Hyrje
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Kosovë prodhuan një situatë bllokade institucionale, si pasojë e një strategjie opozitare të ndërtuar mbi barikadimin “të gjithë kundër Albinit”. Kjo qasje, ndonëse synonte kufizimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), rezultoi në pamundësi për formimin e Qeverisë dhe çoi në zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor 2025. Kjo bllokadë, siç do ta argumentojmë më poshtë, shihet se nuk e ka dobësuar LVV-në, por përkundrazi ka krijuar kushte për thellimin e fitores së saj elektorale, potencialisht nga 42,8% në 45%,, por që nuk përjashtohet mundësia që të kalohet edhe niveli I fitores së 14 shkurtit 2021. Duke u mbështetur në teori të sjelljes elektorale, analizë të fragmentimit opozitar dhe psikologjinë politike të krizës, vështrimi dëshmon se opozita, duke përsëritur të njëjtat metoda politike, do ta riprodhojë rezultatin që synonte ta shmangte.
1. Zjedhjet si simptomë e krizës strukturore
Zgjedhjet e parakohshme nuk janë thjesht mekanizëm procedural për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve parlamentare; ato janë shpesh simptomë e krizave strukturore të sistemit politik. Në rastin e Kosovës, kriza e vitit 2025 nuk buron nga mungesa e shumicës numerike, por nga mungesa e legjitimitetit funksional të opozitës për të ndërtuar alternativë qeverisëse.
Në këtë kontekst, rikujtimi i një sentence që i atribuohet Albert Ajnshtajnit – se problemet nuk zgjidhen me të njëjtën mënyrë të të menduarit që i ka prodhuar – merr vlerë analitike: opozita kosovare hyri në zgjedhje me të njëjtën logjikë politike që e kishte çuar në humbje dhe delegjitimim publik.
2. Strategjia opozitare: nga pluralizëm politik në koalicion negativ
Opozita në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk ndërtoi një projekt të përbashkët programor, por një koalicion negativ, të përkufizuar kryesisht nga kundërshtimi i liderit dhe subjektit dominues – Albin Kurtit dhe LVV-së.
Në literaturën e shkencës politike, koalicione të tilla:
- nuk prodhojnë identitet të ri politik,
- nuk mobilizojnë elektorat të paidentifikuar,
- dhe shpesh përforcojnë aktorin kundër të cilit janë ndërtuar.
Në vend që ta relativizonte Kurtin si aktor politik, opozita e vendosi atë në qendër absolute të sistemit, duke e shndërruar zgjedhjen në referendum personal, jo në garë programore.
3. Bllokada institucionale dhe perceptimi publik i fajit
Pamundësia për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit prodhoi një krizë të zgjatur institucionale. Në raste të tilla, teoria e “atribuimit të fajit” (blame attribution) sugjeron se elektorati tenton të ndëshkojë aktorët që perceptohen si:
- obstruksionistë,
- të paaftë për kompromis,
- ose të fokusuar në interes partiak afatshkurtër.
Në Kosovë, perceptimi dominant nuk ishte se LVV dështoi të qeverisë, por se opozita dështoi të ofrojë zgjidhje. Ky dallim është qenësor për të kuptuar pse zgjedhjet e reja nuk e dobësojnë automatikisht partinë në pushtet.
4. Dinamika e sjelljes elektorale në zgjedhje të përsëritura
Studimet mbi zgjedhjet e përsëritura tregojnë disa efekte të qëndrueshme:
- Rënie e pjesëmarrjes, kryesisht te elektorati skeptik dhe i paorganizuar;
- Konsolidim i elektoratit besnik, që mobilizohet më lehtë;
- Avantazh strukturor për forcën më koherente politike.
LVV, si subjekt me identitet ideologjik relativisht të qartë, liderizëm të konsoliduar dhe bazë elektorale të disiplinuar, përfiton nga këto kushte. Opozita, e fragmentuar dhe pa narrativë të unifikuar, humb proporcionalisht më shumë.
5. Gjasat për thellim të rezultatit: pse 45% është prag realist
Kalimi nga 42,8% në 45%, në mos më shumë, nuk përfaqëson një revolucion elektoral, por një rritje margjinale të shpjegueshme strukturalisht. Kjo rritje mund të vijë nga:
- ndëshkimi elektoral i opozitës për bllokadën;
- mobilizimi më i lartë relativ i elektoratit të LVV-së, me theks nga pjesëmarrja masive e mërgatës;
- mungesa e një alternative të re kredibile.
Në mungesë të skandaleve të mëdha, presionit të artikuluar ndërkombëtar ose shfaqjes së një lideri të ri opozitar me kapital moral të padiskutueshëm, thellimi i fitores së LVV-së është më i mundshëm sesa rënia e saj.
Shto kësaj edhe tri ngjarje që shenjuan javën që lamë pas, rritja e VV ëshët krejtësisht e pritshme, reale.
- Heqja 50% e masave nga ana e Komisionit të BE-së dhe paralajmrimi për largimin e tyre të plotë në fund të janarit 2026;
- Nënshkrimi i Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare nga ana e Presidenti amerikan, Donald Trump, në të cilin është përfshirë edhe Kosova. Akti mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE. Mbështet qartë marrëveshjen për normalizim raportesh Kosovë-Serbi dhe kërkon zbatim real të saj. Konfirmon se qëllimi final i saj është njohja reciproke. Refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike [pra hedhë poshtë marrëveshjet e 2015/2015 që ishin preludi i ndarjes së Kosovës]; forcon mbështetjen amerikane për demokracitë në Ballkanin Perednimor dhe për procesin e antarësimit ët tyre në BE;
- Lajmi se Bahamas është shteti i radhës [121] që ka njohur shtetësinë e Kosovës.
6. Paradoksi politik: si opozita riprodhon dominimin që synon ta thyejë
Rezultati i pritshëm i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 nxjerr në pah një paradoks klasik të politikës konkurruese: sa më shumë që opozita bashkohet rreth kundërshtimit të një aktori dominues, pa ndërtuar alternativë substanciale, aq më shumë e konsolidon atë aktor.
Në këtë kuptim, zgjedhjet nuk janë vetëm verdikt mbi qeverisjen e LVV-së, por mbi aftësinë e opozitës për t’u transformuar nga bllokues në ndërtues të shtetit funksional.
7. Përfundim
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 nuk pritet të shënojnë një ndryshim paradigme në politikën kosovare. Përkundrazi, ato madje ka gjasa të mira që ta përforcojnë trendin ekzistues: një forcë dominuese që konsolidohet dhe një opozitë që vazhdon të veprojë me logjikën e restaurimit dhe jo të inovacionit politik.
Nëse opozita nuk ndryshon mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, ajo nuk do të humbasë vetëm një palë zgjedhje, por rolin e saj historik si alternativë demokratike.
Rrjedhimisht ora për krijimin e një force të re politike, të djathtë, si një trashëguese reale e NDSH-së historike, po bie.