mbrojtjen e vendit”. Zoti Shanahan i bëri komentet kur mori detyrën pas dorëheqjes së Sekretarit Jim Mattis.

“Mirëpres bashkëpunimin me Presidentin Trump për të vënë në jetë vizionin e tij, në bashkëpunim me drejtuesit e tjerë të këtij institucioni, shtabin e përbashkët, komandantët dhe zyrtarët e lartë në Departamentin e Mbrojtjes,” tha ai.

Ndryshe nga Gjenerali Mattis, i cili mori drejtimin e Pentagonit pas një karriere të gjatë me Marinën Amerikane dhe pas shërbimit në Afganistan si komandant i lartë, zoti Shanahan nuk ka përvojë ushtarake. Ai filloi punën në Pentagon në 2017, pas një karriere 30-vjeçare për kompaninë e aviacionit, Boeing ku ka drejtuar programe civile dhe ushtarake.

Jim Mattis dha dorëheqjen më 20 dhjetor, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë ku pati mospajtime me Presidentin Trump lidhur me vendimin e tij për t’u tërhequr nga Siria. Trupat amerikane u dislokuan në Siri për të mbështetur operacionet kundër Shtetit Islamik.

Eliot Engel i shkruan sekretarit Pompeo: drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë

Ligjvënësi Eliot L. Engel, i bëri thirrje departamentit amerikan të shtetit që ta shndërrojë drejtësinë për viktimat e luftës së Kosovës, në element qendror të angazhimit dypalësh të Shteteve të Bashkuara me Serbinë.

Në një letër dërguar sekretarit të shtetit, Mike Pompeo, ligjvënësi Engel thekson se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, nuk duhet të ecë përpara derisa kriminelët serbë të luftës nuk mbahen përgjegjës.

“Mijëra civilë janë vrarë, dhjetëra mijëra janë përdhunuar dhe qindra mijëra janë dëbuar me forcë nga trupat serbe. Megjithëse faktet janë gjerësisht të ditura, pothuajse askush nuk është vënë para drejtësisë në Serbi për këto krime të luftës, ndonëse, në shumë raste, dëshmitë flasin se urdhrat janë dhënë drejtpërdrejt nga kreu shtetëror. Kjo është thellësisht shqetësuese” shkroi ligjvënësi Engel.

Ranking Member @RepEliotEngel: Sanctions for Bytiqi murders is a long-awaited first step, but Serbia must still bring to justice those who committed thousands of murders, rapes, and other war crimes in the Kosovo War. https://t.co/nBlSSCc9Rv

— House Foreign Affairs Committee Democrats (@HFACDemocrats) December 28, 2018

Në letrën dërguar sekretarit Pompeo, ai vlerëson vendimin e 18 dhjetorit me të cilin administrata i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri, për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen e tre shqiptaro amerikanëve në vitin 1999.

Radosavleviç, shkruan në letër zoti Engel, “ishte për një kohë të gjatë i dyshuari kryesor për vrasjen e tre shtetasve amerikanë, vëllezërve Bytyçi dhe krime të tjera të luftës. Ky vendim i rëndësishëm që u mor gati 20 vjet pas përfundimit të luftës, është një pikë kthese për fushatën e familjes Bytyçi për drejtësi dhe një hap i parë shpresëdhënës për t’u siguruar se Serbia mbahet përgjegjëse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit”.

Goran Radosavleviç, i dyshuari kryesor për vrasjen e tre shtetasve amerikanë

Duke theksuar se vëllezërit Bytyçi u vranë brutalisht në vitin 1999 derisa po shoqëronin një familje të komunitetit rom nga Kosova për në Serbi, ligjvënësi Engel shkruan se “mjerisht vrasja e tyre nuk ishte lemeria e vetme e regjimit të (Slobodan) Millosheviçit kundër qytetarëve të Kosovës. Mijëra civilë janë vrarë, dhjetëra mijëra janë përdhunuar dhe qindra mijëra janë dëbuar me forcë nga trupat serbe. Megjithëse faktet janë gjerësisht të ditura, pothuajse askush nuk është vënë para drejtësisë në Serbi për këto krime të luftës, ndonëse, në shumë raste, dëshmitë flasin se urdhrat janë dhënë drejtpërdrejt nga kreu shtetëror. Kjo është thellësisht shqetësuese” shkroi ligjvënësi Engel.

