– Sot u nda nga jeta të SKËNDER HALUCI, jurist, avokat dhe ish-Kryetar i Gjykatës së Vlorës, ish Komisioner i Avokatit te Popullit, ish i burgosur politik, një personalitet i respektuar i drejtësisë dhe jetës publike.
VOAL, duke marrë pjesë në dhimbjen e madhe për këtë humbje pikëlluese, po ju sjell lexuesve një intervistë të gjerë të botuar më 2012, ku Skënder Haluci shpalos shumë nga sfidat e pashembullta të jetës së tij.
E Mërkurë, 02.15.2012, 09:55am (GMT+1)
Ata ishin disa djem nga Bujani i Tropojës që bënin një bisedë mes shokësh. Vetë mosha adoleshente e tyre ish te shkak për një debat më se të sinqertë. Gjithsesi në atë moment as që u shkonte në mendje se pikërisht ajo bisedë e bërë aty në thellësi të maleve të Tropojës, do të bëhej shkaku i një kalvari të stërmundimshëm vuajtjesh dhe peripecish. Nuk do të vononte që gjithçka ishte thënë aty të mësohej saktësisht nga sigurimi i shtetit të asaj kohe. As më pak dhe as më shumë por tema e tyre kishte në epiqendër vetë udhëheqësin komunist Ramiz Alinë. Ishte viti 1983 kur ai kishte pak kohë që kishte përfunduar vizitën e bujshme në rrethin e tyre të Tropojës. Çuditërisht, atyre djemve edhe pse të vegjël, e ndjenin se u ishte mërzitur jeta nga sistemi komunist. Megjithëse të rinj dhe duke jetuar shumë larg Tiranës, në kushtet e transportit të atëhershëm, ata e parashikonin dhe e kuptonin se Enver Hoxha numëronte ditët e fundit të jetës. Tashmë sipas tyre, pengesë për rrëzimin e komunizmit ishte vetëm Ramiz Alia të cilin do të kishin bërë mirë që gjatë kohës që kishte kaluar në rrethin e tyre të mund ta asgjësonin. Kaq ide ishte dashur që fantazia e tyre djaloshare të kalonte nga një variant atentati në një tjetër, se si mund të ishte eliminuar Ramiz Alia. As që mund ta mendonin se vetëm me atë bisedë të atyre çasteve ata do të bëheshin të njohur në të gjithë Shqipërinë, madje rreth portretit të tyre në të gjitha krahinat e vendit do të thureshin subjekte me frymëzim legjendash. Ishte momenti kur me shpejtësinë skëterre, u përhap lajmi se “Shoku Ramiz i paska shpëtuar në fije të perit atentateve të mirëorganizuar në Veri të Shqipërisë për t’i marrë atij me çdo kusht jetën”.
E çuditshme dhe e pabesueshme ngjarja e ndodhur si në filmat hollivudianë ku në qendër të tyre qëndrojnë heronjtë tragjikë, por në Shqipërinë e vogël që bie shumë larg Hollivudit, subjekti s’ka qenë artistik por një ngjarje e vërtetë.
20-30 djem në prangat e policisë ndërkohë që disa prej tyre morën dënimin kapital “Vdekje me Pushkatim”. Dy prej tyre u falën nga dënimi kapital.
Ky ishte pak a shumë bilanci i ngjarjes që pasoi vizitën e bujshme të Alisë në veri-lindje të Shqipërisë, Kukës, Has, Tropojë etj.
Lajmi se në veri kishin funksionuar dy grupe armiqësore shumë të rrezikshme që donin të bënin atentat ndaj udhëheqësit, u bë jo vetëm i besueshëm, por filloi të zgjerohet dhe të lustrohet me episode legjendash. Njëri grup u kap në takimin e Hasit pikërisht kur Alia po hipte në tribunën e mitingut ndërsa tjetri në Tropojë. Të paktën ky është lajmi i përhapur me bujë dhe ai që besuan njerëzit. Por, askush nuk mësoi asnjëherë se ai i Tropojës paskishte qenë vetëm një bisedë të rinjsh të përmendur në fillim të këtij epilogu ndërsa tjetri në Has nga sa mësohet sot paska qenë një konflikt mes dy rivalëve që s’kishin as një lidhje me atentatin për të cilin u akuzuan.
Gjithsesi, dy prej të rinjve të Tropojës të dënuar nga Gjykata e Lartë me “vdekje me pushkatim” u është falur jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte vetë Ramiz Alia. Ata janë dy kushërinj të parë Isuf dhe Skënder Haluci.
Isufi fatkeqësisht nuk jeton më ndërkohë që kontaktojmë me Skënder Halucin i cili tashmë është dekretuar gjyqtar në Vlorë.
Një ndër shkaqet që Skënder Haluci pranon të flas për opinionin publik është fakti se ndjehet i shqetësuar që sërish vijohet të deformohet dhe të mos dihet mirë e vërteta. Ai merr shkas edhe nga një intervistë të dhënë për atë ngjarje nga vetë sekretari personal i Ramiz Alisë zoti Guro Zeneli i cili sipas Halucit nuk është fare i qartë mbi atë çka ndodhur në të vërtetë në ato ditë terrori mbi popullin e Hasit dhe të Tropojës gjatë dhe pas turit politik të Ramiz Alisë në ato krahina.
Për më tepër le të ndjekim vetë intervistën e zotit Haluci.
Zoti Haluci, është folur shumë për atentatin që do t’i bëhej Ramiz Alisë në Has gjatë turit të vizitave që ai bëri në vitin 1983 në veri të vendit. Jo vetëm atëherë por edhe shumë vite më vonë e kam dëgjuar shumë herë faktin se një person është kapur në mitingun e Hasit me granat në xhep dhe është dënuar me vdekje por që më mbrapa është falur nga Ramiz Alia. Është thënë gjithashtu se ai person është quajtur Skënder Haluci, pra jeni ju. Çuditërisht në këtë mënyrë e konfirmo edhe para disa ditësh vetë ish- sekretari i Ramiz Alisë gjatë një cikli intervistash që dha për “Gazeta Shqiptare”.
U zgjata disi në hyrje të pyetjes sime për të të bërë të qartë pak a shumë atë që duam të sqarojmë nëpërmjet intervistës suaj. Thjesht, vetëm ju mund të na shpjegoni të vërtetën.
