VOAL

VOAL

Një vit nga ikja e piktores së talentuar, Lumturi Blloshmi Nga Bedri BLLOSHMI

December 5, 2021
blank

Komentet

blank

Gëzuar ditëlindjen, e shtrenjta dhe e shenjta jonë Zhuliana Jorganxhi Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

Këngët e Zhulianës janë të përshtatshme për të gjitha stinët, kohët, ndjenjat dhe moshat pasi ajo ka shkruar këngë gjithë jetën e saj.
Nëse do të isha producent ose ndoshta drejtor artistik në televizion, do të krijoja një video me disa fragmente prej këngëve të saj më të njohura, për ta përshëndetur, pasi na ka dhuruar këngë dashurie (S’ish takimi i parë, jo/ Por as i fundit/Buzët thanë: “Më fal ti/Qerpiku një lot shkundi) këngë të trishta: (Se lodër s’është kjo jeta ime/Prandaj lehtë/ Nuk ua dhuroj/Ndonëse dhimbja po me mbyt/Do te di unë ta jetoj), këngë sociale (Thuam kush të çoi në dëshpërim/Ty o ëngjëll krahë këputur në udhetim/Dil nga ky terr ku je verbuar), këngë për eksodin (Ajo dinte si duronte/Po i shkuleshin filizat/ Deti u be mal me njerëz/E toka det me lot) këngë për demokracinë (E duam jetën ndaj na lini të jetojmë/O mik, o vëlla pak qetësi për shpirtin tonë/E shtrenjta ime ti këtë mbrëmje mos mungo/I kam harruar përkëdheljet mos harro) këngë për nënën (Në çdo rrudhën tënde/në çdo flok’ të bardh’/Unë shoh fëmijërin’, hapin tim të par’), për babën, për motrën, për vëllanë, për gjyshin, për punën, për mësuesin etj.
Bëhet fjalë për qindra këngë, me dhjetëra kompozitorë shqiptarë, me këngëtarë të panumërt, rreth pesëqind këngë hite, ndoshta edhe më shumë – këto janë ato që unë arrita të seleksionoj në arkivat e Radios- me siguri do të ketë edhe shumë të tjera që unë ose nuk i di ose janë të mbyllura në për bobina të ndryshme.
Ajo rriti breza të tërë shqiptarësh me mendimet e saj të hedhura mbi një copë letër. Rriti breza të tërë që edhe sot i dëgjojnë këngët e saj sikur të ishte hera e parë e tyre.
Gjurmët e poezisë të saj u ngulitën brenda nesh, herë të gdhendura dhe herë “të gozhduara”. Padyshim, ajo ndryshoi rrugëtimin e këngës shqiptare në kohërat pa ngjyrë. Përmes penës të saj të guximshme, na dhuroi këngë herë të mprehta dhe herë shëruese, arriti të zbukurojë censurën socialiste, të komunikojë privatësinë, të kapet nga e pakapshmja e asaj kohe.
Luftoi armikun e brendshëm, pa i fshehur apo mbuluar plagët e saj. Ajo i la të ekspozuara dhe të prekshme për të dëshmuar të vërtetën e saj. Një bashkim kimik, një fenomen kohor, një mister fetar në tryezën e shenjtë të gjuhës sonë, ajo ofroi trupin dhe gjakun e fjalëve për të marrë jetë çdo notë nga pentagramet më të arta të korifenjve duke folur për mungesën dhe humbjen, dashuritë dhe disfatat, kujtimet dhe gëzimet, ankesat shpirtërore dhe jetën e Shqipërisë së viteve dikur.
Mësuesja e adoleshencës sime, atëherë kur moshatarët nuk kuptonin çka shkruante, unë dridhesha me çdo fjalë që shkruante. Mbylla sytë një ditë dhe vendosa të bëhem si ajo. Ndoshta ishte era e lapsit e ngatërruar me disa këngë të saja që formonin aq me vend në shpirtrat e njerëzve ngushëllimin e një jetë të bllokuar për vite me radhë. Mora një copë letër dhe shkrova emrin e saj, e fsheva në dosjen e parë të zemrës sime. Që atëherë ndodhet aty dhe rritet me mua.
Gjithsesi, ajo u përket atyre artistëve që e bënë jetën time më të mirë por dhe jetën tuaj, në shumë çaste. Sidomos kur jeta jonë ishte e vështirë, e pangjyrë dhe kishte nevojë për shoqërim muzikor-këndues. Ia kemi borxh një përqafim dhe sa do herë ta falenderojmë nuk do mjaftojë…
Gëzuar ditëlindjen, e shtrenjta dhe e shenjta jonë Zhuliana Jorganxhi
blank

PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN… Nga Visar Zhiti

Ka njerëz që ikin nga kjo jetë me pikëllimin e atyre që i deshën dhe i duan deri sa të jenë, duke lenë dritën e tyre, por, ja, që nuk përbëjnë lajm, nuk shkruajnë gazetat, nuk thonë gjë televizionet, sepse jetuan modestisht, punuan pa zhurmë, me përkushtim ndaj familjes, fëmijëve gjithë nder dhe me virtyte.

Edhe pse në anonimat, jeta jo vetëm që do të ishte e zbrazët pa ta, por ata janë dhe vetë vlera njerëzore e jetës.

Kështu po bisedonim ne, që e kemi njohur zonjën Shpresa Agaj, që ndërroi jetë në këtë 7 gusht në një spital afër shtëpisë së saj, në Bloomingdale, në rrethinat e Chicago-s. Jemi mbledhur për shpirtin e saj, ka lule dhe qirinj po flasim me zë të ulët për të, por me ngrohtësi dhe përdëllim duke parë fotografi të saj e duke përsjellë kujtime,

Ishte ashtu siç ka dhe emrin, Shpresa. Me mirësi me dritë. shpesh të trishtë, por të vërtetë.

Bashkëshortja e shoqja e një burri të nderuar, Maliq Agaj, që po ashtu dhe ai, me ato virtyte dhe heshtje. Punëtor gjithë jetën. Që nga viti 1998 ikën nga Vlora dhe mërguan për në SHBA, që të ishin bashkë me fëmijët e tyre. Por familjet e tyre kanë histori, nga ato që janë pjesë e historisë së përbashkët, e historisë së re të Shqipërisë.

SHPRESA

është e bija e Dane Zdravës, lindi në Berat në vitin 1938 dhe aty u shkollua, por nuk mund të merrte dot studimet e larta, sepse…

Babai i saj, sot “Qytetar Nderi” i Beratit, i dekoruar me Medaljen “Nënë Tereza”, ka qenë i dënuar politik dy herë me burg të rëndë në diktaturën enveriste. Pse? Sepse Dane Zdrava kishte studiuar në Itali, kishte mbaruar Akademinë Navale në Napoli, ishte biznesmen me të parët, ai solli kombajnat e para në Myzeqe, ngriti centralet e parë, hapi kinemanë e parë në Berat, edhe dyqanin e parë të modes në Tiranë, deputet i Parlamentiti shqiptar në 1943, bamires i shquar, prenotonte sallat deri dhe në Romë, ku shkrimtarja Musine Kokalari do të zhvillonte takimet me lexuesin e do të fliste për Shqipërinë. Edhe pajën e martesës ua bënte ai vajzave të shokëve dhe miqëve që nuk mundnin, madje dhe fitimtarëve, që u futën në Tiranë me ato uniformat e reja e të pastra, ai i kishte paguar. Dhe ata e burgosën me të parët. E çuan në kënetën e Vloçishtit, ku ishin të burgosur dhe shkrimtarët Mitrush Kuteli e Arshi Pipa, etj, etj.

Mbas daljes nga burgu rriti me përkujdesje dhe urtësi fëmijët e vet, Shpresën e bukur dhe tre djemtë pas saj. që ta ndjenin persekutimin sa më pak, vetëm nga jashtë, jo nga brenda.

Pastaj erdhi një djalë nga Vlora, që kërkoi dorën e vajzës së tij. Po cili ishte ky?

MALO

e thërrasin, ka vërtet qëndresë dhe durim mali, e quajnë Maliq Agaj, i biri i Shero Eminit, i cili bashkë me djalin e madh, Ago Agajn do të merrnin pjesë në Luftën e Vlorës të 1920 dhe do të mbështesnin dhe Kongresin e Lushnjës. Familje nacionalitësh, arsimdashësish, Agoja do të diplomohej në Austri për inxhineri agrare, do të bëhej prefekt në Mitrovicë në Kosovë dhe minister i bujqësisë dhe regjimi i ri komunist do ta dënonte me vdekje, por ai, bashkë me vëllain tjetër e kushërinj të tjerë mërguan në SHBA, dhe iu përkushtuan çështjeve atdhetare, Agoja shkruajti libra historie, botonte artikuj në “Dielli” deri sa mbylli sytë.

Maliq Agaj mbeti në Vlorë, të mbante nënën e të kujdesej për motrat, për nipër e mbesa dhe do të përndiqej gjithë jetën, nuk do t’i jepeshin kurrë ato që quheshin “triska fronti”, që veçonin nga të tjerët për keq, do të punonte ku të mundëte, punëtor krahu, në ndërtim, por do të ishte mjeshtër si saldator.

Shpresa me Maliqin ngritën një shtëpi plot dashuri në kohën e mjerimit të madh. Por kishin atë frymë besimi dhe force si një amanet të të parëve të tyre. Maliqi made gdhëndi vetë dhe një raft librash, i blinte të gjithë librat e reja, përkthime nga letersia botëore dhe kishte piktura në shtëpi të miqve të tij piktorë. Shokë të tij do ishin dhe shkrimtarët, patjetër ata të persekutuarit.

Shpresa e bukur, me buzëqeshjen të patretur, iu përvesh punëve të rënda në bujqësi, në ullishten e Vlorës, dimër, verë me çizme nëpër baltë, punonin kanaleve dhe mblidhnin ullinj për shtetin me duart e enjtura.

Rritën tre fëmijë, dy vajza si yje, të shkëlqyera në shkollë dhe në rrugë, të pastra në veshje dhe sjellje.

Shpresa mori dhe një makinë qepëse, është dhe sot në reliket e shtëpisë dhe qepte, këmisha e fustane, sajonte me copat mrekullira, atje vinin, thjeshtësia përzihej me elegancën, moda me të pranueshmen, të gjithë do të vinin për të qepur te ajo. Fëmijëve të tyre nuk u mungonte asgjë, falë duarve të arta të prindërve, dashurisë së tyre, të meritës që ditën të ishin nënë e devotshme dhe baba me dinjitet.

Kur doli nga burgu poeti Kudret Kokoshi, i diplomuar në Itali, Shpresa me Maliqin e ftonin në shtëpi, që t’u jepte fëmijëve mësime italishteje. Me gjithëse nuk do të lejoheshin të shkonin në shkolla të larta, me “biografi të keqe”, u vinë letra nga Amerika, pako nga xhallarët e arratisur.

Brengat, shqetësimet e tyre, padrejtësitë jashtë, sherret, kurrë nuk lejuan që t’i ndjenin dhe fëmijët e tyre, përkundrazi ata panë vetëm harmoni e mirëkuptim e dashuri, me shpresën se gjerat do të bëhen me mirë.

BASHKË PËRHERË

Dhe erdhi koha e ndryshimeve të mëdha, perandoria komuniste po binte, në Shqipëri nisën protestat e fillimit të viteve ’90. Shkodra kërkonte të shkulte bustin e Stalinit nga piedestali, ndërsa në Vlorë gratë e persekutuara u futën në grevë urie. Mes tyre ishte dhe Shpresa Agaj, qëndrestare, kurajoze dhe zonjë. Megjithëse shqiptarët në grevë urie kishin qenë gjithmonë…

Me fundin e diktaturës, Shpresa dhe Maliqi dolën ne pension, qenë rropatur gjithë jetën, por pensioni ishte i pakët. I martuan fëmijët, po ndjenin gëzimin e të bërit gjyshe e gjysh dhe i mësonin nipërit e mbesat të dhuronin e të buzëqeshnin, i ushqenin, luanin me ta.

Pas zhgënjimeve jo të pakta dhe vitit vrastar ‘97, edhe ata ikën, mërguan në SHBA, të ishin bashkë me fëmijët e tyre, krenarë madje, kishin tani dhe ç’të trashëgonin ata, por mbi të gjitha, bashkë me dashurinë, dinjitetin e jetës. U bënë nështesa amerikanë, por flamurin e Shqipërisë e mbajtën gjithmonë pranë atij të SHBA-së. Krijuan miqësi të reja, me shqiptarë nga të gjitha trevat, nga

Maqedonia e Kosova e nga Çamëria, por shqetësimet për atdheun nuk i ndanë nga vetja kurrë. As librat shqip.

Po rinoheshin. Maliqi kishte vuajtur nga shëndeti, sidomos nga stomaku, edhe Shpresa nga tensioni dhe ëntja e këmbëve, I fryheshin, pasojat nga punërat e rënda në diktaturë, por këtu patën përkujdesin më të madh.

Dilnin në kopshtin veror në shtëpinë e bukur, ulur në poltrona mes blerimeve, pemëve dhe luleve të shumta, me kafenë që ua silltnin në tryezë, bisedonin me orë të tëra, lexonin të dy, shkonin në dhomën e tyre, hapnin televizorin, ndiqnin emisonet e Tiranës, flisnin në telefon, shikonin fb, diskutonin me miq, shkonin në Atdhe, por duke u moshuar, duke i pakësuar të gjitha. Vetëm dashurinë dhe merakun jo.

Sapo u kthyen nga vizita e fundit në atdhe. Të lodhur, por të mbushur. Shpresa me këmbët e nxira, por me zemrën e bardhë, qe çmallur me shtëpinë e saj në Durrës dhe Maliqi i gjallëruar nga takimet në Vlorën e tij.

Dhe pa u ankurar kurrë, kurrë, pa ia zbrazur ndokujt dhimbjet e veta, madje as fëmijëve, Shpresa mbylli sytë si për t’u shplodhur në mesditën e së dielës, shpirti i saj mori rrugët qiellore me Maliqin e saj te kryet, duke i shtrënguar dorën dhe fëmijët e pikëlluar.

Pafund po vërshojnë mesazhet nga kudo, nga Amerika e Atdheu, nga Kanadaja e nga Europa, nga arbëreshë, etj, dhe nuk është vetëm lehtësia e mrekullueshme e komunikimit elektronik sot, por dhe mrekullia e zemrave njerëzore, Shpresa duke ikur vetë, ngjalli bisedat e mira, njerëzit po kujtojnë vlera e virtyte, e mira, e urta, e dashura, zemërbardha, po thonë, e kujtojnë si teta Shpresa, kur vinin në shtëpinë e saj, edhe në kohën e krizave, ndante ushqimin me ne, ishim të dobëta dhe na ushqente bashkë me çupat e veta, e paharruara, zonjë e nderuar, shkruan një tjetër, heroinë, ngushëllime familjes, që i shërbeu si askush, qoftë e parajsës, do ta kujtojmë fisnikërinë e saj, urtësinë e mirësinë, thekson prapë një tjetër, Shpresa e mirë, njerëz të tillë rrezatojnë dhe pas ikjes, etj, etj.

Po bashkëshorti, Maliqi i saj, mbas 60 vjetesh me të, duket sikur dridhet nga e ftohta e vetmisë. Donte ai të ikte i pari, po punët e Zotit, nuk i di askush. Po Shpresa ka lënë aq ngrohtësi dhe aq vetvete dhe aq siguri për shokun e jetës, babain e fëmijëve të saj. Ata, duke qenë vetë familjarë, e dinë dhe e ndjejnë babain, dashurinë e patjetërsueshme, të patundëshme të tij, se pasuria e vërtetë është familja e mirë, dashuria e saj dhe ky është amaneti i vërtetë i që na vjen nga nënat..

Lutjet për shpirtin e Shpresës vazhdojnë.

POROSIA

Dhe ky është shkaku i këtij shkrimi, përshpirtje për të thjeshtën dhe virtytin, për një grua me ato veti që duhet t’i kenë të gjitha së brendshmi, se është tjetër gjë të shquarit dhe lavdia, kryeministre, presidente, yll kinemaje a mode, deputete, super e pasur, drejtoreshë a çdo profesion, etj, etj, sot kujtuam Shpresën, e zakonshme si jeta e saj, që nuk e mposhtën përndjekjet dhe vuajtjet, por dhe begatia e mëvonshme, as lumturia, jo nuk e tjetërsuan, qendroi me fuqinë instiktive dhe të madhërishme të gruas, bashkëshorte dhe nënë.

Nuk kam njohur njeri me aq edukatë, shkruante një tjetër më së fundmi. Dhe ajo edukatën nuk e kishte të mësuar, por karakter. Pa thënë asgjë, as emrin e saj, madje duke ikur përgjithmonë, u kujtoi të gjithëve të gjitha këto, që nuk përbëjnë lajm, për të cilat s’ka kamera e intervista, gazetat nuk do të shkruajnë, por përtej këtyre, urtësisht dhe pa zhurmë Shpresa dha shpresë për mirësi dhe nder dhe virtyte (…nuk na duhet një demokraci pa virtyte, na mësonte Papa Vojtila…), për të vërtetën e të jetuarit vetëm me to. Prandaj dhe mbetet zonjë e nderuar dhe grua e bukur.

