Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me tre të akuzuar të tjerë për ndikim mbi dëshmitarët, më 8 dhjetor bëjnë paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor.
Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 5 dhjetor, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan dhe një ditë më pas u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndërkaq, ndaj Kuçit gjykata ka lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Kuçi do të bëjë paraqitjen e parë para gjykatës më 9 dhjetor.
Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.
Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.
Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë. REL
Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, që trajton krimet e luftës në Kosovë, njoftoi të premten se ka ngritur akuza kundër ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për vepra penale të pengimit të drejtësisë.
Në njoftim thuhet se zotit Thaçi iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tri akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Në njoftim theksohet se Prokuroria ka arrestuar gjithashtu Bashkim Smakjan, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, për përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Që të tre u arrestuan të enjten dhe tashmë janë transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Të enjten prokuroria bastisi edhe shtëpinë e ish ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ndërsa dje prokuroria tha se i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, thuhet në njoftim, mes të paktën 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të veçanta, zoti Thaçi u ka ofruar zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacione të besueshme për zyrën e prokurorit, dëshmitarët, i udhëzoi ata që të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u ofroi hollësi si ta bëjnë këtë.
Aktakuza pretendon se zoti Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me tre të akuzuarit tjerë si dhe me zotin Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.
Zoti Thaçi dhe tre të arrestuarit pritet të paraqiten të dielën para gjykatësit ndërsa zoti Kuçi pritet te paraqitet të hënën.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e trajton pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”, thuhet në njoftim.
Me 3 prill të vitit 2023 në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, filloi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u arrestuan në vjeshtën e vitit 2020, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Të gjithë të akuzuarit i mohojnë pretendimet e prokurorisë.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Por, kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme, ndonëse ishte në themel të idesë për themelimin e gjykatës.
Deri tani Gjykata e Posaçme ka dënuar dy ish drejtues të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengimin e drejtësisë.
Gjykata ka shqiptuar ndërkaq dy aktgjykime për krime lufte.
Ish komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, u dënua me 26 vjet heqje lirie në dhjetor të vitit 2022, nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Në dhjetor të vitit 2023, Dhoma e Apelit e kësaj gjykate i uli dënimin në 22 vjet, ndërsa në shtator të vitit dënimi u tij u ul në 15 vjet heqje lirie.
Në muajin korrik të këtij viti Gjykata e dënoi me 18 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e UÇK-së, Pjetër Shala për veprat ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Gjykata Speciale i ka arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), tha të enjten Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së).
Klinaku tha në Facebook se janë arrestuar ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.
“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”, shkroi ai në Facebook.
Dhomat e Specializuara në Hagë, që veprojnë me ligje të Kosovës, nuk kanë komentuar ende rreth arrestimeve të raportuara.
Autoritetet e Kosovës i kanë bërë thirrje diplomacisë perëndimore të mbajë përgjegjëse Serbinë për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës, duke theksuar se sulme të tilla janë kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në Evropë.
Pak pas shpërthimit, institucionet e Kosovës shpërndanë një dokument me gjetjet paraprake në kryeqytetet dhe institucionet perëndimore. Në dokumentin që e ka parë Zëri i Amerikës, thuhet se “një akt i qëllimshëm i sabotimit në afërsi të Zubin Potokut dëmtoi infrastrukturën më kritike në Republikën e Kosovës, konkretisht një kanal ujësjellësi jetik për furnizimin me ujë të pijshëm për rreth 700,000 qytetarë. Objektivi kryesor ishte të shkaktohej një ndërprerje mbarëkombëtare e energjisë duke nxjerrë jashtë punës termocentralet që prodhojnë mbi 60 për qind të energjisë elektrike të Kosovës”.
Ky sulm ndaj infrastrukturës më kritike të një fqinji, thuhet më tej në dokument, “shënon një nivel të ri brutaliteti në fushatën agresive të Serbisë, e ndikuar fuqimisht nga shtrirja dhe bashkërendimi i ngushtë i saj në ushtri, në fushën e zbulimit dhe strategjinë diplomatike me aleatin e saj kryesor, Rusinë. Pamaturia e këtij sulmi të fundit është provë tjetër se Serbia dhe ambiciet e saj agresive janë një kërcënim real për paqen në Evropë. Kosova e ka ngritur vazhdimisht këtë kërcënim në rritje me partnerët e saj dhe komunitetin ndërkombëtar vitet e fundit”.
Në dokument thuhet se sulmi është imitim i “luftës barbare të Rusisë, të përshtatur me rrethanat rajonale. Sidoqoftë, Rusia dhe Serbia kanë intensifikuar sulmet e tyre ndaj një demokracie perëndimore me një prani të rëndësishme të trupave të NATO-s. Kjo formë e re e luftës, një sulm kinetik, jo më thjesht hibrid, është një provë për perëndimin. Nëse nuk përballet dhe zmbrapset, mund të çojë në veprime të ngjashme në Ballkan apo në vende të tjera perëndimore në Evropë”.
Më tej në dokumentin që shoqërohet me fotografi që shfaqin dëmin e shkaktuar nga shpërthimi, jepen të dhëna për rezultatin e veprimeve të policisë së Kosovës e cila arrestoi 8 veta dhe gjatë bastisjeve konfiskoi “200 uniforma ushtarake (me shenja serbe, ruse dhe të tjera), granatahedhës (dy prej të cilëve ishin përdorur më parë), bomba dore, mitralozë, maska kundër gazit dhe pajisje të tjera ushtarake të lidhura me sulmin dhe të ruajtura për operacionet e ardhshme”
Sipas dokumentit sulmi paraqet një formë të re të luftës në Evropë, përtej Ukrainës. “Ai është modeluar sipas shkatërrimit brutal të infrastrukturës civile kritike nga Rusia në Ukrainë. Paralajmërimi se Serbia mund të përdorë veprime edhe më shkatërruese, siç është shënjestrimi i digës së liqenit të Ujmanit, nuk është i ri dhe duhet të merret shumë seriozisht pas sulmit të 29 nëntorit”, thuhet në dokument në të cilin kërkohet që diplomacia të dënojë fuqishëm sulmet kundër Kosovës “jo vetëm si shkelje të normave ndërkombëtare por si kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Evropë, të njohë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Serbisë për sulmin, ta mbajë Serbinë drejtpërdrejt përgjegjëse dhe të vendosë sanksione ndaj saj për strehimin dhe mbështetjen e grupeve terroriste”.
Misioni i Serbisë në Këshillin e Evropës u ka shpërndarë vendeve anëtare një dokument pune, me të cilin mohon përfshirjen në sulmin e 29 nëntorit.
Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka thënë së fundmi se vendi i tij është i gatshëm “për bashkëpunim të plotë në kryerjen e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe institucionet e Prishtinës, por pa rrezikuar sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Serbisë. Ne jemi gati ta bëjmë këtë. Nëse sulmi është kryer nga dikush i kombësisë serbe dhe ai ndodhet në territorin nën kontrollin e Republikës së Serbisë, ai menjëherë do të arrestohet. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha ai.
Sulmi u dënua nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian, që bënë thirrje për hetim të kujdesshëm dhe të thellë si dhe shprehën përkushtimin për të mbështetur Kosovën për ndriçimin e rastit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa pamje të municioneve, armëve dhe uniformave, që sipas tij, janë gjetur të martën gjatë një bastisjeje në veri të vendit.
Sveçla ka thënë se ato janë gjetur në një ahur.
Ministri i Brendshëm ka bërë të ditur se përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, janë gjetur edhe uniforma të ushtrive të SHBA-së dhe Britanisë.
“Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të ShBA-ve dhe asaj Britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera”, ka shkruar ai.
Sveçla ka paralajmëruar se kushdo që tenton ta cenojë rendin kushtetues e sigurinë e Kosovës, do të ndëshkohet. Panorama
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me sulmin e 29 nëntorit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se Osmani përveç me O’Brien, ka zhvilluar biseda edhe me udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë edhe me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.
“Ajo [Osmani] i ka falënderuar për reagimin dhe dënimin e sulmit ndaj infrastrukturës vitale në Ibër-Lepenc. Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë”, tha Kupina.
Osmani, sikurse edhe udhëheqësit e tjerë në Kosovë e cilësojnë shpërthimin në Varragë të Zubin Potokut sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të vendit.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se është i përfshirë, duke thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për hetimin e këtij rasti.
Për situatën në veri, më herët gjatë 3 dhjetorit edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bisedoi me O’Brienin.
Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar ashpër sulmin në Zubin Potok, teksa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi një ditë më parë se pavarësisht se është ende herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.
“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”, ka deklaruar ai.
Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër edhe nga Bashkimi Evropian, që e ka cilësuar “akt terrorist” dhe “sabotues” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Që nga sulmi me mjete plasëse në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 nëntor, autoritetet e Kosovës po kryejnë bastisje në pjesën veriore të shtetit, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë bastisjeve, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar lloje të ndryshme armësh, pajisjesh ushtarake dhe uniforma.
Po ashtu, nga dhjetë të shoqëruarit në Polici, si të dyshuar për përfshirje për shpërthimin në Ibër-Lepenc, dy nga ta janë dërguar në paraburgim për një muaj. REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë thirrje që të hiqen sa më parë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Po ashtu Kurti ka njoftuar Costan për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa ka theksuar rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të Milan Radoiçiqit.
