VOAL

VOAL

Kontrata me gazsjellësin, Kurti: Nuk e kemi refuzuar projektin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth projektit amerikan të gazsjellësit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurti u shpreh se informacionet që kanë dalë në media, nuk kanë të bëjnë me refuzimin e projektit, teksa konfirmoi se qeveria është në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë MCC.

“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike. Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, ka deklaruar Kurti.

Kosovë, për gjashtë muaj “shkatërrohen” 26 grupe kriminale

“Brenda periudhës gjashtë mujore u shkatërruan diku 26 grupe kriminale, të cilat përfshinin rreth 217 persona”, tha Tela

Agim Sulaj   |04.10.2021
Prishtinë

Në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL me temë diskutimi “rishikimi dhe zbatimi i Planit të Punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për periudhën mars -shtator 2021″ u tha se prioritet është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Jeta Tela, drejtoresha e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e cila mori pjesë në tryezë, tha se për qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë prioritet.

“Siç dihet, për qeverinë prioritetet kryesore janë sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe zhvillimi socio-ekonomik. Sigurisht, pjesa që lidhet me krimin dhe korrupsionin është fusha që mbulohet më së shumti nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe kjo është përparësia jonë e parë”, tha Tela.

Ajo vlerësoi se në gjashtë muajt e parë të kësaj qeverie është bërë shumë më tepër sesa në periudhën e mëparshme.

“Brenda periudhës gjashtë mujore u shkatërruan diku 26 grupe kriminale, të cilat përfshinin rreth 217 persona, mes tyre shqiptarë dhe serbë, shtetas të Serbisë, shtetas të Shqipërisë dhe shtetas të Maqedonisë së Veriut, por pjesa më e madhe e tyre prej tyre janë shqiptarë të Kosovës” tha Tela.

Ajo shtoi se në mesin e këtyre grupeve ka dhjetë grupe të krimit të organizuar, tetë grupe që merren me drogë, gjashtë për krim ekonomik dhe ka gjithashtu grupe që merren me trafikimin e qenieve njerëzore, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, luftën e migrimit ilegal dhe të tjera.

Tela theksoi se disa ditë më parë u arrestuan 10 persona që merreshin me trafikim emigrantësh dhe mbi 100 persona të tjerë që tentuan të largoheshin ilegalisht nga vendi.

Modernizimi i administratës publike është një nga synimet e kësaj ministrie, e cila, siç tha Tela, është aktualisht e stërmbushur me punëtorë sado që ata janë profesionistë.

Tela gjithashtu theksoi se pranimi i Kosovës në INTERPOL është çështje e votave politike dhe jo mungesë e përgatitjes së Policisë së Kosovës, kështu që aplikimi për pranim në këtë është shtyrë për vitin e ardhshëm.

Ajo tha se dy javë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi dy marrëveshje të reja me EUROPOL-in, një për emërimin e një personi kontaktues të Kosovës në EUROPOL dhe një për shkëmbimin e informacioneve.

Vozitësit me targa serbe pa letra ngjitëse do të gjobiten pas 8 tetorit

Bekim Bislimi

Deri më 8 tetor, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë dhe që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, duhet të pajisen me letrat ngjitëse (stickers) të cilat duhet të vendosen mbi simbolet shtetërore në targat e tyre, kanë deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se që nga 8 tetori, automjetet që kanë targa të Serbisë dhe mbi simbolet e të cilave nuk janë vendosur letrat ngjitëse, do të sanksionohen sipas ligjit.

“Në raste të tilla, prej të premtes, prej datës 8 tetor, kushdo që zihet brenda territorit të Kosovës pa stickers (letra ngjitëse), atëherë do të gjobitet në bazë të Ligjit për trafik”, thekson Tela.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as Policia e Kosovës nuk e kanë bërë të ditur sesa do të jetë shuma monetare e gjobës ndaj vozitësve që qarkullojnë me targa të Serbisë dhe pa letra ngjitëse.

Më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel, janë pajtuar që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka nisur më 4 tetor dhe në vendkalimet kufitare, të dyja palët kanë nisur t’i pajisin automjetet e vendeve përkatëse me letra ngjitëse për targat e tyre.

Hutimi i qytetarëve për letrat ngjitëse për targat?

Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit më 30 shtator, për disa qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë dhe kanë automjete me targa të Serbisë, ka shkaktuar huti. Ata nuk e dinë se ku mund të pajisen me letra ngjitëse për targat e automjeteve të tyre përveç se në vendkalimet kufitare.

Millena, një qytetare serbe nga Graçanica, thotë se automjeti i saj bartë targa të Serbisë, ndërkohë që pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat, që kishte nisur të zbatohej më 20 shtator, ajo kishte marrë targat e përkohshme, me të cilat qarkullon ende.

Në një bisedë me Radion Evropa e lirë, Millena thotë se ajo jeton në Kosovë dhe nuk ka dalë jashtë territorit të Kosovës në mënyrë që kur të hyjë në ndonjë vendkalim kufitare të marrë letrat ngjitëse për targat. Deri më tash, sipas saj, nuk kanë marrë ndonjë sqarim nga autoritetet e Kosovës se ku duhet qytetarët që janë brenda Kosovës dhe që kanë automjete me targa të Serbisë, të pajisen me letrat ngjitëse.

“Thjesht, në jemi gjetur në situatën që në Kosovë jemi me targa të përkohshme dhe nuk e dimë se farë të bëjmë më tutje. Në fakt, unë me ato targa të përkohshme kam qarkulluar dhe kam ardhur në punë dhe nuk pata ndonjë problem edhe pse kishte policë në rrugë. Kam parë edhe automjete të tjera që qarkullojnë me targa të përkohshme. Por, pyetja është se çfarë të bëjmë tutje, sepse ende nuk kemi një informacion zyrtar se çfarë të bëjmë, a duhet të shkojmë në vendkalime kufitare të për t’i marrë letra ngjitëse apo kjo do të mundësohet në qendrat e regjistrimit, ashtu si ishte rasti edhe me targat e përkohshme”, thekson Millena.

Vetura me targa 'KM' në Mitrovicë të Veriut, pa letra ngjitëse. 4 tetor 2021.

Vetura me targa ‘KM’ në Mitrovicë të Veriut, pa letra ngjitëse. 4 tetor 2021.

Ajo shton se për të mbetet e paqartë edhe fakti se a vazhdojnë të vlejnë targat e përkohshme për 60 ditë, siç ishte paraparë me rastin e pajisjes me ato targa apo duhet hequr ato dhe në targat serbe të vendosen letrat ngjitëse.

Millosh, një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, thotë se automjetin e ka me targa të Serbisë, por së fundmi nuk ka kaluar përmes ndonjë vendkalimi kufitar, në mënyrë që të pajiset me letra ngjitëse për targat.

“Me sa po shoh, tashmë kanë nisur t’i vendosin letrat ngjitëse. Nuk e di se ku pajisen, por mendoj që në Qendrën për Regjistrim të Automjeteve”, thotë Milloshi.

Targat me letra ngjitëse
Fotogaleri

Targat me letra ngjitëse

Më 4 tetor, automjeteve me targa të Kosovës dhe ato të Serbisë po u vendosen letra ngjitëse, për të mbuluar simbolet shtetërore. Letrat ngjitëse janë pjesë e marrëveshjes së 30 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë, që ka për qëllim uljen e tensioneve mes dy vendeve, pasi Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat më 20 shtator. Marrëveshja e arritur në Bruksel ka vlefshmëri gjashtë muaj, pasi një Grup Punues do të mëtojë që ta zgjidhë çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltarja e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Jeta Tela sqaron se qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë, mund të pajisen me letrat ngjitëse në dy mënyra.

“Furnizimi me stickers (letra ngjitëse) bëhet në të gjitha pikat kufitar, në 13 pika kufitare. Ndërkaq automjetet që janë brenda territorit të vendit me targa të Serbisë, mund të furnizohen me të gjitha qendrat ku bëhet regjistrimi i automjeteve”, thekson Tela.

Targat ‘KM’, me letra ngjitëse

Por, në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të cilat janë të banuara me shumicë serbe, vazhdojnë të qarkullojnë automjetet të cilat janë regjistruar në Serbi dhe kanë targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, për shembull sikurse targat me akronimet ‘KM’ (Mitrovicë), ‘GL’ (Gjilan), ‘UR’ (Ferizaj), ‘PZ’ (Prizren), ‘PRÇ (Prishtinë).

Bojan, qytetar serb nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka ide nëse duhet të vendosë letra ngjitëse në targat e automjetit të tij, për shkak se e ka të regjistruar në Serbi dhe me targa ‘KM’, që janë akronime të qytetit të Mitrovicës.

“Nuk e di dhe aktualisht nuk jemi të informuar për sa u përket letrave ngjitëse. Mendoj që nuk do të duhej t’i vendos letrat ngjitëse, marrë parasysh që unë kam targa ‘KM’”, thotë ai.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, të cilat lëshohen nga autoritetet në Serbi, janë jolegale dhe çështja e tyre do të trajtohet nga ekipin i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat.

Infografikë

Marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë

Megjithatë, siç ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 4 tetor, edhe për këto targa do të vlejë rregulli i letrave ngjitëse.

