VOAL

VOAL

Paqja mes Izraelit dhe palestinezëve, më e largët në epokën Trump

September 16, 2018

Komentet

Ligjvënësi Republikani Joe Wilson: Nën Presidentin Vuçiç Serbia është afruar me armiqtë e lirisë ! Mirënjohës për prezantimin bipartizan të Aktit Serbija

Ka reaguar në X ligjvënësi Republikani Joe Wilson: Nën Presidentin Vuçiç Serbia është afruar me armiqtë e lirisë Mirënjohës për prezantimin e Aktit bipartizan SRBIJA!

“Nën Presidentin Vuçiç, Serbia qëllimisht është larguar më tej nga sundimi i ligjit dhe më afër armiqve të lirisë si krimineli i luftës Putin, Partia Komuniste Kineze dhe regjimi terrorist në Teheran. Pavarësisht protestave të përhapura ndaj korrupsionit, qeveria Vuçiq kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë.”

Ligjvënësit bipartizanë po shtojnë presionin ndaj presidentit serb ndërsa zgjedhjet afrohen, duke i dërguar një paralajmërim Presidentit serb Aleksandar Vuçiç që t’u përgjigjet kërkesave kundër korrupsionit dhe të shkatërrojë lidhjet me kundërshtarët e Amerikës ose të rrezikojë sanksione nga SHBA-ja. Deputetët Joe Wilson (R-S.C.) dhe Bill Keating (D-Mass.), anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, prezantuan të enjten legjislacionin që kërkon sanksione dhe ndalime vizash për individët që minojnë proceset demokratike, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial në Ballkanin Perëndimor. 

 

Ligjvënësit amerikanë me projektligji për masa ndaj Serbisë për shkak të demokracisë, Rusisë dhe Kinës

Ligjvënësit amerikanë me projektligji për masa ndaj Serbisë për shkak të demokracisë, Rusisë dhe Kinës

Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Ligjvënësit republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kanë paraqitur një projektligj që i kërkon SHBA-së të ndërmarrë masa ndaj Serbisë për shkak të “prapakthimit serioz” në demokraci dhe sundimin e ligjit në vend, si dhe bashkëpunimit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin sanksione financiare dhe të vizave ndaj aktorëve malinj që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe ndaj personave që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të cilësdo zonë apo shteti në rajon, thuhet në projektligjin, – të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë – të paraqitur nga republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating.

Sipas projektligjit, ai do të quhet “Ligji për Mbështetjen e Sundimit të Ligjit, Ndërtimin e Drejtësisë Institucionale dhe Përgjegjshmërinë”, përkatësisht “SRBIJA Act” (Supporting the Rule of law, Building Institutional Justice, and Accountability Act).

Në projektligj kërkohen sanksione edhe ndaj personave që në Ballkanin Perëndimor marrin pjesë në minimin e proceseve dhe institucioneve demokratike, korrupsion, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ose veprime që pengojnë marrëveshjet rajonale dhe kornizat për sigurinë, paqen, bashkëpunimin ose njohjen reciproke.

Republikani Wilson, lidhur me paraqitjen e projektligjit, tha se “nën presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, Serbia po largohet qëllimisht gjithnjë e më shumë nga sundimi i ligjit dhe është afruar me armiqtë e lirisë, si krimineli i luftës [presidenti rus Vladimir] Putin, Partia Komuniste e Kinës dhe regjimi terrorist në Teheran”.

“Pavarësisht protestave të përhapura gjerësisht kundër korrupsionit, Qeveria e Vuçiqit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, tha Wilson.

Në projektligj po ashtu përmenden raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Aty kërkohet që SHBA-ja të vazhdojë të ofrojë mbështetje për përparimin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në përputhje me Aktin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, që vitin e kaluar u sponsorizua nga përfaqësuesi demokrat, William Keating, mes tjerash, përcakton se “është politikë e Qeverisë së SHBA-së që të mos ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimin e territoreve, ndarjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor, si mjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve të rajonit”.

