Shansi për t’i jetuar momentet historike i bën shumë të prekshme shtrirjet e përmasave, orjentimin, vlerën e vërtetë dhe konceptimin tonë mbi KOHËN. Çdo epokë e re që lind në jetën e një kombi ndjek një rrugë përgatitore. Përgjatë saj zbulohen raportet e vërteta; individë (ndeshje), dhe popull-komb (kulturë), ashtu sikurse ca më vonë do të zbulohen edhe lidhjet më të dukshme mes tyre. Përsa i përket kuptimit mbi KOHËN si koncept, këto raporte dhe lidhje nuk mund të ndodhin gjithkund… “Paracaktueshmëria” e finales së tyre në skenën e madhe të historisë, me urtësi proverbiale dhe me forcë mitike ka provuar se: “… populli është autor dhe aktor i dramës së vet !”
Në anën figurative, vlerësimet mbi realizimin dhe vënien në lojë të kësaj shfaqje, padyshim që do të na jepeshin mendimet më të para prej një kritiku të specializuar të artit. Kështu mendoj se edhe problemi qëndron i hapur përsa i përket çështjes : “ Çfarë roli luan gazetari sot ?!”.
Padyshim se përgjigjja mbi këtë pyetje lidhet pazgjidhshmërisht me STATUSIN e TIJ (gazetarit), dhe kjo çështje në opinionin publicistik po lufton të marrë formë të plotë dhe të konkretizohet. Ndërsa për cilësinë e një “lloji” tjetër gazete, pra atë të ekranit, ky problem ndjen të bëhet edhe më shumë shqetësues…
Ashtu sikurse të gjithë qendrojnë në pritje përballë ekranit, kështu qëndron edhe ky paradoks përpara gazetarëve të tij. Është ky paradoksi i faktit dhe i ngjarjes,… e asaj se çka ndodh që e dyzon vlerësimin tonë ndërmjet detyrës dhe dëshirës së ndershme për t’iu përgjigjur hapur dhe me vërtetësi opinionit publik.
KOHA E TIJ E PARË : – Po nesër çfarë përgjigjje do të japim ?!
Është sot pikërisht kjo brejtje e ndërgjegjjes së përgjegjësisë e cila qëndron mbi të gjithë ne. Është nesër gjurma e kësaj hije të rëndë që do ta zhgënjente gjininë e dokumentarit për detyrën e vet fisnike që i është ngarkuar që prej lindjes. Është vlera e vërtetësisë së pasqyrimit të kronikës së jetës që hedh dritë dhe që së brendëshmi e shtyn ekranin për të mos i besuar më vonë “suksesit” të subjektivitetit historik, atij që : HISTORINË E SHKRUAN AI QË FITON!
Vallë po ata që e humbasin (“të humburit”), a nuk e kanë po kaq të shkruar historinë e tyre ?!…
Në qoftë se e nesërmja e shumës së fakteve do të ndiqte këtë rrugë, atëherë mjerë memorja e popullit e konservuar në celuloid dhe në shiritin elektronik që bashkë me vërtetësinë e ruajtur në arkiva, nuk do t’i sillte asgjë tjetër historisë së tij veç dëmit të shartesave dhe të etiketimeve pafund ndëshkuese të cilat i detyron suksesi dhe marrëzia e subjektivitetit historik.
Kur horizontet e zhvillimeve të sotme dhe të ardhme shoqërore të shqiptarit i pranojmë të gjera dhe të arritshme, atëhere nuk ka përse fizionomia e tij në ekran prej mëngjezit deri në buzëmbrëmjen e çdo dite me habi të mbetet në udhëkryqin e rrugëve… E ndërsa nata bie ( programi TV 18:00 deri 22:00), kurreshtja e tij për informacion pasi endet duke gjurmuar morinë e stacioneve, rrëzohet në shtrat për të kaluar me gjumë të shqetësuar ankthin e ndodhive të nesërme. E ndërsa e nesërmja vjen, ndërgjegjja e tij detyrohet që të zerë përsëri rradhën e gjatë të pritjes në kryqëzimin e udhëve, për të ruajtur shenjën e gjelbër si një shteg të shpresës dhe si një zgjidhje e rrugëdaljes.
E vërteta është se koha punon për zhvillimin dhe kjo mbetet padyshim ushqimi i vetëm i kurajos së guximshme të pritjes. Por mungesa e informacionit në ekran, pasiviteti, filtri i pafund i çensurës e pse jo edhe shpesh herë shtrembërimet keqdashëse, dihet dhe kanë provuar të kundërtën duke ushqyer psikologjinë e mosrrugëdaljes me frikën e kryqit të udhëve.