Në foto poshtë: Zonja Shpresa me bashkëshortin e saj Maliq Agaj

 

 

blank blank blank

blank

NË PËRVJETORET E SHEN NËNË TEREZËS SHQIPTARE Nga Lutfi ALIA

 

Shen Nënë Tereza
(“Lutja”: Vepër e Mjeshtrit të Madh, Pashk Pervathi – 2016)

Më 26 gusht 2022 do të përkujtohet 112 vjetori i lindjes të Shen Nënë Terezës shqiptare.
Më 5 shtator 2022 mbushen 25 vite, kur pushoi së rrahuri zemra e madhe e Shen Nënë Terezës. Atë ditë, në shtratin e thjeshtë dhe të bardhë, në dhomën e saj të vogël në “Shtëpinë e Nënës” në Kalkuta, pushoi së rrahuri zemra e madhe e motrës misionare Shen Nënë Tereza. Pas 87 vitesh, trupi i saj i vogël qndronte pa lëvizur përtej jetës e vdekjes, mbuluar me lule, e rrethuar nga motrat e dashurisë, që i rrinin pranë me lotët dhe dënesat e dhimbjes, duke përsëritur lutjet-uratat e Nënë Terezës. E rëndë pesha e dhimbjes. Atë ditë Nënë Tereza mbi Pegasin u ngjit në amshim pranë Atit tonë, që e priste në dritën e parajsës. Kumti i kobshëm e mpiu botën, dhimbja dhe lotët e hidhërimit i pushtuan popujt e botës. Në funeralin e ngjitjes në amshim të Nënë Terezës, morën pjesë mbi 1 miljon njerëz, hindian të thjeshtë dhe shumë personalitete të botës, ishte korteu më i madh në historinë e njerëzimit.

MEDITIME PËR SHEN NËNË TEREZËN SHQIPTARE.

Nёnё Tereza, kjo grua e madhe e shtatvogёl, e veshur me sarin e bardhё, me kordona blu nё buzёt anёsore, me shaminё nё kokё ashtu si e vinte nёnlokja Drane; me kryqin tё fiksuar nёn supin e majtё mbi zemёr; nё kёmbё mbathur vetëm sandalet; gjithnjё nё shtegëtim me hap tё shpejtё dhe tё sigurtё nёpёr rrugёt e botёs dhe kur ngjiste shkallёt e pallateve mbretёrore, kur shkonte nё zyrat e pushtetarёve; me tё njejtin ritёm lёvizte nё shtёpitё e motrave tё misionit dhe kur hynte nё shtёpitё e popullit tё thjeshtё, nё barakat e slum-eve tё Hindisё dhe tё 136 vendeve të botёs; pёr herë dhe kudo ishte aktive, dinamike, e fuqishme, e thjeshtё deri nё madhёshti, ishte Nënë Tereza Shenjtorja e Dashurisё.

Nën hapat e lehtё e të sigurta tё Nёnё Terezёs, gjithçka merrte jetë dhe Ajo bëhej me flatra qiellore. Kushdo që e ka takuar Nënë Terezёn, është ndodhur pёrballë pamjes e saj hyjnore, me sytё plot dritё, nga buronte njё vështrim i butё, i ёmbёl, i qeshur, depёrtues, plot mirёsi, por dhe serioz e guximtar, i mbushur me preokupim, me dhimbje dhe rrallё herё me zemёrim, qё i kthente nё forcё dhe nё aksion, pёr tё zgjidhur problemet shumta tё pjesёs sё mbrapshtё tё botёs.

Ky portret i mirёnjohur dhe shumë i dashur nga tё gjithё, plotёsohet me njё veçori tё Nёnё Terezёs, me pёrshёndetjen e saj tipike, me dy pёllёmbёt tё bashkuara para gjoksit tё vogёl, qё i puthiste lehtё – lehtё, si tё merrte ndër duar, pёr tё vendosur brenda zemrёs tё saj tё madhe, tё mbushur me dashuri nëne. Kush e ka takuar Shen Nënë Terezën, nga njerёzit e zakonshёm e deri te burrat e shteteve, Papёt dhe kardinalёt, artistët e shquar, shkrimtarёt, shkencёtarёt, miliona varfanjakë, lypsat, gazetarёt, mbretёr e mbretëresha, princa dhe princesha, presidenta, kryeministra e ministra, diktatorë, burra e gra, nёpunёsit e zyrave, kudo në rrugë dhe nё shtёpitё e misionit, të gjithë pa pёrjashtim, për ta përqafuar, ishin tё detyruar të përkuleshin para shtatit të saj të pakët dhe kjo s’ishte thjeshtё përkulje fizike, por metaforë e adhurimit dhe e magjepsjes, që u impononte madhёshtia e shenjëtores Nёnё Tereza.

Shen Nёnё Terezёs ёshtё ikona e kohëve moderne, ëshë shenjtorja e të varfërve, shenjëtoria e dashurisë. Pёr veprat shpirtёrore dhe humanitare me dashuri nё shёrbim tё njerёzimit, Nënë Tereza nderohej nga tё gjithё popujt e botёs, tё cilët e quanin: “Nёna e dashurisё”, “Nёna e botёs”, “Ungjilli i gjallë”,”Ungjilli i pestё”, “Pena e Zotit”, “Lajmëtare e dashurisë të Jezu Krishtit”, “Nёna e tё varfёrve”, “Shenjtoria e dashurisё”, “Shenjtoria e tё varfёrve”, “Investuesia e dashurisë”, “Engjëlli i dashurisë”, “Engjёlli i jetёs”, “Engjёlli i mirёsisё”, “Mesazhere e dashurisë dhe e lumturisë në botë”, “Shёruese e plagëve të botës”, “Emisaria e Zotit në tokë”, “Ungjilloria transparente” etj, etj

Pesha e viteve kishte lёnё gjurmёt, ndёrsa mundimet qё kishte bartur nё jetё, ia kishin kёrrusur paksa trupin e saj shtatvogël, por nuk e thyen shpirtin dhe forcёn e Motrës së madhe. Shen Nёnё Tereza i shёrbeu njerёzve me vetmohim, duke e shndёrruar dashurinё për njerëzit nё besim, në mision dhe nё profesion, përherë nё ndihmё tё viktimave tё varfёrisё dhe njerëzve në vuajtje.

Tё gjithё ruajmё nё kujtesё fotografitё e panumërta të Nënë Terezës, me fytyrën e bukur dhe fisnike, tё skalitur me rrudha, tё ndriçuar me buzёqeshjen e ёmbёl dhe hyjnore, me vështrimin e ngrohtë, të qeshur e plot dashuri. Kështu mbetet Nënë Tereza, përtej kufijve të kishës katolike dhe të ftohtёsisё zyrtare tё pushteteve. Nuk ishte rastёsi, qё nga gjiri i popullit tё vuajtur shqiptar, Zoti zgjodhi Shen Nënë Terezën, që e pёrdytёsoi me Jezu Krishtin, kёsisoj ajo u ngjit nё lartёsitё e shenjtёrisё universale, u bё simbol i pastёrtisë, i besimit me devotshmёri, i pёrkushtimit me dashuri nё misionin si motёr katolike, misionare e bamirёsisë, misionare e dashurisë. Nënë Tereza i shёrbeu të gjithë njerёzve pa dallime fetare, etnike, sociale dhe ekonomike, i ndihmoi tё varfёrit, tё sёmurёt, tё braktisurit, të gjymtuarit, jetimёt, ata që shoqëria dhe pushtetet i kishin braktisur dhe spitalet nuk i pranonin e me kёto vepra u bё modeli i pёrsosur i humanizmit dhe i dashurisë për njeriun.

Pёr kontributet shpirtёrore dhe humanitare, murgesha misionare Nënë Tereza, ёshtё vlerёsuar një ndёr gratё mё tё shquara tё shekullit XX dhe pёr kontributin e saj, shumё shtete dhe institucione e kanё dekoruar me 35 urdhёra, medalje dhe me shumё çmime prestigjioze, ndёrsa nё vitin 1979 i akorduan çmimin Nobel pёr paqёn, pёr veprat e shquara nё aktivitetet e saj humanitare dhe nё inspirimin shpirtёror. Atё ditё, kur mori çmimin Nobel, Nënë Tereza bёri dhe deklaratёn e fuqishme: “Me origjinё dhe me gjak, jam shqiptare….”, njё thёnie lapidare, qё pёrcjell kumtin e krenarisё të shqiptares, por dhe nderin pёr tё gjithё shqiptarёt, qё i gёzohen dhe e admirojnë bashkatdhetaren e madhe me famё botёrore.

Ashtu si populli e “kanonizoi” Papën Gjoni XXIII, shumë më përpara se të hynte zyrtarisht në katalogun e fatlumëve dhe Lumturimi “i posaçëm” dhe i shpejtë i Nënë Terezës shqiptare më 19 tetor 2003, nxiti dёshirën e pёrgjithёshme tё shpallej menjёherё shenjtore dhe populli, ashtu si e quajti Nёna e Dashurisё, pa hezitim e “kanonizoi” shenjtore dhe popujt e botës e quajtën e Shenjta Nёnё Tereza. Si shenjtorёt e tjerё dhe Shen Nёnё Tereza është kudo e pranishme dhe frymёzuese, pasi Ajo ka lёnё testamentin e besimit katolik tё pastёr e tё ndjerё shpirtёrisht, optimizmin, guximin, shpresёn gjithmonё fitimtare, thjeshtёsinё e admirueshme, dashurinё hyjnore pёr njeriun, forcёn vepruese, dhёmbshurinё dhe pёrkushtimin pёr tё ndihmuar tё varfёrit, lypsat, jeti-mёt, tё sёmurёt, sakatёt, tё gjithё ata qё shoqёria i braktis dhe i konsideron tё paprekshmit. Pёrgjigjia e saj hyjnore ndaj thirrjes sё Jezu Krishtit: “Eja, bёhu drita ime”, e bёnё motёr katolike tё devotëshme, misionare tё bamirёsisё, nёnёn e tё varfёrve, dёshmitaren e dashurisё tё Zotit pёr tё gjithё njerёzit pa dallime fetare, etnike, kulture dhe nivele social-ekonomike. Besimi nё fenë katolike i dha forca tё veproi me dashuri nё shёrbim tё viktimave tё varfёrisё dhe kështu Ajo krijoi shërbimin, moralin, humanizmin dhe dashurinë Tereziane, qё edhe nё ditёt e sotme, janё modele sociale pёrgjithёsuese pёr tё gjithё popujt e botёs.

Duke vlerёsuar veprёn e Nёnё Terezёs, Papa Pali VI tha: “Ju prezantoj Nёnё Terezёn dёshminё autentike tё Ungjillit pёr tё gjithё, lajmëtaren e dashurisё tё Jezu Krishtit”. Papa Gjon Pali II, në ditёn qё e shpalli tё Lumturueme Nёnё Terezёn tha: “Me dёshminё e jetёs dhe tё veprës sё saj, Nёnё Tereza na kujton tё gjithёve, se misioni ungjillor i Kishёs, kalon pёrmes dashurisё, e ushqyer nё lutjet dhe nё dёgjimin e fjalёs sё Zotit”. Shen Nёnё Tereza ёshtё Ungjilli i pestё. Ndonёse dihen cilёt jane katёr Ungjijtë e tjerё, shumё tё krishterё dhe jo tё krishterё nuk e dinё cilёt janё ungjillorёt, por njohin Nёnё Terezën dhe e pranojnë unanimisht si Ungjillin e pestё, misionaren e bamirësisё, mishёrimin e dashurisё nё veprim, shenjtoren e dashurisё.

Edhe nё çastet e vёshtira tё pёrjetimit tё “natёs sё shpirtit”, Nёnё Tereza nuk u fsheh nё fenё e saj, nuk dyshoi, nuk u thye, nuk u dorёzua, nuk e braktisi fenё katolike, pёrkundrazi e kёrkoi Zotin me insitim, pasi besimin nё Zot nuk e donte si dhuratё, ashtu si e pranojnë besimtarёt dhe mistikёt e tjerё, por e kёrkoi me të gjitha forcat e besimit, me mençurinё e saj, kësisoj e gjeti, e përvehtësoi, e zbatoi në fè dhe në jetën si motёr  katolike, si misionare e dashurisë, duke rrezatuar dritё mbi tё gjitha errёsirat.

Shen Nёnё Tereza, me misisonet e bamirësisë-dashurisë, ka dhёnё kontribut tё shquar nё ndёrkombёtarizi-min e humanizmit, duke krijuat kulturёn e shёrbimit pёr njerёzit nё nevojё, për njerëzit në vuajtje, pavarёsisht nga pёrkatёsia fetare duke u bёrë protagoniste e shquar e ekumenizmit tё kohёve moderne.

Me misionin ungjillor, Shen Nёnё Tereza u bё “Samaritania e mirё” pёr çdo person qё ka takuar, pёr çdo të varfër, të sёmurë, të braktisur, për çdo njeri nё krizё, nё vuajtje dhe nё dёshprim.

MOTËR KATOLIKE E PËRKUSHTUAR

Dёshira e Gonxhe Bojaxhiut, pёr t’iu përkushtuar veprës sё Jezu Krishtit, e ka zanafillën në zemër të vendlindjes arbërore, e cila në vitet e fёmijërisë dhe të rinisë se saj, ishte e copëtuar dhe nё mjerim. Jetesa mes të varfërve të Shkupit, ndikoi nё shpirtin e brishtë të Gonxhes, duke i ideuar ndjenjat e miqësisë, të ndihmёs dhe të respektit për të nëpërkëmburit nga fati i mbrapsht, nga shtypja dhe padrejtësitë shoqërore, andaj i u përkushtua atyre me dhёmbshuri dhe me dashuri e kёsisoj i parandolli vehtes misionin e kryqit.

Në rrugën e shenjtërimit që ajo zgjodhi, nuk e çoi ndonjë kompleks, apo sugjerim, as urdhër, përkundrazi inspirimi për të hyrë në shёrbim të kishës si motër katolike, i lindi natyrshëm në shpirtin e saj të ndjeshëm dhe për këtë pёrkushtim të veçantё tregon: “Isha e ulur në gjunjë para Zonjës të Letnicës, në Santuarin pranë Shkupit, kur dёgjova thirrjen hyjnore. E kujtoj shumë mirë atë mbrëmje të festës së Zonjёs e ngjitur në qiell. Po lutesha dhe këndoja e mbushur me gëzim tё brendshëm, kur e dëgjova zёrin e Zotit, që më ftoi t’i përkushtohem Atij, të konsakrohem në shërbim të njerëzve”.

Gonxhja rinushe vendosi t’u shërbente njerëzve në emër të Zotit dhe jo të mbyllej si murgeshë në kuvend, për t’i kaluar ditët me lutje dhe meditime, andaj me Jezu Krishtin në zemër, iu pёrkushtua atij në shërbim të njerëzve. Duke parë këtë pёrkushtim, Zoti e ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, andaj zgjodhi Gonxhe Bojaxhiun për barazi dhe si dёshmi të një jete si motër misionare në shërbim të njerëzve.

Nё gusht tё vitit 1928, Gonxhe Bojaxhiu vendosi“… para Zonjёs Sonё, vendosa të shkoj nё mision e do t’i pёrkushtohem tёrёsisht Zotit dhe shpёtimit tё shpirtёrave”. Kёsisoj Gonxhia e nisi jetёn e misionares.

Mё 26 shtator 1928, Gonxhja nisi udhёtimin e misionares dhe nga kjo ditё vazhdoi pelegrine tёrё jetёn. Fillimisht nё Urdhёrin e Motrave tё Loreto-s nё Dublin të Irlandёs, ku qëndroi pak kohё pёr tё marrё mёsimet e anglishtes dhe ku mori velin e motrёs nё rishtari. Nё zbatim tё rregullave tё Urdhёrit tё Motrave tё Loreto-s, Gonxheia zgjodhi emёrin Maria Tereza e Jesu Krishtit Fёmijё, ashtu si Shёn Tereza e Lisieux dhe nga ajo ditё e thёrrisnin Motёr Tereza. Duke marrё emёrin e Terezёs sё vogël, Gonxhja bёri njё zgjedhje tё veçantё, qё i lindi si thirrje e brendёshme, si e tregon ajo vetё: “Tereza e Liseiux bёri gjёra tё vogla me dashuri tё madhe; gjёra tё zakonëshme me dashuri tё jashtёzakonёshme; ja pse u bё e Shenjtё dhe unё besoj, se ne mund ta pёrdorim kёtё shembull nё jetёt tona, duke bёrё gjёra tё vogla me dashuri tё madhe”. Preferoi emёrin Tereza, sepse ndjehej mishërim i tё dyjave, me tё parёn ngjante nga shtati i pakёt dhe inspirimin pёr tё bёrё gjёra tё vogla me dashuri tё madhe, ndёrsa me shenjёtoren e Avilas e lidhёte dashuria pakufi ndaj Krijuesit, deri në vetëflijimin absolut.

Besimi nё fenё katolike dhe shёrbimi me dashuri pёr viktimat e varfёrisё, pёr njerёzit në vuajtje, qё kishin nevojё për ndihmё, pёr pёrkrahje, pёr njё fjalё tё mirё, e kanё zanafillёn nё edukimin qё mori nga prindёrit, nё shkollёn, nё famullinё e Shkupit dhe nga shoqёria shqiptare e kohёs. Në Shkup, tё vobektit dhe nevojtarёt, e kishin ndjerё nga afёr dashurinë, dhёmbshurinё dhe dorёn e ngrohtё tё Gonxhes së vogël, qё u rrinte pranё dhe i ndihmonte, andaj e quanin “Engjёlli i ngushёllimit shpirtëror”. Nuk duhet tё harrojmё se nё atё periudhё, femra shqiptare ishte e shtypur dhe pa tё drejta shoqёrore, ndёrsa Gonxhja, i sfidoi paragjykimet dhe ndalimet e kohës, Ajo spikati mbi kufizimet, qё diktonte kultura dhe mentaliteti patriarkal i kohёs.