Kushtëzimi i Dialogut Strategjik SHBA-Serbi

Sipas projektligjit të paraqitur nga Wilson dhe Keating, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duhet të pezullojë pjesëmarrjen në Dialogun Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, përveç nëse gjatë takimeve në kuadër të këtij procesi ngre çështjet e marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin; sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta; luftës kundër korrupsionit, prokurimit publik dhe reformës së sundimit të ligjit, si dhe forcimit të qeverisjes demokratike, lirisë së shtypit dhe lirisë së tubimit.

Jo më vonë se dhjetë ditë para një takimi në kuadër të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, sekretari i Shtetit duhet t’u paraqesë me shkrim Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit një konfirmim se këto çështje do të ngrihen, si dhe një pasqyrë të detajuar të mënyrës se si sekretari i Shtetit ose përfaqësuesi përkatës i Departamentit të Shtetit planifikon t’i ngrejë këto çështje gjatë takimit në kuadër të Dialogut, thuhet në projektligj.

Në rast se sekretari i Shtetit nuk e paraqet konfirmimin për këto kërkesa, sipas projektligjit, asnjë zyrtar i Departamentit të Shtetit nuk do të autorizohet të marrë pjesë në Dialogun Strategjik SHBA-Serbi dhe as të shpenzojë fonde buxhetore të miratuara për këtë qëllim.

Çfarë thotë projektligji për gjendjen në Serbi?

Sipas projektligjit, Serbia ka shënuar një prapakthim serioz në fushën e demokracisë, gjë që pasqyrohet në Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024 dhe Raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë për vitin 2025, ku përmenden probleme të mëdha me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave dhe korrupsionin.

“Qeveria e Serbisë, nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe koalicionit qeverisës, iu është përgjigjur protestave, të udhëhequra nga studentët dhe qytetarët, me masa që vëzhguesit ndërkombëtarë, Parlamenti Evropian dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara i kanë karakterizuar si masa që përfshijnë përdorim të tepruar të forcës, arrestime të protestuesve dhe presion ndaj mediave të pavarura”, thuhet në tekstin e projektligjit.

Aty shtohet se Qeveria e Serbisë po ndjek një politikë të thellimit të lidhjeve politike, ekonomike dhe të sigurisë me Rusinë dhe Kinën, ndonëse formalisht ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në projektligj thuhet se shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe të cilën shumë qytetarë të Serbisë ia atribuojnë neglizhencës së lidhur me korrupsionin në kontraktimin e infrastrukturës shtetërore, kërkon një hetim të plotë, transparent dhe të pavarur.

Duke theksuar se SHBA-ja ka interes të përhershëm për një Serbi të qëndrueshme, demokratike dhe sovrane, të përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë rajonale, si dhe të rreshtuar fuqishëm nga institucionet euroatlantike dhe të çliruar nga ndikimi malinj i jashtëm, projektligji kërkon që sekretari i Shtetit të ushtrojë presion ndaj Qeverisë së Serbisë për të mundësuar hetime të pavarura dhe të besueshme për tragjedinë në Novi Sad dhe akuzat për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve paqësorë, si dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë zyrtarët për të cilët konstatohet se janë përgjegjës.

Përveç theksimit të lidhjeve të Beogradit me Kinën dhe Rusinë, në tekst thuhet se Serbia dhe Irani kanë thelluar lidhjet teknologjike dhe politike, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së dhe komunitetit ndërkombëtar ndaj Iranit, si dhe se Qeveria e Serbisë dërgoi një ministër në Teheran si të dërguar personal të Vuçiqit në funeralin e ish-udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, duke iu bashkuar delegacioneve nga Rusia dhe Kina në një kohë kur shumica e qeverive evropiane nuk kishin përfaqësuesit e tyre.

Edhe EXPO në projektligj

Projektligji kërkon që, jo më vonë se 180 ditë nga hyrja e tij në fuqi, në rast se miratohet, sekretari i Shtetit, në koordinim me drejtorin e Inteligjencës Kombëtare dhe sekretarin e Mbrojtjes, t’u paraqesë komiteteve të Kongresit një raport mbi shtrirjen e ndikimit politik, ekonomik, energjetik dhe të sigurisë të Rusisë në Serbi.