Në letër ai i referohet edhe raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, të publikuar në vitin 2017 me titull “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë – operacioni i fshehjes së trupave”.

Në dokument thuhet se prej vitit 2001, në varrezat masive në Serbi, janë gjetur trupat e 941 shqiptarëve, shumica civilë, që janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Nga ta “744 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në Batajnicë, në periferi të Beogradit, së paku 61 në Petrovo Selo, dhe 84 në Liqenin e Peruçacit. Së paku 52 trupa janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë”, thuhet në dokument.

Sipas fondit, zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe ushtrisë jugosllave kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.

“Dëshmitë flasin se vendimi për fshehjen e provave të krimeve të kryera është marrë më së voni në mars të vitit 1999 , dhe në fshehjen e trupave kanë marrë pjesë pjesëtarët e departamentit për siguri publike, të sigurimit shtetëror të ministrisë së Brendshme dhe ushtria jugosllave nëpërmjet reparteve për ‘pastrimin e terrenit’. Përveç tyre në largimin e trupave kanë marrë pjesë edhe civilë e punonjës të ndërmarrjeve publike, makineritë e të cilëve janë përdorur gjatë operacioneve”.

Ligjvënësi Engel shkruan se raporti i Fondit, mbase prekë vetëm sipërfaqen e asaj që duhet hetuar ndërsa i bën thirrje sekretarit Pompeo që të ndërmarrë disa hapa gjatë vitit 2019:”

“Pikësëpari, çështjet e pas konfliktit duhet të jenë pjesë qendrore e dialogut tonë më Beogradin. Ndonëse Serbia është përballur me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Luftë në Ish Jugosllavi për veprimet e saj në Bosnjë, nuk ka pasur një gjykatë paralele për konfliktin në Kosovë. Serbia është vend i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimorë dhe duhet të behët pjesë e Evropës. Por, druajmë se Serbia nuk do të realizojë këtë qëllim nëse nuk pranon përgjegjësinë për krimet e luftës”.

Së dyti, shkruan ligjvënësi Engel, “kërkojmë që të punoni me aleatët evropianë për këtë çështje si pjesë e procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Serbia nuk duhet të përparojë në procesin e anëtarësimit në BE derisa kriminelët serbë të luftës janë të lirë. Për të lënë prapa historinë e tmerrshme të luftës në Kosovë, viktimat e krimeve serbe duhet të shohin drejtësinë. Dështimi për ta bërë këtë lë të hapur derën për më shumë konflikte e mosmarrëveshje në rajon”.

Së fundi, shkruan në letër “ndërsa Serbia përballet me pak ose aspak rreziqe ligjore për krimet e luftës në Kosovë, është ngritur një ‘Gjykatë e Posaçme’ për të ndjekur penalisht pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mund të kenë bërë veprime të paligjshme. Ne besojmë që secili që në Kosovë ka kryer krime lufte, duhet të mbahet përgjegjës, por e ndjejmë se duhet t’u përmbahemi dy fakteve thelbësore: shërbimet ushtarake, policore dhe të zbulimit të drejtuara nga Millosheviçi, kanë kryer shumicën e krimeve gjatë luftës në Kosovë. Dhe statuti mbi të cilin është krijuar gjykata, me të drejtë nuk e përcakton se vetëm shqiptarët etnik ose pjesëtarët e UÇK-së mund të ndiqen. Përkundrazi, ligji është i paanshëm në pikëpamje etnike. Së këndejmi, nëse kjo gjykatë akuzon vetëm shqiptarët, do të shihet si një gjykatë etnike që do të njollos seriozisht drejtësinë e saj në çdo veprim të ardhshëm. Ne do të vëzhgojmë nga afër punën e Gjykatës së Posaçme për të parë se ai shmang me kujdes shënjestërimin etnik në ndjekjen penale të saj”, shkruan në letrën e zotit Engel.

