VOAL

VOAL

Vuçiçi telefonatë Putinit: Njohja e Kosovës nga BE gabim fatal, u hap ‘kutia e Pandorës’

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin, ku ndër temat e diskutuara mes tyre ka qenë edhe pavarësia e Kosovës. Duke iu referuar referendumit në Katalonia, dy liderët thanë se njohja e pavarësisë së Kosovë nga BE ishte një gabim fatal që ka hapur ‘kutinë e Pandorës’.

“Pas referendumit në Katalonja është kuptuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga disa vende të Bashkimit Evropian dhe të botës ishte veprim dhe gabim fatal, sepse ata kanë hapur ‘kutinë e Pandorës’ me pasoja të paparashikueshme”, është thënë gjatë bisedës telefonike në mes dy liderëve, shkruan ‘Novosti’.

Sipas gazetës, gjatë bisedës në rusisht e cila ka zgjatur 30 minuta, Putin ka shprehur dëshirën për të diskutuar për krizën spanjolle dhe atë se çfarë rreziku e pret Evropën.

Po ashtu, thuhet se Putin ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj popullit serb dhe ka konfirmuar dëshirën e ndërsjellë se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses.

Kotzias: Shqiptarët zgjohen me muzikë greke, hanë sufllaqe e pastaj na shajnë

Në Selanik është mbajtur Samiti i vendeve të Ballkanit ku u diskutua për forcimin e sigurisë, marrjen e masave për refugjatët dhe bashkëpunimin mes vendeve në fusha të ndryshme.

Në këtë takim ku ka qenë edhe pala shqiptare, është diskutuar për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, në një prononcim të shkurtër për televizionin “Star” ka deklaruar se çfarë i shprehu homologu i tij shqiptar gjatë samitit në Selanik.

“Jetojmë në paradoksin që zgjohemi në mëngjes me muzikë greke për të shkuar me energji në punë dhe më pas na shajnë. Pastaj dalin për kafe dhe hanë një sufllaqe greke dhe në fund të ditës përsëri flasin keq për ne. Ekziston një paradoks”. Kështu është shprehur ministri Kotzias për raportet mes shqiptarëve dhe grekëve.

Në Samitin e Selanikut, Shqipëria dhe Greqia kanë biseduar në veçanti për bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe të repartit të zjarrfikësve. Gjatë verës, vendi ynë u përball me zjarre të shumta, ku u kërkua ndihma e Greqisë përmes avionëve që kontribuuan në fikjen e flakëve në jug të vendit.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë nga Maqedonia dhe Bullgaria.

Rusia ngjall frikë, pas dy avionëve MIG sjell armatim të rëndë në Serbi

E frikësuar prej ndikimit të NATO-s dhe BE-së, Rusia bëri këtë javë dërgesën e parë të premtuar, të avionëve luftarakë në Serbi, ndërsa më shumë automjete ushtarake dhe mbrojtje kundër-ajrore pritet t’i dërgohen aleatit të vjetër rus në të ardhmen e afërt, teksa në Ballkan tensionet sa vijnë e rriten, sipas Associated Press.

Rusët dërguan dy avionë MiG-29, të cilët u çmontuan dhe u transportuan në një aeroplan transporti, teksa katër të tjerë pritet të mbërrijnë deri më 20 tetor, në kohën e vizitës së ministrit rus të mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Rusia ofroi avionët me dy motorë, në gjendje të arrijnë shpejtësi maksimale prej më shumë se 1.400 milje në orë dhe që fillimisht debutuan në kulmin e Luftës së Ftohtë në vitet 1970, pa pagesë, megjithëse kostoja e Serbisë për rregullimin dhe modernizimin e avionëve mund të shkojë rreth 236 milionë dollarë.

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë lirinë dhe pavarësinë tonë”, tha Presidenti serb Aleksander Vuçiç.

Marrëveshjet e armëve, të cilat aktualisht përfshijnë bisedime për të siguruar sistemin e raketave tokë-ajër S-300 të Rusisë, të lëvizshme dhe në gjendje të godasin në rreze të gjata, konsiderohen si një mënyrë për Rusinë, që ta mbajë Serbinë brenda sferës së saj të influencës dhe të krijojë distancë, midis vendit ballkanik dhe NATO-s dhe BE-së.

Afrimi me Rusinë për qëllime të mbrojtjes, pas viteve të tëra luftë me fqinjët Kroacinë, Bosnjen dhe Kosovën në vitet 1990, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, mund të vërë në provë Serbinë, pasi shumë serbë mbeten skeptikë për t’u bashkuar me BE.

Serbia nuk është anëtare e plotë e NATO-s, por ka qenë pjesëmarrëse aktive në programin jo-ushtarak Partneritet për Paqe të organizatës, që nga firmosja në dhjetor 2006.

Por Serbia është në negociata për t’u futur në BE – një aleancë ekonomike pra, ndryshe nga NATO-ja – me bisedimet që pritet të finalizohen deri në vitin 2019. Beogradi mori mbështetje të martën nga kryeministrat e tre vendeve të BE, Bullgari, Greqi dhe Rumani.

“Të gjithë e dimë se vendi i natyrshëm i Serbisë është në Bashkimin Evropian”, tha Kryeministri bullgar Bojko Borisov.

Marrëdhëniet me BE-në, megjithatë, nuk janë më të mirat për momentin. Vuçiç shprehu zhgënjim të martën mbi vendimin e BE për të mos njohur referendumin e pavarësisë të Katalonjës – një përpjekje e fundit për t’u larguar nga Spanja – ndërkohë që po BE, mbështeti shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në 2008.

“Kosova fitoi pavarësinë pa mbajtjen e referendumit, por Katalonja … nuk mund të marrë diçka të tillë”, tha Vuçiç. “Nganjëherë, ne, serbët, pyesim veten pse duhet të jemi viktimë e standardeve të dyfishta?” / Newsweek – Bota.al

Qeveria serbe të premten formon grupin që do të organizojë debate për Kosovën

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq paralajmëroi sot se Qeveria e Serbisë shumë shpejt do ta zgjedhë grupin punues që do të duhet t’i japë përkrahje presidentit serb Aleksander Vuçiq gjatë dialogut të brendshëm për Kosovën, transmeton Gazeta Express.

Bërnabiq u tha gazetarëve në Pallatin Serbia në Beograd se janë duke u pritur vetëm edhe mendimet e ministrive përkatëse dhe se kjo çështje mund të gjendet në rend dite të Qeverisë së Serbisë qysh të premten, ose gjatë javës së ardhshme.

“Kryesisht, kjo do të bëhet shumë shpejt, ndërsa Grupi punues menjëherë do ta nisë punën, respektivisht do të bëjë plane për bisedime në mbarë Serbinë. Kur ta harmonizojmë kalendarin dhe vendet edhe me presidentin e Republikës dhe me organizatat që duan të marrin pjesë në dialog, do të nisë faza e dytë e dialogut”, tha kryeministrja serbe, duke theksuar se kjo gjithsesi do të ndodhë gjatë muajit tetor.

Kroaci: Presidenca konfirmon shtyrjen e vizitës së Vuçiçit

Pamje nga një takim i mëparshëm i presidentes kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq

Kabineti i presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, sot zyrtarisht ka konfirmuar se është shtyrë vizita e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, në Zagreb.

“Për arsye të zhvillimit më të ri dhe atmosferës e cila nuk i kontribuon ndërtimit të besimit reciprok, presidentja e Republikës së Kroacisë ka vlerësuar se në këtë moment nuk ekzistojnë parakushte për realizimin e vizitës. Në kontaktet e të dy kabineteve është arrituir pajtueshmëri për shtyrjen e vizitës, e cila ishte e planifikuar deri në fund të këtij viti”, thuhet në deklaratën e palës kroate, që është nënshkruar nga Ivana Cërniq, zëdhënëse e presidentes kroate.

Në këtë deklaratë pastja theksohet se Kolinda Grabar-Kitaroviq, disa herë ka theksuar se dialogu nuk ka alternativë në raportet me të gjithë fqinjët, përfshirë Serbinë, dhe se me nënshkrimin e “Deklaratës së Suboticës” kanë filluar të krijohen parakushtet për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Hap pas në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Beogradi do kërkojë nga BE të rishqyrtojë njohjen e Kosovës

Beogradi zyrtar do t’i dërgojë një letër 22 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të rishqyrtojnë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pas rastit të pavarësimit të Katalonisë.

Siç mëson “Novosti” serb, kjo kërkesë e presidentit Aleksander Vucic do t’i bëhet BE-së pas mesazhit të Brukselit, i cili ka thënë se Kosova dhe Katalonia nuk janë raste të njëjta.

Letra e cila do të dorëzohet në selinë e BE-së më 10 dhe 11 tetor nga vet kryeministrja serbe, Ana Brnabic, ku njëra nga pyetjet është “A vlen sistemi i drejtësisë ndërkombëtare vetëm për shtetet e BE-së apo për të gjithë”.

Ky veprim i serbëve do të bëhet me shumë kujdes, në mënyrë që kurrsesi mos të dëmtohen spanjollët, të cilët janë në mesin e pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, pas Greqisë, Sllovakisë, Qipros dhe Rumanisë.

Presidenti Vucic ka thënë se nuk pret që Brukseli të reagojë pas letrës zyrtare që do të dërgoj Serbia, por sipas tij, është detyrë e tyre të mbrojnë interesat e vendit të tyre.

“Kemi gabuar në vitet 1999, 2004 dhe 2008 por më nuk do të ndodh. Për shkak të ndërgjegjes sonë jemi të detyruar të dërgojmë këtë letë, derisa shqiptarët mund të flasin atë që iu vije në mendje”, ka thënë Vucic.

