Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për çështjen e shpërndarjes së Kuvendit, duke argumentuar se, sipas Kushtetutës, ai nuk është dashur të shpërndahej tani.
“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.
“Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars“, shtoi ai.
Kryeministri tha se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të thotë fjalën e saj, nëse duhet të ketë zgjedhje të reja apo jo.Ndërsa shtoi se se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin është jokushtetues.
“Dekreti për shpërndarjen nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, ka thënë ai.
Osmani e shpërndau Kuvendin me arsyetimin se dështoi zgjedhja së presidentit deri më 5 mars. Kurti ka thënë se procesi nuk ka mbërritur në rundin e tretë, që do të çonte në zgjedhje automatikisht.
“Mirëpo ky proces nuk arriti ta konsumojë as rundin e parë pasi munguan të gjitha deputetët e partive opozitare dhe partia e cila vazhdon të dirigjohet nga Beogradi. Të gjithë e keni parë mbrëmë pamjen e seancës, kush ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër nuk ishte sepse nuk erdhi. Asnjë deputet që mungoi nuk ka njoftuar kryetaren për arsyen e mungesës, prandaj është lënda në Kushtetuese.
Është detyrë e deputetëve ta kryejnë detyrën e tyre për siç i ka zgjedhur populli, të vijnë në vendin e tyre të punës dhe aty të marrin pjesë dhe të votojnë. Ndodhemi në një situatë kur unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje pa e thënë fjalën e fundit Kushtetuesja. Ata kanë një materie që duhet ta analizojnë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Albin Kurti ka thënë se vetëm pas dështimit të rundit të tretë të votimit do të mund të shkohej në zgjedhje. gsh