VOAL

VOAL

Poloni, ushtarët ukrainas mësojnë si të përdorin tankun Leopard 2

VOA/Myroslava Gongadze

Mbi 100 ushtarë ukrainas po kryejnë trajnime intensive në Poloni mbi përdorimin e tankut të prodhimit gjerman Leopard 2 që përdoret në fushëbetejë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, njofton nga baza ushtarake Svietozov në Poloni se udhëheqësit ukrainas thonë se tanket, të premtuara nga aleatët perëndimorë tre javë më parë, do të luajnë një rol kyç në luftën kundër agresionit rus.

Në këtë bazë ushtarake polake po stërviten intensivisht mbi 100 trupa ukrainase. Ata u sollën nga vijat e frontit në Ukrainë për të mësuar se si të përdorin tanket Leopard 2 të prodhimit gjerman të ofruara nga aleatët perëndimorë.

Ata po trajnohen nga instruktorë nga Kanadaja, Norvegjia dhe Polonia. Trupat ukrainase, të cilët kishin luftuar në rajonet Donetsk dhe Luhansk, po stërviten 10 orë në ditë, përfshirë fundjavat.

Zëri i Amerikës bisedoi me majorin polak Artur Pinkovsky, i cili është zëdhënës i bazës.

Trajnimi është shumë i ngjeshur në kohë, sepse koha është problemi ynë më i madh. Trupat ukrainase kanë pervojë, ata erdhën këtu nga fronti i luftës”.

Trajnimi zakonisht zgjat tre muaj, por zyrtarët thonë se ushtarët ukrainas do të jenë gati t’i përdorin këto tanke në fushën e betejës brenda rreth një muaji.

Majori i ushtrisë ukrainase Vadym Khodak po udhëheq stërvitjen. Ai thotë për Zërin e Amerikës se trupat e tij janë të gatshme për të mësuar shpejt.

“Ushtarët e mi kanë përvojë në fushën e betejës. Ata kanë përdorur tanket tona në luftë, kështu që është shumë më e lehtë për ta, që të mësojnë se si t’i përdorin këto tanke”.

Majori thotë se këto tanke do të luajnë një rol të rëndësishëm në fushën e betejës.

“Aktualisht kemi mungesë të mjeteve të blinduara dhe shpresoj që kur të arrijmë në vijën e frontit me këto pajisje, do të shpëtojmë jetët e shumë ushtarëve tanë dhe do t’i afrohemi fitores”.

Dërgimi i 14 tankeve të para është planifikuar për muajin që vjen. Tanket Leopard 2 pritet të jenë një mbështetje e mirë për forcat ukrainase, ndërsa po afrohet një vjetori i fillimit të agresionit rus.

Partnerët evropianë planifikojnë të dërgojnë në Ukrainë dy batalione tankesh. E gjithë Evropa ka rreth 2 mijë tanke të modelit Lepoard 2.

Sipas zyrtarëve, dërgimi muajin që vjen i 14 tankeve të gatshëm për fushën e betejës, do të jetë hapi i parë. Presidenti polak, Andrzej Duda, vizitoi poligonin e stërvitjes të hënën dhe vlerësoi luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

“Ukrainasit po na mbrojnë të gjithëve, ata po mbrojnë Evropën duke luftuar imperializmin e ri rus. Ne e njohim fytyrën e imperializmit rus nga historia jonë dhe fqinjët tanë ukrainas po na mbrojnë. Ne i falenderojmë ata për këtë”.

Ai shtoi se Polonia po ofron mbështetje për ukrainasit ndërsa u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të dërgojnë më shumë pajisje në Ukrainë në javët në vijim.

Varhelyi: KE-ja e gatshme të punojë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim

RFE/RL

Në seancë plenare të Parlamentit Evropian të martën është zhvilluar një debat për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shumica e deputetëve u angazhuan që Komisioni Evropian të për përshpejtimin e procesit të zgjerimit, në mënyrë që të mos hyjë përsëri në një fazë të ngadalshme, siç ka qenë në pesë vjetët e mëparshme.

Në këtë debat mori pjesë edhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi. Ai tha se viti i kaluar ishte një prej viteve më të frytshme në procesin e zgjerimit.

Në vitin 2022, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën negociatat për anëtarësim në BE. Moldavia, Ukraina dhe Bosnjë e Hercegovina morën statusin kandidatit, ndërsa Gjeorgjia u cilësua si një kandidate potenciale.

Varhelyi kërkoi që edhe Parlamenti Evropian, për të mbajtur ritmin e duhur edhe këtë vit, duhet të japë sinjale pozitive për procesin e zgjerimit.

Ai, si dëshmi se BE-ja tash e ka prioritet vërtetë zgjerimit, përmendi edhe faktin se në katër takimet radhazi të Këshillit Evropian, zgjerimi ishte temë e diskutimit.

Varhelyi gjatë debatit është pyetur edhe për vendet e rajonit veç e veç. Një prej pyetjeve ishte edhe për “dosjen e Kosovës”, apo më saktësisht për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

*Video nga arkivi: Hapat drejt anëtarësimit në BE

Por, a është problem për procesin e zgjerimit që Kosova nuk është njohur nga pesë shtetet e bllokut dhe a do të thotë kjo se Kosova nuk mund të lëvizë në procesin e integrimit.

“Të gjithë e dimë se cili është qëndrimi ligjor për statusin e Kosovës. Pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe kjo ndikon në qasjen tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe tash, Presidenca suedeze është duke shqyrtuar opsionet. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë, e kjo është të përgatisim mendimin për status kandidati, por vendimi nuk na takon neve, por Këshillit”, u përgjigj ai.

Komisionari evropian u pyet edhe për atë që është cilësuar si “dështim i Kosovës” që të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Do të ishte më së miri të përgjigjem duke cituar konkluzat e Këshillit Evropian nga java e kaluar. Dhe aty u bë qartë se cilat janë kushtet për përparim në rrugën evropiane”, tha ai duke cituar pjesën e cila fton direkt që pa kushte të zbatohen të gjitha obligimet nga e kaluara, në veçanti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Rruga evropiane e Kosovës, sikurse edhe ajo e Serbisë, shkon përmes dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve”, shtoi ai.

Për Malin e Zi, Varhelyi tha se ky shtet ka humbur disa vjet për shkak të ndasive të brendshme politike, që kanë penguar reformat.

“Për fat të keq, Mali i Zi i ka humbur deri tash më shumë se tre vjet pa progres domethënës në procesin e zgjerimit. Ky shtet ka qenë vend udhëheqës në proces. Por, për shkak të ndasive politike brenda shtetit, ky shtet nuk ka qenë në gjendje të lëvizë përpara në reforma, e si rrjedhojë as në procesin e negociatave të anëtarësimit”, tha ai.

Ai u pyet edhe për dështimin e Serbisë që të përshtatet me politikën e jashtme të BE-së rreth sanksioneve ndaj Rusisë si dhe përhapjes së propagandës ruse në Serbi, por edhe rreth ndikimit të shërbimeve të zbulimit nga Rusia që ta destabilizojnë rajonin.

“Është e qartë se Serbia është vend kandidat dhe për të vlejnë kushtet e njëjta. Po ashtu edhe përshtatja me politikën e jashtme është kusht dhe kemi kërkuar nga Serbia të jetë në anën tonë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Është e qartë edhe politikisht për të gjithë ata që ndjekin procesin e negociatave me Serbinë, ky është ndoshta edhe problemi kryesor në negociata. Por, përshtatja në politikën e jashtme si kusht për suspendim formal të negociatave, mund të ketë ndikim jo të mirë dhe këtë e kemi parë në rastet tjera. Ky mbetet si mjet i fundit”, tha Varhelyi.

Komisionari evropian tha se BE-ja do të ndihmojë liderët politikë në Bosnjë e Hercegovinës për të zhvilluar dialogun politik, i cili do ta avanconte procesin e zgjerimit me këtë shtet pasi mori statusin e kandidatit. Ai tha se kriteret për hapat e ardhshëm do të lidhen qartë me përparimin në procesin e reformave.

Ai u pyet direkt edhe për qëndrimet e tij ndaj liderit të serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili mbështet hapur Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe kërcënon integritetin territorial të Bosnjës.

“Vetëm mund të përsëris qëndrimin tonë të shprehur më herët se të jesh krah Putinit në këtë kohë është diçka që e izolon ndërkombëtarisht Republikën Sërpska dhe udhëheqjen e saj. Nuk ka vend në Evropë për mbështetje të krimeve që bën Rusia në Ukrainë dhe mesazhi ynë është i qartë”, tha Varhelyi.

Sa i përket ideve për suspendimin e fondeve të BE-së për entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë, ai tha se kjo nuk është e lidhur me Rusinë, por me tërheqjen e serbëve të Republikës Sërpska nga institucionet e Bosnjë e Hercegovinës. Prandaj, tha ai, këto fonde lidhen me kthimin e tyre në institucione.

Deputetët nga Bullgaria pyeten se çfarë mund të bëhet për të ndalur atë që ata e quajnë “fushatë të urrejtjes ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Varhelyi përmendi si kusht edhe respektimin e tolerancës dhe fqinjësisë së mirë dhe se Komisioni Evropian do ta monitorojë këtë. Por ai tha se edhe Qeveria në Shkup është e vetëdijshme dhe po vepron kundër urrejtjes ndaj qytetarëve që deklarohen si bullgarë.

Komisioneri Varhelyi u pajtua me deputetët që thanë se të tjerët do të mbushin hapësirat e zbrazëta që mund t’i krijojë BE-ja nëse dështon të stabilizojë dhe integrojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sandu: Moska ka planifikuar një komplot për përmbysjen e qeverisë së Moldavisë

Marrë nga Associated Press

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu tha të hënën se Moska ka planifikuar një komplot për të përdorur elementë të jashtëm për të përmbysur qeverinë e vendit të saj. Zonja Sandu tha se synimi ishte që të vihej Moldavia “në dispozicion të Rusisë” dhe bllokuar aspiratat e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Njoftimi i Presidentes Sandu vjen një javë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vendi i tij kishte përgjuar planet e shërbimeve sekrete ruse për të shkatërruar Moldavinë, pretendime që u konfirmuan më vonë nga zyrtarët e zbulimit moldav.

