Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare në të cilën pritet të votohet për formimin e Qeverisë së re të Kosovës me Albin Kurtin, kryeministër. Qeveria e re që pret miratimin nga kuvendi, është rezultat i marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i dha fjalën mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, i cili në elaborimin e programit qeverisës, Kurti tha se qeveria e tij do të jetë një “qeveri e kursimit të parasë publike”. Kursimet tha ai, kanë nisur me reduktimin e ministrive nga 21 sa ishin në qeverinë paraprake në 15. Kurse nga 80 poste të zëvendësministrave, ai tha se qeveria e tij do të ketë rreth 33 sosh.
Po ashtu, theksoi Kurti, kursimet do të përfshijnë të gjitha fushat, duke nxitur zhvillimin ekonomik, shtimin e vendeve të reja të punës dhe ndaljen e emigrimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet tjera evropiane.
“Në Kosovë sot ka më shumë tret të zi e të hirtë sesa treg të lirë. Ne këtë do ta ndryshojmë”, theksoi Kurti.
Ai tha se Administrata Tatimore dhe Dogana do të bashkohen për të lehtësuar mbledhjen e tatimeve.
Kurti premtoi se buxheti do të arrijë në 3 miliardë euro. Kurse sa i përket tregut të punës, premtoi mbrojtje të punëtorëve, duke synuar që punonjësit të punojnë nga 8 orë në ditë apo 40 orë në javë. Për të respektuar këto kritere, Kurti tha se do të rrisë numrin e inspektorëve të punës që do të garantojnë zbatimin e ligjit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullahaxha-Kollçaku ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Kjo seancë është ngjarje historike, në Kosovën e pas pavarësisë, sepse për herë të parë opozita ka fituar. Sot kemi për të votuar Qeverinë Kurti dhe koalicionin që aq shumë e pritën qytetarët tanë. Porosia (v.j e qytetarëve) sot do të vihet në vend”, tha ajo.
Ndërkaq, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se programi qeverisës i hartuar nga LVV dhe LDK është i koordinuar nga dy partitë, që sipas tij, prek të gjitha fushat.
“Sot kemi një program qeveritar të koordinuar i cili i ka të gjitha fushat e mbuluara. Ky program, i hartuar nga LVV dhe LDK është një program plotësisht i dakorduar. Por sot, jemi para jush me një program të koordinuar dhe me një listë për ministra shumë të mirë dhe jemi para jush të kërkojmë besimin tuaj për qeverinë e re”, tha Gashi.
Për formimin e qeverisë, janë të nevojshme të paktën 61 vota për, nga 120 deputetë sa ka kuvendi. Duke mos llogaritur komunitetet pakicë, LVV dhe LDK kanë së bashku 57 vota në kuvend.
Përderisa Lista Serbe, e cila në Kuvend ka grupin parlamentar prej 11 deputetëve është deklaruar se nuk do të votojë për qeverinë e re, shpresat e Kurtit mbështeten te votat e komuniteteve joserbe, përkatësisht komuniteti turk, boshnjak, rom, egjiptian e ashkali, që së bashku kanë 9 ulëse në kuvend.
Sipas një skenari që është paralajmëruar, seanca fillon me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarin e kuvendit. Në këtë post, pritet të vi deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Kurse kryetari aktual i kuvendit, i zgjedhur në seancën konstituive më 26 dhjetor, Glauk Konjufca, kalon në një pozitë qeveritare.
*Video: Kurti dhe Mustafa njoftojnë se kanë arritur marrëveshje koalicioni
Bazuar në marrëveshjen LVV–LDK, qeveria e re do të ketë 15 ministri. Prej tyre, nga 6 ministri do t’i kenë LVV dhe LDK, kurse 3 ministri u takojnë komuniteteve pakicë. Po ashtu, qeveria do të ketë edhe 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.
Në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë. rel
Komentet