Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dokumente arkivore të nxjerra nga një dosje që ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet një korrespodencë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Shuaip Panariti, me Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe Kryeministrinë, lidhur me procesin gjyqësor të zhvilluar në nëntor-dhjetor të vitit 1963, ndaj të pandehurve: Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Robert Vullkani, Trifon Xhagjika, Thoma Rafaeli, Franko Sara dhe Stavri Rafaeli, të gjithë kuadro të lartë të diplomuar në universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe vëndeve të tjera të Europës Lindore, si artistë, inxhinjerë, ushtarakë, gazetarë etj. I gjithtë aktiviteti i tyre “antiparti dhe armiqësor” sipas informacioneve të Gjykatës së Lartë, duke filluar nga: agjitacioni e propaganda, veprimtaria e spinuazhit me togerin sovjetik Valentin Zhenj gjatë takimeve të tyre në shtëpinë e Robert Vullkanit dhe plazhin e Durrësit, plani dhe tentativa e dështuar për të vrarë me atentat Enver Hoxhën në lokalin e Bllokut të udhëheqjes dhe më pas ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu, te Materniteti i Tiranës ku ai shkonte shpesh me makinën që e ngiste vetë, e deri te tentative e arratisjes fillimisht nga lumi Buna dhe më pas nga Liqeni i Pogradecit, etj. Dosja e panjohur e grupit të komunistëve liberal ku katër prej tyre do të pushkatoheshin, publikohen për herë të parë nga Memorie.al.
“Përpara Gjykatës, të gjykuarit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe kapiten, Trifon Xhagjika, pohuan se përveç veprimtarisë që kryenin duke u lidhur me Zbulimin e huaja, duke bërë përgatitjet me u arratis dhe duke bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, synonin që të kryenin edhe ndonjë vepër terrori, me qëllim që me anë të kësaj vepre të jepnin me kuptue botës së jashtëme se në Shqipëri ka njerëz që nuk pajtohen me vijën politike të ndjekur nga Partia e Punës së Shqipërisë dhe qeveria e R.P.SH.Për të realizuar këtë qëllim, nga zhvillimi i gjykimit, doli se kanë bërë këtë përgatitje: Në fillim kanë vënë në plan që ta kryenin veprën e terrorit ndaj udhëheqësit të partisë, shokut Enver Hoxha. Për këtë, të gjykuarit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Trifon Xhagjika pohuan se kanë shkuar në afërsi të lokalit të Komitetit Qëndror për të parë orën e ardhjes dhe të daljes nga zyra të shokut Enver. Ata pohuan se e kishin parë shokun Enver se në cilën orë shkonte në zyrë dhe dilte nga zyra dhe nga ç’drejtim vjen në zyrë dhe del nga zyra, por e kishin gjetur të vështirë që të kryenin atentatin kundër jetës së tij, për shkak të mbrojtjes së mirë që i bëhej. Megjithkëtë, duke qenë konsekuent në veprimtarinë e tyre, këta të gjykuar arrijnë në konklluzion që të vrasin të tjerë udhëheqsa. Kështu, të gjykuarit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho e Trifon Xhagjika, pranuan para Gjykatës, kështu del edhe nga materiali i hetuesisë që të vrisnin shokun Kadri Hazbiun dhe disa punonjës të tjerë të Sigurimit të Shtetit”. Kështu thuhej në mes të tjerash në një raport-informacion të Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Shuaip Panariti, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me procesin gjyqësor që ishte zhvilluar në fundin e nëntorit të vitit 1963, ndaj shtatë të pandehurve: Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Robert Vullkani, Trifon Xhagjika, Thoma Rafaeli, Franko Sara, dhe Stavri Rafaeli, të gjithë kuadro të lartë të diplomuar në universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe vëndeve të tjera të Europës Lindore. Po çfarë detyrash e funksionesh kishin dhe ushtronin në atë kohë shtatë të pandehurit, përse ishin arrestuar dhe akuzoheshin ata dhe çarë qëndrimi mbajtën në procesin gjyqësor? Lidhur me këto dhe të tjera, na njohin dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së) që publikohen për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhet një korespodencë në mes Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë me Komitetin Qëndror dhe Kryeministrinë, të cilat po I publikojmë të plota siç ndodhen në dosjen përkatëse, duke filluar nga ky numër.