“Plani parashikonte akte të dhunshme nga individë me njohuri ushtarake, të kamufluar me rroba civile, të cilët do të sulmonin ndërtesa shtetërore dhe madje do të merrnin edhe pengje,” u tha zonja Sandu gazetarëve në një konferencë për shtyp.

“Objektivi i këtyre veprimeve është përmbysja e rendit kushtetues, ndryshimi i pushtetit legjitim në Kishinau në një pushtet të paligjshëm,” tha zonja Sandu, për ta vënë Moldavinë “në dispozicion të Rusisë dhe për të ndalur procesin e integrimit evropian.”

“Përpjekjet e Kremlinit për të sjellë dhunë në vendin tonë nuk do të kenë sukses”, premtoi ajo në mënyrë sfiduese.

Që kur Rusia filloi agresionin e saj kundër Ukrainës gati një vit më parë, Moldavia, një ish-republikë sovjetike me rreth 2.6 milionë banorë, është përpjekur të krijojë lidhje më të ngushta me partnerët e saj perëndimorë. Qershorin e kaluar, Moldavisë iu dha statusi i kandidatit në Bashkimin Evropian, në të njëjtën ditë me Ukrainën.

Presidentja Sandu tha se midis tetorit dhe dhjetorit, policia moldave dhe shërbimi i saj i Zbulimit dhe Sigurisë, ose SIS, kanë ndërhyrë në “disa raste për frenuar elementë të krimit të organizuar dhe kanë ndaluar përpjekjet për dhunë.”

Gjatë vitit të kaluar, Moldavia është përballur me një sërë problemesh, mes së cilave një krizë e rëndë energjetike pasi Moska reduktoi në mënyrë dramatike furnizimet me gaz; inflacioni në rritje; dhe disa incidente në muajt e fundit me raketa që kanë shkelur hapësirën e saj ajrore.

Autoritetet moldave konfirmuan se një tjetër raketë nga lufta në Ukrainë kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore të premten.

Zonja Sandu tha se Rusia do që ta përdorë Moldavinë në luftën kundër Ukrainës, pa dhënë më shumë detaje, dhe se informacioni i marrë nga shërbimet e zbulimit përmban, siç thotë ajo, udhëzime mbi rregullat e hyrjes në Moldavi për qytetarë nga Rusia, Bjellorusia, Serbia, dhe Mali i Zi.

“Ju siguroj se institucionet shtetërore po punojnë për të parandaluar këto sfida dhe për të mbajtur situatën nën kontroll,” tha presidentja moldave.

Ajo tha se Parlamenti i Moldavisë duhet të miratojë projektligje për të pajisur Shërbimin e Zbulimit dhe Sigurisë dhe prokurorinë, “me mjetet e nevojshme për të luftuar në mënyrë më efektive rreziqet për sigurinë e vendit.”

Presidentja shtoi se plani parashikon “mbështetjen tek disa forca të brendshme, por veçanërisht në grupe kriminale” duke përmendur dy oligarkë moldavë, Ilan Shor dhe Vladimir Plahotniuc, të cilët janë aktualisht në mërgim. Të dy ata janë sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe

Komentet e presidentes të hënën vijnë pas dorëheqjes të premten të kryeministres së Moldavisë, Natalia Gavrilita. Në të njëjtën ditë, presidentja Sandu emëroi këshilltarin e saj për mbrojtjen dhe sigurinë, ekonomistin pro-perëndimor Dorin Recean si kryeministër.

Të premten, pasi autoritetet moldave konfirmuan incidentin me raketa, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel u tha gazetarëve në Uashington se “Rusia ka mbështetur për vite me radhë fushatat e ndikimit dhe destabilizimit në Moldavi, të cilat shpesh përfshijnë përdorjen e korrupsionit për të çuar përpara synimet e saj”.

Gjermania lehtëson kushtet e vizave për të prekurit nga tërmeti: Familjet turke dhe siriane të sjellin të afërmit këtu

Gjermania do të lehtësojë kushtet e vizave për disa viktima të tërmetit shkatërrimtar që goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë, ka njoftuar qeveria e vendit.

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, shkroi në Twitter: “Ne duam të bëjmë të mundur që familjet turke ose siriane në Gjermani të sjellin të afërm të afërt nga rajoni i goditur.

“Ata mund të gjejnë strehim tek ne dhe të marrin trajtim mjekësor me viza të rregullta, të cilat lëshohen shpejt dhe janë të vlefshme për tre muaj.”

Megjithatë, jo të gjitha kërkesat e procedurës së rregullt të vizave do hiqen, pasi aplikantëve do t’ju duhet ende një pasaportë e vlefshme, e cila ka të ngjarë të jetë një problem për ata që ikën nga ndërtesat që shemben.

Qeveria gjermane tha se do të lehtësonte shpejt kushtet normalisht shumë të rrepta dhe burokratike të vizave, duke shtuar se ministria e jashtme tashmë ka rritur stafin e saj në Turqi.

Viktimat e tërmetit që duan të aplikojnë për një vizë tre mujore duhet të dëshmojnë se kanë anëtarë të ngushtë të familjes në Gjermani që kanë shtetësi ose të drejtë të përhershme qëndrimi, raporton agjencia e lajmeve dpa.

“Rusia drejtohet nga marionetat e Putinit!“

“Rusia drejtohet nga marionetat e Putinit!“, deklarata e fortë e ish-shefit të spiunazhit të Ukrainës: Është i frikësuar nga atentatet, po përdor…

Në një intervistë për mediat amerikane, Valeriy Kondratiuk u shpreh se Putin është duke përdorur marioneta pasi ka frikë nga një atentat i mundshëm.

“Rusia drejtohet nga marionetat e Putinit. Një person që është në pushtet për një kohë të gjatë, përpiqet të marrë masa shtesë për sigurinë e tij. Për të parandaluar aktet terroriste gjatë evenimenteve publike, ai përdor kopje të tij. Putini i vërtetë është ai që takohet me ministrin e mbrojtjes”, tha Kondratiuk.

Në lidhje me ofensivën ruse në Ukrainë ai tha: Putini ëhstë i çmendur! Ai është përgjegjës për vuajtjet e ukrainasve.

Ndërsa, gjenerali ukrainas Kyrylo Budanov,  tha se Putin kishte punësuar njerëz të ngjashëm që kishin bërë operacione plastike.

“Ne dimë konkretisht për tre persona që vazhdojnë të shfaqen, por nuk dimë numrin e saktë. Ata të gjithë bënë operacione plastike për t’u dukur njësoj,” tha ai.

Kondratiuk drejtoi shërbimin e inteligjencës së jashtme ukrainase në 2020-2021, dhe inteligjencën ushtarake në 2015-2016.

 

(BalkanWeb)

BE-ja do të dislokojë mbi 1.000 shpëtimtarë në Turqi

Dy gra përqafojnë njëra-tjetrën, teksa qëndrojnë pranë rrënojave në Hataj të Turqisë. 7 shkurt 2023.

 

Njëzet e shtatë ekipe të kërkim-shpëtimit janë mobilizuar për të kërkuar për të mbijetuar në Turqi, tha komisionari evropian për Kriza, Janez Lenarçiq.

“Solidariteti i BE-së është në nivelin më të mirë”, shkroi ai në Twitter.

Njësitë janë nga 19 shtete evropiane, përfshirë edhe dy shtete që nuk janë pjesë e BE-së, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Në total, në Turqi do të dërgohen 1.150 shpëtimtarë dhe 70 qen.

Dislokimi i tyre është i koordinuar në bazë të Mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së. Përmes këtij mekanizmi, shtetet mund të bëjnë kërkesë për asistencë emergjente nga BE-ja dhe shtetet që marrin pjesë në këtë mekanizëm.

Më 6 janar, Turqia u godit nga dy tërmete të fuqishme, prej mbi 7 ballësh. Nga tërmetet e fuqishme, në Turqi dhe Siri janë vrarë mbi 5.000 persona dhe janë zhdukur mijëra të tjerë. rel

Norvegjia me ndihmë për Ukrainën në vlerë prej 7 miliardë dollarësh

RFE/RL

Kryeministri i Norvegjisë ka propozuar që shteti i tij, një prej eksportuesve më të mëdhenj të karburanteve, t’i ofrojë ndihmë Ukrainës në vlerë prej 7.3 miliardë dollarësh në një periudhë pesëvjeçare.

“Ne synojmë të arrijmë një marrëveshje të unifikuar për këtë temë në Parlament”, tha për gazetarët kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, pas takimit me liderët e opozitës.

Ky shtet nordik ka përjetuar rritje rekorde të të ardhurave pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, pasi sasia e gazit e shitur në Evropë u rrit vitin e kaluar.

Stoere, që po përballet me kritika nga disa shtete dhe një pjesë e opozitës në Norvegji se në mënyrë indirekte po përfiton nga lufta, në fund të vitit 2022 prezantoi planin që t’i ofrojë Ukrainës ndihmë shumëvjeçare. Por, atëbotë ai nuk dha ndonjë shifër sa i përket kësaj ndihme.

Më 2023, gjysma e ndihmës do të financojë kërkesat ushtarake, ndërkaq pjesa tjetër do të shkojë për nevoja humanitare, edhe pse ndarjet mes ndihmës ushtarake dhe humanitare mund të ndryshojnë në vitet pasuese, tha Stoere.

Norvegjia, po ashtu, do të japë 5 miliardë kruna shtesë gjatë këtij viti ndihmë për shtetet e varfra, të prekura nga rritja globale e çmimeve ushqimore pas pushtimit rus të Ukrainës, tha Stoere.