Ju kuptova qartë zoti Veliu. E vërteta e atentatit dhe e gjithë asaj historie është krejt ndryshe nga sa e dëshmoi ish-sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli. Unë e ndoqa intervistën e tij dhe pashë që ai kishte marrë përsipër të bënte lustrimin e figurës kriminale të Ramiz Alisë, duke ua paraqitur atë shqiptarëve si një udhëheqës dhe politikan shumë njerëzor. Guro Zeneli, të cilin fatmirësisht nuk e kam njohur, po vazhdon t’i shërbejë me besnikëri edhe pas vdekjes padronit të tij diktatorit të fundit komunist në Shqipëri Ramiz Alisë. Sipas këndvështrimit të tij është normale pasi me sa mësova e paska marrë nga Saranda dhe e çoi në paradhomën e tij me kompetenca të jashtëzakonshme. Por Zoti Guro nuk duhet të gënjejë opinionin publik se kjo nuk i shërben askujt. Nuk e kuptoj se përse masmediat shqiptare i kushtojnë kaq shumë rëndësi këtyre figurave të regjimit Sllavo-Komunist shqiptar si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Ramiz Alia etj monstra të tipit të tyre, që masakruan pa mëshire për mëse 45 vjet mijëra shqiptar të pafajshëm vetëm për fjalën e lirë, për prirjet perëndimore të tyre, për besimin e tyre tek Zoti. Sapo na u hoq nga ekranet televizive “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut, sapo u mbushën ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave me akuzat e Nexhmie Hoxhës për humbjen e ditarit personal të Enver Hoxhës, gazeta juaj fillon një Dossier me bamirësitë që sipas Guro Zenelit na paska bërë Ramiz Alia. Nuk është normale dhe e moralshme që të fyhet në këtë mënyrë inteligjenca e shqiptarëve sepse shqiptarët e dinë mirë se kush kanë qenë këta monstra politik.
Që ju jeni akuzuar si atentator i Ramiz Alisë i mbetur në tentativë, ndërkohë që jeni njohur në gjithë Shqipërinë me emër, këtë nuk besoj se ka gënjyer, ashtu siç nuk ka gënjyer që jeni dënuar me “Vdekje me Pushkatim” dhe që ju ka shpëtuar nga plumbi Ramiz Alia apo e kam gabim?
Besoj se nuk ka gënjyer edhe për faktin se në periudhën pas viteve ’90 kur u arrestua Ramiz Alia dhe ish-udhëheqja më e lartë e shtetit komunist pikërisht ju jeni caktuar për të kryesuar trupin gjykues ndaj tyre por që keni dhënë dorëheqjen. Nuk e di nëse kam qenë i gabuar në këto fakte që ju citova?
Është e vërtetë se faktet që thatë juve, qëndrojnë saktësisht ashtu si i thatë, pavarësisht se nuk i shpjeguat mirë.
Çfarë shpjegimi?
Në radhë të parë nuk jeni i qartë për sa ka disiformuar ish-sekretari i Ramizit. Sepse e vërteta është krejt ndryshe. Krejt ndryshe qëndron e vërteta mbi ato që ish-sekretari e quan “atentat” dhe krejt ndryshe është fakti i arrestimit tim ashtu siç është krejt ndryshe fakti pse Ramiz Alia më ka shpëtuar nga ekzekutimi, ndërkohë që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më kishte dënuar me “Vdekje me Pushkatim”.
Por unë do të thoja madje mjaft i revoltuar që sekretari i Ramiz Alisë nuk thotë të vërtetën për rastin se përse u fala unë që sipas tij, unë qenkam falur nga Ramiz Alia se ai nuk donte ta përuronte atë vizitë të tij në veri duke i faturuar një vdekje madje ka ngulur këmbë për mua që të mos pushkatohesha.
Të lutem mund të më thuash saktësisht se si ka qenë e vërteta se mendoj se do të ishte me shumë interes edhe për opinionin për të hequr çdo aludim apo hamendësim? Ju thash që sekretari i tij ishte shumë larg vorbullave kryesore ku juve ju plasi sigurimi kështu që të vërtetën absolute mund ta deklaroni vetëm ju.
Unë e kam bërë të qartë edhe herë tjetër në masmedia se Ramiz Alia e përgjaku veriun dhe jo nuk donte ta përgjakte si pretendon Guro Zeneli. Gjatë dhe pas asaj vizite të paharruar për Hasjanët dhe Tropojanët, në Has dhe në Tropojë janë arrestuar, torturuar dhe dënuar me afate të gjata burgimi mbi 30 veta. Nga pranvera e vitit 1983 kohë kur ka ndodhur turi politik për promovimin e Ramiz Alisë si pasardhësin e Enver Hoxhës, pasi në atë kohë thuhej së Enver Hoxha ishte në gjendje të keqe shëndetësore fizike dhe mendore, deri në pranverën e vitit 1985 janë pushkatuar disa persona nga kjo zonë të cilët do mundohem t’i kujtoj me emra, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli pushkatuar pas revoltës që kishte ndodhur në Burgun e Qafë-Barit në maj të vitit 1984, Shkëlzen Doçi pushkatuar më duket me 9 prill 1985 në kohën kur po jepte shpirt krimineli Enver Hoxha, pa harruar këtu edhe Hasjanët që u ekzekutuan pas vizitës së Ramiz Alisë në Has. Më e tmerrshmja që ta dijë dhe ish sekretari i Ramizit është se ata Hasjanë dhe Tropojanë shumica prej tyre të rinj që u arrestuan, torturuan dhe u dënuan me afate të gjata burgimi nuk kishin të bënin fare me atentatin imagjinar për të cilit flet Guro Zeneli. Atentate të tilla ishin vetëm në mendjen e Ramizit dhe të sigurimit të shtetit. Këtu qëndron për mendimin tim edhe një nga arsyet që ka ndikuar tek Ramiz Alia dhe Presidiumimi Kuvendit Popullor që unë të mos ekzekutohesha duke e kthyer dënimin nga “Vdekje me Pushkatim” në dënim me “25 vjet heqje lirie”.
Nuk e kuptova arsyen e faljes suaj?
Siç e theksova edhe më lart, gjatë viteve 1983, 1984, 1985 nga krahina ime ishin pushkatuar 6-7 veta. Pas lirimit nga burgu kam mësuar se Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit tonë, në një takim që ka pasur më Ramiz Alinë i ka thënë atij se pushkatimet që janë bërë në Veri, nuk janë pritur mirë në popull, veçanërisht pushkatimi me dt, 9 Prill i Shkëlzen Doçit, i cili ishte nga një familje e njohur dhe e lidhur shumë me regjimin. Një xhaxha i Shkëlzenit në atë kohë ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të PPSH. Po e pyes Guron pse nuk ia fali jetën Ramiz Alia Shkëlzen Doçit, pas takimit që pati me xhaxhain e tij, një ish-bashkëluftëtar i Ramizit gjatë luftës? Për mendimin tim kjo është një nga arsyet që ne nuk u ekzekutuam në tetor të vitit 1985, pas dënimit me “Vdekje me Pushkatim” nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Ju kuptoj madje shikoj se jeni goxha i irrituar me pasaktësitë që mund të ketë pasur dhe që jam i bindur që këto pasaktësi i ka pasur sekretari i Ramiz Alisë përderisa ju që jeni aktori kryesor i subjektit thoni se është krejt ndryshe. Meqenëse jemi në kontakt me mijëra lexues të “Gazeta Shqiptare”, mund të na i sqaroni të vërtetat absolute? Së pari, doja të thoja si ka nisur historia dhe a ka pasur një rast atentati në mitingun e Hasit?