Letra e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti, për Komitetin Qëndror
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 18. XI.1963
GJYKATA E LARTË
Nr. 96 Sekret
KOMITETIT QËNDROR TË P.P. SHQIPËRISË
(Drejtoria Org-Administrative)
Bashkangjitur me këtë shkresë ju dërgojmë një relacion mbi dosjen e të pandehurve Vangjel Lezho etj.
Lutemi të na njoftoni mendimin tuaj sa më parë.
Kryetari
Shuaip Panariti
R E L A C I O N
Prokuroria e Përgjithëshme me shkresën Nr. 0523 datë 15.XI.1963, na ka dërguar për gjykim në shkallën e parë të pandehurit:
- Vangjel Lezho,
- Fadil Kokomani,
- Robert Vullkani,
- Trifon Xhagjika,
- Thoma Rafaeli,
- Franko Sara,
- Stavri Rafaeli, të cilët janë akuzuar se:
- Vangjel Lezho e Fadil Kokomani, për krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut (në formë spiunazhi), për agjitacion e propagandë si dhe për përgatitje për kryerje aktesh terroriste.
- Trifon Xhagjika për krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut (mbetur në fazën përgatitore), për agjitacion e propagandë si dhe për përgatitje për kryerje akte terroriste.
- Robert Vullkani për krim tradhëti ndaj Atdheut (në formën e spiunazhit), për krimin e agjitacionit dhe propagandës si dhe për veprime përgatitore për t’u arratisur jashtë shtetit.
- Thoma Rafaeli, Franko Sara e Stavri Rafaeli, për krimin e tardhëtisë ndaj Atdheut (mbetur në fazën përgatitore për arratisje) si dhe krimin e agjitacionit e propagandës.
Nga shqyrtimi që i bëmë dosjes gjyqësore, rezulton se të pandehurit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Robert Vullkani, kanë pranuar se janë vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, se kanë bërë takime me Valentin Zhenj, etj., të cilëve u kanë dhënë raporte informative, mbi punimin në organizatat bazë të partisë të letrave të Komitetit Qëndror të PPSH-së, se kanë dhënë informata me gojë si dhe gjithçka që ju kanë kërkuar, dhe se janë takuar njëherë me gjeneral Kuzmicki dhe me dy nënpunës të ambasadës sovjetike në Tiranë (pa i njohur se cilët janë), se kanë agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor si dhe kanë bërë përgatitje për t’u arratisur jashtë shtetit.
Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Trifon Xhagjika kanë pranuar se kanë zhvilluar bisedime për të kryer akte terroriste kundër Ministrisë së P. Brendëshme.
Të pandehurit Robert Vullkani dhe Trifon Xhagjika kanë pranuar se edhe kanë bërë veprime përgatitore për t’u arratisur jashtë shtetit, se kanë dëgjuar radio-stacionet e huaja si dhe kanë përgatitur e shpërndarë te shokët e tyre vjerash me përmbajtje reaksionare.
Të pandehurit Thoma Rafaeli, Franko Sara dhe Stavri Rafaeli, kanë pranuar se kanë kryer krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut (duke tentuar të arratisen më datën 20 korrik 1963) dhe se kanë agjituar e propaganduar kundër pushtetit popullor.
Ne mendojmë se propozimi i bërë nga Prokurorija e Përgjithëshme dhe Ministrija e P. të Brendëshme për ta zhvilluar gjyqin me dyer të hapura, është i drejtë edhe për këto arsye.
- Të gjithë të pandehurit në hetuesi kanë pranuar që t’i kenë kryer krimet, për të cilat akuzohen.
- Kontradiktat për çështjet esenciale me thanjet e të pandehurve, s’ka.
- Një numër dëshmitarësh kanë deponuar rreth aktivitetit të të pandehurve.
- Në dosje ka mjaft prova materiale siç janë traktet e hedhura, vjerasht e përpiluara prej tyre, armë dhe mjete të tjera si gomardare etj, që u janë kapur të pandehurve në kohën që tentuan të arratisen.
