VOAL

VOAL

Partia qe qeveris Shqiperine prej 3 mandatesh eshte pasardhesja e Partise Komuniste Nga Alba Kepi

September 23, 2022
1 Comments
  • author avatar
    Anonymous 2 years ago Reply

    Ne Shqiperi socialiste e demokrate te gjithe komuniste jane.
    Komunizmi eshte shtrire dhe sundon te gjithe boten.
    Ske se cfare ti besh, do ta pranojme si fuqi te madhe.

Komentet

22 qershori 1941, pasojë e Paktit të pabesisë- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

Në historinë e Luftës II Botërore, kryepërtejanën (kryesfondin) e saj e zë përplasja e Gjermanisë naziste me Bashkimin Sovjetik, pas sulmit të befasishëm të trupave gjermane të 22 qershorit të vitit 1941. Arsyet e nisjes së atij sulmi duhen kërkuar pikërisht në Paktin e mossulmimit Molotov-Ribentrop, që u nënshkrua në Moskë më 23 gusht 1939. Ai pakt, së pari, kishte në themel pabesinë e të dyja palëve ndaj Polonisë, me qëllim ndarjen e sa. Por ai Pakt, së dyti, fshihte në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës sovjetike: jo vetëm ndaj demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur të vinte nën këmbë demokracitë perëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e ushtrisë së kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye. Ajo pabesi e dyfishtë, të dyja palëve u kushtoi me miliona të vrarë dhe shkatërrime të pallogaritshme.

Pabesinë e politikës sovjetike ndaj demokracive perëndimore, e zbulon haptas vetë Stalini. Në një fjalim që ka mbajtur vetëm katër ditë para nënshkrimit të paktit në fjalë, pra, më 19 gusht 1939, në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ai shtjellon haptazi idenë kryesore të Testamentit të Pjetrit I për pushtimin e Evropës. Në atë fjalim thuhet:

Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le ta shqyejnë njëritjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij(Citohet sipas: Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit sokrytoe.net”. 23 korrik 2009).

Për sulmin që Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte kundër Gjermanisë, dëshmon ish-oficeri i zbulimit sovjetik Viktor Suvorov. Ai deklaron:

Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetikShtrëngataqe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf ti jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik – E. Y.). Gjeneralarmatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara”” (Citohet sipas:Viktor Suvorov. Akullthyesja. Kush e filloi Luftën II Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).

Në dhjetorin e vitit 1940, agjentët e shërbimit sekret gjerman arritën të zbulojnë planin e fshehtë të Stalinit për sulmin që do të ndërnerrte kundër Gjermanisë. Deri në fillimin e muajit qershor 1941,  edhe korparmatat e ushtrisë sovjetike të Lindjes së Largët, Stalini i pati zhvendosur drejt kufijve perëndimorë.

Pakti i pabesisë Molotov-Ribentrop i kushtoi shumë shtrenjtë Bashkimit Sovjetik. Julia Llatёjnina (1966),  gazetare opozitare ruse, shkrimtare, drejtuese  emisionesh radiotelevizive, për shkak të kërcënimeve që i qenë bërë nga banda e Putinit, më 09 shtator 2017 e pati braktisur Rusinë. Ja çfarë shkruan ajo për pasojat e Paktit të pabesisë:

c (Citohet sipas: Julia Llatёjnina. “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”.. Faqja e internetit “Adskije novosti”, 19 shkurt 2015).

Në një tjetër informacion për kohën e luftës thuhet:

“Prej 22 qershorit 1941 deri më 09 maj 1945, qenë zënë robër nga ushtria gjermane 5,7 milionë ushtarë dhe oficerë sovjetikë” (Citohet sipas: Robërit sovjetikë:  gjenocidi më masiv i Luftës II Botërore. Faqja e internetit RAPSI (Agjencia ruse e informacionit juridik dhe gjyqësor). 16 korrik 2021).

Kaliforni, 22 qershor 2024

 

PUSHO NË AMSHIM DON (NDUE) ANTONIO BELLUSHI! APOSTULL I SHQIPTARIZMËS! Prift, Shkrimtar, Gazetar, Entolog e Pedagog Arbëresh Nga Frank Shkreli

“Në ballkonin tim vazhdojnë të valëviten tre flamujt: shqiptar, kosovar, dhe ai italian. Ndërsa në bibliotekën time, portretet si ajo e Skënderbeut, Aleksandërit, Pirros, Adem Jasharit, për mua janë ndihmë, burim force e sensibilizimi që kjo Arbëri e arbëreshëve të jetë e përjetshme e mos të vdes kurrë!”  – At Antonio Bellushi.

Ndërroi jetë At Antonio Bellushi një kolos i shqiptarizmës. Bota Arbëreshe, Shqipëria dhe Kosova mbajnë zi për kalimin në amshim të Dom Antonio Bellushit, ARBËRESHIT nga Kosova, siç e njihte komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë dekadave të fundit – sepse liria dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë ishin bërë pjesë e pa ndarë e jetës dhe e kryqëzatës së tij në mbrojtje të shqiptarëve kudo, sidiomos gjatë viteve të luftës në Kosovë. Ishte një mbrojtës i vendosur i Kosovës gjatë njërës prej krizave më të rënda historike të Kombit shqiptar. Ai merrte pjesë shpesh në shumë takime dhe raste kombëtare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Me At Antonio Bellushin, ishte gjithmonë kënaqësi të takohesh. Të në praninë e tij, ishte një përvojë e vërtetë patriotizmi — një rast frymëzimi i vërtetë atdhedashurie. për të gjithë.

Të shpejta qenë reagimet nga mbarë bota shqiptare për lajmin se At Bellushi ndërroi jetë, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 90-vjeçare.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shprehi ngushëllimet e saja për ndarjen nga jeta të Dom Antonio Bellushit me një deklaratë në rrjetët sociale: “Me dhimbje të thellë mora lajmin për kalimin në amshim të at Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të çështjes shqiptare, i cili përveç se kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të drejtën e shqiptarëve për liri. Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, Kishën Arbëreshe, institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut. Si Presidente e Kosovës kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij, të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje. Kur ia akordova shtetësinë e Kosovës, ishte i stërlumtur, sepse iu plotësua dëshira e tij jetësore. I përhershëm qoftë kujtimi për at Antonio Belushin”, përfundon Presidentja Osmani reagimin e saj në emër të Republikës së Kosovës, me rastin e ndërrimit jetë të Antonio Bellushit, — në emër të Kosovës, për të cilën ai punoi e veproi me gjithë shpirt për dekada, sidomos në bashkpunim me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në një reagim të shpejt e të shkurtër, me këtë rast, Dom Lush Gjergji i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë, duke iu drejtuar atij me fjalët “Mik dhe vëlla i dashur Atë Ndue (Antonio)” shkruan se, jeta e At Antonio Bellushit ishte “Një jetë e gjatë shumë e begatshme, me plot fryte, zell, angazhim, frymëzim, do të them edhe entuziazëm unik në të mirë dhe dobi të Popullit tonë ilir, arbëror e sot shqiptar. Ai ka qenë mbi të gjitha prift arbëresh i ritit lindor apo bizantin, gazetar, publicist, etnograf, shkrimtar, udhëpërshkrues, pedagog, bibliotekar, mbi të gjitha i dashuruar në Zotin, Kishën Katolike, në Popullin tonë”. Dom Lush Gjergji e ka njohur mirë At Antonio Bellushin, në jetë dhe veprimtaritë e tija, por njihte dhe shpresat e tij për Kombin shqiptar, se e ardhmja e këtij kombi të lasht do të jetë në skenën botërore për të mirën e tij dhe të tjerëve: Porosia e tij ishte e qartë, largpamëse dhe profetike, kujton Dom Lush Gjergji: “Ne mbijetuam për të dëshmuar lashtësinë, historinë, autoktoninë, mbi të gjitha Provaninë e Zotit dhe historinë tonë tejet të lavdishme në krye me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun tonë… Populli ynë tash e tutje do të jetë në skenë për të mirën tonë dhe të tjerëve, të gjithëve…” Kaloi në amshim arbëreshi Atë Antonio BELLUSHI (1934 – 2024) (drita.info)

E sjellim këtë shënim të shkurtër e modest për të kujtuar dhe nderuar Arbëreshin e Madh Don Antonio Bellushin në ditën e shkuarjes së tij në amshim. Sepse i kemi shumë borxhe këtij burri të madh – por jo vetëm At Antonio Bellushit, por të gjithë arbëreshëve të Italisë, të cilët brez pas brezi, për më shumë se 500-vjet në dhe të huaj, kanë ruajtur gjuhën shqipe, traditën dhe kulturën kombëtare do mbahet mend si një përfaqësuesi i denjë i kulturës arbëreshe perëndimore. Kujtimi i tij do të vazhdojë të ketë një influencë të thellë në komunitetin shqiptaro-amerikan me të cilët ai e ndiente veten si në shtëpine e vet – por edhe do të kujtohet përgjithmonë në zhvillimet e ardhëshme të letërsisë, gjuhës dhe kulturës arbëreshe.

U nda nga kjo jetë një njeri i shumë vlerave fetare, kombëtare dhe kulturore të Arbërisë – një arbër me një idealizëm të pashoqt – që po len familjen dhe shumë miq të tij, anë e mbanë botës shqiptare – me një ndjenë humbjeje të thellë dhe të pazevendsueshme – sidomos në mërgatën shqiptaro-amerikane të cilën e donte fort.

Pushofsh në paqe Dom Antoni (Ndue) Bellushi!

Frank Shkreli

HAMËZ DHE ADEM JASHARI ISHIN KRYEÇETANIKËT E DRENICËS- Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Hipokrizia dhe falsifikimi e përshkoi tërë manifestimin, në të ashtuquajturën “Epopeja e UÇK-së” në Prekaz. Dhe, ky falsifikim nis qysh në titull:

 

1) Për çfarë “epopeje” bëhet fjalë, kur familjarë të ngujuar, në përdhesin e kullës, goditën me armë të rënda, pa asnjë mundësi për t`u kundërpërgjigjur apo shpëtuar?! Epopeja presupozon ndeshjen e formacioneve luftarake në fushë-betejë, ku përgjakja është e rrëkeshme, nga të dy palët ndërluftuese. Pra, nëse pellgjet e gjakut nuk arrijnë -deri në zog të këmbës, të paktën, deri një opangë po-. Këtë na mëson historia e lashtësisë, me epoperat e asaj kohe, prej nga vjen edhe emërtesa. Dhe, kjo nuk ka pasur as mundësi teorike të ndodhë ke Jasharajt, sepse epërsia armike ka qenë enorme, gjuajtjet në cak, me armë të rënda, nga largësia, kanë qenë të njëanshme dhe fatale. Raporti i forcave, tmerrësisht, i shpërputhshëm, i pabarabartë.

 

2) Një falsifikim i rëndë, madje, kriminal, i bërë qëllimshëm, nga banda SHTAB-iste, për arsye tërësisht politike, është ndarja e Vëllezërve Jashari, Hamzës nga Ademi! Asnjë pushkë, asnjë betejë, asnjë veprim luftarak, nuk ka bërë Ademi pa Hamzën. Andaj, janë meritorë të barabartë. Dhe, si të tillë duhet të trajtohen me barabarësi: në emërtime, shtatore, fjalime. Të gjithë shqiptarët e dinë këtë, ashtu siç e dinë edhe qëllimin e poshtër dhe kriminal të SHTAB-istëve të “Rognerit”. Andaj, edhe dështuan, turpshëm, në qëllimet e tyre banditeske.

 

Për rrjedhojë, për të mos e thelluar më tej marrëzinë dhe krimin – njëherësh, institucionet e Kosovës, duhet t`i bashkojnë dy Vëllezërit Jashari: në shkrime, libra, emërtesa institucionesh, rrugë, sheshe, në buste e shtatore, në këngë dhe histori.

 

3) Cinizmi dhe tallja e heroit Adem Jashari janë edhe ndoca emërtesa idioteske, si  Aeroporti i Prishtinës, Shtëpitë e Kulturës, ku Ademin nuk e lidhë asgjë, as me njërën dhe as me tjetrën.

 

4) Qendresa e Jasharajve, me epilog masakrën familjare, nuk duhet ngatërruar me UÇK-në dhe, madje, as me çetën. Dihet, Hamëz e Adem Jashari, formuan çetën e parë guerile në Drenicë. Dhe, ata, të dy, ishin kryeçetanikë. Kjo emërtesë është e mjaftueshme, kulmore, për kohën dhe rrethanat. Çdo shtesë tjetër, kinse, për ta madhuar figurën e tij, është zhurmim, zvetnim dhe përrallisje, sa e qëllimshme, aq edhe dështuese.

 

Kur vepronin e luftonin Hamëz dhe Adem Jashari, nuk ishte formuar asnjë batalion, asnjë brigadë luftarake, asnjë Ushtri Çlirimtare e Kosovës, për ta komanduar Adem Jashari. Këtu nis edhe falsifikimi i madh. Realisht, Hamëz dhe Adem Jashari nuk ishin dhe nuk janë komandantë. Ata janë luftëtarë, njëherësh, krejt të vetmuar, të cilët, në ditën fatale pranë kishin vetëm babën Shaban, dajën Osman Geci, mysafir Ferizin dhe Familjen fisnike Jashari.

 

5) Legjenda dhe përralla janë simotra. Vet emërtesa “legjendë”, relativizon të vërtetën. Prandaj, Adem Jashari nuk ëshë as legjendë dhe as legjendar. Pra, nuk është përrallë. Por, ai është Hero i vërtetë i Kosovës, i cili ishte i përkushtuar, për të luftuar për lirinë e Kosovës, gjithnjë, së bashku me vëllanë Hamzën. I rrethuar në kullën e tij, madje, familjarisht, rezistoi, dëshpërueshëm, në pa mundësi, as teorike, për të bërë më shumë, deri në flijimin vetanak e familjar. Mjerisht!

 

Dhe, kjo është masakra, sa e ngeshme, aq edhe e dhimbshme e Familjes të Jasharajve. Dihet, kjo nuk është as masakra e vetme dhe as më e madhja. Por, është më e tmerrshme, më e dhimbshme, sepse është vrasje, vdekje e pritshme, në kohëzgjatje enorme. Janë fëmijë, vajza e djemë, gra e plaka, pa asnjë mundësi mbrojtjeje! Dhe, këto elemente e rrethana, e shquajnë masakrën e Prekazit, nga 420 masakrat tjera serike anekënd Kosovës. Realisht, lufta në Kosovë ka qenë më shumë se sa luftë, ka qenë masakër masive. Dhe, kjo dëshmohet më përmasat numerike të viktimave, tej 13 mijë, kundrejt, përafërsisht, 800 dëshmorëve.

 

Soldateska serbo-sllave e Millosheviçit masakrat i nismoi në Qirez e Likoshan, për të kulmuar në Prekaz, ku ploja ishte masive. Protagonistë të rezistencës, “në mbrojtje të pragut të shtëpisë”, siç e arsyetonte rezistencën e shqiptarëve, kundër pushtetit serb, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, ishin Vëllezërit Jashari, Hamëza dhe Ademi, së bashku me babën Shaban dhe dajën Osman. Makabriteti i përgjakshëm ndaj Familjes Jashari, ishte shtysë për vetëmbrojtje masive të popullit të Kosovës. Sepse, “gjëma që ndodhë në kojshi, prite në shtëpi”,- na mëson urtësia. Prandaj, ngjarja tragjike në Prekaz ka veçantinë e saj. Andaj, edhe përkujtohet si thirrje e kushtrim mobilizues të popullit, në forma të ndryshme, për rezistencë e vetëmbrojtje, deri në çlirim.

 

Maskarada manifestuese në Prekaz, me defilimin e “komandantëve” kriminelë të “Rogneri-t”, dhe të tjerët jashtë tij, është rivrasje e Hamëz e Adem Jasharit dhe e Familjes së gjerë Jashari. Ish-komandantët SHTAB-istë, sabotuan armatimin e çetës të Hamëz e Adem Jasharit, madje duke i quajtur “bashibuzukë” e diç më keq! Edhe markat e dërguara nga Mynihu i Gjermanisë, i përvetësuan. Si në rastin e Zahir Pajazitit, të cilin SHTAB-istët donin ta komandonin nga Rogner-i. Dhe, kur nuk i dëgjoi, e vunë në pritën e armikut.

 

Legjendë e legjendarë, pra, përrallë, janë komandantët hileqarë e zuzarë, të cilët, në vend që të hyjnë në Kosovë dhe të luftojnë përkrah Hamëz e Adem Jasharit, i futën bandat e Organizatës ilegale kriminale e terroriste të SHIK-ut, për të vrarë komandantët dhe ushtarakët luftëbërës  të FARK-ut; kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së të Ibrahim Rugovës; veprimtarët e hershëm të LPK-së, për ta shmangur konkurrencën për pushtetin e pritshëm; gazetarët, korrespodentë të luftës; burra dhe djemë pjesëmarrës në ekzekutime, të kundërshtarëve politikë, me urdhër të komandantëve dhe fshehjen e kufomave të viktimave të tyre, për t`i hapur rrugën karrierës së tyre të zezë dhe të përgjakur.