“Kryeministri Kurti theksoi dhe nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës. Më tej, kryeministri foli dhe rreth situatës së sigurisë dhe sulmeve të fundit. Ai e informoi Presidentin Costa mbi sulmin kinetik terrorist të së premtes së 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe qëllimin e këtij sulmi për të dëmtuar prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin e ujit, nga i cili më shumë se gjysma e popullsisë do të mbetej pa energji elektrike dhe ujë. Ai theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
E në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se e ka uruar Costan për detyrën e re dhe i ka ofruar bashkëpunim të ngushtë.
“Në Bruksel pata kënaqësinë që të takoj dhe të bashkëbisedoj me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, i cili sonte është gjithashtu nikoqir i darkës me liderë të Ballkanit Perëndimor. Kosova është e përgatitur dhe e përkushtuar që të përparojë në rrugën drejt BE-së. Duke e uruar për detyrën e re dhe suksese të shumta gjatë angazhimit të tij, i ofrova bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, gjersa vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket”, ka shkruar Kurti. sn
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar Serbinë për “diskriminim agresiv” të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.
Përmes një postimi në X, ai kritikoi Serbinë për “thellim të margjinalizimit” të profesionistëve shqiptarë, teksa foli për emërimin e një gjyqtareje serbe në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë.
“Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi së fundi ka emëruar Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë. Ky vendim thellon margjinalizimin e profesionistëve shqiptarë, forcon pabarazinë në institucionet vendimmarrëse”, tha ai.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
“Përkushtimi i Serbisë për të drejtat e minoriteteve është joekzistent. Është urgjente që Bashkimi Evropian të reagojë dhe të ndalë këtë diskriminim agresiv”, tha ai.
Bislimi tha se tre zëvendësprokurorë shqiptarë, që kanë dalë në pension, janë zëvendësuar me prokurorë serbë.
Ai tha se shqiptarët në qarkun e Pçinjës kanë vetëm 12 për qind të posteve në gjyqësor dhe vetëm 2.7 për qind e tyre janë gjykatës, pavarësisht se “përbëjnë 30 për qind të popullatës. Më 2011, Gjykata Themelore e Preshevës po ashtu u shua”.
Bislimi po ashtu tha se situata është e njëjtë edhe në Qendrën Mjekësore në Preshevë, ku ushtruesi i detyrës është një mjek serb, pavarësisht se në këtë zonë, “serbët përbëjnë vetëm 3 për qind të popullatës”.
Shqiptarët që jetojnë në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – që njihen me termin Lugina e Preshevës – shpesh ankohen për praktika diskriminuese nga shteti serb, teksa zyrtarët në Qeverinë e Kosovës u kanë bërë jehonë këtyre akuzave.
Shqiptarët në Luginë të Preshevës për vite të tëra ankohen po ashtu për pasivizim të adresave të banimit dhe gjatë këtij viti kanë protestuar disa herë duke kërkuar më shumë të drejta.
Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.
Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.
Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.
Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.
Ndërkaq, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2022, është përmendur se praktika e pasivizimit të adresave në Serbi, konsiderohet veprim kontrovers.
Banorët e Luginës dhe udhëheqës të komunave atje kanë kërkuar disa herë që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që të monitorohen kushtet e jetesës në atë pjesë. REL
Në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’ia bllokojë Serbisë negociatat për anëtarësim, duke përmendur sulmet e armatosura në veri dhe ndërhyrjen ushtarake “në një vend me prani të lartë të NATO-s”.
Gërvalla ka thënë të hënën se Serbia po i kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat në kontekstin rajonal, derisa përmendi sulmi e armatosur të Banjskës.
“Serbia po i kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat në kontekstin rajonal. Rusia është thellë e rrënjosur në strukturat e Serbisë, jo vetëm në ekonomi, por edhe në shërbime të inteligjencës…Në shtator të 2023-s thamë se Serbia me 100 trupa paramilitarë, jo 30 si është raportuar, të pajisur me armë të rënda direkt nga arsenali ushtarak serb e pajisje për 400 trupa, ishte në gatishmëri për të hyrë në vendin tonë. Me këtë ndërmori përpjekjen e parë për një ndërhyrje ushtarake në një vend me prani të lartë të NATO-s”, ka thënë Gërvalla.
Kryediplomatja e Kosovës ka deklaruar para Komitetit për Punë të Jashtme se nëpërmjet sulmeve të armatosura Serbia po teston se çka mund të tolerojë Perëndimi. Ajo përmendi edhe lidershipin serb, duke thënë se Beogradi zyrtar nuk e do Evropën, por eurot.
“…As 5.000 trupa të NATO-s s’e ndalën Serbinë e Rusinë. Kjo s’ka të bëjë me tensione etnike. S’ka të bëjë me veriun e Kosovës. S’ka të bëjë me një mosmarrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Ajo që po ndodh prej vitesh para syve tanë është konfrontimi i përshkallëzuar me qëllim se çfarë është i gatshëm Perëndimi të tolerojë. S’ka më kohë, duhet të përçohen sinjale të qarta. S’mund të tolerojmë situatën ku ka paralajmërime nga Baltiku e Ballkanit e këto të mos dëgjohen. Sa i përket këtij sulmi (në Varagë të Zubin-Potokut v.j), partia e z.Scholz ka thënë se nëse Serbia e ka bërë këtë, kjo duhet ta ndalojë që ta bllokojë rrugën e Serbisë drejt negociatave me BE-në. Jo vetëm për shkak të Kosovës, por për shkak të stabilitetit të Evropës”, ka shtuar Gërvalla. sn
Njësitet e Policisë së Kosovës po vazhdojnë të kryejnë kontrolle në lokacione të ndryshme në Zubin Potok, pas sulmit që ndodhi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Telegrafin se nuk ka bastisje por kontrolle.
“Ka kontrolle duke u zhvilluar përreth terrenit ku ka ndodhur sulmi. Aktualisht diçka tjetër nuk kemi”, ka thënë shkurt Elshani.
Kutojmë se gjatë të shtunës policia kreu basitsje në disa zona në veri, ku u arrestuan tetë persona dhe u gjet arsenal i armëve.
Pas gjetjes së këtij arsenali të armëve janë zbuluar edhe emblema që lidhen me forca dhe njësitë ushtarake ruse.
Telegrafi ka siguruar fotografi të këtyre emblemave dhe simboleve që përfshijnë njësitë speciale, forcat ajrore, trupat paqeruajtëse dhe organizata të tjera të lidhura me ushtrinë e Federatës Ruse, duke ngritur shqetësime serioze për praninë dhe ndikimin e mundshëm të grupeve pro-ruse në veri të Kosovës.
Sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Varagë afër Zubin Potokut, është parë njësiti i specializuar i Policisë së Kosovës K-9, i shoqëruar me qentë e trajnuar policorë.
Ky njësit është angazhuar në asistimin e gjetjes së mundshme të eksplozivit në këtë zonë, ku dy ditë më parë pati sulm terrorist. bw
Gypa të vendosur brenda kanalit të dëmtuar të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Kosovë, pas një shpërthimi të premten natën, 30 nëntor.
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha se furnizimi me ujë po kthehet në normalitet në pjesët e prekura të vendit nga një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, ndërmarrjes publike për furnizim me ujë, në veri të vendit, për të cilin autoritetet kosovare e akuzuan Serbinë.
“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet”, tha ajo në Facebook të dielën.
Ibër-Lepenci e rifilloi punën për furnizimin e fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës të shtunën në orët e vona, një ditë pasi kanali i saj në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut u dëmtua nga shpërthimi i cilësuar si “sulm terrorist” nga autoritetet kosovare.
Rizvanolli tha se furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit filloi mbrëmë vonë.
Ajo shtoi se të dielën uji është lëshuar edhe për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj.
“Brenda pak orësh pritet të normalizohet furznimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit”, theksoi ajo.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Sipas Rizvanollit, prurjet e ujit në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë të termocentralit Kosova B.
Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit që rrezikoi furnizimin me ujë dhe rrymë në një pjesë të madhe të vendit.
Autoritetet kosovare reaguan shpejt për t’i ndrequr dëmet përkohësisht, duke vendosur gjashtë gypa brenda kanalit për ta mundësuar vazhdimin e furnizimit më ujë nga ky kanal.
Paraprakisht të shtunën, Kompania e ujësjellësit e rajonit të Mitrovicës, KRU Mitrovica, njoftoi se kishte rifilluar furnizimin me ujë të pijshëm në mënyrë të kufizuar.
Banorë nga një pjesë e Mitrovicës së Jugut u ankuan se kishin mbetur pa furnizim me ujë nga ora 22:00 të premten, si pasojë e këtij sulmi për të cilin autoritetet kosovare e fajësojnë Serbinë.
KRU Mitrovica funksionin si ndërmarrje publike dhe i furnizon me ujë komunat si Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut pjesërisht, Zveçanin, Vushtrrinë dhe Skenderajn, sipas uebsjatit të kompanisë.
Në rrjetin e saj janë të kyçur mbi 100.000 banorë nga këto rajone.
Mbrëmjen e së shtunës, ministrja Rizvanolli tha në Facebook se autoritetet në bashkëpunim me kompani rajonale për furnizim me ujë, kishin sjellë autobotë me ujë në disa komuna, për të ndihmuar në furnizimin e vendeve të prekura pas sulmit.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist” në Ibër-Lepenc, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.
Autoritetet kosovare njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar janë arrestuar gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.