Uniteti kombëtar nëpërmjet ekranit nuk mund të jetë THIRRJE për MPIRJE (!). Një ekran i tillë jo vetëm që nuk mund të kryej më detyrën e vet, por duke shfaqur ngurrimin dhe shtrëngesën, ai nuk bën gjë tjetër veç se vaksinon topitjen dhe plogështinë mbi gazetarët e vet.
Ndërsa ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën me veti të papërsëritshme ekrani në vend që të ndjejë rinimin prej fakteve të freskët të jetës, ai rrezikon të shkojë në të kundërt. Ca më keq e humb intuitën dhe refleksin profesional duke treguar kështu moshën e padëshiruar “të peqërisë”. Dalja jashtë funksionit në këtë kohë e dokumentit të ekranit do të vlerësohej e pafalshme nesër nga brezat që do të vijnë. Po të krahasohej ky dëm,… ai do t’i ngjasonte veprimit shkatërrues që do t’i bënin në këtë rilindje bashkëkohësit e sotëm kulturës së trashëguar nga etrit dhe paraardhësit e tyre.
KOHA E TIJ E DYTE: – Po sot çfarë përgjigje do të japim?!
Ashtu siç ndodh! Këtë ne jemi në gjendje ta bëjmë, sepse çdo situatë dhe ngjarje e gëzon të drejtën e shfaqjes në ekran. E në qoftë se gazetarët dhe korrespondentët e një numri të madh gazetash që e kanë fatin ta meterializojnë mendimin e tyre publicistik të ligjëruar pluralist nëpërmjet lirisë së shtypit është për t’u theksuar se me ekranin bëhet shumë pak dhe gati asgjë…
Atëherë përse ndodh kështu…?!
Çdo veto që synon ta mbështesë sado pak në këtë rrugë egoizmin e ekzistencës nuk bën gjë tjetër veçse shpreh dëshirën pushtetmbajtëse në jashtëkohë. Nesër mbijeton populli, ndërsa kultura e tij këtë akt nuk ka për ta harruar. Ai do ta rikujtojë e do ta nëvizojë për të mos i ndodhur më kurrë.
Me shtrirjen e gjerë të tyre dihet fare qartë se numri i gazetarëve të ekranit i përket thuajse të gjitha fushave të veprimtarisë shoqërore. Pikërisht ky fakt dhe kjo gjerësi përcaktuese nuk ka pse të mos jetë e lirë në komunikimin e vet me popullin, në pasqyrimin e jetës së tij. Në të kundërt në qoftë se ekrani nuk do të quhej i fikur si i tillë, veç topitjes, përjetimet do të shënonin vetëm kuota të mbingarkesave kaq të dëmshme për kohën që rrjedh. t’i
Në një masë të konsiderueshme i gjithë ky përjetim historik pa dyshim se ashtu si për çdo krijues edhe për gazetarin e ekranit di t’i shërbejë mundit të një pune të mirë për nesër. Madje me ngjarjet e çdo dite që shkon, ai hedh piketat e subjekteve që do të ndërtojë. Pavarësisht nga ndonjë ç’rregullsi, ato mbeten tema, ide e synopsise që presin të marrin jetë… Shënimet e hedhura, nënvizimet mbi ngjarjet dhe fiksimet në celuloid tashmë janë shprehur si fakte të jetuar të jetës dhe presin që një ditë t’i mbushin përsëri ekranet. Tek cilido prej tyre sikur të përpiqesh vetëm pak duke zgjatur kokën mbi shënime, sytë do të ndeshen mbi faktet dhe idetë të cilat po t’i ngulitësh mirë në mendje për t’i rikujtuar ndonjë ditë, do t’i përkisnin ndoshta titujve të shumë kronikave, emisioneve dhe filmave që të ftojnë për t’u parë.
Që prej vitit të kaluar koha u rrokullis me shpejtësi dhe na la në gjatësinë e ditarit të këtij momenti historik që po vazhdon, qindra gjurmë. Fakte dhe protagonistë, forca levizëse shoqërore, liri të besimit dhe të ndërgjegjes, organizime politike, krizë të ekonomisë, greva, tension, solidaritet, eksod dhe prag të gjakderdhjes (!). Të gjitha këto shoqëruan një nga një ditët për në zgjedhjet e para të lira të cilat mundën që të përgatisnin dhe të legalizonin fitoren e parë të pjesshme drejt demokracisë, pluralizmit parlamentar dhe hapat drejt formimit të shtetit juridik. Mbi të gjithë këto fakte, filmi hedh kurdoherë dritë dhe nuk vjetërohet, prandaj dhe kujdesi për ekranin dhe kameran kërkon më shumë ndriçim dhe fokus (liri dhe qartësi).
