VOAL

VOAL

O Cara Italia ….o bel paese – sono Albanese Di Vincenzo Stratigò

December 5, 2021
blank

Komentet

blank

MALLI, AH, KY MALLI IM PËR PETRITIN!..- Nga XHAHID BUSHATI

-Me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të mikut tim të shtrenjtë e të paharruar, poetit të talentuar Petrit Ruka (06.07.2021 – 06.07.2022)-
Kur u takova për herë të parë me Petrit Rukën, nga mënyra sesi fliste, si artikulonte fjalët dhe më recitonte ca vargje, (sa ajër, dritë e qiell kishin ato!), dlirësia e tij shpirtërore, humanizmi, e qeshura e pastër, sytë që i shndrisnin më sillnin në mendje poetët e famshëm rusë që i kisha për zemër. Ngaqë i kisha për zemër, edhe Petrit Ruka u bë pjesë e zemrës sime. I thashë se, që sot e tutje, unë do të thërras me emrin: Petja. Ai qeshi ëmbël. E qeshura e tij e bëri ditën time e ditët që do vinin më të bukura e më ëndërrimtare.
Si unë, si poeti Bedri Islami u munduam dhe i falëm dashurinë tonë shkodrane. Por unë isha gabuar se, në ditët që do vinin, Petja më fali aq dashuri sa mbeta borxh tek Ai. Borxh jam edhe sot… Udhëtuam si bashkëstudentë të një viti, hymë bashkë në auditore, bashkë në rrethin letrar të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, bashkë te Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut”, më vonë… bashkë në vitin 1985 në specializim pasuniversitar, ai për dramaturgji filmike, unë për kritikë letrare; pastaj pas ca vitesh kur vija në Tiranë takoheshim dhe pinim kafe, pastaj për herë të fundit në Shkodër, në promovimin e librit të poetit të talentuar Bedri Islami. Fola unë, foli dhe Petja. E vëzhgoja me kujdes: nuk kishte ndryshuar. Drita e syve dhe e shpirtit, e qeshura e ëmbël, fjalët e zgjedhura poetike që i zgjidhte me aq finesë, siç dinte Petja, vetëm fitonin hapësirë dhe mua më mbulonin me dashuri malli. Në drekën e organizuar, karriget i kishim pranë e pranë. Filluam kujtimet, filluam të tregonim shumë ngjarje, histori dhe përmendje emra personazhesh. Petja, me një kujtesë fenomenale, falenderonte Shkodrën. Fjalët e tij mbartnin aromë dhe trëndafila Shkodre. Mes shumë virtyteve, Mirënjohja spikaste si rreze drite në ndërgjegjen e tij, në shpirtin e tij si biluri.
Petja ishte mik i çmuar në shtëpinë e Bedriut. Nana e tij, Drita përherë buzagaz e priste dhe e përcillte me dritë. Shpesh, me disa shokë vinin edhe në shtëpinë time. Unë kisha një kopsht me shumë pemë. Ata vinin, mes të tjerave, për të ngrënë kumbulla stamolle, që i pëlqenin veçanërisht. Ardhjen e stinës kur piqeshin këto kumbulla nuk e harronin dhe ma kujtonin herë pas here. Ata bisedonin me nanën time. Nana ime u kujtonte secilit nanën që kishin lënë në shtëpitë e tyre. Në bisedat e tyre të këndshme e plot të qeshura, shëtiste malli i nënës… Kur iknin, nana gjithnjë më thoshte: “Bir, nuk e di pse, por atë Petritin dhe Skënderin (Buçpapaj) i kam për zemër. Mos iu largo atyre, mbështetu tek ato! Janë të mirë, shumë të mirë!”
Amanetin e nanës sime e përmend edhe sot e kësaj dite, do ta përmend edhe në ditët që do vijnë, edhe në frymën time të fundit. Është i shenjtë ky amanet! E përmend dhe malli, dhe dhimbja, dhe loti janë të pranishëm tek unë. Malli për Petjan! Malli, ah, ky malli që nuk mund të shuhet!..
Shkodër, 06.07.2022 ( Xhahidi Bushati)
blank
blank

KTHIMI – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Varret janë mbyllë përjashta.

Falemnderës, o shikim i diellit,

që priresh edhé sot mbi trupna tonë.

 

Pse jam shqiptàar,

trishtimi i kaluem i seme amë

jeton si gjaku i saj në mue:

të gjitha hapsitë avyten në gjansinë

e dritave të syve.

 

Edhe rétë janë ulë e i prekim me dorë.

 

Kur tallazi të bijë në pushim

e njimijë bimë ujce kryepezull

të përshëndesin ngjyrat e agut,

duke me kthye në jetë buzë ujit

që e njoh si veten.

blank

Për ty Kosovë! – Cikël poetik nga VIRON KONA

Si feniksi i legjendave u ringjalle!

Dëshiroj të të shpreh disa fjalë të ngrohta zemre,
Të ndiej gjakun e heronjve që në trup të vërshon,
Të puth brazdat në ballin e gjakosur nga plumbat,
Të ledhatoj trupin tënd të plagosur që fërgëllon.

Të ndiej në çdo pore të trupit tim, e jona Kosovë,
Të shoh përherë në ëndrra, o fisnike famëmadhe,
Të përfytyroj nëpër kroje, qumësht zane duke pirë,
Ngazëllehem! Si feniksi i legjendave ti u ringjalle!

Luftëtarëve të UÇK-së

Hodhët pushkët supeve u bëtë flakadan,
Me valë vetëtimash ju goditët mizorinë,
Heroizmi juaj rindezi ëndrrat çlirimtare,
Me flamuj kuqezi, përuruat lirinë!

 

Në ditën e dëshmorëve

Lule t`freskëta pranvere sjellin nënat dhe fëmijët,
Shqipet përshkojnë qiellin,burrat shkrehin pushkë,
Krojet e ndalin rrjedhjen, flladet valëvitin flamujt,
Malësori thërret legjendat, ngre këngë me lahutë.

Presidenti Bill Klinton

Thuhet se ish testament nga Zhorzh Uashingtoni,
Të mbështetej e të ndihmohej populli i Kosovës,
E bëri vepër atë amanet të shenjtë, Bill Klintoni,
Bashkë me Kosovën,mbrojti qytetërimin e botës.

Ai u shfaq liridashës dhe human si Nëna Terezë,
Kreu misionin që me ankth e priste bota mbarë,
Përcolli mesazhin: njerëzimi s`duhej t`tolerojë,
Gjenocidin mesjetarë dhe skllavërimin barbarë!

Të falënderojmë nga zemra, o presidenti Klinton,
Do t`mbahesh mend si një lider që vure drejtësi,
Ne shqiptarët do të t`jemi në shekuj mirënjohës,
Sepse na qëndrove pranë, kur kërkonim liri.

 

Për ty Kosovë!

Hordhitë barbare t`kanë dhunuar pareshtur,
Janë vërsulur mbi ty me pabesi dhe egërsi,
Kënga jote e lirisë asnjëherë s`ka heshtur,
O hyjnesha jonë e ëmbël,e lashta Dardani!

Klithmat tona për liri janë përhapur në glob,
Jetën ne ia kemi falur këtij dheu të shenjtë,
Gjaku ynë ka vërshuar lumë nëpër shekuj,
Për ty, Kosova jonë e shtrenjtë!