Sulmi u dënua nga bashkësia ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë që e cilësuan si “akt terrorist”. REL
Gjatë gjithë këtyre orëve veriu i vendit po vazhdon të jetë i blinduar nga forcat e shumta të policisë. Që në Lagjen e Boshnjakëve e tutje, janë parë kordonë të shumtë të forcave të sigurisë, ndërsa lëvizjet e qytetarëve matanë Ibrit janë të pakta. Dëmtimi i infrastrukturës, la pa ujë shumë banorë. Përmes cisternave të ujit, kompania rajonale e ujësjellësit u mundua që t’i furnizojë me ujë të pijshëm këta banorë.
Si rrallë herë, kordonë të gjatë të Policisë së Kosovës po qarkullojnë në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Pak metra më poshtë, mesditën e së shtunës u panë edhe forca tjera të policisë. Patrullime pati edhe në pjesë tjera të Mitrovicës së veriut.
Pas sulmit të së premtes në kanalin e ujit të Ibër Lepencit, masat e sigurisë u shtuan në këtë komunë. E situata gjatë ditës ishte e qetë. Ndërsa, lëvizje të shpeshta të Policisë së Kosovës e KFOR-it u panë edhe përreth “Ibër Lepencit”.
Përveç tyre, të shpeshta ishin edhe qarkullimet e atyre që u përkujdesën që banorët e këtyre komunave të mos mbesin pa ujë.
Në Skenderaj dhe Mitrovicë tashmë ka nisur shpërndarja e ujit të pijshëm përmes cisternave.
Cisternat kanë lëvizur në pjesë të ndryshme të këtyre komunave, në mënyrë që t’u dal në ndihmë për furnizim banorëve të tyre.
Disa prej banorëve thanë se furnizimi me ujë është i qëndrueshëm, dhe nuk kanë nevojë për ndihmë.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook njoftuan se impiantet për trajtimin e ujit vazhdojnë të jetë jashtë funksionit.
Ndërkaq gjatë ditës u mblodh edhe Komiteti për Menaxhimin e Emergjencave në veri të vendit i cili diskutoi për masat që duhet të ndërmerren në këtë situatë. bw
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka dënuar sulmin në Zubin Potok, i cili goditi kanalin e Ibër Lepencit.
Orban në një reagim në platformën X, ka kërkuar hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të rastit.
“Dënojmë sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në Zubin Potok. Në vend të akuzave të njëanshme, ne bëjmë thirrje për një hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës”, shkroi Orban në X.
“Përmbajtja është e domosdoshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon”, shkroi kryeministri hungarez. bw
Ministri britanik për Evropën, Stephen Doughty e ka quajtur të tmerrshëm sulmin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ai ka kërkuar hetim të plotë për këtë ngjarje, teksa ka lavdëruar punën e organeve për kufizimin e dëmit.
“Sulmi i tmerrshëm ndaj ujësjellësit të Ibër Lepencit kishte për qëllim të prishte jetën në të gjithë Kosovën. Përpjekjet e suksesshme të punonjësve të emergjencës për të kufizuar dëmet kanë rikthyer infrastrukturën jetike. Duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i menjëhershëm. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.”, tha ai.bw
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë për mbështetje dhe financim të Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi organizator të sulmeve në Kosovë. Sipas Bislimit, krahu i tij i djathtë, Nemanja Radivojeviq, është i dyshuari kryesor për sulmin me granatë dore në Zveçan para disa ditësh. –
Bislimi thekson se, megjithëse Serbia distancohet publikisht nga aktet terroriste, ajo vazhdon të lejojë Radoiçiqin të veprojë dhe të planifikojë sulme nga territori serb. Ai përmendi edhe rastin e ngjashëm të sulmit në Banjskë, shtatorin e kaluar, ku një polic kosovar u vra. Sulmet e fundit, përfshirë atë ndaj kanalit Ibër-Lepenc, po shihen si sulme ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke prekur furnizimin me ujë dhe energji për disa rajone, përfshirë Prishtinën.
Postimi i plotë i zëvendëskryeministrit Bislimi
Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës. sn
Bashkimi Evropian e dënoi të shtunën, siç tha “me fjalët më të ashpra sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës”.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha në një deklaratë se ky “është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën thelbësore civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të saj”.
Në deklaratë thuhet se BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të bashkërendojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in. Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme”, tha zoti Borrell, duke nënvizuar se “veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të vihen para drejtësisë”.
Bashkimi Evropian tha ai, do të vazhdojë të ndjek nga afër zhvillimet dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës.
Një oficer i Policisë së Kosovës vështron kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në veri të vendit, ku një shpërthim të premten shkaktoi dëme, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë, 30 nëntor.
Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka ndërmarrë masa emergjente për zbutjen e pasojave dhe për ta ruajtur sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit, pas një sulmi që i shkaktoi dëme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, tha Qeveria në një njoftim.
Këshilli mbajti takim të jashtëzakonshëm, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, disa orë pasi një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Autoritetet kosovare e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, gjë që është mohuar nga ajo.
Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në disa shtëpi në veri të vendit, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani, pa dashur të japë më shumë hollësi.
Qeveria tha se janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.
“Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim, sipas Qeverisë.
Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Dëmet janë riparuar vetëm pjesërisht gjatë natës, pasi uji mund të shihet duke rrjedhur ende nga kanali, por në një masë më të vogël. Bie në sy prania e KFOR-it në afërsi të kanalit të dëmtuar, bashkë një veturë të EULEX-it, ndërsa prania e Policisë së Kosovës është shtuar edhe në pjesë të tjera të komunës së Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha më herët se pas këtij takimi është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë.
Autoritetet kosovare e kanë akuzuar shtetin fqinj, Serbinë, se qëndron pas këtij sulmi.
“Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq, nën dirigjimin e presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”, thuhet tutje në njoftim.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, që iu referua Këshilli, u shpallën organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës qershorin e vitit të kaluar, ndërsa Radoiçiq, politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, e mori përgjegjësinë për sulmin e vitit të kaluar kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe 44 personave të tjerë për atë sulm, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.
Në komunikatë, Qeveria e ndërlidhi sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit edhe me sulmet që ushtria ruse është duke i kryer pareshtur ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”, tha ajo.
Por, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, mohoi se Serbia ka gisht, duke thënë se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.
“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriq në një reagim në X.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Qeveria tha se e ka rritur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.
Gjatë mbledhjes, Kurti tha se Kosova “është e vendosur dhe e përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike”.
Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk ka shkaktuar viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.
Sulmi u dënua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë. REL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të premten se ka komunikim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për politikën e jashtme, pas fjalimit të saj kritikues se marrëdhëniet e vendit me aleatët po vihen në rrezik.
Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve më 21 nëntor, Osmani bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.
I pyetur rreth kësaj deklarate gjatë një ngjarjeje në Podujevë të premten, Kurti tha se “unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca edhe ministren e jashtme [Donika] Gërvalla sa i përket politikës së jashtme”.
“Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdojmë. Nuk ka vështirësi dhe sfida të tilla që nuk i tejkalojmë”, tha Kurti.
Osmani theksoi se aleanca e Kosovës me vendet e tjera “është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, tha ajo.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr Kurti, është kritikuar dhe akuzuar nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në 12 muajt e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe, duke ndaluar dinarin dhe duke ndërtuar stacione policore.
Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovësdhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, me gjithë mospajtimet për disa çështje.
Presidentja Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.
Marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit filluan të pësojnë çarje gjatë verës së këtij viti, kur Presidenca e Kosovës tha në qershor se Qeveria nuk ishte konsultuar me të, lidhur me hapat që ka bërë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Kurti kishte thënë asokohe se nuk kishte dallime të patejkalueshme me Osmanin.
Lista Guxo, e themeluar nga presidentja Osmani së bashku me ministren Gërvalla, pati garuar në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.
Guxo, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, patën fituar mbi 50 për qind të votave.
Qeveria e re, në krye me Kurtin, u formua më 22 mars të vitit 2021.
Vjosa Osmani u zgjodh presidente pak ditë më vonë, më 4 prill 2021. REL
Nga 1 dhjetori, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt ishullit vetëqeverisës të Tajvanit.
Kështu bëri të ditur zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se regjimi pa viza vlen për poseduesit e pasaportave të rregullta, diplomatike apo zyrtare të Kosovës.
Aktualisht, qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me vizë me të mbërritur në Tajvan.
“Kjo shënon një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës, ku vetëm brenda këtij mandati qeverisës u mundësua udhëtimi pa viza në Zonën Shengen, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tajlandë, Izrael dhe tani edhe në Tajvan”, shkroi Ahmeti në Facebook.
Ahmeti tha se lëvizja e lirë pa viza me Tajvanin do t’i hapë rrugë partneritetit ekonomik, shkëmbimeve në fushën e edukimit si dhe bashkëpunimit kulturor.
Tajvani e ka njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.
Kina – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës që një ditë të marrë nën kontroll ishullin. REL
Zyrtarët e Kosovës e kanë dënuar si akt kriminal një sulm ndaj ndërtesës së Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës të enjten vonë, i cili ishte i dyti brenda dy ditëve ndaj institucioneve të vendit në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, pas sulmit me granata dore në një stacion policor.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se ndërtesa komunale u sulmua me mjet shpërthyes të enjten para mesnatës, i cili dyshohet se ishte “granatë dore e llojit M-75”.
Elshani theksoi se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim dhe se policia nuk ka identifikuar ende ndonjë të dyshuar për kryerjen e sulmit.
Sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së Komunës dhe katër automjeteve të parkuara aty pranë, ndërsa policia ka nisur hetimet tashmë, sipas Elshanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto sulme “janë akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë”, kur u pyet për sulmin të premten gjatë një ngjarjeje në Podujevë.