Qeveria e pakicës së Stoere duhet të kërkojë miratimin e Parlamentit për këto fonde. Kjo paketë e ndihmës pritet të rrisë shpenzimet vjetore të Fondit sovran të Norvegjisë, që është fondi më i pasur në botë në vlerë prej afër 1.4 trilion dollarësh.

Partia kryesore opozitare, Partia Konservatore, pritet të mbështesë planin, për të cilin do të negociojë në javët e ardhshme.

Më 2022, Norvegjia u bë furnizuesja më e madhe e gazit në Evropë, pas ndërprerjes së furnizimeve me gaz rus. Norvegjia është prodhuesja e dytë më e madhe në botë e naftës, pas Rusisë.

Turqia me qëndrim pozitiv për anëtarësimin e Finlandës në NATO

RFE/RL

Turqia e shikon me pozitivitet aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, por nuk mbështet atë të Suedisë, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Qëndrimi ynë ndaj Finlandës është pozitiv, por nuk është pozitiv ndaj Suedisë”, tha Erdogan më 1 shkurt gjatë një fjalimi në Parlamentin turk.

Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Megjithatë, këto dy shtete u përballën me kundërshti nga Turqia dhe që atëherë kanë tentuar që të përmbushin kushtet e vëna nga Ankaraja.

Ankaraja dëshiron që Helsinki, dhe Stokholmi në veçanti, të ndërmarrin një qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe Bashkimi Evropian, dhe ndaj një grupi tjetër që pala turke fajëson për puçin e dështuar ushtarak të vitit 2016.

Tri shtetet arritën një marrëveshje qershorin e kaluar për rrugën përpara, por Ankaraja muajin e kaluar pezulloi bisedimet pas rritjes së tensioneve që u shkaktuan nga një protestë në Stokholm, ku u dogj një kopje e Kuranit, librit të shenjtë të myslimanëve.

“Në këtë pikë, Suedia nuk duhet as të tentojë. Ne nuk do të themi ‘po’ për aplikimin e tyre për në NATO për aq kohë sa ata lejojnë djegien e Kuranit”, tha Erdogan.

Gjatë fundjavës së kaluar, lideri turk sinjalizoi se Ankaraja mund të pajtohet që Finlanda të anëtarësohet në NATO para Suedisë. Por, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, tha të hënën se shteti i tij vazhdon të mbajë qëndrimin që dy shtetet të anëtarësohen së bashku.

Nga 30 shtetet anëtare të NATO-s, vetëm Turqia dhe Hungaria ende nuk kanë ratifikuar pranimin e dy shteteve nordike në aleancën ushtarake perëndimore.

I pyetur nëse Turqia ka plane që të ketë procese të ndara për Finlandën dhe Suedinë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavugoslu, tha se NATO dhe dy shtetet nordike janë ato që vendosin nëse do të ketë ratifikime të ndara.

“Nëse NATO dhe dy shtetet vendosin për procese të ndara të anëtarësimit, Turqia sigurisht që do të rishqyrtojë veçmas anëtarësimin e Finlandës dhe në mënyrë më favorizuese”, tha Cavugoslu gjatë vizitës në Estoni.

Zyrtari i lartë ukrainas: Rusia po përgatitet për një përshkallëzim maksimal të luftës, nuk përjashtojmë asnjë skenar

Rusia po përgatitet për një “përshkallëzim maksimal” të luftës në Ukrainë, potencialisht në javët e ardhshme, sipas një zyrtari të lartë të sigurisë kombëtare të Ukrainës.

“Këta do të jenë muaj përcaktues në luftë”, tha Oleksiy Danilov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, për Sky News në një intervistë të transmetuar të martën.

 

“Unë jam i vetëdijshëm se luftimet kryesore nuk kanë ardhur ende dhe ato do të ndodhin këtë vit, brenda dy deri në tre muajve,” tha ai.

 

“Rusia po përgatitet për përshkallëzim maksimal. Është duke mbledhur gjithçka që është e mundur, duke bërë stërvitje. Kur bëhet fjalë për një ofensivë nga drejtime të ndryshme, për momentin mund të them se nuk po përjashtojmë asnjë skenar në dy-tre javët e ardhshme”.

 

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për disa kohë për një ofensivë të përtërirë ruse dhe kanë kërkuar armë më të fuqishme nga aleatët perëndimorë për të kundërshtuar kërcënimin.

 

Pas komenteve të Danilov, një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha të mërkurën se ka shenja se Rusia po përgatitet për një ofensivë të përtërirë në Ukrainën jugore.

 

“Jo vetëm në tokë, por edhe në det dhe në ajër”, tha Natalia Humeniuk, kreu i Qendrës së Bashkuar Koordinuese të Shtypit të Sigurisë dhe Forcave të Mbrojtjes të Jugut të Ukrainës, në televizionin kombëtar.

 

Inteligjenca ukrainase kishte vërejtur ndryshime në aktivitetin e forcave detare ruse në Detin e Zi, shtoi ajo.
“Ajo rritet dhe zvogëlohet me shpejtësi, dhe raketat bartëse po lëvizin përpara dhe mbrapa”, tha ajo.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha të martën se do të zhvillojë një javë tjetër stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë.

 

“Gjatë javës, përfaqësuesit ushtarakë nga të dy vendet do të praktikojnë planifikimin e përbashkët të përdorimit të trupave bazuar në përvojën e mëparshme të konflikteve të armatosura në vitet e fundit,” tha ministria në një deklaratë.bw

Petr Pavel: Ukraina duhet t’i bashkohet NATO-s pas përfundimit të luftës

RFE/RL

Presidenti i sapozgjedhur çek, Petr Pavel, i ka thënë BBC-së se Ukraina duhet të lejohet që t’i bashkohet NATO-s “sapo të përfundojë lufta”.

Pavel, një gjeneral në pension, tha se Ukraina do të ishte “moralisht dhe praktikisht e gatshme” për t’u bashkuar me aleancën perëndimore pas përfundimit të konfliktit.

“Ushtria ukrainase do të jetë ndoshta ushtria më me përvojë në Evropë. Ukraina meriton të jetë pjesë e një komuniteti të vendeve demokratike”, tha ai.

Në intervistën e tij të parë të transmetuar me media ndërkombëtare që nga zgjedhja e tij, Pavel i dha mbështetje të fortë ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin.

Duke folur nga Praga, ai tha se dërgimi i avionëve luftarakë perëndimorë si F-16 nuk është temë “tabu” për të, por tha se nuk ishte i sigurt se ata mund të dorëzoheshin në një afat kohor që mund të ishte i dobishëm për Kievin.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të F-16 në Ukrainë, megjithëse presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se asgjë nuk përjashtohet.

“Jam krenar që vendi im është një nga të parët që i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake”, tha ai për BBC.

Republika Çeke ishte vendi i parë perëndimor që dërgoi tanke dhe automjete luftarake të këmbësorisë – T72 dhe BMP1 të dizajnuara nga sovjetikët – në Kiev, pjesë e një serie dërgesash të armëve të rënda që thuhet se filluan që në mars të vitit 2022.

Pothuajse një vit më vonë, pas shumë kërkesash nga Ukraina, vendet si Britanina e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanina, janë pajtuar për të dërguar tanke moderne, të prodhimit perëndimor si Leopard 2, Challenger dhe M1 Abrams.

“Ndoshta shumë pak njerëz mund të imagjinonin se vendet perëndimore do të ishin të gatshme t’i siguronin Ukrainës tanke moderne luftarake ose sisteme artilerie me rreze të gjatë”, tha ai.

Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe thotë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do t’ia dërgojë të paktën 120.

Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 – ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.

Scholz: Gjermania nuk do t’i dërgojë Ukrainës avionë luftarakë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

Kjo deklaratë vjen pasi Kievi rriti thirrjet për armë më të avancuara nga Perëndimi për të ndihmuar në zmbrapsjen e pushtimit të Rusisë.

Scholz u pajtua javën e kaluar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Pas këtij vendimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Pesckov, tha se vendimet e Perëndimit, përfshirë edhe dërgimin e tankeve, po krijojnë një situatë “shumë, shumë të tensionuar” të sigurisë në Evropë dhe për botën në përgjithësi.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.rel

Lihtenshtajni mbetet “Las Vegasi i Alpeve”

Qytetarët e principatës hodhën poshtë, me 73% jo, propozimin për ndalimin e kazinove – Industria që ka gjashtë kazino merr frymë e qetë

 

Lihtenshtajni, me gjashtë kazinotë e tij të shpërndara nëpër një shami toke, mbetet “Las Vegasi i Alpeve”. Më 29 janar qytetarët e saj kundërshtuan qartë nismën që kërkonte ndalimin e shtëpive të lojërave të fatit në principatë. Siç raportohet nga numërimi zyrtar, 73% ishin kundër kundër 27% pro dhe në asnjë nga njëmbëdhjetë komunat propozimi nuk mori shumicën. Shtatë nga dhjetë qytetarë votuan.

Argumentet në favor të ndalimit kishin të bënin me çështje të tilla si varësia nga kumari dhe dëmtimi i mundshëm i reputacionit të vendit.

Në mbledhjen e firmave të nevojshme për votim, grupi i ngritur kundër “përmbytjes së kazinove” kishte kujtuar se industria e lojërave mund të rrezikojë punën e bërë për të hequr vendin nga lista e zezë ndërkombëtare e parajsave tatimore më pak se dhjetë vjet më parë.

Para votimit, princi ishte shprehur kundër ndalimit, si dhe kundër qeverisë që i konsideron kazinotë një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe ndalimin si një masë shumë drastike.

Pas shpalljes së rezultatit, shoqata e kazinove mori frymë e lehtësuar: “Shpresojmë – ishte komenti – që sektori tani të mund të konsolidohet pa shtrëngim të mëtejshëm të ligjit”. Që nga fillimi i industrisë së lojërave të fatit pesë vjet më parë, ka pasur rreth njëzet ndryshime në ligje dhe rregullore.