Raporti duhet të përfshijë gjithashtu shtrirjen e lidhjeve investuese, infrastrukturore, si dhe politike dhe të sigurisë ndërmjet Serbisë dhe Kinës, përfshirë të gjitha implikimet për interesat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, si dhe masën në të cilën lidhjet e ngushta ekonomike, politike dhe të tjera të Serbisë me Rusinë dhe Kinën kërcënojnë interesat e SHBA-së.

Përveç kësaj, sekretari i Shtetit, në koordinim me drejtuesit e agjencive të tjera federale, duhet që jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit, t’u paraqesë komiteteve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat objektiva specifike për angazhimin dypalësh që pasqyrojnë mjedisin politik në Serbi, përfshirë një vlerësim se si Dialogu Strategjik SHBA-Serbi do të kontribuojë në realizimin e këtyre objektivave.

Kjo duhet të përfshijë një vlerësim se deri në çfarë mase politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Qeverisë së Serbisë mbetet në përputhje me politikat e NATO-s dhe BE-së ose është larguar prej tyre, përfshirë edhe përmes lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.

Në këtë kontekst, sekretarit të Shtetit i kërkohet gjithashtu të vlerësojë burimet dhe mjetet në dispozicion të partnerëve të huaj për mbështetjen e mediave të pavarura, shoqërisë civile dhe reformës së gjyqësorit në Serbi, të vlerësojë nëse Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë hapa të besueshëm për hetimin e tragjedisë në Novi Sad dhe akuzave për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, si dhe konsultimet dypalëshe për çështjet e korrupsionit, prokurimit publik dhe sundimit të ligjit, përfshirë edhe në kontekstin e ekspozitës EXPO 2027.

Çfarë mund të fitojë Serbia?

Sipas projektligjit, nëse Qeveria e Serbisë ndërmerr hapa për forcimin e rrugës euroatlantike, përfshirë një hetim të besueshëm dhe të pavarur për shembjen e strehës prej betoni në Novi Sad dhe kërkimin e llogaridhënies për përdorimin e tepruar të forcës ndaj protestuesve paqësorë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duhet të ndërmarrë hapa për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë veprime për forcimin e institucioneve demokratike të Serbisë dhe qëndrueshmërisë së saj ndaj ndikimeve të dëmshme të huaja.

Presidenti duhet gjithashtu të ruajë dhe, sipas nevojës, të zgjerojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Serbinë, në përputhje me harmonizimin e Serbisë me prioritetet e sigurisë së NATO-s dhe BE-së.

Më tej, sekretari i Shtetit duhet të synojë të avancojë më tej kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe shkëmbimet akademike ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë.

Që ky projektligj të shndërrohet në ligj, ai duhet të marrë mbështetjen e dy dhomave të Kongresit amerikan.

Ambasadori William Walker propozim partive politike: Aktivisti Faton Bislimi kandidat për president

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William G. Walker, u është drejtuar me një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton Bislimin si kandidat për President të Kosovës. Ai është aktivist dhe politikan shqiptar nga Kosova dhe shërbeu si anëtar i parlamentit të Kosovës në vitin 2020.

Telegrafi ka siguruar letrën e ambasadorit Walker, në të cilën diplomati amerikan shpreh shqetësimin e tij për, siç e cilëson, bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Letra u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën që emri dhe kualifikimet e Bislimit të merren në konsideratë gjatë diskutimeve për presidentin.

Letra është konfirmuar për Telegrafin, nga persona afër ambasadorit amerikan Wollker.

Letra e plotë:

Nga: Ambasadori (në pension) William G. Walker

Lënda: Propozim për kandidaturë për President të Kosovës

Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nuk besoj se zgjedhje të tjera do të sillnin qartësi apo zgjidhje për këtë situatë, e aq më pak ta rikthenin Kosovën në rrugën e një qeverisjeje efektive.

Në mënyrë që institucioni i Presidencës ta ushtrojë me sukses rolin e tij, Kosovës i nevojitet një person me aftësi të veçanta dhe me përkushtim të fuqishëm për ta avancuar vendin drejt pozitës që i takon në botë.

Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër.

