VOAL

VOAL

Aleatët e NATO-s, të shqetësuar për largimin e sekretarit Mattis

Gjatë dy viteve të fundit, sekretari i mbrojtjes i SHBA Jim Mattis u ka bërë thirrje homologëve të tij të shqetësuar në NATO që ta gjykojnë administratën Trump nga veprimet e saj dhe jo nga ato që shkruan Presidenti në Tweeter, apo nga komentet e tij të befta. Por të enjten, Presidenti Trump postoi një koment në Tweeter që evropianët nuk mund të injoronin – njoftimin se gjenerali me katër yje do të largohej së shpejti nga Pentagoni.

Mesazhi nuk ishte fare i papritur. Ai erdhi një ditë pasi zoti Trump urdhëroi kthimin e trupave tokësore të SHBA nga Siria veriore. Megjithatë, kjo i ka tronditur aleatët tradicionalë të Amerikës, të cilët ashtu si zoti Mattis duan me çdo kusht të ruajnë të paprekur aleancën evropiano-amerikane. Tek gjenerali i marinës ata shihnin një partner tek i cili besonin dhe për të cilin mendonin se kishte ndihmuar për të zbutur një udhëheqës amerikan të paparashikueshëm.

Një ministër britanik i mbrojtjes ishte ndër të parët që reagoi publikisht për largimin e zotit Mattis. “Më vjen shumë keq që shoh Jim Mattis të largohet,” shkruante Tobias Ellwood në Tweeter. “Njeri i besuar, i respektuar dhe i admiruar nga miqtë dhe aleatët. Shihej me frikë dhe respektohej nga armiqtë tanë. Mendja më mbresëlënëse ushtarake që kam pasur nderin të njoh. Jim, miku im, bota do të jetë më pak e sigurt pa ty,” shtonte ai.

Zoti Mattis ka lidhje veçanërisht të ngushta me rangjet e larta të ushtrisë britanike, lidhje që u thelluan gjatë Luftës së Gjirit Persik, në Afganistan dhe përsëri në vitin 2003 në Irak. Për britanikët si dhe për aleatët e tjerë të Amerikës, 68-vjeçari Mattis shihej si njeriu ku mund të drejtoheshin për t’i paraqitur pikëpamjet e tyre në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump dhe si një dorë e qëndrueshme që mund të ishte në gjendje të frenonte një president i cili ka vënë në pikëpyetje vlerën e aleancës atlantike, thonë disa zyrtarë ushtarakë evropianë.

Kjo e vuri sekretarin Mattis në një pozitë mjaft delikate, duke e testuar atë gjatë gjithë kohës. Për një numër çështjesh, zoti Mattis kishte mendim të ndryshëm nga shefi i tij: nëse tortura duhet të përdoret përsëri për të dyshuarit për terrorizëm; çfarë strategjie duhet që SHBA të ndjekin në Siri; nëse prania ushtarake e SHBA në Afganistan duhet të marrë fund apo të pakësohet; çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj një Rusie gjithnjë e më agresive dhe një Kine sfiduese. Dhe mbi të gjitha: se si duhet të zhvillohen marrëdhëniet me aleatët e NATO-s.

Zoti Mattis i bënte të qarta në letrën e tij të dorëheqjes të enjten dallimet që ai kishte me Presidentin Trump, duke theksuar besimin e tij tek rëndësia e aleatëve tradicionalë të NATO-s dhe Amerikës. “Një besim thelbësor që kam ruajtur gjithmonë është se forca jonë si vend është e lidhur pazgjidhshmërisht me forcën e sistemit tonë të veçantë dhe gjithëpërfshirës të aleancave dhe partneriteteve”, shkruante Mattis. “Ndonëse Shtetet e Bashkuara mbeten vendi i domosdoshëm në botën e lirë, ne nuk mund t’i mbrojmë interesat tona në mënyrë të efektshme pa mbajtur aleanca të forta dhe pa treguar respekt për këta aleatë”.

Marrëdhëniet e SHBA-së me Evropën janë në pikën e tyre më të ulët në historinë e NATO-s pas një sërë shkëmbimesh të hidhura midis Presidentit Trump dhe udhëheqësve evropianë. Kritika e tij e hapur ndaj aleatëve të NATO-s ka patur jehonë në të gjithë kontinentin. Këtë vit, Presidenti Trump la të kuptohej se ai mund të shkurtonte nivelet e forcës amerikane në Evropë, nëse aleatët nuk rritin shpenzimet e tyre ushtarake. “Ata po na shkatërrojnë me NATO-n,” tha zoti Trump gjatë një fjalimi në Montana. “Po na shkatërrojnë,” shtoi ai.

Aludimet e tij në të kaluarën se ai mund të njihte aneksimin e Krimesë nga Moska dhe fakti që e ka minimizuar Rusinë si kërcënim, sipas tyre e ka shtuar alarmin dhe pikëpyetjet nëse Amerika është ende e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive.

Në prapaskenë, zoti Mattis përpiqej të zbuste shqetësimet evropiane. Evropianët “besojnë tek Sekretari Mattis”, thoshte Nicholas Burns, diplomat në pension dhe ish-i dërguari i SHBA-s në NATO. “Ata nuk i besojnë Presidentit Trump.”

Zyrtarët ushtarakë evropianë thonë se e kanë parë atë si mishërim të vazhdimësisë në politikën amerikane të mbrojtjes dhe në një administratë të paparashikueshme. Ata i ngushëllonte këmbëngulja e zotit Mattis se ai nuk do të jepte dorëheqjen. Por muajt e fundit mes homologëve të tij të NATO-s ishte shtuar shqetësimi se ai mund të largohej dhe zyrtarët evropianë thanë se e kishin ndjerë se ndikimi i tij ishte në rënie. Shenjat e para erdhën me mënjanimin e aleatëve të tij në administratë.

Duke folur për televizionin britanik, Karin Von Hippel, drejtoreshë e Institutit britanik të Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore, tha se largimi i zotit Mattis është “shumë shqetësues,” është një “ngjarje e jashtëzakonshme”. Von Hippel tha se zi ishte njeriu “ku mbështetshin të gjithë për t’u vënë gjërave kapak”.

Largimi i zotit Mattis e ka shtuar në alarmin në rritje të evropianëve. Këtë javë, aleatët evropianë të Amerikës u ndienë të kapur në befasi nga ndryshimet e papritura. Aleatët, të cilët gjithashtu kanë trupa në Sirinë veriore që veprojnë në partneritet me forcat speciale amerikane, nuk u konsultuan përpara se zoti Trump të merrte vendimin për t’i tërhequr trupat. Nuk u konsultuan as forcat ushtarake siriane të mbrojtjes, të udhëhequr nga kurdët, që kanë ndërmarrë luftimet më të forta kundër grupit terrorist Shteti Islamik.

Vlerësimet për mundësinë e një rigjallërimi të ISIS-it ndryshojnë ndjeshëm midis Uashingtonit dhe politikëbërësve në selinë e NATO-s.

Zyrtarët britanikë dhe francezë e kanë kundërshtuar pretendimin e Presidentit Trump se ISIS-i në Siri është mundur. Gjithashtu, për këta zyrtarë, planet e udhëheqësit të Uashingtonit për të përgjysmuar praninë e trupave amerikane në Afganistan janë veçanërisht pa vend, ndërkohë që misioni perëndimor atje është zyrtarisht një mision i NATO-s.

Zyrtarët e NATO-s po kujdesen që të mos i zgjerojnë dallimet strategjike me Uashingtonin me komente publike. Zëdhënësja e NATO-s Oana Lungesku i ka referuar gazetarët tek autoritetet e SHBA për të komentuar mbi planin e Shtëpisë së Bardhë për të reduktuar numrin e trupave amerikane në Afganistan.

Zyrtarët thonë se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka biseduar me telefon me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo rreth Sirisë dhe Afganistanit dhe zyrtarët e SHBA pohojnë se Uashingtoni “mbetet i angazhuar ndaj Aleancës, i angzhuar të punojë me aleatët për të frenuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur qytetarët.”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mattis largohet nga posti i tij

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis do të largohet nga posti i tij. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Numri një i Amerikës ka thënë se Mattis do të pensionohet në shkurt të 2019’s. Mattis, 68-vjeçar, është një prej figurave më të respektuara në administratën Trump. “Mattis ka qenë një ndihmë e madhe për mua në bindjen e aleatëve dhe të vendeve të tjera për të paguar pjesën e tyre të obligimeve ushtarake”, shkroi Trump në Twitter

Mattis raportohet të jetë bërë gjithnjë e më kundërshtues ndaj udhëheqjes së presidentit. Në veçanti, ai raportohet të mos jetë informuar për vendimin e marrë nga Trump të mërkurën, për tërheqjen e trupave nga Siria.

“Ju keni të drejtë të keni një sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit janë më në përputhje me tuajat”, i ka thënë Mattis, Trumpit, në letrën e dorëheqjes. Largimi i Mattisit, që ka gjasë të shqetësojë shumë kritikë të presidentit, është ikja e radhës e një zyrtari të lartë të administratës, ndërsa Trump është vetëm në gjysmë të mandatit të parë.

Dëbimi i dy diplomatëve, VOA: U përfshinë në veprimtari të dyshimta të ekstremizmit dhe shkelën…

Shqipëria shpalli persona të padëshiruar dy diplomatë të ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete, që cënojnë sigurinë e vendit.

 

Lajmin e konfirmoi Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Ky vendimi u mor në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.

Këshilltari për sigurinë i presidentit të SHBA-ve, John Bolton, reagoi në Twiter për ngjarjen:

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke u treguar udhëheqësve të Iranit që mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne jemi përkrah zotit Rama dhe popullit shqiptar teksa ata kundërshtojnë sjelljen e padëshiruar të Iranit në Europë dhe në gjithë botën” – shënoi zoti Bolton.

