Avokati Genc Gjokutaj në rrjetin social bën thirrje për protestën e sotme në ora 18:00 :
PERSONI MË I MOSHUAR NË BOTË
Avokati Genc Gjokutaj në rrjetin social bën thirrje për protestën e sotme në ora 18:00 :
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar një pjesë nga dosja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të SPAK, i cili lëshoi pak ditë më parë 8 masa sigurie, 6 prej të cilave u ekzekutuan.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi u lanë në arrest shtëpie, ndërsa dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, ndaj të cilëve është dhënë masa e arrestit në burg, janë në kërkim. Të përfshirë janë edhe Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta, si edhe zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i cili u pezullua nga detyra. Të gjithë të përfshirët, SPAK i akuzon se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminalë.
Në pjesën e dosjes së publikuar nga Bardhi, theksohet se si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri vepronin për të përfituar në mënyrë të paligjshme fondet e marra nga kontratat publike me AKSHI. Sipas dosjes, kompania “EA Solution” e Agasit ka kryer faturime fiktive ndaj tre kompanive të tjera “Fastech” rreth 23.2 milionë euro, 1.4 milionë euro te “First” dhe 5.4 milionë euro te “Soft & Solution”, me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal.
Po ashtu në pjesën e publikuar zbardhen disa biseda të Agasit, i cili flet për një projekt dhe thotë që “projekti bën 2 milionë, ne do ta bëjmë 4. Në një tjetër bisedë, ai shton: “T’ia them…ka një gjë që, i them Kapos që e ka gjithë një raport”, që sipas Bardhit, i referohet Ramës.


“Hetimet tregojnë se në sistemin “@CATS” të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezulton se subjekti “EA Solution” ka faturuar shitje në drejtim të subjektit “Fastech” sh.p.k. për periudhën 11.12.2024 – 26.09.2025 shumën prej 2 235 761 543 ALL. Në drejtim të subjektit “First” sh.p.k. shumën prej 139 317 172 ALL. Në drejtim të subjektit “Soft & Solution” sh.p.k. shumën prej 527 765 506 ALL. Si konkluzion, rezulton se faturimet e kryera nga “EA Solution” sh.p.k. në drejtim të tre subjekteve të tjera të përshkruara më sipër janë fiktive dhe me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal. Ky fiktivitet konstatohet në faktin që subjekti “EA Solution” sh.p.k. nuk ka ambiente për realizimin e aktivitetit të biznesit por përdor ambientet e “Soft & Solution” sh.p.k., punonjësit e deklaruar në emër të këtij subjekti janë rekrutuar nga punonjës të burimeve njerëzore të subjektit “Soft & Solution” sh.p.k. dhe nuk kanë pasur asnjëherë kontakt me administratorin e subjektit “EA Solution” sh.p.k., shtetasen Ina Ciko. Nga ana tjetër kjo e fundit nuk ka kryer asnjë veprimtari dhe nuk ka asnjë dijeni lidhur me kontraktimin e punëve që merren nga subjektet e tjera. Gjithashtu, në deklarimet e shtetasit Andis Papa dhe Gëzim Hoxha thuhet se ata kanë kontraktuar shërbimet në “EA Solution” nëpërmjet shtetasit Ermal Beqiri i cili i ka drejtuar te ky subjekt. Pra, të gjitha aktivitetet drejtohen nga shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi me qëllimin përfundimtar përfitimin e paligjshëm të fondeve të marra nga kontratat publike me institucionin e AKSHI.”, thuhet në dosje.

Në pjesën e publikuar nga Bardhi përmendet edhe skema e organizuar nga të akuzuarit për të përtifuar fondet publike në mënyrë të paligjshme. Sipas SPAK, kjo skemë konsistonte në përcaktimin e paligjshëm të kritereve konkurruese për procedurat e prokurimit, të cilat vendoseshin me qëllim për përjashtimin nga gara të operatorëve ekonomikë ofertues dhe paracaktimin e fituesit duke nxjerrë arsye të ndryshme për skualifikim. Ndaj operatorëve ekonomikë të skualifikuar, që kërkonin informacion përmes ankimit te Autoriteti Kontraktor dhe te Komisioni i Prokurimit përdornin dhunë, heqje të paligjshme të lirisë për t’i detyruar me forcë që të tërhiqeshin nga ankimimimet.
Nga kontrollet e ushtruara në banesat dhe bizneset në emër të Ergys Agasit dhe bashkëshortes Megi Agasi, Prokuroria thotë se janë sekuestruar disa aparate celularë, kamera, kompjuter dhe dokumente fizike”.
“Ndër to është sekuestruar dhe pajisja kompjuterike “4 – Smart battery camera” e cila është ekspertuar me Aktin e Ekspertimit Kompjuterik me nr. 207, datë 17.07.2025. Nga ekspertimi kompjuterik janë ekstraktuar të dhëna kompjuterike. Nga këqyrja e këtyre të dhënave rezulton se në këtë pajisje gjendet dosje kompjuterike e emërtuar “DCIM”. Brenda kësaj dosje ndodhen disa nën-dosje elektronike të emërtuara me datë, muaj dhe vit. Secila nga këto nën-dosje përmban të dhëna kompjuterike të formatit “MP4 Video File”, me emërtime të veçanta. Nga këqyrja e këtyre të dhënave kompjuterike janë konstatuar pamje filmike me interes për hetimin. Nëpërmjet aplikacionit VLC Media Player, pikërisht funksioni “Take Snapshot”, u fiksuan fotografi të gjendura në filmimin video si dhe u transkriptuan komunikimet e kryera gjatë këtij …”, thuhet në dosje.

Krahas fotove që ka publikuar, Bardhi thotë se “Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh”, duke shtuar se vetëm qytetarët shpëtojnë vetëm me largimin e tij. Ai thotë se përmes kësaj skeme, Agasi ka përfituar 30 mln euro vetëm nga AKSHI “për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro”.
“Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.”, shkruan mes të tjerash Bardhi.
Reagimi i plote i Bardhit:
Nga “Palloshi i gjatë” i Belinda Ballukut, tek “Kapo” i Ergys Agasit! Edi Rama ka rënë në rrjetë dhe është në hall të madh. Largimi i tij i menjëhershëm është shpëtimi i vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka kryer genocid ndaj Buxhetit të Shtetit dhe parave të qytetarëve shqiptarë!
Dosja e AKSHI-t provon se skema korruptive e ndjekur është identike me atë që kemi parë edhe në çështjet e tjera. Paracaktim i kritereve, paracaktimi i fitueseve, dyfishimi i fondit limit, ndarja e parave mes kompanisë fituese dhe autoritetit që përcakton fituesin. Sepse korrupsioni nuk është një akt i izoluar i Belinda Ballukut apo dikujt tjetër, por skemë qeverisjeje e Edi Ramës.
Logjika që ndiqet është se, nëse shërbimi kushton 2 milion, fondi limit bëhet 4 milion. Pra, taksa e korrupsionit merret po nga paratë e Buxhetit të Shtetit, jo nga vlera e fitimit të kompanive private.
Sipas SPAK-ut vetëm për 9 muaj, për periudhën 11.12.2024-26.9.2025, përmes kësaj skeme, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi, krahu i djathtë i lidhjeve me krimin e organizuar i Edi Ramës, ka përfituar plot 30.2 milion euro. Po po, 30.2 milion euro për 9 muaj ka përfituar taksë korrupsioni vetëm nga AKSHI, për një tender sekret që fondin limit ia kanë caktuar 60 milion euro.
Kjo nuk është vjedhje! Ky është genocid ndaj Buxhetit të Shtetit. Prandaj nuk kanë fonde për të rritur pensionet dhe pagat. Prandaj nuk kanë fonde për t’u dhënë punonjësve të shtetit shpërblim për fundvit, prandaj s’kanë fonde për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Këta nuk janë Qeveri. Këta janë një bandë që ka marrë peng vendin përmes një Kryeministri të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ndryshe nga Belinda Balluku që e quante “Palloshi i gjatë”, Ergys Agasi e respektonte dhe e quante “Kapo”! Prandaj, ka nisur pengimin e drejtësisë, sepse e ka kuptuar që ka rënë në rrjetën e drejtësisë, në mos si “Palloshi i gjatë”, ka rënë si “Kapo”!
“Ditën që erdhi haberi… dilni se erdhi E…”
Prisni se ngatërrova regjistër. E nisim sërish, da capo:
— Grua, doli dielli edhe për ne! Je abdejtuar me të fundit? Qeveria rriti rrogat e klasës punëtore dhe shtresave në nevojë, që ia marrsha të keqen!