Kёto janё tiparet e kulturёs humanitare, fetare dhe tё fisnikёrisё tё familjes Bojaxhiu, tё shkollёs shqipe, të shoqёrisё shqiptare dhe tё famullisё tё Shkupit, ku u rrit dhe u edukua Agnes Gonxhe Bojaxhiu. Nga nёnlokja Drane dhe nga babai Nikolla, Gonxhja mori vlerat më të mira, që çdo fëmijё dëshiron t’i trashëgoi nga prindёrit e vet. Gonxhja ishte 18 vjeçe kur hyri nё jetёn e murgeshёs katolike dhe nё kёtё shtegёtim tё gjatё, mbajti nё thellësi të qёnies sё saj forcёn dhe dashurinё e nёnёs Drane, qё e edukoi me virtyte tё larta, ruajti krenarinё dhe shpirtin e aksionit tё baba Nikollёs, kishte mbёshtetjen e pёrherёshme tё vёllait Lazёr dhe tё motrёs Age; por ndjente dhe jehonёn e Rozafës, gruas mitike të murosur në përjetësi, qё e frymёzonte me sakrificёn sublime pёr tё bёrё mirёsi; nё shpirtin e saj ishte madhёshtia e mbretёreshёs Teuta dhe e princeshës Donika Kastrioti, mençuria dhe fisnikёria e Dora D’Istrias, forca edukuese e Parashqevi Qirjazit, trimёria e Nores të Kelemendit, e Janica Martinit, e Mara Kondit, e Shote Galicёs, ashtu si tërë jetën e shoqëruan uratat e qindramijёra nёnave,
grave dhe vajzave shqiptare.

Kjo botё shqiptare, qё gjallonte nё shpirtin e Gonxhes, u lidh dhe me njё tjetёr botё tё dashurisё, qё e gjeti nё fenё katolike, që i bashkoi nё njё tё vetme e kёsisoj, e plotёsoi universin e pёrkushtimit nё katolicizёm, nё bamirёsi, nё dashurinё pёr njeriun dhe pёr jetёn. Kёto misione, Nёnё Tereza i ka shprehur me veprat e shumta fetare dhe humanitare, por dhe nё shkrimet e nё letrat e shumta, nё uratat, nё esse-tё dhe poezitё e saj tё bukura plot ndjenja, me kёshillat profetike, me veprёn apostolike, me predikimet, me sentencat ungjillore, nё takimet e nё bisedat me njerёzit e thjeshtё dhe nё marrёdhёniet me qytetarёt dhe zyrtarёt. Ta njohësh mirëfilli punën e saj të bërë në Kalkuta dhe në qindra vende tё tjera të botës, të njohësh besimin e palëkundur të saj për Jezu Krishin dhe Shёn Marien, do të thotë ta njohësh Shen Nёnё Terezёn, tё njohish shpirtmadhësinë e saj, pakufish-mërinë pёr të bërë mirësi në jetë, të kuptosh si flijohej për të tjerët, të kuptosh pasurinë e saj fetare dhe shpirtë-rore, sa ishte e mirë, e dobishme për njerëzit, për botën që i përkiste dhe që e shenjtëroi.

Pasi qёndrimit nё Dublin, nё dhjetor tё vitit 1928, rishtarja Tereza udhёtoi pёr në Hindi dhe mё 6 janar 1929 mbёrriti nё Kalkuta. Pas disa ditësh e dёrguan nё kuvendin e Darjeeling, pёr tё plotësuar noviciatin (rishtarinë) dhe pёr t’u kompletuar nё formimin si murgeshё. Për aftësitë dhe nivelin e formimit e emёruan mёsuese nё shkollёn e kuvendit.

Mё 24 maj 1931, pasi mori pёrkushtimin e pёrkohshёm tё murgeshёs, e rikthyen nё Kalkuta, nё kolegjin katolik tё Saint Mary’s High School, nё periferi tё Entally. Nё kolegj, Motra Tereza jepte mёsime nё lёndёt e historisё dhe tё gjeografisё. Rregullat e urdhërit “Motrat e Loreto-s”, nuk i lejonte murgeshat tё dilnin jasht mureve tё kuvendit, por Motra Tereza duke pёrfituar nga veprimtaritё vullnetare tё nxёnёsve të saj, dilte dhe i shoqёronte nёpёr Kalkuta, kёsisoj njohu kushtet e rёnda ku jetonte populli e aty preku mjerimin, vuajtjet. Kёto realitete, i pёrjetoi me dhimbje dhe kjo vuajtje nxiti thirrjen e brendёshme pёr t’i ndihmuar kёta banorё.

Mё 24 maj 1937, mori pёrkushtimin e pёrhershёm tё murgeshёs dhe u quajt Nёnё Tereza. Papa Gjon Pali II, pёr kёtё zgjedhje ka thёnё: “Ta quajmë Nёnё një fetare është e zakonëshme për të gjithë ne, por ky emër, për Nënë Terezën ka shprehje intensiteti special. Një nënë shquhet për aftësinë të dhuroi. Duke e vrojtuar Nënë Terezën në tiparet e saj, në sjelljet dhe në mënyrën e të jetuarit dhe të vepruarit, na ndihmon të kuptojmë çfarë pёrfaqësonte ajo përtej përmasave fizike dhe çdo të thotë të jeshë Nënë”.

Pasi mori pёrkushtimin motrёs sё pёrhersheme, u rikthye nё Kalkuta, ku e ngarkuan drejtuese nё Kuvendin e Motrave tё Loreto-s, ndёrsa nё vitin 1944 e emёruan drejtore e kolegjit katolik tё Shёn Marisё nё Entally.

Nё vitin 1945, populli hindian u ngrit nё luftё pёr pavarёsi nga Anglia. Nё ditёt kur Kalkuta u pёrfshi nga luftimet, Nёnё Tereza i aktivizoi motrat dhe nxёnёset e kolegjit, tё mjekonin tё plagosurit, të ndihmonin jetimёt, fëmijёt e braktisur dhe nё shpёrndarjen e ushqimeve banorёve nё mjerimin e slum-eve të Kalkutёs. Nё fund tё vitit 1945, kuvendi i Entally u sekuestrua nga ushtria, qё e shndёrroi nё spital, ku Nёnё Tereza dhe murgeshat, shёrbyen për mjekimin e të plagosurve dhe të sëmurëve. Nё gusht tё vitit 1946, Kalkuta u shndёrrua nё arenё luftimesh. Ndёrsa ecte nё rrugёt e Kalkutёs shihte shkatёrrimet dhe masakrat, që e tronditёn dhe ndikuan, qё krahas dhimbjes munduese, nё shpirtin e saj tё ndjeshёm tё lindi njё reflektim i brendshёm dhe revolta shpirtёror ndaj padrejtёsive, qё e udhёhoqёn drejt marrjes tё njё vendimi tё rёndёsishёm nё jetёn e saj.

NËNË TEREZA THEMELUESJA E URDHËRIT MOTRAT MISIONARE TË DASHURISË.

Congregatio Sororum Missionarium Caritatis.

Mё 10 shtator 1946, Motra Tereza shkoi nё kuvendin e Darjeeling, ku kaloi 10 ditё me ushtrime shpirtёrore. Gjatë meditimeve kalonte nё kujtesё ngjarjet e Kalkutёs, luftёn, shkatёrrimet, djegiet, tё vrarёt, tё plagosurit, varfёrinё, vuajtjet e njerёzve tё thjeshtё dhe nё ndёrgjegjien e saj shpёrtheu “thirrja e thirrjeve shpirtёrore”, pёr tё cilën tregon: “Atё natё hapa sytё dhe pashё vuajtjen e njerёzve dhe ndjeva mungesёn e pёrkushtimit tim. Dёgjova Zotin, qё kёrkoi nga unё tё braktisja jetёn e qetё, brenda mureve të kongregacionit fetar dhe tё dilja nё rrugё, pёr t’u shёrbyer tё varfёrve, të pamundurve, tё sёmurёve, tё plagosurve. Ky ishte urdhёr, nuk ishte sugjerim, as kёshillё, as propozim”.

Motra Tereza, pas këtij reflektimi dhe e udhёhequr nga thirrja e Krishtit nё kryq: “Kam etje”, vendosi tё largohet nga Kongregacioni i Motrave tё Loreto-s dhe t’i dedikohej bamirёsisё, mbёshtetjes, ndihmёs materiale dhe shpirtёrore pёr tё varfёrit, qё shoqёria e kohёs dhe kastat hindiane i kishin braktisur dhe i konsideronin tё paprekshmit. I kёrkoi ipeshkёvit tё Kalkutёs dhe Selisё sё Shenjtё, ta lejonin tё dilte nga kuvendi e të shёrbente si motёr aktive pranё njerёzve, t’u shёrbente tё varfёrve, ashtu si e kishte ndjerё thirrjen e Jezusit. Ipeshkёvi i Kalkutёs dhe bashkёmotrat e kongregacionit, u pёrpoqёn ta bindnin tё ndёrronte mendimin.

Njё sociolog atesit shqiptar, ka shkruar se Nёnё Tereza e braktisi kuvendin e Motrave tё Loretos, sepse nuk donte t’iu shёrbente vajzave tё familjeve tё pasura. U befasova nga ky lloj sociologu, i cili hiqet si studiues i jetёs sё Nёnё Terezёs dhe kёtё manipulim të induktuar nga kultura e tij komuniste, na e servir si zbulimin e tij tё madh. Nёnё Tereza nuk e braktisi kuvendin, nuk ka thёnё se nuk donte t’i mёsonte nxёnёset pse ishin nga familjet e elitёs, pёrkundrazi i donte, i nderonte, i respektonte dhe i trajtonte njёlloj si motrat e kuvendit, pasi ajo i konsideronte tё gjithё njerёzit tё barabartё para Zotit. Ndarjen me nxёnёset e saj, e pёrjetoj me dhimbje, por misioni qё do ndёrmerrte, ishte mё i madh, mё i rёndёsishëm se detyra e mёsueses nё kolegj. Duhet t’i kujtoi ketij lloj sociologu shqiptar, se shumë nga nxënëset e saj që ishin bija të elitës, u bënë misionare dhe punuan së bashku me Nënë Terezën.

Nёnё Tereza doli nga kuvendi, por nuk e braktisi fenё katolike, ndryshoi vetёm mёnyrёn e pёrkushtimit katolik dhe përjetimin e fesë së krishterë, krijoi kishën pa mure, e zbriti shёrbimin fetar mes njerёzve, zgjodhi tё qёndronte pranё tyre, duke i shёrbyer tё varfёrve, tё sёmurёve, tё braktisurve, leprozёve, jetimёve, sakatëve atyre qё ishin pa mbёshtetje dhe pa pёrkrahje. Me kёtё zgjedhje, Nënë Tereza revolucionarizoi misionin e fesё katolike, krijoi kishën e hapur pranë njerëzve, duke treguar forcёn e besimit katolik nё shёrbim tё njerёzimit, kështu zbriti nё rrugёt e hapura tё Kalkutës dhe mё pas e shtriu misionin në 136 shtete tё botёs, i ndihmoi njerёzit në nevojë me vepra tё vogla e tё zakonёshme dhe me dashuri tё madhe.

Për këtë vendim shpesh shtrohet pyetja: Eksklaustrim apo shekullarizim i Nënë Terezës? Nga letrerkembimi i Nënë Terezës me konfesorët, me ipeshkëvin e Kalkutës e me eproret e kongregacionit “Motrat e Loreto-s”, rezulton se ato e këshillonin për eksklaustrim, pra dalje të përkohshme nga kuvendi, me kusht të ishte e lidhur me urdhërin e saj. Këtë sugjerim, Nënë Tereza e shihte si kufizim të veprës së saj, si pengesë për të kryer misionin, andaj vendosi ta linte bashkësinë e Motrave të Loreto-s, për të themeluar urdhërin e ri, ashtu si ia kishte këshilluar Jezu Krishti gjatë vegimeve mistike në kuvendin e Darjeeling. Nё bazё tё teologjisё moderne, Nёnё Tereza preferoi shekullarizimin, kësisioj u largua nga kuvendi dhe e zbriti besimin fetar në popull, duke modifikuar skemat, rregullat, zakonet tradicionale, pozicionet, praktikat dogmatike dhe ato apriore të besimit fetar katolik. Vatikani ia dha lejen Nënë Terezës, tё jetonte në periferi të Kalkutës, ashtu si kërkoi, të jetonte pranë dhe me njerëzit e varfër, ku ndoqi rregullisht jetën fetare si motër katolike.

Më 15 gusht 1948, në festёn e “Zonja e Ngjitur në Qiell”, Nënë Tereza e hoqi vellon e zezё te Motrave te Loretos, veshi sarin e bardhë hindian dhe filloi jetën si motër e lirë dhe aktive. Në shtator 1948, Nënë Tereza shkoi nё kuvendin e Patna, pranë misionit të motrave mjeke, ku frekuentoi kursin 4 mujor për infermjere, duke rritur aftësitë në shërbim tё njerëzve, qё jetonin në slum-et (barakopolet, lagjet me baraka, bidonvilat) e shumta të Kalkutës dhe të qyteteve të tjera hindiane, ashtu si shërbeu të varfërve dhe në 136 vёnde të tjera të botës.
Në janar 1949, filloi misionin e Motrës Misionare të lirë dhe aktive në shërbim tё varfërve. Banonte në një barakё në Creek Lane në Motijhil dhe aty priti grupin e parë te motrave, që u bashkuan me Nënë Terezën. Në ato ditë kur filloi misionin, në kuletë kishte vetëm 5 rupie, por nё zemër kishte një pasuri të madhe, besimin katolik dhe dashurinë për njerëzit e varfër, të cilëve u shërbeu me devocion hyjnor. Këtë vepёr modeste në ndihmë të të varfërve, që e filloi vetëm me 5 rupie, por që e shndërroi në institucion humanitar gjithëbotëror, qeveria Hindiane, e ka nderuar me emetimin e monedhës 5 rupie me portretin e Nënë Terezës.

Në barakën e ndёrtuar me kartona, Ajo u mësonte fёmijёve shkrim e këndim, rregullat bazë te higjienёs, normat e sjelljes me kulturë dhe njëkohësisht iu shpërndante ushqime familjeve të vobekta. Më 19 mars të viti 1949, Nënë Tereza u sistemua në një shtëpi më të mirë, ku një nga dhomat e përdori për tu asistuar të sëmureve në gjendje të rëndë.

Në fillim të vitit 1950 Nënë Tereza i paraqiti Ipeshkëvit Imzot Pèreir, kërkesën për themelimin urdhërit të ri, tё cilin e quajti Missionarie della Carità (Misionaret e Bamirësisë – Dashurisë), si ia kishte sugjeruar Jezu Krishti nё vegimet nё kuvendin e Darjeeling. Leja nga Roma erdhi më 7 tetor 1950. Atё ditё, kryeipeshkevi i Kalkutës Imzot Pèreir, shpalli themelimin e komunitetit të motrave katolike “Missionarie della Carità”. Fjala karità (latinisht: caritas) në gjuhën shqipe përkthehet me sinonimet: bamirësi, dashuri, dhëmshuri, përdëllim. Shumica e përdorin thjesht bamirësi, si e ndeshim shpesh nё emërtimin Misionaret e Bamirësisë të Nënë Terezës. Kësisoj e përkthyer, nuk e shpreh thelbin e misionit tё Nënë Terezës, pasi në krye të veprimtarive të motrave misionare, nuk është bamirësia, mëshira, lëmosha, altruizmi, filantropizmi, por dashuria për jetën, shёrbimi me dashuri njeriut tё vuajtur. Bamirësi është të dhurosh parà, ushqime, veshje për të varfërit, por këto janë ndihma individuale, janë lëmosha të çastit, ndërsa misionaret e Nënë Terezës u dhurojnë njerëzve që vuajnë shumë më tepër, i trajtojnë me dashuri, me përkushtim, i japin kurajo, i ushqejnë, i lajnë, i përkëdhelin, i mjekojnë, iu japin mbështje shpirtërore, iu kthejnë buzëqeshjen, iu shёrbejnë tё gjithёve me dashuri. Për këtë aspekt, Don Lush Gjergji, autori i 30 veprave dinjitoze kushtuar jetës dhe veprimtarisë të Shen Nënë Terezës, bibliografi kompetent me vepra të përkthyera në 35 gjuhë të botës, me të drejtë ka përdorur emërtimin Misionaret e Dashurisë dhe është nderim e respekt për veprën e saj, tё quhet kesisoj dhe jo tё pёrdoret njё fjalё e përkthyer thjeshtë dhe thatë “bamirësi”.

Mё 22 gusht 1952, inauguroi Shtëpinë e Kalighat, për të sëmurët në gjёndje terminale, ku motrat misionare mjekonin dhe asistonin këta fatkeqё, të cilët spitalet i refuzonin t’i shtronin. Studiuesi Renzo Allegri, shkruan: “Nënë Tereza, me Misionin e Dashurisë, krahas krijimit tё njё rendi tё ri misionar dhe njё kulture shёrbimi pёr tё varfёrit, kërkonte të shmangëte dhe gabimet e të kaluarës të disa prej urdhërave tё krishterё, që kishin lindur për të ndihmuar të varfёrit, por ishin shndërruar në shërbim të tё pasurve.