Shpallja persona non grata e diplomatëve iranianë mendohet se ka të bëjë me shkeljen e statusit të diplomatit dhe me veprimtari të dyshimta si pjesë e ekstremizmit dhe terrorizmit të dhunshëm.

Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e vuri theksin në Twit-in e tij tek sanksionet ndaj Iranit.

“Përgëzoj dëbimin nga kryeministri Rama të dy agjentëve iranianë, që planifikuan sulme terroriste në Shqipëri. Vendet europiane kanë parandaluar tre komplote iraniane të planifikuara vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar për sanksionet ndaj regjimit të Iranit, deri sa ai të ndryshojë veprimtarinë shkatërrimtare” – e shkroi sekretari Pompeo. /VOA/

Letra – Dëbimi i ambasadorit iranian, Donald Trump i shkruan Ramës

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka reaguar me nje leter ndaj vendimit te marre nga Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama per debimin e dy diplomateve iraniane, pas zbulimit se po komplotonin per akte terroriste ne Shqiperi.

Letra eshte bere publike nga ambasada amerikane ne Tirane, e cila thekson se SHBA e pergezon Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane.

Reagimi i SHBA

E përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane.

Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.

Ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik.

Në vijim gjeni një letër të Presidentit Donald Trump në të cilën falënderohet Qeveria e Shqipërisë.

LETRA

“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump”

“Komplotuan sulme terroriste”, Pompeo: Përgëzoj dëbimin e iranianëve nga Rama

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përshëndetur vendimin e Shqipërisë për të dëbuar ambasadorin iranian në Tiranë si dhe një agjent tjetër, pasi sipas tij komplotuan sulme terroriste në Shqipëri.

Përmes një postimi në Twitter, Pomepu thotë se përgëzon vendimin e kryeministrit Edi Rama për dëbimin, ndërsa bota duhet të qëndrojë e bashkuar ndaj sanksioneve të Iranit në mënyrë që të ndryshojë sjellje.

Dëbimi i ambasadorit iranian nga Shqipëria, SHBA: Jemi me Ramën

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Bolton ka shprehur mbështetje për kryeministrin Edi Rama dhe popullin shqiptar në qëndresën kundër terrorizmit.

 

Në një postim në “Twitter”, Bolton shkruan se kryeministri Edi Rama ka dëbuar ambasadorin iranian duke sinjalizuar liderët iranianë se nuk do të tolerohet mbështetja për terrorizmin. Këshilltari i Trumpit shpreh fuqishëm mbështetjen dhe e quan të rrezikshme sjelljen e Iranit në Europë e botë.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi ambasadorin iranian, duke sinjalizuar liderët iranianë se mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne jemi me kryeministrin Rama dhe popullin shqiptar teksa ngrihen kundër sjelljes së rrezikshme të Iranit në Europë dhe botë”, shkruan Bolton.

Delegacioni i Kongresit kërkon shpjegime për vdekjen e emigrantes 7 vjeçare

Ligjvënësi demokrat Joaquin Castro, në krye të një delegacioni të Kongresit, që vizitoi disa nga vendet e fundit ku u mbahej e ndaluar një vajzë nga Guatemala përpara se të vdiste, i bëri thirrje shefit të agjencisë së mbrojtjes së kufirit të japë dorëheqjen.

Sipas autoriteteve shtatë vjeçarja Jakelin Caal Maquin vdiq dy ditë pasi ajo dhe babai i saj, si dhe 161 emigrantë të tjerë, u ndaluan nga oficerët e patrullimit të kufirit në shkretëtirën e shtetit Nju Meksiko më 6 dhjetor.

Një nga ligjvënësit përshkroi një nga objektet ku ajo qëndroi si çnjerëzor dhe bëri thirrje për një hetim të pavarur të rrethanave që çuan në vdekjen e 7 vjeçares.

Ligjvënësit thanë gjithashtu që këmbëngulja e presidentit Trump për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën “nuk përputhet me realitetin në terren”. Sipas tyre nevoja reale është për pajisje si dhe procedura e trajnim më të mirë të personelit në kufi.

Presidenti Trump është ngërthyer në një betejë me Kongresin lidhur me financimin e murit në kufi, që mund të çojë në një mbyllje të pjesshme të agjencive federale në ditët në vijim

SHBA shqyrton mundësinë e tërheqjes së plotë nga Siria

Zyrtarë amerikanë thanë sot se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së plotë të forcave ushtarake nga Siria, ndërsa po i afrohen fundit të fushatës për rimarrjen nën kontroll të gjithë territorin që mbahej dikur nga Shteti Islamik.

Një vendim i tillë, nëse konfirmohet, bie ndesh me qëndrimin e sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Pentagonit, që ishin shprehur për një prani ushtarake më afat-gjatë amerikane në Siri, për të penguar rishfaqjen e Shtetit Islamik. Megjithatë, presidenti Donald Trump ka shprehur më parë një dëshirë të fortë për t’i tërhequr trupat nga Siria kur kjo të jetë e mundur.

Koha e tërheqjes nuk është bërë ende qartë dhe zyrtarët amerikanë që folën me shtypin në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje rreth diskutimeve si dhe kush ishte përfshirë në to. Mbetet ende e paqartë se kur mund të shpallet një vendim lidhur me këtë çështje.

Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk pranuan të komentojnë. Shtetet e Bashkuara kanë ende rreth 2 mijë trupa në Siri, shumë prej të cilëve forca speciale që punojnë nga afër në aleancë me forca kurde e arabe të njohura si Forcat Demokratike të Sirisë.

Kush mund të quhet “amerikan i vërtetë”?

Pothuajse një e katërta e amerikanëve besojnë se të krishterët e lindur në SHBA janë “amerikanët e vërtetë”, por një numër i madh amerikanësh thonë se trajtimi njëlloj i njerëzve dhe marrja e përgjegjësisë personale për veprimet individuale janë prova e vërtetë e të qenit amerikan.

“Njerëzit besojnë se idealet janë thelbësore për të qenë amerikan, më shumë se sa identiteti apo prejardhja”, thotë Caleb Elfenbein, profesor i asociuar i historisë dhe studimeve fetare në Kolegjin Grinnell, që organizoi një anketim për këtë temë në nivel kombëtar.

Zoti Elfenbein thotë se “90% e të anketuarve u shprehën se besojnë që trajtimi i barabartë i të tjerëve është thelbësor për të qenë amerikan”.

Anketimi kombëtar i Kolegjit Grinnell, i zhvilluar gjatë muajit të kaluar, anketoi rreth 1 mijë amerikanë mbi moshën 18 vjeç.

24% e të anketuarve thonë se “amerikanët e vërtetë” janë të lindurit në Shtetet e Bashkuara. 23% thanë se amerikanë autentikë janë ata që kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara gjatë pjesës më të madhe të jetës së tyre. 23% thanë se duhet të jesh i krishterë që të quhesh “amerikan i vërtetë”.

Ata që kanë një perceptim më të ngushtë të të qenit amerikan janë më tepër republikanë se sa demokratë. 32% e republikanëve mendojnë se të jesh lindur në Shtetet e Bashkuara është shumë e rëndësishme për të qenë amerikan, ndërsa në radhët e demokratëve mendojnë kështu vetëm 18%.

Konsensusi është më i gjerë përsa i përket rëndësisë së të folurit të anglishtes. 44% e të anketuarve besojnë se amerikanët duhet të flasin anglisht, ndër ta 62% e republikanëve, 29% e demokratëve dhe 44% e të pavarurve.

Megjithë debatin publik me tone të larta për çështjen e emigracionit, anketimi konstatoi se amerikanët përgjithësisht e mbështesin emigracionin. Shumica e të anketuarve besojnë se emigracioni duhet të vazhdojë në nivelin aktual ose të rritet më tej.

Zoti Elfenbein thotë se megjithë periudhat e histerisë publike në historinë amerikane rreth kësaj çështjeje, njerëzit e shohin emigracionin si pjesë thelbësore të vendit.

Sipas tij, “mesazhi është se politikanët nuk ka pse të jenë skeptikë ndaj emigracionit për të qenë të suksesshëm në klimën e sotshme dhe se megjithë tonet e larta në skenën publike amerikane, kjo nuk përbën shumicën e njerëzve”.

Studimi tregon se urrejtja është më e pranishme se në të kaluarën, në veçanti ndër amerikanët mbi 35 vjeç. Shumica e të anketuarve nën 35 vjeç thanë se urrejnë dikë, ose një grup apo organizatë. Ndërsa shumica e të anketuarve mbi 35 vjeç u shprehën se nuk urrejnë dikë.

Amerikanët gjithashtu besojnë se grupe të caktuara etnike apo fetare përballen me diskriminim. 56% besojnë se myslimanët përballen me diskriminim. 52% mendojnë se edhe afrikano-amerikanët, edhe personat e komunitetit LGBT përballen me diskriminim.

Zoti Elfenbein thotë se “duhet të eksplorojmë se çfarë hapësirash kanë komunitete të caktuara në vend për të marrë pjesë vërtet lirisht dhe vullnetarisht në jetën publike, në kushtet kur urrejtja zë vend. Do të ishte e ndershme të shtronim pyetjen se sa e shijojnë të gjithë njerëzit privilegjin e të vendosurit si, kur dhe ku të marrin pjesë në jetën publike”.

Gjykatësi thotë se ish-ndihmësi i Trumpit “e shiti” SHBA-në

Derisa Flynn hyri në gjykatë të martën, një numër i vogël protestuesish u mblodh para saj.

Michael Flynn, ish-këshilltar i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ”e ka shitur” vendin e tij kur ka gënjyer FBI-në për kontaktet e tij me Rusinë, tha një gjykatës amerikan.