Por, siç ndodh rëndom në familjet tona, entuziazmi i burrit që lexon titujt e lajmeve u përplas me muret e ftohta të realitetit që mban në dorë gruaja – ekonomistja e vërtetë e familjeve tona me buxhet të kufizuar. Ajo tundi kokën, pa asnjë shenjë gëzimi, dhe aty buzëqeshja më ngriu në fytyrë.
— Më pëlqen ky entuziazmi yt. Po kur ta mbash ti llogarinë e shtëpisë, do ta shohësh rritjen e vërtetë, — më tha me një zë që parashikonte stuhinë.
E ekzagjerove, – iu kundërvura unë. – Tani jemi në kohën kur mund të heqim dhe ndonjë lek mënjanë.
Pas kësaj ndërhyrjeje, me sa duket krejtësisht të pamotivuar, fytyra e gruas u nxi edhe më shumë.
— Sa kafe në ditë pi zotrote? — më pyeti ajo. Kështu nisi “seanca” e llogaritjes; jo me makroekonominë e ministrisë, por me mikroekonominë e bidonit të ujit.
— Dy, – iu përgjigja unë i habitur nga kthesa e gruas. – Të tretën ma ka ndaluar doktori se më ngrihet tensioni.
— Dhe sigurisht i shoqëron me nga një bidon ujë, apo jo?
Nënqesha hidhur. Hajde grua, hajde.
— Po ke parë të pihet kafja pa ujë? Dhe duhet nga ai i paketuari, se po pive nga ai i çezmës, të zë purtha e përfundon tek Infektivi.
Për çudinë time gruaja filloi të avanconte duke u thelluar:
— Po sa ujë paguajmë në muaj si faturë bashkie, e di? Eja të bëjmë një llogari bashkë.
Unë, i gatshëm në punët e shtëpisë, hapa kalkulatorin. Dava uji! Sa rëndoka në buxhetin e familjes?
— Sa ishte fatura e ujit këtë muaj?
— 22 mijë lekë.
Birinxhi. Çfarë janë 22 mijë lekë në fund të fundit? Hiçgjë
— Sa ujë me bidonë konsumojmë në muaj?
Nisa të mendohem.
-Besoj nja 13–15 nga ai 10-litërshi që, me 1200 lekë bidoni, na rezulton nja 20 mijë lekë të tjera.
Kishin ikur më shumë se 40 mijë lekë nga kuleta dhe nuk kisha kuptuar gjë.
— Po katër të rritur në shtëpinë tonë, sa ujë konsumojmë rrugëve, kafeneve apo në zyrë?
Shfryva. Se me këtë punën e matematikës nuk është se i kam pasur punët mirë.
— Po e lëmë me tre bidonë mesatarisht në ditë, nga ata që kushtojnë 700 deri në 900 lekë… — zëri filloi të më dridhej, llogaria po më shtrëngonte fytin.
Fluturuan dhe nja 80 mijë lekë. Bo, bo… u katandis kokoshi një thelë.
— E sheh? — ndërhyri ajo. — Të paktën 120 mijë lekë vetëm ujë! Pra, rreth 22 për qind e 500 mijë lekëshit shkon vetëm për të shuar etjen e për të larë surratin.
Kulmi! Ishim në mesin e dimrit, por gryka m’u tha. Vajta të rrëmbeja një bidon, por kur mendova koston, bërtita:
— Sikter me gjithë ujë! Edhe qumësht dhie të pinim, do na dilte më lirë!
Por nuk mbaroi me kaq. U hap thesi… dhe lista bashkë me të.
— Vazhdojmë me artikujt higjienikë, — vijoi bashkëshortja me tonin standard të ministres së Financave. Më kishte ardhur në majë të hundës dhe vendi s’po më nxinte.
— Po pse, moj grua, u sosën gazetat kështu?
Le që ne në gazeta punojmë, e kemi lëndën e parë falas.
— Eh, po kanë plumb! Mjekët thonë se plumbi është i keq për organizmin. Pastaj shtëpia ka nevojë për letër higjienike, peceta higjienike, solucione higjienike… ka lloj-lloj asortimentesh higjienike sot.
—Po te pjata e gjellës kur do shkojmë?
—Do vemë dhe aty, po prit se ka radhë puna.
— Lëre me kaq! — i thashë duke ngritur duart përpjetë, si i dorëzuar para fatit. —
Se e shoh që, kur të vijë puna te buka, do përfundojmë te misri foragjere, nga ai që përdoret si silazh për lopët e mushkat. Se për brekë, kanotiere e ndonjë bluzë për ndërresë, e kemi gjetur zgjidhjen te “Gabi”.
— Jo po doje edhe pushime në Jug ti…, — shtrembëroi fytyrën ajo, si për ta mbyllur përfundimisht bisedën dhe për ta zbehur deri në fund entuziazmin tim.
— Kështu siç përfunduam, do t’i marr çelësat e tarracës Bajramit. Blejmë dy karrige portative dhe një çadër dhe ja ku e bëmë plazhin, — propozova unë.
Gruaja buzëqeshi dhe aprovoi me një “OK”-ej të plotë.
—E sheh? Filluan të të vijnë mend.
Dhe unë për kompensim i dhashë një tjetër “OK”, sigurisht po aq të plotë.
Qeveria mund të shtojë zero në rrogat tona, por për sa kohë kostoja e jetesës galopon më shpejt se vendimet e Këshillit të Ministrave, ne do ta kapërcejmë gjithnjë me borxhe pragun e shtëpisë. Në fund të ditës, suksesi i një rritjeje rroge nuk matet me duartrokitjet në parlament, por me faktin nëse gruaja do ta tundë kokën për miratim apo si dëshpërim kur të shohë listën e pazarit.
Për momentin, dielli që “doli” mbi strehën e shtëpisë sonë u mbulua sërish nga retë e zeza të bidonëve me ujë, dhe… letrave higjienike.
/Gazeta Panorama
Takimet me gjeneral Rrahman Parllakun i kisha jo të shpeshta, por si kryetari i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës, ai ishte gjithnjë i respektuar, aq më tepër kur mori vesh se isha nga Filati i Çamërisë dhe kisha shkruar një artikull për të ashtuquajturin “Grupi i Teme Sejkos”. Për këtë rast Parllaku dinte të fliste sinqerisht, se ishin të vërtetat e një kohe të jetuar nga ai. Është e njohur se të vërtetat gjithnjë mbeten si të tilla, sado kohë të kalojnë. Aq më tepër kur ato i thonë dëshmitarët okularë që i kanë përjetuar ato në kohën që kanë ndodhur. Kjo i shkonte përshtat gjeneral-lejtënant Rrahman Parllakut, që pasi mbushi 100 vjet të jetës së tij, ndjehej i fortë në kujtesë dhe i drejtë dhe me logjikë të fortë për ato që thoshte.
Edhe pse ai u largua nga jeta, të vërtetat që ai ka thënë janë të pakontestueshme se para së gjithash, ai ishte një burrë malësie dhe një atdhetar i mirë. Mosha e madhe e gjeneral-lejtnant në pension Rrahman Parllaku, nuk e pengonin që të risillte në kujtesë ngjarje historike që kishin lënë gjurmë në kujtesën historike të shqiptarëve dhe që kanë përcaktuar fate tragjike të personaliteteve me emër në historinë e Shqipërisë.
I ndodhur në një moment meditimi dhe me një kujtesë fantastike, gjenerali i nderuar edhe nga opinioni publik, “u rrëfye” sinqerisht, për momente që i kishin lënë jo vetëm kujtime, por edhe brenga të mëdha, siç ishte ajo e ndodhur më 28 korrik 1960, me arrestimin e personaliteteve nga Çamëria, që ishin në pozita të rëndësishme, siç njihen publikisht Teme dhe Taho Sejko apo dhe Tahir Demi, Avdul Resuli etj..
Përjetimet e atyre ditëve gjeneral Parllaku i kujtonte me shumë vërtetësi kur shprehej se: “Me Temen nuk më ka takuar fati të njihem në Luftën Nacionalçlirimtare, po u njoha kur ai u kthye nga studimet e pambaruara në ish-Bashkimin Sovjetik, bashkë me Mehmet Shehun, Tahir Kadarenë e Abaz Fejzon, të thirrur nga qeveria shqiptare për të drejtuar e transformuar ushtrinë, nga ushtri partizane, në ushtri kombëtare. Mehmeti u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Tahiri, zëvendës i tij; dy të rinjtë, Temja dhe Abazi, shefa shtabi divizionesh: Temja në Gjirokastër, Abazi në Korçë.
