VOAL

VOAL

Përvjetori i mamasë! – Skicë nga Alfred Papuçiu

November 30, 2019

Komentet

NJERI I KOHËS SIME… POETI SALVATORE QUASIMODO DHE DËSHMORI SHQIPTAR… Nga Visar ZHITI

 

* * *

E nisa me këtë poezi të rëndë të poetit nobelist Salvatore Quasimodo, e përktheva siç munda, se është dita e tij… dhe njeriu duket se është trashëgimtar i asaj barbarie të lashtë, – akuzon Poeti, – pavarësisht përparimeve, edhe ato të tanishmet, marramendëse të shkencës. Kur vëllai i tha vëllait:

“Të shkojmë në fusha”, është fjala për atë historinë biblike të Kainit dhe Abelit, vrasja e parë mes njerëzve… që vazhdon, edhe pse ndryshe, me shëtitjet e tanishme, pa dalë nga shtëpia, ja, të hedhim një sy nga fb, këtë të vrasim me një status a koment… Edhe pse është lexuar Quasimodo, qoftë dhe kohë më parë, – do të thosha pa ironi, – del rishtas ajo ligësi që s’përmbahet edhe në përditshmërinë e paqtë, sikur kthetrat dhe brirët, kafshimet me dhëmbë janë bërë metafora…

Porosia e poezisë së Quasimodos mbetet thellësisht humane: njeriu duhet të mësojë të mos e përsërisë më tragjedinë e etërve dhe ligësitë e vetes…

RRUGA E POETIT

Do të desha ta nisja duke treguar prapë që dhe unë kam qenë në shtëpinë e Salavatore Quasimodo-s, në Modica, Via Posterla 84, në Sicilinë magjepse, është muze… aty lindi…si sot më 20 gusht 1901… pra, 125 vjetori i tij… është poet i dashur dhe në Shqipëri…

Poeti dhe studiuesi, enciklopedisti Moikom Zeqo, mik yni, që na iku dëshpërueshëm shpejt, kishte zbuluar se dëshmori shqiptar, Dino Kalenja, vrarë gjatë luftës nga nazistët në 1944, që shkruante dhe vjersha, ka patur njohje me Quasimodo-n, madje dhe letërkëmbim dhe na sjell një fotografi, dalë të dy në Viterbo, Itali. Dino Kalenja studionte në Akademinë Ushtarake ndërsa Quasimodo kishte studiuar në Shkollën Teknike dhe ishte bërë gjeometër. Po ç’i bashkonte këta të dy? – pyet Moikomi dhe përgjigjet: Poezia.

Do të ishte me interes kërkimi i mëtejshëm në këtë zbulim të tij, për të cilin pati dhe një artikull të para më shumë se një dekade…

Poezia na bashkon.

Teksa ecja në të përpjetën e rrugës për në shtëpinë e Quasimodo-s, lexoja vargje të tij, të shkruara në muret e vjetra:

ED È SUBITO SERA

Ognuno sta solo sul cuor della terra

trafitto da un raggio di sole:

ed è subito sera.

Poezi e famshme, universalë, që përmbledhin të gjithë jetën njerëzore: njeriu është i vetëm, – na thotë, – i ndriçuar nga drita e jetës, por shumë shpejt vjen mbrëmja, që s’ka pse të mendohet si fundi, – shtoj unë. Quasimodo me vetëm kaq pak fjalë përmbledh vetminë, bukurinë dhe dhimbjen e ekzistencës, përkohshmërinë dhe pafundësinë…

Në shtëpi e Quasimodo-s ishte dhe kjo poezi, dhe zëri i tij, “aspak hermetik”, i inçizuar, pashë penën, skrivaninë, orenditë, ndjeva frymën, heshtjen, shfletova njërin nga librat. Poezia e tij është hermetike siç shkruajnë kritikët? – pyeta veten.

…kur isha në Milano dhe bëja stazh në gazetën “Corriere della Sera”, kujtoj që gazetari dhe poeti Sebastiano Grasso, me të cilin do të bëhesha shumë mik, më thoshte shpesh se je aty, ku ulej Quasimodo…

Heshtja… Mos ishte dhe thirrja e tij, s’dihet ç’donte të më thoshte, që kishte njohur një shqiptar, që u vra në luftë… po dhe piktorin Ibrahim Kodra, ia pëlqente veprën, edhe kur luante me mandolinë për atë pjesën shqiptare: Dhëntë shkojnë për ujë, që Maestroja qëllimisht ia përkthente: Dhëntë zbresin nga Olimpi… Ç’kumt donte të jepte?… Po unë a t’i tregoja se ajo tercina e famshme e tij

“Ed è subito sera” kishte hyrë çuditërisht dhe në burgjet shqiptare, s’di se si, dhe e përkthenin të burgosur si t’u pëlqente.

Unë nuk doja ta humbte atë rimën e vetme dhe në shqip:

DHE MENJËHERË VJEN MBRËMJA

Secili është vetëm në tokë, te zemra,

i çarë nga një rreze dielli

dhe menjëherë vjen mbrëmja.

Kaq e shkurtër dhe kaq tingëlluese, kaq e përjetëshme, e bukur deri në pikëllim hyjnor. Të jetë ky thelbi i Quasimodos që nga heshtja dhe tragjedia e kohës, të kërkosh të nxjerrësh gjithmonë dinjitetin njerëzor, paqen dhe humanizmin… dhe poezinë.

Visar Zhiti

Figura poliedrike e Jusuf Buxhovit me rastin e 80 vjetorit shfaqet në një intervistë tek PRESSING T7

Figura poliedrike e Jusuf Buxhovit me rastin e 80 vjetorit shfaqet në një intervistë tek PRESSING T7

“Pasluftat e mia” – ndë librat më të diskutuar në Kosovën e tanishme- Nga Agnis Aliu

“Paslufta e mia”, që doli para pak kohësh, është libër kujtimesh, esesh, dëshmishë dhe e analizave politike, e para e llojit të tillë ndër ne që vjen nga një autor poliederik njësoj i sukseshëm në letërsi, historiografi dhe publicistikë (korrespondent shumëveçar i gazetës “Rilindja” në Bon të Gjermanisë). Si intelektual i “brezit të artë” të viteve të shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta, dhe pjesëmarrës i zhvillimeve politike në fundvitet e tetëdhjeta dhe ato të nëntëdhjeta (bashkëthemelues i LDK-së), Jusuf Buxhovi i trajton dy “pasluftat” e tij personale dhe të Kosovës. Të parën nga vitit 1946-1999 dhe të dytën nga viti 2000-2026. Titulli luan me fjalën “luftë” – jo vetëm lufta me armë, por “luftat” me politikën, me zhgënjimet socio-intelektuale dhe socio-politike.

Kur jemi të fjala “zhgënjim”, Buxhovi flet hapur për pritjet e mëdha të 1999-s (protektoratin deri te shteti i pavarur) dhe realitetin që erdhi pas: korrupsionin, nepotizmin, ikjen e të rinjve si dhe rrënimin e të gjitha vlerave të sistemit: arsimin, kulturën, shëndetësinë, e mbi të gjitha të shtetit të ligjit. Me këtë rast, autori analizon klasën politike, partitë, marrëdhëniet me Serbinë, BE-në dhe SHBA-në. Është kritik, ndonjëherë i ashpër, sidomos kur merr në shqyrtim dihominë drejtuese të protektoratit UNMIK-KFOR, që nuk i përmbushi disa detyrimet e marra nga rezoluta 1244 e KS të OKB-së e 12 qershorit 1999 ngaqë platforma e ndërtimit të institucioneve demokratike iu nënshtrua asaj të sigurisë, me ç’rast, prioriteti i të dytës ndaj të parës, nxori si partner politikë grupet paramilitare në veri dhe në jug, që morën pushtetin real edhe në rrethanat kur filluan zgjedhjet komunale dhe ato vendore, që për pasojë pati edhe vrasjet politike, kryesisht nga radhët e LDK-së, të shumtën të pazbardhura deri te koha jonë!

Natyrisht se vlerësimi bëhet nga përvoja personale si shkrimtar, publicist, dhe intelektual i shquar i dy “pasluftave”, ku e para shfaqet si ngritje, ndërsa e dyta, me shtetin – në rënie. Bie në sy se stili i Buxhovit eseistiko-publicisitik është direkt dhe pa doreza – thotë atë që mendon, pa e zbukuruar, me ç’rast përzien fakte me opinion, historinë me emocione. Gjë që fitohet përshtpja se është pesimist por i sinqertë sepse nuk sheh gjëra rozë, por siç e thotë, niset nga qendrimi i Morin it se inteletualët duhet të jenë kritik jo vetëm ndaj asaj që ka ndodhë dhe nuk është dashtë të ndodhë, por edhe ndaj asaj që është dashtë të ndodhë dhe nuk ka ndodhë.

Pse libri në këto rrethana është tejet i rëndësishëm?

“Pasluftat e mia” doli nga shtypi para një muaji me rastin e 80 vjetorit të lindjes së autorit (04.08.1946) dhe bëri bujë sepse ishte nga zërat e parë publikë që tha troç: “liria nuk u kthye në çlirim dhe parlamentarizmi nuk u kthye në demokraci”, pra “nuk jemi aty ku duhet të ishim një çerek shekulli pas lufte”. Me këtë diskurs të parin e llojit të till te ne, libri u bë referencë për ata që janë të zhgënjyer me tranzicionin, me shtetin si vlerë dhe jo si pronë e feudeve politike, ndaj ishte e pritshme hapja e debateve të mëdha në media dhe rrjete sociale.

Andaj, libri paraqet një vlerë për ata që duan ta kuptojnë Kosovën pas 1999-s jo vetëm me statistika, por me ndjesinë e një intelektuali që e ka jetuar. Në këtë mënyrë, Buxhovi nuk lë askënd indiferent., veçmas me konstatimin bazë se çlirimi nuk u kthye në liri dhe parlamentarizmi nuk u kthye në demokraci. Sa i përket kësaj të dytës, autori shpreh zhgënjim, meqë

kthimi i Kuvendit në cirk është ajo që i lëndon më shumë njerëzit.

Sepse Kuvendi duhet me qenë vendi ku zgjidhen problemet, jo ku prodhohen. Kjo është tejet shqetësuese, sepse humbet besimi kur qytetari sheh sharje, bllokime, karrige të zbrazëta dhe me të drejtë thotë: “për kë po votoj unë atëherë?” Ose “Ku po shkon ky shtet i krijuar me mundin, dije dhe gjakun e shumë brezave?”