Prokuroria kërkon që rasti “Monstra” të kthehet për rigjykim

Situata faktike e pasigurt, si dhe ekzistimi i mundshëm i bisedave të përgjuara që mund të ndryshojnë rrjedhën e procedurës, ishin arsyet e kërkesës së prokurores Spasovska

SHKUP – Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë ka mbajtur një seancë publike për rastin “Monstra” në të cilën prokurorja publike Liljana Spasovska kërkoi pezullimin e aktvendimit të shkallës së parë dhe të dytë dhe kthim të lëndës në vendosje të sërishme.

Situata faktike e pasigurt, si dhe ekzistimi i mundshëm i bisedave të përgjuara që mund të ndryshojnë rrjedhën e procedurës, ishin arsyet e kërkesës së prokurores Spasovska.

Sipas avokatit Gjorgji Nastevski, gjykata nuk ka pranuar më tepër fakte në ankesën për të cilat ata si mbrojtje konsiderojnë se do të ndikojnë në gjykim, konkretisht se do të dëshmohet pafajësia e tyre.

“Tani në veprim është këshilli gjyqësor dhe mendoj se ka shpresa që ajo të ndodhë dhe drejtësia të kthehet prapa për këtë lëndë. Unë në deklaratën time të parë kam thënë se ne jemi larg sundimit të ligjit, por tani unë do të thoja se ne jemi shumë në afërsi të sundimit të ligjit”, theksoi Nastevski.

Avokati Sashe Dukovski, pas seancës publike theksoi se një vendim i këtillë duhet të jetë praktikë në trajtimin e të gjitha procedurave nga Prokuroria Publike. “Ne mendojmë se gjykata e shkallës së parë dhe të dytë, si dhe Gjykata Supreme e Maqedonisë, gjykimin patjetër duhet ta bazojë në bazë të provave”, shtoi Dukovski.

Të gjykuarit për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës, të cilët edhe gjatë procedurës para Gjykatës Themelore, edhe para Gjykatës së Apelit pohuan se janë të pafajshëm, në seancën e sotme publike në Gjykatën Supreme sërish i hodhën poshtë akuzat.

Më 12 prill të vitit 2012 në liqenin e Smillkovës u vranë katër të rinj të moshës nga 18 deri në 21 vjeç nga lagjja Radishan e Shkupit si dhe një person i moshës 45 vjeçare nga fshati Creshevë

Për vrasjen e pesëfishtë në rastin “Monstra” me burg të përjetshëm u dënuan Halil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta. Vetëm i akuzuari i pestë Sejdi Rami mori akvendim lirues, “për shkak të mungesës së fuqishme të dëshmive të forta për konstatim të fajit”. aa

Mali i Zi i prerë: Nuk diskutojmë për demarkacionin, është çështje e mbyllur

Në lidhje me demarkacionin, për Kosovën vjen një porosi nga Mali i Zi. Kryeministri i këtij shteti, Dushko Markoviq, e ka porositur homologun e tij kosovar, Ramush Haradinajn, që të jetë më i përgjegjshëm në raport me këtë proces.

Deklarata e fundit e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi e bërë në Uashington se demarkacioni i kufirit me Malin e zi për SHB-atë është çështje e mbyllur, këtu në Podgoricë vlerësohet si një hap drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjes se kufirit ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri i malit e zi, Dushko Markovic, ka një porosi për qeverinë e Kosovës.

“Dua të porosis qeverinë e Kosovës, kryeministrin e ri që të jenë të përgjegjshëm ndaj kësaj çështje, sidomos të përgjegjshëm ndaj malit të Zi si shtet mik. Vend i cili ka mbështetur Kosovën dhe i ka mirëkuptuar rrethanat atje, por që për këtë çështje nuk mund të ketë negociata, pa marrë parasysh vendimeve që ata kanë marrë”- tha ai.

Mali i Zi, sipas Markovicit, e ka kryer punën e vet sa i përket demarkacionit.

“Çështja e ratifikimit të marrëveshjes është në kompetencë te institucioneve të Kosovës, shpresoj që rreth saj të sillen me përgjegjësi. I kuptoj rrethanat në Kosovë por Podgorica ka bërë të gjithën që është pjesë e saj dhe se për këtë çështje më nuk do të bisedohet, qoftë edhe për një centimetër”, ka thënë Markovic në një intervistë për Radiotelevizionin e Malit të Zi, njofton RTK.

Kosova dhe Mali i zi ende nuk e kanë përcaktuar vijën kufitare edhe pse marrëveshja mes dy shteteve është arritur tashmë.

Jeremiç: Ose Kosova në OKB, ose përkeqësim të marrëdhënieve me ndërkombëtarët

Kryetari i Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Vuk Jeremiç, ka paralajmëruar se në vitin 2018 Serbia do të përballet me një “situatë të vështirë”. Sipas tij, përcjell Telegrafi, kjo për faktin se do të duhet të zgjedhë mes pajtimit me anëtarësimin e Kosovës në OKB ose me përkeqësim të marrëdhënieve me faktorët kyç ndërkombëtarë.

Mysafir në Radio Televizionin e Vojvodinës, Jeremiç vlerësoi se situata pas referendumit mbi pavarësinë e Katalonjës ishte “shumë serioze” dhe se kjo mund të ndikonte në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, por shtoi se Serbia nuk përdor të gjitha mjetet diplomatike në situatën e sapokrijuar të cilat janë në dispozicion të saj.

“Pas konsultimeve urgjente me Presidentin e Serbisë, kryeministren Ana Brnabiç njoftoi në mënyrë dramatike se Serbia do të dërgonte një letër zyrtarëve në Bruksel, por unë nuk besoj se kjo letër do të na sjellë ndonjë përfitim dhe as nuk besoj se ndonjë vend do të tërheqë njohjen e Kosovës”, citohet të ketë thënë ish-kreu i diplomacisë serbe.

Bullgaria, Greqia dhe Rumania e mbështesin Serbinë në BE

Boyko Borissov

Kryeministrat e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë, kanë shprehur mbështetje për synimin e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se ky integrim do të ndihmonte në garantimin e sigurisë dhe paqes rajonale.

“Të gjithë ne e dimë se vendi natyror i Serbisë është në Bashkimin Evropian”, u tha mbrëmë gazetarëve kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, pas një samiti të mbajtur në qytetin bregdetar, Varna, në Bullgari.

Në këtë samit, po ashtu, kanë marrë pjesë, kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ai i Rumanisë, Mihai Tudose, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ky takim ishte fokusuar në projektet e përbashkëta të infrastrukturës, të ekonomisë, të energjsë dhe të sigurisë.

Borissov tha se të tri shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të punojnë për ta përshpejtuar procesin e prnaimit të Serbisë në BE, që aktualisht i ka 28 antarë.

Britania është në proces të largimit nga BE-ja.

Shkencëtarët turq zbulim të paprecedent në hapësirë

Një grup i fizikantëve të Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme (ODTÜ) në Turqi zbuluan një anomali rotacionale (glitch) të madhe në periudhën e rotacionit prej 18 minutash të yllit neutron SXP 1062 në sistemin e tij binar yjor

ANKARA – Një grup i fizikantëve të Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme (ODTÜ) në Turqi zbuluan një anomali rotacionale (glitch) të madhe në periudhën e rotacionit prej 18 minutash të yllit neutron SXP 1062 në sistemin e tij binar yjor, që paraqet njërën nga masat më të dendura në univers.

Me këtë zbulim i cili shkaktoi emocione të mëdha në botën shkencore, u zgjidhën të panjohurat lidhur me periudhën e yllit binar dhe përmbajtjen e dendur të substancave brenda yllit.

Ligjëruesi në Departamentin e Fizikës në Universitetin ODTÜ, Prof. Dr. Altan Baykal, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha se yjet me përmasa të mëdha të cilave u mbarojnë lëndët djegëse, bëjnë shpërthime të mëdha dhe se gjatë kësaj formohet një trup i ri qiellor.

Duke bërë të ditur se ky trup i ri mund të jetë një xhuxh i bardhë, yll neutron ose vrimë e zezë, Baykal thotë se yjet neutron të formuara në këtë mënyrë kanë fusha shumë të forta magnetike.

Sipas tij, yjet neutron të cilat për herë të parë në mënyrë observative janë zbuluar në vitin 1968, janë në diametër prej 10 kilometrash dhe se nën koret e tyre të cilat janë më të holla se një kilometër ndodhet një lëndë e lëngshme superfluide, Baykal thotë se në ODTÜ analizat e tilla lidhur me yllin neutron janë bërë duke i përdorur të dhënat arkivore të observuara nga satelitët me rreze X.

Ai u shpreh se pas observimeve trevjeçare kanë gjetur periudhën orbitale të yllit neutron të quajtur SXP 1062, i cili është një komponent i sistemit binar yjor.

“Si rezultat i observimeve kemi gjetur se periudha orbitale e këtij ylli neutron është 656 ditë. Në analizat kohore pamë se në periudhën e rotacionit të burimit e cila është 18 minuta, ka një rrëshqitje të madhe”, shtoi ai.

“E zbuluam për herë të parë”

Baykal tha se më parë në literaturën shkencore kishte informacione se këto yje të cilat tregojnë anomali në periudhën e rrotacionit janë yje neutron të vetme.

“Megjithatë, në analizat e bëra për herë të parë zbuluam që në njërin prej yjeve të yjeve binare ka një anomali rotacionale, e cila në anglisht quhet ‘glitch’. Në astronomi, yjet binare të cilat lëshojnë rreze X observohen me satelitë që nga viti 1973. Nga kjo kohë, për herë të parë ne si ekip i ODTÜ-së zbuluam një anomali të madhe në periudhën e rotacionit rreth vetes të një burimi në sistemin yjor binar”, thotë Baykal.

Ai thekson se kjo anomali buron nga ndërveprimi i masës së dendur brenda yllit, i cili nuk mund të observohet në laborator, me koren e saj. “Këtë mund ta imagjinojmë si një tërmet, por kur kjo ndodh në yll, shkakton një anomali të papritur në periudhën kohore”, shton ai.