Ishin këta dy të rinj, dy ish-udhëheqës të Luftës Nacionalçlirimtare, me përgatitje të lartë ushtarake, dy të rinj të dalluar në luftë, por që po shkëlqenin edhe në studimet akademike. Unë në atë kohë isha drejtor i personelit të Ushtrisë. Jam njohur që në atë kohë me Teme Sejkon.
Më vonë, mbasi unë mbarova studimet e larta ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik, kur u ktheva më 1951, Temen e gjeta në detyrën e Shefit të Zbulimit. U bëmë kolegë pune në organet e Shtabit të Përgjithshëm. Këtu fillon hoqëria jonë e pandarë, deri ditën e arrestimit të Temes”.
Vrasja e Ali Demit
Shumë e shumë janë thënë dhe vazhdojnë të thuhen, por këto që kanë thënë këta dëshmitarë okularë, janë të vërtetat e pamohueshme dhe që për fatin e keq ka një lloj tërheqjeje dhe hezitimi në prononcimet për këtë ngjarje ose, ka tendenca abuzimi me thënie e kundërthënie që janë sajesa të Sigurimit të Shtetit dhe që na sillen në formën e të vërtetave që dinin t’i thurnin vetëm pinjollët e këtij Sigurimi famëkeq. E gjithë kjo vetëm e vetëm që të justifikonin sajesën e akuzave. Më tej gjeneral Parllaku, që ishte edhe ky një viktimë e atij sistemi kriminal, shton:
“Shokët e mi më të afërt në luftë u bënë çamët, dy luftëtarë të shquar, Ali Demi e Ilmi Seiti, për të cilët kam shkruar e folur. Aliun e njoha në gusht 1943 kur erdhi në Vlorë, pas daljes nga burgu nëpërmjet tunelit që vetë e kishte ideuar e drejtuar punimet, nën hundën e fashistëve. Ai fillimisht erdhi pranë Komitetit të Partisë Komuniste të Qarkut Vlorë dhe me kalimin e Hysni Kapos në radhët e ushtrisë, u bë sekretar politik këtij Qarkori komunist. Ardhja e tij në këtë detyrë ndryshoi stilin e drejtimit i dha fund ekstremizmit e përçarjeve që na kish lënë trashëgim Dushan Mugosha, e zbatuar me zell nga udhëheqësit e mëparshëm. Vrasja e tij qe një humbje e madhe”.
Edhe pse në Vlorë dhe Kaninë e dinë mirë se si u vra pas shpine Ali Demi nga shoqëruesi i tij i vënë me porosi nga njerëz të Partisë Komuniste Shqiptare, që t’i zinin vendin si sekretar politik, gjeneral Parllaku preferoi të heshte, duke më shikuar në sy e duke më thënë; “qerrata i madh je o Hyqmet, i gjurmon të vërtetat”! Dhe më tej shtoi: “Për Ilmi Seitin kam shkruar gjatë, për karakterin e tij burrëror, për zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme dhe qëndrimin e tij humanist, edhe në sektorin ku punonte.
Këtë e pamë më mirë unë e Temja, kur i organizuam ceremoninë e varrimit, ku pothuajse mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës dhe shikonim burra e gra me lot në sy. Dhe këtë e bënin për ish-drejtuesin e Sigurimit. Të gjithë e dimë se çfarë krimesh ka bërë diktatura në Shkodër, por burrëria, çiltërsia e humanizmi i Ilmi Seitit, u vlerësuan nga populli i Shkodrës. Nuk dua të lë pa përmendur një mikun tim çam, që ishte nga burrat më të moshuar të Brigadës, komisarin Abdyl Resuli, që e drejtonte batalionin në të gjitha luftimet dhe i gjithë efektivi e respektonte, pasi sillej me ta jo si drejtues, por kujdesej si prind”.
Dhe për në e madhe të gjithë këta burra çamë i “hëngri pabesia” e udhëheqjes komuniste të Enver Hoxhës dhe shokëve të tij, siç bëri më pas edhe me vetë këta “shokë” të partisë deri në prag të vdekjes, duke lënë vetëm Ramiz Alinë, për të cilin thuhet se ka qenë dora e zgjatur e UDB-së në Shqipëri, që nga koha e masakrës së Tivarit.
Dosja për Teme Sejkon
Me koshiencën e një idealisti dhe me barrën e madhe të përjetimeve të kohërave të trazuara të diktaturës, gjeneral-lejtnant në pension, thelloi dozën e kujtimeve për Teme Sejkon: “Njohja me Temen dhe shoqëria me të vazhdoi jo vetëm gjatë kohës që punuam bashkë në Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe kur ai u caktua në detyrën e Komandantit të Flotës Luftarake Detare, pasi detyra ime si zëvendësministër për përgatitjen luftarake, më bënte të kisha kontakte të shpeshta me të. Gjithnjë kisha gjetur mirëkuptim e ndjehesha i kënaqur për punën që bëhej në repartet e Flotës, për përgatitjen luftarake e përvetësimin e teknikë së re me të cilën po pajisej Flota.
Por fatkeqësisht, kur Temja ishte në kulmin e aktivitetit të tij, kur po shprehte aftësitë e pjekurinë e tij në kryerjen e detyrës së lartë, u godit nga diktatura. Dhe kjo nuk qe një goditje individuale, por goditje ndaj grupit të intelektualëve çamë. U gëzova kur Temja erdhi në Tiranë dhe më tha se do të shkonte për mbarimin e studimeve të larta Akademike. Në këtë kohë, takimet e shoqërimi im me Temen u shtuan. Ndiqnim bashkë ndeshjet sportive të ekipeve, jo vetëm të futbollit, por edhe volejbollit e basketbollit.
Dilnim shpesh bashkë në Shtëpinë e Ushtarakëve. Pritja e tij u zgjat, po Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ngarkonte detyra. Unë kërkoja t’i ndodhesha në shoqëri, pa e ditur se ç’e priste. Kisha planizuar të organizoja e drejtoja një stërvitje në Vlorë me trupa, që do të vazhdonte 5-6 ditë. I them Temes: – Eja me mua, qëndro pranë familjes, të lë edhe veturën se do udhëtoj me ‘Gaz’. Vij, – më tha, po më ka ngarkuar shefi një detyrë që e kam mbaruar, po nuk i kam raportuar, pasi ai është me pushime në Durrës. Eja, – i thashë, se e takojmë Petritin, dhe i them se e mora Temen të rrijë pranë familjes dhe kthehemi bashkë.
Petriti, pyeti Temen: E mbarove materialin, dhe ai iu përgjigj se e kishte mbaruar. Na mbajti për kafe, si duket do t’i dërgonte ndjekësit e Temes në Vlorë, pasi Petriti ishte në dijeni të skenarit që po përgatitej për Temen. Drejtuesi i grupit, pas arrestimit të Temes, deklaroi se kur ndalonte makina ime, shtrihej në sedilje të mos e shihja kur kaloja!
U kthyem me Temen, me shpresën se ai do të shkonte të mbaronte studimet, dhe isha i bindur se do t’i mbaronte me Medalje të Artë, si shoku i tij Abaz Fejzo. Por diktatura, u kishte caktuar të dyve fundin tragjik: Temja vdes në tortura, kurse arkivolin e Abazit e përcolla më 12 janar 1987 nga burgu i Burrelit. Të dy këta heronj të luftës, që vunë talentin e tyre në shërbim të mbrojtjes së atdheut, duke komanduar dy armët elitë të ushtrisë. Temja komandoi Flotën Luftarake, kurse Abazi komandoi forcat tankise, u trajtuan në mënyrë barbare nga diktatura. Dhe bashkë me ta, nga ai gjenocid i pashembullt u shkatërruan edhe familjet e tyre, si edhe të mijëra kuadrove e luftëtarëve të shquar”, – ka rrëfyer Parllaku.
Në kafazin e burgut
Burrëria e një njeriu malësor si Rrahman Parllaku, ka qenë i lavdëruar nga shumë të njohur të tij, ndaj dhe rrëfimi i tij bëhet edhe më i besueshëm, sepse janë dozat e të thënave të elementeve që opinioni nuk i di dhe duhet ti, di se janë të vërtetat e përjetuara me shumë dhimbje.