Faton “Tony” Bislimin e njoh prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e tij në mendim dhe për aftësinë e tij për t’i artikuluar dhe mbrojtur qartë qëndrimet e veta për çfarëdo çështjeje.

Sipas mendimit tim, ndër emrat që mund të merren në konsideratë, Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme, si dhe profilin personal që kërkohet për të qenë një President i suksesshëm.

Më lejoni t’i rendis disa prej cilësive që, sipas meje, janë thelbësore për ushtrimin me sukses të detyrës së Presidentit:

1. Njohja e botës përtej Kosovës

Fatoni ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Njohuritë dhe përvoja e tij ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme.

2. Formim i shkëlqyer akademik

Studimet e Fatonit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada kanë qenë të nivelit më të lartë. Po ashtu, aftësitë e tij si edukator dhe ligjërues janë dëshmuar gjerësisht.

3. Aftësitë komunikuese.

Fatoni zotëron në mënyrë të plotë shqipen dhe anglishten, ndërsa, me sa di, edhe frëngjishten.

4. Njohje e thellë e procesit të shtetformimit të Kosovës

Fatoni ka njohuri dhe kuptim të jashtëzakonshëm për rrugëtimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës së viteve ’90, si dhe për proceset komplekse dhe personalitetet që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ai ka pasur gjithashtu kontakte personale me shumë prej akterëve të përfshirë.

5. Personaliteti

Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme sociale. Di të jetë i afërt dhe serioz kur situata e kërkon, por edhe të sjellë lehtësi dhe humor kur është e nevojshme. Janë të paktë ata që largohen nga një bisedë me Fatonin të zemëruar apo të pakënaqur, pavarësisht dallimeve në argumente apo pikëpamje. Pikërisht ky është lloji i personalitetit që kërkohet për një Presidencë të suksesshme.

6. Kandidat i konsensusit

Kosova ka nevojë të madhe për një President që perceptohet si përfaqësues i vendit në tërësi, jo i një partie, i një individi apo i një qëndrimi të ngurtë politik për çdo çështje. Fatoni nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë.

Me një fjalë, sipas mendimit tim, Fatoni i posedon të gjitha cilësitë e nevojshme për të qenë një President i suksesshëm i Kosovës.

Kërkoj vetëm që emri dhe kualifikimet e tija të merren në konsideratë gjatë diskutimeve tuaja.

Me respekt dhe me urimet më të mira,

Amb. William G. Walker

Shënim: Kjo letër u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në ndërkohë deri në publikimin e letrës nuk është konfirmuar nga LVV, PDK, LDK e AAK që e njëjta ka arritur në adresën e tyre.

Ndryshe Faton Bislimi aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punon e avokon për çështjen e shqiptarëve./Telegrafi

Gjykata rrëzon vendimin e SHBA-së për pezullimin e vizave të emigrimit nga 75 vende, përfshirë nga Kosova

Radio Evropa e Lirë

Një gjykatëse federale ka rrëzuar pezullimin e vendosur nga administrata amerikane për shqyrtimin e vizave për migrantë nga 75 vende, përfshirë nga Kosova.

Sipas Gjykatës së Qarkut Jugor të Nju Jorkut, vendimi i administratës amerikane vlerësohet i “kundërligjshëm” dhe gjykatësja Jeannette Vargas tha se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka “tejkaluar autoritetin e tij” kur e mori vendimin.

Vendimi, që hyri në fuqi në janar të këtij viti, pezullonte shqyrtimin e aplikimeve të vizave për migrantë nga shtetasit e 75 vendeve, përfshirë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Po ashtu, në këtë ndalesë u përfshin edhe shtetet sikurse Afganistani, Egjipti, Brazili, Iraku, Nigeria, Somalia, Tajlanda dhe Jemeni.

“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga 75 shtete, migrantët nga të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X në janar kur njoftoi për vendimin.

 

Por Vargas vendosi se zyrtarët konsullorë u udhëzuan gabim për të refuzuar vizat e migrimit duke u bazuar vetëm në vendin e origjinës së aplikuesit.

Administrata amerikane mund ta apelojë vendimin e gjykatës federale.