Në shtëpinë e Kalighat-it të varfërve dhe të sëmurëve iu jipej bukë, shtrat, veshmbathje, ilaçe, mbi të gjitha dashuri, dinjitet, ngrohtësi, trajtim njerëzor. Një ditё ajo pa në rrugë një njeri të shtrirë, të uritur, të rreckosur dhe i pistë, i mbushur me miza dhe krimba. Njerёzit i kalonin pranë dhe e vёshtronin me përçmim, ndërsa Nënё Tereza e mori nga rruga, e lau, e veshi e ushqeu dhe e vendosi në shtrat në shtëpinë e Kalighat. Ky njeri i braktisur u befasua nga përkujdesia dhe nga kjo dashuri, që nuk e kishte ndjerë kurrë në jetën e tij të varfër, andaj i tha Nënë Terezës: “Nënë, kam jetuar në rrugët si kafshë, por tani do të vdes si engjëll!”

E filloi misionin duke ndihmuar njerëzit e braktisur në rrugët e varfërisë të Kalkutës dhe kësisoj vazhdoi të ndihmoi me qindramijëra tё tjerё, duke kryer vepra të vogla me dashuri të madhe, duke kryer shumë mrekulli, nga ato që dinte të kryente vetëm Nënë Tereza. Komuna e Kalkutës e vlerësoj këtë nisëm sociale dhe pёr ta mbёshtetur i dhuroi ndёrtesën e njё hoteli të vogël të braktisur në periferi të Kalighatit e njёkohësisht i dha njё buxhet modest, qё e përdori për krijimin e kushteve minimale të shërbimit ndaj të sëmurëvë terminalё. Në këtë qendër të re, motrat misionare përkujdeseshin për të sëmurët rëndë, për fëmijët jetima dhe për të moshuarit e braktisur nga familjet, nga shoqëria dhe nga shteti. Ata mjeranë ishin të feve të ndryshme, si hindù, myslimanё, budista, sikhizmatikë, katolikё etj, por të gjithë rrinin së bashku. Qёndra e Kalighatit ishte strukturë asistence e një urdhёri të krishterë, por sejcili prej të sëmurëve, ishte i lirë të praktikonte ritet e fesë së vet, pra myslimani lexonte Kuranin dhe falej pesë herë në ditë, hindusëve u jipej uji i lumit Gang, katolikёt kryenin ritet sipas Ungjillit etj. Kështu punuan Nënë Tereza dhe motrat misionare, përherë duke respektuar besimet fetare të sejcilit prej tyre, pa as më të voglën tentativë proselitizmi.

Në shkurt të vitit 1953, motrat misionare u vendosën në selinë e re në shtëpinë N° 54 A Lower Circular Road – Missionaries of Charity, ku ruhet ende tabela e drurit me shkrimin me ngjyrë të bardhë: 1, 54 A Mother Teresa MC IN/OUT; pra nuk quhet kuvend (manastir), si ato të urdhërave të tjerë të krishterë, por Shtëpia e Nënë Terezës Misionare e Dashurisë. Njerëzit e trajtuar nga motrat misionare, flisnin me respekt dhe entusia-zëm për shërbimet që kryenin dhe kjo atmosferë, i sensibilizoi masat e gjëra popullore, të besonin dhe të vlerësonin kontributin e shquar të Nënë Terezës dhe nё nderim të veprës së saj, të gjithë e quanin Nënë Tereza e Kalkutës, kësisoj e njohu bota, me kёtё “titull nderi” e quajti mass media, duke e shёndёrruar Kalkutën nё mbiemёr “zyrtar”.

Në shkurt të vitit 1965, me “Decretum laudis”, Papa Pali VI e aprovoi Urdhёrin “Missionarie della Carità” dhe e shpalli Kongregacion Pontifik, me selinë në Kalkuta. Emёrtimi pontifik, do tё thotё, qё kisha tё krijonte ura lidhёse me besimtarёt dhe me shumë popuj dhe pikёrisht misioni i Nёnё Terezёs e meritonte mё shumё se çdo urdhёr tjetër këtë nderim, pasi duke e zbritur kishёn në popull, krijoj lidhje tё fuqishme mes kishёs dhe popullit, mes Misionit tё Dashurisё dhe popujve të gjitha besimeve fetare. Në vitin 1965, me Nënë Terezёn, punonin 300 motra misionare, të cilat krahas shërbimeve në qendrat e asistencës, zbrisnin në rrugët e Kalkutës për të ndihmuar të varfërit, të braktisurit, jetimët, të sëmurët.

NËNË TEREZA E FAMËSHME DHE E SHENJTË:

Me themelimin e Urdhërit Misionaret e Dashurisё, Nёnё Tereza veshi sarin e bardhё të grave hindiane dhe sipas traditës popullore, bardhësia shpreh bashkëndarjen e dhimbjes me të vuajturit, ndërsa në buzët anësore të sarit, shtoi katër shirita blu, që shprehin katër përkushtimet e motrave misionare: varfëria, pastërtia (kastità), bindja dhe jeta e varfër ndërmjet të varfërve. Zgjodhi ngjyrën blu për shiritat, në nderim të Virgjёreshës Marie, ndërsa tre ravijëzimet, shprehin Trinitetin e Shenjtë. Nën supin e majtë mbi zemër, Nënë Tereza vendosi kryqin me Jezu Krishtin, pra e përdori ndryshe nga të gjitha motrat e rendeve të tjera të krishtera, të cilat e mbajnë kryqin në qafë me varëse.

Nënë Tereza e nisi misionin me një grup të vogël motrash, që u përkushtuan me vetmohim të varfërve dhe nevojtarëve, njё veçori shёrbimi, që e dallonte misionin e Nënë Terezës nga rendet e tjera të krishtera, duke i treguar botës se duhet tё jetojmё me profesionin dhe misionin e dashurisë, me kёtё art shёrbimi për tё varfёrit, tё sёmurёt, jetimёt e të braktisurit. Shёrbimi i motrave misionare, i kapёrcen kufijt e mёshirёs, nuk ёshtё vetёm keqardhje, nuk ёshtё thjeshtë bamirёsi, por ёshtё dashuri dhe ndihmё pёr tё gjithё ata qё vuanin. Martin Luther King nderohet nga bota sepse luftoi pёr drejtёsinё pёr tё gjithё, pa dallime ngjyre tё lëkurёs e pa dallime fetare; Mary Curie ёshtё e famëshme për zbulimet shkencore; Markoni u shqua për zbulimin e radios; Gabriel Garzia Markez u bë i njohur në botë për librat që shkroi; Bill Gates si themeluesi i Microsoft; ndërsa Nёnё Tereza u bё e famёshme dhe e shquar duke luftuar pёr drejtёsi shoqёrore, pёr t’iu rikthyer dinjitetin dhe tё drejtat elementare viktimave të varfërisë dhe të sëmurëve, të cilёve u shërbeu me dashuri, falas, me vepra humanitare dhe me inspirime shpirtёrore, me dashurinё pёr tё varfёrit ndёr mё tё varfёrit, duke kryer vepra madhore pa preçedenta nё përmasa dhe nё intensitet, kësisoj u bë e famёshme dhe e shenjtё për së gjalli dhe njё ndёr figurat mё tё shquara tё shekullit XX. Bota e vlerёsonte dhe Nёnё Tereza i risillte shenjtёrinё botёs.

Me thjeshtёsi tё admirueshme, me dinjitet dhe guxim, pa bёrё shpikje dhe zbulime tё mëdha, Nënë Tereza zbatoi profesionin, misionin dhe artin e dashurisё, kёsisoj u bё e pёrbotёshme, u bё vetё bota. Ajo tregoi me vepra, se nuk u shёrbeu tё tjerёve vetёm me misionet shpirtёrore dhe as me aksione individuale, por i masivizoi kёto shërbime, i organizoi nё institucione fetare, laike dhe shoqёrore jo qeveritare, i fuqizoi me mjete dhe me burime njerёzore, i shtriu nё tё pesё kontinentet, duke ndihmuar popujt e tё gjitha besimeve fetare.

Për imazhin publik, si simbol historik shpirtëror dhe humanitar, Nёnё Tereza është vlerёsuar në vendin e katërt ndër personalitet më të shquara të botës së krishterë, që janë Jezu Krishti, Shën Pali, Shën Françesku i Assisit dhe Shen Nënë Tereza. Në vitin 2010, revista “Time”, në kremtimin e 100 vjetorit të lindjes tё Nёnё Terezёs, i kushtoi njё numёr special me titull në kopertinё “Nënë Tereza e Shenjta e Gjallë”.

Papa Gjon Pali II ka thёnё: “Nёnё Tereza e Kalkutёs, bija e popullit shqiptar, i ka dhёnё nderin dhe shkёlqimin kombit tё saj, ashtu dhe Kishёs Katolike”.

Misioni i Dashurisё i Nёnё Terezёs u rrit, u zgjerua, u fuqizua, u pёrhap nё tё pesё kontinentet, i pranishёm nё 136 vende tё botёs, me 5000 motra misionare, qё u shёrbejnё me vetmohim pjesёs mё tё dobёt tё shoqёrisё, tё varfёrve, tё sёmurёve me SIDA, leprozёve, tё sёmurёve me tuberkuloz, me malarie, me kolera, invalidёve, toksikodipendenteve, jetimёve, tё gjymtuarve, tё uriturve, tё braktisurve, pleqёve tё mbetur vetёm dhe tё paaftё nga ana shёndetesore dhe mendore.

Në vitin 1985, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të OKB, Nënë Tereza u ftua të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme. Sekretari i Përgjithëshëm i OKB Perez de Cuellar, duke e prezantuar Nënë Terezën tha: ”Kёtu është salla e fjalimeve. Në këtë tribunë kanë folur burrat më të fuqishëm të botës, ndёrsa tani kemi privilegjin të kemi mes nesh dhe tё dёgjojmё gruan më të fuqishme të botës. Nuk besoj se është e nevojshme t’ua prezantoj, sepse e njihni tё gjithё dhe Ajo s’ka nevojё pёr fjalё, por për veprat  tona. Mendoj, se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë, është ta ftoj tё na nderoi me mesazhin e saj dhe t’u them, se ajo është më e madhe se unë, Ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku. Ajo është OKB-ja, Ajo është paqa në botë.”

Në vitin 2012 Asamblea e OKB, në nderim të kontributit të madh humanitar të Nënë Terezës, 5 shtatorin, ditën e ndarjes nga jeta të shenjëtores tonë, e shpalli Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë – Dashurisë. Populli ynё, krenohet me shqiptaren e shquar dhe shenjëtore, e cila me krenari deklaronte pёrkatёsinё shqiptare. Ditёn kur e nderuan me çmimin Nobel, duke i u përgjigjur pyetjes qё i bёri njё prift nё sallё pёr origjinёn e saj, Nёnё Tereza deklaroi me krenari: “Me origjinё dhe me gjak jam shqiptare, me shtetёsi hinduse, jam motёr katolike dhe pёrmes thirrjes time i pёrkas gjithё botёs, por zemra ime i pёrket vetёm Zotit”. Nënë Tereza u bë figura qendrore e njohjes të shqiptarëve në botë, ishte ambasadorja gjithёbotёrore e popullit tonё, duke ndikuar në rritjen e prestigjit tё Shqipërisё nё arenёn ndёrkombёtare dhe pse politika shqiptare nuk ia dha vendin dhe as meritat qё i takonin, madje dhe aktualisht nuk e nderon si e meriton.

Presidenti i USA Bill Klinton, nё vitin 2002 u shpreh: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo, qё më bëri ta dua kombin shqiptar dhe tani unë ndihem shumё krenar, që plotёsova njё detyrim moral ndaj Saj dhe ndaj vlerave tё lirisё në Kosovë”.

Ditёn e shpalljes e Lumturueme tё Nёnё Terezёs, Papa Gjon Pali II tha: ”Ta lavdёrojmё kёtё grua tё vogёl tё dashuruar me Zotin, kёtё lajmёtare tё pёrulur tё Ungjillit dhe bamirёse e palodhur e njerёzimit. Ta nderojmё kёtё personalitet tё shquar tё epokёs tonё. Ta pranojmё mesazhin e saj dhe tё ndjekim shembullin e saj”.

VIZITAT E NËNË TEREZËS NË SHQIPËRI.

 

Marrëdheniet e Nënë Terezës me atdheun janë një realitet dhimbje dhe dashurie. Regjimi komunist nuk e lejoj të vinte të çmallej me nënën Drane dhe me motrën Age, por dhe nuk i lejoi nënën dhe motrën të shkonin ta takonin në Romë. Pas shumë kërkesash insistuese personale dhe zyrtare dhe pas ndërhyrjes të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Perez de Cuellar, Nënë Tereza e realizoi dëshirën e zjarrtë e të kaherëshme e në gusht të vitit 1989, pasi mori vizën në Ambasadën tonë në Romë, erdhi për vizitë në atdheun e saj të dashur, që shënoi
fillimin e lidhjes me popullin shqiptar, që e priti me shumë dashuri.

Ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri u prezantua si vizitë private dhe për të shpëtuar shpirtin mëkatar, regjimi dha në lajme vizitën në varrezat e Sharrës. Me shpirtin të mbushur me mall e me dhimbje Nënë Tereza vendosi lule dhe u lut para varreve të nënës Drane dhe motrës Age. Në këtë vizitë me emocione drithëruese, Nënë Terezën e shoqëroi Maria Kraja, shoqja e ngushtë e nënës Drane dhe e motrës Age.

Në takimin me Ramiz Alia, Nënë Tereza i foli me dashuri nëne, e quajti “biri im”, ndërsa presidenti e refuzoi kërkesën e saj për të hapur shtëpitë e misionit, duke i thënë se në Shqipëri nuk ka të varfër e të braktisur. Propoganda komuniste e mbajti të fshehur këtë rrethanë, madje nuk tregoi asgjë për aktivitetet dhe kontributet e shquara të Nënë Terezës në qindra vende të botës. Aktiviteti i parë publik ishte takimi i Nënë Terezës me intelektualë dhe funksionar të partisë e të shtetit dhe me përfaqësitë diplomatike në Tiranë. Takimin e hapi Ministri i shëndetësisë Ahmet Kamberi, i cili e prezantoi me shumë kulturë, me nderim dhe respekte Nënë Terezën. Në vazhdim foli Nënë Tereza, e cila pasi falenderoi për mikpritjen, bëri uratën dhe e bekoi popullin shqiptar, madje një pjesë të uratës e tha në gjuhën shqipe, çka krijoi entusiazëm ndër pjesmarrësit. Në këtë takim u shfaq një film dokumentar me aktivitetet misionare të Nënë Terezës. Në përfundim të ceremonisë pata fatin ta takoj Nënë Terezën dhe nga ky takim lindi një miqësi e madhe, që vazhdoi dhe kur ika në Itali.

Në prag të krishtlindjes të vitit 1989, Nënë Tereza në letrën e urimit më shkruante: “Me gjithë impenjimet e shumta, mendjen e kam në Shqipëri dhe po përpiqem të gjejë kohë të lirë, për t’u rikthyer dhe të punojmë së bashku …” Nënë Tereza e mbajti fjalën, në vitin 1990 erdhi e bardhë plot mirësi, me entusiazëm, me dinamizëm dhe me forcat e saj tipike, punoi me dashuri dhe arrijti plot suksese dhe në atdheun e saj të dashur. U rikthye në atdhe, ashtu si premtoi, e mori Jezu Krishtin për dore dhe ia pruri fisit të vet shqipar.

Kjo vizitë përkoi me 80 vjetorin e lindjes e në këtë përvjetor Presidenti i Republikës e dekoroi me urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të parë. Në vitin 1990 Nënë Tereza hapi në Tiranë shtëpinë e Misionit të Dashurisë. Mass media e regjimit jepte lajme të shkurtëra e pa komente për vizitat dhe takimet e Nënë Terezës. Ftohtësinë e shtypit tonë, e sfidoi shkrimtari Luan Rama, i cili në revistën “Ylli” botoi shkrimin “Fytyra e ndritur e humanizmit”, ku për herë të parë e njohu publikun tonë me Nënë Terezën, madje shembi dhe tabut e kohës sepse tregoi për aktivitetet e saj si motër katolike.

Në mars të vitit 1991, Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri dhe vizitoi qytete të tjera fillimisht shkoi në Shkodër e më pas në Durrës, Elbasan dhe Korçë. Gjatë këtyre vizitave nuk takoi asnjë nga pushtetarët, as ato lokalë dhe as ato të qendrës, por takonte dhe bisedonte direkt me popullin. Mikpritjen dhe nderimin e këtyre njerëzve të thjeshtë për Nënë Terezën, sidomos për ata që e shoqëronin dhe e që e ndihmuan për ngritjen e shtëpive të dashurisë, e shprehu me respekte dhe me letra falenderimi si familjeve Kraja, Shpati, Vorfi, Zajmi.

Në një nga takimet e zakonëshme i thashë Nënë Terezës: “U bënë tre vjet që vjen në atdheun tënd, këtu ke motrat, ke fisin tënd dhe shumë miq, ke popullin që të do me zemër, pse nuk regjistrohesh banore e Tiranës?”

U mallëngjye e pa komentuar më pyeti: “Ҫfarë duhet të bëjmë e kujt duhet t’ia kërkoj këtë nder?”. Natyrisht kishte zgjidhje. Shkuam në zyrën e gjendjes civile të lagjes Nr. 1 dhe biseduam me përgjegjesen Q. Leci, e cila na spjegoi proçedurën dhe rregullat. Bëmë kërkesën, plotësuam formularin dhe i dorëzuam fotografitë. Pas disa ditësh zonja Leci e ftoi Nënë Terezën në zyrë dhe i dorëzoi Letër Njoftimin dhe lejen e pashaporizimit në Lagjen 1 të rajonit 1 të Tiranës. Nënë Tereza e lumturuar e shtërngonte Letër Njoftimin në gjoks dhe i a tregonte të gjithëve, sidomos të huajve që vinin ta takonin.