Amerikanët fajësojnë Trumpin për mbyllje të Qeverisë

Amerikanët fajësojnë më shumë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për mbylljen e pjesshme të Qeverisë amerikane në krahasim me demokratët e Kongresit, është thënë në të gjeturat e një sondazhi të realizuar nga Reuters dhe Ipsos.

Bazuar në rezultatet e sondazhit, 47 për qind e personave të anektuar e mbajnë Trumpin përgjegjës derisa 33 për qind demokratët në Kongres.

Pjesa tjetër e të anketuarve, përkatësisht 7 për qind e tyre kanë fajësuar republikanët në Kongres për mbylljen e Qeverisë.

Mbyllja është nxitur nga kërkesa e Trumpit, e cila është kundërshtuar ashpër nga demokratët dhe nga disa republikanë të partisë së tij, që taksapaguesit të ofrojnë 5 miliardë dollarë për t’i ndihmuar në ndërtimin e murit që do të ndante Shtetet e Bashkuara me Meksikën.

I gjithë projekti i murit është vlerësuar të kapë shifrën e 23 miliardë dollarëve.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka thënë të enjten përmes një deklarate se “presidenti e ka bërë të qartë se secili projekligj për të miratuar fondet qeveritare duhet që fillimisht të financojë në mënyrë adekuate sektorin e sigurisë kufitare”.

Megjithatë në deklaratë nuk është përmendur propozimi i Trumpit për murin.

Bllokimi në Kongres për këtë çështje mund të rezultojë me vazhdim të mbylljes së Qeverisë deri në muajin janar.

Vdes veterani më i vjetër amerikan i Luftës së Dytë Botërore

Një veteran i Luftës së Dytë Botërore, i cili është besuar të ketë qenë njeriu më i moshuar në Shtetet e Bashkuara, ka vdekur në moshën 112 vjeçare, ka njoftuar familja e tij.

Veterani, Richard Overton ka vdekur më 27 dhjetor në një qendër rehabilituese në qytetin Austin të Teksasit.

Sipas regjistrimeve zyrtare, ai ka qenë veterani më i vjetër amerikan i Luftës së Dytë Botërore.

Ai ka fituar vëmendje të madhe në vitet e fundit për moshën dhe shërbimin e tij në këtë Luftë.

Ai është nderuar më 2013 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama në ceremoninë e Ditës së Veteranëve, derisa është ftuar edhe në Shtëpinë e Bardhë nga po Obama.

Sondazhi, Michelle Obama gruaja më e admiruar në botë

Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara Michelle Obama është gruaja më e admiruar në botë në sytë e amerikanëve, gruaja e parë përveç Hillary Clinton-it e cila përcaktohet si e tillë në 17 vjet, sipas një sondazhi të ri Gallup-it.

Zonja Obama fitoi me një diferencë të madhe në sondazhin e këtij viti. Në tre sondazhe të mëparshme ajo renditej e dyta pas ish-sekretares së shtetit dhe ish-zonjës së parë Hillary Clinton.

Personaliteti televiziv miliarderja Oprah Winfrey u rendit në vendin e dytë, pasuar nga Hillary Clinton dhe Zonja e Parë aktuale Melania Trump.

Mbretëresha Elizabet e Britanisë u rendit e pesta, pasuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Për të 11-in vit me radhë ish-presidenti Barak Obama u rendit i pari në listën e burrave më të admiruar duke kaluar pasardhësin e tij, presidentin Donald Trump, i cili u rendit i dyti për të katërtin vit radhazi.

Ish-Presidenti George W. Bush u rendit i treti dhe Papa Françesku në vendin e katërt.

Sondazhi, i cili u krye gjatë këtij muaji, u kërkonte të amerikanëve të anketuar të përcaktonin gruan dhe burrin që ata admironin më shumë prej çdo vendi të botës.