“Për herë të parë kjo marrëveshje (e 30 shtatorit) i trajton këto targa si jolegale, si targa të një shteti që nuk e njohim dhe rrjedhimisht i mbulojmë me stickers (letra ngjitëse). Këto targa nuk mbulohen me stickers në Serbi, por në Kosovë dhe me marrëveshje për gjashtë muaj”, u shpreh Bislimi.

Marrëveshja e 30 shtatorit në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është arritur pas 11 ditësh pas bllokimit me kamionë dhe mjete të rënda të rrugëve që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokimi i rrugëve ishte bërë nga serbët lokalë, të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me Serbinë për targat, e cila nisi të zbatohej më 20 shtator. Për zbatimin e kësaj mase, autoritetet e Kosovës dërguan në Jarinjë dhe Bërnjakë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, për të siguruar zbatimin e kësaj mase nga zyrtarët e policisë kufitare dhe autoritetet doganore të vendosur në ato pika kufitare.

Kontribuoi: Maja Fiçoviq

Mos ti përserisim gabimet nga historia! Nga Skënder MULLIQI

Kan kaluar më shumë së 20 vite nga lufta.Shtrohet pyetja logjike , a ekziston mundësia që luftërat të mbësin mbrapa? Përgjigjen në këtë pyetje mund të parashikojmë .Kjo mund të bëhët kur Serbia e cila shkaktojë luftën të bëhët e sinqertë, e të pranojë së shkaktojë gjenocid mbi shqiptarët. Kjo nga ana e Serbisë nuk po ndodhë, sepse drejtuesit e shtetit serb, nuk janë liruar nga ultranacionalizmi, nuk janë liruar nga apetitet për ripushtimin e tokave shqiptare. Serbisë nuk po i dukët problem së regjimi i Millosheviqit ka vrarë aq shumë njerëz të pafajshem. Edhe presidenti actual në pushtet, Aleksander Vuçiqi , është duke e legjitimuar politikën ekspansioniste të tij. Më kërcënime të vazhdueshme që po i bënë ndaj Kosovës më luftë, po kthehet në vitet e 90-ta, të shekullit të kaluar.Serbët nuk po shkëputën nga mitët e rreme të tyre .Regjimet në Serbi bashkë më Kishën Ortodokse Serbe , dhe Akedeminë , po e mbajnë peng popullin serbë. Lufta ka lënë shumë trauma, ka lënë shumë probleme që jetën ende po e bëjmë jo të mirë. Shoqëritë e reja duhet të krijojnë përspektiva për popujtë e tyre , por më kusht që të shkëputën nga mitologjia. Kjo vlenë për popullin serb, i cili po lejon në krye të shtetit ti këtë ende forcat e ultranacionalistit, Vojsllav Sheshel. I shkrova këto radhë , për faktin , se shteti i pa reformuar i Serbisë , sërish po bëhët factor destabiliteti në rajon. Po na kërcënon më luftë , të cilën njëherë e humbi në vitin 1999. Po na kërcënon edhe për faktin së fakori politikë shqiptarë nuk është unik sa duhet .Nuk po është unik në Kosovë dhe as në Shqipëri, e këtë dobësi të madhe tonën , po e shfrytëzon shovinisti , Vuçiq, për ta faktorizuar Serbinë në rajon. Po të ishim unik sa duhet , sigurisht së Vuçiqi do të hezitonte të luante më zjarr, në veri të Kosovës, më rastin e vuarjës të reciprocitetit për targat serbe, nga ana e Kosovës. Pa përgjegjësitë politike kur bëhët fjalë për Serbinë , duhet lënë mbrapa, së mund të në kushtojnë keq. Ende duket së elementet ideologjike po vihen para interesave nacionale , dhe kjo nuk fletë hiq mirë.Kjo është ide fataliste për komb! Mjaftë gjatë më gabimet tona kemi dërguar ujë në mullirin e serbosllavëve pushtues .Nuk guxojmë të lejojmë të na përseriten gabimet nga historia.Kjo sigurisht së nuk do të kishte asnjë kuptim…!

Kurti e pret në zyrë policin i cili e kishte arrestuar para 16 viteve

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës.

Takimi u mbajt pas operacionit dhe angazhimin e njësive speciale të Policisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, Shef i Njësisë Speciale Operative, i cili ishte udhëheqës i operacionit në veri.

Kurti tha se Ahmetin e ritakoi pas 16 viteve teksa ka ndarë edhe një fotografi kur Ahmeti e kishte arrestuar Kurtin atë kohë gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në zyren time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve. Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje. Nuk ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë”, ka shkruar Kurti.

Në vitin 2015 në protestat e dhunshme të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Shefi i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti, ishte lënduar rëndë në kokë dhe njërin sy dhe kishte shkuar në Turqi për mjekim.

Ahmeti kishte qenë edhe dëshmitar i Prokurorisë në vitin 2010 kur Kurti po akuzohej për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Kurti gjatë seancave të mbajtura ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, të cilat rëndonin mbi të.

“I kam hedhur poshtë të gjitha akuzat e tyre, edhe asnjëri prej tre policëve që kanë qenë dëshmitarë të prokurorisë, Besart Ahmeti, Kristë Gjokaj dhe Ismet Hajdini, nuk i kanë konfirmuar pohimet e Prokurorisë. Mirëpo, pavarësisht këtyre, gjatë gjithë seancës së sotme u pa se akuzat ndaj meje, madje, nuk vijnë aq nga prokurori, sa vijnë nga vetë gjykatësi i EULEX-it”, ka thënë Kurti pas shqiptimit të dënimit prej 9 muajsh.

Kosovë, 24 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore në 1997 dhe i riu Albin Kurti

Sot Kosova shënon plot 24 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.

Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat, të cilat u organizuan për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i kasapit Slobodan Millosheviqit në fillim të viteve 90-të, njofton RTK.

Përveç masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim.

Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për të shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.

Image

Image

Image

Image

Profesor Muhamet Mala ka vlerësuar herët se Lëvizja Studentore e ’97-s ishte krah intelektual i lëvizjes çlirimtare. Ai ka thënë:  “Mendoj se kjo lëvizje ka qenë një krah intelektual i lëvizjes çlirimtare e cila kishte filluar shumë më herët. Në fakt, lëvizja çlirimtare në Kosovë çdoherë i ka pasur dy komponentë. Komponenti i parë ka qenë një lloj rezistence ushtarake që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në kohën e lëvizjes nacional demokratike çlirimtare. Në këtë kuptim ajo ka vazhduar në vitin 1968 me protesta dhe më 1981 po ashtu, për të ardhur deri te lëvizja studentore, e cila e ka plotësuar këtë lëvizje”.

Kthehen në Kosovë mbetjet mortore të shtatë shqiptarëve të zhdukur

Arkivolet me eshtrat e shtatë viktimave, të gjetura në varrin masiv në Kizhevak të Serbisë, arritën në Kosovë më 30 shtator, 2021.

 

Mbetjet mortore të shtatë shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë u kthyen të enjten nga Serbia.

Mbetjet u kthyen përmes pikës kufitare të Merdares.

Viktimat ishin vrarë në fshatin Rezallë të Komunës së Gllogocit, më 1999.

Në pritje të tyre dolën familjarë dhe qytetarë të tjerë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu ishte në Merdare, tha se masakra e Rezallës “është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

Në këtë masakër, forcat serbe vranë afro 100 shqiptarë, dhjetëra trupa të të cilëve u zhdukën.

Mbetjet mortore të shtatë viktimave u gjetën në një varr masiv në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje të dy prej tyre u gjetën më herët në Rudnicë dhe iu bashkuan pjesëve të tjera të gjetura në Kizhevak.

Gërmimet në Kizhevak u kryen në fund të vitit të kaluar dhe këtë vit, ndërsa në Rudnicë në vitin 2014.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë. rel

KFOR-i shton patrullimet në veri

RFE/RL

Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja njoftoi se ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet në veri si dhe ka vendosur njësi në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Bërnjak.

Të mërkurën (29 shtator) komandanti i KFOR-it, Franco Federici, ka vëzhguar përmes helikopterit situatën në atë rajon dhe në njoftimin e misionit thuhet se ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e përfshira, për të kontribuar në uljen e shpejt të tensioneve.

“KFOR -i mban një qëndrim të paanshëm, të fuqishëm dhe fleksibël për t’u marrë me të gjitha situatat e mundshme”, thuhet në njoftim.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Të martën, ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media tha se kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë refuzuar ofertën e KFOR-it, që ky mision të përkujdeset për pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga atje.

Bislimi: Arritëm marrëveshje në parim për çështjen e targave

Bislimi: Marrëveshja për targat pret miratimin e Beogradit
RFE/RL

Në Bruksel është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja, e cila pret miratimin e Beogradit, është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur vetëm që pala serbe të jap dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente: i pari është që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin “letrat ngjitëse” në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtën kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të lëvizjes së lirë.

Pika e tretë, sipas tij, ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas dokumentit ditën e shtunë do të vendosej KFOR-it që do të zëvëndësonte njësitë speciale të policisë së Kosovës të cilat do të tërhiqeshin bashkë me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Ndërkohë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja nuk ka përfunduar dhe se negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po marrin pjesë në takimet në Bruksel, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri, teksa rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.

Zyrtari amerikan tha se duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.

Më herë I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se ka zhvilluar takime të ndara me dy kryenegociatorët, me të cilët ka biseduar për gjetjen e mënyrave për tejkalimin e krizës aktuale.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.

