Kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë, në zemërim e sipër (ta zëmë) kërkoi që RTSH të mbyllet.
Edhe ynë, në zemërim e sipër (ta zëmë) kërkoj që politika në Shqipëri të mbyllet.
Sepse jo sot, po gjithnjë, prej vitit 1991, politika e ka pasur në majë të gjuhës mbylljen e Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH). Fatin e Kinostudios “Shqipëria e re”, të teatrove dhe të kinemave do ta kishte pësuar që atëherë edhe i vetmi institucion kombëtar në llojin e vet.
Vetëm nga dashuria dhe përkushtimi i pashoq i trupës teknike, në radhë të parë, si dhe të trupës krijuese dhe të drejtuesve të rinj të ardhur në krye të institucionit pas grevës së famshme të sindikatës më 1991, u arrit që një institucion i vjetëruar, i cili ndodhej në grahmat e fundit, të mbante frymën gjallë dhe, i vetëm, të përballonte sfidat e rrëzimit të komunizmit, ardhjes së pluralizmit dhe të proceseve demokratike. Vetëm kështu mund të ruheshin dhe të përtëriheshin Orkestra Sinfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, Departamenti i Filmit Artistik Televiziv Shqiptar, Parku Automobilistik i RTSH, të gjitha institucione brenda institucionit, të gjitha pasuri të jashtëzakonshme kombëtare më vete, humbja të cilave do të kishte qenë humbje për vendin dhe kombin.
Kur kam filluar unë në RTSH në dhjetor 1991, të gjithë qëndronim me frymë të ngrirë, sepse nga çasti në çast mund të ndërpritej transmetimi.
Në vitet e para ’90 të gjithë krijuesit në RTSH (gazetarë, regjisorë, skenaristë, dokumentaristë e tjerë), pothuaj i gjithë personeli teknik dhe një pjesë e drejtuesve kaloi nëpër qëndrime kualifikuese nga disa javë deri në disa muaj pranë radiotelevizioneve motra të Evropës Perëndimore, të cilat i ofruan gjithashtu ndihma teknike falas. RTSH u rrit ndjeshëm si teknikisht, ekonomikisht, por sidomos edhe profesionalisht sipas modeleve të mediave publike elektronike të Perëndimit. Spektaklet, dokumentarët artistikë, dokumentarët historikë, filmat e panumërt që janë prodhuar në ato vite nuk mund të përfytyrohen në mediat e sotme. Hapësira programore e Televizionit Shqiptar, nga 4-5 orë në ditë u bë 365/24.
Më 1993 u krijua Programi Satelitor i RTSH, dritarja e vetme informative e Kosovës për në Botë. Duke u ngritur në stadin e RTSH World kështu ne do të sfidonimin makinerinë agresive të Millosheviçit për të krijuar block-out informativ në Kosovë dhe ndaj Kosovës.
Presidenti Ibrahim Rugova gjithnjë ma përsëriste se RTSH do të jetë në qendër të të gjitha investimeve shqiptare, edhe kur Kosova të çlirohet dhe të ketë Radiotelevizionin publik, sepse rëndësinë e RTSH nuk mund të ketë asnjë institucion tjetër mediatik shqiptar.
Bazuar në Ligjin për Radiotelevizionin Publik dhe në përvojat e radiotelevizioneve simotra evropianoperëndimore, Këshilli Drejtues miratoi rregullore të cilat zbatoheshin me përpikmëri në RTSH. Kjo e bënte të pavarur ndaj dhe njësoj të hapur ndaj faktorëve politikë dhe faktorëve të tjerë.
Radiotelevizioni Shqiptar është i vetmi institucion kombëtar i llojit të vet, i vetmi që ka në emërtesë cilësimin “shqiptar”, i vetmi “della bandiera nazionale”, siç do të thoshin italianët. Nuk mund të përfytyrohet që italianët, zviceranët, francezët, gjermanët, spanjollët, britanikët e tjerë të lejonin që t’u mbyllet media e tyre publike. Por as fqinjët tanë në ndonjë prej kryqyteteve të Ballkanit.
Sapo fillova këto radhë, shkova në Wikipedia, te zëri anglisht i Radio Televizionit Publik Grek ERT (anglisht) EPT (greqisht). Edhe ERT, si RTSH, ka datëlindje vitin 1938, kur YPE (Radioja Kombëtare Greke) filloi transmetimet. Më 1965 filloi transimet eksperimantale dhe më 1966 transmetimet e rregullta televizioni kombëtar grek. Më 2011 korporata shpalli synimin për reformim të thellë të institucionit. Më 11 qershor 2013, në orën 17.15 kryetari i Parlamentit të Greqisë shpalli mbylljen e menjëhershme të institucionit. Dolën në papunësi 2 500 punonjës. Vendimin e mori një Komision Ministerial i cili doli në përfundimin se “kushton më shumë dhe ka më pak publik se privatët”. Po atë ditë një grup punonjësish arriti të transmetonte fshehtas emisionet e ERT, por policia ndërhyri menjëherë dhe i largoi. Përpjekjet për të rikthyer sinjalin e ERT vazhduan në mënyra të ndryshme. Veprimi, pa marrë miratimin e Këshillit Kombëtar të ERT u quajt skandal. Unioni i Radiotelevizioneve të Evropës protestoi fuqishëm dhe opozita e asaj kohe e quajti veprimin “të paligjshëm”.