Duke bërë të ditur se shkencëtarët e gjithë botës në astronomi janë në ndjekje të zbulimeve për yjet neutorn, Baykal thotë se kjo anomali rotacionale në yllin e neutronit më parë ishte një fshehtësi për botën e shkencës. aa

Serbia: Afatet po skadojnë, Kosova është dorëzuar për anëtarësimin në UNESCO

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaroi se “nuk ka asgjë” nga anëtarësimi i Kosovës në UNESCO.

Ai ka deklaruar se tashmë afatet po skadojnë dhe Kosova po dorëzohet për këtë çëstje, raporton Tanjug.

“Nuk ka asgjë, afatet po skadojnë, nëse do të donin Kosova do të aplikonte, kështu që ata kanë konsideruar se nuk duhet të synojnë. Ata janë dorëzuar tani”, tha Daçiç, transmeton lajmi.net.

Ramush Haradinaj gjatë vizitës në Tiranë para disa ditësh, deklaroi se “nëse jo në këtë herë, në asamblenë tjetër Kosova do të anëtarësohet në UNESCO”.

Ndërsa zyrtarë tjerë qeveritarë, ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se a do të aplikojnë për anëtarësim në UNESCO apo jo.

Jovanoviq: Më 1999 në Prishtinë bëmë kërdi! E therëm Aganin, gjysmën e familjes së Çekut! Nuk shkon më kështu!

Ditën e parë të luftës në vitin 1999 shkuam dhe vramë në Prishtinë gjithë çka ishte normale. U hynim anëtarëve të Komitetit për të drejtat e njeriut në shtëpi dhe ua nxirrnim nga banesat etërit dhe bijtë. E therëm Fehmi Aganin, ia vramë gjysmën e familjes Agim Çekut… Nuk mundet kjo kështu përjetë. Tani kjo po zgjidhet.

Kështu, siç transmeton Expressi, në një intervistë për revistën “Nedeljnik”, thotë lideri i Partisë Liberale-Demokratike serbe Çeda Jovanoviq, i njohur për deklaratat e tij se, sikur të ishte kryeministër i Serbisë, do ta njihte Kosovën.

“Deri në shtator të vitit të ardhshëm duhet ta zgjidhim agoninë kosovare ose amerikanët dhe Evropa do ta bëjnë këtë pa ne”, thotë politikani kontrovers serb në intervistën e gjatë, pjesë të së cilës Gazeta Express transmeton në vazhdim.

“Për mua është marrëzi e pafund ajo që e bëjnë Jankoviqi, Tadiqi, pothuajse të gjithë, ai ortek i marrëzive me të cilin refuzohet thirrja e Vuçiqit për bisedime rreth Kosovës”.

“Kosova na ofron mundësinë që në kohë të ndalur t’i shpëtojmë fatit të popullit që po zhduket”.

“Për këtë në masën më të madhe vetë e kemi fajin. Si dhe atëherë kur e vramë Gjingjiqin dhe u kthyem për të jetuar si katërkëmbësh. Ç’kemi ne sot të flasim për Kosovën kur s’kishim ç’të flasim as para 10 viteve? Ndërsa edhe atëherë ishte vonë”.

“Edhe guri i turshisë me lakra e di se kam të drejtë për Kosovën!”.

“Vijnë e thonë: Vuçiq, Haradinaj do të jetë kryeministër, do të bisedosh me Thaçin dhe do ta nënshkruash këtë, kurse serbët do të hyjnë në qeverinë e Kosovës. Nëse s’do, rezultati është ky: Haradinaj është kryeministër, kurse nga serbët në Kosovë do të mbeten vetëm varret. Njëjtë do të jetë edhe me Republikën Sërpska”.

“Vuçiqi thotë: duhet patjetër ta zgjidhim Kosovën. Po, unë këtë e flas tërë jetën! Pse këtë s’e shqiptoi Tadiqi, por thotë se Beogradi do të digjej? E po, le të digjet! Thua të kështu nuk do të digjet”.

“Këtu do ta bëjnë të njëjtën gjë si në Maqedoni: do të thyejnë gjithçka që duhet të bëjnë në mënyrë që të ndjehen të sigurt dhe do ta lënë një popull të sakatuar që të kalbet, që edhe më marroqit t’ia tërheqin vërejtjen se si kalojnë ata që nuk përshtaten”.

Për kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, Jovanoviqi thotë se “ka më shumë pushtet se gjermanët kur e pushtuan Serbinë në vitin 1941”. Por, parashikon politikani 46-vjeçar, “as ai s’e ka shumë të gjatë.

“Ne kemi ministër të punëve të jashtme të cilit bashkëpunëtorja ia përkthen se çfarë flet kryetari i tij në OKB. Daçiqi madje as Vuçiqin nuk e kupton. Dhe për ne kjo është normale. Ose na duket normal Vuçiqi i cili i bën të gjitha ato që i bën”.

“Ne e bëmë shkrumb një vend, vramë qytete të tëra. Ajo e keqe është këtu në ne”.

“Kur do ta kemi luftën e radhës, se po bëhen 20 vjet që s’kemi pasur? Tamam të na rriten fëmijët për pushkë”, e përfndon Çeda Jovanoviq intervistën e gjatë për “Nedeljnik”./Gazeta Express/

Autostrada Durrës – Prishtinë së shpejti zgjatet deri në Nish

Autoritetet kompetente në Prishtinë, kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës Prishtinë – Merdare – Nish. Kjo autostradë është vazhdimësi e projektit rajonal Durrës – Prishtinë – Nish.

Kjo autostradë në territorin e Kosovës njihet me emrin “Ibrahim Rugova” dhe deri në këtë fazë punimet kanë përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet në magjistralen Prishtinë – Podujevë.

Ndërkaq mbetet të kryhen punimet edhe në rreth 26.8 kilometra tjera të papërfunduara deri në Merdarë, në kufi me Serbinë.

Kjo autostradë fillimisht ishte një projekt që lidhte Kosovën dhe Shqipërinë, e njohur si “Rruga e Kombit”. Por, ndërkohë ishte mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor.

Ministria e Infrastrukturës, në Qeverinë e Kosovës tashmë ka përzgjedhur një kompani konsulente për hartimin e projektit, i cili ka filluar gjatë këtij muaji dhe do të zgjasë 14 muaj, thuhet në një përgjigjeje nga kjo ministri për Radion Evropa e Lirë.

Kompania konsulente ka kryer studimin e disa alternativave të korridorit të ardhshëm të autostradës Besi – Merdare. Këto alternativa të këtij korridori janë vlerësuar sipas një mekanizimi të përbërë nga kriteret teknike, financiare, sociale, mjedisore dhe të sigurisë dhe në bazë të të gjeturave është përgatitur raporti final,me variantin më të favorshëm, i cili është miratuar nga Ministria e Infrastrukturës”, thuhet në përgjigje.

Edhe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të këtij projekti, para 10 ditësh ka përuruar segmentim e parë të autostradës Nish- Prishtinë.

Projekti i Bashkimit Evropian për ndërtimin e autostradës që do të lidhë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, për përfaqësues të komunitetit të biznesit shihet si një nga mundësitë më të mira që duhet shfrytëzuar për bashkëpunim rajonal në fushën e infrastrukturës dhe ekonomisë.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se përmirësimi i infrastrukturës rrugore ndihmon në lehtësimin e qarkullimit të produkteve të Kosovës jashtë vendit dhe anasjelltas.

Projektet infrastrukturore me vendet e rajonit, mund të them se janë arteriet e ekonomisë. Pasi Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, (MSA) dhe produktet tona duhet të gjejnë rrugën në tregun evropian. Pra, do të ishte e mirëseardhur kyçja deri në Nish e autostradës që produktet tona t’i eksportojmë edhe në Evropë”, tha Hoxha.

Bashkimi Evropian, në mars tëvitit 2015, pas një konference ndërministrore të gjashtë vendeve Ballkanike, të mbajtur në Prishtinë, ka premtuar se është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, në rrjetin bazik të Ballkanit Perëndimor, projektet që janë përmendur se do të mbështeten, përveç autostradës që lidhë Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, janë edhe linjat hekurudhore në Ballkan e deri te mbështetja e projekteve të përbashkëta të energjisë.

Kroaci: “Kapiten Dragani” është dënuar me 15 vjet burg

Dragan Vasilkoviq (djathtas) në një gjykatë në Split

Njëri prej komandantëve të formacioneve paraushtarake serbe gjatë luftës në Kroaci, Dragan Vasilkoviq, i njohur si “kapiten Dragani” sot nga një gjykatë në Split është shpallur fajtor për krime të luftës kundër ushtarëve dhe civilëve kroatë.

Vasilkoviq është dënuar me 15 vjet burg, kanë raportuar mediat lokale.

Aktakuza e ngarkonte atë për krime të luftës të kryera në mes të vitit 1991 në burgun e Kninit, dhe në vitin 1993, në një lokalitet afër Benkovcit, ku i ka torturuar, keqtrajtuar dhe vrarë, pjesëtarët e burgosur të ushtrisë dhe policisë kroate.

Në fjalën e tij përfundimtare, Dragan Vasilkoviq, javën e kaluar, i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa procesin gjyqësor e ka cilësuar si “ndjekje të tmerrshme fashiste”.

Ai theksoi, po ashtu, se është viktimë e procesit të montuar politik dhe se i janë marrë 12 vjet të jetës së tij, aq sa i ishin dashur Australisë, ku jetonte, që të vendoste për ekstradimin e tij në Kroaci.

Aleksandër Vuçiç: Kosova anëtare e OKB-së vetëm me marrëveshje

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka vazhduar të flasë për vizitën në New York pas kthimit në Serbi. I pyetur rreth çështjes së lobimit, që sipas gazetarëve serbë, janë duke e bërë përfaqësuesit e Kosovës, Vuçiçi ka thënë se kjo nuk përbën asnjë risi.