KOHA E TIJ E TRETË: – Po dje çfarë përgjegjësie kishim ?!
Them përgjegjësi, pasi përpjekjet e gjetjes së çdo lloj përgjigjeje nuk do të ishin gjë tjetër veç se një justifikim i pamoralshëm ndaj detyrës. Prandaj që këtu fillon dhe qëndrimi ynë, ndaj ndershmërisë dhe që sot e pa humbur më asnjë çast ne do të punojmë për kohën.
Ngjarja ndodh. Faktet zbulohen. Kamerat marrin lëvizjen e jetës, fiksojnë dokumentin e saj. Kjo po kushtëzon që si asnjëherë gazetarët e tyre duhet të jenë të gjindshëm në problemet më të mprehta mbi të cilat është përqendruar vemendja e mbarë kombit. Të gjitha këto ndjejnë nevojën që të shkruhen dhe të shihen. Është përcjellja e faktit ajo që shquan sot rolin e gazetarit të vërtetë të ekranit duke përzënë prej qënies së tij përfundimisht ndrojtjen. Me ndërhyrjen e tij si “emergjent social” në vendin e ngjarjes “ekspertiza” e tij bëhet në emër të vërtetësisë. Thellimi gjithnjë e më tepër në problemet shoqërore, të gjendurit përherë mes njerzve dhe opinioneve direkte të tyre e bën akoma më të dukshëm misionin dhe i mëson atij vetë se duke luftuar vetëm për të vërtetën ai do të fitojë statusin, ashtu sikurse do të ndihmojë që nëpermjet tij të parashikojë dhe të parapresë çdo pasojë.
Koha që po kalojmë është një nga momentet historike më të përshtateshme që bashkë me statusin do t’i plotësojë ekranit dhe gazetarëve të tij dëshirën e madhe për të pushtuar përsëri të vërtetën dhe njohjen. Mbarsja e plot ngjarjeve dhe kamerat që fiksojnë shprehin sot qëndrimin ndaj origjinalitetit dhe kulturës kombëtare.
Si i tillë, dokumenti audioviziv në ekran mban përgjegjësinë e përjetimit të momentit historik, ku arti i faktit si mbrojtës i së vërteës ndërgjegjëson drejtepërdrejtë opinionin duke ushqyer urtësinë dhe unitetin kombëtar. Ushqen dijen dhe atë konvergjim të arësyes që bashkë me gjithë energjitë fizike do të shërbenin për ndërtimin e mbarë të themeleve të psikologjisë kombëtare për një shoqëri të lirë dhe të emancipuar.
Shqipëria pret të lindë…
Çdo fraksion i kohës që po kalon gravidanca (barra) e saj na vendos përballë dokumentin (rrjedhën e jetës). Çdo ditë e gravidancës (barrës) së saj për jetën dhe fatet e kombit në ekran janë një PREMIERË të cilat kamera kurrë nuk duhet t’i humbasë. I mbështetur mbi këtë mision dhe mbi këtë detyrë, gjinia e dokumentarit do t’i rizbulojë vlerat për të mos i ndodhur “tjetërsimi i pronësisë” i cili u ndoq me interes nga qinra gazetarë të huaj. Sensacionet e tyre mund të spekullojnë ndoshta edhe mbi botën e panjohur shqiptare duke garantuar suksesin. Por të mos harrojmë se kjo humbje e dokumentit filmik shqiptar do të na rëndojë më me dhimbje sepse brezat e nesërm do të na qortojnë jo më pak edhe për “EKSPORTIM-idetë”(?!)…
Le t’ja lemë të shkuarës paaftësinë, llustrën, rrogtarizmin, uniformitetin, e të tjera që prej kohësh kritika e ka vënë në dukje. Në emër të dokumentit filmik i fiksuar ky qoftë edhe mbi një kuadër të vetëm, por me vlerat e një realiteti të papërsëritshëm që shkon drejtpërdrejt në shtimin e fondit kulturor, përjetimi i momentit historik si vlerësim i kohës, kërkon STATUS. Është ky statusi i gazetarit të ekranit që kërkon të respektohet dhe të përkrahet në mbarë opinionin qytetar shqiptar dhe të zyrtarizohet shtetërisht me ligj në emër të artit të dokumentuar të jetës së gjallë të popullit.
Ai nuk ka përse të trembet. Përballë tij me të gjitha ngjyrat e saj, ndeshet JETA.
ARDIAN MURRAJ
Tiranë, më 20.04.1991
Komentet