N`truallin tënd çdo gur e shkëmb – lapidarë,
Çdo grimcë dheu nxjerr gjak ende t`patharë,
Çdo dëshmor – kushtrim për mijëra luftëtarë,
Mijëra Shota e Azem, mijëra Adem Jasharë…

Kosovë: dheu, klithma, geni i pastër shqiptar,
Me emrin tënd ne lindim, jetojmë e vdesim,
Amanetin e vyer të lirisë të t`parëve dardanë,
E kemi besë e flamur e në breza e përcjellim…

blank

ATJE KU SYTË E KËRKOJNË GJITHMONË MIKUN… – Reportazh nga Tahir Bezhani

( Ose heshtja që shprushë mallin e djegur…)

Atë natë nuk më zuri gjumi. U përcaktova dhe mora vendim që vikendin e 25 qershorit ta kaloj në Shëngjin. Kaluan tre vite pa shijuar bukuritë e Shëngjinit, këtij bregdeti të bukur. Më silleshin ndërmend shumë ngjarje të kohës së kaluar. Shumë kujtime ruante rëra, uji, ”Iliria”,”Rafaello”…
Ajo kodra me pisha, lart mbi kaltërsinë detare, ku jetonte miku im e i shumë të tjerëve. Ajo ishte më tërheqësja, më sillte dhimbje, aty vriste syri, mendja dhe zemra ime, që atë moment kur u “pjek” arsyeja të shkoj në Shëngjin.
Më përfytyrohej miku im, tani i ndjerë z. Zeqir Lushaj, gazetari, poeti, publicisti ,redaktori i gazetës Zemra Shqiptare për shumë vite. Asnjëherë, që kur ishte rikthyer nga SHBA, z. Zeqir Lushaj ,nuk kishte ngjarë kurrë të kthehem në Gjakovë pa u takuar, pa pirë kafe e bërë llafe n ‘oborrin e asaj shtëpie të bukur, ku aroma e detit dhe e pishave të vjedhin kohën padiktueshëm… Shpesh ishim si miq se bashku me Lulzim Logun e Sejdi Berishën.

blank
Një pjesë e shtëpisë se Zeqir Lushaj në Shengjin.

Ishte ora gjashtë e mëngjesit kur u nisem nga Gjakova për Shëngjin, me Dr. Rexhep Golaj. Herët kaluam Kukësin dhe iu veshëm shpateve te atyre bjeshkëve, ku dielli kishte puthur moti majat e larta. Kishte me qindra makina që na tejkalonin, si grejzat. Kisha hedhur sytë asaj bukurie dehëse, atyre leqeve gjarpërore ku makina përpinte asfaltin në heshtje. Provuam të pimë kafenë e mëngjesit në dy-tre vende buzë rrugës, ishte e pamundur të vije në shprehje. Të dukej se kishin ikur nga shtëpitë e tyre të tërë Kosova…
Ecëm.

Afër Milotit gjetëm kohë e mundësi të hurpojmë nga një kafe shpejt e shpejt, nga se dëshironim të zëmë kohën për të realizuar të gjitha qëllimet. Sapo makina mori drejtimin e Lezhës, me ra në sy Shëngjini dhe kodra, atje ku ishte shtëpia e mikut tim. Filloi një dridhje malli e padiktueshme, një ligësi mëngjesore lëvizte në tërë trupin tim. Më bëhej se e shikoja ulur në atë tavolinë guri, me kafe e gotën e rakisë ,me miqtë e tij të shumtë, Zeqirin.

blank

Pamje nga oborri i shtëpisë se Zeqir Lushaj, tavolina prej guri ku priste miq Zeqiri.

E hoqa shikimin nga andej, ula kokën, shikoja rrugën dhe drejtimin me kujdes të makinës nga Dr. Rexhep Golaj. Bashkëshortja më foli duke më pyetur “ a je mirë”?!
-Po i them, mirë, dhe sërish sytë morën në shënjestër Kodrën Rrenc dhe gjithë atë panoramë të cilës i ofrohemi çdo moment. Do pakës uji, më foli vajza im, bashkëshortja e Dr. Rexhepit?!
…. Jo i them, mirë jam, më leni të qetë!…
Sikur të kishim pikur nga qielli, mbërrimë në plazh, te Rana e Hedhur. Herët u vendosëm dhe filluam gjithë atë lodhje të rrugës dhe hallakamtë e mia të brendshme, t’ia shkarkojmë ujit të detit dhe rërës së nxehtë.Në mbrëmje, afër hotel “ Rafaelos,” duhej të takonim Dr. Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, me bashkëshortin Arbenin, z. Adil Fetahu me bashkëshorten nga Prishtina. Për këtë takim kishim paralajmërimin, ishim të njoftuar nga njeri tjetri që të takohemi për kafe, të rikujtojmë mikun tonë të ndjerë, Zeqir Lushaj dhe te shkëmbejmë libra si kujtime te paharruara mes miqve.

blank

Këtë miqësi e pati mbjellë dhe na la trashëgim i madhi Zeqir Lushaj, andaj, në këtë kuptim, evokuam kujtime miqësore dhe padyshim se do e vazhdojmë miqësinë tonë si amanet të Zeqirit. Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj, i qëndroj afër Zeqirit deri ne frymën e fundit të jetës. Ishin prekëse rrëfimet e saj.
Qetësia e dhimbshme dhe heshtja që vrasin, kuja që mbyll derën e oborrit…
Bëra çdo gjë të mundur që mos të shkoja te shtëpia e mikut të ndjerë Zeqir Lushaj. Nga njëra anë me vriste malli kur parafytyroja ndejat në atë oborr, ulur në tavolinën guri, ullishtën përrreth, blinin e Grisë, rrushin e merakut dhe shumë pemë të mara nga disa vende të Kosovës, koleksione malli për dashurinë që kishte për Kosovën. Ndërsa akoma më e madhe ishte forca e brendshme shtytëse, që mos të kthehem assesi pa e parë, pa e hequr ose mbushur mall me atë vend parajsë ku jetoi miku im e dhjetra të tjerëve, në atë kodër mali me pisha, mbi kaltërsinë e detit pafund.

blank

Dera e oborrit e mbyllur me kujë.
blank
Pa koment, lexoni e kuptoni vetvetiu!……

blank
Dikur se bashku, Sejdi Berisha,Zeqir Lushaj, T.Bezhani.

Dhe makina u ndal para derës së shtëpisë së mikut tim, me 26 qershor 2022, ndalova si i shtangur, doja ta thërrisja si dikur, sipas traditës malësore, ku edhe e merrja përgjigjen;
” O mirë se erdhe o djali i Gjakovës!”….
Kështu me thoshte Zeqiri përherë, ose kur nuk i bindesha, me thoshte “rri mirë nipalan!….” Këtë radhë nuk thirra, vetëm shikoja e diç më përvëlonte në heshtje. Shikova me dhimbje derën e mbyllur me kujë, tavolinën e gurit, ullinjtë dhe të gjitha të mirat tjera, punuar nga duart e vyera të Zeqir Lushajt .Një e lehur qeni ofrohej ngadalë te dera, sikur donte të thoshte:
“ Zeqir Lushaj nuk jeton më në këtë shtëpi…..”
blank
Një nga kujtimet me te ndjerin Z. Lushaj në oborrin e shtëpisë së tij.

