VOAL

VOAL

Trupat Rezervë Turke të NATO-s mbërrijnë në Kosovë, përmirësojnë fleksibilitetin operacional të KFOR-it

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se Forca Operative Rezervë Turke ka mbërritur në Kosovë për të filluar një dislokim të përkohshëm.

Sipas njoftimit të KFOR-it, njësia turke ka marrë përgjegjësitë nga Batalioni Multinacional i Forcës Operative Rezervë në kuadër të planit të rotacionit të mbikëqyrur nga Komanda e Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, Itali.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë muajve në vijim ky batalion do të realizojë aktivitete përkrah njësive të tjera të KFOR-it, i gatshëm për të reaguar ndaj çdo zhvillimi në situatën e sigurisë.

“Këto forcime përmirësojnë fleksibilitetin operacional të KFOR-it dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur ndaj zhvillimeve të sigurisë që ndryshojnë”, thuhet në njoftimin e NATO-s. bw

Kurti për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me SHBA-në: S’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara tha se arsyeja pse Uashingtoni ka pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovës ka të bëjë me mbylljen e strukturave serbe në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

I pyetur gjatë një bashkëbisedimi të sqaronte arsyen e vendimit të kumtuar nga SHBA-ja më 12 shtator, Kurti tha se ai nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti.

Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Përderisa në dy shtyllat e para tha se nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, sipas tij, ka “pengesa”.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti, duke shtuar se ai përfaqëson interesat e Kosovës.

Më 12 shtator, Ambasada amerikane e arsyetoi vendimin për pezullimin e Dialogut me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

Përmes një njoftimi, Ambasada amerikane në Kosovës tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

Kurti në SHBA tha se ai nuk është kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës të mos e arrestojë një kriminel serb të kapur në flagrancë, “sepse ky veprim mund të dënohet nga Brukseli dhe Uashingtoni”.

“Dhe unë u dukem atyre shumë ndryshe nga paraardhësit e mi. Ky është mallkim nga pasardhësit e mi, të cilët kanë qenë të butë. Unë jam normal, por dukem ekstrem. Kjo është për shkak të paraardhësve të mi të cilët nuk kanë qenë normalë”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se mes Kosovës dhe SHBA-së ka dallime kur bëhet fjalë “në taktika dhe veprime” e jo në vlera, interesa dhe parime.

Më 19 shtator, kryeministri në detyrë i Kosovës deklaroi se mes dy vendeve ka dallime, por Kurti shtoi se “nuk jemi prishur me Amerikën”.

Vitin e kaluar, autoritetet në Kosovë nisën mbylljen e institucioneve në veri, që operojnë sipas sistemit serb. Kosova i cilëson këto institucione paralele dhe ilegale.

Veprimet e ekzekutivit kosovar në veri janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë nga SHBA-ja.

Ndërsa javët e fundit u pezullua puna e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, që punojnë sipas sistemit të Serbisë, në Mitrovicën e Veriut.

IKSHPK: Uji i Badocit është i sigurt për pije

Radio Evropa e Lirë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se uji i Liqenit të Badocit është i sigurt për pije.

IKSHPK tha se analizat laboratorike të realizuara në tri ditët e fundit tregojnë se vlerat e manganit janë brenda kritereve të përcaktuara për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njerëzit.

Më 1 shtator, IKSHPK-ja kishte rekomanduar që uji i Badocit të mos përdorej për pije për shkak të vlerave të larta të manganit.

Edhe në të kaluarën ky institut kishte rekomanduar që uji i Badocit të mos përdorej për pije për shkak të niveleve të larta të manganit.

Mangani konsiderohet se kontribuon në shumë funksione trupore, përfshirë metabolizmin e kolesterolit, të glukozës e të karbohidrateve, në formim të kockave, në mpiksjen e gjakut, dhe në reduktimin e inflamacionit.

Por, sasia e tepruar e tij rrezikon kryesisht fëmijët nën 5 vjeç, pasi nga ekspozimi afatgjatë mund të përballen me probleme me kujtesë dhe përqendrim.

Përveç ujit, mangani gjendet edhe në ajër dhe shumë ushqime, përfshirë drithërat, fasulet, arrat dhe çajin, gjithmonë në vlera të pranueshme për trupin e njeriut.

Policia gjen armë e municione në Mitrovicë të Veriut

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës tha se në podrumin e një ndërtese në Mitrovicë të Veriut ka gjetur armë dhe municione.

“Për momentin nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, tha Policia e Kosovës përmes një njoftimi më 27 shtator.

Sipas njoftimit, gjatë këtij operacioni policor në bodrumin e ndërtesës afër sheshit Car Lazar u gjetën dy pushkë, 50 fishekë, pranga, maska, këllëfë arme dhe karikator të zbrazët.

Ndryshe, autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

Më 18 shtator, policia njoftoi se kishte gjetur armë në Zveçan. Më pas, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveça, deklaroi se armët u gjetën në pronën e njërit prej të akuzuarve për sulmin e 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Një polic i Kosovës u vra pasi një grup serbësh të armatosur se sulmoi Policinë më 24 shtator 2023.

Kosova fajëson Serbinë për këtë sulm. Autoritetet e drejtësisë kanë ngritur akuzë për 45 persona, por vetëm ndaj tre prej tyre po zhvillohet gjykimi, ndërkaq të akuzuarit e tjerë gjenden në arrati.

“Jetojmë në diktaturë”, Ndregjoni: Kjo qeveri ka dalë nga manipulimi i votave. Opozita dështoi të luftojë komunizmin

Kryetari i të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, i ftuar në News24, foli për qeverinë Rama 4.

Ndregjoni u shpreh se jetojmë në diktaturë, njësoj si në kohën e Enver Hoxhës. Sipas tij, opozita dështoi me antikomunizmin, “duke lënë monizmin në pushtet”.

“Qeveria Rama 4 ka dalë nga zgjedhjet e vjedhura. Kjo është një qeveri sunduese, që shkel të drejtat e njeriut. Shqipëria është vendi, ku prokurorët e diktaturës kanë pension tepër të lartë dhe të përndjekurit kanë pensione qesharake. Edhe ambasadorët janë duke gabuar në Tiranë. Kjo qeveri merr votën e pushtetit dhe jo të popullit. Pa pikë turpi, qeveria shqiptare përdor patronazhistët, që marrin të dhënat personale dhe i përdor. Kjo nuk është normale e as demokratike. Qeveria Rama 4 la në poste drejtuese Belinda Ballukun, që është shquar për vjedhje votash. Jetojmë në diktaturë. Edhe opozita dështoi që të luftojë komunizmin, që e premtoi në vitet 1990”, tha Ndregjoni.

Duke folur për zgjedhjet në Tiranë, Ndregjoni deklaroi se Erion Veliaj e meritonte shkarkimin, sepse, sipas tij, ka abuzuar me detyrën. Për Ndregjonin, gjithsesi, mbi Veliajn ra gjithë propaganda e Rilindjes, njësoj si në kohën e diktaturës.

“Erion Veliaj e meritonte shkarkimin, sepse e betonizoi Tiranën, bëri skandalet e inceneratorëve. Jo se nuk meritonte shkarkimin, por fundi i tij erdhi njësoj si në kohën e Partisë së Punës. Propaganda rrotullohet rreth “Të madhit”, po ndjekin të njëjtat metoda si të Enver Hoxhës. Kryeministri tha se deri më 2050, partia ime do drejtojë. Më kujton kohën e diktaturës, kur ecej me plane 5-vjeçare. Jemi në kohën e diktaturës. Nuk ka opozitë të lirë në Shqipëri, nuk ka media të lirë. Demokracinë e ka kapur për fyti Rilindja komuniste. Opozita ka kandidatë edhe për zgjedhjet në Tiranë, por nuk ka vizion’, përfundoi Ndregjoni. bw

KFOR: Nuk janë identifikuar shkelje me dronë që rrezikojnë sigurinë në Kosovë

Trupat e KFOR-it në veri të Kosovës.

 

Radio Evropa e Lirë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë e gjithë vendit.

KFOR-i e tha këtë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të premten, pas pretendimeve nga autoritetet kosovare se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshojnë se janë futur nga fqinji verior, Serbia, kohët e fundit.

Të premten në mëngjes, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha për media se “kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

Zyra për marrëdhënie me publikun e KFOR-it tha për REL se ky mision e vëzhgon rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion.

“Është thelbësore që çdo aktivitet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër Vijës Kufitare Administrative, të koordinohet në mënyrë adekuate me KFOR-in për të parandaluar tensionet dhe për të siguruar sigurinë. KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë”, thuhet në përgjigje.

Hoxha tha më herët se futja e dronëve të huaj në hapësirën ajrore të Kosovës “është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu”.

Ai i bëri jehonë deklaratave të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili dy ditë më parë foli për mediumin Koha për dyshimet se dronë nga Serbia janë futur në hapësirën ajrore të Kosovës.

As Hoxha e as Sveçla nuk kishin dhënë më shumë hollësi ose prova për këto pretendime.

Serbia nuk i ka komentuar deri tani pretendimet e autoriteteve kosovare.

REL-i iu është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Autoritetet kosovare e kanë akuzuar vazhdimisht Serbinë se përbën rrezik për sigurinë e saj, posaçërisht pas sulmit të shtatorit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policisë e Kosovës duke e vrarë një rreshter.

Serbia i mohon akuzat.

Këtë javë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara se Beogradi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.

E pyetur në një intervistë për Fox News, nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.

Ajo theksoi se administrata e presidentit Donald Trump ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Muajt e fundit, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë tha Trump?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Më 25 qershor, Trump tha se “gjatë javëve të fundit, u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën, Serbinë. Mendoj se të premten do të kemi vizita nga Kongo dhe Ruanda”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për media në samitin e NATO-s në Hagë.

Më 27 qershor, duke folur në Zyrën Ovale për përpjekjet e administratës së tij për të zgjidhur konflikte të mundshme, Trump tha se: “…në Serbi dhe Kosovë zgjidhëm një katastrofë të mundshme.”

Një ditë më vonë, më 28 qershor, Trump tha se “për vetëm disa muaj, kemi arritur paqe midis Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit, si dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës – dhe disa të tjerë gjithashtu”.

“Serbia, e dini, po përgatitej të shkonte në luftë me një grup. Nuk dua ta përmend, sepse nuk ndodhi – ne arritëm ta ndalnim. Por, kam një mik në Serbi që më tha: ‘Do të hyjmë sërish në luftë’. Dhe nuk dua të them që është Kosova, por është Kosova. Do të niste një luftë e madhe, por ne e ndalëm. E ndalëm për shkak të tregtisë. Ata duan të tregtojnë me Shtetet e Bashkuara. U thashë: ne nuk tregtojmë me ata që hyjnë në luftë”.

Më vonë, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.

Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.

Në Bjeshkët e Strellcit gjenden mbetje mortore, dyshohet se u përkasin viktimave të luftës

Autoritetet në vendin ku u gjetën mbetjet mortore në Bjeshkët e Strellcit.

 

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, që “potencialisht u përkasin viktimave të luftës” në Kosovë të viteve 1998-1999, të cilët figurojnë në listën e personave të zhdukur.

Mbetjet mortore u gjetën në lokacionin e quajtur Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strecllit, tha Komisioni më 26 shtator.

“Informatat e pranuara nga qytetarët janë adresuar në bashkëpunim me sektorin e Policisë për persona të zhdukur në kuadër të drejtorisë për hetimin e krimeve të luftës dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore [IML], me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it”, u tha në njoftim.

Mbetjet mortore që u zhvarrosën janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të tjera dhe për identifikimin përmes analizës ADN-së.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kosova vazhdimisht ka kërkuar nga Serbia që të hapë arkivat shtetërore për të kuptuar vendndodhjen e të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë.

Që nga përfundimi i luftës, pas gërmimeve në varreza masive në Serbi, dhe lokacione në Kosovë, janë gjetur mbetje mortore të viktimave të luftës.

Kosova dhe Serbia kanë ngritur edhe një komision të përbashkët për të pagjeturit, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Formimit të Komisionit i ka paraprirë pajtueshmëria e arritur nga udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë më 2023 për Deklaratën e përbashkët për Personat e Zhdukur.

Ndërkaq, në rundin e fundit të dialogut të mbajtur më 11 shtator, pala kosovare akuzoi Serbinë se është tërhequr nga marrëveshja për komisionin për të pagjeturit.

Kosova thotë se dronë të dyshuar nga Serbia kanë fluturuar mbi territorin e saj

Një pamje nga droni i veriut të Kosovës, shtator 2024.

 

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet kosovare kanë thënë se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshojnë se janë futur nga fqinji verior, Serbia, kohët e fundit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha të premten për media se misioni paqeruajtës i NATO-s në vend, KFOR – është njoftuar për këto shkelje.

“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, tha Hoxha pas një ceremonie për shkatërrimin e armëve të jashtëligjshme.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

Hoxha tha se futja e dronëve të huaj në hapësirën ajrore të Kosovës “është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu”.

Ai i bëri jehonë deklaratave të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili dy ditë më parë foli për mediumin Koha për dyshimet se dronë nga Serbia janë futur në hapësirën ajrore të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur KFOR-in lidhur me dyshimet për shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.

Serbia nuk i ka komentuar deri tani pretendimet e autoriteteve kosovarë për fluturimin e dronëve mbi veriun e Kosovës.

REL-i iu është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Autoritetet kosovare e kanë akuzuar vazhdimisht Serbinë se përbën rrezik për sigurinë e saj, posaçërisht pas sulmit të shtatorit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policisë e Kosovës duke e vrarë një rreshter.

Serbia i mohon akuzat.

Këtë javë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara se Beogradi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.

E pyetur në një intervistë për Fox News, nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.

Ajo theksoi se administrata e presidentit Donald Trump ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Muajt e fundit, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë tha Trump?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Më 25 qershor, Trump tha se “gjatë javëve të fundit, u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën, Serbinë. Mendoj se të premten do të kemi vizita nga Kongo dhe Ruanda”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për media në samitin e NATO-s në Hagë.

Më 27 qershor, duke folur në Zyrën Ovale për përpjekjet e administratës së tij për të zgjidhur konflikte të mundshme, Trump tha se: “…në Serbi dhe Kosovë zgjidhëm një katastrofë të mundshme.”

Një ditë më vonë, më 28 qershor, Trump tha se “për vetëm disa muaj, kemi arritur paqe midis Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit, si dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës – dhe disa të tjerë gjithashtu”.

“Serbia, e dini, po përgatitej të shkonte në luftë me një grup. Nuk dua ta përmend, sepse nuk ndodhi – ne arritëm ta ndalnim. Por, kam një mik në Serbi që më tha: ‘Do të hyjmë sërish në luftë’. Dhe nuk dua të them që është Kosova, por është Kosova. Do të niste një luftë e madhe, por ne e ndalëm. E ndalëm për shkak të tregtisë. Ata duan të tregtojnë me Shtetet e Bashkuara. U thashë: ne nuk tregtojmë me ata që hyjnë në luftë”.

Më vonë, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.

Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.