Por, ai nguli këmbë se gjendja e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës “kurrë nuk ka qenë më e mirë e sigurt se sa tani”.
“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë, ose strehohen diku edhe jashtë rajonit tonë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, apo të kërcënimit të sigurisë, të cilët nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta”, tha Kurti.
Në një postime në Facebook, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e fajësoi Serbinë për, siç tha, “dirigjimin” e bandave kriminale për kryerjen e sulmet të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri.
“Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, shkroi Sveçla.
Ai e përsëriti se “koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep sikurse liria dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit”.
Sulmi u dënua edhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se sulmet e tilla “nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqenien për të gjithë qytetarët tanë”.
“Mbrëmë grupe kriminale kanë sulmuar me granatë dore Komunën e Zveçanit. Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim”, shtoi ai.
Komuna e Zveçanit udhëhiqet nga një kryetar shqiptar prej fillimvitit 2023, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe i bojkotuan zgjedhjet komunale në prill të atij viti.
Të mërkurën, kuvendi komunal i Zveçanit e shënoi 28 Nëntorin – përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – në një seancë solemne. Kjo është hera e parë që u shënua kjo ngjarje – e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë – në këtë komunë.
Kryetari i Komunës, Ilir Peci, e dënoi sulmin në një postim në Facebook, ku publikoi edhe fotografi që shfaqin dëmet që shkaktoi shpërthimi.
“Si kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit”, tha Peci.
Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla.
Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.
Sulmi ndaj ndërtesës së Komunës të mërkurën vjen vetëm dy ditë pasi stacioni policor në këtë qytet verior u sulmua me dy granata dore nga persona të panjohur.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se në fshatin Izvor të Zveçanit po ndërtohej një nënstacion i ri policor.
Përfaqësuesit e komunitetit serb kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”. REL
Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili është dënuar për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale, është urdhëruar për zhdëmtim të viktimave të tij në shumën prej 208 mijë eurosh.
Shala ishte dënuar me 18 vjet burgim më 16 korrik nga Gjykata e Specializuar për krime lufte e Kosovës, me seli në Hagë.
Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave, dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, që kanë pësuar dëme nga shqiptarë të tjerë të Kosovës.
Çka është Gjykata Speciale?
Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe aktualisht heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Gjykata Speciale financohet nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe disa shtete të tjera kontribuuese.
Shala, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 29 nëntor 2024, gjykata konstatoi se janë tetë viktima, që do t’u takojë dëmshpërblimi.
Viktima e parë, me dëme direkte, sipas Gjykatës, është e paraparë të pranojë 100 mijë euro dëmshpërblim për dëme fizike, mendore dhe materiale.
Kjo pasi sipas vendimit paraprak, me të cilin u dënua Shala, viktima e lartpërmendur ishte ndaluar arbitrarisht, me ç’rast ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht me pasoja afatgjate.
Në anën tjetër, shuma e mbetur është ndarë në kompensime individuale dhe kolektive për shtatë viktimat e tjera, jo të drejtpërdrejta, përkatësisht familjarë të viktimave nga gjykimi i Shalës.
Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia gjatë shqiptimit të vendimit tha se sa i përket ekzekutimit, “përgjegjësia për pagesën bie ekskluzivisht te Shala”.
Megjithatë, sipas saj, nga informacionet që ka marrë paneli gjyqësor, Shala aktualisht nuk ka mundësi materiale për ta kryer këtë kompensim.
Andaj, sipas gjyqtares, aktualisht mbetet e paqartë mënyra se si do të kompensohen këto viktima sipas urdhrit për zhdëmtim.
“Kosova nuk ka marrë ndonjë hap për t’u përgatitur për nevojat për të siguruar zhdëmtimet e viktimave nga rastet e Gjykatës Speciale”, tha ajo.
Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do të caktojë një gjyqtar specifik për monitorimin e zbatimit të urdhrave për zhdëmtim, si dhe u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të sigurojnë fonde për zhdëmtimin e viktimave sipas vendimeve të kësaj gjykate.
Shala është personi i katërt që tashmë ka marrë dënim nga kjo gjykatë, ndërsa i dyti ndaj të cilit është shqiptuar urdhër për zhdëmtim të viktimave.
Si parashihet zhdëmtimi i viktimave brenda Gjykatës Speciale?
Më ligjin, nëpërmjet të cilit është krijuar Gjykata Speciale, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, ta kenë të drejtën e zhdëmtimit.
Ligji parasheh që gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo, në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat tjera të Kosovës.
Në rastin e Pjetër Shalës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave.
Sipas legjislacionit aktual, ekzistojnë mundësi të vogla të kompensimit të këtyre viktimave nga buxheti i Kosovës, në qoftë se ata nuk kompensohen nga personi i dënuar, si në këtë rast.
Kjo, për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është paraparë ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces.
E vetmja formë brenda legjislacionit të Kosovës, për këtë kompensim është përmes ligjit aktual për kompensimin e viktimave, që është ligj që përfshin të gjitha viktimat e krimeve në Kosovë, jo vetëm ato të determinuara nga Gjykata Speciale.
Ky ligj parasheh që viktimat e krimeve të kryera brenda territorit të Kosovës, të mund të kompensohen nga programi shtetëror, në rastet kur për një arsye ose tjetër nuk mund të kompensohen nga personi që e ka kryer krimin ndaj tyre.
Megjithatë, brenda këtij ligji parashihen kufizime për shumat maksimale që mund të marrin viktimat individuale të krimeve.
Varësisht nga lloji i dëmeve që mund të ketë pësuar viktima e një krimi, në këtë ligj parashihen shuma të kompensimit deri në 4 mijë euro dhe në raste shumë të veçanta deri në 10 mijë euro.
Këto shuma nuk mbulojnë shumat e parapara në urdhrin e zhdëmtimit për viktimat e Pjetër Shalës.
Tash për tash, nuk dihet nëse viktimat kanë marrë kompensimin prej 207 mijë eurosh nga urdhri i mëparshëm për zhdëmtim në rastin e Salih Mustafës, tjetër i dënuar nga Gjykata Speciale, në vitin 2022.
Më herët, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), i cili merret me drejtësinë tranzicionale, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një legjislacion adekuat dhe mekanizma që do të mundësonin realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.
Si është bërë zhdëmtimi i viktimave të luftës në rajon?
Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90, të cilat kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.
Në vitin 1993 është themeluar Tribunali i Hagës, i cili ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë.
Aktakuzat e kësaj gjykate kanë përfshirë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe kanë pasur në shënjestër anëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
Kjo gjykatë, ndryshe nga Gjykata e tanishme Speciale e Kosovës, nuk ka shqiptuar ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim të viktimave, mirëpo viktimat janë udhëzuar t’u drejtohen gjykatave vendore përkatëse për të siguruar zhdëmtimin.
Sipas njëraporti të vitit 2021 të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, qindra padi për zhdëmtim janë bërë në gjykatat në Serbi, duke kërkuar kompensim nga shteti serb për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.
Ky raport nuk tregon se sa raste kanë fituar dëmshpërblim në total, por kritikon gjykatat se kanë ofruar shuma të vogla për kompensim dhe kanë tejzgjatur procedurat gjyqësore për viktimat.
Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Mali i Zi, miliona euro janë paguar në emër të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të luftës në këtë shtet.
Sa i përket Bosnje dhe Hercegovinës, ky shtet nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.
Në një rast të paprecedentë, një viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur që përmes Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, ta detyrojë shtetin e Bosnjës që t’i paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh. REL
Dy nga tre personat e arrestuar në Kosovë për mbishkrimin “Kosova është Serbi” janë pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi, konfirmoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq.
“Në këtë moment, ata dy ndodhen zyrtarisht në pushim mjekësor dhe bëhet fjalë për pjesëtarë të mirë dhe shembullorë të ushtrisë”, tha Krapoviq në një komunikatë. Policia e Kosovës i arrestoi tre njerëz nga Nikshiqi për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Dy ditë pasi u dërguan në mbajtje, Gjykata Themelore në Pjesë urdhëroi një muaj paraburgim për Rajko Krivokapiq 34 vjeç, Marinko Jovanoviq 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviq 24 vjeç.
Prokurori në Pejë i akuzon ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”.
Avokatja e tyre, Jovana Filipoviq, tha për mediat në Kosovë se do të bëjë ankesë, duke theksuar se vendimi i Gjykatës ishte shumë i ashpër.
Mbishkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim dhe nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar.
Kryetari i komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, i cili është funksionar i partisë Demokracia e Re Serbe (Nova Srpska Demokratija – NSD), pjesë e Frontit Demokratik prorus që së fundmi është shpërbërë, ka reaguar duke dënuar veprimet e institucioneve të Kosovës dhe duke u bërë thirrje të arrestuarve që “t’i përballojnë vështirësitë në të cilat janë gjendur”.
Në profilin e tij në Facebook, ai deklaroi se Ambasada e Malit të Zi në Kosovë nuk ka reaguar për të mbrojtur tre qytetarët nga Nikshiqi, edhe pse është kontaktuar nga persona të afërt me të arrestuarit.
Partia e tij, e drejtuar nga Andrija Mandiq, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të Malit të Zi dhe bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë.
“Ky incident është vetëm një nga rastet e shumta të terrorit ndaj popullit serb në Kosovë, i cili tashmë është shtrirë edhe ndaj qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në deklaratën e NSD-së.
Edhe Kisha Ortodokse Serbe (KOS) në Mal të Zi ka reaguar, duke nisur “një protestë të ashpër ndaj krahinës jugore serbe” për arrestimin e besimtarëve, si dhe një protestë ndaj autoriteteve malazeze.