Flynn është dashur të dënohet të martën, por avokatët e tij kërkuan shtyrje të aktgjykimit pas komenteve të ashpra të gjyqtarit.

Flynn e ka pranuar fajësinë në dhjetor të vitit 2017, duke thënë se ka gënjyer për kontaktet e tij me ambasadorin rus në SHBA.

Ai është figura e parë e administratës së Trumpit që përballet me dënim në hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Kremlinit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Disa orë para se Flynn të paraqitej në gjykatën në Uashington, presidenti Trump i shkroi në Twitter: “Paç fat në gjykatë”.

Trump vazhdimisht kritikon hetimet që po bën Departamenti amerikan i Drejtësisë në lidhje me bashkëpunimin e mundshëm të ndihmësve të tij me zyrtarët rusë, për ta ndihmuar zgjedhjen e tij president më 2016.

Gjykatësi Emmet Sullivan u pajtua për shtyrjen e dënimit të Flynnit deri më 13 mars.

Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, i cili po udhëheq hetimet e çështjes ruse, kërkoi që Flynn të kursehet nga dënimi me burg.

Zyra e Muellerit përmendi si arsye bashkëpunimin “thelbësor” të Flynnit me hetimet dhe karrierën e tij në shërbimin ushtarak.

Megjithatë, gjykatësi Sullivan i tha Flynnit: “Kjo është një shkelje shumë serioze”.

“Një zyrtar i lartë i qeverisë ka bërë deklarata false para FBI-së… Padyshim, ju e shitët vendin tuaj”, tha gjykatësi Sullivan.

Ai tha se nuk mund ta fshehë përbuzjen e tij për veprën penale.

Gjykatësi Sullivan po ashtu pyeti prokurorët nëse zyra e këshilltarit të posaçëm e ka konsideruar ndonjëherë akuzimin e Flynnit për tradhti.

Flynn e ripranoi fajin e tij në gjykatë dhe tha se “ka qenë i vetëdijshëm” se gjatë intervistës me FBI-në, gënjimi ka qenë krim.

Në një intervistë për Fox News, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Flynn “është zënë në pritë” nga agjentët e FBI-së, të cilët, sipas saj, “kanë thyer çdo protokoll që kanë”.

Flynn, gjeneral i pensionuar i ushtrisë amerikane, e ka gënjyer FBI-në për bisedat e tij me ish-ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyak.

Ai ka bërë deklarata të rreme në janar të vitit 2017 kur ka thënë se nuk i ka diskutuar sanksionet kundër Moskës me Kislyakun përpara se Trump të merrte detyrën.

Flynn po ashtu ka gënjyer për kërkesën e tij te Kislyaku që Rusia të shtyjë ose bllokojë një votim në Kombet e Bashkuara për një rezolutë që dënonte vendbanimet izraelite.

Përgatiti: Valona Tela

Ndalohet hyrja në SHBA e të dyshuarit serb për vrasjen e vëllezërve Bytyçi

Departamenti amerikan i shtetit i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosvaleviç, i njohur si Guri, për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen e tre shqiptaro amerikanëve në vitin 1999.

Vendimi është marrë në bazë të një ligji që i mundëson sekretarit të shtetit që kur ka informacione të qëndrueshme se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, t’u ndalohet hyja e tyre dhe familjarëve të tyre në Shtetet e Bashkuara.

Kundër Radosavleviçit, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro amerikanë, në vitin 1999.

Ndalimi përfshinë edhe gruan dhe të bijën e Goran Radosavleviçit.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në vitin 2001 në një varrezë masive me duar të lidhura me tela, në mesin e shumë trupave të civilëve shqiptarë që ishin dërguar atje në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Goran Radosavleviç, është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë në partinë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Byrtyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë shtruar trysni mbi Beogradin që të ndriçojë këtë rast ndërsa një grup ligjvënësish amerikanë kishte kërkuar që përparimi në këtë çështje të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Ish-drejtori i FBI-së kritikon ashpër Presidentin Trump

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, sulmoi presidentin Trump, duke e akuzuar se thotë “gënjeshtra” dhe minon sundimin e ligjit.

Pas një dëshmie që dha mbrëmë në Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Comey u tha gazetarëve se “emri i FBI-së ka marrë një goditje të rëndë, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, me bashkëpunëtorët e tij, ka gënjyer vazhdimisht për këtë”.

Zoti Comey goditi gjithashtu republikanët, duke thënë se ata kanë shumë frikë t’i kundërvihen Presidentit Trump dhe mbështetësve të tij.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders u përgjigj në Twitter duke thënë se “republikanët duhet t’i kundërvihen zotit Comey dhe korrupsionit të tij të jashtëzakonshëm”.

“Presidenti i bëri vendit një shërbim, duke e shkarkuar dhe demaskuar ish shefin e FBI-së për mashtrimin e paturpshëm që ai përfaqëson,” shkruante ajo.

Presidenti Trump e shkarkoi zotin Comey në maj të vitit 2017 pasi ai refuzoi t’i shprehë presidentit besnikërinë dhe t’i japë fund hetimit të prokurorit të posaçëm rreth një bashkëpunimi të fshehtë midis fushatës Trump dhe Rusisë.

Trump i shkruan Thaçit: Shfrytëzoni momentin për marrëveshje historike me Serbinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se i mirëpret përpjekjet e Kosovës për pajtim me Serbinë.

Ai i ka bërë këto komente në një letër drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Dështimi për të kapitalizuar këtë mundësi unike do të ishte ngecje tragjike, sepse një mundësi tjetër për paqe gjithpërfshirëse nuk ka gjasa të ndodhë shpejt. Ju bëj thirrje juve dhe liderëve të Kosovës që të shfrytëzoni këtë moment unik, të flasin me një zë të unifikuar gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do ta bënin të vështirë arritjen e një marrëveshjeje”, është thënë në letrën e presidentit Trump.

E njëjta ka theksuar se SHBA-ja ka investuar shumë në suksesin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Ne duam që vendi juaj të ketë sukeses”, ka thënë Trump.

“Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë përpjekjet e juaja për të arritur një marrëveshje, e cila balancon interesat edhe të Kosovës edhe të Serbisë”, është shprehur ai. rel

SHBA, sot, dënimi për ish gjeneralin Flynn

Në SHBA, gjykata shpall sot dënimin për ish këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn, i cili u shpall fajtor se kishte gënjyer Byronë Federale të Hetimeve për kontaktet e tij me Rusinë.

Gjyqtari Emmet Sullivan do të vendosë nëse Michael Flynn do të shkojë në burg ose jo, por prokurori i posaçëm Robert Mueller ka thënë se dënimi nuk duhet të përfshijë burgimin, duke marrë parasysh bashkëpunimin e personit në fjalë me prokurorët.

Zoti Mueller po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe një marrëveshjeje të mundshme të fshehtë midis Rusisë dhe fushatës së Presidentit Donald Trump.

Flynn, ish gjeneral dhe ish kreu i Agjencisë së Zbulimit për Mbrojtjen ka qenë këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit Trump. Por ai dha dorëheqjen pas një muaji kur u mësua se kishte gënjyer zyrtarët e administratës për bisedimet e tij me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington, Sergej Kislyak, gjatë periudhës midis ditës së zgjedhjeve dhe inaugurimit të presidentit Trump.

Flynn kishte tërhequr vemendjen e hetuesve para se ai të gënjente FBI-në në janar 2017. Në vitin 2016, kur ishte këshilltar i fushatës së zotit Trump, ai loboi për një kompani holandeze të lidhur me qeverinë turke, pa u regjistruar si agjent i huaj.

Michael Flynn filloi bashkëpunimin me prokurorin e posaçëm Mueller pasi u deklarua fajtor se kishte gënjyer agjentët federalë për bisedat e tij me ambasadorin rus Kislyak. Ai u bë i pari ndër pesë ish-bashkëpunëtorët e zotit Trump që kanë pranuar fajësinë në hetimin e zyrës së prokurorit Mueller.

Raport për Senatin: Rusia shfrytëzoi median sociale për të ndihmuar z.Trump në zgjedhje

Një raport paraprak që po përgatitet për Senatin amerikan, i ka rënë në dorë gazetës Washington Post. Në raport thuhet se Rusia ka përdorur çdo platformë kryesore të medias sociale për t’u përcjellë disinformim votuesve në mënyrë që të zgjidhej president zoti Donald Trump.

E përditshmja shkruante në numrin e së dielës se raporti u përgatit nga Projekti i Analizimit të Propagandës nga Universiteti i Oksfordit dhe nga firma analitike Graphika.

Raporti thotë se shtetas rusë që punonin për një grup të quajtur Agjencia për Kërkime në Internet (IRA) filluan të eksperimentojnë në forma të ndryshme në median sociale për të ndikuar tek zgjedhjet vendore të 2009 dhe i zgjeruan operacionet në zgjedhjet e 2013 duke përdorur Twitter.

Gradualisht puna e tyre u shtri në platforma të tjera me përdorim të gjerë si YouTube, Facebook dhe Instagram.

Për fushatën presidenciale të 2016-tës, raporti thotë se rusët u përpoqën të mobilizojnë votues konservatorë për të mbështetur zotin Trump, duke theksuar tema si të drejtën e armëmbajtjes dhe emigracionin.

Njëkohësisht, operativë rusë u dërgonin mesazhe dhe informacione të tjera votuesve afrikano-amerikanë me synimin për t’i ngatërruar për procesin zgjedhor, përfshirë informacion çorientues mbi mënyrat e votimit.

Edhe grupime të tjera si liberalët, gratë, latino-amerikanët dhe veteranët u vunë në shenjestër nga kjo fushatë me informacion që ose theksonte bindjet e tyre ose përpiqej t’i shkurajonte që të mos votonin.