Beogradi i pushoi nga puna, kandidatët për komunën me pakicë serbe në Kosovë futen në grevë urie

Radio Evropa e Lirë

 

Ivan Petroviç dhe Ivan Ristiç nga Ranillugu – një komunë me shumicë serbe pranë Gjilanit në Kosovë – po bëjnë grevë urie për ditën e tretë me radhë, në qendër të qytezës.

 

Kjo, pasi në mes të shtatorit u shkarkuan nga puna në autoritetin e përkohshëm komunal të Kamenicës, që punon brenda sistemit të Serbisë.

Të dy ata janë kandidatë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në komunën e tyre.

Petroviç kandidon për kryetar dhe këshilltar nga Lëvizja Kombëtare Serbe, e cila udhëhiqet nga Millija Bishevac dhe Branimir Stojanoviç.

Ristiç, në anën tjetër, kandidon për këshilltar nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbrojtje e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiç, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë në detyrë.

Ata thonë se shkarkimi nga puna u bë për shkak të kandidaturës së tyre dhe se pas këtij vendimi qëndron Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Petroviç thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur vendim për punësim të përhershëm si referent për çështje ligjore, por, pas 19 vjetësh punë, është shkarkuar pa ndonjë arsyetim konkret, informon Radio Evropa e Lirë.

Në vendimin për shkarkim thuhet se nuk ka më nevojë për angazhimin e tij, për shkak të zvogëlimit të volumit të punës.

Të njëjtin vendim për shkarkim ka marrë edhe Ristiç, i cili për 18 vjet ka kryer punë teknike.

Autoriteti i përkohshëm komunal i Kamenicës u mbyll nga autoritetet e Kosovës vitin e kaluar, sepse konsiderohej “institucion paralel dhe i paligjshëm”.

Përveç tij, u mbyllën edhe autoritetet e tjera të përkohshme komunale që vepronin brenda sistemit serb, si dhe institucione të tjera si: Posta e Serbisë, Qendrat për Punë Sociale, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Pensionale në Mitrovicë të Veriut dhe ndërmarrjet publike.

Megjithatë, Serbia nuk i mbylli këto institucione, por i zhvendosi në qytete kufitare në territorin e saj.

Petroviç thotë se shkonte rregullisht në punë në Vranjë, ku ndodhen hapësirat e autoritetit të përkohshëm komunal të Kamenicës.

Ai thotë se nuk do ta ndalë grevën e urisë, derisa të anulohet vendimi për shkarkim nga puna, duke shtuar se “ekzistenca e tyre është e kërcënuar”.

“Ajo që duhet të dini është se udhëheqësia e Listës Serbe në Anamoravën e Kosovës po përdor një strategji të lodhjes. Në krye të Listës Serbe në këtë rajon është Sasha Millosheviç – Belli, kryetar aktual i Novobërdës, i cili i udhëheq të gjitha këto procese”, thotë Petroviç.

Radio Evropa e Lirë tentoi të kontaktonte me Millosheviçin për t’i kërkuar një përgjigje mbi këto akuza, por pa sukses.

Millosheviç është kandidati i Listës Serbe për kryetar të Novobërdës.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit – njëherësh kryeministër në detyrë – ka kundërshtuar certifikimin e kësaj partie, me shpjegimin se kandidatët e saj janë në krye të organeve të përkohshme komunale që punojnë brenda sistemit serb.

Si shembull është marrë Sasha Millosheviç, kandidati i Listës Serbe për kryetar komune, i cili është gjithashtu kryetar i komunës së Gjilanit, e cila punon brenda sistemit serb.

“Ai ka rol të dyfishtë. Ai punon në institucionet e një shteti që ka qëllime agresive, madje edhe ushtarake, ndaj Republikës së Kosovës”, ka thënë atëkohë Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, më 7 gusht të këtij viti, Qeveria e Serbisë e ka shkarkuar Millosheviçin nga pozita e tij si kryetar i organit të përkohshëm të Gjilanit, si dhe rreth 20 udhëheqës të tjerë, të cilët janë edhe kandidatë të Listës Serbe në zgjedhjet e Kosovës në komunat me shumicë serbe.

Për këtë vendim nuk është dhënë ndonjë arsyetim, por është marrë në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit në Kosovë.

Në mesin e të shkarkuarve janë: Zoran Todiç nga Leposaviçi, Novak Zhiviç nga Prishtina, Goran Dançetoviç nga Obiliqi, Bozhidar Dejanoviç nga Vitia.

Petroviç nga Ranillugu, i cili është në grevë urie, thotë se shumë njerëz që kanë mendim ndryshe ose nuk e mbështesin Listën Serbe, shkarkohen nga institucionet e drejtuara nga Serbia ose transferohen.

“Nuk jemi të vetmit, në komunën e Kllokotit-Vërbovcit e njëjta gjë u ndodh njerëzve që janë në listat e opozitës”, thotë ai.

Kreu i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiç, vizitoi shtëpinë e Ivan Ristiçit – kandidatit për këshilltar në Komunën e Ranillugut – më 24 shtator, dhe deklaroi se gjendja e tij shëndetësore është në rrezik.

Ristiç, ndërkohë, u shtrua në spital, por pasi gjendja e tij u stabilizua, ai vazhdoi grevën e urisë.

Rashiç tha për Ristiçin se është “një njeri me parime” dhe se nuk do që të vuajë padrejtësi.

“Sa herë që fillon fushata zgjedhore, në çdo palë zgjedhje, fillon një fushatë brutale, hakmarrëse dhe dashakeqe kundër të gjithë atyre që janë të ndryshëm në çfarëdo mënyre dhe që duan të përfaqësojnë veten dhe komunitetin e tyre në çfarëdo mënyre”, tha Rashiç.

Ai tha se e ka informuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për këtë grevë urie.

Sveçla është zyrtar i Vetëvendosjes – partisë që ka kundërshtuar ashpër certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Udhëheqësit e Lëvizjes Popullore Serbe, Millija Bishevac dhe Branimir Stojanoviç, vizituan po ashtu kandidatin e tyre, Ivan Petroviç.

“Sot, për fat të keq, po arrijmë në një pikë ku shteti ynë po na kthen shpinën, duke na frikësuar dhe duke na ndaluar një copë bukë”, tha Bishevac.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për ta pyetur nëse ishte në dijeni të rastit të Petroviçit dhe Ristiçit, dhe nëse do t’i plotësonte kërkesat e tyre për t’i dhënë fund grevës së urisë – për të anuluar vendimin për shkarkimin e tyre nga autoriteti i përkohshëm komunal i Mitrovicës. Deri publikimin e këtij lajmi nuk u mor asnjë përgjigje.

“Serbia po shkel hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve”, Sveçla: Po i hetojmë bashkë me KFOR-in dhe shërbimet partnere

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se kohën e fundit Serbia ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve.

“Shiheni, në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Tash kohën e fundit po besoj që tashmë e dini që ka një lëvizje të paautorizuar apo shkeljes së hapësirës sonë ajrore përmes dronëve të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, tha ia në KTV.

Sveçla ka thënë se kanë identifikuar disa raste të dronëve serbë mbi Kosovë, mirëpo sipas tij nuk ka asgjë për t’u brengosur.

“Ka ndodhur në disa raste. Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale në bashkëpunim edhe me KFOR por edhe me shërbimet partnere dhe në momentin që kemi më shumë patjetër që do të ndajmë informatat. Tash për tash nuk ka ndonjë gjë për të cilën publiku i Kosovës duhet të brengoset, të gjitha institucionet e Kosovës janë në krye të detyrës.

Por e thashë duke dasht që të pasqyrojë natyrën e veprimit të institucioneve të Serbisë dhe e përmenda edhe paradën ushtarake e cila në vetvete është një kërcënim ndaj Republikës së Kosovës posaçërisht meqenëse shumica e vendeve që rrethojnë Serbinë janë anëtarë të aleancës ma të madhe ushtarake NATO-s, do të thotë Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria por edhe Bullgaria e vendet e tjera fqinje nuk mund të jenë të cenueshme nga Serbia.

Potencialisht janë dy vende të cilat Serbia do të mund t‘i cenonte, ato janë së pari Bosnjë e Hercegovina e cila është duke u ballafaquar me paqartësi politike por edhe situata të rrezikshme në vazhdimësi dhe Republika e Kosovës e cila përderisa për çdo ditë e më shumë po fuqizohet dhe po arrin suksese prapë ballafaqohet me këtë politikën e vjetër hegjemone të Serbisë e cila edhe siç ka deklaruar vet ndryshimin e rrethanave globale që potencialisht të cenojë prapë Kosovën”, përfundoi Sveçla.

Dy vjet pa aktakuzë për Banjskën në Serbi: Radoiçiq me adresë në Beograd

Iva Martinoviq

Dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë Millan Radoiçiq është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.

Këtë e konfirmon një përgjigje e Gjykatës së Lartë në Beograd, dhënë Radios Evropa e Lirë, ku thuhet se Radoiçiqit i është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga Serbia, me detyrimin që të paraqitet në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji.

“Vendimet gjyqësore i dorëzohen të pandehurit rregullisht në adresën e regjistruar të vendbanimit, në territorin e qytetit të Beogradit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Lartë.

Aty thuhet, po ashtu, se Radoiçiq i respekton masat dhe se për herë të fundit është paraqitur në “stacionin kompetent policor, Savski Venac”, më 15 shtator të këtij viti.

Në përgjigje nuk specifikohet adresa e Radoiçiqit, por në territorin e kësaj komune qendrore të Beogradit gjenden vila luksoze dhe ndërtesa në pronësi të kompanive dhe personave të lidhur me të.

Grupi i qytetarëve: Radoiçiq në Kosjeriq kërcënoi njerëzit

Shoqata e qytetarëve “Njerëz të pastër për një Kosjeriq të pastër” ka njoftuar se më 23 shtator, Millan Radoiçiq u shfaq në këtë qytet në perëndim të Serbisë dhe në njërën nga kafiteritë ka kërcënuar qytetarët.

Radoiçiq, i cili gjendet në listën e kërkimit të Interpolit, në Kosjeriq kishte shkuar me një grup njerëzish në disa xhipa, i shoqëruar nga sigurimi, ndërsa në një kafiteri ata i kishte pritur kryetari i komunës së Kosjeriçit, Zharko Gjokiq, thuhet në njoftimin e shoqatës së qytetarëve.

“Ky delegacion kaloi nëpër rrugën kryesore dhe vizitoi disa objekte të shërbimit hotelier, dhe sipas pretendimeve të të pranishmëve, shqetësoi qytetarët që më herët kishin marrë pjesë në protestat kundër pushtetit lokal dhe atij republikan”, thuhet në komunikatë.

REL nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk kanë dhënë përgjigje për ngjarjet në Kosjeriq.

Në pyetjet e REL-it nuk është përgjigjur as kryetari i komunës, Zharko Gjokiq.

Sipas disa mediave, më 27 shtator në Kosjeriq do të organizohet një tubim i përkrahësve të pushtetit në Serbi.

Këto tubime po mbahen në mbarë Serbinë si reagim ndaj protestave kundër Qeverisë, përmes së cilave kërkohet përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një kulmi të stacionit hekurudhor në Novi Sad.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – u la i lirë pas marrjes në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, ndërsa në fund të vitit 2024, kryeprokurori paralajmëroi ngritjen e aktakuzës.

Gati një vit më vonë, prokuroria nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çka e ka penguar marrjen e vendimit.

“Zyra e Prokurorit punon nën presion politik dhe nën ndikimin e autoriteteve. Kjo është sigurisht një nga arsyet përse nuk kemi ende aktakuzë”, thotë për REL-in Maja Bjellosh nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Ndryshe nga Radoiçiq, i cili nuk u shfaq në publik që kur pranoi organizimin e sulmit në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Persona të tjerë nga aktakuza e Kosovës për këtë sulm, u panë këtë verë “duke ruajtur” vendin e punës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë protestave masive antiqeveritare.

Heshtje në Beograd

“Vendimi për aktakuzën do të merret në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, tha kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë në Beograd, Nenad Stefanoviq, në fillim të dhjetorit të vitit 2024.

Ai pohoi për portalin “Kosovo Online” se gjatë hetimit për “ngjarjen në Banjskë”, Prokuroria në Serbi ka kryer mbi 40 veprime procedurale.

Që atëherë, ai nuk bëri ndonjë deklaratë tjetër, ndërsa Prokuroria nuk iu përgjigj pyetjeve të vazhdueshme të REL-it se kur mund të pritet vendimi për aktakuzën, çfarë është zbuluar gjatë hetimeve dhe cilat masa janë ndërmarrë.

Në Serbi, Radoiçiq dyshohet për “një krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme”, si dhe “prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve”.

Kosova, në anën tjetër, e karakterizon si terrorist sulmin në Banjskë, ku u vra një polic.

Sipas aktakuzës së ngritur në Kosovë, Radoiçiq dhe të tjerët të përfshirë në sulm, akuzohen për shkelje të rendit kushtetues dhe veprime kundër sistemit ligjor të Kosovës.

Aktakuza përfshin 45 persona, dhe vetëm tre prej tyre që u arrestuan në Kosovë, po gjykohen para gjykatës në Prishtinë.

Të tjerët janë në arrati dhe Interpol-i lëshoi fletarrestim për ta në dhjetor të vitit 2023.

Edhe pse Kosova i kërkon bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë, Beogradi refuzon t’i ekstradojë të akuzuarit, duke thënë se ata do të gjykohen në Serbi.

“Nuk pres që këta persona të ndiqen penalisht në një të ardhme të afërt, pasi rezulton se ata gëzojnë mbrojtje nga shteti dhe janë disa nga partnerët kryesorë të Qeverisë në zbatimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore”, thotë Bjellosh.

“Kemi parë, gjithashtu, se ata që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë, sot udhëheqin grupe që i frikësojnë qytetarët e Serbisë”, shton ajo.

Personat në kërkim, para selisë së presidentit të Serbisë

Gjatë një proteste antiqeveritare në Serbi – të cilat vazhdojnë që nga aksidenti vdekjeprurës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor të vitit të kaluar – policia ruante ndërtesën e Presidencës së Serbisë dhe parkun përreth në qendër të Beogradit, ku për muaj të tërë qëndruan mbështetës të pushtetit.

Pikërisht pranë tyre ndodheshin edhe grupe burrash me këmisha ngjyrë ulliri.

Radio Evropa e Lirë identifikoi në këtë grup Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili akuzohet nga Prokuroria e Kosovës për sulmin në Banjskë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me Vuçetiqin, e as për pretendimet se në grupin përpara ndërtesës së Presidencës ishin edhe tre persona të tjerë nga të kërkuarit në Kosovë: Millorad Jevtiq Miqko, Zharko Cvetkoviq dhe Vukashin Jarediq.

“Kam përshtypjen se shteti, në thelb, mbështet kriminelët, jo drejtësinë”, thotë Bjellosh.

Bizneset shtetërore të të akuzuarve

Një hulumtim i REL-it nxori në pah se miliona euro nga buxheti i Serbisë – edhe pas sulmit në Banjskë – kanë shkuar në llogarinë e kompanisë së njërit prej të akuzuarve për përfshirje në sulmin e armatosur në Kosovë.