“Ky incident kërkon dënimin më të ashpër për mungesën poshtëruese të reagimit të shtetit të Malit të Zi, Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme dhe Qeverisë së saj, të cilat nuk i dolën në mbrojtje qytetarëve të vet”, thuhet nga KOS në Mal të Zi. Institucionet shtetërore nuk janë prononcuar lidhur me arrestimin e tre të rinjve nga Mali i Zi.
Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila u rrëzua nga pushteti në gusht të vitit 2020./Rel/
Tubimi i Listës Serbe në Graçanicë me gratë serbe nga gjithë Kosova, 25 nëntor 2024.
Sandra Cvetkoviq
“Grindje sipërfaqësore ndëretnike” – kështu e vlerëson Millica Stojanoviq Kostiq, aktiviste për të drejtat e grave nga Graçanica, tubimin e Listës Serbe më 25 nëntor, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.
Në atë tubim në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë, kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë – formoi Unionin e Grave të Listës Serbe dhe mbajti edhe një forum.
MIlica Jovanoviq Kostiq
Qindra gra nga mjedise të ndryshme serbe në Kosovë, kryesisht të punësuara në institucionet serbe në vend, dëgjuan në heshtje rrëfimet e bashkëvendaseve të tyre për ngacmime seksuale me motive etnike.
Në ato video-mesazhe, gratë shprehnin shqetësimet që përjetojnë kur, siç thoshin, burra të komunitetit shqiptar i ndjekin dhe u bëjnë komente të papërshtatshme.
Përndryshe, një grup joformal i grave nga veriu i Kosovës pretendon se ka mbledhur dhjetëra dëshmi të grave nga komuniteti serb, të cilat kanë përjetuar një formë të ngacmimit seksual nga burrat e komunitetit shqiptar.
Policia e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se në periudhën nga janari i vitit 2023 deri në tetor të këtij viti janë raportuar pesë raste të ngacmimeve seksuale, një përdhunim dhe pesë sulme seksuale në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Raste të ngacmimeve seksuale janë raportuar në Mitrovicën e Veriut (2), Novobërdë (1), Shtërpcë (1) dhe Zveçan (1).
Një rast i përdhunimit është raportuar në Novobërdë, ndërsa raste të sulmeve seksuale janë raportuar në Mitrovicë të Veriut (2), Shtërpcë (1) dhe Zubin Potok (2).
Ndërkaq, në tërë territorin e Kosovës gjatë vitit 2023 janë raportuar 76 raste të ngacmimeve seksuale, 108 përdhunime dhe 68 sulme seksuale, e këtë vit deri më 27 nëntor janë raportuar 96 raste të ngacmimeve seksuale, 72 përdhunime dhe 73 sulme seksuale.
Një grup joformal i grave, në anën tjetër, thotë se gratë nga komuniteti serb nuk i raportojnë rastet e ngacmimeve seksuale, për shkak se nuk kanë besim në Policinë e Kosovës. Për rastet e tilla thotë se ato i kanë njoftuar përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut ka hapur linjën telefonike në mes të tetorit për raportimin e incidenteve dhe të shkeljeve të të drejtave të qytetarëve në veri të Kosovës.
“Nxitje e urrejtjes për qëllime politike”
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Millica Stojanoviq Kostiq thotë se nuk ishte e përshtatshme që në Ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, të flitej ekskluzivisht për ngacmimin etnik të grave, kur gratë e komunitetit serb vuajnë çdo ditë nga dhuna e burrave të tyre ose të afërmve të tjerë, të cilët janë serbë.
Ajo thotë se nuk e mohon faktin se shqiptarët u bëjnë komente seksiste grave nga komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut, por thekson se ky fenomen është i pranishëm edhe në komunat në jug të Ibrit.
“Nuk mund të tregosh vetëm njërën anë të historisë, sepse në Gushtericë burri vrau gruan e tij – serbi serben. Gratë raportojnë vazhdimisht në stacionin policor në Graçanicë se maltretohen nga burrat e tyre serbë. Nuk mund ta mohoni faktin se në mjediset tuaja, mes popullit tuaj ndodhin gjëra të tmerrshme, kurse ju merrni shembuj vetëm të ngacmimeve etnike dhe i përdorni ato për qëllime propagandistike. Kjo do të thotë se ajo parti do vetëm propagandë, të nxisë urrejtje”, thotë Stojanoviq Kostiq.
Në fillim të gushtit, Marija Zhivkoviq nga Gushterica e Poshtme – komuna e Graçanicës – vdiq pasi burri i saj i kishte shkaktuar lëndime të rënda.
Ajo ishte e punësuar në një nga institucionet shëndetësore në Graçanicë, që punojnë sipas sistemit serb.
Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë së paku 58 gra.
Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
“Në vend të zgjidhjeve për parandalimin e dhunës, gratë dëgjuan parulla politike”
Pikërisht për shkak të këtyre statistikave, Stojanoviq Kostiq thotë se nuk ka mundur të heshtë në “tubimin politik propagandistik” në Ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.
“Është një shuplakë për gratë viktima të dhunës. Jam e sigurt se 80 për qind e grave që kanë dëgjuar aty, përjetojnë një formë dhune në shtëpi ose në punë. Dëgjuan parulla se diçka e mirë po ndodhte atë ditë, po formohej Unioni i Grave të një partie”, thotë ajo.
Kjo aktiviste, e cila udhëheq organizatën joqeveritare “E drejta mbi të drejtën”, thotë se Lista Serbe, në atë mënyrë, i ka “poshtëruar” gratë, sepse askush nuk ka thënë se dhuna ndaj grave është rritur dhe nuk ka treguar se çfarë është duke u bërë për ta parandaluar atë dhunë.
Gratë që “ruajnë” Kosovën
Në tekstin autorial, i cili u publikua në ueb-faqen “Zhenski info”, të cilën e redakton vetë, Stojanoviq Kostiq iu referua edhe fjalimeve të zyrtarëve të Listës Serbe, të cilët thanë se gratë “mbrojnë çdo gjë që është serbe” në Kosovë.
“Dhe [Zllatan] Ellek [kryetari i Listës Serbe] më është drejtuar sot. Më ka thënë se Kosova nuk mund të mbijetojë pa mua, mendoj se e ka thënë për të gjitha gratë, nënat në Kosovë… Kështu që mbase më ka përfshirë edhe mua pa dashje. Faleminderit Ellek”, shkroi ajo.
Sipas saj, është e qartë se narrativi është “politik dhe nacionalist”, dhe pyeti se “ku i lindim ato roje, si i ushqejmë, kush i shëron dhe me çka”, duke aluduar në faktin që Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë është e vendosur në kontejnerë teneqeje që nga viti 1999.
Stojanoviq Kostiq thotë për Radion Evropa e Lirë se i është dashur të reagojë ndaj këtij tubimi, sepse e dinte se askush tjetër nuk do ta bënte, se askush tjetër “nuk kishte guxim”.
Ajo thotë se pas publikimit të artikullit të saj, ka marrë një mbështetje të madhe nga gratë, të cilat duan të mbeten anonime, sepse “kanë frikë të përplasen me politikanë apo parti të caktuara”.
“Madje, kam marrë reagime dhe mbështetje edhe nga gratë që ishin në atë tubim. I kam postuar në Instagram, por i kam fshehur emrat e tyre, për një arsye. Ato thonë se nuk kanë forcë të luftojnë kundër abuzimeve politike, por më falënderojnë që e kam bërë këtë në emër të tyre”, thotë Stojanoviq Kostiq.
“Si u sollën gratë në atë tubim?”
“Ta pyesim veten se si u sollën gratë në atë tubim”, thotë po ashtu aktivistja.
Më 25 nëntor, ekipi i Radios Evropa e Lirë pa autobusë që sillnin gra në forumin e Listës Serbe nga pjesë të ndryshme të Kosovës.
Autobusi me gra nga mbarë Kosova për një takim të organizuar nga Lista Serbe në Graçanicë.
REL-i ka gjithashtu informacione se drejtorët e institucioneve të caktuara, që punojnë nën sistemin serb, i kanë caktuar disa punëtore që “duhej” të shkonin në atë tubim.
Asnjëra prej tyre nuk ka dashur të komentojë publikisht për këtë çështje.
Për “sjelljen” e grave në tubimin e Listës Serbe kanë reaguar politikanët serbë nga Graçanica dhe Mitrovica e Veriut, Branimir Stojanoviq dhe Aleksandar Arsenijeviq.
“Meqë jeni këtu dhe keni sjellë gra nga zonat tona, do të ishte mirë t’iu përgjigjeshit atyre se si ka mundësi që pas 25 vjetësh, ato lindin fëmijë në një spital 200 metra larg këtu, në kushte katastrofike”, ka thënë Stojanoviq.
“Nën presion dhe shantazhe për vendet e punës, gratë u sollën edhe nga 80 kilometra larg, në mënyrë që Lista Serbe ta organizonte fushatën e saj në Graçanicë. A nuk është kjo dhunë ndaj grave?!”, është shprehur Arsenijeviq.
Lista Serbe nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar të gjitha këto akuza.
Duke folur për gazetarët pas takimit në Graçanicë, kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, ka mohuar se bëhet fjalë për një fushatë parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt.
“Këto janë aktivitete të rregullta të Listës Serbe, e cila dëshiron të tregojë me shembull se gratë kanë ndikim të madh dhe për këtë kemi formuar Unionin e Grave të Listës Serbe”, ka thënë ai.