Duke marrë parasysh veprimtarinë kriminale që kanë
Zhvilluar këta të pandehur, pranimi i fajësisë nga ana e tyre dhe dokumentet që ndodhen në dosje, ne mendojmë se gjyqi duhet të bëhet me dyer të hapura. Zhvillimi i këtij gjyqi me dyer të hapura do të ndihmojë në demaskimin e mëtejshëm të grupit tradhëtar të Hrushovit, do të forcojë dhe më shumë veprimtarinë revolucionare të popullit tonë, do të jetë një paralajmërim për njeriun e lëkundshëm, si dhe për ata që janë martuar me gra të huaja dhe që s’mbajnë qëndrim. Gjyqin mendojmë ta bëjmë në sallën e Gjykatës së qarkut të Tiranës, ku mund të marrin pjesë 100 deri 200 veta. Në qoftëse nga ana e juaj mendohet se pjesmarrja duhet të jetë më e madhe, lutemi të na njoftoni që të sigurojmë një lokal tjetër.
Prokuroria e Përgjithëshme na ka njoftuar se si prokuror, për të përfaqësuar akuzën në këtë çështje, ka caktuar major Isamedin Resnjën.
Caktimi i një referenti (prokuror dege) të përfaqësojë akuzën, para një Kolegji të Gjykatës së Lartë dhe sidomos të një çështje të rëndësishme, e cila do të zhvillohet me dyer të hapura para publikut, nuk na duket aspak e drejtë për këto arsye:
Së pari, nga ekseprienca 20 vjeçare e funksionimit të Gjykatës së Lartë, nuk ka ndodhur deri tani as dhe njëherë, që të ketë dalë për të përfaqësuar akuzën para Kolegjit të Gjykatës së Lartë një referent (ose prokuror dege).
Së dyti, çështja, në rastin konkret, ka rëndësi të posaçme, kurse përfaqësuesi i akuzës s’është sipas organikës prokuror kasacioni. Veç kësaj, ai s’ka as titull të njohur që të paraqitet në gjyqe si përfaqësues të akuzës. Për vetë autoritetin e Gjykatës së Lartë dhe të rëndësisë së çështjes, duhet të caktohet një prokuror kasacioni pranë Gjykatës së Lartë.
Gjyqi mendojmë që të zhvillohet pas festës, më 2 dhjetor të filloi. Në qoftë se nga ana juaj mendohet të filloj më parë dhe gjatë ditëve të fetës të ndërpritet, atëhere neve kemi mundësi t’a fillojmë me datën 25 nëntor dhe t’a vazhdojmë deri më 27 nëntor, pastaj ta ndërpresim dhe ta fillojmë përsëri më 30 nëntor.
Porosia e Rita Markos: Gjyqi të zhvillohet me dyer të mbyllura
SHKRESA Nr. 8941
Shënim mbi ndjekjen e çështjeve që dalin nga shkresat.
Lidhur me relacionin e Gjykatës së Lartë për të zhvilluar gjyqin e Vangjel Lezhos etj., u veprua si më poshtë:
Relacioni u pa nga sh. Rita dhe aprovoi të veprojmë si më poshtë.
- Gjyqi të zhvillohet me dyer të mbyllura.
- Por me ftesa të marrin pjesë rreth 100 veta.
- Për përgatitjen e listës të ngarkohet Komiteti i Partisë.
- Për t’u vënë në dijeni dhe masat që do merren, u thirr shoku Rrapo më datën 15.XI.1963 nga shoku Rita.
Porositë e thëna i’u dhanë nga ne personalisht, Kryetarit të Gjykatës, shokut Shuaip Panariti, po në datën 15.XI.1963.
19.XI.1963 (Llazi Stratobërdha)
Informacioni i Gjykatës së Lartë për Mehmet Shehun
INFORMACION KRYEMINISTRIT
Nga Prokurorija e Përgjithëshme janë dërguar për t’u gjykuar nga ana e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, të pandehurit e poshtëshënuar:
- Vangjel Lezho, nga fshati Sheper i rrehtit Gjirokastër, banues në Tiranë, antar i P.P.SH.-së, ka mbaruar në Bashkimin Sovjetik për gazetar, me punë në Radio-Tirana, i vëllai doktor Qirjako Lezho, pranë Spitalit Nr. 1 Tiranë.
- Fadil Kokomani, nga Durrësi dhe banues në Tiranë, anëtar i P.P.SH-së., ka mbaruar në Bashkimin Sovjetik për gazetar dhe kompozitor, me punë në Radio-Tirana, i vëllai i gjeneral Kokomanit.