Vuçiçi ka thënë se nuk do të vinte bast rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës.Por, përherë të parë ai ka paralajmëruar mundësinë që Kosova të jetë anëtare me anë të një marrëveshje. Sipas tij, kjo nuk mund të ndodhë në rastin kur Kosova i fiton të gjitha e Serbia asgjë.

“ Pothuajse jam i sigurt se nuk ka asgjë nga anëtarësimi i Kosovës në OKB. Vetëm nëse ne nuk arrijmë ndonjë marrëveshje, e kjo nuk mund të arrihet nëse dikush mendon se Serbia i humb të gjitha, e shqiptarët t’i fitojnë të gjitha. Mendojnë se gjërat këtu janë të qarta, nuk ka asgjë nga kjo punë” ka thënë ai.

Serbia ka angazhuar “armatë” diplomatësh kundër Kosovës në UNESCO

Serbia vazhdon të lobojë kundër Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ata madje shprehen të bindur se Kosova nuk do të anëtarësohet as kësaj radhe.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se pretendimi i Prishtinës se kishin votat e mjaftueshme për UNESCO, është një gënjeshtër e madhe.

“Në të gjitha takimet që presidenti dhe unë kemi pasur, është diskutuar edhe kjo temë”, tha Daçiq, i cili ndodhet në Nju Jork si pjesë e delegacionit serb, të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, duke marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shkruan Beta.

Sipas Beta, ministri tha se zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili e bëri kërkesën më herët gjatë ditës, dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, do të humbasin në UNESCO, ashtu siç bënë dy vjet më parë.

“Një numër i madh i miqve tanë jo vetëm që kanë një pozitë të pandryshuar në drejtim të kundërt (ofertës së Prishtinës), por shumë vende kanë ndryshuar pozicionin e tyre në një drejtim pozitiv për Serbinë, që kjo vlen për vendet që abstenuan (në vitin 2015) kundër pranimit të Kosovës në UNESCO”, tha Daçiq, transmeton Tribuna.

Ai shtoi se Prishtina, nëse dëshiron që UNESCO të vendosë për ofertën e saj këtë vit, duhet të paraqesë një kërkesë deri në mes të tetorit. Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s më pas do të mbahet në nëntor dhe tjetra në vitin 2019.

“Deri tani nuk ka pasur lëkundje se ato do të anëtarësohen, mendoj se ata kanë frikë të humbasin. Unë nuk u rekomandoj atyre të paraqesin kandidaturën e tyre”, përfundoi Daçiq.

Në një deklaratë për të përditshmen me qendër në Beograd, Blic, Ivica Daçiq tha se Kosova do të humbasë betejën çdo herë kur është fjala për t’u anëtarësuar në UNESCO.

“Ata humbën në konferencën në Paris (në 2015), ata do të humbasin tani dhe çdo herë”, tha Daçiq, duke komentuar deklaratën e Pacollit.

“Ata nuk kanë mjaft (vota) për UNESCO-në, Pacolli mendon se mund të zgjidhë gjithçka me para, por nuk është kështu, kemi fituar dy vjet më parë, edhe pse vendet më të forta i kanë mbështetur”, tha Dacic.

Ai kujtoi se rreth 30 diplomatë të Ministrisë së Jashtme kanë lobuar dhe shtoi se nuk ka asnjë shans që Prishtina të merr mjaft vota.

Flija, tradita shekullore e shqiptarëve në Turqi

Shqiptarët të cilët janë vendosur në Niksar të qytetit Tokat, vazhdojnë të bëjnë fli si një prej gatimeve më të veçanta kryesisht për të ftuarit

Flija e cila bëhet në rajonin Niksar të qytetit Tokat të Turqisë ku jetojnë shqiptarët e ardhur nga Kosova vazhdon të ruajë vendin e tij në mesin e shijeve të patjetërsueshme të qerasjeve.

Shqiptarët të cilët janë vendosur në Niksar duke emigruar nga Kosova në vitin 1912, vazhdojnë të ruajnë traditën dhe bëjnë byrekun fli si një prej gatimeve më të veçanta kryesisht për të ftuarit.

Flija e cila tërheq vëmendjen me shërbimin dhe përgatitjen që nevojitet në një proces të lodhshëm përbëhet nga mielli, kripa, gjalpi, kajmaku dhe qumështi.

Brumi i përgatitur pasi vendoset në tepsi lihet për tu pjekur në prushin e druve. Saçi i përgatitur posaçërisht për gatimin e flisë pasi është nxehur në prush vendoset mbi tepsinë ku ndodhet brumi.

Flija ka 7-8 shtresa dhe duke hedhur brumë mbi brumin e pjekur piqet afërsisht për 3 orë, dhe pas pjekjes ai shërbehet për të ftuarit, mysafirët duke i shtuar kajmak dhe qumësht.

“Një prej gatimeve që pëlqehet më shumë nga shqiptarët”

Kryetari i Shoqatës Kulturore për Solidarizim dhe Ndihmë Niksar Kapıağzı, Nazım Aydın në një deklaratë për AA është shprehur se banorët e fshatit Kapıağzı përbëhen nga njerëzit e ardhur nga rajoni Ballkanit dhe Anadollit lindor.

Duke vënë në dukje se shqiptarët në fshat kanë ardhur nga Kosova në vitin 1912, Aydın, ka theksuar se ata vazhdojnë jetën në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe farefisnore.

“Popullsia e Kapıağzı-it i cili në një kohë ishte një prej fshatrave më të mëdha të rajonit Niksar, është pakësuar në vitet e fundit me largimin e të rinjve jashtë. Nga fshati Kapıağzı i cili mbart në ditët e sotme traditat rrënjësore parashikojmë se janë shpërndarë në Stamboll rreth 500 familje dhe në qytetet Ankara, Adapazarı dhe të tjerë rreth 1000 mijë familje”, është shprehur Aydın, duke treguar se fshati i cili në vitin 1912 ishte me 75 familje në ditët e sotme ka 150 familje.

Pasi ka vënë në dukje se në kulturën shqiptare të vjen në mendje flija, Aydın ka theksuar se, “Fli-ja nuk bëhet gjithmonë. Është një ushqim i cili përgatitet kryesisht për mysafirët. Teksa në ditët e sotme flitet për ushqimet e kulturave që kanë humbur veçoritë e tyre, kjo gjë nuk mund të flitet për Kapıağzı, sepse shqiptarët ndoshta janë elementi i vetëm që kanë mbartur në ditët e sotme kulturën e 100 viteve më parë”.

Ndërsa 63 vjeçarja Nazmie Özdek e cila bën fli në fshatin Kapıağzı, është shprehur se ky ushqim është gatimi më i mirë dhe i shijshëm i shqiptarëve.

Duke theksuar se mund ta bëjnë vetëm në ditë të veçanta për shkak se flija kërkon një angazhim të vështirë, Özdek ka shtuar se, “E pëlqejmë shumë flinë. Është një prej gatimeve që shqiptarët pëlqejnë më shumë. Kudo që ka vizitë të ndonjë mysafiri me rëndësi gatuhet flija”.

Nga fundosja e anijes – së paku 21 emigrantë të vdekur

Ilustrim i udhëtimit të rrezikshëm të migrantëve nëpër det

Një anije e peshkatarëve duke bartur emigrantë është fundosur dje në bregdetin e Turqisë në Detin e Zi, me ç’rast u vranë së paku 21 vetë dhe 5 të tjerë konsiderohen të zhdukur, ka njoftuar roja bregdetare e Turqisë.

Së paku 40 vetë janë shpëtuar nga anijet e shërbimit kufitar të Turqisë dhe të anijeve komerciale, ka thënë Komanda e rojës bregdetare të Turqisë.

Anija e peshkatarëve është fundosur pak kohë para agimit të djeshëm afër bregdetit në Kefken, që është 200 kilometraa në lindje të Stambollit, kanë thënë autoritetet turke.

Autoritetet lokale thanë se pjesa më e madhe e emigrantëve ishin irakianë, që përpiqeshin të kalonin në Rumani, shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Kapiteni i anijes ishte sirian dhe policia është në kërkim të trafikantëve të tjerë.

Kohëve të fundit, gjithnjë e më tepër emigrantë po përpiqen të kalojnë nga Turqia në Detin e Zi dhe të arrijnë në Rumani.

Më se 830 emigrantë janë zënë në det së bashku me 10 trafikantë të dyshuar, derisa përpiqeshin të kalonin nëpër Detin e Zi gjatë 7 incidenteve të ndara ndërmjet 13 gushtit dhe 9 shtatorit, kanë thënë zyrtarët e Turqisë.

Turkish Airlines do të blejë 40 avionë të rinj Boeing 787

Theksohet se vendimi për blerjen e avionëve të rinj është sjellë në kuadër të përgatitjeve për zgjerimin e kapaciteteve të Turkish Airlines, pas hapjes së aeroportit të tretë në Stamboll i cili është në ndërtim e sipër

ANKARA – Kompania ajrore turke, Turkish Airlines sot ka njoftuar se do të blejë 40 avionë të ri Boeing 787-9 Dreamliner.

Në kumtesën e kompanisë theksohet se vendimi për blerjen e avionëve të rinj të pasagjerëve kompanisë Boeing është sjellë në kuadër të përgatitjeve për zgjerimin e kapaciteteve të Turkish Airlines, pas hapjes së aeroportit të tretë në Stamboll i cili është në ndërtim e sipër.

Drejtori i Turkish Airlines, Ilker Ayci, tha se kompania ka në plan të investojë 1 miliard dollarë në zgjerimin e kapaciteteve për të përmirësuar shërbimet.

Zëvendësdrejtori i Boeing, Ray Conner, tha se kompania ishte e kënaqur me negociatat që ishin në përputhje me planin e tyre të zgjerimit në tregun turk.

Në Njoftim më tej theksohet se marrëveshja për blerjen e avionëve të rinj duhet të përfundojë deri në vitin 2023. aa

Kryeministrja serbe për herë të parë në marshin e komunitetit LGBTQ

Marshi i komunitetit LGBT në Serbi

Për herë të parë në Serbi, një kryeministër serb do të marrë pjesë në paradën vjetore të homoseksualëve, e cila në të kaluarën është përcjellur me dhunë.