E vërteta është se në Has është kapur një person me granatë por që ai s’kishte të bënte fare me Ramiz Alinë e aq më shumë të mund të kishte përgatitur një atentat. Ai faktikisht ka pasur një sherr banal me dy bashkëqytetarë të Hasit.
Më interesantja ishte se këtë fakt e kanë ditur shumë mirë edhe njerëzit e sigurimit që i arrestuan ata djem me akuzën e bujshme se kishin qëllimin për atentat ndaj Ramiz Alisë. E thashë edhe më lart se atentati ishte vetëm në mendjen e Ramiz Alisë dhe sigurimit famëkeq të shtetit shqiptar të asaj kohe.
Zoti Haluci, thatë se ka pasur dijeni sigurimi se djali me granatë në Has nuk kishte qëllim për Ramiz Alinë megjithatë e arrestoi me atë akuzë të tmerrshme. Si ta kuptoj përse e bënë këtë veprim?
Pikërisht për këtë jam i irrituar unë me atë sekretarin që quhet Guro Zeneli që thotë se “nuk u përgjak veriu”. Ta kesh të qartë ti dhe i gjithë publiku sot e përgjithnjë se ata persona që u arrestuan në Has gjatë dhe pas vizitës së Ramiz Alisë nuk kanë bërë asnjë veprim për të vrarë Ramiz Alinë. Këtë armë-mbajtje pa leje sigurimi i shtetit e përdori për të ngritur alibinë e një atentati të dështuar si pasojë e vigjilencës së lartë të sigurimit të shtetit për ruajtjen dhe sigurimin e jetës së udhëheqësve të partisë dhe të shtetit. Faktet sa për dijeni të shokut Guro dhe të opinionit janë krejt ndryshe. Kukësi, Hasi dhe Tropoja u përgjakën dhe u masakruan barbarisht pas turit politik të Ramiz Alisë në këto krahina në pranverën e vitit 1983. Vrasjet dhe arrestimet në këto zona jo vetëm nuk u ndaluan por u shtuan sidomos pas ardhjes në pushtet të Ramiz Alisë, mos harroni këtu ekzekutimin barbar që iu bë poetit Avzi Nela i cili u var në mes të Kukësit. Ku ishte në atë kohë shefi yt o shoku Guro? Jeni në një moshë të thyer dhe është mirë që nëse vendosni të flisni thoni të vërtetën mbi ata çka mund të keni parë dhe dëgjuar se kështu i shërbeni më mirë shpirtit tuaj dhe ish-shefit tuaj. Shqiptarët kanë nevojë të dinë të vërtetat që kanë ndodhur gjatë 45 viteve sado të hidhura që të jenë.
Nuk e di zoti Haluci nëse ju jeni në dijeni se çfarë u bë me personin e kapur në Has me granatë në xhep i cili siç deklaroni ju është etiketuar për të ngritur alibinë mbi ekzistencën e grupit armiqësor të Hasit.
Me sa di unë nga të thënat e të burgosurve nga Hasi me të cilët kam jetuar në Burgun e Burrelit ai dhe një tjetër janë pushkatuar, më vjen shumë keq që aktualisht nuk jua kujtoj dot emrat se ka kaluar një kohë e gjatë. Di vetëm se shumë të tjerë u dënuan me afate të gjata burgimi dhe ata të cilët i mbijetuan burgut u liruan në fillim të viteve ’90 pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri.
Ju keni njohur njeri nga ai grup i Hasit?
Kam qenë në burg me një burrë shumë të mirë që quhet Xhem Sefolli i cili jeton akoma në Has, dhe deri tani nëse nuk abrogohet ligji për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik nga regjimi komunist, as ai dhe as ata që u pushkatuan dhe as ata që u dënuan dhe vuajtën afate të gjata burgimi nuk përfitojnë asnjë lek si dëmshpërblim sepse janë dënuar si terrorist. Megjithatë qeveria ka paraqitur në parlament një projekt-ligj për disa ndryshime në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik nga regjimi komunist” ku mund të zgjerohet rrethi i përfituesve përfshi këtu edhe grupin “armiqësor” të Hasit.
Sa vjeç ishte ky atëherë?
Mund të ketë qenë rreth 50 vjeç.
Me sa kam informacion një pjesë a atyre që u arrestuan për atentatin imagjinar ndaj Ramiz Alisë, kanë pranuar se kanë dashur që të vrasin Ramiz Alinë gjatë vizitës në Has.
Ndërkohë, juve thoni se nuk kanë pasur fare të bëjnë. Si ta kuptoj?
Ore, po si mund të vepronin ndryshe nën ato tortura çnjerëzore që ata provuan mbi kurrizin e tyre?! E keni idenë se çfarë mund ndodhte në qelitë e burgjeve shqiptare kur sigurimi të arrestonte dhe të akuzonte se kishe menduar të vrisje udhëheqësin e partisë e të shtetit. Nuk ju reziston dot barbarizmave që të bëjnë. Kështu që edhe për të shpëtuar nga torturat mund të pranosh edhe vdekjen.
Le të ndalimi te ngjarja juaj personale zoti Haluci. Mësuam deri tani se nuk jeni ju personi që u arrestuat në mitingun e Hasit por që gjithsesi jeni arrestuar dhe dënuar me vdekje me të njëjtën akuzë. Si ka rrjedhur ngjarja?
Unë me disa shokë të gjithë të moshës nën 26 vjeç, njëri prej tyre ishte kushëriri im Isuf Haluci, i njohur si njeri shumë i zgjuar dhe i shkathët. Ishim duke bërë një bisedë interesante por që ajo do të bëhej shkak që të vërshonin mbi ne plot 13 akuza të cilat ishin të mjaftueshme që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë i atyre viteve të na çonte menjëherë drejt skuadrës së pushkatimit, pra të na dënonte me vdekje.