- Kapiten Trifon Xhagjika, nga Peshtani i Përmetit dhe banues në Tiranë, i paorganizuar, me punë në Ministrinë e Mbrotjes Popullore, i vëllai i doktor Ylli Xhagjikës.
- Robert Vullkani, nga Korça, banues në Tiranë, anëtar P.P.SH.-së, ka mbaruar në Bashkimin Soivjetik për gazetar, punonte në Shtypshkronjë, i biri i Sotir Vullkanit dhe i vëllai i të arratsurit, Petrit Vullkani.
- Franko Sara, nga Korça, banues në Tiranë, i paorganizuar, ka mbaruar në Bashkimin Sovjetik, inxhinjer gjeolog, punon në Gjeologji.
- Stavro Rafaeli, nga Korça, banues në Tiranë, anëtar i P.P.SH.-së, ka mbaruar në Çekosllavaki e Bashkimin Sovjetik, për Kanto e Skenografi, me punë në Teatrin e Operas dhe Baletit.
- Mario Thoma Rafaeli nga Korça e banues në Tiranë, anëtar i P.P.SH.-së, ka mbaruar në Bashkimin Sovjetiok për inxhinjer, punonte në repartet e M.L.K.A., i vëllai i Stavri Rafaelit.
Të pandehurit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Robert Vullkani, janë dërguar për gjykim me akuzën se në bashkëpunim njëri me tjetrin, janë vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik dhe i dhënë këtij Zbulimi informata të ndryshme, të pandehurit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe kapiten Trifon Xhagjika, janë dërguar për gjykim dhe me akuzën se kanë bërë përgatitje për të kryer vepra terrori ndaj udhëheqësve të partisë dhe të shtetit tonë.
Të gjithë të gjykuarit, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, kapiten Trifon Xhagjika, Robert Vullkani, Franko Sara, major Thoma Rafel dhe Stavri Rafael, janë dërguar për gjykim për krimet, se në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar që të arratisen jashtë shtetit dhe kanë bërë agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor.
Në veçanti nga këta, Stavri Rafael dhe Fadil Kokomani, janë dërguar për gjykim dhe për armëmbajtje pa leje. Nga verifikimi i materialeve të hetuesisë në seancën gjyqësore dhe nga provat e marra nga gjykata, rezultoi se të gjykuarit e më sipërm, veprimtarinë armiqësore e kanë filluar që nga gjysma e vitit 1960.
Të gjithë të gjykuarit pohuan para gjykatës se janë vënë në opozitë me vijën politike të Partisë Punës Shqipërisë që nga koha e Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Të gjykuarit pranuan se vendimet e këtij Kongresi, i kanë përqafuar me zell dhe ndërgjegje të plotë, qoftë për shkak të përmbajtjes së tyre revizioniste, ashtu dhe pse synonin në drejtim të afrimit me shtetet kapitaliste. Pohuan para gjykatës se idetë e Kongresit të XX-të i kanë përhapur nëpërmes agjitacionit armiqësor që kanë bërë me njëri tjetrin ashtu edhe me persona të tjerë.
Në veçanti nga këta, i gjykuari Robert Vullkani pohoi se e ka filluar veprimtarinë armiqësore që nga viti 1953 kur ishte për studime në Bashkimin Sovjetik, duke shpjeguar se në fakultetin ku studionte, bëhej një punë e gjërë për infektimin e studentëve me idera revizioniste dhe edukimin e tyre me aspektin ç’thurse aventureske, që janë karakteristikë vetëm për shtetet perëndimore. I gjykuari shpjegoi se gjatë kohës që ishte për studime në Bashkimn Sovjetik, në ato raste që gazeta “Pravda” botonte ndonjë artikull kundër revizionistëve jugosllav, pedagogët ju thonin që të mos i besonin “Pravdës”, por secili të nxjerrë konkluzione për vete. Që ky i gjykuar e ka filluar veprimtarinë armiqësore që nga viti 1953, doli nga letrat e shkruara prej tij, të cilat ja adresonte babait të tij, Sotir Vullkanit, që kishin si përmbajtje urrejtjen ndaj udhëheqjes së Pratisë dhe një varg shpifjesh armiqësore në drejtim të gjëndjes ekonomike dhe të punës gjithëanëshme që bën populli dhe rinia për ndërtimin e shoqërisë socialiste. Këto i janë kapur dhe i janë paraqitur gjykatës si prova të fajësisë së tij. Këtij të gjykuari i janë kapur dhe artikuj, fjalime e broshura të shkruajtura nga revizionistët jugosllav (Tito, Kardelj, Pjade dhe Gjilas) të cilat i ka ruajtur për një kohë të gjatë, i ka studiuar vetë dhe u’a ka dhënë të tjerëve për studim. Këto materiale që përmbanin sulme dhe shpifje armiqësore kundër Partisë dhe Pushtetit tonë, si dhe kundër Partive Marksiste-Leniniste, janë kapur dhe janë paraqitur para gjykatës si prova të fajësisë së tij.
