Fitim Çaushi
Si u diskutua në Byro takimi i Mehmetit me ambasadorin sovjetik dhe qëndrimi i Enverit. Si diskutuan Hysni Kapo, Gogo Nushi, Manush Myftiu, Pilo Peristeri dhe Spiro Koleka në Byro. Autokritika e Mehmetit…
(Vijon nga numri i kaluar)
Për të siguruar një farë mbrojtje, Shehu përsërit të kaluarën e tij luftarake: “E çova çështjen tek Levinçkini, jo drejt, por në prizmin personal, duke i bërë elozhe vetes për të kaluarën time luftarake dhe iu luta shokut Levinçkin që në baza internacionaliste të influenconte tek shoku Enver për të forcuar besimin e shokut Enver kundrejt meje dhe për të më ndihmuar që të dilja nga ajo situatë.”( AQRSH F, 14APOU, d. 5, f. 237-251)
“Bisedimi me Levinçkinin më qetësoi deri diku, prandaj pas këtij takimi mendova të vete apo jo… tek Shoku Enver? Në takimin e dytë Levinçkini më tha “pse të mos e shtrosh me shokun Enver, nuk ke arsye ta lësh kaq gjatë, mund të bisedosh më parë, se të bëni analizën në Ministrinë e Brendshme. Atëherë bisedova që të nesërmen me shokun Enver.”( AQRSH F.14/APOU, d. 5, f.. 237-251)
Nuk ka dyshim se Levinçkini e ka siguruar Shehun se Enver Hoxha nuk do ta shtronte problemin politikisht, do ta analizonte si problem karakteri. Këtu ka një problem të madh parimor: Në autokritikat e tij, Shehu përbetohet se “Unë kam patur kurdoherë respekt të plotë e besim absolut tek shoku Enver. Kundërshtime pikëpamjesh me karakter parimor midis mje dhe shokut Enver nuk ka pasur kurrë. Marrëdhëniet tona kanë qenë kurdoherë të shëndosha, kanë qenë marrëdhënie partie. Rrahja e mendimeve midis meje e shokut Enver ka qenë kurdoherë pozitive, për të mirën e punës e të Partisë. Asnjëherë nuk ka pasur midis nesh grindje personale.”( AQRSH F.14/APOU, d.32, f. 2-3)
Përderisa Shehu kishte një besim dhe vlerësim absolut tek Enver Hoxha, përse denoncimin e Sokrat Bufit nuk e përfshiu në praktikën e tij të zakonshme; rrahjen e mendimeve me Enver Hoxhën, por shkoi i rrahu mendimet me Levinçkinin? A mundet që për një ftohje, në dukje, një anëtar i Byrosë Politike, probleme kaq delikate, t’ia përcjell një udhëheqjeje të huaj? Përse nuk e kërkoi ndihmën më parë tek Enver Hoxha dhe nëse nuk gjente mirëkuptimin e tij, të shkonte edhe tek Levinçkini? Shehu ka një frikë të madhe nga ballafaqimi me Enver Hoxhën… ndodhur në gjendje të rrezikuar dhe të alarmuar, Shehu përdor gruan e tij, Fiqretin, për të tatuar pulsin e Enver Hoxhës: “Të nesërmen Fiqreti kërkoi të takohej me shokun Enver herët në mëngjes dhe i raportoi çqetësimin tim të tmerrshëm, duke kërkuar skjarime nga shoku Enver, se nuk kuptonte asgjë ç’kishte ndodhur me mua. Shoku Enver i shpjegoi Fiqiretit çështjen dhe e këshilloi të më ndihmonte të dilja nga ato pozita të gabuara. Deri atëhere nuk i kisha thënë Fiqiretit as një gjysëm fjale.“( AQRSH F.14/APOU, d. 5, f. 237-251)
A mund të besojë ish shefi i zbulimit, nga eksperienca e tij, se Shehu nuk i kishte thënë gruas së tij, anëtares së KQPPSH, as një fjalë për një letër që shkruhej për një problem të paqenë, për një shpifje ordinere, të pavlerë? Kaq frikë kishte ministri i Brendshëm nga shpifje të pa dokumentuara, sa të përjetonte gjendje të tmerrëshme shpirtërore dhe të fshihej edhe nga bashkëshortja, pjesë e udhëheheqjes së lartë të Partisë?! Pse Shehu shkoi tek Levinçkini dhe jo tek shokët e tjerë të Byrosë? Nuk kishte Shehu një shok besnik në Byro, të paktën tek Hysni Kapo, për ta konsultuar me të problemin e një “shpifjeje” që s’përmante asgjë të vërtetë? Si pati guximin dhe u afrua përsëri me shokët, ndërkohë që i kishte injoruar?!