Por cilat ishin ato biseda që bënit juve në mes të Tropojës që e paskan irrituar aq shumë shtetin e atëhershëm?
Sa për dijeni ne ishim nga familje të persekutuara barbarisht nga regjimi komunist. Që nga viti 1948 deri sa u shemb regjimi komunist shqiptar burgu politik shqiptar nuk ka ngelur pa pasur në qelitë e tij anëtarë të familjes time. Mua me ka vdekur babai në moshën 46 vjeç në dhjetor të vitit 1975 ndërkohë që vuante dënimin e dytë në Burgun e Burrelit pasi ishte ridënuan në revoltën e të burgosurve të Spaçit të vitit 1973. Pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë në pranverën e vitit 1983, sigurimi i shtetit ishte i interesuar për të sajuar edhe në Tropojë një atentat imagjinar ndaj Ramiz Alisë. Për këtë alibi kush më të përshtatshëm se ne që rridhnim nga familje të persekutuarish do të ishte më i besueshëm për alibinë e tyre. Pas vizitës së Ramizit në Tropojë unë dhe shokët e mi kemi diskutuar vazhdimisht rreth kësaj vizite, duke shfaqur mendimin se sikur të vritej ky, regjimi merrte fund sepse për Enver Hoxhën thuhej se ishte i mbaruar. Madje fantazia jonë filloi të prodhonte mënyra dhe ide se ku dhe si mund të asgjësohej më mirë dhe me thjesht. Ki parasysh se ne ishim disa rinj plot fantazi dhe të pakënaqur nga jeta sepse nuk kishim asnjë hapësirë për të jetuar të paktën si të tjerët. Nuk e di nëse e përfytyroni atë lloj bisede që mund të bëjnë disa rinj por që kishim një të veçantë nga bashkëmoshatarët tanë në të gjithë Shqipërinë. Mendonim se si do t’ja bënim për të shpëtuar nga regjimi.
Ngjarja që ju përshkruani zoti Haluci dhe vizitat e Alisë në rrethet e veriut të cilat ju sa i përmendët, kanë qenë në vitin 1983. Si mund të përmbysnit sistemin komunist sipas jush duke vrarë Ramiz Alinë ndërkohë që atëherë jetonte Enver Hoxha?
Më vjen keq por unë nuk kam pretenduar kurrë se mund të përmbysja regjimin komunist të asaj kohe, por që në atë kohë kam qenë i bindur se regjimi komunist në Shqipëri nuk është i përjetshëm dhe se çdo ditë po i afrohej fundit. Ne kishim shokë e miq edhe në Tiranë dhe kur vinim ndonjëherë në Tiranë flitej hapur se Enver Hoxha në atë kohë ishte në gjendje të rëndë shëndetësore fizike dhe mendore. Në Tiranë flitej hapur mes të rinjsh. Këtë mëndim na e përforcoi edhe më shumë turi i Ramiz Alisë nëpër Shqipëri gjatë vitit 1983. Ky tur politik nuk linte mëdyshje tek askush se Ramiz Alia do të ishte pasardhësi i Enver Hoxhës.
Dhe ju mendonit të shpëtonit Shqipërinë duke vrarë Ramizin?
Ne mendonim të shpëtonim veten. Ne ishim të rinj por nuk e di, e ndjenim dhe e kuptonim se duhej të bënim diçka. Nuk mund të pajtoheshim me atë sistem gjakatar. As me atë fukarallëk të paimagjinuar. Persekutimi dhe hallet na kishin ndërgjegjësuar së tepërmi aq sa të mendonim edhe gjëra të tilla. Ne në atë kohë na punonte mendja vetëm si të shpëtonim nga regjimi. T’i drejtoheshim kufirit nuk mendonim se shpëtojmë sepse të kaloje në Jugosllavi ishe automatikisht i kthyer dhe i kalbur në burg. Unë personalisht e kisha provuar njëherë. Kështu sipas mendimit tonë vdekja e Ramiz Alisë ndërkohë që Enver Hoxha ishte në ditët e fundit të jetës do të përshpejtonte përmbysjen e regjimit.
Sigurisht, ju vetëm aludonit tashmë që Ramizi kishte përfunduar vizitat?
Patjetër, por që neve diskutonim vetëm për hallet tona. Dhe kjo gjë na çonte mendjen deri te Ramizi. Pra ishte një bisedë dhe kaq.
Zoti Haluci, u ndalët goxha nga numri i kaluar në lidhje me përpjekjet tuaja për të mos jetuar në Shqipërinë komuniste. Madje të shkoi edhe mendja se përse nuk i bëtë atentat Alisë gjatë vizitës së tij në Tropojë. Pse kishit aq mllef për sistemin, kishit arsye? E them këtë, se të jesh kaq i betuar, do të thotë se duhet të kesh një shkak më shumë se të tjerët, që të bëhesh kaq i shqetësuar që jeton në atë sistem.
Si thua ti, nuk kisha arsye për ta urryer atë regjim?! Kur unë isha vetëm 5 vjeç, babai im për të shpëtuar nga arrestimi është detyruar të arratiset nga Tropoja, së bashku me mua dhe vëllain tim më të madh që atëherë ishte 9 vjeç dhe ka shkuar në ish-Jugosllavi, në Vuthaj të Malit të Zi tek vëllai i tij, i cili ishte arratisur që në vitin 1952. Kam provuar burgjet komuniste duke filluar në moshën 5 vjeç, disa ditë në Titograd, sot Podgoricë, pastaj pasi na kthyen pas 9 muajsh, kam kaluar disa ditë në burgun e Shkodrës dhe disa ditë në qelitë e tmerrshme të burgut të Bajram Currit. Mua dhe vëllain na lanë të lirë për arsye moshe, kurse babain e dënuan me 15 vjet burgim. Si thua ti, Z. Veliu?!
Sa vjeç keni qenë kur jeni arratisur?
Kam qenë vetëm 5 vjeç. Më mori babai me vete, të shpëtonim nga ai regjim i padurueshëm.
Po si ka mundësi, kur ju u ndodhët sërish në Shqipëri?
Na kthyen komunistët jugosllavë. Sigurimi i shtetit shqiptar kishte marrëdhënie të shkëlqyera me UDB-në Jugosllave dhe pas 9 muajsh na kthyen në Shkodër.
Sa vjet burg bëri babai?
Babai im nuk arriti të dilte më nga burgu. Ai pas kthimit nga Jugosllavia u dënua 15 vjet burg. U ridënua përsëri në vitin 1974, pasi mori pjesë aktive në revoltën e të burgosurve politikë të Spaçit. Ishte vetëm 46 vjeç kur ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1975, ndërkohë që vuante dënimin në Burgun e Burrelit. Pas kësaj, unë si u rrita, madje kur isha rreth moshës 20 vjeç, duke mos pasur asnjë të ardhme për jetën, mendoja çdo ditë që të arratisesha nga Shqipëria për të shpëtuar njëherë e mirë nga regjimi.