Para se të publikohej vendimi, më 4 janar, presidenti amerikan, Donald Trump, e publikoi në Truth Social një listë të vendeve migrantët e të cilave marrin ndihmë sociale nga Qeveria amerikane.

Kosova ishte në mesin e tyre, pasi 46 për qind e emigrantëve kosovarë që jetojnë në SHBA marrin ndihmë sociale nga Qeveria atje, sipas listës së publikuar nga presidenti amerikan.

Trump gjatë fushatës presidenciale për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë premtoi se do të dëbonte miliona migrantë pa dokumente dhe administrata e tij ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kur ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë, masa që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe uljen e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare.

SHBA-ja rithekson thirrjen për formimin e institucioneve në Kosovë

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.

Kjo është thirrja e dytë e ngjashme e bërë nga pala amerikane brenda pak kohësh, pasi kërkesë të ngjashme për bashkëpunim kishte shprehur edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë më 12 gusht.

Thirrja e re amerikane vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët bënë betimin, por procesi nuk kaloi në fazën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Albin Kurti, në cilësinë e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke thënë se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.

Edhe në vazhdimin e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë shtesë për konsultime me partitë, por pas kësaj deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas këtij incidenti kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.

Që atëherë, procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka thënë se seanca e radhës do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një marrëveshje politike nuk ka kuptim që seanca të mbahet vetëm si formalitet.

Ndërkohë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me fokus te zgjedhja e presidentit të ardhshëm; pas takimit, të dy thanë se kishte vullnet për të gjetur një zgjidhje, ndërsa u pajtuan që në takimin e radhës të shqyrtojnë emra konkretë për president.

PDK-ja dhe Aleanca, në anën tjetër, kanë kërkuar që seanca të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike. Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit duke kërkuar nga Dehari që ta thërrasë vazhdimin e seancës, ndërsa pati edhe përplasje me deputetë të LVV-së.

Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian u ka bërë më herët thirrje partive politike që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krizën institucionale. BE-ja ka paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në zbatimin e reformave mund ta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.

Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, ndërsa pagesat lidhen me përmbushjen e hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave.

Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë përmbushës ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat deri në fund të dhjetorit.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi i zgjatur politik ka kufizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e agjendës së reformave të Planit të Rritjes dhe qasjen në financime të jashtme.

SHBA-të braktisin 4iG- Banka e qeverisë amerikane anulon nënshkrimin e marrëveshjes me pronarin e One Albania në minutën e fundit

Qeveria amerikane ka vendosur të tërhiqet, të paktën përkohësisht, nga nënshkrimi i një marrëveshje financimi me grupin hungarez 4iG. Marrëveshja midis 4iG dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit (DFC) të SHBA-së do të nënshkruhej në Budapest të martën në mëngjes, por në minutën e fundit u lajmërua anulimi i saj.

Ceremonia e nënshkrimit do të mbahej në selinë e 4iG, por pak para fillimit të evenimentit, të ftuarit morën një mesazh nga drejtori ekzekutiv Gellért Jászai, që informonte për anulimin e programit. Sipas mesazhit, marrëveshja pritet të nënshkruhet në fund të shtatorit. Sipas HVG, delegacioni amerikan është larguar tashmë nga Hungaria.

SHBA-të braktisin 4iG/ Banka e qeverisë amerikane anullon

Gellért Jászai zhvilloi bisedime me partnerët strategjikë amerikanë të kompanisë dhe zyrtarët qeveritarë në Uashington në fillim të gushtit.

Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e bashkëpunimeve të 4iG në sektorët e hapësirës, ​​mbrojtjes, energjisë dhe zhvillimit të infrastrukturës dixhitale, si dhe në mundësitë rajonale të investimeve të kompanisë.

SHBA-të braktisin 4iG/ Banka e qeverisë amerikane anullon

Një pikë kulmore e vizitës ishte një takim me drejtuesit e DFC-së: Gellért Jászai u takua me Conor Coleman, drejtorin kryesor të investimeve të organizatës, dhe Christopher P. Vincze, një anëtar i bordit të drejtorëve të DFC-së.