“Del qartë se të gjitha mesazhet ishin dukshëm në favor të Partisë Republikane dhe në veçanti të zotit Donald Trump,” thuhet në raport, siç njofton gazeta Washington Post.

Gazeta thotë se raporti kritikon kompanitë e teknologjisë për “përgjigje të vonuar dhe mungesë bashkërendimi” kur u zbuluan përpjekjet ruse; po ashtu për vonesë në informimin e hetuesve për këto përpjekje.

Po ashtu raporti paralajmëron se media sociale po shndërrohet nga një mjet për “ndarje të eksperiencave të përbashkëta shqetësuese dhe koordinimit të angazhimit qytetar” siç ndodhi në Lindjen e Mesme, në një kërcënim për demokracinë nga “konsulentë politikë dinakë” dhe “nga politikanë si në vende demokratike ashtu edhe në regjime diktatoriale”.

Sipas gazetës Washington Post kompanitë Facebook dhe Google nuk kanë bërë komente për raportin. Por kompania Twitter thotë se ka ndërmarrë “masa të konsiderueshme që nga zgjedhjet e 2016-tës për të forcuar mbrojtjen dixhitale”.

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur zyrtarisht akuza penale ndaj Agjencisë ruse për Kërkime mbi Internetin lidhur me ndërhyrjet në zgjedhjet e 2016-tës.

Prokurori Special Robert Mueller po heton nëse fushata zgjedhore e zotit Trump kishte hyrë në bashkëpunim të fshehtë me rusët për të ndikuar tek zgjedhjet dhe nëse presidenti u mundua të pengonte drejtësinë me përpjekje për të minuar hetimet.

Presidenti Trump ka mohuar të ketë pasur bashkëpunim të fshehtë dhe e cilëson hetimin e Prokurorit Mueller “gjueti shtrigash”.

New York, gjendet i vdekur themeluesi i aplikacionit Vine

NEW YORK – Colin Kroll, themeluesi i aplikacionit të medias sociale Vine, i cili ofronte mundësi për shpëndarjen e videove të shkurtra, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në New York, SHBA.

Policia ka gjetur pa shenja jete 34-vjeçarin Kroll në banesën e tij në rajonin SoHo në Manhattan pas një denoncimi që ka pranuar, njoftuan mediat amerikane.

Policia aktualisht beson në mundësinë që Kroll ka humbur jetën si pasojë e mbidozimit me lëndë narkotike.

Aplikacioni Vine ofronte mundësi për shpërndarjen e videove në gjatësi prej gjashtë sekondash. Në vitin 2012, aplikacioni ishte blerë nga rrjeti social Twitter, ndërkohë që vitin e kaluar ajo u mbyll për ngarkime të reja.

Kroll ka qenë bashkëthemelues edhe i lojës HQ Trivia, e cila tërhoqi interesim të madh pas lançimit në gusht të vitit 2017.

Ushtria amerikane lëshon në Hapësirë gjeneratën e re të satelitëve të GPS-it

Forcat ajrore amerikane janë duke bërë përgatitje për të lansuar gjeneratën e re të satelitëve të Sistemit për Pozicionim Global (GPS), me qëllim të sigurimit të saktësisë më të madhe duke synuar parandalimin e hapave të kundërshtarëve, përfshirë Rusinë.

Satelitët e rinj të këtij sistemi pritet të nisen në Hapësirë më 18 dhjetor nga Florida, përmes raketës, Falcon 9, të kompanisë SpaceX.

Në herën e parë është planifikuar të nisen 32 satelitë të rinj, me qëllim të zëvendësimit të gjeneratës së vjetër në orbitë.

Satelitët janë prodhuar nga Lockheed Martin, derisa kompania SpaceX ka fituar kontratën për bartjen e disa prej tyre.

Shpenzimet e sistemeve pritet në arrijnë nga 7 deri në 12 miliardë dollarë.

Forcat ajrore të ushtrisë amerikane kontrollojnë 31 satelitë të GPS-it nga një bazë ajrore afër Kolorados.

Ushtria amerikane ka thënë se satelitët GPS III, do të kenë sinjal më të fortë, të cilin do të jetë më e vështirë për ta penguar.

Norvergjia ka akuzuar Rusinë për pengim të sinjaleve të GPS-it gjatë stërvitjeve të fundit ushtarake të NATO-s.

Mick Mulvaney zgjidhet shefi i ri i personelit të Shtëpisë së Bardhë

Presidenti Donald Trump njoftoi të premten se drejtori i buxhetit Mick Mulvaney do të jetë shefi i tij i ardhshëm i personelit të Shtëpisë së Bardhë.

Përmes një tweetteri presidenti Trump tha se Mulvaney “ka bërë një punë të shquar” në administratën e tij dhe do të marrë postin e ri vitin e ardhshëm.

Presidenti Trump e quajti zotin Mulvaney “shefin e personelit të ngarkuar në detyrë “, por nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë do të thotë kjo për kohëzgjatjen e mandatit të tij.

Ai do të zëvendësojë gjeneralin John Kelly. Presidenti Trump vlerësoi punën e zotit Kelly dhe e quajti atë një “patriot të madh” në Tweeter.

Presidenti Trump njoftoi javën e kaluar se John Kelly, i cili shërbeu në post për më shumë se një vit, së shpejti do të largohej.

Zgjedhja e parë e presidentit ishte Nick Ayers, shefi i personelit të nënpresidentit, i cili nuk e pranoi postin pasi nuk ishte në gjendje të arrinte një marrëveshje për sa kohë do të shërbente në atë pozicion.

Këshilltari kryesor i Trumpit: Kosova dhe Serbia të arrijnë shpejt marrëveshje

“Kam mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë në një takim Ministrin e Jashtëm slloven, Miro Cerar. Si aleat të NATO’s, ne diskutuam interesat tona të përbashkëta ekonomike dhe të sigurisë në Europë dhe nevojën që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Bolton në Twitter.

I welcomed Foreign Minister Miro Cerar of Slovenia to the White House today. As NATO Allies, we discussed our shared economic and security interests in Europe and the need for Serbia and Kosovo to reach an agreement as soon as possible.  I much appreciated his insights.
— John Bolton (@AmbJohnBolton) December” class=”redactor-linkify-object”>https://twitter.com/AmbJohnBol… 14, 2018

Në gusht të këtij viti, John Bollton, Këshilltari i Trumpit, kishte zgjedhur kryeqytetin ukrainas për të tregua qëndrimin e SHBA’së se nuk kundërshtojnë korrigjimin e kufijve nëse palët pajtohen.

“Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territorial”, kishte thënë Bollton.

Në anën tjetër në Presidencën e Kosovës kishin përkrahur idenë e Boltonit.

Bekim Çollaku kishte thënë për Express se Bolton s’ka përmendur shkëmbimin e territoreve por vetëm korrigjimin e kufijve qëndrim ky i thënë kohë të gjatë.

“… Bolton nuk e ka përmendur fare opsionin e shkëmbimit të territoreve. Për hirë të vërtetës, ai vetëm ka deklaruar se “SHBA-të nuk e kundërshtojnë një marrëveshje që implikon korigjimin e kufirit, në rast se të dy palët pajtohen”. Ky është thelbi i deklaratës dhe i qëndrimit të qartë të SHBA-ve lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky qëndrim i qartë dhe mbështetës i SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, ka kohë të gjatë që është bërë i qartë”, kishte  shtuar ai.

Gazeta Express, përmes burimeve diplomatike, përmes një artikulli të publikuar muajin e kaluar, ka mësuar se Administrata e Donald Trumpit i ka dhënë dritën e gjelbër opsionit të ndarjes së Kosovës. Sipas të njëjtit burim, ka mundësi që Trump për këtë gjë është marrë vesh me presidentin rus, Vladimir Putin, në samitin e Helsinkit.

Në janar të këtij viti, Zyra e Presidentit Thaçi, e kishte lënë të hapur idenë për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Aktualisht, dialogu final me Serbinë ka filluar ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksander Vucic.

Qeveria e Kosovës ka propozuar një ekip dialogues me në krye Fatmir LImajn, i cili ka refuzuar të nisë punën pa e bërë pjesë edhe opozitën.

Zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë kanë thënë se kjo është faza finale e dialogut në të cilën do të ketë një Marrëveshje finale.

Deri më tash, Presidenti Thaçi ka thënë se do të ketë korrigjim dhe ndryshim të kufijve, njohje të Kosovës dhe anëtarësim në OKB. Madje, ka thënë se Kosovës do t’i bashkohet edhe Lugina e Preshevës.

Express ka shkruar sot se Partia e katërt në Kosovë, PSD, po synon ta përfshijë në dialogun me Serbinë edhe Partinë e Isa Mustafës dhe atë të Albin Kurtit.

Partia Socialdemokrate ka dërguar një Projektrezolutë, e cila pritet te votohet sot, me të cilën synon që opozitës t’ia japë gjysmën e pushtetit në dialogun me Serbinë kurse gjysmën tjetër pushtetit. Ka propozuar bashkëkryesues të dialogut.

Kush është James Mattis, figura që dha bekimin në formimin e Ushtrisë së Kosovës?

I pari natyrisht është Presidenti i SHBA Donald Trump.

James Mattis njihet në opinionin e Kosovës si figura që tha fjalën e fundit sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri. Kosova do t’i jetë mirënjohëse për mbështetjen e tij, që forcon një ndër elementet kyqe të shtetësisë.

Por, të njihemi pak më mirë me Mattisin.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi Gjeneralin James Mattis për postin e Sekretarit të Mbrojtjes. Gjenerali në pension ka një karrierë të gjatë në ushtri dhe njihet edhe si studiues.