Ndoshta ekspertë të zbulimit, si z. Perlat, mund ta kuptojnë, se ishte frika që nuk e la Shehun të kuptonte, se ku po shkonte. Ai po e autodemaskonte veten me veprimet e pakontrolluara. Pas arrogancës së Shehut në takimin me Enver Hoxhën për ta burgosur medoemos Sokrat Bufin, çështja shtrohet për diskutim në Byronë Politike:
Pilo Peristeri: -Ku bazohej Mehmeti që kish humbur besimi i shokëve për të, pse i lindën këto dyshime pikërisht në këtë kohë?… Shoku Enver e ka vlerësuar Mehmetin me të drejtë. Mehmeti nuk ka pasur arsye të thosh, se shoku Enver nuk ka besim tek unë. Shoku Enver drejtë e ka çmuar Mehmetin, prandaj çuditem se si nuk e ka parë edhe këtë anë të Mehmeti!
Gogo Nushi: – Kur vajte për herën e parë tek Levinçkini, ai të këshilloi që për këtë çështje të fliste me komandantin. Atëhere përse e zgjate kaq shumë çështjen e të shtruarit të këtij problemi me shokun Enver?
Hysni Kapo: – Është ashtu siç ka thënë shoku Enver, se byroja Politike ka pasur besim të patundur dhe kurrë nuk i është lëkundur besimi për Mehmetin. Vendi ku duhet të hapte zemrën shoku Mehmet, ishte Byroja Politike dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë…Unë mendoj, se shoku Mehmet nuk e ha hiç kritikën, ka besim të tepruar në veten e tij…Një e metë e tij është edhe gjaknxehtësia. Ka raste, si në mbledhjen e KQ,, thotë për Spiron: “ti kapitullove”, ose për Manushin ka thënë “të përjashtohet nga KQ”. Ka edhe shprehje të tjera…nuk është mbajtur qëndrim nga ne, për shprehje të papërshtatshme të shokut Mehmet….Çështjet që u shtruan përbëjnë një faj të rëndë nga ana e shokut Mehmet, që po ta shohim në parim prek unitetin e Partisë. Ky faj është veçanërisht i rëndë, kur bëhet nga Mehmeti që është një shok udhëheqës i Partisë...po të shohim gabimet në të cilat ra Mehmeti, të shohim edhe mbeturinat e tij dhe, si iu shfaqën këto në këtë rast, mendoj, se këto ia mundën përgatitjen që ka.”( AQRSH F.14, APOU, d.32, f.21-78)
Gogo Nushi: – Përveç të metave që ka Ministria e Brendshme, Mehmeti ka edhe mjaft të meta nga ana personale, sidomos shprehje jo të mira. Mua më ka thënë në mes të 20 vetave, “ty të tërheqin nga hundët”. Unë mund të kisha edhe gabime, po një shprehje e tillë nuk i drejtohet një shoku. Manushit në mbledhje i thotë: “ti je dembel i madh”. Mehmeti nuk ka bërë gabim që ka shkuar tek Levinçkini, por gabimi i tij është që nuk erdhi njëkohësisht t’ia thosh këtë hall edhe partisë së tij dhe shokut Enver.