Megjithatë, nënshkrimi tani është shtyrë, pak pasi qeveria hungareze njoftoi se do të niste një shqyrtim i plotë i marrëdhënies midis 4iG dhe shtetit hungarez, me autoritetet që do të shqyrtonin të gjitha kontratat e lidhura me shtetin./ Kapitali.al

Ndërroi avionin pas një kërcënimi të mundshëm iranian- Trump konfirmon manovrën: Bëra atë që më tha Shërbimi Sekret

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se muajin e kaluar ndërroi në mënyrë të fshehtë avionin me të cilin po largohej nga samiti i NATO-s në Turqi, pas një kërcënimi të mundshëm ndaj tij.
Trump tha se vendimi u mor nga Shërbimi Sekret dhe ushtria amerikane, të cilët i kërkuan të udhëtonte me një avion tjetër.
“Unë zgjedh Shërbimin Sekret dhe ushtrinë. Ata donin që unë të udhëtoja me një fluturim tjetër, një aeroplan tjetër. Thjesht duhet të bëj atë që thonë ata”, u tha Trump gazetarëve.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, më 8 korrik Trump u pa duke hipur në Air Force One në aeroportin e Ankarasë, ndërsa kamerat televizive filmonin largimin e tij. Megjithatë, presidenti nuk qëndroi në avion. Ai u nxor në mënyrë të fshehtë përmes një kamioni ushqimi dhe u transportua drejt një avioni ushtarak më të vogël, C-32A, një Boeing 757 i modifikuar.

Zyrtarë amerikanë i thanë CBS News se SHBA-ja kishte zbuluar një kërcënim të besueshëm iranian për të qëlluar një raketë drejt avionit presidencial. Ndërkohë, The New York Times raportoi se inteligjenca amerikane kishte marrë informacion për një person pranë samitit të NATO-s, i cili ishte parë me një raketë të lëshuar nga supi.
Pjesë e stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe gazetarët që ndodheshin në avionin fillestar nuk ishin në dijeni se Trump ishte larguar. Ata vazhduan udhëtimin me avionin që përdorte shenjën e thirrjes “AF1”, në mënyrë që të ruhej mashtrimi.

Ndërkohë, avioni C-32A me Trumpin përdori shenjën e thirrjes “Reach 18”. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth hipi veçmas në të njëjtin avion, për ta bërë lëvizjen të dukej sa më normale.
Trump tha se avioni në të cilin ai udhëtoi mund të kishte qenë madje në rrezik më të madh, pasi një sulmues do të kishte më shumë gjasa të synonte avionin që besohej se transportonte presidentin.
“Mendoj se kishte një kërcënim atje jashtë. Nuk pyeta shumë për këtë. Marr shumë kërcënime”, deklaroi Trump, duke shtuar se kishte edhe kërcënime të tjera për të cilat publiku nuk ishte në dijeni.

Sipas raportimeve, në avionin fillestar ndodheshin edhe disa anëtarë të kabinetit të Trumpit, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Sekretarin e Thesarit Scott Bessent.
Manovra sekrete ndodhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara kishin rifilluar sulmet ushtarake ndaj Iranit, pas dështimit të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Trump kishte mbërritur në Turqi me një Boeing 747-8 më të ri, të dhuruar nga Katari, por kishte deklaruar se do të largohej me avionin e vjetër Air Force One “për hir të kohërave të vjetra”.

Pas largimit nga Turqia, Trump udhëtoi drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas u rikthye në avionin presidencial. Megjithatë, ende nuk është bërë e qartë se si u realizua kalimi nga C-32A në Air Force One.
Sipas rregullave amerikane, “Air Force One” është shenja e thirrjes që përdoret për çdo avion që transporton presidentin e Shteteve të Bashkuara. bw

SHBA- Fillon gjyqi për vrasjen e reperit Tupac Shakur

 

VOAL- Gjyqi për një nga çështjet penale më të diskutueshme të pazgjidhura në historinë amerikane filloi në Shtetet e Bashkuara të hënën, me përzgjedhjen e jurisë: vrasja e reperit Tupac Shakur në Las Vegas në vitin 1996. Ish-udhëheqësi i një bande kriminale në Los Angeles, i arrestuar tre vjet më parë, është në gjyq. Ai mban pafajësinë e tij.

