E kemi fjalën për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme për Ukrainën e cila po synohet me demarshe të shtuara në tryzat diplomatike ndërkombëtare dhe ku java e kaluar shpresohej të ishte gur kilometrik. Konkretisht, më 10 – 11 Nëntor u zhvillua takimi tripalësh në Abu Dabi ndërmjet SHBA-ve, Rusisë dhe Ukrainës: i pasuar nga takimet e ndërmjetësuesve amerikanë Kushner dhe Witkoff në Moskë me Putinin dhe më 13 nëntor me Zelenskin në Dublin; ku më 12 – 14 Nëntor ishte Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe i BE-së, të dy kushtuar Ukrainës.
Sa për takimin e shumëpritur në Abu Dabi, mbas një pauze 6 mujore, sipas pohimit të vet Jared Kushner ai ishte “ hap i parë i mirë” por vetëm aq. Ndonëse vjehri i tij, Presidenti Trump 2 vite më parë kishte premtuar me bujë se brenda 24 orëve do t’i jepte fund luftës atje! Por dy javë më parë foli për një “marrëveshje të madhe paqeje”këtë radhë nën ethet e katastrofës së tij të mesmandatit më 3 Nëntor.
Në fakt, takimi në Abu Dabi vërtetoi parashikimin e ekspertit të njohur, Nico Lange se “ edhe një shkëmbim i të burgosurve të luftës dhe vijimi i negociatave do të ishte sukses i Abu Dabisë”. Sa për paqen në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha nga Dublini se “pas kësaj jave paqja nuk është më afër ”
Në një kohë kur nevojat për armëpushim dhe paqe janë më ulëritëse se kurrë. Kjo për shkak të gjendjes dhe treguesve kryesore të të dyja palëve në luftë, sidomos Rusisë por edhe perspektiva për Ukrainën në prag të dimrit të tmerrshëm.
Natyrisht ka përpjekje të shtuara, sidomos nga Kievi, Uashingtoni dhe Brukseli që po intensifikojnë demarshet diplomatike drejt një paqeje të qëndrueshme. Eshtë pozitive që edhe negociatorët amerikanë e kanë kuptuar dhe pranuar realitetin e zymtë dhe domosdoshmërinë e pranisë europiane, të shoqëruara me qëndrime më të buta dhe miqësore ndaj Ukrainës dhe Zelenskit.
Ukraina natyrisht ka çdo të drejtë të kërkojë me zë të lartë paqe, ca më tepër se ky dimër parashikohet të jetë tejet i egër me përshkallëzim të bombardimeve ruse ndaj infrastrukturës energjitike, dixhitale dhe ngrohjes, me qëllim që ta gjunjëzojë Kievin dhe gjithë Ukrainën, duke i detyruar të pranojnë paqe – pushtimin rus.
Por sa i takon Moskës, pavarësisht nga gjestet dhe aktet kozmetike diplomatike, të cilat nuk ndryshojnë asgjë në thelbin e politikës dhe qëndrimeve të saj ndaj Ukrainës dhe Europës në përgjithësi, ajo po tregon se nuk ka ndonjë interes të vërtetë për armëpushimin dhe paqen që duan Ukraina dhe Europa; por, për të mos ia prishur qejfin Presidentit Trump dhe për të fituar kohë, Putini tregohet i matur dhe i kujdesshëm, me vullnet në parim, por duke minuar çdo përpjekje në terren.
Ndal le ta themi qysh në fillim se gjasat për armëpushim dhe sidomos për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës janë shumë të pakta, për të mos thënë inekzistente. Kjo kryesisht për shkak të trikëndëshit të papajtueshëm bermudian të kërkesave dhe interesave ndërmjet Rusisë, SHBA-ve, Ukrainës dhe Europës. Kjo e fundit dhe Ukraina kërkojnë me të drejtë paqe, por pa cënuar dhe humbur sovranitetin dhe integritetin territorial, me forca sigurie europiane, me garanci se Rusia nuk do të ndërmarrë më sulme të tilla agresive ndaj Ukrainës dhe as ndonjë vendi tjetër; dhe që Ukraina të vendosë vetë mbi aleancat e saj politike dhe ushtarake.
Mirëpo Rusia vazhdon të kërkojë krejt të kundërtën; deri tani ajo ka dashur një Ukrainë pa Donbasin, pa NATO, pa ushtri të vërtetë dhe pa trupa sigurie perendimore. Tani së fundi, ajo i ka shtuar kërkesat e saj, duke kërkuar akoma më shumë tokë dhe territore në Ukrainë; ndoshta në Kerson, Zaporishia, Charkiv, Odesa, Dnipretrovsk dhe Mikovij të cilët liderët rusë i konsiderojnë si “ Rusia e re”.
Ndërsa në muajin Qershor të vitit 2025, Putini deklaronte se “Ukraina është krijesë artificiale, territor historik rus dhe se na përket e gjitha neve”!”
