E gjithë kjo po zhvillohej në heshtje, derisa një ditë shtatori befas shpërtheu zhurma. Shkak u bë një artikull i agjencisë BIRN, që citonte një avokat të studios që ka pajtuar qeveria, i cili në një seancë gjykimi kishte thënë se DIA-n, kompaninë e Ismailajt, e kishte rekomanduar tek CEZ një ish-kryeministër i akuzuar për korrupsion. S’kishte nevojë për shumë hamendësime dhe të gjithë vunë gishtin tek Ilir Meta, edhe për shkakun se Ismailaj ishte mik i tij i ngushtë dhe aktiviteti i DIA-s u zhvillua kur Meta ishte Ministër i Energjetikës. Kaq dhe plasi sërish poterja politike. Kësaj zhurme i shtohet edhe një tjetër mashtrues, ish-drejtor i DIA-s, që regjistron ca video nëpër lokale e rrugë të Tiranës dhe i shet nëpër studio televizive(për të zezën e medias në këtë rast) si kërcënime, e duke dashur të marrë atributet e njeriut që po lufton mafien me dëshminë e tij.
Por dëshmitari Elvis Mataj s’ka asnjë çfarë të thotë më shumë tashmë. Se si është ngritur kompania DIA, ku është krijuar, kush e ka krijuar e me sa para, kur u lidh marrëveshja, si ndaheshin paratë, etj etj, tashmë këto dihen të gjitha. Janë të gjitha në dosjen e prokurorisë që po e heton ish-shefin e Elvisit, Kastriot Ismailajn, për mashtrim e pastrim parash, pasi përmes kompanive fantazmë e pa bërë asnjë punë, transferonte miliona dollarë. Madje në që vitet 2012-2011 kur bëheshin këto pazare media e pavarur e kohës nuk reshti së bërtituri për këto që po bëheshin. Dëshmia dhe “dokumentet e rrjedhura” nga gjyqi në Vjenë, janë më shumë një legjendë, ndërsa duhet parë nëse zhurma që bën nëpër Tiranë me videot, është apo jo e dëmshme për çështjen në arbitrazhin e Vjenës.
Por ky soj mashtruesish janë vetëm përmbaruesit e këtyre historive. Dhe këtu duhet të fillojë gjykimi penal dhe publik tashmë. Pas tyre janë padronët e vërtetë politikë, ata që i mbështetën, ata që i rekomanduan dhe në fund ata që përfituan paratë pa dalë fare në skenë. Dhe, sa i takon çështjes së borxheve, nuk është vështirë të gjenden. Ata ishin vetë qeveria e Republikës së Shqipërisë. Historia kaq shumë e mitizuar e borxheve ishte shumë e thjeshtë. Institucione shtetërore, qeveritare, publike, private e familjarë nuk paguanin energjinë. Ishin rreth 400 milionë dollarë borxhe. Atëherë në skenë dolën borxhmbledhësit privatë, një biznes që funksionon edhe gjetkë, gjithsej nja 7 kompani, ku më i spikaturi ishte DIA e Kastriot Ismailajt, e krijuar me vrap në një ishull të pabanuar më 5.07.2010 dhe e sjellë në Shqipëri në 4.08.2010. Qeveria, pra institucionet e saj, që nuk ia paguanin paratë CEZ-it, vendosën t’i paguajnë tashmë, por duke i kaluar përmes taksambledhësve privatë, ku mbetej gjysma e shumës. Pra, taksidarët e CEZ merrnin gjysmën e parave pa bërë asnjë punë. Dhe padyshim jo vetëm.
A kanë lënë gjurmë për tu hetuar tashmë padronët e Ismailajt dhe Ismailëve të tjerë? Druaj që jo, pasi ata kanë vjedhur me VKM, kanë punuar me juristë dhe janë gati që ta padisin qeverinë e tyre në arbitrazhin ndërkombëtar(siç kanë bërë ndërkohë) e ta rrjepin sërish. Ish-qeveria ku Sali Berisha ishte kryeministër dhe Ilir Meta ministër i Energjetikës, tashmë është në luftë mes vetes. Berisha dhe PD akuzojnë Metën si “kumbarin” e taksidarit Ismailaj dhe kërkojnë me çdo kusht dorëheqjen, sepse ka qenë Meta që e ka futur me dhunë Ismailajn në arkën e parave të CEZ-it. Por nuk përmend taksidarët e tjerë, që ishin ushtarë të Berishës dhe bënë të njëjtën gjë, por ndryshe nga Ismailaj ata nuk kërkojnë para në arbitrazh tani. Me pak fjalë, tani është Berisha kundër Metës, për punët e pista që kanë bërë kur ishin të dy në qeveri. Në këto kushte, të dy kërkojnë hetim ndërkombëtar. Madje kërkojnë që të vijnë prokurorë amerikanë. Ta lëmë mënjanë ironinë e faktit që dy prej politikanëve më të rëndësishëm në vend nuk kanë besim tek drejtësia që vetë kanë ngritur dhe vetë i kanë shpëtuar disa herë pa u lagur. Por kërkesa për hetim ndërkombëtar është një tjetër tallje publike, kur ata e dinë më mirë se kushdo që asnjë prokuror i huaj nuk ka tagër të vijë të hetojë e të ngrejë akuzë për një çështje të brendshme në Shqipëri. CEZ nuk është një çështje ndërkombëtare. Ajo është një çështje tërësisht shqiptare, ku vetë qeveria e vendit, në bashkëpunim me mashtruesit-sekserë të saj vidhe paratë e veta, ose më saktë paratë e popullit.
Tashmë ne jemi në një situatë absurdi, ku mashtruesi shndërrohet në dëshmitar-hero, hajdutët bërtasin duke kërkuar hetime, ndërsa njerëzit s’kuptojnë asnjë ç’po ndodh, pasi ata që duhet të hetojnë, lexojnë gazetat dhe shikojnë video në TV.
Ne duhet të jemi të bindur se ligjërisht askush nuk ka për tu dënuar, ndoshta veç Ismailajt që e mbaroi periudhën e mjaltit me politikën dhe politika të flak pasi ka mbaruar punë. Ndërsa politikisht, nga kjo betejë mund të dalin të fituar vetëm Rama dhe Basha që shpëtojnë nga Berisha dhe Meta, të cilët mesa duket nuk do të kenë më asnjë shans të bashkëqeverisin. Në vende ku politika është njësh me krimin, asgjë nuk ndodh rastësisht. Sikundër kjo çështje nuk u rihap rastësisht nga një shkrim gazete.
Komentet