Nuk kishit prapë frikë nga UDB-ja?
Nuk tentova kurrë më të arratisesha nga kufiri me ish-Jugosllavinë, sepse e dija se përsëri do më kthenin. Në vitet 1982-1983 kam shkuar disa herë në Gjirokastër për t’u arratisur në Greqi, sepse grekët nuk të kthenin. Kështu që ndërsa rrinim në Tropojën e përvuajtur nga komunizmi, edhe pse ishim të njomë mendonim si të mund të shpëtonim prej atij regjimi gjakatar. Dhe këtu dolëm te historia të cilën jua përshkrova pak më lart, kur gjashtë muaj si kishte ikur Ramizi ne diskutonim se kishim bërë gabim që s’kishim ndërmarrë ndonjë lloj atentati ndaj tij dhe kështu që pas vdekjes së Enverit, sipas nesh, do të mund të përmbysej komunizmi.
Dhe thatë se pas asaj bisede ju u arrestuat. Si u mësua?
Ne e dinim se ishim gjithmonë të survejuar nga sigurimi i shtetit. Por, siç e dini, sigurimi i shtetit ka qenë i tmerrshëm atëherë. Ku s’i ka pasur spiunët dhe bashkëpunëtorët. Bisedat dhe veprimet tona ishin të njohura për sigurimin e shtetit dhe përfundimi dihet, një arrestim spektakolar. Një demonstrim force përpara popullit të Tropojës, kur na nisën për në Tiranë, duke na nxjerrë në sheshin kryesor të qytetit të lidhur me pranga dhe me litarë, nga Dega e Punëve të Brendshme deri në mes të sheshit ku ishte autokolona e makinave që do na sillte në Burgun e Tiranës.
Kur u arrestuat?
Ka qenë mesnata e 24 nëntorit 1983-it, pra plot gjashtë muaj pasi Ramiz Alia ishte larguar shëndoshë e mirë nga Tropoja. Arrestimi është një histori më vete. Sepse nuk erdhën sikur do të arrestonin dy të rinj, por sikur po arrestonin super kriminelin e botës. E ngjashme me atë aksionin që dimë për kapjen e Bin La Denit. Ishin forca të tëra speciale të 326-ës së famshme, të mbështetura nga mjete të blinduara dhe lloje të ndryshme armësh duke e rrethuar shtëpinë nga të gjitha anët. Atë natë në shtëpinë time u arrestuam unë dhe djali i xhajës tim, Isuf Haluci, i cili siç mund të keni dëgjuar, është vrarë me 29 shkurt të vitit 1992 në urën e Tragetit të Tropojës, ndërkohë që po përcillte drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike, të cilët ishin në Tropojë për të hapur fushatën elektorale të kësaj partie për zgjedhjet politike të 22 marsit të vitit 1992.
Po si mendoni ju, përse bënë një “spektakël” të tillë?
Demonstrim force, për të terrorizuar tropojanët, për të thënë se kapëm dhe asgjësuam një grup armiqësor shumë të rrezikshëm. Ti duhet ta kesh dëgjuar që është përmendur shumë “Grupi i Tropojës”, që gjoja do të vriste Ramiz Alinë.
Sa muaj hetuesi bëtë?
Plot 26 muaj hetuesi, në hetuesinë speciale në Tiranë, nën tortura çnjerëzore nga një grup hetuesish të zgjedhur në të gjithë Shqipërinë dhe të njohur si hetuesit më gjakatarë që kishte Shqipëria në atë kohë. Disa prej tyre janë edhe sot në organet e drejtësisë, të cilët siç e kam thënë edhe herë të tjera, kanë marrë pjesë aktive në gjurmimin, arrestimin, hetimin, torturimin, dënimin dhe ekzekutimin e shumë shqiptarëve për motive krejtësisht politike. Në përfundim të hetuesisë, një mal me akuza, komplet Kodin Penal të asaj kohe, pjesën “krimet kundër shtetit”.
Mundeni t’i kujtoni?
Po përpiqem, “tradhtia ndaj atdheut në formën e kryerjes së porosive të agjenturave të huaja, (CIA-s dhe UDB-së); “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”; “sabotimi i ekonomisë socialiste”; “tentativa e arratisjes jashtë vendit”; “armëmbajtje pa leje”, si dhe “shkelja e dispozitave mbi arin e valutën” etj.
Hetuesia thatë përfundoi pas 26 muajsh?
Pas 26 muajsh, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me juridiksion fillestar na dënoi me “Vdekje me Pushkatim”. Pastaj gjithë trungu i familjeve tona, plot 18 frymë, do të përfundonin në internim në Kotë të Vlorës, ndërkohë që unë dhe Isufi do të rrinim nën pushtetin rraskapitës të superprangosjes nga duar e këmbë, si dhe me kokën të mbështjellë nga helmeta metalike. Pra në kushtet e njeriut që pret të ekzekutohet.
Por si arritët t’i “shmangeshit” plumbit të skuadrës së pushkatimit?
Historia e thesarit ishte edhe një përpjekje e fundit për të kthyer situatën në favorin tonë. Nga ana tjetër, Isufi, duket gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit e vuante shumë faktin se bashkë më të po shkoja edhe unë drejt dënimit me vdekje. Ishte katër vjet më i madh në moshë se unë. Duket, ndihej përgjegjës. Ndërkohë, unë e kisha vënë re se ai gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, ishte përpjekur që të devijonte akuzat që më përfshinin edhe mua. Saktësisht mohoi të gjitha akuzat, duke i quajtur të montuara, por edhe pohoi gjithashtu, sido që të vinte puna, se Skënderi, pra unë, nuk ishte i përzier me asnjë prej tyre. Mori gjithçka përsipër vetë.
Ju do të thoni se alibia e arit që Isufi hodhi mbi tavolinën e sigurimit në atë kohë nuk ka qenë një ide e momentit, por një veprim i menduar dhe ideuar prej kohësh?
Unë jam i bindur se më shumë se për veten, Isufi e kishte menduar planin e vet deri në imtësi, duke përllogaritur provokim-vëzhgim rezultati edhe kundër-reagimet e kundërshtarëve. Ai kishte menduar t’u jepte një provë të fortë njerëzve, që kishin në duar fatin e jetës së tij dhe jetës sime, me qëllim që ata të nisnin të besonin seriozisht në historinë e legjendës së thesarit.