Presidenti Trump viziton Irakun

Presidenti Trump vizitoi të mërkurën forcat ushtarake amerikane në Irak, një udhëtim surprizë dhe vizita e parë që u bëhet trupave të stacionuara jashtë në një zonë luftimi nga një komandant i përgjithshëm i cili e ka bërë përparësi tërheqjen amerikane nga luftërat jashtë vendit.

Presidentit dhe Zonja e Parë, Melania, vizituan fillimisht bazën ajrore Al-Assad në Irak, ku u takuan me ushtarët.

Vizita, e mbajtur e fshehtë me mjaft kujdes, vjen ndërkohë që qeveria federale amerikane është në mbyllje të pjesshme. Ajo vjen gjithashtu më pak se një javë pasi zoti Trump njoftoi planet për tërheqjen e trupave nga Siria dhe rreth gjysmës së atyre në Afganistan, duke zemëruar madje disa nga aleatët e tij më të vendosur politikë.

Vendimi që ai mori për Sirinë, megjithë kundërshtimet e gjeneralëve dhe këshilltarëve civilë amerikanë, çoi në dorëheqjen e sekretarit të mbrojtjes Jim Mattis.

Vendi që zoti Trump zgjodhi për të vizituar është skenë ku ai nuk ka premtuar një tërheqje të shpejtë të forcave. Iraku është gjithashtu vendi ku ai thotë se ka arritur fitoren e tij më të madhe ushtarake, humbjen e Shtetit Islamik në Mosul, qytetin irakian ku udhëheqësi i grupit, Abu Bakr al-Baghdadi deklaroi fillimin e të ashtuquajturit kalifat.

Sulmi ndaj Mosulit nga forcat irakiane, mbështetur nga amerikanët, filloi në kohën e Presidentit Barak Obama, por arriti kulmin në verën e vitit 2017 nën zotin Trump.

Presidenti Trump pritet të bëjë dy ndalesa në udhëtimin e tij pas Krishtlindjes, duke dhënë mesazhin festiv për më shumë se 5.000 forcat amerikane të stacionuara në Irak.

Trump 7-vjeçarit: Të besosh në babadimër në këtë moshë është margjinale

UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump biseduan me fëmijët nga vendi duke iu përgjigjur telefonatave të tyre në kuadër të aktiviteteve të krishtlindjeve.

Përgjigja që Trumpi i dha një fëmijë shtatëvjeçar me emrin Coleman, i cili tha se beson në babadimër, u bë një nga temat më të përfolura në rrjetet sociale.

“A beson ende në babadimër?”, e pyeti Trumpi fëmijën, duke shtuar: “Sepse të besosh në babadimër në moshë shtatëvjeçare është margjinale, apo jo?”.

Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, Trumpi, i cili dëgjonte fëmijën, shihet duke buzëqeshur dhe duke i thënë atij të kënaqet.

Trumpi dhe bashkëshortja e tij pranuan telefonatat e fëmijëve që dëshironin të dinin “se ku gjendet babadimri në rrugëtimin e tij për ndarjen e dhuratave”, në kuadër të programit tashmë tradicional “Ndiq babadimrin” i cili është zhvilluar nga Komanda e Mbrojtjes Aerohapësinore e Amerikës së Veriut (NORAD).

Në një telefonatë tjetër, Melania Trump i tha njërit prej fëmijëve se babadimri gjendet në Saharë, ndërsa pas disa minutave, theksoi se ai gjendet larg në Marok por se do të jetë në shtëpinë e thirrësit në mëngjesin e krishtlindjeve.

Melania Trump postoi në median sociale se ndihma që u ofron fëmijëve për të ndjekur babadimrin “është bërë një nga traditat që i do më së shumti”. aa

Presidenti Trump pranon ftesën për të vizituar Turqinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan (Foto arkiv)

Zyrtarët turq kanë thënë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka pranuar ftesën e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të vizituar Turqinë.

Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin iu ka thënë gazetarëve se presidenti Trump, dëshiron të zhvillojë vizitën gjatë vitit 2019 por ende nuk është vendosur një datë konkrete.

Kalin ka thënë se presidenti turk e bëri ftesën gjatë bisedës telefonike së dy presidentëve ku u diskutua tërheqja e trupave amerikane nga Siria.

Presidenti Trump njoftoi përmes Twitter të dielen se ka pasur një bisedë “të gjatë dhe produktive” me Erdoganin në të cilën kanë diskutuar “tërheqjen e ngadaltë dhe të kordinuar mirë” të personelit ushtarak nga Siria.

Presidenti Trump njofton zëvendësuesin e Sekretarit Mattis

Presidenti Donald Trump tha të dielën se Zëvendëssekretari i Mbrojtjes Patrick Shanahan do të bëhet shefi në detyrë i Pentagonit më 1 janar, duke zëvendësuar Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis, i cili njoftoi dorëheqjen e tij javën e kaluar.

“Jam i kënaqur të njoftoj se zëvendës sekretari ynë i talentuar i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, do të marrë titullin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Mbrojtjes duke filluar nga 1 janari 2019,” shkroi presidenti Trump në Twitter, duke nxitur kështu Sekretarin aktual të Mbrojtjes Mattis të largohet nga posti i tij dy muaj më parë.

Shanahan, një ish-ekzekutiv i kompanisë Boeing, u emërua Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes në vitin 2017.

Në letrën e dorëheqjes së Mattisit, që ai ia paraqiti personalisht presidentit Trump të premten, ai kishte thënë se do të largohej nga posti më 28 shkurt.

Vendimi i sekretarit të Mbrojtjes erdhi një ditë pasi Trump njoftoi se do të tërhiqte rreth 2.000 trupa amerikane nga Siria, një veprim që Pentagoni e kundërshtoi.

Mattis nuk përmendi mosmarrëveshjet mbi Sirinë në letrën e tij, por vuri në dukje “besimin e tij themelor” se forca e Shteteve të Bashkuara është “e lidhur pazgjidhshmërisht” me aleancat e kombit me vendet e tjera.

Presidenti Trump njoftoi së pari largimin e sekretarit Mattis në Twitter, duke thënë se ish gjenerali me katër yje do të dalë në pension.

Ndërsa nuk e përmendi Trumpin me emër, letra nga Mattis përshkruan dallimet e mprehta mes pikëpamjeve të tij dhe atyre të presidentit, sidomos mbi rëndësinë e aleatëve dhe përdorimin e fuqisë së Shteteve të Bashkuara.

Bloomberg: Trumpi diskuton mundësinë e shkarkimit të kreut të Rezervës Federale

Presidenti Donald Trump ka diskutuar mundësinë e shkarkimit nga detyra të kreut të Rezervës Federale Jerome Powell, njoftoi gazeta Bloomberg të shtunën.

Duke përmendur katër njerëz në dijeni të këtyre diskutimeve, Bloomberg njoftoi se presidenti Trump është bërë më i irrituar me zotin Powell pas disa muajsh humbjesh në tregjet e aksioneve dhe për shkak të rritjes së normës së interesit nga Bankës Qendrore të mërkurën.

Këshilltarët thuhet se e kanë paralajmëruar presidentin Trump se shkarkimi i zotit Powell do të rriste turbulencat në tregjet financiare, por ata thanë se presidenti Trump e ka diskutuar shumë herë këtë çështje ditët e fundit.

Burimet që folën me Bloombergun në kushte anonimiteti nuk ishin të bindura se presidenti Trump do të shkarkonte zotin Powell dhe shpresonin se zemërimi i presidentit për situatën do të fashitet gjatë pushimeve.

Shtëpia e Bardhë dhe Rezerva Federale nuk kanë pranuar të komentojnë.

Shkarkimi i zotit Powell do të vinte pas disa javësh humbjesh të mëdha në tregjet e aksioneve. Të premten, aksionet mbyllën javën e tyre më të dobët që nga viti 2011, me indeksin S & P 500 që ra më shumë se 7 për qind.

