VOAL

VOAL

POEMË DRAMATIKE PËR ÇAMËRINË – Poezi nga Konstandin Dhamo

December 7, 2022
blank

Komentet

blank

Për një puthje u shemb Troja, Antologji me poezi dashurie Nga Mark Simoni

DO TË BËJ ME TY
“Do të bëj me ty,
Atë që bën pranvera me qershitë”, – shkruan Pablo Neruda.

Dhe vërtetë, vetëm dashnija e fortë e një burri mund ta lulëzojë një femër, mund ta harlisi atë degësh e gjethesh, mund ta çeli ngjyrash.

Kjo ndjenjë e fortë dhe delikate njëkohësisht, kjo dhimbje e ëmbël dhe tundim trallitës, e ka zbukuruar pa cak botën, ashtu siq dhe e ka tronditur herë pas here atë.

Asnjë pasion dhe ndjenjë tjetër veç dashurisë nuk ka heronj aq të bukur e të dhimbshëm si Eva dhe Adami, Orfeu dhe Euridika, Fiklemoni dhe Baukida, Perikliu dhe Aspasia, Antoni dhe Kleopatra, Abelardi dhe Heloiza, Tristani dhe Izolta, Zigmundi dhe Ziglinda, Dantja dhe Beatriçja, Romeo dhe Zhulieta, Ana Karenina etj. etj.

Dhe pikërisht se heronjtë e saj qenë aq të veçantë, të hijshëm dhe plot pasion e ndjenjë, dashuria pati bujarinë për t’ia dhënë letërsisë heronjtë e vet, vetëm e vetëm që ta zbukuronte atë, ta bënte njerëzore, tragjike dhe delikate njëkohësisht.

Kjo lloj inkandëshence ka qindra vjet që përshkon njerëzimin, e tundon dhe e begaton fantazinë e tij, zgjon frymëzime të mëdha shkrimtarësh.

Edhe kjo Antologji, që botova dhe doli nga shtypi sot, e dëshmon këtë elektricitet ndjesishë, këtë gjendje iluminante të ndjenjës.

Antologjia me poezi dashurie “Për një puthje u shemb Troja”, me tekstet e 69 shkrimtarëve (ndër më të mirët që shkruajnë letërsinë e vargut në shqip), që nga sot do të begatojë edhe më tepër bibliotekat dhe leximet tuaja.

Megjithëse kam drejtuar gazeta dhe suplemente letrare prej 25 vitesh, kam botuar 800 tituj librash me “Muzgu”-n, dhe them që e njoh mirë dinamikën dhe përfaqësinë letrare, përsëri nuk mundem dot as se si ta di deri në cakun e fundit letërsinë e sotme shqipe, për të njohur çdo kënd dhe për të gjetur deri në skutën e fundit ato që shkruajnë më bukur. Por për një gjë jam krejt i sigurtë se, autorët në këtë Antologji janë pa asnjë dyshim, të shkëlqyer, (që së bashku me disa të tjerë që mbeten këtë radhë jashtë kësaj Antologjie, dhe do përfshihen në volumin e dytë, që do të dalë së shpejti), i japin hijeshi dhe nur, dimension dhe seriozitet poezisë së sotme shqipe, duke i kënduar edhe si besimtar të thellë tempullit përndritës të dashurisë.

 

Autorët pjesëmarrës

 

Ag Apolloni
Agim Bajrami
Agron Tufa
Alban Bala
Albert Vataj
Albina J. Gjergji
Alfons Zeneli
Ardiana Salihu
Ardita Jatru
Arjan Leka
Arjola Zadrima
Artan Gjyzel Hasani
Beatriçe Balliçi
Besnik Mustafaj
Bujar Meholli
Dan Ibrahimi
Donika Dabishevci
Dori Camaj
Drita Ademi
Durim Çaça
Eli Kanina
Elida Buçpapaj
Enkeleda Kambo
Faruk Myrtaj
Flutura Açka
Gentian Çoçoli
Hamit Aliaj
Harallamb Fandi
Ilirian Zhupa
Irma Kurti
Ismail Kadare
Jozef Radi
Krenar Zejno
Leon Lekaj
Liljana Kristuli
Luan Rama
Luljeta Dano
Manjola Brahaj
Marash Mirashi
Mark Simoni
Mimoza Ahmeti
Mimoza Erebara
Miranda Xhilaga
Natasha Lako
Parid Teferiçi
Petraq Kolevica
Petraq Risto
Preç Zogaj
Primo Shllaku
Rexhep Shahu
Rita Filipi
Roland Gjoza
Rozafa Shpuza
Rudolf Marku
Sadik Bejko
Shpresa Kapisyzi Rama
Shpresa Ymeraj
Skender Buçpapaj
Skender Rusi
Sokrat Habilaj
Sueton Zhugri
Vaid Hyzoti
Visar Zhiti
Vladimir Myrtezaj
Vllasova Musta
Xhelal Tosku
Ylli Demneri
Zenun Hysenukaj
Zhaneta Barxhaj

Parathënia nga Mark SIMONI

PËR NJË PUTHJE U SHEMB TROJA

Duke qenë se dashuria dhe fëmijëria janë dy prej realiteteve më të rëndësishme letrare të krijuesve, dy prej mundësive më fatlume që një krijues shtin në dorë për të bërë letërsi, unë po ndalem në atmosferën që krijojnë këto dy gjëndje.
***
Shumë më përpara se të mësoja për kalin e Trojës, mllefin dhe tërbimin e Menelaut për tradhëtinë e Helenës, dhe para se të merrja vesh se “për një puthje u shemb Troja”, e kam kuptuar dhe ndjerë pothuaj porsi trojanët dhe akejtë se ç’ndodh nga një puthje e fshehtë për dikënd që nuk është e vendit tënd.

Kam qenë rreth 8 vjeç, kur një djalë i pallatit tonë puthi një vajzë të një lagjeje tjetër. Dhe sedra prej djemësh gangstera, inati dhe mllefi i tërë mëhallave të tjera, u turr e ra si një mallkim mbi të gjithë fëmijët e godinës sonë. Për shumë e shumë kohë, djemtë dhe camërdhokët e qytetit, si shpagim rrihnin e godisnin ku të zinin, fëmijë nga pallati ynë. Madje për vite e vite me radhë, deri sa unë jam rritur e kam ikur prej atje, të gjithë ne, që patëm dalë nga ai pallat quheshim “rrugaçët e katërkatëshit”, kishim apo s’kishim lidhje me puthjen. (“Katërkatëshi” quhej pallati, mbasi qe ndërtesa më e lartë e qytetit). Çdo gjë lidhej me atë natë kur kishte ndodhur puthja e fshehtë. Megjithëse unë kisha qenë fare i vogël kur pati ndodhur ai akt, nuk kisha lidhje me puthjen dhe qesh fëmijë i urtë, (që merreshe me libra dhe pulla poste), dhe për më tepër nuk qesh aspak “rrugaç”, përsëri seç kisha një dëshirë të fshehtë, një turbullim të lehtë, dhe më dukej vetja disi më krenar kur, dhe unë isha pjesë e “atyre rrugaçëve”. Mbasi e mendoja veten edhe unë të përfshirë në fshehtësinë e asaj nate, sikur pata ndihmuar në komplotin e puthjes, madje e dëshiroja vetën të isha në qendrën e asaj historie me zullume, zarare, shamatë e sherre. Se ç’kisha një krenari prej fëmije, se qemë pikërisht ne ata që, ua kishim puthur vajzën atyre të tjerëve, ne qemë trimat, kaubojsit, gangsterët.

Në atë kohë më duket se një pjesë e vajzave të bukura që këndoheshin në këngët e rrugës quheshin Neti. Nuk e di se përse e kam përshtypjen se dhe vajza e puthur është quajtur Neti. Madje nuk kishte se si të quhej ndryshe përveç se Neti, emri më i përdorur në tërë atë atmosferë këngësh dashurie. Bash në atë kohë thuhej se një poet i quajtur Ndoc Gjetja, dhe që jetonte tri lagje përtej nesh, pati shkruar në librin e tij “… përse puthja të mbetet ilegale”.

Atëherë nëpër qytetet e vogla, dashuritë e fshehta dhe puthjet, disa i shihnin si flamë, sëmundje a dert, dhe disa të tjerë magjepseshin me vezullimin e tyre misterioze, pak të zbehta dhe të rrethuara nga thashethemet dhe hamendjet. Ngjarjet që lidheshin me dashuritë ndaheshin në dy lloje. Në “filanen e ka zënë qymyri me filanin” dhe “atë grua e kanë zënë në flagrancë”. Ndërsa e para kishte diçka poetike, ku rënia në dashuri qe një vendim i marrë në gjysmëjerm, pak në marrakotje, nga një turbullim i lehtë koke, nga një hutim, dhe kishte dhe shumë poezi në atë veprim, tek e dyta qe krejt prozaike. “Filanen e kanë zënë në flagrancë”, kishte në tërë atë thënie diçka policore, shtetërore, si një fletë gjobe, si të thoje ndryshe “je zënë me presh në duar”, e duke bërë një faj, kishte një tradhëti, shumë terr e thashetheme. Dhe fjala “flagrancë” e bënte më zyrtare dhe më të zezë se sa duhej atë situatë, që tregonte se një grua i kishte kthyer shpinën të shoqit dhe pat shkuar pas të dashurit.

Nëpër qytet, buzëmbrëmjeve, lulishteve, disi me zë të ultë, silleshin ca këngë sentimentale, me dashuri, herë fatzeza, ku dashuria shkonte deri në vdekje, dhe herë të tjera ku vajzat e dashuruara i zinte ndonjë sëmundje pikërisht nga dashuritë e parealizuara. Por qenë dhe një grusht këngësh që këndoheshin ose nga pijanecë mejhanesh, ose nga jevgj të dëshpëruar, ose nga rrugëtarë që nuk e dinin se as nga ç’vend qenë nisur dhe as se ku do të mbërrinin. Ato këngë më duket se këndoheshin vetëm mesnatave, krejt në vetmim, mbasi duke u kënduar natën, nëpër rrugët shkret, qenë më të rënda, më të përmallshme e të përvajshme. Dhe brenga, dhimbja e dashurisë, sëmundja apo vdekja e ardhur prej saj, dukeshin shumë më të thekshme. Dhe sa më shpesh këndoheshin këto këngë, aq më shumë më dukej se zbukuroheshin vajzat e qytetit tim të vogël, sa që mendoja se ato vajza silleshin nëpër qytet, të dëgjonin pikërisht ato këngë, që unë kujtoja se qenë bërë enkas për to.

Kam qenë 9 apo 10 vjeç kur, mes tërë atij muri me libra të tim ati, (zyrtar arsimi dhe pedagog letërsie), gjeta në një faqe të vjetër reviste “O ti këngëtar i vetmuar i rrugës / Që në mesnatë i bie kitarës ,/ Mos m’i zgjo të lutem shumë / Ëndërrat e së dashurës…”

Qenë katër vargje që kishin brenda tyre edhe këngëtarin e vetmuar, edhe që bredh rrugëve, pikërisht në mesnatë, edhe që ka brenda tij bohemin dhe shpirtin e aventurës së njeriut të dashuruar, dhe i bie kitarrës duke kënduar serenata poshtë dritareve të vajzave, të vajzave të bukura që ashtu në gjumë shikojnë ëndërra dashurie. Më kanë tronditur dashuritë e leximeve që nga Eva dhe Adami, Orfeu dhe Euridika, Fiklemoni dhe Baukida, Perikliu dhe Aspasia, Antoni dhe Kleopatra, Abelardi dhe Heloiza, Tristani dhe Izolta, Zigmundi dhe Ziglinda, Dantja dhe Beatriçja, Romeo dhe Zhulieta, Markezi dhe zonja Dë Sad, Gëte dhe Kristina Vulpius, Napoleoni dhe Zhozefina, Persi B. Shelli dhe Meri Shelli, Kuazimodo dhe Esmeralda, Shumani dhe Klara Vik, Karl dhe Zheni Marks, Rikardi dhe Kozima Vagner, Roza Luksemburg dhe Leo Jozhikes, Eleonora Duze dhe Gabriele D’Anuncio, Gertrudë Shtein dhe Alis Toklas, Lorens dhe Frida von Rihtofen, Martin Hajdeger dhe Hanah Arend, Virxhinia Ulf dhe Vita Sakvill, Salvadore Dali dhe Gala, Zhan Pol Sartri dhe Simonë de Bovuar, Anais Nin dhe Henri Miller, Ingrite Bergman dhe Roberto Roselini, Martin Luter King dhe Koreta Skot King, Lolita dhe Humbert Humberti, Merlin Monroe dhe Artur Miler, Uini dhe Nelson Mandela, Xhon dhe Xheki Kenedi, Elizabet Teilor dhe Riçard Barton, Xhon Lenon dhe Joko Ono, etj etj etj, por ato katër vargje dhe sot e kësaj dite, që unë kam ikur prej kohësh prej fëmijërisë dhe rinisë sime, më kujtohen si t’i kem lexuar sot. Një pjesë e vajzave të bukura të qytetit tonë qenë nga familje që shteti i pati shtyrë e degdisur nga qytetet e mëdha dhe zyrat e larta, në fund të rrugicave të ngushta të lagjeve dhe mëhallave tona. Qenë të hijshme, gjithë nur, sharm, bukuri, të heshtura, të përkora, të përvuajtura nga një vuajte dinjitoze, pak në distancë, (qenë “me hije”, shprehja që përdorej për ata që kishin diçka në biografi, një cen, sikur nga radioskopia e tyre të ishte dalluar brenda trupit të tyre një njollë e zezë, apo hija e një sëmundje të fshehtë).

Dashuria qe një atmosferë pak misterioze, e mbajtur disi në fshehtësi, me ca pusulla letrash që shoqe mbas shoqeje mbërrinin në duart e djemve, rrahje me djemtë e tjerë për t’u dalë zot vajzave të lagjes, tatuazhet në trupat e të rinjve ku pikturoheshin zemra të përshkuara nga shigjetat, (simbole të vrasjes nga dashuria), koka të bukura femrash, apo ndonjë datë që gjithësesi kishte lidhje me ndonjë ngjarje dashurie.