Buxhovi e thotë se parlamentarizmi pa përgjegjësi bëhet teatër. Ndërsa mosbatimi i vendimeve të kushtetueses paraqet “puç të heshtur” institucional që shtetin e çon kah rënia. Andaj, kur Kuvendi bëhet vend për show dhe jo për punë, çlirimi mbetet vetëm formal. Liria reale e qytetarit varet nga sa mirë funksionojnë institucionet.

Sa për fund , mund të thuhet se “Pasluftat e mia” paraqet një vepër tejet komplekse, me kritika të ashpra ndaj klasës politike pse shtetin e pa si mundësi, që nëpërmes pushtetit, atë ta kthejë në plaçkë. Ndërsa parlamentarizmin ta kthejë në një cirk, për ta zhvlerësuar, siç po ndodh gjatë këtyre kohëve të fundit, për t’i krijuar alibi partisë në pushtet, që të instalojë një qeverisje autoritare, paçka se kjo paraqet një rrezik të konfrotimit me ndërkombëtarët, me SHBA-në dhe vendet e NATO-s, që e krijuan shtetin e Kosovës pasi që e çliruan nga Serbia me anën e ultima rastios në vitin 1999.

Ky pozicionim, ka rrezik që nga aspekti gjeopolitik me shumë të panjohura, Kosovën me trazira dhe përçarje të përhershme politike, nga subjekti politik pra i aleatit strategjik me SHBA-të dhe europianët që ishte deri vonë, ta kthejë në objekt për kusuritje! Kjo gjendje, do t’i shkonte për shtati Serbisë dhe retorikës së saj të njohur nga Çubrilloviqi, Gjorgjeviqi, Qosiqi e të tjerë se “shqiptarët as duan shtet e as që janë në gjendje ta mbajnë edhe kur u dhurohet, meqë kanë mentalitetin e fisit!”

KRYETARI I LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË DR. MUJË BUÇPAPAJ, PRITI NË TIRANË ZOTIN ADNAN MEHMETI, PRESIDENT I SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

 

Në fokus bashkëpunimi institucional dhe Edicioni i Pestë i Panairit të Librit Shqip në SHBA

Kryetari i LSHA-së, dr. Mujë Buçpapaj, priti Presidentin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmetin – në fokus bashkëpunimi institucional dhe Edicioni i Pestë i Panairit të Librit Shqip në SHBA

Tiranë, 19 gusht 2026 – Në mjediset provizore të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA) ne Qendren Kulturore “Nacional”, në Tiranë, Kryetari i saj, dr. Mujë Buçpapaj, priti në një takim zyrtar Adnan Mehmetin, Presidentin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, kryeredaktor i revistës Pena, organ i kësaj shoqate, si dhe themelues i Shtëpisë Botuese Adriatic Press.

Takimi u zhvillua në një frymë të hapur, institucionale dhe bashkëpunuese, duke u përqendruar në zhvillimet e jetës letrare shqiptare në diasporë, në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe organizatave të botës shqiptare të letrave, si dhe në projekte të përbashkëta me rëndësi për promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në hapësirat ndërkombëtare.

Gjatë takimit, Adnan Mehmeti i dhuroi bibliotekës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë disa prej botimeve të tij të fundit të botuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndër të cilat edhe librin Autorë dhe vepra, kushtuar krijuesve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, si dhe disa numra të revistës Pena. Këto botime do t’i shtohen fondit bibliotekar të LSHA-së, duke përbërë një kontribut të çmuar në pasurimin e dokumentacionit mbi krijimtarinë bashkëkohore shqiptare në diasporë.

Gjatë bisedës u vlerësua edhe roli historik i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e themeluar në vitin 2001 me nismën e prof. dr. Gjekë Marinajt, presidentit të saj të parë. Në drejtimin e kësaj organizate kanë kontribuar ndër vite personalitete të njohura të letrave shqipe, ndër ta i ndjeri prof. Naum Prifti, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj, Raimonda Moisiu dhe Mëhill Velaj, ndërsa aktualisht shoqata drejtohet nga shkrimtarja e talentuar dr. Yllka Filipi.

Panairi i Librit Shqip në SHBA, një projekt me dimension kombëtar

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua Edicionit të Pestë të Panairit të Librit Shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili pritet të zhvillohet në muajin tetor dhe ku, krahas Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, këtë vit do të jenë bashkëorganizatore edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës.

Kryetari i LSHA-së, dr. Mujë Buçpapaj, përshëndeti këtë nismë dhe shprehu kënaqësinë që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë do të jetë pjesë e saj, duke e konsideruar bashkëpunimin ndërmjet tri institucioneve si një hap të rëndësishëm drejt një koordinimi më të qëndrueshëm të jetës letrare shqiptare në hapësirat shqiptare dhe në diasporë.

Sipas tij, Panairi i Librit Shqip në Amerikë nuk duhet parë vetëm si një veprimtari kulturore periodike, por si një projekt me vizion afatgjatë dhe dimension strategjik, i cili, në kushtet e globalizimit dhe të transformimit të vazhdueshëm të industrisë së librit, mund të shërbejë si një platformë e rëndësishme e diplomacisë kulturore shqiptare.

Në këtë kuptim, panairi mund të shndërrohet në një hapësirë të qëndrueshme ndërveprimi ndërmjet autorëve, botuesve, përkthyesve, universiteteve, bibliotekave, mediave dhe institucioneve kulturore shqiptare e amerikane.

“Libri është një nga format më jetëgjata të kujtesës kolektive dhe një nga mekanizmat më efikasë të ruajtjes dhe përcjelljes së identitetit kulturor”, u theksua gjatë bisedës, duke nënvizuar se për një komb me një diasporë të gjerë si kombi shqiptar, politika e librit nuk mund të kufizohet brenda kufijve administrativë të shtetit.

Në këtë perspektivë, diaspora shqiptare duhet të konsiderohet pjesë organike e hapësirës kulturore kombëtare dhe Panairi i Librit Shqip në SHBA të konceptohet si një institucion kulturor me perspektivë afatgjatë, e jo thjesht si një manifestim i përvitshëm.

Dr. Buçpapaj shprehu gatishmërinë e LSHA-së për të thelluar bashkëpunimin me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, në funksion të promovimit të letërsisë shqipe, gjuhës shqipe dhe vlerave të kulturës shqiptare kudo ku jetojnë dhe krijojnë shqiptarët.

Adnan Mehmeti: Bashkëpunimi institucional do të vijojë dhe do të zgjerohet

Nga ana e tij, Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmeti, shprehu kënaqësinë për vizitën në Tiranë dhe për takimin me drejtuesit e LSHA-së, duke vlerësuar veçanërisht perspektivën e bashkëpunimit të përbashkët.

Ai përgëzoi dr. Mujë Buçpapajn për zgjedhjen në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe shprehu besimin se përvoja e tij në fushën e letërsisë, studimeve, botimeve dhe veprimtarisë kulturore do të kontribuojë në riorganizimin dhe fuqizimin e kësaj organizate.

Mehmeti vlerësoi gjithashtu veprimtarinë letrare dhe akademike të dr. Buçpapajt, duke e konsideruar përvojën e tij ndërkombëtare si poet, studiues dhe botues një mundësi të rëndësishme për forcimin e rolit të LSHA-së në promovimin e letërsisë dhe artit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, diasporë dhe në hapësirat ndërkombëtare.

Ai u shpreh veçanërisht i kënaqur për përfshirjen e LSHA-së dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si bashkëorganizatore të Edicionit të Pestë të Panairit të Librit Shqip në SHBA, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të mëtejshëm dhe të krijimit të veprimtarive të përbashkëta ndërmjet organizatave shqiptare të shkrimtarëve në të dy anët e Atlantikut.

Vizitë në Qendrën Kulturore “Nacional”

Në kuadër të vizitës së tij në Tiranë, Adnan Mehmeti vizitoi gjithashtu Qendrën Kulturore “Nacional”, ku u njoh nga afër me veprimtarinë e Radio Nacional, redaksinë e gazetës letrare dhe kulturore Nacional, Shtëpinë Botuese Nacional dhe Institutin e Studimeve Nacional, si dhe me hapësirat e Bar-Kafes Nacional, të konceptuar si një mjedis takimi dhe komunikimi për shkrimtarët, artistët dhe gazetarët shqiptarë.

Ai vizitoi gjithashtu mjediset provizore të LSHA-së, të cilat familja Buçpapaj i ka vënë në dispozicion pa pagesë të komunitetit të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, si një kontribut në funksion të ringritjes dhe konsolidimit institucional të organizatës.

Gjatë vizitës, A. Mehmeti vlerësoi punën e gazetës letrare dhe kulturore Nacional, duke veçuar nivelin e saj editorial dhe rolin që ajo ka marrë në promovimin e letërsisë, artit dhe kulturës shqiptare prej gati 20 vjetesh. Ai e cilësoi gazetën si një hapësirë të rëndësishme të komunikimit kulturor dhe të afirmimit të krijimtarisë shqiptare në botë.

Vlerësime të veçanta ai shprehu edhe për Botimet Nacional, për veprimtarinë e saj në botimin dhe promovimin e autorëve shqiptarë dhe për kontributin në ruajtjen, përhapjen dhe afirmimin e vlerave të kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Takimi dhe vizita u zhvilluan në një atmosferë të përzemërt, vëllazërore dhe njëkohësisht institucionale, duke konfirmuar vullnetin e të dyja palëve për ta shndërruar bashkëpunimin ndërmjet organizatave letrare shqiptare në një marrëdhënie të qëndrueshme, të koordinuar dhe me projekte konkrete në shërbim të letërsisë, artit, librit dhe kulturës shqiptare.

Dr. Buçpapaj e vlerësoi veçanërisht edhe veprimtarinë e Adnan Mehmetit si një prej figurave të spikatura të jetës letrare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përgjatë viteve, në drejtimin e tij vizionar dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të jetës letrare shqiptare në diasporën amerikane, në promovimin e librit shqip dhe në ruajtjen e lidhjeve të qëndrueshme të komunitetit krijues me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ky mision është zhvilluar shpesh në kushte të vështira dhe me mjete të kufizuara, çka e bën edhe më të çmuar përkushtimin e tij institucional dhe personal. Përmes veprimtarisë së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, revistës Pena, botimeve dhe nismave të ndryshme kulturore, Mehmeti ka kontribuar në krijimin e një hapësire të rëndësishme komunikimi, promovimi dhe afirmimi për autorët shqiptarë në SHBA. Njëkohësisht, ai është një poet, publicist dhe studiues i spikatur i letrave shqipe, me një veprimtari krijuese dhe hulumtuese që dëshmon përkushtim ndaj kulturës kombëtare dhe dialogut të saj me hapësirat letrare ndërkombëtare. Kontributi i tij përfaqëson një shembull domethënës të rolit që intelektuali dhe krijuesi shqiptar në diasporë mund të luajë në ruajtjen e kujtesës kulturore, në përhapjen e librit shqip dhe në forcimin e urave shpirtërore e kulturore ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, trojeve shqiptare dhe diasporës.