Kazinotë e Lihteshtajnit janë:

Gamprin (Gamprin-Bendern): Grand Casino Liechtenstein;
Ruggell: Casino Admiral Ruggell;
Schaanwald: Casino Schaanwald;
Triesen: Casino Admiral Triesen;
Schaan: Casino Maximus;
Casino Eschen.

Lihtenshtajni nganjëherë referohet si një “mikroshtet” pasi qyteti i Londrës është dhjetë herë më i madh se sipërfaqja e tokës së tij dhe ka një popullsi prej vetëm disa dhjetëra mijërash. Kohët e fundit, vendi është quajtur me dashuri nga kumarxhinjtë si “Las Vegasi i Alpeve”.

Lojtarët vijnë në numër të mirë nga Zvicra fqinje në perëndim e jug, nga Austria në lindje dhe veri, si dhe nga Gjermania.

Votuesit në Lihtenshtajn u përballën me një referendum më 29 janar të promovuar nga një grup lobi i shqetësuar për varësinë nga lojërat dhe reputacionin në rritje të vendit. Nisma synonte të mbyllë të gjashtë resortet e kazinove duke ndaluar lojërat e fatit të kazinove në vendin që gëzon liberalizimin lokal për vetëm më pak se 5 vjet.

Sipas një raporti të Reuters, IG VolksMeinung ka frikë se Lihtenshtajni, i cili deri pak më shumë se një dekadë më parë ishte në listën e zezë si një parajsë ndërkombëtare tatimore, rrezikon t’i dëmtohet reputacioni i tij pas gjithë punës së vështirë që ka bërë për të ndërtuar një pozicion të ri në komunitetin ndërkombëtar.

Por shoqata e kazinove të Lihtenshtajnit nuk beson se kazinotë përbëjnë një kërcënim për reputacionin e vendit. Qëndrimi i shoqatës është se çdo gjë që bëjnë është në përputhje me ligjin.

Lindja relativisht e papritur e gjashtë shtëpive kryesore të lojërave në vend ka pasur një ndikim të madh në të ardhurat federale. Në vitin 2022, vizitorët e kazinove, kryesisht nga jashtë, gjeneruan rreth 50 milionë franga zvicerane (54.51 milionë dollarë) taksa përmes udhëtimeve dhe lojërave të tyre.

Sipas Bankës Botërore, të ardhurat vjetore për frymë të Lihtenshtajnit janë 175 813 dollarë, që e vendos atë përpara Monakos, Luksemburgut, Zvicrës dhe Bermudës si vendi më i pasur në botë./Përgatitën Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

 

 

 

Ish-gjenerali Pavel prinë në garën për president të Çekisë

Ish-kryeministri çek, Andrej Babish (majtas) dhe gjenerali i pensionuar i NATO-s, Petr Pavel.

RFE/RL

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale çeke tregojnë se me rreth 80 për qind të votave të numëruara, ish-gjenerali i NATO-s, Petr Pavel, ka fituar 56.45 për qind të votave, kundrejt ish-kryeministrit, Andrej Babish, i cili ka marrë 43.54 për qind të votave, sipas Zyrës çeke të Statistikave.

Çekët votuan sot për të zgjedhur pasuesin e presidentit aktual, Milos Zeman, mandati i dytë i të cilit përfundon në mars.

Rezultatet e plota nga balotazhi dy-ditor priten të bëhen publike mbrëmjen e së shtunës.

Qendrat e votimit ishin hapur të premten në orën 14:00 dhe u mbyllën sot në të njëjtën orë.

Të drejtë vote kishin 8.3 milionë banorë.

Në Republikën Çeke, roli i presidentit është ceremonial, mirëpo presidenti i jep mandat qeverisë dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Tema dominuese në zgjedhje ka qenë lufta e Rusisë në Ukrainë.

Babish, 68-vjeçar, ka tentuar të portretizojë kundërshtarin e tij si luftënxitës dhe ka bërë thirrje për organizimin e një konference të paqes në Pragë.

Pavel, i cili është 61-vjeçar, ka qenë në favor të dërgimit të ndihmës në Kiev.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, rezultati mes tyre ka qenë i ngushtë – të dy kanë fituar rreth 35 për qind të votave.

Rusia po e drejton fokusin e luftës kah “NATO-ja dhe Perëndimi”

RFE/RL

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Stefano Sannino, ka thënë të premten se Rusia e ka çuar luftën e saj në Ukrainë “në një nivel tjetër”, duke kryer sulme ndaj civilëve dhe shënjestrave joushtarake.

Ai po ashtu e ka kritikuar Moskën për nxitje të vendimeve që kanë marrë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, për të dërguar tanke të avancuara në Ukrainë.

Duke folur në një konferencë në Tokio, Sannino ka thënë se Putin “ka lëvizur nga koncepti i operacionit special në konceptin e luftës kundër NATO-s dhe Perëndimit”.

Ai ka thënë se tanket gjermane dhe amerikane pritet t’iu ndihmojnë ukrainasve që të mbrojnë veten në luftë dhe nuk do t’i kthejnë ata në sulmues.

“Mendoj se zhvillimet e fundit, sa u përket furnizimeve me armë, janë përgjigje ndaj situatës dhe mënyrës se si Rusia e ka çuar luftën në nivel tjetër”, ka thënë Sannino.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë bërë të ditur të mërkurën se do të dërgojë tanke të avancuara në Ukrainë për t’i ndihmuar Kievit që të luftojë forcat ruse.

Komandantët e ushtrisë ukrainase kanë thënë se këto armë do të ndihmojnë në kundërofensiva, dhe do të zvogëlojnë numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë në luftë.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se shteti i tij do të dërgojë 31 tanke M1 Abrams, pavarësisht qëndrimeve fillestare të Uashingtonit se ato janë shumë sfiduese që të përdoren nga ushtarët ukrainas.

SHBA-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, pasi Gjermania është pajtuar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 nga inventari i saj.

Rusia e ka kritikuar vendimin e shteteve perëndimore dhe është zotuar se do t’i shkatërrojë këto tanke në fushëbetejë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Tanket ‘Leopard 2’, Suedia bashkohet në grupin e shteteve furnizuese për Ukrainën

Suedia aktualisht nuk ka në plan të dërgojë tanke ”Leopard 2” në Ukrainë, por nuk përjashton dërgimin e tyre në të ardhmen.

“Aktualisht nuk ka përgatitje për një dhurim tankesh nga Suedia, por nuk përjashtohet që kjo të ndodhë në një fazë të mëvonshme”, theksoi ministri i Mbrojtjes, Pal Jonson për gazetën ”Svenska Dagbladet”.

Gjermania dorëzoi sot 14 tanke ”Leopard 2” në Ukrainë.

Ushtria suedeze ka rreth 120 tanke ”Leopard 2”, të cilat në Suedi quhen ”Stridsvagn 122”.

Sipas raportimeve të mediave, Norvegjia po shqyrton gjithashtu dërgimin e tankeve ”Leopard 2” në Ukrainë.

Sipas gazetës ”Aftenposten”, qeveria e Oslos aktualisht është duke e vlerësuar çështjen, por ende nuk është marrë një vendim.

Gazeta ”Dagens Næringsliv” shkroi se do të ishte e mundur që Norvegjia të furnizonte Ukrainën me deri në tetë nga 36 tanket e saj ”Leopard 2”.

Spanja është gati të dërgojë tanke Leopard në Ukrainë

E përditshmja spanjolle El Pais raportoi se Spanja pritet të dërgojë tanke luftarake Leopard 2 në Ukrainë.

Qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez kishte rënë dakord më herët të dërgonte tanke luftarake të prodhimit gjerman për sa kohë që ekzistonte një plan i koordinuar në nivel evropian, shkruante e përditshmja.

Detajet e kontributit spanjoll janë ende duke u vlerësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Jashtme, si dhe zyra e Sanchez.

El Pais raporton se ushtria spanjolle ka 108 tanke kryesore luftarake Leopard 2, modeli që Ukraina dëshiron të ndalojë avancimin e Rusisë. syri.net

Stuhi e dorëheqjeve në Ukrainë

Pas skandaleve dhe korrupsionit, zëvendësministri i Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit largohen nga zyra.

 

VOAL- Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Viacheslav Shapovalov, i ngarkuar me mbështetjen logjistike për trupat, dha dorëheqjen të martën pas skandalit mbi furnizimet me ushqime për ushtrinë, të zbuluar nga një faqe lajmesh. Ministria thuhet se ka nënshkruar një marrëveshje për vitin 2023 për blerjen e produkteve ushqimore bazë për 13 miliardë hryvnia (324 milionë euro) me çmime dy ose tre herë më të larta se ato të tregut. “Akuza të pabaza” dhe një “pretekst i rremë”, sipas eprorit të Shapovalov, ministrit Oleksii Reznikov, por megjithatë dorëheqja u dërgua “për të ruajtur besimin e kompanisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë”.

Së bashku me Shapolavovin – por për arsye të tjera – po largohen edhe një seri e tërë figurash të tjera pak a shumë të shquara në Kiev. Midis tyre, nënkryetari i administratës presidenciale Kyrylo Tymoshenko, një nga bashkëpunëtorët e rrallë të Volodymyr Zelensky për të punuar me të që nga zgjedhja e tij në 2019. I ngarkuar me mbikëqyrjen e rindërtimit të instalimeve të dëmtuara nga bombardimet ruse, ai kishte qenë në qendër. të disa skandaleve para dhe pas pushtimit. Në tetor, për shembull, ai u akuzua për përdorimin e një automjeti të dhuruar nga General Motors për qëllime humanitare për qëllime private.