Njeriu i zgjedhur nga zoti Trump për Sekretar të Mbrojtjes është gjenerali në pension James Mattis. Ai ka shërbyer si Komandant i Komandës Qendrore Amerikane, e cila drejton operacionet në Lindjen e Mesme, si dhe si Komandant i Forcave Supreme të NATO-s.

Përkushtimi ndaj misionit që ka treguar përballë forcave armike në Afganistan dhe Irak u bë shkaku që mori nofkën “qen i zemëruar” – një epitet që në gjuhën angleze reflekton reputacionin dhe respektin që ai gëzonte si një komandant që nuk njihte sprapsje, që nuk epej kollaj.

“Si ushtarak, si marins, ai ka vepruar gjithnjë me besnikëri ndaj kontigjentit të tij; ndaj ushtarëve që shërbenin me të. Kur e takova për herë të parë në Nangahar të Afganistanit, në një kohë që kishte plasur një betejë e ashpër në 2006, pashë që ishte një komandant me një fuqi të madhe frymëzuese. E di që unë gjeja frymëzim prej tij,” thotë Gjenerali John Nicholson.

Ekspertët vënë në dukje që ai është edhe ushtarak, edhe studiues.

“Ai konsiderohet si një ndër njerëzit me bagazhin më të madh të njohurive nga librat si dhe nga eksperienca në terren në këtë brez gjeneralësh,” thotë Michael O’Hanlon i Institutit Brookings.

Analisti Michael O’Hanlon beson se eksperienca dhe përgatitja e tij e kanë bërë Gjeneralin Mattis më praktik se shumë komandantë të tjerë lidhur me vlerën dhe të metat e fuqisë ushtarake.

“Është gjë e mirë që një ushtarak me përvojën dhe kredibilitetin e Gjeneralit Mattis po këshillon Donald Trumpin, pasi zoti Trump do t’ia dëgjojë fjalën një njeriu të tillë dhe mendoj se do të jetë më i prirur të bindet nga argumentet për të mos përdorur forcën, nëse ia sugjeron dikush si Gjenerali Mattis”.

Para se të konfirmohet kandidatura e tij, Kongresi duhet të miratojë një përjashtim nga ligji që ndalon emërimin e gjeneralëve në postin e shefit të Pentagonit, pa mbushur shtatë vjet në pension nga karriera ushtarake. Mattis ka qenë në pension prej tre vjetësh.

Ligji synon të krijojë një shkëputje kohore mes shërbimit ushtarak dhe udhëheqjes civile të departamentit.

Kongresi e ka bërë më parë një përjashtim të tillë kur lejoi Gjeneralin e Luftës II Botërore, George Marshall të shërbente si sekretar i mbrojtjes në 1950/ZA

Shtetasja ruse pranon akuzat për spiunazh

Një shtetase ruse e akuzuar se ka punuar si agjente për Kremlinin, me qëllimin për të krijuar lidhje me grupin e fuqishëm të lobimit, Shoqatën Kombëtare Armëve në Shtetet e Bashkuara si dhe për të depërtuar në qarqet e Partisë Republikane pranoi fajësinë të enjten përpara një gjykate federale.

Maria Butina u akuzua në muajin korrik se ka vepruar në mënyrë të paligjshme si një agjente ruse e paregjistruar si dhe konspiracion. Fillimisht ajo nuk i pranoi akuzat.

Si pjesë e një marrëveshjeje me prokurorët, 30-vjeçarja pritet të pranojë fajësinë dhe të bashkëpunojë me ta.

Dyshohet se Maria Butina kishte një marrëdhënie personale dhe jetonte me aktivistin republikan Paul Erickson, të lidhur me Shoqatën Kombëtare të Armëve.

Sipas Departamenti amerikan të Drejtësisë Maria Butina ishte një “agjente e fshehtë ruse” e cila mbante lidhje me spiunë rusë në një mision që synonte depërtimin në “aparatin vendimmarrës kombëtar të SHBA-së me qëllimin çuar përpara të axhendës së Federatës Ruse”.

Po sipas autoriteteve amerikane veprimtaria e saj në Shtetet e Bashkuara drejtohej nga një ish-ligjvënës rus ndaj të cilit Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione për lidhjet e tij të dyshuara me Presidentin rus Vladimir Putin.

CIA informon ligjvënësit për rastin Khashoggi

UASHINGTON – Drejtoresha e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Gina Haspel, ka informuar ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve mbi gjetjet e agjencisë në hetimin e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Menjëherë pas seancës me dyer të mbyllura, përfaqësuesi Eliot Engel, i cili është vendosur të marrë vendin e parë në Komisionin e Marrëdhënieve të Jashtme të Dhomës, u tha gazetarëve se komisioni do të mbajë seanca mbi vrasjen e Khashoggit pasi ai të marrë drejtimin.

“Ne duhet të kemi një vlerësim të marrëdhënieve tona me Arabinë Saudite”, u shpreh Engel.

I pyetur në mënyrë specifike nëse Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, ishte drejtpërsëdrejti pas vrasjes, Engel tha se “nuk duket shumë mirë tani, por do të shohim”.

“Sigurisht, marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite, janë marrëdhënie të rëndësishme. Nuk dua ta degradoj atë. Por, unë nuk mendoj se ne thjesht mund të shohim mënyrën tjetër kur gjërat ndodhin dhe të flasim për biznes si zakonisht”, tha Engel.

Arabia Saudite fillimisht mohoi ndonjë rol në zhdukjen e Khashoggit kur ai nuk u pa më pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.

Pas paraqitjes së shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Riadi zyrtar e pranoi se Khashoggi u vra brenda ndërtesës diplomatike, duke fajësuar për këtë akt një “operacion të lëshuar”.

Ky shpjegim erdhi nën një shqyrtim të gjerë, duke përfshirë edhe një grup dypartiak të ligjvënësve në selinë Capitol Hill, të cilët kundërshtojnë pretendimet që Khashoggi është vrarë pa pëlqimin e Princit saudit.

Presidentit i SHBA-ve, Donald Trump dhe zyrtarët e tij të lartë vazhdojnë të mohojnë ndonjë rol të drejtpërdrejtë për udhëheqësin e Arabisë Saudite në vrasjen e Khashoggit.

Sekretari i shtetit, Mike Pompeo, dje tha se inteligjenca e SHBA-ve nuk ka gjetur një lidhje “të drejtpërdrejtë” midis bin Salman dhe vrasjes së Khashoggit.

“Provat e drejtpërdrejta ende nuk janë në dispozicion”, tha Pompeo, gjatë një interviste me Fox News, duke shtuar se, “Mund të shfaqet nesër, mund të jetë shfaqur gjatë natës dhe unë nuk e kam parë atë”.

Mirëpo, pas informimit të Senatit javën e kaluar nga drejtoresha e CIA-s, Haspel, disa ligjvënës e lëshuan atë seancë me dyer të mbyllura duke kundërshtuar mohimin.

“Duhet të jeni me sy të verbër që të mos arrini në përfundim se kjo u orkestrua dhe u organizua nga njerëz nën komandën e MBS-së dhe se ai ishte përfshirë në mënyrë të ndërlikuar në vrasjen e z. Khashoggi”, tha senatori Lindsey Graham, duke iu referuar bin Salman-it. aa

Biden po e shqyrton kandidimin për president të SHBA-së

Ish- nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë pushimeve të fundvitit do të diskutojë më familjarë nëse do të kandidojë për postin e Presidentit të SHBA-ve, kanë thënë burime të afërta me Biden, transmeton AP.

Ata folën në kushte anonimiteti pasi Biden ende po e peshon këtë çështje.

Ky ka qenë një vit me shumë aktivitete për Joe Biden, përfshirë vizitat në 31 shtete, për të përkrahur, aktivitetet e kandidatëve demokratë për zgjedhjet e nëntorit, por edhe për të promovuar një libër për djalin e tij të ndjerë.

Sipas këtyre burimeve, Biden ka mbajtur disa takime kohën e fundit me përkrahës të vjetër të tij, për të parë se çfarë mund të duket një fushatë presidenciale e ardhshme.

Ai e deklaroi veten “personi më i kualifikuar në vend për të qenë president” gjatë një paraqitje javën e kaluar në Montana.

Ish-avokati i Trumpit dënohet me tre vjet burgim

Michael Cohen,ish-avokat shumëvjeçar i presidentit amerikan, Donald Trump, u dënua me tre vjet burg, të mërkurën, pasi u deklarua fajtor për mashtrime me tarifa dhe pagesa të financimit të fushatës.

Krimet të cilat Cohen ka pranuar përfshijnë: gënjeshtrën në Kongres rreth marrëdhënieve të kaluara të biznesit të presidentit Trump në Rusi, si dhe ryshfetin për gratë që pretendonin se kishin marrëdhënie me Trump.

Cohen, 52 vjeç, kishte shkuar në gjykatë me bashkëshorten, djalin dhe vajzën e tij.

Prokurorët kanë thënë në dosjet e mëhershme të gjykatës se Cohen nuk bashkëpunoi plotësisht me hetuesit. Hetimi u përqëndrua në punën që bëri në organizatat e biznesit të presidentit Trump. Pagesat që Cohen iu bëri grave ndodhën gjatë vitit 2016, dhe thuhet se janë rimbursuar nga Trump, që do të thotë se ato mund të konsiderohen si kontribute në fushatë.

Nëse kontributet tejkaluan një sasi të caktuar dhe nuk u raportuan publikisht, kjo mund të konsiderohej si akt kriminal.

Çështja kundër Cohen mori vëmendje pas hetimit që është duke u kryer, nga prokurori special Robert Mueller, lidhur me ndërveprimet midis zyrtarëve rusë dhe bashkëpunëtorëve të presidentit Trump.

Presidenti Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo deklarim se ekipi i fushatës së tij është kordinuar me zyrtarët rusë gjatë fushatës zgjedhore 2016.

Ai ka akuzuar ekipin e Muellerit për shtypjen e ndihmësve të tij të mëparshëm për të gënjyer rreth tij, fushatës së tij dhe marrëdhënieve të tij të biznesit.

Në një intervistë me Reuters më 11 dhjetor, ai tha se ishte i bindur se ai nuk ishte në rrezik për t’u marrë në përgjegjësi nga Kongresi.

“Është e vështirë për të fajësuar dikë që nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe që ka krijuar ekonominë më të madhe në historinë e vendit tonë”, pati thënë presidenti Trump.

Rusia ka mohuar akuzat nga SHBA-ja për ndërhyrjen në zgjedhje për të ndihmuar presidentin Trump.

SHBA teston me sukses raketën e re të mbrojtjes

Sistemi u prezantua si një moment historik dhe konfirmim aftësinë e SHBA për t’iu përgjigjur të gjitha raketat me rang të mesëm nga vende si Koreja e Veriut, raporton Reuters.

Sistemi Aegis, i cili është përdorur në testimin e fundit, ka ndërtuar interceptorë SM-3 IIA, të cilat janë zhvilluar në një kompani të përbashkët Rejteon dhe degës së shoqërisë japoneze Mitsubishi, e cila është e specializuar në industrinë e rëndë.

 

Këto interceptorë do të jenë gjithashtu pjesë e sistemit të mbrojtjes Aegis në Rumani dhe Poloni.


 

Pjesa e mburojës së raketave në Poloni pritet të funksionojë në vitin 2020.

 

SHBA kanë nisur një mburojë raketash në Rumani në 2016, e cila ka zemëruar Rusinë.

 

Në fillim të dhjetorit, SHBA vendosi një afat kohor prej dy muajsh për Rusinë që t’i kthehet zbatimit të Marrëveshjes për Ndalimin e raketave me rang të mesëm dhe të shkurtër, në të kundërtën SHBA do të pezullojë detyrimet e tij sipas kësaj marrëveshjeje.

BBC: SHBA, dy murgesha vodhën 500 mijë dollarë për të luajtur bixhoz

Dy murgesha me detyrë në një shkollë katolike në Kaliforni të SHBA-ve pasi kanë përvetësuar rreth 500 mijë dollarë kanë luajtur bixhoz në Las Vegas.

Sipas BBC-së, mësohet se murgeshat Mary Kreuper dhe Lana Chang, kanë marrë 500 mijë dollarë që kanë përvetësuar nga kasaforta e shkollës katolike St. James dhe i kanë përdorur për të luajtur bixhoz në Las Vegas.

Kryepeshkopata e Los Angeles-it, ka theksuar se pas një kontrolli rutinë kanë zbuluar se murgeshat kishin marrë paratë e pagesave për shkollën dhe të atyre që janë dhuruar.

Ndërkohë bëhet e ditur se murgeshat që pak kohë më parë kanë dalë në pension kanë shprehur pendim për veprimet e tyre.

Murgesha Mary Kreuper e cila ka ushtruar detyrën e drejtoreshës për 29 vite dhe Lana Chang detyrën si mësuese për 20 vite, mendohet se paratë që ato kanë vjedhur për një periudhë të paktën 10 vjeçare i kanë shpenzuar në bixhoz dhe udhëtime.

Michael Meyers, një zyrtar i kishës, në një letër dërguar famullisë së kishës ka thënë se “Murgesha Mary dhe murgesha Lana më kërkuan që t’u transmetoj juve situatën dhe pendesën e thellë që ato kanë. Nga ju kërkojnë falje dhe presin lutjet tuaja”.

Ndërsa kisha katolike St. James ka bërë të ditur se nuk do të ndërmerret ndonjë veprim kundër murgeshave duke vënë theksin se murgeshat kanë “një pendesë të thellë” në çështjen e veprimeve të tyre.

Mendohet se murgeshat në vend të llogarisë së shkollës i kanë transferuar në llogaritë e tyre personale çekët për pagesë shkollore dhe pagesat tjera të ndryshme.

SHBA: Demokratët mund të kërkojnë seanca për procesin e shkarkimit të Presidentit Trump

Një ligjvënës me peshë tha se demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve mund të ndërmarrin seanca për procesin e shkarkimit të Presidentit Donald Trump, duke thënë se udhëheqësi amerikan e kishte “rrethuar veten me mashtrues” dhe ishte pjesë e një “konspiracioni të gjerë kundër popullit amerikan” për të fituar zgjedhjet e vitit 2016.

Kongresmeni Jerrold Nadler, një demokrat nga Nju Jorku që pritet të bëhet kryetari i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve kur demokratët të marrin kontrollin e saj në Janar, i tha CNN-it se ligjvënësit duhet të përcaktojnë se “sa të rëndësishme” janë akuzat ndaj zotit Trump, por duhet ta ndërmarrin procesin e shkarkimit “vetëm për shkelje të rënda”.

Zoti Nadler i bën këto komente dy ditë pasi, prokurorët federalë akuzuan ish-avokatin e Presidentit Trump, Michael Cohen, se në “bashkërendim dhe nën udhëzimin” e zotit Trump kishte orkestruar një pagesë prej 280 mijë dollarësh për dy gra që thonë se kanë pasur marrëdhënie me zotin Trump, që të mos flisnin për to para zgjedhjeve të vitit 2016.

Prokurorët detajojnë pagesat në emër të presidentit Trump dhe kontaktet me rusët

Dokumentat e depozituara në gjykatë në Nju Jork nga prokurorët dhe nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller, japin argumenta se pse Michael Cohen, ish-avokati personal i Presidentit, Donald Trump dhe Paul Manafort, ish-menaxher i fushatës së tij, meritojnë të kryejnë dënim me burg.

Sipas dokumentave, zoti Cohen kishte bërë dy pagesa të paligjshme për dy gra: Stormy Daniels, një aktore filmash pornografike dhe Karen McGougal, ish-modele e revistës “Playboy” para zgjedhjeve të vitit 2016, që të mos flisnin për marrëdhëniet e tyre me zotin Trump.

Prokurorët federal thanë se zoti Cohen i bëri pagesat në “bashkërendim dhe nën udhëzimin” e zotit Trump.

Dokumentat nxjerrin në pah gjithashtu një përpjekje nga një rus për të ushtruar ndikim tek fushata.

Në një dokument, zoti Mueller shpjegon me detaje se si zoti Cohen kishte folur me një rus që “pretendonte të ishte një ‘person i besuar’ në Federatën ruse që mund t’i ofronte fushatës ‘sinergji politike’ dhe ‘sinergji në nivel qeveritar”.

Zoti Trump ka mohuar çdo bashkëpunim të qëllimshëm me Rusinë dhe Rusia ka mohuar çdo ndërhyrje në fushatën presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Dokumentat e depozituara, tregonin edhe se zoti Manafort kishte gënjyer në intervista me prokurorët dhe FBI-në.

Megjithëse Presidenti Trump shkruante në Twitter se të gjitha depozitimet “e nxjerrin krejtësisht të pastër Presidentin”, dokumentat lënë të kuptohet se zoti Trump mund të ketë ditur më shumë për kontaktet e fushatës dhe biznesit me rusët, nga ç’kishte pohuar më parë.

Tillerson: Trump i padisiplinuar dhe nuk e do leximin

UASHINGTON – Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë për presidentin Donald Trump se ai është i padisiplinuar dhe nuk i pëlqen leximi.

Duke folur në televizionin “CBS”, Tillerson tha se Trump ka kërkuar nga ai, derisa ende ishte në detyrë, të bëjë gjëra që shkelin edhe ligjin.

“Mua veçanërisht më erdhi rëndë, pasi erdha nga kompania ExxonMobil, e cila ishte e disiplinuar dhe funksiononte mirë, punonte me një njeri i cili është i padisiplinuar, i cili nuk e do leximin, nuk i lexon raportet nga brifingjet dhe nuk u kushton vëmendje detajeve në shumë gjëra dhe vetëm thotë ‘Unë besoj në të'”, tha Tillerson.

Ai tha se Trump zakonisht vepron sipas instinktit të tij, duke shtuar se ndonjëherë kjo duket shumë impulsive.

Tillerson gjithashtu kritikoi përdorimin e Twitter-it nga Trump, duke vënë në dukje se është i shqetësuar se qytetarët amerikanë duhet vetëm përmes rrjeteve sociale të mësojnë për ngjarje shumë të rëndësishme.

Trump në mënyrë ‘eksprese’ reagoi pikërisht përmes Twitter-it, duke thënë se është i kënaqur me punën që bën sekretari i tanishëm i Shtetit, Mike Pompeo.

“Mike Pompeo punën e tij e bën në mënyrë të shkëlqyer, jam shumë krenar për të. Paraardhësi i tij, Rex Tillerson, nuk posedonte kapacitetin e duhur mendor. Ai ishte shumë budalla dhe nuk munda të shpëtoja prej tij kaq shpejt. Ai ishte shumë dembel. Tani është një lojë krejt e re, kemi një atmosferë të mrekullueshme në shtet”, shkroi Trump.

Megjithatë, pas emërimit të tij si sekretar shteti, Trump pati thënë për Tillerson se ai ishte një nga “liderët më të mëdhenj të biznesit global”.