Ai ,thashë me vete, nuk ka vdekur. Jeton në zemrat tona, të mijra bashkëvendasve të tij, anekënd trojeve shqiptare, të cilët i deshi aq shumë, me tërë forcën e shpirtit prej fisniku, rritur e kalitur në Malësinë e Gjakovës.
Më rrodhën instinktivisht dy-tre pika lot te pragu i oborrit të shtëpisë së mikut tim, Zeqir Lushaj. Nuk fola asgjë kur më tërhoqën familjarët në makinë, duke më ngushëlluar e përqafuar.
Në largim nga ai vend i paharruar, mu kujtua një thënie e Dostojevskit:
” Vdekja është dhurata më e çmuar prej Zotit. Ajo të largon nga mundimet e jetës….”
Të asaj rruge gjykimi jemi të gjithë. Ecim kryelartë!..

Gjakovë, 4 korrik, 2022

blank

PREJ ANDEJ KU BUJTA NJI NATË – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Përpara udhtimit ndigjova

muzikën e thërmueme nga pikat

e njimijë thumbave këpucësh.

 

Dashunija e tingujve të violinës

për erën e Jugut digjet mbi ullijt

e zdeshun. Toka e ndezun lëviz

kambët e fëmijëve rrugaça që ecin

zdathë: ç’mall për dheun e humbun!

 

E ajo tha: “Pushoji sytë në mue!”

Në gjijt mes krahëve ngjyrgruni

– binjokë të lindun së voni –

prehej edhe ndjesia amnore.

 

Unë do të nisem pa lanë nji shêj

prej andej ku bujta nji natë.

blank

NATURA MORTA – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Dielli, plak, çohet mes rêve,

vasha për rreth picak

që e ndiejnë peshën e marrjes vetëm

në gji.

 

Zotat endé pushojnë n’Olimp:

n’qepallat e tyne rrah çdo minut

para pemve t’gazit në truell rritë e thà

për nji natë:

 

Poshtë fijet e telefonit masin

gjatsinë e rrugave

e koha éc e èc npër ta

e flokët e borës digjen në takim me sende:

natyra morta!

 

Njeriu ndrron fëtyrë vetëm përmbrenda!

 

blank

ÇAST I QETË – Poezi nga GOTTFRIED KELLER – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Viti në ikje, nën petkun me parfume
Teksa shëtit buzë pellgjeve të kuqe
Ti hapin tënd e ndal;
Më sheh te ky liqen i ftohtë pyjor
Ku larg në një tis të thellë vjeshtor
Një mjellmë e heshtur krahët hap.

E qetë dhe e vetmuar ajo vrullin
Fluturues kredh në pasqyrë të ujit,
Zgjat qafën dhe dëgjon pastaj;
Zhytet atje poshtë e përsëri
Ndalet dhe dëgjon me kërshëri
Kallamishtes pëshpëritëse si fryn fllad.

Dhe me çdo veprim të saj, me çdo ngurim
Do më marrë lart si një ëndërrim
Sikur shpirti im ajo të qe
Që ngre papushim pyetje për jetë
Sa fluturon poshtë e përpjetë
Sa dëgjon prap e prehje s’gjen.

Pastaj me tërë shpirtin e frymon
Atë frymim të sajin paqësor
Në shteg të heshtur fill e vetme!
Dhe e ke kuptuar fare kthjellët
Se orët e tua mund të treten
Si qiellit gjurmët e mjellmës.

blank

DITA SI PËRJETËSI E POETIT CESAR IVÃNESCU – Nga Visar Zhiti

…kisha marrë me vete librin “Fryt”, të poetit Cezar Ivãnescu dhe sikur kisha mbartur shpirt nga vendi i tij, Rumania.
Të vjen ta lexosh gjithkund, në natyrë, mes blerimesh si pjesë e tyre dhe ndërkaq të përftohen caqet, muret e shtëpisë së jetës dhe e vazhdon leximin në shtëpi, teksa të përtërihet natyra, pafundêsia e saj.
Dhuratë e bukur e shqipëruesit virtuoz, Dr. Luan Topçiu, e kam fjalën dhuratë për lexuesin shqiptar, poezisë tonë si një prurje të re nga bota, plot me ato ndjesi jete e vdekjeje e dashurie…
Është një botim dygjuhësh i “Ombra GVG”, mjaft cilësor, me skica, me një biobibliografi nga e bija, Clara Arustei, dhe parathënie nga Daniel Cristea-Enache, me një pasthënie nga përkthyesi, ndërsa poezitë midis si copa ditësh e netësh, përjetimesh me nerva e gjak e përsiatje të thella, lutje dhe muzikë njëherësh, himne e requime, thjeshtësi parake e modernitet, ritme ku përditësia bashkohet më divinen, ku e zakonshmja është dhe e pazakonshme.
Poeti, i dëshiruar mynxyrshëm për dritën e jetës, e do vdekjen, me të fillon dhe pavdekësia. Jeta dhe vdekja janë shumë bashkë pa antagonizëm në poezinë e tij, ndërkallshëm te njëra-tjetra dhe si vazhdime. Janë këngë hare-trishtuese dhe gjej se ai gjithsesi ka kultin e mëmës, domethënëse kjo, sikur mban ndër duar ikonën e amësisë dhe ecën në mugëtirë, të agut apo pasdites së vonë, nuk ka rëndësi, rëndësi ka magjia e ecjes.
Ishte shqiptare e ëma e poetit, na tregohet në libër, nga Korça. Nga adhurimi për nënën, poeti kaloi natyrshëm dhe në adhurimin për Shqipërinë. Dy herë e vizitoi mëmëdheun Ivanescu, në diktaturë dhe në postdiktaturë, qëndronte mbi to dhe ai i ngazëllehej si një fëmijë përkthimit në shqip, na dëshmon Dr. Luan Topciu, i cili vazhdimisht forconte miqësinë me të, vëllazêrisht dhe si kolegë në kulturë. Është poet atipik, i veçantë, shpjegon Luani, që s’përshtatej dhe i të papriturave, me një sinqeritet sublim, i kollajkonfliktueshëm. “Nuk zinte vend qendror në sistemin kulturor të kohês, – shkruhet në parathënie, – donin ta shtynin në zonat e harrimit… në një epokë të kontrolluar ideologjikisht…”, por “meriton plotësisht të jetë në krye të piramidës së homologimit…”. Cezar Ivanescu i refuzoi kompromiset dhe, sipas studiuesve, justifikimi me kontekstin dhe alibinë historike nuk funksion më…
Shumë interesante kjo dhe një porosi që vlen dhe për të gjykuar në autorët dhe letrat shqipe sot, një çelës që na i jep kritiku i shquar Luan Topçiu.
Ndërkaq nuk mund të rri pa treguar dhe befasinë, që më emocionoi, kur po lexoja pasthënien. Ivanescu, në shtratin e vdekjes, librin e fundit që lexoi, ishte romani im “Funerali i pafundmë”, i përkthyer rumanisht po nga Luan Topçiu, që do t’i thoshte për autorin: “Është një shkrimtar plot forcë dhe me një imagjinatë turbulluese”.
Unë nuk e takova kurrë, por ai është i gjallë në poezinë e tij plot mistikë dhe muzikë, dije dhe natyrshmëri, një bashkëbisedim që nuk të vjen të ndahesh dot, ai është siç shkruante. Librin i tij, ndër më të mirët e poezisë në botimet tona, është, si të thuash dita e tij, që ai e shndërron për të gjithë ne në copëz pêrjetësie…
blank
blank
blank
blank

TREGIMI I ARBNIT – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Më thà nji arbën vllaznisht, pa më njohtë:

“Gurt, eshtnat e dheut, kudo i kam kapë

Ndër due e m’lanë përshtypje të ftohtë

Si prekja e gjarpnit kulaç, në vapë,

Por guri i caranit n’votër tim  èt

Qe prore i nxetë.