Për këto Rrahmani kujton: “Të them të drejtën, kur e dëgjova Temen në gjyq, mbeta i zhgënjyer, por e besova kur më ra mua ta provoja, kur më futën në qeli e brenda saj në kafaz si kafshët e egra, ku jetova 11 muaj i izoluar nga bota dhe për 15 muaj pa asnjë lidhje me familjen, pa ditur nëse i kam gjallë! Kur u them njerëzve që kam jetuar në kafaz, nuk u besohet! Po u them të takojnë e të pyesin hetuesin tim Pirro Dautajn e, prokurorin Murat Komanin.
I përsëris këto, se diktatura i ka detyruar njerëzit të dalin nga vetja, kur përveç torturave fizike e psikologjike të kërcënonin edhe me shfarosjen e familjes. Vetëm kur të kesh kaluar nga ferri i diktaturës mund ta kuptosh gjendjen e atyre njerëzve që janë detyruar të dalin nga vetvetja.
Po diktatura është treguar tepër e ashpër dhe kriminale ndaj kosovarëve e çamëve që kanë vuajtur gjenocidin e pashembullt, si nga serbët e grekët, por edhe në Shqipëri dhe që nuk dinë as sot varret e të afërmve. Ose të krimeve të Drenicës e Tivarit, që u përsëritën edhe nga Millosheviçi. Përse diktatura mbajti këtë qëndrim ndaj dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë?
Unë në këtë moshë jam tepër i zhgënjyer që nuk ka një dënim kombëtar të diktaturës. Ende ruhen simbolet e saj, edhe sot e kësaj dite nuk i janë hequr diktatorit Enver Hoxha titujt. I vdekuri nuk gjykohet, por parlamenti duhet të vendos dhe të mos mbeten të barazuar viktima me xhelatin”.
I vendosur në idetë që shprehte dhe i saktë në kujtimin e ngjarjeve, gjeneral-lejtnant atëherë në pension Rrahman Parllaku, ndjehej po aq i angazhuar për çështjen kombëtare siç është edhe kauza e Çamërisë, kur shprehej: “Çështja çame sot është problem kombëtar, siç ishte Kosova dje dhe më vjen mirë që ajo gjen gjithnjë e më shumë mbështetje. Është detyrë e çdo qeverie të mos reshtë së ngrituri këtë çështje me ndërkombëtarët, deri sa të gjejë zgjidhjen e merituar”.
Ndoshta është momenti të kujtoj një thënie të një personaliteti si Shrëder që ka thënë se; “Një njeri mund ta nxjerrësh nga shtëpia e tij, por shtëpinë nuk ia heq dot nga mendja”, çka do ta referoja edhe në një formë tjetër se sido që të jetë historia dhe fati i një populli, bëmat e tij nuk mund të tjetërsohen, ato mbesin në kujtesë siç edhe bëri ky malësor, ushtarak i lartë që atë ditë që bisedova me atë kishte kaluar të 100 vjetët. Lavdia e tij dhe e të vërtetave të thëna prej tij do të jetojnë se janë dëshmitarët okularë të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare.
Brezat dhe historia do të kenë nevojë për fjalën dhe lavdinë e gjeneral Parllakut, ndërsa ai nuk kishte nevojë për të pathënat dhe të pabërat e diktaturës që na u shitën si të vërteta. Në portretin e këtij personaliteti të ushtrisë shqiptare, gjen vend shprehja latine “O popuj, ruani dhe nderoni të mëdhenjtë e kombit tuaj, se përmes tyre do ju njohë e ardhmja”.
Para disa vjetësh dhe këto ditë të këtij shtatori kur takova Rajmondin, djalin e Teme Sejkos, përmes fjalëve të tij nga bisedat e bëra dhe nga leximet e shkrimeve të ndryshme, më thotë se; “Ato që janë thënë dhe janë shkruar janë një pjesë e vogël e atyre se çfarë janë bërë në kurriz të këtij populli.
Familja ime e provoi keqas, babai, xhaxhallarët, vëllai dhe trashëgimtarë të tjerë që kishin mbiemrin Sejko. Ajo që më ka mbetur peng është mos gjetja e eshtrave të babait dhe të vëllait Sokolit dhe që ata burra çamë që u pushkatuan mbetën të fajshëm pa bërë asnjë faj edhe sot e kësaj dite”. / Memorie.al
Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar me një video-mesazh në rrjetet sociale pas daljes së përgjimeve të reja nga dosja e SPAK-ut, ku në qendër të hetimit del emri i Ergys Agasit që regjistronte takimet që bënte në vilën e tij.
Shehaj deklaron se përgjimet e SPAK tregojnë se Agasi regjistronte sistematikisht takime me ministra, deputetë, zyrtarë të lartë, biznesmenë dhe eksponentë të krimit të organizuar, duke e përshkruar atë si nyjën kryesore për manipulimin e tenderave dhe. Shehaj thekson se Agasi është “bankomatii” i kryeministrit Edi Rama.
Shehaj deklaron se Ramës tani i ka mbetur vetëm një mundësi, të arratiset nga Shqipëria.
“‘Kjo kushton 2 milionë, do të bëjmë 4 milionë. Kjo tjetra kushton 30, do ta bëjmë 60.’
Këto dalin nga dosja e SPAK-ut. Ergys Agasi regjistronte çdo takim që bënte me ministra, me deputetë, me zyrtarë të lartë, me biznesmenë, me eksponentë të krimit të organizuar. Çdo gjë e regjistruar. Dhe këto regjistrime janë pjesë e dosjes së SPAKut. Praktikisht Ergys Agasi ishte bankomati i Edi Ramës. Kishte mundësi të manipulonte çdo lloj tenderi. Çdo gjë kalonte nëpërmjet atij.
Tani Edi Ramës, pasi i kanë dalë këto përgjime, i ka mbetur vetëm një mundësi. Të arratiset nga Shqipëria.” – u shrpeh Agron Shehaj në një video-reagim në rrjetet sociale.
Qeveria ruse po shtyn qytetarët që të përdorin Max, aplikacionin e ri të krijuar dhe të kontrolluar nga shteti.
Një grua në Shën Petersburg e la punën në një agjenci komunale vetëm që të shmangte instalimin e një aplikacioni. Studentëve të një universiteti në Siberi u është thënë se nuk mund të hyjnë në provime, madje janë kërcënuar me përjashtim, nëse nuk fillojnë që ta përdorin atë. Një burrë gënjeu shefin e tij për këtë gjë dhe tha se mund të detyrohej të blinte një pajisje të dytë – një telefon të thjesht, ku nuk mund të përdoret interneti.
Para gjashtë muajsh, mes një buje të madhe, autoritetet ruse nisën zbatimin e një projekti që shpresonin se do të transformonte jetën digjitale të qytetarëve: një aplikacion kombëtar komunikimi, i mbështetur nga shteti, që do t’u mundësonte njerëzve të bënin gjithçka, duke nisur nga ankesat për mbledhjen e mbeturinave, te regjistrimi për lëndë shkollore dhe caktimi i terminëve te dentisti.
I quajtur Messenger Max, ai është boshti kryesor i një përpjekjeje më të gjerë për të ndërtuar një “super-aplikacion”, i instaluar në çdo telefon mobil, që në fund do t’u lejojë rusëve të kryejnë një sërë veprimesh nën mbikëqyrjen e rreptë të rregullatorëve shtetërorë dhe Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).
Reklamat për aplikacionin Max janë kudo në Rusi: në bilborde, në internet, në televizione dhe ai po promovohet edhe nga zyrtarët qeveritarë. Rregullatorët kanë ngadalësuar aplikacionet më të përdorura që nuk janë nën kontrollin e shtetit, si WhatsApp dhe Telegram, për t’i frustruar përdoruesit dhe për t’i shtyrë ata të kalojnë tek aplikacioni Max.
Por, a po funksionon kjo? A po kalojnë rusët tek aplikacioni i ri?
Në shumë raste, po. Por, shumë njerëz po ankohen dhe disa po rezistojnë.
“Max ishte pika e fundit”, tha Oksana Petrova, një grua që la punën e saj në Shën Petersburg pasi iu urdhërua të shkarkonte Max-in.
Kur pyeti pse duhej ta bënte dhe shprehu dyshime mbi sigurinë e tij, asaj iu mbajt një leksion se si “të gjitha rrjetet sociale janë nën mbikëqyrje”, u shpreh Petrova.
Amerikanët monitorojnë WhatsApp-in, francezët monitorojnë Telegram-in, “por, vetëm FSB-ja monitoron Max-in”, tha shefi i saj. Nëse nuk e instalonte, i tha shefi, FSB-ja do ta vëzhgonte.
Petrova, si dhe të tjerët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë për këtë artikull, kërkuan të përdornin pseudonim për të shmangur arrestimin ose ndjekjen ligjore.
