
Shqipërinë e vizitoi në një mision faktmbledhës raportuesi i Parlamentit Europian, austriaku Andreas Schieder nga Partia Socialdemokrate Austriake (SPÖ) , i cili në komentet e tij përfundimtare vuri në dukje se klima në Shqipëri ishte e qetë dhe jo sikur shfaqet nëpër foto, duke nënkuptuar protestën kombëtare të opozitës më 24 janar dhe se suksesi i integrimit i Shqipërisë në BE varet «nga puna e SPAK duke bërë apel që ky institucion të mos pengohet». Raportuesi i PE ishte shumë lakonik në përkufizimin e situatës në Shqipëri.
Por paralelisht me z.Andreas Schieder nga Shqipëria, nga Strasbourg-u Albana Vokshi, deputete e PD dhe zv.presidente e PPE Women denonconte në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës bllokimin që po i bën prej gjashtë javësh maxhoranca e Kuvendit të Shqipërisë kërkesës të SPAK për heqjen e imunitetit të Nr.2 të qeverisë. Maxhoranca dmth PS në pushtet.
SPAK po pengohet nga tri shtyllat e pushtetit:
1. SPAK është bllokuar nga ekzekutivi. Qeveria më 21 nëntor 2025 dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për ta shpallur antikushtetues vendimin e SPAK. Edi Rama shkoi edhe më tej kur e konsideroi vendimin e SPAK një akt brutal dhe ndërhyrje të punët e ekzekutivit.
2. SPAK është bllokuar nga sistemi i drejtësisë, sepse Gjykata Kushtetuese i tejkalon afatet dhe nuk jep vendimin, sikur ndodhi edhe dje më 3 shkurt duke e shtyrë seancën në një ditë tjetër.
3. SPAK është bllokuar nga legjislativi, dmth nga Kuvendin i Shqipërisë. Dhe deputetja e PD në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Europës denoncon maxhorancën që ka refuzuar kërkesën e SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut.
A është njoftuar z.Andreas Schieder se z.Altin Dumani ish drejtuesi i SPAK dhe prokurori i Belinda Ballukut janë nën kërcënim.
A ka marrë njoftim raportuesi i parlamentit Europian se «Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për të shtuar mbrojtjen ndaj prokurorit Altin Dumani dhe disa prokurorëve të posaçëm, mes të cilëve dhe Dritan Prençi, prokurori i cili po heton zv/kryeministren Belinda Balluku.»
A nuk është duke u penguar SPAK dhe a përbën kjo shqetësim për Andreas Schieder dhe përse ai nuk e vuri në dukje se e pengojnë direkt edhe integrimin e Shqipërisë në BE.
Konferenca për shtyp e raportuesit të parlamentit Europian
Do të ndalem tek konferenca për shtyp në Tiranë e raportuesit të PE Andreas Schieder, ku u vu re se nuk mbajti një qendrim të paanshëm.
Sepse u mjaftua me deklaratën mbështetëse sipërfaqësore për SPAK, por nuk hyri në detajet dhe faktet konkrete që e kanë bërë SPAK të numërojë në vend.
Dhe kur gazetarët e pyetën a «do të përfshihet çështja ‘Balluku’ në raportin për PE? Schieder u përgjigj «nuk komentojmë çështje ligjore, i sigurt që Kuvendi do të marrë vendimin e duhur
SPAK ka katër muaj, prej tetorit 2025 që kërkon ndalimin e Nr.2 të qeverisë dhe ky ndalim po zvarritet. Kjo zvarritje pikërisht nga maxhoranca e Kuvendit u denoncua edhe nga deputetja e PD në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës .
A do të thotë kjo zvarritje për z. Andreas Schieder se SPAK po pengohet ?
Gjatë konferencës për shtyp, raportuesi i PE u pyet për AKSHI-in, që është një institucion qeveritar, i akuzuar nga SPAK si «grup i strukturuar kriminal», Gazetari e pyeti: « Berisha ka denoncuar se ky grup i struktura kriminal ka eksportuar te vendet armike të NATO informacione sensitive, a është parë si shqetësim nga BE ky denoncim?» Raportuesi Andreas Schieder u nervozua, kjo u duk edhe nga reagimi që dha: «Përgjigjja e parë dhe e shkurtër është jo», tha Schieder. Dhe vazhdoi:«Së dyti, ju lutem mos më bëni pyetje për gjithçka që thotë Berisha dhe që unë të bëj komente për gjithçka që thotë ai, sepse edhe unë do të duhet të dal pastaj nga roli im institucional.»