Aktivistja Stojanoviq Kostiq konstaton se gratë nga radhët e komunitetit serb e kanë të vështirë të luftojnë për të drejtat e tyre me sistemin, sepse janë “vazhdimisht nën represion”.
Dhjetëra histori të të mbijetuarave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, të dokumentuara përmes tregimeve te shkruara dhe artefakteve që pasqyrojnë përjetimet e tyre janë pjesë e një muzeu që u hap të martën mbrëma në Prishtinë.
Muzeu i të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë synon të shërbejë si vend kujtimi dhe nderimi për të mbijetuarit si dhe te rrisë shkallën e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e drejtësisë dhe mbështetjes për ta.
Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila sot drejton Fondacionin Jahjaga që është në krye të këtij projekti, tha se muzeu është dëshmi e vuajtjeve të një kategorie të shoqërisë e cila deri vonë ishte lënë në harresë.
“Zemra më dhemb kur mendoj se për kaq shumë kohë rrëfimet e të mbijetuarave kanë mbetur të heshtura, të mbyllura brenda mureve të zemrave të tyre, ose më keq akoma, të stigmatizuara nga një shoqëri që shpesh ka zgjedhur të kthej kokën anash. Më rëndon zemra kur mendoj për ata dhe ato që kanë marrë me vete këtë barrë në varr, pa ndarë dhimbjen e tyre, pa parë drejtësi dhe pa parë dritë”, tha zonja Jahjaga.
Muzeu që ndodhet në qendër të Prishtinës është emëruar “çast”.
“Sepse ka qenë një moment që këtyre të mbijetuarave ua ka ndryshuar jetën përgjithmonë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por ka shumë momente që ne i kemi bërë të ndihen në faj pa qenë në faj, ne ua kemi rënduar jetën në paqe, nuk i kemi integruar, nuk i kemi përqafuar në atë se çfarë janë, nuk ua kemi njohur dhimbjen dhe nuk iu kemi krijuar hapësira mjaftueshëm” tha kuratorja e Muzeut, Eliza Hoxha.
Muzeu i të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode tha se me hapjen e këtij muzeu Kosova po bën një hap të rëndësishëm drejt përballjes me të kaluarën dhe promovimit të pajtimit.
“Ne duhet të flasim për krimet e luftës që kanë ndodhur këtu, duhet t’u japim zë të gjithë të mbijetuarve si dhe duhet të sigurohemi që kryesit vihen para drejtësisë”, tha ai.
Ndonëse ende nuk dihet numri i saktë i viktimave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, besohet se ky numër është rreth 20 mijë. Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet hapën procesin e verifikimit të statusit tyre dhe deri tani sipas të dhënave zyrtare, mbi një mijë e 160 persona janë verifikuar.
Një çerek shekulli pasluftës, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare vetëm një person është dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për kryerje të këtij lloj krimi.
Serbia po përdorë objektet fetare në Kosovë për të lehtësuar aktivitetet ilegale financiare. Kështu ka alarmuar aktivistja e shoqërisë civile, Kaltrina Kamberi e cila ka thënë se institucionet duhet që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të hetuar dhe çmontuar aktivitetet e paligjshme.
“Ata që përdorin institucionet fetare për qëllime të paligjshme të ndiqen penalisht”, ka thënë ajo.
Kamberi, ka reaguar pas një kronike ku shpërfaqet aktiviteti ilegal në Manastirin e Gracanicës, ku dinarët serbë ende shkëmbehen pavarësisht ndalimit nga Banka Qendrore e Kosovës.
Ajo ka kujtuar se si Serbia ka përdorur edhe Manastirin e Banjskës për planifikimin e terrorizmit.
“Si zakonisht, Serbia duke përdorur fenë si mbulesë për aktivitete ilegale dhe kriminale nuk është befasi. Një shembull kryesor është Manastiri i Banjskës, i cili është bërë një qendër për planifikimin e terrorizmit, me një depo të madhe armësh të zbuluara atje, të lidhura me terroristët serbë të përfshirë në sulmin e Banjskës. Siç duket Serbia tani po përdor objektet fetare për të lehtësuar edhe aktivitetet ilegale financiare, siç shihet në Manastirin e Graçanicës, ku dinarët serbë ende po shkëmbehen përkundër ndalimit nga Banka Qendrore e Kosovës”, ka shkruar ajo në X.
E përdorimi i vendeve fetare për të promovuar sjellje kriminale, sipas Kamberit nuk duhet të tolerohet.
“Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të hetuar dhe çmontuar këto aktivitete të paligjshme. Përdorimi i vazhdueshëm i vendeve fetare për të anashkaluar ligjet dhe për të promovuar sjellje kriminale nuk mund të tolerohet. Kosova duhet të zbatojë ligjet e saj në mënyrë të vazhdueshme, duke përfshirë ndalimin e dinarit serb, dhe të sigurojë që ata që përdorin institucionet fetare për qëllime të paligjshme të ndiqen penalisht, duke përfshirë të ashtuquajturit priftërinj që pranojnë të bashkëpunojnë në akte të tilla ilegale. Është jetike që autoritetet e Kosovës të tregojnë vendosmëri të patundur në mbrojtjen e sovranitetit të saj, në ruajtjen e sundimit të ligjit dhe parandalimin e Serbisë nga përdorimi i fesë si mjet për destabilizimin”, ka theksuar ajo. bw
Sot do të bëhet hapja e ambasadës së Kosovës në Bogota të Kolumbisë. Ajo do të përurohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila hapjen e ambasadës e quajti hap historik.
“Ky moment historik i radhës mbështet strategjinë tonë për të zgjeruar praninë globale të Kosovës”, ka shkruar mes tjerash Gërvalla, njofton Klankosova.tv.
“Sot, një hap historik në Bogota, Kolumbi. Kosova po hap ambasadën e saj në një vend tjetër të rëndësishëm në Amerikën e Jugut. Ajo do të përurohet nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Ky moment historik i radhës mbështet strategjinë tonë për të zgjeruar praninë globale të Kosovës”, është postimi i plotë i ministres në rrjetin social “X”. sn
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, në mëngjesin e sotëm vendosën gurthemelin e nënstacionit policor në fshatin Izvor të Komunës së Zveçanit, dy kilometra larg kufirit me Serbinë.
Vlera e projektit është rreth 700 mijë euro. Në këtë nënstacion të ri, që do të ofrojë kushte të përshtatshme të punës për zyrtarët policorë, do të shërbejë policia kufitare, e cila ka në mandat mbrojtjen dhe sigurinë e kufirit dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale ndërkufitare, shkruan A2.
Të premten e javës që lëmë pas, është vënë gurthemeli i nënstacionit policor tek Ura e Lumit Bistricë e po punohet intensivisht në ndërtimin e objektit të Policisë dhe ARC-së në Leshak, ku vumë gurthemelin para një muaji.
“Të gjitha këto investime po bëhen me qëllim të sigurimit të kushteve të dinjitetshme të punës për policët tanë, të cilët shërbejnë në këtë pjesë dhe ngritjes së kapaciteteve për ofrimin e sigurisë për vendin tonë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sapo mori lajmi që Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak.
“Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij Programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-Ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada”, ka shkruar Osmani.
“Kosova dhe Kanadaja – një partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë”! sn
Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro. Nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, Azia, Afrika e Australia…
Përgjatë dhjetë muajve të parë të 2024-tës, në Kosovë kanë hyrë dhjetëra mijëra vetura nga vende të huaja.
Si në vitet e kaluara, edhe gjatë këtij viti, Gjermania mbetet eksportuesja më e madhe e veturave në Kosovë.
Ndonëse Gjermania mban vendin e parë, viteve të fundit janë importuar shumë vetura edhe nga vendet aziatike si: Kina, Koreja e Jugut dhe Japonia.
Për importimin e këtyre veturave u shpenzuan qindra miliona euro.
Nëse vazhdon trendi i njëjtë edhe gjatë pjesës së fundit të këtij viti, 2024-ta do të bëhet viti me më së shumti shpenzime për importim të veturave nga jashtë.
Këto shpenzime kanë rezultuar edhe në të ardhura për shtetin, për shkak të taksave që paguhen kur importohen veturat – taksa e doganës, akciza dhe TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar).
Taksa e doganës është një tarifë që aplikohet bazuar në vlerën e mallit, kur ai të importohet dhe të eksportohet.
Akciza është një tarifë e veçantë që zbatohet mbi disa produkte që cilësohen si mallra luksi.
Ndërsa, TVSH-ja është një tatim që paguhet nga blerësi i fundit i një shërbimi apo një produkti.
Të gjitha këto taksa së bashku gjenerojnë të ardhura për shtetin.
Në Kosovë, ato kanë gjeneruar tashmë më shumë të ardhura sesa në vitet e kaluara, ende pa i llogaritur dy muajt e fundit të vitit.
Për veturat elektrike, në Kosovë është paraparë lirimi nga taksa e regjistrimit, në mënyrë që të nxitet blerja e tyre, si ndotëse më të vogla të ambientit.
Megjithatë, shumica e veturave të importuara në Kosovë nuk janë elektrike.
Pjesa më e madhe e tyre as nuk janë të reja, por të përdorura.
Ligji për automjetet në Kosovë parasheh që veturat e importuara që janë më të vjetra se dhjetë vjet, nuk mund të regjistrohen.
Përkundër kësaj, në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë importuar 42 vetura të tilla.
Pa mundësinë e regjistrimit, ato mund të përdoren vetëm për pjesë këmbimi. REL
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë.