Trump në mars të këtij viti shkarkoi Tillerson, sepse siç ka deklaruar “nuk pajtoheshin për çështje të caktuara”. Më pas presidenti amerikan tha se kishin mendime të ndryshme rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit. aa

SHBA: Prokurorët akuzojnë ish-bashkëpunëtorët e Trumpit se kanë gënjyer për kontaktet ruse

Michael Cohen, Donald Trump dhe Paul Manafort

Prokurorët amerikanë kanë prezantuar para gjykatës detaje mbi atë që ata thonë se janë gënjeshtra të ish-bashkëpunëtorit të presidentit Donald Trump, lidhur me komunikimet me kontaktet ruse, akuza këto që me gjasë mund të dënojnë me burg dy të akuzuarit.

Akuzat ndaj ish-shefit të fushatës së Trumpit, Paul Manafort dhe ish-avokatit personal të presidentit, Micheal Cohen janë bërë në dy seanca të ndara gjyqësore më 7 dhjetor.

Pavarësisht këtyre akuzave, Shtëpia e Bardhë, përmes një deklarate tha se akuzat nuk ofrojnë asgjë që mund të dëmtojnë presidentin dhe fajësuan mediat se po “tentojnë të krijojnë lajm aty ku nuk ka lajm”.

Këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller po heton ndërhyrjene dyshuar të rusëve në zgjedhjet presidenciale amerikane më 2016. Ai po heton nëse ka pasur bashkëpunim në mes të bashkëpunëtorëve të Trumpit me Rusinë. Moska mohon se ka ndërhyrë në zgjedhje, pavarësisht se ka prova substanciale për një gjë të tillë. Edhe presidenti Trump vazhdimisht ka mohuar se ka pasur bashkëpunim në mes të ekipit të tij dhe Rusisë.

Zyra e Muellerit e ka akuzuar Manafortin se ka “thënë të pavërtetën disa herë” sa i përket kontakteve të tij me konsulentin politik ruso-ukrainas, Konstantin Kilimnik. Ndërkaq, prokurorët kanë kërkuar dënim me burgim për avokatin Cohenpasi ai ka pranuar se ka paguar një aktore të filmave pornografik, me qëllim që ajo të mos flasë për Trumpin gjatë zgjedhjeve më 2016. Disa prej këtyre parave dyshohet se kanë ardhur nga kompani fiktive të cilat Cohen i kishte hapur, ndërkaq paratë dyshohet se janë siguruar nga Trumpi.

Delaware: Hetime ndaj firmës Dunwell Haberman për falsifikim dokumentesh

Shqipëria duket se po ndeshet me një skandal të ri korrupsioni, lidhur me një prej kompanive që ka fituar tenderin për një prej segmenteve të unazës së madhe në Tiranë. Kompania shqiptare funksionon si degë e një kompanie të regjistruar në shtetin Delaware në Shtetet e Bashkuara.

Zyra e Sekretarit të Shtetit në Delaware konfirmoi për Zërin e Amerikës se ka filluar hetimet për të përcaktuar në se kompania Dunwell Haberman, ose ndonjë prej zyrtarëve të saj, është përfshirë në aktivitete të paligjshme, mashtrime ose falsifikime.

Firma Dunwell Haberman vepron në Shqipëri përmes filialit të saj vendas “DH Albania”, e cila ka fituar një tender prej rreth 20 milionë dollarësh për një prej segmenteve të unazës së madhe në Tiranë.

Firma dyshohet se ka kryer dy falsifikime për të siguruar kontratën në Shqipëri. Ka falsifikuar datën e krijimit; në Dalaweare kompania figuron e regjistruar para 6 muajsh, në 25 qershor 2018, ndërsa në Shqipëri ka depozituar dokumente, sikur ekziston që nga qershori i 1998. Dokumenti i dytë, që dyshohet të jetë falsifikuar, është një certifikatë e Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit. Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit Doug Denison, i tha Zërit të Amerikës, se për certifikatën nuk ka patur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument.

Dokumentet e faksifikuara dolën për herë të parë në Shqipëri mbrëmë, gjatë emisionit Të Paekspozuarit” në televizionit News24.

Sipas zëdhënësit, çështja pritet t’i kalojë për hetime penale zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Daleware, që drejtohet nga Matt Denn. Nëse autoritetet gjejnë shkelje, firmës mund t’i anulohet regjistrimi si biznes në këtë shtet dhe ndaj saj mund të ngrihen akuza kriminale. Meqë kompania ka aktivitet në një vend tjetër, jashtë Shteteve të Bashkuara, rasti mund t’i referohet për ndjekje edhe Departamentit të Drejtësië në Uashington.

Shteti Delaware, njihet si një prej shteteve që ka ligje tepër favorizuese ndaj korporatave. Mijëra kompani amerikane janë të regjistruara në këtë shtetet, për të përfituar nga taksat. Dalaware njihet edhe si “parajsë fiskale” pasi nuk mbledh taksa nga korporatat që, ndonëse të regjistruara aty, nuk ushtrojnë aktivitet në këtë shtet.

Në bazë të ligjeve të shtetit, korporatat e regjistruara aty, nuk janë të detyruara të publikojnë emrin e drejtuesit të kompanisë ose të aksionerëve të saj.Në Delaware, regjistrimi i kompanisë mund të bëhet edhe pa qënë fizikisht i pranishëm dhe ka firma të tjera që e kryejnë këtë funksion për klientin. Në bazë të dokumenteve të regjistruara në këtë shtet, firma Dunwell Haberman është regjistruar përmes firmës “Apex Resident Agent Services” .

William Barr emërohet prokuror i përgjithshëm i SHBA-së

Ish-presidenti i ndjerë amerikan, George HW Bush (djathtas) dhe William Bar. 1991.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, emëroi William Barr për prokuror të përgjithshëm – post të cilin e ka mbajtur në vitet 1990.

Emërimi vjen pasi Trump e ka shkarkuar nga pozita Jeff Sessions, në muajin nëntor.

Barr do të marrë përsipër mbikëqyrjen e hetimit të ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Sipas mediave amerikane, ai ka qenë kritik ndaj disa aspekteve të hetimeve.

Barr, avokat konservator, e ka mbajtur të njëjtin rol nën presidentin George HW Bush, nga viti 1991 deri më 1993.

Presidenti Trump i irrituar nga hetimet mbi Rusinë

Jim Malone – Presidenti Donald Trump po fajëson hetimet mbi Rusinë për rezultatet shumë të dobëta në anketat e popullaritetit. Kritikat e tij të fundit vijnë në një kohë, kur pritet që prokurorët të bëjnë të ditura informacione mbi ish-menaxherin e fushatës së zotit Trump, Paul Manafort si dhe ish-avokatin personal të presidentit, Michael Cohen.

Në një postim dje në Twitter, presidenti fajëson atë që e cilëson si “gjueti e sajuar shtrigash” për rezultatet e dobëta në anketat e popullaritetit që aktualisht luhaten në 43%.

Më parë presidenti e ka sulmuar hetimin mbi Rusinë si të dëmshëm për vendin:

“Në këto hetime janë shpenzuar miliona e miliona dollarë dhe nuk po arrihet një konkluzion. U nis për të hetuar a kishte bashkëpunim të fshehtë. Nuk ka pasur. Mendoj se hetimi është shumë i dëmshëm për vendin. Është për të ardhur keq”.

Pritet që prokurorët të nxjerrin sot hollësi të reja mbi dëshmitë e rreme që u ka dhënë hetuesve federalë ish-menaxheri i fushatës Trump, Paul Manafort, gjë që përbën shkelje të marrëveshjes për zbutje ndëshkimi.

Pritet të dalin hollësi edhe mbi marrëveshjen që ka arritur me hetuesit ish-avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen.

Hetimet që drejtohen nga Prokurori Special, Robert Mueller duket se po intensifikohen, thotë analisti Doug Spencer.

“Mendoj se ky ishte që në fillim synimi, pra të zbulohej nëse kishte pasur lidhje mes fushatës së zotit Trump dhe aktiviteteve të rusëve. Pyetja tjetër është nëse Presidenti Trump si individ luajti ndonjë rol”.

Në fillim të javës, prokurorët rekomanduan që Michael Flynn, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare për zotin Trump të mos ndëshkohej me burgim, si shpërblim për bashkëpunimin me trupin hetimor.

Kjo nënkupton se hetimet janë ende larg përfundimit, thotë analisti Chris Edelson:

“Nuk kanë përfunduar dhe nuk do të përfundojnë së shpejti. Do të ketë edhe më. Do të dalin hollësi të tjera. Do të dalin aktpadi të tjera, do të ketë të tjerë që do të bashkëpunojnë dhe do të mësojmë se çfarë informatash po ofrojnë”.

Hetimet mbi Rusinë mund të arrijnë pikë kulmore kur presidenti të fillojë fushatën për rizgjedhje, thotë analisti Tom DeFrank.

“Mueller përbën problem për Presidentin Trump. Presidenti e di këtë, prandaj po e ngre zërin. Këto zhvillime nuk janë në interes të presidentit dhe do të mësojmë edhe më shumë në javët në vazhdim”.

Gjenerali në pension, Michael Flynn do të marrë dënimin këtë muaj, pasi ka pranuar fajësinë për dëshmi të rreme ndaj hetuesve, lidhur me bisedat që ka zhvilluar me ambasadorin rus.

CNN evakuohet pas alarmit për bombë

Policia në New York

Punonjësit e rrjetit televiziv amerikan CNN janë evakuuar për shkak të një alarmi për bombë, mirëpo pas kontrollit nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes.

Rreth orës 22:30 të së enjtës, alarmet e sigurisë u aktivizuan si shenjë e evakuimit të menjëhershëm.

Rrjeti televiziv transmetoi vetëm emisione të cilat ishin përgatitur më herët.

Policia më pas njoftoi personeli se mund të kthehet në vendin e punës.

Evakuimi i së enjtës, ndodhi disa javë pasi në adresë të këtij rrjeti kishte arritur një pako me bombë, gjë që detyroi evakuimin e personelit.