Spiro Koleka: – Ne akoma nuk e gëlltisim mirë kontrollin e partisë. Unë këtu e gjej edhe vonesën e shokut Mehmet. Çështjet kryesore të kontrollit të partisë, ne duhet t’i forcojmë jashtëzakonisht në Byro për të gjithë sektorët. Shoku Enver e quajti me vend ta thërrasi disa herë shokun Mehmet dhe ta këshillojë të thellohet. Mehmeti duhet ta kishte kërkuar vetë një gjë të tillë nga shoku Enver dhe Byroja…Shoku Enver ka pasur durim të jashtzakonshëm, duke e ndihmuar Mehmetin, me këtë rast, na jep edhe neve një mësim të madh. Edhe gjykimi i çështjes së Sokrat Bufit ka qenë i drejtë…Takti i drejtë i shokut Enver e ka sjellë shokun Mehmet në rrugë të drejtë. Kuadrin duhet ta shohim mirë, është kapitali më i çmuar për partinë. Shprehjet e papërshtatshme për shokët, nuk vijnë vetëm nga gjaknxehtësia, por edhe nga nënvleftësimi i të tjerëve.
Manush Myftiu: – Mund të ketë demokraci dhe kolegjialitet në udhëheqje në rast se të gjithë njerëzit e ndjejnë veten njëlloj. Por shoku Mehmet nuk e ka ndierë veten njëlloj si gjithë shokët e tjerë këtu dhe për këtë unë kam vërejtjet e mia… Nga ana e tij nuk ka përpjekje për t’i afruar kuadrot e partisë…Unë vete tek shoku Enver pa ndrojtje, fare i lirë, pa le me shokët e tjerë. Shoku Mehmet ka një të folur të tillë që nuk e afrojnë atë me shokët, e sidomos me anëtarët e thjeshtë të partisë. Për shokun Mehmet kam pasur dhe kam respekt, por për punë nuk më pëlqen të vete tek ai...Duhet të mësojmë shumë nga qëndrimi i shokut Enver që i gjykon çështjet jo në mënyrë subjektive. Ai kujdeset që të shkojë mirë puna e Partisë…ka bërë edhe autokritikë për të na dhënë shembull, aq sa unë kam thënë, që e ka ekzagjeruar.”( AQRSH F.14/APOU, d. 34 f. 110-129)
Nga kjo panoramë që sjellin anëtarët e Byrosë Politike në këtë analizë, bindemi, se sa i molepsur paska qenë Mehmet Shehu në karakterin e tij dhe në metodat për t’i nënshtruar anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, me synimin për të nënshtruar edhe Enver Hoxhën. Analiza e Byrosë Politike e ka shfryrë Shehun si një tullumbace dhe ballafaqoi karakterin e tij agresiv përpara një forumi, ku duhet të ishte i barabartë mes të barabartëve. Lind pyetja: pse kjo tentativë primitive e Shehut, ndaj shokëve të tij të idealit?! Çështje karakteri apo qëllim afirmimi për të dominuar situatën në Byro dhe për të zëvendësuar Enver Hoxhën? Përse Shehu nuk ka dashuri për shokët e Partisë, por ka parapëlqyer urdhrat, si në një parti të tipit borgjez?