 

Rrasat, si akull në brijat e malit

M’u duken tue i vrejtë dikur kundruell

E fëtyre e tyne si trajta e kalit

T’egër tue u shkarravendë npër truell,

Por rrasa nën kambë në votër tim ét

Qe prore e nxetë.”

blank

Tretë n’përqafim… Nga Ervina Toptani

A e din çka mundet t’bajë nji përqafim? Mundet me t’kthye t’vogël krejt,
Trupit shpirtin cullak me ja pa,
tue shkye mbshtjellnat e rrejshme,
n’fjalë t’heshtuna jetën me dëftue,
futë n’vijë t’gjakut drejt e n’zemër lshue,
mundet me thye kristale t’akullna
qi thikash e tehesh zjerrm kan’ prè,
me shpërthye vezullimesh nji bot’ t’tanë mbyllë n’kafaz t’çeliktë ku drita s’hyn
asnji fije për bè,
Mundet me t’kthye qiellin e ngroftë
bash kur shtrëngatash e t’bërtituna shtriganësh asht kaplue,
Mundet hanën me ta shti n’gotë,
e shpirtit me ia ildisë do hyje,
do flutra t’kaltra përflak dashnie
n’gem t’lukthit me i ndìe..
Nji përqafim….
Dy krahë t’shtrimë,
munden me ta kthye botën s’mbari
kur bota krejt s’mbrapshti asht shkue….
Ervina Toptani
blank

DHUNA DHE DINJITETI – Nga EUGJEN MERLIKA

DHUNA DHE DINJITETI
( Duke lexuar romanin “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos)

 