Një grua e quajtur Anastasia u ankua se djali i saj së fundi u ndalua nga mësuesi i tij që të marrë pjesë në një ekskursion shkollor për të parë një film, sepse Anastasia nuk konfirmoi lejen e tij, duke përdorur Max-in. Djali u kthye në shtëpi duke qarë.
Mësuesi “tha ‘nëse nuk të pëlqen, transferohu në një shkollë tjetër. Unë nuk përdor mesengjerë të tjerë për të komunikuar me prindërit, ky është urdhër i shkollës’”, shkroi Anastasia në një koment në aplikacionin e rrjeteve sociale Threads, një platformë e kompanisë Meta, që ka edhe WhatsApp-in dhe Instagram-in.
Për vite të tëra, autoritetet kanë hasur në vështirësi në gjetjen e mënyrave për të kontrolluar apo monitoruar WhatsApp-in dhe Telegramin, i cili u krijua nga rusi Pavel Durov.
Këto përpjekje janë pjesë e fushatave më të gjera – që datojnë prej dekadash – për të kontrolluar mënyrën se si rusët e përdorin internetin.
Përveç që kanë shënjestruar gjigantët perëndimorë të internetit si Facebook, Google, Apple dhe Amazon, autoritetet kanë zhvilluar alternativa vendase si Yandex, VK dhe Mail.ru dhe kanë ndërmarrë hapa për t’i kontrolluar plotësisht këto platforma.
Vitin e kaluar, VK, kompania ku shefi ekzekutiv i saj është djali i këshilltarit të Kremlinit, Sergei Kiriyenko, u shfaq si një lider në zhvillimin jo vetëm të Messenger Max, por edhe si një alternativ për YouTube, platformën e videove që është në pronësi të Google, që po ashtu është mjaft i popullarizuar në mesin e rusëve.
Më shumë se 15 vjet më parë, Ministria e Zhvillimit Digjital lansoi një portal të shërbimeve elektronike qeveritare të quajtur Gosuslugi. Ai ka thjeshtuar jetën e miliona rusëve, duke lehtësuar shumë punë të përditshme që burokracia ruse shpesh i bënte të padurueshme.
Që nga viti 2022, Gosuslugi ka filluar të integrojë më shumë nga shërbimet e saj në VK. Rregullatori kombëtar i teknologjisë dhe mediave, Roskomnadzor, përdori Gosuslugi për të paralajmëruar rusët rreth bllokimit të platformave si Instagram-i dhe për t’i nxitur rusët që të kalojnë te VK.
Në qershor, Duma shtetërore ruse miratoi legjislacionin që autorizonte krijimin e Max-it. Po atë muaj, presidenti rus, Vladimir Putin, e mbështeti publikisht aplikacionin, duke njoftuar se të gjitha shërbimet qeveritare duhet të transferoheshin tek ai.
Që atëherë, ka pasur një fushatë të madhe marketingu për të bindur rusët të kalojnë te ky aplikacion, përmes kërcënimesh dhe detyrimit.
“Duhet të pranohet se sa shumë burime po përdoren për ta shtyrë këtë gjë të quajtur Max, me çdo mjet, përfshirë edhe vetë Putinin. Pra, Putini personalisht nuk ka promovuar kurrë asnjë organizatë tjetër komerciale, përveç Max-it”, tha për Current Time, Mikhail Klimarev, aktivist dhe drejtor i Shoqatës për Mbrojtjen e Internetit.
“Mendoj se kjo është arsye e mjaftueshme për të qëndruar larg, për të qëndruar larg gjithçkaje”.
Në një sondazh të zhvilluar muajin e kaluar nga grupi hulumtues Russian Field, 68 për qind e rusëve thanë se nuk e përdorin fare Max-in, ndërsa edhe 1 për qind tjetër deklaruan se e kishin shkarkuar aplikacionin, por nuk e përdornin. Ata që e përdorin thanë se e shfrytëzojnë kryesisht për biseda dhe mesazhe me miq e familjarë, e më pas për komunikime zyrtare, përfshirë edhe ato që lidhen me shkollat.
Muajin e kaluar, Ministria e Shkencës dhe Arsimit të Lartë e Rusisë u dërgoi një letër të gjitha institucioneve të arsimit pasuniversitar, duke përcaktuar një sërë afatesh që shkollat të regjistronin Max-in për komunikim zyrtar dhe të raportonin se si po përdorej aplikacioni.
Në Universitetin Shtetëror të Kubanit, studentët publikuan online fotografi të një urdhri të dekanit që i detyronte studentët të shkarkonin Max-in, si dhe kërkesën që të shkruanin një “deklaratë shpjeguese” nëse refuzonin.
Urdhra të ngjashëm u raportuan edhe në universitete të tjera. Në Voronezh, studentëve iu kërkua të instalonin aplikacionin, në të kundërtën nuk do të lejohej të hynin në provimet përfundimtare. Në Jekaterinburg, studentët u kërcënuan me përjashtim nga universiteti.
Në Universitetin Shtetëror të Kazanit, departamenti i kimisë u ka thënë studentëve se do të pengoheshin fizikisht që të hynin në fakultet, nëse nuk siguronin një leje elektronike të hyrjes përmes aplikacionit Max.
OVD-Info, një organizatë monitoruese e pavarur që dokumenton represionin policor, tha se deri në fund të nëntorit kishte pranuar dhjetëra ankesa nga studentët dhe mësimdhënësit, të cilët janë ankuar se po detyrohen ta përdorin këtë aplikacion.
Disa studentë thanë se ishin indiferentë.
“Nuk kam mendim të fortë për këtë. E kam instaluar. Kam regjistruar llogarinë, por nuk e përdor”, tha Aleksei, student në Universitetin Shtetëror të Pskovit. “Edhe njerëzit e tjerë thonë njësoj”.
Ai shtoi se Max-i është më i besueshëm krahasuar me aplikacionet e tjera të mesazheve.
Viktoria Romanova, aktiviste nga OVD-Info, tha se administratorët e universiteteve kanë shmangur ligjet ekzistuese duke përdorur gjuhë të paqartë për të detyruar studentët të përdorin aplikacionin Max.
“Kërcënimet e drejtpërdrejta dhe të hapura, si përjashtimi nga shkolla ose pushimi nga puna, ose moslejimi i studentëve të hyjnë në provime, janë më pak të zakonshme”, i tha ajo REL-it.
“Zakonisht përdorin formulime të paqarta për probleme të mundshme, kërcënime për masa disiplinore dhe krijimin e situatave ku thjesht bëhet e pamundur të mos instalohet Max-i”.
Këtë javë, rregullatorët propozuan idenë që bankat të detyrojnë klientët e tyre që të përdorin vetëm Max-in për procedurat e tyre bankare.
Po ashtu gjatë kësaj jave, disa rusë janë ankuar se kanë probleme me Gosuslugi, portalin qeveritar. Portali i lajmeve Vyorstka raportoi se një nënshkrim elektronik, i njohur si GosKlyuch, i cili përdoret për të nënshkruar dhe shkëmbyer dokumente ligjore brenda Gosuslugit, tani do të kërkojë përdorimin e aplikacionit Max.
Aleksei, që punon në ndërmarrjen e ngrohjes komunale në Shën Petersburg, tha se e kishte gënjyer shefin e tij se e kishte shkarkuar aplikacionin. Sipas tij, shumica e kolegëve të tij kanë vepruar po njësoj.
“Një pjesë e njerëzve që kanë frikë se të dhënat e tyre personale mund të zbulohen, mendoj se do të blejnë pajisje dhe do t’i përdorin për të hyrë në WhatsApp, për të krijuar llogari të reja të postës elektronike, në mënyrë që të mos detyrohen ta përdorin Gosuslugi, Sberbank, ose ndonjë gjë tjetër”, tha ai. “Kështu është puna. Është e neveritshme”.
You never know God is all you need until God is all you have.
Rick Warren
Ti nuk e di kurrë se Zoti është e tëra që të nevojitet, derisa Ai të jetë e tëra që ke.
Rick Warren
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – tani në detyrë – në Prishtinë. Mars, 2025.
Anëtarësimi në NATO është më shumë se një dëshirë politike për Kosovën – është nevojë urgjente. Ky është pozicioni që mbajnë jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe disa aleatë të rëndësishëm, në kohën kur paralajmërimet për rrezikun në rritje nga Rusia nuk ndalen.
NATO-ja premton se angazhimi i saj për stabilitetin e rajonit do të mbetet i palëkundur, por a mjafton kjo për një vend që ndodhet në vijën e parë të sfidave strategjike?
Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmon se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim i Republikës, por thekson se rruga drejt këtij objektivi “varet edhe nga rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike”.
Zyrtarët nuk i dhanë një përgjigje të drejtpërdrejtë Radios Evropa e Lirë nëse ka plane për një aplikim formal për anëtarësim, por vunë në pah angazhimin e vazhdueshëm të vendit në këtë drejtim.
“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s. Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe këtij kuadri bashkëpunimi, për arsye politike.
Në NATO-n 32-anëtarëshe janë katër vende – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shumicën e aleatëve, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë mbetet kusht kyç për çdo hap përpara drejt anëtarësimit.
Serbia, nga perspektiva e Kosovës, përbën rrezikun kryesor të sigurisë, ndërsa Rusia shihet si aktori që e ushqen dhe e shfrytëzon këtë tension për të zgjeruar ndikimin e saj destabilizues në Ballkan.
Ndaj, zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, sipas presidentes Vjosa Osmani.
“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani në një intervistë për Politico-n.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin më 11 dhjetor, duke paralajmëruar se aleatët e Aleancës janë shënjestra e radhës e Rusisë.
“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë, dhe Evropa duhet të jetë e përgatitur”, sipas tij.
Qysh prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, para gati katër vjetësh, Kosova ka kërkuar disa herë anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë aleancë nëse ka plane për të thelluar angazhimin me Kosovën, përtej misionit paqeruajtës KFOR, apo nëse po shqyrtohen mekanizma që do t’i ofronin Kosovës garanci më të fuqishme sigurie.
Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës thuhet vetëm se “Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e tij është i palëkundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ketë vakum të sigurisë”.
Ndërsa pranoi se shtetet autoritare, si Rusia, përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, zëdhënësi i NATO-s nënvizoi gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar dialogun me Serbinë si thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
NATO-ja u zgjerua për herë të fundit vitin e kaluar me Suedinë. Pushtimi rus i Ukrainës e nxiti atë dhe Finlandën një vit më herët t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak dhe të kërkonin siguri kolektive.
Këtë javë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi është i gatshëm të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë. Pavarësisht kësaj, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë – anëtaret e së cilës janë të detyruara ta mbrojnë njëra-tjetrën – ka qenë gjithmonë thuajse i pamundur, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kosova ndoshta mund të përfitojë nga kjo situatë, sepse NATO-ja nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se Rusia ka të drejtë vetoje mbi vendimmarrjen e saj.
“NATO-ja është krenuar gjithmonë me autonominë e vendimeve të saj. Dhe, nëse për momentin i duhet të heqë dorë nga anëtarësimi i Ukrainës, ajo mund të dëshirojë ta kompensojë këtë duke u zgjeruar drejt dy vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor – Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës – për të treguar se dyert e Aleancës mbeten të hapura”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Neni 10 i Traktatit të NATO-s përcakton kushtet e zgjerimit, duke theksuar se anëtarësimi u ofrohet të gjitha shteteve evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës dhe kanë kapacitetin të kontribuojnë në sigurinë e Atlantikut të Veriut.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili ka marrë pjesë në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, argumenton se Kosova ka përparuar në aspektin ushtarak, por vë në pah pengesat në funksionimin e brendshëm të shtetit. Për pjesën më të madhe të këtij viti, Kosova ka qenë me qeveri në detyrë dhe pa kuvend funksional.
Mediu nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke përmendur edhe përvojën e Shqipërisë, ku pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrim të përbashkët gjatë procesit të anëtarësimit.
“Pa këtë, është e pamundur të avancohet në NATO. NATO-ja nuk është vetëm një dëshirë. Është një proces i angazhimeve politike, institucionale, juridike, i luftës kundër krimit, kundër korrupsionit… Kjo është paketa politike. E, pastaj, vjen reforma në forca të armatosura, ku Kosova nuk ka ecur me hapa të ngadaltë, por me hapa pozitivë”, thotë Mediu për Exposenë.
Sipas Mediut, integrimi i Kosovës në NATO nuk vjen vetëm duke u pozicionuar kundër Serbisë apo Rusisë – ai kërkon ofertë konkrete strategjike ndaj aleatëve, veçanërisht SHBA-së.
Marrëdhëniet me SHBA-në, thotë ai, nuk mund të merren si të mirëqena; duhet të jetë e qartë se çfarë ofron Kosova dhe faktori shqiptar në rajon në këmbim.
Ai sheh zgjidhje në integrim gradual de facto: bashkëpunim ushtarak rajonal dhe kapacitete të përbashkëta operative.
“Kjo do të ishte një platformë shumë pozitive për ta përshpejtuar procesin. Nëse Kosova do të përfshihej me vendet tjera të NATO-s në rajonin e Ballkanit, në krijimin e niveleve të përbashkëta operacionale, që kanë të bëjnë me forca të gatshme për të vepruar, me vëzhgimin e hapësirës ajrore, detare, tokësore etj., Kosova, de facto, do të ishte e kyçur në një marrëdhënie me NATO-n”, thotë Mediu.
Në të njëjtën linjë, Shea thotë se Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, me të cilat tashmë ka partneritet në fushën e mbrojtjes, për të demonstruar kontributin e saj në stabilitetin rajonal.
Paralelisht, sipas tij, vendi duhet t’i avancojë reformat e brendshme dhe angazhimin diplomatik.
“Mendoj se, së pari, duhet të kemi një marrëdhënie më të mirë pune mes Qeverisë së Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara dhe fuqive kryesore evropiane. Të flasim hapur, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të lehta gjatë viteve të fundit, dhe Kurti është përballuar me kritika të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe disa aleatë evropianë. Gjendja e brendshme në Kosovë, me bllokadat në Parlament, dështimin për të zgjedhur kryetar, dhe fakti që tani kemi sërish zgjedhje më 28 dhjetor, ka ndikuar gjithashtu që jostabiliteti politik të mos shkojë në favor të Kosovës”, thotë Shea.
Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte kryesisht përfitime politike, pasi KFOR-i e mbron vendin me vite tashmë. Anëtarësimi do t’i siguronte njohje të plotë, vend në tryezën e NATO-s, kredibilitet ndërkombëtar dhe rol më të fuqishëm në sigurinë rajonale dhe evropiane.
Megjithatë, Shea paralajmëron se çdo reduktim apo ripozicionim i forcave amerikane në Evropë do ta detyronte kontinentin të merrte më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, përfshirë edhe Kosovën.
Këtë vjeshtë, SHBA-ja ka njoftuar për një reduktim të forcave rotative amerikane në Rumani. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Departamentin amerikan të Mbrojtjes më 31 tetor dhe më 16 dhjetor nëse këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim në pozicionimin ushtarak të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka marrë përgjigje.
Në fillim të këtij muaji, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesi republikan, Keith Self, e përshkroi rajonin si një “shkrepëse” dhe theksoi se udhëheqja e SHBA-së duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit atje.
“Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar mbrojtje ushtarake dhe politike. Kosova është veçanërisht e ekspozuar pa anëtarësim në NATO – proces që mbetet i bllokuar për shkak të refuzimit të Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për ta njohur pavarësinë e saj”, tha Self.
Edhe pse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, vendet mosnjohëse nuk kanë lëvizur, por ngjashëm as Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të madh, përveçse nga një cikël i rregullt zgjedhor në fillim të vitit në një tjetër të parakohshëm tani në fund.
E, nga këndvështrimi i sigurisë, ky ritëm mund të shihet si një shembull i kuptimit të vonuar të urgjencës strategjike.
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ka drejtuar akuza ndaj Shtëpisë së Bardhë përmes përfaqësuesit të tij, pas deklasifikimit dhe publikimit të fotografive ku ai shfaqet në kuadër të hetimit për skandalin Epstein, duke theksuar se “po përpiqen ta përdorin si kokë turku”.
“Shtëpia e Bardhë nuk i mbajti këto dosje të fshehura për muaj të tërë për t’i publikuar vonë një të premte me qëllim mbrojtjen e Bill Clinton,” deklaroi përfaqësuesi i tij në një postim në X.
Ai i atribuon këtë veprim Shtëpisë së Bardhë si një përpjekje “për t’u mbrojtur nga ajo që do të pasojë ose nga ajo që do të përpiqen të fshehin”.

“Mund të publikojnë sa fotografi të duan – mbi 20 vjeçare – por kjo nuk ka të bëjë me Bill Clinton. Nuk ka pasur kurrë dhe nuk do të ketë lidhje me të,” theksoi ai në deklaratë.