Vrasja e vitit 1996

Kanë kaluar gati tridhjetë vjet që nga ngjarjet: ikona e repit të Bregut Perëndimor u vra ndërsa udhëtonte me BMW-në e tij. Ai ishte 25 vjeç dhe në kulmin e suksesit të tij. Në atë kohë, motivi për vrasjen i atribuohej rivalitetit historik midis dy grupeve të Los Angeles ose luftës së vazhdueshme midis reperëve të Bregut Perëndimor dhe Bregut Lindor. Vetëm dy vjet më parë, Tupac Shakur kishte qenë tashmë viktimë e një sulmi të armatosur ndërsa ndodhej në New York duke regjistruar një këngë, një territor i kontrolluar nga reperët Puff Daddy dhe Notorious B.I.G.

Arrestimi në vitin 2023

Pavarësisht dyshimeve, vrasja e Tupac Shakur mbeti një çështje e pazbardhur për tre dekada. Pika e kthesës erdhi në vitin 2023, me arrestimin e Duane Davis, udhëheqësit të një bande në Los Angeles në atë kohë. Në një kujtim të botuar në vitin 2018, Davis mburrej se drejtoi ekspeditën ndëshkuese, por nuk e tërhoqi këmbëzën.

Davis dyshohet se furnizoi armët

Që nga arrestimi i tij, Davis ka shpallur vazhdimisht pafajësinë e tij. Natën e të shtënave, ai ishte me tre persona të tjerë, të cilët të gjithë kanë vdekur që atëherë, në Cadillac-un e bardhë nga i cili u qëlluan të shtënat. Ai nuk akuzohet për të shtënë në BMW-në e Shakur, por për sigurimin e armëve për autorët e sulmit. Sipas ligjit të Nevadës, kjo është e mjaftueshme për të justifikuar një akuzë për vrasje të shkallës së parë. Procedimet pritet të zgjasin disa ditë. Nëse dënohet, Duane Davis përballet me burgim të përjetshëm. RSI

Ambasada në Tiranë ndan mesazhin e Marco Rubios: Një vend që nuk siguron burimet jetike dhe nuk prodhon ilaçe, s’mund të mbrojë popullin e tij

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ku theksohet se politika e jashtme nuk mund të shihet e shkëputur nga fuqia ekonomike, kontrolli i kufijve dhe siguria energjetike.

Mesazhi nuk specifikon një shtet apo qeveri të veçantë, por vjen në një kohë kur këto çështje janë pjesë e debatit edhe në Shqipëri.

Por vendi është i përfshirë nga protestat që mbahen prej më shumë se 2 muajsh në Tiranë, por edhe në Diasporë.

Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.

“Politika e jashtme nuk mund të ndahet nga politika ekonomike, politika e kufijve, politika energjetike apo nga çdo fushë tjetër që është kritike për interesat tona kombëtare.”

Në vijim, Rubio e lidh fuqinë e një shteti me aftësinë për të prodhuar vetë, për të kontrolluar kufijtë dhe për të garantuar aksesin në burime strategjike. Deklarata është pjesë e argumentimit të tij për riorientimin e politikës së jashtme amerikane drejt asaj që ai e quan themelet reale të fuqisë kombëtare.

“Një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë imigracionin ose të sigurojë qasje në burimet jetike, nuk mund të mbrojë popullin e tij, nuk mund të mbrojë interesat e tij dhe nuk mund të mbrojë mënyrën e tij të jetesës.”

Mesazhi i sekretarit Rubio vë në një linjë sigurinë kombëtare me ekonominë, energjinë, kontrollin e kufijve dhe aksesin në burimet strategjike, duke reflektuar qasjen e administratës amerikane se këto fusha janë pjesë e drejtpërdrejtë e interesit kombëtar.

Ambasada e SHBA reagon pas emërimit të Eric Wendtit ambasador në Shqipëri: Do të mbështesë vizionin e Trumpit për një NATO më të fortë!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar pas konfirmimit të Eric Wendt për rolin e tij si Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri.