Presidentja e Republikës të Kosovës Vjosa Osmani mes medaljeve të arta olimpike

Mes kampioneve shkruan Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani duke bërë selfie me tre kampionet Olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova. Një komentues shkruan “Katër legjendat” –

 

 

Akuzoi Kosovën për konspiracion, gazetarët ‘gozhdojnë’ Ramën

Gazetarët e Kosovës kanë ‘gozhduar’ kryeministrin Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me homologun kosovar, Albin Kurti. Ata i thanë se Rama ka deklaruar në krah të kancelares gjermane, Angela Merkel se Kosova bën konspiracion.

Siç ndodh edhe në Shqipëri, Rama akuzoi gazetarët e Kosovës, duke thënë se ata nuk e kanë cituar siç duhet.

Edhe pas tensioneve të fundit Kosovë-Serbi, Rama tha se nuk ka ndryshuar qëndrim për Ballkanin e Hapur. Ai thotë se është më i bindur nga çfarë ishte se nisma e re është rruga e përbashkët.

“Nuk më citoni si duhet, edhe njëherë tjetër meqë ma dhatë mundësinë, dua të them, kam pasur shumë mesazhe edhe drejtpërdrejt edhe përmes rrjeteve sociale për shkak të situatës së krijuar nga Kosova ku pavarësisht larmisë së toneve dhe ngjyrimeve, thelbi ishte po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë.

Jam edhe më i bindur nga se çfarë isha. Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët. Për të mirë tonë. Ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit e patriotizmit. Nacionalizëm do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, patriotizmi ta duash veten mirë. Kemi një mosdakordësi me Albinin. Kjo është mosdakordësi politike, duhet ta trajtojmë si të tillë.

Sa për ju, shikoni apo nuk shikoni, marrëdhëniet tona nuk ndikohen nga mosdakordësia. Themeli është i natyre tjetër. Kombëtare, vëllazërore, është përtej çdo mosdakordësie politike, ai është themeli i strategjisë tonë, për interesat tona kombëtare. Patjetërsueshmërinë e një ëndrre për të jetuar në një hapësirë të pandarë si europian e shqiptarë. Ajo di të do të vijë, e pashmangshme. Në një Europë të bashkuar, shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët të jenë të pandashëm. Serbia do e njohë një ditë Kosovën, dhe kërkesa e faljes për krimet e luftës, do të vulosë fundin e luftës së vështirë të paqes.

Jam shumë mirënjohës për mikpritjen e kryeministrit dhe mikut tim, Albin Kurtin. Patriotizmin nuk e kam kuptuar si ndasi e mllef, por bashkim,” tha Rama.

Gjermania kërkon zgjidhje të situatës në veri përmes dialogut

RFE/RL

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, por një takim i tillë është refuzuar nga Serbia.

Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat.

Që prej 20 shtatorit, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Më 25 shtator u shënuan dy incidente në veri të Kosovës, për të cilat Prishtina e akuzoi Serbinë. Autoritetet njoftuan se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Dy avionë serbë fluturuan pranë kufirit, njësitë speciale të Policisë së Kosovës monitorojnë situatën

Pas dy incidenteve në Zubin Potok dhe Zveçan, situata në veri të Kosovës të dielën raportohet të jetë e qetë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, që ka qëndruar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, thotë se në orët e mëngjesit të ditës së diel janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovë.

Por në përgjithësi raportohet se gjithçka është qetë dhe nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës.
Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të vendosura edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Aeroplanet
Aeroplanet

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti një ditë më parë, mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku u diskutua situata në veri dhe koordinimi i hapave të mëtejmë.

Kurti ka thënë të shtunën se vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës.
Presidentja Osmani ka thënë se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
Djegia e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe sulmi ndaj Qendrës së Regjistrimit Civil në Zveçan janë dënuar nga autoritetet në Kosovë.

Për sulmet në veri Prishtina zyrtare ka akuzuar Beogradin.
Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën ka thënë se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Haradinaj i ofron mbështetje qeverisë për situatën në veri

RFE/RL

Kreu i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka ofruar mbështetje Qeverisë dhe Policisë së Kosovës për situatën në veri, duke thënë se ajo që po ndodh në këtë pjesë të vendit është “e papranueshme”.

“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Brukseli duhet të ndërhyjë dhe të kërkojë nga Serbia që të mos e provokojë edhe më tej situatën në veri të Kosovës.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare, autoritetet kanë thënë aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Për shkak të situatës në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

Që prej 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit, banorët serbë në veri të Kosovës po protestojnë. Ata kanë bllokuar dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kryeministri i Kosovës i përgjigjet Vulinit: Vulini ai ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit

voal.ch – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur ministrit të brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili tha se ‘për ta ndezur luftën duhet vetëm një budalla (aluduar Kurtin), ai ndodhet në Prishtinë’.

Kurti tha se ai ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit. Ai madje tha se Vulin i përket atyre zyrtarëve që Millosheviqin e konsideronte si jo të mjaftueshëm radikal.

“Së pari fluturaket serbe duket që janë përgjigje edhe ndaj deklaratës së Escobar që tha se nuk bën të militarizohet situata dhe ata filluan që të përdorin avionë ushtarakë. Pra këtu thua se nuk e kanë veq me neve, ndërkaq së dyti, Vulin mjafton të thuhet për të se ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së MIllosheviqit që aso kohe është quajtur Jul dhe i përkiste atyre zyrtarëve serbë që e konsideronte që Millosheviqi nuk është mjaftueshëm radikal. Pra besoj që kjo e shpjegon plotësisht se për kë bëhet fjalë dhe cka thoë kur thotë atë që ju e parafrazuat”, tha Kurti në konferencën e mbajtur për media.

Ndryshe, Vulin i cili njihet për ofendimet drejtuar Kosovës dhe retorikën e tij nacionaliste e ka fyer kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin. “Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën mjafton vetëm një budalla, dhe jam i frikësuar se atë budalla e kemi në anën tjetër, ai ndodhet në Prishtinë dhe emri i tij është Albin Kurti”, ka thënë Vulini./Nga konferenca për shtyp e Kryeminisrtit të Kosovës sot pasdite

Situata në veri, Kurti e Sveçla mbajnë konferencë për media

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot konferencë për media, raporton Express.

Konferenca do të mbahet në orën 16:00. Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë konferencë për media”, thuhet në njoftim.

Konferenca vjen pas situatës në veri, ku pas mesnatës janë djeguar e sulmuar me granata dore zyret e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan.

Kosovë – Sulmohen qendrat e regjistrimit në Zubin Potok

Luljeta Krasniqi – Veseli

Në ditën e gjashtë të bllokadës në pikat kufitare në veri të Kosovës janë shënuar dy incidente që lidhen me masën e reciprocitetit për targat.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se nga persona ende të dyshuara është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e Komunës në Zubin Potok dhe po ashtu është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdojë me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.

Ministri Sveçla ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe “të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”.

Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak

Për të gashtën ditë, dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara.

Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.

Infografikë

Pikat kufitare ku takohen Kosova dhe Serbia

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, të premten, më 24 shtator përmes një deklarate, i ka përgënjeshtruar informacionet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke përgatitur trupa për ndërhyrje në veri të Kosovës.

“Dezinformatat se kinse FSK-ja është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.

Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.

Sa i përket situatës në veri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë në dialog.

“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë Escobar.

Ai është shprehur së është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë forca speciale në një vend ku është KFOR-i.

“Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Trajkoviq: Vuçiq kishte shpresuar se Kosova do të ndahej deri në vitin 2021

Politikania serbe dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, tash kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve

Trajkoviq e ka cilësuar të dëmshme krizën e shkaktuar për raportet mes dy vendeve.

Ajo thotë se është shqetësuese që kryeministri Albin Kurti nuk mund të zmbrapset nga ky vendim, sepse do të komprometohej në prag të zgjedhjeve lokale.

Në pozitë të njëjtë, sipas saj është edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka nisur forcat ushtarake drejt Rashkës, duke menduar për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ndërsa, duke folur për Marrëveshjen e vitit 2016 lidhur me targat, Trajkoviq thotë se Vuçiq e kishte nënshkruar atë duke shpresuar se deri në vitin 2021 (kur do të skadonte afati i saj) do të vinte deri të ndarja e Kosovës ose shkëmbimi i territoreve, “si zgjidhje për të cilën ishin angazhuar ai [Vuçiq] dhe Thaçi”.

Trajkoviq thotë se momentumi i shkaktimit të krizës më reciprocitetin e targave është i papërshtatshëm, madje, sipas saj, i papërgjegjshëm, sepse po ndodh gjatë pandemisë së coronavirusit, i cili mori shumë jetë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe që tashmë po e vështirëson funksionimin normal.

“Kjo krizë po ndodhë edhe në atmosferën parazgjedhore në Kosovë, në vigjilje të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen në rrethana të vështira dhe për të cilat është shqyrtuar mundësia të mos mbaheshin [shtyhen]. Futja e Kosovës në një gjendje të jashtëzakonshme shtesë në rrethanat e një gjendjeje të jashtëzakonshme tashmë ekzistuese nuk është një vendim i përgjegjshëm. Nëse vazhdon kështu dhe nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për krizën, serbët dhe shqiptarët në gjendje të jashtëzakonshme vështirë se do të jenë në gjendje të bëjnë një fushatë efektive zgjedhore. Për më tepër, tani nuk dihet nëse serbët e Kosovës do të dalin fare në zgjedhje në këto rrethana. Kjo do të thotë kthim mbrapa i situatës dhe proceseve politike në Kosovë”, tha Trajkoviq për Telegrafin.