 

Heronj legjendarë fiktivë, të rrejshëm janë SHTAB-istët, të cilët mrizonin në vilat e Bllokut të zi, sinonim i krimit, të Tiranës, në pritje për ta  përvetësuar luftën e FARK-ut. Ata pretendonin se të gjithë luftonin nën komandën e tyre, edhe pse kurrë nuk u angazhuan në luftë, ashtu siç e kanë pranuar edhe vetë.

 

Kryetari i Prishtinës, Arkitekti i përbotshëm, Përparim Rama, me delegatët e Kuvendit të tij, kanë caktuar lokacionin për ngritjen e Shtatorës të Adem Jasharit. Mendoj se atë që nuk e bënë të tjerët, radha është ta bëjë arkitekti i mirënjohur londinez.

 

Tashmë, gjithçka është qartësuar, se nismëtarë të organizimit të rezistencës të armatosur në Kosovë, janë djemtë e përgaditur nga oficerët pedagogë elitë të Akademisë Ushtarake të Shqipërisë, në Surrel të Tiranës. Ata janë: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, me shokë, të cilët organizuan rezistencën e armatosur, përkatësisht, në zonat Dukagjin, Drenicë, Llap, Ana Moravë dhe gjetkë në Kosovë. Ndonëse Hamëz Jashari ka vepruar dhe luftuar i pandarë nga vëllai i tij Ademi, ndërtimi i një Kompleksi Memorial të përbashkët, për të pestit, do ta zbukuronte kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën.

 

Sidoqoftë, kryetari i nderuar, Përparim Rama, me shokë dhe Institucionin përkatës, nëse nuk realizon Kompleksin me pesshën  e cituar, të paktën, t`i bashkojë në një shtatore Vëllezërit Jashari, respektivisht, Hamzën dhe Ademin. Dhe, kjo të jetë nismë dhe thirrje edhe për institucionet zyrtare e qytetare private, për të korrigjuar fajësinë, deri në krim, të disa “biçim” komandantësh, për ndarjen e Vëllezërve, për qëllime të ulëta politike!

 

Mbetem me shpresë e besim për mirëkuptim.

“S’KA PRA M’I LEHTË ZANAT SE POLITIKA, O VËLLEZËR SHQIPTARË…ZANATI MË I LEHTË ËSHTË TË BËNESH MINISTËR” (Andon Zako Çajupi) Nga Frank Shkreli

Gjatë viteve më ka pëlqyer të sjell, nga koha në kohë, shkrime dhe artikuj të fillim shekullit të kaluar si për shembull nga At Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli e të tjerë, të cilët ndonëse kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre në fillim të shekullit XX – mendimet dhe qëndrimet e tyre të shprehura atëherë, janë mjaft aktuale edhe në ditët e sotëme përball zhvillimeve politike në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Sot e ka radhën një shkrim i Andon Zako Çajupit që mban datën 22 Shkurt, 1922 shkruar në Kairo – si parathënje në krye të dramës, “E Thena” të Milo Duçit – ribotuar në numrin e parë të revistës “Shejzat” të Ernest Koliqit (Viti i Parë, Gusht -1957) në Romë me mbishkrimin, “Zane të Kalesës”.

Artikulli i Çajupit, që po e sjellim të plotë, është shkruar prej tij një shekull më parë, në formën e një parathënjeje të dramës “E Thena”. E përzgjodha këtë shkrim të Çajupit, ndonëse ka kaluar një shekull nga botimi (1922), sepse sjellë edhe sot një freski të gjëndjes politike dhe kulturore që mbretëronte në atë kohë, anë e mbanë trojeve shqiptare, por sikur të ishte shkruar sot, pasi pasqyron me mjaft përpikmëri, sidomos gjëndjen e sotme politike në Shqipëri, por jo vetëm. Në atë shkrim, Çajupi shpreh zhgënjimin dhe trishtimin e tij mbi gjëndjen dhe mungesën e zhvillimeve letrare e kulturore të gjuhës shqipe, në përgjiithsi, në Shqipërinë e 1920-ave. Ndërkohë që “shqiptarët janë të lindur për politikë” sipas Çajupit, “Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë.  Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu…Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët.”

Megjithse kanë kaluar mbi 100-vjet nga botimi – fjalët e Çajupit pasqyrojnë edhe sot shqetsimet dhe trishtimet e patriotëve të vërtetë të asaj kohe në lidhje me gjëndjen politike dhe kulturore të shqiptarëve atëherë, por që përputhen aq përpikmërisht me gjëndjen e sotëme politike dhe kulturore në marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri tjetrin dhe me të tjerët.

Andon Zako ÇAJUPI At Gjergj Fishta

“Për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel.” Çajupi

———————–

Lexoni, pra, (në origjinalin e shqipës së atëhershme) parathënien e Andon Zako ÇAJUPIT për dramën e Milo Duçit, “E THËNA”, Kairo, 1922.

“Bashkatdhetarëve:
S’është neovoja t’u prezantoj unë autorin e këtij libri, që pata naflakë me lëçit i pari në dorëshkrim. Mjafton t’u kallëzoj se, Zoti Milo Duçi është vetë Lulo Malsori, që ka pas botue “Gjakun”, një fjalor shqip-italisht, dhe plot vjersha të bukura e artikulla ndë gazeta dhe të përkohëshme, në kohë të shkuara.  Se duet me dit se Z. Milo Duçi, sido që ala trim i ri, është nga Shqiptarët e vjetër që kanë punuar për letraturën shqipe dhe për liri t’Atdheut qysh në kohë të tiranisë, kur Turku s’ka dashur të dëgjojë as emrin Shqiptar.
Sot, që cilido mund të thotë e shkruajë çka të dojë, pa asnjë farë reziku, na kanë dalë disa Shqiptarë të lashtë, aty ku s’i pandenim, dhe këta njerëz të guxuashim përmenden tani si atdhetarë të vërtetë, sido që herët kanë vepruar kundra Shqipërisë. Një faktum i tillë nuk e dëshpëroi Z.Milo Duçi, dhe mori prapë pëndën e shkroi një dramë tjetër fort origjinale, “E THËNA”, që ka me u pëlqye të tërve kur ta këndoni e kur ta shikoni të luhet në theatro.

Tani disa vjet, kemi rënë tepër pas politikës. Jemi mërzitur, jemi lodhur pa dobi, duke u grindur me bisedime të politikës që nukë mbarojnë kurrë. Politika! Formirë. Po na duet dhe letratura, për Zonë! Kemi nevojë të dëfrejmë e të çdëfrejmë dopak, të jetojmë dhe me ëndërra. Pastë të mirë pra Z.Milo Duçi, që na mbushi dëshirën e zemrës, se “E THËNA”, do të na zbavitë mjaft sa të harojmë, një orë a dy, mendimet e mundimet e jetës, ndë këtë botë ku hollësitë, kodhelet dhe lodrat e politikës gadi na prishin trutë në ditë të sotme.

Do të më thuani se jam në gabim, se politika për Shqiptarët është si buka që hamë; janë të lindur për politikë. Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë.  Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu.
Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët. Në këta 3 a 4 vjet të fundit, Shqipëria ka mundur me pas më tepër se 300 a 400 ministra, diplomatë, depytenj të çkëlqyerë!  Po, qysh 40 vjet e tëhu, s’ka mundur me na dhënë veç 4 a 5 shkronjëtorë e vjershëtorë që meritojnë të përmenden në letratyrë…

Si shpjegonet kjo pasunië në pikëpamje të politikës? Unë, që jam krejt budallë në këtë pikëpamje, them se, për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel. Ministri i bujqësisë, bie fjala, tokon të mos çquaj qepët nga prasët; ministri i luftës tokon të mos ketë marë një pushkë në dorë; ministri i financës tokon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit tokon të mos dijë as shqip, veç të mundi të shkruaj një ë me dy pika mbi krye; ministri i punëve të përjashtëme tokon të jetë prift a hoxhë…., dhe puna të vejë mbarë gjithmonë…

Një herë në një kohë, populli lypte nga qeveritarët të jenë sidomos atdhetarë të vërtetë.  Jo, sot s’është nevojë. Ndë Shqipëri, një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtor, tokon të bënet, pa vesvese, regjent, ministër, depytet, prefekt, faqe me nder dhe mbret.

S’ka pra m’i lehtë zanat se politika, o vëllezër shqiptarë. Përkundrë, letratyra është një punë fort e rëndë: shkronjëtor, vjershëtor, s’bënet kushdo. Dhe në daltë dokush, s’ka si jeton, se librat shqip nukë shiten. Shqiptarët s’janë budallë me tret kot pare duke blerë libra e gazeta. Më mirë është me pi se me lëçit. . .Prandaj shkronjëtorët shqiptarë janë të rrallë dhe nuk nderonen aspak.  Shkojnë gjithë barabar, si i miri dhe i ligu, dhe ky përmëndet më tepër se ay. Po, kam uzdajë se një shkronjëtor, si Z. Milo Duçi do ta mërgojë këtë rezik. S’kam dyshim se “E THËNA”, kur të lëçitet a keq, i lutem autorit të mos dëshpëronet, por të kujtonjë fjalët e plakut La Fontenë: “Kurkush s’mund të kënaqij tërë botën dhe babanë”. (Botuar në Kairo, shkurt 1922. A. Zako Çajupi, ribotuar në revistën Shejzat, Viti i I, Gusht 1957, Romë) –
———————

Ka disa vite që — të dëshpëruar me politikën aktuale shqiptare – ashtu siç ishte i dëshpëruar edhe Çajupi me politikën shqiptare të fillim shekullit të kaluar – shumë veta bëjnë pyetjen, nëse mund të bëhet Shqipëria!?

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar At Gjergj Fishta duke thenë se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund t’i kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhet përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…” I tmeruar me politikanët e kohës së tij, ashtu siç ishte edhe Çajupi në atë kohë, Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.”  Si rrjedhim, Fishta paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se, “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer, jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”.

Prandaj, ja vlen që të merren parasysh mësimet dhe parlajmërimet e vyera nga e kaluara — aktuale edhe sot — nga personalitete historike si Fishta e Çajupi për ndërtimin e një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. “Të mësojmë nga e djeshmja, të jetojmë të sotmen dhe të shpresojmë për të ardhmen”, ka thenë Albert Einstein-i.

Frank Shkreli

Shtëpia e lindjes, thesari i zemrave tona- Nga Aurel Dasareti, Arizona (ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake)

 

Ajo që dëshiroj të parashtroj unë është që jo vetëm të përdorim të kaluarën për të kuptuar të tashmen, pavetëdijen tonë, por edhe për të përdorur pavetëdijen si çelës për të kuptuar parahistorinë. Kjo kërkon praktikën e njohjes së vetvetes: të largojmë pjesën më të madhe të rezistencës sonë për të marrë vetëdijen e pavetëdijes sonë, duke lehtësuar kështu depërtimin e mendjes sonë të vetëdijshme në thellësinë e thelbit tonë.

O shqiptar! Ti mund të mos jesh në gjendje të ndryshosh botën vetëm, por ti mund të luash një rol të rëndësishëm në ndryshimin e mënyrës se si ne e trajtojmë atë.

Arizona, (anglisht: The State of Arizona) Shteti i Arizonës është një shtet në Shtetet e Bashkuara jugperëndimore. Phoenix është qyteti më i madh dhe kryeqytetit i shtetit. Qyteti dytë nga madhësia është Tucson i ndjekur nga Mesa, Glendale, Chandler dhe Scottsdale.

Arizona ishte shteti i 48 që më 14 shkurt 1912 përfshihet në SHBA. Arizona është i njohur për peisazhin e saj shkretëtirë, veçanërisht vera e nxehtë dhe dimër të butë. Pyjet malore dhe zonat malore në veri, megjithatë, kanë një temperaturë shumë të ulët. Arizona është një prej katër shteteve qoshe të pjesës perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arizona kufizohet me New Mexico, Utah, Nevada, California, Colorado dhe ka një kufi 626 km të gjatë ndërkombëtar me shtetet meksikane Sonora dhe Baja California. Përveç Canyon Grand me famë botërore, shteti ka pyje të shumta, parqe kombëtare dhe rezervate indiane.

Viti 1984. Isha 8 vjeçar. Unë dhe babai im jemi në ditën e gjashtë të izoluar në shkretëtirën e Arizonës me automjet terreni të papërdorshëm për shkak të një aksidenti dhe ndërsa piva pikën e fundit të furnizimit tim me ujë mu kujtua qeni im.

–           Miku im qeni, thash

–           Nuk bëhet më fjalë për qenin, vogëlush.

–           Pse jo?

–           Sepse ne jemi duke shkuar drejt vdekjes nga etja, tha babai.

Babai nuk e ka kuptuar atë që kam menduar, dhe u përgjigja:

–     Është kënaqësi se një njeri ka pasur një mik, edhe pse ai do të vdesë. Unë jam të paktën i lumtur që kam pasur një qen për mik.

Babai nuk ka asnjë ide se sa e rrezikshme është situata, mendova. Ai kurrë nuk është i uritur dhe nuk ka etje. Një kohë e mirë me pak diell është e mjaftueshme për të …

Por pastaj, si përgjigje ndaj mendimeve të mia, ai tha:

–           Edhe unë kam etje, le të gjejmë një burim uji.

Dhe, ne kërkuam me orë të tëra pa e folur asnjë fjalë, ra nata dhe yjet filluan të ndizen. Unë i vërejta ato si në një ëndërr, sepse kisha fituar pak ethe nga etja.

–           Edhe ti ke etje? e pyeta.

Por babai nuk u përgjigj në pyetjen. Ai vetëm tha:

–           Uji mund të jetë gjithashtu i mirë për zemrën.

Unë nuk e kuptoja atë që ai thoshte, por heshta. E dija se ishte e kotë dhe nuk do të përfitonim asgjë ta pyes atë për diçka.

Babai ishte i lodhur. Ai u ul. Unë gjithashtu u ula – pranë tij. Dhe atëherë, pasi ishim ulur një kohë të shkurtër pa thënë asgjë, ai tha:

–           Yjet janë aq të bukur për shkak të një lule që njeriu nuk mund t`a shoh. Shkretëtira

është e bukur, shtoi ai.

Dhe kjo ishte e vërtetë. Unë e kam dashur gjithmonë shkretëtirën. Dikush mund të ulet në një grumbull rëre. Asgjë për të parë. Asgjë për të dëgjuar. Megjithatë ka diçka që shkëlqen në heshtjen.

–           Ajo çfarë e bën aq të bukur shkretëtirën, është se ajo në një vend apo në një

tjetër ka të fshehur një burim uji në të, m`u kujtuan fjalët e nënës.

Unë u befasova, sepse papritmas kuptova madhështinë enigmatike që qëndronte në rërë. U linda dhe deri në moshën shtatë vjeçare kam jetuar në një shtëpi të vjetër, aty buzë detit në Sydney, Australi, atje ku duhet të jetë i fshehur një thesar. Pa dyshim, askush nuk e gjeti ndonjëherë – ndoshta askush asnjëherë nuk e kërkoi atë. Por ai la një lloj magjie mbi tërë shtëpinë. Shtëpia ime fshehu një thesar thellë në zemrën e saj…