Përgjigjia e menjëherëshme e Andreas Schieder me një «jo» nuk është ezauruese, rrjedhjet e informacioneve në vendet armike të NATO-s natyrisht që përbëjnë shqetësim. Andreas Schieder do të duhej të shprehte shqetësimin se AKSHI ka zhvilluar aktivitet si një grup i strukturuar kriminal, diçka që e rrëzon për tokë imazhin e qeverisë së Tiranës. Po ashtu veprimtaria antikushtetuese dhe kriminale e AKSHI, institucion nën çatinë e qeverisë, është një sulm kundër integrimit të Shqipërisë në BE.
Reagimi i Raportuesit të PE Andreas Schieder ndaj liderin e opozitës
Sa për reagimin e z.Andreas Schieder ndaj Berishës, ai i tejkalon kompetencat e raportuesit të PE. Këtij reagimi shtypi pranë qeverisë Rama gjithë qejf i dha shumë publicitet për ta gjeneralizuar qendrimin antiBerisha të Andreas Schieber, sikur shprehej në emër të të gjithë Parlamentit Europian. Qëndrimi i Schieder ishte i pajustifikuar.
Për faktin:
se PD është pjesë e Partive Popullore me shumicë në Parlamentin Europian dhe ky grupim e njeh Sali Berishën si kryetar të PD. Në të njëjtën kohë Sali Berisha sapo është zgjedhur Zv.President i CDI, Unionit më të madh të partive të qendrës së djathtë në botë.
Po parashtroj tri pyetje:
Si u përzgjodh z.Andreas Schieder, Socialdemokrat i Austrisë, të shkojë në Shqipëri si raportues i Parlamentit Europian?
Nëse Parlamenti Europian do të kishte dërguar një raportues nga Grupimi i Partive Popullore, a do të shiheshin faktet me sy krejt ndryshe nga këndvështrimi i z.Andreas Schieder?
Përse Parlamenti Europian dërgoi një raportues që «për koincidencë» vjen nga krahu politik i PS të Shqipërisë dhe nuk dërgoi një grup raportuesisht ku të kishte balancim politik dhe konkluzione të përbashkëta.
Si dy pika uji, qendrimi agresiv i z.Andreas Schieder ndaj Berishës është pothuaj identik me atë të kryeministrit Rama.
Qendrimet e Andreas Schieder rreth protestës
Andreas Schieder e vizitoi Tiranës kur, pak ditë më parë, opozita kishte mbajtur protestën e rradhës. Raportuesi i fakteve të Parlamentit Europian u fokusua tek molotovët dhe ishte i gatshëm që të bënte historikun se kush e shpiku molotovin, duke mbajtur qendrim të qartë kundër molotovëve, në kërkim të dialogut. OK. Po e pranojmë.
Ai foli për molotovët, shpikësin e tij, efektet jo pozitive, por heshti total për reagimin aspak proporcional të policisë së shtetit kundër protestuesve duke përdorur lagien me ujë me presion dhe sidomos përdorimin e gazit lotësjellës.
A flet ky fakt se raportuesi i parlamentit Europian mbajti qendrim të njëanshëm?
Mirë molotovët, po gazin lotësjellës kush e shpiku, di gjë z.Andreas Schieder?
Jo vetëm që nuk e komentoi gazin lotësjellës por e fshiu fare si fakt reagimin e policisë kundër protestueseve paqësorë, që nuk përdorën molotov.
Ndërkohë z.Andreas Schider e pa se molotovët nuk kishin shkaktuar asnjë dëm e nuk kishin lënë asnjë shenjë, ndërsa gazi lotësjellës dhe autobotet që e hidhnin ujin me presion i dëmtuan protestuesit, e shpërndanë protestën, pra policia nuk kreu detyrën e saj si garante për mbarëvajtjen e protestës.
A i pyeti protestuesit e dëmtuar nga gazi lotësjellës raportuesi i Parlamentit Europian?
A i pyeti raportuesi i parlamentit Europian gazetarët dhe fotoreporterët, të cilëve gazi lotësjellës u solli pasoja shëndetësore dhe po ashtu nuk i lejoi që të kryenin detyrën. Unë po jap një emër – a e intervistoi z. Andreas Schieder fotoreportetin Felix Bilani që mbeti i bllokuar dhe i dëmtuar prej efektit të gazit lotësjellës!
Përse nuk e përmendi asnjëherë gazin lotësjellës dhe pasojat raportuesi i Parlamentit Europian që të balanconte molotovët?!
As të ndaluarit nëpër rajonet e policisë, si mjet direkt frikësimi.
