Kodi Zgjedhor ka parashikuar si afat të fundit regjistrimin e partive në zgjedhje 70 ditë përpara ditës së votimit.
Dekreti i Presidentit Meta për caktimin e datës së zgjedhjeve ka parashikuar ditën e trembëdhjetë tetorit. Sipas kësaj përllogaritje, afati i fundit i partive për të shkuar në KQZ për t’u regjistruar është data 4 gusht.
Por duke qenë se kjo ditë përkon me pushim zyrtar, atëherë ajo automatikisht shtyhet me 24 orë duke caktuar si datë të fundit 5 gushtin, deri në orën 12:00. Por për të mundësuar regjistrimin e partive duhet më parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nisë me administrimin e këtij procesi zgjedhor.
Sot pritej qe te vendosej ne KQZ, pasi vetë kreu i KQZ-së, Klement Zguri kishte thirrur mbledhje për fillimin e procedurës së administrimit të procesit zgjedhor, por mbledhja deshtoi pasi i pranishem ishte vetem kryetari dhe asnje nga anetaret.
Nderkohe, opozita ka pranuar datën e Presidentit Meta për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në datën 13 tetor. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kishte mbledhur mbrëmjen e së enjtes në selinë e PD-së aleatët e tij, ku kishte dhënë edhe porositë mbi procesin zgjedhor të 13 tetorit.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Basha është shprehur se KQZ ka detyrim ligjor të përgatisë infrastrukturën për organizimin e procesit zgjedhor, më pas është në vullnetin e partive nëse do të duan të regjistrohen apo jo.
“KQZ e ka detyrim të pashmangshëm të përgatisë zgjedhjet e 13 tetorit. Shteti dhe partia janë dy gjëra të ndryshme. Ka një ndryshim rrënjësor midis së drejtës kushtetuese dhe së drejtës partiake. I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje. Partitë politike, pastaj, kanë të drejtën e tyre të marrin apo jo pjesë në këto zgjedhje”, mësohet të ketë thënë Basha.
Por ky qëndrim i kryedemokratit është përthyer si një njohje e 13 tetorit nga opozita, pasi aleatët e tij i janë drejtuar me një letër KQZ, ku i kanë kërkuar që të fillojnë procedurën për administrimin e zgjedhjeve.
PANORAMA
Komentet