Largohet edhe Oleksii Symonenko, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm. Shtypi kishte zbuluar pushimet e tij të fundit në Spanjë, kur udhëtimet jashtë vendit janë të ndaluara, përveç për arsye profesionale. Ndalimi u përsërit gjithashtu të hënën nga kreu i shtetit, i cili së shpejti mund të njoftojë një riorganizim të mëtejshëm të ekipit të tij, tashmë të amputuar ditët e fundit nga një sërë largimesh. Ashtu si ai i Zëvendës Ministrit të Infrastrukturës Vassyl Lozynsky, i arrestuar të dielën për grumbullimin e dyshuar të 400,000 dollarëve ryshfet për të lehtësuar blerjen e gjeneratorëve me çmime të fryra. Të hënën, Pavlo Galimon, kreu i partisë “Shërbëtori i Popullit” të Zelensky, u pushua nga puna pasi kishte blerë një pronë në Kiev, kostoja e së cilës tejkalonte të ardhurat e deklaruara të tij.

Korrupsioni është një e keqe endemike në Ukrainë, e cila është e 122-ta nga 180 vende në renditjen e Transparency International. Miratimi i masave kundër korrupsionit janë ndër kërkesat kryesore që BE-ja i ka bërë Kievit, nëse synon të përparojë në procesin e saj të integrimit evropian.rsi-eb

Ministri i Jashtëm italian: Integrimi i Ballkanit në BE të përshpejtohet, mjaft me vonesa!

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, ka theksuar se ka ardhur koha që të përshpejtohet integrimi i Ballkanit në BE. Ai ka shtuar se ky është një proces që ka qenë shumë i vonuar dhe se për asnjë motiv nuk mund të shtyhet më.

Pritet që më 24 janar të zhvillohet Samiti në Trieste, ku theksoi se Italia duhet të luajë një rol të rol të rëndësishëm dhe dialogues me Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi dakord që Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre. Diplomacia italiane po punon së bashku me partnerët më të afërt për të arritur një rezultat me rëndësi historike, nga i cili do të përfitonte i gjithë rajoni. Që zgjerimi nuk ka ecur me ritmin e dëshiruar, dëshmon fakti se 20 vjet pas deklaratës së Selanikut që sanksionoi perspektivën evropiane të Ballkanit, vetëm Kroacia është bërë shtet anëtar i BE-së. Nuk mund të përballojmë vonesa të mëtejshme. Nëse BE-ja dëshiron të jetë një lojtar global, hyrja në Ballkan duhet përshpejtuar”, ka thënë më tej ai.bw

BE-ja shqyrton mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për rindërtim të Ukrainës

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel gjatë vizitës së tij në Kiev, Ukrainë, më 19 janar 2023.

RFE/RL

Bashkimi Evropian po shqyrton përdorimin e aseteve të ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, me vlerë prej 300 miliardë dollarësh, për të gjeneruar fitime për rindërtimin e insfrastrukturës së shkatërruar të Ukrainës.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u ka bërë thirrje qeverive të Bashkimit Evropian që të vazhdojnë me konsultime se si mund të përdoren këto asete të ngrira, raportoi Financial Times më 23 janar.

Michel tha se do që të analizohet mundësia për të gjeneruar fitime, të cilat më pas mund të drejtohen drejt përpjekjeve për rindërtim, raportoi gazeta britanike.

Sipas Michel, asetet do t’i kthehen shtetit rus nëse nënshkruhet një marrëveshje paqeje.

Blloku evropian, i përbërë prej 27 shteteve anëtare, ngriu fondet ruse në përgjigje të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska.

Kancelari Scholz: Jemi me Ukrainën! Bashkë, si evropianë në mbrojtje të paqes!

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka shprehur sërish se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.

Ky reagim i tij vjen disa ditë pasi aleatët perëndimorë ulën shpresat e Ukrainës për një dërgesë të shpejtë të tankeve luftarake në Kiev.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën – për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Së bashku, si evropianë në mbrojtje të projektit tonë të paqes evropiane,” tha Scholz.

Franca dhe Gjermania synojnë të forcojnë aleancën e tyre për t’u përgatitur për sfidat e tjera të Evropës.bw

Bosi i Cosa Nostras në pranga, kush mund të ketë marrë drejtimin e mafias italiane

Gazetari shqiptar në Itali, Arbër Agalliu, ka dhënë detaje interesante në lidhje me arrestimin e bosit të Cosa Nostras, Matteo Messina Denaro.

Agalliu tha se me arrestimin e superbosit, një tjetër person duhet të jetë zgjedhur me siguri në krye të kupolës së Cosa Notras.

Sipas gazetarit emri i drejtuesit të ri nuk dihet ende, por me shumë gjasa mund të jetë një person i afërt me Matteo Messina Denaron, si p.sh. kunati, por mund të jetë edhe nga klani i korleonezëve.

Agalliu zbuloi se gjatë arrestimit Denaros iu gjetën dy telefona.

Ndërkohë që në portofol mbante fotografinë e nipit të vdekur një vit më parë në aksident.

“Siç ka thënë dhe prokurori se kemi arrestuar numëin 1 të mafias, por kjo nuk do të thotë që kemi mposhtur mafian.

Struktura dhe kupola e Cosa Nostras drejtohet tashmë nga dikush tjetër, të cilin nuk e dimë se kush është.

Matteo Messina Denaro në momentin e arrestimit ka patur dy telefona celularë dhe në telefonin e tij është gjetur fotografia e nipit të tij të vdekur. Bëhet fjalë për Gaspare Alegra 37-vjeç që humbi jetën vjet në një aksident shumë të çuditshëm vitin e kaluar. Vetë Gaspere Alegra që ka qenë djali i motrës së Matteo Messina Denaro, ka qenë i proceduar për veprimtari të paligjshme të kumarit dhe lojërave të fatit.

Ndërkohë kunati i Matteo Messina Denaros, babai i Gaspera Alegra, ka qenë dhe njeriu më i afërt me të.  Por ende nuk e dimë ende se kush është pasardhësi i superbosit. Matteo Messina Denaro vepronte në zonën e Trappanit ndërkohë që edhe korleonezët vijojnë të kenë një peshë goxha të rëndë Brenda Cosa Nostras”, tha gazetari. syri.net

Mafia italiane ka një xhiro mbi 40 miliardë euro në vit

VOAL- Arrestimi i bosit mafioz Matteo Messina Denaro ka rikthyer në qendër të vëmendjes krimin e organizuar ditët e fundit. Dhe sot mafiet e ndryshme italiane llogariten nga një studim i Shoqatës së Artizanëve dhe Bizneseve të Vogla Mestre CGIA, sipas të cilit ato kanë një xhiro prej 40 miliardë eurosh në vit, e barabartë me mbi 2% të PBB të Italisë. Kjo është një xhiro inferiore vetëm ndaj xhiros së Menaxherit të Shërbimeve të Energjisë (GSE), ENI dhe ENEL.

Hulumtimi përcakton gjithashtu “të turpshme” se si që nga viti 2014 BE-ja, me një dispozitë specifike legjislative, ka lejuar të gjitha vendet anëtare të numërojnë në PBB-në e tyre disa aktivitete të paligjshme ekonomike (prostitucion, trafik droge, kontrabandë cigaresh).

“Falë” kësaj mundësie, në vitin 2020 (të dhënat më të fundit të disponueshme) Italia “fryu” pasurinë kombëtare me 17.4 miliardë euro (pothuajse një pikë e PBB-së). Një vendim etikisht i papranueshëm. rsi-eb

Ukrainë, ceremonia prekëse e lamtumirës për krerët e Mbrojtjes që u vranë në helikopter

“Respekt i përjetshëm për të gjithë ata që vdiqën në mbrojtje të atdheut” shkroi sot kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchu në Facebook krahas fotografive prekëse të funeralit që u mbaj për zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes që humbën jetën në një rrëzim tragjik me helikopter afër Kievit, më i rëndë akoma nga fakti se u rrëzua mbi një çerdhe fëmijësh.

Ndër 14 viktimat, ishte edhe vetë Ministri i Brendshëm, Denys Monastyrsky, 42 vjeç. Zyrtarët ukrainas thanë se në bordin e helikopterit ishin gjashtë zyrtarë të ministrisë dhe tre anëtarë të ekuipazhit. Zëvendësministri i parë Yevhen Yenin vdiq së bashku me Sekretarin e Shtetit Yuriy Lubkovych, detyra e të cilit ishte të organizonte punën e ministrisë. Edhe Tetiana Shutiak, një ndihmëse e z. Monastyrskyi, gjithashtu vdiq në aksident.

“Ceremonia e lamtumirës…shumë e vështirë .. – shkroi ai. Ukraina ka humbur njerëz të ndershëm dhe të denjë që punuan për vendin e tyre dhe që e donin vendin e tyre. I përjetshëm kujtimi për ju miq. Nuk është e drejtë kur vdesin të rriturit, dhe nuk mund ta kuptosh kur vdesin fëmijë të pafajshëm…Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të të gjithë atyre që u vranë në rrëzimin e helikopterit në Brovary. Respekt i përjetshëm për të gjithë ata që vdiqën në mbrojtje të atdheut,” përfundon mesazhi i kryetarit të “Verkhovna Rada” të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.

Po ashtu, në ceremoninë shtetërore të përcjelljes së këtyre figurave të larta mori pjesë edhe Presidenti Volodymir Zelenskyy, i cili po ashtu publikoi pamjet dhe një mesazh.

“Dhimbja po mbush zemrën. Trishtimi i papërshkruar po mbulon shpirtin. Ukraina po humb çdo ditë bijtë dhe bijat më të mira. Faleminderit për punën tuaj të rëndësishme dhe të denjë në dobi të Ukrainës. Jeni pergjithmonë në zemrat tona. I përjetshëm kujtimi!”

 

Vendet baltike thirrje Gjermanisë: Dërgoni sa më shpejt tanket “Leopard” në Ukrainë

Ministrat e Jashtëm të tre vendeve baltike (Letoni, Estoni, Lituani) i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të dërgojë menjëherë në Ukrainë tanket “Leopard”.