Nga zhvillimi i gjykimit ashtu edhe nga materiali i hetuesisë, doli se veprimataria e tyre ka marrë karakter më të organizuar dhe më të gjërë, në gjysmën e dytë të vitit 1960, pikërisht atëhere kur grupi revizionist i Hrushovit filloi të acarojë marrëdhëniet me Partinë tonë.
Të gjithë të gjykuarit pohuan se me t’u acarruar këto marrëdhënie dhe sidomos pas prishjes së tyre, për shkak se këto kishin përqafuar idetë revizioniste të Kongresit XX-të dhe se fajtor për prishjen e këtyre marrëdhënieve, interesi ju a donte që t’ia ngarkonin udhëheqjesë së Partisë t’onë, filluan një aktivitet më të gjërë armiqësor duke e shtrirë jo vetëm në rrethin e tyre, por dhe në persona të tjerë dhe duke arrirë që të kryejnë dhe krime të rënda, siç janë tradhëtia ndaj Atdheut me anë spiunazhi dhe arratisje në një shtet të huaj, ashtu dhe në drejtim të përgatitjeve për të kryer vepra terrori kundër udhëheqësavë të Partisë dhe shtetit tonë.
Informacioni i Gjykatës së Lartë për Mehmet Shehun
INFORMACION KRYEMINISTRIT
- Veprimtaria armiqësore e të gjykuarve është zhvilluar në këto drejtime:
Në drejtim të tradhëtisë ndaj Atdheut të kryer me anë të spiunazhit.
Të gjykuarit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Robert Vullkani kanë pohuar se janë njohur me qytetarin sovjetik Xhenj, që në vitin 1958, kur ky punonte në atë kohë pranë Radio Moskës.
Nga fillimi i janarit të vitit 1961, Valentin Xhenj ka ardhur në Shqipëri me gradën toger pranë general Arkadi Kuzmin, i cili në atë kohë punonte pranë përfaqësisë së Traktatit të Varshavës.
Para gjykatës të gjykuarit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Robert Vullkani, pranuan se janë takuar disa herë me togerin sovjetik, Valentin Xhenj dhe se kanë aprovuar thëniet e tij se marrëdhëniet mes dy vëndeve- B.R.S.S. dhe R.P.Sh.-së janë prishur gjoja për fajë të udhëheqjes së partisë sonë.
Ky oficer mbasi ka konstatuar se këta të gjykuar janë të gatëshëm me i shërbyer dhe mbasi u’a ka transmetuar kërkesat e gjeneral Kuzminskit, ka kërkuar prej tyre që ta informonin mbi gjëndjen morale politike të popullit tonë, mbi materialet që punohen në organizatën bazë, fjalimet që mbajnë udhëheqësit me punonjësit, mbi gjëndjen ekonomike që ka ekzistuar pas prishjes së marrëdhënieve etj. Këto takime i kanë bërë në lokalin e Restorant “Vollgës” në shtëpinë e Robert Vullkanit dhe në plazhin e Durrësit, ku janë vënë në lidhje me gjeneral Kuzmin, nëpërmjet shoferit të tij, Sasha, si dhe në vënde të tjera.
Përveç informacioneve të dhëna me gojë, këta kanë dhënë edhe informata me shkrim me anë raportesh informative që janë formuluar kolegjalisht nga tre të gjykuarit e mësipërm.