Fillimisht, që të besonin se e kishte seriozisht për thesarin, Isufi u tha atyre të Sigurimit të Shtetit se ku gjendej një pjesë fare e vogël e tij.
Në të vërtetë, ishte marrë Isufi me flori, që i shkoi mendja te një alibi e tillë, duke ditur se do të besohej?
Me Isufin në atë kohë bënim tregti me anë të florinjve, që i mblidhnim në zonën e Tropojës dhe i dërgonim jashtë vendit me anë të shoferëve të kamionëve të tregtisë së jashtme, të cilët, kur ktheheshin, na sillnin mall, orë e sende të tjera, çikërrima të ngjashme, por shumë të kërkuara në tregun e kohës.
Pra Isufi, në një farë mënyre e njihte floririn dhe se duhet të ketë pasur, ndryshe nuk mund të përdorte një alibi të tillë, apo jo?
Para se të na arrestonin, kujtoj se kishim gjendje 23 monedha floriri, që Isufi i mbante të fshehura në murin e shtëpisë së tij, në Bujan, pas një tulle që duhej hequr. Pas arrestimit tonë, duke e ditur se kishim nëpër duar florinj, policia dhe Sigurimi kontrolluan të gjitha vrimat e mundshme, me mjete të sofistikuara të kohës, përfshi edhe mina apo metalkërkues, madje e mbajtën shtëpinë të rrethuar për një javë, por pa mundur të gjenin ndonjë gjë të vlefshme. Kështu Isufi, në zbatim të planit të tij, u rrëfeu krerëve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe se ku gjendej “një pjesë fare e vogël e thesarit”. Ata shkuan në shtëpinë e tij në Bujan dhe i gjetën 23 monedhat pikërisht pasi hoqën tullën që u kishte thënë Isufi. Duket, saktësia e informacionit dhe e vërteta e vërtetuar, bindi krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme që të besonin tek pjesa tjetër, te thesari i Bujanit, i fshehur në një zgavër të lumit Valbonë.
Kështu, më 22 shtator, Krerët e Sigurimit të Shtetit së bashku me Isufin u nisën për në Tropojë.
U rakorduat juve me Alibinë e Isufit? Pra a ju morën në pyetje para se të shkonin për të verifikuar atë çka u sajonte Isufi?
Para se të niseshin për në Tropojë, ata të Sigurimit më morën në pyetje. Ndërsa unë bëra lojën e Isufit, djalit të xhaxhait, që e adhuroja. Më pyetën për thesarin dhe u thashë se nuk dija asgjë. Kështu më kishte mësuar Isufi. Ne, por edhe të gjithë të burgosurit e tjerë, komunikonim ditë e natë me anë të një kodi që ishte shpikur në burg, i ngjashëm me atë MORS, ku një germë e caktuar e alfabetit kishte një numër goditjesh përkatëse në murin ndarës të qelive. Ndërsa ditën e dytë të marrjes në pyetje, duke bërë sikur u theva nga presioni, u rrëfeva xhelatëve se e dija se Isufi kishte një sasi floriri, por u thashë se nuk e dija se ku e mbante të fshehur. Duket ky pohim i bindi përfundimisht ata të Sigurimit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, se Isuf Haluci nuk i mashtronte për “thesarin”.
Pas kësaj, kishin arsye të shkonin?
Shpura e policisë dhe disa krerë të Sigurimit të Shtetit kishin udhëtuar për gjatë gjithë natës për në Tropojë. Isufin e kishin lidhur këmbë e duar me hekura, ndërsa në dy krahët i rrinin dy policët më viganë të Repartit Special nr. 326, një nga të cilët ishte kampion në sportin e mundjes, të cilët i njoh edhe sot dhe më kanë folur për këtë udhëtim.
Siç më tregoi Isufi më pas, dy policët që e kishin marrë përsipër sigurimin e tij, njërën dorë e kishin të lidhur me pranga me dorën e tij. Kështu kishin udhëtuar gjatë gjithë natës me makinë, kështu kishin ecur përgjatë shtratit të Valbonës, kështu kishin parë shfaqjen për gjetjen e thesarit në vendin ku përroi i Shydenicës bashkohet me lumin e Valbonës duke krijuar një zgavër gjigante.
Me të mbërritur te vendi i thesarit, te gropa në lumë, ku Isufi kishte treguar me gisht vendndodhjen e thesarit, një polic, që bënte zanatin e palombarit, ishte zhveshur për t’u veshur me kostumin e zhytjes të stilit të vjetër, të përbërë edhe nga një skafandër që vendosej në kokë. Pasi ishte bërë gati, edhe pse uji ishte i ftohtë brisk, polici ishte zhytur.
Si u kishte thënë Isufi se e kishte fshehur floririn?
Kujtoj se Isufi u kishte thënë se florinjtë, rreth 13 kilogramë, i kishte futur në një arkë metalike dhe se këtë, gjatë kohës së verës, kur niveli i ujit kishte rënë, e kishte lidhur me kavo çeliku pas një shkëmbi në fund të shtratit të lumit, në një tip zgavre.
Pse mendon se u tha se kishte 13 kilogramë dhe nuk u tha për shembull 15 apo 20. Mund të ketë ndonjë domethënie apo kot?
Më pas, këtë shifrën 13 kilogramë e kam peshuar shpesh në mendje dhe gjithmonë rezultati më ka dalë, se duhet të ketë pasur lidhje me 13 akuzat që Sigurimi i Shtetit kishte montuar në adresën tonë. Një profeci e zgjuar e Isufit. Por, le të kthehemi te kërkimi i thesarit. Polici që u fut në ujë ishte nga më të zgjedhurit e më të fuqishmit e Repartit Special Nr. 326. E njihnin të gjithë me emër, Xhiku. Por, u lodh shpejt duke u zhytur. Sepse lumi kishte pasur prurje të mëdha për shkak të shirave dhe për më tepër uji kishte qenë shumë i ftohtë. Për rrjedhojë, polici nuk kishte mundur të kërkonte me kujdes, të eksploronte që të gjitha zgavrat.
Mendon se edhe zgjedhja e një vendi të tillë të paeksplorueshëm për të ndërtuar alibinë nuk mund të ketë qenë rastësisht?
Ashtu është. Unë mendoj se zgjedhja e atij vendi për kërkimin e thesarit, ishte sërish pjesë e mendjes gjeniale të Isufit, pasi në atë zonë të Valbonës edhe në verë, kur ka pak ujë, është e vështirë të shkosh në taban të lumit dhe të eksplorosh të gjitha shpellat e nënujshme.