Presidenti Trump ka qenë i zënë me ndryshimet në administratën e tij që nga zgjedhjet e mesmandatit në nëntor. Ai ka njoftuar largimin e Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly, Sekretarit të Burimeve Natyrore Ryan Zinke dhe Sekretarit të Mbrojtjes James Mattis.

Shkeljet e supozuara të etikës minojnë presidencën e Trumpit

Presidenti Donald Trump, fëmijët e tij dhe bashkëpunëtorë të ngushtë janë aktualisht fokusi i të paktën 17 hetimeve mbi mashtrime të mundshme, keqpërdorim fondesh të fushatës, mbledhje fondesh të padrejta, ndikim nga fuqi të huaja dhe pengim drejtësie. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton se ndërsa numri i akuzave për sjellje të paligjshme është i pashembullt në historinë presidenciale, mbështetësit e presidentit thonë se ato janë gabime të vogla dhe se këto hetime janë të motivuara politikisht, për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Deri tani, hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 ka rezultuar në paditjen e pesë ish-këshilltarëve të presidentit Trump. Ndër ta përfshihet Michael Flynn, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare, i cili pranoi fajësinë për dështimin për tu regjistruar si agjent i huaj që punonte për qeverinë e Turqisë, ndërsa gjithashtu ishte duke shërbyer si këshilltar për fushatën presidenciale Trump.

Michael Cohen, ish-avokati i presidentit, u dënua me tre vjet burg për akuza që përfshinin shkelje në financimin e fushatës lidhur me pagesat ndaj dy grave që ato të mos flisnin për marrëdhëniet e dyshuara intime me zotin Trump para se ai të bëhej president. Ai i tha prokurorëve se ndërsa Trumpi kandidonte për president, po punonte aktivisht për ndërtimin e një Kulle Trump në Moskë.

Presidenti Trump e ka quajtur Cohen-in gënjeshtar dhe ka mohuar çdo lidhje me përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhje. Ai thotë se këto akuza u krijuan nga kundërshtarë që ishin gjithnjë e më shumë të shqetësuar se kandidatja presidenciale e Partisë Demokratike Hillary Clinton do të humbiste zgjedhjet.

“Ata donin të siguroheshin në rast se unë fitoja apo Hillary humbiste dhe kjo ishte politika e sigurimit. Kjo është një sajesë. Nuk kishte asnjë marrëveshje të fshehtë. E gjitha ishte një sajesë”.

Pa lidhje me hetimin e Rusisë, Fondacioni Donald J. Trump pranoi të shpërbëhej pasi prokurorët e akuzuan bamirësinë për përdorimin e donacioneve për fushatën politike dhe interesat e biznesit të Trump-it.

Prokurori i Nju Jorkut është duke hetuar nëse Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë fonde fshehurazi në mënyrë të paligjshme Komisionit të Inaugurimit Presidencial të presidentit Trump.

Hoteli Trump në Uashington po hetohet lidhur me pretendimet se Arabia Saudite ka paguar më shumë se 270 mijë dollarë në dhomat e hotelit, për të favorizuar presidentin.

Analistë ligjorë thonë se numri i madh i akuzave kundër Trump-it ka krijuar një krizë besimi tek publiku në presidencën e tij.

“Publiku ka çdo arsye për të besuar, bazuar në atë që kanë parë me sytë e tyre dhe atë që lexojnë, se presidenti nuk është duke marrë vendime objektive në qeverisje, për interesin më të mirë të publikut”.

Përkrahësit e presidentit argumentojnë se këto janë shkelje të vogla dhe nuk kanë ndikuar në vendimarrje. Por kritikët vënë në dyshim motivet e presidentit për një sërë çështjesh nga tërheqja e trupave nga Siria, heqjen e sanksioneve ndaj kompanive ruse dhe minimizimin të përfshirjes së princit të kurorës Arabe Saudite, Mohammed bin Salman, në vrasjen e gazetarit disident Jamal Khashoggi.


Send this to a friend