Një deklaratë e qeverisë serbe, thotë se Ministri i Punës, Zoran Djordjevic dhe Ministri i Administratës Shtetërore, Branko Ruzic, do t’i bashkohen kryeministres, Ana Brnabic në paradë.

Marshit do t’i bashkohet edhe kryetari i Beogradit, Sinisa Mali.

41 vjeçarja, Brnabic ishte bërë subjek i lajmeve ndërkombëtare në qershor, kur ajo ishte përzgjedhur si kryeministre e vendit, për të zëvendësuar, Aleksandër Vuçiq, pasi ai ishte përzgjedhur president.

Brnabic, javën e kaluar i kishte quajtur ‘të pakuptimta” akuzat, se ajo ishte zgjedhur vetëm për shkak të orientimit të saj seksual, dhe sa për ta përmirësuar imazhin e Serbisë tek Bashkimi Evropian.

Patriarku Irinej: Të kthejmë sa më shumë serbë në Kosovë, Rusia do të na ndihmojë

“Besoj se presidenti ynë mendon ashtu siç mendon Kisha dhe populli serb”, tha patriarku serb Irinej, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë mendon për dialogun e brendshëm për zgjodhjen e çështjes së Kosovës.

Në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”, patriarku thotë se “shpresojmë që Rusia do të na ndihmojë të ruajmë atë që gjithmonë ishte e jona”.

“Tragjedia dhe problemi ynë janë se populli nuk është kthyer. Zgjidhja e parë dhe detyra kryesore është të kthejmë sa më shumë njerëz në Kosovë”, tha patriarku.

Patriarku ka thënë se “populli serb asnjëherë nuk ka pësuar sikurse në kohën tonë”, duke përmendur humbjen e Kosovës.

“Edhe sot po pësojmë, por shpresa jonë e madhe është, në emër të Zotit, se nuk do të na lëshojnë me kusht që ne të mos heqim dorë nga Zoti”, porositi patriarku. /Telegrafi

Kryetari i Listës Srpska thotë në Paris se Kosova është zemra e Serbisë

Kryetari i Listës Srpska, Goran Rakic njëkohësisht kryetari Mitrovicës së Veriut, në një takim që e zhvilloi mbrëmë në Paris, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori serb në UNESCO, Darko Tanashkoviq, ka thënë se Kosova është zemra e shtetit të Serbisë, kulturës, religjionit dhe jetës.

Mbrëmë në Paris është shfaqur premiera e filmit të regjisorit Boris Malagursky, i titulluar “Kosova – një rast civilizimi”, të pranishëm në premiere ishin edhe kryetari i Listës Srpska, Goran Rakic dhe ambasadori serb në UNESCO, Darko Tanashoviq.

“Derisa bien kambanat në Tempullin e Shën Dimitrusit në Mitrovicë, të valojë flamuri në fortesën e Zveçanit dhe të mbahet liturgji në Visok të Deçanit, serbët do të kenë një udhërrëfyes mbi të tashmen dhe të ardhmen”, citon portali serb i Mitrovicës së Veriut, kryetarin e tyre, Rakic, transmeton Gazeta Express.

Gjithashtu, ai tha se Kosova është zemra e shtetit të Serbisë, e kulturës, religjionit dhe e jetës.

“Kosova është zemra e shtetit të Serbisë, kulturës, religjionit dhe jetës. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare është obligim për qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë, si për paraardhësit ashtu edhe për pasardhësit”, ka thënë Goran Rakic.

Ditë më parë, Rakic ishte në Moskë, ku u takua me përfaqësuesit e Presidentit rus, Vladimit Putin, nga të cilët thuhet se ka marrë mbështetje.

Hahn në Beograd: Së pari marrëdhëniet me Kosovën, pastaj anëtarësimi në BE

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn i bëri thirrje Serbisë që të forcojë sundimin e ligjit, të punojë për një treg të përbashkët rajonal dhe të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në mënyrë që të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Komisionari Hahn i cili qëndroi të premten në Beograd, mirëpriti nismën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për hapjen e dialogut brenda serb për të ardhmen e marrëdhënieve me Kosovën.

Kosova e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 nga shumë serb shihet “djepi i Serbisë” dhe Beogradi i mbështetur nga Moska vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.

Por, Serbia u përfshi në një proces bisedimesh me Kosovën që i mundësuan hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës i siguruan marrëveshjen e stabilizim asocimit me BE-në. Udhëheqësit serb besojnë se viti 2025 mund të jetë periudhë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komisionari Hahn tha se bisedimet për anëtarësim duhet të përfundojnë dy vjet para vet datës së anëtarësimit.

Beogradi e sheh si pjesën më të vështirë të këtyre bisedimeve kapitullin 35 që ka të bëjë me Kosovën.

Bashkimi Evropian nuk i ka kërkuar drejtpërdrejt Beogradit njohjen e pavarësisë së Kosovës, por kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

“Bashkimi Evropian duhet të shohë një normalizim përfundimtar, detyrues të qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, para anëtarësimit të Serbisë. Të jem tërësisht i sinqertë, nuk duam ta importojmë atë problem nëpër derën tonë të prapme”, tha komisionari Hahn.

Ai vuri theksin edhe tek harmonizimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Hahn: Turqia është partner kyç i BE-së në një rajon strategjik

“Turqia është partner kyç i BE-së në një rajon strategjik.  Ne jemi partnerë. Është një partneritet i vështirë por ne zhvillojmë bashkëpunime rreth shumë çështjeve themelore”, tha Hahn

STRASBURG (AA) – Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim, Johannes Hahn tha se Turqia është partner kyç i BE-së në një rajon strategjik. Në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE) janë diskutuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së, negociatat e anëtarësimit dhe marrëdhëniet mes palëve ku dhe është mbajtur një seancë me temë “Marrëdhëniet BE dhe Turqi”.

Hahn në fjalimin hapës të seancës tha se të dyja palët nuk janë të kënaqura nga zhvillimet. “Në bisedimet e fundit me bashkëbiseduesit tanë turq kemi shprehur emergjencën për të kthyer ecurinë aktuale në mënyrë që marrëdhëniet tona të jenë afatgjata”.

“Turqia është partneri kyç i Bashkimit Evropian në një rajon strategjik. Ne jemi partnerë. Është një partneritet i vështirë por ne zhvillojmë bashkëpunime rreth shumë çështjeve themelore. Ndonjëherë në mënyrë të hapur, të sinqertë dhe kritike kemi një dialog konstruktiv dhe ndonjëherë një dialog shumë të ashpër”, tha Hahn.

Ndërsa anëtari rumun i PE-së Dan Preda duke bërë të ditur se në parlament vazhdimisht diskutohet për zhvillimet në Turqi tha se “Këtë vit po diskutojmë për herë të tretë çështjen e Turqisë. Në të vërtetë ka ardhur koha për të vendosur. Nëse heqim nga tryeza objektivin e anëtarësimit çfarë do të vendosim, çfarë objektivi do të vendosim. Si BE duhet të japim në vendim për këtë”.

Kati Piri raportuesja e PE-së për Turqinë tha se “Do të jetë një gabim shumë i madh heqja e objektivit ndaj popullit turk për anëtarësim në BE”. Ajo ka shtuar se populizmi dhe ksenofobia nuk duhet të marrin monopolin në këtë debat.

Edouard Ferrand kritikon qëndrimin e BE-së 

Ndërsa anëtari francez i Grupit të Kombeve Europiane dhe Lirive (ENF) Edouard Ferrand, duke kritikuar qëndrimin e zyrtarëve të BE-së tha: “Një shekull më parë flisnim për Turqinë si njeri i sëmurë i Evropës, por sot mendoj se njeriu i vërtetë i sëmurë është Bashkimi Europian”.

“E keni ftuar Turqinë në tryezën e negociatave ku nuk do të ketë një rezultat. Kërkuat që përballë emigrantëve të ndërronit me anëtarësimin në BE. Populli i Europës nuk dëshiron projektin tuaj fatkeq. Keni gabuar rrugën. Turqia është një vend i madh, është një popull i madh, meriton një gjë ndryshe nga propozimi juaj. I keni humbur kohë edhe Turqisë edhe BE-së në një proces fundi i të cilit dihet”, deklaroi Ferrand duke kritikuar qëndrimin e Europës ndaj Turqisë.

Ndërsa teksa është vërejtur se anëtarët gjermanë në PE kanë hyrë në garë për të marrë fjalën në seancën me temë Turqinë, zv.kryetari i Grupit Social Demokrat (S&D) në PE, Knut Fleckenstein vuri në dukje se thirrjet e kancelares gjermane Angela Merkel rreth Turqisë nuk kanë gjetur mbështetje.

“Nuk mendoj se do të mund të arrijmë një vendim në Samitin e Liderëve të BE-së (që do të mbahet muajin e ardhshëm). Ashkush nuk i ka mbështetur kritikat e Merkelit”, tha ai.

Një tjetër anëtare gjermane Renate Sommer theksoi se “Sikur të kishim një marrëdhënie të ngjashme me ndonjë vend tjetër, qëndrimi i BE-së do të ishte më i ashpër. Nuk mundemi të bëjmë gjë përballë Turqisë. Edhe kjo e vendos në situatë qesharake BE-në”.

Parlamentarja franceze Marie-Christine Vergiat ka theksuar se Merkel në fushatën zgjedhore ka përdorur çështjen e anëtarësimit të Turqisë në BE.

Asambleja e Përgjithshme e PE, me një vendim të marrë në muajin korrik rekomandoi pezullimin e anëtarësimit të Turqisë në BE. Për ti dhënë fund negociatave të një vendi nevojitet miratimi nga të gjitha vendet anëtare. aa

Vuçiç: Bisedimet ndryshuan jetën e serbëve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se në muajin tetor do të fillojë periudha e re e dialogut brenda serb për çështjen e Kosovës, sepse në varësi të marrëdhënieve me të Serbia do të ketë një të ardhme më të sigurt.