Në këto raporte kanë informuar mbi protokollet e udhëheqjes së Partisë që janë punuar në organizatat e Partisë, duke dhënë numrin dhe datën e tyre si dhe përmbajtjen e tyre, kanë informuar përmbajtjen e fjalimeve të udhëheqësave të Partisë e të shtetit tonë, që kanë mbajtur në mbledhje me punonjës, por që nuk janë botuar në shtyp, duke i paraqitur shtrimin e problemeve nga ana e udhëheqësve tanë në mënyrë të gabuar, kanë informuar mbi gjëndjen morale-politike të Partisë dhe popullit tonë, të cilën e kanë paraqitur si jo të shëndoshë, duke shpifur se gjoja në Parti nuk ka demokraci, nuk mund të flasësh lirisht, se në popull mungon liria e fjalës, shtypit dhe ka diktaturë të fortë, po kështu kanë informuar se pas prishjes së marrëdhënieve, gjëndja ekonomike është keqësuar më tepër dhe këtë, ja ngarkonin po udhëheqjes së partisë sonë.
I gjykuar Fadil Kokomani pranoi se ka vjedhur në Radio-Tirana, dy bobina të cilat të gjykuarit të mësipërm synonin me i përdorë për të inçizuar fjalimet e udhëheqësve tanë dhe me u a dorëzu Zbulimi Sovjetik. I gjykuari Fadil Kokomani pranoi se një bobinë ja ka dorëzuar togerit Sovjetik, Valentin Xhejn.
Mbi kërrkesën e oficerit sovjetik, të gjykuarit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Robert Vullkani, i kanë dorëzuar autobiografitë e tyre.
- Në drejtim të tradhëtisë ndaj atdheut të kryer me anën e tentativës për t’u arratisur jashtë shtetit.
Të gjithë të gjykuarit për një kohë të gjatë, kanë bërë përgatitje për tu arratisur jashtë shtetit.
Të gjykuarit që ishin në lidhje me oficerin sovjetik, kanë kërkuar prej tij që t’ju sigurojë mjete për arratisje. Nga zhvillimi i gjykimit është provuar se oficeri sovjetik, u ka premtuar se do t’i pajisë me pasaporta fallco, se do të studiojë mënyrën e arratisjes së tyre me anë të anijeve ose mjeteve të tjera transporti, gjithashtu i ka porositur që dhe vëtë këta të studiojnë varjante të tjera dhe, në rast se arrijnë me t’u arratisur në jugosllavi, i ka udhëzuar që atje të paraqiten menjëherë pranë ambasadës sovjetike, mbasi ajo do t’ju jepte menjëherë ndihmën e nevojshme.
Po kështu i gjykuari Stavri Rafael, ka pohuar se pasi u prishën marrëdhëniet në mes B.R.S.S-së. e R.P.P.Sh-së. punonjësit e legatës Hungareze i kanë thënë bashkëshortes së tij, e cila është hungareze, që të mos trazohet se në rast se ato do të largohen, do ta marrin me vete dhe, po të donte dhe Stavri do të merrnin edhe këtë me vete.
Në përfundim, mbasi kishin bërë përgatitjet e nevojshme, disa prej të cilëve dhe kishin tentuar për t’u arratisur nga lumi Buna i rrethi Shkodër, por në pamundësi ishin kthyer përsëri, në korrik të vitit 1963, të gjithë të gjykuarir me përjashtim të Robert Vullkanit dhe Trifon Xhagjikës, të ndarë në dy grupe, tentojnë të arratisen nëpërmjet liqenit të Pogradecit.
Për këtë qëllim këta kishin blerë mjete notimi, si dyshek, komardare, mjete vozitëse dhe me to kishin bërë disa herë stërvitje në plazhin e Durrësit. Këto mjete u janë kapur dhe janë paraqitur pranë gjykatës si provë të fajësisë së tyre.
Këtë vepër s’arritën ta kryejnë për shkak se u arrestuan kur ishin në tentativë e sipër për t’u arratisur. Ndërsa vepra e të gjykuarve Robert Vullkanit e Trifon Xhagjikës, ka mbetur në vepra përgatitore.
Nga materiali i hetuesisë ashtu dhe nga pohimet që këta dhanë para gjykatës, rezulton se këta kanë dashur me u arratisur kryesisht duke u shtyrë nga motive armiqësore.
Të gjykuarit pohuan se nuk ju pëlqente mënyra e jetesës në vëndin tonë ato deklaronin se donin një jetë mondane, të lirë dhe në ato aspekte që bëhet në shtetet perëndimore dhe që ka filluar të behet edhe në Bashkimin Sovjetik dhe në disa shtete të demokracive popullore, të ishin të lirë që të shprehnin ndjenjat e tyre, qofshin këto edhe kundër interesave të popullit shqiptar.