“Ne, ministrat e jashtëm të Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë, po i kërkojmë Gjermanisë që t’i dërgojë Ukrainës sa më shpejt tanke Leopard ,” tha në Twitter ministri i Jashtëm letonez Edgars Rinkevics.

“Kjo është e nevojshme për të ndaluar sulmin rus, për të ndihmuar Ukrainën dhe për të rikthyer paqen në Europë”, shtoi ai, duke nënvizuar se “Gjermania, si fuqia e parë europiane, ka një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim”.

Aleatët e Ukrainës u takuan të premten në Ramstein, Gjermani për të diskutuar dërgesat e armëve megjithatë nuk arritën  të binin dakord për dorëzimin e armëve të rënda. syri.net

Miratohet zyrtarisht nisja e hetimeve ndaj komisionerit të BE-së Varhelyi, dyshohet se e favorizoi Serbinë në negociata

Parlamenti Evropian edhe zyrtarisht ka aprovuar kërkesën për hetimin e brendshëm ndaj Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi i dyshuar për favorizimin e Serbisë gjatë negociatave të zgjerimit të bllokut.

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian kërkuan të mërkurën një hetim ndaj një anëtari të lartë të degës ekzekutive të bllokut, mes shqetësimeve se ai mund të tregojë shumë favorizim ndaj presidentit pro-rus të Serbisë.

Oliver Varhelyi – një qytetar hungarez dhe aleat i kryeministrit nacionalist të vendit Viktor Orban – është komisioneri i BE-së përgjegjës për zgjerimin. Përmbledhja e tij përfshin marrëdhëniet me rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit, ku shumë vende po përpiqen të bashkohen me bllokun 27-vendesh dhe ai mbikëqyr bisedimet e tyre të pranimit, shkruan Washington Post.

Në një raport të miratuar në Strasburg, Francë, ligjvënësit i kërkuan Komisionit Evropian të nisë “një hetim të pavarur dhe të paanshëm nëse sjellja e përfshirë dhe politikat e ndjekura nga” Varhelyi janë në kundërshtim me kodin e sjelljes së komisionit dhe detyrimet e tij të traktatit të BE-së.

Në fillim të këtij muaji, presidenti serb Aleksander Vuçiç goditi kërkesat e BE-së që ai të zbatojë sanksionet kundër Rusisë për luftën në Ukrainë, duke i quajtur ato një ndërhyrje “brutale” në punët e brendshme të vendit të tij. Orban ka kritikuar sanksionet e BE-së, duke thënë se ato dëmtojnë më shumë ekonominë hungareze.

Edhe pse zyrtarisht kërkon t’i bashkohet klubit të kombeve të Evropës, Serbia ka injoruar vazhdimisht thirrjet për të harmonizuar politikat e saj të jashtme me ato të BE-së, duke përfshirë sanksionet.

Në dhjetor 2021, komisioni befasoi shumë njerëz duke hapur bisedimet e anëtarësimit me Beogradin për një sërë politikash, pavarësisht tensioneve të pazgjidhura të Serbisë me ish-territorin e saj të Kosovës. Varhelyi tha më pas se “Serbia po bën një hap tjetër shumë të rëndësishëm përpara në anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Ligjvënësit e BE janë gjithashtu të shqetësuar për qëndrimin e Varhelyi ndaj liderit serb të Bosnjës me ide separatiste, Milorad Dodik.

Ligjvënësi holandez i qendrës së majtë të BE-së Thijs Reuten, i cili ndihmoi në hartimin e raportit të parlamentit, tha se “roli i komisionit është të mbrojë integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, të promovojë demokracinë në Serbi dhe të sigurojë paqen dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe Kosovë. Jo e kundërta.”

“Mbështetja e qëndrimeve nacionaliste dhe separatiste të Dodik nuk do të ishte vetëm kundër Kodit të Sjelljes për anëtarët e Komisionit Evropian, por edhe lojë me zjarrin,” tha Reuten. “Raportet e vazhdueshme për Komisionerin e Orbanit që shoqërohet me autokratë për të minuar demokracinë kërkojnë veprim të menjëhershëm.”

Dodik ka nxitur në mënyrë rutinore ndjenjat nacionaliste dhe ka kërkuar të bashkojë mini-shtetin e tij serb të Bosnjës me Serbinë. Ligjvënësit e BE-së rinovuan thirrjet për sanksione kundër tij dhe të tjerëve përgjegjës për organizimin e një “Dite antikushtetuese të Republika Srpskas” – rajoni që drejton Dodik – më 9 janar.

Eurodeputeti holandez që inicoi kërkesën, Thijs Reuten, është shprehur i lumtur për këtë.

“Me 357 vota pro, 180 kundër dhe 95 abstenime, Parlamenti Evropian ka miratuar kërkesën e deputetit holandez, Thijs Reuten ndaj Komisionit për ta hetuar Komisionerin Várhelyi rreth rolit të tij në Ballkanin Perëndimor. Mirëpresë përfundimin e këtij hetimi”, ka deklaruar Reuten në ‘Twitter’.bw

Boris Pistorius do të jetë ministri i ri i mbrojtjes i Gjermanisë

Ish-ministri i Brendshëm i shtetit gjerman të Saksonisë së Ulët, Boris Pistorius, do të bëhet ministri i ri federal i Mbrojtjes.

Pistorius pason Christine Lambrecht, e cila dha dorëheqjen të hënën pas disa muajsh kritikash në lidhje me dërgimin e armëve në ushtrinë ukrainase, shkruan Reuters .

Boris Pistorius ka qenë Ministër i Brendshëm dhe Sporteve të Saksonisë së Ulët që nga viti 2013.

Para kësaj, ai mbajti poste në nivel lokal, duke përfshirë si kryebashkiak i Osnabrück, një qytet në provincën veriperëndimore të Saksonisë së Ulët. syri.net

Arrin në 40 numri i viktimave pas sulmit rus në Dnipro të Ukrainës

VOA

Autoritetet ukrainase njoftojnë se numri i viktimave pas sulmit me raketa ruse gjatë fundjavës në qytetin Dnipro ka arritur në 40, një nga sulmet më të rënda kundër civilëve që nga fillimi i agresionit të Moskës kundër Kievit pothuajse 11 muaj më parë. Ndërkohë, një raport i ri nga disa ekspertë perëndimorë thotë se ka disa tregues që lënë të kuptohet se Kremlini po synon një luftë të zgjatur në Ukrainë.

Ishte sulmi më vdekjeprurës për nga numri i viktimave civile, që para verës, sipas një projekti për ndjekjen e krimeve të luftës të agjencisë së lajmeve Associated Press.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën për gjetjen e viktimave dhe të mbijetuarve nën rrënoja.

Administrata rajonale tha se deri tani janë shpëtuar 39 persona, ndërsa 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Autoritetet thonë se të paktën 75 persona janë plagosur.

Rreth 1 mijë e 700 njerëz jetonin në ndërtesën shumëkatëshe. Banorët thonë se godina që u sulmua nuk i përkiste ushtrisë ukraianse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në një fjalim të dielën vonë iu drejtua shtetasve rusë kudo që ndodhen.

“Ju që ende nuk keni thënë asnjë fjalë për ta dënuar terrorin, edhe pse e dini se çfarë po ndodh. Heshtja juaj frikacake, pritja për të parë se si do të rrjedhin gjërat, do të përfundojë kur një ditë po këta terroristë do të vijnë pas jush”, tha ai.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell e quajti këtë dhe sulmet e ngjashme “agresion çnjerëzor”, sepse siç tha ai janë vënë në shënjestër drejtpërdrejt civilët.

“Këto krime nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, shkroi ai në Twitter.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ushtria ruse nuk vë në shënjestër ndërtesa banimi, ndërsa pretendoi se ndërtesa në Dnipro është goditur si rezultat i veprimeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Sulmi në këtë ndërtesë erdhi mes një breshërie të raketave ruse në Ukrainë. Ushtria ukrainase tha dje se nuk arriti të gjurmonte llojin e raketës ruse që goditi ndërtesën e banimit në Dnipro.

Ndërkohë, vazhdojnë luftimet e ashpra në provincën lindore të Donetskut, ku ekspertët ushtarakë parashikojnë se të dyja palët do të pësojnë humbje të mëdha.

Donetsku dhe provinca fqinje e Luhanskut përbëjnë Donbasin, një rajon industrial që shtrihet përgjatë kufirit me Rusinë, përparësi e presidentit rus Vladimir Putin që nga fillimi i luftës.

Në atë rajon, separatistët e mbështetur nga Moska luftojnë kundër forcave të Kievit që nga viti 2014.

Forcat ajrore ruse dhe bjelloruse filluan të hënën stërvitje të përbashkëta në Bjellorusi, e cila kufizohet me Ukrainën dhe shërbeu si terren për nisjen e sulmit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Stërvitjet do të zgjasin deri më 1 shkurt, tha ministria bjelloruse e Mbrojtjes. Pjesë e stërvitjes në Bjellorusi janë edhe avionët luftarakë rusë.

Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Uashington publikoi një raport mbi treguesit se Kremlini po ndërmerr hapa për ta kthyer sulmin kundër Ukrainës në një luftë konvencionale, muaj pas disfatave ushtarake.

Ajo që Moska e quan “operacion special ushtarak” synonte kapjen e kryeqytetit ukrainas brenda pak javësh dhe vendosjen e një regjimi të afërt me Kremlinin, por forcat ruse u tërhoqën përfundimisht nga rrethina e Kievit, tha instituti i ekspertëve.

Kjo u pasua me një kundërofensivë të suksesshme ukraianse në muajt e fundit, para se fillimi i dimrit të ngadalësonte përparimet ushtarake.

“Kremlini ka të ngjarë të bëhet gati për veprime vendimtare strategjike në gjashtë muajt e ardhshëm, për të rifituar epërsinë dhe t’i japë fund serisë aktuale të sukseseve operacionale të Ukrainës”, thuhet në raportin e publikuar të dielën vonë.