Kompania “Rad 028”, e cila është në pronësi të biznesmenit nga veriu i Kosovës, Radulle Steviq, mori rreth 30 milionë euro kontrata shtetërore, kryesisht për projekte infrastrukturore dhe të tjera në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Rreth 65 tenderë iu dhanë kësaj kompanie nga organet e përkohshme komunale serbe, të cilat vepronin në Kosovë deri në vitin 2024.

Autoritetet e Kosovës, më pas, i mbyllën ato, pasi i konsideronin si të paligjshme, por kompania vazhdoi aktivitetet e saj nga lokacione alternative në qytetet kufitare të Serbisë.

Steviq kërkohet nga Interpol-i, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon për pastrim parash. Ai, sipas aktakuzës në Kosovë, e ka ndihmuar Radoiçiqin të fshehë origjinën e parave, përmes kompanisë së tij.

Vetë Radoiçiq, sipas të dhënave zyrtare të Regjistrit tregtar në Serbi, aktualisht nuk ka asnjë kompani në emrin e tij në këtë vend.

Ai doli nga pronësia e kompanisë “Inkop” dhe firmave të saj filiale në vitin 2023, pasi publikisht pranoi se ishte organizator i sulmit të armatosur në Banjskë.

Pjesën e tij në “Inkop” dhe kompanitë e lidhura ua dhuroi partnerëve të biznesit, vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Hulumtimi i REL-it tregoi se këto kompani, gjatë viteve, kanë marrë kontrata fitimprurëse ndërtimore, të cilat gjithashtu paguheshin nga buxheti shtetëror.

Radoiçiq, Steviq dhe vëllezërit Vesellinoviq janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, pasi dyshohen për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Asnjë bashkëpunim në hetime

Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd kërkoi më herët informacione nga Kosova, në lidhje me rastin Banjska, përmes Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), por Prishtina e refuzoi këtë kërkesë.

“Bashkëpunimi me EULEX-in sigurisht është i rëndësishëm, por ky nuk mund të jetë justifikim për Serbinë, pasi ajo ka shumë prova dhe materiale të pakundërshtueshme, mbi bazën e të cilave prokuroria dhe policia mund të veprojnë dhe ta çojnë këtë rast në fund”, thotë Bjellosh nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës tha se kërkesa e Serbisë bie ndesh me disa pika të Ligjit për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe se “vetëm autoritetet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion për të gjykuar veprat e kryera në territorin e vendit”.

Zyra e BE-së konfirmoi më herët për REL-in se, përmes misionit të saj për sundimin e ligjit, kërkesa e Kosovës për bashkëpunim të ndërsjellë juridik në rastin Banjska, u është përcjellë autoriteteve serbe, por se nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Disa fletarrestime nga Kosova

Përveç me sulmin në Banjskë, Radoiçiq është i lidhur edhe me disa krime në Kosovë, përfshirë vrasjen e politikanit serb të opozitës, Oliver Ivanoviq.

Prishtina, deri më tani, ka lëshuar pesë fletarrestime për të – i fundit në qershor, për ngritjen e barrikadave në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, në vitin 2022.

Kosova e kërkon Radoiçiqin edhe për krime gjatë luftës së vitit 1999.

Radoiçiq dyshohet se ka qenë në një grup serbësh që kanë vrarë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë.

Trupat e tyre u gjetën më vonë në një varr masiv pranë Beogradit.

Zyra e Prokurorit në Serbi për Krime Lufte nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse i ka hetuar këto akuza.

Arrestim në Serbi për “vrasjen e sulmuesit”

Ndërsa Radoiçiq dhe autorët e tjerë të sulmit në Banjskë mbeten të lirë, shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu, është në burg në Serbi.

Ai u arrestua më 7 qershor në pikën kufitare midis Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa po kthehej me autobus nga Austria në Kosovë, bashkë me familjen e tij.

Gjykata e Lartë në Suboticë urdhëroi paraburgimin e tij, nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi sulmin në Banjskë, Policia e Kosovës vrau tre sulmues serbë, dhe Beogradi e akuzon Spahiun për vrasjen e tyre.

“Shërbimet tona duhet të kenë një regjistër të secilit prej tyre… të këtyre terroristëve nga Kosova. Duhet t’i gjejmë kudo që janë”, tha ish-kryeministri i Serbisë dhe kreu i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet në Serbi, Millosh Vuçeviq, pas arrestimit.

Megjithatë, ai nuk dha prova për akuzat kundër Spahiut.

Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Spahiu është larguar vullnetarisht nga policia në vitin 2022, ndërsa autoritetet kosovare bënë thirrje për lirimin e tij.

Familja e Arbnor Spahiut u kërkoi institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojnë presion mbi Beogradin.

“Shpresojmë që ai të lirohet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse akuzat kundër tij nuk qëndrojnë. Ne kërkojmë që institucionet e Kosovës dhe faktorët ndërkombëtarë të përfshihen në këtë çështje, në mënyrë që të ushtrojnë presion mbi Beogradin për ta liruar Arbnorin”, tha një nga anëtarët e familjes së tij për Radion Evropa e Lirë.

Spahiu është njëri prej disa policëve dhe ish-policëve të Kosovës që janë arrestuar në Serbi, viteve të fundit.

Çka thonë në Bruksel dhe në Uashington?

Që nga sulmi në Banjskë, Bashkimi Evropian i kërkon Serbisë t’i ndjekë penalisht përgjegjësit.

Ai nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar faktin që Serbia nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë tash e dy vjet.

Pyetjeve të REL-it për këtë çështje nuk iu përgjigjën as nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Ish-zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, deklaroi në mars të vitit 2024 se SHBA-ja po heton lidhjet e Serbisë me sulmin në Banjskë.

“Ne mendojmë se Serbia ka disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë këtë në më shumë detaje”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se Serbisë nuk i kërkohet të kryejë hetime, por përgjegjësi.

Nikolla Burazer, nga Qendra joqeveritare për Politikë Bashkëkohore në Serbi, vlerëson se kjo temë “nuk është larguar nga rendi i ditës”.

“Mund të thuhet se çështja e Banjskës ka qenë gjithmonë shumë më e rëndësishme për aktorët evropianë sesa për Serbinë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Burazer, gjithashtu, kujton se disa shtete anëtare të BE-së këmbëngulin në gjykimin e Radoiçiqit dhe të tjerëve që janë përgjegjës për Banjskën, si kusht për zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull që nga dhjetori i vitit 2021.

Pengesë kryesore është refuzimi i Beogradit për të mbështetur sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

“Banjska është një nga disa problemet kryesore në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian – përfshirë mënyrën se si funksionojnë institucionet demokratike këtu, mospërputhjen e politikës së jashtme me politikën e Bashkimit Evropian, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, e kështu me radhë”, thotë Burazer.

Raportuesi evropian për Serbinë, Tonino Picula, paralajmëroi në një raport drejtuar Parlamentit Evropian në shkurt, se “duhet të vendoset drejtësi e menjëhershme për autorët e sulmit terrorist në Banjskë, duke përfshirë edhe ndjekjen penale të Radoiçiqit”.

Burazer nuk pret më shumë presion nga Brukseli, e as vendosjen e masave ndëshkuese kundër Serbisë, në të cilat Kosova këmbëngul.

“Ka shumë gjëra që shtetet anëtare presin nga Serbia dhe ajo nuk ka kurrfarë pasojash – përveçse nuk hapen kapitujt e bisedimeve [për anëtarësim në BE]. Autoritetet në Serbi, deri më tani, kanë dëshmuar të jenë mjaft imune ndaj këtyre llojeve të presioneve, sepse angazhimi për integrimin evropian është kryesisht deklarativ”, thotë Burazer.

Një nga kushtet për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Që nga sulmi në Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në Bruksel nuk u zhvillua asnjë takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Rundi i fundit i dialogut në nivel kryenegociatorësh përfundoi në mes të shtatorit pa ndonjë përparim.

Kontribuoi: Arton Konushevci; përktheu: Valona Tela

Dëshmia e britanikut John Duncan: UÇK-ja kishte përbërje heterogjene

John Stewart Duncan gjatë dëshmisë në Hagë, 22 shtator 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte.

Në fund të viteve ’90, Duncan ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999.

Në fillim të dëshmisë, mbrojtja e pyeti nëse ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë veprimtarisë së tij – në çka ai u përgjigj me ‘po’.

Ai tha se UÇK-ja kishte përbërje heterogjene dhe se përbëhej nga njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme.

“Kur filloi të përshkallëzohej spastrimi etnik, përbërja e pjesëtarëve kryesorë ishte shumë e larmishme: kishte ish-ushtarë të Armatës jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, disa me familje të keqtrajtuara. Arsyeja që morën armët, ndryshonte nga personi në person”, tha Duncan.

“Ne e quanim atë ‘ushtria e atyre që nuk kishin asgjë’. Aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta. Motivi i tyre nuk ishte i njëjtë”, sipas tij.

Për udhëheqësinë politike të UÇK-s, përfshirë Thaçin, Duncan tha se, shpesh, nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja.

Ai tha se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.

“Atje kishte disa forca politike si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë”, tha Duncan.

Ai nënvizoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave.

“Kjo ishte vështirësia me të cilën përballeshim atje”, tha Duncan, sepse “nuk kishin strukturë hierarkike – ishin të organizuar ndryshe”.

Sipas tij, udhëheqja politike e UÇK-s, përfshirë edhe Thaçin, shpesh nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja.

Ai tha se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.

“Atje kishte disa forca politike si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë”, tha Duncan.

I pyetur nga mbrojtja nëse mendon se Thaçi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, ose kryekomandant, ai tha ‘jo’.

“…sepse mënyra se si silleshin [komandantët] me të gjatë negociatave, ishte e tillë që ata e trajtonin si krah politik, që kishte një lloj ndikimi, por jo si dikush që kishte kompetenca ushtarake”.

“Asnjëherë nuk e kam parë [Thaçin] që të jepte direktiva apo urdhra”, tha Duncan.

“Ai nuk ishte shumë i angazhuar, siç pres unë të jetë një politikan profesionist”, shtoi ai.

Duncan u pyet edhe për marrëdhënien që kishte Thaçi me komandantin e UÇK-së, Agim Çeku.

“Si pjesëtarë të një ekipi – njëri me çështjet ushtarake, tjetri me çështjet politike. Kjo është mënyra se si e kam parë unë. Nuk kam parë ndonjë lloj respekti të madh, secili i kishte përgjegjësitë e veta”, u përgjigj ai.

Mbrojtja e pyeti edhe për një deklaratë të Clarkut, se “nuk ekzistojnë fakte që UÇK-ja të ketë qenë pas sulmeve ndaj serbëve, të kryera pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në qershor të vitit 1999”.

Duncan tha se ai e kishte udhëzuar Clarkun që ta bënte këtë deklaratë.

Në pyetjen nëse pikëpamja e Clarkut përputhej me të tijën, Duncan u përgjigj: “po”.

Informacionet për të tha se i merrte nga burime të ndryshme.

“Së pari, lexoja të gjitha informacionet në internet për 24 orët e fundit lidhur me Kosovën. Më pas dëgjoja lajmet e fundit, BBC-në… shqyrtoja të gjitha kabllogramet diplomatike, shërbimet e monitorimit dhe më pas hyja në takime dhe informoja gjeneralin Clark. Po ashtu, bisedoja edhe me gazetarë dhe organizata joqeveritare për të marrë sa më shumë informacion”, tha Duncan, teksa përshkroi, siç u shpreh ai, një ditë të zakonshme pune të asaj kohe.

“Detyrat e mia kryesore ishin t’u jepja këshilla komandantëve ushtarakë lidhur me aspektet politike dhe diplomatike, por edhe t’i udhëzoja për mënyrën e reagimit dhe ndikimin e tyre në operacionet përkatëse”, shtoi Duncan.

Ai kishte shërbyer edhe në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

“Ky ishte një shtet i mbyllur për 46 vjet, dhe unë isha vërtet i interesuar të kuptoja se si funksiononte shoqëria, sepse kjo ishte baza e detyrës sonë si diplomatë. Ne duhej t’u shpjegonim eprorëve tanë si funksionon shoqëria, çfarë ndodh brenda saj, si veprojnë pushtetet, çfarë mund të ndikosh tek ata dhe pse ndonjëherë mund të jenë të vështirë. Kjo është puna e një diplomati – t’ua shpjegojë të gjitha aspektet e një shoqërie eprorëve përkatës”, tha Duncan.

Sipas kryesuesit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ose tri ditë.

Mbrojtja e Thaçit dhe e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte, ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vazhdim.

Dy dëshmitarë të tjerë do të paraqiten nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ende nuk ka thirrur dëshmitarë.

Dëshmia e mbrojtjes nisi javën e kaluar me ish-ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams.

Rubin, gjatë tri ditëve, foli kryesisht për rolin e Thaçit në luftë, për të cilin tha se ishte politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.

Rubin tha se nuk ka asnjë informacion që e lidh Thaçin ose Krasniqin me pretendimet për vrasje.

Williams, gjatë dëshmisë së tij, tha gjithashtu se Thaçi përfaqësonte UÇK-në si negociator i besueshëm, por nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët rajonalë.

Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

Rreth deshmisë së James Rubin Nga Xhafer Shatri

Se pari, James Rubin ai ishte deshmitar i mbrojtjes dhe, siç dihet ne keso rastesh, deshmia pergatitet deri ne detaje. Kjo deshmi nxori ne pah dhe lakuriq strategjine e mbrojtjes se Thaçit: me dale nga burgu me çdo kusht. Pa menduar per asnje çast se çka do te ndodhe me kauzen e UÇK-se dhe me “liderin” e saj qe z. Rubin e nxori personazh tretesor;

I pari Demaçi,

Te dytët komandantët e zonave dhe

I treti shefi i delegacionit ne Ramboullet.

Ne nje koder tjeter Rugova, i vetmuar, sepse ishte rrethuar me jo pak laramana, por qe perpiqej te mbetej vetvetja…

Jane fare pak njerez qe e dijne saktesisht se si eshte nxjerre ne siperfaqe Thaçi me grupin e tij;

cilat ishin shtysat dhe cili ishte misioni i tij…

i percaktuar qartazi per t’u perdore ne te gjitha rrethanat qe do te mund te krijoheshin…

Ky kostum i prere nga rrobaçepes me pervoje nuk e zinte Demaçin, por nuk mund t’i mveshej as Rugoves.

Deshmia e J. Rubin nxori ne pah se personazhet qe dalin nga vegshi i sherbimeve sekrete, kurre nuk mund te behen as maratoniste te suksesshem e as lidere te mirefillte.

Rapsodi i pavdekshem i Kosoves, Dervish Shaqa, ne nje kenge per Shaban Polluzhen, i ka dy vargje antologjike:

Hajt Shaban, he Kosovar,

Plak drangu e faqebardhe!

James Rubin ne fakt deshmoi se puleni i tij nuk kishte asgje te perbashket me vargun e fundit kushtuar Shaban Polluzhes.