ARKIVOL PREJ LETRE- Prozë nga RUZHDI GOLE

Gjithandej pluhura, pluhurosur aq shumë sa udhës s’i dukeshin as sytë, as vetullat. Gropa, gunga dhe pellgje i afroheshin e i tinëzonin njera-tjetrës qytetthit nxirë, nxirë shpifur.
-Si the? Nxirë e shpifur? Mbylle gojën! Ky është qytetth minatorësh, pra, qytet i proletarëve.
-I proletarëve të pikur.
Si the? Të pikur ? Po i mbyll veshët. S’dëgjova asgjë.
*
Po vjen, po vjen ?- thërriste turma. Kush po vinte? Nga po vinte ? Nga udha pra, nga gropat. Por askush s’po vinte ende, akoma pritej…por nga e dinin të gjithë se do vinte dikush, dikushi që s’njihte këtu askënd?
Të këputurit po ngjiteshin lart nga nëntoka. Nga nëntoka ngjiteshin  lart lodhja, uria, frika e shembjes.
-Shpëtuam edhe sot, shpëtuam – tha një zë i trashë, i bjerrur e i drojtur.
-O Zot, çfarë errësire aty poshtë, …
-Cili zot? Ç’do zoti këtu? Ç’është zoti ?
S’dëgjova gjë, dëgjova sikur s’dëgjova.
Shtëllunga hapi krahët gjithë dredha e kërcunj, i mbështolli mirë e mirë kokekëmbë proletarët e fundit, sikur ua përpiu fjalët “nxirë e shpifur”, la mënjanë Zotin ose më mirë nuk e gjeti asku’ dhe ngadalë u tret tutje-tutje.
 *
  Njeriu zbritur nga makina, gjithë gongalla dhe rrotarrjepur po rrinte në mes te sheshit qarkuar nga disa ngrehina të mvrenjtura e të mavijosura. Askush s’e priste, e prisnin, por pa asnjë fjalë të ngrohtë, pa asnjë shtrëngim duarsh veç me një tundje të lehtë koke të stilit proletar.
I sapoardhuri nxorri nga xhepi i xhupit të vet një shishe uji dhe e piu nxituar. I shkrumbonte gjuha.
Gjithçka shkrumb nga dielli përvëlues. Diellit vet s’po gjente një burim të freskohej. Të sapoardhurit iu afruan dy njerëz me fytyra të ushqyera mirë.
Mbërritët … – foli ftohtë burri i parë.
Sapo mbërrita – iu gjegj i ardhuri.
U vonuat… – i tha frymori i dytë.
-Eh, rrugë e gjatë, e keqe…
-Rrugë jo aq e keqe – i foli burri i parë, -por ju vini nga kryeqyteti kështu që… Këtu jetojmë ne. S’jetojmë keq.
Ky proletar ështe atdhetari i parë që tradhëtonte veten pa e ditur se  e vërteta diku tjetër gajasej.Gajasej tek mendja e të sapoardhurit.
*
     Ç’dreq ngrehine kjo, – mendoi burri ardhur nga larg. Si një kolibe qensh. Sa i pagjumë jam…
Librat i rrinin përpara syve të zhubrosur, ca të shqepur e të shqyer, të shkelur.
-Shpëtuat, të mirët e mi, shpëtuat…
Kujt i foli njeriu me kaq dhemshuri ? Librave? Ata, sot, janë shurdhmemecë në këtë qytet’th me rreze dhe rrezik proletar. Kush do i lexonte, kush?
Dhe nëse Librat nuk shfletohen ata pak nga pak humbin shikimin, dëgjimin, verbin e shkruar.
Mbrëmë, gjer vonë, pas mesnatë ai u mundua t’i qetësonte librat. Edhe atyre u dhimbtte shpina,
edhe ata donin sa më shpejt të shplodheshin.
*
Vetëm fëmijtë e këtij qytet’thi i qeshën këtij njeriu kur erdhi. Vetëm ata e ndihmuan njeriun për të mbart
librat gjer tek kapanoni duke mos kuptuar se ata kështu ndihmuan jo vetëm librat, por edhe personazhet e tyre të mos flinin jashta natën tharë nga të ftohtit, gris’ nga era, squll nga shiu i papritur.
Natës, dikush, i derdhi qiri të shkrirë në vesh. Kush? Pse ? Nata s’bëzajti, nata veç ulëriu sa iu çpua timpani aq keq sa s’e mori veten gjer në mëngjes.
     Këtu askush s’lexonte. Këtu lexohej pak. Fëmijtë e shkollave flakëronin nga lojnat me rrasa e plasa,
njerëzit e nëntokës nxinin nga uria e lumtur, mamija dergjej vet në shtrat, klubi priste kupona mence
dhe më rrallë shumë rrallë bileta kinemaje. Qytet’thi luante shah, domino, pinte raki, mbllaçitej e villte.
   Vendaliu më i ri, u afrohej pa droje njerëzve, u tundtte lehtë kokën, tek-tuk ndonjë prej tyre ia kthente ftohtë, kalimthi, nxituar përshëndetjen. Përhera mbante dy-tri libra me vete, i shfletonte pak, lexonte duke ecur.
-Ky qenka i rrjedhur – foli njeriu veshur me mushama.
-I rrjedhur, i parrjedhur por ai di të lexoje kurse ne memzi hedhim firmën tonë – foli tjetri çizme rrjepur.
Pak, shumë pak njerëz i afroheshin këtij dituraku. Tepëronin dy-tri gishta po t’i numëroje. Merrnin ndonjë libër, e kthenin edhe të njollosur.
Dituraku, rreth të shtatëdhjetave, nuk dilte kurrë pa libër nga ngrehina. Njihte ca nga shkrimtarët e këtyre librave qysh në fëmijëri. Ku jetonin tani ata?  Ca të gjallë e ca… Jo, jo, nuk ka shkrimtarë të vërtetë të vdekur. Besojeni këtë !!!
Mërzia po ntrashej tek njeriu i lexuar. Ai ulej tek mensa, pinte kafe, përkulte kokën mbi libër një kohë të gjatë. E harronte Librin aty, bënte sikur e harronte. Ia kthenin të nesërmen, s’ia kërkonte kush për ta lexuar, sadopak.
O, qytet’th i palexuar, qytet qymyri, kush e ka fajin për analfabetizmin tënd në kohën e mendjes – shpejtësisë më reaktive ? Asnjë faj nuk është i yti.
Vendaliu më i ri filloj të nxirrte çdo ditë libra nga vandaku i tij. I shpërndante gjithandej, tek dega e një peme, tek guri më kokëmadh natyror, dy tre libra ia dha banakierit për vajzën e tij studentë filologjie.
Disa fletë libri i vërviti në ajër mbi ujërat e lumit, i vinte keq që po lageshin, po squlleshin, po iknin arratisur, po të paktën peshqit diçka do lexonin, diçka do të lexonin pemët, zajet e zogjtë.
O marrëzi e njeriut, ti vdes e jeton mes librave !…
Vendaliu i ri , pak nga pak, po ikte nga kjo jetë bashkë me Librat. U shtri në mes të ngrehinës, zgjati gishtat andej-këndej, merrte Libra, Libra, Libra, mbulonte veten në frymën e fundit …
Në këtë qytet’th, në vendin tonë prej rrezesh e prej rreziku, ndoshta dhe në botë ky ishte dhe është i vetmi arkivol prej letre.

NJË PAPA, KATËR LEBËR DHE DY VENDAS- Tregim nga SHKËLQIM HAJNO

 

Baaam…
Baaam…
Baaam…

Kambana e kishës  çau heshtjen e shurdhët nën atë kupë qielli që zotëronte krejt fshatin kufitar.

-Ç’është kjo kambanë? Kush ka vdekur?-pyeti Mane, më i madhi i barinjve lebër që dimëronin prej vitesh të imtat ndanë fshatit.-Ç’të jetë?!- pyeti më tepër veten në kasollen pranë nomesë sesa tre barinjtë e rinj .

-Kushedi, kanë zakonet e tyre fetare- tha njeri.

-Jo. Kjo është kambanë vdekje. E njoh mirë  këtë kambanë zije se kam vite  në vërri. Kësaj ane të fshatrave të krishtera.

Këmbana mortore nuk pushonte në intervale të njejta dhe pauza të gjata.

Intervalet e ndërprera përcillnin përzishëm dhimbje.

Baaam…
Baaam…
Baaam…

-Beco, zbrit poshtë te shtëpitë dhe pyet ku është kësolli.

Ai që quhej Beco u nis drejt shtëpive.

***

Pas pak, të lehurat e qenve të stanit u shpeshtuan dhe u bënë më të egra.

  • Ç’kanë? Bibi, dil e shih, mos hanë njeri!-iu drejtua Mane djaloshit tjetër.

 

Në bregoren pranë nomesë u shfaq befas rasoja e zezë e priftit të atyre anëve. (silueta). Në dorë mbante një stap. Qentë kërcyen më egërsisht me lehje të pandërprera.

-Urdhëro Papaa!. Mos kij frikë se i mbajnë djemtë!

-…Balooo!Boll tani! Murro! Hë, mjaft!- u dëgjua nga nomeja më i moshuari i barinjve.

Të katër lebërit e nomesë i dolën përpara. Në praninë e tyre, qentë u qetuan.

 

-Mirë se erdhe, Papa! Mirë se na urdhërove në stan!-tha Mane.

 

-Faleminderit o njerëz të Zotit! Erdha se kam, nevojë për ju…Për të katërt.

-Për hair!…

-Po. Kam nevojë për të katërt. Ka vdekur një i moshuar në këtë fshat që po soset  pak nga pak nga frymët e të gjallëve. Nga familja e të ndjerit, tani, ka mbetur gjallë vetëm plaka. Fillikat.Tetëdhjet e pesë vjeçe. Askush tjetër.

 

Të katër barinjte e ndiqnin me vëmendje e respekt rrëfimin e njeriut të Zotit.

 

-Nga tre të gjallët e vetëm që kishin mbetur deri dje në këtë fshat,   tani, kanë mbetur, dy: Plaka e të ndjerit  Dhroso që i kishte shkelur  nëntëdhjet e tetat  dhe Niko, një tjetër i moshuar, i vetmuar, rreth të nëntëdhjetave…

 

-Ngushëllime për të pasmit!-tha Mane.

-Faleminderit! Po tani kemi nevoje që të hapim varrin për të ndjerin !

– Papa, na ke gati  !- tha më i moshuari.