Raporti vë në dukje “përgatitjet serioze” të komandës ushtarake ruse për të zgjeruar mobilizimin, duke ruajtur trupat e moblizuar për përdorim në të ardhmen, ndërsa kërkon rritjen e prodhimit industrial ushtarak dhe riorganizimin e strukturës së saj komanduese.

Kjo do të thotë se aleatët perëndimorë “duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në periudhë afatgjate”, shtoi grupi i ekspertëve.

Ditët e fundit, vendet anëtare të NATO-s po sigurohen që Ukraina të ketë kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur veten.

Mbretëria e Bashkuar ka premtuar tanke, ndërsa ushtria amerikane filloi stërvijet e zgjeruara të forcave ukrainase në Gjermani të dielën.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes jep dorëheqjen

Christine Lambrecht, ministrja gjermane e Mbrojtjes dha dorëheqjen. Sipas raportimit të dpa, Lambrecht, e cila ka qenë disa herë në shënjestër të kritikave, i bëri kërkesë kancelarit Scholz për largimin nga posti.

Që në fundjavë disa media gjermane raportuan, se ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht do të japë dorëheqjen.

Të hënën agjencia e lajmeve dpa, njoftoi për dorëheqjen e Lambrecht, duke iu referuar kërkesës që ajo i drejton kancelarit Scholz për largimin nga posti, kërkesë që dpa e ka në dorë.

Lambrecht u ndodh disa herë në qendër të kritikave. Së fundmi një video Natën e Vitit të Ri shkaktoi reagime e kritika të forta. Lambrecht postoi në mediat sociale një video, ku në sfondin e zhurmën e fishekzjarreve që hidheshin në Berlin, ajo fliste për përvojën gjatë vitit, duke theksuar, se ky vit ka qenë me “shumë impresione të veçanta, takime me njerëz interesantë dhe të mrekullueshëm”.

Deklarata e saj para luftës në Ukrainë me shumë të vdekur, u konsiderua e pavend. Opozita e CDU/CSU kërkoi dorëheqjen e Lambrecht pas videos. Por kritika ka pasur edhe për problemet në furnizimin e Bundeswehrit apo shfaqjen e saj publike.

Edhe ARD i kushtoi vëmendje dorëheqjes së ministres së Mbrojtjes në fundjavë. Kancelari Scholz do të humbiste një ministre besnike, sipas korrespondentit të ARD, Stephan Stuchlik. Pasuesin e pret një detyrë shumë e vështirë, sepse Ministria e Mbrojtjes ndodhet para ndryshimeve të mëdha, kjo në lidhje me jetësimin e fondit gjigand prej 100 miliardë eurosh të vënë në dispozicion për mbrojtjen pas fillimit të luftës në Ukrainë. Sipas “Süddeutscher Zeitung” shanse për këtë post do të kishte Eva Högl e SPD-së, aktualisht e ngarkuara për ushtrinë e Bundestagut.

Të shtunën ishte gazeta gjermane “Süddeutscher Zeitung” e cila shkroi, se Christine Lambrecht do të dorëzojë detyrën javën e ardhshme. Po të shtunën, sipas gazetës “Bild” iniciativa për dorëzimin e postit  nga vetë politikanja socialdemokrate. Sipas mediave arsye për dorëzimin e detyrës nga ministrja e Mbrojtjes është krijimi i bindjes tek Lambrecht, se nevojitet një fillim i ri në Ministrinë e Mbrojtjes./DW/

PM e Italisë Giorgia Meloni pas arrestimit të bosit të mafies Matteo Messina Denaro:Fitore e madhe për shtetin që nuk dorëzohet përballë mafies

Ka reaguar kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni pas arrestimit të bosit të mafies Matteo Messina Denaro:

“Një fitore e madhe për shtetin që tregon se nuk dorëzohet përballë mafies.

Një ditë pas përvjetorit të arrestimit të Totò Riina, një tjetër shef i krimit të organizuar del para drejtësisë.

Falenderimet e mia më të përzemërta, së bashku me të gjithë qeverinë, shkojnë për forcat e policisë, dhe në veçanti për Ros dei Carabinieri, për prokurorin kombëtar antimafia dhe për prokurorin e Palermos për kapjen e eksponentit më të rëndësishëm të mafies.

Parandalimi dhe lufta kundër krimit mafioz, siç dëshmohet nga fakti se dispozita e parë e Ekzekutivit kishte të bënte me regjimin e ashpër të burgjeve për mafiozët, do të vazhdojë të jetë prioritet absolut i kësaj qeverie.”

 

Ukraina do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare në OKB për formulën e saj për paqe

Zv.Ministrja e jashtme e Ukrainës, Emine Dzhaparova, përkrah ambasadorit ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya, duke folur pas punimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-s (12 janar 2023)

VOA/Margaret Besheer

Zëvendës ministrja e jashtme ukrainase tha të enjten se Kievi do të përpiqet për miratimin e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku do të mishërohet formula prej 10-pikash e Presidentit Volodymyr Zelensky.

“Udhëheqësit ukrainas vendosën se prioriteti numër një që do të shqyrtohet në muajin shkurt është rezoluta kushtuar formulës së paqes”, u tha gazetarëve Emine Dzhaparova, pasi ndoqi një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për funksionimin e shtetit ligjor.

Më 24 shkurt mbushet një vit që kur Presidenti rus Vladimir Putin nisi sulmin frontal ndaj Ukrainës.

Gjatë takimit të G20-ës në nëntor, Presidenti ukrainas Zelensky iu drejtua pjesëmarrësve me video dhe prezantoi vizionin e tij prej 10 pikash për t’i dhënë fund luftës së Rusisë ndaj vendit të tij.

Presidenti Zelensky duke iu drejtuar takimit të G-20ës në nëntor 2022

Presidenti Zelensky duke iu drejtuar takimit të G-20ës në nëntor 2022

Ndër pikat e paraqitura përfshihej tërheqja e forcave ruse dhe ndalja e luftimeve, si dhe siguria bërthamore, ushqimore dhe energjitike, lirimi i të burgosurve të luftës dhe i personave të deportuar.

“Ambasadori Kyslytsya do të punojë tashmë për të arritur shqyrtimin e kësaj rezolute, pasi mund të bëjmë thirrje për një sesion të posaçëm për miratimin e saj”, tha zonja Dzhaparova.

Ajo theksoi se formula për paqe është një bazë për diskutime, por nuk do të thotë se Kievi është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje që do të ishte kundër interesave të tij.

“Jemi shumë të angazhuar për një negocim për paqe që na sjell vetëm një rezultat: integritet territorial, sovranitet, paqe për njerëzit tanë”, tha ajo. “Por, siç ka thënë vazhdimisht presidenti im, nuk do të shkëmbejmë asnjë centimetër nga toka ukrainase, dhe pa nxjerrë nga Ukraina ushtrinë ruse, ne nuk do të diskutojmë për negociata paqeje”, tha ajo.

Emine Dzhaparova

Emine Dzhaparova

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thënë megjithatë se zyrtarët e Kremlinit do të refuzojnë të përdorin formulën e presidentit ukrainas si bazë për negociata, dhe e quajti synimin e Kievit për ta larguar Rusinë nga Ukraina lindore dhe nga Krimea “një iluzion”.

Kremlini njoftoi më 5 janar se Presidenti rus Putin i ka thënë Presidentit turk Tayyip Erdogan se Moska do të ishte gati për bisedime paqeje vetëm me kushtin që Ukraina “të ketë parasysh realitetin e ri territorial”, një referencë kjo për një njohje nga Kievi të territoreve të aneksuara.

Zonja Dzhaparova tha se Ukraina do të kërkojë këtë vit gjithashtu një rezolutë të dytë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për krijimin e një tribunali të posaçëm për të mbajtur përgjegjës udhëheqësit rusë për sulmin dhe krimin e agresionit.

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë po heton tashmë për krime të mundshme lufte dhe krime ndaj njerëzimit të kryera në territorin ukrainas që kur filloi sulmi i forcave ruse.

Në Suedi zbulohet një thesar në tokat e rralla

VOAL- Depozita më e madhe e njohur e tokave të rralla në Evropë është identifikuar në Veriun e Largët të Suedisë, në rajonin Kiruna. Lajmin e ka bërë të ditur grupi minerar LKAB të enjten, me rastin e vizitës në vendin skandinav të një delegacioni të Komisionit Evropian.

Do të kishte mbi një milion ton okside metalike. Këto minerale janë veçanërisht të rëndësishme në fazën aktuale teknologjike dhe ekonomike, sepse ato janë thelbësore në prodhimin, për shembull, të baterive për makinat elektrike dhe turbinat e erës, si dhe të telefonave celularë tashmë të domosdoshëm. Megjithatë, Perëndimi është shumë i varur nga eksportuesit kryesorë, të udhëhequr nga Kina. Këta janë elementë që në fakt nuk janë aq të rrallë, por nxjerrja e të cilëve është megjithatë komplekse dhe që kërkojnë një proces shumë ndotës.

Përpara se miniera të mund të japë kontributin e saj në “tranzicionin ekologjik”, do të duhen ende disa vite, ndoshta 10 ose 15, thanë drejtuesit e kompanisë. Vite që do të shërbejnë për studimin e depozitës dhe metodave të shfrytëzimit fitimprurës dhe afatgjatë, por edhe për marrjen e lejeve të nevojshme. rsi-eb

Shqipëria do të hapë ambasadë në Ukrainë

Jetmira Delia-Kaci

Shqipëria do të ketë së shpejti ambasadën e saj në Kiev, në kryeqytetin e Ukrainës.

Kështu njoftoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në kohën kur po shënohet 30 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Shqipëria do të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj me maksimumin e aftësive të saj derisa të triumfojë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë. Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë një të ardhme në familjen Euro-Atlantike”, shkroi Xhaçka në një postim në Facebook.

Që prej 24 shkurtit të vitit 2022 kur nisi pushtimi rus i ukrainës, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës.