Kam një pyetje tjetër për z. Andreas Schieder:
A është takuar raportuesi i BE me Adriatik Lapajn, kryetarin e një partie të vogël në Tiranë, i cili ka dy muaj që proteston ditën e natën përpara kryeministrisë dhe kërkon largimin e Edi Ramës me laitmotivin që është bërë shumë popullor «Edi Rama o hajdut». Adriatik Lapaj e akuzon policinë e shtetit sepse, sikur thotë z.Lapaj, «ai dhe mbështetësit e tij nuk prekin asnjë lule të kryeministrisë, por sulmohen rregullisht nga policia», pa asnjë arsye, me veprime antihumane, duke ua ndalur protestuesve të qetë edhe përdorimin e plasmasëve për t’u mbrojtur nga shiu dhe i ftohti i dimrit.
Kodi zgjedhor – mjet frike dhe censure kundër gazetarëve
Në Konferencën për shtyp z.Andreas Schieder nuk u kujtua fare për gazetarët dhe lirinë e shprehjes. Ndërsa nga ana e saj deputetja e PD në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Europës Albana Vokshi denoncoi: «Ndryshimet nga shumica në Parlamentin e Shqipërisë në Kodin Penal në kundërshtim të hapur me standartet dhe rekomandimet e KE, BE dhe OSBE/ODIHR», – duke evidentuar se 77 gazetarë në Shqipëri përballen me akuza penale për shpifje.
Parlamenti Evropian ka miratuar në vitin 2024 një direktivë kundër frikësimeve gjyqësore ndaj gazetarëve e njohur si AntiSLAPP. Kjo direktivë u miratua me 546 vota pro, 47 kundër dhe 31 abstenime, që synon të godasë një praktikë tashmë të njohur të korporatave dhe të politikanëve, të cilët ngrenë padi kundër gazetarëve nën akuzën e shpifjes.
A u takua raportuesi i PE me gazetarët që përballen me akuzën e shpifjes? Me sa prej tyre është takuar? 77 gazetarë nën akuzë a nuk janë një tregues i gjendjes së mjerueshme që gjendet liria e shtypit në Shqipëri? Pa liri shtypi SPAK do të ketë vetëm pengesa. Pa liri shtypi s’ka shtet të së drejtës dhe jo vetëm SPAK do të jetë i penguar por edhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE.
Mbyllja e vizitës më tepër si një epilog provokativ me ngjyrues të fortë politikë
Mbështetur në deklarimet apo mos deklarimet e z.Andreas Schieber, në takimet e tij apo mostakimet e tij si dhe prononcimi me gazetarët, nuk mund të mos vihet re se ai mbajti qendrim të njëanshëm, eksplicit pro qeverisë së Edi Ramës. Të dyja palët shkëmbyen mirënjohjen dhe respektin e ndërsjelltë, nën dyshimin e shkëmbimit të favoreve.
Raportuesi i PE, austriaku Andreas Schieder e mbylli vizitën e tij në Vlorë, ku Universiteti Ismail Qemali e nderoi me një Honoris Causa, me një motivacion çuditbërës që nuk kishte fare lidhje me realitetin shqiptar. Po në Vlorë ishte shpikur edhe një «Forum Dialogu me temën «Disa hapa drejt BE-së» organizuar nga Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë Fate Velaj, i lindur e rritur në Vlorë, ku merrte pjesë Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali, që nuk i pushonte lavdërimet për Velajn sikur të qe vartëse e tij dhe Ambasadorja e Francës dhe ai i Spanjës, po ku mungonte të paktën një përfaqësues i vetëm i opozitës.
Raportuesin austriak të PE Andreas Schieder dhe Fate Velajn i lidh Austria dhe i njëjti krah politik, por jo një moment i përshtatshëm, kur rasti i Fate Velaj ka krijuar plot mjergulla të dëndura në marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, denoncuar nga shtypi i Vjenës duke tërhequr vëmendjen edhe të parlamentit të Austrisë. Aq më tepër kur flitet dhe dyshohet se Fate Velaj po hetohet nga SPAK. Tashmë dihet fakti se, kur Fate Velaj u emërua Ambasador i Shqipërisë në Vjenë më 2023, ai mbante shtetësinë austriake – një shkelje e hapur Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, siç zbuloi Fass ohne Boden. Vetëm pas ndërhyrjes së Ministrisë së Jashtme, ai, pas nëntë muajsh hoqi dorë prej saj. Sipas exxtra24.at, tani për më tepër edhe titulli i tij akademik nga Universiteti i Arteve të Aplikuara është në pikëpyetje, sepse studiuesi i plagjiaturës Stefan Weber po përgatit një peticion për revokimin e këtij titulli.
Të paktën raportuesi i Parlamentit Europian mund ta shmangte këtë shfaqje të fundit që kishte një ngjyrim të theksuar provokues partiak.

Foto nga Facebook