Dhe si për të mos mjaftuar tërë këto dashuri, një mesnatë mbërritën në qytetin tonë, me ca makina të vjetra, ngarkuar plot tesha e njerëz, familja e Fadil Paçramit, si dhe Todi Lubonja me familjarët e tij. Thuhej e përshpëritej nga mëhalla në mëhallë se, shteti qe nervozuar me to, mbasi ato kishin kërkuar më shumë dashuri dhe puthje. E shikoja Lubonjën kur dilte darkave për të bërë xhiron e zakonshme me Lirinë. Kalonte bri pallatit tonë dhe humbte në periferi, atje ku rrugët qenë të qeta dhe pa njerëz. Ai pati lënë kryeqytetin e madh, rrugët e gjëra, shtëpitë e mobiluara, vajzat e bukura të Tiranës që shëtisnin më të çlirta dhe pa teklif, djemtë e veshur bukur që këndonin në kodrat e liqenit serenata. I pati lënë të gjitha, (për atë “liberalizmin e tij”, që njerëzit e përkthenin “që të kishte më shumë dashuri dhe puthje”), Dhe e patën sjellë e rrasur në qytetin tonë të vogël, me pak njerëz, me rrugica të ngushta e me tri lagje të vjetra. Kisha një dhimbje të turbullt e të zbehtë prej fëmije kur e shihja. Vërtetë për pak më tepër dashuri dhe pak më tepër puthje, qe shembur dhe Troja e këtij burri.
“Jemi shumë më gjallë, kur jemi të dashuruar”

Mes përmes natës dhe dimrit, udhëtoja me trenin që shkonte drejt Europës Qëndrore. Atje shëtiste nga njëri shtet në tjetrin ekspozita e piktorit të famshëm Vladimir Kush, ose i quajturi nga kritikët e artit si Salvadore Dali i Rusisë. Ekspozitë madhështore. Tablo që me dimensionet e tyre të përfshinin në situatat gjigante. Kur ja, bash në ball, në fasadën më të shikueshme nga vizitorët qenë “Buzët”. Një qiell i pafund, dhe në të një re e madhe dhe e kuqe, impresionante, në formën e një palë buzësh të bukura, gjithë epsh, ndjellëse dhe tunduese. Dhe poshtë tablosë qe e tërë bota, shumë më e vogël se buzët. Më sugjestionoi. Në çast mu kujtua patrioti i Kush-it, liriku i mrekullueshëm Sergej Esenin me “Eh ç’mi përdredh ti buzët, Nazemadhe moj, …”. Buzët e poezisë mu dukën shumë më të vogla dhe aq lojnacake, lozonjare e të hajthshme, sa s’di përse më erdhi keq për to. I kam krejt parasysh ato blloqet e vegjël, me kopertina të forta ngjyrë kafe, ku shokët e mi adoleshentë hidhnin pafund citate dashurie, shprehje të bukura filmash, thënie tunduese librash. Dashuria, puthja dhe buzët qenë fjalët më të shumta që përshkonin tej përtej ato blloqe të mjerë. Shprehjet dhe vargjet i mblidhnin një e nga një, dhe i mësonin përmendësh, që të nesërmen, kur të hasnin ndonjë vajzë, t’i citonin fjalët e librave dhe filmave, që të dukeshin interesantë dhe të zgjuar. Mbaj mend se dhe unë tundohesha herë pas’here nga mania për të patur citate dashurie. Në ato vite, se nga dreqin mbërritën në qytetin tonë një tufë e madh autobusësh me kinezë, që shpërndanin distingtivë me portretin e Maos, (portreti i tij paraqitej sikur rrezatonte dritë). Shpërndanin edhe citatet e tij. Qenë ca blloqe-libra fare të vegjël, sa një kuti shkrepëse. Më pëlqente ajo madhësi. Aq të vegjël duhej të ishin edhe blloqet tanë, ku shënoheshin citatet dhe thëniet, për buzët, dashurinë dhe puthjet. Mendoja se përderisa dashuria ishte aq intime dhe e fshehtë, patjetër edhe blloqet duhet të ishin sa më të vegjël dhe t’i strukje ndokund, që të mos i shikonte njeri. Më e çuditshmja qe se, “Buzët” e Eseninit ishin në tërë ato blloqe, kopjuar nga njëri-tjetri, fshehtas, poshtë shkallëve, duke i thënë nën zë, me kujdes. Dikund Pablo Neruda thotë se, nuk ka gjë më trallitëse dhe joshëse në këtë botë, se sa shenja e buzëkuqit të një palë buzëve, mbetur në tehun e një gote vere, pas një nate dehëse. Ndërsa shkrimtari i njohur francez, autori i “Kontesha Gamiani”, Alfred de Muset tek një novelë e tij, përshkruan shenjën e buzëve në jastekun e dhomës së një hoteli në periferi, kur ajo “donte të fshihte klithjet e ekstazës”. Bota ka shumë gjëra për tu quajtur e bukur, por kurrë ajo nuk bëhet dot e plotë, e shijshme, tërë nur, e hijshme, tronditëse, vezulluese, plot shkëlqim dhe tundim njëkohësisht, nëse nuk do të kishte në të fishkëllimat çapkëne poshtë dritareve të vajzave, përshpëritjet e ëmbla të grave në vesh, (orëve të pas mesnatës), puthjen e buzëve, jehonat e brendshme të çasteve të lumtura që dalin nga buzët. Cili adoleshent i kësaj bote, i vëmendshëm dhe i amoruar njëkohësisht, nuk e di vargun e famshëm të Percy Bysshe Shelly (Persi Bishi Shelli): “Soul meets soul on lovers lips – Shpirti takon shpirtin në buzët e të dashuruarve.” Po Judy Garlandin a e citojnë shumë të rinj? “It was not my lips you kissed, but my soul – Nuk ishin buzët e mia ato që puthe, por shpirtin tim.” Sepse siç thotë John Updike (Xhon Apdaik): “Jemi më shumë gjallë, kur jemi të dashuruar.”. Nga studimet që janë bërë, gjëja më femërore tek gratë, më joshësja, më potente, më drithëruese, më me pushtet, i vrazhdë dhe eksitues njëkohësisht, për çudi të shumëkujt, është quajtur buzëkuqi, që i jep aq potencë buzëve. Ndërsa në botimin e parë të “From her lips” (Koleksioni i poemave me titull “Nga buzët”), të S. A. White, tek kopertina janë printuar stampimet e kuqe të buzëve të grave më në zë të kohës, 26 palë buzë.

Kur isha student unë shkrova poezinë “Puthja”. Më vonë e botova në gazetë. Më pati ardhur keq se, njëri prej shokëve që e mësoi përmendësh, ia tha vajzës që donte si të qe poezia e tij, madje sikur ia pati kushtuar enkas asaj. “Ohu, poezia është e jotja sa të jetë në fletoren tënde, pastaj është e jona.” Tashti qesh, sepse këtë ma kujton dhe filmi “Il Postino” me Pablo Nerudën, ku postjeri i fshatit i tregonte shkrimtarit se çfarë i pati shkruar fshehtas të dashurës. Një herë Pablo dalloi në letrat e dashurisë së postierit disa nga vargje e tij. “More pizeveng, po këto janë poezitë e mia”. “Të tuat i ke tek shtëpia, tani që kanë dalë në gazetë janë të miat”- ia ktheu postieri, Buzët, (ky mjet i shenjtërisë së puthjes), që frymëzuan miliona njerëz në dalldinë e tyre të dashurisë, i kanë dhënë letërsisë dhe subjekteve të saj stilin fin, e kanë sajdisur këtë art me një dimension tepër delikat dhe të këndshëm. Kam parasysh këtu librat “Buzët e ëmbla” të Mel Smith, “Buzë që prekin të miat” e Wendy Lindstrom, “Buzë të kuqe gjak” e Anna Roselli, apo novela e Valeria Sherwod “Buzët e bukura gënjeshtare”. Mbi tërë këtë reliev subjektesh, buzësh, ndjesish, ngjarjesh joshëse dhe tunduese, përhapen tinguj e këngës së pavdekshme të William Shaw “Një këngë për buzët që s’janë më”. Selman Ruzhdie thotë: “Jam rritur duke puthur bukën dhe librat, sapo putha një dashuri, i harrova dy të parat. Kjo është magjia e buzëve.” Jam krejt i sigurt që poezitë e kësaj antologjie do ta bëjnë akoma më të shëndritshme, më vezulluese, më luminishente, më femërore, më fragile, më të ujshme dhe të tejdukshme poezinë delikate dhe të fisme të dashurisë, puthjes dhe buzëve.

(Shënim: Të gjitha poezitë e këtij libri janë zgjedhur dhe dërguar përsonalisht nga vetë autorët, (të cilët u ftuan në Antologji). Asnjëra nga këto poezi nuk është mbledhur apo marrë pa dijeninë e tyre dhe në mënyrë arbitrare.

blank

Cikël poetik nga Bedri Alimehmeti

PRANIA YTE

Prania yte Barit i dha dritë si një meteor
S’mbeti njeri pa kthyer kokën drejt teje
Arom’e parfumit, fryma desh m’u mor
Drithm’e dashuris ëmbël m’rodhi në deje.

Më shtangën lëvizjet teksa heq xhubotin,
Lëshimi këndshëm i cantës mbi kolltuk.
Shtrëngon strecet, lehtë tërheq pulovrin
Mrekullisht mbi gjoks shalli rrëshket but.

————
IMAZH I LARGËT

Erdha sërish në “Juna Bar”
Kisha kohë pa u ulur këtu
Gjatë u bë që s’të kam parë.
Ku i kam të kaltërtit e tu?

Pranë meje u ule. Eh sikur!
Duart në të mijat shtrënguar.
Imazh i largët si rrinim dikur
S’gjej fjalë për ta përshkruar….

———–
PAPRITMAS

Oh sa papritmas m’u shfaqe!
Ndrisje e tëra plot shkëlqim.
Purpuri ndezur nëpër faqe
Syve u jepte dritë pambarim.

Aureol e flokve të dallgëzonte
Lehtas përmbi supet e brishtë.
Teksa mua keqas më ngacmonte
Dëshira si dikur t’i zë të t’i prish.

—————–
GËRSHETI

Më kujtohet eh, një gërshet!
Mes shpatullash plot bukuri.
Që lëkundej aq ëmbël lehtë,
Ishte vërtet një mrekulli….

Të ta shpleksja kisha dëshirë,
Me duart e mija të t’i ledhatoja,
Flokët e shdritshëm erë mirë.
Sa shumë desha, fort ëndërroja!

Të t’i derdhja supeve të brishtë,
Aty ëmbëlsisht të dallgëzonin
Plot rreze, si aureolë e fildishtë.
Të flija mbi to, mos më zgjonin.

——————–

E PËRHUMBUR

Thua të jetë
Rraskapitës apo i mundimshëm
Kërkimi i kohës së humbur?
Jo një herë më ke pyetur.
Dhe ta kam dhënë
Përgjigjen e duhur gjithnjë.
Kurse ti si një fije bari
Ke heshtur.
Jo që s’më ke thënë kurrgjë,
Por ke mbetur e përhumbur.
Nuk e di në cfarë mendimesh.
Edhe pse e din mirë
Dhe e njeh
Dobësinë time
Që nuk të duroj
Aspak
Kaq të mbyllur e të largët.

——-

TË MË FALËSH

Tashmë që ke humbur gjithcka
Tashmë që nuk ke më asgjë
Ti më thua:
“C’mund të bësh ti për mua?”
E c’mund të bëj unë për ty!?
Zjarri që ti dhe unë kemi në shpirt
Përcëllon.
Ai nuk do të shuhet kurrë
I tilli do të mbetet
Edhe nëse na zhysin,
Në thellësi oqeanike.
Por ti ende vijon të më thuash:
“C’mund të bësh ti për mua?”
Nuk e kam të vështirë përgjigjem
Absolutisht jo.
Për ty do të bëja,
Atë që ti nuk do të mund ta bësh
E ke të pamundur
Nuk e bën dot për mua:
Pra të më falësh.
Dhe vetëm ti e di përse.

———

ENDE…

Hyra në të gjitha baret sonte,
Ku kemi pas ndenjur bashkë.
Dhe pse zemra fort ma donte
Asgjëkundi, jo jo nuk të pashë.

Eh, më njohën disa kamarierë,
Një barmen erdhi më përqafoj
Ktheu me mua një gotë verë.
Dhe unë s’di përse ende të kërkoj.

———–

KUR BIE SHI

Nuk e kuptoj jo dhe ende nuk e di
Më hanë gishtrinjtë penda më vlon,
Sa herë në Tiranë nis të bjerë shi,
Ritmi tij kujtimet e fjetura m’i zgjon.

Një përparse e zezë me jak të bardhë
Krela të verdhë që supeve dallgëzojnë.
Nga rrug’e Dibrës do jetë duke ardh
Ndën streh pres, ulluqet gurgullojnë…

————

 

ASGJË

Dashurin?

Po, po dashurin.

Asnjëri per nesh.

As unë

Dhe as ti

Nuk e ka marrë

Atë mjaftueshëm.

“Po”-të e mija

Si rrebeshi

I një shiu vjeshte

Rrëmbimshëm

E papushim

U derdhën rrugëve.

Dhe lanë aty

Pellgje me kërkesa.

“Jo”-të e tua

Mbuluan

Gjithë botën

Dhe e mbushën

Me depo refuzimesh.

Dhe ne patëm menduar

Se nisëm të jetojmë

Vetëm pasi

Kishim parë ëndrrën.

Por nuk kishim parë

Absolutisht asgjë.

Unë isha

Ai gjithcka

Kishte mbetur

Mes nesh.

Kurse ti

Ishe asgjëja

E asaj

Që nuk kishte

Ndodhur kurrë.

———

 

TAKIM

Hutuar krejt mbete si një gjimnaziste

Që s’ka mësuar e nuk thotë dot një fjalë.

Të vërtetën më thuaj, vallë ae prisje?

Pas kaq vitesh të gjendeshim përballë.

 

Fare nuk flet. Po përse hesht si sfinksi?