 

Kosova vendos sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë

Në qendër të Prishtinës shihet një poster me mbishkrimin “Liri për Ukrainën”.

 

Radio Evropa e Lirë

Kosova ka ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës, duke i miratuar katër pakot me sanksionet e fundit të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

Në një mbledhje të premten në mëngjes, Qeveria në detyrë i miratoi pakot 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

“Miratimi i këtyre vendimeve nga ana e Qeverisë, do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe partnerë të tjerë strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, tha ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, gjatë prezantimit të kërkesës për miratim të masave.

Sveçla e bëri kërkesën në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në mungesë të ministres në detyrë, Donika Gërvalla, e cili ndodhet jashtë vendit.

Të gjitha pakot u miratuan njerëzi.

Çfarë përmbajnë pakot?

Pakoja e 15-të, e miratuar në dhjetor 2024, përfshinte ngrirje pasurish dhe ndalime udhëtimi për 54 individë dhe 30 entitete, si dhe kufizime të reja ndaj të ashtuquajturës anijes ruse në hije, me 52 anije të listuara, si dhe ndalime të eksportit për teknologji me përdorim të dyfishtë.

Ndërsa, pakoja e 16-të, e miratuar në shkurt, në përvjetorin e dytë të agresionit rus në Ukrainë, shtoi 48 individë dhe 35 entitete në listën e zezë.

Kjo pako ndaloi importin e aluminit nga Rusia dhe shënjestroi edhe 74 anije të tjera, duke e çuar totalin në 153.

Masa shtesë prekën sektorin energjetik, transitin dhe shërbimet që ndihmojnë shmangien e sanksioneve, ndërsa sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe territoreve të pushtuara u harmonizuan me ato ndaj Rusisë.

BE miratoi paketën e 17-të në maj, duke u fokusuar te kërcënimet hibride si, dezinformimi dhe sulmet kibernetike.

U vendosën kufizime për mediat shtetërore ruse në territorin e BE-së, u shtuan ndalesat për mallra dhe teknologji ushtarake, si dhe u shënjestruan individë e kompani që ndihmonin Moskën t’ shmangte sanksionet ekzistuese.

Pakoja e 18-të u miratua në korrik dhe ajo përfshiu masa të forta ekonomike.

Me ketë pako u ul çmimi i kufirit për naftën bruto ruse nga 60 dollarë në 47,60 dollarë për fuçi, me rishikime çdo gjashtë muaj. BE-ja vendosi gjithashtu ndalime për transaksione që lidhen me tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, bllokoi importet e produkteve të rafinuara nga nafta ruse në vende të treta dhe zgjeroi listën e anijeve të flotës në hije.

Paketës iu shtuan masa të gjera financiare dhe ndalime të reja për eksportin e teknologjive strategjike.

Kosova u rreshtua përkrah Perëndimit menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë Ukrainës në shkurt 2022, duke i vënë sanksione Moskës.

Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, ua mori jetën mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.

Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.

 

 

Kurti për institucionet shëndetësore e arsimore serbe në Kosovë: Do të punojmë për t’i bashkuar në një sistem të vetëm

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar mesazh serbëve të Kosovës duke thënë se ata meritojnë “qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta” dhe se sistemi paralel i arsimit dhe shëndetësisë nuk është i qëndrueshëm.

“Është e nevojshme përfshirja dhe bashkimi i tyre. Nuk dua ta bëj këtë kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, së bashku me të gjithë ju, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në një dhe të vetmin sistem”, tha Kurti në një videomesazh dërguar mediave.

Kurti gjithashtu tha se në kuadër të këtij procesi do t’i “bashkojmë përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe të dërguarin e tij të posaçëm për dialog, vendet e QUINT-it dhe KFOR-in”.

“Shteti ynë garanton me Kushtetutë të drejtat dhe liritë për të gjithë ju dhe dëshiron bashkëpunim sa më të mirë për realizimin e tyre”, tha ai.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, reagoi ndaj deklaratave të Kurtit, duke theksuar se “kërcënimet për njëfarë integrimi të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin kosovar nuk janë pjesë e asnjë negociate apo marrëveshjeje”.

Siç thuhet në komunikatë, shëndetësia dhe arsimi janë “shtyllat e mbijetesës së popullit serb dhe ashtu do të mbeten”.

“Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare flasin qartë se këto janë sisteme të ndara dhe kjo është ajo për të cilën do të luftojë Lista Serbe me mbështetjen e popullit serb. Megjithatë, kjo është një kërcënim i qartë ndaj të cilit presim një reagim edhe më të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Të gjitha institucionet shëndetësore në mjediset serbe në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Përveç institucioneve arsimore, popullata lokale serbe dhe Beogradi zyrtar shpesh i përshkruajnë ato si jetike për mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës javën e kaluar e pezulluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut, me arsyetimin se ky institucion nuk kishte dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë.

Njëkohësisht u pezullua edhe puna e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Këto vendime nxitën reagime nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian, të cilët i bënë thirrje autoriteteve të Kosovës të përmbahen menjëherë nga “shënjestrimi” i institucioneve shëndetësore që funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Ato kërkuan të mos ndërmerren hapa të njëanshëm, duke theksuar se është e domosdoshme konsultimi me komunitetin serb.

Pas kritikave, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, mohoi se Prishtina zyrtare synon mbylljen e institucioneve shëndetësore, duke theksuar se inspektorët lokalë kishin ndërprerë “përkohësisht” punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Ai e akuzoi Serbinë se po manipulon opinionin publik dhe po përhap lajme të rreme.

Kurti të enjten mbrëma tha se dallimet mes serbëve dhe shqiptarëve nuk janë shkak tensionesh, “por përmbajtje e diversitetit që është pasuri e përbashkët dhe përparësi për zhvillim”.

Ai u ndal edhe te arritjet e Qeverisë së tij dhe të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, e cila udhëhiqet nga Nenad Rashiq.

“Gjatë këtyre dy vjetëve e gjysmë nga emërimi i Nenad Rashiqit, në subvencionimin e qytetarëve nga komunitetet pakicë janë investuar gjithsej mbi 14 milionë euro”, tha ai ndër të tjera.

Kurti u bëri thirrje serbëve të mos besojnë “thirrjeve luftënxitëse të zyrtarëve të lartë nga Beogradi për kinse sulme ose pogrom që gjoja po përgatit Qeveria e Kosovës ndaj jush”.

Për pezullimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Pensional e Invalidor reagoi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke e cilësuar atë si “goditje ndaj sistemit shëndetësor” dhe si pjesë të një fushate parazgjedhore për zgjedhjet lokale, të cilat janë caktuar për 12 tetor.

Reagoi edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, duke thënë se mbyllja e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Pensional e Invalidor në Mitrovicën e Veriut është “akt i papranueshëm dhe çnjerëzor”.

Fondi për Sigurim Shëndetësor, përkatësisht degët e Sigurimit Shëndetësor të Republikës së Serbisë në mjediset serbe në Kosovë, ofrojnë shërbime jetike në fushën e shëndetësisë dhe kanë rol të rëndësishëm në funksionimin e vet sistemit shëndetësor, pasi sigurojnë financimin, organizojnë dhe garantojnë të drejtat e përdoruesve për mbrojtje shëndetësore.

Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor rregullon realizimin e të drejtave për pension në sistemin e Serbisë, përfshirë pensionin e pleqërisë, pensionin invalidor, pensionin familjar për anëtarët e familjes së të siguruarit të ndjerë.

Gjithashtu, përmes këtij Fondi bëhet pagesa e pensioneve dhe evidentimi i stazhit të punës.

Institucionet e Serbisë në Kosovë, autoritetet e Kosovës i konsiderojnë paralele dhe të jashtëligjshme, dhe mbyllja e tyre ka nisur në fillim të vitit 2024, gjë që ka hasur në kundërshtim të komunitetit serb, por edhe në kritika nga bashkësia ndërkombëtare.

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, më 4 shtator deklaroi për një grup mediash që raportojnë në gjuhën serbe se të gjitha institucionet paralele të Serbisë, përfshirë ato arsimore dhe shëndetësore, duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

Ajo theksoi, megjithatë, se me rëndësi kyçe është mënyra se si do të bëhet kjo, pra integrimi duhet të zbatohet vetëm në konsultim me komunitetin serb.

Trafiku, pastërtia dhe qentë endacakë rikthehen në fushatë në kryeqytet

Bekim Bislimi

Prishtina është në qendër të vëmendjes politike. Trafiku i rënduar, mungesa e parkingjeve, pastërtia e qytetit dhe qentë endacakë – probleme të përditshme të kryeqytetit të Kosovës janë kthyer në premtime elektorale nga kandidatët për kryetar.

Shumë prej tyre nuk janë të reja, por ripërsëritje e fjalëve të dhëna në fushatat e kaluara zgjedhore – shpesh të pambajtura.

Zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës do të mbahen më 12 tetor.

Në garën për të udhëhequr komunën më të madhe të vendit, Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkon një mandat të dytë, pas periudhës 2021-2025.

Përballë tij, për herë të dytë garon edhe Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës.

Për herë të parë, sfidës i janë bashkuar Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje, Bekë Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besa Shahini e Partisë Social-Demokrate, të cilët kanë nisur vrullshëm fushatën.

Kandidatë të tjerë që po ashtu garojnë për herë të parë për të marrë drejtimin e Prishtinës janë: Merkur Beqiri nga Alternativa, Nedime Belegu nga Epoka e Hyjneshës në Prishtinë, Agim Krasniqi nga Prishtina në dorën tënde, Fatmir Selimi dhe Lulzim Syla.

Fushata zyrtare tashmë është në ditën e gjashtë, ndërsa do të zgjasë gjithsej 30 ditë.

Trafiku, parkingjet dhe infrastruktura

Premtimet për zgjidhjen e trafikut të rënduar në Prishtinë janë kthyer në top-temë.

Kandidati i LDK-së, Përparim Rama, u zotua se do të krijojë lidhje të reja ndërmjet lagjeve për të lehtësuar qarkullimin në kryeqytet.

“Do ta jetësojmë lidhjen Kalabri-Dardani, duke krijuar lëvizje të natyrshme për banorët e këtyre dy lagjeve. Ndërkohë, makinat do të lëvizin përfundi”, tha Rama në hapjen e fushatës së LDK-së më 13 shtator në Prishtinë.

Por, kjo nuk është ide e re. Një raport i publikuar në qershor nga Instituti për Hulumtime të Avancuara – GAP në Prishtinë, që monitoron realizimin e premtimeve të kryetarëve të komunave, nxori në pah se Rama kishte dhënë të njëjtat zotime edhe në fushatën e vitit 2021.

Sipas këtij raporti, Rama nuk e përmbushi as premtimin për ndërtimin e të paktën katër parkingjeve të mëdha dhe as atë për sjelljen e autobusëve elektrikë – zotime që do të duhej të lehtësonin ndjeshëm trafikun e rënduar në kryeqytet.

Këtë boshllëk, siç duket, po synon ta shfrytëzojë rivali i tij, Uran Ismaili nga PDK-ja.

Në hapje të fushatës më 13 shtator, ai premtoi pesë parkingje të mëdha në hyrjet kryesore të qytetit, si mënyrë për të frenuar fluksin e veturave që vijnë nga jashtë.

Për më tepër, Ismaili u zotua se nëse fiton, në javën e parë të mandatit do ta hapë për qarkullim sheshin “George Bush”, të cilin Rama e kishte mbyllur për automjete.

Për Hajrulla Çekun nga Vetëvendosje, zgjidhja e trafikut në Prishtinë kalon përmes rritjes së transportit publik dhe uljes së përdorimit të automjeteve private.

“Kemi nevojë të rrisim flotën e autobusëve të trafikut urban”, tha ai, duke premtuar edhe krijimin e parkingjeve të mëdha në pikat hyrëse të kryeqytetit.

Besa Shahini nga PSD-ja shkroi në Facebook se investimi në transport publik “do të thotë më pak trafik në Prishtinë”, ndërsa Bekë Berisha i AAK-së premtoi në një paraqitje televizive se do t’i qaset zgjidhjes së këtij problemi përmes ndërtimit të një tuneli, si nënkalim për automjetet.

Qentë endacakë

Premtime të përsëritura apo të ngjashme ka edhe për qentë endacakë, të cilët vazhdojnë të jenë një problem i pazgjidhur për qytetarët e Prishtinës.

Rama e kishte premtuar trajtimin e tyre që në fushatën e vitit 2021, dhe një qendër për ta u hap vetëm në vitin 2024, megjithëse certifikimi i saj nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet ende në pritje.

Ismaili nga PDK-ja e riktheu këtë çështje në fokus, duke premtuar trajtimin e 5.000 qenëve endacakë sipas “praktikave më të mira”, ndërsa Çeku nga LVV-ja e renditi këtë si prioritet të tretë në agjendën e tij.

Qentë endacakë kanë mbetur problem që disa vite, dhe ndërhyrjet e rastësishme nga autoritetet komunale, si largimi i disa qenëve nga Parku i Qytetit në gusht të këtij viti, nuk kanë ofruar zgjidhje afatgjatë.

Pastërtia e qytetit

Në hapje të fushatës zgjedhore, Rama nuk foli fare për pastërtinë e qytetit dhe menaxhimin e mbeturinave.

Premtimet e tij të vitit 2021 për lansimin e një fabrike riciklimi për mbeturinat inerte dhe organike, si dhe për caktimin e lokacionit për pikën grumbulluese të mbeturinave të mëdha, sipas Institutit GAP, nuk u realizuan.

Në fillim të gushtit të këtij viti, Rama shpalli gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, duke fajësuar kompaninë rajonale publike “Pastrimi” për mosefikasitet.

Gjendje e jashtëzakonshme për të njëjtën arsye ishte shpallur edhe në vitin 2024, ndërsa kompania kishte mohuar kritikat për moskryerjen e punës si duhet.

Premtime konkrete për pastërti dhe menaxhim efikas të mbeturinave solli Ismaili.

Ai premtoi se mbeturinat do të mbahen larg nga lagjet, duke blerë 60 kamionë të rinj dhe duke punësuar ekipe të dedikuara për pastrim, që do të hartonin raporte javore të pastërtisë e që do të publikoheshin në ueb-faqen e komunës. Ky zotim është një përsëritje e premtimit të tij nga fushata e vitit 2021.

Çeku premtoi të aplikojë “modelin gjerman” për menaxhimin e mbeturinave, duke fuqizuar ndërmarrjen publike dhe duke i lejuar të kontraktojë edhe biznese private për punët që nuk mund t’i kryejë vetë.

Për fuqizimin e ndërmarrjes publike të pastrimit foli edhe Shahini, ndërsa Berisha tha se problemin do ta zgjidhte për “10 ditë”, duke mos treguar se si.

Të tjera

Kandidatët për të parin e kryeqytetit premtojnë edhe shkolla të reja, ndihmë për biznesin e sportin, ndriçim aty ku nuk ka e të tjera.

Sipas raportit të Institutit GAP, Rama, para se të fitonte garën për kryetar të Prishtinës në vitin 2021, dha 203 premtime. Prej tyre, ai realizoi 73 premtime, 37 u përmbushën pjesërisht dhe po aq nisën të realizohen. Ndërkohë, 59 premtime nuk u filluan fare.