“Njëri do të përdorte dhunën për të shpërbërë njeriun, ndërsa tjetri do të përdorte durimin për të ruajtur personalitetin. Ishin përballë dy forca të kundërta: dhuna dhe dinjiteti.”
Në këto fjali, që vijnë në përfundim të arsyetimit mbi një ngjarje që shënon një nga pikat kulmore të romanit “Këneta e vdekjes” të autorit Makensen Bungo, mund të përmblidhet i gjithë kuptimi i tij. Shkurtimisht është shprehur një koncept tepër i gjërë, që kalon shumë caqet e veprës e bëhet sinonim i thelbit të një periudhe historike, të cilën autori i librit dhe brezi i tij e jetuan në gjithë intensitetin e saj. Romani pasqyron jetën e përditëshme në një kamp pune të detyruar, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore.
Ngjarjet zhvillohen në Vloçisht, ndofta më famëkeqi i kampeve të punës, më mizori, më i eturi për gjak e jetë njerëzish. I vendosur diku, në buzë të kënetës së Maliqit, përballë fshatit me të njëjtin emër, për disa muaj u kthye në një përbindësh të llahtarshëm që çdo ditë bluante trupat dhe shpirtërat e banorëve fatkeqë të tij. Një nga përfaqësuesit më të përkryer të terrorit të kuq shqiptar ishte krejtësisht i shkëputur nga takimet me botën që e rrethonte, ishte një ishull torturash, dhimbjesh e vdekjeje.
Autori i veprës, atëhere djalosh idealist, i dënuar nga gjyqi komunist si “armik i popullit” dhe i dërguar së bashku me shokët e tij normalistë në kampin e shfarosjes, na paraqet me një vërtetësi rrënqethëse mjediset, ngjarjet, personazhet që lëvizin në atë mikrobotë të errët e që shkruajnë në kujtesën e tyre “historinë” e saj. Mbas më shumë se katër dhjetëvjeçarësh ato bëma dalin nga kafazi i blinduar i kujtesës e derdhen në letër, nëpërmjet një pende që i ka vënë vetes një qëllim të shenjtë: të dëshmojë tragjeditë e një kampi shfarosjeje, një “gulagu” në stil të njohur bolshevik, të nderojë kujtimin e atyre dhjetra të rënëve në të, të mbushë një zbrazësirë në njohjen e së vërtetës historike, të masakruar për gjysëm qindvjete.
Në këto synime fisnike duket se udhëhiqet nga mësimet e princit të Danimarkës, kur ai shprehet se “ qëllimi i artit në të gjitha kohët ka qenë t’i tregojë fytyrën e vet virytit, pikturën e vet poshtërsisë…”. “Këneta e vdekjes” është një roman i shkurtër, një vepër arti në gjininë e saj të re në moshë. Eshtë pjellë e dhjetë viteve të fundit, kur shembja e sistemit diktatorial komunist solli domosdoshmërinë e paraqitjes së tij në dritën e vërtetë. Letërsia zyrtare e profesioniste, që kishte qënë zëdhënëse e tij, nuk u tregua e gatëshme t’i paraprijë këtij proçesi. U desh që viktimat e terrorit, që arritën të mbijetojnë mbas kalvarit të gjatë të ndëshkimit proletar, të marrin pendat e t’i venë në shërbim të kujtesës së drobitur nga pesha e viteve dhe vuajtjet fizike e shpirtërore. Kështu lindi një rrymë e re, nje farë neorealizmi i vonë, që kishte si objektiv fotografimin e një realiteti tashmë të tejkaluar nga ngjarjet, por të pranishëm në të gjitha qelizat e jetës së Vendit dhe të banorëve të tij. Kështu panë dritën “Burgjet e mija”, “Rrno për me tregue”, “Shpellja e vrasjes”, “Këneta e vdekjes”, “Rrugèt e ferrit” e plot libra të tjerë që u bënë si fenerë ndriçues të skutave të errëta të së vërtetës së një regjimi, që e bazoi qënien e tij mbi mashtrimin, padijen e krimin.
Mendoj se në këtë pikëpamje romani i zotit Makensen Bungo meriton një vëmëndje të veçantë për objektivitetin që e karakterizon. Lexuesi ka përshtypjen se shikon një film dokumentar, të xhiruar prej së largu nga një person i tretë, vëzhgues i paanshëm i ngjarjeve që “rrënqethin erën”. Episodet e romanit ndjekin njëri tjetrin në një harmoni të plotë, personazhet lëvizin natyrshëm në përputhje me historinë e tyre, bindjet, formimin moral. Autori hyn në thellësi të ngjarjeve e psikologjisë së tyre, i shmanget retorikës së tepërt, por mundohet të kalojë nën rrezet e gjykimit gjithshka vrojton. Ai është i vetëdijshëm se është i pranishëm në një skenë tragjedish pa fund të shkaktuara nga një regjim mizor, se në këtë skenë zhvillohet në vazhdimësi lufta e përjetëshme ndërmjet së mirës e së keqes.
Në qendër të romanit është historia e pesë të rinjve, shokë shkolle në Normalen e Elbasanit, pjestarë të një organizate jo komuniste me emrin “Shqipëria e lirë”, të arrestuar e të dënuar me pesë, katër e dy vjet burg. Janë të gjithë me ide liberale, në kundërshtim me ideologjinë e regjimit në fuqi, ëndërrojnë një Atdhe të lirë, një popull të përparuar, të bashkuar e të begatë në kufijtë e tij natyrorë. I kanë qëndruar dhunës së hetuesisë e kurtheve të saj. Gjykata ka dënuar me vdekje një nga pjestarët e grupit dhe me burgim të përjetshëm një tjetër. Pesë të tjerët caktohen në kampin e Vloçishtit, për të punuar në tharjen e kënetës së Maliqit, që do të trumbetohej më vonë si një “dhuratë” e vyer e partisë për popullin e Korçës. Ajo kënetë, që do të gëlltiste në llurbën e saj lulen e rinisë intelektuale të Vendit, do të mbetej e “pavdekëshme” në sajë të një romani, që do t’ju servirte shqiptarëve për një kohë të gjatë një nga mashtrimet e zakonshme të regjimit.
Sopoti, Vullneti, Ahmeti, Hasani dhe Sala vijnë në kënetë nga burgu i Elbasanit e aty gjejnë të tjerë të dënuar nga vende të tjera si Tirana, Korça etj. Kanë në anën e tyre vrullin e rinisë, forcën e karakterit, vetëdijen e gjëndjes, ngrohtësinë e çiltërsinë e shoqërisë mes njëri tjetrit, besimin në drejtësinë e idealit dhe në të ardhmen e popullit të tyre. Gjejnë një mjedis mbytës, në të cilin çdo ditë ju duhet të përballohen me punën e rëndë, ushqimin krejtësisht të pamjaftueshëm, kushtet higjenike shkatërruese, shqetësimet për familjet me të cilat kanë humbur çdo lidhje e mbi të gjitha me mizorinë e pashembullt të personelit të kampit. Para të burgosurve ngrihet si një mal misioni i qëndresës. Është një luftë e pabarabartë mes një grushti banditësh që trupëzojnë krimin e kthyer në institucion dhe njëmijë e pesëqind burrave të ndryshëm nga mosha, formimi, niveli, por të ngjajshëm nga fatkeqësia, idealet e karakteri.
Komandant Tasi, togeri, kapterr Zeneli, rreshter Hitoja, tetar Aliu, polic Skënderi janë në garë të vazhdueshme me njëri tjetrin kush shpik torturën më të dhimbëshme për t’a provuar mbi banorët e detyruar të kampit. Ata përfaqësojnë majën e diamantit të “pushtetit të popullit”, partizanët që dolën maleve për “lirinë” e Atdheut. Janë ushtarët më besnikë të revolucionit që do t’i sillte Shqipërisë barazinë, mirëqënien e përparimin. Në të vërtetë janë kampionë të mizorisë, të mungesës së çdo parimi njerëzor, të padijes. Janë automatë të dhunës më të egër, lloje bishash me fytyra njerëzish, xhelatë për të cilët jeta e njeriut nuk ka as vlerën e një pike uji. Janë ata e të ngjajshmit e tyre, me verbërinë e sadizmin që ju shkon për shtat, garancia e sistemit, shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet ai. Janë ata ose shokët e tyre “heronjtë e heshtur”, për të cilët një letërsi e tërë shkroi një mori veprash, duke i lartësuar deri në madhështi…