Që jemi dashur shumë, të gjithë e din.

Dhe pse dashuria jonë s’pati rrënjë lisi

Atë se rrëzoi dot as tufan edhe as suferin.

blank

TOKA NË LEJENJOFTIM (Dritëro Agollit)- Nga Skënder Karaçica

 

Ne kendej drinisë
mëngjeseve
sytë na shkonin mbi male
tokës i vinte era shqipëri
tokës në lejenjoftim.

Dritëro  Agolli dhe cigarja
ne kendej drinisë
na vlonte gjaku
ora e tij e jetës
si me dashtë shqipërinë.

Dritëro Agolli dhe toka
një nuse për nipin
atje në kosovë
poezia testament
për brezat shqiptarë
në Tiranë
dera e shtëpisë e hapur
për kosovarët e tij…!

Dritëro Agolli
lejenjoftimi i Tokës!

Çikago,më 3 janar 2023

blank

SHKENCË E PRANGUEME- Poezi nga YMER LLUGALIU

 

Aftsitë u rrethuen

nga intriga zingjir,

u zbehen pa rreze,

u mpaken pa ajr,

u molisën në pellg,

por nuk u dorzuen.

Aftsitë u ndeshen

me intrigen zingjir.

Shpata vringlloi

do shkendija vetuen,

por heshti drejtsija.

S‘ka ma i shurdhët se ai,

Që nuk don me ndegjue.

.

E njoh ktë shkenctar

gjigant dhe maniak

ndër libra germon

net dhe dit.

Në majen e pendës

gjuhën krasit

pipat e rij

le t‘i ngrohi dielli,

t’i freskojë era,

t‘i knelli vesa,

le të rriten fillak.

.

E zani s‘i ndihet,

emni s‘i shkruhet.

Ezaurimin e trunit

ja thithin diletant.

Që në tempull kanë zanë

nga nji kolltuk të butë.

Zgerdhiu perparim,

shigjeto ironi,

kolovitu në pelena shkencë,

kolopuçja shkencë

e atdheut me fasha në brez.

Rrëshen-Mirditë,1974

blank

SHALLI I LUTJEVE   POETË  HEBRENJ Interpretim i lirë:  Mimoza Erebara

 

2023, Tiranë / Onufri

 

Eshte nje vellim interesant qe sjell ne shqip nje poezi pak te njohur me autore moderne te letrsise hebraike. Ne fakt gjate procesit te strukturimit të ketij vellimi mendova se do ishte me mire qe autoret te viheshin sipas kronologjise se vitit te lindjes. Mendova gjithashtu se do ishte ineteresante qe te parfaqesoheshin edhe autore qe i perkisnin fillimeve te kesaj letersie, por gjate punes kuptova se per t’i sjelle denjesisht ne shqip ata, duhej nje pergatitje e madhe mbi njohjen e teksteve te shenjta per te kuptuar sa me mire idete qe percillen. E meqe nje gje e tille me mungonte, kam sjelle sa per ide vetem 5 autore te asaj periudhe, por qe kane rendesine e tyre ne vendosjen e themelit te letrsise moderne hebraikee ne te njejten kohe duke qene edhe mision i shenjte, duke e ruajtur gjuhen dhe konsitucionin shpirteror. Me tej vazhdoj me “baballaret” e kesaj letersie, me ata qe e revolucionarizuan kete letersi dhe per ta permbyllur me poetet bashkekohore, te cilet gjithashtu jane tejet intreresant.Per me tej eshte vezhgimi i shkurter historik qe i prezanton ata per lexuesin shqiptar, pjese e botimit. Mimoza Erebara

 

 

JUDA HALEVI (1085 – 1141)

O Zot!

O Zot! Emrin tënd

do të lëvdoj

Dhe mos u fsheh

Nga drejtësia jote

Unë kam dëgjuar,

Dhe besoj fort në ty,

As nuk do të pyes,

As nuk do të tundoj.

 

Shabat, dashuria ime

Përshëndes dashurinë time me verë dhe urime

Tri herë mirë se erdhe, Dita e Shtatë me gëzime!

 

Gjashtë janë skllevër -ditët e javës. Unë ndaj

Me ta kujdesje dhe,mundime

Megjithëse  barrat duken të lehta, unë i mbaj

Për hirin tuaj të ëmbël, Shabat, dashuria ime!

 

Në ditën e parë i mësuar në detyrë

Unë shkoj i kënaqur, as nuk kërkoj shpërblim,

Ruaj  buzëqeshjen tënde, gjatë gjithë kohës, dhe pres,

Ditën e bekuar nga Zoti, Shabat, dashuria ime!

 

A është dita e dytë e mërzitshme, dita e tretë e pandritur?

Ta fsheh diellin dhe yjet nga shikimi i ditës së katërt?

Çfarë më duhet mua, kush e ka dritën tënde,

orbitë e jetës sime?  Shabat, dashuria ime!

 

Tingëllojnë lajmet e gëzueshme të ditës së pestë:

“Nesër do të sjellë lirinë!”

Në agim si një skllav,në pragmbrëmje si  një mbret ,

Tryeza e Zotit pret, Shabat, dashuria ime!

 

Ditën e gjashtë zemra ime vërshon,

Çfarë prehjeje të lumtur do të njohë nata,

Kur në krahët e tu, mundi dhe mjerimi im

Janë harruar të gjitha, Shabat, dashuria ime!

 

Tani është muzg. Me dritë të ndritur, të kulluar

Nga një fytyrë e ëmbël, bota është e mbushur

Zhurma e zemrës sime është qetësuar

Sepse ke ardhur, Shabat, dashuria ime!

 

Sillni fruta dhe verë dhe uroni e këndoni të gëzuar,

mes thirrjesh: “Eja në paqe, o Dita e shtatë e bekuar!”

 

Himni për Ditën e Shlyerjes

Zot, shërbëtorët e tu të përulur dëgjojnë,

Lutës tani para Teje,

Ati ynë, nga lutja e fëmijëve të Tu,

ju lutem! Mos u ktheni!

 

Zot, populli Yt, i shtypur rëndë është,

Nga thellësia të përgjërohem;

Ati ynë, le të mos bëjmë gjë sot,

Qaj kot tani, para Teje.

 

Zot, fshije krenarinë tonë të keqe,

Të gjitha mëkatet tona;

Ati ynë, për hir të mëshirës Tënde,

Më fal, ju lutem!

 

Zot, nuk sjellim asnjë sakrificë,

Lutjet dhe lotët të përgjërohen;

Ati ynë, merr dhuratën që të bëjmë,

Zemra të penduara, para Teje.

 

Zot, delet e tua kanë ecur larg,

Mblidhini para vetes  ato;

Ati ynë, le të na dojë bariu Yt

Na udhëzo, ju lutem!

 

Zot, faljen Tënde për të gjithë

Që në të vërtetë, të lutemi Ty!

Ati ynë, gjatë  mbrëmjes

Tani gjeni hirin para Teje.

 

Zot, shërbëtorët e tu të përulur dëgjojnë,

Lutës tani para Teje;

Ati ynë, nga lutja e fëmijëve të Tu

Mos u ktheni, ju lutem!

 

EPHRAIM LUZZATTO  (1729 – 1792)

Tri vajza

Tri vajza ishin ulur

Rreth tryezës së saj

Ajo u lut te Krijuesi

Duke i  thënë:

“Më dhuro edhe mua djem

të lutem!”

Ai e dëgjoi dhe nxitoi pastaj,

Drejt saj,

Dhe ajo u ngjiz edhe një herë,

-Dhe lindi një djalë.

 

RACHEL LUZZATTO  MORPURGO   (1790 -1871)

As nuk kam bërë asgjë këtu që të më kishin futur në birucë (Zanafilla 40:15)

Oh, Lugina e shkretë

Oh! E shkretë luginë, shtrihet nën mjegull, errësirë, ​​

Deri kur do të më mbani të lidhur

nën pranga bronzi e me zinxhirë?

Unë do të doja të vdisja më mirë,

e të zgjidhja të banoja nën të Zotit hije

Se sa rri e vetmuar në thellësi të ujit që nga mali bie

Dhe kodrat e përjetshme t’i shikoj nga larg

Dhe lulet farfuritëse, me petalet e tyre shumëngjyrëshe

do të më dhurojnë përjetësi.

Unë do të marr krahët e shqiponjave, e do t’i ngre sytë,

Të vështroj diellin, e të ngre lart të prangosurin, ballin tim!

 

O qiej! sa të drejta përkëdheljet  tuaja mbi ballë,

Aty ku liria është, përjetësia patjetër do të shfaqet,

Ku erërat po fryjnë që tani, nëpër shkrepat tona në mal

 

NAPHTALI HERZ IMBER  (1856 – 1909)

Hatikvah / Shpresa

 

Për aq sa thellë në zemër

një shpirt hebre shumë dëshiron

dhe drejt Lindjes

sytë i kthen nga Sioni

shpresa jonë nuk do të humbasë

shpresa e dy mijë vjetëve

të jemi një komb i lirë në tokën tonë

tokën e Sionit dhe  Jeruzalemit

 

Hatikvah (hebraisht: הַתִּקְוָה, haTīqvā, [hatikˈva]; lit.‘Shpresa’) është himni kombëtar i Shtetit të Izraelit. Pjesë e poezisë hebraike të shekullit të 19-të, pasqyron dëshirën 2000-vjeçare të popullit hebre për t’u kthyer në Tokën e Izraelit dhe për ta rimarrë atë si një komb të lirë dhe sovran.

 

HAYIM NAHMAN BIALIK   (1873 – 1934)

Pas vdekjes sime

Di çfarë do thoni ju për mua:

Këtu është një burrë dhe një pamje, ai nuk është më

Ai vdiq shumë para kohës së tij

Muzika e jetës i ndaloi

Ah, trishtim! Këtu ka këngë të tjera për të,

Tani ai është i humbur,

Përgjithmonë.

 

Ah, dhimbje e madhe! Ai ka një violinë

E luan për t’i folur shpirtit

Që prej tij është zmbrapsur,

Sekreteve të zemrës,

Tingujt fuqishëm vibrojnë

Ai luan butësisht

me gishtat që kërcejnë

Mbi tela

Një të vetme melodi

Thellë, brenda zemrës së tij

 

Ah, trishtim!

Gjithë jetën e tij vrapoi drejt një kënge

Të qetë

Viteve për tingujt e

një zemre pikëlluese,

para se të pikëllohej vërtetë

Duke shpresuar se do ishte një dashnor

Ku zjarri i zemrës

Do digjte jo vetëm atë vetë,

Por edhe atë, që kurrë nuk erdhi.

 

E madhe kjo dhimbje,

Atje ku në vend të burrit- mbetet hija!

Ai nuk është më,

Muzika e jetës së tij ndaloi

Atje ku shkoi, një tjetër këngë ka për të

Tani ai është i humbur,

Përgjithmonë!

 

Vetëm

Erë e lehtë, në çdo gjë dritë e praruar

Këngë të reja pëshpëriten këtë mëngjes

Vetëm unë, zog i vogël, jam i detyruar

Nën këndin e Shekhina’s të hesht,të pres

 

Vetëm. Unë qëndroj vetëm këtë mëngjes

Në Shekhina’s-in këndthyer plot dritë

Dridhet zemra ime, unë e di, dhe frikën tret

Frikën e tejhumbur për të vetmin bir

 

U shtyva në çdo kreshtë drejt kërkimit

Dhe majtas e gjej në një qoshe të shkretë

Të fshehur si hije në shtëpinë e Studimit

Që në ditë-heshtje ndan dhimbjen e vet.

 

Shekhina’s-  fjale hebraike që do të thotë “banim” ose “vendbanim” i Zotit dhe tregon një vend. Ky koncept është i pranishëm në të gjitha fetë abrahamike, veçanërisht në judaizëm, krishterim dhe islam. Bibla hebraike përmend disa vende ku prania e Perëndisë ndihej dhe përjetohej si Shekhinah, duke përfshirë shkurret që digjej dhe renë që qëndronte në malin Sinai. Shekhinah shpesh përfytyrohej si një re ose si një shtyllë zjarri dhe quhej lavdia e Zotit

 

Bisku i tulatur  

Një bisk u tulat thellësisë së trungut

E në gjumë në palcën e tij u fashit

Kështu edhe unë në palcë të dimrit fjeta

Dhe fruti i ëmbël u poq gjatë lugut

– ç’të bëj tani me trungun tim në dritë?

Me biskun tim, ku mbahet fort jeta?

 

Fruti u poq dhe lulja gati iu harrua

Vetëm gjethja  nazike mbijetoi

Një ditë, nga këto të ashpra ditë,

Do çmendet dimrit shqota e tërbuar,

E do bjerë mbi lulen e pagojë

Ku në tokë do mbetet veç vdekje, hi

 

Netët memece në këtë çmendurirë

Pafundësisht ditës do t’i jepen

Pa përgjigje, duke më lënë shurdh,

Të vetëm, pa bisk, pa gjeth’, në errësirë,

Në palcën e ngrirë të trungut, në heshtje,

Kokëgjakosur pas të gurtit stoik mur.

 

Po, në rizgjim, në pranverë

Vetëm unë do jem zotëruesi, ai,

Që do hap zemrën e trungut që fle

Plot me bisqe të gjelbërt, gati të etertë,

pa gjemba gjakosës që në kërcell rrinë

Me të ëmblin frut  fshehur në gjeth.

 

SHAUL TCHERNICHOVSKY  (1875 – 1943)

Kredo

Qesh me të gjitha ëndrrat e mia pa kuptim!

Qeshni po unë do ta përsëris përsëri

se unë ende besoj fort tek njeriu,

ashtu siç besoj edhe tek ti.

 

Nga pasioni i etur i shpirtit të tij

lidhjet e lashta po derdhen: jetë!

sepse zemra ia dëshiron lirinë

sikur edhe buka për trupin mbetet

 

Shpirti im fisnik nuk mund të udhëhiqet

për hunde vetëm se aty me mua rri

sepse zemra ime beson e për njeriun nxitet

pasi prej tij ka lindur çdo fëmijë

 

Jeta, dashuria dhe energjia do të nxitojnë

në zemrat tona të fryhen dhe të rrahin,

derisa shpresat tona në parajsë të shkojnë

nga toka, nën këmbët tona, që kohën matin.