Të gjykuarit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Stavri Rafael, Robert Vullkani, Trifon Xhagjika etj. Deklaruan se në këtë çështje nuk shikonin më interesat e atdheut, për këta, atdhe ishte vetëm ai vënd që u plotësonte gustot e tyre aventureske.
I gjykuari Fadil Kokomani në letrën që i shkruante bashkëshortes së tij, deklaronte: “Më vjen rëndë që e quaj veten Shqiptar, se gjuha shqipe është një gjuhë e mallkuar, mjerë neve që kemi lindur në këtë vënd, se oficerët janë injoranta dhe kur bisedon me ta, të duket sikur tërheq gomarin në të përpjetë prej kapistre, se në gjuhën shqipe vetëm dy emra dëshiroj të përmënd – nënë dhe babë- ndërsa për të tjerat as që pyes fare”.
Pra ishin katandisur në një llum që e kishin humbur krejtësisht ndjenjën e atdhedashurisë.
I gjykuari Stavri Rafael, pohoi para gjykatës, se për t’u arratisur jashtë shtetit, përveç konceptit armiqësor që ka patur mbi vijën politike të ndjekur nga Partia tonë, ka influencuar dhe mëndjemadhësia e tij, si dhe ndjenja e karierizmit, duke shpresuar se në botën e jashtëme do të korr suksese të bujëshme, do të bëhet një artist i dëgjuar me famë dhe me të gjitha kushtet e nevojshme. Para gjykatës pranoi se së bashku me bashkëshorten e tij, realizonin të ardhura mbi 30.000 lek në muaj se asgjë nuk i mungonte, se Partia dhe Pushteti i kishin dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme, aq sa pjesën më të madhe të pasçlirimit e ka kaluar nëpër shkolla të larta, jashtë shtetit dhe në fund, pohojnë se popullit këto të mira ja shpërblejnë me tradhëti.
- Në drejtim të përgatitjeve për të kryer vepra terrori ndaj udhëheqësve të partisë dhe të Shtetit
Të gjykuarit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe kapiten Trifon Xhagjika, duke u nisur nga dëshira që të kryenin një vepër që të bënte bujë në botën e jashtëme dhe që të tregonte se në R.P.SH.-së ka kundërshtarë të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të Pushtetit Popullor, kanë bërë një seri përgatitjesh që të vrisnin udhëheqës të Partisë dhe të shtetit t’onë.
Përpara Gjykatës, të gjykuarit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe kapiten, Trifon Xhagjika, pohuan se përveç veprimtarisë që kryenin duke u lidhur me Zbulimin e huaja, duke bërë përgatitjet me u arratis dhe duke bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, synonin që të kryenin edhe ndonjë vepër terrori, me qëllim që me anë të kësaj vepre të jepnin me kuptue botës së jashtëme se në Shqipëri ka njerëz që nuk pajtohen me vijën politike të ndjekur nga Partia e Punës së Shqipërisë dhe qeveria e R.P.SH.-së
Për të realizuar këtë qëllim, nga zhvillimi i gjykimit, doli se kanë bërë këtë përgatitje:
- Në fillim kanë vënë në plan që ta kryenin veprën e terrorit ndaj udhëheqësit të partisë, shokut Enver Hoxha. Për këtë, të gjykuarit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Trifon Xhagjika pohuan se kanë shkuar në afërsi të lokalit të Komitetit Qëndror për të parë orën e ardhjes dhe të daljes nga zyra të shokut Enver. Ata pohuan se e kishin parë shokun Enver se në cilën orë shkonte në zyrë dhe dilte nga zyra dhe nga ç’drejtim vjen në zyrë dhe del nga zyra, por e kishin gjetur të vështirë që të kryenin atentatin kundër jetës së tij, për shkak të mbrojtjes së mirë që i bëhej.
- Megjithkëtë, duke qenë konsekuent në veprimtarinë e tyre, këta të gjykuar arrijnë në konklluzion që të vrasin të tjerë udhëheqsa. Kështu, të gjykuarit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho e Trifon Xhagjika, pranuan para Gjykatës, kështu del edhe nga materiali i hetuesisë që të vrisnin shokun Kadri Hazbiun dhe disa punonjës të tjerë të Sigurimit të Shtetit. Kapiten Xhagjika, pranoi në gjyq se për punonjësit e Sigurimit kishin urrejtje të veçantë dhe për të ç’fryrë urrejtjen, donin të vrisnin ministrin e Punëve të Brendëshme.