Se si dhe kush do të ketë fatin t’i realizojë këto premtime për prishtinasit, mbetet të shihet pas 12 tetorit.

Deri atëherë, qytetarët kanë rreth tri javë kohë për të dëgjuar kandidatët dhe për t’u bindur se cili prej tyre meriton vërtet votën e tyre.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë të drejtë vote 2.069.098 qytetarë.

Nga këta, 2.025.105 janë të regjistruar për të votuar në vendvotime brenda Kosovës, ndërsa 43.993 kanë të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit.

Për këtë proces zgjedhor do të hapen 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

Dëshmimi i Paul Williamsit në Gjykatën Speciale: Rugova nuk e hapte gojën pa përmendur pavarësinë

Paul Williams duke dëshmuar para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 17 shtator 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Paul Williams, që ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, ka përfunduar dëshminë dyditore para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku foli për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rambuje, pozitën e Hashim Thaçit në delegacion dhe procesin e vendimmarrjes brenda strukturave të UÇK-së.

Williams ishte dëshmitari i dytë i mbrojtjes të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së bashku me dy ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetin, Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.

Gjatë ditës së dytë të dëshmisë, Williams iu përgjigj pyetjeve të trupit gjykues. Ai tha se delegacioni i Kosovës në Rambuje kishte rreth 16 anëtarë, duke përmendur mes të tjerëve Ibrahim Rugovën, Blerim Shalën, Hashim Thaçin, Rexhep Qosjen, Bujar Bukoshin, Edita Tahirin, Jakup Krasniqin dhe Bajram Kosumin.

Ai shtoi se kryesuesi u zgjodh me shumicë votash dhe se Thaçi u përzgjodh kryetar i delegacionit I pyetur pse u zgjodh Thaçi në këtë post, Williams tha se në delegacion duhej dikush që përfaqësonte UÇK-në.

“Procesi i pavarësisë së Kosovës ishte shumëdimensional. Rugova ishte pacifisti që nuk e hapte gojën pa përmendur pavarësinë. Bukoshi po punonte në mënyrë më të nuancuar me amerikanët dhe evropianët. Ndërkohë, veprimi i aktorëve të armatosur joshtetërorë kishte rëndësi, si në çdo lëvizje për vetëvendosje. E pastaj ishte dimensioni i negociatave të paqes – aty duhej një figurë që përfaqësonte UÇK-në, por që dukej dhe vepronte si diplomat, negociator, partner i besueshëm”, dëshmoi ai.

Një nga pyetjet kryesore të trupit gjykues për Williamsin ishte nëse, nga pikëpamja juridike, miratimi i komandantëve lokalë ose rajonalë të UÇK-së ishte i nevojshëm për nënshkrimin e një marrëveshjeje nga Thaçi.

Williams tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë dispozite apo rregulli të tillë, duke shtuar se do të ishte “shumë i befasuar” nëse do të ekzistonte diçka e shkruar. Sipas tij, procesi ishte “më shumë normativ, kulturor, i bazuar në autoritet dhe pushtet, e më pak në rregulla të shkruara”.

Juristi amerikan u pyet nga trupi gjykues edhe për rolin e Rugovës në procesin e Rambujesë. Ai tha se u bë këshilltar pro bono i delegacionit, me kërkesë të Rugovës – që e cilësoi si figurë të respektuar.

“Çdo bisedë e një ndërkombëtari me të fillonte dhe mbaronte me dy fjali: pavarësi dhe mospërdorim të forcës. Rugova luajti një rol të rëndësishëm në Rambuje duke përfaqësuar popullin e Kosovës. Ai mishëronte pacifizmin dhe aspiratën për pavarësi, por nuk ishte negociator”, u shpreh juristi amerikan.

Në ditën e parë të dëshmisë, Williams e kishte përshkruar veprimtarin politik dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, si person me “peshë ideologjike” në UÇK.

Demaçi e kishte kundërshtuar marrëveshjen, duke kërkuar që të përfshihej edhe pavarësia e Kosovës.

 

Ndërkaq, në ditën e dytë të dëshmisë ai tregoi se gjatë procesit në Rambuje, anëtarët e delegacionit e kishin informuar se Thaçi kishte udhëtuar për në Slloveni për t’u takuar me Demaçin, një hap që e përshkroi si “të domosdoshëm politikisht dhe kulturalisht” për të zbutur kundërshtimet ndaj marrëveshjes.

“Kjo ishte e domosdoshme sepse Demaçi fliste shumë nga jashtë si figurë ideologjike. Thaçi duhej të tregonte se po e angazhonte atë. Nuk kam krijuar përshtypjen se kërkohej miratimi i tij ose një konsultim formal – ishte një hap i nevojshëm për të vazhduar përpara”, tha Williams, duke shtuar se largimi i Thaçit nga kështjella shkaktoi shqetësime.

Gjatë seancës më 18 shtator, gjykata citoi edhe pjesë nga një dokument i përgatitur nga Williams dhe Mark Weller – po ashtu këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje – ku kërkohej bashkëpunim i plotë me Tribunalin për ish-Jugosllavinë (ICTY), përfshirë arrestimin dhe transferimin e personave të akuzuar dhe qasje të pakufizuar për hetime.

Williams konfirmoi se Thaçi e kuptonte dhe e mbështeste këtë, madje edhe nëse kjo do të përfshinte hetimin e pjesëtarëve të UÇK-së. Por, i pyetur nëse UÇK ose qeveria e përkohshme kishin bashkëpunuar realisht me Tribunalin për arrestime apo transferime, ai tha se nuk mban mend shembuj konkretë dhe shtoi se nuk dëshiron që të spekulojë.

Gjykata i paraqiti gjithashtu Williamsit deklarata publike nga fundi i vitit 1998 dhe fillimi i vitit 1999, përfshirë intervista në “Zërin e Kosovës”, ku udhëheqës të UÇK-së kritikonin kryeministrin në mërgim të Kosovës, Bujar Bukoshin dhe “institucionalistët” për menaxhimin e fondeve nga diaspora dhe mungesën e mbështetjes për UÇK-në. Williams tha se nuk kishte prova për keqpërdorim ose për financim të dezertimeve, por pranoi se tensionet për çështjen e fondeve ekzistonin dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës i kishte mbledhur kryesisht për sektorin e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin paralel.

Gjatë ditës së parë të dëshmisë së tij, Williams deklaroi se Thaçi nuk kishte ndikim mbi komandantët lokalë të UÇK-së. Sipas tij, Thaçi “nuk kishte autoritet të nënshkruante marrëveshjen pa miratimin e komandantëve rajonalë”.

Edhe dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë treditore tha se ish-presidenti i Kosovës kishte rol kryesisht politik dhe se i duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998-‘99, Veseli ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së, Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Selimi në mesin e shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe njerëzve që nuk donin të merrnin pjesë në luftime.

Në mbrojtje të ish-eprorëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë edhe disa dëshmitarë të tjerë, përveç Rubinit dhe Williamsit.

Dëshmitari i radhës i thirrur nga ekipi mbrojtës i Thaçit do të dalë para gjykatës më 22 shtator.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre është konfidenciale.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

 

 

Policia gjen armë në veri, dyshohet se ishin të një personi që kërkohet për Banjskën

Karikatorët dhe pajisjet e tjera ushtarake që Policia e Kosovës tha se gjeti në veri të vendit.

 

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës tha se gjatë një kontrolli në veriun e Kosovës ka gjetur pajisje ushtarake, që tha se dyshohet se i përkasin një personi që kërkohet për sulmin në Banjskë.

Sipas policisë, mëngjesin e 18 shtatorit, njësia e hetimeve Stacionit Policor Zveçan ka hasur në një rimorkio ku gjeti “dy thasë me uniforma, jelekë antiplumbë, pesë karikatorë të AK-47 me municion dhe pajisje tjera ushtarake”.

Po ashtu janë konfiskuar rroba të tjera ushtarake, përfshirë edhe një uniformë kamofluese.

“Nuk ka persona të arrestuar dhe dyshohet se këto armë i përkisnin një personi të dyshimtë, i cili tashmë është në kërkim për rastin Banjska”, tha Policia, duke shtuar se ky rast është nën hetim.

Më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë për këtë rast. Aktualisht, gjykimi po zhvillohet ndaj tre të akuzuarve. Ndërkaq, Radoiçiq dhe 41 të tjerë të akuzuar për këtë rast ndodhen në arrati. Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi.

Ndryshe, autoritetet kosovare kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme kohë pas kohe në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

Shtyhet seanca ndaj Simiqit për sulmin ndaj gazetarëve në veri

Deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq. Fotografi nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është shtyrë seanca fillestare lidhur me aktakuzën ndaj deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe Urosh Vuksanoviq, për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në qershor të vitit 2023.

Gjykata më pas vendosi që seanca të shtyhet për 9 tetor, duke nisur nga ora 13:30.

Avokatët e dy të akuzuarve thanë se njëri nga të pandehurit nuk i ka pranuar shkresat nga prokurori, ndërkaq tjetri i ka pranuar vetëm pjesërisht.

Prokurorja e rastit, Ajtene Zoti, tha se avokatët janë njoftuar disa herë përmes telefonit për të marrë shkresat e lëndës, por ajo tha se ata nuk kishin shkuar për t’i marrë.

Pas shtyrjes së seancës, Simiq gjatë një deklarimi për gazetarë i hodhi poshtë akuzat dhe tha se “misioni im jetësor është të promovoj paqen, bashkëjetesën, dialogun dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve përmes institucioneve, dhe kurrsesi e kundërta”.

“Principet e mia themelore, kodi im politik, bazohet në atë se gazetari është ishenjtë dhe askush nuk duhet ta prekë gazetarin, dhe kështu kam vepruar ndaj gazetarëve, si në veri, ashtu edhe në jug”, deklaroi ai.

Për çfarë akuzohet deputeti Simiq?

Më 13 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngriti aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Simiq akuzohet për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Sipas Prokurorisë, Simiq më 16 qershor të vitit 2023 gjatë protestave kundër vizitës të ministrit, tashmë në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat”.

Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria tha se sulmi vazhdoi në drejtim të gazetarëve, fillimisht me shok bomba, e më pas turma u godit me grushte, shqelma, mjete të forta, tulla betoni, e gjësende të tjera. Gjatë këtij sulmi pësuan lëndime të rënda trupore dy gazetarë, tha Prokuroria.

Ndërkaq, të pandehurin Urosh Vuksanoviq, Prokuroria e akuzon për përfshirje “të drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Kosovës”.

Ai akuzohet për veprat penale “sulmi” dhe “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Pasi u ngrit aktakuza, Lista Serbe deklaroi se Simiq kishte tentuar “të mbrojë të gjithë të pranishmit, përfshirë ekipet mediale”.

Sulmi i 16 qershorit të vitit 2023 ishte dënuar nga politikanë vendorë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atë vit, në Leposaviq dhe në tri komunat e tjera në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gazetarët ishin cak i disa sulmeve teksa ata po mbulonin protestat e serbëve lokalë kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave.

Zgjedhja e kryetarëve shqiptarë erdhi pasi kryetarët serbë ishin tërhequr dhe më pas partitë serbe bojkotuan zgjedhjet që u mbajtën në prill.

Protestat më 2023 kulmuan me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. Gjatë kësaj përplasjeje u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë.

DASH telefonon kryetarin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi, zhvilloi një bisedë telefonike me Drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mark Fleming.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, biseda u fokusua në punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe rolin e saj në ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

“Kryetari Rexhepi e falënderoi z. Fleming për telefonatën dhe shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-së për punën dhe pavarësinë institucionale të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masën e përkohshme të konstituimit të Kuvendit të Kosovës deri më 30 shtator. /KosovaPress/

Vudi Xhymshiti: Top Channel narrator i rremë i historisë së Kosovës

Gazetari dhe fotografi Vudi Xhymshiti reagon ndaj një produksioni të Televizionit të Shqipërisë Top Channel. Në një shkrim autorial titulluar “Top Channel narrator i rremë i historisë së Kosovës”, Xhymshiti shkruan se “Top Channel nuk na informoi për sulmet në Banjë, por i maskoi ato.

Në vend të gazetarisë, ofroi spektakël sentimental. Kur e vërteta hesht, propaganda flet më qartë se kurrë. Dhe unë nuk e duroj dot.”, shkruan ai.

Më poshtë Vudi Xhymshiti kujton “muajin e përvjetorit të dytë të sulmit të Banjës së veriut të Mitrovicës, një plagë ende e hapur dhe një kujtesë e dhunshme e brishtësisë së paqes në Ballkan. Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb, i udhëhequr nga Milan Radojiçiq dhe i mbështetur nga Beogradi, ndërmori sulmin më serioz mbi sovranitetin e Kosovës që prej përfundimit të luftës.”… dhe “Në një moment të tillë, kur historia ende është e nxehtë, kur përvjetori ngre pyetje mbi të kaluarën dhe të ardhmen, mediat kanë detyrën jo vetëm të informojnë, por të dokumentojnë me integritet. Dhe pikërisht këtu hyn në lojë Top Channel me një prodhim që e quan “reportazh”, një shëtitje televizive e gjatë me Grida Duman, kamera, ministri i Kosovës dhe një narrativë emocionale që i ngjan më shumë një videologu udhëtimi sesa një dokumentari me integritet gazetaresk.”

Vudi Xhymshiti nenvizon se “kjo nuk është gazetari” dhe se “produkti i Top Channel nuk është gazetari. Ai nuk ka strukturë hulumtuese që e kërkon të vërtetën, nuk ka kontekst historik, nuk ka burime të pavarura. …Në vend të pyetjeve, kemi konstatime emocionale. Në vend të analizës, kemi koment të shpejtë.”

—–

Vudi Xhymshiti

London-based Photographer & Journalist

 

Founder of VX Pictures – https://www.vxpictures.com, THE FRONTLINER Magazine — https://frontliner.uk, and Gunpowder Chronicles — https://www.thegpc.uk/about

Krejt çfarë tha Rubini në përmbyllje të dëshmisë në Hagë

Radio Evropa e Lirë

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka përfunduar dëshminë treditore në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

• Gjatë tre ditëve, ai ka folur për rolin e Thaçit në luftë, për bisedimet në Rambuje dhe ka pasur kritika për vetë gjykatën.

• Rubin tha se UÇK-ja nuk kishte një komandë efektive, duke theksuar se nuk mendonte se Thaçi ishte një komandant kryesor i UÇK-së.

• Rubin tha se SHBA-ja fillimisht e përshkruante UÇK-në si terroriste, por më pas ndryshoi mendim për të.

• Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

11:36

Lexues të nderuar,

Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të dëshmisë së ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili për tri ditë me radhë dëshmoi për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës, për bisedimet në Rambuje, por edhe shprehu kritika për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Tani, seanca po vazhdon me dëshmitarin e radhës së mbrojtjes së Thaçit, Paul Williams, juristin amerikan që kishte qenë këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje.