 

Shqiponja

Shqiponja! Një shqiponjë në male,

Një shqiponjë në male,

e lehtë dhe e ngadaltë –

Veç për një moment, ajo thjesht po kalonte pranë,

Deteve të kaltër lundrues, lazdrues,

që u zgjuan nën kënaqësinë e hyjnore

Nga zemra e diellit dhe e qiellit –

duke u rrotulluar pa fjalë,

në dritën e zjarrtë prore

 

Shqiponja! Një shqiponjë në male,

Një shqiponjë në male,

 

Trupi i hijshëm, pendët e errta,

krahët e gjerë dhe syri i ndritshëm,

Fluturon si një shigjetë me hark ajo,

duke u rrotulluar gjithë kujdes në qiell

Ndjekëse ndër shtigje e gjahut të ri

midis shkrepave e kërpudhave nën shi

 

Shqiponja! Një shqiponjë në male,

Një shqiponjë në male,

 

Rrëshqet hapësirash me prekje të mrekullueshme,

me krahë të mbyllur në qiell,

Ngrirë për një çast,

pastaj lëkundet si një gjilpërë e vetme, e ndriçueshme,

Ku dhe turbullimi më i vogël,

e çon atë drejt mjegullës në ag

 

Shqiponja! Një shqiponjë në male,

Një shqiponjë në male,

 

E lehtë dhe e ngadaltë,

duket në një çast ajo, që thjesht po kalon pranë,

Tokë, një shqiponjë është në male!

Nëpër fytyrën tënde hija e saj rrëshqet

Prej krahut  gjigand që përkëdhel,

malet e plotfuqishëm të Zotit që na sheh.

Voal.ch

blank

AKADEMIA E ZUZARËVE Poezi satirike nga Faruk Tasholli

 

Nga kohët e lashta kur dolën dituritë
Prinë njerëz të mençur bënë akademitë,
Çerdhe ku do ngriteshin me nderë dijetarë
Çerdhe që mbrapshtitë do t’i kthenin mbarë.

Por kush s’e ka prekur as kush s’e ka parë
Një akademi tjetër që prodhon zuzarë,
Zuzarë të lartësuar nga jugu e veriu
Që nga kokë e shkencës deri te bariu!

Ndër politikanë, klerikë, shkencëtarë
Ka po si nuk ka, me bollëk zuzarë.
Zuzarë që ta ndalin diellin në këtë jetë
Zuzarë që rrastë rrenën e bëjnë të vërtetë.

Zuzarë krye shtetit zuzarë parlamenti
Sa herë aty ngjiten poshtë rënkon vendi,
Zuzarë që s’i ndalë laurë as doganë
Zuzarë kokë urithësh që ta bëjnë hatanë.

Mos më thuani tash s’i njohim zuzarët
Që pas çdo beteje n’shesh dalin të parët?
Kur iu zihen pritat kthejnë kokën në bisht
Sa krenarë tërë jetën jetojnë zuzarisht!

O sa shumë na zgjati kjo stinë zuzarie
Ku s’njeh qeni t’zonë dreqi s’i bie n’fije;
Kur udhët e mbara i marrin shqiptarët
Shpatat nga këllëfet i qesin zuzarët!

 

blank

„Akademia e zuzarëve“ e autorit Faruk Tasholli – NJË KATARSIS ME THUMBA TË KËNDSHËM – Nga Driton Gashi

Recension për librin „Akademia e zuzarëve“ të autorit Faruk Tasholli
„Satiristi i mirë nuk mundet të peshojë, ai duhet të godasë“- shkruan gazetari, publicisti dhe shkrimtari i njohur gjerman Kurt Tucholsky në librin e tij „Fromme Gesänge“ (Këngë të devotshme“), botuar në vitin 1919.
Ky përkufizim i këtij autori të veçantë të letërsisë gjermane vlen padyshim deri në ditët e sotme: „Satira nuk duhet t’a kursejë askend, por të qëllojë secilin, nëse pretendon të jetë e mirë. Asaj i duhet provokimi, ekzagjerimi dhe thyerja e tabusë.“
Kurt Tucholsky me veprën e tij gjeniale më ra ndërmend duke lexuar librin e sapobotuar të poetit, publicistit e gazetarit tonë të madh Faruk Tashollit „Akademia e zuzarëve“. E mora para ca ditësh dhuratë nga autori dhe nuk kisha durim pa e lexuar me një frymë, me shumë emocione e me shumë të qeshura.
Një kënaqësi e vërtetë!
Një katarsis!
Një reflektim për fenomenet jo të mira që na përcjellin neve si komb këto vitet e fundit.
Një distancim emocional, duke i parë e përshkruar zhvillimet politike e shoqërore me një sy kritik, me një humor të këndshëm thumbues dhe me mjeshtërinë e duhur të një analize të thellë shpirtërore, në veçanti të të metave tona si komb.
Të shkruash në zhanrin e satirës, do të thotë të posedosh ndjesinë e duhur artistike të nivelit më të lartë dhe të jesh në gjendje që mllefin që ke brenda ta shndërrosh në humor. Gjermanët pohojnë se satira është „Königsdisziplin“ (disiplinë supreme) e të bërit art. Kjo aftësi e të shkruarit në fakt nuk mund të mësohet në shkollë ose në universitet, ose e ke dhuntinë nga natyra ose jo.
Faruk Tasholli dëshmon në këtë libër se si autor me përvojë tashmë ka arritur kulminacionin e tij prej krijuesi, duke argëtuar dhe thumbuar lexuesin me ironinë dhe sarkazmin e tij si për shembull në poezinë „Jemi popull fantastik“:
(…)
„Jemi popull rrimë nën hije,
kampion për kangë trimnie,
fluturojmë bre sipër reve,
tavolinave t’kafeneve!“
(…)
Ose me goditjet e forta në poezinë „Cirku politik“:
(…)
„Majë maleve t’Sharrit ç’po bie një tupan
A mbet kush n’Kosovë pa u ba politikan?
Sa për këtë zanat nuk duhet aq punë:
Kur bahet ai tjetri, pse s’e provoj unë?!
Ma mirë me m’thanë thiu se qe ky i ngrati
Gjithmonë mbret i botës mbeti vetëm fati!
A të shajnë gazetat e televizori
Po cilin prej marres jashtë e qiti vorri?!
(…)
Fenomenin e mizogjinisë tek shqiptarët Faruk Tasholli e përshkruan si vijon:
Burrni nëpër oda
Mos iu pickoi grajzi, nuk e tha veç hoxha:
„Gratë janë për kuzhinë e burrat për oda“!
Mirë kanë folë të mençmit: Kajtja ka korinë!
Shqiptarët në oda ndalën historinë!
Burrat musteqoka, burrat mjekërrgjatë
u mbyllën në oda vendosën për gratë,
vendosën për çikat me ka me çu dashni
kur me shku te burri kur m’u kthy n’gjini!
(…)
Përzgjedhja e temave nga autori duket të jetë e shumëllojshme. Por më shumë bie në sy përqëndrimi ke politika, si për shembull krekosja e politikanëve „me kravata rozë“, korrupsioni, paaftësia e tyre për të punuar si duhet, për të marrë vendime të dobishme për shoqërinë dhe për të çuar gjërat e rëndësishme përpara.
Jo vetëm politikanët, por edhe ne të gjithë e gjejmë veten pak a shumë në disa poezi, ndoshta edhe skuqemi pak nga turpi për disa të meta që kemi dhe me të cilat na konfronton Faruk Tasholli:
Lavdatat e tepërta që ja bëjmë vehtes sonë ose njëri-tjetrit.
Mbilartësimi i kombit tonë.
Xhelozia ndaj njëri-tjetrit.
Të qenit gjithmonë në rolin e viktimës dhe ikja nga përgjegjësia.
Joserioziteti në punë.
Përtacia.
Humbja e kohës së vlefshme.
Mendësia e stërvjetëruar.
Patriarkalizmi dhe mizogjinia.
Me të gjitha këto tema lexuesi ballafaqohet dhe argëtohet gjatë leximit të librit, por në disa raste edhe e qeshura i ndalet në fyt, pasi që autori ia arrin qëllimit të tij, si sensibilizimin për dukuritë negative shoqërore dhe demaskimin e botëkuptimeve rurale dhe mikroborgjeze, të cilat me dekada ose shekuj të tërë na përcjellin si komb.
Poezia satirike të argëton, të thumbon dhe nganjëherë edhe të dhemb.
Kurt Tucholsky, i cili nuk ka lejuar që t’i ndalohet shprehja e mendimit të lirë dhe për një kohë të gjatë ka jetuar në ekzil në Francë dhe në Suedi, zhvillimet politike dhe shoqërore në Gjermani i ka përcjellur nga distanca. Nga perspektiva e intelektualit të mërguar ai ka marrë pjesë aktivisht në diskursin publik në atdheun e tij dhe ka lënë pas veprat e tija të çmuara letrare, të cilat tashmë janë pjesë e trashëgimisë kulturore gjermane.
Edhe ne shqiptarët duhet të jemi krenarë që kemi intelektualë të kalibrit të Faruk Tashollit, i cili emocionalisht kurrë nuk është shkëputur nga Kosova. Në Aachen të Gjermanisë, një qytet me kulturë dhe traditë të lashtë, autori jeton dhe është integruar mirë tash tridhjetë vite. Ai shkruan poezi, prozë, publicistikë, satirë dhe tekste këngësh të njohura për këngëtarët më të mirë shqiptarë. Gjithashtu angazhohet në avansimin kulturor të komunitetit shqiptar.
Uroj që libri të ketë rrugëtim të mbarë, të lexohet sa më shumë nga të gjithë brezat dhe të nxirren mësimet e duhura. Autorit i uroj nga zemra shëndet e shumë suksese dhe e falënderoj për emocionet dhe kënaqësinë që na dhuron.
Faruk Tasholli
Akademia e zuzarëve
Poezi humoristike-satirike
LENA
Prishtinë, 2022
ISBN: 978-9951-29-184-2
blank

E FTOHTË DHE E ASHPËR- Poezi nga Franz Kafka – Përktheu Iljaz Bobaj

E ftohtë është dita sot dhe e ashpër.
Retë të ngrira,
erërat zvarritin të ftohtit.
Të ngrirë edhe njerëzit.
Hapat jehojnë si metal
mbi pllakat e bakrit
dhe retë vështrojnë
liqene të bardhë.
.
Në qytetin e vjetër janë ngritur,
shtëpiza krishtlindjesh me drita
dhe dritare shumëngjyrëshe që shohin,
në sheshin e vogël me borë.
Një burrë ecën heshtur,
në sheshin me borë me dritë hëne
dhe hijen e tij të madhe e fryn
era mbi shtëpizat.
.
Njerëz që kalojnë ura të errëta,
shkojnë me nxitim në meshë,
me dritat verbuese në duar.
Në qiellin gri kalojnë re,
mbi kishat,
me kambanare gjysmë të errëta.
Dikush, që mbështetet në mur,
sheh ujin e natës,
me duart e tij në gurët e lashtë.
blank

ËNDRRAT E MIA S’FLUTUROJNË MË- Poezi nga Besim Bokshi

Po më doli deti përpara
nga t’ia mbaj
.
Po më doli bora
gjurmët ku t’i fsheh
.
Vetëm shpezët e egra shpëtojnë
.
Ulërima po afrohet
Ëndrrat e mia s’fluturojnë më
blank

NATA PA FUND -Tregim nga SHKËLQIM HAJNO

Damo Kasneci ishte në moshë të tretë dhe tepër i thyer kur mësova kalvarin e tij. Ai rrinte më tepër i veçuar. Përtypte vetminë dhe kujtimet e së kaluarës në mokrën e vetëdijes.
Ç’mund të fshehë përtej palltos dimërore dhe kasketës prej meshini ky njeri, në barin e qytetit buzë lumit?

***

 

Si ish-partizan, në vitet e para pas pas çlirimit të vendit, Damo Kasneci pranoi të shërbente me devotshmëri, si deri dje në luftë, edhe tani në qelitë e burgut në qytet. “Ështe një vend pune për njerëz shumë të besuar,- i patën thënë ata të komandës së vendit, dy prej të cilëve i njihte, pasi i kishte edhe në komandën e formacionit partizan ku bënte pjesë pak vite më parë.
– Nuk t’u tremb syri kurrë nga armiku. Por tani pushtetin e kemi ne. Ti, Damo, je nga më të besuarit. Tani aty ka nevojë atdheu për ty. Të ruash armiqtë që po i fusim një nga një brenda në ‘shtatë penxheret’. Bashkë me ata që ngritën armët kundër nesh në luftë, edhe ata të pasur që e futën floririn pesë pashë nën dhe për të mos ia dhënë popullit. Tani, vrima e miut 500 grosh për të gjithë!- kishte përfunduar dhënien e detyrës Dalip Batareja, i ngrysur si gjithmonë dhe kërcënues po aq.

