Qytetarët nuk dorëzohen në protestën e tyre para Kuvendit, teksa Policia ka bërë disa arrestime që në momentet e para të disa prej përfaqësuesve të saj.
Pas dy orësh proteste me thirrjet “Rama jepe dorëheqje”, “Arrestoni Ramën” apo “Parlamenti i krimit”, ku u përdorën vezë e miell nga qytetarët dhe gaz lotsjellës nga Policia, organizatorët bënë thirrje me megafon që t’i drejtoheshin me marshim Komisariateve nr. 1 dhe 4 në Tiranë, aty ku mbaheshin të shoqëruar protestuesit.
“Qytetarë, të shkojmë të gjithë te Komisariatet nr. 1 dhe 4 për të liruar çunat tanë, të nxjerrim njerëzit tanë!”, ishte thirrja e një prej aktivistëve.
Shumë nga qytetarët u zhvendosën me marshim drejt Komisariateve, kurse të tjerët qëndruan para Kuvendit, duke u bërë gardh me policinë.
Deri tani raportohet për të paktën 6 protestues të shoqëruar, mes tyre edhe aktivisti Gent Progni.
Ndërkohë që vijojnë edhe tensionet para Parlamentit, ku protestuesit janë vendosur që në orët e para me thirrjet “Parlament i krimit, dorëzoni mandatet”.
Gjatë kësaj proteste ka pasur edhe përplasje me policinë, ndërsa FNSH gjithashtu u vendos në hyrje të Parlamentit.
Protestuesit kanë hedhur vezë me herët në drejtim të automjeteve të disa deputetëve. Ndërkohë revolta vijon para Parlamentit me thirrjet “Arrestoni Ramën”. gsh