Enver Hoxha me shumë takt dhe durim e trajton Mehmet Shehun si një shok besnik, por me praktika që bien ndesh me normat e Partisë. Duke theksuar rrugën parimore, nëpër të cilën duhet të ecnin të gjithë anëtarët e Byrosë Politike pa përjashtim, me shumë mençuri Enver Hoxha i orienton Shehut një shteg për daljen nga gracka që i ngriti vetes me propozimin për arrestimin e Sokrat Bufit. Ai e orienton shtegun e shpëtimit brenda veçorive psikologjike të karakterit të Shehut, tek mbeturinat mikroborgjeze në ndërgjegjen e tij, kjo nuk ishte e rastit:
“Duke filluar që nga Mehmeti, duhet të krijojmë një ambient të ngrohtë për popullin dhe anëtarët e Partisë, të jenë të thjeshtë, të dashur, të drejtë….Ka shumë çështje për të shtruar, psh, për zbatimin e vijës së partisë në organet e punëve të brendshme, për disiplinën etj. Këto çështje dhe të tjera mund t’i ngrinim në Byro dhe si të merreshin në shqyrtim, ta kritikonim Mehmetin për dobësitë dhe të metat dhe të ndreqeshin punët… Kur unë i thashë Mehmetit të shihte, se mos kishte gjëra të tjera, e kisha hallin tek mbeturinat mikroborgjeze, ato kanë qenë arsyet që e bënë Mehmetin në një moment të jetës së tij revolucionare, të gabojë dhe në fakt gaboi.”( AQRSH F.14/APOU, d. 32, f. 73-76)
Me këtë taktikë të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut iu hap shtegu i daljes dhe ai, si i ndier fajtor ligjëron: “Duke mos e treksuar si duhet kritikën për këto të meta që ishin zbuluar e po zbuloheshin në punën e organeve të Ministrisë së Brendshe që unë drejtoj, i ndrydhur në sedrën mikroborgjeze të prekjes nga kritika, fillova të preokupohesha edhe nga kjo anë…Gjatë kësaj periudhe unë jetoj një periudhë preokupacioni kontradiktor e nervorizmi të ekzaltuar… Kjo ka qenë një periudhë preokupacioni kontradiktor e nervorizmi, sepse unë ndodhesha para nevojës e interesit të partisë për t’i zbuluar gjer në rrënjë të metat e organeve që unë drejtoja nga një anë dhe nga ana tjetër në të njëtën kohë, ndodhesha edhe para sedrës personale mikroborgjeze që prekej nga kritika e gabimeve e të metave.