Ai i bëri këto komente të martën mbrëma në Beograd gjatë së cilës tha se ka mbështetur Listën serbe, subjektin kryesor politik të serbëve të Kosovës që të bëhet pjesë e qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj. Por, ai tha se nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj zotit Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i kaloi katër muaj në Francë të fillim të këtij viti i ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Beogradi.

Ai tha se Serbia deri tash për çështjen e Kosovës ka folur vetëm atë çfarë do, që nuk do të njohë pavarësinë e saj, por nuk kishte politikë për të.

“Nga tetori fillon periudha e re e dialogut që duhet të jetë i institucionalizuar dhe të ketë këshillime të gjëra”, tha ai, duke paralajmëruar publikimin e një raporti mbi bisedimet me Kosovën ku do të përfshihen rezultatet e tri viteve të fundit si dhe të gjitha veprimet që i ka bërë Serbia rreth çështjes së Kosovës që nga viti 1998.

“Kur të kaloni nëpër të, do të mund të shihni se sa e ndërlikuar është historia jonë bashkëkohore, sa gabime ka aty”, tha ai.

Ai tha se qasja e Serbisë ka bërë që gjërat të ndryshojnë për komunitetin serb në Kosovë.

“Nuk kemi asnjë të vdekur në përleshje etnike. Serbinë nuk e kam përulur kurrë. Kam siguruar që serbët në Kosovë të jetojnë diç më mirë dhe në këto katër vjet nuk kemi asnjë të vdekur në përleshje etnike”, tha ai.

Sipas tij, për herë të parë “nuk ka rënie dramatike të numrit të serbëve në Kosovë” dhe se eksitojnë regjistrimet që dëshmojnë se sa është zvogëluar numri i sulmeve të motivuara etnikisht që nga viti 2012.

“Sulme, vrasje ka pasur me parë, por jo tani. Jam krenar për politiken që ruan qytetarët në Kosovë. A do të ketë sulme – po, por do të jenë më pak. Njerëzit në Serbi këtë duhet ta dinë”, tha ai, duke i cilësuar të rënda bisedimet me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se Serbia sot ka një pozicion tjetër negociatash.

“Sot zëri i Serbisë dëgjohet. Kemi kaluara nëpër situatën në të cilën i kemi dhënë legalitet pavarësisë (së Kosovës) nëpërmjet pyetjes kriminale që e kemi shtruar në vitin 2009 në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilën e ka parashtruar Vuk Jeremiç, (ish ministri i jashtëm serb), se a kanë guxuar të ndahen. Përgjigja ishte katastrofale për neve”, tha ai duke ju referuar opinionit të GJND-së sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Në muajin korrik presidenti serb paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm serbë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më shumë se dy vjet më parë, në maj të vitit 2015, presidenti serb, atëbotë kryeministër i Serbisë, kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai kishte thënë atëbotë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.

Në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht, presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u pajtuan për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.

Të dy presidentët thanë se takimet e bisedimet do të zhvillohen në javët e muajt në vazhdim, përfshirë edhe mundësinë që takime të ketë edhe gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që i zhvillon punimet gjatë këtij muaji.

Turqi: Shtetasit të mos udhëtojnë në Gjermani

Qeveria e Turqisë u ka tërhequr vërejtjen shtetasve turq që jetojnë ose udhëtojnë për në Gjermani, duke përmendur retorikën rascite në rritje, para zgjedhjeve parlamentare gjermane më 24 shtator.

Në kumtesën e sotme, Ministria e jashtme turke ka kërkuar që shtetasit e Turqisë “të kenë kujdes në Gjermani, ku ata mund të rrezikohen nga trajtimi ksenofobik apo racist”.

Ministria, po ashtu, i ka këshilluar shtetasit që tu shmangen debateve politike dhe tubimeve para zgjedhjeve.

Në kumtesë, po ashtu, theksohet se kandidatët gjermanë e kanë formuar fushatën e tyre zgjedhore në deklarime antiturke, për ta parandaluar anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

Raportet ndërmjet Gjermanisë dhe Turqisë janë përkeqësuar prej puçit të dështuar të vitit të kalur kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe për shkak të kritikës së fuqishme të Gjermanisë kundër goditjes së autoriteteve turke pas grushtshtetit, me ç’rast janë arrestuar më se 50 mijë vetë.

Grekët: Skënderbeu luftoi pushtuesit, jo islamin. Myslimanët shqiptarë janë filoturq

Mediat greke i kanë kushtuar jehonë debatit për mbulimin e monumentit të Heroit Tonë kombëtar, Skënderbeut, më rastin e Kurban Bajramit.

Në një shkrim të gjatë, “Kathimerini” shkruan se debati ishte i zjarrtë dhe pasi ballafaqon të dyja palët, komenton se fanatikët myslimanë shqiptarë nuk e duan Skënderbeun, raporton “Panorama”

Gjithashtu, “Kathimerini” vëren se shteti shqiptar bëri sehir në këtë ndodhi. “Fanatikët myslimanë shqiptarë nuk e duan Gjergj Kastriotin, i cili është Heroi Kombëtar i shqiptarëve.

Lufta që ai bëri ishte kundër pushtimit otoman dhe jo kundër fesë islame. Por myslimanët fanatikë shqiptarë mendojnë se ai luftoi kundër fesë.

Ata mendojnë se Skënderbeu ishte mosmirënjohës ndaj Perandorisë, e cila e stërviti dhe i dha tituj”, shkruan “Kathimerini”.

Ajo gjithashtu vëren se shteti shqiptar bëri sehir.

Mali i Zi, i akuzuari pranon se ishte planifikuar arrestimi dhe vrasja e Gjukanoviçit

PODGORICË – Në Gjykatën e Lartë në Podgoricë sot në mëngjes ka vazhduar gjykimi për planifikimin e sulmeve terroriste në Mal të Zi në ditën e zgjedhjeve parlamentare. Një nga 14 të akuzuarit, Milosh Jovanoviç, ka pranuar akuzën dhe deklaroi se atë ditë ishte planifikuar marrja e institucioneve dhe arrestime, ose vrasja eventuale e ish kryeministrit Milo Gjukanoviç.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 16 tetor 2016 në Mal të Zi është parandaluar grusht shteti. Sipas prokurorit Milivoje Kantiç, në mbrëmjen e mbajtjes të zgjedhjeve parlamentare ishte planifikuar hyrja në Kuvend si dhe arrestimi dhe likuidimi i ish-kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç.

Kjo u konfirmua në seancën e sotme gjyqësore nga një prej 14 të akuzuarve të këtij rasti, shtetasit serb Milan Jovanoviç. Ai tha se në Mal të Zi kishte ardhur më 18 tetor, pasi Aleksandar Singjeliç, i cili është dëshmitar bashkëpunëtor, nga ky ka kërkuar që në rrugën “Voislav Grujiç” në aeroportin e vjetër të Podgoricës, të rrënojë ndërtesën me mjete piroteknike dhe koktej molotovi, të cilën nuk e ka bërë.

“Duhet të them se këtë kam dashur ta bëjë për para, por sigurisht se ndërtesën nuk do ta djegia”, tha Jovanoviç.

Ai tha se për përmbushjen e këtij detyrimi ka marrë 500 euro nga Singjeliç.

“Ai më fliste për revolucion, edhe pse e dija se kjo ishte punë e kotë, prandaj nuk desha të shkoj. Revolucion, përmbysje e qeverisë – për këtë më fliste, kjo duhej të ndodhte këtu në Mal të Zi, pikërisht në Podgoricë”, tha Jovanoviç.

Sipas tij, Singjeliç i ka thënë se revolucioni duhej të ndodhte më 16 tetor.

“Duhet të merrnim ndërtesën e policisë, që të lehtësohej hyrja në Kuvend, këtë e kam dëgjuar dhe të arrestohet (Milo) Gjukanoviç, ndoshta për t’u vrarë. Çfarë të bëj tani, jam zhytur shumë thellë”, tha Jovanoviç.

Ai gjithashtu tha se nuk i njihte udhëheqësit e Frontit Demokratik Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, të cilët gjithashtu janë të akuzuar në këtë rast.

Jovanoviç gjithashtu ka thënë se Singjeliç ka kërkuar nga ai që kur të vinte në Podgoricë të veshë uniformë policore malazeze më 16 tetor dhe të zihet me policinë nëse Gjukanoviç fiton zgjedhjet.

“Ky ishte një opsion që nuk e pranova. Me Singjeliç atë ditë isha në zyrën e sigurisë ‘Soko’ në Beograd, kur ai kërkonte 50 djem të rinj, të fuqishëm të cilët do të vishnin uniformat e policisë malazeze dhe do të përlesheshin”, tha Jovanoviç.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përveç Jovanoviç, janë përfshirë edhe dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, shtetasit serbë Milosh Jovanoviç, Nemanja Ristiç, Predrag Bogiçeviç, Kristina Hristiç, Branka Miliç, Milan Dushiç, Dragan Maksiç, Sërboljub Gjorgjeviç.

Në aktakuzë përfshihen edhe tre shtetas malazezë – krerët e Frontit Demokratik Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç si dhe shoferi zyrtar i FD Mihailo Çegjenoviç. aa

Rritje rekord në kalimet e refugjatëve në Greqi

Sipas informacioneve nga Komisioneri i Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), në muajin gusht në ishujt e Greqisë në Egje kanë kaluar 3.695 refugjatë

ATHINË – Numri i refugjatëve të cilët pas një udhëtimi të rrezikshëm mbi Detin Egje kalojnë në ishujt e Greqisë, në muajin gusht arriti në nivelin më të lartë që nga muaji mars i vitit 2016, kur u nënshkrua marrëveshje mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE) për refugjatët.