26.02. 2013

MUJSHI DHE ANARKI NË DATAT HISTORIKE DHE FESTIVE- Nga IDRIZ ZEQIRAJ

      Nuk mjaftoi një çerek-shekulli, për t`i përcaktuar datat historike ditë pushimi, datimet tjera ditë festimi (jo pushimi). Shpallja e Pavarësisë u zyrtarizua para datës së Çlirimit! Dhe, kjo ndodhi se lexuesi i dhunshëm i asaj deklarate e bëri për protagonizëm. Pra, nuk i takonte assesi kryministrit, kur Kosova kishte President dhe kryetar Kuvendi. Kuadrot militantë të PAN-it, e marrin paushall në mbrojtje mujshorin Hashim, përfshirë edhe akademikë, se “ai e ka shpallë pavarësinë!?” Realisht, shpallja e Pavarësisë, më 2 korrik 1990, është datë domëthënëse, meritore për  ta zëvendësuar 17 shkurtin 2008.
     Dita e Çlirimit u zvarris qëllimshëm, për të zënë vendin që i takon. Komandantët, të cilët e sundonin Kosovën dhunshëm, nuk gjenin një ditë, ku ata do të bëheshin protagonistë të kësaj date të shënuar, sepse nuk kishin bërë asnjë betejë apo luftë ballore. Më në fund kryeministri Albin Kurti deklaroi se -12 Qershori 1999- është dita e Çlirimit e të gjithë Kosovës. Paksa i vonuar, ndonëse Mërgata e përbotshme shqiptare, vazhdon ta kujtojë dhe festojë prej disa vitesh -12 Qershorin si festë të vetme të Çlirimit të Kosovës.
     Megjithatë, vazhdon rezistenca mos njohëse e -12 Qershorit-, si datë e çlirimit të tërësishëm të Kosovës, nga komandantët mujshorë e kapadai të “UÇK-së të LPK-së”, alias PAN-it! Ata kanë renditur data imagjinare, në shtrirje nga 10 deri në 20 qershor! Falsifikimin e filluan komandantët e LLapit, respektivisht, Prishtinës, të cilët janë demantuar, madje bindshëm, nga vetë qytetarët okularë vendorë.
     Për çudë, Prishtina nuk mbeti e vetme në falsifikimin e datës së Çlirimit. Ajo u pasua nga qytete tjera. Kuqaloshët e ideologjisë ekstreme staliniste të LPK-së, guidë e kanë filosllavin Enver Hoxha, i cili e bashkoi datën e Çlirimit të Shqipërisë, me atë të Jugosllavisë. Në vend të 28 Nëntorit, e bëri më 29 Nëntor! Edhe pas 80 vjetësh çlirim, shqiptarët e Shqipërisë londineze, i festojnë dy data të çlirimit: E djathta shqiptare pro-Perëndimore e feston më 28 Nëntor, ndërsa e majta pro-Lindore e feston 29 Nëntorin, të njëditshëm me Serbinë!
          Çfarë thonë shkodranët e mbijetuar dekadash dhe komandantët e çlirimit të Shkodrës, me territorin komunal:
     Gjeneral Sadik Bekteshi, Hero i Popullit, me origjinë nga Vuthaj të Gucisë, komandues i Luftës në zonën Lezhë-Shkodër, nismë e mbarim, bashkëvuajtës i njëkohshëm me mua, i Internimit në fshatrat e Beratit, me të drejtë lëvizje 1(një) kilometër dhe në Burgun e torturës të Burrelit, në vitet `70-a dhe `80-a, e fakton se qyteti i fundit i Shqipërisë, Shkodra, është çliruar më 28 Nëntor 1944. Në maje-Malin e Taraboshit, një Batalion gjerman, i koracuar-fortifikuar, ka qëndruar edhe disa ditë apo javë. Por, data e Çlirimit nuk ka ndryshuar. Dhe, atëherë është thënë troç: “Pavarësisht, një dite më parë, po e bashkojmë datën e Çlirimit më vëllezërit jugosllavë!” Dhe, kjo është e shkruar “e zezë në të bardhë”. Megjithatë, përçarja 80-vjeçare vazhdon, cinikisht e turpshëm! Mos po i ndodhë kjo edhe Kosovës?
     Festimet e datave falsifikuese çliruese të qyteteve, të komunave, veç e veç, kanë koston e tyre, në humbjen e ditëve të punës. Në ato festime marrin pjesë edhe nxënësit. Dhe, duke llogaritur shumësinë e tyre, janë mijëra orë mësimi të humbura.
     Ditë pushimi panevojshëm, është caktuar -Dita e Kushtetutës-. Kjo është kopjuar nga 11 janari, ditës të Kushtetutës të Enver Hoxhës, i cili, me nder – e ka dhjerë-, sepse e ka shkelur atë pamëshirshëm, duke i sakatosur shqiptarët për gjysmë shekulli radhazi, Veç kësaj asgjë të veçantë nuk ka, sepse Kushtetuta është e përbotshme, të gjitha shtetet e kanë. Në vend të kësaj, përkujtim dinjitoz meriton – 7 Shtatori-, Kushtetuta e Kaçanikut, kur në rrethana terrori, u mblodhën delegatët anë e kënd Kosovës, për ta shpallur tekstin kushtetues.
     Ditë pushimi është caktuar – Dita e Evropës-, ndërkohë që vetë  Evropa nuk e ka këtë datë në kalendarin e festave të saj. Një servilizëm i komandantëve, që jetojnë nën ethet e dosjeve të tyre të krimeve, të bëra përgjatë dhe pas luftës, në Shqipëri dhe Kosovë.
     Festa e 1 Majit, – Dita e Punëtorëve-, tingëllon shumë cinike, sepse ato shtete të cilat e imponuan, nuk e kanë respektuar, as për së afërmi, të ashtuquajturën – klasë punëtore-. Vetë Sindikatat e Punëtorëve kanë qenë dhe mbetën vegla të pushtetit. Dhe, në vend të mbrojtjes të drejtave të punëtorëve, përkundrazi, u kanë duartrokitur diktaturave komuniste.
     Përkujtimi dinjitoz i – Ditës të Dëshmorëve -, është nderim, mirënjohje e fisnikëri. Shqipëria – Ditë të Dëshmorëve – e ka 5 Majin 1942, datën e vrasjes të udhëheqësit të Rinisë Komuniste Shqiptare, Qemal Stafa, vënë në pritën e armikut, pikërisht, nga Enver Hoxha, i cili ishte i vetmi që e dinte vend-strehimin e Qemalit. Shqiptarët kanë vuajtur mijëra vite burg, përfshirë edhe të fejuarën e Qemalit, Drita Kosturi, e cila vuajti 45 vjet burg dhe internim, pse akuzonin Enver Hoxhën për tradhti.
     Kosova ditën e dëshmorëve duhet ta bashkojë me 5 Majin e Shqipërisë, nisur nga masakra e Familjes Jashari, në Prekazin heroik, më 5 Maj 1999. Dhe, kjo ditë vjetore, do t`i shmangte përkujtimet individuale dhe grupore, që bëhen sot, përgjatë tërë vitit. Në Kosovë kanë ndodhur 420 masakra, sepse armata e 60 mijë “luftëtarëve” veteranë në Kosovë, dështojë t`i mbronte qytetarët e pambrojtur. Edhe pse Kosova ka masakra më të mëdha me numër viktimash, vrasja masive e Familjes Jashari, në mes tyre edhe të dy luftëtarëve trima e kryeçetanikë të Drenicës, Hamëz dhe Adem Jashari, është më e veçanta, më e trishtme. Sepse është vrasje e ngeshme, e pritshme dhe skajshëm e dhimbshme. Andaj, në Ditën e 5 Majit nderohen dhe përkujtohen të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës.
     Edhe ditët e pushimit për festat fetare, duhet reduktuar. Zgjidhja më e mirë, të veprohet si Evropa. Për shembull, për minoritetet pakicë, për ditën e festës së tyre, nxënësit pjesëmarrjen në mësim e kanë fakultative, të vullnetshme. Zakonisht, këtë të drejtë pak e shfrytëzojnë, sepse mësimi mbahet para dite dhe ngrënien e drekës dhe vizitat, fëmijtë shkollarë mjaftueshëm i gëzojnë me familjen.
     Ndërsa, nëse festa bie në fund-javë, pushimi të kompensohet në ditën e hënë, është jologjike, për të mos thënë abuzim idiotesk. Sepse në 7 ditë të javës, dy ditë pushim, janë të mjaftueshme.
     Realisht, çështjen e ditëve të pushimit zyrtar, si dhe shënimet e festave tjera zyrtare e fetare, duke mos i bërë ditë pushimi, duhet të analizohen mirë dhe të përcaktohen me ligj, për të shmangur çfarëdo anarkie e mujshie, ndividuale apo grupore.

OPOZITA ALEATE E SERBISË DHE NDËRKOMBËTARËVE KUNDËR POZITËS- Nga IDRIZ ZEQIRAJ

       Qeveria e Kosovës, e joshur nga dëshira dhe nevoja, për t`u pranuar në Këshillin e Evropës, bëri një letër të dytë zotuese, për ta bërë e dërguar në Gjykatë Kushtetuese një draft-statut tjetër për Asociacionin, por jo atë franko-gjerman. Qeveria po punon për një draft-statut, të frymëzuar nga ai që dikur kishte hartuar Fondacioni Friedrich Ebert (FES), – ka sqaruar zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donikë Gërvalla. Kjo nismë nuk funksionoi, shkoi huq, sepse çështja e Kosovës nuk u shtrua në mbledhjen e radhës të Këshillit të Evropës, me arsyetimin se letra ishte e vonuar! Për rrjedhojë, Ministrja në fjalë e devalvoi atë letrër, duke e konsideruar si të pa qenë dhe “as ne nuk do ta bëjmë Asociacionin”. Dhe, mirë bëri.
     Mungesa e koordinimit në mes të krerëve drejtues në koalicion, respektivisht, mos konsultimi i presidentës Vjosës Osmanit, reagimi i saj për shpërfillje të Institucionit të parë shtetëror, ka përfshirë kupolën drejtuese të Kosovës: Presidentën, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, zëvendëskryeministrën e Jashtme dhe të Diasporës. Me skajshmëri keqardhje, kjo po ndodhë në një kohë zezonë për Kosovën.
      Parisi e Berlini ndërhynë qëllimshëm dhe hiç logjikshëm, duke ngatërruar procesin e dialogut me çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Krerët e Kosovës reaguan bindshëm se “ky kusht nuk përkon me vlerat e parimet e Këshillit të Evropës”.
     Presidentja Osmani e vë pikën mbi -i-, akuzon Kurtin se nxori Asociacionin nga pakoja e Marrëveshjes Bazike, për rrjedhojë “u ndryshua qëndrimi në tërësi”. Dhe, shpjegon se “nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga Marrëveshja, që nuk mund të këtë zbatim të njëanshme të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të këtë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.
     Mëtej Presidentja shton:
     Me ofërtën e Qeverisë të 15 majit, “të gjitha kanë rënë në ujë”. “Ajo ofërtë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që kanë nënshkruar të tre liderët”.
     Edhe vet Kurti më parë ka thënë: “Ata të cilët flasin për Asociacionin, pa folur për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Zbatimit, më falni, por e bëjnë punën e Beogradit”.
      Kryeparlamentari Glauk Konjufca, për ta lehtësuar kryeministrin, arsyetoi mosinformimin e Presidentës të shtetit si “institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme”, për letrën nxituese, sepse ndodhej në largësi, në SHBA. Por, Presidentja nuk e pranoi justifikimin, madje e quajti “qesharake”, sepse telefoni gjithmonë ka qenë mjet i komunikimit tonë institucional.
     Presidentja shprehë habinë:
     Qysh është e mundur që një njeri nga Shoqëria Civile në Gjermani, që po ashtu s`ka qenë në Kosovë, mori letrën para presidencës së vendit, para parlamentit, para Shoqërisë Civile në Kosovë, kjo vërtet është qesharake”.
     Përsonalisht, mendoj se meqë përfaqësuesi i Shoqërisë Civile në Gjermani është mik i pahile i Kosovës, letra mund të jetë dërguar për arsye të plasimit të shpejtë të premtimit, se Kosova po levizë në drejtim të bërjes së Asociacionit, ngaqë vetëm pas dy ditësh mbahej mbledhja e Këshillit të Evropës.
     Zëvendëskryeministrja Gërvalla arsyeton: “Të jeni të sigurtë se edhe presidentja, siç e keni parë, ka qenë bashkënënshkruese e zotimeve dhe kjo letër e sotme nuk është asgjë e re; është vetëm përsëritje”.
     Ndërkohë, Presidentja mendon ndryshe: Çfarëdo Asociacioni që të jetë, nuk guxon të nxirret nga pakoja, të zbatohet i shkëputur nga çështjet tjera, që janë brenda pakos të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Zbratimit. Ajo aludon dhe dyshon se mos kryeministri Kurti ka ndërruar mendje për Asociacionin, duke shkelur vendimin e përbashkët. Sepse nga BE-ja, me aleatë, kërkohet zbatimi i njëanshëm i pikës të Asociacionit dhe të tjerave, në -MIRËBESIM-! Cinike dhe e turpshme! Çfarë -mirëbesimi- mund të këtë tek një fqinj armik, i cili na ka vrarë e poshtëruar dhe kurrë nuk ka kërkuar falje?!
     Skajmërisht e habitshme dhe kriminale, për të gjitha masat që vazhdon të merr pozita, qeveria e Kosovës, për shtrirjen e sovranitetit të munguar në veriun e Mitrovicës, opozita destruktive e kundërshton, e saboton, hapur e zëshëm, duke u bërë aleate servile e turpruese me Serbinë dhe eksponentët e politikës ndërkombëtare, madje, herë-herë, është prijetare! “E kishim shtrirë sovranitetin në veri, por qeveria aktuale e humbi këtë sovranitet, me provokimet që po ndërmerr, në vijimësi, në veri”, – thotë opozita në kor!
     Ndërkohë, edhe në vitin 2018, administrata në veri, kishte hapur 6 (gjashtë) njësi bankare ilegale, ku depozitoheshin -dinarët e bartur me thasë nga Serbia-! “Opozita e pranon se “sanksionet e vëna Kosovës janë të padrejta”. Por, kur duan ta akuzojnë pozitën dhe kreun e saj, thonë se “sanksionet na i vuri Kurti!” Por, dy të vërteta nuk ka. Opinioni shqiptar është i një mendje se “përçarja e subjekteve politike, në luftën për pushtet, po e dëmton përmbylljen e shtetësisë të Kosovës!”
    Edhe pse vullneti i Qeverisë duket i mirë, ka vepruar nxitimthi, për të përfituar në kohë dhe besuar se votimi do të jetë pozitiv. Por, deri sa kanë -hyrë në lojen- mohuese tri shtetet e Quintit, përgjigja negative ka qenë e pritshme. Megjithatë, datimet e letrës në fjalë dhe të udhëtimit të Presidentës, demantojnë faktueshëm mungesën e saj në Prishtinë.
 
         Pse Qeveria nuk i referohet doktrinës juridike ndërkombëtare 
        “Rebus Sic Stantibus”, për prishjen e Asociacionit të vitit 2013?
     E kam thënë dhe përsëritur, ekziston një doktrinë juridike ndërkombëtare, – Clausula “Rebus Sic Stantibus”, e cila mundëson korrigjimin e Marrëveshjeve apo kontratave të nënshkruara, nëse rrethanat ndryshojnë tërësisht, nga koha kur janë nënshkruar.
     Megjithatë, qeveritë njëra pas tjetrës, anashkalojnë, e heshtin të vërtetën, duke mos marrë guximin ta trajtojnë çështjen e Asociacionit, duke shfrytëzuar, pikërisht, këtë doktrinë juridike ndërkombëtare. Shantazhimi ka qenë dhe mbetet e keqja e madhe e Kosovës. PAN-i duhet të mbahet larg pushtetit. Përndryshe, me hafijet-pengje të Serbisë, Kosova do të vazhdojë të tkurret, ashtu siç ka ndodhur në Debëllde; zbatimi i vendimit të Millosheviqit për dhurimin e tokës Manastirit të Deçanit; faljen e Çakorrit dhe të Kullës së Zhlebit.
     Janë tri arsye bazike që Asociacini njëetnik nuk duhet krijuar kurrë, pavarësisht presionit të turpshëm e kriminal ndërkombëtar:
     1) Nënshkruesi i Asociacionit u bë nën shantazhin e dosjeve të krimeve faktike, për çka Hashim Thaçi edhe përballet me drejtësinë ndërkombëtare.
     2) Kur BE-ja dhe SHBA filluan presionin, sa të padrejtë, aq edhe absurd, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, festuan – njëherësh: serbët në Kosovë; Beogradi zyrtar; serbët në Mal të Zi; por edhe Moska zyrtare, duke uruar njëri-tjetrin se fituam “Republika Srpska” të dytë, pas asaj në Bosnje.
     3) Presioni i BE-së, me aleatë, ishte enorme, për ta shpallur Kosovën -multi-etnike-, ndërsa sot kërkojnë Asociacionin -njëetnik-, edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon këtë!
     Nëse u dashka një Asociacion i komuniteteve pakicë, lë të bashkohen edhe komuna e Mamushës, e dominuar nga komuniteti turk dhe Dragashi me goranë e boshnjakë ose myslimanë, siç u pëlqen ta quajnë vetën e tyre. Dhe, ky Asociacion i dytë, tashmë, multietnik, të monitorohet nga BE-ja. Shqiptarët respektojnë Institucionin e faljes, janë popull fisnik dhe kurrë nuk kanë pasur dhe as nuk e kanë ndjesinë e urrejtjes, të keqtrajtimit, të shkeljes së të drejtave të njeriut, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare, ngjyrës.
         Ndryshimi, shporrja i PAN-it të inkriminuar, vepër unike e Vjosës dhe Donikës
     Përflitet bollshëm se cila është arsyeja e vërtetë e mosmarrëveshjes, në kupolën drejtuese të koalicionit LVV-Guxo? Një takim në mes të kryetarëve partiakë, Albin Kurtit dhe Memli Krasniqit, u përfol shumë për një mundësi të koalicionit, meqë të dyja partitë  janë të majta. PDK-ja mashtron e gënjen me djathtizmin e saj fallco, kur dihet se mëmë ka LPK-në staliniste. Dhe, nëse do të kishte diçka të djathtë, do të kishte afri me PDSH-në e Berishës dhe jo me PS-në e Ramës. Kjo vlen edhe për grupin stalinist të Ali Ahmetit.
     Koalicioni në mes dy apo më shumë partive, nënkupton obligimin e ndarjes së pushtetit, mbi bazën e fuqisë së votës zgjedhore. (Përjashtim bënë Pacoll dallaverja, për 3 deputetë, merr 4 ministri!!) Dhe, një koalicion i bollshëm në numra, nëse merr partner të madh, i harron të vegjëlit. Dihet, të paktën, përgjatë shekullit të shkuar dhe dy dekadave të këtij shekulli, është dëshmuar me fakte, se e majta, komunistët, janë jo vetëm të pabesë, por edhe kriminelë.
     Për shembull: Enver Hoxha, me bandën e tij byroiste-komuniste, për ta marrë dhe mbajtur pushtetin, në mesin e shumë mijëra nacionalistëve, kombëtarëve, 6.OOO syrësh, kryesisht intelektualë, i ekzekutoi, duke i lënë edhe pa varr! Edhe në Kosovë, LPK-ja e djeshme, PAN-i i sotëm, përgjatë luftës dhe pas saj, ekzekutoi 1.828 luftëtarë FARK-istë, veprimtarë të LDK-së dhe të tjerë, të cilët i konsideronin pengesë për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit të pamerituar. Po të mos ishte forca monitoruese ndërkombëtare në Kosovë, do të sundonte një qeveri fashiste, krejt e njejtë me fashizmin 50 vjeçar të kumunistëve në Shqipëri.
     Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani, lë ta dijë LDK-ja dhe LVV, por edhe Kosova, se këto dy veprimtare kanë bërë një sakrificë unike, duke denoncuar hapur dhe me guxim qytetar, kriminelët vrastarë, hajnat zyrtarë dhe argatët e tyre klanorë, të cilët kishin kontaminuar shoqërinë, shtetin e Kosovës, me pazarllëqet e pista të koalicioneve të paprincipta e kriminale, duke i vrarë viktimat e PAN-it, dëshmorët, viktimat e luftës si dhe njollosur edhe akronimin tri gërmash – UÇK.
     Prandaj, Albin Kurti duhej të bëjë një përjashtim nga soji i tij majtist, t`i trajtojë me respekt e dinjitet Vjosë Osmanin dhe Donikë Gërvallën, ashtu siç e meritojnë. Sepse me veprimet e tyre ngulmuese, shporrën nga skena politike partitë-banda të PAN-it, me patericën e tij, klanin uzurpator brenda Kryesisë të LDK-së, të kryesuar nga njeriu i Hashimit, Isa Mustafa. Sikur edhe sot ta pushonin veprimtarinë politike, me kontributin e tyre të veçantë, në një kohë zezonë për Atdheun, kanë hyrë krenare në historinë më të re të Kosovës. Andaj, çdo anashkalim i tyre, nga ana e Kurtit, për hirë të koalicioneve me partnerë të tjerë, do ta turpëronte atë, madje përjetësisht.
 