Varroset ish-presidenti i SHBA-së, George Bush

Funerali i ish-presidentit George Bush

Ish- presidenti i SHBA-së, George Bush, është varrosur afër bibliotekës së tij presidenciale në College Station, Teksas, pranë varreve të gruas së tij Barbara Bush, e cila vdiq më herët gjatë këtij viti, dhe vajzës së tij e cila kishtë ndërruar jetë në fëmijërinë e hershme.

Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara vdiq më 30 nëntor në Teksas, në moshën 94 vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit vaskular.

Presidenti amerikan, Donald Trump, së bashku me të gjithë ish-presidentët e gjallë – Barack Obama, Bill Clinton dhe Jimmy Carter – ndoqën funeralin e shtetit në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.

Princi i Uellsit, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Mbreti i Jordanit Abdullah II ishin midis figurave të botës të cilët gjithashtu ndoqën funeralin e tij të shtetit.

Shërbesat e fundit mortore para varrimit të Presidentit Bush

Familja e George Herbert Walker Bush po i thotë lamtumirën e fundit presidentit të 41-të në një ceremoni private mortore sot në qytetin Hjuston ku ai kaloi një pjesë të madhe të jetës. Presidenti do të varroset sot në kopshtin e Bibliotekës që mban emrin e tij në Universitetin A&M në College Station të Teksasit.

Trupi i presidentit u dërgua me avion presidencial mbrëmë nga Uashingtoni në Hjuston dhe u vendos në kishën episkopale të Shën Martinit, ku gjatë natës njerëzit prisnin me durim për të kaluar për nderime pranë arkivolit të mbështjellë me flamur.

Më herët dje, Presidenti Trump dhe katër ish-presidentë u mblodhën në Katedralen e Uashingtonit për një funeral shtetëror për Presidentin Bush, i cili u nda nga jeta të premten e kaluar në Teksas, në moshën 94-vjeçare.

Presidenti Trump, së bashku me ish-presidentët Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Barack Obama dëgjuan eulogjinë emocionuese që mbajti George W. Bush, djali i madh i Presidentit George Herbert Walker Bush dhe presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara për të atin.

“Mirësjellja jote, sinqeriteti dhe shpirti i mirë do të jetojnë përjetë me ne. Përmes lotëve, e vlerësojmë se çfarë bekimi ishte që kemi njohur e dashur një njeri të madh e fisnik si ti; ishe babai më i mirë që mund të dojë një bir a një bijë. Në këtë moment dhimbjesh, le të buzëqeshim se e dimë se babai po përqafohet me vajzën, Robin dhe po i shtrëngon përsëri dorën nënës”.

Presidenti Trump nuk foli gjatë ceremonisë, pasi kështu e kishte kërkuar para vdekjes zoti Bush, megjithëse ishte një devijim nga tradita e krijuar vitet e fundit.

Presidenti Trump kishte shpallur të mërkurën ditë zie kombëtare dhe kishte urdhëruar mbylljen e agjencive qeveritare duke pezulluar shërbime të përditshme si postën, apo operacionet në bursë.

Ndërkaq në Teksas, pas shërbesës private në Hjuston, trupi i presidentit do të dërgohet me një tren special drejt qytezës College Station ku ndodhet edhe Biblioteka Presidenciale e George Herbert Walker Bushit. Ai do të varroset në kopshtin e bibliotekës, pranë varreve të vajzës Robin që vdiq nga leuçemia në fëmijëri, si dhe Barbarës, bashkëshortja e tij për 73 vjet, e cila u nda nga jeta në prill të këtij viti.

Mueller, jo dënim me burg për ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Flynn

Prokurori i posaçëm Robert Mueller i rekomandoi gjykatësit që Michael Flynn të mos dënohet me burg, duke përmendur “ndihmën e konsiderueshme” të ish këshilltarit të sigurisë kombëtare në hetimin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në Shtetet e Bashkuara.

An image of the sentencing memo filed by special counsel Robert Mueller in the case against former National Security Advisor Michael Flynn, Dec. 4, 2018.

Michael Flynn ka pranuar fajësinë për akuzat se ka gënjyer FBI-në rreth bisedave të tij me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara, Sergej Kislyak.

Ai gjithashtu ka bërë një seri deklaratash të rreme në lidhje me punën e tij lobuese për Turqinë.

Gjatë një paraqitje në një gjykatë federale të martën mbrëma, Prokurori i Posaçëm Mueller tha se zoti Flynn ka dhënë informacion “të dorës së parë” mbi përmbajtjen dhe kontekstin e shkëmbimeve midis ekipit të tranzicionit të zotit Trump dhe zyrtarëve të qeverisë ruse.

Informacioni ishte ofruar gjatë 19 intervistave që prokurorët kanë zhvilluar me zotin Flynn, dhe përfshin dokumente dhe komunikime të tjera.

Dosja që Prokurori Mueller i ka dorëzuar gjykatës citon ndihmën e konsiderueshme të zotit Flynn në disa hetime që ende po vazhdojnë, karakterin e tij dhe karrierën e gjatë ushtarake, për rekomandimin që zoti Flynn të mos kalojë asnjë ditë në burg.

Këtë javë, ndërkohë që po largohej nga një gjykatë e Uashingtonit, Michael Flynn u prit nga disa protestuesit që bënin thirrje për burgusojen e tij.

“Burgoseni këtë kriminel të dënuar”, thërrisnin protestuesit.

Rekomandimi i Prokurorit Mueller brenda 13 ditëve do të dërgohet tek gjykatësi federal që po mbikqyr dënimin e zotit Flynn. Ai mund të dënohet me nga zero deri në gjashtë muaj burg, kur të paraqitet para gjykatës në Uashington.

Michael Flynn ishte Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë për më pak se një muaj para se Presidenti Trump ta shkarkonte atë për shkak se ai e kishte gënjyer Nënpresidentin Pence dhe zyrtarë të tjerë në lidhje me kontaktet e tij me ambasadorin rus.

Presidenti Trump e ka quajtur hetimin një gjueti shtrigash dhe ka mohuar akuzat për koordinim mes fushatës së tij dhe zyrtarëve rusë për të siguruar fitoren në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Biden paralajmëron kandidaturën: Jam personi më i kualifikuar për të qenë President i SHBA

Ish-nënpresidenti amerikan Joe Biden tha të hënën në mbrëmje se vendimi për të kandiduar për President në vitin 2020, do të varet nga fakti nëse ai apo familja e tij janë “gati”, megjithëse e vuri theksin tek përgatitja e tij.


“Mendoj se jam personi më i kualifikuar në vend për të qenë president, tha zoti Biden para një audience në Missoula të Montanës.

“Çështjet me të cilat përballemi si vend sot, janë çështje për të cilat unë jam marrë gjithë jetën, përpjekjet e klasës së mesme, politika e jashtme. Por unë dhe familja ime duhet të vendosim së bashku nëse jemi gati. Ne çdo gjë e bëjmë si familje”.

Zoti Biden, nënpresident për dy mandatet e ish-Presidentit demokrat, Barack Obama, tha se do të merrte një vendim për fushatën e vitit 2020 campaign brenda gjashtë javësh ose dy muajsh.

“Kam një mbesë dhe një nip të cilëve u ka vdekur i ati, që më duan dhe duan që të jem pranë tyre. Unë dua të jem i pranishëm të kujdesem për ta, prandaj duhet të shikojmë nëse mund ta realizojmë këtë si familje”, tha ai, duke iu referuar fëmijëve të djalit të tij Beau Biden, që vdiq në vitin 2015 nga kanceri në tru.

Zoti Biden ka thënë se për shkak të vdekjes së tij, nuk kandidoi për president në vitin 2016.

Shumë analistë mendojnë se ai do të kandidojë në vitin 2020. Sipas një sondazhi nga Reuter/Ipsos në nëntor, zoti Biden kryeson mes kandidatëve të mundshëm demokratë./VOA

Pompeo vë në pikëpyetje rendin e tanishëm botëror

Sekretari amerikan i Shetit Mike Pompeo vuri në pikëpyetje rendin e tanishëm botëror dhe tha se Shtetet e Bashkuara po marrin veprime konkrete për reformimin e institucioneve globale.

Këto komente zoti Pompeo i bëri në takimin e zhvilluar në Fondin Gjerman Marshall në Bruksel. Sekretari amerikan i Shtetit tha se Kina, Irani, Rusia dhe vende të tjera kanë shkelur traktate dhe marrëveshje shumëpalëshe, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë për t’i pranuar më këto shkelje. Ai fajësoi mungesën e udhëheqjes amerikane dhe europiane në çështjet botërore gjatë 30 viteve të fundit .

Pompeo tha gjithashtu se Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Bashkimi Afrikan dhe Banka Botërore kanë nevojë për reforma. Ai la të kuptohet se Organizata Botërore e Tregtisë nuk është duke ndjekur rregullat e veta në rastin e Kinës. “Rusia, – tha ai, – po shkel traktatet kryesore të kontrollit të armëve, ndërsa Irani nuk po përfill Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kina, Irani dhe Rusia i kanë mohuar këto akuza, të ngritura shpesh nga Shtetet e Bashkuara. “Kur shkelen traktatet, shkelësit e tyre duhen konfrontuar dhe traktatet duhen rregulluar, ose prej tyre duhet hequr dorë,”- tha zoti Pompeo.

Aleatë dhe kundërshtarë e kanë akuzuar administratën Trump për sulme ndaj rendit botëror, përmes qëndrimeve të njëanshme ndaj disa çështjeve, si marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Por zoti Pompeo i hodhi poshtë këto kritika, duke thënë se administrata Trump do ta rikthejë udhëheqjen botërore, duke i ekspozuar vendet që kanë shfrytëzuar dobësitë e institucioneve globale.


Send this to a friend