“Edicioni i sivjetmë i forumit është i fokusuar tek sfidat e sigurisë me të cilat aktualisht përballet bota demokratike, ndërsa synon që të shërbej si një ngjarje që do të nxisë bashkëpunimin strategjik mes vendeve demokratike”, thuhet në njoftim.
Aty tutje shkruan se Maqedonci dhe Jashari, gjithashtu do të realizojnë takime bilaterale me homologë dhe përfaqësues të tjerë politik dhe ushtarak të vendeve partnere.
Maqedonci bashkë me Jasharin shkuan, me ftesë të homologut të tyre kanadez Bill Blair. sn
Rizgjedhja e republikanit Donald Trump si president i Shteteve të Bashkaura të Amerikës, ka rikthyer në vemendje në Kosovë çështjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë që u arrit në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të tij të parë. Siç njofton korrespondentja, Edlira Bllaca, gjatë një debati të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë u tha se mungesa e vullnetit politik për zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit 2020 paraqet një mundësi të humbur për të dyja palët.
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të premten se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë ishte më afër në vitin 2020 kur palët nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, sesa që është tani.
Ai i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, për katër vjetorin e arritjes së asaj marrëveshjeje që u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në praninë e ish Presidentit Donald Trump, i cili doli fitues në zgjedhjet e këtij muaji.
Ish kryeministri Hoti tha sot se marrëveshja i mundësoi Kosovës të trajtohet ndërkombëtarisht si një sfidë për integrimin euroatlantik, ndërkaq tani ajo trajtohet si sfidë e sigurisë.
“Unë besoj që kjo nuk na shërben në asnjë drejtim, as atë politik. Por çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe? Është ndërtuar një status quo e re, e përkthyer në terma konkret kjo nënkupton që nuk ka më dialog për njohje reciproke, është arritur një marrëveshje në Bruksel dhe aneksi në Ohër dhe tani ka një trysni për zbatim të disa aranzhimeve të parapara në të, duke e ngrirë situatën për një kohë tjetër”, tha zoti Hoti, i cili aktualisht është deputet i Lidhjes Demokratike në parlamentin e Kosovës.
Njohësi i zhvillimeve politike Adriatik Kelmendi, tha se përfshirja më e madhe e Shteteve të Bashkuara në ndërmjetesimin e dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë, është kërkesë e vazhdueshme e Kosovës.
“Qasja në Uashington ka qenë që nëpërmjet normalizimit ekonomik të krijohet hapësira që më butë, më lehtësisht, më natyrshëm të ecet drejt marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke. Unë besoj se kjo ishte qasja më e drejtë. Të kujtojmë përse, e dimë se në Luftën e Dytë Botërore, pikërisht kanë qenë marrëveshjet ekonomike dhe bashkëpunimi ekonomik ato që kanë bërë që shtetet më antagoniste të bashkëpunojnë dhe madje të bëhen simbol i përparimit”, tha ai.
Zoti Kelmendi thotë se mungesa e vullnetit politik nga Serbia dhe Kosova për të zbatuar këtë marrëveshje nënkupton një mundësi të humbur.
“Të mos harrojmë, shteti në të cilin është nënshkruar ajo marrëveshje e ka njohur Kosovën, e ka ndihmuar Kosovën, aty është marrë bekimi edhe për ndërrimin e mandatit të FSK-së dhe rrugëtimin e saj drejt formimit të ushtrisë si dhe është shteti të cilin po të na pyesni të gjithë ne që jemi këtu dhe gjithë spektrin politik në vend se kush e garanton përfundimin pozitiv të këtij procesi në arenën ndërkombëtare, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Në dokumentin e nënshkruar në praninë e Presidentit Trump parashikohej vënia në jetë e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe projekte të tjera me një vlerë të përgjithshme që siç u tha atëherë e kalon shifrën 1 miliard euro.
Lëvizja Vetëvendosje atë kohë në opozitë, e kishte parë me rezerva marrëveshjen duke vlerësuar ndërkaq si shumë të rëndësishme njohjen e Kosovës nga Izraeli që ishte pjesë e marrëveshjes.
25 vjet pas luftës, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore.
Të dyja vendet janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet mbeten të larta duke shtuar shqetësimin e diplomacisë perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur rreth një aksioni të Policisë së Kosovës në Zubin-Potok.
Permes një postimi në Facebook, ai ka thënë se aksioni i Policisë në veri të vendit ka vazhduar për dy ditë radhazi, ku janë gjetur sasi e konsiderueshme e armëve, municionit, uniformave dhe pajisjeve për prodhim të kriptovalutave.
Siç tha ai, këto nuk janë thjeshtë mbetje të bandave kriminale e terroriste, por edhe vendstrehim i armëve për planifikimet e tyre të errëta.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera jemi të përcaktuar qartë që rendi juridik e kushtetues, sovraniteti e integriteti, rendi dhe ligji, liria, barazia e drejtësia do të mbizotërojnë gjithandej shtetit tonë”, ka shkruar Sveçla.
Në anën tjetër, Policia ka njoftuar se në Zubin-Potok ka gjetur uniforma, municion dhe pajisje ushtarake.
janë gjetur në një lokacion ku Policia ka shkuar ta kërkojë një të dyshuar për në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin-Potokut i cili ishte hetuar në vitin 2018.
“Me datën 20.11.2024 rreth orës 12:00 njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikeve – Mitrovicë Veri në koordinim me njësitë policore Mitrovicë Veri me autorizim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore Mitrovicë në fshatin Drobnjak Komuna Zubin-Potok ka kërkuar të dyshuarin me iniciale ( S.M.) si person në kërkim në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin-Potokut i cili rast ishte hetuar në vitin 2018”, thuhet në njoftim. sn
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, akuzoi Serbinë se po legjitimon, siç tha ai, praktikat e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.
Përmes një postimi në X, Bislimi reagoi ndaj një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë që ia refuzoi ankesën qytetarit nga Medvegja, Safet Demiri, për kthimin e adresës së banimit.
“[Vendimi i Gjykatës Kushtetuese serbe] shkel të drejtat themelore të njeriut, dëshmon pse shqiptarët nuk kanë besim në sistem dhe hezitojnë të iniciojnë procedura gjyqësore”, tha Bislimi.
Ai publikoi disa pjesë të vendimit të Gjykatës serbe, që thonë se Demiri nuk planifikon të jetojë në mënyrë të përhershme në adresën e paraqitur të banimit. Aty po ashtu thuhet se të drejtat e lëvizjes dhe banimit, ndonëse janë të garantuara me Kushtetutë, ato “nuk janë absolute”, duke iu referuar neneve të ligjeve serbe që lejojnë mundësinë që këto të drejta të kufizohen.
Sipas Bislimit, ky arsyetim i vendimit tregon “se si të drejtat e shqiptarëve po gërryhen, përmes interpretimeve të padrejta dhe diskriminuese, që tregojnë për mungesë të demokracisë, të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtave të pakicave në Serbi”.
Më herët gjatë 20 nëntorit, edhe kryetarja e Preshevës, Adrita Sinani, ka reaguar për këtë vendim të Kushtetueses serbe.
Sinani tha po ashtu se gjykata më e lartë serbe po “legjitimon spastrimin etnik dhe pasivizimin diskrimues të shqiptarëve të Luginës”.
“Përveç legjitimimit të diskriminimit të skajshëm rreth pasivizimit, Gjykata Kushtetuese me një vendim antikushtetues si ky, po punon në dekurajimin e shqiptarëve të Luginës në betejën e tyre për drejtësi e barazi”, tha ajo, duke shtuar se rasti i Demirit është shembulli më i mirë i diskriminimit që u bëhet shqiptarëve nga institucionet serbe.
Sinani tha se shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci – që njihen edhe si Lugina e Preshevës – u mbetet që drejtësinë ta kërkojnë në institucionet ndërkombëtare.
“Nga atje do ta mundim diskriminimin e Serbisë dhe po atje do të vendosim drejtësinë”, shkroi ajo në Facebook.
Shqiptarët nga Lugina e Preshevës që një kohë të gjatë ankohen për pasivizimin e adresave të banimit të tyre në Serbi.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar.
Në fillim të këtij muaji, shqiptarët në Luginë protestuan kundër kësaj çështjeje.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.
Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.
Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.
Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.
Ndërkaq, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2022, është përmendur se praktika e pasivizimit të adresave në Serbi, konsiderohet veprim kontrovers.
Banorët e Luginës dhe udhëheqës të komunave atje kanë kërkuar disa herë që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që të monitorohen kushtet e jetesës në atë pjesë. REL
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ktheu të martën parlamentit të Kosovës për rishqyrtim ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe atë për mbrojtjen e konsumatorit, të miratuara në tetor të këtij viti.
Në njoftimin e zyrës së presidentes Osmani, thuhet se ligji për Këshillin e Sigurisë “me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ndërkaq ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer për shkak të dispozitave të cilat rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve”.
Në arsyetimin e presidentes Osmani thuhet se në ligjin për Këshillin e Sigurisë, funksionimi i këtij mekanizmi gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme është lënë tërësisht i patrajtuar, duke tërhequr vërejtjen se boshllëqet ligjore në këtë aspekt mund të shkaktojnë pasoja.
Në vendim thuhet poashtu se rregullimi ligjor i funksionimit të Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme është posaçërisht i rëndësishëm për shkak të tendencave për destabilizim të vendit nga ana e Serbisë.
