Na e paska prishur stadiumin “Qemal Stafa” të kryeqytetit kryeministri. Bjerë këmborë të dëgjojnë ujqërit. Gjëmë e madhe për të gjithë ata që nuk kanë çfarë të bëjnë e rrahin dybekun si Nafija e gjorë në site interneti. Po gjëmë e madhe more na paska rënë. Si të bëjmë ne tani pa Qemal Stafën edhe si emër edhe si stadium. Ku të vemi e ku të fshihemi pa atë stadiumin që ishte bërë si kasolle jevgu ku shurronin kalamajtë e Tiranës.
Pike e plasur, pikë e paplasur. Veri çfarëdo kryefjalë shprehjes dhe je në rregull me kuptimin e alegorisë popullore, kur s’ke punë luaj derën.
Mirë stadiumin, që u bë kuvendi çorap i grisur, po mjaft more edhe me emrin. U lodh atje në varrin e dëshmorëve edhe vetë idealisti Qemal Stafa duke ja keqpërdorur emrin dhe idealet për ca mashtrime ordinere. Për më tepër një stadium nuk mund të ketë emrin e një luftëtari. Por në Shqipëri gjithçka është e militarizuar. Edhe shkollat edhe rrugët. Pushkë e top e mitraloz. A e keni parë fasadën e Muzeut Kombëtar sa armë ka. Luftëtarë të mëdhenj paskemi qenë. Gjoksin gropë e të pasmen tym… Pa-pa-pa-pa… Të bëjmë gjëmën me një kallash të ndryshkur pas gardhit. Aq luftëtarë të pamposhtur skërkave të historisë kemi qenë (bam-bum deri në Çana Kala) sa kemi mbetur të copëtuar anë e mban Ballkanit e të zotë të bashkojmë një komb nuk jemi. Ushtria jonë ka vajtur për lesh e emra luftëtarësh kudo në çdo cep të atdheut të katandisur si mos më keq, se nuk dimë tjetër veç kazmë e pushkë. Vrit e shkatërro. Asnjë lopatë gjëkundi. Vetëm për të hapur varret tona.
Ke gjë për të prishur or mik. Jemi gati. Me themel po të duash.
Ndërkohe absurdi shkon deri atje: rruga Brigada e VIII-të e të tjera llahtarira si këto. Ndërkohë i ngremë shtatore një handrak Sule me brekushe Stambolli, që u argalis si dylber me sulltanët dhe na e bënë historinë tonë shkurre e drizë, veç në katër shekuj pushtim hordhish osmane se me tej s’na lënë shteg të shohim.
Si të ishim pjellë sulltanësh. Se vër re çfarë e merakos Lamën tonë që gërmon në vlerat tona historike. Fotot e gjermanëve tek xhamia e një farë Ethem beu. Kush ishte ky farë Ethem beu e çfarë ka bërë në histori të Shqipërisë mund të pyes çdo ndokush, se gjermanët i dimë?! Kush po pyet. Mjafton të jetë insan turqeli e stambolli. Se aty e kanë mendjen e zemrën turkoshakët e rinj të Shqipërisë së vjetër me 5 mijë vjet qytetërim. Po, për të vërtetë, o Lamja, që je për këto arkeologjitë mesjetare sulltanore, se më thellë nuk të sheh llupa, jo për gjë por ngaqë është fort i thellë pusi i historisë për mendje të cekëta. Që ta kam llafin, na hëngri barku keq për atë varrin e Ethem beut në foton me gjermanët e luftës se dytë, që na e shet si zbulim i madh. Dhe për atë shtatoren idiote të Sules me brekushe që keni ngritur në mes të Tiranës, si të ishim pinjoll të sulltanëve të Turqisë, por, nuk rri dot pa të pyetur: ke ndonjë llaf pazari apo zbulim të ri për atë Sulejman Pashën e osmanllinjëve, për të cilin na ha barku fare, diare thuaj, që ti biem shkurt.
Po, more Lamja ynë, thonë se dardha e ka bishtin prapa, që thua ti, që nuk the asgjë, nuk ka filluar historia tek Ethem Beu i Turqisë dhe as tek Sul Brekushja i Aishes me zogun e zogorinë e vet. Punë çengijesh e hamani. Nëse genet e ndokujt e kanë fillesën aty, ka të tjerë që i kanë që nga koha e Teutës… e me përtej, o Lamja ynë, gërrmimtari i historise. Na u prish stadiumi. Obobobooo…Na doli punë tani. Për atë gërmadhë stadium. Se ne për të gjitha jemi kundra. Rroba e re na e ha trupin. Ndaj kruhemi. Luftë me llafe. Luftë me llafe nëpër kafe. Na lini more të jetojmë pakëz ditë të qeta dhe nga koha tjetër pa mite e vjetërsira, please! E pirdhuni megjithe Sulat tuaj e gërmadhat e vjetra. Se për ideale? Lëre më. I dimë idealet tuaja. Janë shterur, janë tharë. Idealet tuaja janë në qyp të historisë. Nuk po them në hale. Ideal sot është paraja. Ta Lefta Olimbi! Ta Lefta! Çfarë shoqërie hipokrite, mor Zot.
12 gusht 2016
Komentet