Më poshtë, po ju sjellim të përmbledhur dëshminë treditore të Rubinit, dëshmitarit të parë të mbrojtjes të ish-presidentit të Kosovës, Thaçi.

Rubin e nisi dëshminë e tij më 15 shtator, duke thënë se Hashim Thaçi kishte rol kryesisht politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së. Sipas tij, ai duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

Ai tha se nuk kishte asnjë informacion që lidh Thaçin apo të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje.

Rubin tha se ndërmjetësi i SHBA-së në Rambuje, Christopher Hill, kishte bërë përpjekje që të dëmtonte figurën e tij dhe të sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Sipas tij, Hill ishte “në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së”.

Ai u pyet edhe për rolin e Adem Demaçit brenda UÇK-së. Rubin tha se ndikimi i Demaçit, që kundërshtoi marrëveshjen e Rambujesë, ishte ideologjik dhe jo ekzekutiv dhe se angazhimet e Shteteve të Bashkuara ishin ato që, në fund, i mundësuan Hashim Thaçit të kapërcente rezistencën e tij.

Në ditën e dytë të dëshmisë, Rubin tha se përshtypja fillestare e SHBA-së për UÇK-në ishte se ajo ishte organizatë me aktivitet terrorist, por kjo përshtypje ndryshoi, pasi ajo u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë.

Ai ishte kritik ndaj Gjykatës Speciale duke e cilësuar si të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të katër të akuzuarve, që Rubin tha se u dorëzuan vullnetarisht.

Rubin gjithashtu dëshmoi se nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK dhe se si SHBA-ja e konsideronte Thaçin si udhëheqës të caktuar nga vetë shqiptarët.

Ndërkaq, në ditën e tretë dhe të fundit, Rubin bëri disa sqarime për deklarimet e tij para Gjykatës. Ai sqaroi se nuk e di nëse Thaçi ka përdorur emrin “tradhtar” nëse do të pranonte marrëveshjen, por tha se kjo mund të ketë qenë më shumë perceptimi i tij.

Ai po ashtu tha se komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja ishin më shumë përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte.

Rubin theksoi nuk mendonte se Thaçi ishte ndonjë komandant kryesor i UÇK-së.

Faleminderit që na ndoqët!

11:14

Përfundon dëshmia e Rubinit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, James Rubin, ka përfunduar dëshminë e tij treditore.

Pas 10-minutash pushim, mbrojtja do të thërrasë dëshmitarin e radhës.

“Dua të them që ishte privilegj për mua të jem këtu, pvarësisht se zgjati pak më shumë, por ishte një përdorim i rëndësishëm i kohës sime”, tha Rubin.

11:10

Rubin: Thaçi nuk ishte komandant kryesor i UÇK-së

Pas pushimit, avokati i Thaçit, Mishetiq, ka vazhduar me pyetjet drejtuar Rubinit.

Ai e pyeti nëse e dinte se ku gjendej Thaçi nga nëntori i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.

Rubin përsëriti se nuk dinte për lëvizjet e tij, “por besoj se kur kam folur [në telefon] ka qenë në Kosovë. Pra, në kohën e bombardimeve”.

Më pas Mishetiq citoi një intervistë të Hillit të dhënë më 2002, kur ishte pyetur se ku ishte Thaçi. Hill kishte thënë se atëbotë edhe senatori Dole kishte parashtruar këtë pyetje dhe atij i ishte thënë se Thaçi do të kthehej në Kosovë. Hill kishte shtuar se ky ishte një indikacion se “Thaçi s’kishte mandat”.

Rubin u pajtua.

“Absolutisht pajtohen. Thaçi nuk ka qenë asnjë lloj komandanti kryesor”, tha ai.

10:53

Rubin: Përpjekje gjithëpërfshirëse që delegacioni i Kosovës të nënshkruante marrëveshjen

Seanca në Dhomat e Specializuara aktualisht është në një pushim 10-minutësh.

Paraprakisht, James Rubin tha se ishte një përpjekje e senatorëve amerikanë dhe të administratës Clinton që delegacioni i UÇK-së të nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë.

Avokati i Thaçit kujtoi se Demaçi, që ishte kundërshtar i marrëveshjes së Rambujesë dha dorëheqje më 2 mars. Ai e pyeti Rubinin pse ishte e nevojshme që senatori republikan Bob Dole të vizitonte ra

Demaçi më 2 mars, dorëheqje, pengesë – pse doll udhëtoi në rajonin më 5 mars, pasi më nuk ekzistonte një pengesë e tillë

Rubin tha se Dole përkrahte politikat e administratës Clinton dhe po tentonte të sigurohej që delegacioni i UÇK-së të pranonte marrëveshjen.

Sipas tij, ishte e rëndësishme që të mbaheshin sa më shumë takime edhe me personat më skeptikë të kësaj marrëveshjeje, që ajo të nënshkruhej.

“Ishte një përpjekje gjithëpërfshirëse, e senatorëve, të mia dhe Chris Hill”, tha Rubin.

James Rubin gjatë ditës së tretë të dëshmisë së tij.

James Rubin gjatë ditës së tretë të dëshmisë së tij.

Rubin vazhdon dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë

James Rubin duke dëshmuar në Hagë, më 16 shtator 2025.
Radio Evropa e Lirë

 

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, vazhdon dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë.

• Më 15 shtator, Rubin tha se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në – për vendimet ushtarake ai duhej të merrte udhëzime nga komandantët.

• Aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim – akuza që ata i kanë mohuar.

16:28

Roli i Demaçit…

James Rubin u pyet nga gjyqtari zviceran, Guénaël Mettraux, lidhur me rolin e Adem Demaçit brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kundërshtimin e tij ndaj Marrëveshjes së Rambujesë. Rubin theksoi se ndikimi i Demaçit ishte ideologjik e jo ekzekutiv dhe se angazhimet e Shteteve të Bashkuara ishin ato që, në fund, i mundësuan Hashim Thaçit të kapërcente rezistencën e tij.

Rubin i tha gjykatës se nuk e kishte takuar apo komunikuar kurrë drejtpërdrejt me Demaçin dhe nuk kishte dijeni që ai të kishte lëshuar urdhra apo vendime si përfaqësues i UÇK-së. Ai e përshkroi Demaçin si figurë historike e simbolike, rëndësia e së cilës buronte nga qëndrimet e tij për pavarësinë, e jo nga ndonjë autoritet ekzekutiv. Rubin hodhi poshtë gjithashtu idenë se UÇK-ja funksiononte me një hierarki të qartë ushtarake.

Sipas Rubin, Demaçi njihej gjerësisht për kundërshtimin e tij të fortë ndaj Marrëveshjes së Rambujesë, veçanërisht pas bisedave që kishte zhvilluar me sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

Demaçi besonte se nënshkrimi i një marrëveshjeje të përkohshme pa përmendur qartë pavarësinë do të ishte një gabim strategjik për UÇK-në.

Rubin kujtoi se gjatë bisedimeve, Thaçi u përpoq ta bindte Demaçin gjatë një takimi në Slloveni, por nuk ia doli të ndryshonte qëndrimin e tij. Megjithatë, Thaçi vazhdoi dhe e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së, pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm të Demaçit.

Sipas dëshmisë së Rubin, pika vendimtare erdhi nga garancitë që Thaçi mori drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara – prej tij vetë, nga sekretarja Albright dhe nga gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.

Angazhimi ishte i qartë: nëse UÇK-ja do të nënshkruante dhe Serbia do të refuzonte, atëherë Uashingtoni do të udhëhiqte një fushatë ushtarake kundër forcave serbe.

16:04

Rubin: Ishte e qartë se Thaçi kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratime

James Rubin tha se Hashim Thaçi “nuk më ka thënë asnjëherë fjalë për fjalë se çfarë duhet të bënte apo se me kënd duhej të konsultohej”.

“Thaçin e njoha në Rambuje dhe ai nuk ishte i hapur me mua, e as unë më. Ai nuk më tregonte çfarë duhet të bënte dhe pse i bënte”, tha Rubin.

Ai theksoi se për të ishte “e qartë” se Thaçi kishte “eprorë diku nga të cilët duhej të merrte miratimin”.

“Ai ishte shumë i mjegullt në gjuhën e tij, thoshte se duhej të konsultohej me komunitetin, me udhëheqësit, me popullin. Unë nënkuptova që [Adem] Demaçi ishte shumë i rëndësishëm, sepse ai kishte folur me Medeleine Albright dhe ishte ndër personat që nuk ishte në favor të Rambujesë. Fakti që duhej të konsultohej me të, sipas meje, ai përpiqe j që t’i përfshinte të gjithë në proces. Nuk e di a i kërkohej ta bënte këtë.”

Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi.

15:59

Rubin: Thaçi u zotua para presidentit Clinton se nuk do të kishte hakmarrje

James Rubin dëshmoi për një telefonatë të Hashim Thaçit me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999, dhe se si Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat ndonëse populli i tij ishte keqtrajtuar për vite të tera.

“Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.

“Nuk do të merrnin hak gjatë kohës kur trupat serbe po largoheshin dhe NATO-ja do ta merrte përsipër situatën. Sigurisht që mund të kishte akte dhune në këto situata, por presidentit Clinton i kishte bërë shumë përshtypje kjo dhe këtë ma tha Berger”.

15:40

James Rubin: Hill bënte komente negative për Thaçin

James Rubin e vazhdoi dëshminë e tij duke thënë se Christopher Hill nuk ishte miqësor me Hashim Thaçin në Rambuje.

“E dija se Chris Hill do të jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative për Thaçin te delegacioni amerikan, dhe mund t’i bënte këto edhe për senatorin Bobe Dole”, tha Rubin.

I pyetur nga gjykatësi Christoph Barthe nga Gjermania nëse Thaçi po fshihej kur erdhi koha për ta nënshkruar marrëveshjen, Rubin theksoi: “Qëndrimi nuk do të ishte i shkreti Thaçi është fshehur, por Hill tha ‘pse nuk është këtu ai”, “pse bën ai sikur është një person i rëndësishëm”.

“Unë isha në dijeni që Hill kishte ndikim në këtë situatë, dhe do përpiqesha të thosha se ka arsye që nuk është këtu, ndoshta ka mbetur në bjeshkë, ndoshta është në rrezik”, tha Rubin.

Rubin tha se Thaçi i kishte thënë se i duhej të udhëtonte maleve sepse kishte fletarrestim për të nga Serbia në mars 1999.

Ai tha se nuk e kishte parë fletarrestimin por i besonte.

Si u prit në Kosovë dëshmia e James Rubinit në mbrojtje të Thaçit në Hagë?

Radio Evropa e Lirë

Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, është parë si e rëndësishme dhe vendimtare në favor të mbrojtjes së ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, si dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, tha se ai nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët e UÇK -së.

“Ishte e qartë për mua se ai nuk ishte në krye. Ai nuk kishte dijen, aftësitë apo autoritetin për të marrë vendime në asnjë mënyrë”, tha Rubin para gjykatës të hënën.

 

Thaçi po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – akuza që ata i kanë mohuar plotësisht.

Rubin gjithashtu dëshmoi se nuk kishte asnjë informacion që e lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.

Cilat ishin reagimet?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha për dëshminë e Rubinit se në Hagë “po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut”.

“Kjo është një dëshmi e qartë, e bazuar në fakte të pakontestueshme, për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare, për qëllimet e saj dhe përpjekjet e çlirimtarëve tanë për paqe e liri, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Krasniqi – i cili tani udhëheq partinë të cilën për vite të tëra pas luftës së vitit 1998-‘99 e udhëhoqi Thaci dhe pastaj Veseli – shtoi se “me Shtetet e Bashkuara krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha!”

 

Rubin është ish-ndihmës sekretar i shtetit për çështjet e informacionit publik dhe zëdhënës kryesor i Madeleine Albright kur ajo ishte sekretare e shtetit në administratën e Klintonit.

Ai ishte me Albrightin në bisedimet e paqes në Francë në vitin 1999 dhe më vonë shërbeu si negociator i posaçëm në bisedimet për çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Rubin e përshkroi Thaçin para gjykatës si një “figurë politike” pa pushtet të vërtetë.

Analisti politik, Agon Maliqi, shkroi në Facebook se dëshmia e Rubinit “është dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm historik që i përmbys shumë narracione propagandistike”.

“Ai e çmonton argumentin kryesor të prokurorisë, e të cilin e di çdo njeri në Kosovë me sens arsyeje, se UÇK ka pasur strukturë qendrore të konsoliduar apo dhe të aftë për të udhëzuar dhunë dhe krime në mënyrë sistematike”, theksoi Maliqi.

Sipas tij, dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan e “jep pasqyrën e një grupi të decentralizuar dhe kaotik që vepronte në rrethanat e përballjes me një shtet me plane shfarosëse që u materializuan në Bosnje – kontekst kyç të cilin prokuroria e anashkalon krejtësisht, thuajse UÇK doli maleve për të kontrolluar territor prej pikës së qejfit”.

Ai beson se dëshmia e tij e bazuar në raporte të inteligjencës gjithashtu “nuk mundohet ta mohojë ekzistencën e krimeve sporadike ndaj civilëve, por e konteston idenë se ajo ka qenë e organizuar dhe aludon – saktësisht do të thosha – se ajo ishte më shumë produkt i kaosit dhe mungesës së kontrollit, si dhe e tërheq vërejtjen se ka pasur edhe propagandë të Beogradit”.

“Është e qartë se krimet e dokumentuara nga prokuroria kanë qenë më shumë qërim lokal hesapesh apo sulme hakmarrëse, dhe se viktimat e tyre meritojnë drejtësi. Por, prokuroria e Speciales qartazi e ka humbur adresën e kësaj përgjegjësie duke u munduar ta ndërtojë një akuzë politike, duke prodhuar kështu padrejtësi të dyfishtë”, përfundoi Maliqi.

Për drejtorin e Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulëzim Peci, dëshmia e Rubinit si dëshmitar i mbrojtjes të ish-presidentit Thaçi, nuk ishte “vetëm një dëshmi e thjeshtë gjyqësore!”

“Kjo dëshmi është edhe një ligjëratë publike e dorës së parë për historinë moderne të Kosovës, lidershipin vizionar të shqiptarëve, luftën e UÇK-se dhe rrugëtimin e saj drejtë pavarësisë!” shkroi Peci në Facebook.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në një postim në Facebook, tha se ndihet mirënjohëse dhe falënderuese për praninë dhe gatishmërinë e Rubinit për të dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Dëshmia e tij e qartë, e drejtë dhe e bazuar në të vërtetën, është një dëshmi tjetër e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, në veçanti gjatë luftës sonë çlirimtare dhe në mbrojtje të vlerave të UÇK-së”, tha ajo.

Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998-‘99, Veseli ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së, Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Selimi në mesin e shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe njerëzve që nuk donin të merrnin pjesë në luftime.

Në mbrojtje të ish-eprorëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë edhe disa dëshmitarë të tjerë, përveç Rubinit, i cili do të kthehet në bankën e dëshmitarit edhe të martën.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre është konfidenciale.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kurti takim me Koordinatorin e Kombeve të Bashkuara Stephen O’Malley: Mbështetja e OKB-së thelbësore për të ardhmen e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në takim Koordinatorin e ri për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen O’Malley, të cilin e uroi për emërimin dhe i shprehu mirëseardhje në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media, Kurti vlerësoi lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me ekipin e OKB-së në Kosovë (UNKT) si partner të besueshëm në forcimin e qeverisjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Ai e falënderoi për mbështetjen afatgjate të dhënë për Kosovën.