“Akti i agresionit të shtatorit 2023 është tregues i qartë se Serbia dhe struktura politike aktuale e saj nuk është e interesuar për paqe as fqinjësi të mirë, gjë që përbën kërcënim të vazhdueshëm ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Kosovës”, thuhet në vendim.
Ligji i miratuar nga parlamenti i Kosovës parasheh shfuqizimin e ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili deri tani rregullonte funksionimin e tij në kohë paqeje dhe në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme. Në ligjin e ri thuhet se “funksionimi i Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme rregullohet me ligj përkatës”.
Në vendimin e presidentes Osmani thuhet se “pavarësisht faktit se ligji që synohet të shfuqizohet përmban dispozita të pakta dhe të pamjaftueshme sa i takon mënyrës së funksionimit të Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, kthimi në një situatë ku nuk ka fare rregullim juridik është shumë më i dëmshëm sepse pamundëson funksionimin kushtetues të institucioneve përkatëse në raste të tilla”.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës se presidentja Osmani me të drejtë ka kthyer dy ligjet për rishqyrtim, me theks të posaçëm ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës dhe parlamenti i Kosovës në mënyrë të pazakontë dhe të pashpjegueshme kanë shfuqizuar dispozitat e ligjit në fuqi qe lidhen me mandatin, funksionimin, dhe kompetencat e këtij këshilli në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme”, thotë zoti Miftaraj.
Sipas procedurave ligjore, presidenti i shtetit ka të drejtë të kthej vetëm një herë në rishqyrtim ligjin, ndërkaq parlamenti i Kosovës mund të bëjë ndryshimet e kërkuara dhe ta dërgojë sërish për dekretim te presidenti.
Armatimi i konfiskuar nga Policia e Kosovës në veri, më 19 nëntor.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën ka kryer kontrolle në rrugën Kralj Petri në Zveçan, dhe aty ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit.
Përmes një komunikate, Policia ka thënë se rasti ka të bëjë me një person me interes, që dyshohet se lidhet me rastin Banjska.
Në njoftimin e 19 nëntorit, Policia ka thënë se gjatë kontrollit ka gjetur kavanozë prej plastike të groposur në dhe, në të cilët ka pasur uniforma ushtarake, armë AK47, granata dore dhe fishekë.
Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë kundër më shumë se 40 personave për sulmin që është kryer në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar nga një grup serb.
Si pasojë e sulmit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ndaj të cilit është ngritur, po ashtu, aktakuzë.
Ai aktualisht besohet se është i lirë në Serbi.
Tre të akuzuar janë të paraburgim në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër në arrati.
Autoritetet e Kosovës e fajësojnë shtetin e Serbisë për këtë sulm që e konsiderojnë terrorist, mirëpo Beogradi zyrtar mohon gjithçka.
Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje disa herë Beogradit që t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë në sulmin në Banjskë. REL
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut ditën e sotme po mbajnë një takim të përbashkët në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur me ceremoni shtetërore homologun e tij maqedonas Hristijan Mickoski. Pas pritjes dy kryeministrat kanë mbajtur edhe një konferencë për mediat.
Kryeministri Kurti u pyet se përse nuk ka zhvilluar një takim me qeverinë e Shqipërisë ndërsa ai u përgjigj duke thënë se është shumë i gatshëm dhe i interesuar të mbajë sa më parë edhe një mbledhje tjetër me qeverinë e Shqipërisë. Ai tha se tashmë Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë barazuar, pasi sot u mbajt mbledhja e dytë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, njësoj siç ka ndodhur me Shqipërinë brenda këtij mandati.
“Me Shqipërinë i kemi mbajtur dy mbledhje tashmë, jemi barazuar sepse mbajtëm të dytën edhe me Maqedoninë e Veriut. Jam shumë i gatshëm, i vullnetshëm dhe i interesuar që sa më parë të mbajmë edhe një mbledhje me Shqipërinë. Përndryshe, 58 marrëveshje i kemi bërë me Shqipërinë në ato dy mbledhje dhe zbatimi i tyre pavarësisht se nuk kemi mbledhje të tretë këtë mandat ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe më mirë se sa në të gjitha mandatet e mëhershme”, tha Kurti.
Gjatë takimit qeveritë kanë nënshkruar një protokoll për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e qytetarëve në dy pika kufitare, por edhe memorandumin e mirëkuptimit për energjinë dhe memorandumin për arsim.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski nënshkruan protokollin për zbatimin e marrëveshjes për kalimin në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Jazhincë-Glloboqicë. Më pas është nënshkruar memorandum i mirëkuptimit në mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe burimeve minerale të Maqedonisë së Veriut në sektorin e energjisë.
Po ashtu, është nënshkruar edhe memorandumi i mirëkuptimit në mes Ministrisë së Arsimit, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave të Maqedonisë së Veriut, që është i fokusuar në aftësimin profesional. sn
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fjalën e tij në mbledhjen e qeverive mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e nisi duke sqaruar se këto dy shtete nuk kanë mosmarrëveshje mes vete.
Ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë fqinj, miq e partnerë të lidhur.
“Së pari po e nisi me një pikë të rëndësishme, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë që është çdo herë në rritje por edhe përmes lidhjeve, familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Më tej, shefi i qeverisë theksoi rëndësinë simbolike të takimit që po mbahet sot, pasi tha se përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve.
“Gjatë këtyre viteve janë nënshkruar 50 marrëveshje dhe memorandume që na ofruan më shumë me njëri-tjetrin, dhe rëndësi ka zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë”, tha kryeministri, njofton Klankosova.tv.
Po ashtu, Kurti shprehi kënaqësinë dhe nderin që në Prishtinë mirëpriti homologun maqedonas, Hristijan Mickoski dhe delegacionin e tij për takimin e dytë.
Eurodeputeti estonez nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Riho Terras, është emëruar të hënën raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE).
Parlamentin Evropian e kompletoi të hënën listën e raportuesve për vendet e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE).
Për emërimin e Terrasit në këtë post u pajtuan në grupin e PPE-së në Komisionin për politikë të jashtme.
Riho Terras është ish-ushtarak nga Estonia, i cili ka qenë deputet edhe në përbërjen paraprake të Parlamentit Evropian.
Më herët, grupet politike në PE ishin pajtuar që të ndajnë mes vete postet e raportuesve për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pas kësaj, secili grup vendosi nga radhët e veta të emërojë një raportues për shtetin përkatës.
Grupit të PPE-së kësaj radhe i takon posti i raportuesit për Kosovën. Tradicionalisht, në 20 vjetët e fundit raportuesi për Kosovën gjithmonë nga qenë nga radhët e Grupit të të Gjelbërve. Ky grup shënoi rënie të mbështetjes në zgjedhjet e fundit për PE të mbajtura më herët gjatë këtij viti.
Nga radhët e EPP-së si raportues për Bosnje e Hercegovinë është caktuar deputeti Onderj Kolar nga Çekia.
Raportues për Serbinë në PE është caktuar të jetë deputeti socialdemokrat nga Kroacia, Tonino Picula.
Nga pushteti në Serbi ka pasur reagime të ashpra, shpesh edhe fyese, pas emërimit të këtij ish-ministri të Jashtëm të Kroacisë si raportues për këtë vend.
Për Maqedoninë e Veriut raportues do të jetë deputeti i gjelbër, Thomas Waitz nga Austria. Deputeti liberal nga Sllovenia, Marjan Sharec, do të jetë raportues për Malin e Zi.
Raportues për Shqipërinë do të jetë deputeti nga Austria, Andreas Shrieder.
Raportues për Ukrainën do të jetë Mikchael Gahler nga EPP, për Moldavinë Sven Mikser nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve, për Gjeorgjinë Rasa Jukneviçiene nga EPP, ndërsa për Turqinë Nacho Sanchez Amor nga Socialistët dhe Demokratët.
Këta raportues në pesë vjetët e ardhshme do t’i ndjekin për së afërmi zhvillimet në vendet përkatëse dhe do t’i përpilojnë raportet vjetore.
Përmes këtyre raporteve do të vlerësohet përparimi i këtyre vendeve në procesin e reformave dhe në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian. Këto raporte pastaj miratohen edhe si rezoluta të Parlamentit Evropian. REL
Në prag të 28 Nëntorit, ish-ushtarët e Zonës Operative të Llapit ndërmorën një aksion simbolik duke vendosur 444 flamuj kombëtarë dhe të UÇK-së përgjatë rrugës Podujevë-Merdarë. Aksioni nisi nga rrethi me shqiponjë në Podujevë dhe përfundoi te pika kufitare me Serbinë në Merdarë, si homazh për festat e nëntorit dhe dëshmorët e rënë për lirinë e vendit.
Sipas organizatorëve, ideja për këtë nismë erdhi nga ish-ushtari Baki Ejupi, i cili nuk jeton më. Në shenjë respekti, shokët e tij dhe familja realizuan këtë projekt në bashkëpunim me organizatën e veteranëve të luftës.
Numri i flamujve, 444, ka një simbolikë të veçantë, pasi lidhet me vitin 1444, kur u mbajt Kuvendi i Lezhës nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Ky gjest simbolik pritet të mirëpritet nga mërgimtarët dhe të gjithë qytetarët, duke u kthyer në një mesazh krenarie dhe uniteti për të gjithë ata që kalojnë këtë rrugë, veçanërisht gjatë festave të nëntorit.
Përveç Ditës së Flamurit Kombëtar, 28 Nëntori shënon edhe daljen e parë publike të UÇK-së, një ngjarje me rëndësi të veçantë për Kosovën. sn