Pas disa orësh përpjekjeje, polici palombar ishte dorëzuar. Por, ishte dorëzuar, pa u bindur se kishte eksploruar gjithë zonën që Isuf Haluci qarkonte me gisht diku nën sipërfaqen e ujit të Valbonës. Pra, ishte dorëzuar, duke e lënë sërish enigmë të vërtetën e “thesarit”.
Zoti Haluci, e ndërpremë intervistën e numrit të kaluar pikërisht në momentin që specialët të mbështetur nga njerëz të përgatitur fizikisht dhe që bënin edhe polumbarin, po kërkonin dhe nuk mund të gjenin floririn e pretenduar nga yt kushëri Isufi dhe i mbështetur sipas legjendës nga ty. Jemi pikërisht në momentin që polumbari pasi rrëmoi në vorbullën e ftohtë dhe me prurje të shumta të ujërave dimëror pas më shumë se katër orësh doli dhe tha se nuk mundi të gjente gjë por edhe nuk mundi të rrëmonte dot guvat e shtratit të lumit. Ajo që doja të dija unë për ta rinisur këtë bisedë është se a ka reaguar Isufi i cili mbahej i superprangosur në breg të lumit, në këtë moment që është dorëzuar polumbari?
Në këtë kohë Isufi u ishte lutur ta linin atë që të zhytej me qëllim që të nxirrte thesarin. Madje u ishte lutur disa herë. Por, drejtuesit e këtij operacioni nuk e kishin lejuar. Duke pasur parasysh gjendjen e tij pasi Isufi, i katandisur kockë e lëkurë nga torturat, në pothuaj gjysmën e peshës së vet trupore, nuk do të kishte dalë i gjallë që andej. Ma kishte thënë që në momentin e parë që më tregoi për rrengun. Më kishte thënë se, sido që të vinte puna, së paku do të arrinte të shihte Tropojën për herë të fundit. Kështu që fjala e palombarit se nuk kishte mundur të kontrollonte gjithë shpellat në shtratin e lumit, sërish nuk i kishte lëvizur drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, vetë ministrin Hekuran Isai, por edhe Drejtorin e Sigurimit, Zylyftar Ramizi, nga bindja se Isuf Haluci nuk i kishte mashtruar.
Si vepruan pasi nuk e lanë Isufin në idenë e vetë që të kërkonte ai?
Në përfundim të kërkimit pa rezultat, ata kishin urdhëruar që e gjithë zona që qarkonte pikë-takimin e Valbonës me përroin e Shydenicës të rrethohej me tela me gjemba e të ruhej me roje të armatosur. Të njëjtët ishin kujdesur gjithashtu të shmangnin të gjithë kuriozët, duke varur në disa pozicione të gardhit rrethues tabela që shkruanin se sipërfaqja e rrethuar ishte ekonomi ndihmëse e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës.
Pas kësaj thoni ju, u komunikuan anulimin e ekzekutimit tuaj?
Pas katër ditësh nga kërkimi në Valbonë, mua më nxorën nga qelia dhe më çuan në zyrën e hetuesisë. Aty pashë se kishin çuar edhe Isufin, djalin e xhaxhait dhe kuptova se diçka e madhe ishte duke ndodhur. Pasi ishte kthyer nga Tropoja, Isufi me anë të kodit tonë më kishte shkruar një fjali të vetme: “Më duket se ua futa”! Prandaj kur e pashë aty, në dhomën e hetuesisë, të them të drejtën u frikësova. Mendova se Sigurimi i Shtetit mund të kishte zbuluar dredhinë. Por, isha gabuar. Pak çaste më pas në dhomë u dha Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Ministri nxori paketën e cigareve dhe na zgjati nga një, mua dhe Isufit. Unë nuk e kam pirë kurrë dhe refuzova. Ai më tha se unë kisha mbetur armik në një mënyrë ku duhet të ketë pasur edhe djallëzi, apo, për atë vetë, edhe humor. Por, kur je i dënuar me vdekje, kur jeta është në fill të perit, nuk e kupton, nuk e nuhat dot humorin e të tjerëve, për më tepër të xhelatit tënd. Ishte edhe koha kur sapo kishim mësuar se familjet tona, 18 frymë, i kishin internuar në Kotë të Vlorës. Ministri nisi të na sillte rrotull me ca histori pa rëndësi dhe në fund na tha se Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte Ramiz Alia, megjithëse ia kishim bërë shumë borxh Partisë e shtetit, na kishte falur jetën dhe se masa e dënimit do të ishte 25 vjet burg. Para se ne të merrnim veten, ministri lëshoi edhe një “megjithëse nuk e meritoni” duke u larguar.
Pra ju thoni se alibia e Isufit i kishte vënë në mendime autoritetet e atëhershme për t’ju falur jetën pasi kuptohet sipas tyre me ekzekutimin tuaj do të kumbisnin edhe shanset për të gjetur floririn. Nuk e di nëse u shpreha qartë zoti Haluci?
Karremi i thesarit kishte bërë punën e vet. Ne të dy të dënuarit me vdekje nga Bujani i Tropojës tashmë kishin shanse të vazhdonin të jetonin, madje falë moshës së re, kishin shanse edhe të jetonin si gjithë të tjerët, të lirë. Më 15 dhjetor 1985, mua më dërguan në burgun famëkeq të Spaçit, ndërsa Isufin, pak më larg, në burgun e Qafës së Barit. Por, ditët pa tortura për mua ishin fare pak. Pas dy muajsh, më 18 shkurt 1986, unë u transferova për në burgun e frikshëm të Burrelit. Burgu i Burrelit ishte më i tmerrshmi. Por, unë isha i ri dhe i fortë dhe me ndihmën e familjarëve të mi rezistova. Më vonë e kam menduar se mbyllja ime në burgun e Burrelit duhet të ishte vendosur dhe materializuar edhe si njëfarë presioni ndaj Isufit, që të mos ua dridhte.
Po Isufin, ku e dërguan të vuante dënimin?
Isufin nuk e lëvizën nga burgu i Qafës së Barit. Aty ai arriti ta merrte veten shpejt fizikisht. Madje nga 50 kilogramë peshë trupore që kishte ardhur, kishte rifituar me shpejtësi peshën e zakonshme, por edhe i kishte ardhur në vend zemra dhe guximi.
E kishin lënë të rinisnin kërkimet në verë si të uleshin prurjet e Valbonës?
Në fillim të verës së vitit tjetër, 1986, shpura e policëve ishte bërë sërish gati për të nisur kërkimet e thesarit në zgavrën që krijohet nga bashkimi i Valbonës me përroin e Shydenicës. Sepse ëndrra, ajo ëndrra e florinjtë e ministrit Hekuran Isai dhe të tjerëve vazhdonte.