Kur ishte krijuar tek unë një situatë e tillë nervozizmi e preokupacioni kontradiktor, u informova nga shoku Enver mbi çështjen e Sokrat Bufit, i cili kishte ngritur para KQ, se gjoja dyshonte shumë tek unë si “karrierist” e njeri që do t’i zerë vendin shokut Enver, si “provokator”, etj. Mbasi unë arrita në konkluzionin e gabuar, se çështja e Sokrat Bufit po “zvarritej”, gjoja sepse besimi i Sekretariatit dhe i shokut Enver ishin lëkundur, unë rashë në kontradikta të tmerrëshme, nga një anë ishte konkluzioni im i gabuar, nga ana tjetër ishte besimi im i plotë kundrejtë partisë, sekretariatit dhe Shokut Enver, dmth, që besimi im ndaj udhëheqjes së Partisë dhe shokut Enver ishte i plotë, i patundur, në një kohë kur besimi i tyre kundrejt meje qenkësh lëkundur. Kjo qe pozita më e kalbur që rashë unë. Kjo ishte përkulja ime para presionit dhe influencës së mbeturinave mikroborgjeze në ndërgjegjen time.”( AQRSH F.14/APOU, d. 5, f. 237-251)
Kaq të paarsyeshëm dhe mosmirënjohës të kenë qenë shokët e Sekretariatit dhe Enver Hoxha, sa t’u lëkundej besimi pa asnjë shkak tek Mehmet Shehu?! Për të qenë më i besueshëm, gjithmonë brenda shtratit të natyrës trashëgimtare, Shehu “bombardon” me fraza të natyrës psikologjike: “Një konkluzion i tillë i gabuar mikroborgjez dhe jo marksist, më vuri mua, për një kohë në kondita të vështira moralo-psikologjike, vuaja tmerrësisht nga ana shpirtërore. Kështu u ndrydha brenda vetvetes, për disa ditë jetoja në vetvete, një luftë e tmershme bëhej në ndërgjegjen time, sepse çështjet i shikoja me gjyslykët e mikroborgjezit…”( AQRSH F.14/APOU, d..5 f. 237-251)
Mehmet Shehu është i vëmendshëm t’i justifikojë këto devijime me majtizmin e tij të theksuar: “Unë duhet të tregoj kujdes të veçantë kundrejt rrezikut të majtizmit, që lehtë mund të çfaqet tek unë, pa nënvleftësuar edhe rrezikun e gabimeve që burojnë nga e djathta. Unë jam më i predispozuar që të bie në gabime me karakter sektarizmi, ekstremizmi të majtë, se sa në gabime me karakter liberalizmi ose oportunizmi.”( AQRSH F.14/APOU, d. 5. f. 251)
Shehu e di, se gabimet oportuniste, të djathta, të çojnë në tradhti, ndërsa veprimet sektare, të majta, dëshmojnë për një revolucionarizim të tepruar. Përse Shehu duhet të bënte zhbirime dhe psikoanaliza kaq të rënda të ndërgjegjes së tij, nëse ishte i sigurtë, se nuk kishte qëllime sfiduese ndaj Enver Hoxhës dhe vijës politike të Partisë? Përse duhej të dyshonte aq rëndë dhe të tmerrohej aq shumë, ndërkohë që Byroja Politike mbante një qëndrim konstant ndaj kuadrove dhe përpiqej t’i ndreqte kuadrot e saj?