          Mbi PAN-in rëndon krimi dhe tradhtia;
          PAN-i ose riformim ose i jashtëligjshëm;
          Koalicioni me PAN-in, e bënë pjesë të krimeve të tij edhe partnerin
     Pacipërisht dhe cinikisht, zyrtarët e inkriminuar të PDK-së, llomotisin se “pa u transformuar, reformuar LVV dhe larguar Kurti me shokë, nuk bëjmë koalicion me LVV!” Por, vërtet, do të ishte sa humbëse, aq edhe e turpshme për LVV, nëse do të koalicionohej me PAN-in e krimit vrastar, hajnisë zyrtare, haraçit, zhvatjes dhe të rrënimit të Kosovës, ekonomikisht dhe politikisht. Këtë lë ta këtë -vath në vesh- Kurti me shokë, sepse do ta pësojë si LDK-ja dikur. Ndërkohë, në raport me PAN-in, LVV nuk identifikohet me asnjërin nga këto mëkate, për të cilat PAN-i faktueshëm akuzohet dhe po përballet me drejtësinë ndërkombëtare. Rrjedhimisht, koalicioni me një parti të inkriminuar, apriori partneri në koalicion me atë, bëhet pjesë e krimit. Kjo do t`i ndodhte edhe Lëvizjes Vetëvendosje.
     Tashmë, shkaku i mosmarrëveshjes, në relacionin Presedencë-Qeveri, është qartësuar. Edhe fajtori gjithashtu, sepse Qeveria ka anashkaluar Presidentën, qëllimshëm apo neglizhencë, pakujdesi, mbetet të sqarohen akteret e kësaj mosmarrëveshjes mes tyre, pa praninë e opinionit. Mendoj se Presidentja e nderuar, Vjosë Osmani, duhej ta menaxhonte ndryshe mosmarrëveshjen, pavarësisht hatërimit të përligjur. Nëse nuk mund ta kapërdinte në heshtje totale, të paktën, duhej të mjaftohej me reagimin e këshilltarit Bekim Kupina.
     Siç thonë korçarët tanë: -Të shkruara dhe të harruara! Harrojeni si një ëndërr të keqe! Lëndimi i anëtarësisë së Vetëvendosjes, por edhe i shqiptarëve të përbotshëm, tashmë, ka ndodhur. Por, është fisnikëri dhe obligim moral, që kupola drejtuese e LVV-Guxo, njëherësh, edhe pushtetare e shtetërore, ta tejkalojnë hatërimin në fjalë dhe ta vazhdojnë përmbushjen e misionit të besuar nga shumësia e popullit të Kosovës. Për më shumë pajtimin e obligon, vota e tej 4OO mijë votuesëve besnikë. Këtë përgjegjësi vajzat dhe djemtë e koalicionit GUXO-LVV, e dijnë mirëfilli dhe po vazhdojnë qeverisjen normale, duke tejkaluar edhe hatërimin e zonjës së nderuar Vjosë  Osmani. Krerët e koalicionit janë të vetëdijshëm se konsultimet e çiltra dhe pajtueshmëria, për çështjet kardinale, janë në interes të Kosovës. Urojmë për mirëkuptim!
     Analistë e banalistë, horra e smirëzinj, mezi pritën të komentojnë mosmarrëveshjen në kreun e pozitës. TV-T7 kishte ftuar në PRESSING tre avoketërit e opozitës PAN-iste: Baton Haxhiun, Dukagjin Goranin, Ilir Morenën. Secili më i zi se tjetri. Ata sterrosën, nxinë çdo gjë të krerëve shtetërorë e pushtetarë. Fjalori i tyre ngjasonte me sharjet e karrocierëve ambulatorë, të cilët, në ditën e tregut, pengohen në lëvizje nga fshatarët shitës të produkteve të tyre.
     Këta klyshër, shërbëtorë të shefave të inkriminuar, kanë gjetur strehë për të denigruar me gjuhë lehaqene, me porosi. Në të njëjtën kohë, në një televizion tjetër, villte vrerë Bernard Nikaj, një zvarranikë i shefit të dështuar, i cili lavdërohej për dialogun konspirativ me Serbinë, për ndarjen e Kosovës. Urrejtja e tij patologjike për pozitën aktuale, ishte patologjike, shfrenuese. Këta altoparlantë të opozitës PAN-iste, janë bërë palë me Serbinë, duke qenë të njëzëshëm me atë, në sulmet ndaj pozitës të Kosovës. “Çka na duhet Liqeni i Ujmanit, kur e kemi Liqenin e Kukësit”, – deklaron argati i Serbisë, Baton Haxhiu, nga ekrani i këtij televizioni! Ai, duke qenë në cilësinë e këshilltarit politik të presidentit Thaçi dhe kryeministrit shqiptar Rama – njëherësh, bënë thirrje publike për dhënie territor të Kosovës fqinjës Serbi! Dhe, megjithatë, nuk zinxhiroset për tradhti!?

ALEKSANDËR XHUVANI PËR AT GJERGJ FISHTËN Nga Frank Shkreli

Aleksandër Xhuvani është cilësuar në një shkrim të revistës Shejzat (IV-1960), me rastin e 80-vjetorit të kalimit të tij në amshim, si arsimtari më i vjetër i Shqipërisë, më i vjetri emër, përfaqësues i një brezi arsimtarësh të Kombit. Në atë shkrim kushtuar veteranit të arsimit shqip thuhet se emri i Xhuvanit është i lidhur ngusht me historinë e arsimimit shqip, që nga nëntori i vitit 1909, madje edhe para se të bëhej Shqipëria e pavarur — kur hapi dyertë për herë të parë Shkolla Normale e Elbasanit. Fillimisht, Xhuvani zhvilloi aty veprimtarinë e tij nën udhëheqjen e Luigj Gurakuqit dhe pastaj për 20-vjetë si drejtues dhe mësimdhënës i shqipes dhe pedagogjisë. Aleksandër Xhuvani ka dhënë gjithashtu një kontribut të vyer edhe në fushën e publicistikës së kohës me artikuj e subjekte të fushave të ndryshme, botuar, fillimisht, në revistën “Albania” të Konicës dhe në revista të tjera të kohës, brenda dhe jashtë Atdheut. Ka bashkpunuar edhe në inspektoriatin e lartë të arsimit gjatë viteve 1940-44, që do të thotë se edhe ai duhet të ketë influencuar përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare, në bashkpunim me Ministrin e atëhershëm të Arsimit të Shqupërisë, Ernest Koliqin me shokë.

Por, në përpjekjet e mia, tashti në pension, për të mësuar sa më shumë mbi personalitetet historike shqiptare që kanë lenë gjurmë në historinë kombëtare, isha duke lexuar për Aleksandër Xhuvanin — pë të cilin dija pak ose aspak, duke qenë jashtë atdheut për më shumë se një gjysëm shekulli. Kështu, hasa në një fjalim që Aleksandër Xhuvani kishte mbajtur me rastin e shkuarjes në amshim të At Gjergj Fishtë, mbajtur në ceremoninë e varrimit në Shkodër, një fjalim ndër më prekësit që kam lexuar dhe që tregon jo vetëm se ç’mendonte Aleksandër Xhuvani për veprën e At Gjergj Fishtës, por fjalët e tija pasqyrojnë edhe faktin se kush ishte vërtetë Xhuvani vet dhe cilat ishin mendimet e tija për të ardhmen e Kombit dhe për vlerat e kontributet e personaliteteve më të shquara të Kombit, siç është At Gjergj Fishta: të zhdukura, të përjashtuara dhe të distancuara e të anashkaluara. Veprat e tyre të shkelura e të harruara e të përbuzura plot urrejtje, zyrtarisht, nga regjimi komunist për pothuaj gjysëm shekulli, por edhe sot nga “Shqipëria demokratike”, gjoja “post-komuniste”!

Për fat të keq, ujku mund të ketë ndërruar qimen por jo veset…Profesor Arshi Pipa: “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”. Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “Karakteri militant, luftarak, i patriotizmit”, të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cënuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës. Ndoshta është naïve, e pamundur dhe e pa shpresë që të presim nga ata që ende sot mbrojnë trashëgiminë e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri — pikërisht, nga këta të cilët kanë cënuar tagrin e popullit shqiptar dhe fyejnë dinjitetin dhe krenarinë kombëtare që të nderojnë At Gjergj Fishtën Fishtës, megjithëse “nji far i math dritëdhanës që ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali, ka zbutë e ka edukue zemrën e saj”, siç është shprehur për Fishtën, Aleksandër Xhuvani, arsimtari më i vjetër i brezave, Aleksandër Xhuvani.

Ky fjalim i Aleksandër Xhuvanit, më duket mua, se hynë ndër fjalimet më klasike për nga rëndësia dhe për nga frymëzimi, ndoshta jo për këtë brezin e indoktrinuar me ideologjinë sllavo-komuniste. Por, sigurisht, për brezin aktual dhe për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve që do e dashurojnë Atdheun siç e dashuronte Fishta dhe të respektojnë atë siç e respektonte dhe e nderonte Aleksandër Xhuvani dhe shumë të tjerë, bashk-kohas të tij.

“Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.”
(Aleksandër Xhuvani në Varrimin e At Gjergj Fishtës – Elbasani) — Ja gjykoni vet fjalimin e plotë të Aleksandër Xhuvanit mbajtur në ceremoninë e varrimit të At Gjergj Fishtës në Shkodër, 31 Dhjtor, 1940:

“Zotnij të ndershëm:
Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë.

E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare.

Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj.

Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.

Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.

Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në këtë dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.”
(Shkodër, 31 dhjetor 1940, Aleksandër Xhuvani). Nga ceremonia e varrimit të françeskanit shqiptar dhe poetit të Kombit, At Gjergj Fishta, 31, Dhjetor, 1940 – Ditën kur ka mbajtur fjalimin e më sipërm, Aleksandër Xhuvani.

Ka kohë që e them, gjatë kësaj periudhe të stërgjatur të ashtuquajturit “tranzion” në vendnumro, prej më shumë se tre dekadash nga shembja e Murit të Berlinit, se kështjella e vlerave kombëtare të shqiptarëve është e tronditur në themel nga trashëgimia e diktaturës komuniste. Si rrjedhim i farës së atij regjimi në nivelet më të larta vendimarrse të shtetit e të kulturës shqiptare, çdo ditë jemi dëshmitarë disfatash kombëtare, sa që sot më shumë se kurrë, Kombi shqiptar ka nevojë për mësuesin e madh të dashurisë pë Zotin dhe për Kombin: At Gjergj Fishtën, që Aleksandër Xhuvani e kishte cilësuar, “nji far i math dritëdhanës që ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë”, sipas Xhuvanit.

Xhuvani kishte të drejtë në parashikimin e tij. Ja një pjesëtar i asaj “djelmënie” shqiptare të kësaj breznie të pas shembjes së komunizmit ndërkombëtar që na jep shpresë – shpresojmë të ndriçuar nga mendja dhe zemra prej veprave dhe kontributeve historike të At Gjergj Fishtës — Edison Selmani, student i talentuar i artit dhe skulpturës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai ka përzgjedhur të realizojë, pikërisht, shtatoren e Gjergj Fishtës, si temë diplome, që është në përfundim e sipër dhe që sipas portalit të skulptorit të ri shqiptar, pritet që shtatorja e At Gjergj Fishtës të inaugurohet së shpejti në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Frank Shkreli

Foto nga studio e punës e skulptorit Edison Selmani

At Gjergj Fishta – As varri nuk i dihet, as eshtrat nuk iu gjetën,
por Lahuta nuk heshti!

“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní!
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera.
E me dije e me Lirí
për jetë t’ jetës, të rrnoftë tý ndera.”
At Gjergj Fishta

“Edhè hâna do ta dijë,
edhè dielli do t’két pá,
se për qark ksaj rrokullije,
si Shqypnija ‘i vend nuk ká!”
At Gjergj Fishta

Nuk na e lanë ta jetojmë jetën, Lili! Nga Elida Buçpapaj

JU TREGOJ PËR TIM ATË, POETIN VEHBI SKËNDERI –

 

Ishte një mbrëmje e bukur qershori. 12 qershor 2011. Nga ato më të bukurat e vitit, kur stina e verës është në prag të shpërthimit me plotmadhështinë e vet prej shumëlaryshisë së ngjyrave, që ngjan si një fillm pa fund e të grish vetëm të jetosh pa sosje. Atëher’ kur çdo shpirt njerëzor mendon se jeta është e përherëshme, im atë Vehbi Skënderi po luftonte me vdekjen.

 

Në një mbrëmje të tillë qershori, ai do të ishte dehur nga abazhuri i hënës në qiell. Dhe ajri i ngrohtë i përzier me aromat e akacjeve e jargavanëve do ta ngazëllente për të krijuar pastaj në laboratorin e tij poetik përfytyrimet ekstravagante në skulptura poezish.

***

 

Në një natë qershori të tillë të vitit 2005, një dorë kriminale na kishte vrarë rrugës së kthimit nga Prishtina në Gjilan për në shtëpi ku e priste nëna kolegun tonë 28 vjeçar, Bardhyl Ajetin, duke krijuar tragjedinë dhe gërryerjen prej dhimbjes nga një absurd surreal në Kosovën e gjashtë viteve të pasluftës. Si është e mundur të vritet një gazetar për ato që shkruan. Të pritet një jetë në mes pa mbushur ende 28 vjeç. Pastaj vrasja të mbulohet nga malet e heshtjes apo nga ngritjet e supeve, që do të thonë “e ku e di unë, e ç’më duhet mua”. Vrasja e këtij djaloshi ka mbetur ende e pazbardhur. Si shumë vrasje të tjera gazetarësh e veprimtarësh politikë të krahut të Rugovës. Shoqëria e çorientuar nga politika tribale, që e ka kthyer në tabu nocionin e drejtësisë, e ka humbur sensin për të kërkuar e gjetur të drejtën.

Krejt ndryshe nga im atë që gjithmonë iu fal së drejtës, si një konstitucioni universal hyjnor, që nuk varet nga konjunkturat por nga ndërgjegja njerëzore e gjithsecilit prej nesh e të lejon të gërmosh për ta zbuluar me shpresë. Edhe kur të gjithë thonë se drejtësia ka vdekur, drejtësia nuk vdes kurrë, veç nëse njerëzimit i vjen fundi. Në gjurmët e tim eti rropatem të kërkoj të drejtën edhe unë. Edhe kur vështrimet cinike të superstrukturës komuniste që edhe gjatë tranzicionit kanë trashëguar e forcuar pozitat e tyre duke e degraduar plotësisht sistemin më thonë “e nuk nxore mësime nga vuajtjet e tyt eti”, ua kthej se deri sa të kem frymë, nuk do të heq dorë nga kredot e tim eti, sepse vetëm kështu do të mund ta vijoj denjësisht jetën si bija e poetit.

 

***

 

Nata e 12 qershorit 2011 na përhumbi e na e mbushi mendjen se jeta gjithmonë ia del e triumfon mbi vdekjen, se jeta triumfon edhe ndaj prognozave të mjekëve. U bëmë naivë. Me vullnetin tonë. Aq më tepër duke e njohur dëshirën e paepur të tim eti për të jetuar, për t’u ndjerë i lumtur pranë botës së krijuar prej tij.