Në zbërthim të kësaj direktive, Vladimir Medinski, Kryenegociatori rus, historiani dhe autori i librave të historisë ka deklaruar ditët e fundit në televizionin rus se “ çdo centimetër tokë që ne e konsiderojmë tonën do t’i kthehet mbrapsht Rusisë, sepse “kudo ku shkel këmba e ushtarit tonë është tokë ruse”.
Mirëpo, në të tilla kushte kjo paqe do të ishte e rreme, e padrejtë dhe mbi të gjitha pushtim/ kapitullim për Ukrainën ose “një paqe varrezë” siç thotë Sigmar Gabriel, ish Ministri i Jashtëm gjerman.
Nga ana e tyre, SHBA-të dhe Presidenti Trump e duan, madje me ngut paqen, ciladoqoftë ajo, por më tepër që t’i çelë rrugën një Ujdie të madhe fitimprurëse tregtare. Sepse, siç e thotë edhe gjenerali amerikan Ben Hodges, ish komandanti i NATO-s për Europën, “lufta në Ukrainë për Trump është më tepër një operacion i madh imobilar”. Ndaj ai ka qenë më miqësor ndaj Putinit se sa Zelenskit dhe liderëve të tjerë europianë.
Ndërkohë, ndoshta miqtë tanë amerikanë nuk po arrijnë t’i shohin shkaqet dhe arsyet e mëposhtëme madhore përse Moska dhe Putini e duan me çdo kusht Ukrainën. Se ajo është vendi i dytë më i madh sllav pas Rusisë, me popullsi katolike, shumë e rëndësishme për të balancuar popullsinë myslimane; ajo ka pasuri marramendase natyrore nëntokësore, sidomos qymyr në pellgun gjigand të Donbasit, çelik dhe minerale të rralla. Ajo është edhe hambar i vërtetë gruri dhe drithrash, duke mbizotëruar edhe në tregjet botërore.
Historiani gjerman Martin Schulze Wessel, në librin e tij “Putini nuk do të ndalë“ thotë se për Moskën Ukraina është si dilema hamletiane “të jesh apo të mos jesh“!
Mbi të gjitha, Ukraina përfaqëson modelin perendimor të politikës, ekonomisë dhe demokracisë, një sfidë dhe alternativë e padurueshme për Putinin.
Po pse e thamë qysh në titull “ shumë zhurmë për asgjë?” Në radhë të parë se midis Moskës dhe Kievit mungojnë edhe elementët më të domosdoshëm që njihen si “ masat e krijimit të besimit” parim i shenjtë i OBE-së, OKB-së që janë edhe “ parathënia “ një procesi paqebërës. Mirëpo vetëm për besim nuk mund të bëhet fjalë aty. Në një kohë kur Rusia shpreh gatishmërinë formale për paqe, ajo vazhdon të përshkallëzojë bombardimet ndaj Kievit dhe infrastrukturës së saj energjitike. Ja, edhe në prag të bisedimeve në Abu Dabi, 12 rajone në Ukrainë ishin pa drita dhe ngrohje, si pasojë e bombardimeve ruse që vazhdojnë të përshkallëzohen. Vetë Lavrovi e ka deklaruar se pavarësisht nga bisedimet për paqe, objektivi ynë mbetet realizimi i objektivave të Operacionit Special të 24 Shkurtit 2022!
Dhe sikur të mos mjaftohej me aq, tani së fundi, këtij vargu sfidash dhe vështirësish, Rusia, me mirëkuptimin mesa duket të Trumpit që foli për një Ukrainë me territore të ndryshuara pas marrëveshjes së mundshme të paqes i ka shtuar edhe kërkesën tjetër gjeopolitike për “ një arkitekturë të re sigurie për Europën”, e cila se i ndërlikon edhe më shumë gjërat dhe bisedimet në fjalë.
Pra, tani Rusia nuk do që të bisedohet vetëm për përfundimin e luftës dhe një paqe të mundshme në Ukrainë, por edhe për një kornizë të re të sigurisë europiane; ku problemi fillon qysh me interpretimin e fjalës “ siguri”, për kë, kur dhe si. “Sharra duket se ka hasur në gozhdë” qysh tani, mbasi Rusia kërkon që kjo kornizë sigurie të jetë tema e parë e bisedimeve dhe pastaj paqja dhe të tjerat; ndërsa Ukraina dhe Europa kërkojnë së pari armëpushimin, garancitë e sigurisë dhe pastaj artiktekturën e sigurisë. Madje, liderët europianë shprehen me skepticizëm dhe kundër këtij propozimi. Më hapur e tha disa ditë më parë, Ministri i Jashtëm gjerman Wadepful se “ nuk kemi nevojë për arkitekturë të re sigurie, por për të rivendosur atë që kemi” Po kështu Kaja Kallas, Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së vuri në dyshim seriozitetin e Moskës në bisedimet për paqe.
Sfida këtu bëhet akoma më e madhe sepse pas këtij propozimi me emër tingëllues qëndron synimi rus për ta kthyer NATO-në në kufijtë e vitit 1997, pra të anullohet zgjerimi i saj drejt vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë vendet Balltike dhe Finlandën. Më konkretisht, Rusia kërkon largimin e tyre nga NATO ose të bazave të saj ushtarake atje dhe ndërprerjen e ndihmave për Ukrainën.