Në kuadër të kësaj mbështetje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë 1 vjeçare si dhe krijimin e një task-force për të menaxhuar aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare për shtetasit që vijnë nga Ukraina.

Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe, së voni, kanë ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.

Para fillimit të luftës dhe sanksioneve që u vendosën ndaj Rusisë, sipas të dhënave të Instituti të Statistikave (INSTAT), Shqipëria ka importuar mbi 40 për qind të totalit të drithërave nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina.

Sipas ambasadës ukrainase në Tiranë, që nga shkurti i vitit 2022, në Shqipëri janë strehuar afërsisht 3 mijë shtetas ukrainas.

Më 3 maj të vitit që shkoi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua me një fjalim online Kuvendit të Shqipërisë. Përveç falenderimit për mbështetjen, ai kërkoi që t’u ndalohej hyrja në Shqipëri, turistëve rusë.

Kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga qeveria shqiptare.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020.

Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë.

Në Ukrainë, në rajonin e Odesës jetojnë rreth 3500 shqiptarë.

Njësitë e reja ruso-bjelloruse të mbrojtjes ajrore ‘u vendosën në pozicion’, thotë Minsku

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha të mërkurën se forcat e përbashkëta ruso-bjelloruse të mbrojtjes ajrore ishin përforcuar me njësi të reja raketore të vendosura në pozicion.

“Njësitë e raketave kundërajrore përparuan në zonat e përcaktuara dhe e morën detyrën luftarake”, tha ministria në një deklaratë të shkurtër.

Udhëheqësi i fortë i Bjellorusisë, Alexander Lukashenka është një aleat i ngushtë i Kremlinit, duke i lejuar Presidentit Vladimir Putin të përdorë territorin e tij si një nga pikat e nisjes për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Të dy vendet planifikojnë të mbajnë stërvitje të përbashkëta të aviacionit në gjysmën e dytë të janarit, duke filluar nga e hëna e ardhshme.

Ukraina ka paralajmëruar vazhdimisht se Putini mund të përpiqet të përdorë Bjellorusinë për të nisur një pushtim të ri të Ukrainës nga veriu, një hap që do të hapte një front të ri të madh në luftë.

Duke rihapur vijën e frontit verior, Rusia do të zgjerojë forcat për Kievin, që janë fokusuar për muaj të tërë në betejat që po zhvillohen në lindje dhe jug, që e detyruan t’i devijojë trupat.

Të dyshuar për tradhti, Zelensky iu heq shtetësinë katër ligjvënësve ukrainas

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se ka revokuar shtetësinë për katër ligjvënës ukrainas të dyshuar për tradhti, tre prej të cilëve janë pjesë e një partie të ndaluar pro-ruse.

Shtetësia iu hoq Andriy Derkach, Taras Kozak, Renat Kuzmin, dhe Viktor Medvedchuk. Sipas presidentit ukrainas, kjo u bë “bazuar në materialet e përgatitura nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe nga Shërbimi Shtetëror i Sigurisë”. Të paktën tre prej këtyre personave gjenden jashtë vendit dhe që të gjithë janë nën procedime ligjore nën dyshimet për tradhti, që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në fund të shkurtit të vitit të kaluar.

“Nëse përfaqësuesit e zgjedhur të popullit zgjedhin të shërbejnë jo për popullin e Ukrainës, por për vrasësit që kanë ardhur në Ukrainë, veprimet tona do të jenë të përshtatshme”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 10 janarit. Ai shtoi se këto nuk do të jenë vendimet e fundit të këtij lloji. Derkach, Kozak, Kuzmin, dhe Medvedchuk ishin zgjedhur deputetë në Parlamentin ukrainas, nga partia Platforma Opozitare për Jetë. Kjo parti, aktualisht është e ndaluar në Ukrainë.

Derkach ka qenë deputet për më shumë se dy dekada, por hetuesit besojnë se ai ka pranuar më shumë se gjysmë milioni dollarë nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës së Rusisë “për aktivitete subversive kundër Ukrainës gjatë viteve 2019-2022”. Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë plenare që nga shkurti i vitit të kaluar.

Politikani Medvedchuk, kumbara i bijës të së cilit thuhet se është presidenti rus, Vladimir Putin, ishte arrestuar në prill dhe i ishte dorëzuar Rusisë në shtator gjatë një këmbimi të të burgosurve. Ndërkaq, Kozak është larguar nga Ukraina më 2021. Hetuesit kanë thënë se ligjvënësi i katërt, Kuzmin, “ka publikuar në media materiale propaganduese në dëm të Ukrainës”. Asnjëri nga këta katër ligjvënës nuk i është përgjigjur publikisht këtij vendimi të Zelenskyt.bw

Nënshkruhet në Bruksel rinovimi i marrëveshjes BE – NATO

Bashkimi Europian dhe NATO nënshkruan të martën në Bruksel, selinë e të dy organizatave, një deklaratë të partneritetit që do të përcaktojë bashkëpunimin mes tyre gjatë viteve në vijim.

Kjo është Deklarata e Tretë e Përbashkët e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe BE-së.

Në ceremoninë e nënshkrimit në selinë e Aleancës morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

Në konferencën e mëvonshme për shtyp, Stoltenberg tha se aleanca ishte e vendosur për të çuar bashkëpunimin me BE-në në një tjetër nivel. Udhëheqësi i NATO-s theksoi gjithashtu se përpjekja e presidentit rus Vladimir Putin për të prishur marrëdhëniet midis shteteve perëndimore ka dështuar.dita

BE-ja paralajmëron pasoja nëse Dodik vazhdon t’i qëndrojë afër presidentit rus

Ceremonia e ndarjes së çmimit për Vladimir Putin.

RFE/RL

Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës dhe autoriteteve të saj për t’i dhënë presidentit rus Vladimir Putin ‘Urdhrin e Republikës Sërpska’, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Në Bashkimin Evropian nuk ka vend për nderimin dhe shpërblimin e politikanëve që urdhërojnë shkatërrimin e një vendi fqinj dhe vrasjen e popullit të tij. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ky vendim i udhëheqjes së Republikës Sërpska është për keqardhje dhe i gabuar”, tha zëdhënësi i BE-së në një konferencë të rregullt për shtyp.

Stano ka kujtuar se presidenti rus është drejtpërdrejt përgjegjës për agresionin e paligjshëm në Ukrainë dhe se civilët ukrainas po vriten dhe po shkatërrohet infrastruktura civile ukrainase.

Presidenti i entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës Republikës Sërpska, Milorad Dodik, ndau çmimin me 8 janar për sic u tha “kujdesin patriotik dhe dashurinë [e Putinit] për Republikës Sërpska”.

Autoritetet e Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur në Sarajevë në vitin 1992 Kuvendi i atëhershëm i Popullit Serb, miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnje e Hercegovinës si entitet i pavarur brenda Bosnjë-Hercegovinës.

Qëllimi ishte që ajo pjesë e Bosnjë-Hercegovinës t’i aneksohej Jugosllavisë, e cila në atë kohë po shpërbëhej.

Rusia deklaroi se vrau 600 trupa pas sulmit me raketa, reagojnë forcat ukrainase: Lajm i rremë, ushtria e paprekur

Forcat e armatosura ukrainase i janë përgjigjur tani pretendimeve ruse se një sulm raketor në rajonin lindor të Donetskut vrau 600 trupa.

Serhii Cherevatyi, një zëdhënës i Forcave të Përbashkëta të Ukrainës, tha se “nuk është e vërtetë”.

Ai shtoi: “Informacioni rus nuk është i vërtetë. Ushtria ruse sulmoi Kramatorsk me shtatë raketa dje në orën 23:30 dhe nuk pati ndonjë ndikim në ushtrinë ukrainase.”bw

Ukraina ka territorin më të madh në botë të mbushur me mina ruse

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka thënë se si rezultat i luftës, Ukraina ka territor të madh të minuar – përkatësisht bëhet fjalë për 250 mijë kilometra katrorë (96,526 milje katrorë).

“Bëhet fjalë për territorin më të madh në botë të mbushur me mina”, shtoi Shmyhal – duke theksuar se mina janë vendosur nga ushtria ruse e Vladimir Putinit.

Sipas tij, këto fusha të minuara, janë një ekuivalent prej më shumë se 40 për qind të tërë territorit të Ukrainës.

Kjo jo vetëm që e vështirëson udhëtimin e njerëzve, por gjithashtu shkakton pengesa për bujqësinë që është një nga industritë tona kryesore”, tha ndër tjera kryeministri ukrainas.

Kujtojmë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, janë vrarë qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët, kurse minat e vendosura nga rusët kanë bërë që numri i viktimave të rritet akoma më shumë. syri.net

Paralajmërojnë nga inteligjenca ukrainase: Putin planifikon të mobilizojë edhe 500 mijë ushtarë

Ushtria ukrainase ka paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin planifikon të mobilizojë gjysmë milioni ushtarë të rinj – duke synuar përgatitjen e një ofensive të re në Ukrainë.

Duke folur për agjencinë gjermane të lajmeve T-Online, Andriy Chernyak, përfaqësues i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, ka thënë se besojnë se mobilizimi do të kryhet më 15 janar, pas festës.

Chernyak ka vlerësuar se do të mobilizohen 500 mijë njerëz, e më së shumti do të goditen ata që jetojnë në qytet si Moska dhe Shën Petersburgu.

Vadym Skibitsky, zëvendës-shef i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, ka thënë se rekrutët do të përdoren për sulme që do të fillojnë në pranverë në lindje dhe jug të Ukrainës.

Në anën tjetër, ushtria ruse po vazhdon me sulmet ajrore mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës, derisa Putin vazhdimisht deklaron se kanë për objektiv infrastrukturën ushtarake.

Madje rusët nga fillimi i luftës nuk kanë kursyer as edhe një objekt civil, pasi pothuajse çdo natë bombardohen dhe nga këto sulme humbin jetën shumë civilë. syri.net


Send this to a friend