Për ta të burgosurit nuk janë njerëz, nuk janë shqiptarë, nuk janë vëllezër të një gjaku e të një gjuhe, por armiq “jashtëtokësorë” që kërcënojnë “qytetërimin” e tyre. Për ta dhe ata që i mësojnë ata quhen derra të ndyrë, reaksionarë të poshtër, qelbësira, dhelpra plaka, qena, kriminelë, vrasësa, ndyrësira, caristë. Simbas komandantit të kampit, që ishte një gjysëm analfabet me dy klasë shkollë, vëllai i një udhëheqësi të lartë të partisë: “…që të gjithë janë armiq populli. Këta na burgosën, këta na torturuan, na dogjën, na vranë. Njëzet e tetë mijë dëshmorët këta i kanë vrarë. Këta e dogjën dhe e bënë shkrumb e hi Shqipërinë. Këta do t’i paguajnë krimet e tyre. Këtu do t’a lenë lëkurën këta reaksionarë…”
Duke patur këto bindje, këta udhëzime, këtë urrejtje, vetëkuptohet se çfarë trajtimi i është bërë të dënuarve. Episodet e torturave të përshkruara në libër janë të shumta, zbulojnë një egërsi të pashoqe. Rrahjet me shkop, zhytjet në llucë, mbytjet, dënimet pa bukë, fyerjet, vrasjet janë bërë praktikë e përditëshme. Torturat janë në përpjestim me karakterin e të burgosurvet, me personalitetin e tyre, me vendosmërinë për të mos u përkulur. Në këtë drejtim “shpikjet” e policëve në plotfuqinë e tyre pasurojnë rezervën e madhe të torturave “Prodhim Shqipërie”. Kështu përshkruhet pështyrja nga ana e gjithë të dënuarve të njërit prej tyre, më parë të rrahur e të masakruar nga policët, zhytja në baltë deri në grykë e tregëtarëve korçarë, detyrimi peqinasve për të ngrënë bishtat e cigareve e për të rrahur njëri tjetrin, rrahja për vdekje deri në çastin e fundit të një babai në sytë e të birit, lënia në diell lakuriq mbasi ishte zhytur në llurbën e trashë e deri tek mbajtja varur e njeriut në një shtyllë për gjashtë ditë e netë me rradhë. Duket se strumbullari i këtij mjedisi të zi është kapterr Zeneli, për të cilin autori shkruan: “ Gëzimi i atij përbindëshi ishin torturat dhe lumturia për të ishin vuajtjet që u shkaktonte njerëzve. Ai nuk e kuptonte jetën pa dhunë dhe nuk ndiente qetësi, po të mos kishte torturuar, të paktën një njeri në ditë.”
Në qendër të kampit ishte një barakë që mbante emrin “bibliotekë”, ishte vendi i tmerrit ku kapterr Zeneli dhe kolegët e tij “edukonin” nëpërmjet hurit të burgosurit. Emërtimi është maska që fsheh të vërtetën, si “riedukimi” që mbulon shfarosjen. Këto janë aftësitë dhe meritat e një sistemi që, nëpërmjet fasadës së propagandës, ka bërë përkrahës dhe idhtarë në të gjithë botën. Ka prej tyre që ende sot nuk dijnë apo nuk duan të pranojnë se ç’fshihej mbas asaj fasade.
“Këneta e vdekjes” është një pjesë e vogël e atij realiteti që qe diktatura e proletariatit në Shqipëri, një nga më të errëtat e tij. Autori është i vetëdijshëm për të por ka meritën të mos bjerë në prehërin e dëshpërimit. Mesazhi i romanit është optimist, jeta vazhdon dhe nëse forcat e së keqes e të vdekjes duket se kanë epërsinë. Njerëzit nuk arrijnë të zvetënohen shpirtërisht, siç dëshiron diktatura. Ata vuajnë, pësojnë tortura, në ndonjë rast edhe thyhen, në ndonjë tjetër, me një dinjitet të admirueshëm arrijnë deri në vetëflijim, por në përgjithësi qëndrojnë. Është kjo qëndresë filli i padukshëm që përshkon gjithë veprën, siç ka përshkuar jetët e shumë shqiptarëve në këtë gjysëm qindvjete provash të jashtzakonshme. Është kjo qëndresë që autorin e bën të jetë krenar për shokët e vuajtjeve e për popullin e tij, sepse populli nuk mund të njëjtësohet me një grup kriminelësh që koha i solli mbi krye dhe as me veglat e verbëra të tyre.
Qëndresa ndaj dhunës ishte shumëplanëshe. Ajo fillonte me sytë e përlotur të nënave, grave e bijave që shikonin nga larg bijtë, burrat, baballarët, vëllezërit që, të lidhur me zinxhirë, niseshin për rrugë të largëta. Gruaja shqiptare qe, në këtë provë madhore, heroina e vërtetë e kohës e meriton një pjedistal të lartë. Ajo, femra shqiptare, e nëpërkëmbur nga një mendësi prapanike e trashëguar nga pesëqindvjetori osman, tregoi se qe forca e vërtetë jetësore e kësaj shoqërie. Qe ajo që mori përsipër barrën e familjeve pa meshkuj, të rritjes së fëmijëve pa baballarë, të rrugëve me trasta në dorë për t’i çuar pakë shpresë e pak ushqim të hequr nga goja e fëmijëve të afërmëve të dënuar anekënd Shqipërisë. Qe ajo që i qëndroi trysnive nga më të ndryshmet, në të cilat e vinte një sistem që kishte si synim prishjen morale e gjymtimin fizik të asaj pjese të popullsisë që nuk mund të bëhej e kuqe. Qenë gra shqiptare ato që pësuan burgjet e interrnimet pa fund, të filluara në lulen e moshës e të përfunduara në pleqëri. Ato përballuan punën e rëndë e privacionet pa mbarim në emër të një koncepti nderi e dinjiteti, që prindër të një tjetër kohe ua kishin futur në gjak.
Atyre që njëjtësojnë dukuri të sotme të mbrapshta të një pakice shqiptarësh me popullin tonë, duhet t’u tregojmë me zë të lartë se cila është në të vërtetë gruaja shqiptare, çfarë provash kaloi ajo në të “uruarin komunizëm”. Ja vlen të kujtojmë bashkë me autorin:
“Ç’kanë pësuar këto nëna!
Nuk harrohet llahtaria e tyre, kur u sollën rrobat e djemve nga birucat, të llangosura me gjak! Nuk krahasohet dëshpërimi i tyre, kur mësuan se sa u dënuan djemtë e tyre të pafajshëm! U demaskuan në lagje. I shanë, i përbuzën, i lanë pa punë, i internuan. I përqafuan djemtë vetëm në ëndërrime. U harruan edhe zërin djemve të tyre. Nga vuajtjet u thinjën para kohe; nga tmerret u rrudhën në moshë të re. Çdo thinjë një vuajtje; çdo rrudhë një tmerr. Në çastet e fundit, në agoni, këtyre nënave u mbetën sytë nga dera, duke vështruar se mos vinin djemtë, për t’i parë për herë të fundit. Por ata ishin larg, shumë larg: në Spaç, në Burrel, në Bulqizë, në Ballsh.”.
Qëndresa na shpaloset në roman jo vetëm nëpërmjet durimit të torturave të përditëshme, të urisë, morrave, fyerjeve, shkopinjve, lodhjes, por dhe të mbrojtjes së botës së brëndshme e përbërësve të saj, të respektit ndaj vetes, ndaj shokut, ndaj kujtimeve, ndaj familjarëve, ndaj vlerave të vërteta që i japin kuptimin fjalës “njeri”. Kështu si qirij në errësirën e batakut të mizorisë ndriçojnë dashuria e Sopotit për vajzën mësuese, amaneti i Daut Burmës “ u thuaj djemve të mi se nuk i kam turpëruar asnjëherë… që për mua të mos e mbajnë kokën poshtë”, mbarimi i at Josifit, misionar i fjalës së Krishtit që deri në frymën e fundit ngjallte shpresën në shembjen e regjimit, solidariteti mes njeri tjetrit, ndarja e racionit të bukës apo çajit me shokët e dënuar, ndërgjegja e vrarë e Salës, dorëzimi fshehtas i pakos shokut, etj.