Enver Hoxha përdori një taktikë të zbutur, një durim të admirueshëm, në shpjegimet që i kishte dhënë Shehut: “Këtu ne jemi për të ndihmuar shoqi-shoqin dhe asnjë nga ne, nuk mund të mendojë, se nuk mund të kritikohemi. I kam thënë edhe herë të tjera Mehmetit, se punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të jenë më parë njerëz partije, e pastaj punëtorë të sigurimit. Unë e ndihmova Mehmetin dhe nuk bëra veçse detyrën si komunist dhe si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë.
Edhe Mehmeti duhet të jetë modest, vlerat e tij, luftën e tij, ia njeh Partia dhe nuk është mirë për një komunist të thotë se “unë kam luftuar, unë kam dhënë kaq për partinë, që kam shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm me Brigadën e Parë” etj. Këto që ka bërë Mehmeti nuk janë gjë tjetër veçse detyra që ai ka kryer si një anëtar i mirë i Partisë. ( AQRSH F.14/APOU, d. 32, f.21-55)
Unë kam bindjen se kjo mbledhje që bëmë ka rëndësi të madhe historike për partinë tonë, jo vetëm, se gaboi Mehmeti dhe gabimet mund të kishin një pasojë të rëndë politike, porse gabimi i tij u bë shkak që në Byronë tonë Politike të ngremë çështje të një platforme të tillë që e forcojnë Byronë akoma më shumë dhe këtë frymë luftarake ne duhet t’ia japim gjithë partisë. Përsa i përket qëndrimit karshi kolegjialitetit, kritikës dhe autokritikës, duhet të forcohemi akoma më shumë…Suksesi që këto gabime të rëndësishme të Mehmetit u zgjidhën me kaq lehtësi, është me rëndësi dhe tregon, se uniteti i udhëheqjes sonë është i shëndoshë…Çështja e kolegjialiteti lot një rol shumë të madh, prandaj të luftojmë dhe ta vëmë në jetë këtë parim të madh. Unë kam pasur kurdoherë parasysh dhe kam propozuar, që vendimet të merren në mënyrë kolegjiale...Është shumë rrezik që ata shokë që janë ngarkuar me sektorë specialë, përveç sektorëve ekonomikë, t’i shpëtojnë kontrollit të Partisë. Një nga ata jam edhe unë si Sekretar i Përgjithshëm dhe Kryeministër. Gjer sa unë kam detyrat dhe kopetencat e mija që vendimet që merren këtu dhe në qeveri në mënyrë kolegjiale, kam përgjegjësi dhe duhet të kontrolloj zbatimin e atyre vendimeve nga shokët që janë ngarkuar t’i zbatojnë ato vendime. Unë duhet të kem kontakte të vazhdueshme me shokët e udhëheqjes së partisë dhe të qeverisë, t’i kontrolloj dhe t’i ndihmoj ata, se, si i zbatojnë detyrat.( AQRSH F.14/APOU, d.32, f. 63-68) Gjithseicili nga anëtarët e Byrosë ka kompetenca dhe inisiativë të plotë për zgjidhjen e problemeve, por vetëm brenda vendimeve të KQ, të Byrosë Politike dhe të qeverisë dhe kjo në frymën e vendimeve kolegjiale. Jashtë këtij kuadri, çdo tentativë do të quhet punë armiqësore. “(AQRSH F.14/APOU, d. 32, f. 21-55)
Me këtë konkluzion të Enver Hoxhës, Shehut i kufizohej mjaft hapësira për të urdhëruar me vend e pa vend, për t’iu imponuar arbitrarisht shokëve të Byrosë Politike dhe KQ, e ca më pak për të pasur mundësi të manovronte kundër Enver Hoxhës, i cili ishte pengesë për ekspozimin dhe realizimin e qëllimeve të tij të fshehta. Në përfundim të fjalës përmbyllëse, Enver Hoxha shpreh dashamirësinë e tij ndaj Shehut: “Mendoj se shoku Mehmet e ka të mjaftë një kritikë që i bëmë këtu…Jam i mendimit, se kjo punë që bëmë mbrëmë dhe sonte është një masë e madhe edukative për Mehmetin gjersa ky e realizoi këtë gabim menjëherë dhe bëri një autokritikë marksiste, prandaj dënimi vjen në radhë të dytë. Përsa i përket qenies së Mehmetit në Byronë Politike, as që e vë në diskutim dhe me këtë besoj, se shpreh mendimin e të gjithë shokëve…Në çështjen e parë që do t’i paraqesim plenumit, Mehmeti mund të bëjë autokritikë dhe të bëhet kështu një mësim e një shembull për të gjithë anëtarët e KQ.”( AQRSH F.14/APOU, d. 32, f. 19) Kisha edhe një kërkesë tjetër, sikurse e dini kam një vit pa bërë pushim, po të më lejoni mund të bëj 15 ditë pushim në Korçë, …zëvendësimi im këtu dhe në qeveri, të bëhet nga Mehmeti.”( AQRSH F.14/APOU, d. 32, f. 20)
Me këtë konkluzion, Enver Hoxha e ndihmonte Shehun të dilte nga komplekset torturuese të brendshme dhe i tregonte atij dhe tërë anëtarëve të Byrosë, se ai ishte një udhëheqës parimor, që nuk nisej nga pozita personale, edhe nëse i rrezikohej posti nga Shehu apo nga ndonjë tjetër. Për Enver Hoxhën rëndësi kishte kolegjialiteti dhe besimi tek shokët e udhëheqjes, si e vetmja mundësi për të përparuar vendin dhe për të thyer çdo tentativë të armiqve të jashtëm apo të brendshëm, për të përmbysur pushtetin popullor.