Nënë Tereza udhëtonte në shumë shtete ku vepronin shtëpitë e misionit. Në aeroporte, në pikat e kufirit tokësor dhe në porte, nuk ia kontrollonin pashaportën, madje të gjithë ngriheshin në këmbë dhe e përshëndetnin me nderime. Të gjitha portat e shteteve ishin hapur për Nënë Terezën, sepse ajo kishte “pashaportën e dashurisë dhe të mirësisë”. Ndonëse ishte pajisur me pashaportat hindiane, kanadeze, amerikane-USA, franceze, italiane, të Vatikanit etj, ajo dëshironte të kishte pashaportën diplomatike të shtetit amëtar, të udhëtontë nëpër botë si shqiptare. Këtë kërkesë asnjë qeveri shqiptare nuk ia plotësoi, i dhanë vetëm pashaportën e zakonëshme, megjithatë Nënë Tereza shprehte gëzim dhe krenari, duke ia treguar të huajve, të cilëve u thoshte: “.. shihni sa e bukur është pashaporta e atdheut tim”.

Gjatë vitit 1991, Nënë Tereza kontribuoi në ripërtrijen e fesë katolike, ndihmoi në rihapjen e Kishë së Shen Ndout dhe të katedrales “Zemra e Krishtit” dhe të shtatë kishave në rrethe, organizoi mensën për romët e Bregut të Lumit, shpërndahu medikamente në qendrat shëndetësore të malësisë, pruri ndihma ushqimore që u shpërndanë falas popullit. Për çdo aktivitet që organizonte, kërkonte të njihej me ligjet dhe rregullat e shtetit, si veproi në vitin 1992 kur ftoi një grup të madh mjekësh amerikanë, që kryen vizita mjekësore falas dhe shpërndanë medikamentet që kishin sjellë, por duke respektuar nomeklaturën e barnave të vendit tonë.

Në një nga takimet me Nënë Terezën më konfidoi për gjendjen e saj shëndetësore. Më tregoi se në vitin 1989, para se të vinte në Shqipëri kishte kaluar infark miokardi, me çrregullime ritmi, andaj mjekët i kishin vendosur pacemaker; në vitin 1991 i ishte nënshtruar angioplastikës në një klinikë në Kaliforni, në vitin 1992 i u shtuan shenjat e insuficiencës kardiovaskulare, por Ajo kurrë nuk u ankua, as nuk e ndërpreu aktivitetin misionar, vazhdoi me të njëjtin intensitet, madje erdhi në Shqipëri dhe ndejti më gjatë duke punuar për forcimin shtëpive të dashurisë, për rihapjen e kishave, sidomos të Katedrales në Shkodër. Për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të Nënë Terezës, dërgova kardiologen Dr Mimoza Lezha, e cila i qëndroi pranë disa ditë, madje fjeti dhe në shtëpinë e Nënë Terezës.

Më 25 prill 1993, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë. Në aeroportine Rinasit u prit nga personalitetet e larta shtetërore dhe krahas tyre Nënë Tereza, e pranishmë si bija e shtëpisë, që kish dalë të priste Atin e Shenjtë. Në të gjitha aktivitetet, Papa Gjon Pali II e mbajti pranë Nënë Terezën, veprim që nuk e kishte kryer në asnjë vend të botës, më asnje figurë të kishës, as me kryetar shtetesh dhe as me funksionarë të tjerë të shtetit. Ky veprim shprehte nderim dhe respekte për figurën madhështore të Nënë Terezës shqiptare.

Në një bisedë me miqt e mi Shaban Sinani dhe Naim Zoto, konstatuam se gjatë pesë viteve të aktivitetit të Nënë Terezës në Shqipëri, asnjë gazetar i shtypit dhe i televizioneve nuk e kishin intervistuar Nënë Terezën. Një qëndrim paradoksal i mass medias shqiptare. E informova Nënë Terezën për kërkesën e Shabanit dhe të Naimit për intervistën. Pranoi me kënaqësi. U takuam me Nënë Terezën në dhomën e saj, dhe sapo u sistemuam dhe Shabani do të fillonte t’i drejtonte pyetjet, Nënë Tereza e parapriu: “Ju që shkruani për mua dini më shumë sa di unë për veten time, andaj mendoj jo intervistë, sepse nuk kam asgjë të veçantë për të treguar për veten, unë jam një pikë ujë në oqean, por dëshiroj që përmes jush t’i transmetoj një mesazh popullit shqpëtar”.

Mbetëm të befasuar nga kjo syrprizë e bukur, nga ato që dinte të bënte vetëm Nënë Tereza”.

Më 30 prill 1993, në gazetën “Shqip”, u botua mesazhi i Nënë Terezës me titull editorial me germa të mëdha

“E doni atdheun, duke dashur njeri tjetrin”. Ky mesazh u mirëprit nga populli që e admironte, i dëgjonte dhe i respektonte kashillat e saj, ndërsa politika shqiptare e të gjitha ngjyrave mbajti qëndrim indiferent, madje asnjë gazetë dhe asnjë kanal televiziv nuk reaguan dhe as nuk e transmetuan mesazhin. Ishte koha kur Shqipëria grindej me vehten dhe politikanët ishin të ndërsyer mes tyre.

SHENJTËRIMI I NËNË TEREZËS

Kishin kaluar 13 vjet nga dita kur Nënë Tereza u kanonizua e Lumturume dhe në ditët, muajt e vitet, që kalonin shpalleshin prova të shumta dhe dëshmi të qarta për domozdoshmërinë e shpalljes Shenjtore. Në fakt, tërë jeta e Nënë Terezës ishte Vita sanctae – jeta e shenjtores”, e përjetuar çdo ditë në fè, nё ungjill, nё eukaristi dhe në lutjet, qё i zbatoi me përkushtim e me dashuri nё aktivitetet fetare dhe humanitare në ndihmë të viktimave të varfërisë të sëmurëve, jetimeve dhe të braktisurve nga familjet, nga shoqëria dhe shtetet.

Nënë Tereza i kishte përmbushur të gjitha kushtet pёr tu shpallur shenjtore, ashtu si ka percaktuar Koncili i Trentos, andaj çdo ditë e më shumë, idhëtarët e saj dhe populli e quante Sancta Teresa

– Shen Tereza dhe arrijti 4 shtatori, dita e bukur, kur Papa Françesko e shtoi në listën e shenjtorëve të Kishës Katolike, por nga ana tjeter konfirmoj se Ajo nuk ishte e nuk është vlerё vetëm e krishtërimit, por ёshtё vlerё e madhe e njerëzimit dhe i përkiste të gjithë popujve të botës. Në këtë shkrim do t’i rikujtoj lexuesve disa nga kriteret më thelbësoret dhe më tipiket, që e shquajnë Nënë Terezën në aktivitet e shumta si misonare katolike dhe si shenjëtore.

Nënë Tereza është themeluesja e Urdhërit Misionaret e Dashurisë, fillimisht vepruese në Kalkuta dhe në vazhdim në 136 vende të botës duke realizuar ndërkombëtarizimin e Misionit të Dashurisë, duke e shndërruar në mision humanitar gjthëbotëror. Asnjё urdhёr i krishterё, apo i ndonjё feje tjetёr, asnjё shoqatë humanitare, asnjё organizatё joqeveritare bamirёse dhe ato të quajturat ndërkombëtare, nuk kanё aktivitete nё pёrmasat gjithë botërore dhe me intensitetin, që ka zhvilluar Misioni i Dashurisё i Nёnё Terezёs, i cili mbetet unikal nё historinё e njerёzimit, me shtrirje aktive nё shtetet e tё pesё kontinenteve. Me kёtё zgjedhje, Nënë Tereza revolucionarizoi misionin e fesё katolike, krijoi kishën e hapur, duke e zbritur pranë njerëzve, duke e përhapur forcёn e besimit katolik nё shёrbim tё njerёzimit.

Me veprat e saj sublime Nënë Tereza u bë ikona e Samaritanes së Mirë, sepse shkonte kudò për t’i shërbyer Krishtit nё të varfërit ndër mё të varfërit. As konfliktet dhe as luftërat nuk e ndaluan të kryente misionet shpirtërore dhe humanitare. Personaliteti dhe autoriteti i fuqishëm i Nënë Terezës u shpreh në vitin 1984, kur ndërhyri dhe iu imponoi palëve luftuese të ndërpresin luftimet në Liban, atë që nuk e bëri OKB, as USA, as Franca, as Anglia, as Italia. Kjo ngjarje është pa preçedenta dhe për herë të parë në historinë e njerëzimit, një motër katolike shqiptare, u be protagoniste e paqes, duke detyruar armëpushim për motive humanitare.

Po të jetonte në ditët tona, Nënë Tereza do të kishte ndikuar fuqishëm dhe në ndalimin e luftës në Ukrainë dhe në këto ditët të luftës të sotme, Ukrainës dhe botës i mungon një personalitet i fuqishëm si Nënë Tereza.

Me lutjet në përgjërim, me uratat dhe aksionet, me ungjillizimin dhe promocionin njerëzor, Nënë Tereza proklamoi Ungjillin, me jetën e saj, që ua dhuroi tё gjithёve. Ajo është ungjilli i pestë, e pranuar unanimisht, është shenjtore e dashurisë. Shen Nёnё Tereza, Shen Gjon Pali II dhe Shen Pio Pietrelçina, janё tre “shёrbёtorёt e shpirtit”, qё merituan titullin Servus servorum Dei – shёrbёtor i shёrbёtorёve tё Zotit, pёr veprat shpirtёrore dhe humanitare, që kryen me dashuri nё shёrbim tё njerёzimit.

Nënë Tereza me motrat misionare kanë ndihmuar, kanë strehuar dhe ushqyer, kanë larë dhe mjekuar me dhjetramiliona njerëz të varfër, jetima, të sëmurë, sakatë, të braktisur, të përbuzur, ata që kastat i konsideroin të paprekshmit, ata që dergjeshin gjysëm të “vdekur” në rrugët e pista të Kalkutës e në vendet e tjera të botes; i kanë shërbyer popullit të gjitha moshave dhe pa dallime fetare, etnike, social-ekonomike. Me këto shërbime Nënë Tereza solli një risi humanizmi në misionet e kishës katolike. Nënë Tereza dhe motrat misionare shër-benin me përkushtim, me dhimbshuri dhe me dashuri, duke e shndërrruar dashurinë në profesion, në aksion, në mision fetar dhe humanitar.

Shen Nënë Tereza është misionare e bamirësisë, e dashurisë, e paqës, misionare e jetës.

Nënë Tereza nuk ishte teologe, por besimi i saj ishte i madh dhe i thjeshtë, ishte besimi i një motre katolike të devotёshme dhe këtë e ndjenin të gjithë, andaj dhe para se të shpallej e shenjtë, fotografia e saj qëndronte si një ikonë e shenjtë në murin e dhomave të miliona besimtarëve, madje dhe të atyre që nuk besojnё, pra dhe të ateistave dhe kjo është një mrekulli e vërtetë. Të gjithe ishin të bindur për veprën e shenjtë të Nënë Terezës, por konservatorizmi i klerikëve, diktonte si kerkesë prova të dokumentuara të heroizmit dhe të mrekullive të kryera nga Nënë Tereza, të cilat sipas tyre duheshin për ta shpallur shenjtore.

Në vitin 2002, Papa Gjon Pali II, aprovoi dekretin e virtyteve heroike të Nënë Terezës dhe njohu mrekullinë me qytetaren indiane Monika Besra, e cila u shërua nga tumori me ndërhyrjen shpirtërore të Nënë Terezës. Me këtë akt, u miratua dhe dekreti mbi vlefshmërine e proçesit të Lumturimit.

Natyrisht, ky rast nuk është e vetmia mrekulli e Nënë Terezës, janë dhe shumë te tjera.

Në dhjetor të vitit 2015, Papa Françesko shpalli dekretin për miratimin e një tjetër mrekullie dedikur Nënë Terezës. Ky është rasti i Shërimit të një të sëmuri 42 vjeçar nga San Paolo – Brazil, i cili më 9 dhjetor 2008, ra në gjendje kome, gjatë ndërhyrjes për abscese të shumta në tru, të ndërlikuar me hydrocefali. Gjysëm ore pas ndërhyrjes, kur mjeku u kthye te i semuri, e gjeti zgjuar dhe në gjendje koshiente, ndërsa bashkeshortja e tij vazhdonte të lutej për të Lumen Nënë Tereza, ndaj të cilës shprehnin devocion familjarisht. Gjatë kontrolleve shëndetësore të sëmurit pas operacionit, rezultoi mrekullisht shërim i plotë. Më 10 shtator 2015, nga verifikimi që i bënë shtatë antarët e konsultës mjekësore të Kishës Katolike, çdukja e sëmundjes u konsiderua shkencë-risht e paspjegueshme, por u vlerësua një mrekulli e Nënë Terezës. Bazuar ne raportin e hartur nga komisioni i mjekëve, antarët e Konsultës Teologjike, që kanë detyrë të shprehen në rastet e kanonizimit, deklaruan “lidhje perfekte e shërimit, me vokacionin për të Lumturumen Nënë Tereza”. Kolegji i Kardinalëve dhe i Ipeshkëve të Kongregacionit për Çështjen e Shenjëtorëve, miratoi raportin e hartuara nga teologët dhe nga komisioni i mjekëve dhe sanksionoi virtytin heroik dhe mrekullinë e Nënë Terezës, në shërimin e qytetarit brazilian.

E tërë jeta e Nënë Terezës është plot vepra heroike dhe mrekulli të shumta. Ndonëse shkruhet pak, madje pothuaj nuk flitet rreth këtij fakti, do të shtoj dhe një mrekulli tjetër, që është unikale në historinë e njerëzimit. Në vitin 1958, për kurimin e të sëmurëve me lepër, në Titagarh, një lagje e madhe e degraduar në shtetin federal tё Bengala, Nënë Tereza hapi qendrën e asistencës dhe të kurimit të sëmurëve me lepër. Sëmundja e leprës ishte shumë e përhapur në Hindi, ishte një plagë e madhe shoqërore. Hindia është leprozari i hapur dhe më i madh i botës. Për ta vënë nën kontroll këtë situatë, Nënë Tereza iu përvesh punës, duke krijuar një rrjet me ambulanca infermierie, ku Ajo vetë personalisht dhe me motrat misionare u shërbenin të sëmurëve me lepër. Lepra është sëmundje infektive ngjitëse, andaj në të gjitha vendet e botës, këta të sëmurë trajtohen në leprozare, të izoluar, për të parandaluar infektimin e personave të tjerë. Si të mos mjaftonte izolimi për motive mjekësore, familja dhe shoqëria i përbuz, nuk u afrohet, i braktis këta mjeranë, të cilët janë të detyruar të jetojnë të mbyllur mes tyre në leprozarët. Është fakt i njohur nga të gjithë, i dokumentuar me fotografi dhe me filma dokumentarë dhe me të dhëna klinike, që pasqyrojnë punën vetmohuese të Shen Nënë Terezës dhe të motrave misionare, që u shërbyen këtyre të semurëve me dashuri, i kanë përkedhelur, i kanë ushqyer, i kanë larë, i kanë veshur, i kanë ndihmuar të shtrihen në shtrat, i kanë kuruar, u kanë lehtësuar dhimbjen, u kanë dhënë shpresa.
Shen Nënë Tereza dhe pse i prekte, i mjekonte dhe i ushqente të sëmurët me lepër, nuk u infektua nga bacili tepër ngjitës i leprës dhe kjo është një nga mrekullitë e vërteta, që karakterizojnë jetën dhe veprën e saj sublime, në shërbim të këtyre të sëmurëve, është një sfidë për pushtetet indiferente dhe për mjekësinë. Impenjimin në trajtimin e këtyre të sëmurëve Shen Nënë Tereza e shprehte me thjeshtësinë dhe përkushtimin e saj, duke theksuar me bindje: “Nuk ka leprozë, është vetëm sëmundja e leprës e cila mund të kurohet”.

Misionet e Shen Nёnё Tereza pёrfshijnё aktivitete tё shumta tё karakterit fetar, humanitar, shpirtëror, bamirёs, kulturor dhe tё gjitha nё veçanti e sё bashku, janё shprehje e dashurisё pa kufi pёr njerёzit nё vuajtje, janё shёrbime pёr tё shpёtuar dhe shёruar jetёn e lënduar nga sëmundjet, janё misione hyjnore, misione të shenjta, qё i realizoi me thjeshtësinë dhe me madhështinë e saj dhe nё pёrmasa gjithё botёrore. Shen Nënë Tereza shqiptare është gruaja më potente e botës, është motra misionare, që e ndërkombëtarizoi dashurinë për njeriun.

Më 15 mars 2016, Papa Francesko firmosi dekretin e kanonizimit shenjtore të Lumturumes Nënë Tereza.

Më 4 shtator 2016, Selia e Shënjtë zyrtarizoi vendimin e Kongregacionit të Kardinaleve të Kanonizimit shenjtore të Nënë Terezës, duke konfirmuar verdiktin mbarë popullor: “Vox Populi, vox Dei”, pasi de facto, popujt prej kohe e kishin shpallur shenjtore. Ceremonia e shenjtërimit u zhvillua në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe shënoi një ndër ngjarjet kryesore të Vitit Jubilar të Mëshirës.