Biseda e fundit për thesarin e Valbonës mes ideatorit të tij, Isuf Haluci, dhe krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është zhvilluar në verën e vitit 1986 në ambientet e burgut të Qafës së Barit.
Besoj se Isufi tashmë që kishte rifituar jetën nuk i interesonte të vijonte albinë. Pra si ka vijuar biseda me të pasi erdhi vera?
Dikush nga Ministria e Brendshme ishte paraqitur për të biseduar me Isufin në burgun e Qafë-Barit. I kishin thënë Isufit se koha ishte ngrohur, se niveli i ujit të Valbonës kishte rënë dhe se ishte kishin planifikuar që të shkonin sërish, një nga ato ditë, të kërkonin për thesarin atje, te vendi. Por, Isufi që e kishte marrë plotësisht veten fizikisht, kishte bërë sikur nuk kuptonte. Tjetri ishte detyruar t’i kujtonte se ai, Isuf Haluci, kishte lënë një bisedë përgjysmë me shokun Hekuran Isai… për atë punën e thesarit. Por, përgjigja e fundit e Isufit, batuta e tij “ik ore, se nuk e kam floririn për Hekuran Isain” kujtohej pothuaj me eufori nga të gjithë të dënuarit e burgut të Qafës së Barit. Më tej Isufin e kishin rrahur keqas për gati dy javë. Kujtoj se e sollën në Burrel të masakruar. Por, sërish e mori veten shpejt.
Pra dolëm te pyetja ime e ripërsëritur disa herë gjatë vijimit të këtij subjekti kaq interesant se jeta juaj paska shpëtuar nga rrengu apo gracka në të cilën Isufi arriti të fuste sigurimin e shtetit të atëhershëm dhe vetë ministrin Hekuran Isai?
Është e vërtetë që ne të dy përfituam nga rrengu që Isufi thuri për ministrin Hekuran Isai dhe krerët e tjerë të Ministrisë dhe Sigurimit të Shtetit. Por, pas lirimit në qershor 1991, në vigjilje të vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, unë kam mësuar edhe për një tjetër rrethanë që mendoj se ka ndikuar shumë te Ramiz Alia në firmosjen e dekretit që e ndryshoi dënimin tonë, nga me “vdekje me pushkatim”, në “25 vjet heqje lirie”. Prandaj unë mendoj se veç rrengut të thesarit, në faljen e jetëve tona ka ndikuar edhe fakti i pushkatimit në të njëjtën periudhë i katër fatkeqëve nga kjo zonë.
Është thënë shumë zoti Haluci se pas viteve ’90 kur do të gjykohej udhë-heqja më e lartë e shtetit komunist dhe vetë Ramiz Alia, Nexhmije Ho-xha, Hekuran Isai e të tjerë, pikërisht juve jeni ngarkuar me drejtimin e trupit gjykues që do të gjykonte Ramiz Alinë. Detyrë që ju e keni refuzuar dhe keni dhënë dorë-heqjen. Është e vërtetë? Së pari, si mundët të profesionalizoheni në fushën e drejtësisë?
Është e vërtetë. Pas lirimit nga burgu në vitin 1991, në vigjiljen e vizitës së Sekretarit Amerikan të shtetit Xhejms Beiker në Tiranë, mitingun të të cilit me popullin e Tiranës e kam parë në televizion në shtëpinë e një mikut tonë që ishte liruar disa ditë para nesh në qytetin e Laçit. Menjëherë, kam filluar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me shkëputje nga puna. Kam përfunduar ciklin katërvjeçar me rezultate shumë të mira dhe jam diplomuar jurist në vitin 1995. Në vitin 1996 jam emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Doja të dija në çfarë pozicioni juridik ndodheshit në momentin e arrestimit të Ramiz Alisë me të cilin tashmë me sa shikoj e solli jeta që ju të ndërronit rolet ku ai ishte në pozicionin e të arrestuarit dhe ju të përfaqësonit ligjin dhe drejtësinë e shtetit. Pra çfarë detyre keni pasur kur ai u arrestua dhe a është e vërtetë zhurma që po bëhet ngado se ju nuk keni pranuar të bëni gjykimin e tij?
Pas arrestimit të Ramiz Alisë diku nga fundi i vitit 1996 fillimi i vitit 1997 jam caktuar për të gjykuar çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Ramiz Alia, Simon Stefani dhe Hekuran Isai. Kam dhënë dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështjeje bazuar në parimet themelore të drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor duke pasur parasysh edhe faktin se ishte Ramiz Alia, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili kishte firmosur dekretin për ndryshimin e dënimit të dhënë nga Gjykata e Lartë ndaj meje dhe djalit të xhaxhait tim, nga me “Vdekje me Pushkatim” në dënimin me “25 vjet heqje lirie”.
Kishit interpretim ligjor në shkaqet që parashtruat kur refuzuat gjykimin e Alisë?
Dorëheqja ime ka qenë edhe në respektim të plotë të neneve 15, 16, 17 e vijues të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë ku bëhet fjalë për “Rastet e Papajtueshmërisë me Funksionin e Gjyqtarit në Gjykim”. Në të tilla kushte pavarësisht nga shkaqet që e shtynë Ramiz Alinë që të vendosë për ndryshimin e dënimit tim dhe të kushëririt tim nga me “vdekje me pushkatim” në dënim me “25 vjet heqje lirie”, unë kurrsesi nuk mund të isha gjyqtari i tij. Po ju rrëfej se çfarë i ka thënë në fjalën e fundit pra se ta dënonin me vdekje prifti Dom Mark Hasi një gjykatësi shqiptar. “Me vendimin që po merrni ju nuk po më dënoni me vdekje, por ju po më shkurtoni jetën sepse kush ka lindur edhe duhet vdesë”. Kështu që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nuk po më dënonte me vdekje por po më shkurtonte jetën, gjë të cilën e ndaloi Ramiz Alia me dekretin e tij.
Si e komentoni shprehjen kur ju thonë se Ramiz Alia ju ka shpëtuar jetën?
Më vjen shumë keq kur më thonë se “Ramiz Alia të ka falur jetën”. Jetën ma ka falur Zoti, ndërsa Ramiz Alia nuk e lejoi Gjykatën e Lartë të ma shkurtonte.
E takuat Ramizin kur ishte i arrestuar?
Nuk e kam takuar asnjëherë dhe as nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje për ta takuar. Pavarësisht nga marrëdhënia ime me të, ai mbetet një diktator tipik sllavo-komunist shqiptar dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës.
(bw)