Sipas informacioneve të përpiluara nga gazetari i AA-së nga të dhënat e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), në muajin gusht në ishujt e Greqisë në Egje kanë kaluar 3.695 refugjatë.

Kështu që muaji gusht u bë muaji më me intensitet në kalimin e refugjatëve në ishujt grekë, që nga marrëveshja mes Turqisë dhe BE-së e cila filloi të zbatohet në mars 2016.

Numri i refugjatë të cilët kanë kaluar në ishujt e Greqisë në muajin gusht u rrit për 64 për qind në krahasim me muajin korrik kur kishin kaluar 2.249 refugjatë.

Intensiteti në kalimin e refugjatëve vazhdoi edhe në ditët e para të shtatorit. Brenda 5 ditëve në ishujt e Greqisë kaluan 890 refugjatë.

Vazhdon pritja në ishull

Edhe pse pas marrëveshjes, kalimi i refugjatëve në Greqi kishte shënuar zbritje prej 97 për qind, gjendja e refugjatëve të cilët mbetën në ishuj dhe kërkojnë azil, vë në vështirësi qeverinë greke dhe autoritetet lokale.

Numri i refugjatëve të cilët mbahen në kampet tek ishujt Lesbos, Chios, Samos, Kos dhe Leros është afro 14 mijë.

Ndërkohë refugjatët të cilët reagojnë për zgjatjen e procedurave të azilkërkimit dhe pamjaftueshmërinë e kushteve të jetesës nëpër kampe, shpesh herë organizojnë protesta.

Sipas të dhënave që nga marrëveshja për refugjatët, në ishujt e Greqisë kalojnë mesatarisht 2000 refugjatë në bazë mujore.

Mogherini: Bisedimet BE-Turqi vazhdojnë

“Por një gjë është e qartë: Para së gjithash dialogu vazhdon, bisedimet në lidhje me negociatat vazhdojnë. Turqia aktualisht është një vend kandidat.”

BLED – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, rreth deklaratave të pelikanëve gjermanë për “t’i dhënë fund negociatave për anëtarësimin e Turqisë”, duke vënë në dukje se duhet të shikohet përtej asaj që thuhet në fushatat zgjedhore, tha se “Gjëja e rëndësishme është rezultati dhe hapat që duhen ndërmarrë”.

Mogherini, në një panel të mbajtur në kuadër të Forumit 12-të Strategjik Bled të zhvilluar në Slloveni, ka bërë disa deklarata në lidhje me Turqinë.

Duke vënë në dukje se mes Turqisë dhe BE-së herë pas here janë kryer bisedime të vështira, Mogherini është shprehur se “Por një gjë është e qartë: Para së gjithash dialogu vazhdon, bisedimet në lidhje me negociatat vazhdojnë. Turqia aktualisht është një vend kandidat. Ne në BE dhe ata në Turqi mund të bëjmë një debat të brendshëm nëse kjo do të ndryshojë apo jo. Por momentalisht nuk ka një situatë të tillë.”

Më tej pasi ka tërhequr vëmendjen se marrëdhëniet BE-Turqi janë fokusuar gjithmonë në kuadër të anëtarësimit, zyrtarja e lartë e BE-së ka bërë vlerësimin se “Ndonjëherë ne tentojmë të harrojmë se Turqia nga pikëpamja strategjike, është një lojtar kyç në rajon për ne, në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe. Është një vend ku kemi punuar mbi dosje të ndryshme që nga lufta kundër terrorizmit e deri tek Qiproja dhe Siria, të cilat janë strategjike edhe për ne edhe për ata.”

“Përtej negociatave të anëtarësimit BE dhe Turqia janë aleatë, ndonjëherë të dy palët mund të jenë aleatë të detyruar. Por ne punojmë së bashku në disa dosje të ndryshme. Të punosh me fqinjët është një detyrim. Nuk mund ta zgjedhim pozitën gjeografike, nuk mund ta ndërroni historinë. Por mund të gjeni mënyra për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin. Që të dy palët mund të punojnë nga pikëpamja strategjike në bashkëpunim për çështje të rëndësishme, mund të punohet në mënyrë konstruktive dhe në interes të të dy palëve. Negociatat e anëtarësimit kanë kriteret e tyre. Shprehjet e palëve të ndryshme mund të ndikojnë ‘gjendjen shpirtërore’ në këtë çështje. Por gjëja e rëndësishme është rezultati dhe hapat që duhen ndërmarrë. Kemi përjetuar disa vite të vështira. Në të ardhmen, rekomandoj që të shohim përtej shprehive në fushatat zgjedhore në Turqi dhe BE. Pres me padurim momentin që të ulemi dhe të diskutojmë për të ardhmen tonë”, ka theksuar Mogherini. aa

Serbi: Janë akuzuar pesë vetë për vrasje të myslimanëve të Serbisë

Prokurorë në Serbi i kanë akuzuar pesë persona për torturë dhe vrasje të 20 myslimanëve të Serbisë, gjatë luftës në Bosnjë, në vitet e 90-ta.

Në padi thuhet se paramilitarët serbë më 27 shkurt 1993, e kanë ndalur trenin për Shtërpci, një fshat në kufi me Bosnjën, dhe i kanë marrë 20 persona, shumica myslimanë.

Paramilitarët i kishin dërguar personat në Vishegrad, në lindje të Bosnjës, ku i kishin torturuar dhe vrarë të gjithë ata, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në lumin Drina.

Të gjitha viktimat ishin myslimanë nga Sanxhaku, në pjesën perëndimore të Serbisë.

Në vitin 2014, gjithsej 16 persona të dyshuar, pjesëtarë të ushtrisë paramilitare ishin arrestuar në Bosnjë dhe në Serbi.

Njëmbëdhjetë të tjerë janë në proces gjyqësor, ku vetëm një prej tyre e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me pesë vite burgim në vitin 2016, pas një marrëveshjeje me prokurorët.

Një anëtar tjetër i grupit ishte dënuar me 15 vite burgim në vitin 2002, nga një gjyq në Malit të Zi.

Në vitin 2009, lideri i grupit paramilitatar, Millan Llukiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës gjatë konfliktit në Bosnjë, në periudhën 1992-1995. Ai nuk është akuzuar asnjëherë për masakrën e Shtërpcit, por vëllau i tij, Gojko Llukiq, figuron në listën e pesë të akuzuarve.

Nga lufta në Bosnjë, ndërmjet kroatëve, myslimanëve dhe serbëve, gjatë periudhës 1992-1995, jan vrarë rreth 100 mijë vetë.

Sharqeviq dhe Gjuriq nuk lejohen të hyjnë në Kosovë

Marko Gjuriq

Ministrit të Arsimit të Qeverisë së Serbisë, Mladen Sharqeviq dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, nuk u është lejuar sot hyrja në Kosovë. Ata janë ndaluar në vendkalimin kufitar në Jarinë, në veri të vendit, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Shareviq dhe Gjuriq ishin nisur për të marrë pjesë në hapjen e Entit për mbrojtjen shëndetësore të studentëve, në Qendrën e studentëve në Mitrovicë të veriut, ent i cili është ndërtuar dhe furnizuar financiarisht nga Qeveria Serbisë.

Nga Zyra e Qeverisë së Serbisë është konfirmuar se Gjuriq dhe Sharçeviq janë kthyer pa shpjegime. Kjo Zyrë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës janë njoftuar për këtë vizitë, më 29 gusht.

Për herë të fundit, Gjuriq ka qëndruar në Kosovë me 12 korrik, për shënimin e festës në manastirin Banjska.

Paraprakisht, hyrja në Kosovë nuk i ishte lejuar as me 9 maj, kur në Mitrovicë të veriut ishte shënuar Dita e fitores mbi fashizmin.

Ai, atëherë, pati thënë se një veprim i tillë i Prishtinës është i turpshëm dhe goditje serioze ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

Mihajloviq: Pa zgjidhjen e çështjes mes Kosovës e Serbisë s’ka të ardhme të suksesshme

Zëvendëskryeministrja e Serbisë Zorana Mihajloviq ka thënë sot se dialogu mes Kosovës e Serbisë flet për botën e errët dhe politikën e Millosheviqit, Koshtunicës e Tadiqit.

 

“Unë nuk jam as e para as e fundit që them se pa zgjidhjen e çështjes mes Kosovës e Serbisë nuk mund të llogaritet për një të ardhme të suksesshme. Është e vështirë vepra e gjeneratës së këtyre politikanëve që po punojnë bashkë për të zgjidhur këtë çështje me shqiptarët”, ka thënë Mihajloviq për Blicin serb, transmeton Indeksonline.

Kujtojmë se pas pak do të nisë edhe faza e re e dialogut mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaci dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në selinë qendrore të BE-së në Bruksel.

Senatori amerikan: Serbia ta refuzojë imunitetin diplomatik për rusët

Senatori amerikan Ron Johnson gjatë qëndrimit në Beograd

Senatori amerikan, Ron Johnson, ka kërkuar mbrëmë nga Serbia që të mos sigurojë status diplomatik për personelin e një qendre për ndihma në rast të fatkeqësive nga Rusia, për të cilën zyrtarët perëndimorë kanë dyshime se i strehon spiunët dhe përhap propagandë.

“Shpresoj se presidenti Vuçiq dhe Serbia do t’i rezistojnë çfarëdo përpjekjeje për të dhënë imunitet” për personelin e Qendrës humanitare ruso – serbe, tha senatori Johnson, që është kryesues i Komitetit për sguri të brendshme dhe çështje qeveritare të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

“Mendoj se kjo do të dërgonte sinjal shumë të keq”, theksoi mëtutje Johnson dhe ka shtuar se “me siguri kjo nuk do të ishte në interesin më të mirë të popullit serb, në kuptimin e rrjedhjes së kapitalit perëndimor për ta ndihmuar ekonominë” në Serbi.

