Hans Christian Andersen
Vdiq,pasi ra nga krevati,
Kur ishte shtatëdhjetë vjeç.
.
Bashkëkohësit e tij,kjo nekrologji
Pa mend i la,
Për më tepër, kur mësuan se…
Prej rënies nga krevati
Vdiskësh
Një në tre milionë vetë…
.
Përrallëtari i Madh Hans
Veçse çuditshëm mund të vdiste ;
Si episodet e përrallave të tij
Vdekjen duhet ta kishte…
.
Ah,dhe në xhep ngaher’Anderseni mbante
Një pusullë të vogël,ku kish shkruar,
Ashtu shqetësueshëm me ndonjë gabim
Ortografik,
Siç i shkruante i përpirë nga frymëzimi
Rreshtat e rrjedhshëm të përrallave:
.
Kujdes, nuk kam vdekur!
.
Ua kujtonte atyre që do t’ia gjenin në xhep,
Ndoshta kur ta pikasnin përhumbur n’ëndërrim
Në shoqëri t’ëmbël me Rosakun,
Që zbukurohej tek rritej,
Njëherësh me Princeshën mbi Bizelen
Dhe, atë Vogëlushin trimosh dhe çapkën,
Që briti mes turmës servile dhe frikacake:
.
Mbreti është lakuriq…
.
Ajo pusulla e vogël,
Ashtu,me ndonjë gabim drejtshkrimor
Vlente
Edhe pasi Përrallëtari i Madh
U rrokullis nga krevati…
.
Kujdes, nuk kam vdekur…
2000