Pas kanonizimit shenjëtore, në disa vende të botës u konsakruan kisha me titullin Shen Nënë Tereza, por kjo nuk ndodhi në Shqipëri, sepse si gjithmonë shqiptarët janë te vonuar në nderimin e figurave të shquara të kombit, ndër të cilat shquhet në përmasa gjithëbotërore Shen Nëna Tereza.

Shen Nёnё Tereza shqiptare është Nёna e pёrjetёshme e popujve, Apostola e Dashurisё, Shenjtoria e Dashurisë, vepra e saj shpreh shërbimin, moralin, humanizmin dhe dashurinë Tereziane, qё edhe nё ditёt e sotme, janё modele sociale pёrgjithёsuese pёr tё gjithё popujt e botёs.

 

blank

Përkujtim: në njëvjetorin e vdekjes së mësuesit, pedagogut e krijuesit tropojan Haki Zllami – Nga TAHIR BEZHANI

Haki Zllami, profilizim i jetës arsimore në trevën e Tropojës e jo vetëm.

 

NJERIU QE KUJTOHET GJITHMONË ME KRENARI

Me 27.korrik,2022 mbushet një vit pa mësuesin, drejtorin e titullarin e lartë të Arsimit e Kulturës në krahinën e Tropojës, pa poetin, publicistin, kritikun e letrave shqipe, njeriun i cili gjatë gjithë jetës së tij, iu përkushtua edukimit të brezave në Tropojë e jo vetëm. Haki Zllami në maje të gjuhës mbante gjithmonë fjalën e ëmbël, urtësinë e zemrës dhe mendjes, si virtyt dhe vlerë njerëzore.
Haki Zllamin e njoha vonë, për të mos e harruar kurrë, urtakun e qytetit të Bajram Currit, poetin e krijuesin e spikatur. U njohëm përmes përurimeve të librave në dy qytetet tona, Gjakovës e Bajram Currit, pasi vendosem urat e bashkëpunimit në fillimvitet e pasluftës. Pastaj udhëtuam së bashku kudo, gjithandej trojeve tona, të gjeografisë shqiptare.
Gjithmonë Haki Zllami ishte ajo kështjella ku strehoheshim të gjithë për të mësuar fjalën e bukur, të ëmbël, plot vlera kuptimplote. Falë kulturës së gjerë, dijës dhe afinitetit të lartë njerëzorë, jo vetëm se u shoqëruam, por edhe u mishëruam, u bëmë miq të pandarë, miq familjarë, ku jeta përditë dëshmonte thesarin e kohës. Miqësia jonë reflektonte kudo: në shkolla kur mbaheshin orë letrare, në qytet, rrugë, kafene. Ishte një figurë të cilën e kërkonte syri dhe mendja njerëzore, sepse tek ai gjendej miqësia e devotshëm.

blank

Fotokujtim me mikun e paharruar, Haki Zllami

Viteve të fundit Haki Zllamin e kam quajtur “Urtaku i Bajram Currit”. Një epitet i tillë i binte përshtat atij burri me të gjitha tiparet e skalitura në madhështinë e tij. Pos urtësisë si gjenerator i mençurisë, Haki Zllami kishte edhe autoritetin kudo, jo vetëm në Bajram Curri, por edhe në Gjakovë e gjetiu.
I brumosur mirë me epitete të etikës personale, me karakter të fortë, të pathyeshëm, plot sharmë jete, neve, miqve të tij, do na mbetët sot e gjithë jetën, në mbamendje, në epiqendrën e kujtesës sonë, ndër miqtë më të mirë, të dashur dhe të paharruar kurrë.

 

Krijimtaria e tij letrare e gjithanshme, e kudogjendur, në bibliotekat tona, ato shkollore e universitare, do jenë pasuri e pazëvendsuar në duart e gjeneratave të reja.

blank

Njeriu kurrë nuk mund ta dijë se cila është përshëndetja e fundit me mikun. Përherë shpreson në takime të reja. Këto foto, dëshmojnë përshëndetjen e fundit mes miqve, Lulëzim Logu e Tahir Bezhani, me të ndjerin (tani), z. Haki Zllami, në fundprillin e viti 2021 në Bajram Curr.

Haki Zllami, në ndërdijen tonë, do ngelet një përmendore e vlerave të kohës në të cilën tregoi gjithë potencialin e tij intelektual e njerëzor.
Dhimbja dhe krenaria për poetin, krijuesin e mirëfilltë të letrave shqipe, mikun e vlerave universale, do jetë pjesë e pandashme e jetës në vazhdim.

Gjakovë,26.korrik.2022

blank

Abaz Omari ishte nga të parët që u vra me urdhërin direkt të Enver Hoxhës Nga Ermira Godo

Fati i mbrapsht i atyre djemve atdhetarë që studiuan në vitet ‘30 në auditorët francezë, ndoqi edhe Abaz Omarin. I diplomuar për Drejtësi në Shkencat Juridike, bashkëstudent me tim gjysh (Abdulla Ramin), e mik i tij që prej viteve të liceut të Korçës, Abaz Omari ishte nga të parët që u vra me urdhërin direkt të Enver Hoxhës.
Diplomat e Abaz Omarit – si bashkëlidhur – të akorduara nga Universiteti Montpellier, në vitet 1939 dhe 1940, dhe dosja e tij universitare me numrin rendor 8ETP 784, ruhen gjithashtu në fondin e arkivave të Fakultetit të Drejtësisë të qytetit Montpellier.
Sipas kësaj certifikate lindjeje si bashkëlidhur e cila ndodhet në dosjen e tij universitare në Montpellier, lëshuar më 6 maj 1930 nga Konsullata Shqiptare në Paris, firmosur nga Dhimitër Kosturi, (sekretar i III-të i legatës shqiptare në Paris që prej 17 qershorit 1928), Abaz Omari, lindur më 22 shkurt 1907, ishte djali i Ramis Omarit dhe Hairie (Hoxha) Omarit; vajzës së Hysen Hoxhës.
Abaz Omari ishte “nipi” i Enver Hoxhës, djali i vajzës së xhaxhait të tij apo “Baba Çenit” siç e quante Hoxha. Vetëm një vit më i vogël nga Hoxha, ata kishin ndarë së bashku oborrin e shtëpisë dhe lojrat e fëminisë.
Pas përfundimit të studimeve në Francë, Abaz Omari, u kthye në Shqipëri dhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, rradhitet në krahun e nacionalistëve. Në janar të vitit 1944 ai kreu detyrën e sekretarit në Kongresin e Ballit Kombëtar që u mbajt në Berat.
Në kujtimet e tij Mithat Frashëri, kryetar i Ballit Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, shkruan: “Në shtëpinë e Abaz Omarit në Fier, ne formuam grupin e rezistencës kundër pushtuesve italianë që në vitin 1939 (…) grup që kishte ide dhe program social-demokrat”.
Eshtrat e Abaz Omarit janë zbuluar në vitin 1993, diku në rrethinat e Beratit, hedhur në një varr të përbashkët, që prej qershorit të vitit 1945, kur ishte pushkatuar dhe groposur bashkë me pesë të tjerë kundërshtarë të regjimit komunist.
blank
blank
blank

45 vjet nga pushkatimi i poetëve/ Në Bërzeshtë tek Vilsoni dhe Genci… Nga Rexhep POLISI

Kulla emblematike e Blloshmëve në Bërzeshtë të Librazhdit qëndron hijerëndë. Kjo kullë që ka parë mjaft tragjedi i ka rezistuar stuhive dhe furtunave për vite e vite me radhë. Aty nuk jeton njeri qysh prej vitit 1977 kur djali i kësaj shtëpie, poeti Vilson Blloshmi, u pushkatua nga regjimi komunist bashkë me kushëririn e tij, poetin Genc Leka. Kjo kullë që i rezstoi diktaturës, të dielën më 17 korrik ka pritur shkrimtarë, poetë, profesorë, gazetarë, familjarë të dy poetëve, në 45 vjetorin e pushkatimit të tyre.

Sot është një ditë e zezë jo vetëm për familjet dhe Bërzeshtën, por për të gjithë Shqipërinë! 45 vjet më parë, dy poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u pushkatuan nga regjimi komunist, pas një gjyqi politik farsë me prova të montuara.

Vilsoni dhe Genci ishin kushërinj dhe lindën të dy në muajin Mars. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën edhe vrasjen tragjike në të njëjtën natë, u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977. Jeta e tyre u pre në mes nga plumbat vetëm pse kishin lindur poetë.

Vetëm pas ardhjes së Demokaricsë eshtrat e dy martirëve u gjetën dhe u ç’groposën nga vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi pas kërkimeve të vazhdueshme.

Në fakt përndjekja e tyre nga Sigurimi i Shtetit kishte nisur qyshse kishin lindur për shkak të prejardhjes familjare. Genc Leka ishte mësues, por për probleme të biografisë e çuan të punojë në ndërtim.

Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë francezë.

Blloshmët ishin fisi më i njohur në të gjithë Shqipërinë për shkak të kontributit në çështjen kombëtare dhe nacionaliste. Shumë emra të familjes Blloshmi kishin mbaruar studimet në SHBA, Austri e Fancë dhe kishin dhënë një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare.

Ishte përkushtimi dhe këmbëngulja e paepur e Bedri Blloshmit që bëri të mundur zbulimin e krijimeve poetike që i kishte zënë pluhuri në arkivat e Sigurimit të Shtetit, si dhe botimin e veprave të tyre dhe të disa librave të tjerë të shoqëruar edhe me faksimile dokumentash. Pa kontributin e Bedriut, Vilsoni dhe Genci nuk do të njiheshin kurrë si poetë.

Diktatura komuniste i groposi, por dy poetët shkruan pavdeksinë e tyre me poezitë brilante. Poezia “Saharja” e Vilson Blloshmit dhe “Oxhaku” i Genc Lekës, por edhe mjaft poezi të tjera të tyre, janë poezi me vlera artistike të jashtëzakonshme, por faktkeqësisht këto krijime nuk janë futur në tekstet shkollore. Mesa duket edhe regjimi i sotëm nuk i honeps dot këta poetë.

Gjatë qeverisë demokratike dy poetët u përjetësuan në një memorial në qytetin e Librazhdit, një vepër arti me përmasa botërore punuar nga skulptori i njohur, Sadik Spahija.

Shpresojmë se me qeverinë e ardhshme demokratike shtëpia e Vilsonit dhe Gencit do të ktheht në një muze, pelegrinazh për shkrimtarët edhe poetët.

***

 

Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar teksa hedh vështrimit drejt kullës së lartë, nuk i përmban emocionet, ndërsa nis të rrëfejë kalvarin e vujatjeve të fisit të tij. Nga sytë i rrjein ca pika lot teksa tregon përjetimet e tmerrshme natën e pushkatimit të dy poetëve.

Më çuan në një birucë për të mos dëgjuar për të fundit herë zërin e dy poetëve që do të dërgoheshin para togës së pushkatimit. Më kishte rënë të fikët dhe më pas më kishin futur me forcë një ilaç në gojë dhe jam pëmendur të nesërmen në mëngjes. Te koka po më rrinte kushëriri im, Rustem Dashi. Ai më tregoi: “Atë natë Vilsoni nuk hëngri edhe pse iu luta, pasi i kishte ardhur ushqim nga familja. Kur e nxorën nga biruca duart të lidhura me një litar, Vilsoni bëri një gjysëm hapi, u ndal, u kthye nga unë dhe më tha: Rustem do të lë një amanet, se ti do dalësh më shpejt nga burgu se Bedriu. Ti e pe gjyqin si u bë e, si vajti. Unë s`kam pranuar asgjë pasi nuk bëra asnjë krim. Thuaju në shtëpi se nuk i turpërova”.

Më tje ai tregoi se si kur kishte gjetur dhe çgroposur eshtrat e dy poetëve në një përrua ku gjatë gërmimit me duar kishte gjetur një plumb mesa dy kafkave të dy poetëve.

Për një momnet pllakos heshtja, dëgjohej vetëm zëri i çjerrë i gjinkallave në pemët e gjelbërta rreth kullës. Heshjtja u thye nga zëri i aktores Klea Konomi Rondo me vargjet për “Saharënë” e Vilsonit, më pas “Oxhkun” e Gencit.
***

Emocione përcolli për të pranishmit e shumtë profesori, Sadik Bejko. Ai tha se, nuk është hera e parë që vjen nën hijen e mureve të kësaj Kulle. 45 vjet ka që në të nuk banon njeri. Dhe muret e saj nuk rrëzohen. Kjo është një kullë emblematike. Kulla e njerëzve që i rezistuan diktaturës. Paguan me gjak, me plumb, me burg dhe internim. Dhe muret e saj nuk u rrëzuan. Kulla e rezistencës ndaj robërimit komunist.

Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kanë qenë dy poetë, dy njerëz të talentuar, njerëz me kërshëri intelektuale dhe me kurajë të lartë morale për të përballuar fatin e keq. Për shkak të përndjekjes politike, të përjashtimit nga jeta kulturore, ata u penguan t’i zhvillojnë talentet e tyre.

Krijimtaria e tyre u sekuestrua, u përpunua në zyrat e Sigurimit dhe u përdor si akuzë në gjyq kundra tyre dhe pas pushkatimit ka qenë e varrosur në arkiva deri në ditën që u botua. Në historinë e letërsisë shqipe ky është një rast unikal. Me zbulimin e materialeve nga Sigurimi i shtetit del se ata që nga viti i dytë i shkollës së mesme e deri kur u burgosën, janë përndjekur si të dyshuar për kundërshtarë të regjimit.

Poezia e Genc Lekës kryesisht është e përshkuar nga lirizmi e personalizmi. Ka edhe pak poezi mbi luftën, mbi shkollën. Kryesisht ai është një lirik i natyrës dhe i intimes. Vilson Blloshmi është tragjik dhe dramatik në frymëzimin e tij, Genc Leka është elegjiak dhe i brishtë.

Vilson Blloshmi është poet i temave ekzistenciale, i trishtimit shkallmues, me një gjuhë të ngritur, me tone të ashpra. Genc Leka ka qenë poet i vargut të rregullt e të matur, i toneve të buta. Genc Leka nuk e ka zhvilluar talentin e vet poetik, ai u është përkushtuar më tepër studimeve. Si studiues ka treguar pasion e përkushtim, ka punuar si autodidakt për formimin e vet për të qenë në nivelin e kërkesave të punës shkencore. Puna e tij shkencore është vlerësuar nga drejtuesit e Institutit të Gjuhësisë.
***

Profesori Bardhosh Gaçe u shpreh se, është një rast i veçantë në botë që të pushkatohen dy poetë për poezitë e tyre. Vilson Blloshmi e Genc Leka u pushkatuan nga regjimi sepse ishin poetë të dashuruar me lirinë. Poezitë e Vilsonit dhe Gencit janë poezi të një niveli të lartë artistik. “Saharaja” është poezi emblematike që sigmatizon diktaturën.

Sot është një ditë homazhi për dy poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka. Ne jemi i vetmi vend në botë që ka dëshmorë për gjuhën shqipe. Poezitë e tyre janë emblematike për stilin dhe emblemazimin.

Ai tha se, nuk duhet të harrojmë se Blloshmi rridhte nga një familje nacionalistë ku të parët e tij kishin kontribuar në çështjen Kombëtarte.
***

Beqir Sina, gazetar në Nju Jork, SHBA tha se, aktivitete të tilla sot janë mëse të nevojshme, sidomos kur bëhet fjalë për dy poetët e pushkatuar, ndërkohë që amenti i tyre ende nuk është përmbushur. Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka tre poetë të pushkatuar dhe një të varur në lirat, ndërkohë që me ardhjen në pushtet të presekutorëve kemi të bëjmë me një pushkatim të dytë…
***

Poeti Izet Duraku u shpreh se, ndërsa shtohet nderimi për poetët e martirizuar strukturat shtetërore mbeten të shurdhëra për 30 vjet para kërkesës për përfshirje të krijimtarisë së tyre në tekstet shkollore.

“45 vjet më parë u ekzekutuan brigjeve të Shkumbinit poetët Genc Leka e Vilson Blloshmi. Si provë krimi regjimi komunist ruajti poezitë e tyre. Kur vijmë në Bërzeshtë, në vendlindjen e tyre, ndjejmë nevojën të kujtojmë, tu biem këmbanave të kujtesës që tirania të mos na mbështillet si lak për qafe, që e ardhmja të jetë më e mirë për të gjithë. Akademikët, profesorët, poetët duhet të shfaqen kokulur përderisa poetët martir të mos jenë futur në librat e leximit nga fillorja deri në universitet. Ndërsa politikanëve u duhet kërkuar arsyeja e mospranise së dëshmorëve të fjalës së lirë në sistemin arsimor”, tha Duraku.
***

Poeti dhe gazetari Jaho Margjeka ndër të tjera tha se, kjo shtëpi e Blloshmëve është e bukur edhe tani, pasi këtu ka jetuar, ka shkruar poezi dhe ëdërruar Vilsoni, por do të duhej të bëhej edhe më e bukur nëse, shteti e shoqëria të vinin dorë, ta restauronin dhe kështu të shndërrohej në një muze të gjallë dhe vend pelegrinazhi ku brezat të mësonin se sakrificat për lirinë kërkojnë në çdo kohë martirë edhe poetë, si Vilson Blloshmi e Genc Leka.
***

Shkrimtari Çerçiz Loloçi tha se, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë personalitete që janë shndërruar sot në simbole të pashmangshme që nderohen brenda dhe jashtë vendit
“Së pari të vjen ndër mend se Blloshmi dhe Leka, këta dy personalitete janë shndërruar sot në simbole të pashmangshme që nderohen në jug e veri, brenda dhe jashtë vendit.