Përmes një reagimi zyrtar ambasada konfirmoi ardhjen e Wendt për të marrë rolin e përfaqësuesit më të lartë të SHBA në Shqipëri.

Më tej në reagim ambasada shkruan se pritet ardhja e Wendt në Tiranë, nga ku ai, sipas tyre, do të mbështesë vizionin e presidentit Donald Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane.

“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Senati i SHBA konfirmon kandidaturën e Eric Wendt si ambasador në Shqipëri. Pritet firma e Donald Trumpit

Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar Eric Wendt si ambasadorin e ri të SHBA-së në Shqipëri, duke i hapur rrugën marrjes së detyrës së tij diplomatike në Tiranë. Kandidatura e tij u miratua në seancën plenare të Senatit ditën e sotme me 50 vota pro dhe 44 kundër në një votim në bllok, pasi disa javë më parë kishte marrë mbështetjen në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit.

Mocioni për kalimin në seancë ekzekutive për shqyrtimin e emërimit, në përputhje me Rezolutën 817 të Senatit (Kongresi i 119-të), u miratua në Senat me votim me zë.

Pas miratimit të kandidaturës nga Senati i Shteteve të Bashkuara, emërimi i Eric Wendt si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri pritet të formalizohet me nënshkrimin e Presidentit Donald Trump. Ky është hapi përfundimtar në procedurën amerikane të emërimit, i cili e bën zyrtar emërimin e tij si ambasador.

Më pas, Eric Wendt pritet të udhëtojë drejt Tiranës për të marrë detyrën. Mandati i tij si Ambasador i SHBA-së në Shqipëri nis zyrtarisht pas dorëzimit të letrave kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, një ceremoni protokollare që shënon fillimin e plotë të misionit të tij diplomatik në vend.

Vlen të theksohet se Eric Wendt vjen në këtë detyrë si pasues i ambasadores Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në qershor të vitit 2023. Që prej largimit të saj, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, pasi emërimi i një ambasadori të ri u vonua për shkak të procedurave të konfirmimit në Senatin amerikan. Administrata e presidentit Joe Biden më herët kishte propozuar diplomatin David J. Kostelancik për këtë post, por kandidatura e tij nuk arriti të finalizohej në Senat.

-Por kush është Eric Wendt, Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë?

Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.

Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati. gsh

Një raketë e SpaceX pritet të përplaset me Hënën, ekspertët e NASA tregojnë çfarë pritet të ndodhë

Hëna, e cila për miliona vite ka përballuar goditje të panumërta nga asteroidë dhe meteorë, pritet të përjetojë një tjetër përplasje, këtë herë të shkaktuar nga një objekt i prodhuar nga njeriu.

Sipas Qendrës për Studimet e Objekteve Pranë Tokës të NASA-s (CNEOS), pjesa e sipërme e një rakete Falcon 9 të kompanisë SpaceX pritet të përplaset me sipërfaqen hënore më 5 gusht.

Raketa ka udhëtuar në hapësirë me një shpejtësi prej rreth 2.43 kilometrash në sekondë, ose afërsisht 5,400 milje në orë. Bëhet fjalë për një pjesë të raketës së përdorur gjatë një lëshimi të SpaceX në janar të vitit 2025, e cila, sipas astronomëve të pavarur që analizuan të dhënat publike, ka përfunduar në një trajektore të paqëllimshme përplasjeje me Hënën.

NASA ka bërë të ditur se kjo ngjarje nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën.

“Nuk ka asnjë rrezik për Tokën”, deklaroi zëdhënësi i NASA-s, Jimi Russell, duke shtuar se agjencia amerikane do të vazhdojë të monitorojë përforcuesin për qëllime studimore dhe trajnimi, si dhe do të vëzhgojë më vonë vendin e përplasjes për kërkime shkencore.

Astronomi Bill Gray, i cili zbuloi i pari trajektoren, thotë se objekti do të ulet pranë Kraterit Ajnshtajn, i cili ndodhet në pjesën e Hënës që merr dritën e ditës dhe është i dukshëm nga Toka. Ai parashikon se do të krijojë një krater me diametër më shumë se 17 metra. Panorama


Send this to a friend