Sot familja shqiptare i ngjan një kështjelle prej rëre e lumturia një misioni të pamundur, sepse njerëzit me një makutëri të egër e kërkojnë tek paratë, pasuria, makinat, vilat, ndërsa ne e kemi përpara syve, lumturia është gjithmonë me ne, ne jemi lumturia e njëri-tjetrit. Im atë e kishte zbuluar Amerikën tek familja e tij. S’kishte qenë asnjëherë një rebus as dilemë, por dashuria e jetës.

Të gjitha dramave të jetës së tij, për fajin e një regjimi monstër, ai iu kishte mbijetuar për arsye, për shkak, për hir të familjes që, me të njëjtën monedhë, ia kthente dashurinë me dashuri e nuk e tradhtoi kurrë.

Të dy prindërit e mi regjimi i vuri në provë, i thirrën veçmas dhe i thanë seicilit “prishe familjen e pastaj do t’i kesh të gjitha”! Por e gjitha dhe gjithçkaja për të dy ishte familja. Për t’i mbijetuar atij ferri ishim ne të tre të pandarë.

Të dy prindërit e mi kishin gjithçka. Poezinë, dashurinë dhe mua. Më 1964, tridhjetë e sa vjeçar im atë ishte vlerësuar me çmimin e Republikës për vëllimin poetik “Fletë nga Ditari im”, ku përfshihej edhe poema e Ofelisë, libër që do të botohej në Prishtinë me titullin “Vdekja e Ofelisë”. Kur nuk kishte nisur ende gjuetia e shtrigave, isha mësuar ta shihja time më me buzë të kuqe të thellë, me thonj me manikyr të kuq të ndezur, mahnitesha prej bukurisë së saj, e qeshja edhe unë pa e kuptuar se përse prej të qeshurave të saj. I vetmi shqetësim i sime mëje ishte kur unë nuk e pija gotën e qumështit apo nuk e mbaroja pjatën e supës me lëng mishi e zarzavatesh. Ajo m’i krihte flokët, më mësonte të laja dhëmbët. Unë nga ana ime përpiqesha të plotësoja gjithçka që më lutej, si të ulesha në tryezë, si ta mbaja trupin, shpinën duhej ta mbaja drejt, bërrylat nuk duhej t’i vendosja mbi tryezë. Edhe ushqimin e mbaroja me zor që ta kënaqja atë.

 

Pastaj erdhën ditë të mbyllura si në një kuti të madhe kartoni, ime më nuk i lyente më buzët, as thonjtë, qante fshehur për të mos e parë unë. Tek kopshti për të më marrë vinte gjyshja nga im atë.

 

Gjithë dielli që kishte pasur apartamenti ynë i vogël u fundos. Jeta jonë dukej si e një akrobati që ec mbi një fill të tendosur në dhjetra metra lartësi dhe, nga çasti në çast, do ta humbë ekulibrin e do të bjerë, sepse e di se do t’ia këpusin fillin e fatit. Ishte 1966-67, kur im atë u akuzua si pjesë e një “grupi armiqësor”, si autori i një fejtoni kritik për Institutin e Gjuhësisë dhe Historisë që nuk u botua kurrë. Si gazetar i revistës Ylli e kishte përgatitur këtë fejton mbështetur tek të dhënat e një grupi pune me Profesor Selman Rizën, Profesor Ligor Milen, Profesor Dhimitër Pilikën, Profesor Zija Shkodrën, ku bënin pjesë edhe kolonel Dilaver Radeshi e majori Bektash Bedo.

 

Një ditë, kur u ktheva nga kopshti, e pashë tim at që qante. Nuk do të qante kurrë më në jetën e tij veç asaj here, megjithë ferrin e vuajtjeve. Ime më i përgjërohej që të qetësohej. U frikësova shumë. Më vonë do të më tregonin se njëri nga pjestarët e grupit, Bektash Bedo kishte vrarë veten, ngaqë nuk e kishte përballuar dot torturat e presionit psikologjik, pasi “grupi armiqësor” krahasohej me grupin e “Konferencës së Tiranës”. “Vehbi Skënderi është i lidhur me armiqtë e partisë.” “Damka” e diktatorit për tim atë. Im atë kishte miq mendje të ndritura. Më kujtohet se nganjëherë më merrte edhe mua tek apartamenti i Profesor Dhimitër Pilikës, i cili i kishte mësuar tim eti një soj fërgese me domate, vezë e djathë që unë nazelia e pëlqeja shumë.

 

Asgjë nuk kuptoja se çfarë po ndodhte tek ne. Gjithçka e mësova kur u rrita. Nuk kuptoja gjë, por përjetoja si fëmijë mungesën e tim eti mbrëmjeve. Se seancat e pyetjeve në Komitetin Qendror të Partisë zgjasnin deri vonë. Zakonisht përpara se të shkoja për të fjetur në orën 20:00, im atë më recitonte poezi, më lexonte libra ose më tregonte përralla.

 

Kisha qenë deri atëherë një fëmijë shumë e lumtur. Kisha gjithçka, dy prindër që më deshnin aq fort, shkoja në kopsht me gëzim, ku zysh Nazmia na mësonte të performonim me recitime dhe kërcime, ndërsa zysh Lirika na lexonte një libër që nuk i shterrnin kurrë përrallat, prindërit më çonin rregullisht në Teatrin e Kukullave, në cirk, bënim vizita rregullisht tek dy gjyshet, ku kënaqesha pa masë, kisha shoqet e shokët e pallatit me të cilët luaja me orar. Në verë shkonim edhe në plazh, edhe në Pogradec tek daja, ku takohesha me dy kushërinjtë e mi që i doja shumë, Mozën dhe Maksin.

 

Por një natë, në shtëpinë tonë u duk se u kthye gëzimi. Nuk e kisha nocionin e kohës dhe, kur errësohej, për mua ishte vetëm natë. E asaj nate im atë, që u kthye më shpejt se zakonisht, iu tha të mëdhenjve se do të shkonte në Vaun e Dejës. Unë nisa të qaja me të madhe. Kush do të më recitonte poezi, kush do të më mbante në prehër e tregonte përralla aq të bukura! Ndërsa prindërit dhe të afërmit tanë, që na kishin mbushur shtëpinë, ndiheshin të gjithë të çliruar. Sepse mendohej se im atë i kishte shpëtuar burgut. Për ta festuar i thanë gruas së xhaxhait të vogël, Myneverit, të më merrte mua e të shkonim të blinim tullumba tek pastiçeri Agimi. Disa ditë më vonë im atë ai do të nisej në Vaun e Dejës si punëtor në Hidrocentralin që po ndërtohej. Do të ishte ndarja e parë me tim atë. Aty kishte marrë fund fëmijëria ime ende pa nisur mirë,

Pas mbi pesë vjet riedukim pranë gjirit të klasës punëtore, im atë në fillim si korrektor e më 1973 si redaktor, filloi punë në redaksinë e poezisë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ishte rikthyer dielli në shtëpinë tonë. Tani unë vazhdoja 8 vjeçaren tek Emin Duraku. Shkëlqeja në të gjitha lëndët dhe dallohesha në letërsi. Krenohesha gjithmonë me prindërit e mi. Dhe, kur më pyesnin se e kujt isha, iu përgjigjesha shkurt: Jam vajza e poetit Vehbi Skënderi.

 

Por do të vinte shpejt marsi i 1974. Ime më me shoqet kishte shkuar në Durrës për të festuar 8 marsin e do të kthehej në mbrëmje. Unë e shihja tim atë shumë të shqetësuar. Shkruante diçka në makinën e shkrimit. Kur mbaroi, faqet e shtypura i mbajti vetë. Si një fëmijë kurioze, por edhe për të kuptuar se çfarë halli mund të kishte im atë, mora fletën e kopjativit dhe nisa të lexoj. Aty lexova për herë të parë fjalën “korrupsion” dhe “qendër korrupsioni”. Për familjen tonë do të niste një kalvar i gjatë, i frikshëm, që ne të tre do të përpiqeshim ta përballonim duke dashur njëri-tjetrin sa më fort. Vetëm një herë, ishte qershor dhe unë posa e kisha mbaruar vitin shkollor, kur tim eti iu shemb toka dhe u nis i sigurt drejt vetvrasjes, me emrin tim në gojë dhe me brengën se nuk mundi ta mbronte dot familjen dhe sidomos të bijën e vetme nga ndëshkimi i të qënit bija e tij, bija e poetit. Kjo ndodhi kur e thirrën në lagje dhe pasi nuk i jepnin asnjë lloj pune, i dhanë urdhër që, brenda javës, duhet ta nisej me familjen në internim në një fshat të humbur pas Dajtit.

 

Atë moment e humbi busullën im atë, në një ditë të bukur qershori tiranas nën prangat e burgut të braktisjes nga pjesa më e madhe e miqve dhe kolegëve, të cilët iu larguan e nuk kishte një derë ku të trokiste për ndihmë. E shihnin në rrugë drejt e në sy dhe bënin sikur nuk e njihnin, kishte nga ata që ndryshonin rrugën se ndofta iu vinte keq ose viheshin në pozitë të vështirë, kishte edhe nga të tjerë që e fyenin apo e kërcënonin me emrin e partisë në gojë. Im atë vritej pak e nga pak. Jo për vete. Vuajtja më e madhe e tim eti vinte nga pafuqia për të mos mundur t’i ndalte që pasojat e dënimeve të tij t’i vuante ime më dhe unë, vajza e tyre e vetme, me flokët e verdha si Ofelia e tij, por që im atë i thosh sime mëje të m’i krihte me kordele alla Jacky Kennedy. Nuk e përballoi im atë kur i thanë se brenda javës do të vinte makina të na internonte dhe unë do ta kisha të pamundur vijimin e shkollës. Sa ëndrra kishin thurur bashkë me time më për Lidkën, domethënë për mua. Dhe e gjitha ishte përmbysur bashkë me jetën e tonë në apartamentin tek Pallatet e Aviacionit, shkalla 12, apartamenti 84.

***

Përpara se të merrnin banesën tek Pallatet e Aviacionit, prindërit e mi të posa martuar, jetonin në dy dhoma të një vile në rrugën Kajo Karafili afër ish Kursalit, që im atë e kishte marrë me qira kur ishte beqar e punonte si gazetar dhe vazhdonte studimet. Ato dy dhoma, kur erdha në jetë, u bënë edhe shtëpia ime. Përpara se të martohej, im atë kishte tërhequr në Tiranë gjyshe Selimen, nënën e tij dhe vëllain e motrën e vogël, xhaxhi Habipin e halla Bukurijen, që unë e thërrisja Tatale. E kam para sysh atë vilë, se aty jetoi gjyshja me familjen e xhaxhi Habipit, nusen e tij e dy vajzat e tyre, Enkeledën e Irmën deri sa morën një apartament me punë vullnetare, të ndërtuar në lagjen e Kombinatit të Tekstileve nga punëtorët e Fabrikës së qelqit ku punonte xhaxhai. Dy dhomat me qira ishin në katin e parë të vilës me një oborr të brendshëm ku ngrihej edhe një vilë tjetër tipike tiranase me verandë, ku varej hardhia e rrushit. Të dy ndërtesat ishin ngjitur me Hotel Internacional përballë Shtëpisë së Oficerëve, që më vonë do të bëhej Lidhja e Shkrimtarëve. Korridori i madh i katit të parë ku ndodheshin dyert e dy dhomave gjithmonë në gjysmë errësirë ishte me dysheme prej dërrasash që, prej vjetërsisë, kërciste. Në njërën nga dy dhomat që përdorej edhe si guzhinë e dhomë ndejtje e gjumi me dritaren nga Hotel Internacional, flinte gjyshja me xhaxhain dhe hallë Tatalen, ndërsa në dhoma tjetër me dritaren nga Shtëpia Qendrore ishte jona. Në atë dhomë me tavane të lartë ndodhej një shtrat i madh i mbuluar me një mbulesë të bukur, që ime më e kishte sjellë në pajë, ngjitur të cilit kishin vendosur krevatin im të vogël, që, pa mbushur vitin, fillova ta kapërcej për t’u hedhur në krevatin e madh. Në atë dhomë të mbushur me flutura ëndrrash dhe dashuri im atë shkruante poezi me makinën e tij të shkrimit që e solli edhe këtu në Zvicër. Në atë dhomë im atë më kishte bërë plot foto që kur isha bebe deri sa mbusha dy vjeç, në disa foto më ka fiksuar me time më në oborrin e vilës ku unë luaja. Më ka fiksuar edhe në trotuarin buzë rrugës pranë portës kryesore nga hyhej në oborrin e bukur të ndërtesës.

Edhe kur ndërruam shtëpinë, aty vinim çdo ditë, deri kur im atë mori dënimin e parë me riedukim pranë klasës punëtore në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Unë e desha shumë atë shtëpi me atë oborr, ku im atë më ka fiksuar me aparatin e tij Laika që e kishte blerë gjatë një udhëtimi në Riga, kryeqytetin e Republikës baltike të Letonisë. Që kur isha e vogël më fliste për poetin Rainis, se si adhurohej në vendin e tij. Kishte sjellë edhe albume fotografike ku e shihja Rainis në foto dhe monumente. Ai është poeti kombëtar i Letonisë që kishte vdekur më 1929, vitin kur im atë kishte lindur. Atëherë isha e vogël dhe nuk e kuptoja se përse im atë më fliste aq dendur për Rainis, se si letonezët e adhuronin. Më vonë, kur u hap Shqipëria, mësova se Rainis me veprën e tij si poet kombëtar kishte qenë udhëheqësi shpirtëror për një Letoni indipendente.

***

 

Ne i qendruam tim eti rreth shtratit natën e 12 qershorit, duke e kundruar e kundruar. Fytyra e tij ishte e bukur. Ngjyra e lëkurës ishte rozë. Im atë nuk e tregonte moshën, ai është dukur gjithmonë i ri, i mbushur me energji të pashterëshme. Kjo bënte që unë të ndihesha gjithmonë fëmijë. Edhe natën e 12 qershorit. Unë i vërtitesha rreth dhe ia puthja duart e faqet, ia prekja këmbët e bardha. Kisha një kaskatë lotësh që e mbaja me zor, duke iu lutur Zotit siç më kishte mësuar nënka, mamaja e sime mëje. Im atë ishte i pastër si drita. Unë e përkëdhelja, Babush, Babush i flisja, po të presim në shtëpinë tonë të kthehesh. Të lutem Babush. Ai nuk reagonte. Flinte. Nën efektin e qetësuesve. Që kur u shtrua në spital ai kishte qenë nën efektin e qetësuesve dhe vetëm një herë ishte zgjuar sa për të thirrur vetëm një emër: „Lili“. Emrin e gruas së tij e nënës time. Librin e tij të parë me poezi titulluar “Këngët e para” im atë ia kishte dhuruar sime mëje, posa kishte nisur lidhja e tyre me një dedikim fatalist të shkruar me një kaligrafi të bukur të një 28 vjeçari “Me ty do të shkruaj edhe këngët e fundit Lili”. Dhe ashtu kishte ndodhur.

 

Duke e parë të flinte i qetë, dikur vonë, ne vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Të bindur se të nesërmen do ta gjenim më mirë. Ishte mbrëmja e vonët e së dielës. Jeta gumëzhinte. Në tram u takuam me Endritin që kthehej nga kinemaja, e kishin marrë me zor shokët, sepse e dinin lidhjen e tij me gjyshin. Përpara filmit Endriti kishte qenë në spital. Zbritëm të tre nga trami në stacionin tonë dhe kur iu afruam shtëpisë, dritat e apartamentit tonë nuk ishin të ndezuara si zakonisht. Shtëpia jonë gjithmonë ishte e hapur, gjithmonë kishte njerëz e drita. I ramë ziles dhe derën na e hapi Prizreni. Ai po vuante. Im atë i kishte rritur djemtë. I kishte marrë sa kishin ardhur në shtëpi nga materniteti, bebka dhe iu kishte përkushtuar kohën dhe jetën. Me një dashuri pa kufi e cak. U ka treguar me mijëra përralla, edhe ato që nuk m’i kishte treguar dot mua, i krijonte enkas për ta, u ka mësuar alfabetin e shqipes, gjuhën, u ka lexuar libra, u ka recituar poezitë e tij, poezitë e tij për ta. Midis tyre mbretëronte një aleancë sublime. Të dy djemtë tanë kanë qenë me fat që i ka rritur një gjysh si ai. Megjithëse të gjithë gjyshat e gjyshet e botës janë të mrekullueshëm.

 

Tani në shtëpi ishim të katërt. Familja Buçpapaj. Familja Skënderi ishte në spital. Folëm fare pak midis nesh. Djemtë ishin bërë burra papritmas. Pastaj mora në telefon time më që nuk i ishte ndarë kurrë tim eti. Edhe ajo më qetësoi. Po fle i qetë, më tha. Unë i qetësova të tjerët. Dhe u shtrimë të flemë si robotë.

 

Kishim fjetur pa ëndrra, shpejt, përhumbshëm, për t’iu larguar një frike. Deri kur ra zilja e telefonit, në mesin e natës që na ngriti menjëherë të katërve, gatitu. Dhe matanë telefonit zëri jepte lajmin që ne nuk do të donim ta dëgjonim kurrë.