Qëndresa ndaj së keqes nuk është cilësi vetëm e të dënuarve. Për autorin bota është komplekse e ky vizion e bën të dalë nga skemat manikeiste të të parit të realitetit bardh e zi dhe i jep forcë e vërtetësi mesazhit të romanit. Një nga figurat më të goditura e më tërheqëse, ndaj të cilit ja vlen të ndalemi, është ajo e gjeometrit. Eshtë një djalë rreth tridhjet vjeç, që ka qënë partizan e që është bir dëshmori. Eshtë i ngarkuar të drejtojë teknikisht punimet e Vloçishtit. Dikur i ka besuar idesë se komunizmi do të shërojë plagët e njerëzimit e do të sjellë përparimin e Shqipërisë. Idealizmi i tij hyn në krizë kur sheh dhe kupton të vërtetën. Socializmi i tij me “fytyrë njerëzore” thërmohet nën shkopinjtë e policëve mbi trupat e të dënuarve. Sinqeriteti i natyrës së tij nuk mund të pranojë kompromisin e detyrueshëm të të bërit shurdh e qorr. “ Ne luftojmë që të gjithë shqiptarët të jetojnë në paqe si vëllezër” i tingëllojnë ende në veshë fjalët e komisarit kur ishte partizan. Por para syve të tij tetar Aliu i kishte futur thonjtë në fyt një plaku të burgosur, derisa e le të vdekur përtokë gjithë qejf se tashmë kishte “një armik më pak”. Në një rast tjetër arrin t’i ndalojë dorën policit që kërkon të godasë përsëri Sokolin e shtrirë për tokë pa ndjenja nga rrahja. Dyshimi për ndershmërinë e motiveve të luftës, i le vëndin shkëputjes mendore e ideale prej tyre dhe mjedisit që i ka kultivuar e në të cilin është dhe familja e tij. “ Gjeometrit ju kujtuan Vullneti që e pështynë, Sopoti që e torturuan, Ahmeti që e futën në llurbë. Psherëtiu thellë. Në fytyrën e tij u duk një keqardhje e madhe. Tha ngadalë: pse për këto luftuam ne?” (Thonë se të njëjtën shprehje e pati thënë një ish gjeneral e luftëtar i Spanjës, në plenumin e famshëm të Tiranës më 1956, duke treguar fustanin e Nexhmije Hoxhës që ishte ulur pranë tij.)
Shkëputja bëhet fillimisht në familje, në bisedat e ndezura me vëllanë. Megjithëse autori nuk na e thotë drejt për së drejti, ndofta aty nis dhe rrëzimi i tij. Besnikëria ndaj partisë, në kodet e saj, detyronte paditjen qoftë dhe të vëllait, kur ai nuk është i një mëndje me të. Drama është e fortë por dhe këtu fiton ideja e qëndresës dhe e ruajtjes me çdo kusht të dinjitetit, qoftë dhe me humbje të mëdha vetiake. Gjeometër Petraqi mbetet njeri, shpreh atë që mendon duke përfunduar i dënuar në rrjeshtat e atyre që do të gërmojnë kanalin e tharjes së kënetës. Eshtë një Andrej Taganov në ton të ulët që, së bashku me polic Tafilin, i cili nuk pranon të vrasë të burgosurin që gabimisht i është drejtuar rrethimit, bëjnë pjesë në atë masë jo të paktë shqiptarësh që u zhgënjyen nga socializmi enverian. Shënjat më të vogla të këtij zhgënjimi patën për pasoja nxjerrjen jashtë rradhëve e jo rrallë përndjekjen politike.
Dukuria e daljes jashtë rradhëve është e pranishme dhe në kahun tjetër. Figurat e Myqeremit, të Salës e ndonjë tjetri dëshmojnë një të vërtetë të provuar: pati dhe nga ata që për arsye të ndryshme, të dhunës, mungesës së karakterit, të dobësive, kushteve familjare, ndjenjave etj., u vunë në shërbim të shtypësve e punuan kundër shokëve të vuajtjeve. Nuk është vetëm dukuri shqiptare, por përpjestimet e saj tek ne lenë gojën e hidhur. Autori i romanit nuk e paraqet në përmasa shqetësuese dukurinë, por ai i referohet një periudhe kohore të shkurtër e të largët. Me kalimin e kohës ajo u bë më e plotë e më e dukëshme, duke lënë pasoja të rënda në marrëdhëniet mes njerëzve deri në ditët tona.
Sado i veçuar nga Vendi e bota kampi i Vloçishtit, ashtu si gjithë Shqipëria, nuk mund të mos pësonte pasojat e ndryshimeve që ndodhnin në majën e piramidës e që lidheshin me zhvillimet e kampit socialist. Ishte viti 1948, kur Informbyroja bëri të njohur raportin e saj, që i ve “vulën e zezë” Titos dhe udhëheqjes jugosllave, të cilët kanë meritën të parët të kërkojnë pavarësinë e mendimit dhe të veprimit nga Moska. Regjimi hoxhist, pagëzuar që në lindje nga të dërguarit e marshallit, që për shtatë vjet kishte qenë në rolin e shërbëtorit të tij besnik, pëson një tërmet të fuqishëm. Ministri i brendshëm dhe sekretar organizativ i partisë, së bashku me pasuesit e tij, përfundojnë në hekura. Paniku kapi efektivat e Ministrisë së brendshme, ndërmjet të cilëve dhe xhelatët e Vloçishtit, që mundohen të japin përshtypjen se do të ndryshojnë qëndrimin ndaj viktimave të përditëshme të tyre.
“Të burgosurve iu shtuan shpresat se liria nuk ishte më e largët. Ajo kishte filluar të trokiste lehtë dhe ata sikur e shihnin tani në të gjithë bukurinë e saj. Në këtë kamp ata të burgosur vetëm shpresa e lirisë i mbante gjallë, vetëm ajo ua mbante lart moralin. Ata ishin të sigurt se një ditë liria do t’u vinte, do t’i buzëqeshte, do t’i përqafonte; shpresa e lirisë herë zgjohej, herë dremiste në ndërgjegjen e tyre, po kurrë nuk shuhej. Tani ajo u zgjua…”
U duk sikur ajri ndryshoi e të dënuarit filluan të mendojnë për kthimin në shtëpitë e tyre. Por kjo frymë nuk zgjati shumë e dhuna rifilloi kursin e saj. Sa herë në atë gjysëm qindvjete u ndërsjelltuan shpresat me zhgënjimet. Pothuajse gjithmonë këto ndryshime humori përkonin me çaste të ashtuquajtura “solemne” të historisë së Partisë-Shtet, si prishje marrëdhëniesh me vëllezërit e mëdhenj, kongrese apo vdekje të çudiçme drejtuesish të lartë. Në të gjitha këto çaste secili bënte llogarinë në vetvete mbi atë që kishte për të dhënë apo për të marrë, nëse ndryshimi do të sillte një kohë tjetër, mbasi komunizmi i kishte kthyer shqiptarët në huazues krimesh e huajtës dhimbjesh. Në bisedat e të burgosurve shpalosej mëdyshja e veprimit të mundshëm në çastin kur xhelatët do të humbnin pushtetin. Mjegulla e hakmarrjes turbullonte shpirtërat e Zenelit me shokë që ishin të vetëdijshëm se sa thellë kishin hyrë në llumin e krimeve.
“ Kapterr Zeneli e humbi trimërinë e mëparëshme… Nuk u bërtiste të burgosurve si më parë….Kishte filluar të mos qëllonte më.. Nuk dënonte më kot. Nuk linte më njeri pa drekë. Kishte hequr dorë nga torturat në bibliotekë. Po e vriste ndërgjegja, apo i lindi frika e hakmarrjes?..”
Zenelët do të kuptonin se sa shpirtmëdhenj ishin viktimat e dhunës së tyre vetëm atëhere kur dielli i tyre perëndoi e kur asnjërit prej tyre nuk i hyri as ferra në këmbë prej tyre. Por dhe atëhere, në poshtërsinë e tyre, nuk patën kurajon t’a njohin këtë fakt e të kërkonin faljen, për të vdekur të pajtuar me ndërgjegjen e tyre të krimbur ose më mirë të paqenë… Ndërsa Sopoti me shokë lirinë e donin për të shpëtuar nga ferri, në të cilin vegjetonin, për t’u kthyer në familjet, për të bërë një jetë normale, për të shkruar e për të luftuar ” …që kjo ideologji shkatërruese të shfaroset nga vendi ynë dhe në Shqipëri të vendoset një demokraci e vërtetë.”