Së dyti, nga krijimtaria e tyre dhe nga librat dokumentarë, përfshi edhe dosjet formulare, të sjellura nga një këmbëngulje e pangjashme e Bedri Blloshmit, ndryshe nga çfarë është thënë për mbi 40 vjet për justifikimin e krimit, kuptohet qartë se ata janë dënuar nga kupola më e lartë e partisë dhe e shtetit, janë poetë të vrarë nga shteti, përfshi edhe segmente të tjera që nga dega e brendshme, hetuesit, ekspertizuesit, denoncuesit e rremë, për fat të keq edhe pjestarë nga këto dy familje.

Si një kontribues modest në sagën e Blloshmëve dhe sidomos në ndriçimin e së vërtetës së dy poetëve të pushkatuar, ndihem i lehtësuar që ata tashmë janë në altarin e përkujtimit të gjithkahshmëm dhe me një apel të përsëritur një pjestarët në këtë krim të llahtarshëm një ditë do të shkojnë para drejtësisë”.

Po ashtu foli edhe kryetari i Shoqatës Antikomuniste të Ish të Përndjekurve Politikë Demokratë, Et’hem Fezollari, historiani Alfred Duka, avokati Ardian Elezi, si dhe famijarë të Vilsonit e Gencit.
***

Kulla e Blloshmëve ndodhet në krye të fashatit Bërzeshtë. Nga veranda e kullës shquhet i gjithë fshati, shtëpitë e ulëta dhe gjelbërimi deri në Shkumbin. Mbi Kullën lart në kodër shihet një gurë më i lartë se të tjerët. Bedriu na thotë se, ky quhet Guri i Gjatë. Këtu vinte Vilsoni herë pas here dhe i binte kitarës. Aty ai gjente qetësinë dhe lirinë e munguar…

Largohemi nga Bërzeshta me shpresën se një ditë kulla emblematike e Blloshmëve do të kthehet në muze…

blankblankblankblankblankblankblankblankblank

 

blank

NDËRRON JETË MUZIKOLOGU I TALENTUEM SIRRI XHELADIN RROJI Nga Sami Repishti, PhD

Ridgefield, CT.-Ditën e Enjte, 7 korrik 2022, vdiq në Nju Jork figura e dallueme e muzikës në Shqipëri, Sirri Xheladin Rroji, muzikolog i talentuem. Dëshira e fundit e tij ishte të varrosej në trojet shqiptare pranë prindërve dhe të afërmëve të tij, krah gjyshit të tij ish Senatori Halit Rroji dhe prindërit Xheladin dhe Naxhije Rroji.

Sirriu lindi në Shkodër më 30 Nandor 1933, në një familje elitare të qytetit të Shkodrës. Familja Rroji gëzon respektin e shërbimit të kësaj familje për çështjen kombëtare shqiptare.

Patriarku i saj, i ndjeri Halit Rroji, shërbeu për 17 vjet pa ndërpremje si senator dhe deputet I qytetit te Shkodrës, prej vitit 1922- e deri më 7 prill 1939. Ai ka qenë nji figurë qendrore në Shkodër.

Përbuzi pushtimin fashist të 1939-ës, dhe për rrjedhojë u internue me familje ne nji fshat te humbun te Italisë. Përkrahës besnik i regjimit monarkist të Mbretit Ahmet Zogu ai bashkë me djalin Xhevdet Rroji, ish krytar komuneje vuejten mizoritë e internimit fashist.

Me ramjen e fashizmit italian, të lodhun nga mosha e keqtrajtimi , u kthyne në Shqiperi dhe vetem mbas nji kohe të shkurte, Patriarku Halit Rroji vdiq i percjellun në varrezë nga nji masë e gjanë e popullit të Shkodrës.

Sirriu kreu studimet fillore dhe te mesme ne Shkodër , prane Liceut At Gjergj Fishta por u përjashtua nga regjimi komunist me motivacionin “për mospërputhje me vlerat e shtetit të ri socialist”. E përfundoi shkollën e mesme me korrespondencë në Tiranë ku jetoi me familjen Pilku me të cilën e lidhte një miqësi e vjetër familjare.

Por atmosfera politike e vendit me fitoren e P.K .Sh. u vështirësue dhe Sirriu bashkë me rininë studenteske shkodrane u ba objekt i survejimit nga ish Sigurimi i Shtetit dhe u kërcenue me burgosje dhe me arrestim. Pas përmbushjes së detyrimit ushtarak, familja Rroji u largue nga Shkodra dhe zuni vend në Tiranë, fillimisht në ish qytetin e nxënësit dhe më pas në një lagje tradicionale tiranase.

Gjatë kësaj kohe Syrriu i cili kishte mësue në ambjentet artistike të Shkodrës instrumentin e klarinetës dhe saksofonit mësoi në mënyrë autodidakte fagotin. Pasi kreu provën e hyrjes, pas ushtrisë u punësua si instrumentist pranë Bandës së Ushtrisë. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu me korrespondencë studimet e nalta në histori e gjeografi pranë Univeristetit te Tiranës.

Ma vonë, me hapjen e Konservatorit të Tiranës (sot Instituti i Lartë i Arteve) ai u diplomue edhe si Dirigjent orkestre ne Konservatorin e Tiranës, nji profesion që ai e ushtroi me shumë pasion. Në këte drejtim ai zhvilloi aktivitet te dendun si Drejtues i Ansemblit të Ushtrisë dhe i Estradës së Ushtarit, si themelues e drejtues artistik i Shkollës Frymore të Ushtrisë, si Dirigjues i Festivalit të 8-të të R.T.Sh. dhe themlues i Bandës frymore të Tiranës. Në këto cilësi, ai fitoi çmimin Eurofanfare (1991) dhe drejtoi në koncertin final 23 fanfara europiane Hymnin e Evropës së Bashkueme.

Ka qene profesor i muzikës për shumë gjenerata muzikantësh shqiptarë dhe themelues i Ansambl-it Artistik “Tirana” me të cilin i dha jehonë nëpër botë kulturës, muzikës, etnografisë dhe valleve shqiptare.

Sirriu bashkë me bashkëshorten doktor Lumira Berati Rroji asht autor i librit “Orkestra Frymore e Tiranës : Nji Jetë mes Emocionesh.” (Botimet Onufri,2018) dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në Festivalet në Vilëfranshë dë Ruergë (Francë). Asht dekorue nga Ministria e Kulturës dhe e Mbrojtjes për kontributin e tij të çmueshëm për muzikën shqiptare.

Sirriu len mbrapa të shoqen, Lumira Berati Rroji, Doktoreshë e Shkencave, nga i biri Grid S. Rroji asistent profesor pranë Graduate of Center of CUNY, nga e bija Xheni Rroji, shefe kabineti e departmentit të teatrit dhe muzikës në Hunter College, nga motra Makbule Kumi dhe shumë miq, kolegë e të afërm.

Sirri Xh. Rroji që u nda nga kjo botë ka qenë kushërini im. Pushoftë në paqe!

blank

Më 12 korrik ekspozitë fotografike e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka

Të martën 12 korrik në orën 19:00 tek Instituti i Zbardhjes së Krimeve të Komunizmit,
çelet ekspozita fotografike për dy poetët e pushkatuar nga regjimi komunist,
Vilson Blloshmi e Genc Leka.
Keni rast ta vizitoni këtë ekspozitë të dy poetëve që i vranë për vargjet e tyre.
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit me rastin e përkujtimit të 45 vjetorit të ekzekutimit të dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, organizon ekspozitën “45 vite nga ekzekutimi i poetëve Vilson Blloshmi (1948-1977) dhe Genc Leka (1941-1977)”.
Në bashkëpunim me familjen, të vëllain, z. Bedri Blloshmi, ekspozita, sjell përpara publikut të gjerë fotografi dhe dokumente mbi jetën dhe veprimtarinë e këtyre poetëve.
Ekzekutimi i tyre simbolizon krimin sistematik të diktaturës komuniste mbi fjalën, mendimin dhe artin.
Procesi ndaj dy poetëve nisi në maj të vitit 1975 dhe në të u përfshinë 39 persona.
Pas përfundimit të procesit intelektualët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u dënuan me ekzekutim në vitin 1977. Gjykata e Lartë nuk e hodhi poshtë këtë vendim dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk e pranoi kërkesën për faljen e jetës së poetëve.
Pas kërkimeve disa vjeçare, vendi i ekzekutimit të tyre u zbulua nga z. Bedri Blloshmi në pranverën e vitit 1994. Në prill 1994 eshtrat e tyre u varrosën me të gjitha nderimet në varrezat e qytetit të Librazhdit.
blank

NË KAMPIN E INTERNIMIT NË TEPELENË Nga Meri Lalaj

Kur ishte i vogël, as trevjeçar, Agronin e hipën në karrocerinë e një kamioni bashkë me gjyshe Adilenë dhe gjyshin e i degdisën në kampin e të internuarve në Tepelenë.
Aty ndodheshin edhe qindra e qindra të internuar të tjerë, të afërmit e të cilëve ndodheshin nëpër burgje të dënuar si armiq të pushtetit popullor. Një ditë prej ditësh, atje në Tepelenë, gjyshe Adileja e ngriti hopa në krahë nipin e vogël dhe ia mbështeti kokën pas gjinjve të vet të bollshëm.
Flokët e tij thuajse në ngjyrën e qumështit u përhapën përmbi fustanin e saj sterrë të zi, teksa sytë e saj ishin ngulur e po vështronin qafën e tij të hollë ku rrihte një damar i kaltëremë.
Adileja u drodh duke mërmëritur me vete: “Si zog i plagosur. Mjera, unë e mjera, për nipin tim të vetëm! Larg qofsh, moj vdekje e mallkuar!” E shtoi me zë: “M`u thaftë gjuha, çfarë them kështu!”
Doemos gjyshe Adileja e kish shpirtin të trembur, sepse aty në kamp pat rënë një epidemi barku e patën vdekur tre a katër fëmijë po atë javë. Edhe vogëlushin e pat hequr barku e ishte fare i këputur që nga nata e kaluar. Adileja e shtrëngoi edhe njëherë të nipin në krahët e saj të fuqishëm duke menduar: “Nuk të le nëna ty të sëmurë se të kam shpirt e zemër!” U fut në barakë dhe e shtriu djalin mbi një batanije e la ashtu të përgjumur e të përhumbur.
Doli jashtë rrëzë telave me gjemba të kampit mblodhi disa shkarpa e bluashka dhe ndezi zjarr, përmbi dy gurë vuri një tenxhere të vogël me ujë e pastaj eci rreth e rrotull kampit andej e këtej ku kishte parë gjethet dhe kallinjtë e dellit këputi disa syresh dhe i futi në enën që të zienin. Filloi që t’ia japë këtë çaj, si edhe ujin e zier me pak kripë e sheqer e pasdite vonë vogëlushi sikur u gjallërua e i hapi sytë. Me pak miell, që u pat mbetur e përzjeu me ujë dhe brumin e hollë me dy kokrra kripë e shtroi në tigan dhe bëri dy pite, me to e ushqeu nipin duke i futur copa të vogla herë pas here në gojë, duke e mëkuar porsi zog e duke i thënë më të ëmblat fjalë të gjuhës shqipe.
Po atë natë ndërsa vogëlushi po flinte i qetë u dëgjuan krisma. Policët e kampit vranë dikë, që donte të arratisej.
Agroni u lebetit dhe filloi që të trembej në gjumë. Dhe i ngeli kjo trembje, ky makth për tërë jetën.
blank

Mbi 70 vite përkushtim për njerëzit! Faleminderit dhe lamtumirë usta Xhevati! Nga Ilir Hysa

Qytetarët e Elbasanit morën lajmin e trishtë se një nga ikonat e qytetit ka ndërruar jetë. Bëhet fjalë për bukëpjekësin Xhevat Koburja.
Xhevati punoi në profesionin e tij si furrtar apo bukëpjekës, duke i shërbyer bashkëqytetarëve të tij për mbi 70 vjet.
E mbaj mend si tani furrën e Xhevatit gjatë vizitave të fëmijërisë tek gjyshja. Një furrë e vogël por që projektonte tek vizitorët vetëm mirësi. E kush e harron aromën e bukës së ngrohtë, të ballakumeve dhe atë të ëmbëlsirave të tjera që piqte Xhevati?!
Në vitet ‘80, shkoja aty me të afërmit e mi dhe përjetoja nga afër punën pa fjalë të ustait.
Dikush blente bukë, dikush vinte për të pjekur bakllava për sebepe familjare apo për festën e vitit të ri. I madh e i vogël në Elbasanin e asaj kohe e dinte se askush nuk e piqte bakllavanë si Xhevati.
Fakti që Xhevati ishte punëshumë e fjalëpak gjithë jetën e kishte bërë ustain apo lal Xhevatin, siç e quanin në Elbasan, një hero të heshtur. Atij i buronte madhështia nga puna pa shumë fjalë.
Por edhe me gjithë punën e palodhur dhe fjalët e pakta, as Xhevati nuk mundi ti shpëtojë absurdit. Edhe ai u bë viktimë e rrugaçërisë që lulëzon në shtetin tonë tigër kartoni. Xhevati dhe familja e tij u dhunuan keqas fizikisht, atje duke pjekur bukë, para gjashtë vjetësh e gjysëm.
Për këtë ngjarje të shëmtuar, pata shkruar në janar 2016 një shënim pikëllimi të cilin e titullova “Në Elbasan u dhunuan vlerat”. Shkrimi kishte të bënte me dhunimin që iu bë bukëpjekësit të nderuar të Elbasanit Xhevat Koburja dhe bashkëshortes së tij Zaje Koburja në furrën e tyre.
Xhevati ishte jetëgjatë dhe ia doli por, disa ditë më pas, bashkëshortja Zaja jetë ndërroi jetë pasi nuk mundi t’iu shpëtojë plagëve të marra. Nuk e di nëse dhunuesve të familjes Koburja i hyri gjem në këmbë, por nuk do shokohesha nëse ata dolën pa lagur. Pa lagur ka gjasa të dalin edhe ata në poste të larta politike në Elbasan dhe në Tiranë të cilët do mundohen që nxitimthi ta përdorin emrin e Xhevatit për të mbuluar zullumet e tyre.
Gjithësesi, sot nuk është dita për tu marrë me halabakët. Sot është dita e usta Xhevatit. Me mbi 70 vitet në shërbim të bashkëqytetarëve të tij, Xhevat Koburja përmbushi me sukses një jetë plot punë, nder e pasion. Ai, me tepsitë dhe tavat e tij të shumta e për qejf, qe i pranishëm në tryezat e qytetarëve elbasanas për mëse 70 vjet.
Mbi 70 vite përkushtim për njerëzit! Faleminderit dhe lamtumirë usta Xhevati!
Ilir Hysa
Sh.B.A.
27 qershor 2022
blank

In Memoriam Tomorr Aliko rrëfen genocidin komunist ndaj intelektualëve shqiptarë

blank

– Kur nisi konkretisht genocidi komunist ndaj intelektualëve shqiptarë?

Ky genocid filloi që gjatë luftës, sidomos pas Konferencës së Mukjes dhe vazhdoi egërsisht pas uzurpimit të pushtetit nga diktatori Enver Hoxha. Ishin ditët e fundit të nazifashizmit në Shqipëri. Atëherë kur populli shqiptar priste një fillim të mbarë, nisjen e proceseve demokratike. Pikërisht nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944, Tirana përjetoi terrorin me ekzekutimet masive (pa gjyq) ndaj patriotëve, intelektualëve dhe ish-funksionarëve të lartë të shtetit. Tirana u mbyt në gjak. Me urdhër të diktatorit E.Hoxha njësi speciale partizane me lista kundërshtarësh vrisnin nëpër rrugë dhe para syve të familjarëve, pasi ata shikoheshin si rrezik në mbajtjen e pushtetit. Sipas dëshmive okulare, numri i të ekzekutuarve i kalonte 100 vetë. Por të identifikuarit të atyre ditëve ishin 38 martirë, shumica oficerë të ushtrisë kombëtare. Masakra e Tiranës është dëshmia më e saktë që pagëzoi me gjak dhe dhunë lirinë e shqiptarëve, e cila për gjatë gjysmë shekulli të çmendur rezultoi se ishte pema e genocidit ndaj shtresës elitare të shoqërisë shqiptare. Këta intelektualë, kishin treguar se ishin një shtresë fisnike me sistemin e vlerave të shoqërisë shqiptare.

– Kur filluan gjyqet speciale?

Gjyqi i parë special u hap në mars – prill 1945. Zhvillohej një nga gjyqet më absurde dhe më të pamotivuar nga ana juridike. Grupi i gjyqtarëve me kryetar gjeneral leitnant Koçi Xoxe, jep vendimin “në emër të popullit”, duke çuar para grykave të zjarrit 17 burra shteti dhe dhjetëra të tjerë u dënuan me burg të rëndë, megjithëse ata nuk kishin kryer asnjë krim, përveçse kishin qenë shtetas të denjë të vendit të tyre. Gjithçka pasqyrohet hollësisht në filmin dokumentar. Në vitet 1945-1948 nacionalizmi shqiptar pësoi persekutimin më barbar. Diktatori E.Hoxha ngarkoi ministrin e Brendshëm, Koçi Xoxe, për kryerjen e këtij misioni, i cili vuri në zbatim direktivat e Byrosë Politike për asgjësimin e kundërshtarëve të partisë-shtet.