“Madje edhe Susie Wiles ka thënë se Donald Trump e ka gabim për Bill Clinton,” shtoi ai, duke iu referuar komenteve të shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë për revistën Vanity Fair, ku ajo pranoi se Clinton nuk kishte qenë kurrë në ishullin e Epstein në Karaibe.
Clinton prej kohësh ka pohuar se i kishte ndërprerë lidhjet me Epstein rreth vitit 2005, përpara se ky i fundit, i dënuar për abuzim seksual dhe shfrytëzim të të miturve, të deklarohej fajtor.

Në deklaratën e tij, zëdhënësi i Clinton, Angel Ureña, u shpreh: “Ka dy lloje njerëzish. Kategoria e parë nuk dinte asgjë dhe i ndërpreu marrëdhëniet me Epstein përpara se krimet e tij të dilnin në dritë. Kategoria e dytë vazhdoi lidhjet me të edhe më pas. Ne jemi pjesë e kategorisë së parë. Sado që kategoria e dytë të përpiqet të zvarrisë situatën, kjo nuk do të ndryshojë. Të gjithë, veçanërisht MAGA, presin përgjigje, jo koka turku,” raportoi gazeta The Guardian. Panorama
Në imazhe, Epstein dhe Maxwell shihen duke gjuajtur me princin e atëhershëm në Balmoral dhe duke qëndruar pranë tij në kutinë mbretërore në Ascot.
SHBA- Fotografitë e autorit të dënuar të abuzimit seksual me fëmijë, Jeffrey Epstein, dhe partneres së tij Ghislaine Maxwell, të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, zbulojnë se si Andrew Mountbatten-Windsor i siguroi dyshes qasje në shoqërinë e lartë britanike.
Në imazhe, Epstein dhe Maxwell shihen duke gjuajtur me princin e atëhershëm në Balmoral dhe duke qëndruar pranë tij në kutinë mbretërore në Ascot. Në një foto të veçantë, Maxwell është fotografuar jashtë 10 Downing Street , ku ndodhet zyra e kryeministrit. Një imazh veçanërisht prekës është ai në të cilin Mountbatten-Windsor shfaqet i shtrirë në këmbët e pesë personave, fytyrat e të cilëve janë të mbuluara, me kokën e tij afër prehrit të një gruaje, ndërsa Maxwell duket se po e shikon dhe po buzëqesh.
Sky News raportoi të shtunën se fotografia është bërë në Sandringham, rezidencën private të Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II në Norfolk, ku Mbreti aktual Charles III dhe anëtarët e familjes mbretërore tradicionalisht kalojnë Krishtlindjet. Në një foto tjetër, që besohet të jetë bërë në vitin 2002, Maxwell shihet duke pozuar në “Dhomat e Luftës” të Winston Churchill , dhomën nëntokësore ku kabineti britanik mblidhej gjatë Luftës së Dytë Botërore, me një grup që përfshinte ish-Presidentin e SHBA-së Bill Clinton dhe aktorin Kevin Spacey.
Fotot janë pjesë e grupit më të fundit dhe të shumëpritur të dokumenteve që lidhen me çështjen Epstein, të cilat u publikuan të premten në mbrëmje në faqen e internetit të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së. Një ligj i miratuar nga Kongresi në nëntor i kërkonte qeverisë të publikonte të gjitha dokumentet e paklasifikuara që ka për çështjen deri më 19 dhjetor. Por procesi përfundimisht do të zgjasë disa javë, tha Todd Blanch , zëvendëskomandanti në Departamentin e Drejtësisë .
Administrata Trump është kritikuar ashpër në 24 orët e fundit për “mungesë transparence”, me pjesë të mëdha të dokumentit që janë fshirë, duke përfshirë një listë prej 254 “masazhatorësh”, emrat e të cilëve po mbahen të fshehtë “për të mbrojtur viktimën” dhe 119 faqe dokumentesh gjyqësore nga një gjykatë e Nju Jorkut. Disa pjesë janë fshirë pa shpjegime, duke ngritur pyetje të mëtejshme. Imazhet, të cilat përfshijnë foto të ish-gruas së Mountbatten-Windsor, Sarah Ferguson, tregojnë, sipas Guardian, se si ai ia hapi derën elitës britanike Epstein dhe Maxwell.
Edhe pse shumë nga fotot janë pa datë, besohet se financuesi dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë u ftuan nga Andrew në eventin e Ditës së Zonjave në Royal Ascot më 22 qershor 2000. Edhe pse në event morën pjesë edhe Mbretëresha Elizabeth dhe Nëna Mbretëreshë, ai kishte deklaruar më parë se Epstein dhe Maxwell ishin “të ftuarit e tij personalë”.
Jeffrey Epstein i mori jetën vetes në një burg federal në Manhattan, New York, ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual. Ai më parë kishte pranuar fajësinë në vitin 2008 për krime seksuale kundër të miturve. Ghislaine Maxwell u dënua në vitin 2021 për trafikim të të miturve për qëllime shfrytëzimi seksual dhe u dënua me 20 vjet burg./Dosja.al
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Dhjetor 2025
Gazeta finlandeze “Jakobstads Tidning” ka botuar, të shtunën e 15 korrikut 1939, në faqen n°4, një shkrim asokohe rreth largimit të Mbretit Zog dhe familjes mbretërore nga Polonia për në Letoni, duke përmendur ndër të tjera bujarinë e mbretit, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Mbreti Zog shumë bujar me bakshishe.
Djali i ashensorit merrte 5 dollarë për çdo shërbim, sado të vogël.
Të enjten i është komunikuar gazetës Hbl. nga Riga :
Sonte në orën 23:32, me trenin ekspres të Varshavës, mbërriti në Riga ish-mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu, ish-mbretëresha Geraldinë, djali i tyre tre muajsh, ish-princi i kurorës Aleksandër, si dhe motrat e ish-mbretit me suitën e tyre.
Të ftuarit e shquar u nisën nga kryeqyteti polak sot në mëngjes në orën 9:24. Banorët e Varshavës shpresuan deri këtë mëngjes se Zogu, në çastin e fundit, do ta ndryshonte itinerarin dhe, në vend që të udhëtonte përmes Stokholmit, do të merrte anijen polake oqeanike Batory nga Gdynia. Prandaj pati një zhgënjim të madh kur ish-mbreti i Shqipërisë u largua tashmë në mëngjes nga polakët, zemrat e të cilëve i kishte fituar. Çifti ish-mbretëror, me ish-princin e kurorës dhe dadon e fëmijës, u largua nga hoteli vetëm dhjetë minuta para nisjes së trenit, me automobilin e presidentit të shtetit Mościcki. Të gjithë të tjerët, megjithatë, mbërritën një çerek ore para nisjes së trenit. Emri i ish-mbretit nuk do të harrohet shpejt nga pronarët dhe personeli i hoteleve në Varshavë, sepse deri më sot askush nuk ka dhënë bakshishe kaq bujare. Djali i ashensorit tregon se ish-mbreti i jepte atij një kartëmonedhë prej pesë dollarësh për çdo shërbim, sado të vogël. Në hotel, të gjitha faturat u paguan me dollarë. Edhe sallonet e modës e kujtojnë me admirim ish-mbretin, i cili mbërriti në Varshavë me 60 valixhe të rënda dhe u largua nga qyteti me 80. Deri në kufirin letonez, mysafirët e lartë u shoqëruan nga një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme polake. Motra më e madhe e mbretit, Ruhija, u mor nën kujdes gjatë gjithë udhëtimit nga një infermiere dhe një mjek, sepse ajo u sëmur në Varshavë. Pak para arratisjes nga Shqipëria, ajo iu nënshtrua një operacioni të rëndë për shkak të një sëmundjeje të mëlçisë. Kishte frikë se ajo do të detyrohej të qëndronte në Varshavë, por gjatë 24 orëve të fundit pati një përmirësim dhe mjekët më në fund lejuan që ajo të vazhdonte udhëtimin. Mbretëresha Geraldinë ka qëndruar pranë shtratit të sëmundjes së kunatës së saj të dashur. Pikërisht ish-princesha Ruhije ishte ajo që bashkoi Ahmet Zogun me ish-mbretëreshën Geraldinë.