Mjerisht, për ta ato ditë ishin tepër të largëta, ndërsa ju desh të përballonin tragjeditë e vdekjes së shokëve. Vullneti, i dërmuar nga ndëshkimet pa arsye, viktimë e poshtërsisë së karakterit të një të burgosuri spiun që, për inate vetiake, shkarkonte mbi të gjithë mërinë e dhunën e komandës, nuk mundi më të përballojë fizikisht e psiqikisht të keqen. Bota i u errësua në lulen e rinisë, sythet e shpresës u venitën, nëna dhe motra e vogël që prisnin në shtëpi nuk patën fuqi t’i forconin durimin e qëndresës. Kështu një natë të vonë, ndërsa shokët flinin, në vetmi, i ngushëlluar vetëm nga tymi i duhanit, ai mori vendimin fatal. Ju drejtua telave të rrethimit, nga ku breshëria e plumbave të “rojes së revolucionit” do t’a niste për në botën e përtejme.
Tepër i trishtueshëm është dhe rasti i Salës. Ndërgjegja e vrarë për pozitën e vet prej spiuni të komandës fiton mbi përfitimet që i vijnë nga ai shërbim. Ai e quan të padenjë jetën e tij e, në vetvete, vendos t’a ndërpresë atë. Kapitulli i veprës, që përshkruan tragjedinë e tij, ndër më të bukurit e më prekësit e romanit, titullohet “Martesa”. Ajo na sjell ndër mënd një këngë popullore të kurbetit: “ Në të pyettë nëna për mua Thoni djali t’u martua Në të pyettë se ç’nuse muar Mori dy plumba në kraharuar…” Para martesës, siç e quan me qesëndi ai vdekjen, ndjeu nevojën të takojë shokët, me të cilët marrëdhëniet ishin ftohur mbas ndryshimit të tij. Vetëdija e fajit, e poshtërimit, e shkeljes së parimeve, të idealit, të besës shkaktojnë dhimbje të papërballueshme. Para se të paraqitet në gjyqin më të lartë Sala ndjen nevojën e brëndshme të rrëfehet me shokët. Kështu ai thyen akullin e shkon e ulet në mes të Sopotit e Hasanit, shokëve të shkollës, të hetuesisë, të gjyqit. Ju flet atyre me zemër në dorë: ”…. Por dijeni, ama, se këtë punë të ndyrë unë kurrë nuk e kam bërë me dëshirë, por vetëm nga e keqja, nga vuajtjet, nga tmerri. Unë nuk rezistova dot. U përkula, u mposhta, u zhyta në llumin e turpit….Por dijeni mirë se për ju nuk kam thënë asnjë fjalë të keqe, asnjë, asnjëherë. Edhe më kanë frikësuar për ju, edhe më kanë rrahur, edhe më kanë torturuar, por nga goja ime nuk ka dalë ndonjë fjalë për ju. Asnjë. Për të tjerët kam thënë, por jo ndonjë fjalë që t’i rëndonte, kurrë, në asnjë rast. Këtë e di Zoti që është lart në qiell…”
Sala i penduar, gjykatës i paanshëm e i rreptë i vetvetes, kërkon faljen e shokëve. Burrëria shqiptare e njerëzore ndoshta sugjeron këtë zgjidhje si më të mirën e gjykimeve mbi këto plagë të hapura që na ka lënë ende një e shkuar e dhimbëshme e shpesh e turpëshme. Shokët e falin, e quajnë përsëri shok, e fusin në gjirin e tyre. Për të ky gjest është shelbues dhe e bën që të shkojë i qetë drejt “ nuses shumë të bukur, yll e hënë, të veshur me të bardha”. Është një skenë tragjike, e denjë për penelin e një kryemjeshtri të pikturës: Sala hedh hapat drejt telave, shokët të shtangur i luten të kthehen, ndërsa ai vazhdon duke kënduar “ këngën e mjellmës”. “ Unë kurrë s’kam qënë i poshtër. Kurrë! Të lig e të poshtër më bëri komunizmi. Vëllezër! Kurrë mos e harroni komunizmin ! Kurrë!” Eshtë porosia e fundit e një njeriu, të cilin regjimi në të cilin jetoi, i shkatërroi gjithshka, i vrau respektin për veten, i mori jetën në lulen e moshës. Mesazhi i kësaj skene është tepër i fortë. Ai i ngjan një simfonie bethoveniane që nuk njeh kufij kohe e hapësire, që hyn thellë në shpirt e bën të mendosh gjatë mbi thelbin e saj.
“Mallkimi i nënës” titullohet kapitulli i fundit i romanit. Është meritë e autorit që, nga ana emocionale dhe artistike, romani shkon në rritje. “Një tis dëbore po shtretëzohej edhe mbi kënetë. Ata punonin në mes të kënetës së ngrirë si fantazma dhe në kamp ecnin ngadalë, të heshtur, të raskapitur, si hije në muzg. Të moshuarit filluan të lenë amanetet e fundit…”
Në këtë pjesë jepet bukur ideja e një diçkaje që shkon drejt fundit. Afrimi i dimrit bën të pamundur vazhdimin e punimeve. Të burgosurit gëzohen kur marrin vesh se do të kthehen në burg, në dhomat e paajrosura e të qelbura. Atje nuk do të kenë për detyrë normën e përditëshme, as për dënim të përditshëm shkopinjtë e policëve. Por fytyrat e tyre nuk e shprehin gëzimin. Shikimet e tyre treten lart në qiell, madhështinë e të cilit do t’a dëshërojnë, e poshtë nën tokë ku duan të përshëndeten me shokët e mbetur përjetë aty, në baltën e kënetës.
Ata, të rënët e baltrave të Maliqit, ishin kurbanët që duhej t’i thereshin tharjes së kënetës, siç ishin të tjerë që u flijuan në të tjera kampe, në të tjera “vepra të socializmit”. Numuri i tyre është i panjohur, siç janë të panjohura dhe varret e tyre, siç është e panjohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe historia e tyre.
I lamë në këtë kënetë, por jo për t’i harruar.
Me siguri do të vijë një ditë që ata do të kujtohen.
Dhe populli do të ngrejë një memorial.
Se sa profetike ishin këto parashikime të shokëve që mbijetuan mund të vërtetohet nga fakti se asnjë përmendore nuk u ngrit për ta, asnjë rrugë apo shkollë në Shqipëri nuk mban emrin e tyre. Ata mbetën “armiq” siç mbetën “heronj” varrmihësit e tyre. Shqipëria zyrtare “demokratike” e njehsoi historinë e tyre me disa letra… pa vlerë. Madje dhe Europa tërthorazi na thotë se kujtimi i tyre nuk i shërbeka ecjes përpara, mbasi kujtesa historike duhet të funksionojë, por për viktimat e nazifashizmit…
Ata mbetën në kujtesën e shokëve, të bashkëvuajtësve, të familiarëve, por dhe në kujtesën e Kombit, mbasi Kombi është i përjetshëm. Kësaj kujtese i shërben dhe romani i zotit Makensen Bungo, që përfundon me një mallkim, me mallkimin e një nëne, e nënës së Vullnetit, që nuk u kthye me shokët në burg, që mbeti larg, përtej urës së Qabesë të Shqipërisë komuniste.
Romani ja ka arritur qëllimit në tërësinë e tij. Ai e ka realizuar porosinë e Hamletit. Lexuesi ngulit në mëndje një të vërtetë të hidhur, të trishtuar, por gjithmonë një të vërtetë, larg paçavureve të një tjetër “Kënete”, që mund të quhet një manual i përsosur dizinformimi. Jam i mendimit se përkthimi e botimi në gjuhë të huaja do të ishte mjaft i dobishëm. “Këneta e vdekjes” , me stilin e saj realist e dinjitoz, do të shërbente për të shpërndarë mjegullnajën e mashtrimit që mbulon të vërtetën e një epoke. Më duket e udhës të falënderojmë shkrimtarin për punën e tij të lëvdueshme e të urojmë që sa më shumë vepra të këtij lloji të shohin dritën në letrat shqipe.
Maj 2002

 

Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011

blank

NËQËSE IA DALIM – Poezi nga MARTIN CAMAJ

Nëqese ia dalim, or vëllà,

me dallue trupin e blinit t’bardhë

prej currave të bardhë së largu n’mal,

mjaft kemi bâ.

 

Nëqese ia dalim me dallue detin prej qiellës

e vëllaun prej fqinit

e fqinin prej të huejit,

mjaft kemi bâ.

 

Le t’u sillemi edhe vashave

e t’i përzijmë sytë e tyne me syzit e hardhis.

Ato i kemi pà në fundin e shpirtit tonë

si lumej të gjatë, pa skâje e të rrëmbyeshme,

po zemër s’kemi pasë me u thanë:

ju jeni lumej pa skâje e të rrëmbyeshme

pos me u dukë të unshëm për gjithçka.

 

Nëqese ia dalim me dallue syzit e hardhis

prej syve që lypin djelm prej nesh,

mirë e kemi punën.


Send this to a friend