Në këto rrethana elementët kundërshtarë nisën të grupoheshin dhe të reflektonin rreth këtij uzurpimi. Pasqyrë ishin zgjedhjet e dhjetorit 1945, të cilat edhe pse u monitoruan nga perëndimorët, liria e tyre u mbyt nën tamtamet delirante të partisë nën terrorin policor dhe dënimet me ngut për elementë të dyshimtë si opozitarë. U piketuan elementë nga Fronti i Rezistencës, legaliteti dhe grupimi social demokrat. Me kryetarët e grupeve, Sami Qeribashi, Qenan Dibra dhe Musine Kokalari, u bashkuan edhe intelektualë të tjerë si Suat Asllani, Baltezar Benusi etj. Një ndër më të spikaturit ishte dhe Gjergj Kokoshi, ministër i Arsimit në qeverinë e E. Hoxhës, i cili kish qenë pjesë e luftës NÇL dhe që kish deklaruar: “Atje ku nuk ka pluralizm nuk ka demokraci”. Në janar 1946 shpërtheu një valë e madhe arrestimesh dhe ju nënshtruan torturave më çnjerëzore, thejsht sepse kishin guxuar sipas Kushtetutës, të dilnin në opozitë. Gjykata e Lartë dha vendimin; 9 me pushkatim dhe dhjetëra të tjerë me burgim të rëndë.

Më 8 nëntor 1946, filloi gjyqi special ndaj “sabotatorëve” të tharjes së kënetës së Maliqit në Korçë. Një akt tjetër miozor. Të aktuzuarit ishin inxhinierë dhe teknikë, ish-studentë të diplomuar nga shkolla shqiptaro-ameriakne “Harry Fulz”. Gjykata e Lartë Ushtarake dënoi me varje në litar inxhinierët Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, kurse me pushkatim inxhinierët Vasil Nano dhe gruan e tij, Zyrakën me foshnjen në bark. Inxhinierin italian Euxhenio Skaturo dhe inxhinierin Mirush Përmeti. Dënohen me burg të rëndë 12 teknikë. Por gjëmat e regjimit komunist nuk kishin të mbaruar.

Disa ditë para largimit të misionit diplomatik të SHBA nga Shqipëria si pasojë e politikës diktatoriale të partisë-shtet, filluan arrestimet masive ndaj kuadrove të dalë nga shkolla teknike “Harry Fulz”. Sigurimi i Shtetit prangosi 80 intelektualë, faji i të cilëve ishte sepse ishin ushyqer me edukatën dhe kulturën perëndimore. Të pushkatuarit dhe të vdekurit në qeli ishin 22 vetë, kurse me burgim të rëndë ishin me qindra. Ata akuzoheshin si spiunë të agjenturës amerikane. Prokurorët xhelatë Nevzat Hasnedari, Petrit Hakani, Siri Çarçani, etj., u dalluan si më të tmerrshmit për masakrimin.

– Ç’ndodhi me grupin e deputetëve me pikpamje properëndimore?

Kishin kaluar dy vjet nga zgjedhjet parlamentare ku ishin zgjedhur deputetë disa kandidatë nacionalistë, anëtarë të frontit NÇL si Shefqet Beja, Kol Kuqali, Sheh Karbunara, Selaudin Toto, Koço Boshnjaku, Faik Shehu, Islam Radovicka, Kol Rodhe, etj. Mirëpo, demagogjisë komuniste shpejt do t’i dilte kallaji. Në vitin 1947 Qeveria komunsite ndërmori një nga raprezaljet më të mëdha, ndërmori një terror shtetëror. Opozitarët kundërshtarë u arrestuan dhe u dënuan me akuza nga më të pabesueshmet. Trupi gjykues me kryetar major Niko Çeta dhe prokuror Josif Pashko, dënoi me varje në litar Shefqet Bejën, inxhinierët Riza Alizoti dhe Sulo Klosi, dhe me pushkatim 16 të tjerë. Kurse me burg të rëndë 26 intelektualë dhe patriotë shumica e të cilëve vdiqën në qeli e burgje.

Historia e diktaturave ka treguar se çdo regjim për të përligjur aparatin shtypës si forcë dhunuese ka nevojë të krijojë armiq. Nuk kishin kaluar as tre muaj nga i ashtuquajturi gjyq i deputetëve, më 31 dhjetor 1947 u zhvillua gjyqi i grupit të Riza Danit, edhe ky deputet, pa dëshmitarë dhe pa mbrojtës, por vetëm u komunikaua vendimi i Këshillit të Gjykatës së Lartë Ushtarake ku jepet vendimi për 19 vetë. 6 u pushkatuan, 5 u dënuan me burg të përjetshëm, dhe të tjerët me burg të rëndë. (Gjithçka pasqyrohet në filmin dokumentar).

– A mund të na thoni diçka rreth hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike?

Shteti i diktaturës asnjëherë nuk do të ndalej së fabrikuari ngjarje e kurthe për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Më 19 shkurt 1951, në oborrin e ambasadës sovjetike u hodh një bombë ku u thyen 2-3 xhama. U vu në lëvizje krejt qeveria dhe Byroja Politike. U bënë arrestime masive, duke trumbetuar “për armikun e klasës”, që kërkonte të prishte urat e miqësisë me Bashkimin Sovjetik. U arrestuan në Tiranë 22 vetë dhe u nxorën në gjyq me dyer të mbyllura. Gjykata e Lartë Ushtarake dha vendimin; 22 me pushkatim, ndër ta edhe intelektualen Sabiha Kasimati. Në mesnatën e 26 shkurtit 1951 i nxorën nga qelitë, duke i lidhur me tela hekuri njëri me tjetrin. Ata nuk e dinin se ku po i çonin, sepse as i kishin gjykuar dhe as nuk ua u kishin dhënë mandatën. Që nga ajo ditë kanë kaluar 57 vjet dhe mendimi i përgjithshëm është se bombën në ambasadë e hodhi Sigurimi i Shtetiti për të eliminuar edhe ata pak intelektualë që kishin mbetur. Të gjitha ngjarjet e përmendura më sipër në harkun kohor nëntor 1944-1951, përbëjnë epiqendrën e një tërmenti njerëzor në truallin shqiptar. Qindra mijëra drama njerëzore do të krijonin hendekun e pakapërcyeshëm klasor me pushtetin komunist.

– Po me komunitetet fetare si u veprua?

Po aq tragjike e mizore ishte fati i komuniteteve fetare. Në atë tmerr që do të provonte feja në Shqipëri. S’kishte ndodhur në asnjë vend të botës, që kultet fetare të nxirreshin jashtë ligjit. Rekordin e masakrave e mban Kleri katolik ku 60 e ca klerikë u pushkatuan apo vdiqën në qeli e burgje. Po këtë fat patën edhe klerikët bektashianë, muslimanë e ortodoksë. Diktatura komuniste nuk do të ndalej përpara asnjë lloj krimi, cilatdo qofshin viktimat.

-Ç’mund të na thoni në lidhje me gjyqet ushtarake dhe burgjet?

Gjyqet ushtarake vepronin në mbarë vendin. Burgjet dhe qelitë shumoheshin. Atje mbyllej trupi dhe shpirti i shqiptarëve që kërkonin liri dhe demokraci. Mjerë ata që vuajtën dhe hoqën në ferrin e gjatë komunist. Është thënë shumë e prapë do të thuhet e do të kujtohet për këto ngjarje të tmerrshme, por a do t’na besojnë fëmijët tanë? Prandaj dokumentimi i krimeve të E. Hoxhës dhe totalitarizmit komunist është mëse e domosdoshme me qëllim që të kuptohet se sa dëm kanë sjellë, sa dhimbje e hidhërime kanë shkaktuar, sa nëna lidhën shamitë e zeza, sa gra mbetën pa burra, sa fëmijë u rritën jetimë. Nuk e meritonte ky vend të ndëshkohej kaq rëndë. E drejta nis nga drejtësia, gabimi i gjatë kthehet në faj dhe faji i ndërgjegjshëm kthehet në krim.

Le ta fillojmë me burgun e vjetër dhe burgun e ri të Tiranës dhe 130 qelitë varreza për së gjalli. Nga këto burgje e qeli u nisën drejt vdekjes qindra burra dhe gra, faji i të cilëve ishte se urrenin komunizmin. Në filmin dokumentar nëpërmjet fotografive shihet krenaria e tyre, si përshembull oficeri i karrierës Aqif Haveriku, i cili u ekzekutua, sepse nuk pranoi yllin e kuq në kapelen e tij, apo kapiteni Reshat Stërmasi, shëmbull i qëndresës gjatë hetuesisë dhe gjyqit. Të tillë ishin me qindra si, nacionalistët dhe patriotët Thoma Orollogaj, Ferit Hysenbegasi, Ali Mena, Shazivar Islami, etj., që vdiqën në qelitë dhe burgjet e diktaturës.

Kujtojmë me dhimbje ata qindra të burgosur si, Suat Asllani, Ali Fortuzi, Haki Karapici, Selman Riza, Mithat Araniti, Abedin Nepravishta, Tahsim Spahiu, Dr.Isuf Hysenbegasi, Qerim Nasufi, Reshat Beqiri, Osman Kazazi etj., që u shkrinë dhe u tretën burgjeve. Gjithashtu, të njëjtin fat pësuan edhe të rinjtë antikomunistë si, Sami Kupi, Zihni Dervishi, Petrit Toto, Skënder Jenisheri, Bardhul Dindi, Viktor Dosti, Tefik Gabrani, Skënder Dine, etj. Një vend të veçantë kanë zënë edhe gratë antikomuniste shqiptare si Musine Kokalari, Hava Golemi, Marte Doda, Rita Koka, Bardhe Gjonmarku, etj.

Secili nga burgjet dhe qelitë e diktaturës ka historikun e vet të dhimbshëm. Për Burgun e Burrelit, thuhej: “Burrel hyn e nuk del”. Ky burg ka qenë “garnizoni i kokave të mëdha”. Atje vdiqën me qindra patriotë, si Kristo Kirka, Estref Myftiu, Ethem Haxhiademi, Kol Rodhe, Kol Mjeda, Temo Shehu, Akile Tasi, Hivzi Kokalari, Dr. Kalivopuli, Koço Kote, Atif Golja, Xhevat Leskoviku, Xhevat Korça, që i dha fund jetës me grevë urie.

Vuajtën vite të gjata burgu, Abdulla Rami, Engjëll Çoba, Koço Tasi, Qazim Merlika, Mihal Zallari, Hysen Kruja, Ibrahim Biçaku, Bajram Pustina, Feta Butka, Ali Maliqi e qindra të tjerë.

Në Shkodër ishin hapur 8 burgje. Gjyqet ushtarake bënë kërdinë. U ekzekutuan Preng Cali, Cafo Beg Bushati, Qazim Bushati, Ndue Pali, Halit dhe Abdulla Kazazi, Gjysh Deda, Fari Rusi, Paulin Pali, Kol Prela, Riza Uruçi, e qindra të tjerë. Vdiqën në qeli Rasim Kazazi, Xhemal Juka, Pal Thani, Myzafer Pipa, Preng Kaçinari, etj, etj. Vuajtën vite të gjata burgu Ruzhdi Roi, Ethem Bakalli, Nino Kurti, Xhemal Quku, Arshi Pipa, Sami Repishti, Ndrekë Kakariqi, Eduart Marashi, Caf Jonuzi, etj, etj.

Në burgun dhe qelitë e Vlorës morën dënime kapitale familjet më të mëdha vlonjate si familjet Shar, Kokoshi, Gjon Zeneli e dhjetëra familje të tjera. Qazim Kokoshi, ish-komandant i Luftës së Vlorës më 1920, vdes në qelitë e burgut. Me qindra vuajtën burgjeve dhe kampeve shfarorëse; Engjëll Kokoshi, Abdurrahman Kreshpa, Tahir Hoxha, Meçan Hoxha, etj.

Po kështu në burgjet dhe qelitë e Korçës vuajtën dhe vdiqën qindra patriotë. U pushkatuan, sheh Qerim Devolli, Mehmet Babani, Muhamer Liço, Nexhip Lamçe e të tjerë. Vdiqën burgjeve Sami Dangëllia, Medi Qyteza, Hasan Xama, Selman Rakicka, etj. Vuajtën vite të gjata burgu Eshref Zagorçani, Skënder Stefollari, Niko Kirka, Petro Katro, Xhevat Agolli, Faik Selenica, Sako Meçe e qindra të tjerë.

Në Elbasan, u asgjësuan familje të mëdha me traditë patriotike. Varet në litar arsimtari Nezir Muzhaqi. Vuajtën vite të gjata burgu, Osman Bishqemi, Aqif Selimi, Avni Zhiti, Shaban Plaka, Petrit Shahini, Sali Doko e qindra të tjerë.

Burgu dhe qelitë në Kalanë e Gjirokastrës ishin ferr për gjithë Shqiëprinë e Jugut. U pushkatuan me gjyq ushtarak Selam Kërma, Ismail Haki Tatzati, Shefqet e Merqez Mustafaraj, Zenel Gjoleka, Alem Roshi, Namik Lesko, Surja Vasjari, Zenel Shehu e qindra të tjerë. Vuajtën gjatë në burg; Myfit Shehu, Lutfi Shehu, Asaf Selfo, Zylfo Daci, Hysni Pollo, Muhamet Hoxha, Lutfi Hysenaj, Fuat Kostreci, etj.

Burgjet dhe qelitë e Beratit dhe të Kuçovës janë dëshmi e trajtimit barbar nga regjimi komunist ndaj njerëzve të pafajshëm. Gjykata ushtarake me kryetar Zylyftar Veleshnjën dënoi me vdekje dhjetëra nacionalistë si, Namik Meqemeja, Resul Dollani, Hamit Myftiu, Muharrem Kamberi, Mustafa Myrtaj, Halit Morina, Taqfur Hasnedari, Rrapi Qerreti, Hilmi Hysi, Uran Filipi, Pjetër Gurakuqi, e dhjetëra të tjerë. Kuçova kujton me indinjatë ato ditë të zeza ku me procese të montuara u dënuan intelektualë dhe specialistë të naftës, ndër ta edhe drejtori i “AGIP”-it, Taras Koni, inxhinier Kanti dhe inxhinieri Paolo Soglioti, akuzuar si sabotatorë të puseve të naftës. Ndërsa inxhinieri Riza Alizoti u var në litar. Në Lushnje varet në litar profesori Fuat Kurti, vdesin në qeli e në burg Ramadan Zdrava, Maksut Zhiti, Irfan Vrioni, Qazim Lushnjaku, etj. Dënohen me burg të rëndë, Nexhip Zdrava, Stavri Cylaku, Kamber Dobrusha, Refik Çepele, Ilia Therreska, Jani Konomi, Qamil Sefa, etj.

– Çfarë është bërë deri tani me gjithë këto viktima të regjimit komunist?

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës me anë të dy rezolutave rekomandon dënimin e krimeve të komunizmit. Edhe Kuvendi i Shqipërisë, duke iu referuar Asamblesë së KE më 12.05.2006 nxori rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, por deri më sot ka mbetur në letër. Sa e rëndë paska qenë sfida e regjimit komunist! Akoma diktatori antihuman i Europës Lindore vazhdon të jetë Heroi i Popullit. Të tillë janë edhe shumë xhelatë të tjerë. Filmi dokumntar është një akuzë që i bëhet murtajës së ideologjisë komuniste. Pra dënimi i krimeve të komunizmit është një shërbim i madh që i bëhet edukimit demokratik të shoqërisë si prevenim për të mos rënë pre e utopive e demagogjive. E, pra, s’duhet të harrojmë! Veçanërisht ne shqiptarët. Kurrë të mos harrojmë atë diktaturë ç’njerëzore. Është thirrja që buçet nga kori i të pafajshmëve. Nderim për martirët. Respekt për disidentët.

blank

Ndahet nga jeta Tomorr Aliko, ish i burgosur në burgjet komuniste

Ndahet nga jeta z. Tomorr Aliko. Ish i burgosur politik antikomunist, nacionalist i spikatur, ish kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ish sekretar i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, shkrimtar, seknarist, aktivist i shquar i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Jeta dhe vepra e Tomorr Alikos janë një histori përpjekjesh sakrificash e qëndrese të spikatur!
Lindi më 10 korrik të vitit 1925, në Libohovë. Në moshën 17-vjeçare aderoi në Ballin Kombëtar. Në vitin 1945 u arratis në Greqi, ku u inkuadrua në forcat Aleate. Pas gjashtë muajsh, u kap në kufi.
Më 9 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 20 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për «dhënie informacioni të huajve kundër shtetit». Pas kryerjes së dënimit, u internua për 29 vjet në Mamurras. U lirua në vitin 1991.
Vepra:
Eshtë autor i disa librave, filmave dokumentarë dhe shumë artikuj e intervista në media .
«Fundi i udhës së gjatë» (1999), «Gjysmë shekull në kthetrat e djallit» (Tiranë, 2003), «Genocidi mbi eliten intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist/ Genocide on the intellectual elite of the albanian nation under the communist terror» (Tiranë, 2007), “Genocidi gjysëmshekullor në Shqipëri/The half century genocide in Albania ” («Emal», Tiranë, 2010).
Tomorr Alikoja është dhe autor i skenarit të filmit dokumentar “Zhdukja e inteligjencës shqiptare gjatë vitëve 1944-1951”, prodhim i Televizionit Publik Shqiptar (2008).
Ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve për këtë humbje.

Send this to a friend