-Të ndjerin, e kemi njohur-shtoi. – Bile, i shpinim edhe qumësht në shtëpi çdo herë që vinim me kope për dimërim.

 

Në nome ra heshtje.

 

-Varrin do ta hapim ne. Na thuaj se kur duhet?-tha Mane.

 

-Zoti ua shpërbleftë, o njerëz të mire! Po të mundeni, që tani se koha, nuk pret. Se dua  do të bëj edhe meshë mortore në kishën e fshatit.

 

Mane hodhi sytë nga të rinjtë si të kërkonte një mendje.

-Patjetër,-tha i pari.

-Patjetër,-u hodh i dyti dhe i treti.

Papai u ndije i vlerësuar  dhe i kënaqur nga të katër të huajt.

 

-Zoti i madh ua shpërbleftë në të mira për familjte tuaja!-tha njeriu i perëndisë duke bërë  disa herë kryqin në ajër.

 

Papai priu. Të katërt e shoqëruan për nga fshati.

Nomeja mbeti pas.

 

***

 

 

-Djema, o njerëz të zotit. Më kuptoni. Pas gropës…dhe punës me të, ju dua përsëri të katërve. Do shkojmë në kishë. Dua të bëj meshën e përshpirtjes për të ndjerin Dhroso.

Mane, desh t’ë thoshte: ç’meshëzeza do bësh me katër veta dhe kishën bosh, por ndërroi mendje.

 

Peqe, Papa!(kup.pop.labëri: “dakord.”) Na thuaj dhe, pas na ke!

– U dua që të vini edhe ju në kishë. Të them dy fjalë përcjellje për të ndjerin…Le të jemi një grusht njerëzish. Zoti, nuk na numëron.

 

 

 

***

Atë ditë, porta e kishës ishte hapur që herët.

Që nga kandilthirësi, disku metalik me rërë dhe qirinj të ndezur, përhapej aroma e njohur e thimjanit dhe livanit përzier me lagështirën e mureve dhe çatisë me dërrasa guri.

Tre të rinjtë shikonin nga Papai dhe Mania duke i imituar ata në ritualin e vendosjes së qirinjve  në diskun me rërë të kandilthirësit. Aroma e qirinjve të ndezur për shpirtin e të ndjerit, u bëri përshtypje barinjve lebër që qëndronin në këmbë me nga një qiri të ndezur në dorë.

Era që frynte nga jashtë u jepte hark flakëzave të arta të qirinjve siç harkohet bari nga rryma e ujit pranë burimeve.

Në oborr nuk kishte njeri. Vetëm një qen plak i shushatur që i gëzohej frymës së njerëzve duke tundur bishtin.

Në shenjë ngushëllimi, Mane iu afrua të zonjës së hallit, plakës së ve që po qante me dënesë në rreshtin e parë të ulëseve të drunjta të sallës.

Silipitiria*(gr.ngushëllime!)”, Mana!Të të rojnë ç’ke!-dhe i vuri dorën në sup.

Tre të tjerët që nuk dinin asnjë fjalë greqisht, iu afruan gjithashtu plakës të ngjyer në të zeza që nuk dinte asnjë fjalë shqip.

-Ngushëllime! Silipitirja!

-Ngushëllime! Silipitirja!

-I paharruar! Silipitirja!

E brengosur, me duart e holla e të reshkurar, mana i takoi me një ndjenjë mirënjohje dhe habie bashkë. Bri saj, i moshuari tjetër me një shkop në dorë, qëndronte i pikëlluar.

Evloghitós o Theós imón pándoteI bekuar është Perëndia ynë, gjithmonë, tani e përherë e, në jetë të jetëve. Amin.”

Liturgjia e përmortshme kishte nisur.

«I Shenjtë është Perëndia, i Shenjtë i Fuqishmi, i Shenjtë i Pavdekshmi, mëshiro-na.»

Kryqi në duart e Papait, çante hapësirën gjysmë të errët të kishës.

„Evloghitós o Theós imón pándote…Sot përcjellim me lutje vëllanë tonë në Krisht, i cili pasi përmbushi udhën e kësaj jete dhe arriti moshë të thellë, kaloi nga kjo jetë në jetën e amshuar….”

Mane me kokën unjur dhe  kasketën në dorë shikonte në një pikë nga figurat e  ikonostasit të vjetër. Edhe tre të rinjtë kishin mbërthyer vështrimin nga ikona e Shën Mërisë me shprehjen plot përdëllim.

Fjalë e priftit dukeshin se dilnin jo nga goja e tij, por nga pamjet mistike të ikonave të gdhendura në dru dhe me një djenjë hipnotike sikur depërtonin drejt e në veshët dhe shpirtin e secilit.

O Perëndi i shpirtrave dhe i çdo mishi, Ti që e shkele vdekjen, e rrëzove djallin dhe i fale jetë botës sate, jepi prehje shpirtit të shërbëtorit Tënd,  Dhrosos në vend të ndritshëm, në vend të gjelbër, në … Vetëm Ti je pa mëkat; drejtësia Jote është drejtësi e përjetshme dhe fjala Jote është e vërteta.”

Në fund të shërbesës, Papa shpalli:

-Eonía i mnimi!(gr: I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!)

 

Në çast Papai sheh nga katër barinjtë që qëndrojnë në heshtje disi të hutuar, sepse nuk kuptojnë asnjë fjalë. Papai e kalon fjalën shqip.

-Vëllezër, sot jemi pak në këtë kishë. Por Zoti nuk i numëron njerëzit siç i numërojmë ne. Para Tij nuk ka turmë e vetmi. Ka vetëm zemra. Vetëm zemra.

-Ju të katërt erdhët nga stani, nga mali, nga bagëtitë tuaja. Nuk e njihnit mirë këtë burrë. Por erdhët. Dhe kjo, është një e mirë që Zoti e sheh.

Pas përfundimit të shërbesës, Papai  u kthye nga lebërit:_

-Tani është radha juaj.  

Të katërt u ndanë si nga një komandë e padëgjuar, dy nga dy në krahët e arkëmortit.

Përkulen të heshutr dhe e ngrenë duke e nxjerrë nga kisha.

Pas tyre, në atë copë udhë drejt varrezave, as dyqind metra larg, korteu I  habitshëm  mortor me  katër lebër, dy vendas dhe një Papa dukej si në një kumt në lëvizje i një epoke të panjohur.///

 

***

 

‘Hardhia’ frymore e njeriut- Nga Fatmir Terziu

 

E lexova poezinë e Ruzhdi Goles dhe menjëherë pas leximit më erdhi dhe komenti i kritikut Pirro Loli që shkruante pak por saktë “Bukur Gole!“ Në këtë pikë ndjeva se vërtet ekzistojnë dhe ka poetë që hyjnë në letërsi pa bërë zë. Ruzhdi Gole i përket këtij lloji. Ai nuk ndërton poezi për t’i recituar në tribunat e famës, por për t’i lënë të rriten ngadalë në kujtesën e lexuesit, ashtu si hardhitë që nuk tërheqin vëmendjen me trungun, por me frytin. Për këtë arsye, poezitë e tij janë bërë pjesë e bankave të shkollës dhe auditoreve universitare, sepse mbartin atë cilësi të rrallë që nuk e konsumon koha: mendimin.
“Hardhi frymore” është një prej atyre poezive që duken të thjeshta në leximin e parë, por sa më shumë i afrohesh, aq më tepër të largohen nga shpjegimi i zakonshëm. Ajo nuk rrëfen një histori. Nuk përshkruan një peizazh. Nuk ndërton një dramë klasike. Në vend të tyre, ndërton një udhëtim të ndërgjegjes.
Poema hapet me një paradoks të madh: “Sonte i kemi hipur një veliere / po det nuk ka…”. Në pak fjalë, poeti rrëzon gjithë logjikën fizike për të ndërtuar logjikën ekzistenciale. Veliera nuk është më mjet lundrimi mbi ujë; ajo bëhet metaforë e dëshirës njerëzore për të ikur nga vetja. Por nuk ka det. Nuk ka hapësirë ku mund të arratisesh. Kjo është një nga figurat më të fuqishme të poezisë bashkëkohore shqiptare: njeriu kërkon udhëtim, ndërsa bota nuk i ofron më horizont.
Në këtë pikë, Ruzhdi Gole afrohet me filozofinë ekzistenciale. Arratisja nuk dështon sepse mungon guximi; dështon sepse njeriu nuk mund të largohet nga vetja. Çdo velierë mbetet e ankoruar në ndërgjegje.
Më tej, poeti ndërton një kontrast të pazakontë midis aventurës dhe shtëpisë.
“Në shtëpi vonë kur të shkojmë…”.
Kjo nuk është kthimi fizik në banesë. Është rikthimi në të vetmen hapësirë ku maskat bien. Jashtë mund të jesh çfarë të duash; brenda shtëpisë mbetesh ai që je.
Dhe pikërisht aty ndodh zbulimi moral.
“Gratë tona që asnjëherë s’na fyen / por që ne ndonjëherë edhe i gënjejmë”.
Këtu poezia shmang sentimentalizmin. Nuk idealizon gruan si figurë romantike, por e vendos në një plan etik. Gruaja nuk paraqitet si viktimë, por si qendra e qetësisë morale. Faji nuk shpërndahet. Ai pranohet. Pranimi është akti më i vështirë filozofik i njeriut, sepse kërkon të shohë veten pa justifikime.
Në strofën e dytë poezia zhvendoset nga morali në kozmologji.
“Qielli zbras shportat e reve…”.
Universi nuk përshkruhet si pafundësi astronomike, por si një kopsht fshatar. Retë mbahen në shporta. Yjet bëhen veriga rrushi.
Kjo është një nga metaforat më shqiptare që mund të ndërtohen. Kozmosi nuk ndahet nga toka. Qielli është vazhdim i arës. Ylli nuk është objekt astronomik; është fryt.
Por fryti mbetet i paarritshëm.
“S’i mbrrijmë dot sonte…”.
Kjo fjali përmbledh gjithë tragjedinë njerëzore. Njeriu gjithmonë jeton një hap larg lumturisë. Gjithmonë e shtyn për nesër.
Prandaj pyetja e vetme që qëndron si një goditje filozofike në qendër të poezisë është: “Nesër mbrëma?” Vetëm dy fjalë. Asnjë koment. Asnjë shpjegim. Vetëm një pikëpyetje. Kjo pikëpyetje ka peshën e gjithë filozofisë së kohës. Është pyetja e njeriut që nuk është i sigurt nëse nesër ekziston. Në këtë kuptim, poezia nuk flet për kalendarin, por për pasigurinë ontologjike të jetës. Pjesa përmbyllëse është kthesa më e bukur e gjithë strukturës poetike. Veliera shkundet. Çiftet hiqen nga supet. Maskat bien. Fillon kthimi. Jo drejt shtëpisë. Por drejt së vërtetës. Dhe atëherë vjen metafora që i jep titullin poezisë: “Hardhitë frymore të kësaj bote.” Kjo është një figurë me një dendësi të rrallë semantike.
Hardhia është bima që nuk rritet drejt qiellit pa mbështetje. Ajo kërkon mur, shtyllë, pemë. Pikërisht si njeriu. Edhe ai nuk jeton dot pa një mbështetje shpirtërore. Prandaj gruaja nuk është vetëm bashkëshorte. Ajo bëhet hardhi frymore: burim i jetës së brendshme, i kujtesës, i faljes, i vazhdimësisë dhe i shtëpisë. Në fund rikthehet refreni moral: “Ato asnjëherë s’na fyen…” Por tashmë vargu tingëllon ndryshe. Sepse lexuesi ka kaluar gjithë udhëtimin filozofik të poezisë.
Kur poeti shton: “Ne shpesh bukur i gënjejmë…”, fjala “bukur” është ndoshta ironia më e hidhur e gjithë tekstit. Nuk është bukuria e mashtrimit. Është bukuria me të cilën njeriu di ta zbukurojë fajin e vet. Dhe fundi: “I ledhatojmë turbullt.” Është një nga përmbylljet më të heshtura të poezisë moderne. Ledhatimi nuk lind nga paqja, por nga turbullira e ndërgjegjes. Dora kërkon falje aty ku goja nuk e shqipton dot.
Në planin estetik, Ruzhdi Gole përdor një gjuhë të kursyer, pa stoli të panevojshme. Metaforat e tij nuk imponohen; ato lindin natyrshëm nga përvoja njerëzore. Poezia nuk kërkon të jetë hermetike, por as nuk dorëzohet para leximit të shpejtë. Ajo të detyron të rikthehesh.
Në planin filozofik, “Hardhi frymore” është një meditim mbi tri të vërteta të mëdha: pamundësinë për t’u arratisur nga vetja, përkohshmërinë e iluzioneve dhe kthimin e pashmangshëm tek ajo që na mban gjallë shpirtërisht.
Në fund mbetet vetëm një bindje: njeriu mund të hipë në shumë veliera pa det, mund të ndjekë shumë yje që nuk i arrin kurrë, por gjithmonë do të ketë nevojë të kthehet tek hardhitë frymore të jetës së tij. Sepse aty nuk jeton vetëm dashuria. Aty jeton kujtesa, falja dhe e vetmja e vërtetë që nuk e zëvendëson dot asnjë horizont.
Poezia e Ruzhdi Goles nuk është thjesht një tekst lirik. Është një reflektim mbi qenien njerëzore, i shkruar me gjuhën e thjeshtë të përditshmërisë dhe me thellësinë e filozofisë. Pikërisht kjo e bën atë të mbetet gjatë në mendje: jo sepse thotë shumë, por sepse lë të pashprehura ato pyetje që vazhdojnë të na ndjekin edhe pasi vargu ka mbaruar.

Ruzhdi Gole: HARDHI FRYMORE

Sonte i kemi hipur një veliere
po det nuk ka,
supeve hedhur çiftet
po askund
nuk gjejmë prehë,
Në shtëpi vonë
kur të shkojmë
do shohim po ato bela –
gratë tona
që asnjëherë s’na fyen
por që ne ndonjëherë
edhe i gënjejmë.

Def kokat na kërcasin
s’i gjejmë kund kryet
kokat na rrotullohen
hënëza të plogëta,
qielli zbras
shportat e reve
si verige rrushi yjet
s’i mbrrijmë
dot sonte
nesër mbrëma
ndoshta bëhen tonat.

Nesër mbrëma?

Shpejt shkundim
nga kryet tona sonte
një velierë të shpupuritur
nga supet i heqim
çiftet tym qullur,

shpejt nxitojmë tek gratë tona
hardhitë frymore të k’saj bote

ato asnjëherë s’na fyen

ne shpesh
bukur i gënjejmë
i ledhatojmë

Mjerë kush mungon!- Tregim nga FATBARDH AMURSI

Nga halli mësova disa zanate, si: bojaxhi, murator, elektricist, hekraxhi dhe të gjitha këto se më kish hipur në kokë të bëhesha shkrimtar. Shkrova një libër për hapjen e një tuneli të papërfunduar dhe më akuzuan, se në fund të tunelit s`kishte dritë. Ende pa mbaruar si do t`i dukej drita?! Hapa kanale, hapa transhe, por në hapje tunelesh nuk më lejohej, pasi isha i paaftë ta shihja dritën atje ku e shihnin të tjerët. Sa hap e mbyll sytë po quhesha njeriu i errësirës. Dhe sa herë që përmendeshin “forcat e errëta”, e dija që atje më kishin vendosur dhe mua. Të gjithë ata, që më tregonin se kush isha unë, më dukej sikur në ballë mbanin një llambë, si ajo që mbajnë minatorët. Nga fundi i kalvarit, meqë dallohesha në bukurshkrim më caktuan në dekorin e qytetit, ku shkruheshin parrulla dhe bëheshin portrete udhëheqësish.
Isha mësuar të ulja kokën dhe të shihja punën time, përderisa isha njeriu nga i cili duhej të ruheshin. Por, njeriu i heshtur ngjallte dyshime. Seç bluan ai në heshtje?! Ata me të cilët më lidhi puna e re, s`u pushonte goja. Vesin e llapaqenit me sa duhet e kishin marr me induksion, për shkak të sektori të parrullave si mjet propagande.
Sapo Leu u largua, Ndreu si ta kishte pritur me padurim largimin e tij, ngriti zërin:
-E patë me sa nxitim që iku, se e pret dashnorja?! Po e përdor ajo si gomarin në dasëm. Shkon i lyen shpinë.
-Ajo po ia ha lekët!-e pasoi Lefi, që me raste aktivizohej dhe në estradën e qytetit.
-S`i dini të gjitha ju! Leu s`është nga ata që të ha, por tjetër kush e ka urdhëruar.-e pasoi Hazbiu.
-Racë hyzmeqarësh.-ky i fundit ishte Ndini, i cili pretendonte se rridhte nga një familje kaçakësh.
-Ti e njeh Leun?-më pyeti Hazbiu. Unë u mjaftova me një “ja ashtuja”.
-E paqartë kjo “ja ashtuja”.-ma preu Ndini.
Kur Leu u kthye, sikur të mos ishin ata që e kishin sharë, nis t`i vinin në dukje vetira, që, zor se i gjeje dhe tek udhëheqesit që u bënim portretet.
-Mirë që erdhi ti, të bëjë dhe unë një dalje.-tha Ndreu dhe nxitoi jashtë pa i fshirë cërkat e bojës mbetur në duar.
-Nuk po e mbante vendi? E shoqja, që e ka mësuese, orën e tretë e ka pushim dhe ai shkon ta kontrollojë. I qep e gjora aq të gjata rrobat sa mbulohet këmbë e kokë. Dekoltera siç mbajnë gratë e botës, s`ka mbajtur ndonjëherë zysha!
-Të isha unë e kisha lënë!-u hodh Leu.
-Eh, sa herë e ka lënë ajo! Ajo ik dhe ai lutu pas derës. Fuste sekretarin mik dhe ajo kthehej, për hatër të partisë.
-Po ti e njeh Ndreun?-m`u drejtua mua.
-Ja ashtuja.
-Shih si hiqet?! Ndreu njihet si pare e kuqe, por ky s`do të prishi gojën. Se kur e prish e dhjetë fare!
Kur u kthye Ndreu e mbytën me lëvdata. Në pëllëmbë të dorës e mban atë grua, që ta ka zili i gjithë arsimi! I erdhi radha të ikte Lefi. Ky para se të dilte në rrugë, ktheu njëherë kokën nga ne:
-Unë po iki, por ju e dini vetë, ë!-ata qeshën dhe ia bën me shenjë: pse ç`a kujton ti, se do të kursejmë?!
-Iu ndez hunda për një teke. Kjo është e treta, që pi në orar të punë.
-Pi në klub, se në shtëpi ajo labja e nxjerr në ballkon dhe për të tymosur!
-Mirë që s`po ha më hudhëra se do na qelbte!-e mbylli Leu, kur në derë u duk Lefi. Më pas nis ta lavdëronin si dollibash. Se kishte mundur me raki aq e aq dasmorë. I fundit doli Hazbiu.
-Iku fuksi! Shkon tek drejtori t`i raportojë.-e theu heshtjen Lefi.
-E njeh Hazbiun ti?-m`u drejtua Ndreu.
-Ja ashtuja.
-Nuk ke përgjigje tjetër ti, që thua gjithmonë të njëjtën fjalë?
-Mua më kanë sjellë këtu për t`u edukuar në gjirin tuaj. Të mësoj prej jush dhe jo t`u bëj moral. Juve s`u lejohet, ta shihni botën me sytë e mi.
-Hë ç`je ti, ç`je ti për të rrëshqitur?!
Pasi erdhi Hazbiu dhe e mbytën me lavde, duke i vënë në dukje një veti, që për fjalët që kishin thënë pas kurrizit të tij, s`do ua besonte kush.
-Ky burrë ka një cilësi të lartë: s`i shet kurrë shokët!-tha Lefi. “Këtu, mjerë ai që mungon.”-thashë me vete dhe vendosa të mos luaja nga vendi. Pas një heshtje që zgjati ca, Leut s`iu durua:
-Po të kullojnë sytë mbi beze, dil njëherë edhe ti si shokët!
-Dil e kulloti një çikë sytë, meqë na mbahesh dhe si poet! Nuk të merret për shkelje. Racionin e qumshtit dhe daljen e kemi me teskere.
-Mos e luani se është i trëmbur!-ua preu shpresat Hazbiu.-Më lehtë i del hidhërimi patlixhanit kur e fut në ujë se sa këtij i del frika.
-Nëse ai ka ardhur për t`u ndrequr, duhet të bëjë si ne.-u hodh Lefi.-I kam zëtë ata që duan të bëjnë të ndershmin me zor!
-Ky po na del më i ndërgjegjshëm se ne?!-u hodh Ndreu.
Ndërkohë ia behu sekretari i partisë, i cili pasi përshëndeti me një ngritje dore dha komunikimin e radhës:–Ju e dini që në byronë politike kemi disa figura të reja. Me rastin e festave na kërkohet urgjentisht, që të bëhen portretet e udhëheqjes. Ti, m`u drejtua mua.-do bësh shokun…-Më caktoi të bëja portretin e atij, që më kishte nxirë jetën.-Apo do ndonjë tjetër?-pyetjen e mora për provokim.
-Të rrimë shtrembër e të flasin drejt, këtij hakshe i ka ardhur shansi tek dera. Le të reflektojë.-ndërhyri Hazbiu.
-Sikurse e dini, e kemi sjell në gjirin tuaj, që të edukohet. A ka filluar të shkrihet me masën?-pyeti sekretari.
-Vjen ca i tërhequr, për të mos thënë i kamufluar.-tha Leu.
-Ka një ndroje para nesh, por besoj se me kalimin e kohës do t`i dali.-e pasoi Ndreu.
-Nuk di mbase gaboj, por mua më duket sikur vuan nga një frymë mosbesimi ndaj nesh.-tha Hazbiu. Të tjerët e miratuan me kokë.-Kemi një orë që i lutemi, për të mirën e tij, helbete poet tjetri, dil që dil, siç dalim dhe ne, ai kujton se mos po ia kemi me hile?!
-Po më thoni se vë në dyshim moralin tuaj? Nëse ky nuk shkrihet me ju, nuk harmonizohet me sjelljet tuaja, nuk merr frymën tuaj, s`ka për të parë dritë në fund të tunelit.-sekretari u drejtua nga unë.-Kaq po të them: mos u nda nga shokët! Vetmia intelektuale është e huaj për ne.-dhe duke mos e fshehur pakënaqësinë ndaj meje mori për nga dera e jashtme.
-I ke faj u bë kasapi të drejtoj kulturën!-u hodh Ndini.
-Me shkollë natë tjetri dhe na mbahet sikur ka lexuar më shumë se shoku Enver!-për të mos i dëgjuar më, lashë penelin dhe nxitova drejt derës. U largova për të mos u ndarë nga shokët. Meqë ata s`kursyen as sekretarin, që mbulonte sektorin e dekorit, le të thonin ç`të donin, mjafton që t`më pranonin si njëri ndër ta. Kur u ktheva më mbytën me lëvdata. Tani më duhej të bëja portretin e njeriut, që më kishte nxirë jetën. Gjithë dritën dhe ngjyrat për të cilat isha kritikuar se i mungonin krijimtarisë sime i lëshova mbi portretin e shokut…
Pas viteve `90-të ishte radha e byroistit të mungonte. Mos harro se ke vizatuar portretin e atij shokut, do më thoshte Hazbiu, Ndini, Leu e Ndreu, përveç Lefit…
Fatbardh Amursi

Mbi Plagët e Tokës, Dielli Nuk Perëndoi- Poemë nga Isuf B.Bajrami

Kur Dielli të kthehet

I.
Ishte një natë e turbullt shekullore,
pa hënë, pa yje, pa agim,
një natë që kishte harruar mëngjesin
dhe mbi supet e dheut
kishte vënë heshtjen si gur.

Nëpër atë terr të gjatë
ecën breza të tërë,
me këngën të mbyllur në gjoks,
me emrin e atdheut në buzë
dhe me lirinë si një ëndërr
që s’guxonin ta thoshin me zë.

Por nata, sado e gjatë,
nuk është përjetësi.

II.

Pastaj erdhën rrebeshet.

Erërat u ngritën nga malet,
qielli u ça nga bubullimat,
dhe toka, e lodhur nga prangat,
filloi të fliste me zërin e bijve të saj.

Erdhën fortunat,
jo për të shuar dritën,
por për ta çarë terrin.

Në çdo gur
mbeti një betim,
në çdo plagë
një copë lirie,
në çdo varr
një amanet:

Mos e lini agimin të vdesë!

III.

Dhe një ditë—

në horizontin e përgjakur të historisë
u shfaq Dielli.

Jo si një dritë e zakonshme,
por si një flamur i zjarrtë
mbi një tokë që kishte qarë shumë.

Liria hyri nëpër dyer,
u ngjit nëpër male,
u ul në oborre,
u fut në shkolla
dhe në sytë e fëmijëve
që më në fund
mund ta shihnin qiellin
pa frikë.

Por liria nuk është vetëm
të rrëzosh një pushtues.

Liria është edhe
të mos bëhesh rob
i vetvetes.

IV.

Dhe ja ku jemi sot.

Institucionet heshtin,
dyert mbeten të mbyllura,
fjalët përplasen si gurë
nëpër muret e Kuvendit,
ndërsa qytetari
pret.

Pret një zë.
Pret një vendim.
Pret një shtet që ecën.

Por në vend të punës
vijnë bllokadat,
në vend të përgjegjësisë
vijnë arsyetimet,
në vend të shërbimit
vjen loja e pushtetit.

Dhe populli?

Populli lodhet.

Ai që dikur priti dekada për liri,
s’duhet të presë pafund
për një institucion
që di të punojë.

V.

Por atëherë—

mbi qiellin tonë
erdhi Eklipsi.

Dielli ishte ende aty,
por dikush ia zuri dritën.

Jo me tanke.
Jo me pranga.

Por me lakmi,
me korrupsion,
me pazare të errëta,
me heshtje të blera
dhe me zëra që quhen dije
por nuk mbajnë as peshën
e një pyetjeje të sinqertë.

Pseudointelektualët
veshën petkun e së vërtetës,
ndërsa e vërteta
mbeti jashtë derës.

Disa e ngatërruan demokracinë
me të drejtën për ta ndalur demokracinë.

Disa e harruan
se opozita është kontroll i pushtetit,
jo peng i shtetit.

Dhe qytetari,
i ulur përballë ekranit,
pyeti me vete:

Për këtë dritë
a u derdh gjithë ai gjak?

VI.

Por mos u trembni nga eklipsi.

Sepse eklipsi
nuk e vret Diellin.

Vetëm ia fsheh fytyrën
për pak kohë.

Dhe kur hija largohet—

Dielli kthehet.

Jo si më parë.

Por më i fuqishëm.

Më i madh.

Më i pastër.

Sepse tashmë
e di çfarë është nata.

Dhe një popull që e ka njohur terrin
nuk duhet të pajtohet
me gjysmë drite.

VII.

Le të kthehet Dielli
mbi institucionet tona.

Le t’i hapë dyert e mbyllura,
t’i shkrijë akujt e inateve,
t’i djegë fijet e pazareve,
t’i ndriçojë dokumentet e fshehura
dhe fytyrat që fshihen pas fjalëve të mëdha.

Le të jetë demokracia
më shumë se një fjalë.

Le të jetë
një mënyrë jetese.

Një votë që respektohet.
Një ligj që vlen për të gjithë.
Një Kuvend që punon.
Një qeveri që përgjigjet.
Një opozitë që kundërshton
pa e penguar shtetin.
Dhe një qytetar
që nuk ndihet më i harruar.

VIII.

Sepse kjo tokë
ka paguar shumë shtrenjtë
për të mos jetuar në errësirë.

Këtu,
nata ka qenë shekullore.

Këtu,
rrebeshet kanë lënë plagë.

Këtu,
fortunat kanë marrë bijtë tanë.

Këtu,
Dielli ka lindur me gjak.

Prandaj askush
nuk ka të drejtë
ta kthejë agimin në muzg.

Askush.

IX.

Dhe nëse sot
mbi ne rëndon një eklips,

nesër—

do të vijë drita.

Do të zbresë nga malet,
do të hyjë në qytete,
do të zgjojë rrugët,
do të prekë shkollat,
do të ndriçojë institucionet
dhe do të ulet butë
mbi fytyrën e qytetarit.

Atëherë do ta kuptojmë:

Dielli nuk ishte larguar kurrë.

Ne vetëm
për një çast
harruam ta shikonim.

Dhe kur të kthehet plotësisht,
le të mos gjejë më një popull
që pret.

Le të gjejë një popull
që ndërton.

Një Kosovë
që nuk frikësohet nga e ardhmja,
që nuk robërohet nga e kaluara,
që nuk shitet për pushtet,
që nuk hesht para padrejtësisë—

por ecën.

E lirë.

Demokratike.

Me kokën lart.

Dhe nën atë Diell të ri,
le të shkruhet mbi qiell:

“Nata ishte e gjatë,
por nuk ishte e përjetshme.
Eklipsi ishte i rëndë,
por Dielli ishte më i fuqishëm.
Dhe kjo tokë—
më në fund—
do të mësojë të jetojë
nën dritën e saj.”

Vendi i Lekës,14.08.2026

“Ethe” gushti – Cikël me poezi lirike nga Përparim Hysi

1. Si?Nuk më besoni?

Po e lë veten në krahët e qefit
M’u arratis shpirti nga trupi.
Dilni e më shihni! Nuk mbahem shendit
Sado që jam plak,nuk pyes nga turpi.Çfarë,nuk besoni dhe jini të mëdyshur?
Dhe ç’lexoni e mirrni si sajim?
Më erdhi,o miq,syri i ndritur
Dhe bashkë me të shkuan në”vidhimë”.

Me të jam dhe kam vënë krahë si dragua
Dhe nuk ia kam asnjeriu për pesë
Mos më dilni përpara mua
Se për dashuri kam  “licencë”.
2. Mbas dekadash
I them asaj:-  Mos je ajo?
Ajo që njoha dikur,
Unë jam, por çfarë do?
Se kemi vite pa u parë,qëkur…
Sa po çuditem!
Çuditem shumë që po ju shoh!
Si nuk e sheh që gati po lajthitem?
-Moj, a ke sy apo jo?
Po ti dikur as nuk më the gjë
Mos do ta shpija mendjen,vallë?
Duhet ta vije re që ç’ke me të
Dhe e putha me mall.
Oh,bëri,sikur ra në korent
-Po ti,atëherë,ku e kishe gojën?
Eh, sa kohë ka ikur,”belbacak” i shkretë!
Dhe puthjet s’e mbajnë dot”ojën”.
3.  Dhe i thashë
Dhe i thashë:- Je e mrekullueshme!
Ndaj dhe unë të dua.
Pa më zuri”gjarpërushka”
Më “kafshoi” mua.
Eh,se ç’vajti në atë vapëgushti
Veç pse thashë dy fjalë.
As që pyetëm më nga turpi
Të zhytur në mall.Me të mundem,edhe rrokem
Si dy “axhamijë”
Dhe këndellem e gëzohem
Sado jam kokëthinjë.

4.  TI
Ti je dhe parfumi,dhe aroma
E bukur je si një yll!
Zura t’i putha ato buzë të njoma
Që mbanin erë trëndafil.
Ke një dlirësi që të bën për vete
Buzëqeshjen të kripur dhe pak të druajtur.
Ti sikur ke ardhur nga të tjerë planete
Ndaj,kush të sheh, bëhet si i luajturO.”Ethet e gushtit” janë të  rënda për një plak
Por ti je aq e bukur,e gjitha si një dremitje
Më”lojtën burgjitë”,u ktheva çunak
Se je aq e magjishme si një xhinde.

5.ATO
Çdo emër si një shtrëngim zemre
Asnjë prej tyre nuk veçoj.
Ah,sa e madhe është bota e një femre!
Dhe asnjërën prej tyre nuk  harroj.Secila prej tyre kishte sharmin e vet
Dhe aromën e veçantë kishte secila
Me to është mbushur plot imja jetë
Ndaj për to flas me superlativa.

Kështu po shkruaj,se e meritojnë
Të veçosh,ndonjërën, bën mëkat.
Flas për femra që dinë të dashurojnë
Dhe akujt nuk dua t’i hyjë në hak.

I kam dashur se diçka në zemër kam ndierë
Dhe ndjenja,mes nesh,ka qenë reciproke
Çdo njërën prej tyre e kujtoj si vlerë
Dhe nuk lë vend fare për ekuivoke.

                             Tiranë,12 gusht 2026

U NDA NGA JETA SKËNDER HALUCI , NJË JETË MES BURGUT POLITIK, DREJTËSISË DHE DINJITETIT NJERËZOR DHE PROFESIONAL- Nga Dr. Mujë Buçpapaj

Është ndarë nga jeta në moshën 64 vjeçare Skënder Haluci, jurist i mirënjohur, avokat dhe ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, një emër i njohur i sistemit të drejtësisë dhe i jetës publike shqiptare, një njeri që e përshkoi jetën përmes disa prej periudhave më të vështira të historisë sonë të afërt, duke mbartur mbi vete peshën e persekutimit politik, të burgut, të përpjekjeve për demokraci dhe, më pas, të shërbimit me nder në sistemin e drejtësisë.
Gjatë karrierës së tij, Skënder Haluci ushtroi disa funksione të rëndësishme, ndër të cilat atë të gjyqtarit dhe per disa vite edhe të kryetarit të Gjykatës së Vlorës dhe të komisionerit pranë Avokatit të Popullit. Për vite me radhë ai ushtroi profesionin e juristit, avokatit dhe gjyqtarit, duke u dalluar për përgatitjen profesionale, integritetin njerëzor dhe përkushtimin ndaj detyrës.
Skënder Haluci ishte gjithashtu një ish-i burgosur politik i diktaturës komuniste, pjesë e asaj gjenerate shqiptarësh që e paguan me vite burgu, internimi dhe vuajtjeje kundërshtimin ndaj sistemit totalitar.
Lajmi për ndarjen e tij te parakoshme dhe te papritur nga jeta është bërë i ditur nga familja.
Haluci ndodhej në vendlindje, në bjeshkën e Trokuzit, në Tropojë, ku kishte shkuar për të pushuar së bashku me familjen. Mëngjesin e sotëm, më 13 gusht 2026, ai u kishte treguar familjarëve se nuk ndihej mirë dhe, vetëm pak minuta më pas, është gjetur pa shenja jete. Ende nuk ka një përcaktim zyrtar për shkakun e vdekjes, ndërsa ekspertiza mjekoligjore pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e kësaj ndarjeje të papritur.
.
Një jetë e përballur me diktaturën
.
Skënder Haluci njihej si një profesionist me integritet të lartë njerëzor e profesional. Por jeta e tij ishte shënuar shumë herët nga përplasja me mekanizmat e egër të diktaturës komuniste.
Në vitin 1983, Skënder Haluci, ne ate kohe gjimnazist, së bashku me kushëririn e tij, Isuf Haluci, u arrestua dhe u dënua fillimisht me vdekje, nën akuzën për përfshirje në një atentat të pretenduar ndaj udhëheqësit komunist Ramiz Alia.
Ai u arrestua gjashtë muaj pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë dhe Has dhe më pas u dënua me vdekje. Një muaj pas dhënies së këtij dënimi, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ktheu dënimin nga vdekje në 25 vjet heqje lirie.
Haluci e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në atentatin e pretenduar dhe ka deklaruar ndër vite se i kishte shpëtuar pushkatimit për shkak të situatës së krijuar në Has dhe Tropojë pas ekzekutimit të disa personave.
Pas dënimit të tij, familja u internua, u përndoq dhe u persekutua egërsisht. Për Skënderin dhe familjen, nisi një jetë e gjatë vuajtjesh, një jetë burgu dhe mbijetese, por edhe një betejë e heshtur për të ruajtur dinjitetin njerëzor.
Përndjekja nuk përfundoi me rënien e komunizmit. Ajo, në forma të tjera, e ndoqi edhe në pluralizëm. Shkarkimin nga puna, të motivuar, sipas tij, nga arsye ideologjike, Skënderi e përjetonte si një dënim me vdekje që i ishte dhënë për herë të dytë.
.
Kushëriri dhe miku im
.
Skënder Haluci ishte kushëriri im, por edhe miku im. Ai ishte një njeri që dha kontribute të rëndësishme për fitoren e demokracisë në Shqipëri dhe për përmbysjen e mentalitetit të vjetër politik.
Rrjedha e ngjarjeve të Lëvizjes Antikomuniste të Dhjetorit 1990 më gjeti si student pasuniversitar në Tiranë, në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku studioja për skenar të filmit artistik. Unë, si shumë studentë dhe intelektualë të rinj të asaj kohe, luajtëm rolin tonë në përpjekjen për fitoren e demokracisë, e cila do të merrte një dimension vendimtar me zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Skënderi u lirua në grupin e fundit të të dënuarve politikë, në qershor të vitit 1991.
Takimi im me të, pas daljes nga burgu, ndodhi në një nga ato ditë të trazuara të fillimit të demokracisë, në një demonstratë për rrëzimin e bustit të Leninit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Galerisë së Arteve në Tiranë.
Regjimi ishte detyruar të hiqte shtatoren e diktatorit Stalin në Tiranë, por në kryeqytet ende qëndronte monumenti i Leninit. Ndërkohë, me 22 qershor 1991 ishte paralajmëruar vizita historike në Tiranë e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker.
Për ne, studentët dhe intelektualët e Lëvizjes së Dhjetorit, ishte e papranueshme që përfaqësuesi i lartë i Shteteve të Bashkuara të pritej nën hijen e monumentit të udhëheqësit bolshevik rus, ndërkohë që vendi pretendonte se kishte hyrë në epokën e pluralizmit politik.
.
Nata e rrëzimit të Leninit
.
Në fillim të qershorit 1991, një grup studentësh të Universitetit të Tiranës dhe intelektualësh të rinj vendosëm të organizonim rrëzimin e monumentit të Leninit. Me shaka e quanim “Shoqata e rrëzimit të bustëve dhe monumenteve të diktaturës”.
U ndanë detyrat. Dikush duhej të siguronte kavo, dikush vare, dikush zinxhirë e mjete të tjera. Shumë prej tyre nuk arritëm t’i siguronim.
Në orën 19:00 të mbrëmjes, rreth monumentit u grumbulluan qindra, në mos mijëra njerëz. Bashkë me Arben Likën, Bardhyl Ukcamën, Zamir Mulajn, Arben Ibron dhe të tjerë, vendosëm të fillonim përpjekjet për rrëzimin e shtatores së diktatorit rus.
Litari këputej, ndërsa mjetet e tjera nuk po jepnin rezultat. Atëherë shkuam te Teatri Kombëtar, qe sihte pranë monumentit, dhe morëm kavon e skenës, më saktë atë që përdorej për mekanizmin e rrotullimit të skenës.
Kur u rikthyem me shpejtësi te puna e nisur, pashë një njeri të ngjitur në majë të shtatores së Leninit, i cili po përpiqej të vendoste një litar. Unë dhe disa tropojanë që ndodheshin aty e njohëm menjëherë.
I zgjatëm kavon dhe ai ia lidhi monumentit. Filluan tërheqjet, goditjet me vare. Busti u menjanua, u përkul, por nuk po rrëzohej.
Në atë çast Skënderi zbriti poshtë.
U takuam plot mall.
“Ku këtu, kushëri?” – e pyeta.
Më tregoi se sapo ishte liruar nga Spaçi dhe kishte ardhur në Tiranë me një makinë të tipit “Ifë”, së bashku me të burgosur të tjerë, të cilët kishin filluar të liroheshin që nga marsi i vitit 1991, pas insistimit të Partisë Demokratike dhe opozitës së djathtë.
Makina ishte ndalur pikërisht poshtë bulevardit dhe Skënderi, pa pritur asnjë sekondë, ishte përfshirë në aksion. Kishte qenë ndër të parët që ishte ngjitur në majë të monumentit.
Ishte një nga ato pamje që nuk harrohen dhe qe e kujtonin shpesh në biseda.
Ndërsa monumenti ishte anuar dhe dëmtuar, mbërriti një përfaqësues i qeverisë së koalicionit dhe na tha se do të dërgohej një vinç për ta hequr shtatoren e Leninit.
Ashtu ndodhi.
Atë natë monumenti i Leninit u hoq nga bulevardi.
Pak ditë më vonë, James Baker erdhi në Tiranë me ftesë të opozitës, në një pritje madhështore. Shqipëria e re politike po kërkonte vendin e saj në botën demokratike.
Nga beteja për demokracinë te drejtësia
Disa muaj para fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992, themelova dhe drejtova gazetën “Tribuna Demokratike”, organ i Partisë Demokratike. Ishte një gazetë e ashpër në denoncimin e krimeve të komunizmit, por njëkohësisht shumë e kërkuar nga lexuesit.
Në atë periudhë, unë dhe redaksia përjetuam kërcënime të shumta, edhe fizike. Skënderi, Isufi dhe miqtë e tyre u bënë mbështetës të redaksisë dhe të përpjekjeve tona për të mbajtur gjallë zërin e lirisë dhe të demokracisë.
Në vitin akademik 1992–1993, Skënder Haluci filloi studimet për drejtësi. Gjatë viteve të burgut kishte mësuar tri gjuhë të huaja, ndër to anglishten dhe frëngjishten. U diplomua me rezultate të larta. Edhe në gjimnaz kishte qenë një nxënës i shkëlqyer.
Punoi si avokat gjatë viteve 1996–2005 dhe më pas filloi punën si gjyqtar, ku u shqua për përgatitje profesionale dhe përkushtim të lartë ndaj detyrës.
Takoheshim shpesh. E kam vizituar me ftesën e tij edhe kur punonte në Vlorë, thjesht si kusheri pa asnje interes apo porosi. Ishte një njeri i drejtë. E respektonin njerëzit përreth, edhe pse drejtësia në atë qytet përballej me sfida të mëdha, shumë prej të cilave i njohim të gjithë. Ai, megjithatë, e kreu detyrën e tij me nder.
Më pas mbajti edhe funksione të tjera në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet publike, duke përfshirë detyrën e komisionerit pranë Avokatit të Popullit.
Në vitin 2020, largimi i tij nga sistemi i drejtësisë u përjetua prej tij si i padrejtë. Për një njeri që kishte kaluar me shume dinitet burgun komunist, që kishte luftuar për demokracinë dhe që kishte ndërtuar me mund një karrierë profesionale, kjo ishte një tjetër goditje e rëndë.
.
Bisedat tona të fundit
.
Pas largimit nga detyra, takoheshim herë pas here në “Hotel Tirana”, për kafe.
Bisedonim për “Gazetën Nacional”, për zhvillimet kombëtare, për letërsinë, për politikën, por veçanërisht për Tropojën, vendlindjen tonë.
Në një nga këto biseda më pati treguar se kishte ndërtuar një stan shumë të bukur në bjeshkën tonë në Alpeve, në Trokuz. Ishte i gëzuar që një pjesë të verës do ta kalonte në freskinë e bjeshkëve, larg zhurmës së qytetit dhe kujtimeve të rënda që kishte mbartur gjatë gjithë jetës.
Askujt nuk do t’i shkonte mendja se pikërisht atje do të gjente fundin e jetës.
Bjeshka jonë e Trokuzit është një vend përrallor nga me te rrallet ne Alpet Europaine. Një vend i bukur për të jetuar, për të kujtuar, por edhe per të vdekur. Disa nga të parët tanë kanë varret në bjeshkë, në Trokuz.
Skënder Haluci u nda nga jeta atje ku kishte dashur të pushonte, në tokën e të parëve të tij, mes maleve të Tropojës, pranë familjes dhe kujtimeve të vendlindjes.
Ai iku, por mbetet në kujtesën e atyre që e njohën si jurist, avokat, gjyqtar, ish-i burgosur politik, demokrat dhe, mbi të gjitha, si njeri.
Për mua, ai do të mbetet si kushëriri im, miku im dhe bashkëudhëtari im në ato vite të vështira kur Shqipëria po kërkonte rrugën drejt lirisë dhe demokracisë.
Kujtimi i tij do të mbetet i lidhur me ato ditë të mëdha të ndryshimit, me burgun që nuk e theu, me drejtësinë të cilës iu përkushtua dhe me bjeshkët e Trokuzit, ku zgjodhi të kalonte ditët e fundit të jetës.
Ngushëllimet e mia më të ndjera bashkëshortes, vajzes, familjarëve, vëllezërve, të afërmve, kushërinjve dhe të gjithë miqve të Skënder Halucit!
Shpirti i tij u prehtë në paqen e përjetshme!
Dr. Mujë Buçpapaj
Tiranë, 13 gusht 2026

Deklaratë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në 38-vjetorin e ekzekutimit të poetit disident Havzi Nela

HAVZI NELA – KUJTESA E NJË POETI DHE DINJITETI I FJALËS SË LIRË

Më 10 gusht 1988, në Kukës, në fundin e një epoke që ende nuk e kishte kuptuar se po i afrohej shembjes, regjimi komunist shqiptar ekzekutoi poetin dhe disidentin Havzi Nela.

Tridhjetë e tetë vjet më pas, kujtimi i tij nuk i përket vetëm historisë së letërsisë shqiptare, as vetëm historisë politike të dhunes se diktaturës. Ai i përket historisë së dinjitetit njerëzor dhe të lirisë së mendimit, sepse jeta dhe vepra e tij dëshmojnë se ekzistojnë rrethana historike në të cilat fjala poetike bëhet formë e rezistencës morale dhe se, përballë një pushteti që kërkon të kontrollojë mendimin, akti i të shkruarit mund të shndërrohet në një akt të lirisë.

Havzi Nela ishte poet, por fati i tij e vendosi atë përtej një përcaktimi thjesht letrar. Ai u bë një nga figurat simbolike të qëndresës së individit përballë një sistemi totalitar që kërkonte të ushtronte kontroll jo vetëm mbi jetën publike, por edhe mbi ndërgjegjen, gjuhën, kujtesën dhe imagjinatën e individit.

Ekzekutimi i tij ishte kulmi tragjik i një politike të gjatë represive ndaj intelektualëve dhe krijuesve shqiptarë. Regjimi komunist nuk e shihte artin si një hapësirë autonome të shpirtit dhe të mendimit, por si një instrument që duhej t’i shërbente ideologjisë zyrtare. Realizmi socialist nuk u imponua vetëm si metodë estetike; ai u përdor si mekanizëm ideologjik për të përcaktuar kufijtë e së lejueshmes në letërsi dhe në arte.

Në këtë sistem, krijuesi nuk vlerësohej vetëm për talentin dhe veprën e tij, por edhe për shkallën e konformizmit me doktrinën politike. Arti humbte autonominë e vet dhe shndërrohej në pjesë të mekanizmit të propagandës. Pikërisht kundër këtij nënshtrimi të ndërgjegjes krijuese u ngritën, në mënyra të ndryshme, shkrimtarë, poetë, artistë dhe intelektualë shqiptarë.

Historia e tyre përbën një nga kapitujt më të dhimbshëm dhe më pak të institucionalizuar të kujtesës sonë kombëtare.

Rreth 175 shkrimtarë, poetë, artistë, përkthyes dhe figura të tjera të botës së kulturës u dënuan me vdekje, me burgime të gjata, internim ose përndjekje politike; disa prej tyre humbën jetën nën tortura dhe në kushtet çnjerëzore të burgjeve komuniste. Pas këtyre shifrave qëndrojnë jetë njerëzore, biblioteka të humbura, dorëshkrime të zhdukura, vepra të ndaluara, karriera të ndërprera dhe familje të dënuara së bashku me krijuesit.

Prandaj, përkujtimi i Havzi Nelës nuk mund të reduktohet në një ceremonial vjetor. Ai duhet të jetë pjesë e një politike të qëndrueshme të kujtesës kulturore dhe historike.

Një shoqëri demokratike nuk e ndërton identitetin e saj vetëm duke kujtuar fitoret; ajo duhet të ketë guximin të përballet edhe me plagët e saj historike. Kujtesa e persekutimit të shkrimtarëve dhe artistëve është e tillë. Ajo na detyron të mendojmë mbi raportin ndërmjet pushtetit dhe kulturës, ndërmjet ideologjisë dhe artit, ndërmjet censurës dhe lirisë së shprehjes.

Në këtë perspektivë, kujtesa nuk është vetëm rikthim në të kaluarën; ajo është një instrument etik për të mbrojtur të ardhmen.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e riorganizuar mbi parimet e pluralizmit, demokracisë, autonomisë së krijimtarisë dhe lirisë së shprehjes pas Kuvendit të 19 majit 2026, e konsideron këtë përgjegjësi pjesë të misionit të saj historik dhe institucional.

Për këtë arsye, Lidhja ka marrë vendim për ngritjen e Muzeut të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Dënuar nga Regjimi Komunist, në ish-ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ky muze synohet si një institucion i kujtesës kulturore shqiptare, ku dokumenti historik, vepra letrare, dorëshkrimi, fotografia, dëshmia personale dhe memoria familjare të bashkohen në një narrativë të përgjegjshme dhe të dokumentuar mbi fatin e krijuesit nën diktaturë.

Ai duhet të jetë një hapësirë e kujtesës, kërkimit shkencor, edukimit dhe dialogut, jo një vend i hakmarrjes ndaj së kaluarës. Qëllimi i tij nuk është të prodhojë një histori të re të ndarjeve, por të dëshmojë se çfarë ndodh me kulturën kur pushteti politik përpiqet të kontrollojë ndërgjegjen krijuese.

Në këtë kuptim, muzeu i ardhshëm duhet të jetë një institucion i hapur për studiuesit, shkrimtarët, artistët, studentët dhe brezat e rinj, një arkiv i gjallë i një kohe që nuk duhet të përsëritet dhe një hapësirë ku dokumentet e historisë të mund të lexohen në dritën e standardeve bashkëkohore të kërkimit, të drejtave të njeriut dhe lirisë akademike.

Havzi Nela është pjesë e kësaj kujtese.Ai na kujton se liria e shprehjes nuk është një dekor i demokracisë, por një nga kushtet themelore të ekzistencës së saj. Një shoqëri mund të ketë institucione, ligje dhe struktura shtetërore, por nëse qytetari nuk ka të drejtën të mendojë, të shkruajë, të krijojë dhe të shprehë bindjen e tij pa frikën e ndëshkimit, demokracia mbetet e paplotë.

Për shkrimtarin dhe artistin kjo e drejtë ka një dimension të veçantë. Autonomia e krijimtarisë është kusht i vetë ekzistencës së artit. Letërsia nuk mund të jetë e lirë nëse i nënshtrohet një doktrine politike; arti nuk mund të jetë autentik nëse i kërkohet të përsërisë të vërteta të paracaktuara; kultura nuk mund të zhvillohet nëse mendimi alternativ trajtohet si kërcënim.

Kjo është arsyeja përse kujtimi i Havzi Nelës mbetet aktual.

Jo sepse historia duhet të jetojë përgjithmonë në dhimbjen e së kaluarës, por sepse e ardhmja duhet të ndërtohet mbi mësimet e saj.

Në 38-vjetorin e ekzekutimit të tij, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nderon Havzi Nelën dhe të gjithë krijuesit shqiptarë që u persekutuan, u burgosën, u internuan, u censuruan apo humbën jetën për shkak të bindjeve, veprës dhe qëndrimit të tyre ndaj diktaturës.

Ne besojmë se nderimi më i vërtetë për ta nuk është vetëm përkujtimi i emrave të tyre.

Është rikthimi i veprës së tyre në kujtesën kombëtare, dokumentimi i historisë së tyre, studimi i trashëgimisë së tyre dhe mbrojtja e parimeve për të cilat ata u përndoqën.

Prandaj, sot, nga kujtesa e Havzi Nelës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përcjell një mesazh që i kapërcen kufijtë e një përvjetori:

Liria krijuese është e drejtë themelore.Liria e shprehjes është themel i demokracisë.Autonomia e artit është kusht i kulturës së lirë. Kujtesa historike është përgjegjësi qytetare.

Dhe mbi të gjitha:Një shoqëri që harron poetët e saj të persekutuar rrezikon të harrojë edhe arsyen përse liria duhet mbrojtur.

Në kujtim të Havzi Nelës dhe të të gjithë krijuesve shqiptarë të persekutuar nga diktatura, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë angazhohet që kujtesa e tyre të mos mbetet vetëm një kapitull i dhimbshëm i historisë, por të shndërrohet në një trashëgimi të gjallë të lirisë, të dinjitetit dhe të përgjegjësisë intelektuale.

Dr. Mujë Bupapaj

KRYETAR I LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË

Tiranë, 10 gusht 2026


Send this to a friend