Politikania serbe thotë se “një problem tjetër është se tërë kjo vështirësi në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në vendkalimet administrative e izolon më tej Kosovën dhe e përjashton atë nga funksionimi normal në rajon.

Shumëkush tani do ta shmang Kosovën si rrugën e tyre transit, gjë që bart rreziqe dhe pasoja të mëtejshme ekonomike, politike dhe të sigurisë”.

Trajkoviq ka folur edhe për rreziqet që sjell gjendja e krijuar pas aplikimit të reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë.

“Me gjithë vullnetin e mirë të Policisë së Kosovës dhe serbëve në Kosovë, një situatë kaq të ndjeshme kurrë nuk mund ta kontrolloni plotësisht. Ekziston një rrezik serioz që ndonjë reagim i papritur t’i çojë protestat në një drejtim të padëshirueshëm. Sa më gjatë të qëndrojnë në barrikada, aq më e madhe është mundësia e konfliktit dhe radikalizimit. Ndërsa tani shohim se forcat serbe i janë afruar vijës administrative të Kosovës”, tha ajo.

“Shqetëson fakti se kryeministri i Kosovës, Kurti, nuk mund të kthehet prapa pas vendimit të tij për reciprocitetin, sepse me këtë do ta komprometonte veten para zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Vuçiq është në një pozicion të ngjashëm në Beograd dhe ka nisur forcat serbe drejt Rashkës, sepse edhe ai mendon për zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe shqetësohet nëse do të veprojë fort dhe sa duhet te  votuesit e tij. Të dyja palët kujdesen më shumë për rejtingun e tyre, dhe këtu nuk ka kushte për të lëshuar pe ose përgjegjësi të mjaftueshme personale për kompromis. Prandaj është një situatë shumë shqetësuese ku askush nuk mendon për njerëzit e zakonshëm. Ndërsa, përmes menaxhimit të keq të pandemisë, ne kemi parë tashmë se as Beogradi dhe as Prishtina nuk kujdesen shumë për njerëzit e thjeshtë”, tha Trajkoviq.

Ajo thotë se as rrethanat ndërkombëtare nuk janë ideale për zgjidhjen e krizës së shkaktuar me reciprocitetin për targat.

“Disa akterë ndërkombëtarë me deklaratat e tyre, që dënojnë vetëm njërën apo tjetrën palë, i hedhin vaj zjarrit dhe rrisin armiqësinë, sepse atyre u konvenon jo stabiliteti në teren. Nga ana tjetër, administrata amerikane, ndikimi i së cilës është i nevojshëm për të zgjidhur çdo krizë në Ballkan, është në proces të riorganizimit të qasjes së saj në rajon dhe tek pritet emërimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë. Pra Amerika është duke pritur iniciativën e BE-së për të zgjidhur këtë krizë. Ndërsa, kredibiliteti dhe fuqia e BE -së është komprometuar në terren, sepse kjo krizë ndodhi pikërisht gjatë vizitës së Miroslav Lajçakut në rajon. Pra, jemi në një situatë të palakmueshme dhe të rrezikshme ku aktorët lokalë nga të dyja palët duhet të tregojnë përgjegjësi”.

Trajkoviq ka folur për ndikimin e situatës së krijuar në dialogun Kosovë-Serbi.  Ajo thotë se “në një farë mënyre, negociatorët duhet të rifreskohen për të rifilluar procesin e negociatave”.

“Kjo nënkupton një pjesëmarrje më të fortë dhe më të drejtpërdrejtë të Amerikës në negociata, si dhe freskim të ekipeve negociuese të Prishtinës dhe Beogradit. Situata me tabelat tregon se nuk do të ketë përparim në këtë proces negociues. Vuçiq dhe Kurti janë njerëz të cilët janë shumë të ngarkuar me rejtingun e brendshëm politik për të arritur një marrëveshje, kështu që zgjerimi i ekipeve dhe përfshirja e përfaqësuesve të shoqërisë civile mund të sjellë energji të re dhe konstruktivitet në negociata”.

“Nëse e dimë se Asambleja e Përgjithshme e OKB -së autorizoi dialogun teknik midis Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2010, si dhe se mandati i UNMIK-ut u zgjat edhe për një vit tjetër, kjo do të thotë se na është dhënë më shumë kohë për t’iu kthyer seriozisht procesit të negociatave. Situatat si ajo me tabelat tregojnë se edhe çështjet më themelore teknike në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës nuk janë zgjidhur dhe se masat e papritura dhe zgjidhjet e shpejta shkaktojnë trazira dhe destabilizim të madh”, tha Trajkoviq.

Ajo mendon se ka shumë marrëveshje të mira që janë nënshkruar, por që nuk janë zbatuar plotësisht.

“Këtu kam parasysh marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, si dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, që problemin e Kosovës e sheh nga pikëpamja praktike dhe ekonomike. Në vend që kohën dhe energjinë ta fokusojmë kot në përpjekjen për të rishikuar marrëveshjet e nënshkruara, ne duhet të përqendrohemi në zbatimin efektiv të asaj që është nënshkruar tashmë dhe të vazhdojmë tutje. Nuk ia vlen ‘për të qarë për qumështin e derdhur’”.

Trajkoviqka komentuar edhe kritikat e opozitës në Serbi, e cila e akuzon Vuçiqin se e dinte që do të aplikohej reciprociteti, pasi ai personalisht e kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2016, e cila do të skadonte në vitin 2021.

Ajo thotë se “marrëveshja për targat nga shtatori i vitit 2016 – e cila u nënshkrua nga regjimi i Vuçiqit, d.m.th. Marko Gjuriq – shkoi një hap më tej sesa marrëveshja për lirinë e lëvizjes nga viti 2011”.

“Marrëveshja nga viti 2016 parashihte të mbuloheshin simbolet shtetërore në targat e automjeteve nga të dyja palët, që do të thotë se vërtet do të aplikohej koncepti i reciprocitetit në këtë çështje. Kjo zgjidhje u motivua nga marrëveshja që Greqia dhe Maqedonia e Veriut e kishin arritur  atë kohë, por ndoshta ishte shumë ambicioze sepse natyra e mosmarrëveshjes midis dy vendeve është e ndryshme dhe shumë më e lehtë, sesa mosmarrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit [Kosovës dhe Serbisë]. Unë do të thosha se Vuçiq atëherë ishte ende në fillimin e sundimit të tij, dhe se në atë fazë të bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me bashkësinë ndërkombëtare, donte të tregohej si një negociator konstruktiv. Por më duket se mori përsipër një detyrim që nuk ka fuqi ta përmbushë, as para votuesve të tij dhe as sipas Kushtetutës së Serbisë”, tha ajo.

Trajkoviq thotë se Marrëveshja nga viti 2016 nuk është zbatuar deri më tani, sepse vlefshmëria e tabelave të KS është zgjatur në 5 vjet.

“Tani, në mungesë të një marrëveshjeje të re, ajo që u nënshkrua në vitin 2016 po aktualizohet sërish. Vuçiq thjesht nuk ka forcën politike për ta zbatuar atë në praktikë. Unë mendoj se ai (Vuçiq) nënshkroi marrëveshjen e vitit 2016 me shpresën se deri në skadimin e saj, në vitin 2021, do të ketë një ndarje të Kosovës, respektivisht shkëmbim të territoreve – ndryshe zgjidhjen për të cilën angazhohej ai së bashku me zotin Thaçi. Siç po shihet, kjo nuk ndodhi dhe zgjidhjet e nënshkruara nga e kaluara tani po paguhen”, ka thënë Trajkoviq

MPB ka lëshuar për tri ditë mbi 6.000 targa të përkohshme

Modeli i targave të përkohshme që duhet të vendosin makinat e regjistruara në Serbi, sapo të hyjnë në Kosovë.

RFE/RL

Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se prej 20 shtatorit e deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 22 shtator, ka lëshuar 6.375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë, mbi 3.000 targa të përkohshme janë lëshuar në të gjitha vendkalimet kufitare Kosovë – Serbi, ndërkaq, numri më i madh i tyre është lëshuar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdar.

Në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës, të cilat janë bllokuar nga serbët lokalë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë lëshuar 24 tabela të përkohshme.

Pjesa tjetër e numrit të përgjithshëm të targave të përkohshme janë lëshuar në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, nëpër komunat e ndryshme, përfshirë edhe katër komunat në veri të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator, kanë nisur zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, të gjitha automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i heqin plotësisht targat e përkohshme për të zgjidhur situatën e krijuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të mërkurën për ulje të menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës, duke thënë se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët”.

Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla takojnë sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, flasin për dialogun dhe marrëveshjet me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, ndërsa kanë folur rreth marrëveshjeve dhe dialogut Kosovë-Serbi.

Presidentja Osmani theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO. Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta.

Gjatë takimit me të, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, tha ajo.

Forca e Sigurisë e Kosovës, tha presidentja Osmani, është forcë profesionale, e përgatitur në përputhje me standardet e NATO-s, e cila do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale” tha presidentja Osmani.

Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë.

Ajo theksoj se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë.

Në njoftim të Presidencës thuhet se sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.