“Gjatë takimit u theksuan disa prej bashkëpunimeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, edukimin e hershëm, trashëgiminë kulturore e banimin social. U ritheksua gatishmëria e qeverisë për të thelluar partneritetin me UNKT në drejtim të: zhvillimit të kapitalit njerëzor përmes arsimit gjithëpërfshirës, shëndetësisë cilësore, mbrojtjes sociale, sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë”, thuhet në njoftim.

Në fund, kryeministri Kurti shprehu bindjen se udhëheqja e z. O’Malley do ta avancojë partneritetin ekzistues në një nivel edhe më të lartë gjatë ciklit të ri të planifikimit 2026–2030, duke u bazuar në parimet e përbashkëta të gjithëpërfshirjes, barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut. /Telegrafi

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së hyn në fazë kryesore, nis paraqitja e dëshmitarëve nga pala mbrojtëse

Sot duke nisur nga ora 09:00 në Dhomat e Specializuara në Hagë do të nisë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këtë herë, është radha e palës mbrojtëse për të paraqitur dëshmitarët e saj në proces. Sipas asaj që raportohet, dëshmitari i parë që do të paraqitet në gjyq është James Rubin, ish-zyrtar i lartë amerikan dhe njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë kohës së luftës.

Dëshmia e tij pritet që të hedhë me tepër dritë mbi rrethanat politike dhe diplomatike të kohës, si dhe të mbështesë argumentet e mbrojtjes.

Mediat e Kosovës raportojnë se është shumë me rëndësi se çfarë zhvillimesh të reja do të sjellin dëshmitë e palës mbrojtëse dhe si do ndikojnë ato në rrjedhën e mëtejshme të gjykimit. bw

Zgjedhjet lokale, Kosova nis sot zyrtarisht fushatën elektorale. KQZ publikon rregullat

Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor, datë kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit. Kjo është bërë e ditur nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili ka caktuar periudhën zyrtare të fushatës.

Shumica e partive politike kanë paralajmëruar nisjen e fushatave të tyre sot në kryeqytetin Prishtinë, me aktivitete që do të zhvillohen në disa prej hapësirave më të njohura publike dhe kulturore.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është kritikuar për mbajtjen e një aktiviteti elektoral mbrëmjen e kaluar, përpara fillimit zyrtar të fushatës. Kritikët thonë se ky veprim shmang mbikëqyrjen institucionale, pasi periudha e parafushatës nuk është e rregulluar ligjërisht.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress, se fushata zgjedhore për 93 subjektet politike me mbi 5 mijë e 600 kandidatë, do të zhvillohet nga sot deri në orën 06:59 të datës 12 tetor.

Ai ka treguar për ndalesat dhe kufizimet ligjore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore që duhet t’i respektojnë subjektet politike dhe mbështetësitë e tyre.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi. bw

Zyra e BE-së i druhet një situate kritike në Kosovë, marrëveshje me KFOR për asistencë në rast evakuimi

Komandanti i KFOR, Major Enrico Barduani, ka takuar shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë Aivo Orav. Të dy ata, siç bëhet e ditur në njoftimin e KFOR, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi që rregullon mbështetjen dhe ndihmën e KFOR-it në rast zhvendosjeje ose evakuimi gjatë situatave kritike.

Në njoftim shtohet edhe se përmes këtij Memorandumi Mirëkuptimi, formalizohen procedurat që forcojnë besimin e ndërsjellë, sqarojnë rolet dhe rrisin koordinimin.

Postimi i KFOR:

Sot, Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë (EUOK) dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Sh.T. Aivo Orav, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi (MM) që rregullon mbështetjen dhe ndihmën e KFOR-it në rast zhvendosjeje ose evakuimi gjatë situatave kritike.

Përmes këtij Memorandumi Mirëkuptimi, KFOR dhe EUOK formalizojnë procedurat që forcojnë besimin e ndërsjellë, sqarojnë rolet dhe rrisin koordinimin, duke i mundësuar të dy misioneve të përgjigjen në mënyrë efikase dhe kohezive brenda mandateve të tyre përkatëse.

Memorandumi dëshmon angazhimin e aktorëve ushtarakë dhe civilë për të punuar së bashku në mënyrë proaktive, duke përforcuar kështu gatishmërinë, stabilitetin dhe sigurinë në rrethana sfiduese në terren.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. bw

Presidentja Osmani shpreh keqardhje për pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-në

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Shteteve te Bashkuara për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik.

“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar”, tha Osmani të premten.

Ajo shtoi se “çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot”.

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më herët se SHBA-ja e ka pezulluar për kohë të papërcaktuar dialogun e planifikuar strategjik, për shkak se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo.

Osmani – e cila kishte njoftuar në fillim të këtij viti se Kosova do ta finalizonte një marrëveshje të arritur me SHBA-në për këtë dialog – u zotua të premten se do të angazhohet “maksimalisht” që ky dialog të fillojë “sa më shpejt”.

“Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes”, tha ajo.

Qeveria në detyrë i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së që çuan në pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.

Çfarë është dialogu strategjik?

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington DC, dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më 6 gusht paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të nisin dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti.

SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizjademokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.

Pakicat joserbe i kërkojnë Kushtetueses të hedhë poshtë ankesën e Listës Serbe

Elbert Krasniqi, ministër në detyrë i Pushtetit Lokal.

Radio Evropa e Lirë

Grupi multientik, që përbëhet nga deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të mos e marrë për bazë ankesën e Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, u ankua në Kushtetuese për votimin ndaras të nënkryetarit serb.

Elbert Krasniqi, përfaqësues i këtij grupi, në një konferencë për media, tha se ndarja e votimit e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë, është bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.

“Kemi kërkuar nga Kushtetuesja që të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe sepse kjo do të prishte balancën e respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë dhe përfaqësimit në institucionet e vendit”, tha Krasniqi, i cili njëherësh është ministër në detyrë i Pushtetit Lokal.

Sipas tij, Emilija Rexhepi – që u propozua nga komunitetet joserbe – u zgjodh nënkryetare e Kuvendit me 73 vota për dhe tha se nuk beson se Kushtetuesja do të kontestojë zgjedhjen e saj.

“Ne vlerësojmë se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe asnjë komunitet nuk mund të shfrytëzojë ulëset e garantuara për të sjellë bllokadë, aq më tepër Lista Serbe e cila njërën këmbë e ka në Beograd, e tjetrën në Prishtinë”, tha Krasniqi.

Krasniqi, që vjen nga komuniteti egjiptian, tha se Kosova është ndërtuar në frymën multietnike, të përfaqësimit afirmativ duke mbrojtur të drejtat e secilit komunitet.

“Pra, janë të drejta që na mundësojnë zhvillim të përbashkët dhe këto të drejta nuk duhet të përdoren si veto që mundësojnë bllokadë të njëanshme. Pikërisht për këtë arsye ne u jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me komentet tona lidhur me ankesën e Listës Serbe për të kumtuar se procedurat e zhvilluar deri më tani kanë qenë të rregullta dhe gëzojnë legjitimitet të plotë demokratik”, tha ai.

Krasniqi tërhoqi paralele mes situatës në Kosovë me atë në Bosnjë e Hercegovinë, ku tha se e drejta e një pakice është tentuar që të shndërrohet në bllokadë.

“Pra, përvoja e Bosnjës është dëshmia e duhur se çfarë pasojash të rënda sjell një sistem ku pakica parlamentare ka në duar të drejtën e vetos dhe bllokon funksionimin e shtetit”, tha ai.

Ankesa e Listës Serbe në Kushtetuese erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Gjykata Kushtetuese javën e kaluar theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.

Masa e saj do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj për masë të përkohshme, u ka mundësuar palëve të përfshira në këtë lëndë – përfshirë edhe deputetët – të dorëzojnë komente dhe dokumente relevante deri më 9 shtator.

Pas komenteve dërguar Gjykatës Kushtetuese presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.

Kërkesë për mospranimin e çështjes së dërguar në Kushtetuese nga Lista Serbe ka bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.

Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Bashka e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë nga komuniteti joshumicë serb.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, asnjëra parti nuk fitoi vota të mjaftueshme për të krijuar vetë institucionet. Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

 

 

LVV-ja i kërkon Kushtetueses ta shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe për nënkryetarin serb

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

 

Radio Evropa e Lirë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar gjykatës më të lartë të vendit ta shpallë të papranueshme kërkesën e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila u ankua kundër votimit ndaras për nënkryetarin serb të Kuvendit të Kosovës, tha të mërkurën zyrtarja e kësaj partie, Albulena Haxhiu.

Haxhiu njoftoi në një konferencë për shtyp në Prishtinë se LVV-ja i kërkoi Gjykatës Kushtetuese ta shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe, “sepse ajo nuk përputhet me kërkesat themelore” të Kushtetutës së Kosovës.

“Kontrolli kushtetues është i mundur vetëm mbi aktet e miratuara nga Kuvendi, në këtë rast nuk e kemi një akt të tillë, por vetëm një procedurë të ndërprerë pa ndonjë procedurë juridike”, tha Haxhiu – e cila është njëherësh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo shtoi se “neni 113, paragrafi 5 i Kushtetutës është i qartë, pra vetëm aktet e Kuvendit janë objekt i kontrollit kushtetues, dhe ky është kusht thelbësor për pranueshmërinë e çdo kërkese që parashtrohet në Gjykatën Kushtetuese”.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re, pas kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Ankesa e Listës Serbe – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.

Masa e saj do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.

Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Bashka e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë nga komuniteti joshumicë serb.

LVV-ja i dërgoi komentet e saj në Kushtetuese një ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e bëri të njëjtën gjë.

Osmani tha për gazetarë të martën se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.

Ajo shtoi se në komentet e saj, i ka kërkuar Kushtetueses të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset e rëndësishme të vendit dhe tha se shpreson se vendi do të mundë të vazhdojë me formimin e institucioneve pas 30 shtatorit, kur përfundon masa.

Kurti dhe partia e tij e kanë kritikuar masën e vendosur nga gjykata dhe Haxhiu i përsëriti kritikat edhe të mërkurën.

Qëkurse Basha e shpalli të konstituuar Kuvendin në fund të muajit të kaluar, Vetëvendosje nisi përpjekjet për formimin e Qeverisë së re.

Vetëvendosje, e cila e ka të drejtën e mandatarit e para për kryeministër, e propozoi sërish Albin Kurtin për në një takim të partisë në fundjavë.

“Ne e kemi votuar tashmë Kurtin për mandatar dhe ne kemi pasur në plan të vazhdojmë menjëherë me procedurën e formimit të Qeverisë. Për, ne është absurde që Gjykata e ka vendosur masën pezulluese”, tha Haxhiu.

Vetëvendosje, me 48 ulëse në Kuvend, nuk e ka shumicën dhe do t’i duhej të arrijë marrëveshje për koalicion qeverisës për ta formuar Qeverinë në rast se gjykata e jep dritën jeshile pas 30 shtatorit.

Haxhiu tha se partia mund t’i vazhdojë bisedimet me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, e cila ka tre deputetë në Kuvend, apo me ndonjë deputet “të interesuar”.

“Me PDK-në assesi, me LDK kemi bërë përpjekje për jemi refuzuar. Bisedimet mund të vazhdojnë me Nismën apo ndonjë deputet që është i interesuar. Ne duhet të vazhdojmë përpara, qoftë me Qeveri të re apo zgjedhje të reja”, theksoi Haxhiu.

Presidentja, e cila e ka për detyrë ta caktojë mandatarin për kryeministër, tha të martën se do ta bëjë këtë menjëherë pas 30 shtatorit, nëse vendimi i Kushtetueses është pozitiv.

“Menjëherë pas 30 shtatorit… me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituimit, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive, kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, tha Osmani.

Arrestohet nga policia serbe një 77-vjeçar nga Kosova, Ministria e Jashtme: Njoftuam ambasadorët e QUINT-it dhe BE

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka konfirmuar se qytetari i Kosovës, Hazir Haziri, është arrestuar nga autoritetet e Serbisë më 8 shtator në pikën kufitare në Merdarë “gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat”.

Autoritetet serbe më herët gjatë ditës pretenduan se ai është arrestuar nën dyshime për “krime lufte”.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi ndalimin e z. Haziri”, tha MPJD-ja.

Kosova ka kërkuar zyrtarisht nga Serbia që të konfirmojë arrestimin e Hazirit dhe të sqarojë arsyet ligjore për ndalimin e tij, teksa MPJD u bëri sërish thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimin përmes Serbisë.

Ministria po ashtu tha se rastin e Hazirit është njoftuar delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it.

“MPJD nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në njoftim.

Më herët gjatë 9 shtatorit, autoritetet serbe thanë se kanë arrestuar një person në Merdarë nën dyshimin për “krime lufte” gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.

Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi atë me inicialet H.H, 77-vjeçar.

Sipas njoftimit të MPB-së serbe, ai dyshohet se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.

Autoritetet serbe thanë se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se ndaj tij do të ngrihet aktakuzë.bw

Kushtetuesja shpreh shqetësim për deklarimet “e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetërorë”

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shprehur shqetësim për, siç tha, “deklarimet e pamatura” të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve politikë.

Përmes një reagimi, Kushtetuesja tha më 8 shtator se pavarësia dhe paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë “institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”.

“Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, u tha në reagim.

Sipas gjykatës në të lartë në Kosovë, vendimet e saj bazohen në Kushtetutë, praktika gjyqësore dhe në standarde ndërkombëtare.

“Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”, u tha në reagim.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese vjen një ditë pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, kritikuan vendimet e gjykatës më të lartë të vendit.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti kritikoi Kushtetuesen për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit.

“Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues”, u tha në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më herët gjatë ditës, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, bëri thirrje që të respektohet pavarësia e gjykatësve “nga të gjithë, në çdo kohë”, duke theksuar se gjyqësori i pavarur është gur themel i sundimit të ligjit.

“Ndërhyrja e padrejtë përmes sulmeve personale që shënjestrojnë gjykatësit dhe prokurorët është gjithmonë e papranueshme”, shkroi ai në X.

Më 5 shtator, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata e vendosi këtë masë – që do të jetë në fuqi nga 5 deri më 30 shtator – në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kurti e quajti të paarsyeshme masën e marrë nga Kushtetuesja.

“Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”.

Ai e kritikoi Gjykatën Kushtetuese për ato që i quajti vonesa në marrjen e vendimeve gjatë mandatit të tij, dhe e ka akuzuar këtë institucion si të njëanshëm, përkatësisht të afërt me partitë shqiptare që ishin në opozitë.

“Derisa Qeveria punon çdo ditë për qytetarët, Gjykata Kushtetuese vazhdon të vonojë vendime jetike, duke bllokuar reforma, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë, për qytetarët, për zhvillimin e vendit”.

Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim më 5 shtator bazuar në kërkesën e deputetëve të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kjo parti beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha – nga LVV-ja – i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.

Lista Serbe, e cila gëzon 9 prej 10 ulëseve të rezervuara në Kuvend për minoritetin serb, ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, por ai nuk i ka siguruar votat e nevojshme.

Më vonë Basha, duke u bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, i ka nxjerrë në votim përmes shortit emrat e të gjithë deputetëve serbë në Kuvend, por asnjëri nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme.

Basha e ka shpallur Kuvendin të konstituuar, ndonëse nuk është zgjedhur edhe nënkryetari i pestë.

Partitë tjera besojnë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa Presidenca e Kosovës pritet të dërgojë komente në Kushtetuese për këtë proces.

Në Kosovë arrijnë dronë të blerë nga SHBA

Radio Evropa e Lirë

Javën e kaluar, Kosova ka pranuar fluturake pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma, të blera nga Shtetet e Bashkuara, njoftoi ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci tha se këta dronë janë blerë përmes programit shtet më shtet dhe se pagesa për këto fluturake është realizuar më 2021.

Specifikat e dronëve RQ-20 Puma LE

Sipas kompanisë që i prodhon dronët RQ-20 Puma LE, ata mund të fluturojnë 3.200 metra mbi nivelin e detit dhe mund të qëndrojnë në ajër afër 6 orë.

Rrezja e veprimit e këtyre fluturakeve është nga 20 deri në 60 kilometra.

Shpejtësia e tyre është nga 46-76 kilometra në orë. Ngarkesa që mund të bartin është deri në 2.5 kilogramë.

Gjerësia e krahëve është deri në 4.6 metra dhe gjatësia është 2.2 metra.

Dronët mund të lëshohen me dorë apo edhe nga automjetet.

Burimi: AeroVironment

Ai nuk tregoi se për sa fluturake pa pilot bëhet fjalë. Megjithatë, sipas raportimeve të mëhershme nga mediat amerikane, Kosova ka porositur 40 njësi të këtyre fluturakeve dhe vlera e tyre vlerësohet të jetë 11.1 milionë dollarë apo 215 mijë për njësi.

“Fluturaket Puma krahas fluturakeve tjera janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK-së në fushën e sistemeve ajrore pa pilot”, shkroi Maqedonci.

Njoftimi për pranimin e dronëve vjen disa javë pasi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) pranoi autoblinda të blerë nga SHBA-ja.

Maqedonci tha se bashkëpunimi me SHBA-në në fushën e mbrojtjes “po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht” dhe ky bashkëpunim, sipas tij, i kontribuon interesave të përbashkëta të të dyja vendeve.

Kosova synon të blejë edhe armë të tjera nga SHBA-ja. Vitin e kaluar, vendi ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve Javelin, dhe tani është duke bërë pagesën e tyre.

FSK-ja aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi ka nisur më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Edhe në të kaluarën Kosova ka blerë pajisje ushtarake nga SHBA-ja. Më 2018, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake amerikane, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikan i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.

Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro.

Kurti kritikon Kushtetuesen teksa LVV-ja e propozon sërish për kryeministër

Radio Evropa e Lirë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurtin – njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës – për një tjetër mandat në krye të Qeverisë.

Kurti është zgjedhur me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur të dielën.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë duke fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës – të pamjaftueshme për të formuar vetë Qeverinë.

Në fjalimin e tij, Kurti i ka falënderuar anëtarët e partisë për besimin e dhënë, dhe e ka shpalosur programin e asaj që e ka quajtur qeverisje të re.

Mes tjerash, Kurti e ka përmendur synimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në një pjesë të fjalimit, ai e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituim të Kuvendit.

LVV e ka marrë vendimin për propozim të Kurtit vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5-30 shtator. Ajo është kritikuar nga LVV-ja, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Teksa e ka propozuar Kurtin, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i ka kritikuar dhe fajësuar partitë tjera të mëdha shqiptare për krizën institucionale.

“Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Me apo ndoshta pa vetëdije, partitë politike që e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje qysh prej certifikimit të zgjedhjeve, janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë, vetëm një votë më pak se 50 për qind dhe shteti mbetet pa Kuvend”.

 

Pse doli Kushtetuesja me vendim?

Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim bazuar në kërkesën e deputetëve të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kjo parti beson se janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha – nga LVV-ja – i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.

Lista Serbe, e cila gëzon 9 prej 10 ulëseve të rezervuara në Kuvend për minoritetin serb, ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, por ai nuk i ka siguruar votat e nevojshme.

Më vonë Basha, duke u bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, i ka nxjerrë në votim përmes shortit emrat e të gjithë deputetëve serbë në Kuvend, por asnjëri nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme.

Basha e ka shpallur Kuvendin të konstituuar, ndonëse nuk është zgjedhur edhe nënkryetari i pestë.

Partitë tjera besojnë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa Presidenca e Kosovës ka thënë në fillim të javës se ekipi ligjor po e analizon këtë proces.

Kurti e ka quajtur të paarsyeshme masën e marrë nga Kushtetuesja.

“Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”.

Ai e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për ato që i ka quajtur vonesa në marrjen e vendimeve gjatë mandatit të tij, dhe e ka akuzuar këtë institucion si të njëanshëm, përkatësisht të afërt me partitë shqiptare që ishin në opozitë.

“Derisa Qeveria punon çdo ditë për qytetarët, Gjykata Kushtetuese vazhdon të vonojë vendime jetike, duke bllokuar reforma, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë, për qytetarët, për zhvillimin e vendit”.

Njohësi i çështjeve ligjore dhe kushtetuese, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë këtë javë se e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme si një veprim të drejtë dhe të domosdoshëm.

Sipas tij, kjo është një masë procedurale që synon të parandalojë çdo pasojë juridike të mundshme, si dhe dëmet që mund të shkaktohen nga veprimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës apo nga presidentja Vjosa Osmani.

Hapat e radhës

Deputët e Kuvendit të Kosovës e kanë nisur seancën konstituive më 15 prill. Ajo është vazhduar me muaj dhe situata vazhdon të jetë e paqartë. Kushtetuesja ka dalë tri herë me vendime brenda kësaj periudhe.

Në momentin që Kuvendi konstituohet, presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.

Në këtë pikë nuk ekziston një afat i saktë, por vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.

Mbi 2 milionë persona me të drejtë vote për zgjedhjet e 12 tetorit

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar të shtunën listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Të drejtë vote për t’i zgjedhur kryetarët e 38 komunave do të kenë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, 43 mijë e 993 janë votues prej jashtë shtetit.

Votuesit jashtë shtetit do të mund të votojnë me postë prej 17 shtatorit.

Zyrtarë të KQZ-së kanë bërë të ditur se procesi zgjedhor do të organizohet në 938 qendra votimi me 2.625 vendvotime.

Përfaqësuesja e Listës Serbe, Gordana Llaban, ka votuar kundër certifikimit të listës, për shkak të atyre që i ka konsideruar ndryshime në listat votuese, mirëpo zyrtarë tjerë i kanë thënë se bazuar në Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, një qytetari i përcaktohet vendvotimi në bazë të vendit ku ka prona dhe merr shërbime, me qëllim që të ketë saktësi në listën votuese.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u ka bërë thirrje të gjithë votuesve brenda Kosovës që të kontrollojnë vendvotimin e tyre në platformën e këtij institucioni, që ta dinë paraprakisht qendrën e tyre, për shkak të ndryshimeve që janë bërë së fundmi.

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale.

Më herët gjatë ditës, Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka nisur një kërkesë ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026, për shkak të pengesave që mund të shkaktohen nga fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ligji në Kosovë përcakton që komunat duhet ta miratojnë buxhetin deri më 30 shtator për vitin e ardhshëm fiskal, dhe atë më pas ta dorëzojnë në Ministrinë e Financave.

Nëse nuk e respektojnë këtë afat, komunat e humbin të drejtën për ta propozuar vetë buxhetin për vitin e ardhshëm, andaj Ministria e Financave e harton një version të buxhetit për to, i cili zakonisht bazohet në shifrat e buxhetit ekzistues.

 

Për këto zgjedhje lokale janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

Partia Demokratike e Kosovës pati fituar më së shumti komuna, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kushtetuesja vendos masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e Qeverisë

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.

Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi për koment Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha në Facebook se e mori vendimin e Kushtetueses, por nuk komentoi më shumë.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.

Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.

Bugaqku: Procedurë për parandalimin e pasojave juridike

Njohësi i çështjeve ligjore dhe kushtetuese, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme si një veprim të drejtë dhe të domosdoshëm.

Sipas tij, kjo është një masë procedurale që synon të parandalojë çdo pasojë juridike të mundshme, si dhe dëmet që mund të shkaktohen nga veprimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës apo nga presidentja Vjosa Osmani.

“…për të mos lejuar që të ketë veprime të mëtutjeshme procedurale nga akterët përkatës – rrjedhimisht nga deputetët e Kuvendit dhe nga presidentja e shtetit. Është përfolur mjaft këto ditë dhe ka pasur mjaft diskutime që e njëjta [presidentja Osmani] mund të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, sipas kërkesës së partisë fituese të zgjedhjeve [Lëvizjes Vetëvendosje]”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se ky veprim duhet të ndodhë vetëm pasi Kuvendi të konstituohet plotësisht.

Periudha e masës së përkohshme – nga 5 deri më 30 shtator – është e mjaftueshme, sipas Bugaqkut, që Gjykata Kushtetuese ta sqarojë dhe “ta pastrojë” çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Sipas tij, masa e përkohshme nuk jep sinjal për drejtimin e aktgjykimit final të Gjykatës.

Ai, gjithashtu, kujton se ka raste kur Gjykata ka vendosur masa të përkohshme, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është konstatuar shkelje e Kushtetutës gjatë shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga palët.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Ankesa e Listës Serbe – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiqin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.

Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar,Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.

As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Pasi të gjithë deputetët serbë u hodhën në votim nga tri herë dhe dështuan të zgjedheshin në postin e nënkryetarit, Basha në mënyrë të njëanshme mbylli seancën konstituive dhe deklaroi se Kuvendi është konstituuar.

Vendimi i Kushtetueses u publikua dy ditë para se Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit – të mbajë Këshillin e Përgjithshëm, ku pritet ta rikonfirmojë Albin Kurtin si mandatar për kryeministër.

LVV-ja ka këmbëngulur që Kuvendi është konstituuar, vlerësim që është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje se po e “bllokon një shtet të tërë, për një pozitë të parëndësishme partiake” në Kuvendin e Kosovës.

Ai shkroi në Facebook se Kosova “do t’i humbë edhe 30 ditë të tjera” pas vendimit më të fundit të gjykatës më të lartë të vendit.

“Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?!” shkroi Abdixhiku.

Seanca konstituive për legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit nisi më 15 prill.

Pas muajsh bllokadë dy aktgjykime të publikuara nga Kushtetuesja dhe një mase të përkohshme, Dimal Basha nga LVV-ja u zgjodh kryetar Kuvendi më 26 gusht.

Më pas, përmes votimit të përbashkët u zgjodhën edhe nënkryetarët nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ngërçi politik erdhi pasi asnjë nga partitë nuk fitoi vota të mjaftueshme për të formuar vetë institucionet dhe në mungesë të një marrëveshjeje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

“Moszgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga Lista Serbe nuk është antikushtetuese”, avokati Gashi: Presidentja duhet të mandatojë Kurtin për formimin e qeverisë së Kosovës

Avokati Tomë Gashi, nëpërmjet një lidhje direkt nga Prishtina për News24, u shpreh se moszgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, nuk përbën problem kushtetues, pasi ai nuk emërohet, por zgjidhet me votë, të cilat nuk arrin të marrë 61 që i duhen.

Sipas Gashit, i takon presidentes Vjosa Osmani për të mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë e re. Nëse këtë nuk do ta bëjë Osmani, atëherë i takon sërish Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse Kuvendi i Kosovës quhet i konstituar plotësisht dhe pastaj presidentja është e detyruar të mandatojë Kurtin për formimin e qeverisë.

Tomë Gashi: “Pas shumë tentativave, pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese, u vendos që një kandidat për kryetar Kuvendi nuk mund të propozohej më shumë se tri herë. Dhe kështu i erdhi momentit që Dimal Basha, që më në fund arriti të zgjidhet në krye të Parlamentit të Kosovës.

Partitë politike nuk votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe sepse opozitarët mendojnë se kjo rrit popullaritetin e kryeministrit Kurti. Përsëri jemi në një vakuum juridik, pavarësisht se Dimal Basha tha se kuvendi është konstituar. Basha këtë ia ka thënë presidentes Osmani, e cila pritet të ndërhyjë në këtë rast, për t’i hapur rrugës krijimit të qeverisë së re, nëse ajo do të marrë miratimin në Kuvend.

Edhe një kandidat tjetër nga minoritetet, pikërisht një i pakicës gorane, kohët e fundit ka kaluar në Listën Serbe. Kështu, duhet të presim sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ose mirë do të ishte, shpresoj në këtë, që Vjosa Osmani të mandatojë Kurtin për krijimin e qeverisë së re.

Moszgjedhja e një nënkryetari nga Lista Serbe nuk përbën shkelje të Kushtetutës, pasi ai nuk votohet nga 61 deputetë në Kuvend. Nënkryetari nuk emërohet, por zgjidhet, gjë që nuk përbën problem kushtetues, sepse ai nuk merr dot votat, kushdoqoftë ky.

Serbia pastaj e përdor këtë në favorin e vet, duke e keqinterpretuar sipas oreksit të vet. bw

Kosova ngre aktakuzë për spiunazh ndaj ish-punonjëseje serbe të OSBE-së

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të enjten aktakuzë kundër të pandehurës J.GJ. – nga komuniteti serb – nën dyshimet për kryerje të veprës penale të “spiunazhit”.

E pandehura, e cila ka punuar në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në degën në Mitrovicë, është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti në Jarinjë, pikë e kalimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Prokuroria ka thënë se për një afat të pacaktuar e deri në ditën e arrestimit, e pandehura “me vetëdije ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (BIA)”.

Sipas Prokurorisë, ajo ka bashkëpunuar me Aleksandar Vllajiqin, dhe duke marrë udhëzime prej tij, ka përpiluar raporte të OSBE-së për pasqyrim të situatës politike dhe sigurisë në Kosovë, dhe ka kontribuuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës e kanë dënuar Vllajiqin në qershor të këtij viti me pesë vjet burgim, pasi ai e kishte pranuar fajësinë, duke thënë se është përfshirë në spiunazh si anëtar i BIA-s serbe. Ai është dënuar edhe për posedim të paligjshëm të armëve.

Prokuroria ka thënë se J.Gj. ka siguruar dhe shpërndarë dokumente të ndjeshme për interesa të BIA-s, dhe që këto veprime kanë cenuar rendin kushtetues, sigurinë kombëtare të Kosovës, dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.

“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”, është thënë mes tjerash në komunikatën e Prokurorisë.

Muajve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar, akuzuar dhe gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se kanë spiunuar për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.


Send this to a friend