 

Kur po gëdhihej 13 qershori dhe kalendari shënonte ditën e Shëna Ndout, shpirti i tim eti u largua prej trupit të tij. Në agun që ai e ka përmendur shpesh në poezitë e tij, ku ai e ka përshkruar me laryshi nuancash e ngjyrash të pafundme. Por agu i ikjes së tim eti ishte i vërejtur, i humbur prej tymnajave të mjergullës dhe ngjante e pamundur që kjo ditë të kish lindur prej barkut të një nate magjike qershori, kur ne u larguam nga spitali dhe e lamë tim atë në një gjumë të thellë e shpresëdhënës.

 

Gjithçka ishte përmbysur brenda dy-tri orësh, ashtu si jeta që ishte shndërruar në ikje, largim e vdekje. Për dy-tre orë qielli kishte ndryshuar uniformë në një antitezë të plotë. Ishte zhdukur hëna, yjet, magjia e natës kur ne i dhamë përshëndetjen, pa e ditur se do të qe përshëndetja jonë e fundit në këtë tokë, pak përpara kur fryma e tij do të fluturonte si zog i çliruar nga prangat e një kohe mistrece, që tim atë e zhgënjeu fund e krye.

 

Kur ne vendosëm të largoheshim nga spitali, në prag të shkëmbimit të 12 me 13 qershorin, ai ngjante sikur flinte si normalisht. Nuk e kishte më frymëmarrjen e dendur, të vështirë, të mundimshme që e kishte pasur prej ditës së mërkurë. Kur u përkeqësua papritmas. Një ditë më parë, dmth të martën, ai kishte bërë një shaka me ne. Ime më ashtu si e kanë zakon gratë përdori klishenë e njohur se po vdiste prej lodhjes, dhe im atë, që rrinte me orë e ditë të tëra pa folur, ia ktheu me buzën në gaz, « po për mua kush do të kujdeset atëherë?!» Reagimi i tij ne na hodhi të gjithëve përpjetë. Na zgjoi. Sepse sëmundja e kishte transformuar. Ngjante si Mbreti Lir. Tragjik, i madhërishëm, i vuajtur, i heshtur e solitar në botën e tij të mbyllur. Kështu e përjetonte largimin apo distancën nga mungesa e tij fizike me botën rreth tij, nga mosprania në rrjedhat e ditës, në rrugët që ai i kishte kaluar çdo ditë, që edhe sot i mbajnë gjurmët e tij, siluetat e tij me republikë dhe një xhaketë Hugo Boss të blerë në një dyqan me second hand.

 

Reagimi i tij na e ktheu humorin. Kujtuam se ishte shenja e rikthimit në jetë, për të shpëtuar nga sëmundja e zezë, që është depresioni, ashtu si kishte shpëtuar edhe në vitet ’70. Unë e mbaj mend atë kohë, se si vuante im atë, si lëngonte. Pranë tij ishte im më dhe unë, fëmijë. E vizitonte rregullisht, për çdo ditë njëra prej hallave të mia, Lumja dhe fëmijët e saj dhe vëllai i tij i vogël, sepse të tjerët nuk vinin dot pasi kishin frikë nga partia kuçedër. Atëherë im atë sapo i kishte mbushur 40 vjeç dhe ngjante i moshuar si një plak. Por një mëngjes papritmas u ngrit nga shtrati e ul në makinën e shkrimit dhe rinisi të shkruante poezi. Prej asaj dite nisi të dilte nga shtëpia e të shëtiste nga Kodrat e Liqenit. I vetmuar. Kolegët i largoheshin, shokët i fshiheshin, të afërmit kujdeseshin për biografitë.

 

Por atë të martë reagimin e tij e morëm si shenjë fatmirë, të daljes nga kështjella që ai kishte ndërtuar me mure qiklopikë prej heshtjes së vet. U lumturuam pasi e dinim se im atë dinte të ngrihej gjithmonë më këmbë, se im atë do ta kalonte edhe këtë provë, pas aq provash e vuajtjesh, që i kishte e kishim kaluar së bashku.

 

Por ndodhi e papritura dhe ai u përkeqësua papritmas të mërkurën. Iu vështirësua frymëmarrja. Ne u trembëm. Filluam t’i luteshim të hante. Sepse kishte dy vjet që kishte hequr dorë nga e ngrëna. E ushqente me shumë mundime ime më. Im atë refuzonte ushqimin, refuzonte ujin, po ime më nuk dorëzohej deri sa e ushqente çdo ditë, çdo vakt, dalë e nga dalë, një kafshore, një lugë, ishte një fitore, një gllëngjkë ujë, një gotëz me lëng frutash, ishte jetë për tim atë.

 

Unë po punoja në kompjuter atë të mërkurë, kur ime më më erdhi pranë e më tha se ai nuk po hante dot më. U ngrita menjëherë. I shkova pranë dhe i vura buzët në ballë. Si veproja me djemtë. Kishte temperaturë. I dhamë menjëherë një dafalgan dhe e shtrimë në shtrat. U qetësua pak. E zuri gjumi dhe frymëmarrja ju bë normale. Pasdite bashkë me Skënderin blemë biskota fëmijësh që ime më t’i shtypte e ta ushqente më lehtë.

 

Hëngri nga mbrëmja pa e refuzuar ushqimin si bënte zakonisht. Dukej se e mendonte dhe donte ta shmangte vdekjen. Por ne nuk na shkonte mendja fare tek vdekja.Kur ra nata i shkova në dhomën e tij ku flinte. Dhe qava e qava me lot e pa zë. Për të gjitha vuajtjet që kishte hequr, pa i bërë kujt keq në jetën e tij. E pastaj iu luta Zotit që vetëm ta linte të jetonte. Edhe me depresion. Veç të jetonte. Ishim mësuar tashmë edhe me këtë gjendjen e tij. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij në një cep të dhomës. Hijerëndë, pa folur, duke na parë herë herë ne. Herë i përhumbur në mendimet e tij, herë me sy të trishta e herë me sy të trembura, sepse e shkuara i kthehej si fantazmë, si makth e ankth. Mallkuar qofshin ata që e kanë bërë tim atë të vuante. E bashkë me të edhe ne. Që nuk kanë marrë mundimin kurrë të kërkojnë ndjesë. Një pjesë e tyre kanë shkuar në ferr. Në ferr shkofshin të gjithë që e kanë merituar. Sepse nuk e njohin ende pendesën. Në marsin e 2011, kur e kishim shtruar në spital për rehabilitim, në një moment të kthjellët i kishte thënë sime mëje se « Ata nuk na lanë që ta jetonim jetën tonë, Lili». « Ata » nuk ishte thjeshtë një përemër vetor në numrin shumës. “Ata” identifikohen me emra mbiemra.Shkofshin në djall, në ferr. Sepse na e kishin ndryshuar tërësisht rrjedhën e jetës, brutalisht, na kishin detyruar të jetonim kalvarin dhe kanë mbetur deri në fund përbindsha.

 

Sot është e trishtë kur lexojmë se disa shkrimtarë qahen nga vuajtjet që paskan përjetuar në diktaturë. Një farsë e vërtetë cinike ndaj vuajtjeve të vërteta, si ato që ka përjetuar im atë, që u largua nga kjo botë i mbytur nga pikëllimi, kur e humbi betejën e fundit.

 

Ne e shtruam në spital të premten, kur frymëmarrja iu rëndua rishtas. Ishte më 10 qershor, paradite. Sa herë i shoh sot makinat e urgjencës më kaplon trishtimi. Kur erdhi urgjenca, im atë nuk ishte më im atë. Erdhën e morën lart me barelë sepse ishte krejt i pafuqishëm. Mezi merrte frymë. Nuk më kërkonte mua me sy, por time më e cila hypi me të në makinë. Ne i shkuam pas. Pas kësaj ai nuk u kthye më në shtëpinë tonë. Ishte ikja e tij e fundme.

 

Frymëmarrjen e tij të rënduar e kam edhe sot në vesh, si asaj të premte. Dukej sikur prapë po luftonte, deri në frymën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut.

 

Pasi e shtruam në spital të premten, e pasi biseduam me mjekët u kthyem për t’u kujdesur për fëmijët. Sa hymë në shtëpi, na ra në sy kolltuku i tij që ishte bosh, që priste më kot. Në dhomën e tij makina e shkrimit rrinte e heshtur, me tastet e ngurta si copa kalldrëmash, të palëvizur nga gishtat e bukur të tim eti. Gjithmonë im atë na e kujtonte se si një pianiste e njohur shqiptare mahnitej nga gishtat e bukur të tim eti, që tani rrinin të palëvizur dhe nuk krijonin vargje e rima me makinën e tij të shkrimit. Makina e shkrimit ishte si faltore për tim atë. Atje ai falej duke zbrazur shpirtin e tij të kthjellët si kristali. Kanë qenë shumë të rrallë shkrimtarët bashkëkohës me tim atë që e kanë patur shpirtin e pastër si të tijin. Pa asnjë njollë. Shpirt njeriu. Ecce Homo ishte im atë.

 

Por ne vazhduam që t‘i luteshim Zotit që im atë ta kalonte edhe këtë furtunë. Ne ishim mësuar tashmë edhe me këtë situatë. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij dhe na ndiqte me sy. Nganjëherë i shpinte sytë diku larg, nganjëherë i mbyllte si për të mos lejuar që tmerret e së shkuarës t’i ktheheshin si fantazma për ta marrë e larguar nga familja, për t’ia marrë e djegur librat, për ta dërguar në riedukim apo internim, duke i lënë në mes poezitë apo treguar përgjysëm përrallat që ia tregonte së bijës, dmth mua. Aty i ulur në kolltukun e tij, ai me pamje epike, ngjante si një personazh i dalë nga cikli i kreshnikëve. Nganjëherë, dikur, rrallë e përherë rrallë e më rrallë, kur na hidhte ndonjë fjalë, si meteor, na bënte të hidheshim përpjetë dhe kaq pak na dukej aq shumë, sepse mendonim se po i mblidhte forcat për të dalë nga ky tunel i errët. Por fjalët që i tha sime mëje se “ata nuk na lejuan ta jetonim jetën, Lili” përmblodhën gjithë jetën e tij përfshi edhe frymën e fundit.

 

2014-2023

(vijon)

“SHTËPIA NUK MBAHET PA MIQ” – IBRAHIM RUGOVA NË 25-VJETORIN E NDËRHYRJES SË NATO-S NË KOSOVË- Nga Frank Shkreli

Me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat terroriste ushtrake dhe policore serbe, ndër celebrime të tjera, u organizua edhe një konferencë nga Fondacioni Ibrahim Rugova për të pasqyruar dhe celebruar trashëgiminë dhe vizionin e Presidentit Rugova si një aleat i fortë i Shteteve të Bashkuara por edhe si patriot dhe udhëheqës i madh i Kombit shqiptar. Me kënaqësi vura re se disa kritikë të hershëm dhe të ashpër të Ibrahim Rugovës, sa ishte gjallë, tani i shohin dhe i vlerësojnë më në fund vlerat dhe kontributet e tija, sidomos në arenën ndërkombëtare, por jo vetëm. Ibrahim Rugova përfaqësonte vlera dhe vizione që për ata që e njihnin prej ditëve të para, Dr. Ibrahim Rugovën — ato ishin të qarta për të gjithë, sidomos për shqiptarët e Kosovës që e kishin votuar disa herë me shumicë dërmuese votash.

“Nga këndvështrimi i sotëm, mund të gjykohet se kur dr. Ibrahim Rugova u kthye në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1989, (lexoni shkrimin e plotë në linkun më sipës) me një frymëzim dhe me një ndjenjë dhe pse jo me një angazhim personal për të kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në cilindo nivel që ta hidhte fati. Fati ishte se pak kohë pas kthimit të Ibrahim Rugovës në Kosovë, ai zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë detyrë ai tani siguroi një platformë legjitime nga e cila do të shpjegonte situatën ashtu siç ishte në Kosovë, do të fliste dhe do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në mënyrën e tij të qetë, por bindëse me bashkëbiseduesit e tij në nivelet më të larta politike dhe diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare. U bë që, sidomos nga miqtë e kombit shqiptar, dr. Rugova të shikohej si një zëdhënës i denjë i interesave të shqiptarëve. Zëri i tij dëgjohej dhe respektohej dhe me këdo takohej bënte miq për veten dhe për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Ai nuk kishte një personalitet kërcënues dhe i shpjegonte gjërat me fakte.

Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, protagonisti kryesor i fushatës për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga terrori i Serbisë, ka pohuar se, “Si askush tjetër, dr. Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore”. “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, ka thënë Presidenti Klinton.

Si askush tjetër deri atëherë, Presidenti Rugova, jo vetëm i shpjegoi botës me urtësi e durim përdhunimin historik të kombit shqiptar nga Serbia, por ai gjatë këtij procesi bëri miq për veten dhe shumë mbështetës ndërkombëtarë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve kudo në trojet e veta autoktone. Për më tepër, dr. Ibrahim Rugova si askush më parë ose më vonë, fitoi besimin dhe mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim dhe si rrjedhim mobilizoi shqiptaro-amerikanët që të shndërroheshin në një lëvizje lobuese të fortë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Edhe kjo është pjesë e trashëgimisë së Presidentit Rugova që e ka zanafillën në atë vizitë të vitit 1989, i ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, së bashku me akademikë të shquar shqiptarë, për të marrë pjesë në seminarin për Imzot Pjetër Bogdanin.

Nuk ka asnjë njeri ose udhëheqës pa të meta, por Presidenti Ibrahim Rugova, bazuar në aq sa e njihja gjatë pothuaj dy dekadash, posedonte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të kombit shqiptar. Ai ishte i bindur se për kombin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër, përveç radhitjes së tij, ndershmërisht, përkrah kombeve të përparuara të Perëndimit dhe si pjesë e pandashme e organizmave
Euro-Atlantike. Për të arritur këtë objektiv, ai ishte i bindur se shqiptarët kishin nevojë për të bërë miq dhe mbështetës të tyre në nivel ndërkombëtar. Ai siguroi përkrahjen e Perëndimit, e sidomos të Shteteve te Bashkuara të Amerikës për në rrugën e bashkimit dhe të integrimit të kombit shqiptar në organizmat euroatlantike me vendet perëndimore. Ai e kishte bërë të qartë prej fillimit se ku do të mbështetej më shumë, duke deklaruar “miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan”.

Me përpjekjet e tij ndërkombëtare, dr. Ibrahim Rugova u bë simboli i pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër figurat më të shquara dhe më të njohura botërisht të kombit shqiptar. Si i tillë, ai kishte fituar besimin dhe admirimin e botës, përfshirë edhe figurat më të dalluara të politikës amerikane. Një ndër këta udhëheqës amerikanë, Presidenti George W. Bush e pat kujtuar Presidentin Rugova me rastin e vdekjes, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij kundër dhunës”.

Ndërsa ish-kryeministri britanik Tony Blair ka thënë për dr. Rugovën se “ishte i qetë, një njeri shumë modest, i cili më tha të vërtetën për Kosovën, për vuajtjet e popullit të vet, për nevojën që bota të dëgjonte për fatin e shqiptarëve dhe për obligimin e botës për të ndërhyrë… Ai foli me një zë të ulët, por me sinqeritetin më të madh duke më kërkuar ndihmë për popullin e vet. Unë ia dhashë besën se Britania e Madhe do ta ndihmojë dhe besën e mbajta”, ka thënë ish-udhëheqësi britanik Tony Blair.

Rugova ishte i vetëdijshëm për dëmet që komunizmi i kishte sjellë gjatë dekadave imazhit të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhët e miqve të vjetër të kombit shqiptar. Dhe për të siguruar mbështetjen e miqve të kombit shqiptar siç janë Shtetet e Bashkuara, ai besonte se me shembjen e komunizmit, kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e forta të ekzistencës së tij në shekullin XXI, mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindësve të vërtetë. Ishin këto parime dhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara nga vlerat më të mira të kombit shqiptar, ato që e ndihmuan atë që të bënte miq për kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në trojet autoktone, ku kanë jetuar me shekuj. Në 70-vjetorin e lindjes dhe në 25-vjetorin e vizitës së tij të parë në Shtetet e Bahkuara të Amerikës,

Presidenti i parë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova duhet të kujtohet për rolin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kontributin e tij për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, por edhe për rolin e tij në përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar. Ai duhet të kujtohet gjithashtu, jo vetëm për miqtë e shumtë që i bëri Kosovës dhe shqiptarëve anë e mbanë botës, por edhe për shembullin e tij si njeri dhe si udhëheqës që besonte, se, mbi të gjitha, dashuria për kombin dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet para botës, edhe duke ruajtur nderin e emrit shqiptar dhe nderin personal…”

Frank Shkreli dhe VOA, 2 gëzime në 1 ditë

Edhe VOAL ia uron gëzuar ditëlindjen mikut dhe kolegut tonë të nderuar Frank Shkreli! E falënderojmë nga zemra për bashkëpunimin e frytshëm prej shumë vitesh me opinionet e tij dhe urojmë ta vazhdojmë edhe për shumë vite të tjera këtë bashkëpunim!