Presidentja Osmani theksoi se vendimi i Kosovës ishte në përputhje me orientimin gjeostrategjik dhe reflektim i vlerave të përbashkëta të të drejtave të njeriut.

“Kosova, vazhdoi ajo, është e gatshme që edhe në të ardhmen të kontribuojë në misione të ngjashme humanitare, por edhe në ato të sigurisë”.

Ministri Sveçla: Vendimi për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë është legjitim

Ministri Sveçla tha se vendimi është legjitim sepse edhe përkundër asaj se Kosova ka pranuar që automjetet nga Serbia të qarkullojnë lirshëm me targat serbe, një gjë e tillë nuk është lejuar nga pala serbe

Agim Sulaj   |20.09.2021
Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se vendimi për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë është legjitim, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, Sveçla tha se vendimi është legjitim sepse edhe përkundër asaj se Kosova ka pranuar që automjetet nga Serbia të qarkullojnë lirshëm me targat serbe, një gjë e tillë nuk është lejuar nga pala serbe.

“Serbia ka obliguar dhe obligon qytetarët e Republikës së Kosovës që të vendosin tabela të përkohshme për të hyrë në Serbi, pra tabelat ‘RKS’. Prandaj, ne kemi vlerësuar se është momenti i fundit që edhe Republika e Kosovës të bëjë të njëjtën gjë, as më shumë e as më pak dhe të realizojmë një të drejtë legjitime të shtetit tonë dhe qytetarëve tanë duke garantuar njëkohësisht lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Sveçla.

Ai tha se qytetarët që kanë vetura me targa të Serbisë në hyrje dhe në qarkullim brenda Kosovës duhet të pajisen me targa të përkohshme të Kosovës sipas vendimit të sotëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, targa me të cilat nga 21 shtatori mund të pajisen në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve Kosovë.

Për këtë vendim, qytetarë serb të cilët jetojnë në komunat veriore të Kosovës kanë organizuar protestë ku për një kohë edhe kanë bllokuar rrugët të cilat çojnë në kufi me Serbinë.

Por Sveçla theksoi se gjendja e sigurisë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë të gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e njerëzve dhe mallrave.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos i bllokojnë rrugët, sepse me këto veprime ata bllokojnë vetveten, bashkëqytetarët dhe gjithë shtetasit kosovarë.

Por në rast se nga ky vendim do të pësojnë shtetasit serbë që i përkasin nacionalitetit shqiptar dhe të cilët janë të vendosur kryesisht në Luginën e Preshevës, ministri tha se do t’u kompensohet çfarëdo dëmi.

“Ky vendim ka të bëjë me qarkullimin me targat e shtetit të Serbisë. Shumë shpejtë, në një kohë të përshtatshme do të ketë mekanizma të tjera të cilat do të kompensojnë çfarëdo dëmi që ju bëhet bashkëkombësve tanëm qoftë nga Presheva, Bujanovci apo Medvegja”, tha Sveçla.

Gjatë ditës së sotme, në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendosja e reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë që futen në Kosovë nuk është dëshirë e autoriteteve kosovare, por është imponim nga Serbia.

Sipas vendimit të fundit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të nënshkruar sot nga ministri Sveçla për rregullimin e kësaj çështje, obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës.

“Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës. Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa në mjet. Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë dhe kushton 5 euro”, thuhet në pikat e këtij vendimi.

Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u përcaktua që të gjithë pronarët e automjeteve që banojnë në Kosovë duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas marrëveshjes, nga Kosova në Serbi mund të futen të gjitha automjetet me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, automjetet me targa të Serbisë deri sot futeshin lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.

Këtë vit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës edhe më herët paralajmëroi se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat “KS” dhe automjetet e Kosovës do të bartin vetëm targat ‘RKS’.

Serbët bllokojnë rrugët pas reciprocitetit për targa

Taulant Qenaj, Doruntina Baliu

Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë në shenjë pakënaqësie.

Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme që ky vendim të mos pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke shtuar se situata në kufijtë “është e qetë”.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS'”, ka shkruar në Facebook ministri Sveçla.

Ministria që udhëheq Sveçla ka njoftuar se përveç në pikat kufitare, qytetarët mund të pajisjen me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

Kurti: Vendimi nuk është i drejtuar kundër serbëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës plenare të mbajtur më 20 shtator, tha se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.

“Si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për lëvizje të lirë nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë. Ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse dje, sot edhe nesër, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm, të sigurt, të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Serbët protestojnë kundër reciprocitetit

Në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të grumbullimit të qytetarëve dolën edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, nuk po mund të lëvizin veturat për shkak se rruga është bllokuar me kamionë dhe vetura, që kanë krijuar në kolonë prej disa kilometrash.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të mos bllokojnë rrugët, duke shtuar se ata “nuk duhet të ndikoheni nga deklaratat politike, qëllimi i të cilëave është përhapja e panikës dhe frikës”.

Më herët gjatë ditës, kreu i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Goran Rakiq, tha se ky vendim është i drejtuar kundër popullit serb.

Ai ishte i pranishëm në Jarinje, ku Policia e Kosovës udhëzoi qytetarët që të mos grumbullohen, por Rakiq tha se ata kanë të drejtë të mbajnë protestë paqësore.

“Ne kemi dëgjuar informacione se kjo nuk është e drejtuar kundër popullit serb”, tha Rakiq, po shtoi se një vendim i tillë, sipas tij, “është kundër popullit serb”.

Protesta në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinje.

Protesta në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinje.

Ai bëri thirrje që njerëzit të mos bien “pre e provokimeve dhe të mos provokojnë”, duke ftuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të gjejë një zgjidhje.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, “për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë”.

Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, thanë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për reciprocitetin për targat, ka qenë i pritshëm, por edhe se do të shkaktojë problem për njerëzit.

Zllatibor Viçentijeviq nga Mitrovica e Veriut tha se me targat e Serbisë janë të regjistruar afër 10,000 vetura.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë me tabelat nga veriu i Kosovës siç janë tabelat e ‘KM’ (Mitrovica e Kosovës). Vetëm me këto tabela janë të regjistruara rreth 9,500 mijë vetura dhe kjo gjithsesi paraqet problem për njerëzit që veturat e tyre i kanë të regjistruar në Mitrovicë”, tha ai, duke shtuar se nëse është e nevojshme, ai do të paguajë tatim për regjistrimin e veturës së tij me targa ‘RKS’ (Republika e Kosovës).

Për Dragan Vuçkoviq ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka qenë i pritshëm.

“Ka qenë e pritshme. Pasi jetoj këtu, nëse duhet e regjistroj. Nëse mua do të më kishte pyetur dikush, nuk do të duhej, por nëse kështu duhet, atëherë….”, shprehet ai.

SHBA-ja dhe BE-ja bëjnë thirrje për ulje të tensioneve

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa i përket targave të Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bënë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se të dy palët duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere e cila do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljes së tensioneve.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Jarinje.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Jarinje.

Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është platformë për të zgjidhur çështjet e hapura midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ne po fokusohemi për të evituar situata, siç është ajo tash në veri të Kosovës”, tha Stano duke përsëritur se të gjithë duhet të punojnë në frymën e promovimit të dialogut dhe uljes së tensioneve.

Sipas Stanos, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçka gjendet në Beograd dhe pasditen e së hënës do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Stano po ashtu tha se Lajçak më herët ka biseduar me autoritetet e Kosovës.

Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëashëm.

Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.

Një kamion që ka hyrë nga Serbia në Kosovë, ka vendosur targa të përkohshme.

Një kamion që ka hyrë nga Serbia në Kosovë, ka vendosur targa të përkohshme.

Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Ministria e Brendshme e Kosovës: Shmangni udhëtimin nga pikat kufitare të Bërnjakës dhe Jarinjës

Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar se qytetarët të cilët planifikojnë të kalojnë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë të Mitrovicës, duhet t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.

Në një njoftim për mediat, ministria bën me dije se ky devijim bëhet për shkak të situatës së shkaktuar sot në këtë pikë, pas vendosjes së vendimit për reciprocitet për targat e mjeteve serbe që hyjnë në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë të Mitrovicës, që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë. Njëkohësisht, njoftojmë qytetarët të cilët qarkullojnë në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, se mund të shfrytëzojnë targat e Serbisë, por se në hyrje dhe qarkullim brenda Republikës së Kosovës duhet që të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, sipas vendimit të sotshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga sot ka hyrë në fuqi vendimi i reciprocitetit për automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.
Të gjitha automjetet me targa të Serbisë, janë të obliguara të vendosin targat e përkohshme, kur hyjnë në Republikën e Kosovës.

Kosova vendos reciprocitet për targat me Serbinë

Vetura me targa KM (Mitrovica e Kosovës) në Mitrovicën e Veriut.

Policia e Kosovës ka filluar të heqë targat e veturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti ashtu siç deri sot kanë autoritetet serbe me veturat e regjistruara në Kosovë.

Veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë-kalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëashëm.

Deri tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.

Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, të arritur në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

​22 vjet nga themelimi i TMK-së

Sot bëhen 22 vjet nga themelimi i TMK-së, ku sipas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë, ishte paraparë çarmatimi i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transformimi i saj në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Me hyrjen e trupave ushtarake të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë në vitin 1999 filloi edhe transformimi i UÇK-së, duke përfunduar në vitin 2000.

Udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua Gjeneral-lejtnant, Agim Çeku. Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet.

TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit, që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradi, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TKM-së, dhe krijimi i një force të re.

“Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës. Ato do të shpërndahen 1 vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje”, shkruhej në Planin e Ahtisaarit.

Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj. Më 21 janar 2009 u krijua Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Para dy vitesh FSK është shndërruar në ushtri të Kosovës, kurse Ministria e FSK-së në Ministri të Mbrojtjes./KP

Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla nisen drejt Nju Jorkut

Vizitat zyrtare të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të vazhdojnë edhe për disa ditë.

Presidenca bëri të ditur ditë më parë se pas vizita në Gjermani i lë vend vizitës në Osmanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Java e Presidentes Osmani nisi me pritjen e delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke vazhduar me vizitën zyrtare në Gjermani dhe në fundjavë ajo do të udhëtojë drejt New York”, tha ditë më parë Blerim Vela, Shef i Kabinetit të Osmanit.

Burime brenda Presidencës kanë bërë të ditur se bashkë me Osmanin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë ditës së sotme do të udhëtojë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Viktimat e Salih Mustafës ishin pjesë e LDK-së”/ Ky është reagimi i djalit të deputetit të vrarë të LDK-së

Gjatë ditës së djeshme, në Gjykatën Speciale ka nisur gjykimi ndaj Salih Mustafës, për të cilin zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se të gjitha viktimat e tij ishin anëtar të LDK-së.

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës.

Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, ka deklaruar Cezary Michalczuk nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

E pas kësaj deklarate, pati shumë reagime në Kosovë, të cilët dolën në mbështetje të prokurorit Smith dhe familjarëve të viktimave politike.

E i fundit që ka reaguar është Shpëtim Hajdaraj, djali i deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj.

“Gjithmonë në anën e viktimave. Faleminderit US! (Tek e fundit : Kosova e fitoi lirinë dhe pavarësinë e saj si viktimë.)”, ka shkruar Shpëtim Hajdaraj, i cili ka postuar fotografinë e flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

Prokurorët Cezary Michalczuk (majtas) dhe Jack Smith (djathtas) në hapjen e gjyqit të Salih Mustafës në Gjykatën Speciale më 15 shtator 2021 në Hagë, Holandë. REUTERS – PISION

Rritet kapaciteti teknik dhe infrastrukturor i aeroportit “Adem Jashari”

Prishtinë

Është rritur kapaciteti i pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me 550 metra më shumë si dhe janë shtuar kapacitetet teknike të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror që do të kontribuojnë në siguri, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu kanë bërë të ditur në një konferencë për media ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHI), Liburn Aliu, komandanti i KFOR-it në Kosovë, Franco Federici dhe drejtori i operimeve nga kompania Limak, Gokmen Aritay.

Ministri Aliu, i cili prezantoi projektin e realizuar nga të tri institucionet e lartpërmendura tha se pista është zgjatur nga 2.500 metra në 3.050 metra si dhe janë rritur kapacitetet teknike të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Ai tha se ky projekt do të kontribuojë në disa aspekte si në lehtësimin e aterrimit të aeroplanëve, shkurtimin e kohës së udhëtimit, ndotjen më të vogël të atmosferës si dhe çmime më të reduktuara të biletave të udhëtimeve.

“Me realizimin e këtij projekti, sistemi instrumental i aterrimit në këtë aeroport avancohet nga kategoria 2 në kategorinë 3b e që është një avancim jashtëzakonisht cilësor që aeroportin ndërkombëtar e bënë konkurrent në rajon. Po ashtu, pajisjet të cilat do të funksionalizohen me këtë projekt e që janë pajisje që kanë të bëjnë me navigimin me meteorologji, do të luajnë rol të rëndësishëm për aterrim në kushte të vështira atmosferike dhe me këtë rast eliminohet shkaktari kryesor i anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës”, tha Aliu.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, major-gjeneral Franco Federici tha se me pistën shtesë në aeroport do të ketë përfitime të shumëfishta nga kompania Limak e cila e menaxhon aeroportin me koncesion, por edhe nga qytetarët dhe nga shteti.

“Kjo është shumë me rëndësi për Kosovën për zhvillimin ekonomik. Do të keni më shumë pasagjerë, më shumë turistë, gjë që është e mirë për kompaninë sepse do të kursejë para ngase do të reduktohet kostoja e fluturimit dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme mjedisi do të përfitojë sepse do të shpenzohet më pak karburant”, tha gjenerali Federicci.

Drejtori i operimeve nga kompania turke Limak e cila menaxhon me koncesion aeroportin, Gokmen Aritay tha se ndihet krenar që është pjesë e këtij projekti i cili tha se do të ishte mjaft i vështirë pa ndihmën e ministrisë.

Projekti i financuar nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i nënshkruar në vitin 2017 ndërsa është para përfundimit, kurse vlera e tij totale është mbi 33 milionë euro.

Kërkohen masa mbrojtëse për dëshmitarët ndërkombëtarë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Pamje e marrë nga video-incizimi i konferencës së shtatë statusore në Dhomat e Specializuara në Hagë. 14 shtator 2021.

RFE/RL

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha se për disa dëshmitarë ndërkombëtarë, të cilët janë miratuar, është kërkuar që të merren masa mbrojtëse.

Në Dhomën e Specializuar në Hagë, më 14 shtator po mbahet konferenca e shtatë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Zyra e Prokurorit tha se që nga konferenca e fundit statusore ka nxjerr 24 pako me materiale. Dy dëshmitarë ndërkombëtarë janë miratuar dhe janë të njohur. Ndërkaq, për tre dëshmitarë të tjerë ndërkombëtarë po vazhdon procesi i miratimit.

Po ashtu, janë edhe pesë dëshmitarë, për të cilët janë bërë gati dokumentet.

Prokuroria, ka afat që të nxjerrë materialet deri më 27 shtator. Ndërkaq, po ashtu është kërkuar shtyrja e afatit për përkthimin e afateve.

Avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson tha se ZPS-së do t’i duhen muaj për të nxjerrë përkthimet e materialeve. Ai tha se në korrik, ishte po ky institucion që kishte thënë se do të nxirrte me kohë të gjitha materialet, por mbrojtja deri më tani ka marrë vetëm 75 për qind të materialeve.

Ai po ashtu tha se mbrojtja po përballet me sjellje joprofesionale të Prokurorisë, pasi ZPS-ja tha se nuk e di saktësisht numrin e materialeve që do të nxjerrë.

Ish-krerët e UÇK-së nuk janë të pranishëm fizikisht në këtë seancë, por të njëjtën po e ndjekin përmes video-lidhjes.
Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Liburn Aliu shkoi në Beograd për samitin e hekurudhave

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, pa paralajmërim ka shkuar në Beograd. Ai po merr pjesë në Samitin e Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor 2021

Në kryeqytetin e Serbisë, Aliu nënshkroi bashkë me ministrat e pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor marrëveshje që kanë të bëjnë me lidhjen e rajonit përmes hekurudhave, njofton kosovoonline.

Në këtë ngjarje kanë folur komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Ky vit është shpallur Viti Evropian i Hekurudhave dhe sikur ta dinim këtë, këtë vit ne po përfundojmë projektin më revolucionar të hekurudhave në historinë serbe. Për ne, ky vit nuk do të jetë vetëm viti i hekurudhave, por çdo vit tjetër, tha ministri serb, Tomislav Momiroviq.

“Samiti i Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor 2021”, i cili mblodhi së bashku zyrtarë të Serbisë dhe rajonalë, si dhe ekspertë në fushën e trafikut hekurudhor, u hap sot në Beograd.

Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar paraprakisht për vizitën e ministrit kosovar në Beograd.

Presidentja Osmani flet për Asociacionin: Ne nuk do ta ndryshojmë Kushtetutën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia nuk ka zbatuar as dy të tretat e marrëveshjeve me Kosovën, që kur janë nënshkruar më 2013-ën.

Megjithatë, ajo në një intervistë për sueddeutsche, shpreson se kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe drejtuesit e Bashkimit Europian, të bëjnë presionin e nevojshëm, mbi Serbinë, në mënyrë që Kosova të ecën tutje, përcjell Klankosova.tv.

“Shpresojmë që kancelarja dhe drejtuesit e institucioneve të BE-së, të bëjnë presionin e nevojshëm mbi Serbinë në mënyrë që ne më në fund të ecim përpara”, citohet të ketë thënë ajo.

Tutje presidentja Vjosa Osmani, ka folur edhe për kërkesën e palës serbe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ajo është shprehur bindshëm kundër ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Asociacionit, përcjell Klankosova.tv.

“Ne nuk do të ndryshojmë kushtetutën apo të lejojmë ndonjë bashkim të qyteteve dhe komunave që do të krijonin një strukturë të pushtetit mono-etnik në vendin tonë. Kjo nuk është as në interesin tonë, as në atë të rajonit apo aleatëve tanë”.

Për këtë Presidentja Osmani i referohet Republikës Srpska, nën-rajonit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë afër Beogradit.

“Nëse lejojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kjo do të ishte vetëm faza paraprake për Serbinë në Republikën Sprska të dytë”,  thotë Presidentja Osmani.

“Ne nuk duam një shtet tjetër që nuk funksionon si Bosnja dhe Hercegovina”, ka deklaruar ajo.

Ata që hyjnë në Kosovë, duhet të kenë këto dëshmi për Covid-19

Sot në mbledhjen e mbajtur Qeveria e Kosovës ka vendosur masat e reja anti-COVID.