- Vëndin se ku do ta kryenin atentatin kundër jetës së shokut Kadri, e kishin përcaktuar tek Materniteti i qytetit të Tiranës, pasi sipas tyre e kishin parë se shoku Kadri, kishte ardhur disa herë në drejtim të Maternitetit. Këtë vepër e kishin gjykuar si të volitëshëm për ta kryer duke marrë shkas edhe nga fakti se e kishin parë shokun Kadri që e drejtonte vetë makinën e tij pa qenë i shoqëruar nga ndonjë person tjetër. Më pas pohuan se kishin hequr dorë për të kryer atentatin në këtë vënd dhe kishin arrirë në konkulzionin se këtë vepër ta kryenin jashtë qytetit të Tiranës.
- Veprat e terrorit i kishin në plan për t’i kryer me armë zjarri, ose dhe me armë të ftohta. Rezultojnë si armët dhe revolver dhe thika, të gjykuarit e mësipërm i kishin siguruar.
- Të gjykuarit pohuan se për të realiuzuar qëllimin e mësipërm, disa herë kishin bërë stërvitje në lidhje me përdorimin e armëve dhe veçanërisht për përdorimin e thikës duke u stërvituar për të qëlluar nga distanca të largëta.
- Këto mjete të gjykuarëve u janë kapur dhe janë paraqitur para gjykatës si prova të fajësisë së tyre, në lidhje me veprat e terrorit që përgatiteshin për t’i kryer kundër Partisë dhe të Shtetit t’onë.
- Nga zhvillimi i gjykimit dhe nga gjithë materiali i çështjes rezulton se krimin e agjitacioin dhe propagandës kundër pushtetit popullor, të gjithë të gjykuarit e kanë zhvilluar në këtë drejtim:
- Në kontaktet me njëri tjetrin dhe me persona të tjerë të besueshëm të tyre, të gjithë të gjykuarit propagandonin se vija politike që ndiqte partia jonë është e gabuar, se fajtorët për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, s’është grupi revisionist i Hrushovit, por vetëm udhëheqja e partisë t’onë.
- Propagandonin se në vëndin tonë s’ka liri, nuk ka demokraci, nuk mund të shprehen lirisht ndjenjat dhe se ekziston metoda e shtypjes.
- Propagandonin se gjoja në organizatën e Partisë mungon demokracia, s’ka liri fjale, se Anëtari i Partisë nuk mund të thotë atë që ndjen në zëmër. Sipas tyre organizata bazë e partisë duhet të lejojë pa marrë asnjë masë çdo lloj diskutimi, qofshin këta edhe me përmbajtje kundër programit dhe vijës politike të partisë. Pra, donin një demokratizim që t’u lentë një shteg të lirë përplasjes së tezave revizioniste. Të gjykuarit, Stavri Rafael, Thoma Rafael, Vangjel Lezho, Robert Vullkani e Fadil Kokomani, që ishin anëtarë të Partisë, pohuan se kur në organizata e partisë punoheshin materiale të ndryshme ata diskutonin duke ju konformu politikës së Partisë, por se në realitet kishin mendime të kundërta, që sipas tyre, nuk guxonin t’i shfaqnin dhe këtë, këta të gjykuar e quanin mungesë demokracie. Të gjykuarit e mësipërmë në biseda me njëri tjetrin dhe me persona të tjerë propagandonin se udhëheqja e Partisë sonë është një udhëheqje diktatoriale. I gjykuari major, Thoma Rafaeli, është shprehur se Josif Stalini ka qenë diktator dhe terrorist.
- Ishin për përhapjen e pikpamjeve të Klubit të “Petefit”. Të gjykuarit Robert Vullkani, Stavri Rafael, Fadil Kokomani, etj., pohuan se kanë propaganduar se shteti ynë është i ndrydhur, s’ka demokraci, nuk vijnë turista, hyrja dhe dalja nga Atdheu nuk është e lirë etj. Këta donin që hyrja dhe dalja nga Atdheu ynë të ishte krejtësisht e lirë./Memorie.al
Kryetari i Gjykatës së Lartë
Shuaip Panariti
Komentet