Vlerësimet e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën në Byronë Politike dhe në Plenumin e dhjetorit 1953, kanë qenë me superlativa: “Përpara se të shtrojë konkluzionet e tij shoku Enver, më lejoni të flasë edhe një herë. Unë them se analiza që i bënë shokët e Byrosë Politike kësaj çështjeje e konsideroj, si një zgjidhje të drejtë, marksiste. (AQRSH F.14, APOU, d. 32, f. 4-20) Ky që kam bërë unë është sigurisht një faj i rëndë, por fundi shyqyr që u transformua në një mësim për mua. Po të ishte koka e Mehmetit mbi supet e Enver Hoxhës, unë do ta kisha vrarë Mehmetin…Durimi i madh në çështjen e kuadrit që karakterizon shokun Enver, kujdesi jashtëzakonisht i madh dhe maturia në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjes sime, ka qenë një shkollë jashtëzakonisht e madhe për mua…Unë ia di për falënderje shokut Enver dhe e gjykoj zgjidhjen e kësaj çështjeje si një çlirim dhe shpëtim.”( AQRSH F.14?APOU, d. 32, f. 2-52)
Kuptuar kështu, në se nuk do të ishte Enver Hoxha, koka e Shehut do të kishte vrarë gjithseicilin nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike! “Shkaqet e gabimeve dhe të metat, unë duhet t’i kërkoj në karakterin tim personal, në temperamentin impulsiv, në sedrën mikroborgjeze, fodullëkun dhe besimin e tepruar në vet-vete...Tek unë ka mjaft mbeturina mikroborgjeze, të cilat, duke mos u luftuar sistematikisht nga kritika dhe autokritika, në një moment të caktuar m’u çfaqën tek unë të theksuara, m’u “pleksën” si ferra pas këmbës, dhe më penguan e më rrëzuan për një çast. “(AQRSH F.14APOU, d. 5, f. 237-251)
Shehu pranon, se mjaft mbeturina mikroborgjeze, iu çfaqën në një moment të caktuar dhe ky moment ishte denoncimi i Sokrat Bufit. Përse pikërisht denoncimi i Sokrat Bufit, ia shfaqi të theksuara mbeturinat mikroborgjeze, kontradiksionin, tmerrin, ankthin psikologjik, rrezikshmërinë? Çfarë kishte të veçantë ky moment që i harlisi Shehut mbeturinat mikroborgjeze?! Ky momnet kishte të veçantë denoncimin si “rrezik për Partinë”.
“Kur shoku Enver më thoshte se nuk është çështja e Sokrat Bufit kryesorja, unë revoltohesha edhe më tepër, forcoja menjtimin, se shoku Enver nuk besonte në sinqeritetin tim.”( AQRSH F.14/APOU, d. 5.f.247) U largova nga pozitat e kalbura dhe fillova të shikoja se çështja e Sokratit nuk duhej shtruar ashtu siç e shtrova unë, një shtruarje e tillë është të vrasësh kuadrin. Të gjykosh si gjykova unë për kuadrin, nuk është i drejtë, ashtu siç nuk ishte i drejtë mendimi im i çfaqur në Byro për arrestimin e Sokratit…Unë kam gabuar vazhdimisht për çështjen e kuadrit...Nuk e kam marrë drejt kritikën, jam nisur nga një arrogancë mikroborgjeze, nga qëndrime brutale ndaj njerëzve…Puna e kuadrit është jashtëzakonisht delikate dhe duhet të ndryshoj qëndrimin tim brutal...do të luftoj kundër megallomanisë.”(AQRSH F.14/APOU, d. 32, f.32-34)
Koncepte mikroborgjeze kishin të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, sikundër e pohojnë vetë gjatë analizës që i bënë çështjes së Sokrat Bufit, por a mund ata, të bënin krime për të kënaqur sedrën e tyre mikroborgjeze? Duhet të ketë qenë diçka tjetër, një konstrukt shpirtëror i egër, se sa sedër mikroborgjeze tek Shehu! Mehmet Shehu pranon, se ishte i shqetësuar për problemet që mund të dilnin nga analiza e Ministrisë së Brendshme që ai mbulonte. A do të ishin kaq shumë të shqetësuar dhe terrorizuar, edhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, për analiza respektive në sektorët që mbulonin ata, nëse do të ishte botuar një kryeartikull për tradhtinë e ministrit të Bujqësisë, Mjekësisë, Industrisë etj., në BRSS?!
Në përfundim të punimeve të plenumit, Mehmet Shehu premton: “Unë i premtoj partisë se nuk do të bie kurrë, në ato pozita që rashë. Do të luftoj edhe kundër gjaknxehtësisë e do të përpiqem të gaboj sa më pak. Unë duhet të bëj një kthesë përsa i përket metodës time të trajtimit të kuadrit. Unë sillem mjaft rreptë me kuadrin. Jam arrogant kundrejt kuadrit. Në këtë drejtim unë duhet të mësoj shumë nga shoku Enver.” (AQRSH F.14/APOU, d.5, f. 237-251)
(Vijon)
Komentet