Mes tjerash, thuhet se çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj një nga dëshmitë si më poshtë.

[Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]

2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;

2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

3. Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.

4. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:

4.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;

4.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID19;

4.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

4.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

4.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;

4.6 Personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare.

Masat e reja: Mësimi në Kosovë pezullohet deri më 26 shtator

RFE/RL

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër pandemisë së koronavirusit, ku mësimi në nivelin parauniversitar, përfshirë edhe nivelin parashkollor dhe puna e qëndrimeve ditore do të pezullohet deri më 26 shtator. Ndërkaq në institucionet publike dhe private të arsimit universitar mësimi nuk do të mbahet me prezencë fizike të studentëve. Ndërkaq, për një sërë ngjarjesh, qytetarët duhet të paraqesin dëshmi për vaksinim apo teste, në mënyrë që të marrin pjesë në to.

Sa i përket familjeve që kanë fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore, ku dy prindërit janë të punësuar, njëri nga ta do të lirohet që të paraqitet fizikisht në punë në periudhën 13-26 shtator.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media më 12 shtator tha masat do të jenë në fuqi nga 13 deri më 26 shtator, por nëse ndryshon situata epidemiologjike, atëherë do të ndryshojnë edhe masat.

“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të përmirësimit të lehtë të situatës epidemiologjike”, tha Vitia, por shtoi se përkundër kësaj, situata vazhdon të jetë e ndjeshme.

Vitia po ashtu bëri të ditur se biblotekat do të lejohen që të punojnë me 30 për qind të kapaciteteve dhe se të gjithë personat që duan të shkojnë në to, duhet të paraqesin dëshminë për vaksinim apo të prezantojnë rezultatet e testeve për COVID-19.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna bëri të ditur se rreth 80 për qind e punonjëve të arsimit, në nivelin parauniversitar tashmë janë vaksinuar kundër koronavirusit dhe presin që në ditët në vijim kjo përqindje të rritet.

Sipas vendimit, dëshmi për vaksinimin e plotë ose për marrjen e një doze, testi negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë, testi antigen jo më të vjetër se 48 orë apo testi i antitrupave jo më i vjetër se 30 ditë do të kërkohen për:

Për çdo person që hyn në territorin e Kosovës
Punëtorët e institucioneve publike
Studentët që duan të regjistrohen në konvikte
Studentët e institucioneve publike dhe private që duan të hyjnë në objektin e institucionit ku studiojnë
Stafi i institucioneve publike dhe private në të gjitha nivelet e arsimit
Punonjësit e kinemave, teatrove dhe qendrave të tjera të kulturës
Shfrytëzuesit e bibliotekave dhe muzeve
Shfrytëzuesit e fitueseve dhe palestrave
Klientët dhe stafi i banjave termale
Shikuesit e garave sportive që organizohen në hapësira të jashtme

Kjo masë pas 27 shtatorit do të vlejë edhe për stafin e qendrave tregtare dhe i qendrave të thirrjeve (call center).

Sipas vendimit, një person nga institucionet e lartcekura do të angazhohet që të verifikojë që personat që hyjnë në këto objekte posedojnë dëshmitë e kërkuara.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kërkimi që qytetarët të ofrojnë këto dëshmi “ në asnjë rast” nuk përcaktojnë se “vaksinimi është i detyrueshëm”.

Ofrimi i dëshmisë së vaksinimit dhe dëshmia përmes testit të shpejtë antigen nuk vlen për personat që hyjnë në Kosovë dhe largohen nga aeroporti brenda tri orësh, për transportuesit profesionistë, shtetasit e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit, për shtetasit që kalojnë transit përmes Kosovës, me kushtin që të largohen nga shteti brenda pesë orësh, për diplomatët e akredituar në Kosovë dhe për personat nën moshën 16-vjeçare.

Në fuqi do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Lokalet e gastronomisë do të vazhdojnë të punojnë deri në ora 21:30, por vetëm në ambiente të jashtme dhe duke respektuar distancën ndërmjet tavolina prej 1 metër. Po ashtu qendrat tregtare do të lejohen të punojnë, ndërkaq për lokalet e gastronomisë brenda tyre, vlen parimi i njëjtë – pra puna vetëm në hapësira të hapura.

Ndërkaq, vazhdon të ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore.

Po ashtu, në funerale lejohen të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes dhe nuk lejohet mbajtja e të pameve.

Mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë në fuqi, ndërkaq institucionet publike do të punojnë vetëm me staf esencial nga zyrat, ndërkaq gratë shtatzëna janë të liruara nga puna.
Grumbullimet

Sipas vendimit, në ambiente të mbyllura lejohet grumbullimi deri në 20 persona, por duke respektuar distancën prej 1.5 metrash.

Për ngjarjet kulturore dhe grumbullime të tjera lejohen deri në 50 persona.

Po ashtu, kinematë, qendrat rinore, qendrat e kulturës dhe institucione të ngjashme duhet ta pezullojnë aktivitetin e tyre deri më 26 shtator. Teatrot, orkestrat, baleti dhe asambletë mund të mbajnë vetëm shfaqje online. Ndërkaq, pas 27 shtatorit, këto institucione mund të shfrytëzojnë vetëm 30 për qind të hapësirës së objekteve.

Ndërkaq, muzetë dhe bibliotekat lejohen të shfrytëzojnë vetëm me 30 për qind të kapaciteteve të hapësirave.

Sa i përket ngjarjeve sportive, ato në ambiente të mbyllura mund të zhvillohen vetëm me numër të kufizuar, ndërkaq nuk lejohet prania e shikuese.

Ngjarjet garuese në ambiente të hapura lejohet të mbahen dhe vetëm 5 për qind e kapacitetit të hapësirave do të lejohet për shikuesit.

Që prej gushtit, Kosova ka regjistruar numra të lartë të infektimeve ditore, por edhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima.

Myftiu Tërnava fton besimtarët të vaksinohen

RFE/RL

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, u ka bërë thirrje besimtarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bashkësia Islame e Kosovës, njoftoi se Tërnava ka marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.

“Ai e ka quajtur të paarsyeshme çdo tentim për të arsyetuar refuzimin e vaksinimit, ndërsa potencoi se besimtarët janë të obliguar t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për vaksinim”, thuhet në postimin e BIK-ut.

Situata epidemiologjike në Kosovë është përkeqësuar që nga fundi i muajit korrik dhe fillimi i gushtit. Në Kosovë të premten janë regjistruar edhe 30 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Infektologu, Xhevat Demiri, i tha Radios Evropa e Lirë se situata me pandeminë është shumë e rëndë dhe kërkohet një vetëdijesim i qytetarëve për respektim të masave kundër COVID-19 dhe për vaksinim kundër kësaj sëmundjeje.

“Pasojë e kësaj situate të rëndë me pandeminë është në radhë të parë mosrespektimi i masave kundër COVID-19. Çdo ditë e më shumë kemi grumbullime që rrezikojnë situatën. Vaksinimi është i ulët. Por është edhe një faktor tjetër që një pjesë e popullsisë vazhdon të mos besojë që ka virus”, thotë ai.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se numri i vaksinave të dhëna në Kosovë ka arritur në një milion.

Me të dyja dozat e vaksinës, deri të premten në mesditë, janë vaksinuar 351,475 qytetarë të Kosovës.

Vriten dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë

VOA

Policia e Kosovës bëri të ditur se dy persona kanë humbur jetën në një incident me armë zjarri në qytetin e Pejës, rreth 85 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Policia tha se si pasojë e të shtënave tre persona janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin Rajonal në Pejë. “Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e dy viktimave të këtij rasti. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Policisë së Kosovës, gjithashtu edhe prokurori i shtetit, të cilët po kryejnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë por pa dhënë më shumë hollësi për ngjarjen.

Policia nuk bëri të ditur identitetin e viktimave por Partia Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi tha se personat e vrarë janë kandidati i këtij subjekti për kryetar të komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, ish kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit në zgjedhjet e vitit 2017.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri u tha mediave lokale se sipas informacioneve se vrasja e dyfishtë ishte pasojë e një konflikti të çastit ndërmjet dy viktimave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha përmes rrjeteve sociale se policia e Kosovës tashmë ka arrestuar personin e plagosur në ngjarjen në qytetin e Pejës. Ai tha se ndriçimi i kësaj ngjarjeje do të jetë përparësi e punës së institucioneve të sigurisë.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta të udhëheqësve te institucioneve të cilët bën thirrje për ndriçimin e saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit. Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ngjarja e rëndë në qytetin e Pejës është tronditëse . “U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike”, thuhet në reagimin e kryeministrit Kurti.

Vrasja ndodhi pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore për pushtetin komunal që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Bislimi: Nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiq

RFE/RL

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se për këtë çështje, palët kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore.

“Në një moment zoti (Petar) Petkoviq është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së. Nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në në Kosovë dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione”, tha Bislimi.

Ai po ashtu tregoi se janë pajtuar që grupet punuese për çështjen e të pagjeturve të takohen rregullisht dhe trupat e pajetë të gjetur në varrezën e dyshuar masive në Kizhevak të Serbisë, t’iu dorëzohen familjeve. Ai tha se mbetjet mortore të shtatë janë identifikuar nga autoritetet në Beograd dhe mbetjet e dy personave të idenfikuar gjenden në morgun e Prishtinës.