Në orën 18:40 mbërritën në stacionin kufitar letonez Zemgale, ku u bë ndërrimi i trenit, sepse gjerësia e shinave është e ndryshme në Poloni dhe Letoni. Nga stacioni kufitar letonez udhëtimi vazhdoi me një vagon salloni letonez. Në kufirin letonez, mysafirët e huaj u përshëndetën nga përfaqësues të autoriteteve kufitare dhe nga një numër i madh gazetarësh. Këtu, ashtu si në Varshavë, ish-mbreti ishte i rezervuar dhe nuk dha asnjë intervistë, duke u përpjekur sa më shumë të shmangte vështrimet kureshtare. Megjithatë, një nga njerëzit më të afërt të ish-mbretit në shoqërinë e tij shpjegoi heshtjen e tij me faktin se Zogu po shkruante aktualisht kujtime dhe për këtë arsye nuk donte ta privonte librin e tij nga materiale të vlefshme. Kujtimet e tij ish-mbreti po ia dikton sekretarit të tij Kastrat, i cili ishte kryeredaktor i së vetmes gazetë të Tiranës. Deri tani ai ka përfunduar 280 faqe, por libri do të jetë shumë më i trashë. Titulli i librit do të jetë: “Unë akuzoj Italinë”.
Urrejtja e ish-mbretit ndaj Italisë, dhe ndaj gjithçkaje që lidhet me të, është aq e madhe sa ai madje refuzoi kategorikisht të qëndronte në hotelin më të mirë dhe më modern të Rigës, ”Hotel de Rome”, sepse ky emër do t’i kujtonte Italinë, dhe në vend të tij preferoi një hotel shumë më pak madhështor, ”Hotel Petersburg”. Në Varshavë, Zogu kishte dhënë urdhër që t’i rezervohej një suitë në hotelin më elegant të Rigës, por kur dëgjoi emrin de Romë, tha :
— Jo Roma, në asnjë rrethanë nuk dua të më kujtohet se kam humbur vendin tim.
Hoteli Petersburg aktualisht strehon shumë turistë të tjerë, prandaj e gjithë shoqëria nuk mund të akomodohet aty. Për ish-princin e kurorës janë rezervuar jo më pak se tre dhoma.
Udhëtimi do të vazhdojë nesër për në Stokholm me avulloren ”Aeolus”.
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Dhjetor 2025
Gazeta finlandeze “Helsingin Sanomat” ka botuar, të dielën e 16 korrikut 1939, në faqen n°9 dhe 17, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretin Zog gjatë ekzilit në Riga (Letoni), të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Autografë mbretërorë për vajzat finlandeze.
Zogu me suitën e tij ende në Letoni.
Mbreti nuk i ka dhënë ende fund karrierës së tij politike.
(Nga korrespondenti i Helsingin Sanomat.)
Riga, 15 korrik.
Ish-mbreti i Shqipërisë, Zogu, i cili ndodhet aktualisht këtu, priti këtë mëngjes përfaqësues të shtypit letonez dhe të huaj dhe deklaroi sa vijon :
“Pas Luftës së Madhe Botërore kam ndjekur me interes të veçantë përpjekjet e popujve për përparim dhe bashkëpunim dhe kam vërejtur se si kombet punojnë për të vazhduar veprimtarinë e tyre në paqe.
Njëkohësisht kam pasur mundësinë të ndjek edhe luftërat çlirimtare të popullit letonez. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me gjithçka që kam parë dhe përjetuar në Letoni. Më mahnit veçanërisht puna e presidentit tuaj për shëndoshjen e jetës shtetërore dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Kudo kam parë përparim të madh, sidomos në fushën sociale. Edhe pse kam qenë vetëm disa orë në Letoni, kam parë tashmë se vendi juaj është ndër shtetet më moderne të botës nga pikëpamja administrative. Populli juaj ka përqendruar forcat prodhuese në bashkëpunim, në të cilin marrin pjesë në mënyrë të barabartë edhe bashkësitë e ndryshme fetare. Vetë kam përjetuar se sa e vështirë është të qeverisësh një vend ku jetojnë popuj dhe besime të ndryshme fetare.”
Pas deklaratës së tij, mbreti njoftoi se një nga sekretarët e tij do t’u përgjigjej gjithashtu pyetjeve të gazetarëve. Kështu, një gazetar pyeti se cilat janë planet më të afërta për të ardhmen e Lartmadhërisë së Tij. Sekretari u përgjigj :
“Lartmadhëria e Tij do t’i kushtojë të gjitha aftësitë dhe forcat e veta ringjalljes së Shqipërisë.”
Më pas u pyet nëse është e vërtetë që mbreti po shkruan kujtimet e tij. Përgjigjja ishte :
“Mbreti nuk i ka dhënë aspak fund karrierës së tij politike dhe, për rrjedhojë, nuk mendon ende për shkrimin e kujtimeve.”
Sekretari njoftoi më tej se mbreti, mbretëresha dhe e gjithë suita do të udhëtojnë të hënën për në Stokholm, ku do të qëndrojnë disa ditë. Prej andej shqiptarët do të vazhdojnë udhëtimin për në Paris, por mbreti nuk ka ndërmend të banojë në vetë qytetin, por do të vendoset diku në fshat. U pyet gjithashtu se çfarë planesh ka bërë familja mbretërore për të ardhmen e princit Aleksandër. Përgjigjja ishte :
“Princi Aleksandër është ende aq i ri, sa që për të ardhmen e tij nuk është menduar në mënyrë më të hollësishme.”
Sipas shpjegimit të sekretarit, pasionet kryesore të mbretit janë sporti i kalërimit, si edhe tenisi dhe futbolli. Ai është gjithashtu një admirues i madh i muzikës.
Në orën 12 shqiptarët u nisën me tre automjete për në Sigulda, ku u shtrua një drekë për ta në shtëpinë e gazetarëve. Më pas suita bëri një shëtitje të shkurtër në rrethinat shumë të bukura të vendit, të ashtuquajturën “Zvicra livoniane”. Pas kësaj ata u kthyen në Riga. Mbrëmjen e kaluan në hotel.
Kur mbretërorët ishin dje në Kemeri, në hotelin shtetëror, te mbretëresha erdhën dy vajza të reja finlandeze që po udhëtonin dhe që ndodheshin për vizitë në hotel. Vajzat i kërkuan mbretëreshës një autograf. Edhe pse kjo nuk do të kishte qenë plotësisht në përputhje me rregullat e oborrit, mbretëresha pranoi gjithsesi kërkesën dhe u dha atyre autografin e saj. Pastaj edhe mbreti shkroi emrin e tij. Kjo u bë shpejt e ditur në hotel dhe për çerekun e orës pasuese një radhë e tërë njerëzish priste mundësinë për të marrë një autograf. Çifti mbretëror shkroi sa mundi, por megjithatë jo të gjithë ata që prisnin arritën ta realizonin dëshirën e tyre.
TRI ZËRA STUDENTORË NGA GJENEVA: ANGAZHIM, IDENTITET DHE KUJTESË HISTORIKE Nga Nexhmije Mehmetaj
Arratisen Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj – Arben Ahmetaj për Agasin “një lloj ndërmjetësi i kryeministrit Edi Rama me bandat kriminale”
Hetimet për skandalin “Qatargate”, Parlamenti Evropian i heq imunitetin eurodeputetes italiane Alessandra Moretti
Dokument Historik i Presidentit Trump, Kongresit dhe Senatit të SHBA – Nga Elida Buçpapaj
BalkanWeb: Detaje të reja nga aksioni i SPAK, biznesmeni Gerond Meçe u mor peng nga Agasi dhe efektivë policie për t’u tërhequr nga gara për tendera në AKSHI
VIZITA E SHEMRËS RUSE -Tregim nga Shkëlqim HAJNO
Aferat e Ballukut dhe vjedhja e 50 milionë eurove, opozita zbret sot në protestë kombëtare
Bardhi publikon pjesë nga dosja e AKSHI-t, skema që përdorej për të paracaktuar fituesit e tenderave! Bisedat e Ergys Agasit
Mes propagandës dhe bidonit, kur lekët e rrogës shkojnë për ujë dhe letër higjienike- Nga LEONARD VEIZI
“Pa kufij”! Luna Çausholli ngjitet në skenën e Festivalit të 64 në RTSH, kënga me mesazh të fortë “rrëmben” zemrat e publikut
“Petrit Dume na mbajti për kafe, pasi ai ishte në dijeni të skenarit për Teme Sejkon dhe na tha…” Dëshmia e rrallë e gjeneral-lejitnant Rrahman Parllakut, për ish-Kundëradmiralin e Flotës Detare
VIDEO- “Çdo gjë e regjistruar nga takimet sekrete të Agasit në vilë”, Shehaj: Ramës i ka mbetur vetëm të arratiset
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet