Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Vetting-ut dhe dërgimin e saj për opinion në Komisionin e Venecias, kritikohet gjerësisht nga politika, në media e në opinionin publik.
Argumentohet se pezullimi ka qenë një vendim politik i paragjykuar, i shprehur para marrjes së vendimit, me qëllimin e vetëm për të fituar sa më shumë kohë, për të ruajtur sa të jetë e mundur ndikimin e politikës mbi sistemin e drejtësisë, si dhe mosndëshkimin e kastës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë shkatërruar nga themeli funksionet e drejtësisë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.
Institucionet e reja dhe rivlerësimi ka pasoja të rrepta e të drejtpërdrejta për drejtësinë dhe politikën shqiptare. Analiza e politikës shqiptare e viteve të demokracisë vë në pah faktin se opozita e tanishme kundërshton fuqimisht ndryshimin e institucioneve të drejtësisë dhe rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi ajo i ka pasur si mbështetje gjatë qeverisjes së saj, si maxhorancë apo si opozitë, në këto 25 vjetët e fundit.
Me të njëjtën forcë dhe objektiv, opozita akuzon publikisht se Qeveria në fuqi ka për qëllim të ketë nën kontroll institucionet e drejtësisë dhe direkt gjyqtarët e prokurorët, për të ruajtur pushtetin dhe shpëtuar drejtuesit e lartë nga dënimi për krimet e kryera, korrupsionin e gjerë dhe kanabizimin e gjithë vendit me anë të organizimit shtetëror, për të t’u pasuruar dhe financuar manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme, në qershor 2017.
Opozita vlerëson dhe mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit të Vetting-ut. Rimarrja e mendimit të Komisionit të Venecias argumentohet si hapi i duhur dhe në instancën e duhur që u shërben me aftësi të larta juridike mekanizmave shtetërorë dhe drejtësisë europiane.
Kështu do të korrigjohen antikushtetutshmëria e ligjit të miratuar vetëm me votat e maxhorancës, do të hiqen kriteret që ligjërojnë presionin politik të Qeverisë ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe vetë gjyqtarëve e prokurorëve, me anë të kontrollit nga organet e larta nga administrata shtetërore, do të garantohet pavarësia e organeve të drejtësisë, do të luftohet kriminaliteti dhe kanabizimi i vendit, do të vihen para përgjegjësisë fajtorët, përfshirë edhe drejtuesit e lartë shtetërorë në detyrë.
Qëndrimet politike kritikohen gjerësisht, duke u theksuar se ato përmbajnë akuza të njëanshme dhe me qëllime të paramenduara për përfitime politike, manipulohet me pasion për të çoroditur opinionin publik, krijuar me qëllim tensionimin e situatës politike për të shtuar pakënaqësitë e kundërshtimet e popullit kundër qeverisë, marrë padrejtësisht, mbështetje nga më shumë simpatizantë e të pakënaqur në zgjedhjet e ardhshme.
Vendimi i pezullimit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka bazë ligjore teorike dhe praktike juridike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përmbushur asnjë kusht të vendosur nga Gjykata e Drejtësisë së Komunitetit Europian, e cila ka përcaktuar kriteret që duhet të kenë parasysh gjykatat kombëtare nëse vendosin masën e pezullimit. Një gjykatë kombëtare, në gjykimin e pajtueshmërisë së normës kombëtare (kushtetutë apo ligj) me normën komunitare, mund të urdhërojë pezullimin në këto raste:
Së pari, duhet të ketë një dyshim serioz në lidhje me vlefshmërinë e normës që do t’i nënshtrohet kontrollit; së dyti, duhet të ekzistojë një urgjencë; së treti, urgjenca duhet të jetë e tillë që të evitojë një dëm serioz dhe të pariparueshëm që mund t’i shkaktohet palës kërkuese të masës; së katërti, duhet të merret parasysh, në mënyrën e duhur, interesi i komunitetit.
Gjykata Kushtetuese, në jurisprudencën e saj, kërkohet të marri një vendim të arsyetuar për dhënien e një mase të përkohshme pezullimi:
1. Pas një dyshimi të fortë për vlefshmërinë (kushtetutshmërinë) e normës së kundërshtuar, në prani të një urgjence.
2. Për të shmangur një disavantazh të rëndë, tepër të vështirë e pothuajse të pamundur për t’u riparuar, që është në dëm të interesave të një, apo më shumë personave, dhe/ose veçanërisht të interesit të përgjithshëm publik (shtetëror).
3. Duke vlerësuar me kujdes dhe vetëpërmbajte rastet kur implikohet një proces ligjbërës/ligjzbatues (me qëllim mospërfshirjen në lojërat e politikës).
4. Duke peshuar mirë avantazhet dhe disavantazhet që do të vijnë si pasojë e dhënies së vendimit në dritën e një përfundimi të mundshëm të çështjes themelore. Analiza e parimeve të mësipërme ligjore, natyrshëm nxjerr përfundim se asnjë prej këtyre kritereve ligjore e kushteve politike, shoqërore e sociale në të cilat ndodhet shteti i së drejtës, demokracia dhe opinioni publik nuk mendohet të jetë pasur në vëmendjen e gjyqtarëve, si dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ky përfundim argumentohet me faktin e thjeshtë, sepse në rastin në shqyrtim, nuk ekziston ndonjë prej tyre. Këto përfundime natyrisht do të kthjellohen sapo të publikohet edhe vendimi për pezullimin e ligjit të Vetting-ut. Ka edhe mendime të veçanta edhe më të avancuara. Argumentohet se shteti dhe drejtësia në Shqipëri janë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Prandaj, Reforma në Drejtësi, duhet kuptuar se bëhet në zbatim të nenit 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Shteti i së drejtës dhe demokracia funksionale, nuk arrijnë të luftojnë me rreptësinë e kërkuar gjendjen e vërtetë të kriminalitetit të organizuar. Përmasat e përhapjes së kultivimit e të kontrabandës së kanabisit, me gjithë përkushtimin që dëshmojnë Policia e Shtetit dhe Qeveria për t’i luftuar e parandaluar, mbeten problem për shtetin, mbrojtjen e rendit, zbatimin e ligjshmërisë, punësimin dhe edukimin.
Gjendja e drejtësisë është me të vërtetë e rëndë. Megjithatë, nuk ka arsye për të kërkuar referimin në zbatimin e nenit 17 të Kushtetutës. Nuk është realisht as gjendja e luftës dhe as situata katastrofike që do të impononte referimin në gjendjen e jashtëzakonshme dhe në kriteret e jashtëzakonshme e të rrepta ligjore kushtetuese të parashikuara shprehimisht.
Dokumenti i “Venecias” në përdorim mbetet aktual. Ai nuk lë shkak për ripërsëritje dhe rrëzon “alibinë” e argumentuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kriteret e njohura ligjore kushtetuese të Gjykatës së Drejtësisë të Europës, kuptohet se nuk janë respektuar. Por edhe nëse nuk do të ishin mbajtur parasysh këto elementë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese del se është në kundërshtim edhe me qëndrimin e shprehur qartë më parë të vetë Komisionit të Venecias për rivlerësimin e Vetting-un.
Komisioni i Venecias, më 12 mars 2016 është shprehur në mbështetje të Ligjit për Vetting- un. Ky fakt tregon se është i papranueshëm arsyetimi i kërkesës dhe tërësisht e pakuptueshme se përse Gjykata Kushtetuese vendosi t’ia çojë edhe një herë për vlerësim Komisionit të Venecias këtë ligj të analizuar gjerësisht dhe të miratuar nga Kuvendi. Në dokumentin e dërguar nga Komisioni Venecias thuhet shprehimisht se:
“54. Në lidhje me masat e jashtëzakonshme për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët, Komisioni i Venecias është i mendimit që këto masa jo vetëm që janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor.
55. Projekt ndryshimet e rishikuara marrin parasysh kritikat që ka bërë Komisioni në Opinionin e Ndërmjetëm. Varianti i ri i Aneksit është shkruar në mënyrë më të saktë dhe shumica e sugjerimeve të Komisionit të Venecias janë marrë parasysh. E gjithë skema është më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga vlerësimi”.
Ndërsa në konkluzionet e bëra nga Komisioni i Venecias, po të dokumentit të 12 marsit 2016, theksohet qartë se:
“86. Komisioni i Venecias përgëzon autoritetet shqiptare dhe sidomos ekspertët e Komisionit parlamentar ad hoc për punën që ka bërë në përgatitjen e reformës kushtetuese të gjyqësorit.
Gatishmëria e tyre për të marrë parasysh rekomandimet e Opinionit të Ndërmjetëm meriton vlerësim të veçantë.
87. Projekt ndryshimet kushtetuese përmbajnë propozime të qëndrueshme për strukturën e ardhshme institucionale të gjyqësorit shqiptar; teksti në tërësi është koherent dhe në përputhje me standardet evropiane. Komisioni i Venecias beson që projekt ndryshimet mund të finalizohen pa vonesë dhe t’i paraqiten për votim parlamentit”. Ky është opinioni i Komisionit të Venecias për Ligjin e Vetting-ut. Përgjigje e argumentuar juridikisht e konstitucionalisht.