Më 12 qershor 2013, një zëdhënës i qeverisë greke, njoftoi formimin e një transmetuesi të ri publik, New Hellenic Radio, Internet and Television. Shërbimet filluan më 29 gusht 2013, personeli do të përbëhej nga 1000 deri 1 200 veta dhe do të financohej nga reklamat dhe kontributet tatimore.
ERT e kishte humbur garën ndaj rivalëve privatë si MEGA dhe ANTENA, por mbyllja e tij u përjetua rëndë nga grekët në atdhe e në diasporë. Sot ERT World ka një shërbim të fuqishëm edhe për diasporën si dhe për publikun e huaj.
Në situata të përafërta krize janë ndodhur e ndodhen radiotelevizionet publike edhe në vende të tjera evropiane, por gjithnjë gjenden mekanizmat për t’i zgjidhur këto situata.
Në vitet e para ’90, RTSH krijoi një trupë profesionistësh të rinj. Edhe sot e kësaj dite këta ua japin tonin mediave private. Nëse politika do të kishte pasur vizion të shëndoshë ky erozion ndaj RTSH-së mund të kufizohej shumë.
Pas vitit 1996, me krijimin e mediave të para private, politika në Shqipëri iu dha përparësi absolute këtyre mediave. Kjo shënon shkëputjen e politikës nga interesat e mirëfillta puböike dhe lidhjet e saj gjithnjë e më të ngushta me interesat oligarke. Karakteristikë e këtyre mediave është se dy të tretat e hapësirës ua kushtojnë reklamave. Me lejen dhe me dëshirën e politikës këto media morën jo vetëm programet reality show, por edhe të gjitha quizzet, llotaritë, talk shows si dhe programe të tjera të tilla trash, të cilat përgjithësisht nuk përbëjnë kulturë, por antikulturë, antiqytetërim. Prodhimi i mirëfilltë krijues mungon pothuaj krejtësisht. Dhe përgjithësisht ky prodhim, pra, është mediokër.
Veçanërisht 14 vitet e fundit politika në pushtet iu dha përparësi dy mediave private- Top Chanel dhe Klan. Reklamat dhe sponsorizimet qeveritare janë të shpërpjesëtuara në favor të këtyre mediave krahasuar me ato ndaj Radiotelevizionit Shqiptar. Mund të arsyetojnë se kjo bëhet për shkak të shikueshmërisë më të lartë, por kjo ndikon, në fakt, drejtpërdrejt në financat e RTSH.
Në krye të RTSH këto vite janë dërguar kryesisht të besuar të qeverisë, siç dërgoheshin dikur kryetarët e kooperativave bujqësore, pa pasur fare të bëjnë me gazetarinë apo mediatikën, me qëllim kryesor korrupsionin.
RTSH-ja aktuale është zhveshur jo vetëm nga transmetimet sportive, siç përmend kryeministri aktual, por edhe nga të gjitha talent shows, nga spektaklet, emisionet e fëmijëve e tjera, është zhveshur edhe nga krijimtaria e mirëfilltë kombëtare shqiptare. Nuk transmetohet muzikë shqiptare, sepse RTSH nuk e paguan dot të drejtën e autorit. Edhe emisionet vjetore si Festivali i Këngës apo Koncerti i Vitit të Ri prodhohen nga një media private më pranë qeverisë aktuale, ndërsa RTSH rri dhe shikon. Përfitimet financiare shkojnë te mediat private.
Radiotelevizionet publike janë të domosdoshme, sepse ato bëjnë pikërisht atë çka nuk e bëjnë dot privatët. Ato dallohen për repertorin dhe vizionin rreptësisht kombëtar, për profesionalizmin dhe për etikën e lartë. RAI, për shembull, ka një fizionomi krejt të dallueshme nga Mediaset apo grupet e tjera transmetuese italiane.
Këto dy lloje të mediave janë antiteza të njëra-tjetrës. Aq sa janë komerciale mediat private, aq janë jokomerciale mediat publike.
Detyra e radiotelevizioneve publike është të prodhojë kulturë dhe të kultivojë qytetërim. Asnjë institucion tjetër mediatik nuk mund të matet as nuk mund të krahasohet me rolin dhe misionin e tij.
Trashëgimia e RTSH e bën atë të vetmin në peizazhin mediatik shqiptar me mundësi reale për të qenë gjigant mediatik, siç ishte në vitet e para ’90, absolutisht të pakonkurueshëm.
E vetmja që meriton të mbyllet është politika që e ka çuar dita ditës drejt mbylljes Radiotelevizionin Shqiptar.