Këto i ndërmendte Damo çdo ditë, tek bënte shërbimin sipas turnit ditën, po më tepër natën.
Godina e burgut në qytet ishte një ish-kazermë e ushtrisë italiane, ngjitur me qytetin. E përshtatur për qëllimin e ri, me dy-tri porta hekuri të rënda, që nga hyrja e deri në thellësi. Sallat e dikurshme ishin ndarë në copëza qelish për të burgosurit në të dy krahët e një korridori të gjatë.
Herë pas here aty, te porta e madhe e ish kazermës, ia behte skuadra e armatosur që sillte të rinj të burgosur ose merrte dikë nga fatzinjtë që dergjeshin nëpër qelidhomat. Ata që dilnin prej aty dihej që zakonisht pushkatoheshin pas një gjyqi të shpejtë. Ata që hynin të rinj, ende nuk e ëndërronin rrugën e kthimit. Për Damon, të gjithë e kishin shpresën e jetës të stampuar në fytyrën e dërmuar.
Tani jetët e atyre që kapërcenin pragun e portës së madhe të burgut nuk i kishte më në dorë vetëm Zoti, si dikur, por pushteti i ri të cilit i shërbente Damo. Shumë prej tyre ai nuk i njihte, disa po. I njihte që para kohës së luftës, kur punonte si shegert në qytet dhe ca të tjerë, që ishin më të paktë në numër, i kujtoheshin nga koha kur adoleshent punonte në fshatin Dobër, si shërbëtor në konakët e fisit të dëgjuar e të kamur Babani.
U befasua kur, mes të arrestuarve të rinj, kamioni shkarkoi edhe tre të sapoburgosur. Që të tre të lidhur. Njerin Damo e njihte mirë, si pjesëtarët e familjes së vet. Ishte pikërisht ai që dyshoi kur e pa së largu, pas karrocerisë së kamionit: Bilbil Babani, djali i madh i Zijait. Ai kishte studiuar në Itali dhe, ende pa mbaruar lufta, ishte kthyer në fshat. Zijai, tani kishte zënë shtratin e dergjej nga një sëmundje e gjatë, por ishte shpallur një nga kulakët e parë, edhe pse i kishte ndihmuar formacionet partizane me ushqime.
Siç kujtonte Damoja, për ndihmën e tyre flisnin të gjithë në ato vise. Tani familjes Babani pushteti i ri i kërkonte florinjtë, me të cilët Zijai dikur bënte tregti me ullinjtë dhe lëkurët e krahinës te italianët në skelën e Vlorës ose në Itali. O florinjtë, o kokën! O florinjtë, o djalin!

***

Të pasnesërmen e mbërritjes në kazermëburgun në periferi të qytetit, Damo kishte radhën për të çuar ushqim në qelinë e Bilbilit. Të gjithë ishin nga dy e nga tre në qeli, bujtësi i ri ishte fillikat.
Sapo u dëgjua zhurma shpirtgërryese e portës së hekurt dhe pa kokën e Damos, i burgosuri i ri u qetësua dhe i bëri shenjë të afrohej. Damo e pyeti për plagën në kokë.
– Ke dhimbje?
– Kam po nuk ka rëndësi. Dua të të them diçka po nuk di një gjë?
– Çfarë nuk di?- tha me zë të ulët Damo.
– Kanë rrjedhur shumë ujëra këto vite dhe nuk di nëse mund të të hapem për një hall.
– Të më hapesh, Bilbil, ne njihemi. Jemi pothuaj vërsnikë, një moshë. Kam ngrënë kaq vite bukën e konakut tuaj. Nuk e harroj bukën se më zë sytë!
Tjetri i bëri shenjë të afrohej edhe më.
– Ç’të kanë thënë?- e pyteti Damo të burgosurin.
– Do të më pushkatojnë, ka rrezik. Po me një kusht, më kanë thënë.
– Ç’kusht?
Tjetri afroi gavetën e alumintë të ushqimit pranë këmbëve mbi çimenton e dhëmbëzuar të dyshemesë së italianëve. Pastaj vuri gishtin tregues te buzët si për t’i thënë “shshëët!”.
– Ma jep besën që të vazhdoj?!
– Për atë bukë që kam ngrënë në konakët tuaj! Më zëntë sytë po s’e mbajta! Fol!
– Më kërkojnë të dorëzoj floririn! Vetëm unë e di ku është fshehur. Dua të shkoj në shtëpi, të flas me ta, të paguajnë avokatin për gjyqin tim, që është pas pesë ditësh. Në të kundërt, unë shkoj si shokët në pushkatim, në plumb!- dhe pa nga tjetri.
Një fashë drite kishte rënë si vjedhurazi nga frëngjija e qelisë mbi fytyrën e Damos. Çehreja i ishte skuqur e nxirë dhe ngjante me ngjyrën e kuqërremtë të bronxit. Kishte dëgjuar sy e veshë i menduar dhe hoqi në shpirt.

– Mos more!
Tjetri pa ngultazi nga bashkëbiseduesi, si të shikonte fillin e shpresës së jetës në duart, sytë dhe mendjen e tij. Pasoi një heshtje e rëndë. Në korridor dëgjoheshin vetëm çizmet e gardianëve të tjerë dhe tingëllima e frikshme e hekurave të qelive, që hapeshin e mbylleshin me një zhurmë të kobtë.
– Mendoje mirë, Damo! Tani koka ime është në dorën tënde,- dhe vuri të dyja duart në kokë.- Do e bën, do s’e bën!
Damo e vështroi në kokërdhokët e syrit ngultazi dhe prerë.
– Kur? Kur thua ti? Dhe si? Si e mendon?!
– Nëse unë iki nesër natën për në shtëpi, në orën dhjetë, me besë rikthehem në burg në turnin që ke ti. Në orën pesë të mëgjesit. Pa zbardhur mirë, mua më ke këtu ku jam tani, në qeli. Këtu ku jam tani!

Damo nuk foli. U mbyll në shpellën e mendimeve të tij dhe, pas pak, mori për nga dera e hekurt e qelisë. Bëri tri-katër hapa dhe u kthye:
– Do të them prap, por… Bëhu gati për nesër në darkë! Arrin dot?- dhe e pa me dyshim. Tjetri i bëri shenjë pohuese.
Damo tërhoqi si një murg i regjur manastiri portën e hekurt të qelisë.
Mbylli dritarezën e komunikimit të portës me çelës nga jashtë dhe u largua i përhumbur, në drejtim të hyrjes.

***

 

Damo kishte kaluar qindra netë të rënda në jetën e tij. Por ajo natë iu duk më e rënda, më e gjata dhe më e kobshmja nga të gjitha. Edhe ajo nata e rrethimit të skuadrës në një fshat, kur ishte partizan, iu soll ndërmend tek priste me sytë nga ora. Ajo natë e zezë pus, si sot, vërtet i çoi te fija e perit jetët e të gjithëve dhe gjysmat e shokëve u vranë. Por kjo e sotmja ishte më e rëndë akoma.
Ishte një natë dhjetori afër krishtlindjeve. Jashtë rigonte një shi i butë dhe i ftohtë. Dritat e qytetit aty pranë ndriçonin zbehtë. Damo shtrëngonte armën e ftohtë mbi një kapotë të vjetër ushtarake dhe mundohej të bënte të njëjtat lëvizje rutinë si çdo natë, por një tyrjelë së brendshmi e bënte të mos e mbante vendi.

Po sikur të mos vijë? Po sikur ta kapin, ndoshta në fshat, apo sikur t’i kenë zënë një pritë tek hyn për te konakët e Babanit? Po sikur t’ia mbathë e të arratiset jashtë kufirit? Se unë vërtet e njoh si racë trimi që e mbajnë fjalën, por jeta është e shtrenjtë dhe koka nuk ka çmim! As me flori! Po sikur… Dhe pastaj unë të shkoj nesër në orën pesë të mëngjesit me këmbët e mia në vendin e tij në qeli! Me gavetën e tij prej alumini. Kokë për kokë. Unë që isha edhe i besuar! Ai i komandës e vlerësoi trimërinë time, se nuk tutesha në luftë, ndaj edhe më zgjodhi,- thoshte me vete, si me një zë të brendshëm, me një tjetër Damo Kasneci.
“Shoku Damo, ështe një vend shumë i besuar vetëm për ty. Ndaj komanda ka menduar të shkosh ti, si njeri që të njohim vetë në zjarrin e luftës dhe je i besuari ynë.”
Ato fjalë i kujtonte pothuaj çdo natë tek bënte shërbimin në burgkazermën pranë qytetit.
“Nuk t’u tremb syri kurrë nga armiku, po tani e morëm ne pushtetin dhe ti, Damo, je nga më të besuarit. Tani aty ka nevojë atdheu për ty. Të ruash armiqtë që po i fusim një nga një brenda në ‘shtatë penxheret’.”
“Mua më vunë si i besuar, që t’i ruaj”…
Ora tre e mëngjesit.
Ecejaket para portës së burgut, po ato. Ishin bërë mijëra, po t’i numëronte.
Befas i vetoi një zë që bërtiste brenda tij: “Ti Damo Kasneci, i besuari ynë do të ruash armiqtë atje në qeli. Ata që ngritën armën kundër nesh në luftë, edhe ata që ishin të pasur dhe e futën floririn pesë pashë nën dhe, vetëm e vetëm që ta shpëtonin nga pushteti popullor që erdhi nga malet. Tani vrima e miut, pesëqind groshë, për të gjithë!”
“O perëndi!,- tha me vete. “Po ky zë? Pas pak iu kujtua se ishte Dalip Batareja. Edhe ti, Damo? Edhe ti na dole armik, more kasnec i armiqve? Si nuk të njohëm dot as në luftë? Si ndodhi kjo, more djalë? Pa na e thuaj. Të zuri gjumi? Si ta morën mendjen? Si? Me para? Me flori? Me pasuri? Si u shite, Damo Kasneci? Si? Si ia dhe shpirtin shejtanit?”

Ora katër e mëngjesit.
Breshëritë e pyetjeve ia sulmonin kokën si mizëri arrëzash. “Për sa kohë vajtje-ardhje bëhet Dobra? Dy-tri orë vajtja, dy-tri orë kthimi. Ja gjashtë! Ja shtatë! Do ishte kthyer tani!”
Një tjetër zë i buçiste në vesh: “Ç’i bërë vetes, more Damo! Ç’t’u desh, more njeri? More në qafë familjen, gruan edhe dy djemtë. Të bukur si drita! Për se? Për një fjalë goje, se nuk fitove gjë! Ti qofsh, o njeri! Ç’hata i bëre vetes me dorën tënde, me kokën tënde! Vuaj burgun tani, se atë që kërkove, e gjete! Këtë kërkove nëpër male, kur vure kokën në rrezik? Kur t’u plagos shoku në krah dhe e more në kurriz nën breshërinë e plumbave të gjermanëve, rrëshqanthi deri te shpella? Këtë?!”
Iu bë se njësia e tij partizane ishte rreshtuar në një lëndinë plot me lule të bardha. Përpara doli ai, i tmerrshmi Dalip Batareja. “Damon, kasnecin e armiqve tanë, do ta pështyni të gjithë, një për një. Ish partizani i flaktë, sot u bë tradhtar, i shitur te armiku!”
Në këtë kllapi e sipër, sytë e lodhur nga pagjumësia i kapën për një grimë, një figurinë hije, tej në cep të kazermëburgut. U kthjell në çast prej ëndrrës së frikshme. Ishte ai. Sipas fjalës së lënë, ngriti njërën dorë lart, drejt qiellit. Kjo ishte shenja.
“Erdhi! O perëndi! Të përgjërohem që nuk më le vetëm!- tha Damo Kasneci dhe fiku për pak çaste dritën e jashtme që fekste dobët mbi ballinën e burgkazermës. Në atë gjysmëterr, tjetri hyri përsëri me këmbët e veta në portën dhe qelinë e ferrit.
Damo Kasneci pa orën.
Ishte katër e gjysmë e mëngjesit. Tridhjetë minuta para afatit. “Faleminderit që e mbajte fjalën”,- tha zëri i brendshëm.

***

 

Pas natës më të gjatë të jetës së tij, Damo mësoi javën tjetër se Biblil Babani u mbrojt nga avokati dhe u dënua me 12 vite burg si kulak, se nuk kishte dorëzuar floririn e kërkuar. Por e shpëtoi jetën. Avokati kishte argmentuar se familja e të pandehurit kishte ndihmuar ekonomikisht në mënyrë të përsëritur luftën kundër pushtuesit. Dhe për këtë kishte paraqitur prova që nuk mohoheshin dot.

Ç’mund të fshehë nga jeta e tij, përtej palltos dimërore dhe kasketës prej meshini ky njeri, që rri i heshtur në barin e qytetin buzë lumit?
Gojëkyçur, modest dhe i pabujë, Damo Kasneci, në moshën e tretë të pensionit, të kujtonte ato molusqet përfund detit që ruajnë në thellësi të tyre diamante të çmuara, që nuk këmbehen as me ar.

__oOo___

blank

Doli nga shtypi Sofra e fjalës të autorit Neki Lulajt Nga Namik Selmani, shkrimtar

Sot me 02.02.2023,doli nga shtypi përmbledhja poetike me titull „Sofra e fjalës“ e autorit Neki Lulaj,me banim në Gjermani,botuar nga shtëpia botuese“Lena Graphic në Prishtinë me redaktor shkrimtarin Namik Selmani, dhe faqosjen nga Laura Shulejmaja,libri është i dizanuar nga piktori Demush R. Avdimetaj dhe Uran Limani.

Të gjithë jemi në një mendje se dalja e një librit shqip apo dhe në çdo gjuhë tjetër në glob, është dhe duhet të jetë festë e vërtetë. E vogël ose e madhe. Me tryeza të shtruara apo me urime interneti.

Me ceremoni të thjeshta brenda familjes apo brenda kolektivit. Me fishekzjarrë apo dhe e prekur nga duart e miqve që me të gjithë gjuhët e botës urojnë autorin, botuesin. redaktorin, familjen e tij.

E thjeshtë ose e shënuar në disa ditarë, e fiksuar në kronika televizive apo në shkrime gazetash. Kur është fjala për librat e poetëve që jetojnë e punojnë jashtë atdheut, në mërgim, kjo festë është më e madhe.

Më rrëzëllitëse.
Më e ndritshme

Më naimjane se secili prej nesh, me një gëzim të veçantë shqipshkruesi që i gëzohet lastarimit të shqipes në Gjermani, në Amerikë Kanada, Zvicër, Greqi, Angli, Itali. Madje deri në Australi, Japoni apo në Zelandën e Re ku gëlon gjaku i shprishur i shqiptarit. Kam vite që punoj me vargun brilant të poetit kombëtar Neki Lulaj. E kam me vete frymën e vargut të tij, ehon e tij klithmuese apo me gëzimin e lumturisë së tij. Kam krenarinë e tij kombëtare, po edhe atë shqetësim atdhetar që ai ka në secilin varg kur flitet për qëndrimin ndaj atdheut. Neki Lulaj 6 Nuk e fsheh që jam i privilegjuar, i lumtur, krenar, i ngazëllyer që jam ndërtë parët që e lexoj kumtin e kësaj poezie. Pa mëdyshje, them se dhe poezia ime është rritur krah asaj të Nekiut. Si dy vëllezër siamezë që mbase mund të kenë të ndryshme shenjat e gishtërinjve për në kontrollin rutinor të doganave, po kanë të njëjtin shpirt. Janë ngjizur në të njëjtat troje. Meqë jemi te kjo karakteristikë e poezisë së tij, dua të them se asnjë poet në Kosova nuk e ka këtë çamdashje në poezitë e tij. E bashkë me jehonën e tragjedisë çame shumë herë në vargun e poezive të tij të ndjera si është poezia „Klithma çame“.

Pa ejani, ejani këtu, or miq, në Çamëri!
Nëse doni shqiptari.
Nëse doni Skënderbeun
Se na rrjedh nëpër deje
Një lumë me dashuri.
Merrni dashurinë e bashkimit me mëmëdheun!

Me atë humanizëm të pashoq që derdhet në çdo varg të tij. Me atë atdhedashje që lëvrin në secilin damar të poezisë së tij, ai i jep poezisë një pasaportë të veçantë që kapërcen gjithë Doganat e Shpirtit njerëzor. Ka një të vërtetë mjaft të bukur dhe emocionuese që tregon për pjekurinë e poezisë së tij. Mjeshtra të mëdhenj të fjalës artistike shqipen si Artisti i Popullit Reshat Arbana, Demir Gjergji dhe fjalëarti Çun Lajçi në Kosovë kanë recituar mjaft poezi të poetit Neki Lulaj.

Duke i dëgjuar e ridëgjuar apo duke i parë edhe në planin artistik videoklipet e poezive të tij, e sheh se sa vlerë merr poezia e tij. Një poezi që lumturon poetin Lulaj për atë. Që lumturon familjen e tij aq sakrifikuese për këtë rrugë të artit të tij. Ajo që ka arritur poeti na japë dhe neve miqve të tij apo dhe mijëra Sofra e fjalës lexuesve në mbarë trojet shqiptare apo në kurbet një krenari të ligjshme për rrugën e artit të tij.

Tek i dëgjon ato, tek ndjen zërin gurgullues të aktorëve të mëdhenj, të vjen pranë poezia e Neki Lulajt, herë si kushtrim mëmëdhetar, herë si varg i malltë, herë si krua, tek ndjen zërin gurgullues të aktorëve të mëdhenj të vjen pranë poezia e Neki Lulajt, herë si kushtrim mëmëdhetar, herë si varg i malltë, herë si krua që çurgon ëmbël, herë pishtar i vlerave të reja artistike që ta bën shumë të ngrohtë rrugën ta bën më të lumtur gjerbimin e kafesë apo i jep edhe më shumë shije kafshatëssë bukës që të dërgon te puna.

Që të dërgon te spitali ku ke njeriun tënd të afërt që do një këshillë mjeku, një fjalë psikologu e sytë e tu kaq të lutshëm, marrin më shumë dritë, forcë, që frymëzojnë jetën e në këtë sinorë që rrallë i prek në jetë bashkë me urimin ndaj aktorëve i thua kumbarit të fjalës shqipe Neki Lulaj: „T’u rritë dera, o mik i fjalës shqipe“!

Ka një pikë qëndrimi poeti në Ulqin. Në Ulqinin që ka si fjongo Adriatikun e bukur. Duke lexuar e rilexuar poezinë e tij, e kupton se historia e emocioni që të japin brigjet ulqinakë, ullinjtë që qarkojnë këtë qytet e mbarë bregdetin, e ndjen se poezia e tij ngjizet brenda historisë dhe legjendës.

E të duket se ti ke një shtrat për ëndrrat e tua në këto brigje që dikur ishin Porta e Adriatikut. Legjendat ulqinake janë nga më të bukurat e trojeve shqiptare. Aty ku dikur në kalanë e Ulqinit pat qëndruar edhe Miguel de Cervantes.

E poeti Neki Lulaj që e njeh bukur mirë kodin e poezisë botërore, e merr shpesh frymëzimin dhe nga këto legjenda. Neki Lulaj Një poezi që ka ngjitur në vite shkallë të larta edhe pse në jetën e tij ka patur edhe vështirësi dhe halle.

Mes tyre dhe poezisë është sfida e fituar e tij. Mbase dhe fabula e legjendës së Bjeshkës së Rumisë e tregon më qartë mesazhin e saj.

Në kohë të lashta burrat e Ulqinit shkonin në një ditë të vitit në majën e Bjeshkës së Rumisë me një gur të rëndë në shpinën e tyre të përgjakur. Donin ta vinin atë gur në majën e bjeshkës që të ishin sa më afër zotit për t‘iu falur më afër zotit. Duke mos e harruar as Krajën,dhe fshatin Brisk i poshtëm prej nga mendohetse ka lindur Gjon Buzuku dhe prej nga rrjedhë familja e Josip Relës.

Edhe poezia e tij ka ngjitur shkallë të reja si e tregon dhe ky libër që sot e kemi në dorë e që duhet të kishte ardhur dhe më parë në libraritë e bibliotekat tona.

Poezia e tij ka një llij zgjimi të Rilindjes së shkollës. Duke jetuar mes Kosovës dhe Gjermanisë me statusin e dekadave si mësues, ai shumë poezia ia kushton shkolës, përparimit që mund të japë dituria për një komb.

Ka rënë një heshtje në rrugën drejt shkolle
Do të pushojnë pak zilet me tringëllima.
Xhamat e dritareve me pluhur do të ngarkohen
Ikën nxënësit si zogjtë që fluturojnë në lëndina.
Shumë dorështrëngime shoh në prag ndarjesh.
Kujtimet ruajnë fort enigmat e viteve.
Prek buzëqeshje e trishta si varg malesh.
Patkonjtë djersiten në ditët e stinëve.

Poezinë e Neki Lulaj ka një maturi të jashtëzakonshme. Ka një gjeografi të gjërë e kudo që ai prek trojet lë gjurmët e shkronjës së bukur shqipe. Dua të jem i besueshëm që ai kudo ngren kurora vargërore të mbushura me emocion, ku nuk harron kurrë që të sjellë e të mbajë gjuhën e pastër shqipe. Sofra e fjalës Nëse do ta shikonim librin si bashkësi fjalësh shqipe, Neki Lulaj ka meritën e madhe që përdor mjaft fjalë të rralla leksikore që përdoren pak në Kosovë e aq më shumë në emigracion ku ai jeton prej vitesh.

E fjalori i përdorur nga ai nuk është vetëm ai i fjalëve që si relike vihen në trarët e shtëpive tona apo në banakët e klubeve shqiptare të mbushura me kafedashës apo dhe cigaredashës, po ai i vë natyrshëm në poezitë e tij. Vështirë që të gjesh në librat poetikë një poet familjar si Nekiu.

Si mjeshtër i portretizimit ai shkruan shumë për familjen, për babain e nënën, për zonjën e tij Fetanete, për fëmijë e për nipër e mbesa. Nuk duhet të çuditemi që në vargun e poezive të këtij vëllimi të kemi disa poezi për mbesën Florinë që u nda para kohe nga jeta, në moshën e rinisë së saj të bukur. Për nipërit Learti,Ledri dhe Ariani dhe mbesat Leandra, Luana,Aurela dhe Adrola.

Janë elegji të bukura, me vlerë encikloepdike ato që ai bën për të. Përtej pragut të familjes ai ngre përmendore poetike për mjaft personazhe të historisë, të artit të kulturës shqiptare. Edhe këtu ai ka bërë disa poezi për Ibrahim Rugovën që ai na e jep atë si personalitet të kulturës, të politikës, të poezisë së humanizmit. Të tilla janë poezitë ku ai flet për Pjetër Bogdanin, Ahmet Delinë, Fran Tanushin, Adem Istrefin,Jusuf Gërvallën, për Karl Gegën, Hasan Prishtinën, Sali Çeku, Gjon Buçaj, Basri Çabriqi, Elena Gjikën, Musë Hajdinin, për mësuesin e tij të parë që ai e quan me mjaft dashuri „Bacë“ E parë në mënyrë tërësore, poezia e tij është një buqetë për identitetin e shqiptarit kudo ku ai jeton në botë. Është një enciklpoedi e shpirtit të shqiptarit sa të vuajtur nga hallet që i dha historia aq dhe të fortë në mbijetesën e vet gjatë shekujve. Neki Lulaj Doemeos si përfaqësues i denjë i mërgimtarit shqiptar, poezia e tij nuk mund që t’i shmangej temës së mërgimit një sfidë që ka lidhje dhe me shqipen. Vargje të tillë të një poezie „Fjalët“ të bëjnë krenar e të rrënqethin gjer në palcën e palcës me mesazhin që ato japin:

Mik
Atje larg
Dielli i huaj
S`di si të jep shkëlqim
Në fletoret e tua
Merr ninullat e ëndrrave për së gjalli!
Qepallat u lodhën nga pagjumësia.
Përkëdhele gurin e tokës ku linde.
Merr përshtypjet e ditëve si kaltërsia!
Merr poezitë me vete
Që atje larg të prekësh rilindje!
Më tej në një poezi tjetër ai na e shpalos me ngjyra të tjera kurbetin
Këtu qielli dhe era janë të huaj
Zemra më vyshket në këtë mjegull deti
Lumturia është një këmishë e copëtuar.
Jeta leckë dhe mashtrim.
Asimilimi një egjër i vjetër.

Meritë e veçantë e librit të Nekiut është puna që ai ka bërë dhe bën me gjuhën. Është ai kod që duhet ta njohin poetët e vërtetë të çdo kombi.

 

Gjuha shqipe e shkruar në poezinë e tij Ndjehet e përkëdhelur, e ngrohtë. Sofra e fjalës 11 Edhe pse ai ka disa vjet larg Kosovës, larg vendlindjes së tij Bellës së Deçanit e Pejës, ai e mban të freskët gjuhën e vendlindjes, jo vetëm atë të komunikimit të përditshëm, po dhe fjalët e rralla. Ato që kanë ngjyrime të bukura për të ndërtuar figurat letrare. Janë këto fjalë që në një kohë të caktuar për të, por edhe për librat e botuara më parë mund të bëhen objekt studimi për gjuhëtarët.

Poezia e Nekiut ka një gjeografi të madhe të gjërë. Në këtë vëllim ai të dërgon në fshatin e lindjës në Bërliq, Deçan, Elbasan, Pogradec, Voskopojë, Prespë, Leskovik ,Përmet,Gjirokaster, Butrint, Sarandë ,Vlorë, Himarën, Manastir, Radoniq, Velani, Lumëbardh, Sharr, Shëngjin, Korçë, Belle, Paramithi, në Përroin e Batushës, në Lugun e Mrizit, Prizren, Elikon… E në çdo rrugëtim ai të njeh me historinë, lavdinë e betejave, me heronjtë e atdheut, me mallin e trojeve. Për një poet që jeton, shkruan, punon në trojet amtare kjo është mbase një gjë mjaft e zakonshme, madje e detyrueshme, por për një poet emigrant prej disa vitesh larg këtij trualli, kjo është një gjë e bukur, e lavdërueshme, obligative.

Kjo e shton mirënjohjen e çdo lexuesi kudo ku ai lexon këto libër. Nga ky thesar shkronjor doja të veçoja disa prej tyre shakllaben, çaçanik, lavroj, gërneçka, carani, kërrutur, xëx, agshol, sukë, çerjep, divanhane, galuc, flakareshë, majëkrahu, lazdrak, kokështjerrurit, etj Kjo i jep jo vetëm vlerë gjuhësore librit, por edhe vlerë të rrallë emocionale. Përtej këtyre temave gati universale si ato të vendlindjes, të luftës e të paqes, ai nuk harron se poeti nuk mund të bëhesh nëse nuk e ngjyen penën në temën e dashurisë.

Sa të ngrohta janë tpoezitë e tij me këtë temë. Vjen natyrshëm ndjenja për të.

Ti folenë e ke në kornizën e shpirtit që vuan
Dhe i jep gaz jetës e forcë të madhe dashurisë.
Ti rrufit jetën që të pret me mall të patreguar.
Ti, o imazhi i papërsëritur i gazit e lumturisë.
Eci pa u lodhur ditëve që vijnë plot diell e rreze
Plot lule, plot vrap, plot gaz që nuk mbaron.
Plot këngë që zgjojnë sa e sa mëngjese
Por edhe plot gjallëri e shi që parfumon.

Edhe nga forma ky libër ka një risi në krahasim me vëllimet e tij të mëparshme. Ai përdor poezi të ndryshme në formë ato me rimë që tregojnë se e njeh bukur mirë folklorin e kombit tone. Përdor vargun e lirë, vargjet e rimuar. Kjo larmi vargjesh e shoqëqruar edhe me një shqipe të pastër e pa gabime drejtshkrimore e bëjnë atë një libër të mirëpritur nga lexuesit.

Jeta e vepra e Nekiut tashmë si mik zemre më ka frymëzuar që në vite të bëj dhe mjaft poezi për të. Sot doja të kujtoja se ndjesia e poezisë së tij më kujton një fabul që ka ndodhur këtu e gati 100 vite më parë në një qytet të Austrisë. Mbase në Vjenën e valseve. Atë vit ishte një dimër i ftohtë, i borëruar dhe në qiellin e Vjenës po rralloheshin dhimbshëm zogjtë nga ngrirja. Kryetari i bashkisë së qytetit lëshoi një lutje, jo urdhër ligjor, që të gjithë qytetarët të hapnin dritaret e shtëpive të tyre e në dhomat e ngrohta të futeshin zogjtë e ftohur nga koha. Sipas tij qyteti i Vjenës nuk ishte më i bukur pa zogjtë e qiellit të tij. Dhe të gjithë e dëgjuan lutjen fisnike të tij. I futën në shtëpi dhe jetuan me to për disa ditë. Po, po, poezia e Nekiut është si një ngrohtësi qiellore që përherë do na e ngrohë zemrën. Sofra e fjalës

…Në një farë mënyre, përulem para sinqeritetit poetik të Neki Lulajt. Është një përulje që më bëhet një lloj pasqyre ku ti nuk sheh rrudhat e ballit tënd që t’i kanë vitet.

Ku ti nuk ndien trishtimin që të japin thinjat e shtuara, po sheh bukurinë e vargut tënd të pashkruar. Se vargun e bukur që ti e do të jetë jetëgjatë, të ëmbël, të bukur, nuk e bëjnë tastierat e kompjuterit apo të laptopëve të markës më të fundit, por e bën shpirti i madh i poetit, shpirti i njeriut. Është ai shpirt që sfidon verdhëllimin e parasë, çeqet e dollarëve apo të eurove, sofrat e mbushura me gjellë, pije e fruta.

E kur ai varg merr me vete dhe frymën tënde ti e beson se e vërteta është ajo prekje e dorezës së derës që, me një lëvizje të lehtë, të dërgon te rruga e zhurmshme ku ka makina avionë, tragete, lypsa, tregtarë, studentë, kriminelë, lajme luftrash. Apo një çast të fut te shtëpia jote ku ti mendon se të pret qetësia.

blank

Momente nga shtypshkronja „Lena Graphic“ ne Prishtinë

Boston, janar 2023

blank

Dëshmia nga Italia e poetit disident: Jam dëshmitar i shumë arrestimeve ‘në emër të popullit’ nga Sigurimi i Shtetit dhe pas çdo arrestimi, ne thoshim…

Rrëfimi i artistit Gëzim Hajdari: “Për momentin, nuk ka vend për mua në Shqipëri.

Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për çlirimin përfundimtar të Shqipërisë, që të realizohet ëndrra e Etërve tanë të vërtetë, Themelues të Rilindjes Shqiptare, ajo ëndërr që u shkatërrua gati njëqind vjet më pare, me një grusht shteti të maskuar nga ‘errësira’, për të rikthyer në pushtet agjentët e tyre”.

blank

Z. Hajdari, na trego pak për veten, origjinën, familjen?
Unë kam lindur në vitin 1957, në Darsìa. (Lushnje), në Shqipëri, në një familje ish-pronarësh dhe tregtarësh, pasuritë e të cilëve u konfiskuan gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Në vitin 1930, familja ime zotëronte dy dyqane në qendër të qytetit të Lushnjës, një makinë, qindra hektarë tokë, pyje dhe bagëti. Babai im u bashkua me rezistencën partizane, kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Pas Luftës, studioi në Tiranë si topograf – kontabilist. Punoi për disa vite në zyrën e Gjendjes Civile në Lushnje, qytet ku lindi edhe nëna ime. Nuria, është një grua e thjeshtë dhe bujare. U rrit me murgesha italiane, të cilat kishin një manastir pranë shtëpisë së saj. Prindërit e tij punonin si fermerë. Unë jam shumë i lidhur me Nurien, e cila është gjithmonë e pranishëm në punën time.

 

Kur gjyshi im, Veli Hajdari u shpall kulak, drejtuesit e Partisë Komuniste, vendosën të shkarkonin babanë tim. Shtëpia e gjyshit tim frekuentohej nga dervishët, anëtarë të vëllazërisë mistike të Bektashianëve, pjesë e së cilës ishte edhe familja ime. Babai im, punoi gjatë gjithë jetës si bari lopësh, në Kooperativën Bujqësore komuniste, duke marrë në fund të muajit nga shteti, paratë që i mjaftonin për të blerë bukën e përditshme.

 

Çdo mëngjes, kur shkonte në ara, në thes, së bashku me darkën, Nuria i vinte një roman që ta lexonte. Ai ishte një lexues i shkëlqyer, i donte klasikët rusë, francezë dhe anglezë. Netët e dimrit, na tregonte sagat që kishte lexuar ditën. Rreth oxhakut, në heshtje, ne fëmijët dëgjonim të magjepsur.

blank

Shpesh, na prekte rrëfimi i tij, në dritën e zbehtë të qiririt duke na lotuar sytë. Rrëfimi më prekës ishte historia e Ana Kareninës. Një herë nëna ime, duke fshirë fytyrën, i tha: “Mjaft Riza me këto romane, fëmijët u prekën”. Por ai nuk pushoi kurrë së rrëfyeri, atë që lexonte gjatë ditës, duke u kujdesur për qetë. Çdo mbrëmje, uleshim rreth oxhakut, duke pritur me padurim të dëgjonim një sagë të re.

blank

Pjesa tjetër e jetës sime, i përket luftërave për liri dhe demokraci në vendin tim, denoncimeve kundër krimeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe kundër abuzimeve e spekulimeve të regjimeve të reja të maskuara, zhgënjimeve, kërcënimeve me vdekje, arratisjeve, internimeve, dënimeve, heshtja nga mafia politike dhe kulturore e Tiranës; më shumë se dymbëdhjetë vjet, zanate të ndryshme si punëtor për të mbijetuar, si në shtëpi ashtu edhe në Perëndim, studime të pafundme, udhëtime në Afrikë, Azi dhe hemisferën jugore, duke dëshmuar realitete të ndryshme dhe të harruara, shpesh duke rrezikuar edhe jetën time.

blank

Keni filluar të kompozoni poezi në moshë shumë të re, si lindi ky pasion?
Fillova të shkruaj në vitin e parë të shkollës së mesme, në moshën njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetëvjeçare. Personi që më bëri të dashurohesha me poezinë, ishte gjyshi im nga babai dhe më pas babai im, i cili na recitonte ne fëmijëve, para gjumit, këngët epike kushtuar luftëtarëve legjendar si “Muji dhe Halili”, “Gjergj Elez Alia” dhe “Ajkuna vajton djalin e saj Homerin”. Ndërsa kënga popullore, më bëri të dashurohesha me xhaxhain e nënës sime, Selimin.

Kur isha në shkollën e mesme në qytetin e Lushnjës, flija shpesh me gjyshërit nga nëna. Kjo ishte kur moti ishte i keq dhe nuk mund të kthehesha në fshat. Në atë kohë preferoja ta kaloja natën me gjyshërit e mi të moshuar. Gjyshi më donte shumë, i tha mamasë se i ngjaj. Vëllai i tij, Selimi, e kishte bërë nizamin, (siç quheshin turqisht ushtarët shqiptarë që luftonin në emër të Portës së lartë të Stambollit), gjatë sundimit të osmanëve në Ballkan.

Ai kishte luftuar në Iran dhe Irak për disa vite. Duke mos u martuar, ai jetoi pjesën tjetër të jetës me kujtimet e viteve të nizamit. Çdo person që takonte, i tregonte për jetën e tyre si ushtar, në shkretëtirat e largëta. Historitë e tij më magjepsën shumë. Shpesh Selimi, pasi më kishte treguar për udhëtimet e gjata nëpër shkretëtira, për stërvitjet e sforcuara, për betejat e egra me armiqtë e Perandorisë Osmane, për vdekjen e shokëve të tij ushtarë, filloi të këndonte me një zë të bukur, këngët që tregoi për të gjitha këto.

Gjithmonë e kam mbajtur me vete dashurinë e këngëve të nizamëve. Derisa një ditë vendosa ta përkthej në italisht këtë trashëgimi të paçmuar të popullit shqiptar. Vëllimi “I canti dei nizam”, “Këngët e nizamit”, u botua në vitin 2012, nga “BESA EDITRICE”.

Cilët kanë qenë autorët e parë që keni lexuar dhe cilët kanë lënë gjurmë tek ju?
Veprat e autorëve që kam lexuar gjatë frekuentimit të viteve të mesme dhe të para të Gjimnazit janë: “Le Quartine” nga Omar Khajam; “The Gulistan” nga Sadi Shiraz; “Anna Karenina” e Tolstoit, tregimet e ÇEHOVIT; tekstet e Pushkinit, Sergej Yesenin dhe Edurad Bagriçkij, “Djalli” i Lermontovit, “Gjethet e Barit” të Ëalt Ëihman, “Lagjet e botës”, nga Janis Ricos, “Dekameron”, i Boccacio, “Lucretius”, De Rerum Natura; “Ferri” nga Dante Aligeri; Galsëorthy “The Forsyte Saga”; tregime të shkurtra nga shkrimtari indian, Krishan Chander; “Kuq e Zi”, nga Stendal dhe poezitë e Heinrich Haine. Këta autorë të mëdhenj, të përkthyer me mjeshtëri në shqip, kanë shënuar përgjithmonë fatin tim si poet.

Si e keni përjetuar marrëdhënien me pasionin tuaj, poezinë, në vitet e regjimit komunist?
Vitet e regjimit komunist shqiptar të Enver Hoxhës, do të mbeten gjithmonë mister për mua, por edhe për shqiptarët. Askush nga ne nuk e dinte se çfarë po ndodhte në zemër të pushtetit komunist, për të mos përmendur, kampet e internimit dhe burgjet. Asgjë nuk doli jashtë mureve të kufijve të diktaturës së proletariatit. Dhe ndoshta asgjë nuk do të dihet, duke qenë se gjysma tjetër e së vërtetës historike, fshihet në arkivat sekrete, tashmë të “pastruar” nga regjimet postkomuniste të Tiranës.

Pra, një poet si unë jetonte mes pasionit për poezinë dhe terrorit. Kur lufta e klasave u përshkallëzua, familja ime u etiketua “armike e Partisë Komuniste”, por kur lufta e klasave përjetoi një periudhë “pause” ne arritëm të jetonim pak më të qetë.

Unë jam dëshmitar i gjallë i shumë arrestimeve: “Në emër të popullit, ju jeni i arrestuar”, nga Sigurimi i Shtetit, Policia Sekrete Politike e regjimit. Pas çdo shtetasi të arrestuar, njerëzit pëshpëritnin: “Kush e di se kujt do t’i vij nesër radha”! Dikush mund të përfundonte edhe pas hekurave për, një “fjalë”, për një “metaforë” ose për një “ëndërr”.

Kam pasur shok klase në gjimnaz, Jozef Radin, djalin e intelektualit Lazër Radi, ish-politikan i përndjekur politik, i cili banonte në kampin e internimit të Savërit të Lushnjes. Herë pas here, para gjimnazit tim, kalonin vagonë ushtarake të ngarkuara me burra, gra e fëmijë të dëbuar. Ata erdhën nga të gjitha anët e vendit, për të kaluar pjesën tjetër të jetës në kampet e përqendrimit të qytetit tim. Ndërsa fugonët me xhamat e bllokuar nga hekurat, mbanin të burgosur politikë.

Ishte leximi i klasikëve që më “shpëtuan” dhe, në të njëjtën kohë, më zbutën vetëdijen si poet, në kohët e errëta të historisë shqiptare. Ndërsa peizazhi djerrë dhe mistik, i krahinës sime kodrinore të Darsisë më dha pak ngushëllim, në rininë time.

Kur vendosët të largoheni nga Shqipëria dhe cilat ishin arsyet që ju çuan në këtë zgjedhje?
Në dimrin e vitit 1991, isha një nga themeluesit e degëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane të qytetit të Lushnjës, parti opozitare dhe u zgjodha sekretar dege për republikanët në qytetin e sipërpërmendur. Unë jam bashkëthemelues i së përjavshmes opozitare “Ora e Fjalës”. Më vonë, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1992, dola kandidat për deputet në listat e Partisë Republikane, por nuk u zgjodha deputet.

Gjatë aktivitetit tim intensiv si politikan dhe gazetar opozitar, kam denoncuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur krimet, abuzimet, korrupsionin ekonomik e kulturor, si dhe spekulimet e nomenklaturës së vjetër të regjimit të Enver Hoxhës dhe të fazës më të fundit postkomuniste. Gjithashtu, për këto arsye, pas kërcënimeve të përsëritura, u detyrova, në prill të vitit 1992, të ikja nga vendi im.

Në fund të fundit, unë e kuptove se i ashtuquajturi ndryshim demokratik shqiptar, nuk ishte gjë tjetër veçse një lojë e pistë e vendosur tashmë në tavolinë. Nomenklatura e vjetër komuniste e Enver Hoxhës, me ndihmën e “forcave të errëta” nga përtej oqeanit, ka marrë sërish në zotërim fuqinë politike, ekonomike dhe kulturore të vendit të shqiponjave.

Të ashtuquajturit ish-politikanë të përndjekur gjatë komunizmit, në vend që të themelonin partinë e tyre, për t’i hapur rrugën një ndryshimi rrënjësor në administratë, shoqëri dhe shtet, preferuan të ndajnë pushtetin dhe plaçkitjen, me xhelatët e tyre. Kështu u vra përfundimisht ëndrra për lirinë, demokracinë e vërtetë dhe sovranitetin e Shqipërisë.

Si kanë qenë vitet e para si emigrant?
Vitet e para në Itali, ishin shumë të vështira. Unë isha tridhjetë e pesë vjeç dhe duhej të filloja nga e para. Nuk kisha asnjë cent në xhep, para se të largohesha nga Durrësi, i kisha në xhep paratë e biletës me një drejtim. Kisha humbur gjithçka. I rrahur.

Për të mbijetuar, më duhej të punoja si pastruese stallash, xheniere, punëtore, asistentë printeri. Dhe ndërkohë, isha duke ndjekur një tjetër fakultet për Letërsinë Moderne në Universitetin Sapienza të Romës, duke paguar të gjitha tarifat e universitetit, si dhe qiranë e shtëpisë dhe ushqimin.

Ishte fillimi i viteve ’90-të. Shqipëria në atë kohë identifikohej me prostitutat, vrasësit, hajdutët, përdhunuesit. Një poet si unë, duhet të jetë tre herë më i mirë se kolegët e tij italianë dhe ata që kanë ardhur nga vende të tjera. Pyetjet provokuese për mua, si njeri i kulturës dhe qytetar shqiptar, ishin rend i ditës. Gjithashtu më duhej të shkruaja në shqip dhe italisht, pasi nuk kisha lexues shqiptarë.

Përmbledhjet e para poetike, i botova nga xhepi im. Nuk njihja asnjë botues italian. U deshën para dhe kohë për të shkuar dhe kontaktuar me botuesit në qytetet e mëdha. Punoja nga mëngjesi e kthehesha në mbrëmje dhe nuk mund të bëja asgjë. Është rasti për të treguar një fakt të trishtë, që më ka ndodhur në muajt e parë në Itali. Në atë kohë, bëja punë të çuditshme si punëtor, punëdhënësit herë më paguanin, herë jo.

Në muajt e parë gjeta strehë te disa bashkatdhetarë të mi. Shtëpia ku ata jetonin, u ishte ofruar nga Bashkia, kështu që ata nuk paguanin qira. Këta zotërinj më pritën në fillim, pastaj një ditë më nxorën nga shtëpia. I kërkova të qëndroja edhe disa javë që të gjeja një punë që, të më lejonte të merrja me qira një dhomë, por asgjë…! Mbaj mend që trokisja nëpër qytet shtëpi më shtëpi, duke kërkuar punë, por njerëzit sapo dëgjuan fjalën “shqiptar”, mbyllën derën, duke më thënë: “Ik, ju jeni hajdutë dhe kriminelë”!

Ndoshta kishin të drejtë, në fillim të viteve ’90-të, shqiptarët pushtuan faqet e para të lajmeve të krimit, në gazetat dhe mediat italiane. Derisa një ditë, gjeta punë si punëtor në një kompani të vogël ndërtimi. Më në fund arrita të gjej strehim në një gërmadhë që, nuk ishte banuar për gjysmë shekulli, ku qiraja ishte e ulët.

Pse zgjodhët të jetoni në Itali?
Zgjodha Italinë, sepse popujt tanë kanë ndarë të njëjtin fat gjatë historisë. Italia ka qenë gjithmonë porta e madhe që lidhi Shqipërinë me pjesën tjetër të Evropës. Dhe pastaj gjuha dhe kultura italiane, kanë qenë gjithmonë shumë të njohura. Nuk duhet harruar se, letërsia shqipe ka lindur në latinisht.

Cilat ishin atëherë marrëdhëniet që kishte me klasën intelektuale italiane dhe si ishte pritja?
Vitet e para për mua, ishin vite të përpjekjeve të mëdha, vuajtjeve dhe ankthit të madh ekzistencial. Nuk kishte kohë për të qenë “intelektual”. Intelektualë në Itali dhe jashtë saj, ishin poetët dhe shkrimtarët e realizmit socialist nga Tirana, të cilët së bashku me kolegët e tyre, të përndjekur deri dje gjatë regjimit komunist, u emëruan atashe kulturor, ambasadorë, drejtorë të Fondacionit Soros, ose u “strehuan” në Shtëpitë Botuese në vende të ndryshme të Evropës. Ata pak poetë si unë që, denoncuan publikisht abuzimet, korrupsionin dhe trafiqet mes mafias dhe pushtetarëve, u etiketuan si “armiq të Shqipërisë”.

Për mua ishte të luftoja ditë e natë për të mbijetuar dhe ekzistuar në realitetin social dhe në kontekstin e ri kulturor. Më duhej gjithashtu ta mësoja gjuhën vetë dhe të lexoja shumë. Kam fjetur shumë pak. Unë refuzova një subvencion që më ofroi Komuna e Frosinones në fillim. Vendosa ta fitoj bukën e përditshme, me duart e mia dhe me djersën e ballit.

Në vitin 1993, një vit pas mbërritjes sime në Itali, botova përmbledhjen e parë dygjuhëshe, “Ombra di cane” (“Hije qeni”) me një botues të vogël, “Dismisuratesti”. Libri u prit shumë mirë nga lexuesit dhe kritikët. Më pas, vijuan “Erbamara” (“Bari hidhët”) dhe “Antologjia e shiut”.

Vetëm në vitet 1995-‘96, me botimin e “Sassi controvento” (“Gurë kundër erës”) dhe fitimin e çmimit të parë për poezi Ekstra, në Rimini, fillova të kem kontakte të shpeshta me botën e letërsisë. Ndërsa një vit më vonë, fitova çmimin “Eugenio Montale” me koleksionin “Corpo presente” (“Trup i pranishëm”).

Në vitin 2001, qyteti i Frosinone, më dha titullin “Qytetar Nderi”, për merita letrare. Meqë ra fjala, është me vend të falënderoj disa nga miqtë e mi intelektualë, si: Ciociarian si Amedeo Di Sora, Biagio Cacciola, Luciano Renna dhe Riccardo Mastrangeli, të cilët ishin pranë meje dhe me një ndihmë të madhe morale, në vitet e para të mërgimit tim Kiociarian.

Edhe pse në poezitë tuaja, perceptohet një zhgënjim i madh, Shqipëria është gjithmonë shumë e pranishme. Cilat janë marrëdhëniet që ka sot me Shqipërinë dhe me shqiptarët?
Mund të them se puna ime është një “enciklopedi” që përfshin aspekte të ndryshme të jetës, të ekzistencës, të misterit njerëzor dhe më gjerë. Rrugëtimi im njerëzor e letrar, i gjerë dhe kompleks, përshkon vende popuj, gjuhë, tradita, gjuhë, tradita, mite, legjenda, histori, gëzime, dhimbje, eros dhe thanatos.

Marrëdhënia ime me Shqipërinë dhe shqiptarët, zbret në kontakt me vendlindjen time, Darsìa dhe gjuhën amtare, të cilën fatkeqësisht sot një pjesë e kolegëve të mi po e masakrojnë në mënyrë çnjerëzore, sikur të mos mjaftonte një gjysmë shekulli terror, lufta e klasave, dënime, vrasje, kampe internimi, vjedhje pronash, bankë qendrore, pasuri të vendit, korrupsion, katastrofë mjedisore, trafik droge, shkelje urbanistike, shkatërrim të ekonomisë, administratës, gjendjes kulturore dhe shpirtërore.

Në poezinë tuaj perceptohet një universalitet i madh, kjo karakteristikë është e vështirë të gjendet tek të rinjtë bashkëkohorë, si e shihni rritjen eksponenciale të poetëve të bërë në Shqipëri?
Është herët të flitet për poezinë shqipe të të rinjve. Pas rënies së regjimit komunist të Enver Hoxhës, si në të gjitha fushat e jetës së përditshme, një farë konfuzioni mbretëron edhe në poezinë e brezit të ri. Do të duhen dekada për të kuptuar emrat e vërtetë dhe vlerat e vërteta poetike që do të jenë në gjendje t’i rezistojnë kohës dhe do të jenë pjesë e trashëgimisë letrare të kombit, si pjesë integrale e kujtesës kulturore të Evropës. Por mund të them se poezia femërore e brezit të ri, është më e mirë se ajo mashkullore.

Cili është “realizmi socialist” të cilit i referoheni shpesh?
I ashtuquajturi “realizëm socialist”, pra manifesti i artit partiak, është një metodë artistike dhe kulturore e lindur në Bashkimin Sovjetik në vitet 1930. Sipas këtij “kanuni”, vepra artistike duhej të kishte formë realiste dhe përmbajtje socialiste. Në Shqipëri, izolimi total nga pjesa tjetër e botës dhe mungesa e kontaktit me përvojat historike të avangardës letrare evropiane, e bënë marksizmin të vetmin parim estetik të poezisë dhe artit. E gjithë kjo, ndoqi diktatet dhe linjat e politikës kulturore të teorizuar nga doktrina marksiste-leniniste, e helmuar nga ideologjia dhe e marrë si model për një letërsi kombëtare dhe popullore, për vendet e Lindjes, e cila, në kundërshtim me idenë Gethean, i referohej një letërsie universale.

Për diktatorin Enver Hoxha, shkrimtari ishte thjesht një instrument në duart e Partisë për edukimin komunist të popullit, krahu i djathtë i pushtetit: për këtë arsye thuhej se: në Shqipëri, letërsia lindi në vitin 1941, me themelimin e Partisë Komuniste. Në fakt, ata që kundërshtonin këtë metodë, pushkatoheshin, burgoseshin dhe dërgoheshin në punë të detyruar për gjithë jetën. Gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, në burgje të ndryshme, u pushkatuan dhe vdiqën 148 intelektualë, artistë, shkrimtarë, poetë, politikanë, filozofë, juristë, përkthyes dhe profesorë të latinishtes e greqishtes. Poeti i fundit, i varur në trekëmbësh, ishte Havzi Nela, në vitin 1988. Terrori ishte një sistem, parimi mbi të cilin bazohej diktatura komuniste.

Ju konsideroheni si “poet mërgimtar”, e gjeni veten në këtë përkufizim?
Të jesh poet emigrant, nuk është një kufizim, por një formë globalizimi, na mëson komparatisti dhe shkrimtari i madh Armando Gnisci. Do të thotë t’i përkasim avangardës trans kulturore të Letërsisë Italiane dhe asaj botërore. Poeti mërgimtar i mëson të gjithëve, të jenë emigrantë, mërgimtarë dhe udhëtarë në një “qytetërim mestizo” në një botë që kreolizohet, për të ndarë së bashku fatet dhe të ardhmen. E ardhmja e gjuhës dhe e letërsisë italiane do t’u takojë pikërisht të rinjve mestizo, udhëtarësh, mërgimtarë e mërgimtarë, të cilët do t’i japin dinjitet gjuhës italiane, duke i rikthyer metaforat e saj një fije të vërtete dhe gjallëri gjuhës së saj të fjetur, të lodhur e të tredhur.

Si e përjetoni raportin mes gjuhës amtare dhe asaj të birësimit?
Unë shkruaj në të dyja gjuhët në të njëjtën kohë, kështu që jam një poet “poligam”. E torturoj veten shqip dhe shkruaj italisht dhe anasjelltas.

Sot jetojmë në epokën e migrimeve masive, çfarë mendoni për këtë fenomen?
Udhëtimi dhe migrimi janë pjesë e ADN-së së ekzistencës njerëzore. Në të vërtetë, historia njerëzore është bërë nga udhëtarët. Megjithatë, e gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me migrimin masiv të sotëm. Ky fenomen dramatik në mijëvjeçarin e tretë, është pasojë e politikave kriminale të politikanëve dhe pushtetarëve tanë të korruptuar, lakmitarë dhe luftënxitës, të cilët ia kanë shitur veten “forcave të errëta” që përfitojnë duke shkatërruar vende, ekonomi, tradita, gjuhë, kultura, shtete dhe shpresat për të ardhmen e njerëzimit. Qëllimi i keq është që kaosi, korrupsioni, zhgënjimi, luftërat e përhershme dhe gjaku i pafajshëm mes njerëzve, të mbretërojnë në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës. Ata që denoncojnë këtë situate, etiketohen si armiq dhe anti-evropianë.

Keni menduar ndonjëherë të ktheheni në Shqipëri?
Fatkeqësisht Shqipëria ime nuk ekziston më, ajo vetëm ka ndryshuar duart. Që nga lindja e komunizmit e deri më sot, Shqipëria në thelb, nuk ka qenë kurrë e shqiptarëve pasi, pas ideologjisë komuniste dhe qeverive postkomuniste, qëndron dizajni politik i “forcave të errëta”, të cilat ata nuk i kanë pasur kurrë dhe vazhdojnë të mos kenë interes në Shqipëri, duke qenë e lirë dhe sovrane. Nga ana tjetër, mënyra e tyre e të vepruarit, pasqyron plotësisht metodën e lashtë të “shkopit dhe karotës”.
Më lejoni të shpjegoj: karota përbëhet nga para, pushtet, poste dhe zyra ministrore – qeveritare, bursa, punë për veten ose në familje, çmime letrare, nderime, shtetësi nderi etj. Shkurtimisht, karota është çmimi i nënshtrimit që pothuajse të gjithë politikanët dhe pseudo intelektualët, si dhe njerëzit e kulturës dhe akademikët, e kanë pranuar me kënaqësi. Nga ana tjetër, shkopi është trajtimi i rezervuar për burrat e vërtetë dhe intelektualët e lirë, të cilët, as nuk janë nënshtruar dhe as nuk janë kompromentuar, me fuqinë djallëzore që lëviz fijet e kukullave.

Për momentin, nuk ka vend për mua në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për çlirimin përfundimtar të Shqipërisë, që të realizohet ëndrra e Etërve tanë të vërtetë, Themelues të Rilindjes Shqiptare, ajo ëndërr që u shkatërrua gati njëqind vjet më pare, me një grusht shteti të maskuar nga “errësira”, për të rikthyer në pushtet agjentët e tyre.

Kohë më parë, Shqipëria humbi aktorin e fundit më të madh Bujar Lako, e njihni njëri-tjetrin? Nëse po, cili është kujtimi i tij?
Nuk e kam njohur personalisht Bujar Lakon , i cili ishte aktor i lindur. Fatkeqësisht, aktorë si ai, përmendin vetëm një gjeni si Kadri Roshi, i cili ka lindur, jetuar dhe punuar nën regjimin komunist, ka qenë viktima e fatit të tyre: ata nuk kanë pasur mundësinë të konkurrojnë me botën e lirë. Por tashmë fakti që ai u shpëtua gjatë terrorit të kuq, ishte roli më i bukur që ai luajti në kinemanë mizore të jetës.

Gratë. Si i perceptoni ato dhe si e përjetoni universin femëror?
Për të shkruar nuk mjaftojnë vetëm përvoja, përjetimi i brendshëm, angazhimi, leximet, udhëtimet, përpjekjet, gëzimet e përditshme, poetit i duhen edhe femra lexuese. Sa më shumë femra “josh” një poet, aq më shumë vlerë merr poezia e tij. Vlera e poezisë së një poeti matet pikërisht nga numri i lexuesve femra që josh. Njohësi i vërtetë i poezisë nuk është kritiku, studiuesi apo akademiku, por gruaja. Vetëm lexuesja femër është në gjendje të vlerësojë nëse, një poezi ia vlen apo jo. Kështu që unë e përjetoj universin femëror, si poete por edhe si lexuese e poezisë së tyre…!

Si dhe ku e sheh të ardhmen Gëzim Hajdari? Dhe poezia?
E ardhmja? Shpresoj se po, dhe nëse e kemi, do të jetë poezia që fiton paqen, shpëton njerëzimin dhe ruan kujtesën, dhe jo luftërat e pista të Perëndimit. /Memorie.al/


Send this to a friend