Këto komente zoti Johnson i ka bërë pas takimit në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka kultivuar marrëdhënie të afërta me Rusinë, ndërsa në të njejtën kohë, synon anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vuçiq nuk ka thënë se cilat janë qëllimet e tij ndaj qendrës ruse, ku personeli ka kërkuar imunitet të njejtë diplomatik si personeli i NATO-s në Serbi.

Xhamitë historike në Greqi po përdoren si muze

ATHINË – Një numër i madh i xhamive të arkitekturës turko-islame në Greqi, të cilat kanë arritur që të mbijetojnë që nga periudha osmane e deri sot, po përdoren si muze dhe salla të ekspozitave.

Në këtë vend ku një numër i madh i objekteve historike osmane janë shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore apo nga dora e njeriut, një numër tjetër i madh i monumenteve osmane që kanë arritur të mbijetojnë po shërbejnë si muze ose salla të ekspozitave, ndërsa disa të tjerë janë të braktisur.

Në kryeqytet në Athinë nuk ka xhami zyrtare të hapur për ibadet, ndërkaq xhamia Fet’hije e cila është xhamia më e vjetër në vend pas punimeve të restaurimit të cilat përfunduan javën e kaluar u njoftua se do të përdoret si galeri e arteve.

Mendohet se në Greqi ka rreth 10 mijë vepra dhe objekte apo pjesë të objekteve të arkitekturës turko-islame. Dhjetëra xhami të cilat ende po mbijetojnë janë të mbyllur për ritet nga besimtarët.

Disa prej tyre po përdoren me qëllime të ndryshme, kurse disa të tjera janë shndërruar në kisha. Ndërtesa të shumta të vjetra të periudhës osmane në vend janë shndërruar në objekte shërbimi si në pallate të drejtësisë dhe në rezidenca të provincës.

Ndërkaq xhamia Fet’hije e cila njihet si xhamia më e vjetër në Athinë, pas largimit të menaxhimit osman është përdorur për qëllime të ndryshme duke filluar nga furra e deri në depo. Në xhaminë e cila ndodhet në afërsi të Akropolit, deri në vitin 2010 janë depozituar veprat artistike. Më pas në xhami kanë filluar punimet e restaurimit.

Në xhaminë Xhizderije, disa qindra metra larg prej xhamisë Fet’hije po vazhdojnë punimet e restaurimit. Xhamia e cila ndodhet në sheshin Monastiraki në njërën prej zonave turistike të vendit, po shërben si muze i qeramikave.

Në anën tjetër në rajone të ndryshme të Greqisë si Selaniku, Drama, Kosturi, Euboea, Kavala, Dimotka, Konica e Serresi përfshirë edhe disa ishuj të detit në Egje, si Rhodosi dhe Lesbosi, ka pjesë dhe mbetje të monumenteve historike, kurse një numër i madh i xhamive, tyrbeve, urave dhe hamameve të arkitekturës osmane, për shkak të neglizhencës janë shndërruar në rrënoja.

Ndërkaq duke filluar nga xhamia e Re dhe xhamia Alaca Imaret në Selanik, të cilat kanë arritur të mbijetojnë, po përdoren si muze dhe salla të ekspozitave.

Xhamia Agapasha e cila për një kohë ka qenë kuvendi i kryeqytetit të parë të Greqisë në Nafplio, në ditët e sotme po përdoret si qendër e kulturës, kurse xhamia Vuleftiko është shndërruar në sallën e kinemasë dhe të konferencave.

Xhamitë në qytetet e rëndësishme të Greqisë si në Janinë, Kretë dhe në Larisë po vazhdojnë që ta kenë të njëjtin fat. Kurse xhamia e Sulltan Mustafës në Rodos tani është nikoqir i ceremonive martesore.

Përveç Trakisë Perëndimore dhe 12 ishujve në Greqi nuk ka xhami zyrtarisht të hapur për ibadet, ndërkaq myslimanët të cilët jetojnë në pjesët tjera të Greqisë detyrohen që t’i kryejnë adhurimet e tyre në katet e podrumit të apartamenteve dhe në objektet e formuara me vetiniciativë si qendrat e shoqërive civile.

Ndërtimi i xhamisë së parë zyrtare në Athinë e cila filloi të ndërtohej pas diskutimeve për dhjetëra vite, po vazhdon dhe ende nuk dihet data e hapjes së saj. Hapja e xhamisë pritej të bëhej në muajin prill, ndërkaq pas 3 shtyrjeve, ajo pritet përsëri të hapet në fund të vitit. aa

Bashkimi Evropian presion Beogradit – Qëndroni larg nga Rusia

Bashkimi Evropian që nga shtatori, pasi zyrtarët e tij të kthehen nga pushimi vjetor, do të jetë më këmbëngulës ndaj Serbisë.

Brukseli është i vendosur që në fazën e anëtarësimit të Serbisë në BE, theksin ta vënë në çështjen e Kosovës, marrëdhëniet me Rusinë dhe sundimin e ligjit.

Sipas “Novostionline”, nga disa vende ka presione që në rendin e ditës të vihet sa më shpejt kapitulli 31 që merret me politikën e jashtme, të sigurisë e të mbrojtjes e që ka të bëjë kryesisht me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, transmeton Koha.net.

Në këto presione, thotë portali nga Beogradi, prijnë Polonia dhe vendet baltike nga të cilat Estonia kryeson BE-në deri në fund të vitit.

Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia insistojnë që në këto fusha Beogradin sa më shpejt ta ndajnë nga Moska me kushtëzimet në procesin negociator. Kështu, pritet që deri nga janari i vitit të ardhshëm të nisin presionet serioze për trajtimin e “çështjes ruse” .

Sa i përket Kosovës, Brukseli kërkon lëvizje të reja me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe BE pret shumë nga dialogu i brendshëm në Serbi për Kosovën.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën përcillet posaçërisht përmes kapitullit 35.

Brnabiç: Nga Maqedonia pres që mos të hapet çështja e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO

“Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme miqësia me Serbinë dhe se kjo do të jetë një sinjal i miqësisë dhe lidhjeve më të fuqishme me Serbinë, prandaj pres që kjo çështje mos të hapet”, theksoi Brnabiç

DURRËS – Pas takimit të parë të mbajtur me shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha se ka biseduar me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në margjinat e takimit të sotëm, duke theksuar se me homologun e saj maqedonas kanë pasur mirëkuptim të mirë për bashkëpunimin mes Serbisë dhe Maqedonisë.

“Në Podgoricë ka pasur më shumë bisedime me Plenkoviç meqë atëherë kishim barrierë tregtare nga ana e Kroacisë dhe atë e zgjidhëm shpejt pas atij takimi për shtatë ditë dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Rajonale, që është edhe një dëshmi se është mirë që e formua në Trieste. Sot me kryetarin e Qeverisë së Maqedonisë, Zaev, biseduam për ndodhitë që ishin këto ditë dhe kemi mirëkuptim për bashkëpunimin tonë. Unë e ftova që ta vizitojë Serbinë në nëntor. Atë vizitë do ta shfrytëzojmë për marrëveshje për seancë të përbashkët të të dy qeverive. Krahas kësaj biseduam për mbështetjen e Maqedonisë, për atë që selia e bashkësisë transportuese e Evropës Juglindore të jetë në Serbi dhe shpresoj se këtë do ta përfundojmë”, tha Brnabiç.

Ajo ka shtuar se me kryeministrin Zaev biseduan edhe për qëndrimin e Maqedonisë mbi anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. “Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme miqësia me Serbinë dhe se kjo do të jetë një sinjal i miqësisë dhe lidhjeve më të fuqishme me Serbinë, prandaj pres që kjo çështje mos të hapet”, theksoi Brnabiç.

Sipas saj, në takimin e sotëm me homologët e rajonit, më shumë kanë biseduar për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Më shumë biseduam për bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturën e përshtatshme që definitivisht janë një nga temat më të rëndësishme për të cilat duhet biseduar. Si rajon kemi shumë potencial dhe kapacitet. Në Trieste formuam edhe Odën Ekonomike Rajonale dhe miratuam planin aksional. Sot bisedojmë si ta implementojmë që të mos mbetet vetëm në letër, siç ndodh zakonisht në tërë rajonin”, tha Brnabiç, duke e vlerësuar takimin e sotëm si shumë të suksesshëm.

Në këtë takim joformal që ka për qëllim thellimin e integrimit rajonal me theks të veçantë në ekonomi dhe tregti, të pranishëm janë kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, kryeministri malazez Dushko Markoviç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Denis Zvizdiç, si dhe zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller.

Vuçiç: Seanca e përbashkët qeveritare Maqedoni-Serbi deri në fund të vitit

Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç ka biseduar me ambasadoren e Maqedonisë Vera Jovanovska-Tipko për takimet e ardhshme të zyrtarëve të të vendeve

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, informoi sot ambasadoren e Maqedonisë Vera Jovanovska – Tipko se kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, do t’i dërgojë ftesë kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, për mbajtjen e seancës së përbashkët të dy qeverive deri në fund të vitit në Beograd.

Vuçiç dhe ambasadorja Jovanovska – Tipko diskutuan edhe rreth mbajtjes së shpejti të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik.

“Të gjithë konsiderojmë se duhettë punojmë me përkushtim dhe me përgjegjësi drejt përmirësimit të marrëdhënieve tona”, ka thënë Vuçiç, sipas një deklarate nga zyra e Presidencës së Serbisë.

Vuçiç dhe Tipko u pajtuan që pas vendosjes të këshilltarit për sigurinë kombëtare të Serbisë, të mbahet takim i përbashkët me homologun maqedonas.

Ata folën edhe për përmirësimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e turizmit, ekonomisë dhe pjesëmarrjen e përbashkët në tregjet e treta.

Serbia të dielën tërhoqi stafin nga ambasada e saj në Shkup për konsultime urgjente në Beograd. Ambasadorja e Serbisë pritet të kthehen në Maqedoni deri më 31 gusht. aa


Send this to a friend