“Është e rëndësishme që të këmbejmë mbetjet mortore në mënyrë që familjarët e viktimave t’i marrin ato. Por, duhet të shohim se si do ta aranzhojmë këtë pasi pala jonë e ka konfirmuar se nuk do ta pranojë (Velko) Odalloviqin si kryetar i delegacionit”, tha Bislimi.

Sipas tij, takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel negociatorësh do të ketë në fund të tetorit, për të parë nëse palët do të arrijnë ndonjë përparim, që sipas Bislimit, do të justifikonte mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Takimi i 8 shtatorit u mbajt pavarësisht se palët një ditë më herët thanë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.

Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi Prishtina zyrtare ia ndaloi hyrjen shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviqit i është ndaluar hyrja për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.

Megjithatë, nga MPJD-ja nuk kanë sqaruar se për cilat deklarata bëhet fjalë.

Kosova, sipas zëvendëskryeministrit Bislmi, nuk dëshiron që të diskutohet sërish për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut, por do vetëm të diskutohet për zbatimin e tyre.

Për disa marrëveshje të arritura më herët, siç është ajo për tragat e veturave, të cilës së shpejti i skadon afati kalimtar, siç ka paralajmëruar Besnik Bislimi, Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit.

Delegacioni i Serbisë, ndërkaq, ka insistuar që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për Marrëveshjen për drejtësi, atë të vizitave zyrtare dhe për çështjen e të zhdukurve. Sipas burimeve diplomatike, Beogradi zyrtar po insiston që të mos diskutohet për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, por së pari të diskutohet për formimin e Asociacionit.

Sipas paralajmërimeve të mëhershme të delegacionit të Kosovës, në takimin trepalësh pritet të diskutohet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, edhe rreth kësaj teme është paraqitur pengesë fakti që në delegacionin e Serbisë bën pjesë Velko Odalloviq dhe pala kosovare ka thënë nuk dëshiron që të takohet me të.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Takimi i fundit në nivelin e lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksdar Vuçiq, është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ekaterina Trendafilova flet në Prishtinë për punën e Gjykatës Speciale

Kryetarja Trendafilova, e cila tha se kjo gjykatë e cila po mban në paraburgim ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe deri tani po merret me katër raste të ndara të gjykimit, e sheh shumë të rëndësishme mbrojtjen e dëshmitarëve

Agim Sulaj   |07.09.2021
Prishtinë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka mbajtur konferencë për media ku ka shpalosur detaje rreth funksionimit të deritanishëm të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja Trendafilova, e cila tha se kjo gjykatë e cila po mban në paraburgim ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe deri më tani po merret me katër raste të ndara të gjykimit, e sheh shumë të rëndësishme mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ajo tha se mbrojtja e dëshmitarëve është diçka në të cilën janë të fokusuar me seriozitet dhe prioritet, ngase theksoi se ndryshe gjykimi nuk do të vlente.

Duke folur për funksionin e Dhomave të Specializuara e njohur si Gjykata Speciale, Trendafilova tha se nga vitit 2017, Gjykata Speciale u bë funksionale me buxhet të ndarë nga Bashkimi Evropian (BE). Por, sipas saj, nuk mund të parashihet se kur do të përfundojë puna e kësaj gjykate.

“Më 5 korrik 2017, Gjykata u bë plotësisht funksionale. Pra, Dhomat e Specializuara të Kosovës financohen krejtësisht nga Bashkimi Evropian me pesë vende kontribuuese. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Norvegjia, Zvicra, Kanadaja dhe Turqia. Dhe, Dhomat e Specializuara do të jenë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë Republikën e Kosovës se të gjitha procedurat qoftë hetimore apo të tjera kanë përfunduar”, tha ajo.

Administratorja e Gjykatës, Fidelma Donlontha, deklaroi se deri më tani Gjykata Speciale ka pranuar tre mijë parashtresa apo lëndë të cilat janë dorëzuar qoftë nga Prokuroria, mbrojtja apo viktimat.

Po ashtu, gjatë kësaj konference u dhanë detaje edhe lidhur me kushtet e qëndrimin e të paraburgosurve të cilët po qëndrojnë në mbajtje në Hagë.

Gjatë fillimit të konferencës nga Trendafilova dhe përfaqësues të tjerë nga kjo gjykatë janë penguar me fishkëllima nga aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) të cilët kanë thënë se “nuk mund ta lejojnë atë të raportojë në heshtje”. Më pas, pjesëtarë të Policisë së Kosovës pranë objektit ku u mbajt konferenca arrestuan pesë pjesëtarë të PSD-së.

Aktualisht në këtë gjykatë po mbahen në paraburgim tetë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë dhe ish-presidentin kosovar Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje nga pozita e presidentit pas ngritjes së aktakuzës duke u vetëdorëzuar.

Procesi i gjykimit nuk ka filluar ende për asnjë nga të akuzuarit, ndërsa pritet që ai së shpejti të nisë me të arrestuarin e parë Salih Mustafa, më 15 shtator të këtij viti.

Trendafilova do të mbajë të mërkurën edhe një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut. Ajo u pyet se cili është mesazhi i mbajtjes së dy konferencave të ndara ndërsa përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës thanë se po e bëjnë këtë për shkak të “zgjerimit të komunikimit të tyre me qytetarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Presidenca e Kosovës: Kisha Ortodokse Serbe nuk ka hequr dorë nga veprimet luftënxitëse

Policia në Mal të Zi ka përdorur gaz lotsjellës kundër disa protestuesve që kundërshtonin shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, 5 shtator, 2021.

 

RFE/RL

Kisha Ortodokse Serbe nuk ka hequr dorë nga “diskursi i regjimit të Millosheviqit” e as nga “veprimet luftënxitëse të viteve të 90-ta”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim për ngjarjet e fundjavës në Mal të Zi.

Të dielën, në qytetin e Cetinës është shuguruar kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Ngjarja ka shkaktuar incidente dhe tensione të larta midis malazezëve dhe serbëve të këtij vendi.

Cetina është qendra kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror dhe shtetëror për malazezët, por, në të njëjtën kohë, qyteti është seli e Mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Gjatë ceremonisë së shugurimit të Joanikijes janë dëgjuar edhe këngë nacionaliste për Kosovën.

Në një reagim dërguar Radios Evropa e Lirë, Kupina tha se “këndimi i këngëve me motive nacional-shoviniste, me thirrje të hapur kundrejt Kosovës, është një praktikë e hershme, por që ka marrë fund më 1999”.

“Është paradoksale që në shekullin XXI, Kisha Ortodokse Serbe ende propagon ide serbomëdha të politikës së vjetër të Beogradit”.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht që e ka ushtrinë e vet dhe institucionet e tjera të sigurisë”, tha mes tjerash Kupina.

Ndaj ngjarjeve në Mal të Zi ka reaguar edhe komuniteti ndërkombëtar, duke bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Policia e Kosovës shënon 22-vjetorin e themelimit të saj

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me pjesëtarë të policisë kanë shënuar 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës me një ceremoni në drejtorinë qendrore të policisë në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Sveçla falënderoi 9 mijë e 180 zyrtarët policorë, sa janë gjithsej, të cilët tha se në çdo moment janë në vendin e duhur për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Sveçla tha se përvjetorin e 22-të ministria ka pasur në plan ta shënojë në mënyrë më madhështore, por situata me pandeminë e ka pamundësuar një gjë të tillë.

Ai tha se pikërisht nga pandemia që nga fillimi i përhapjes së COVID-19, në Kosovë kanë pësuar me fatalitet nga ky virus gjithsej 24 zyrtarë policorë.

“Numrat e rasteve fatale kanë prekur edhe Policinë e Kosovës dhe deri më sot fatkeqësisht ne kemi 24 zyrtarë policorë të vdekur për shkak të COVID-19. Në anën tjetër kemi punuar shumë në vaksinimin e zyrtarëve policorë e ku është bërë progres i madh. Deri më sot kemi 7 mijë e 912 zyrtarë policorë të vaksinuar ndërsa në radhë për vaksinim janë edhe 1 mijë e 268 e që për pak ditë jam i bindur se do të arrijmë maksimumin”, tha ministri Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se të sigurosh jetën dhe pronën e qytetarit është detyrë shumë e rëndësishme dhe shumë përgjegjësi.

Ai u bëri thirrje pjesëtarëve të policisë që mos ta shkelin kurrë besimin qytetar të dhënë që ata të jenë ruajtësit e rendit dhe sigurisë në vend.

“Të jesh pjesëtarë i Policisë së Kosovës nuk është vetëm krenari, apo privilegj. Bartja e uniformës së shtetit nënkupton përgjegjësi dhe ndonjëherë edhe rrezik për jetën e zyrtarit policor. Por shërbimi ndaj vendit është ndjenja më sublime që mund të përjetojë një qytetar”, tha ai.

Në fund të ceremonisë, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, lexoi emrat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilëve u janë ndarë medalje për shpëtim jete, medalje policore për lëvdim, lëvdata dhe mirënjohje.

Policia e Kosovës është themeluar si institucion i sigurisë dhe rendit më 6 shtator të vitit 1999. Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE) në pajtim me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, hapi fillimisht shkollën policore dhe nisi trajnimin e kandidatëve të parë për t’u bërë policë. 176 pjesëtarë të policisë ishin nga gjenerata e parë e institucionit që në atë kohë mori emrin Shërbimi Policor i Kosovës.


Send this to a friend