Botuesit: Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

 

9 Qershori ngjarje e veçantë që shënon 74-vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e fillimit të misionit në Zërin e Amerikës. Ja intervista e ish-shefit të “Zërit të Amerikës” për “Telegraf” : Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e kanë zanafillën në shekullin e 20-të, kur Presidenti i SHBA-ve Wilson përkrahu pavarësinë e shtetit të ri shqiptar. Mbrritja në Shqipëri si anëtari i delegacionit të parë të DASH dhe si e hapëm ambasadën e SHBA-së në Tiranë pas 45 vitesh

Gëzuar 9 qershorin e ditëlindjes miku ynë Frank Shkreli. Në emër të Gazetës “Telegraf”, shtafit të saj dhe personalisht të Botuesit Agim Çiraku, Ju urojmë shëndet, lumturi dhe gëzime në këtë ditë të veçantë të 74-vjetorit të lindjes.

I dashur Frank!

9 Qershori shënon edhe një tjetër ngjarje të veçantë për Ju dhe që rrallë ndodh në jetën e njerëzve, por që të gjithë do ta dëshironin. 9 Qershori i vitit 1974, përveç 74-vjetorit të lindjes, shënon edhe 50 vjetorin e fillimit të punës suaj të gjatë në Zërin e Amerikës. Ishte pikërisht 9 qershori 1974 , data e cila bëri të mundur që një personalitet me gjak dhe zemër shqiptare, të regjistronte emrin në librin e artë të kreut të Zërit të Amerikës për Europën dhe Azinë, si dhe Drejtues Politik i saj. Shkrimet dhe këshillat tuaja janë një shkollë e vëtetë për gazetarët e “Telegraf” në këto 14 vite njohje dhe bashkëpunimi me Ju.

Me shumë mirënjohje

Drejtori i Gazetës “Telegraf”

Engjëll Musai

 

 

Intervista e parë në tetor 2011/ Frank Shkreli, ish-shefi i “Zërit të Amerikës” flet për “Telegraf” me rastin e dy dekadave të miqësisë shqiptare me SHBA-të

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e kanë zanafillën në shekullin e 20-të, kur Presidenti i SHBA-ve Wilson përkrahu pavarësinë e shtetit të ri shqiptar

Është kënaqësi që në përvjetorin e njëzetë të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, të bashkëbisedosh me një personalitet që ka ndikuar drejtpërdrejt në vendosjen e këtyre marrëdhënieve dhe për forcimin e urave të miqësisë dhe të bashkëpunimit me shtetin më të fuqishëm të botës. Ky është Frank Shkreli, ish-shef i seksionit të gjuhës shqipe  “Zërit të Amerikës” dhe më pas drejtor  për Euro-Azinë. Ka drejtuar edhe Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Frank Shkreli është dhe një mik e bashkëpunëtor i afërt i gazetës “Telegraf”, i cili nuk rresht së na dërguari materiale të freskëta dhe origjinale nga Shtetet e Bashkuara për lexuesit tanë të shumtë. Në këtë intervistë ekskluzive, ai përcjell emocionet dhe mbresat e njëzet viteve më parë kur u rivendosën këto marrëdhënieve, se si janë forcuar ato gjatë këtyre viteve dhe mbi perspektivën e këtyre lidhjeve tashmë të konsoliduara. Në kuadrin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, “Telegraf” po e riboton intervistën e plot të dhënë për Telegraf në tetor 2011

Zoti Frank, këto ditë në Tiranë po festohet 20-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA. Sipas jush, ku qëndron rëndësia e këtyre marrëdhënieve?

20-vjetori i rihapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë është me të vërtetë një rast historik për të shprehur krenarinë dhe kënaqësinë për miqësinë që ekziston sot midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. Rëndësia  e këtyre marrëdhënieve, besoj se mund të vlerësohet, duke iu përgjigjur pyetjes: A është Shqipëria dhe kombi shqiptar në përgjithësi, më mirë sot se ç’ishte 20-vjet më parë kurë nuk kishte marrëdhënie zyrtare me Shtetet e Bashkuara?  Besoj se përgjigjja është e qartë për të gjithë.   Marrëdhëniet midis dy vendeve gjatë këtyre 20 vjetëve të kaluar, besoj se mund të cilësohen si shumë të mira, me përjashtim të një periudhe të shkurtër në vitin 1997.  Besoj se rëndësia e marrëdhënieve të ngushta e shumë miqësore midis dy popujve vlerësohet jo vetëm nga të dy palët, por edhe nga të tjerët. Pasi kombi shqiptar ka vuajtur gjatë gjithë shekujve nga okupues të jashtëm dhe nga diktatura komuniste,  rëndësia që shqiptarët i akordojnë  marrëdhënieve me Amerikën, bazohet, jo në ideologji ose interesa të përkohshme, por në ndarjen e vlerave të përbashkëta, në lirinë dhe në dinjitetin e individit dhe në standardet  e ndërtimit të një shoqërie demokratike për të gjithë, pa dallim.

Në thelb, unë besoj se rëndësia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 20-vjet e këtej, është se Shqipëria dhe kombi shqiptar, falë këtyre marrëdhënieve dhe përkrahjes amerikane, kurrë në historinë e tij nuk ka qenë me i lirë, zot i vetvetes në trojet e tij, më afër se kurrë realizimit të aspiratave të tij shekullore.  Falë përkrahjes së vendosur të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria është anëtare e NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur bota, jo e mbyllur  brenda vetes, por kontribuuese dhe pjesëmarrëse e përhapjes së paqes dhe sigurisë dhe e të drejtave universale.  Kosova është shtet i pavarur  dhe shqiptarët kudo në trojet e tyre gëzojnë më shumë se kurrë të drejtat dhe liritë e tyre. Shtetet e Bashkuara përkrahin vendosmërisht Shqipërinë në përpjekjet e saj në forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve demokratike në përgjithësi, në rrugën e saj për të siguruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Le të shërbej 20-vjetori i rihapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë si një rast i mirë  dhe i nevojshëm për të vlerësuar rrugën e bërë deri tani dhe arritjet e përbashkëta në këto marrëdhënie si edhe miqësinë midis dy popujve – dhe në të njëjtën kohë të përcaktohen  edhe parime të përbashkëta për përforcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.   Unë besoj se marrëdhëniet amerikano-shqiptare do të zhvillohen dhe marrëdhëniet midis dy kombeve  do të forcohen edhe më shumë në të ardhmen, jo vetëm në përfitim të dy palëve, por edhe në interes të paqes dhe sigurisë në rajon si edhe të zhvillimit ekonomik të shqiptarëve. Rëndësia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në këtë përvjetor dhe shpresoj në përvjetorët e ardhshëm, është se si asgjë tjetër, do të ndihmojnë drejtë  realizimit të sukseseve të mëtejshme të një Shqipëri moderne, demokratike, e hapur dhe dinamike për fatet e veta dhe të mbarë kombit shqiptar.

   Ju kini qenë ndër të parët që, në emër të Shteteve të Bashkuara keni shkelur në Shqipëri për lidhjen e këtyre marrëdhënieve. Cila është përshtypja juaj nga ato ditë kur bisedohej për rivendosjen e marrëdhënieve?

Është e vërtetë se unë kisha fatin dhe privilegjin e veçantë të isha anëtar i delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të bashkuara që arriti në Tiranë, marsin e vitit 1991, menjëherë pas nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ishte si një ëndërr, sidomos për mua, por edhe për kolegët e delegacionit. Por në të njëjtën kohë ishte një moment i cili pritej dhe për të cilin shpresohej për një kohë të gjatë. Ishte një ndjenjë ankthi, për mua personalisht dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, familjet e të cilit, i cili si asnjë grup tjetër etnik në Amerikë, ishin të ndara e për fatin e të cilëve nuk dinin gjë me dekada. Vallë a do vinte dita që shumë prej tyre prisnin të ktheheshin në atdhe?

A do i gjenin gjallë të afërmit e tyre, të arrestuar e të dërguar në kampe përqendrimi, ndoshta vetëm e vetëm se këta ishin  arratisur   në Shtetet e Bashkuara.  Edhe diplomatët amerikanë ishin të shqetësuar se si do të na prisnin. Para se të arrinim në Tiranë, kaluam një ditë e natë në Ambasadën Amerikane në Romë, për të mësuar nga diplomatët amerikanë aty, si post diplomatik amerikan më afër Shqipërisë.   Por, ata duke na kërkuar falje, na thanë se fatkeqësisht  nuk kishin asnjë informacion që ne mund ta gjenim të dobishëm për vizitën tonë disajavëshe në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, me përjashtim të disa hartave dhe literaturë propagandë-komuniste që shpërndante ambasada shqiptare në Romë.  Fat të mirë!(Good luck)- na thanë dhe kini kujdes, na këshilluan diplomatët amerikanë në Romë.

 

 Ndonjë mbresë nga vizita juaj e parë në Tiranë?

Me të thënë të drejtën, fjala që mund të përshkruante ndjenjat tona kur zbritëm në aeroportin e Tiranës, ishte një shokim, një tronditje e dhimbshme shpirtërore.  Shikoje rreth e rrotull atij aeroporti, sikur lexoje fjalën izolim, izolim na bota, pasi aeroporti ishte bosh, por edhe të izol
uar nga njëri -tjetri, ndonëse dukej se edhe nëpunës e policë që ishin aty sikur nuk flisnin me njëri- tjetrin. Fatkeqësisht, por e vërtetë, më përshkoi një ndjenjë depresioni, e cila nuk mu nda për disa ditë, nga përshtypjet e para. Kishte dalë të na priste drejtori i protokollit të Ministrisë së Jashtme.  U vendosëm në hotel “Dajti”, ku flinim, hanim drekë e darkë, por edhe nga ku zhvillonim takime, mbledhje, me një fjalë një dhomë e kishim kthyer në zyrë të përfaqësisë së parë amerikane në Tiranë.

Në makinën që kishim marrë me qira nga Ministria e Jashtme dhe me të cilën udhëtonim nëpër qytete të ndryshme, vendosëm flamurin amerikan, gjë që vumë re se natyrisht kjo ngjalli kuriozitetin e pritshëm,dhe në disa raste frikë, pasi  ky flamur nuk ishte parë në Shqipëri, në pothuaj 50-vjet.  Ndërsa udhëtonim nëpër Shqipëri, kur ndodhnin grumbuj njerëzish merrnin guximin të na afroheshin për të parë se kush ishim ne me flamur amerikan në makinë, pasi disa të rinj në Tiranë na patën njoftuar,se çuditërisht shtypi zyrtar i kohës nuk kishte bërë asnjë njoftim për arritjen tonë në vend. Por, në shumë raste, kur përpiqeshim të flisnim me ndonjë person që ndodhej vetëm në rrugë ose në qytet, ai ose ajo largohej duke rrudhë krahët, siç duket nga frika, pasi shikonin flamurin amerikan në makinë. Njerëzit në grumbuj e ndienin veten më të sigurt dhe ishin më të guximshëm dhe më të sinqertë ne biseda me ne. Eventualisht, grumbujt e njerëzve rreth nesh dhe makinës kudo shkonim, sa vinin e shtoheshin – dhe në shumë raste arritja e jonë shndërrohej pothuaj në një karnaval, kështu që akulli që mund të ekzistonte ndaj nesh në fillim, më në fund u shkri dhe ndjenjat e shqiptarëve për Amerikën ishin pothuaj të papërmbajtura. Mirëpo, megjithëse disa ditë më parë ishin rivendosur marrëdhëniet midis dy vendeve, këto ndjenja nuk viheshin re në radhët e zyrtarëve të kohës ndaj prezencës së parë amerikane në Tiranë.

 A e vërenit hendekun midis udhëheqjes së atëhershme dhe popullit lidhur me dëshirën për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve?

Absolutisht. Si thashë edhe më lart, siç duket Tirana zyrtare kishte vendosur që të mos e bënte bujë arritjen e delegacionit të parë amerikan në Shqipëri. Vetëm gazeta Rilindja Demokratike, pas një takimi që patëm me një delegacion të Partisë Demokratike të posa formuar, njoftoi publikun shqiptar për praninë tonë në Shqipëri. Regjimi i atëhershëm besoj se dukej i izoluar, sepse delegacioni ynë dhe delegacione të tjera sidomos ato të Kongresit amerikan të kryesuara nga Senatori Kljeborn Pell dhe Senatori Denis DiKoncini, ia kishim kushtuar të gjithë vëmendjen opozitës së re shqiptare të asaj kohe.  Mesazhi  për sistemin komunist ishte, koha e juaj ka kaluar, një ditë e re po lindë për Shqipërinë.  Megjithëse autoritetet e atëhershme shpresonin të vazhdonin të ruanin pushtetin në një mënyrë ose në një tjetër, shumica e shqiptarëve, sidomos të rinjve, me të cilët vinim në kontakt, ishin të bindur se valëvitja e flamurit amerikan në Tiranë, së pari në një makinë diplomatike, e më vonë para ambasadës së përhershme amerikane, ishte fundi i një regjimi që kishte shkaktuar aq shumë  vrasje e persekutime, dhimbje, vuajtje e tmerr për shumë familje të pafajshme shqiptare.

  Në periudhën e errët të regjimit komunist, si punonte SHBA për të ndihmuar popullin shqiptar?

Megjithëse marrëdhëniet shqiptaro-amerikane e kanë zanafillën në vitet e para të shekullit të 20-të, kur Presidenti i atëhershëm amerikan Uodrou Uilson përkrahu pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, nuk mund të flitet për marrëdhënie serioze midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara deri në Mars të vitit 1991, kur në Uashington u nënshkrua Memorandumi për rivendosjen e marrëdhënieve.  Por e vërteta është se edhe gjatë periudhës së errët të regjimit komunist, këto marrëdhënie nuk u harruan kurrë as nga Uashingtoni zyrtar dhe as nga komuniteti shqiptaro-amerikan.  Megjithëse kishte njerëz të komunitetit shqiptaro-amerikan, që pas disa dekadave ishin “dorëzuar”, duke thënë se sistemi komunist nuk do të ndryshonte kurrë dhe se është humbje kohe për t’u marrë me këtë punë, pjesa dërmuese e komunitetit shqiptar të Amerikës nuk pushoi kurrë së punuari për  realizimin e ditës që shënon ky përvjetor, d.m.th. të rivendosjes së marrëdhënieve midis atdheut të lindjes, Shqipërisë  dhe atdheut të adaptuar Amerikës.  Edhe zyrtarët dhe diplomatët amerikanë, në çdo rast e kohë, gjithmonë bënin thirrje për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve – duke u kundërshtuar gjithmonë nga regjimi komunist shqiptar, i cili ngulte këmbë se kurrë nuk do të pajtohej me “imperializmin amerikan”.  Stejt Departmenti  e kishte bërë si litani, që çdo vit me rastin e 28 Nëntorit të bënte një deklaratë për Zërin e Amerikës  në favor të normalizimit të marrëdhënieve me Tiranën, me shpresë se eventualisht Tirana e kuqe do t’i përgjigjej pozitivisht thirrjes së Uashingtonit për normalizim të marrëdhënieve.  Kjo fatkeqësisht nuk ndodhi deri në rrëzimin e atij sistemi.

 Si një nga drejtuesit e “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, mund të na tregoni ndonjë episod nga pritja që i bënin shqiptarët mesazheve që vinin nga Uashingtoni?

Fakti është se ne nuk kishim ndonjë kontakt me shqiptarët brenda Shqipërisë gjatë asaj periudhe dhe si të tillë  nuk kishim as reagime ndaj deklaratave amerikane të njëpasnjëshme të Uashingtonit për rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve.  Ne merrnin reagime pozitive ndaj deklaratave zyrtare të Uashingtonit drejtuar Shqipërisë, natyrisht nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues të tij, por edhe nga Kosova dhe diaspora shqiptare në Evropë.   Besoj se, gjatë 80-ave shumë intelektualë dhe përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës ishin bindur se e ardhmja afat gjatë e Kosovës dhe e kombit shqiptar do varej nga rivendosja e miqësisë zyrtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në fakt ashtu edhe ndodhi, ishte kjo miqësi që mori hov pas vitit 1991 e që më në fund ndihmoi në mobilizimin e botës në përkrahje të shqiptarëve të Kosovës dhe mbarë kombit.

Si e vlerësoni ecurinë e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA gjatë njëzet viteve të fundit? Po për perspektivën e këtyre marrëdhënieve, ç’mund të thoni?