Nuk ka asnjë ekuivok. Mënjanohet çdo keqinterpretim. Për këto arsye të drejta ligjore konstitucionale, kritikohet dhe cilësohet si i pakuptueshëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Vetting-ut dhe dërgimin e tij sërish në Komisionin e Venecias. E vetmja gjë që kuptohet dhe kritikohet publikisht është mendimi i përgjithshëm se vetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dëshmojnë se janë në konflikt interesi dhe janë të trembur nga Reforma në Drejtësi.
Me këtë vendim të dyshimtë, thjesht bëhen përpjekje të dëshpëruara për të fituar sa më shumë kohë për të mbajtur në këmbë një sistem të degraduar e kriminal drejtësie. Pezullimi kritikohet me forcë, me argumentet se ai dëshmon edhe manovrën e fundit politike të politikanëve të Qeverisë e të Parlamentit të mëparshëm.
Me çdo mjet të mundshëm bëhen manovra politike e ligjore për të shpëtuar ata që kanë kryer të rënda dhe kanë mbetur pa u gjykuar e dënuar duke u mbrojtur me pushtetin e fuqishëm autoritar që i kishin krijuar vetes dhe shfrytëzuar imunitetin e deputetit. Politikanët ndiejnë se do të merren në përgjegjësi penale dhe dënohen me rreptësi për krimet e organizuara shtetërore dhe korrupsionin e zhvilluar, duke pasuruar veten e bashkëpunëtorët e tyre.
Kritikohet publikisht e gjerësisht se pezullimi nuk do të ishte vendosur pa ndikim të forte politik dhe natyrisht pa mbështetje politike. Gjyqtarët që votuan për këtë vendim treguan se mbeteshin besnikë të atyre që u dhanë mundësinë për t’u emëruar në këtë detyrë të lartë dhe mirënjohës për privilegjet që gëzojnë. Me këto argumentime, si dhe në bazë të parimeve të pastra të ndërgjegjes juridike, arrihet në përfundimin përgjithësues, se gjyqtarët nuk kishin arsye që të merrnin atë vendim që morën.
Gjykata Kushtetuese kritikohet se me këtë vendim, nuk realizoi funksionin e saj kushtetues dhe dëshmoi se është thjesht e përbërë nga gjyqtarë politikë, një gjykatë politike, aspak kushtetuese dhe e painteresuar për të shembur sistemin kriminal të drejtësisë që është në këmbë, mbetet penguese e Reformës në Drejtësi. Vlerësimi objektiv kërkon që vendimi të analizohet edhe si zgjidhje ligjore në reagim të situatës politike, qëndrimeve publike e marrjes së mendimit të paanshëm.
Pa nënvleftësuar kritikat e drejta, ka rëndësi të nënvizohet me objektivitet edhe mendimi se “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë”. Gjyqtarët kanë bërë zgjidhje “të drejtë”, si dhe kanë dëshmuar edhe “qëllimin e mirë” për një “vendim të paanshëm”. Situata e rënduar politike nga qëndrimi i pozicionuar i Partisë Demokratike për Vetting-un, të cilit iu bashkuan edhe gjyqtarët e prokurorët, duke kërkuar të jenë palë në shqyrtimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ka imponuar edhe përgjegjësinë për zgjidhjen e bërë për pezullimin e zbatimit të ligjit deri në marrjen e mendimit nga Komisioni i Venecias.
Në këtë përfundim kanë ndikuar këto shkaqe kryesore:
1. Gjyqtarët kushtetues kanë ndier përgjegjësinë e madhe profesionale e institucionale para presionit të madh politik dhe publik.
2. Konflikti i interesit të gjyqtarëve kushtetues ka imponuar edhe domosdoshmërinë e marrjes së një mendimi të paanshëm nga Komisioni i Venecias.
3. Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese i argumentuar me mendimin e Komisionit të Venecias, edhe po të përsëriteshin argumentet e mëparshme, do të ishte më i besueshëm dhe do të kishte më shumë mbështetje nga opinioni publik. Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e saj janë nën presionin e hapur politik, mediatik dhe publik. Situata e rënduar, politika dhe polemikat e rrepta, do të duan kohë për t’u qartësuar.
Kjo është gjendja e politikës dhe mentalitetit të opinionit publik shqiptar. Kërkohet kohë për reflektime dhe formimin e ndërgjegjes së nevojshme politike e qytetare për rolin e gjykatës dhe detyrat e gjyqtarëve.
Rëndësi ka të vlerësohet se çështja vazhdon rrugën ligjore, vendimet nuk duhen paragjykuar, të respektohen kriteret procedurale dhe të arrihet në vendime përfundimtare të pakundërshtueshme dhe të besueshme që do të ndërtojnë institucionet e reja të drejtësisë dhe do të fuqizojnë punën e gjyqtarëve e prokurorëve.
Komentet