Nuk mund te konfirmohet, por nga burime të besueshme mediatike që u referohen dokumentave të tyre në bisedimet e Abu Dabisë, pretendimet ruse janë konkrete dhe me emër. Kështu, sipas ideologut tjetër të mirënjohur rus, Aleksandër Dugin, Finlanda ka qenë provincë kufitare dhe vasale ruse, pjesë e Perandorisë cariste. Ndërsa Ish Presidenti Medvedev ka thënë se “ vendet Balltike dhe Polonia kanë qenë provincat tona balltike”.
Tanimë është e qartë se synimi madhor gjeopolitik i Putinit është rivendosja e statuskuosë përpara vitit 1990 dhe e ndikimit rus në hemisferën e ish Bashkimit Sovjetik. Duke përfituar natyrisht shumë edhe nga marrëdhëniet e tij të privilegjuara me Presidentin Trump.
Ndërkohë, Moska ka kërcënuar se edhe pas vendosjes së paqes, ajo nuk do të pranojë trupa sigurie europiane në Ukrainë, duke minuar qysh përpara nisjes së tyre çdo demarsh diplomatik me europianët. Madje, duke deklaruar që nëse europianët nuk bien dakord, Rusia do t’i realizojë synimet e saj edhe me forcë.
Ndërkohë, Moska jo vetëm nuk po tregon shenja tërheqjeje, por muajt e fundit ajo po përshkallëzon masat, sulmet, provokimet dhe kërcënimet edhe ndaj vendeve anëtare të NATO-s, veçanërisht Estonisë, Polonisë, Rumanisë, etj. Ajo ka ndërmarrë dhe po përgatit sulme të tjera në kuadrin e “Luftës Hibride“ me akte të njohura tashmë sabotazhi, sulme kibernetike, goditje me dronë dhe mjete të tjera ndaj infrastrukturës energjitike dhe dixhitale, propagandë armiqësore dhe ndërhyrje në proceset zgjedhore në vendet e BE-së.
Në fakt, sulmet hibride për Rusinë kanë më shumë interes dhe avantazhe se sa sulmet ushtarake klasike. Kjo mbasi sipas ekspertit të mirënjohur ushtarak austriak, Markus Reisner, ”në shoqëritë e vendeve europiane, 1000 trolle Interneti kanë më tepër efekt se sa 100.000 ushtarë të armatosur rëndë”.
Për rrjedhojë, tani çështja madhore që shtrohet për diskutim është se si, ku dhe kur do të vendoset fati i armëpushimit dhe paqes, në tryezat diplomatike apo në frontin e luftimeve strategjike?
Problemi tjetër i madh është që edhe nëse arrihet një marrëveshje diplomatike, ku Europa tash e tutje do të jetë në tryezën e bisedimeve me “shtatëshen” e saj të miratuar në Dublin më 13 Nëntor, një arritje e rëndësishme diplomatike, prapë do të kërkohen detyrimisht garanci juridike dhe ushtarake që Rusia të mos ndërmarrë më sulme të armatosura ndaj vendeve të tjera. Mirëpo askush nuk jep të tilla garanci mbasi nuk ka besim të Moska, e cila ka treguar mëse njëherë se është e pabesë; ndaj, tani vërtet që paqja dhe garancitë përkatëse mund të realizohen dhe nënshkruhen në tryezat diplomatike, por garantimi i tyre mund të bëhet vetëm me gjuhën e forcës, të dekurajimit, të shtimit të kapaciteteve mbrojtëse europiane dhe ukrainase, që Putini ta kuptojë se nuk mund t’u kundërvihet më me armë.
Në këto kushte dhe rrethana, demarshet e tanishme diplomatike, sidomos nga pala ruse janë praktikisht lëvizje boshe ose “pa top” siç njihen në gjuhën sportive, sa për të kaluar radhën dhe për amerikanët për të zbutur efektet e katastrofës zgjedhore republikane të mesmandatit. Ca më tepër se të gjitha bisedimet mes tyre deri tani janë të pastrukturuara dhe kaotike.
Për të gjitha këto arsye, buja dhe demarshet për një demek marrëveshje të madhe paqeje mbeten si te komedia e famshme shekspiriane ” shumë zhurmë për asgjë”.
Ndaj, le ta përsëritim fort atë çka pohojnë shumica dërmuese e ekspertëve dhe politologëve: Pa hequr dorë nga demarshet diplomatike në të gjitha formatet e mundshme, paqja në Ukrainë mund të realizohet, ashtu si sugjeron historiani i mirënjohur francez Nicholas Tenzer vetëm me “diplomaci lufte” dmth duke e dekurajuar Rusinë, “duke i treguar muskujt” si në rastin e stërvitjes së tanishme të përbashkët ushtarake të NATO-s në Poloni “ Koalicioni 2026”; me vazhdimin dhe shtimin e ndihmës dhe mbështetjes politike, ushtarake, teknike, ekonomike, financiare dhe humanitare për Ukrainën.