Besoj se, siç thashë edhe më lartë, me përjashtim të periudhës ‘96/97, këto marrëdhënie janë karakterizuar nga një frymë respekti të përbashkët, ndërkohë që përfaqësues të dy palëve kurrë nuk hezitojnë të theksojnë rëndësinë e “marrëdhënieve historike”  midis dy vendeve.  A mund të jenë këto marrëdhënie edhe më të forta edhe me fitimprurëse për të dy palët? Absolutisht! Por kjo nevojit angazhimin e plotë të të dy palëve.  Nuk dua ta teproj që si shtetas amerikan, por me origjinë shqiptar, të them me bindje të plotë se nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër si Amerika, që Shqipërisë dhe shqiptarëve t’ua dëshiroj të mirën dhe pa asnjë kusht paraprak.   Ambasadori amerikan në Tiranë, gjatë një pritjeje me rastin e këtij përvjetori, në emër të Shteteve të Bashkuara, u citua  të ketë thënë nga Zëri i Amerikës  se: “Ne kemi qenë gjithmonë në anën e kombit shqiptar dhe do të vazhdojmë të mbështesim përparimin dhe avancimin e vazhdueshëm të Shqipërisë. Integrimi euroatlantik, një shtet i fortë ligjor, një ekonomi e begatë e orientuar nga tregu dhe institucione të pavaruara e demokratike. Këto janë aspiratat e popullit shqiptar. Ju keni të drejtë t’i prisni këto”, tha ambasadori amerikan në Tiranë. Ky është një mesazh me të cilin unë pajtohem plotësisht. Marrëdhëniet e 20-vjetëve të fundit, për mire ose për keq, nuk janë afektuar nga interesat e kundërta midis njëra tjetrës siç ndodhë normalisht midis shtetesh, por janë afektuar, kryesisht për keq, nga gjendja e brendshme politike në Shqipëri, nga mosmarrëveshjet midis pozitës dhe opozitës gjatë dy dekadave të fundit.  Në qoftë se mund të quhet kusht, i vetmi kusht që Shtetet e Bashkuara kanë për Shqipërinë e sidomos për klasën politike të vendit, është që të bashkëpunojnë për të mirën e vendit e të kombit. Ka shumë për t’u bërë në marrëdhëniet dypalëshe, por besoj se dy palët janë të gatshme të përdorin këtë përvjetor, që së bashku, si dy miq të punojnë për marrëdhënie edhe më të mira midis dy popujve, dhe si ortakë edhe në skenën ndërkombëtare për një të ardhme të begatë e stabile në paqe  për të dy palët dhe për rajonin.

Ju keni drejtuar edhe një shoqatë të shqiptarëve të Amerikës. Sa ka kontribuar shoqata juaj për këto marrëdhënie?

Unë kam drejtuar kohë më parë Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA), i cili së bashku me organizata si Vatra e të tjera, si edhe individë të ndryshëm kanë dhënë kontributin e tyre të paçmueshëm dhe gjithnjë vazhdojnë të ndihmojnë në përforcimin e këtyre marrëdhënieve, pasi kemi të bëjmë me një komunitet që e do shumë Shqipërinë dhe interesohet për fatin e kombit. Ky kontribut në të vërtetë njihet nga autoritetet e të dy vendeve.

LUKUNIA E PAN-it LINÇOJNË MIMOZËN!- Nga IDRIZ ZEQIRAJ 

     Opozita destruktive dështoi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, edhe pse pozita ofroi votat e saj. Për ta kompensuar këtë humbje turpëruese, iu sulën, padrejtësisht e tërbueshëm, Mimozë Kusarit-Lila. Të njëkohshme u angazhuan, si në kor lehjesh, të gjitha mediat e mbizotëruara nga partitë-banda të PAN-it.
     Kjo opozitë ka kërkuar zgjedhje vetëm tre muaj pas zgjedhjeve të shkurtit 2O21 e deri me sot! Shansin e dhënë nga Kurti, për t`i bashkuar votat me opozitën, për të shkuar në zgjedhje, nuk duhet përsëritur. Prej 6O vitesh, në Gjermani, shteti vetëm dy herë ka shkuar në zgjedhje të parakohshme.
     Mjaftoi një bisedë me deputetin serb, Sllavko Simiç, në kuadrin e agjendës kuvendore dhe një ndërhyrje e rastësishme apo kurth të papritur 15 sekondshe e Millan Radojçiqit, për ta akuzuar për konspiracion, se, gjoja, deputetja Mimozë, paska “rrezikuar sigurinë kombëtare”, siç do ta “zbulonte” një eksponent i AAK-së! Dhe, filloi hajka e analistëve horrakë e matrapazë, duke kërkuar, të paktën, “dorëheqjen nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV!”
     Harrojnë këta këlyshër të PAN-it se Parlamenti i Kosovës, për 25 vjet radhazi vazhdon të jetë Parlamenti më i inkriminuar, të paktën në Evropë. Vite më parë, një deputet gjerman, nga “Bundsetag-u Federal i Berlinit, deklaronte se “në Parlamentin e Kosovës numërohen 27 deputetë kriminelë. Dhe, kur takoj pushtetarët nga Kosova, më duhet t`i laj duart me sapun fort, sepse i kanë duart e përgjakura deri në bërryla”.
     Shtrohet pyetja: Sa herë ngritën zërin parlamemtarët dhe zyrtarët e Kosovës, për t`i zbuluar vrastarët e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut; veprimtarët e LDK-së; gazetarët e luftës; kuadrot e hershëm të LPK-së si dhe ushtarët që u përdorën për krime dhe fshehjen e kufomave të tyre? Kurrë! Krerët e LDK-së “hidhnin ndonjë tullumbace”, në kohë fushate, pastaj, pacipërisht, koalicionoheshin me vrasësit!!
     Vërtet, DASH amerikan i shpalli “non-grata” Millan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq, me dostat e tij, për kontrabandë e më shumë. Por, makro-kontrabanda me “teretnjaka”, me kamionë maune, nuk mund të bëhej pa tregun e garantuar, pa bashkëpunëtorët shqiptarë. Çuditërisht, krerët partiakë, me komandantët e tyre, u kursyen nga “non-grata” amerikane! Me kohë janë denoncuar kamionët me mallin kontrabandë, duke hyrë nga veriu i Mitrovicës në Dukagjin dhe anekënd Kosovës, gjithnjë me përcjelljen e siguruar të policisë. Këtë e konfirmon edhe DASH-i amerikan, por nuk vepron. Dhe, dëmi milionësh, shkaktuar shtetit, ishte heshtur nga AKI-ja, drejtësia, shtetarët korruptivë dhe llapaqenët e shitur analistë.
     Pse PAN-istët e Hashimit sulmojnë, në vijimësi, Donikë Gërvallën? Sepse ajo i dha emër krimit. Dhe, rezultoi e saktë. Pse nuk ka njohje? Sepse e gjithë bota demokratike reagoi ushtarakisht, për ta shpëtuar popullin e Kosovës, nga përgjakja, deri në dëbim masiv të dhunshëm. Ndërkohë, disa komandantë hileqarë e gjakatarë, për të përvetësuar luftën e pabërë dhe grabitur pushtetin pameritueshëm, vranë ajkën e djalërisë dhe të burrërisë të Kosovës. Tani që bota demokratike ka nismuar një gjykim, për krimet faktike, izolim, dajakosje, maltretime, deri në vrasje, të bëra gjatë dhe pas luftës, kryesisht ndaj shqiptarëve kundërshtarë politikë në Kosovë, po teston një popull të kapur nga krimi, korrupsioni dhe të kapluar nga frika e bandave, dikur, pothuajse, zyrtare. Por, zhgënjimi është i dukshëm dhe habitë mbrojtja e krimit nga PAN-i dhe më gjerë!
     Pavarësisht, ndryshimit për të mirë të Kosovës, partitë e PAN-it, me komandantët e tyre, edhe në opozitë, vazhdojnë ta ruajnë mujëshinë dhe vrazhdësinë e tyre, duke bllokuar sistemin e drejtësisë, duke i stivosur me vite e dekada dosjet kriminale, për t`i mbyllur ato si lëndë “të parashkruara”. Për vite vazhdojnë ta bllokojnë “VETTINGUN”. Ngulmojnë në ruajtjen të paprekur të Këshillit Prokurorial dhe të Këshillit Gjyqësor Gjyqësor, me arsyetimin klishe, të mos ndërhyrjes në drejtësi! Andaj, bota demokratike është e zhgënjyer në shoqërinë tonë dhe vazhdon ta presë këndelljen tonë, për të pasuar njohjet dhe pranimet në organizmat ndërkombëtare.
     Shtrohet pyetja: Pse drejtësia, por edhe këlyshëria, argate të PAN-it, nuk insistojnë të mësohet kush i dha urdhër prokurorit, t`ia heq masën e flet-arrestit Millan Radojiçiqit? Përgjigja dihet: Komandantët kontrabandistë, shefa të partive të PAN-it, janë robër të Radojçiqit, sepse ai do t´i denonconte dhe diskreditonte me fund, si bashkëpunëtorë të tij ndër vite.
     Në favor të kësaj të vërtete, flet publikisht edhe gazetari i mirënjohur serb, rezident në veriun e Mitrovicës, Mirosllav Kerstiq: “Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, me komandantët e tyre, bënin kontrabandë të madhe, me Millan Radojçiqin, Zvonko Veselinoviqin dhe zyrtarët tjerë të “Lista Serbe”. Ata i forcuan ekonomikisht dhe politikisht Radojçiqin, Veselinoviqin dhe partinë e tyre, duke ndihmuar në shkatërrimin e opozitës serbe në Kosovë.”
     Pse nuk merren analistët horrakë me çështje të tilla, por zhurmojnë, turpshëm e kriminalisht, për një bisedë 15 sekondash, qoftë edhe më shumë, duke funduar bisedën “po shkoj në shtëpi”, të Mimozë Kusari-Lila, me Radojçiqin, në prezencë të deputetit të Kosovës, Sllavko Simiqit. Dhe, pikërisht, fjalia përmbyllëse – PO SHKOJ NË SHTËPI -, dëshmon se Mimoza e ndërpret bisedën, sa të rastësishme, të papritur, aq edhe të pa dëshiruar me Radojçiqin. Dhe, asnjëri nga analistët horrakë, nuk e përmendi këtë fakt domëthënës! Ja, çfarë “serioziteti” shpërfaqë opozita e traumatizuar dhe dështake në Kosovë, e cila “ka humbur rrugën në oborr”.
     Ka një qasje idioteske të opozitës, ndaj deputetëve serbë të Kosovës. “Pse të bisedohet për pensionet e veteranëve të UÇK-së, me shefin e Grupit Parlamentar të serbëve të Kosovës, Simiq”, – thonë dhe e përsërisin analistët fodullë, argatë të PAN-it?! Çfarë sekreti ka këtu? Janë 12.700 veteranë të listuar si pjesë e luftës. Dhe, janë 40.000 “veteranë” fiktivë, të rrejshëm! Me shpërdorimin e milionave eurove të pensioneve mujore “veteranëve” të rremë, janë buxhet i qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe Simiqin me shokë. Janë pikërisht komandantët kontrabandistë dhe shefat e tyre, të cilët nuk e kanë bërë “as lavrën e miut”, për t`i integruar në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës serbët, sepse donin t`i izolonin, që lidhjet kontrabandore me Listën Serbe, të vazhdojnë shpengueshëm dhe pa u diktuar. Sepse shefat e PAN-it i kanë bizneset e përbashkëta, në veçanti, tenderimet një burimore me krerët e “Listës Serbe”.
     Janë miliona euro që abuzohen, përmes një zhvatje legale – hajni zyrtare, nga më e madhja dhe më e turpshmja. Edhe 19.500 “veteranë” të rrejshëm, të cilët i seleksionoi, i hoqi nga lista e veteranëve prokurori Elez Blakaj, me ekipin e tij, Qeveria Haradinaj i ktheu përsëri në veteranë “të ligjshëm!?” Me këtë rast, Prokurori profesional dhe shumë i respektuar, Blakaj, u kërcënu nga titullari i qeverisë dhe disa banditër të Dukagjinit. Për rrjedhojë, u detyrua të largohet nga Atdheu, duke kërkuar strehë politike në SHBA.
     Përkundër zonave tjera të Kosovës, të cilat e pranuan falsifikimin e “dëshmive të veteranit” dhe shtimin gjeometrik të numrit të “veteranëve”. Ndërsa zona e Dukagjinit ka ngulmuar në “vertetësinë” e këtyre listave emërore të veteranëve. Ndërkohë, populli i Kosovës, që i njeh mirëfilli luftëtarët e lirisë, e thotë hapur se shitja e dëshmive të veteranit, për rrjedhojë, numri i rrejshëm të veteranëve është katërfishuar! Populli tregon edhe arsyen e shumëzimit të rrejshëm të veteranëve:
  1. Përveç përfitimit fillestar nga kuota shitëse e “Dëshmisë të veteranit”, disa blerës vazhdojnë të paguajnë edhe përqindjen mujore; dhe
  2. Dhënia e dëshmive të veteranit, është kushtëzuar edhe me begatimin e klientelës elektorale.
     Ja, pra, për se duhet të reagojnë analistët e përnatshëm të Kosovës, në shumësinë e tyre, të paguar për ta helmuar opinionin shqiptar me shpifje e gënjeshtra, në mbrojtje të kriminelëve dhe të makro-hajnive.
     Mendoj se reagimi i zëdhënësit të LVV, ishte në nivel dhe bindës. Ndërsa kryeministri Kurti nuk kishte pse ta përmendte nëse i takon LVV apo subjektit tjetër Mimoza. Duhej të mjaftohej me pjesën e parë të reagimit dhe turpin e dramatizimit artificial, thënë troç “u mbars mali dhe polli miun!”
     Mjerisht, Kosova ka një opozitë, e cila nuk dinë se çfarë kërkon, sepse nuk ka kauzë, për ta ndryshuar qeverisjen. Andaj, duhet shpërfillur, pa humbur kohë me prrallëzimet e saj marroqe, qoftë edhe në rastin e përgjimeve, të bëra nga BIA serbe, me agjentët e saj, Batoni-Buzhala, me kompaninë spiune, nga Prishtina dhe Tirana zyrtare. Ka tendenca, sidomos nga nostalgjikët e sidomos nostalgjiket e miqësisë me PDK-në, ta koordinojnë, më saktë, ta njëtësojnë opozitarizmin me PAN-in. Kjo po ndodhë edhe në rastin e kurdisur dhe të shtisur, për shefen karizmatike të Grupit Parlamentar të LVV, Mimozë Kusari-Lila.
 
         LDK të distancohet prerazi nga PAN-i kriminal
     Ndryshe qëndron çështja e subjektit veteran, LDK-së. Ajo ka qenë subjekti politik, që, realisht, ka bërë paqen dhe luftën. Fatkeqësia qëndron se agjentët e shërbimeve informative të shteteve armike të Kosovës, duke qenë në partinë rivale, respektivisht, të PDK-së, arritën të katapultojnë njerëzit e tyre në kupolën e LDK-së. Rrjedhojat domëthënëse janë: Isa Mustafa, me klanin e tij vicioz, pa konsultuar elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e deputetëve, madje as vet Kryesinë e LDK-së, në koordinim me Hashim Thaçin, aprovoi: Asociacionin, Demarkacionin dhe kontrabandimin e Hashimit president! Partia shkeli porosinë-amanet të themeluesit të saj, Predentit Rugova: “Të mos lejohet të ngritet Hashimi në pozita të larta, sepse është i rrezikshëm për Kosovën”.
     Mjerisht, LDK-ja është viktimë e një klani, me një kryetar të shantazhuar, i vënë në shërbim të Hashimit dhe të PAN-it kriminal, të manipuluar nga ai. Dhe, kjo thyerje e Mustafës ka qenë e dhunshme, ngaqë ai me kolegët ministra dhe titullarin e Qeverisë të Kosovës në Egzil, herë pas here, kërcënoheshin me jetë, me traktet alla-komuniste të LPK-së të djeshme dhe PAN-it të sotëm, të hedhura në kutinë postare të Përfaqësisë të Kosovës, në Tiranë: “Për tradhti ndaj Atdheut, jeni të dënuar me vdekje. Në rastin më të parë do të ekzekutoheni – SHP  i UÇK-.” Dhe, me shantazh e terror zhvatën miliona marka edhe në mars, prill, maj 1999, pa shpenzuar asnjë markë për luftën.
     Thënë qartazi, klani brenda Kryesisë të LDK-së, u bë bisht e patericë e PDK-së, duke bërë koalicionin e dhunshëm me atë. T`panet, (ndeja e bijës në gjini), në rastin konkret, Hashimi ke Vlorë Çitaku në SHBA, në koordinim me Grenellin dhe Isa Mustafën, prishën koalicionin LVV-LDK. Këtë e konfirmon edhe Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së: “Grenell na dha urdhër, me afat një javë, me e prish koalicionin me LVV!” Dhe, ashtu u bë. Kjo ishte një gjëmë e madhe, jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën, sepse ishte koalicion i pastër, dy subjekte të pa inkriminuara në vrasje të shqiptarëve dhe as në hajni-zyrtare.
     Lidershipi i ri i LDK-së, i kryesuar nga  Lumir Abdixhiku, me reformat e bëra, qofshin edhe gjysmake, vazhdon ta përmirësojë imazhin e rrënuar, deri në përtokje të LDK-së. Programi i shpalosur nga kryetari, në emër të Kryesisë dhe pas konsultimeve me anëtarësinë dhe popullin, është gjithëpërfshirës dhe bollshëm ambicioz. Për ndryshim nga opozita tjetër qorrsokake, respektivisht, PAN-i toksik, kryetar Lumiri ka kauzë të qartë, madje të besueshme, për zhvillimin ekonomik dhe perspektiven politike të Kosovës. Andaj meriton vëmendje dhe përkrahje, jo vetëm nga anëtarësia e LDK-së, por edhe nga të tjerët. Dhe, këtë duhet ta këtë parasysh edhe kryeministri aktual, Albin Kurti, kur të vendosë bashkëqeverisjen në koalicion, me ndonjërin nga subjektet politike.

Send this to a friend